Fjalët fundit të Lasgushit për dashurinë e jetës së tij

“Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë”, kështu e përshkruajnë të bijat, Konstadina dhe Marija reagimin e Lasgush Pogradecit, kur vdiq e ëma e tyre Nafija, shkruan KultPlus.

Dashuria në mes të Nafije Mema Pogradecit dhe Lasgush Pogradecit, ka qenë një dashuri e veçantë. Këtë e dallojmë edhe përmes letrave që Lasgushi i ka shkruar për Nafijen.

Mirëpo vajzat e tyre Konstadina dhe Marija kanë më shumë se letrat e shkruar, ato kanë kujtimet për prindërit e tyre dhe për dashurinë që kishin ndaj njëri tjetrin,

Kështu ato kanë mbledhur shënime që ata kanë lënë por edhe kujtimet e tyre për t’i sjelle në “ L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korrespondence”.

Më poshtë mund të lexoni të plotë përshkrimin e momentit kur Nafije Mema Pogradeci ndërron jetë:

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë.

Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.

Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll.

Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të.

Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar?

E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.

Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.

L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho./KultPlus.com

Gjeniu i anijes

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija më nge? —
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtiu një rrufe!…

Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj vales së nxire
Gjeniu i anijes po flet:

Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem… anohem… humbohem…
Po sulmën s´e ndal kursesi.

Dh´aspak nuk më tremb zhurmërija,
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi korje të mija
Ndërsimi-i tallazit armik.

Përpara kur shoh gjeratore,
Dh´ato më gremisin në fund —
Mi kulmin e vales malore
Un´ heq të shpëtoj sa me mund.

E morti fatkeq në më çiku,
N´u desh tmerrësisht të fundas
Aspak nuk më thyen reziku,
Po nis e përmbysem me gas:

Se prapa le vazhdën e ndritur —
Q´e hapa me shpirtin fatos: —
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q´u sos.

Valimi-i anijes së letë
Qetohet, ndalohet, mbaron:
Gjeniu i anijes përjetë
Hepohet.. anohet… valon…

Lasgush Poradeci: Kur u takova me katër kosovarë

Tiranë, e Djelë 9 Janar 1972:

U takova me 4 kosovarë 30-35 vjeçarë, intelektualë të ardhur prej Kosove për qëllime kulturale, pas 2 javë, më tha njëri, do shkojmë për në Kosovë. Nuk më njihnin personalisht, u entuziazmuan që më njohë, njëri poet më tha: “jeni i adhuruar në tërë Kosovën, rinija entuziazmohet me juve, ju-a kemi botuar në Kosovë të 2 volumet e poezive”. Njëri prej tyre më tha: “Ky është poet, ka qënë nënë influencën tuaj, ju ka imituar etj”. Ay më tha: “e kam për nder të jem influencuar prej Lasgushit”.

Unë: “s’ka influencë, nuk lot rol influenca në poezi, në krijimin artistik. Influencë, imitacion, plagjiat, reminiscencë, çdo referencë ose lidhje ose relacion etjerash si këto terma, nuk ekzistojnë në poezinë e vërtetë. Poezi e vërtetë quhet një poezi, e cila është origjinale. Poezi origjinale është ajo poezi, e cila, gjith dyke qënë tangjente me poezinë e tjetrit, e ka përdorur atë tangjente vetëm si material brut, si lëndë e parë, por prej kësaj materjeje prima ka krijuar një origjinalitet fondi dhe forme dhe stili t’atillë, sa ajo del me atë origjinalitet të krijuar prej poetit, si një poezi më vete, si një krijim i ri, krijim që s’mund t’i-a gjesh shëmbëllën në tjetër poezi, sepse ajo tashi është një gjë më vete, një kontribut i ri në gjithë poezinë ekzistente. Me këtë origjinalitet, ajo e justifikon veten të ekzistojë midis similareve të saj, si krejt indipendente.

Similar s’do me thënë identik, po kategori e veçantë dhe veçantinë e saj i-a kërkon origjinaliteti i saj, origjinalitet fondi, forme, shprehjeje, stili, dhe sipër së gjithash koncepsioni – të gjitha këto të pakraharsueshme aspak me poezi tjetër. Krijimi i ri nuk tutet prej krijimeve anàs, d.m.th. prej similareve, prej similiaritetit. Këto dhe shumë të tjera shpjegime i thashë poetit kosovar rreth imitacionit, influencës që siç tha ay tjetri koleg i tij ishte prej Lasgushit. Ay (më vjen keq që s’ja mora emrin) mbeti i kënaqur, dhe fitoj kurajë prej shpjegimeve të mija, u duk nga fjalët që më tha pastaj – dhe unë i thashë duke e kurajësuar zemërbardhësisht: “bëni poezi, krijoni poezi, mos kini frikë prej poezisë së Lasgushit, sepse duke qënë i zoti të krijojë njeriu poezinë e tij, origjinale, siç thamë s’trembet prej tjetrit.

Ay që krijon një krijim të ri, nuk trembet prej tjetrit, sepse krijon një gjë të re. Si të trembet krijonjësi prej krijesës së tij, prej krijesës së tij të re, origjinale? Poeti, kur është i zoti të krijojë një poezi të re sipas këtij principi që është i vetmi princip poetik nuk ka frikë, s’trembet prej krijimit të tij, por përkundër, gëzohet dhe gëzohet me gëzim të madh, me gëzim të madh sepse i fal botës një gëzim të ri, një gëzim tjetër midis gëzimeve të tjera, dhe ay që i fal tjetrit një gëzim të ri s’trembet prej kësaj të falure prej kësaj dhurate po gëzohet me gëzim absolut për gëzimin absolut d.m.th. gëzimin origjinal që ay i fal të tjerëve nga zotësija e tij. Tashi ne mund të themi në këtë akord të tjera, po njësoj janë tërë të tjerat, esencial, ecenca e poezisë është poezia origjinale, d.m.th. origjinaliteti poetik./KultPlus.com

Letrat e Lasgush Poradecit për Ismail Kadarenë

Lasgush Poradeci dhe Ismail Kadare kanë pasur dhe raporte miqësie. Përveç lidhjes me letërsinë, ata kanë ndarë bashkë dhe shqetësime të jetës nën diktaturë.

Në disa letra të shkruara në vitin 1978, shihet besimi që Lasgush Poradeci kishte tek shkrimtari Kadare, të cilit i kërkon ta ndihmojë dhe për emërimin e vajzës së tij Kostandina, mësonjëse në Pogradec.

Dihet që Lasgushi bëri një jetë të tërhequr në qytetin e tij të lindjes duke iu përkushtuar vetëm letërsisë. Në këto letra shihet besimi dhe vlerësimi që dy figurat e rëndësishme të letrave shqipe kanë për njëri tjetrin.

Ismail Kadare e ka treguar raportin me poetin në librin “Ftesë në studio”, dhe vlerësimin për qëndrimin dhe vargjet e tij në korpusin e letrave shqipe.

Tiranë, nëntor 2002

———————–

Letra e parë

Merr: Ismail Kadare

Pogradec, 8 korrik 1978

I dashur Kadare

Nuk di ç’u bë me emërimin e çupës sime (Kostandina Gusho) si Mësonjëse në Pogradec pasi u fjalosmë në Tiranë më 25 maj. Në mbrojtjen e Diplomës në letërsi ajo mori notën 9. Pas dëshirës sime, e cila është një nevojë imja e madhe (fort shumë e madhe siç të fola në Tiranë), më gëzove dhe mora një kurajë që në dëshpërimin tim më the përnjëherësh do t’i thuash Ministrit. Mora kurajë meqë unë këtu në Pogradec ku ri për shëndet në shtëpi të babajt ku kam lindur jam i vetëm pa asnjeri familjeje dhe pa asnjë shërbim prej asnjeriu. Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam, fort shumë të madhe jam.

Këtu në Pogradec Mësonjësja e letërsisë Ana Jovan duke i vdekur bashkëshorti u transferua me kërkesën e saj për në Shkodër ku ka prindërit shkodranë. Posti i Ana-s si Mësonjëse letërsie mbeti në Pogradec vakant. Lutem folë ku duhet, që të destinohet për Kostandinën ky post vakant, duke u emëruar ajo provizorisht Mësonjëse për në Pogradec pa ia hequr pasaportizimin prej Tirane- ashtu siç është praktika e administratës, sikundër praktikisht që dërgohen provizorisht, që transferohen provizorisht nëpunësit për në tjetër vend, për në tjetër post pa jua hequr pasaportizimin prej vendit origjinar, prej postit origjinar. Shtoj se këtu në Komitetin ekzekutiv Kryetari (që vendos për transferimet) me pranoi me gatishmëri për dëshirën dhe nevojën time, dhe pret pa kundërshtim – Shkresën e Ministrisë.

Të fala edhe të përqafoj

Lasgushi Poradeci,

—————

Letra e dytë

Pogradec, 1 Shtator 1978

I dashur Kadare,

Sot në mëngjes më 1 Shtator vajta në Komitetin ekz., pyeta Shefin e Kuadrit të Arësimit, Nella Çobanin: pse nuk m’a emëruat çupën në Mbledhjen e caktimit të Kuadrit, kur se më kini pritur gjer më sot kaq mirë, më kini thënë se do t’a emëroni edhe në një vend sa më të mirë?

Shefi i Kuadrit më tha: Në mbledhjen e djeshme muarmë në shqyrtim më parë emërimin e çupës suaj, por me qenë se s’kishin ndonjë Shkresë ose ndonjë Telegram nga ana e Ministrisë së Arësimit, ndonjë Dokument nga ana e Ministrisë mbi të cilin të bazohemi për emërimin – nuk mundim të vendosim për emërimin. Po të na bëjë Ministria qoftë edhe një telegram që: emëroj aty në Pogradec si Mësonjëse vajzën e Lasgush Poradecit, neve e emërojmë menjëherë duke patur ku bazohemi në një Shkresë zyrtare, në një dokument zyrtar, sepse edhe telegrami është për neve një bazë zyrtare, një Shkresë zyrtare, një dokument zyrtar. Ne s’kemi këtu në Komitet kompetencë që të bëjmë asnjë emërim pa urdhërin e Ministrisë së Arësimit. Kështu më tha, Kadare, sot në mëngjes më 1 Shtator Shefi i Kuadrit të arësimit.

Lutem, le të bëjë Ministria një telegram – telegram sa më urgjent për emërimin e çupës sime, Konstandina Gusho, si Mësonjëse në Pogradec, le t’a bëjë Telegramin sa më urgjentisht, meqë shkollat sot më 1 Shtator filluan, dhe mua këtu në Kuadër, sot më thanë që i kanë ruajtur cupës sime një vend vakant, vend të krijuar duke nxjerrë në prituni, me të drejtë rroge, një Mësues shumë të merituar po që vuan prej vitesh nga nervat e tronditura gjatë shërbimit të tij ushtarak nënëdetësor.

Unë po përsëris, që, më parë se nga çdo gjë tjetër, Ministria të dërgojë këtu një telegram, në mbështetjen e të cilit Kuadri i Pogradecit të mund të bëjë pa vonesë emërimin. Pastaj, pas dërgimit të telegramit, Ministria le të kërkojë Dosjen e studentes së diplomuar Kostandina Gusho në Seksionin e arësimit të komitetit ekz. të Tiranës, për t’a dërguar Ministria Dosjen këtu në Pogradec; ose, në qoftë se Dosja dërgohet prej vetë Seksionit të Arësimit të Komitetit ekz. të Tiranës, le t’a dërgojë këtu Dosjen Komiteti ekz. i Tiranës.

Unë, i dashur Ismail, po e dërgoj çupën në Tiranë në datën 2 Shtator, ditë e Djelë, ka këtë letër, për t’jua dhënë juve çupa letrën në dorë që sot të Djelën me këto shpjegime të hollësishme nga ana ime, shpjegime të cilat edhe nuk janë të nevojshme pas fjalimeve tona këtu në Pogradec, veç se ato janë shprehje e shqetësimit tim, e shqetësimit tim të madh si edhe e shpresës sime të madhe (shpresës absolute) për emërimin e çupës pas ndërhyrjes sate kaq mirëdashëse për mua.

Me dashuri dhe mirënjohje të përqafon Lasgushi.

E mora shoqëzën përkrah

Poezi nga Lasgush Poradeci.

E mora shoqëzën përkrah,
E matmë rugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.

Pa zu dita perëndoj,
Pa zu nata na mbuloj,
Pa zura shoqen ta pushtoj.

Përse buçet liqer i qet!
Liqer, ti ç’thua ndaj bucet!
Ç’far’ pe, liqer, mi zall të shkretë?

E vendin kur e sjell nërmënd
Kur sjell nërmend, ah! atë vend,
As rroj as vdes, po jam pa mend.

Nga ditari erotik i Lasgushit

Tiranë, e Djelë 2 Korrik 1939: Ora 8.5’, mëngjes u nisa për Durrës, ora 9.30’ vajta ne Nafija. Pas drekës ora 2 u shtriva në shtrat (larg dritares), Nafija më ndjenji mbanë shtratit, pastaj ra në shtrat me mua (më të djathtën t’ime) dhe u pushtuam ashtu një hof: unë i-a hodha krahun nënë qafë, ajo e futi kokën në gjirin t’im; kur u sgjuam e mora nër kraha, i-a skuqa faqkat së puthuri dhe lëpiri gushën, sytë me 100 përkëdhelje. Më 6-8 baritmë anës detit përkrah.

Në shtrat më lëçiti 3 vjersha të saj, pas darkës fjeti në shtratin t’im, u sgjuam më 11 para mesnatës, biseduam pak, pastaj fjetmë. Më 6 korrik, E Enten, më 7.30’ të mëngjesit ardhi Nafija në dhomën t’ime. Më shkrojti: “shpirtin t’ënd” = “Nafijen”, “shpirti im” = “Lasgushi”. Më 3 u nismë, më 4.10’ harimë në Durrës. Më 5,40’ filluam, më 6.10’ mbaruam celebrimin e martesës në Bashki. Kur u kthyem në shtëpi të Nafijes i vura në gisht unaskën me brilant prej floriri të bardhë. Natën 6 dyke u gëdhirë më 7 Nafija m’a futi dorën në gji.

I vura byzylykun prej ari. Desha t’i-a fut edhe unë dorën, nuk më la, u zemërova. passi shkoj të flerë, ardhi 5 herë në dhomën t’ime që të më pajtojë, më në fund ardhi fjetmë bashkë, më 3 pas mesnate më tha se kish turp prandaj s’ma la dorën. Fjetmë pa bashkim trupor.

Më 7 Korrik, të Premten, ora 1.30’-4.30’, u shtrimë në shtrat bashkë, pa bashkim trupor. E zhveshi gjirin me turp të math. Gjiri i saj një parajsë vajzërore, mezi ka zënë të fryhet, cickat s’kanë maja. U përkëdhelëm me 1000 mënyra: “Puthmë dhe këtu” theshte, “edhe këtu”; “bëmë një vurratë këtu (në llërën lart) dhe këtu, edhe një, edhe një. Ora 5.30. qau, qava. Më 7 Korrik, ora 8.30’ baritmë, ndenjmë në lulishte. Më 6 Korrik ora 6.30-9.30 ndenjmë në lulishte.

Më 7 Korrik natën dyke u gdhirë më 8 fjetmë bashkë, me bashkim trupor, pa bashkim virgjëror. Nafija përkëdheleshe shumë, çuditesha për të gjitha, s’dinte, e mora prej shtratit në divan, vura llambën, në këtë natë sbathi me turp të math dhe breçkat: trupi i saj një bukuri për t’u çmëndur, i bie erë shumë të mirë, u puthmë, gojë e trup me 1000 mënyra. Më tre pas mesnate, u sgjuam dhe u përkëdhelëm (të zhveshur) me 1000 mënyra. Më ora 6 fjetmë pak të lodhur./gazeta shqip

Poradeci dhe Çabej në parkun e Grazit, tregimi i tyre në një lokal atje (FOTO)

Të veshur të dy me pallto, kapele në kokë, dhe një bastun në dorë Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci duken kaq elegantë ndërsa shëtisin në një park në Graz. Fotoja është bërë publike nga vajza e Lasgushit Maria.

Është e njohur miqësia që dy njerëzit e njohur të letrave kanë pasur me njëri tjetrin. Ata kanë qenë të dy studentë në Graz. Janë dhjetëra letërkëmbime që kanë shkëmbyer me njeri-tjetrin mbi magjinë e poezisë, apo Shqipërinë. Herë pas here Maria bën publike detaje interesante nga jeta e poetit. Ne kemi parë dhe një portret të gjuhëtarit të madh vizatuar nga Lasgushi.

Pak kohë më parë Maria tregoi dhe një episod teksa dy personazhet e njohur të letrave shqipe ndodheshin në një lokal.

“Ishim me Eqrem Çabeun në Graz (Austri), ishim të dy studentë (vitet 1925-1926). Kishim gjetur për të ngrënë darkë një restorant të vogël, por shumë të mirë familjar. Në kuzhinë ishte gruaja, në banak ishte burri dhe vajza e tyre ishte kamarjere. Na pëlqente shumë ushqimi aty.

Një natë, po hanim si zakonisht dhe po bisedonim. Lokali ishte plot dhe të gjithë hanin dhe flisnin me njeri tjetrin dhe nuk ndiheshin. Ne, na kishte tërhequr aq shumë biseda sa nuk e kishim vënë re që po flisnim me zë të lartë. Po flisnim shqip. Dhe herë pas here aprovonim njeri-tjetrin duke thënë po po (ata që dinë gjermanisht do ta kuptojnë). E vumë re që klientët na shikonin si të habitur. Po ne, vazhdonim të flisnim me zë të lartë.

I zoti i lokalit (burri, që rrinte në banak), na u afrua dhe me zë të ulët dhe me shumë sjellje na tha që duhet ta ulnim zërin sepse po shqetësonim të tjerët që ishin duke ngrënë. Ne, nuk e konsideruam vërejtjen e tij dhe vazhduam duke folur me zë të lartë. Ata, klientët, dalëngadalë filluan të paguajë dhe e boshatisën lokalin duke na lënë vetëm. U turpëruam shumë dhe nuk shkelëm më kurrë në atë lokal”, tregonte Lasgushi./ KultPlus.com

Sot është datëlindja e Lasgush Poradecit

Poeti, shkrimtari e përkthyesi Llazar Gusho, i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në datën 27 dhjetor 1899 dhe ndërroi jetë më 12 nëntor 1987 në Tiranë.

Vargjet e tij do të pasojnë kohët me krenari të përjetshme për pogradecarët dhe mbarë shqiptarët. Ai ishte shkrimtar, poet dhe përkthyes, i cili nuk bëri kurrë kompromise me artin e tij, duke i kushtuar kjo një gjendje jo të mirë ekonomike dhe indiferentizëm nga shtypi zyrtar i kohës.

Por, pas vdekjes së poetit dhe ndërrimit të sistemit, vargu Lasgushian është dhe vijon të jetë ushqim për brezat.

Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie.

Pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”.

Ai përktheu edhe disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj./ KultPlus.com

Elsa Lila shkrinë vargjet e Lasgush Poradecit në veprën e Mozart (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Elsa Lila që tash e shumë vite jeton në Itali, mbrëmë është rikthyer në skenën e Festivalit të RTSH-së, rikthim që është vlerësuar edhe nga vetë Elsa Lila, shkruan KultPlus.

Pranë moderatorit Adi Krasta, ajo ka treguar për projektet e saja të fundit, e cila për bazë ka muzikën e barokut, duke kombinuar më pas edhe vepra të periudhave të tjera, për ti gërshetuar këto vepra si të ishin një të vetme. Pikërisht duke u bazuar në këto kombinime, ajo mbrëmë ka bërë performancën e vargjeve të Lasgush Poradecit në veprën e Mozart, e cila është shoqëruar nga kuarteti i saj, për ta vlerësuar Elsën si instrumenti i pestë i këtij formati muzikor.

Elsa Lila është mirëpritur nga audienca për këtë ndërlidhje artistike që ka prezantuar në mbrëmjen e finales të Festivalit të RTSH-së. Video është realizuar nga Nazim Rashidi/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=3VBl4HFh0g0

Ri mbështetur në tryezë…

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ri mbështetur në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.

Asohere dyke pritur
I marr tëmbëlat nër duar
E qëndroj krye-venitur
Me vështrim në kraharuar.

Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime —
Pasi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t´ime.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M´i hap kindën e një pale…

Unë qit një psherëtitje,
Thyem pak e zë të shkruaj,
Dhe më shkon më një pulitje
Kur një dit´ e kur një muaj.

Mëndjen t´ime-e merr dëshira,
Ndjej në gjit një këngë gjaku,
M´i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:

Këjo oda s´ka mënyrë
Ku të kryet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si në pasqyrë
Drita e Përjetësisë.

Po çudi tani më fal-ti,
Zjarr, që djeg në shkrepëtimët!
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë-a himët…

Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s´ime,
Del nga shpirt´ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.

E si shkoj që prej së felii,
Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija?
U nxi dheu?… U shua qjelli?…
U bë natë gjithësija?…

S´është gjë: veç yll´i vetë,
Më s´më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar.

Përse të dua

Vargje nga Lasgush Poradeci.

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-

Prandaj.
Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

Kujtimet e Lasgushit për ditën e Flamurit në Bukuresht

Festa më e madhe e Kollonisë dhe e kishës shqipe të Bukureshtit ish 28 Nëntori: Dita e flamurit, dhe Shën-Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit.

Këto kremtime bëheshin me bujën dhe me madhështinë më të madhe, duke u ftuar në Seli të Kollonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vendit, me mbretin në krye të të gjithëve; ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.

Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rrinin nga mungesa e vendit jashtë në oborr, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në oborr, më të djathtën e hyrjes kryesore të kishës, qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamurët e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur.

Flamuri i Kollonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-për-qark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa- njëra e kuqe, tjetra e zezë- të cilat vareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të veshur secili burrërisht me rrobet e tyre kombëtare.

Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës ndër festat më të mëdha të saj- 28 Nëntor dhe Shën-Gjergj-, përbrenda ajo çkëlqente nga uniformat dhe rrobat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte ndër zemra.

Lasgush Poradeci.
Fragment nga “Himni Kombëtar ‘Flamurit pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij”

Kumbaro: Lasgush Poradeci i këndoi shpirtit të kombit

“Të lexosh sot Lasgush Poradecin do të thotë të ringjesh brenda vetes potencialin e pashtershëm të artit dhe të dashurisë, të cilat ai i sillte si forca e përjetshme e universit” ka pohuar Kumbaro në Pogradec në një homazh për 30-vjetorin e ikjes së poetit.

Në një ceremoni që u zhvillua në qytetin e tij të lindjes Pogradec, përfaqësues të artit dhe kulturës sollën kujtime për poetin e liqenit nëpërmjet poezive të tij. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj e ka cilësuar Poradecin si lirikun më të madh të shekullit të kaluar, si poeti i parë modern shqiptar dhe liriku më i madh i shek. XX. Lasgush Poradeci nuk e rreshti kurrë kërkimin: kërkim i përhershëm, liri në shprehje, liri në shkrim; liri në mendje e liri në zemër; Ajo kujtoi se:

“Të gjithë marrin jetë prej FLAKËS që ndrin, asnjë s’kujton ZJARRIN që pat djegur. Sepse POETI nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”. Janë fjalët e Lasgushit që dëshmojnë pse mblidhemi për ta përkujtuar atë dhe poezinë e tij. Sepse i këndoi shpirtit të kombit të tij, të atij që siç thoshte vetë, e bën një komb të pavdekshëm, se vetëm shpirti mbetet i dlirë e nuk përshtatet”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli ekspozitën homazh në 30-vjetorin e vdekjes së poetit, e pasur me dorëshkrime dhe foto nga jeta e poetit. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe deputeti Eduard Shalsi, studiues, të rinj, artistë , etj. Ministrja Kumbaro, e cila prezantoi edhe Klubin e Librit në qytetin e Pogradecit theksoi rëndësinë e leximit të poetit në ditët e fushatës kombëtare “Takohemi për një libër” duke komunikuar me të rinjtë e pranishëm në sallë.

“Edhe këto javë që siç jeni në dijeni, kur e gjithë Shqipëria e veçanërisht rinia shqiptare është përfshirë nga pasioni i bukur i fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, janë me dhjetëra rastet e tubimeve dhe leximeve ku shqiptohet me ëndje poezia e papërsëritshme e Lasgush Poradecit.

Ministrja e Kulturës vizitoi edhe Qendrën Historike të Pogradecit, shpallur nga qeveria shqiptare në vvititn 2015, si dhe vizitoi ambientet e shtëpisë së poetit duke diskutuar edhe me pronarin e banesës për të finalizuar një projekt për jetën e veprën e Lasgush Poradecit, e cila “Nuk është thjesht një pikë pelegrinazhi në emër të Lasgushit, por një pikë takimi për njerëzit e artit. Është vetëm fillimi, sepse është pjesë e një projekti më të gjerë, që është qendra historike e Pogradecit, e shpallur në vitin 2015 nga qeveria shqiptare, e cila do ti nënshtrohet rijetëzimit dhe restaurimit siç ka ndodhur me Korçën. Identifikim i thekseve të rëndësishme kulturore brenda qendrës historike të Pogradecit, ku bën pjesë edhe shtëpia e poetit është një ndër gurët kilometrikë që duam të ecim”- u shpreh Kumbaro./KultPlus.com

Klubi Letrar “Metafora” e përkujtoi Lasgush Poradecin (FOTO)

Klubi letrar “Metafora”, i cili vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë “Tradita”, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, përmes edicionit të pestë “Tetova Feston Nëntorin”, dje më 12 nëntor, në Klubin e artistëve ”Oda”, në Tetovë, e organizuan Akademinë përkujtimore kushtuar gjeniut të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit. Në këtë ngjarje, në 30 – vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit tonë kombëtar, morën pjesë intelektualë, profesorë universitetesh, studiues, studentë, veprimtarë të arsimit, të shkencës dhe të kulturës, nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në këtë akademi, kryetari i Shoqatës për Kulturë “Tradita”, Selam Sulejmani, theksoi se ne shqiptarët kemi personalitete të shquara, figura historike e letrare që kanë bërë historinë tonë dhe për këtë, më së miri flasin veprat e tyre me vlera të përjetshme, për çka ne u jemi mirënjohës dhe ndjehemi krenarë.

“Nëntorin historik, apo muajin e Kongresit të Alfabetit, të Flamurit tonë kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, poetët dhe atdhetarët tanë e kanë evokuar me admirim të thellë. Në poezinë e frymëzuar nga këto ngjarje historike, gërshetohet ndjenja e qëndresës, e krenarisë dhe e heroizmit kombëtar. Siç vërehet kjo edhe në vjershën “Flamuri” të Mihail Gramenos, në vjershën e Filip Shirokës “Në ditën e lirisë” dhe në vjershat tjera, si: “Bjenë telat”, “Ç’u mbush mali”, të rilindësit të fundit të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradeci. Atmosferës madhështore festive, jehonës së papërshkruar e gëzimit të kombit, Lasgush Poradeci i jep shpirt artistik me përmasa impresive, duke i kënduar asaj në frymën e rapsodive popullore burimore, duke strukturuar edhe elemente figurative dhe vizione të reja poetike. Sa herë që e përkujtojmë Lasgushin, sigurisht që na kujtohet ligjërimi i tij poetik për liri, për mbrojtjen e kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimin për një përparim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë”, tha Selam Sulejmani. Ai, po ashtu shtoi se njohës të letërsisë shqiptare, teoricienë dhe studiues të mirëfilltë, veprën e tij e kanë vlerësuar si më të bukurën në letërsinë shqipe dhe atë evropiane të viteve ’30-ta.

“Që në vitin 1929, Eqrem Çabej në një artikull të tij, pasi e krahasonte me poetë të shquar të kohës, si Rilke dhe të tjerë, shkruante se poezitë e tij të gjera e plotë gremina ishin si tragjedi të vogla, me stil të rëndë e ziplotë dhe dalloheshin nga ato të Naim Frashërit, siç ndryshonte muzika e Bethovenit nga ajo e Moxartit. Çabej e shpallte poet të madh shqiptar e evropian, të cilin një fat të mirë duket sikur ia ka falur Zoti-Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtari, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës. Lasgush Poradeci la pas një krijimtari të pasur, e cila u bë objekt studimi e studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli, etj.”, deklaroi kryetari i Shoqatës për kulturë “Tradita”-Tetovë.

Akademinë përkujtimore e përshëndeti edhe profesor Jeton Pustina, drejtor artistik i edicionit V “Tetova feston Nëntorin” 2017. Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe veprimtarinë e përgjithshme që e zhvillon Shoqata për kulturë “Tradita” dhe Klubi letrar “Metafora”. “Ne e përgëzojmë Shoqatën për kulturë “Tradita” për seriozitetin e saj në organizimin e aktiviteteve, ngjarjeve dhe veprimtarive arsimore, shkencore dhe kulturore. Me realizimin e gjithë këtyre aktiviteteve dhe projekteve serioze, të konferencave shkencore, përkujtimin e veteranëve të arsimit, të figurave letrare, jubileve me karakter historik, kjo shoqatë është shndërruar në brendin kulturor në Tetovë.

Me angazhimin tonë të përbashkët, kemi arritur që në qytetin tonë të sjellim figura artistike me renome ndërkombëtare, si: violinistin Shkëlzen Doli, sopranon Inva Mula, ansamble dhe orkestra të njohura dhe në këtë mënyrë qyteti ynë për nga imazhi kulturor radhitet pas Tiranës dhe Prishtinës”, deklaroi mes tjerash Jeton Pustina.

Referatin tematik për jetën dhe veprën e Lasgush Poradecit, e paraqiti Mr. Sc. Vjollcë Berisha, ligjëruese në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.

“Qyteti i vogël, liqeni dhe poeti kishin një emër. Atë emër që ky i fundit qe ngutur për ta veshur me t’u kthyer nga studimet në Austri, si për ta mbyllur rrethin, si për ta vënë vulën në secilin cep të vendit të lindjes, shumë-shumë më përpara se të emëroheshin rrugë e të ngriheshin shtatore, siç ndodh gjithmonë me qytetet e poetëve kombëtarë të një vendi. Atë emër me të cilin do të identifikohej e tërë poezia moderne shqipe, atë emër të cilin më tepër se gjysmëshekulli mëtonin ta shurdhonin, duke e lënë në harresë. Lasgush Poradeci, Llazar Gusho, Gjeniu i anijes, Shtërgu i fundit, Nositi, klasiku i poezisë, latuesi deri në përsosmëri i fjalës… erdhi në letrat shqipe si zë mahnitës, si vazhdimësi e natyrshme e një kulture letrare që e mëkoi, erdhi duke iu jashtëshkruar letërsisë sonë të traditës, poezisë së bukur të De Radës e Naimit dhe tërë magmës së letërsisë sonë gojore, ku vetë e ngjyen pak bukën akëcili poet kombëtar. Erdhi përkrah Nolit, Mjedës, Asdrenit, Fishtës, Migjenit, erdhi plot me letërsi thithur nga autorë të njohur evropianë, shumë prej të cilëve më pastaj i solli edhe në shqip, si Brehtin, Emineskun, Hajnen, Majkovskin, Jeseninin etj. Vëllimet e tij me poezi “Vallja e yjeve”-1933 dhe “Ylli i zemrës”-1937 (kjo e fundit botuar një vit pas “Vargjeve të lira” të Miigjenit dhe në të njëjtin vit me “Lahutën” e Fishtës dhe “Psalmet e murgut” të Asdrenit), qenë ngjarje për letërsinë e vogël shqipe, qenë veprat që bënë kthesë në poezinë tonë, me të cilat Lusgushi, poeti modern shqiptar, përfaqëson një paradigmë të përsosmërisë teknike-formale dhe të parimit të estetizimit gjuhësor në poezi”, u shpreh Vjollcë Berisha.

Ajo solli në vëmendjen e të pranishmëve vlerësimet e Kadaresë për Lasgushin: “Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtet, kur flet për Lasgushin, të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretëtirën danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: I gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte tij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.

“Por edhe Lasgushi nga ana e tij sikur kishte mbyllur të gjitha shtigjet me botën e jashtme. Ndoshta kjo është arsyeja që e besojmë se e ka pasur me gjithë mend kur e ka pyetur Kadarenë: ,,Në ç’regjim jetojmë?” dhe kur ky i fundit është befasuar nga kjo pyetje dhe ka shfaqur shenja mosbesimi për këtë harrim, Lasgushi është përgjigjur: “E kisha harruar vërtet, poetit i lejohet çdo gjë”. Ishte e vërtetë që për atë poeti nuk qe vetëm ushqyesi i gjuhës, krijuesi i botëve të vogla, universeve të panumërta, por edhe i gjithëdijshmi i kohëve, përgjegjësi i të gjitha gjërave që ndodhin në kohën e tij, prandaj tek po fliste për dënimin e Vinçenc Prenushit, bie fjala, përdorte foljen në vetën e parë, thoshte: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vincenc Prenushin, ai ishte 76 vjeç”. Thoshte kështu pasi besonte që poeti ishte përgjegjës për çdo gjë. Me gjithë këtë barrë të madhe që ia ngarkonte poetit, Lasgushi mëtonte të ishte poet dhe vetëm poet, qind për qind poet, pra poet absolut, si të gjithë poetët pas-romantikë. Në parimet e tij estetike arti s’ishte për konsum të gjerë, artin ia atribuonte një pakice, një elite të zgjedhur njerëzish”, vuri në dukje profesoresha Vjollcë Berisha.

Sipas saj, edhe poezia e tij, siç ka ndodhur me një mori poetësh gjenialë në botë, për nga sasia është modeste, por e llojllojshme për nga përmbajtja, mbresëlënëse për nga fuqia e shprehjes, leksiku poetik dhe muzikaliteti që ka. “Megjithëse distanca kohore që na ndan nga vepra lasgushiane është e mjaftueshme për ta radhitur atë në vlerat kanonike letrare shqiptare, prapëseprapë ka hapësirë të rileximeve nga aspekti formalist, strukturalist i tekstit të Lasgushit, për të cilin fjala qe polisemike dhe mund të aktualizojë në kontekste të ndryshme valenca të ndryshme të polisemisë. Është i bukur dhe kërshërindjellës fakti se në kohën e harrimit, në kohën kur Lasgushi shëtitej si fantazmë nëpër Pogradec, në brigjet e “liqenit zemërak”, me kapotën e zezë, me borsalinën e zezë mbi krye, i shoqëruar nga miku i tij i dashur Cuci, për të cilin thoshte që e ka emrin më të bukur ndër emrat qenorë, diçka krejt çuditshëm e kishte trazuar heshtjen që e mbështillte atë, një histori dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, një dashuri e fundme, ardhur si me shenja proteste ndaj harrimit të tij të gjatë. Është kjo historia që la një ditar të vogël pas vetes, nja 50 faqe prozë të shkruara nga dora e Lasgushit dhe të titulluar ,,Vizitat e zonjushës Ana G në kullën time”.

Në tregimin e shkruar në dy variante dhe të botuar më pastaj si libër i mëvetësishëm, në vitin 1999, me titull “Ikja e Shtërgut”, Ismail Kadare flet për perceptimin e kësaj historie nga njerëzit dhe nga ai vetë. E quan protestë të poetit, madje edhe të vetmen gjë të bukur që kishte ndodhur viteve të fundit në Shqipërinë komuniste. “Një lidhje dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, në qytetin e vogël provincial, ku godina e komitetit të partisë ngjante më e madhe se kudo… Kjo ishte njëlloj si të dëgjoje kambana katedralesh të zhdukura të shekullit të trembëdhjetë.” S’do mend që në atë qytet të vogël me emër të trefishtë do të ndodhte mrekullia. Në atë qytet ku te të gjitha sheshet e rrugët komuniste: rruga “1 Maji”, shëtitorja “Enver Hoxha”, sheshi “Fitorja e socializmit”, dëgjoheshin pa bujë hapat e një kolosi letrar, që herë-herë harronte se në ç’regjim po jetonte, njeriut që qe mësuar me vdekjen e vet shumë më përpara se vdekja e njëmendtë t’i trokiste në derë. U varros, sipas dëshirës, atje në Pogradec. Ishte 12 nëntor 1987, si sot. I munguari i madh po vuloste përjetë praninë. Ai që kishte kërcënuar si Dielli Zeusin tek Iliada se do të zbriste në ferr të shndriste për të vdekurit, pasi nuk e meritonin të gjallët praninë e tij, sot po shkëlqen me gjithë fuqinë e tij në zenitin e poezisë sonë të bukur shqipe”, deklaroi në referatin e saj për gjeniun e letrave shqipe, Mr. Sc. Vjollcë Berisha.

Akademia përkujtimore u moderua nga Rina Fazliu dhe e njëjta u përmbyll me orën letrare, me leximin e poezive të Lasgush Poradecit, vargjeve të poetëve tanë dhe me një program të pasur kulturor – artistik. Poetët dhe shkrimtarët e njohur nga Tetova dhe më gjerë, studentët e letërsisë dhe të Programit studimor të Artit muzikor të UT-së, si: Salajdin Salihu, Vjollcë Berisha, Shaip Emërllahu, Ejup Ajdini, Nadire Ismaili – Saliu, Kaltrinë Sadiki, Kasam Shaqirvela, Berat Mamuti, Zelma Kopçiu, Ekrem Ajruli, Daim Iljazi, Erza Shefiti, Teuta Emini, Trim Antoni, Vullnet Neziri dhe Arbër Tahiri, para publikut tetovar, me shumë emocion i sollën tingujt e muzikës shqiptare dhe interpretuan vargjet e Lasgushit, i cili si askush tjetër vargjeve të tij u ka dhënë forcë, shpirt lirie dhe atdhedashurie./ KultPlus.com

Letra e vajzave të Lasgushit në 30-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta

Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit, u organizua një aktivitet në qytetin e lindjes Pogradec nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Dy vajzat e poetit Maria e Kostandina të cilat ai i deshi aq shumë, në pamundësi për të qenë të pranishme i janë drejtuar me një letër të cilën po e botojmë më poshtë: E nderuar Zonja Ministre e Kulturës, I nderuar Zoti Shalsi, Të nderuar pjesëmarrës, Duke mos mundur, për arsye madhore, të marrim pjesë në këtë përkujtimore të organizuar për babanë tonë të nderuar, e ndiejmë për detyrë të falënderojmë nga zemra, të gjithë ata, që u kujdesën edhe derdhën mund, për organizimin e saj, si dhe mbarë mirëdashësit e pranishëm. Po citojmë diçka nga një shkrim i pabotuar i babait tonë: “Me qenë që vetëm poetit i është dhuruar hiri i artit, vetëm ky mund të bëjë art dhe vetëm ky mund të flasë: ky atëhere flet nga vetvetja, jo si të tjerët që papagalizojnë (thonë ç’thanë të tjerët). Ay që flet nga vetvetja, gjithnjë mund të na thotë diçka të mirë.

E vërteta është se gjithnjë, artistët janë ata që kanë gjykuar së pari një vepër arti (p.sh. Boccachio-ja mi Divinën Komedi) dhe pastaj kanë ardhur eruditët me syza që kanë bërë kritikat e tyre në historira literature, po dyke marë për bazë ç’thanë ata artistë. Dhe njeri repeton tjetrin. Përveç artistit, që krijon dhe shijon artin, ka dhe dashuronjësit e artit. Këta, dashuronjësit, e ndjejnë, po s’e bëjnë dot. Ndryshimi është se artisti dhe e shpren në formë artin, kurse ata që e ndjejnë artin nuk mundin dhe t’a shprehin. Ay që e ndjen, duhet të jetë si artisti dhe ay d.m.th. të ketë një respekt përpara artit, të mos jetë zevzek ose intrigant urrejtës.

Kur është me këto defekte, d.m.th. se nuk ka dhuratën për të ndjerë artin, atë art që e kritikon nga urrejtja, pra nuk ka të bëjë asgjë me artin dhe s’është kompetent dhe duhet të heshtë, sepse gjykimi i artit është absolut – drejtësi e përgjithëshme, jo relative, urrejtje vetore, shkak vetor. Nuk duhet të ketë hasét vjershëtorin, se vjershëtori bën poezi, sepse, kur je vjershëtor, s’ke ndonjë meritë të veçantë që të jesh më lart se të tjerët që s’janë. Ti ke dhuratë dhe asgjë tjetër (kurse ay s’ka). Vetëm kur s’ke as dhuratë krijimi, as ndjenjë, domethënë kur je gjysmak (domethënë kategori ndërmjetëse) këtu vjen gjëma: atëherë urren, dhe në urrejtje gjykon shtrembër. Prova? Bëhet me poezitë e mbëdhaja”.

Më datën 12 nëntor 2017, mbushen plot 30 vjet, që Ti, babai ynë i dashur nise fluturimin, ashtu siç e kishe dëshiruar, nga atdheu yt, nga shtëpia jote dhe në krahët e dy vajzave të tua. Për mua dhe Kostandinën, kjo është një ditë e paharruar, sepse, pikërisht në këtë ditë, na u shemb mali ku mbështeteshim dhe jeta jonë do të ndryshonte. Nuk themi “Të deshëm babà…. Por themi të duam babà sepse dashuria për ty nuk mbaron! Nuk themi ti jetove… por themi ti jeton! Sepse ti jeton në zemrën tonë, jeton brenda qënies sonë, je motiv i jetës sonë. Ti jeton babà, në zemrat e mijëra shqiptarëve, anë e mbanë botës. Dhe ti do të jetosh gjithmonë, sa do të jetojë edhe Shqipëria jote, sepse ti i fale asaj, ç’gjë më të bukur pate: I fale dashurinë e zemrës, pastërtinë e shpirtit dhe ëmbëlsinë e fjalës.

Kostandina Lasgush Poradeci

Marie Lasgush Poradeci

Dokumentari i rrallë i 1976 për Lasgush Poradecin, liqenin dhe qytetin e Pogradecit (VIDEO)

Pamjet filmike që risjell SCAN, i përkasin një dokumentari të vitit 1976 që i kushtohet Lasgush Poradecit (Llazar Gusho).

Poeti dhe shkrimtari i madh shfaqet në dokumentar buzë liqenit e duke shëtitur në rrugët e Pogradecit.

Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937. Ai është autor i më shumë se 100 poezish dhe i përkthimit në shqip të disa kryeveprave botërore. Gjatë periudhës së regjimit komunist ai do të nënvlerësohej e do të përballej me një serë vështirësish për jetesën.

Me 12 nëntor 1987 (30 vite më parë) ai u nda nga jeta. Pas vdekjes atij i është akorduar titulli “Nderi i Kombit”, ndërsa disa rrugë e shkolla mbajnë emrin e tij. (Marrë nga SCAN)/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=isZZU6OL8uo

Sot plotë 30 vjet nga vdekja e Lasgush Poradecit

Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet, vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshirë atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj./ KultPlus.com

Akademi përkujtimore në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit

Klubi letrar “Metafora” që vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë “Tradita”, organizon Akademinë Përkujtimore kushtuar gjeniut të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit, shkruan KultPlus.

Akademia do të organizohet në 30 – vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit kombëtar, me ç’rast intelektualë të njohur, profesorë universitarë, studentë, veprimtarë të arsimit, të shkencës dhe të kulturës nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë, do ta përkujtojnë jetën dhe veprën e poetit dhe shkrimtarit emblematik të letërsisë sonë.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të edicionit të pestë të “Tetova feston nëntorin” dhe do të mbahet më 12 nëntor (e diel), në orën 18:00, në Klubin e artistëve “Oda” (Qendrën për kulturë të Tetovës). / KultPlus.com

Lasgushi dhe Kosova

Ky vit shënon 105-vjetorin e Pavarësisë të shtetit shqiptar dhe 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit Lasgush. Në këtë 105 vjetor ne kujtojmë të gjithë ata burra, të cilët me trimërinë e tyre me forcën e fjalës dhe të mendjes e lartuan madhështinë e kombit tonë, e bënë që të përparojë krahas kombeve të tjerë.

Shkruan: Meri Lalaj

Ky vit shënon 105-vjetorin e Pavarësisë të shtetit shqiptar dhe 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit Lasgush. Në këtë 105 vjetor ne kujtojmë të gjithë ata burra, të cilët me trimërinë e tyre me forcën e fjalës dhe të mendjes e lartuan madhështinë e kombit tonë, e bënë që të përparojë krahas kombeve të tjerë.

Më kujtohet 4 qershori i vitit 1999, kur ne, poetë nga Shqipëria ishim mbledhur në Tetovë dhe atje krejt manifestimi poetik i ishte kushtuar Kosovës. Aty unë përshëndeta me fjalët që ka shkruar diku Lasgushi: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën… Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.” Të nesërmen e asaj dite, ne vizituam kampin e Çegranit, në të cilin ishin strehuar 45.000 kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre dhe nuk e dinim se pas një jave gjithçka do të ndryshonte do të hapeshin rrugët drejt Kosovës dhe ne do të përplasnim gotat t’u bashkuar me njëri tjetrin. Kjo kohë erdhi njëherë e përngaherë.

E kam njohur poetin Lasgush që fëmijë e vogël, kur fillova të shoh dhe të njoh njerëzit rreth e rrotull meje, sepse ai kalonte nëpër oborrin e shtëpisë sonë, ai ishte Llazar Gusho dhe nëna ime rridhte po nga ai fis i Gushollarëve. Kur fillova të lexoj poetët, ata më dukeshin të paarritshëm diçka posi qenie qiellore dhe nuk e dija se një poet, “të cilin Shqipëria do t’ia falte botës” siç ka thënë Profesor Eqrem Çabej – jetonte, frymonte, shkruante aty fare pranë shtëpisë tonë përtej Lumit të Madh të Mitrush Kutelit.

Lasgushi dhe unë u bëmë miq nga mesi i viteve ’70-të, kur unë me time bijë u ktheva për të jetuar sërish në Pogradec. Në vitin 1972 Lasgushi botoi në revistën “Nëntori”, me rastin e 60 vjetorit të pavarësisë, poemën “Mbi ta”, e cila i kushtohet kryengritjes së Malësisë të Madhe të viteve 1911-12 dhe kujtimit të patriotit Risto Siliqi, që luftoi me pushkë e penë tok me trima të tjerë si: Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi e shumë të tjerë. Në këtë poemë, në këtë botim nuk përmendej fare fjala “Kosovë”, por kjo ishte e zëvendësuar me fjalën “Malësia”, sepse në ato vite edhe emri Kosovë ishte i ndaluar për ne shqiptarët. Ne kishim mësuar aq shumë në shkollë për shtetet e Azisë, lumenjtë e liqenet e Afrikës, kafshët e Australisë, por asgjë për Kosovën. Për Kosovën unë kam mësuar nga vetë Lasgushi kur më rrëfente se në fushat e Kosovës gruri rritet sa një bojë njeriu, se në minierat e Trepçes prodhohet argjend dhe se nënat kosovare lindin nga dymbëdhjetë djem sepse u duhen për luftë. Pra, edhe vargjet nga poema “Mbi ta” unë i kam mësuar nga goja e Lasgushit:

Kaptuam shtatë male rresht

E s’folëm shtatë fjalë,

Kaptuam shtatë male rresht

Malësisë për t’ju falë.

Dhe poeti vijonte:

Kush është lulja në Ballkan

Që bota i ka sevdanë

Kosova që s’njeh sulltan

Plot difë e kapedanë.

Kosova që bën sulm në zjarr

Posi dragoj me fletë,

Siç bënte sulm ngadhërimtar

Gjergj Kastrioti vetë.

Të sedrës e me shpirt krenar

S’durojnë cen a dhunë

Tregojnë gjoks në sulm e zjarr

Si shkaba në furtunë.

Po në këtë vit Lasgushi pati përfunduar poemën e tij “Kamadeva” (Kupid, Eros, Zot i Dashurisë), e cila i kushtohet dashurisë më të madhe të jetës së tij të viteve 1931-1933, por kjo poemë qarkullonte nën dorë nëpër miq e shokë, sepse nëpër vargjet e saj bëhej fjalë për dashuri të vërtetë, ndërsa ne bënim jetë të gënjeshtërta. Në vargjet e kësaj poeme ai shkruan:

…Po sot as dhe më s’di

Jam a s’jam gjallë,

Se mua kurrsesi

S’ma nxorre mallë.

…Përpiqem e lëngoj

Me mall të trerë

Kërkoj e ligjëroj

Derë më derë;

Për gushën të këndoj

Për supe e llërë,

Për krahët si vargoj

Thurur tërtërë;

Për afshin n’atë gji,

Ku qan bilbili,

Ku del një merudhi

Prej trëndafili.

…………………..

Me shpatë mes-për-mes

Jam i përshkuar,

Me zjarr që kurrë s’vdes

I përvëluar.

S’e mirrnja dot mi dhe

Me ment’ e mia

Që shpatë e presë e teh

Kish dashuria.

Gjatë viteve kur lulëzonte realizmi socialist, Lasgushi nuk shkroi kurrë sipas kësaj metode, ai kurrë nuk shkroi një varg për Partinë apo Enverin, sepse ai nuk mund të bëhej sahanlëpirës (siç shprehej vetë). Vërtet atë e mënjanuan, e lanë të harruar, askush nuk kujtohej për të, sa që ditën kur ndërroi jetë, studentët e Fakultetit të Filologjisë u habitën dhe thanë: “Paskërka qenë gjallë!” Lasgushi kishte shumë dëshirë që të vinte dhe të vizitonte Kosovën, kishte mall për dheun kosovar. Atë e ftuan me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes në vitin 1979, por nuk u organizua ardhja e tij, edhe ai e kishte fare të qartë se do ta shoqëronte me patjetër ndonjë njeri i Sigurimit të Shtetit dhe nxori arsye sikur ishte i sëmurë. Gjithnjë më thoshte: “Kur të shkoj në Kosovë, gjëja e parë që do të bëj do t’ju jap poemin tim”Kamadeva” dhe ata do të ma botojnë sepse atje më duan.” Në vitin 1980 Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës botoi përmbledhjen poetike të Lasgushit “Vdekja e Nositit” dhe ai u mrekullua kur i ra në dorë ky libër, gëzohej si fëmijë duke thënë: “Sa bukur! E kanë bërë edhe me shkronja prej floriri”

Më kujtohet se në vitin 1981 në revistën “Studime Filologjike” u botua një shkrim i gjatë me 40 faqe ku kritikohej Lasgushi. Dhe, ashtu siç ndodh rëndom me ne shqiptarët, për ironi të fatit, pikërisht këtij njeriu në vitin 1996 kur u organizuan “Ditët e Lasgushit” në Pogradec, i dhanë çmimin kryesor të karrierës në takimin “Lasgush Poradeci”

Lasgushi pat botuar para viteve ’40-të dy libra të mrekullueshëm poetikë Vallja e Yjve” dhe “Ylli i Zemrës” pastaj heshti, por nuk heshti dhe nuk rreshti, sepse përveç dy poemave që përmenda më lart shkroi poezitë “Ballada e Reshit Çollakut” më tej “Ballada e Muharrem Çollakut”. Lasgushi i kishte miq Çollakët dhe prandaj shkruante për ta Heroin e Popullit Reshit Çollaku, që u vra në Betejën e Pojskës dhe Muharrem Çollakun, i cili në vitin 1941 ka dhënë mësim në Gjilan.

Lasgushi pas vitit 1944 thuajse tërë kohën përktheu mrekullisht nga letërsia botërore, nuk do të bëj këtu analizë të shqipërimeve të tij, veç mund të them nga pak krahasime që kam bërë për shembull me poezitë e poetit skocez Robert Bërns, ato tingëllojnë shumë më bukur në shqipen e Lasgushit se sa në origjinal për shembull poezitë “Meri Morison” dhe “Findlej”. Ashtu i përkushtuar dhe për të mbijetuar iu vu punës së mundimshme të shqipërimit duke sjellë në gjuhën tonë poetë të mrekullueshëm si: Gëte; Hajne, Pushkin, Adam Mickieviç, Mihail Eminesku e shumë të tjerë.

Lasgushi për nga thellësia e mendimit, bukuria e vargut, përdorimi i rimave të ndryshme, fjalori që përdor, vendosja e fjalëve ngjeshur pas njëra tjetrës vërteton që është poet europian, me të cilin do të nderohej çdo komb i kontinentit tonë. Më ka rastisur që të jap një intervistë në Radio-Tirana dhe të bëj krahasim midis Lasgushit dhe poetit rus Sergej Esenin, meqë kam përkthyer një monografi të jetës së tij. Kam theksuar se Lasgushi i përket një kombi të vogël, ndërsa Esenini një kombi të madh. Poezia e Eseninit është e thjeshtë e kapshme prej të gjithëve, sepse është e mbështetur vetëm mbi këngët dhe baladat ruse, Esenini përveç shkollës fillore pati ndjekur vetëm një seminar fetar, pra një person me arsim të cunguar gjysmak, ndërsa Lasgushi studioi shtatëmbëdhjetë vite nëpër universitetet e Europës duke mbrojtur tri doktorata, ai zotëronte gjuhët më kryesore të Europës dhe njihte thuaj të gjitha filozofitë deri në ato indiane. Siç më ka treguar ai donte të mbronte edhe sanskritishten. Për Lasgushin ka vetëm një keqardhje se poezia e tij vështirë të përkthehet në gjuhët e huaja, kjo ndodh për shkak të mendimit të thellë filozofik që ajo mbart, fjalorit shumë të zgjedhur si edhe ngjeshjes së fjalëve njëra pas tjetrës. Më ka qëlluar që të shoh pak poezi të tijat të përkthyera në gjuhë të huaja, kështu për shembull në frëngjisht vargjet: “Fryn veriu në Mal të Thatë, / Thotë vasha lele ngriva…/ tingëllojnë kështu: “Fryn era në mal dhe vajza ka ftohtë”, ndërsa poezia himn: “Vdekja e Nositit” me vargjet madhështorë: “Me zjarr ju flas me zjarr, / Në gjirin tim kam hapur varr” etj. në italisht thuhet: “Con fuoco io parlo con fuoco…”

Pasi mbarova studimet dhe u emërova në një gjimnaz në Korçë, për Vitin e Ri, Lasgushi më dërgoi kartolinë urimi dhe në vend që të shkruante fjalë të rëndomta si: Gëzuar… shëndet.. suksese… e të tjera, ai më dërgoi këtë poezi me atë shkrimin e tij të përsosur:

E mora shoqezën përkrah

E mora shoqezën përkrah,

E matmë rrugën ca-nga-ca,

Sikur na ndillte larg diçka

Pa zuri dita perëndoj,

Pa zuri nata na mbuloj,

Pa zura shoqen t’a pushtoj.

Përse buçet, liqer i qet!

Liqer, ti ç’thua ndaj buçet!

Çfarë pe, liqer, mi zall të shkret?

E vëndin kur e sjell nërmënd;

Kur sjell nërmënd ah atë vënd,

As rroj, as vdes, po jam pa mënd.

Në ngjarjet e pranverës së vitit 1981, më së fundi në gazetën tonë “Zëri i Popullit” filluan të dalin artikuj kushtuar Kosovës. Lasgushi ndodhej në Pogradec, unë mirrja gazetën përditë dhe e lexonim të dy. Ai gjithnjë përsëriste fjalët: “Kosova është vullkan!” Mbaj mend se në njërën nga bisedat ai më tha: “Jugosllavia nuk mund të qëndrojë shtet ashtu siç është një shtet-mozaik, që ka brenda sllovenët, kroatët, maqedonasit, malazezët, shqiptarët…” Dhe sa shumë u çudita kur në fillim të viteve ’90-të Jugosllavia u shpërbë.

Më 10 janar 1991 në Pogradec u organizua mitingu për Liri dhe Demokraci aty mes brohorimave dhe duartrokitjeve të turmës së mbledhur për herë të parë e padetyruar u recitua poezia e Lasgushit: “Marshi i Djalërisë”

Urdhëroj i Madhi Zot;

Zu ndrin yll’ i Shqipërisë,

Ndrin e më s’përmbahet dot

Se që sot e jetë-plot

Po rreh zemr’ e Djalërisë.

Djalëri, lart për liri!

Lart për Zonjën Shqipëtare!

Yll në ball-e zjarr në gji,

Zjarr në gji për Shqipëri,

Digju! Zemra djaloshare

Lidhni besën për Atdhe,

Ju me gjak të Kastriotit!

Lidhni-e shpejt e bëni be

Be që vret posi rrufe

Para Kombit para Zotit!

Djalëri, heu! Yll i ri!

Djalëri, këng’ e shëndetit!

Për liri, për lumtëri,

Rrofsh e lumja Djalëri!

Rrofsh e qofsh sa val’ e detit.

Ndonëse kanë kaluar më se njëzet vjet qëkur Lasgushi ka ikur nga kjo jetë dhe ne e përkujtojmë, ndonëse ai nuk mundi dot të vinte kurrë në Kosovë, unë mendoj se për Lasgushin nuk mund të flasim në kohën e shkuar, por vetëm në kohën e tashme, sepse ai gjithnjë është i pranishëm midis nesh edhe këtu edhe në Kosovë, ai ndodhet këtu midis nesh “anëtarëve të poezisë”./mapo

Lasgush Poradeci: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën

Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie,që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.

Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:

Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com

Akademi në tridhjetë vjetorin e vdekjes së Lasgush Poradecit

Klubi letrar “Metafora” që vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë “Tradita” në Tetovë, me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta e gjeniut të letërsisë shqipe, Lasgush Poradecit, do të organizojë akademi përkujtimore, përcjellë KultPlus.

Sipas organizatorëve bëhet e ditur se kjo akademi do të mbahet më 12 nëntor, në ora 18:00, në Klubin e Artistëve “ODA”, në Tetovë./KultPlus.com

Një përshkrim i mrekullueshëm dhe domethënës për të madhin Poradeci

“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerëve ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar, që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit.

Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta, i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë, duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij. Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit.
Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje.

Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit, që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të. Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme.

Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend. Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërtueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty.

Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi.

Duke e dëgjuar të fliste për gratë, artin, Gëten, manastirin e shën-Naumit, poezinë e vjetër indiane, Kantin, Budën, kinezët, Krishtin, ministrinë e brendshme, Parisin, dashurinë, prapë manastirin e Shën-Naumit ku e kishin çuar në rini për t’i hequr xhindet, linjën ajrore Tiranë-Korçë në vitet ‘30, Shopenhauerin, Holandën, qeverinë e sotme, Pjetër Bogdanin, gatimin e makaronave, pikturën, parajsën etj., etj. Me vete thosha: nga ç’botë e panjohur vinte kjo mënyrë e veçantë e të folurës së tij, nga ç’sallone të Saturnit a të Jupiterit? Kisha bindjen se ai kishte një kohë të veçantë, zemreku i së cilës nuk përkonte me tonën. Kjo ishte, ndoshta, dhe arsyeja që kisha përshtypjen se shkoja rrallë. Ditët nuk përputheshin. Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë mbetej në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 pasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate.
Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi.

Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papën Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtarë të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij. Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar gjithmonë, mendoja se, si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.” Shkëputur nga Ftesë në Studio – Ismail Kadare

Llazar Gusho lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos.

I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916.

I ati më pas e nis në Athinë pranë liceut Léonin, instituti më i hershëm privat në kryeqytetin grek – lice ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi.

Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.

Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. logie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.

Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974. Vdes në varfëri të plotë në kryeqytet më 12 nëntor 1987. (Marrë nga konica.al)./ KultPlus.com

Letra e Mitrush Kutelit për Lasgush Poradecin

Dje u mbushën 110-të vite që kur lindi në Pogradec shkrimtari i njohur Dhimitër Pasko me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli. Pasi përfundoi shkollën në Bukuresht, ai u kthye në Shqipëri ku jetoi e punoi si shkrimtar, përkthyes dhe financier dhe ku vdiq në vitin 1967.

Po sjellim sot një letër që ai i ka dërguar Lasgush Poradecit:

I dashur Llazar,

S’di qysh të filloj e qysh të shkruaj. Me dhembje, duke shkelur brutalisht përmi shpirtin t’im, të pata shkruar përpara pak kohe, në një ditë, një k.p. dhe një letrë. Nuk isha zot i vetë vetes. Nervoz, i konsumuar dita me ditën prej lufte e brengash, i munduar në çdo fillim lufte, i dërmuar shpirtërisht… të pata shkruar tepër ashpër. Më von, pas disa ore më ardhi keq… Po të ma dish gjëndjen nuk do më gjykosh rëndë. Qetohem. Turbullohem. Ngrihem. Vdes. Dhe sa herë nuk e thërres argumentin…

Dhe të them tashi si pat qënë puna që të shkrojta ashpër:

1) Përgjegjësia morale (dhe mbase më tepër) kundrejt një rrethi që s’më kupton e s’të kupton… pyetjet e dëndura: kur dalin poezitë e Lasgushit, sa e sa insceptibilitete.
2) Dëshira e madhe që të shoh të realizuar ëndërrën t’ime dhe t’ënden, të shoh në dorë volumin e poezive.
3) Pritje e gjatë e një letre konfirmimi prej teje. Më dërgove dorëshkrimin pa asnjë shpjegim. Pas tij asnjë letrë përveçse pasi e kishe vënë në postë. Të gjitha këto më prishnin mëntsh.

Po t’i lemë këto.

Është nje detyrë për ty dhe për mua që të dali volumi. Me që ti nuk munt, dergoma këtë dorëshkrim së bashku me shënimet e tua të fundit. Nga të 900 Schilingat që ke marrë mbaj 200 ti për harxhet e tua dhe dërgomë vetëm 700. Besoj të më sosin. Në qoftë se nuk do mjaftojnë do bëhem urë e gur e do t’i plotësoj. Korrekturat do t’i dërgoj aty. Ti të më tregosh formatin që të pëlqen. Të tjerat leri në kujdesin t’im. Pasi të dali volumi do mundim të shesim mjaft numura. Fitimi do të jetë t’ëndi. Me këto të holla të përkujdesesh për shëndetin t’ënd. Përveç këtyre si të dali libra do mundim të kërkojmë ndonjë subvencion për ty prej M. Së Arësimit ose gjetkë. Është momenti psikologjik më i sgjedhur. Kam mik një gazetar dhe një poet gjerman M. Rosenkranz– i cili ka shtypur disa volume poezie– që do të të bëjë recenzione në gjuhën gjermane. Unë do të shkruaj shqip dhe rumanisht. Gjithashtu do bëj një recenzion frëngjisht për revistën “Les Balkans” të Athinës. Do kësilloj me vepërim si thua ti, t’ja thyejmë gjunjët Djallit të Shqipërisë…

Kjo është udhë më e mirë dhe më korekte. Mos rri në mendime sepse jam menduar dhe kam vrarë unë mëndjen mjaft. Sgjidh rrugën e mirë për dërgimin e të hollave dhe mos vono. Çdo vonim të sjell dëm moral dhe material. Nuk është çudi se shtypja e librës do të të sjellë një reaksion psikollogjik dhe do mund të ketë reperkusione për ty.

Unë jam në mbarim e sipër të thezës. Kam 44 faqe dorëshkrim. Gjithsej do bëhen përmbi 500. Faqe shtypi do të jenë 300. Me sa vojtje e bëra vetëm unë e di. Asnjë tjetër. Mungesë materiale, mungesë morale… E si t’a mbaroj? Hiç. Perspektiva për shtypjen e kësaj proze nuk kam asnjë. Trokas derë më derë. Hiç.

Po ta levdonja Bankën e Shqipërisë do kisha “situatë”. Po shpirti është shpirt. Për pastërtinë e tij dhe për idealin e shqipes po hiqem zvarrë. S’ka gjësend. Si thua ti: Valoj me sulm e gas. U mbarua gazi? Digjet fitili dhe pa dritë nuk do mbetemi. Ç’thua ti? Nuk është kështu?

“Shqipëria e re nuk ka dalë prej shumë kohe. Me këtë numër do shikosh ndryshime. Zgjohemi, vepërojmë dhe godasim me ashk. Dhe do vazhdosh të lëçitësh (daca nu se vinde magarul acela de proprietor). Pe mine ma doboara reumatismele. Afi plona Ah. Doamne.

Cancua nuk më shkruan asgjë. Ka frikë mos i presin kreditin nga banka sepse unë qenkam jashtë ligjit.

Me postën e parë pres dorëshkrimin dhe të tjerat.
Me dashuri e dhembje!

(Shkruan Konica.al)./ KultPlus.com