Me kushte minimale, Opera e Kosovës ia del të magjeps publikun me ‘Carmen’

Vjollca Duraku

Mbrëmë, Opera dhe Baleti Kombëtar i Kosovës kanë sjellë premierë një ndër operat më të njohura botërore, “Carmen” të Georges Bizet, duke e dëshmuar edhe një herë magjinë e veprës, e cila vazhdon të luhet në teatro me po të njejtën dinamikë që nga viti i largët 1845. E karakterizuar nga elemente të dashurisë obsesive, pasionit, lirisë dhe xhelozisë, historia e “Carmen” që zë fill në një ngjarje tragjike të shekullit XIX në Spanjë, ka ngritur edhe një shkallë më lartë institucionin e Operës së Kosovës, përmes një brumi dhe kapaciteti të lartë artistik.

“Carmen” është personazhi kryesor i operës, një cigane e bukur, e fortë, sfiduese dhe rebele. Karakteri i saj unik e shëndrron atë në një grua të adhuruar nga burrat. Fatet dhe loja e personazheve të tjera të operës  sillet rreth sjelljeve dhe rolit të saj, i cili e shëndrron atë në simbol të lirisë, pasionit dhe rebelimit. Refuzimi i saj për të qenë e nënshtruar sjell deri te fundi i saj tragjik, ku i dashuri Don Jose nga inati dhe xhelozia e vret në fund me thikë. Ajo vdes duke e ruajtur lirinë e saj, dhe kështu përjetësohet në një personazh të veçantë operistik “Carmen”, i cili vazhdon të magjeps edhe sot në çdo paraqitje të saj.

Një shije të veçantë artistike, për herë të parë pati rastin të përjetojë edhe publiku i kryeqytetit, përmes institucionit më të ri, të krijuar në vend. E ndarë në katër akte, opera “Carmen” mbrëmë ka nisur brilancën e saj përmes melodisë dhe atmosferës së hatashme të krijuar nga profesionistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Peter Valentovic. Çdo notë e veprës shënonte një harmoni gati perfekte të realizuar nga muzicientët, të cilët talentin e tyre e shkrinin në një mjeshtëri të jashtëzakonshme për artin e muzikës, e cila në prapavijë i ndiqte edhe ngjarjet e veprës së famshme.

Skena e madhe e “Carmen” e cila erdhi në bashkëpunim me profesionistët e jashtëzakonshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka dhuruar pamje të paharrueshme përmes talentit të solistëve, personazheve, korit dhe orkestrës të cilët me magnetizmin e tyre të përthithnin në spektakël, edhe përkundër kushteve aspak adekuate të sallës plotë vapë dhe parregullsi të tjera. Por, megjithatë kjo operë botërore u mundësua falë mjeshtërisë dhe talenit të protagonistëve: Migena Kamenica (Carmen), Carlos Cardoso (Don Jose), Zana Abazi Ramadani (Milaëla), Vitaliy Bilyy (Escamillo), Urata Haziraj (Frasquita), Elonë Sadiku (Mercedës), Shaban Behramaj (Zuniga), Harris Bajraktari (Morales), Ismet Vejseli (Le Dancaire) dhe Rizah Jahaj (Le Remendado).

Akti i parë nis të zhvillohet në sheshin para fabrikës së cigareve në Sevilje të Spanjës, ku ushtarët dhe kalimtarët shijojnë jetën e përditshme. Një gjallëri e energjisë interpretuese vjen kur skenës i bashkangjiten fëmijët të cilët luajnë si ushtarë duke ‘imituar’ rojen e vendit. Në këtë jetë plotë gjallëri shfaqet Micaëla (Zana Abazi Ramadani), ku përmes një paraqitjeje të jashtëzakonshme sopranoja i jep jetë rolit të vajzës së ndershme nga fshati që kërkon Don Jose-në, personazhin kryesor mashkull, një djalë elegant dhe ushtarak i zoti, për t’i dhënë letrën dhe puthjen që nëna e tij e kishte porositur.

Ngjarja plotësohet kur gratë dalin nga fabrika për pushim dhe në mes të tyre hyn Carmen (Vikena Kamenica) duke  e shkrirë zërin e saj në arien e famshme “L’amour est un oiseau rebelle”. Burrat të joshur nga bukuria e saj kërkojnë nga ajo të zgjedh njërin prej tyre. Pas shumë lëvizjeve sensuale dhe me takt, të cilat mezzo-sopranoja i ka integruar në krakterin e saj në 20 vite mjeshtëri të interpretimit të këtij roli, sytë i ndalen te Don Jose (Carlos Cardoso), duke shprehur qartë dashurinë e saj për të. Kjo skenë pasohet nga një incident, kur Carmen kjo vajzë rebele sulmon njërën nga gratë me thikë dhe më pas arrestohet. Pas arrestit, përmes bukurisë, lojës dhe vallëzimit të saj e bind Don Jose-në për të ia zgjidhur duart, duke lejuar që ajo të arratiset, por duke e tradhtuar detyrën dhe misionin e tij.

Akti i dytë i operës e zhvendos rrjedhën e ngjarjes në në një mjedis të errët, në botën e kontrabandistëve. Në një tavernë, ku shfaqen ciganët dhe kontrabandistët hynë në skenë Escamillo (Vitaliy Bilyy), një toreador i famshëm që tregon interes për Carmenin, e cila po e priste Don Jose-në. Escamilo, një artist me një zë që e bënte krenarë dhe një pamje prej fisniku përfaqëson një rival të fuqishëm të Don Jose-së, i cili nga një ushtarak i devotshëm nis të marrë elemente të rolit negativ. Me ardhjen e Don Jose-së, Carmeni i kërkon atij të bëhej kontrabandist, gjë të cilën ai e kundërshton fillimisht, për ta pranuar pak më vonë.

Akti i tretë zhvillohet në mal, kur në marrëdhënien e Carmen dhe Don Jose-së ndodhin krisjet e para. Ajo shfaqet shumë e ftohtë emocionalisht dhe e lodhur nga ai, duke i thënë se dashuria për të ka mbaruar, përderisa ai shfaqet i inatosur duke u bërë gjithnjë e më shumë xheloz. Në skenë shfaqen edhe Frasquita (Urata Haziraj) dhe Mercédès ( Elonë Sadiku) duke parashikuar fatin e tyre me karta. Carmen i bashkohet lojës dhe habitet nga ajo që sheh. Ato e parashikojnë vdekjen e saj, e më pas të José-së. Letra që tregon tragjedi përsëritet disa herë në parashikimin e saj. Ndërsa, Micaëla shfaqet për ta ruajtur Don Jose-në nga Carmen, duke e bindur për tu kthyer në shtëpi, pasi nëna e tij është në prag të vdekjes. Në këtë akt rritet tensioni dramatik drejt fatit tragjik.

Akti i katërt shfaq kulminacionin e operës, e cila përfundon me tragjedi. Akti nis me një atmosferë festive, në të cilën shfaqet Escamillo, i cili pritet nga populli si një hero. Në skenë pranë tij shfaqet edhe Carmen jashtëzakonisht e dashuruar pas figurës së tij. Shoqet e saj Frasquita dhe Mercedes i tregojnë Carmen se Don Jose gjendej në turmë duke e vëzhguar atë. Pas pak Carmen mbetet me Don Jose, ku ai i lutet asaj që t’i kthehet. Ajo e refuzon. Pas xhelozisë dhe inatit kur ajo i thotë se e dashuron Escamillon, Carmen në fund të operës vritet me thikë. Kjo skenë njëkohësisht shënon shkatërrimin e Don Jose-së. Pas një pasioni të verbër, nga një njeri i zakonshëm, ai përfundon në vrasës.

Shfaqja në fund u pasua me duartrokitje të gjata për disa minuta rresht, gjë e cila tregonte për përjetimet e publikut dhe afirmimin se ngjarja iu kishte lënë vërtetë mbresa.

Shfaqja “Carmen” e Georges Bizet kishte qenë emocionuese edhe për vetë solisten Vikena Kamenica, e cila këtë mbrëmje mbi supe ka mbajtur peshën e rolit kryesor.

“Është shumë emocion, fillimisht që për herë të parë jam pjesë e Operës së Kosovës. Është një emocion i mbartur, duke pretenduar që kjo gjë duhej të ndodhte shumë më parë, ashtu siç themi gjithmonë edhe për teatrin e operës, që të bëhet sa më shpejtë. Normalisht, kultura arti, artistët e këtij vendi e meritojnë kaq shumë një teatër të operas, e pse jo edhe artistët nga Shqipëria, për të bërë shkëmbime të bukura, profesionale, me shumë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Ishte shumë emocion, një opera e madhe, kisha një kryerol, por për mua nuk kjo nuk ishte hera e parë. Ka 20-vite që e luaj këtë rol. Por emocionet që i përjetova këtu më duket sikur e kam luajtur për herë të parë. Jam ndier shumë mirë nga pritja e publikut. Ndihem shumë e emocionuar, ndjeva lot që më rrjedhnin. Kam marr një nga grimcat e bukura, që në karrierën time shënon një emocion dhe lumuri të veçantë për këtë përformancë të parë” ka thënë Kamenica, karakteri  i së cilës nuk dallon shumë nga ai i të fuqishmes “Carmen”.

“Karmen nuk është se më del dhe shumë nga vetja, e jetoj po njësoj lirinë, e jetoj po njësoj rebelizmin. Kështuqë i jetoj vërtetë të gjitha ngjyrat që një grua duhet t’i ketë për të jetuar jetën dhe për ta shijuar ashtu siç duhet. Normalisht është një fund tragjik, dhe i përketë një epoke tjetër, edhe pse edhe në ditët e sotme ndodhin gjëra të tilla, këtë se mohojmë dot. E kam jetuar me një natyralitet dhe i kam shijuar me të vërtetë vlerat e gjithëë kolegëve të mi, vlerat e këtij institucioni që po ngritet. Kështu që kam shijuar çdo gjë të bukur që kjo vepër të ofron. Pres që audienca të merr emocionin. Emocionin real, të pastër pa asnjë lloj filtri, gjë të cilën unë e bëj gjithmonë kur dal në skenë. Unë harroj të këndoj, është emocioni ai që mua më përshkon të tërën”, ka thënë ajo.

E emocionuar pas një përvoje të jashtzakonshme, Zana Abazi Ramadani ka bërë apel për ndërtimin e një shtëpie operistike, ku artistët të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre në kushte adekuate.

“Ku ka më mirë se të interpretosh në vendin tënd. Së pari dua të falënderoj institucionin e operës që më kanë besuar këtë rol dhe më është dhënë mundësia që të interpretoj, megjithëse me institucionin e operës nuk është hera e parë që bashkëpunoj. Por, kësaj here është në një tjetër formë. Ishin emocione të një pasnjëshme. Pas aries mu mbushën sytë me lot, sepse aria është shumë domethënëse  dhe shumë prekëse. Faktikisht shumë gra edhe në këtë kohë mund ta gjejnë vetveten. Micaëla lufton për dashurinë e Don Jose, mundohet ta kthej në rrugë të duhur. Sot e asaj dite edhe në këto rrethana ka gra që e bëjnë të njejtën gjë. Ishte një emocion i pa përshkruar. Shpresoj që sa më shpejt do të bëhet diçka për këtë institucion, të bëhet një shtëpi operistike sepse në këtë vapë nuk janë kushtet adekuate për të interpretuar, duke e ditur se veshjet ishin jo të përshtatshme për këtë muaj. Por ia dolëm”, ka thënë sopranoja Abazi Ramadani.

Ndërsa, anëtarja e bordit drejtues të Operës, Rreze Breznica ka thënë se ndihej e lumtur që përkundër kushteve jo adekuate kanë arritur të sjellin në skenë një nga operat më të njohura në botë.

“Kur je pjesë e një organizimi të tillë, sidomos e një produksioni siç është Opera “Carmen”, nuk ndodh që gjatë rrugës, e në fakt as gjatë performancës të mos arrish të kënaqesh apo të përjetosh ngjarjen, ashtu siç ndodh me audiencën. Megjithatë ky produksion më mori shumë me vete. Besoj që ishte i suksesshëm dhe kjo gjë është vërejtur edhe nga vetë përshtypjet e audiencës. Është definitivisht nga tre produksionet e mëdha që i kemi realizuar. Mendoj që nga organizimi e deri te performanca e sotme ishte një nga produksionet më mirë të realizuara. Në fakt, kjo edhe pritej nga ne si institucion i Operës së Kosovës, sepse rrugës ne po zhvillohemi së bashku, institucioni dhe ne që jemi pjesë e tij”, ka thënë Breznica, duke i potencuar edhe aspektet sfiduese të realizimit të një ngjarjeje të tillë.

“Mungesa e shtëpisë operistike është sfida më e madhe. Është sfiduese, ka probleme të jashtëzakonshme, jo vetëm infrastrukturore por edhe në problematikat teknike. Është e vështirë, por vetëm me pasion, dashuri dhe shumë përkushtim ne arrijmë. Andaj, jo rastësisht secilin prej produksioneve të cilat i realizojmë ne i konsiderojmë si fitore me të mirat dhe të metat që mund t’i kenë ato”, ka përfunduar Breznica.

Shfaqja “Carmen” do të jepet edhe më 24 korrik, në ora 20:30 në ambientet e AMC Hall. /KultPlus.com

“Carmen” do të ngjitet sonte në skenë – Baleti dhe Opera e Kosovës do të sjellin një mbrëmje magjike 

Sonte, më 22 korrik, publiku kosovar do të ketë rastin të shijojë premierën e një prej veprave më pasionante të artit skenik botëror “Carmen”. Shfaqja vjen si bashkëpunim i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Operës së Kosovës, të cilët do të sjellin një performancë të jashtëzakonshme në skenën e AMC Hall, duke nisur nga ora 20:30.

Balerinët dhe solistët operistikë do të ndërthurin mjeshtërisht lëvizjen dhe zërin, duke krijuar një përjetim artistik të veçantë për publikun. “Carmen”, vepër e kompozitorit francez Georges Bizet, është ndër më të njohurat në historinë e muzikës klasike, duke u dalluar për emocionin, dramën dhe pasionin që përcjell,transmeton KultPlus.

Shfaqja do të reprizohet edhe më 24 korrik, për të gjithë ata që nuk do të mund ta ndjekin në mbrëmjen e sotme.

Ky projekt skenik pritet të jetë një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të verës, duke rikthyer fuqishëm emocionin e artit të gjallë në Prishtinë./KultPlus.com

Opera e Kosovës sjell perla të muzikës së kultivuar shqipe në koncertin tradicional dedikuar vlerave kombëtare

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Opera e Kosovës mbrëmë ka mbajtur koncertin “Kosova në Tinguj”, si dedikim ndaj krijimtarisë së kompozitorëve të shquar shqiptarë, duke sjellë para publikut vepra të përpunuara artistike të cilat për vite me radhë kanë ushqyer shpirtin e adhuruesve të muzikës shqipe, shkruan KultPlus. Ky koncert është mbajtur në  kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA), me një program të përqendruar në veprën e kompozitorëve shqiptarë.

Nën drejtimin e maestro Edon Ramadani, në skenë interpretuan sopranot Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani, të cilat dhuruan emocione të jashtëzakonshme përmes perlave të njohura shqiptare, që tashmë janë pjesë e rëndësishme e programit të Operës së Kosovës.  Ndërkaq, instrumentistët Ëmbla Dana- flaut dhe Lum Haxhijakupi- klarinetë, me interpretimin e tyre i dhanë koncertit një shije të veçantë artistike, duke e plotësuar koncertin në çdo pikëpamje.

“Suita për vepër harkore” e Valton Beqirit nisi mbrëmjen që shpërthente në tinguj të këndshëm, përmes emetimit të lehtë e të butë të notave muzikore, duke dhënë ndjesinë e një harmonie të paparë. Një kombinim i ngjyrave të tingujve së bashku me zërat e fuqishëm sopranove dhe krijimeve të më të zëshmëve të kohës jepte një atmosferë kompakte e cila herë të dërgonte thellë në mallëngjim, herë në soditje të thellë, e herë në një lumturi të madhe sa herë që i këndohej pranverës, luleve, kroit, ndarjes, dashurisë dhe lumturisë.

Sopranoja Adelina Paloja përmes interpretimit të saj brilant i dha koncertit një dimension tjetër. Përveç zërit të saj kristal sopranoja emetonte rreze që jepnin ngrohtësi në shpirtin e çdonjërit.  Me veprat “Pranvera filloi me ardh”- Tonin Harapi, “Mallëngjimi”- Rashid Krasniqi u zgjuan emocione thellësish të ndjera, përderisa vepra “E kujtoj at’ takim” e kompozitores Pranvera Badivuku nxirrte në pah edhe zotësinë vokale të artistes Paloja, e cila me aurën e saj rrezatuese i jep ngjarjeve sharm dhe ëmbëlsi kudo ku interpreton.

Kurse, sopranoja Kaltrina Miftari me veprat “Asaman”- Tradicionale, “Lamtumirë”- Muharrem Qena, “Kroi i fshatit tonë”- Kristo Kono dha një interpretim të fuqishëm që përkthehej në duartrokitje dhe në ovacione të fuqishme. Me një prezencë që përqonte paqe, kombinuar me zërin e fuqishëm, sporanoja Miftari depërtonte në zemrat e adhuruesve të muzikës klasike që me shumë ëndje e ndiqnin koncertin e mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Ndërsa, Zana Abazi- Ramadani me një elegancë të theksuar çdo lëvizje të saj e përkthente në finesë. Ajo dha një interpretim të jashtëzakonshëm me veprat “O moj bukuroshe”- Tradicionale, “Me lule të bukura”-Tish Daija dhe  “Agimet shqiptare”- Avni Mula. Secila notë dukej se buronte nga një thellësia e një esence, që vetëm nëpërmjet zërit mund të shprehej në autenticitetin e saj më të plotë.

“Sa bukur na ka dal’ nusja” nga Thoma Simaku dhe “Baresha” e Rexho Mulliqit ishin mëlmesat që i dhanë koncertit një shije vërtetë të veçantë. Kurse “Valsi i lumturisë” i kompozuar nga Avni Mula erdhi si kurorë në këtë mbrëmje magjike të perlave shqiptare të kënduara nga tri sopranot e njohura. Prania e kompozitores Pranvera Badivuku qe një moment i veçantë i mbrëmjes, të cilin e vulosi entuziazmi dhe duartrokitjet e publikut në shenjë mirënjohjeje ndaj krijimtarisë së saj dhe të kompozitorëve të saj.

Pas koncertit, në një prononcim për media dirigjenti Edon Ramadani tha se ishte kënaqur me perforancën e Orkestrës së Operës së Kosovës, duke theksuar edhe shkëlqimin e sopranove të njohura.

“Arsyeja e mbajtjes së këtij koncerti është inicuar nga një vizitë e disa gazetarëve të huaj, pas së cilës menduam që është shumë e nevojshme të merremi me repertorin tonë. Kështuqë i mblodhëm disa aranzhime, i punuam enkas për atë koncert. Po e shohim që kjo po pëlqehet shumë nga publiku dhe në të njejtën kohë ne po e rrisim opusin e aranzhmaneve për këtë formacion të caktuar për ta prezantuar kulturën tonë muzikore edhe jashtë vendit. Veçori e këtij koncerti ishte vepra e parë “Suitë për orkestër harkore” e cila ka qenë premierë në Kosovës, pas premierës në Japoni. Interpretimi i përbashkët me të rinjtë e Orkestës së Operës së Kosovës është një kënaqësi e madhe. Vërtetë e patëm një energji shumë të bukur në skenë, që besoj u transmetua edhe te publiku”, ka thënë dirigjenti Ramadani.

Ndërsa, sopranoja Zana Abazi- Ramadani ka thënë se është e rëndësishme që këto perla shqiptare të prezantohen edhe në vende të ndryshme të botës.

“Dua t’i falënderoj kompozitorët dhe aranzhuesit Edon Ramadani dhe Valton Beqiri, pasi falë tyre patëm mundësi t’i këndojmë këto vepra, sepse nuk janë të lehta edhe për nga ana e interpretimit. Këto këngë lirike janë kthyer pothuajse në këngë operistike. Interpretimi i tyre për mua është kënaqësi e veçantë sepse jemi rritur me ritmet dhe meloditë tona, gjë që e bën këndimin dhe interpretimin më të afërt me ne. I falënderoj edhe organizatorët e Operës së Kosovës për mbështetjen e artistëve të rinj. Dëshiroj që këto vepra të transmetohen edhe në Evropë, në mënyrë që t’i tregojmë edhe vendeve të tjera që Kosova ka kulturë shumë më të madhe, dhe shumë më me vlerë se sa që ata njohin”, ka thënë sopranoja Abazi Ramadani.

Ndërkaq, sopranoja Adelina Paloja ka thënë se ndihet e përmbushur pas interpretimit të veprave të bukura shqipe, pasi sipas saj kultivimi dhe interpretimi i tyre është obligim për çdo artist.

“Përherë është një emocion i mrekullueshëm kur bashkëpunojmë me institucionin e ri, por jo edhe aq të ri, sepse dihet që gjenerata e gjenerata kanë kontribuar në formimin e institucionit të Operas së Kosovës. Pikërisht në thelbin e kësaj ne kemi përzgjedhur sonte një repertoar shqiptar i cili pritet me shumë kërshëri nga audienca e Kosovës në përgjithësi, por edhe nga audienca e rajonit. Sot ishte edhe konferenca e të rinjve evropianë, dhe audiencës sonë besnike iu bashkangjitën edhe ky kast i publikut që me një ëndje të jashtëzakonshme e kanë mirëpritur këtë koncert, ku u interpretuan disa nga veprat më të bukura të muzikës tonë të kultivuar artistike. Jam e lumtur dhe e përmbushur që pas një agjende të ngjeshur që pata jashtë vendit, të kthehem pranë këtij publiku dhe ta transmetojmë me zemër plotë muzikën tonë të bukur shqipe, të cilën e kemi obligim që ta interpretojmë dhe ta plasojmë përpara një audience të tillë”, ka thënë sopranoja Paloja.

Sopranoja Kaltrina Miftari ka thënë se veprat të cilat u interpretuan në koncert janë pasuri e popullit shqiptar, dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të zhvillohen edhe më tej.

“Ishte një mbrëmje e veçantë, ku pata rastin të interpretoj disa prej veprave më të dashura shqipe. Gjithmonë ndihem mirë kur këndoj muzikën tonë, këto vepra kanë një vend të veçantë te unë. Publiku e ndjeu këtë muzikë po aq sa ne në skene, dhe kjo është gjëja më e bukur. Është shumë e rëndësishme. Veprat shqiptare janë pasuri e jona dhe duhen interpretuar me dashuri e kujdes. Vetëm kështu mund ta ruajmë dhe zhvillojmë kulturën tonë muzikore”, ka përfunduar sopranoja Miftari.

Ky koncert që synohet të kthehet në një koncert tradicional të Operës së Kosovës paraqet një përpjekje të institucionit për të promovuar repertorin kombëtar dhe për të afirmimuar vlerat muzikore vendore./ KultPlus.com

Sonte Opera e Kosovës sjellë perlat shqipe me koncertin “Kosova në tinguj”

Orkestra Harkore e Operës së Kosovës sonte mban koncertin “Kosova në tinguj” nën dirigjimin e Edon Ramadanit. Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi – Ramadani janë sopranot të cilat do të interpretojnë veprat e njohura shqiptare.

Veprat janë aranzhuar për formacion më të vogël nga kompozitorët Valton Beqiri, Edon Ramadani.

Koncerti mbahet duke filluar nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë./ KultPlus.com

“Carmina Burana” valëvitet në një spektakël madhështie përmes 350 shpirtrave artistikë të Baletit, Operës dhe Filharmonisë së Kosovës

Era Berisha
Fotografitë: Arben Llapashtica

Mbrëmja e 20 qershorit në Prishtinë u shndërrua në një ngjarje madhështore artistike, ku fuqia e muzikës, vallëzimit dhe emocioneve u bashkuan në skenën e sallës AMC me interpretimin e veprës monumentale “Carmina Burana”. Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa dhe koreografinë origjinale të Toni Candeloro, ky bashkëpunim ndërinstitucional mes Operës së Kosovës, Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës solli një spektakël të rrallë, ku 350 artistë krijuan një përjetim artistik që kapërceu kufijtë e zakonshëm të skenës shqiptare. Magjia e korit, forca dramatike e orkestrës dhe lëvizjet ekspresive të trupës së baletit u ndërthurën në një harmoni tronditëse, duke e kthyer këtë interpretim të “Carmina Burana”-s në një moment historik për jetën kulturore të Kosovës.

Në këtë shfaqje të jashtëzakonshme të “Carmina Burana”, shkëlqimi i veprës u pasurua nga prania e disa prej emrave më të spikatur të skenës vendore dhe ndërkombëtare. Solistja balerinë Antonella Albano nga Teatro alla Scala i dha trupës një hijeshi dhe teknikë të rrallë, ndërsa balerinët tanë Sead Vuniqi, Fatmir Smani, Behie Murtezi, Leonora Rexhepi, Mërgime Morina, Aulona Nuhiu, Fisnik Smani, Blerta Fanaj, Ensar Lutaj, Isa Gjocaj, Donmir Bilalli, Met Bikliqi, Rigon Krasniqi, Nik Musolli, Ilir Krasniqi, Liridon Mziu, Kreshnik Musolli dhe Muhamet Bikliqi sollën një intensitet fizik dhe emocional që e ngriti performancën në lartësi të reja artistike.

Zërat e fuqishëm dhe të ndjeshëm të Besa Llugiqit (soprano), Federico Buttazzo (tenor) dhe Ivo Yordanov (bariton) prekën thellë publikun, duke u bashkuar me korin dhe orkestrën brilante të Filharmonisë së Kosovës, nën përkujdesjen e dirigjentit asistent Hajrullah Syla. Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, e mbështetur nga koreografja asistente Antonietta Buccolieri erdhi me koreografi në lëvizje të sinkronizuara dhe dramatike, ndërkohë që kori i Operës së Kosovës dhe asistentët dirigjentë Lirjona Sylejmani dhe Adelinë Ndreca – Kolaj sollën një fuqi korale të fuqishme. Fëmijët e korit “Okarina” nën drejtimin e Elikona Hysajt dhe kori i shkollës “Prenk Jakova” me dirigjente asistente Lirjona Sylejmani shtuan një pastërti dhe ndjeshmëri të veçantë në atmosferën madhështore të natës. Ishte një bashkim i rrallë energjish artistike që dëshmoi për fuqinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit kulturor në Kosovë.

“Carmina Burana” erdhi si një eksplozion i jetës në të gjitha ngjyrat e saj — një vepër që shpalos thellësitë e emocioneve njerëzore përmes gjuhës së muzikës, korit dhe ritmit. E ndërtuar mbi poezi mesjetare që përshkruajnë fatin e paparashikueshëm, gëzimet e dashurisë dhe etjen për liri, kjo kantatë e Carl Orff-it përçon një fuqi primitive dhe universale që vazhdon të ngjallë drithërimë. Në zemër të saj rreh rrota e fatit – O Fortuna” – një himn për paqëndrueshmërinë e jetës, që ngrit dhe përplas njeriun mes ekstazës dhe tragjedisë. Thelbi i “Carmina Burana-s është përjetimi i intensitetit të jetës në çdo formë të saj – një thirrje e fuqishme për të jetuar, ndjerë dhe sfiduar fatin, me gjithë pasionin dhe trishtimin që ekzistenca sjell.

Pamja skenike e “Carmina Burana-s në sallën AMC ishte një kompozim vizual po aq mbresëlënës sa vetë muzika. Në qendër të skenës qëndronte orkestra, një trupë e fuqishme instrumentistësh që formonin zemrën ritmike të veprës. Në të dy anët e saj, të vendosur me simetri mbresëlënëse, ishin koristët – një mur zëri që e përforconte emocionin kolektiv të çdo pjese. Sipër tyre, në një skenë të ngritur, zhvillohej një balet i fuqishëm dhe ekspresiv, ku trupa e baletit interpretonte me lëvizje dramatike, të sinkronizuara me tensionin dhe kulmet muzikore. Në ballë, prapa dirigjentit, qëndronin solistët vokalë – sopranoja, tenori dhe baritoni – të cilët përçuan me ndjenjë dhe forcë dramatike tekstet e lashta. I gjithë ambienti ishte një trupë e gjallë, ku muzika, vallëzimi dhe zëri ndërthureshin në një organizim skenik të përkryer, duke e kthyer sallën në një tempull modern të artit të gjallë.

Edhe pse salla ishte tejmbushur me publik – përfshirë ata që qëndruan në këmbë për më shumë se një orë e dhjetë minuta – dhe përkundër vapës së madhe që e mbuloi ambientin me një nxehtësi të rëndë, magjia e Carmina Burana-s nuk u zbeh asnjë çast. Përkundrazi, kjo ndjesi fizike e përbashkët – nxehtësia, djersa, pritja – e bëri përjetimin edhe më të thellë, edhe më njerëzor. Ishte një nga ato momente ku arti tejkalon çdo kufi komoditeti, dhe bukuria e kësaj kantate të jashtëzakonshme u ndje me intensitet në çdo notë, në çdo lëvizje dhe në çdo frymëmarrje të ndarë mes skenës dhe publikut. Një përvojë që nuk harrohet – sepse ndonjëherë, kur sakrifica e trupit bashkohet me pasionin e shpirtit, lind vërtetësia më e rrallë e artit.

Kostumet, të dizajnuara me kujdes artistik nga Toni Candeloro, ishin një element thelbësor që e pasuruan ndjeshëm atmosferën vizuale të Carmina Burana-s. Dominonin fustanet e gjatë blu, të rrjedhshëm dhe elegantë, që lëviznin me një hir të veçantë bashkë me trupat e balerinëve, duke krijuar një ndjesi fluiditeti dhe solemniteti në skenë. Këto ngjyra të thella si qielli i natës sillnin një qetësi vizuale që kontrastonte me vrullin dramatik të muzikës. Ndërkohë, solistja femër u dallua me një fustan të bardhë, të pastër e ndriçues, që përçonte një ndjesi dëlirësie dhe simbolike të pranisë së shpirtit njerëzor përballë fatit. Kostumografia e Candeloro-s nuk ishte vetëm veshje – ishte një zgjedhje e menduar që përforconte temat universale të veprës: pasionin, pafajësinë, dhe pashmangshmërinë e jetës.

“Carmina Burana” është një nga veprat më emocionuese dhe të fuqishme muzikore të shekullit të XX, që përçon me intensitet të jashtëzakonshëm thelbin e fatit dhe pasioneve njerëzore. Muzika e Carl Orff-it shquhet për ritmet e saj pulsuese dhe meloditë e thjeshta, por të fuqishme, që krijojnë një ndjesi të papërsëritshme dramatike. Dukshëm madhështore ishte edhe interpretimi i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, e cila me talentin dhe energjinë e saj solli në jetë emocionet e thella të veprës. Vallëzimi i tyre, i fuqishëm dhe i saktë, duke kaluar nga lëvizjet ekspresive deri te ato më të buta dhe intime, krijonte një kontrast të gjallë me tensionin dhe lirshmërinë e muzikës. Nëpërmjet çdo hapi, çdo pozicioni dhe çdo lëvizjeje, balerinët u shndërruan në një gjuhë pa fjalë, që tregonte histori dhe ndjenja të thella, duke e shtuar kështu një shtresë dramatike dhe vizuale që e bënte përvojën edhe më të plotë dhe magjike.

Në qendër të kësaj eksperience muzikore dhe skenike shkëlqeu sopranoja Besa Llugiqi, e cila me zërin e saj të pasur dhe të fuqishëm përçoi çdo emocion me një ndjeshmëri dhe teknikë të jashtëzakonshme. Ajo solli një prekje njerëzore nëpërmjet tingujve, duke i dhënë jetë fjalëve dhe duke i bërë ato të ndihen në shpirtin e çdo dëgjuesi. Talenti i saj u bashkua në mënyrë perfekte me intensitetin orkestral dhe dramatik, duke krijuar momente kulmore që nuk harrohen lehtë dhe që dëshmojnë për një artiste që di të kapë thelbin e çdo note dhe fraze muzikore.

Orkestra e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës në “Carmina Burana” ishte zemra e gjallë që pulsoi me fuqinë e një universi të tërë, ku çdo instrument ishte një yll që ndriçoi në galaktikë tingujsh. Secila frymëmarrje e violinave, secili goditje e timpaneve dhe përqafimi i ngrohtë i instrumenteve të frymës u bashkuan në një poezi të heshtur, që përshkoi ajrin me valë drite dhe hije emocionale. Aty lindi bukuria e vërtetë – në harmoninë e përpiktë të kontrasteve, në fuqinë delikate që ngrihet dhe përplaset si deti, duke na kujtuar se muzika është gjuha më e pastër e shpirtit, e cila flet pa fjalë, por me një thellësi që prek dhe transformon çdo qenie që e dëgjon.

Korët në “Carmina Burana” janë një simfoni zërash që bashkohen për të krijuar një fuqi të jashtëzakonshme kolektive, duke ngjallur me intensitet magjinë e teksteve mesjetare dhe emocionet e tyre të thella. Në harmoninë e tyre të pasur dhe shumëngjyrëshe, zërat shfaqin një përqafim të gjerë ndjenjash — nga përmallimi dhe trishtimi te gëzimi dhe shpresa — duke ndërtuar një peizazh të gjallë që rrit tensionin dramatik dhe e thellon përjetimin artistik. Ata janë zemra korale që pulson në këtë kantatë, duke shndërruar çdo pjesë në një udhëtim shpirtëror dhe duke sjellë fuqinë e bashkimit njerëzor përmes bukurisë së harmonisë dhe fuqisë së zërit të përbashkët.

Realizimi i “Carmina Burana” në Prishtinë përfaqëson një kapitull të ri dhe të jashtëzakonshëm në historinë kulturore të Kosovës, duke dëshmuar se arti i madh nuk njeh kufij dhe se talenti vendor mund të bashkëpunojë me mjeshtër ndërkombëtarë për të krijuar mrekulli skenike. Ky event madhështor, i mbështetur nga përkushtimi i artistëve, profesionistëve dhe institucioneve kulturore, solli në jetë një performancë që jo vetëm sfidoi pritshmëritë, por edhe ngjalli krenari dhe shpresë për të ardhmen artistike të vendit. Duartrokitjet e pandalshme dhe ovacionet në këmbë nga publiku i mbushur plot dëshmuan fuqinë e kësaj përvoje, duke shprehur një emocion të thellë dhe mirënjohje të sinqertë për përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë pjesëmarrësve.

Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me kantatën skenike.

“Pas mbrëmjes së djeshme me kantatën skenike Carmina Burana, ndjej kënaqësi të veçantë për këtë bashkëpunim të fuqishëm mes tri institucioneve tona kombëtare; Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Filharmonia e Kosovës, ku për herë parë kjo vepër u realizua në formën e tillë skenike me Baletin, për çka e bëri më të kompletuar dhe më madhështore këtë vepër monumentale. Carmina Burana, kërkon fuqi kolektive artistike dhe mbrëmë kjo energji u ndje e plotë në skenë, me solistët, korin masiv të Filharmonisë dhe Operës së bashku me korin e fëmijëve, si dhe trupa e Baletit. Dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa, me interpretimin e tij preciz dhe dinamik, krijoi një komunikim të shkëlqyer mes korit, solistëve, baletit dhe orkestrës. Ishte një natë që tregoi potencialin e bashkërendimit institucional dhe nivelin gjithnjë në rritje të skenës sonë operistike e muzikore. Ky sukses është dëshmi e vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar një standard të lartë artistik në Kosovë.”

Për të treguar më shumë rreth pjesëmarrjes në “Carmina Burana”, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi.

“Mendoj se ka qenë një mbrëmje me të vërtetë madhështore. Përveç muzikës së jashtëzakonshme dhe plot jetë të Orff-it, kantata skenike u bë edhe më e veçantë falë trupës së baletit, që me hijeshinë dhe energjinë e tyre e madhëruan këtë spektakël në mënyrë të paharrueshme. Të rrethuar nga kolegë të mrekullueshëm dhe e shoqëruar me muzikë magjike, kjo ishte një përvojë e rrallë që prek zemrën. I falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që punuan me përkushtim dhe shpirt për ta bërë këtë natë kaq të bukur dhe të veçantë — një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesë.”

Në një prononcim për KultPlus foli Sinan Kajtazi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha se “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.

“Fillimisht dua t’i përgëzoj të gjithë ekipin prej 350 vetash, të cilët mbrëmë na dhuruan emocione të jashtëzakonshme. Ky projekt, në vlerësimin tim, do të mbetet historik për të tri institucionet tona, duke pasur parasysh përmasat e tij, por edhe realizimin mbresëlënës. Jam shumë mirënjohës ndaj menaxhmenteve të Filharmonisë së Kosovës dhe Operës së Kosovës për bashkëpunimin shembullor. Pas bashkëpunimit ne shfaqjen e baletit “Halili dhe Hajria” në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar, baletin “Arrëthyesi”, si dhe operën “Goca e Kaçanikut”, edhe “Carmina Burana” erdhi si një kulmim i fuqisë artistike me përmasa të jashtëzakonshme.”

Një nga solistët e Baltetit që shkëlqeu mbrëmë, Sead Vuniqi, për KultPlus potencoi se pjesëmarrja si solist në këtë produksion për të është një ndjesi e papërshkrueshme.

“Bashkëpunimi me maestro Toni Candeloro ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e bukur. E kam njohur Tonin më parë, dhe kemi punuar bashkë edhe në Tiranë, por këtë herë ai qëndroi për më shumë se dy muaj në Kosovë për të punuar intensivisht me të gjitha trupat tona artistike. Toni është një profesionist i rrallë, me pasion dhe përkushtim të admirueshëm. Pjesëmarrja ime si solist në këtë produksion ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Të performosh përballë një publiku të mbushur plot, në një skenë të madhe, me një ekip të tillë artistësh – është një nder dhe një përgjegjësi e madhe. Ndihem shumë i lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e kësaj vepre, që u prit kaq mirë nga publiku. Jam shumë krenar që, si institucione, po arrijmë të sjellim çdo vit vepra gjithnjë e më të mëdha dhe më domethënëse për artdashësit tanë. Uroj që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të na sjellë suksese të reja artistike.”

Pas çdo shfaqjeje madhështore qëndron një ekip artistësh dhe profesionistësh të përkushtuar, të cilët janë themeli i suksesit skenik. Në Carmina Burana, roli i korepetitorëve Melos Buza, Alzan Gashi dhe Lekë Salihu ishte thelbësor për përgatitjen muzikore të korit dhe solistëve, duke siguruar një ekzekutim të saktë dhe emocionalisht të ngarkuar. Ndriçimi, i realizuar me mjeshtëri nga Marco Policastro, krijoi atmosfera dramatike dhe të ndjeshme që e shoqëruan çdo moment të veprës, ndërsa zëri u menaxhua me precizitet nga inxhinierët Bojan Ugrinovski dhe Karl Humbug, duke mundësuar që çdo tingull të arrinte qartë dhe fuqishëm tek publiku. Florian Çanga, me projeksionet e tij artistike, shtoi një dimension vizual që i dha skenës thellësi dhe simbolikë, ndërsa dizajni grafik i Faton Hasimja kontribuoi në komunikimin elegant të identitetit të ngjarjes./ KultPlus.com

Oleg Arapi, Lule Elezi dhe Orkestra e Operës së Kosovës magjepsin Prishtinën me virtuozitet

Era Berisha

Gjithsej gjashtë vepra brilante janë ndërthurur me mjeshtëri në programin e zgjedhur për koncertin e veçantë të Orkestrës së Operës së Kosovës. Ky koncert, i mbajtur brenda një atmosfere të thellë muzikore, dëshmoi për një interpretim që kapërcen kufijtë e zakonshmes, duke u shndërruar në një përjetim të rrallë artistik. Nën drejtimin finesë të dirigjentit të njohur Oleg Arapi dhe me pianisten e talentuar Lule Elezi në qendër të vëmendjes, skena u shndërrua në një univers emocionesh të pastra, ku secila vepër mori frymë me një shpirt të vetin. E gjithë nata u kthye në një dialog të fuqishëm mes muzikës dhe shpirtit, një simfoni e harmonisë që jehonte thellë në zemrat e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Fillimisht, të pranishmit nisën të mbërrijnë një e nga një, duke u ulur me kujdes në karriget e vendosura me përpikëri në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Sallës iu rikthye zëri i gjallë i artit, e çdo cep i saj u mbush me praninë e atyre që e ndjejnë thellë nevojën për të qenë dëshmitarë të magjisë së muzikës së gjallë. Perdet e zeza në sfond qëndronin si gardianë të elegancës, ndërsa reflektorët në ngjyrë vjollcë ndriçonin me një dritë ëndërrimtare, duke e kthyer hapësirën në një altar të tingujve.

Ora shënoi 20:00. Heshtja zuri vend në mënyrë solemne. Celularët u fikën, zërat u fashitën, dhe një pritje e ëmbël filloi të lëkundej në ajër. Duartrokitjet shpërthyen me ngrohtësi në momentin kur instrumentistët zunë vendet e tyre në skenë. Mes tyre, u shfaq dirigjenti Oleg Arapi, me një prani të qetë por të fuqishme, i përshëndetur me përzemërsi nga publiku. Me një buzëqeshje të përmbajtur, ai iu përgjigj brohoritjeve, si një poet që sapo ka hyrë në skenën e fjalëve të tij të heshtura – tingujt.

Vepra e parë që u interpretua në këtë mbrëmje të veçantë ishte uvertura nga opera “Don Pasquale” e kompozitorit italian Gaetano Donizetti. E krijuar në mesin e shekullit XIX, kjo uverturë i paraprin një prej komedive më të njohura të repertorit operistik belkantist dhe është një shembull i mrekullueshëm i finesës dhe gjallërisë që karakterizon stilin e Donizettit. Qysh në notat e para, muzika u shpalos me një dritë lozonjare dhe një elegancë të lehtë, si një shëtitje e qetë përmes rrugëve të Romës së vjetër. Fijet e violave dhe violonçelëve sollën një fillim të ngrohtë, teksa frymorët i shtonin ngjyra një tabloje që rritej gradualisht në temperament dhe dinamizëm. Kjo uverturë është një hyrje e shkëlqyer në botën satirike të operës, e cila përmes tingujve ndriçon karakteret plot humor dhe situatat absurde që pasojnë.

Pas uverturës plot sharm e gjallëri të Donizettit, nata vijoi me një kthesë dramatike dhe emocionale përmes tingujve të “Sonatës Patetike për piano dhe harqe” nga Ludwig van Beethoven. Në këtë vepër, ndjeshmëria e thellë e mjeshtrit gjerman u shpalos me një fuqi që kapërcen kohën, ku çdo akord i pianos, në dialog të ngushtë me harqet, sillte një përzierje të dhimbjes së përmbajtur dhe krenarisë njerëzore. Lule Elezi, me prekje të butë dhe të sigurtë, gdhendi me ndjeshmëri secilën frazë, duke krijuar një hark emocional që zgjaste përtej skenës dhe përfshinte çdo zemër të pranishme.

Më pas, nën dritën e një qetësie të brendshme, nisi të rridhte “Nocturne në cis-mol, B.49” nga Frederic Chopin – një gjuhë muzikore e ëndërruar, plot melankoli dhe hijeshi. Kjo vepër, e butë si një pëshpëritje nate, u shtri si një qilim heshtjeje mbi sallë, ndërsa çdo tingull i pianos dukej se vinte nga një tjetër botë, një kujtim i largët e i shenjtë. Në të pasuan ngjyrat intime të “Intermezzos nr. 1” të Manuel Ponce, ku melodia me nuanca latine lundronte si një vallëzim i heshtur ndërmjet harqeve dhe pianos, duke përqafuar thellësinë shpirtërore me një thjeshtësi mahnitëse.

Ky udhëtim muzikor u ngrit në një frymë teatrale me “Suitën nr.1 nga Carmen” e Georges Bizet – një shpërthim ngjyrash dhe ritmesh që mbushën hapësirën me gjallëri dramatike, pasion dhe temperament jugor. Tingujt ikonikë të Bizet-it sollën në sallë aromën e flaktë të Spanjës, ndërsa performanca e orkestrës, nën drejtimin preciz të Oleg Arapit, ringjalli fuqinë e narrativës së “Carmen”. E gjithë mbrëmja u përmbyll me një vrull festiv e triumfues përmes “Uverturës Light Cavalry” nga Franz von Suppé – një vepër që ngërthen humorin, shpejtësinë dhe elegancën në një ndjesi finale përplot me energji e gëzim, si një përshëndetje e hareshme nga muzika drejt audiencës së saj të magjepsur.

E njohur për lojën e saj të fuqishme dhe njëkohësisht delikate (FCE – Luksemburg), e cilësuar si virtuoze në interpretim (Momag – Austri), dhe e vlerësuar për emocionin e thellë e të përshkueshëm në veprat e Chopin (Bergedorfer Zeitung – Gjermani), pianistja e mirënjohur Lule Elezi u ngjit për herë të parë në skenë me Orkestrën e Operës së Kosovës, në një koncert që solli një përjetim të pasur estetik për publikun e Prishtinës.

Në duart e saj, secila vepër u shndërrua në një rrëfim dramatik, ku forca dhe ndjeshmëria bashkëjetonin në çdo frazë; një pikturë e gjallë e shpirtit të kompozitorit. Ajo gdhendi tinguj që rrëshqisnin butësisht si hije nate mbi harqet, duke krijuar një përhumbje të ëmbël, melankolike dhe intime. Interpretimi i saj ishte si një kujtim i ngrohtë, i thjeshtë në dukje por i mbushur me ngjyrime të heshtura, që ndizeshin lehtë mes harmonive të harqeve, duke e kthyer veprën në një copëz të vogël kohe të ndalur. Ndërsa koncerti lëvizte drejt temperamentit të gjallë, loja e saj mori ngjyra teatrale, të mprehta dhe plot ngarkesë dramatike, duke ruajtur gjithmonë elegancën e premtuar nga fillimi. Ajo përfundoi interpretimin e saj me një gjurmë të pashlyeshme, ku çdo vepër e kaluar përmes duarve të saj u shndërrua në një rrëfim poetik – të fortë, të ndjerë, dhe të paharrueshëm.

Për të folur më shumë rreth pjesëmarrjes së tij në kuadër të Operës së Kosovës, për KultPlus foli vetë dirigjenti Oleg Arapi.

“Ishte një kënaqësi për mua, bashkëpunimi me Orkestrën e Operës së Kosovës. Ky bashkëpunim u realizuar falë pianistes të talentuar shqiptare nga Kosova, Lule Elezi, me të cilën kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë në disa koncerte në Prizren dhe Tiranë. Një falënderim shumë të madh për istrumentistët e talentuar të orkestrës, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm, performuan një program të bukur muzikalisht dhe të vështirë teknikisht, për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Performanca e pianistes Lule Elezi, u duartrokit pa fund nga spektatorët artëdashës.”

Gjithashtu, pianistja Lule Elezi për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth koncertit.

“Ishte një mbrëmje shumë e veçantë për mua, sepse isha solistja e parë instrumentiste që performova me Orkestrën e mrekullueshme të Operës së Kosovës, nën dirigjimin fantastik të Maestro Oleg Arapi. Me Maestro Oleg Arapi kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë edhe më herët, me koncertet që i kemi mbajtur në Prizren dhe disa koncerte në Tiranë, dhe e vlerësojë maksimalisht punën e tij të palodhur dhe shumë, shumë profesionale. Falënderoj përzemërsisht stafin e Operës së Kosovës, e në veçanti kryetaren e Bordit, Rreze Kryeziu Breznica dhe drejtorin, Meriton Ferizi për organizimin e shkëlqyer të këtij koncerti, të cilët u përpoqën shumë që kjo mbrëmje të kishte këtë glamor.”

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com

Një magji e përjetshme: Udhëtimi unik i “Arrëthyesi-t” nën peizazhin e Baletit Kombëtar të Kosovës

Era Berisha
Fotografitë: Enes Sahiti

Interpretuar në dy akte, nën meloditë e muzikës së Pyotr Ilyich Tchaikosvky, baleti “Arrëthyesi” erdhi i bazuar mbi historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjve” nga E.T.A. Hoffmann, mbrëmë brenda sallës AMC. Baleti Kombëtar i Kosovës, Orkestra e Operës së Kosovës dhe Kori i fëmijëve “Okarina” arritën të krijojnë një natë magjike ku u shpalos këndshëm një nga kryeveprat më të dashura të repertorit klasik botëror. Ky balet tashmë është jetësuar për të dytën herë për artdashësit e shumtë dhe duket qartazi që do vazhdojë si traditë vjetore, shkruan KultPlus. 

Para se mbrëmja të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës. Skena gjigante nën kujdesin e Ceren Incedursun, ishte e përshtatur për të rrëfyer historinë e baletit “Arrëthyesi”, një kryevepër e njohur dhe e dashur në mbarë botën për aftësinë e tij për të transportuar audiencën në një botë magjepsjeje, gëzimi dhe nostalgjie. Tërheqja e tij e qëndrueshme buron nga një përzierje e përsosur e muzikës, tregimit dhe kërcimit, secila duke kontribuar në hijeshinë e saj të përjetshme. 

Historia e baletit – një udhëtim nga pafajësia e fëmijërisë në sferat fantastike të imagjinatës – rezonoi universalisht. Ka ftuar audiencën të ëndërrojë duke rijetuar frikën dhe mrekullinë e zbulimit të një bote ku lodrat marrin jetë, lulet e borës kërcejnë në harmoni dhe ëmbëlsirat performojnë në festë. Kjo temë mahnitëse, e kombinuar me mjedisin e festave, e bëri “Arrëthyesin” një traditë bazë për familjet në mbarë botën. Vizualisht, “Arrëthyesi” është një festë për sytë. Skenat dhe kostumet luksoze shndërrohen në sfera magjike brenda Mbretërisë së Embëlsirave.

Ishte një pamje e bukur që të krijonte ndjesi të paparashikueshme. Skena qe e veshur me perde në ngjyrë të kuqe, teksa ekrani prapa gjatë aktit të parë shfaqte rënien e borës në mënyrë brilante. Një bredh i vitit të ri me disa dhurata poshtë tij, ishte epiqendra kryesore mbi të cilën rrethoheshin plotë balerinë e bashkë me ta edhe një tregim. Balerinat e vogla në anën tjetër, i dhanë hijeshi skenës teksa këmbët e tyre të vogla kur lëviznin, portretizonin mu atë ndjenjën e ngrohtë të shikuesve të ulur prapa tyre.  

Orkestra e Operës së Kosovës në krye kishte dirigjentin Renato Balsadonna dhe asistent dirigjentët, Lirjona Sylejmani dhe Edon Ramdani, të cilët shkëlqyen ta drejtonin orkestrën deri në perfeksion. Instrumentistët në anën tjetër dhanë gjithçka nga vetja. Orkestra nuk qe vetëm një sfond i baletit – por vetë shpirti i tregimit, duke frymëzuar emocione dhe atmosferë në çdo moment. Ata krijuan një vend të çudirave dëgjimore ku çdo instrument u bë një personazh më vete. Telat shkëlqyen si ngrica e parë në një mëngjes dimri, meloditë e tyre i ngrenë lëvizjet e balerinëve në lartësitë qiellore. Së bashku, orkestra dhe balerinët u sinkronizuan në mënyrë perfekte, si dy copëza të një frymëmarrjeje të vetme.

Instrumentistët pikturuan të padukshmen – valëvitjen e borës, vezullimin e dritës së yjeve, shushurimën e ëmbëlsirave të pirueteve në Mbretërinë e Ëmbëlsirave, ndërsa balerinët u dhanë formë të qëndrueshme atyre vizioneve. Çdo notë e shtyu historinë tutje, duke vendosur tonin për skenat e trilleve, rrezikut dhe triumfit. Muzika ka fuqinë të transformojë gjithçka, duke ndezur një magji që zgjat vazhdimisht, dhe këtë e ka krijuar mbrëmë Orkestra e Operës së Kosovës. Muzika ka rezonuar përtej veshit, deri në zemër.  

Me muzikën brilante nga Tchaikovsky dhe koreografinë klasike nga Ilir Kerni (sipas Marius Petipa, Lev Ivanov), u përçua një elegancë e festave, një vepër që na transportoi në një botë magjike ëndrrash që mori jetë nga çasti në çast. Ky balet qe një simbol i festimeve dimërore dhe një moment i përkryer për të përjetuar artin në gjithë madhështinë e tij. Gjithashtu, ato që erdhën si një simfoni ngjyrash, teksture dhe imagjinate, ishin kostumet e krijuara nga Elva Bella. Kostumet shkëlqenin nën reflektorët e shumtë të vendosur lartë, (kryesisht në ngjyrë të kaltër). Fustanet portretizuan pafajësi, teksa tregonin për shpirtin e ri të vajzave të reja brenda një aventure. Shumë tuta, shumë kurora, shumë bizhuteri e pëlhura vezulluese që shkëlqyen si vesa e mëngjesit, arritën ta përthekojnë këtë mbrëmje në një histori të bukur elegante dhe magjepsëse.

Po ashtu, si qershi mbi tortë kanë ardhur fëmijët e korit “Okarina”, që i dhanë baletit një dimension hyjnor. Zërat e tyre të pastër e engjëllorë u gërshetuan pa probleme në partiturë. Harmonia e tyre erdhi si një reshje e butë bore – një prani delikate por transformuese që përforcoi magjinë në skenë. Kur zërat e tyre bashkoheshin, duket se i bënin jehonë pafajësisë dhe mrekullisë. Çdo notë dukej se barte shpresat dhe ëndrrat e të rinjve, duke lëvizur nëpër hapësirë dhe duke u vendosur butësisht në zemrat e audiencës.  

Por, ylli kryesor, mbrëmë qe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. Lëvizjet e tyre u shpalosën si një përzierje magjepsëse e bukurisë dhe atletizmit, çdo hap një manifestim vizual i muzikës së Tchaikosvky. Balerinët rrëshqitnin shpesh, kërcenin dhe rrotulloheshin si pa peshë, trupat e tyre gjurmonin magjinë e historisë në ajër. Çdo lëvizje kishte kuptim, duke treguar një përrallë ëndrrash, betejash dhe mrekullish. Krahët e tyre valëviteshin si era nëpër degë të akullta, ndërsa piruetet e tyre të sinkronizuara krijuan një stuhi lëvizjesh, duke e kthyer skenën në një vend të çudirave dimërore.  

Pastaj, lëvizjet bëheshin të guximshme dhe dramatike. Kërcimet e larta e shpërthyese përçonin guxim dhe vendosmëri, ndërsa nuk munguan as hapat e mprehtë e të tokëzuar. Balerinët pasqyronin përplasjen e forcave, duke ndërthurur tensionin me tekat lozonjare. Çdo variant shfaqte një shije unike kërcimi. Puna delikate në majë të këmbëve dhe hapat e ndërlikuara u interpretuan magjishëm. Ata thuajse fluturonin me fuqi të personazheve të tyre, qofshin ato princërore apo të tjerë. Pati shumë kthesa që treguan forcë e përsosje. Trupa e BKK-së rrëfeu një simfoni të rrjedhshmërisë, teksa lëvizte sikurse një valë që imitonte shpalosjen e butë të luleve. Çdo lëvizje tregonte një kanavacë mrekullie, duke përzier mjeshtërinë teknike me magjinë e tregimit. Balerinët e shndërruan skenën në një ëndërr të gjallë, ku çdo kërcim sfidoi gravitetin dhe çdo kthesë e çoi audiencën më thellë në botën magjepsëse. 

Dua të veçoj katër solistët brenda këtij baleti: Mërgime Morina, Fatmir Smani, Jeta Musolli dhe Fisnik Smani. Hijeshia e tyre përfaqësoi një variacion unik në Mbretërinë e Ëmbëlsirave. Ata erdhën si xhevahire në një kurorë, secili duke ofruar një shije të veçantë dhe verbuese të artit. Solot e tyre nuk ishin thjesht kërcime, por histori të treguara përmes lëvizjes ku secila u shpalos me sharmin dhe karakterin e vet. Trupat e tyre të portretizuara si mëndafshi, qenë të mbushur me pakufi të shumtë lëvizjesh. Ritmet e tyre pasqyruan lëvizje të mprehta, të sakta, sikurse tingëllimat e një zileje. Hapat e shpejtë valëviteshin sa majtas e djathtas, për të treguar një ëndërr ngrohtësie. Ata sfidonin çdo gjë që dilte para tyre. Audienca pati rastin të hyjë brenda një shpërthimi energjik që tregonte për një atletikë të pastër, këmbë të fuqishme që tronditën vendin. Ata lanë publikun pa frymë, por edhe u bënë çelësi kryesor që ata të frymonin. Mishëruan elegancën dhe rafinimin. Krahët e tyre gdhendën harqe precize, piruetet vinin si fjolla dëbore. Ekuilibri i tyre dëshmoi magjinë e “Arrëthyesi-t”, duke na dërguar në një vorbull qiellore. Performancat e tyre ishin po aq të ëmbla dhe të larmishme sa edhe ëmbëlsirat që përfaqësonin, duke magjepsur audiencën me mjeshtërinë e tyre lirike dhe duke lënë një ndjenjë të vazhdueshme mrekullie.

Krejt në fund, ishin duartrokitjet e vazhdueshme për secilin protagonist që frymoi në skenë. Ovacion në këmbë kanë përjetuar të gjithë solistët, instrumentistët, dirigjentët dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, por vetëm atëherë kur të gjithë njëkohësisht dolën në skenë. Dukej se duartrokitjet e tyre të vakëta nuk i përshtateshin aspak hijeshisë që “Arrëthyesi” ka paraqitur mbrëmë. 

Baleti “Nutcracker” është një udhëtim verbues në një botë ku magjia dhe muzika ndërthuren, duke zgjuar shqisat dhe duke ndezur imagjinatën. Fillon në një prag të ftohtë të Krishtlindjeve, ku një festë madhështore shpaloset në ngrohtësinë e një shtëpie madhështore, e mbushur me të qeshura, të ftuar vals dhe shkëlqimin e një peme të shkëlqyer. Mes gëzimit, Klara e re merr një dhuratë kurioze nga kumbari i saj misterioz Drosselmeyer – një Arrëthyes prej druri që duket se mbart një magji të fshehtë. Ndërsa mesnata godet, Klara e gjen veten në një botë të transformuar ku pema e Krishtlindjes rritet në lartësi të larta dhe Arrëthyesi i saj lind, duke udhëhequr një ushtri ushtarësh lodrash kundër mbretit të frikshëm të miut. Beteja e tyre është e ashpër, por fantastike, me përplasje vezulluese me shpata dhe kërcime lozonjare. Kur fitohet fitorja, Arrëthyesi zbulohet si një princ i pashëm dhe së bashku ai dhe Klara nisin një udhëtim të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet flokëve të dëborës që rrotullohen, ata rrëshqasin në Tokën e Ëmbëlsirave, një mbretëri vezulluese e sunduar nga Zana mbretërore e Kumbullës së Sheqerit. Këtu ata priten me një festë kërcimesh, secila më magjepsëse se e kaluara: ritmet e mprehta të kafesë arabe, kërcimet e zjarrta të kallamishteve ruse, lulet delikate që bëjnë vals në harmoni të përsosur. Çdo lëvizje, çdo notë e partiturës në rritje të Çajkovskit përshkruan një tapiceri të gjallë mrekullie dhe kënaqësie. Kreshendot e baletit me vallëzimin eterik të Zanës së Kumbullës së Sheqerit, lëvizjet e saj delikate dhe të sakta, si modele të gdhendjes së ngricave në xhamin e dritares. Kur ëndrra zbehet dhe Klara zgjohet pranë pemës, kujtimi i kësaj nate magjike mbetet – një kujtim i bukurisë së pakufishme që shtrihet vetëm përtej velit të realitetit.

“Arrëthyesi” do të mbetet një traditë vjetore, ashtu siç ndodh në të gjitha trupat e baletit anembanë botës, dhe mezi po presim atë të vitit 2025. 

Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me shfaqjen.

“Ky ishte bashkëpunimi jonë i parë si institucion i Operës së Kosovës me Baletin Kombëtar, ku kaluam shumë mirë me premierën dhe sonte besoj njëjtë edhe me reprizën. Arrëthyesi, është vepër që hyn në kategorinë e repertorit të vështirë, ku kërkon trupë profesionale të përgatitur shumë mirë si nga ana e balerinëve, ashtu edhe nga ana e instrumentistëve dhe gjithashtu koreografit e dirigjentit me shumë eksperiencë. Andaj, për orkestrën ishte një sfidë e një provimi të dhënë për këto vepra monumentale të vështira, që kërkojnë pjekuri e pervojë edhe për balerinët, instrumentistët e orkestrat me shumë traditë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Sinan Kajtazi, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës për KultPlus ka thënë se publiku vazhdon të jetë i etur për vepra të tilla.

“Vitin që shkoi, kur për herë të parë realizuam “Arrëthyesin”, pamë se sa i etur është publiku ynë për vepra të tilla, pra për vepra madhështore të repertorit botëror. Ishte krejtësisht e natyrshme që ta konsideronim mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje çdo dhjetor, dhe këtë vit ashtu vepruam. Si produksion, “Arrëthyesi” këtë vit ishte në një nivel shumë më të lartë se vitin e kaluar, pavarësisht vështirësive teknike që kemi, si mungesa e një teatri të mirëfilltë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të arrijmë një nivel edhe më të lartë. Realizimi i një shfaqjeje të tillë, një kryevepër e repertorit botëror si “Arrëthyesi”, na bën një me trupat botërore, të cilat e kanë këtë shfaqje si pjesë të pandashme të fundvitit. Dua ta falënderoj institucionin e Operës së Kosovës për bashkëpunimin në realizimin e shfaqjes këtë vit, si dhe falënderoj të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë dhënë kontribut të çmuar për të sjellë magjinë e “Arrëthyesi-t” për dy net radhazi”, ka thënë ai.

Një nga solistët e baletit Arrëthyesi, Fatmir Smani, për KultPlus potencoi se pati privilegjin për të qenë pjesë e këtij Baleti.

“The Nutcracker një shfaqje festive botërore ku çdo trupë e ka privilegjin ta ketë në repertuarin e tyre në fundvit. Për neve si BKK është viti i dytë me radhë që e kemi në repertuarin tonë. Në këtë shfaqje jam paraqitur në rolin e Princit, një rol mjaft sfidues nga ana teknike e lëvizjeve ku me kënaqësinë më të madhe e kam performuar dhe e kam shijuar pa fund. E gjithë trupa e baletit ka dhënë maksimumin e vetë që të realizohet ky projekt edhe pse pa teatër në një sallë të improvizuar, dhe jemi shumë krenarë për faktin që publiku ka shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm dhe kjo na bën edhe më të përmbushur në aspektin artistik, poashtu na jep forcë që t’vazhdojmë përpara  duke shpresuar që vitet e ardhshme mos ta gjejë Arrëthyesin pa teatër”, thotë Smani.

Po ashtu, Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e korit të fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur tejet e lumtur.

“Përshtypjet e mia sigurisht që nuk kanë të mbaruar për të mirë. Çdo herë në secilën mbrëmje që e shënojmë, bëhet çdo herë më e bukur se tjetra. Kjo vjen falë një emocioni të veçantë nga ky organizim. Përfshirja e Korit Okarina po ndodh për të dytën herë brenda këtij projekti të madh. Kjo shfaqje ka aq shumë elemente brenda, dhe ku kaq bukur e ka shkruar kompozitori Çajkovski, ku ka futur edhe pjesën korale të fëmijëve, jo rastësisht, në aktin e parë. Në  gjithë aktin e parë mbizotërojnë fëmijët në skenë dhe baleti kulmon me koralen e korit të fëmijëve në partiturë. Mbrëmë ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Për fëmijët ka qenë një emocion i rrallë dhe një ndjenjë përgjegjësie edhe më e madhe përballë një orkestre dhe trupë e baletit, profesionale. Për në është një kënaqësi e madhe dhe mbi të gjitha një kujtim që nuk do të shlyhet asnjëherë”, thotë Hysaj-Shala.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha-Beha, Mimoza Bytyqi, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Sabrije Spahiu, Sead Vuniqi, Shpëtim Mejtani, Vjollca Llugiqi, Teuta Krasniqi, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Erza Limani, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi, Nisa Krasniqi, Ensar Lutaj, Ersa Sopa. 

Fëmijët: Jana Përvetica, Erisa Ahmeti, Emy Rose Elshani, Dren Mustafa, Ami Gojani, Sira Rrahmani, Tiara Balaj, Alejna Prizreni, Ana Isufi. 

Asistente koreografie: Rovena Shqevi. 

Baletmaestre: Jeta Musolli. 

Mjeshtër i dritave: Mursel Bekteshi. 

Realizues i kostumeve: Shemsi Avdiu./ KultPlus.com 

“Nga Baroku në Romantizëm”, Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës mbajnë koncertin e radhës nën dirigjimin e Frederic Laroque

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë mbrëmë u mbush plot dhe mori një hijeshi krejt tjetër. Artistë, politikanë e qytetarë të shumtë që ishin mbledhur për të njejtën arsye. Të shijonin koncertin me interpretime që ushqenin trurin e shpirtin.

Nën drejtimin e Frederic Laroque, koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit dhe me pjesëmarrjen e fagonistit të njohur Laurent Lefevre, mbrëmë u mbajt koncerti i Operës së Kosovës bashkë me Filharmoninë e Kosovës, që zgjati përreth 2 orë.

Koncerti filloi me duartrokitje të shumta nga publiku, që mirëpritën mjeshtrin Laroque, i cili përballë ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministrit të Kulturës Hajrulla Ceku e shumë qytetarëve të tjerë, filloi menjëherë interpretimin e tij bashkë me orkestrën.

Gjatë mbrëmjes, u interpretuan vepra “Katër stinët” nga Antonio Vivaldi , “Flauti magjik” nga Mozart, “Koncert për fagot” nga Rossini dhe “Suita Carmen” nga Bizet, nën dirigjimin e Laroque.

Secila nga veprat që u interpretua, kishte një emocion tjetër. Koncerti, ashtu siç u hap, edhe u mbyll me duartrokitje të pafundme.

Frederic Laroque, 65-vjeçar, ka filluar mësimet për violinë në moshën 6 vjeçare. Ai ishte student i Andre Proffit dhe më pas i Gerard Jarry-t. Ka fituar çmime te para në violinë dhe muzikë dhome. Ai është violinisti i parë i Orkestrës së Operës Kombëtare të Parisit dhe gjithashtu përformon në grupe muzikore, nga teio deri në dhjetë instrumentistë.

Poashtu, ai është edhe profesor në Konservatorin Kombëtar të Muzikës dhe Dansit në Paris.

Ndërsa, Laurent Lefevre ka studiuar në Konservatorin Kombëtar Superior në Paris. Ai performon shpesh si solist me orkestrat më prestigjioze si ajo e Radios së Stuttgart-it, Filharmonia e Buenos Airesit, Orkestra “Simon Bolivar” në Karakas, Tokyo Mozart Players, Orkestra e Operës së Parisit dhe nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Myung-Whun Chung dhe Seini Ozawa.

Në një prononcim të shkurtër për KultPlus, Laroque tregoi se kjo nuk ishte hera e tij e parë në Kosovë, dhe se përgatitjet për ketë mbrëmjë kishin shkuar shumë mirë.

 “Hera ime e parë ka qenë diku para 18 viteve. Nuk ishte e vështirë të përgatiteshim sepse patëm nje bashkëpunim shumë të mirë me orkestrën”, tha ai.

Tutje, Laroque u shpreh se nuk mund të ndajë si të preferuar ndonjërën nga veprat që interpretuan këtë natë.

“Është pyetje shumë e vështirë, sepse kisha shumë emocione si për shembull tek Rossini, mirëpo nuk mund të zgjedh njërën, pra është pyetje e vështirë” tha tutje dirigjenti dhe violinisti./KultPlus.com

Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës sjellin koncertin e radhës me 6 nëntor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës do të sjellin koncertin e radhës të mërkuren, me datë 6 nëntor.

Në njoftim thuhet se programi përfshin vepra nga periudha barok deri tek ajo më romantike.

“Nën drejtimin e Frédéric Laroque, koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit dhe me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Koncerdi do të fillojë në ora 19:30 dhe do të mbahet në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë

Rezervoni ulëset tuaja duke klikuar në këtë link: https://shorturl.at/Wpii2 /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përmbyll sezonin me “Koncert për paqe”: një unifikim i dhimbjes, mëshirës, paqes dhe mirëkuptimit 

Era Berisha

Mbrëmë qytetarët e Prishtinës, mu në sheshin “Skënderbeu”, kanë qenë dëshmitarë të një nate të mbushur me përplot magji. Skena gjigande e vendosur në qendër, ka mikpritur interpretimin e mbi 200 muzikantëve. Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja nën dirigjimin e Hysen Nimanit, sopranoja Adelina Paloja, tenori Liridon Sadriu dhe baritoni Safet Berisha, kanë ngulitur në kokën e të gjithëve një koncert i cili ka dalë përtej unikes. Talenti i tyre u shfaq në një tango me perfeksionin, kësisoj duke e lënë një vulë të pashlyeshme përbrenda secilit pjesëmarrës, shkruan KultPlus. 

Koncerti parashihej të fillonte në orën 20:30, mirëpo karriget ishin mbushur nga qoshi në qosh qysh nga ora 20:00, ndërsa instrumentet e vendosura në skenë po pritnin që mjeshtërit e tyre t’i merrnin ato në dorë. Audienca pati rastin ta shijojë zhdukjen e përkohshme të diellit dhe me entuziazëm priste shushurimën e instrumenteve nga muzikantët që dolën në skenën e mbuluar në të zezë, akoma pa shënuar ora 21:00. 

Reflektorët në ngjyrë të kaltër të vendosur mbi skenë dukej se e qanin në gjysmë ajrin me drejtimin e tyre, por asisoj ishin edhe muzikantët që dolën duke marshuar në skenë. Hapat e tyre të qëllimshëm, zhurmonin atmosferën këndshëm, duke shënuar fillimin e veprës “Njeriu me armë: Meshë për paqe” e kompozitorit Karl Jenkins, e krijuar në vitin 1999 dhe dedikuar viktimave të Kosovës. Është një vepër anti-luftë bazuar në meshën katolike të cilën kompozitori e gërsheton me burime të tjera, me tekst të përzgjedhur nga historiani Guy Wilson.  

Nën dirigjimin e veçantë të Baki Jasharit, koncerti portretizoi një literaturë muzikore, me vepra të fuqishme që u interpretuan për nder të të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Koncerti u emërtua “Koncert për Paqe” me të cilin Filharmonia e Kosovës përmbylli sezonin 2023/2024. Bashkë me korin në skenë u ngjit edhe Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-ve në Kosovë. 

Anash skenës, dy ekranet mundësuan një vështrim më të detajuar të Orkestrës së Filharmonisë në skenë, si dhe duarve të dirigjentit Jashari, i cili me krahët e tij bënte harqe sa në të djathtë e sa në të majtë. Shkopi i tij në dorën e djathtë, lëvizte me shpejtësi sa poshtë e lartë, njashtu edhe telat e instrumenteve që pushtoheshin pa ndalë nga dhuntia e bukur e shpirtrave të gjallë prapa tyre. Në anën tjetër, të bashkuar në një unitet që çdo herë lë mbresa, Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka”, dhuruan spektakle që frymonin nëpërmjet teksteve dedikuar për paqe, dashuri e dhimbje.  

Ndërkohë, publiku ishte i shoqëruar nga një fllad i lehtë i cili zgjonte kohë pas kohe disa rrëqethë, por kjo nuk ndodhte vetëm për atë arsye. Ishte energjia, paraqitja dhe ekselenca e sopranos Adelina Paloja, tenorit Liridon Sadriu dhe baritonit Safet Berisha, të cilët i dhanë jetë të dyfishtë këtij koncerti të jashtëzakonshëm. Si yje në skenë, qëndronin solistët, që kapluan atmosferën nga çasti në çast. Serioziteti i notave që buronin nga thellësia e tyre, portretizoheshin dukshëm dhe në shprehjet e fytyrave të tyre. Për të kënduar për tema te caktuara, do të thotë të bëhesh një me tekstin, mesazhin dhe esecnës e veprës, dhe këtë më së miri, arrinin ta bënin solistët, të cilët kanë shkrirë telat e zërit drejt të pranishmëve nëpërmjet një madhështie modeste. 

Veprat e interpretuara si: “The call to prayers”, “Kyrie”, “Save me from Bloody Men”, “Sanctus”, “Hymn before action”, “Charge!”, “Angry flames”, “Agnus Dei”, “Now the guns have stopped”, “Benedictus” si dhe “Better is peace”, transmetuan një performancë që doli përtej pritshmërive. Puna e palodhshme, përkushtimi, dhe dashuria për atë se çfarë përfaqëson muzika, ishte e vulosur në sytë e 200 muzikantëve, të cilët mbrëmë dëshmuan një pasion të zjarrtë i cili zor se do shuhej ndonjëherë, edhe nëse bota do të digjej ngadalë. 

Prapavija në skenë pati të vendosur një ekran që ndërronte disa imazhe, por më e fuqishmja apo konstantja, qe ajo e një zogu, që shërbente si një thirrje për paqe dhe liri. Reflektorët ndërronin ngjyrat nga të kaltër, në të bardhë, në të kuqe e herë në të portokalltë, që përkonin me stilin e njëmbëdhjetë veprave dhe intensitetin e tyre që shpesh kapte publikun në befasi, duke i shtyrë ata për të lëvizur papritmas. Po ashtu, ajo që këta muzikantë dinë të bëjnë më së miri, është përkëdhelja e lehtë e shpirtit të pranishëm, nëpërmjet prekjeve ledhatuese të instrumenteve përpara tyre, duke krijuar një harmoni bukur të qetë, porsi ninullë. 

Pas përfundimit të gjithë këtij koncerti mbresëlënës, për një fjalë rasti, në skenë doli Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, i cili falënderoi Filharmoninë e Kosovës, që e lejoi të jetë pjesë e tyre për këtë mbrëmje. 

“Nëpërmjet veprave, ne ecëm nga lutja për mëshirë, në përgatitjen për luftë dhe përjetimin e tmerreve të luftës, dhe më pas përfunduam me një mirëkuptim dhe marrëveshje se gjithmonë ka paqe. Unë nuk mund të mendoj për ndonjë vepër tjetër që është më e përshtatshme për një diplomat për të kënduar, sesa “Njeriu me armë: Meshë për paqe”. Vepra qe shumë e ndjeshme për ta kënduar së bashku. Këta prapa meje, janë njerëzit e mi, dhe unë dua t’i falënderoj shumë që më lejuan të jem pjesë e tyre sonte. Muzikantët e Filharmonisë, janë shumë të talentuar dhe ju të gjithë duhet të jeni krenarë për ta”, ka thënë ai. 

Ai tutje tregoi se koncerti ishte paraparë të epej më 4 korrik, por për shkak te motit dhe vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, koncerti u shty për mbrëmjen e djeshme.

Pjesa përmbyllëse e koncertit solli interpretimin e dy marsheve amerikane “The Washington Post” dhe “The Stars and Stripes Forever” nga John Philip Sousa, të shoqëruar në fund me fishekzjarrë, pjesë e traditës amerikane për shënimin e Ditës së Pavarësisë që nga viti 1777. Fishekzjarrët e shumtë shumëngjyrësh shënuan fundin e një nate të paharrueshme, me kujtime që do vërshojnë përherë në rrjedhën e të bukurave, siç ishte edhe portretizimi nga “Koncert për paqe” për dy orë të plota.

Ndërsa, për të treguar rreth pjesëmarrjes si soliste në këtë koncert, për KultPlus foli sopranoja Adelina Paloja. 

“Përjetova një nga momentet më emocionale të karrierës sime solistike. Atmosfera ishte magjike që nga momenti i parë. Qielli i hapur i Prishtinës dhe yjet e ndritshëm krijuan një skenë të përsosur që po e ndjeja teksa po përgatitesha prapa skenës me emocionet dhe përgjegjësinë e madhe që më priste për të interpretuar veprën madhështore të Karl Jenkins, “The Armed Man: A Mass for Peace”, dedikuar viktimave të luftës në Kosovë. Përmes zërit tim reflektoja figurën e femrës shqiptare vetëflijuese e heroinë historikisht, e ne së bashku si një trup artistësh me mbi 200 muzikantë e mijëra pjesëmarrës në audiencë, ngaqë kemi përjetuar edhe vetë luftën, bëmë dedikimin e thirrjen për paqe edhe si një kujtesë e fuqishme e kostos së luftës që përjetuam”, thotë Paloja. 

Sipas saj, teksa këndonte pjesët e ndryshme të veprës në gjuhen latine, frënge dhe angleze, ndjente peshën e historisë dhe dhimbjen e luftërave të kaluara. Por gjithashtu, ndjente shpresën dhe dëshirën për një të ardhme më të mirë. Pra, çdo frazë muzikore ishte një lutje për paqe, një thirrje për bashkim dhe mirëkuptim. 

“Atmosfera në shesh ishte elektrizuese, me interpretim brilant të Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë, të Operas si dhe të Fakultetit të Arteve të Universitetit Haxhi Zeka, udhëhequr shkëlqyeshëm nga dirigjenti prof.Baki Jashari, me dy dirigjentët e korit Hysen Nimani dhe Hajrullah Syla, që së bashku krijuam një përjetim artistik fisnik e krenar. Mbrëmja përfundoi me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe shprese për të ardhmen, me angazhimin e drejtorit Dardan Selimaj për vizionin e kësaj mbrëmjeje dhe çdo detaj të mirë menduar, në bashkëpunim me aleatin tonë ShBA, ku në pjesë artistike pjesëmarrës në Kor ishte edhe vetë ambasadori Jeffrey M. Hovenier. U ndava me emocionin që kurorëzuam së bashku një koncert që do të mbahet mend gjatë si një nga ngjarjet më të paharrueshme në historinë kulturore të Prishtinës”, përfundon ajo. 

Kurse, për të treguar përshtypjet e tij rreth gjithë këtij koncerti, për KultPlus foli dirigjenti i Korit të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja, Hysen Nimani. 

“Fakulteti i Arteve i Universitetit ‘Haxhi Zeka’ ka pasur një periudhë të jashtëzakonshme, duke u shquar për një sërë arritjesh të rëndësishme. Kohët e fundit, Kori i Fakultetit të Arteve prezantoi krahas Filharmonisë së Kosovës para një audience gjigande në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, një ngjarje që përmbush krenari të madhe për të gjithë ne. Ky bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, i dyti deri tani, ishte një sukses falë përkushtimit dhe punës së përbashkët me të gjitha instancat menaxheriale, duke përfshirë Dardan Selimaj, dirigjentin Baki Jashari, Hajrullah Syla dhe solistët e talentuar: sopranon Adelina Paloja, tenorin Liridon Sadriu dhe baritonin Safet Berisha”, ka thënë ai. 

Dekani i Fakultetit të Arteve dhe dirigjent i Korit, Nimani, theksoi se kori ka marr pjesë vazhdimisht në koncerte dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, si në Gjermani, Kroaci, Greqi dhe shumë koncerte ne vend dhe jashtë vendit si dhe në konkurse të ndryshme. Këto arritje, sipas tij, pasqyrojnë përkushtimin dhe talentin e jashtëzakonshëm të studentëve dhe stafit, duke shërbyer si një shembull për të gjithë. 

Gjithashtu, dirigjenti i Korit të Operës së Kosovës, Hajrullah Syla, për KultPlus foli rreth përpjekjeve për të sjellë këtë koncert. 

“Vepra ‘The Armed Man a Mess for Peace’ është njëra ndër veprat më madhore që i është dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Çdo herë që ne e interpretojmë këtë vepër, kemi një emocion të veçantë pasi që kemi qenë edhe dëshmitarë të luftës së fundit dhe përjetimeve që kemi pasur ne si popull nga paramilitarët serbë. Interpretimi i mbrëmshëm ishte një emocion sikurse për herën e parë kur e kemi realizuar këtë vepër”, thotë ai. 

Sipas tij, sa i përket procesit të provave, ka qenë jo edhe aq i vështirë pasi që Orkestra dhe Kori i Filharmonisë, e kanë pasur të përgatitur, por sigurisht bashkimi i dy koreve siç ishin: Kori i Operës së Kosovës dhe Kori i Fakulteti të Arteve “Haxhi Zeka” nga Peja, ka qenë pak sfidues pasi që ishte një numër tejet i madh i interpretëve të kësaj vepre. 

“Gjithashtu, për ne ka qenë nder dhe kënaqësi që ta kemi edhe ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, i cili është një zë shumë i mirë dhe që me shumë dëshirë iu bashkua koreve që ishin pjesë e koncertit. Ky rrugëtim për të arritur deri në koncert ka qenë mjaft i këndshëm dhe me një peshë të madhe duke e ditur që ne do të dalim në skenë para një audience të madhe në sheshin ‘Skënderbeu’. Aq sa u pa, publiku e priti mjaft mirë paraqitjen tonë”, përfundon Syla. 

Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane, Komuna e Prishtinës dhe RTK. 

Fotografitë: Enes Sahiti / KultPlus.com

Nesër promovohet monografia kushtuar regjisorit të operave, Nikolin Gurakuqi

Nesër, në Ditën Botërore të Muzikës, Opera e Kosovës organizon promovimin e monografisë kushtuar regjisorit të mirënjohur të operave, Nikolin Gurakuqi, me autore Floriana Odhise Paskali, përcjell KultPlus.

Në këtë ngjarje që po mbahet në kuadër të bashkëpunimeve të kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri do të marrin pjesë personalitete të shquara të artit dhe kulturës.

Folës do të jenë: Leonardo Voci – piktor, Edmond Doko – dirigjent, Ylber Gjini – bariton dhe Besa Luzha – përfaqësuese e këshillit të Operës së Kosovës.

Ndërsa për programin artistik do të përkujdeset kori i fëmijëve “Okarina” nën udhëheqjen e Elikona Hysaj Shala dhe korepetitor Melos Buza, me fragmente dhe koralet nga operat e njohura botërore dhe atyre shqiptare.

Promovimi mbahet nesër, më 21 Qershor, në ora 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” Prishtinë./ KultPlus.com

Kryevepra e një Maestro, krijimi i Logos së Operas së Kosovës nga Berin Hasi

Uranik Emini

Berin Hasi, artisti i mirënjohur që qëndron pas logos së re mahnitëse të institucionit më të ri kulturor të Kosovës, Opera e Kosovës, së fundi në një intervistë me KultPlus, ka shpalosur procesin krijues dhe sfidat pas kryeveprës së tij të fundit, shkruan KultPlus.

Nga koncepti fillestar deri në ekzekutimin përfundimtar, Hasi i merr lexuesit në një rrugëtim të shprehjes artistike dhe rëndësisë kulturore, duke shfaqur vizionin dhe përkushtimin unik të tij në krijimin e një simboli që përfaqëson vetë thelbin e trashëgimisë artistike të Kosovës.

Derisa Berin Hasi filloi punën e tij për logon e Operas së Kosovës, ai e dinte se kishte një detyrë të vështirë përpara. Jo vetëm që ishte ngarkuar të krijonte një simbol që do të përfaqësonte një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, por ai gjithashtu donte të siguronte që logoja të ishte unike, reflektuese e trashëgimisë artistike të Kosovës dhe kuptimplotë për popullin e saj.

Ndërsa u fut më thellë në projekt, Hasi u përball me një sërë sfidash. Një nga më të mëdhenjtë ishte gjetja e një mënyre për të balancuar traditën dhe modernitetin në logo. Ai donte të krijonte diçka që të ishte bashkëkohore dhe e përjetshme, që do të rezononte me audiencën e të gjitha moshave. Ai gjithashtu luftoi me gjetjen e ngjyrave dhe imazheve të duhura që do të përfaqësonin më së miri operën dhe misionin e saj.

Pavarësisht këtyre vështirësive, Hasi qëndroi i përkushtuar vizionit të tij. Ai vazhdoi të eksperimentonte me dizajne dhe ide të ndryshme, duke e rafinuar dhe modifikuar konceptin e tij derisa krijoi diçka që e ndjeu se e kapi vërtet frymën e Operës së Kosovës. Ajo është sa moderne dhe e përjetshme, dhe rrëmben në mënyrë të përkryer energjinë dhe pasionin e Operës së Kosovës.

KultPlus: Si ka qenë procesi i krijimit të logos për Operën e Kosovës?

Berin Hasi: Sipas meje secili dizajner duhet ta ketë procesin e vet personal ose mënyrën ku gjatë viteve që punon në çfarëdo projekti e pasuron veten me teknika të ndryshme që t’i ndihmojë pikërisht vetes në të ardhmen dhe me arrit në një rezultat që duhet të jetë funksional në fund. Në raste kur një logo e një brendi është ekzistues, atëherë duhet së pari të analizohet logone vjetër për me pa se pse dizajneri i kaluar i ka vendosur ato rregulla. Edhe pse duhet të krijohet identiteti i ri, baza është te logoja e vjetër. Por në këtë rast, si Opera e Kosovës, e cila nuk ka pas logo më herët, atëherë procesi shkon nga zero. D.m.th. krijohet një bazë e re ku mundemi me i nxjerrë disa keywords, të cilat na duhen për të fuqizuar atë logo apo storje. Pra, procesi në fillim është që të definohen disa pika, siç janë: fryma, shija, ndjenja, mesazhi, estetika/dukja, përdorimi internal, përdorimi external etj… Nëse janë këto pika të definuara, duke i testuar vizualisht atëherë na ndihmon që të dijmë sa më saktë se cili simbol apo zgjidhje është më e përafërt me atë që po e kërkojmë për të qenë logoja apo tipografia.

KultPlus: A mund të na tregoni për frymëzimin e dizajnit të logos së Operas së Kosovës?

Berin Hasi: Të gjitha logot që i kam krijuar gjatë karrierës sime, duhet të fillojnë prej bërthamës zero. Për atë arsyje edhe logoja e Operas së Kosovës është nisur prej “Neumeve”, të cilat janë përdorur në mesjetë për t’i shënuar meloditë njëzëreshe gregoriane. Në këtë mënyrë ne i krijojmë vetes elemente me të cilat mund të krijohen pastaj vizuelete të cilat na duhen gjatë përdorimit të identitetit. Në momentin që i shumëzojmë ato (neumet) krijohen elementet e reja. Pra, frymëzimi kryesor është prej Neumeve.

KultPlus: A mund të na thoni më shumë për ndonjë teknikë, material apo element specifik që ke përdorur për të krijuar logon e Operës së Kosovës?

Berin Hasi: Teknike specifik nuk ka, por esenca ka qenë me arrit me kriju disa forma, kur ju e shihni në rastin e parë, me e marr një ndjenjë që logoja është në lëvizje, ose tingujt janë të gjallë edhe pse është statike. Këtë më së miri do ta quaja si teknika “Berinski”.

KultPlus: Si e pasqyron logoja e Operës së Kosovës misionin dhe vlerat e institucionit?

Berin Hasi: Detyra jonë ka qenë me i kriju gjërat nga fillimi. Juria na ka njoftuar që të kemi origjinalitet, nivel estetik dhe kreativ, përdorim të simbolit “neum” në krijim vizual të frekuencës akustike, pasqyrim artistik i veprimtarisë së Operas së Kosovës, përdorimi i një fonti të ri origjinal nga autori, janë disa nga arsyet që i pasqyrojnë misionin dhe vlerat e institucionit.

KultPlus: Si është përgjigjur publiku për logon e re të Operës së Kosovës?

Berin Hasi: Komente dhe përgjigjje ka pasur nga disa kategori, nëse mund t’i quaj kështu. Zakonisht, sipas meje, publiku ndahet në disa pjesë: 1. Ata/ato që ja dojnë të mirën e Kosovës pa marr parasysh kush e ka dizajnuar logon, dhe janë të mirë informuar se si duhet të jetë një logo e fuqishme, e vlerësuar më pas për ta pasur vendin ku duhet. 2. Ata/ato që e dinë kush është dizenjatori dhe e njohin procesin e punës që dominon këtë aktivitet, edhe pa e parë logon, mund ta pëlqejnë vetëm përmes një shpjegimi.  

3. Ata/ato qe e  dinë kush është dizajneri por nuk e dëshirojnë një person (konkurrenca) ndoshta edhe kta e dojnë Kosovën, por nuk mund ta shohin dikë tjetër duke fituar, e harrojnë më pas pjesën që e Kosovës por e shikojnë vetëm personalen. Duke harruar që unë gjithmonë e jap më të mirën nga veten, sidomos për Kosovën.

4. Ka pasur kritika, ku disa qëndrojnë nëse është për të mirën e Kosovës, sipas meje, po ashtu ka pasur kritika ku harrohet përsëri që të mendohet për të mirën e institucionit, por kritikohet vetëm sa me thonë që po kritikoj, e në atë rast shihet nga kilometra që është e fuqishme apo jo. Gjithashtu, është kritikuar edhe tipografia, lloji i shkrimit dhe pozicionimet e saj. Por, po të kisha punuar tipografinë shumë thjesht, sikurse e punojnë shumica, unë nuk e kam bërë. Kam përdorur atë, sepse kryen disa funksione në të njëjtën kohë që është e pamundur me i ra dikujt në mend me përdor në këtë formë. Por, mund të them që përgjigjet kryesisht kanë qenë pozitive, kur po them pozitive, janë seriozisht pozitive dhe me vend. Sepse është një frymë e re të cilën Opera e Kosovës e ka në logo, jo vetëm në Kosovë por në mbarë botën e logove, nëse i krahason.

KultPlus: Me çfarë sfidash u përballet gjatë dizajnit të logos?

Berin Hasi: Në momentin që unë e marr për detyrë që të krijoj një logo, qoftë ajo edhe për një biznes apo stemë familjare, sfidën kryesore e kam të krijoj diçka të re, e cila nuk ka ekzistuar më herët. P.sh në logon e Operës i kam krijuar shkronjat që janë të lexueshme mjaftueshëm, serifet në shkronja i ndihmojnë në përshpejtimin me leximin e tyre dhe mrekullia është se mundesh me i lexu edhe vertikalisht, ku nëse i sheh shkronja të gjitha zanoret janë mbi njëra tjetrën. Nëse i lexon ato, automatikisht je brenda operës duke kënduar apo duke u bërë gati për këndim.

Një sfidë tjetër ishte nëse marrim një logo me më shumë detaje, a mund të aplikohet në çfarëdo aspekti që na nevojitet. Si në çdo projekt që krijohet nga unë, para se ta propozoja, kam lënë një ligj personal, që ka të bëjë me testimin! Logoja e Operës së Kosovës, nëse është e punuar nga mjeshtrit e duhur, atëherë mund të aplikohet në çdo material deri në përmasat minimale 17mm 3 të testuara nga unë personalisht, qoftë në print, gravurë, lazer etj.

KultPlus: Si krahasohet logoja e Operas së Kosovës me logot e tjera në botën e operës, nëse i keni parë sado pak?

Berin Hasi: Pika e parë që duhet bërë është analiza ime për të gjitha logot e tjera ekzistuese të operës, sigurisht që pashë jo pak por shumë analiza! Shumica e tyre janë të vjetra, ka edhe të reja, të ndërlikuara dhe shumë të vështira. Nëse dëshironi ta krahasoni logon e Operës së Kosovës me të gjitha logot e tjera, është krejt ndryshe. Logoja jonë e Operës së Kosovës i ka të gjitha logot e botës brenda saj. Njëkohësisht e pastër jo e pastër, e kuptueshme jo e kuptueshme, e komplikuar jo e komplikuar. Për disa sekonda mund të jetë e paqartë, por pasi ta shihni mirë e shikoni edhe veçantinë e saj të vërtet.

KultPlus: Si e paraqet logoja e Operas së Kosovës kulturën dhe identitetin e Kosovës?

Berin Hasi: Për ketë pjesë nuk kam shumë fjalë, kultura dhe identiteti ynë është NEWBORN. Është logo e re për nga pamja por shume përpara botes. Ne nuk kemi shumë identitet, nëse e marrim Kosovën si shembull, sepse jemi duke e krijuar atë prej fillimit, që 2 dekada deri më tani. Besoj që edhe një dekadë tjetër mjafton me pa se si e kemi krijuar atë. Perveç meje ka shume të tjerë që së bashku me ta do të shihet  rezultati ynë.

KultPlus: Si e shihni evoluimin e logos së Operas së Kosovës në të ardhmen?

Berin Hasi: Elementet grafike dhe koncepti brenda identitetit se si është krijuar ka të bëjë me evoluim konstant. Shembull: e kemi simbolin kryesor si bazë dhe forma e saj në lëvizje është kryesorja, por në çdo moment apo nevojë, i njëjti simbol mund të lëviz dhe ta ndryshoj formën duke e pasur të njëjtën bazë. Të gjitha këto, përfshihen në bren udhëzues të cilin e kemi krijuar. Me një fjalë, evoluimin e saj e shoh si të pavdekshme.

Si përfundim, logoja e re e Operës së Kosovës, e dizenjuar nga artisti i talentuar Berin Hasi, është një përfaqësim i vërtetë i misionit të institucionit dhe trashëgimisë së pasur kulturore të vendit. Logoja e Operas së Kosovës është një kryevepër dhe Berin Hasi është maestro që qëndron pas saj. /KultPlus.com

Enis Abdullahu

Opera e Kosovës me “La Traviata” shpërthen përtej të zakonshmes, vulos profesionalizmin në interpretim

Era Berisha

E shkruar në tri akte, opera më ikonike e mjeshtrit të njohur Guiseppe Verdi me emërtimin “La Traviata” nën regjinë e bullgarit Ognian Draganoff, është jetësuar për herë të parë mbrëmë në qytetin e Prishtinës. “Jetën” ia ka dhënë magjishëm interpretimi i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast kjo ndërlidhje ka pruar emocione jashtëzakonisht të forta që më së miri vëreheshin nëpër lotët e dhjetëra njerëzve të pranishëm në sallën e sporteve “1 Tetori”, shkruan KultPlus.

Para se koncerti të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës së improvizuar në sallë. Me një pamje e formë krejtësisht ndryshe, skena gjigande merrte vëmendjen e gjithsecilit. E përshtatur për të shpalosur historinë e operës “La Traviata”, skena ishte “veshur” kokë e këmbë në ngjyrë të kaltër, teksa anash qe e vendosur një tavolinë rrethore me shtatë karrige të vendosura rreth saj, ndërsa në anën tjetër një divan në ngjyrë krem që pas pak do të mirëpriste uljen e personazheve. Ndonëse, ngjitësi i platformës së vendosur në skenë dallohej edhe nga rreshti i fundit i karrigeve në sallë, kjo nuk pengoi aspak në lëvizjen e lirshme e natyrale të protagonistëve. Në anën tjetër, reflektorët në ngjyrë të kaltër që të jepnin ndjesinë e të qenurit brenda një oqeani të thellë, i dhanë audiencës një përafërsi të pakrahasueshme. Por, ato ndryshonin me kahjen e shpalosjes së akteve, dhe kjo e shtrinte lehtazi ngrohtësinë e historisë së çdo personazhi.

Protagonistët e operës “La Traviata”: Besa Llugiqi (Violetta Valéry), Emanuele D’Aguanno (Alfredo Germont), Gëzim Myshketa (Giorgio Germont), Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari (Annina), Urta Haziraj (Annina), Denis Skura (Gastone), Shaban Behramaj (Baroni Douphol), Dragan Ampov (Marchese D’ Obigny), Harris Bajraktari (Doktor Grenvil), Rizah Jahaj (Giuseppe, shërbëtori i Violetës), Jon Kosumi (Shërbëtori i Florës), Arbër Maliqi (Komisioneri) dhe Etrit Nura (Komisioneri), dhanë gjithë shpirtin e tyre për gjatë plot tri orëve. E gjithë energjia e tyre, pasioni për të hyrë në rolet operistike por mbi të gjitha, dashuria për të shfaqur një nivel botëror për herë të parë në kryeqytet, e ka përthekuar këndshëm historinë e “La Traviata”, një histori kjo e dashurisë tragjike mes kurtizanes Violetta dhe romantikut Alfredo Germont, të dy të vendosur kundër hipokrizisë së shoqërisë së klasës së lartë. Dashuria e Alfredos ndaj saj, e dërgon Violetën drejt aktit të vetëmohimit.

Opera “La Traviata” vendos në skenë një jetë që vetëm ëndërrohet me gjithë magjepsjen, gëzimet dhe dhimbjet e saj. Muzika e saj e kompozuar nga mjeshtri i operës – Verdi, i këndon lirisë, gjallëron pëshpëritjet me një finale me duete plot pasion nga zemrat e lënduara. Tërë ngjarja zhvillohet në Paris dhe në afërsi të këtij qyteti. Nga karakteri në karakter, protagonistët dilnin në kostumet e tyre që pothuajse ishin të shkrira ëmbëlsisht në trupat e tyre dhe e gjithë kjo vjen e realizuar nga puna e Boris Stoynovit. Me zërat e tyre buçues, unik e shpërthyes, solistët patjetër kanë dëshmuar për një nivel botëror, nëpërmjet së cilit shumë shpejt do arrijnë ta shndërrojnë Operën e Kosovës, ndër institucionet më të njohura në rajon dhe më gjerë.

Nga momenti që ora shënoi fiks 19:07, e deri në 22:04, ka qenë një orkestër e tërë poshtë skenës, që pa të, thjesht nuk do të mund të mendohej as ekzistenca e magjisë së krijuar mbrëmë me “La Traviata”. Instrumentistët kanë qenë ajo copa kryesore që ka kontribuar në shpirtin e operës, në ekselencën dhe përsosmërinë e saj. Në krye kanë pasur dirigjentin e njohur bullgar Nayden Todorov dhe lirisht mund të thuhet se çdo lëvizje e krahëve dhe duarve të tij, deri tek ngritja e trupit të tij deri në gishta të këmbëve, ka thyer limitin e perfeksionimit. Instrumentistët kanë lëshuar melodi e tinguj që kanë rrëqeth me ndjeshmërinë, gjendjen pezulluake që ofrohej nëpërmjet tyre dhe fuqinë që posedonin në një ambient aq të hapur. Dukej se harqet e instrumenteve e çanin atmosferën në grimca melodike që shpërndaheshin në atmosferë dhe bridhnin tek shpirtrat e audiencës.

Tri orë qenë të gjata për të qëndruar ulur në karrige të plastikës e për të lexuar një përkthim jo edhe aq të saktë të operës “La Traviata” në dy ekranet e vendosura anash skenës, por këtë e ka bërë me shumë durim audienca kosovare, e etur për të qenë dëshmitare e ndërtimit të Shtëpisë (Teatrit) së Operës dhe Baletit, një ndërtim që po vjen pas shumë sukseseve të dëshmuara të talenteve shqiptare, të cilët e meritojnë që shtëpinë e tyre të dytë ta kenë mu në Prishtinë.

Krejt në fund, ishin duartrokitjet e brohoritjet e vazhdueshme për secilin protagonist që frymoi, këndoi e luajti me aq shumë dashuri në skenë. Ovacion në këmbë kanë përjetuar të gjithë solistët, instrumentistët, regjisori e dirigjenti i kësaj opere që erdhi për herë të parë në Prishtinë. Pa dyshim që me një meritë më se të duhur, Opera e Kosovës, ka nevojë për këtë ngrohtësi shpirtërore të madhe që publiku mbrëmë ia dhuroi, me shpresën që nata e mbrëmshme të jetë hera e fundit që kjo operë interpreton në një sallë të tillë.

Për të treguar më shumë rreth vendosjes së kësaj opere në Prishtinë, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi, e cila interpretoi rolin protagonist, Violeten.

“Rolin e Violetes e kam bërë me dhjetëra herë por lirisht mund të them që si kjo që më dha publiku në Kosovë sonte, asnjëherë nuk e kam përjetuar askund tjetër. Opera si institucion veç është i hapur dhe po krijohen mundësi të reja për të gjithë artistët që do të vinë pas dhe janë duke punuar fort në këtë drejtim. Duhet shumë forcë e përkushtim për të çuar përpara mundin tonë, por edhe kjo është e vështirë për shkak të shtëpisë që nuk e kemi, megjithatë nuk është e pamundur. Kjo u tregua edhe sot. Nëse me të vërtetë punohet fort, organizohet mirë, atëherë ia dalim. Mbi të gjitha, në këtë projekt ka pasur shumë pasion, entuziazëm dhe secili është sakrifikuar në mënyrën e vetë për të dhënë maksimumin. Kjo ka qenë vulë për të vazhduar akoma më tutje”, ka thënë ajo.

Ndërsa, dirigjenti bullgar Nayden Todorov për KultPlus ka potencuar se është ndarë i habitur me ekzistencën e mundësisë për të pasur një performancë kaq të mrekullueshme në Prishtinë.

“Kjo natë ishte një përvojë e mrekullueshme. Unë e kam dirigjuar “La Traviata” njëqind herë, por kjo shfaqje sonte ishte shumë e veçantë për mua, dhe mendoj që ishte njëjtë për të gjithë këtu. Mund të ndjeja gjithë entuziazmin nga orkestra dhe nga solistët e mrekullueshëm. Mendoj që ky është një rast shumë i veçantë që njerëzit do ta kujtojnë përherë. Dhe jo vetëm sepse ishte i pari, por sepse ishte shumë, shumë i mirë. Do të doja që çdo herë kur njerëzit fillojnë diçka të re, të jetë aq mirë sa ka qenë kjo “Traviata” këtu. Nuk mund të shihja asgjë që nuk ishte e mrekullueshme. Kjo orkestër ishte shumë entuziaste për të bërë gjithçka siç duhet. Secili prej solistëve ishte shumë i veçantë. Jam i habitur që është e mundur të kemi një performancë kaq të mrekullueshme këtu. Mendoj se të gjithë ata që morën pjesë në këtë performancë sonte duhet të jenë vërtet krenarë për të”, thotë Todorov.

Kujtojmë që me 4 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u shënua një vjetori i inaugurimit të Operës së Kosovës. / KultPlus.com

Opera e Kosovës organizon koncert me arie dhe fragmente nga operat shqiptare

Opera e Kosovës do të organizojë koncert më 4 nëntor, pikërisht për të shënuar Ditën Botërore të Operës, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, në këtë ditë shënohet edhe 1 vjetori i inaugurimit të institucionit të Operës së Kosovës.

Koncerti do të përmbajë arie dhe fragmente nga operat shqiptare.

Aty do të marrin pjesë ansamble të ndryshme, sikurse: Okteti Plus, Zanat, Okarina e Prishtina Bass, derisa solistë do të jenë Selvije Marteti, Kaltrina Miftari, Liridon Sadriu, Urta Haziraj, Fjolla Krasniqi, Arbër Maliqi, Elona Sadiku, Hekuran Bllaca, Melos Buza e Lekë Salihu.

Gjithçka do të fillojë më 4 nëntor me fillim nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com

Në kuadër të Operës së Kosovës fillon programi ‘EduOpera’ për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend

Sipas MKRS-së, në kuadër të Operës së Kosovës po fillon një program interaktiv për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend.

EduOpera është seri prezantimesh dhe koncerte për operën dhe artin lirik, dedikuar fëmijëve dhe të rinjve në qytete të ndryshme të Kosovës.

Një program edukativ që do të realizohet në bashkëpunim me 10 shkolla fillore dhe të mesme të muzikës në Kosovë, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë e njohjes nga afër me operën si formë muzikore, prezantim në teori e praktikë, këndim të arieve e dueteve të Operave të njohura botërore e kombëtare, praktikisht dhe me institucionin e ri të Operës së Kosovës. Kjo përmes studentëve të solo këndimit dhe solistëve tjerë të njohur të vendit, të cilët do të ndajnë eksperiencën dhe përvojën e tyre me nxënësit. / KultPlus.com