Rama nderon kameramanin Kllokoqi: Pamjet e tij zbardhën të vërtetën e Masakrës së Reçakut

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ndarë mirënjohje për kameramanin, Sylejman Kllokoqi, i cili më 15 janar 1999, ka xhiruar dhe pasqyruar të vërtetën e Masakrës së Reçakut, në të cilën mbetën të vrarë 45 civil.

Përmes një postimi në facbook kryetari Rama tha se pamjet e Kllokoqit u  bënë dëshmi për zbardhjen e të vërtetës para botës.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryetarit Rama në facebook:

PËR GUXIMIN, TRIMËRINË, PROFESIONALIZMIN NË PASQYRIMIN E SË VËRTETËS, MIRËNJOHJE PËR KAMERAMANIN SYLEJMAN KLLOKOQI

Më 15 janar 1999, Sylejman Kllokoqi me guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm xhiroi pamjet tronditëse të Masakrës në Reçak të Shtimes, ku 45 civilë u vranë në mënyrë brutale nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Ky akt barbar u dënua ndërkombëtarisht, dhe pamjet e tij u bënë dëshmi e pakundërshtueshme që zbardhi të vërtetën përpara botës.

Realitetin e ashpër në Kosovë, horrorin e krimit mbi njerëzit tanë të pafajshëm e pa me sytë e vetë, ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili përmes pamjeve të xhiruara nga Sylejman Kllokoqi e të transmetuara nga agjencia botërore e lajmeve, Associated Press, i tregoi botës për krimet e rënda ndaj civilëve në Kosovë. Zëri i z.Walker dhe e vërteta e masakrës së Reçakut patën ndikimin e duhur për të ndalur spastrimin etnik që ishte duke iu bërë popullit tonë.

Sylejman Kllokoqi , me punën dhe guximin tënd, ke shkruar një faqe të rëndësishme në historinë tonë./KultPlus.com

Rama ndan shkrimin e ‘Le Figaro’: Shqipëria vijon në listën e vendeve europiane më atraktive për t’u vizituar

Prestigjiozja franceze “Le Figaro” përshkruan Shqipërinë si një ndër destinacionet e fundit sekrete në Evropë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e “Le Figaro” i cili i bën jehonë Shqipërisë turistike.

Kryeministri u shpreh se “është fantastike nisja e vitit 2024 për Shqipërinë që vazhdon të jetë në listën e vendeve europiane më atraktive për t’u vizituar”.

“Pas CNN, tani prestigjozja franceze “Le Figaro” përshkruan Shqipërinë si një ndër destinacionet e fundit sekrete në Evropë mes plazheve të bruzta me rërë të bardhë, qyteteve të lashta historike dhe Vjosës, Parkut të parë Kombëtar të një lumi të egër”, tha Rama.

Kryeministri bëri po ashtu të ditur se 127 mijë turistë francezë zbuluan vendin tonë gjatë vitit 2023, duke konsoliduar hartën e tregjeve nga Evropa Perëndimore./atsh/KultPlus.com

Rama publikon video nga festimet e fundvitit në Shkodër

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga festimet në qytetin e Shkodrës.

Rama uroi ditë të mbarë “me zemrën e hapur dritash për festa të Shkodrës, ku hapen para njerëzisë edhe lidhjet e dashnisë”, siç shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamje nga festa ku të pranishmit shijuan muzikën e këngëtarëve Kamela Islamaj dhe Keli Band.

Në këtë festë nuk mungoi edhe një propozim për martesë, ku Egzoni dhe Elesa kurorëzuan dashurinë e tyre në Shkodër. Ajo i tha po, në mes të festës./atsh/KultPlus.com

Rama: Turizmi do të vijojë të rritet, duhet t’i përgjigjemi me profesionistë të kualifikuar

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Dibër, u ndal tek turizmi, duke theksuar se ambicia është të kemi 20 apo 30 milionë turistë.

Sipas Ramës, turizmi është një industri e cila ka nevojë për burime njerëzore dhe në këtë drejtim ai u bëri apel prindërve të nxisin fëmijët e tyre drejt arsimit profesional, si rruga më e mirë për t’i siguruar një të ardhme fëmijëve të tyre.

“Këtu është hapur një derë e re oportunitetesh për turizmin për të gjithë, pasi është eksporti më i madh, që s’ke nevojë ta marrësh mallin nga këtu e ta çosh matanë detit, por të vinë ata këtu te ty. S’ka nevojë të prodhosh ushqim, çfarëdo qoftë, domate, apo ku ta di unë, dhe thua po dal poshtë t’i shes. Jo. Ti prodhon, i mban e i han turisti atje te ty. Dhe turizmi po kthehet në një industri dhe këtë vit deri tani kemi arritur 9 milionë turistë, në fund të dhjetorit mund të jenë 10 milionë turistë dhe ambicia jonë është 20 milionë, apo dhe 30 milionë turistë, nuk ka limit këtu”, tha Rama.

Por sipas tij, kusht është shërbimi, dhe ky sektor kërkon arsim profesional.

“Ana tjetër janë shërbimet, njerëzit me formim profesional. Është një zinxhir i tërë shërbimesh. Jo vetëm ai që hap hotelin dhe bujtinën, por ata që punojnë për të gjithë zinxhirin. Është fatkeqësi shumë e madhe që ua bëjmë fëmijëve, pa dashje apo nga dëshira e mirë, që i çojmë në gjimnaz apo universitet, për t’i lënë si pulë pa kokë në rrugë, pa asnjë zanat. Jo të gjithë mund të bëhen shkencëtarë, mjekë, juristë, ekonomistë etj., dhe s’ka nevojë për kaq shumë. Por shumëkush mund të bëhet zanatçi”, tha Rama.

“Dhe të marrësh një fëmijë, i cili s’i ka rezultatet ekselente, i cili i ka 5, 6, 7, dhe ta çosh në gjimnaz, është ta marrësh në qafë. Nëse atij fëmije i jep një shkollë profesionale, zanat, i jep mundësi që nesër të ketë jo vetëm një çelës për t’i hapur derën punës së tij, por edhe mundësinë për të hapur një biznes të vogël, që mund të bëhet i madh”, tha kryeministri.

“Ata që hapin biznese nuk janë shkencëtarë, por njerëz që kanë talente të çajnë rrugën në një fushë tjetër. Përse atëherë shoqëria dhe qeveria të mos i japi mundësi këtyre personave  të marrin zanate, pasi kush ka një zanat nuk është asnjëherë vetëm”, tha Rama.

“Rreziku më i madh që përballemi është të mos kemi mundësi të plotësojmë kërkesat e kësaj industrie për shkak të burimeve njerëzore të pakualifikuara. Duket një gjë e lehtë se po hapim një hotel, por pjesa kryesore është shërbimi”, tha Rama.

Ai u bëri apel prindërve që t’i drejtojnë fëmijët e tyre drejt arsimit profesional.

“Këtu takova nxënës të mirë të shkollës profesionale që lidhet me kodimin dhe këta pa mbaruar shkollën do punojnë nga këtu për jashtë vendit”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

Rama: 9 milionë turistë, mundësi e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “deri disa vite përpara do na duhej një kurajo e jashtëzakonshme për të imagjinuar që në 2023 do të arrinim që pa ardhur akoma nëntori dhe dhjetori të kishim 9 milionë turistë dhe me gjasë nëse ritmi do të vazhdojë kështu do t’i afrohemi 10 milionë turistëve”.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Pogradec, Rama tha se “10 milionë turistë janë një mundësi e re e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik për të gjitha familjet”.

“Ju keni qenë vetë dëshmitarë të këtij viti jo vetëm Korça e Pogradeci, por edhe të gjitha bashkitë e tjera të qarkut kanë pritur shumë më tepër se çdo herë tjetër turistë të huaj”, u shpreh Rama.

“Fakti që turistët ikin me përshtypjet më të mira duhet të na bëjë të mendojmë që të tjerë do të kthehen edhe më të shumtë në numër. Ne jemi një vend shumë i vogël në skenën e madhe të botës, do të kemi mundësinë të presim çdo vit e gjithmonë më shumë turistë që do të thotë më shumë konsumatorë, më shumë njerëz që kanë nevojë të ushqehen, të flenë, të blejnë për të marrë kujtime me vete”, nënvizoi Rama.

E gjitha kjo, vijoi Rama, është një zinxhir i tërë prodhimi e shërbimesh ku të gjithë po të duan mund të përfshihen se nuk ka asnjë cep të Shqipërisë nga bregu i detit deri në majë të maleve që nuk ka fuqi që të tërheqë vizitorë e turistë.

“Kjo do të thotë që për ekonominë familjare në Shqipëri ka lindur një mundësi e re e madhe, për prodhuesit shqiptarë ata që janë në ara, në tokat bujqësore apo ata që përpunojnë prodhimet bujqësore e blegtorale, apo në artizanat apo në të gjithë zinxhirin e shërbimeve ata që bëjnë transport apo që presin në bujtina, hotele apo shtëpi është mundësi për të fituar më shumë e më shumë”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri Rama theksoi se “po mbyllet një vit dhe bëhemi gati për një tjetër vit me sfida të rëndësishme, por edhe me një numër mundësish të reja që i kemi krijuar në funksion të njerëzve, komuniteteve, vendit”.

“Vazhdojmë me një numër mbresëlënës turistësh edhe në këtë periudhë të vitit që na tregoi që Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër dhe që është një destinacion turistik jo vetëm sepse ne mendojmë kështu apo pse disa të tjerë mendojnë kështu, por sepse e gjithë bota na shikon kështu”, tha ai.

Fakti, shtoi Rama, që edhe pas sezonit veror vazhdojmë të kemi numra inkurajues të turistëve që vijnë në Shqipëri është diçka që duhet të na japë shumë kurajo për vitin e ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Rama: National Geographic Travel rekomandon Alpet Shqiptare si destinacion për t’u vizituar në 2024-ën

Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të “National Geographic Travel” që rekomandon Alpet Shqiptare si destinacion për t’u vizituar në 2024-ën.

Në artikullin e botuar nga “National Geographic Travel” theksohet se, “udhëtarët, që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë. Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit”.

“Të zhytura në brendësi të veriut, Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar. Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebujt enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë sipërfaqen e luginës. Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të bëhen pjese e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit. Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore”, thuhet në artikull./atsh/KultPlus.com

Rama: Perlat e Shqipërisë turistike jehojnë edhe në Australi

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e medias së njohur australiane “The Sydney Morning Herald” për turizmin e Shqipërisë.

“Perlat e Shqipërisë turistike jehojnë edhe në Australi me “The Sydney Morning Herald””, shkruan kryeministri Rama.

Rama thekson se, “The Sydney Morning Herald”, na vendos në listën e vendeve të cilat duhen zbuluar sa më shpejt për qytetet unike si Gjirokastra, për alpet, rivierën, dhe vendet me vlera arkeologjike”, teksa publikon linkun e këtij reportazhi: https://www.smh.com.au/…/amazing-and-crowd-free-12-of…

Reportazhi dedikur turzimit shqiptar, i publikuar në gazetën e përditshme “The Sydney Morning Herald”, që botohet në Sidnej, përmes një përshkrimi pikant, të destimacioneve historike, turistike dhe jetës mesdhetare në vendin tonë, i jep përgjegje pyetjes, pse do të shkoja në Shqipëri?.

Kjo pikë e re e nxehtë e pushimeve ka një vijë bregdetare të Adriatikut, kështjella mesjetare, rrënojat e lashta greke dhe romake dhe një brendësi tepër të thyer. Lonely Planet e renditi atë në listën e saj “Më të mirat në udhëtime” në 2023″, shkruan ndër të tjera “The Sydney Morning Herald”./atsh/KultPlus.com

Transformimi i TKOB, Rama: Një premtim i mbajtur për Divën e Operës, për të gjithë artistët dhe spektatorët

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga podkasti “Flasim” me sopranon me famë botërore Ermonela Jaho.

Rama u shpreh se, rikontruksioni i Teatrit të Operës është një premtim i mbajtur për Divën e Operës, për të gjithë artistët dhe spektatorët.

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di a e kujton para kësaj shfaqjeje, nuk e di sa kohë përpara, unë kam ardhur me Lindën në Vjenë që të kemi parë. Edhe aty pastaj, pas asaj kemi folur që duhet të vish, etj, etj. Dhe pas asaj shfaqjeje më ke thënë në fund fare, më ke thënë diçka pak shumë “Teatrin e Operës”.

Ermonela Jaho: Po e vërtetë!

Kryeministri Edi Rama: Me zë të ulët, sikur nuk doje të fusje një hall më shumë në të gjitha hallet me të cilat unë duhet të merresha dhe të merrem. E bëmë dhe Teatrin e Operas

Ermonela Jaho: Është bërë aq bukur, edhe ka një energji tjetër. Ka ende për të bërë, por ka një energji tjetër. Por unë tani po bëj workshopin.

Kryeministri Edi Rama: Nuk krahasohet me atë.

Ermonela Jaho: Absolutisht fare.

Pas 70 vjetësh solistët dhe trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë tashmë hapësira të transformuara rrënjësisht, ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, Nju-Jork apo Tokio, njësoj si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë.

Salla kryesore e shfaqjeve ka 801 vende, ndërsa akustika e saj ka një cilësi të jashtëzakonshme.

Kryetari Rama i dhuron Çelësin e Qytetit ish ministrit Mehaj

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama i ka dhuruar Çelësin e Qytetit ish Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, kryetari Rama ka thënë se është nder i madh për të t’i dhënë Çelësin e Qytetit, ish ministrit, nga ku edhe e ka falënderuar për shërbimin që Mehaj ka dhënë për vendin.

“Nder vërtetë i madh për mua t’i jap Çelësin e Qytetit mikut dhe ish Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

E falënderoj për shërbimin fantastik që ka dhënë për vendin.

Bashkëpunëtor njëherë, miq përherë!”, ka shkruar Rama./KultPlus.com

Rama: Bujtina “Shehu” në Kukës, ndalesa e preferuar për shumë vizitorë

Bujtina “Shehu” e ndodhur mes malit të Gjalicës dhe Shtegut të Ngjyrave në Kukës  është një tjetër sipërmarrje frymëzuese në sektorin e agroturizmit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me pamje nga kjo bujtinë e cila është kthyer në një oaz relaksi për vizitorët që pëlqejnë klimën malore.

Rama theksoi se “”Bujtina Shehu” është  një investim familjar që është kthyer në ndalesën e preferuar për shumë vizitorë që shëtisin këtyre viseve”.

“Ushqim i freskët, natyrë përrallore, ajër i pastër e mikpritje fantastike”, tha Rama.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

RTL jehonë Shqipërisë turistike, Rama: 22 mijë vizitorë kroatë frekuentuan Shqipërinë deri në korrik

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se 22 mijë vizitorë kroatë kanë frekuentuar Shqipërinë deri në korrik të 2023, ose 41% më shumë se viti i kaluar.

Rama ndau një kronikë të televizionit kroat RTL, ku promovohet turizmi në Shqipëri.

“Jehona e suksesit bombastik të Shqipërisë turistike vazhdon dhe këtë herë janë fqinjët e një vendi superstar në turizëm, Kroacia, ku televizioni RTL i jep një hapësirë të papritur surprizës shqiptare që po tërheq vëmendjen e mediave botërore”, tha Rama.

“Këto ditë të gjithë flasin për Maldivet europiane, Shqipërinë, ku deti është i mrekullueshëm ndërsa çmimet janë normale. Nisi me një artikull ku thuhej se në Shqipëri do të paguani 16 euro për një drekë të bollshme për dy veta buzë detit dhe se atje do të jetoni tërë javën me paratë që diku tjetër janë të mjaftueshme për tre ditë”, thuhet në kronikën e televizionit kroat, RTL.

“Nuk është as Greqia, as Spanja, as Havai dhe as Tajlanda. Këto janë Maldivet europiane. Turistët e befasuar befas zbulojnë Shqipërinë. Nëpër rrugët e Shqipërisë do të udhëtoni falas sepse nuk ka tarifa rrugore”, vijon kronika e RTL-së.

RTL intervistoi një turiste e cila u shpreh se çmimet janë më të ulëta, si për akomodim madje edhe për parking. “Akomodimi për 1 javë për dy persona në Kroaci do të kushtonte 2-3 mijë euro, kurse në Shqipëri me udhëtim dhe të gjitha do të kushtonte rreth 1 mijë euro për 1 javë. Ndoshta edhe më pak”, tha ajo.

Sipas një agjencie turistike të cituar nga RTL, për një javë pushime në Shqipëri me të gjitha shpenzimet nevojiten 850 euro.

Adriana Karuza, blogere udhëtimi u shpreh për RTL se “Shqipëria është thjesht më e volitshme”.

“Jemi dëshmitarë që çmimet në Europë janë egërsuar. Shqipëria është thjesht më e volitshme. Mund të them se para dy vitesh ne shpenzuam 730 euro përfshirë të gjitha, hotel, ushqim, suvenire, madje edhe riparimin e makinës. Tarifat rrugore nuk paguheshin. Mbaj mend që karburanti nuk ishte i lirë, por nuk kishim shpenzime për parking”, theksoi ajo.

Sipas RTL-së, reklama e pazakontë vazhdon t’i tërheqë mysafirët. “Për shkak të inflacionit çmimet kanë ndryshuar, por këtu ende mund të verohet lirë. Plazhet kështjellat dhe çmimet e volitshme, duket se Shqipëria i ka të gjitha”, përfundon kronika e RTL-së./atsh/KultPlus.com

Gazeta ‘L’Est républicain’ promovon Shqipërinë, Rama: Mbi 60 mijë turistë francezë në 7 muaj

“Shqipëria është e mrekullueshme”, shkruan gazeta e njohur franceze “L’Est républicain”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e botuar nga gazeta franceze e cila thekson se “është koha e duhur për të zbuluar këtë destinacion origjinal dhe të lirë”.

Rama theksoi se “mbi 60 mijë vizitorë francezë kanë zgjedhur Shqipërinë nga janari deri në korrik të këtij viti, plot 56 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.

Në shkrimin e botuar nga francezja “L’Est républicain” thuhet se “Shqipëria është e mahnitshme. Aty ku ndjenja e mirëseardhjes ndriçon buzëqeshjet e njerëzve, në guidën e plotë nga Alpet e veriut dhe Shkodra, për të shkuar nga Tirana në Gjirokastër, në Butrint e në bregdet, në një shëtitje unike, ku brenda një kohe të shkurtër gjen gjithçka për të kaluar pushime fantastike”.

“Shqipëria është një vend malor (70 % e sipërfaqes është e përbërë nga malet). Alpet dinarike, në veri të vendit kulmojnë në 2700 m lartësi. Ato rezistojnë ende të egra dhe pak të frekuentuara. Parku kombëtar i Thethit është një nga vendet që duhet vizituar. Me malet, ujëvarat, shpellat dhe fshatrat si ai i Thethit, me vlera arkitekturore”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e “L’Est républicain”.

Gazeta franceze ka përshkruar Alpet, Thethin, liqenin e Komanit, qytetin e Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës, Butrintit dhe Tiranën./atsh/KultPlus.com

Rama: Hapje magjike e edicionit të dytë të ‘Himara International Music Festival’

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga hapja e edicionit të dytë të “Himara International Music Festival”, me “Lament of earth”, vepër kushtuar ndryshimeve klimatike.

Rama shprehet se, çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himariot, teksa thekson se, eventet verore kudo nëpër Shqipëri mund të gjendet në kohën e duhur tek aplikacioni TEA.

“Hapje magjike e edicionit të dytë të “Himara International Music Festival”, me “Lament of earth”, vepër kushtuar ndryshimeve klimatike. Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himariot  Eventet verore kudo nëpër Shqipëri i gjeni në kohën e duhur te TEA”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë, (Himara International Music Festival) është hapur me “Vajtimi i Tokës” (Lament of earth), një thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit si dhe “Himarës ç’i panë sytë”.

Kalaja e Himarës, e ndërtuar që në mesin shek IV para lindjes së Krishtit është shndërruar këtë fillim gushti në një skenë arti nën interpretimin e muzikantëve të jashtëzakonshëm nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Kosova, Rumania, Rusia, Greqia, Mali i Zi dhe Kanadaja.

Vajtimi i Tokës”, performanca audiovizuale e Donika Rudit dhe ReMusica Vocal Ensemble, me tekst të Doruntina Bashës, interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari, në drejtimin e mjeshtrit Rafet Rudi si dhe nën shoqërimin e vallëzimit të Agnesa Nokshiqit, u mirëprit nga të pranishmit ku interpretimi i magjishëm jehoi fuqishëm në këtë skenë natyrore.

Me pamjen e mrekullueshme nga kanioni i Vishës, plazhi i Livadhit dhe vargmali i Vetëtimës, në kalanë e Himarës që prej datës 3 gusht po mbahet ky aktivitet me performancë të muzikës klasike nga artistët vendas e të huaj.

Himara International Music Festival lindi si një projekt muzikor ku gjithsecili mund të përjetojë muzikën e tij të preferuar.

Ky aktivitet po i jep zë muzikës përfaqësuese të kulturës shqiptare, këngës tradicionale qytetare popullore dhe muzikës së kultivuar bashkëkohore.

Të tjera performanca shoqëruan mbrëmjet magjike pranë detit në jug të vendit me vargjet muzikore të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Vasil Sofokli Tole.

Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himarjot.

Dy pianistet shqiptare Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni, me karrierë të pasur në disa vende të Europës do të sjellin më 7 gusht një program me veprat e kompozitorëve të mëdhenj Brahms, Debussy, Fauré, Mozart dhe Dvorak.

Koncertin e datës 8 gusht, ky festival ia kushton tingujve magjikë të pianos, ku nën një rezonancë poetike do të vijnë disa nga veprat më të frymëzuara të kompozitorëve Schubert dhe Chopin, nën interpretimin e pianistit nga Franca, Sebastian Ene.

Kuarteti Eliott dhe pianisti Endri Nini, muzikantë të skenave më të rëndësishme të muzikës së dhomës në Europë, do të prezantojnë në 9 gusht koncertin “The World and I” me vepra ekzistenciale të kompozitorëve Mozart dhe Shostakovich, të cilët i ngritën himn në kryeveprat e tyre lirisë, gëzimit, trishtimit, dhe ngritjes krye ndaj diktaturës.

Festivali i Himarës, “Himara International Music Festival”, do të mbyllet me tingujt fantastike të luajtur nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould, i vlerësuar si zbulim solistik i muzikës klasike në Francë./atsh/KultPlus.com

Festivali i “Nonave” në Përmet, Rama: Dedikuar gjysheve nga e gjithë Shqipëria

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, u bënë ftesë të gjithëve që të jenë pjesë e festës së “Nonave”.

Ky event zhvillohet për të katërtin vit radhazi në Përmet dhe mbahet në datat 11, 12 dhe 13 gusht.

Kryeministri Rama, shkruan se kjo festë e veçantë u dedikohet gjysheve shqiptare.

“Mirëmëngjesi dhe me festën e veçantë “Nona” dedikuar gjithë gjysheve shqiptare që do të mbledhë edhe këtë vit në Përmet të mirat, të urtat, të dhembshurat me duar të florinjta që na kanë ëmbëlsuar jetën e zbukuruar kujtimet me glikotë, centrot, kulaçkat e rrëfenjat e tyre, ju uroj fundjavë të bukur”, deklaron Rama.

Festivali i “Nonave” në Përmet pritet të mbledh gjyshet nga e gjithë Shqipëria.

Kultura artizane dhe gatimet tradicionale nga duart e gjysheve, do të jetë fokusi i “Festivali i Nonave” në qytetin e vogël të luleve në Përmet.

Në festival pritet të ketë dhe panair të kulinarisë, muzikë me DJ në mbrëmje në sheshin kryesor të qytetit./atsh/KultPlus.com

Rama: Ura e Kurçajt, atraksion turistik gati për t’u vizituar

Ura e Kurcajt e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale foto të kësaj ure, si ishte para restaurimit dhe si ka ndryshuar pamja dhe funksionaliteti i saj, pas restaurimit.

“Një tjetër urë historike, që gëzon statusin monument kulture, Ura e Kurçajt, ka rilindur pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019”, shkroi Rama.

“E ndërtuar në shek.XVIII, si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurçajt është një pikë lidhjeje me historinë, dhe një atraksion turistik gati për t’u vizituar”, theksoi kryeministri Rama.

Kjo urë është një tjetër sit që është restauruar nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.

Ura e Kurcajt është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh./atsh/ KultPlus.com

Rama: Ura e madhe e Kukësit mbi Drin, realizohet plotësisht deri në pranverë

Ura e madhe e Kukësit mbi Drin, pjesë e rrugës së Kombit pritet të realizohet plotësisht deri në pranverë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të punimeve në këtë urë, teksa bëri të ditur se, kjo urë ka një arkitekturë e strukturë të veçantë prej çeliku varur në 310 metër gjatësi.

Ura e re e Kukësit do të ketë dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj do të jetë konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

Ura e Madhe e Kukësit do të bashkojë brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit.

Ajo do të zëvendësojë urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban ‘mbi supe’ me mijëra mjete përgjatë viteve. / KultPlus.com

Njoftimi në ditën e vizitës së Ramës e Abazoviqit, Ukraina: Parandaluam një sulm terrorist ndaj lidershipit tonë

Agjencitë e sigurisë të Ukrainës kanë parandaluar një sulm terrorist ndaj lidershipit të vendit. Njoftimin e bëri zëvendësministri i Brendshëm, Jevhen Jenin.

“Falë informacionit që marrim nga burimet tona operacionale, ne kemi arritur të parandalojmë një akt terrorist kundër udhëheqjes së vendit tonë”, u shpreh ai.

Duke folur për mediat vendase, zyrtari ukrainas tha se nuk mund të japë më shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Jenin shtoi se “do të jetë e mundur që të publikohen të dhëna domethënëse vetëm pas fitores”, në luftën e nisur nga Rusia.

Këto raportime vijnë në një ditë kur në Kiev po qëndron kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Në vizitën e tyre nuk është raportuar asnjë rrezik për kryeqeveritarët./a2cnn/ KultPlus.com

Edi Rama viziton në Prishtinë ekspozitën “Whatever happens, we will be prepared” të artistit, Alban Muja

Në mbyllje të vizitës njëditore në Kosovë, Kryeministri Edi Rama vizitoi në Galerinë e Arteve ekspozitën e artistit bashkëkohor kosovar, Alban Muja.

“Në mbyllje të vizitës edhe ‘ëmbëlsira në fund’ në ekspozitën e një talenti të madh si Alban Muja, në Galerinë e Arteve”, tha Rama.

Ekspozita e Mujës “Whatever happens, we will be prepared” qëndron e hapur në Galerinë e Arteve në Prishtinë prej mesit të këtij muaji.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më datë 2 nëntor 2021.

Në këtë ekspozitë krahasohen përzgjedhje të larmishme të veprave ekzistuese si dhe të veprave të reja të Mujës, dhe për herë të parë në Kosovë shfaqet projekti “Family Album”, (Albumi familjar), i cili e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias në vitin 2019.

Muja përdor një sërë mediumesh duke përfshirë këtu filmin, fotografinë, pikturën, grafikën dhe skulpturën, shpesh duke trajtuar tema komplekse dhe të çuditshme të cilat ai i zgjedh para shikuesit./atsh/Kultplus.com

Rama publikon fotot: S’është 3D jo, është zemra e Vlorës

Qendra historike e Vlorës ka marrë shkëlqimin multidimensional të një pike referimi historiko-kulturor dhe me impakt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit bregdetar.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme foto nga transformimi I këtij investimi në Vlorë.

“S’është 3D jo. Është zemra e VLORËS”, shprehet Rama duke publikuar foto nga Qendra historike e qytetit bregdetar,  një zonë e cila ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të.

Brenda kufijve të zonës ku dhe është investuar, ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Investimet e realizuara nga qeveria përfshinë restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Në zonën qendrore të Vlorës, me një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.

‘Lava pjatat, pastrova shtëpinë, gatova’, Rama: Mos luaj vendit, vazhdo me xhamat

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të dielën paradite të dalin për ajrosje nënat dhe fëmijët, duke lënë kështu burrat në shtëpi.

Madje me ironi kryeministri ka deklaruar se burrat përveçse të rrinë në shtëpi të bëjnë dhe punët e shtëpisë.

Kësisoj, një burrë i ka komentuar Ramës ku i thotë se sot i ka zbatuar të gjitha rregullat që ai kishte vendosur, ka pastruar shtëpinë, ka larë pjatat.. deri tek gjella. Në fund pasi i tregoi ç’kishte bërë i ka kërkoi leje që të dalë. Mirëpo komenti i Ramës ishte epik i cili i tha të mos lëvizë nga vendi dhe të fillojë me larjen e xhamave.

Replikat:

Komentuesi: Mirëmëngjes zoti kryeministër. Sipas rregullave që ju keni vendosur për sot i zbatova të gjitha.

Pastrova shtëpinë, lava pjatat, rregullova rrobat dhe kam bërë dhe kam gati edhe gjellën për drekë. Me lejen tënde të dal dhe unë pak jashtë.

Rama: Mos luaj vendit dhe fillo e laj xhamat.

94881761_228450308385653_5386517639252148224_n.jpg

‘Qeshni pak me mua’, Rama publikon vjershë për koronavirusin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sonte ka publikuar një vjershë kushtuar koronavirusit duke e relaksuar paksa një situatë të tensionuar që ka shkaktuar ky virus, shkruan KultPlus

“Pak humor, po jo dhe aq”, ka shkruar Rama në Facebook.

Këtu keni statusin e plotë:

“Pak humor, po jo dhe aq!

Kjo punë vajti tamam kështu, luftë për të shmangur një tragjedi dhe kur tragjedia nis e shmanget, fillon komedia e fajësimit të njëri-tjetrit! E natyrisht çdo ditë e më mirë larg tragjedisë, çdo ditë e më shumë ankesa e kërkesa, ju për mua e unë për ju!

Do kalojë edhe kjo, qeshni pak me mua duke lexuar këtë meme-vjershë, që sapo më erdhi.”

Rama paralajmëron mediat: Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka paralajmëruar mediumet që t’i verifikojnë informacionet; përndryshe do të detyrohet ta bëjë atë që nuk e rrok imagjinata.

Sipas tij, kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit dhe jo për rrena.

“Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot televizone dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar”.

“Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së një pjese të madhe të sferës suaj”. /KultPlus.com