Shfaqja kroate triumfon në “Prishtina International Theater Festival”

Shfaqja, e cila nxjerr në pah sfidat e një çifti në kohën moderne ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar në Prishtinë. “Voliš li me?” (A më do?) nga Kroacia, me regji të Janez Vajevec, ka marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë në “Prishtina International Theater Festival”, që organizohet nga kolegji ”AAB”.

Të shtunën mbrëma, kur edhe është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve në Teatrin që mban emrin e aktorit me nam Faruk Begolli, ka përfunduar edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për shfaqjen më të mirë të vlerësuar nga juria profesionale, Çmimin e ka ndarë aktorja Adriana Matoshi.

Regjisori i shfaqjes, Janez Vajevec, para publikut ka thënë se mund të flasë në shumë gjuhë, por më e mira është të flasë me gjuhën e emocioneve.

Çmimi për regjisorin më të mirë e ka fituar regjisori grek Angelopoulos Tasos për shfaqjen e tij “Moskov Selim”.

Drejtoresha artistike e Festivalit, regjisorja Burbuqe Berisha, ka ndarë Çmimin për aktorin më të mirë nga shfaqjet që kanë marrë pjesë në edicionin e sivjetmë. Ky Çmim i ka takuar aktorit nga Maqedonia, Tome Stanovski, për rolin e tij në shfaqjen “I’m Actor Human”.

Për rolin më të mirë dytësor është shpërblyer aktori i gjeneratës së re nga Kosova, Mikel Markaj. Ai është pjesë e kastës së aktorëve në shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Zana Hoxhës.

Pesë shfaqje ishin pjesë e garës së sivjetme të Festivalit, që kishte moton “Besim, dije, guxim”. “Shumë zhurmë për asgjë” nga Kosova nën regji të Zana Hoxhës, “Moskov Selim” nga Greqia e Angelopoulos Tasos, “I’m actor human” nga Maqedonia e Veriut e regjisores Tea Begovska, “Voliš li me” nga Kroacia e Janez Vajevec dhe “Truth or Dare” nga Bullgaria e Vasil Duev, ishin pesëshja e shfaqjeve garuese për çmimet e festivalit./ Koha Ditore / KultPlus.com

“Prishtina International Theater Festival” pritet të ‘ndezë’ javën e parë të nëntorit me shfaqje te ndryshme artistike

Qendrim Badalli

Në sallën “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB janë dhënë të gjitha detajet e fillimit të “Prishtina International Theater Festival” – PITF, i vetmi në Kosovë me karakter ndërkombëtar. Sivjet do të mbahet edicioni i tretë i këtij festivali teksa pritet të jepen shfaqje të ndryshme artistike, shkruan KultPlus.

 “Shumë Zhurmë për Asgjë”, Truth or Dare”, “The Actor Human”, “Bretkosa”, “Moskow Selim” si dhe “Volis Li Me”, do të jenë shfaqjet që do të jepen përgjatë një jave në sallat artistike të Kolegjit AAB.

Ilir Tafa, drejtori i përgjithshëm i festivalit, ka treguar se cilat vende të rajonit do të jenë pjesëmarrëse në këtë Festival.

“Ky festival nuk do të dallojë shumë nga festivalet tjera për arsye se do të kemi shfaqje nga rajoni: Kroacia, Greqia, Maqedonia, Bullgari”.

Ai tutje ka thënë se ky festival ka karakter garuese dhe se do të ndahen disa çmime.

“Pasi që ky festival do të jetë garuese, ne do t’i përzgjedhim shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë, si dhe aktorja dhe aktori më i mirë përmes një jurie profesionale”.

Në fund, Tafa ka falënderuar edhe Ministrinë e Kulturës si njëri nga sponzorizuesit e këtij festivali.

“Më duhet ta falënderoj edhe Ministrinë e Kulturës, e cila na ka ndihmuar në organizimin e këtij Festivali”.

Drejtoresha artistike e këtij festivali – Burbuqe Berisha, fillimisht ka vlerësuar pjesëmarrjen e madhe mediale.

“Faleminderit që keni ardh në këtë numër kaq të madh sepse e dimë se sa është e rëndësishme që mediat të përkrahin dhe përcjellin një ngjarje kaq të rëndësishme siç është Festivali i Teatrit, i cili është i vetmi në Kosovë me karakter ndërkombëtar”.

Tutje, Berisha, ka vlerësuar infrastrukturën e Kolegjit AAB për karakterin e këtij festivali teatral.

“Do të fillojmë me shfaqjen tonë dhe si nikoqir kemi vendosur që të fillojmë me shfaqjen që është prodhuar në Teatrin Kamertal, diçka që është e rëndësishme të ceket është se në Universitetin AAB me plotë besim e them se është infrastruktura më e mirë sa i takon Teatrit”.

Festivali i Teatrit që do të mbahet në Kolegjin AAB fillon sonte në orën 19:00 me një hapje solemne dhe do të zgjas deri më datë 9 nëntor. Për vlerësimin e shfaqjeve do të ketë një juri gjithëpërfshirëse, njëra do të jetë profesionale, tjetra studentore dhe një mediale. / KultPlus.com

“Prishtina International Theater Festival” gati për edicionin e tretë

Edicioni i tretë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, tashmë ka hyrë në fazën finale të përgatitjeve.

Nga data 4-9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia.

Programit garues të këtij edicioni do t’i paraprijë shfaqja nikoqire, prodhim i Teatrit AAB, “Bretkosa”, në regji të Burbuqe Berishës, e cila do të jepet jashtë programit garues, në natën e 4 nëntorit.

Edicioni i tretë i PITF2019 vjen më i veçantë nga ana vizuale për shkak të brendingut. Hyjnesha në fron, që është simbol i këtij festivali ndërkombëtar, këtë vit vjen me një lule Irisi në kokë.

Sikur edhe në edicionet e mëhershme, ajo që e dallon PITF, përveç programit ndërkombëtar, është edhe programi përcjellës në mbrëmjet pas shfaqjeve, ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të argëtohen nga bende e artistë të ndryshëm.

Festivali do të ketë dy lloj biletash: festival pass që do të jetë e vlefshme për të gjithë programin dhe biletat e veçanta për shfaqje. Studentët do të kenë prioritet pasi biletat do t’u ofrohen me çmime speciale, ndërsa po ashtu edhe transporti nga qyteti në kampusin e Kolegjit AAB do të jetë gratis për të gjithë vizitorët. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “PITF 2018”, po vjen me edicionin e tij të dytë

“If we cannot see the world, let the world speak of us” (“Nëse s’ mund ta shohim botën – bota le të flasë për ne”)!

Ky është mesazhi që Festivali i vetëm Ndërkombëtar i Teatrove “Prishtina International Theater Festival”, që organizohet nga Teatri AAB “Faruk Begolli”, synon të përcjellë përmes edicionit të tij të dytë që vjen nga datat 29 nëntor – 06 dhjetor 2018, në hapësirat e Kolegjit AAB.

Një nismë krejtësisht vetanake, me përkrahje tejet modeste të partnerëve të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në edicionin e tij të parë të mbajtur në tetor 2017, PITF solli në Kosovë aktorë e trupa artistike nga më të mirat, nga Irani, nga Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Duke synuar që PITF të shndërrohet në brend të Kosovës, edicioni i dytë i këtij festivali mëton që të flitet për të kudo, prandaj “nëse ne nuk mund ta shohim botën – bota le të flasë për ne”.

Festivali PITF synon të na afrojë me botën, të promovojë vlerat tona dhe mbi të gjitha t’ i mundësojë publikut kosovar të njihet me rrjedhat bashkëkohore në lëminë e artit, në këtë kohë kur vazhdojmë të mbetemi të izoluar.

Në edicionin e dytë që nis nga e enjtja 29 nëntor 2018, në programin garues të PITF 2018 do të paraqiten 7 shfaqje teatrore që vijnë nga Italia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Në natën e fundit të festivalit, më 06 dhjetor 2018, do të jepet premierë shfaqja “Bretkosa”, një prodhim i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në cilësinë e shfaqjes mysafire, jashtë programit garues.

Krahas programit garues sa zgjatë festivali, çdo natë të festivalit do të ketë edhe program off në ambientet e Kolegjit AAB, ku vizitorët, komuniteti artistik e studentët do të mund të argëtohen e të shoqërohen mes vete, nën atmosferën e krijuar nga bende e këngëtarë të përzgjedhur me shije.

Festivali “Prishtina International Theater Festival” është një mundësi e mirë për të parë dhe shijuar gjëra të bukura që ndodhin edhe në Kosovë.

Ju mund ta ndiqni Festivalin PITF 2018, në hapësirat e Kolegjit AAB në Prishtinë.

Biletat e festivalit tashmë janë në shitje në Kolegjin AAB, ndërsa së shpejti ato do të mund t’ i gjeni edhe në pikat më frekuentuese në Prishtinë. /KultPlus.com

Mia Krajcar fitoi çmimin kryesor të PITF, ‘Unaza e Faruk Begollit’

Rrugëtimi gjashtëditor i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë “Prishtina International Theater Festival” mbajti ceremoninë e ndarjes se shpërblimeve për fituesit e festivalit brenda hapësirave të teatrit “Faruk Begolli” në AAB, shkruan KultPlus.

Gylymser Hoxhaj

Ceremonisë së shpërblimeve i parapriu shfaqja “Armiku i popullit”, e cila është realizim nga produksioni i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, nën regjinë e Fatos Berishës, me autorë Henrik Ibsen, dhe në skenë erdhi përmes aktorëve Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli…

Ishte po kjo shfaqje ekipi i së cilës u ngrit përsëri në skenën e teatrit për të marrë pesë nga gjashtë çmimet e këtij festivali. Mirëpo çmimin kryesor që është ‘Unaza e Faruk Begollit’ e morri aktorja kroate Mia Krajcar.

Çmimi i parë për shfaqjen ‘Armiku i Popullit’ erdhi nga juria e studentëve të këtij kolegji, i cili u dha nga Njomza Haziraj, çmimi i dytë erdhi nga juria e medieve, e që u dha nga kryesuesja e kësaj jurie, njëherësh edhe themeluese e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Pasuar nga tri çmime nga juria qendrore, e cila në përbërjen nga aktori Enver Petrovci, Tina Smalcelj, dramaturge dhe publicisti Adriatik Kelmendi për shfaqjen “Armiku i popullit” dhuruan çmimin në kategorinë shfaqja më e mirë, në kategorinë regjia më e mirë dhe në kategorinë aktori më i mirë në rol dytësor kurse për aktoren më të mirë, çmimi “Unaza e Faruk Begollit” u dhurua nga Ilir Tafa për aktoren kroate Mia Krajcar.

Shfaqja “Armiku i popullit” e solli shpërfaqjen një sistemi të kalbur e të korruptuar të një qyteze, ku përdoret çdo formë për të mbuluar të vërtetën. Keqpërdorimi i “interesit publik”, gjithmonë i dominuar nga interesi personal. Dy vëllezër, të rritur në një familje , njëri shfaqet në pozitë vendimmarrëse (Peteri )si kryetar i bordit të ndërmarrjes së ujërave dhe tjetri doktor (Thomasi) i cili sjellë një analizë që vërteton se ka materie helmuese në ujë. Në përballjen e këtyre dy kundërshtive, kjo shfaqje sjellë edhe një shtyp po ashtu të luhatshëm, që refuzon të nxjerrë në pah dëshmitë edhe kur i ka, vetëm kur nga lart u kujtohen përfitimet dhe interesat e tyre financiare, që i mbajnë edhe ata larg interesit publik. Në një situatë të tillë Thomasi mbetet në një betejë i vetëm me përkrahjen e familjes se tij.

Regjisori i shfaqjes fituese “Armiku i popullit”, Fatos Berisha tha për KultPlus që pjesëmarrja dhe çmimet e këtij festivali i sollën nder atij edhe teatrit të Prizrenit.

“Për mua ka qenë nder për me qenë pjesë e këtij edicioni, edhe pse është i pari ka arrit të ndërtoj një standard edhe në përmbajtjen e shfaqjeve garuese. Edhe sikur të mos e kishim marr asnjë çmim, prapë do të kishte qenë një nder për ne që të marrim pjesë në këtë teatër dhe në këto kushte që i ofron. Duke qenë se ka pasur shumë shfaqje të mira, në mesin e të gjitha atyre po ndihem i vlerësuar. Po ndihem shumë mirë sepse ka pasur çmime të ndryshme nga juri të ndryshme, edhe për shfaqjen edhe për aktoret. Ky po ashtu është një lajm i mirë edhe për teatrin e Prizrenit, i cili na ka ofruar kushte mua dhe regjisorëve të tjerë për me e shpreh kreativitetin tonë. Kjo do t’i jap energji teatrit dhe ekipit dhe atyre që e mbështesin edhe financiarisht këtë teatër”, tregoi Berisha.

Krejt ky festival u përmbyll kur në skenë u ngjit aktori Enver Petrovci i cili tregoi për ndarjen e çmimeve, ku i janë larguar natyrës politike të ndarjeve të çmimeve në Ballkan derisa dhe ngriti lart institucionin që organizoi këtë festival.

“Gjithmonë i mbetet hatri dikujt, vërtetë nuk kemi bërë politikë, e kemi bërë më sinqeritet aq sa kemi pasur çmime. Ta ndërtosh një teatër siç është teatri “Faruk Begolli” është si të ndërtosh një xhami, apo kishë, bile edhe më vështirë. Ky objekt është një objekt shpirtëror ndërtuar me para vetanake. Shpresoj që vitin e ardhshëm Ministria t’i ndihmoj këta njerëz që investojnë në anën shpirtërore të popullit të vet”, përfundoi Petrovci.

Ky festival gjatë kësaj jave priti gjithsej gjashtë shfaqje garuese “Dhe jetuan të lumtura…?”, nga Kroacia, “Shërbëtoret” nga Bullgaria, “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “ Armiku i Popullit” nga Kosova./ KultPlus.com

Shfaqja e princeshave nisë rrugëtimin e parë të PITF

“Dhe jetuan të lumtura…?”, është shfaqja e cila për herë të parë hap dyert e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” brenda hapësirave të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ vjen në PITF me prezantim nga ekipa e Kroacisë. Me produksion të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, shfaqja sjellë aktorët e shquar kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic.

Ilir Tafa, drejtor i festivalit në një konferencë për media lidhur me hapjen e këtij festivali ka thënë se ky organizim ka ardhur si pasojë e mungesës së festivaleve të teatrit në Kosovë.

“Më shumë kemi festivale për film apo festivale të ndryshme mirëpo për teatër momentalisht jemi të parët që do ta kemi një festival ndërkombëtar. Në këtë festival do të jenë 7 shfaqje, ku gjashtë do të jenë në sistemin garues dhe një shfaqje mysafire”, është shprehur Tafa.

Drejtoresha artistike Burbuqe Berisha, tregoj se ky festival do të vë në rend të parë aktorët dhe do të sjellë ballafaqimin me artet dhe kulturat e ndryshme teatrore nga rajoni dhe bota.

“Ne kemi mungesë të ballafaqimit me teatrin në botë dhe jemi mbyll në një oazë e cila sillet në një rreth vicioz vetëm brenda botës shqiptare. Jemi mundu që të sjellim shfaqje dhe produksione shumë të mira që të jenë sa më atraktive edhe për shikuesit kosovar dhe që nuk prodhohen aq shumë në teatrin tonë. Po ashtu në këtë festival jemi munduar që t’i sjellim të gjitha zhanret që shikuesit t’i sjellim diçka interesante”, ka thënë Berisha.

Ajo po ashtu tregoi se ky festival është i vetëfinancuar nga Teatri AAB “Faruk Begolli” dhe ka shpërblime më reprezentative të festivaleve në rajon, ku për rolin kryesor do të dhuroj një vlerë monetare prej dy mijë euro, për rolin episodik një mijë euro dhe shfaqja më e mirë 500 euro kurse regjia më e mirë po ashtu 500 euro. Çmimet do të ndahen nga juria qendrore, juria e medieve dhe juria e studentëve.

Mia Krajcer, performuesja nga Kroacia në shfaqjen e sotme ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ ka treguar se kjo shfaqje e princeshave, është e zhvendosur për botën e të rriturve ndërsa flet për marrëveshjet mes dy gjinive në ditët e sotme.

“Pavarësisht se janë realizuar filma të Disney që kanë personazhe kryesore “Të përhiturën”, “Të bukurën dhe bishën”, “Borëbardhën”, kjo shfaqje absolutisht nuk ka të bëjë më fëmijë, është shfaqje për të rritur. Ngjarja zhvillohet kur personazhi “E përhitura”, pas një qind vjetësh që ka rënë në gjumë zgjohet nga gjumi dhe gjithçka që ndodh në shfaqje, ndodh në natën e saj të beqarisë dhe mund të imagjinoni se çfarë mund të ndodh në një natë të beqarisë së femrave ku ka një sasi të alkoolit, pra vjen në shprehje diçka e bukur por jo edhe aq e këndshme në këtë shfaqje”, ka përfunduar Krajcer.

Ky festival do të jetë i hapur që nga sonte më 16 tetor deri më datë 21 tetor. Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, “Darka e Thërrimeve” – Maqedoni, “Armiku i Popullit” – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com