“Dashurinë për tokën ku jemi rritë, tu ecë zbathur e të zhveshur, s’ia dolët të na e shuani kurrë, gjeneratat e reja mendjendritura po vijnë!”

Nga: Ramë Lahaj

Për të gjithë ne që kemi menduar e gëzuar se më në fund do të jemi të lirë dhe se përfundimisht do të bëhemi shtet, ku fëmijët tanë do t’i rrisim krenarë, duke ju treguar për lavdinë e sakrificën për liri, sot u vërtetua që hasmi i përbetuar, është vet pjellë e jona!
A do të jetë një grua që këtë herë do të na çlirojë, përfundimisht nga politiKUAJT komunistë të kafe Bozhurit, të shërbyer prej konobaricave* në valle!
A do të jetë Vjosa, heroina jonë e re e historisë moderne të Kosovës?
A thua do ta kemi fatin të na drejtojë një mendje e ndritur, plot guxim sikurse Albini, të na çlirojë nga kaubojt e Opel Askonave të pasluftës që prej injorantësh e çobanësh na u bënë udhëheqës, pushtues e profesorë universitetesh, duke na detyruar ta urrejmë atdheun të cilin të parët dhe vet ne edhe me gjak e lamë!
Perëndia, lë të na jep fuqinë që t’i palojmë në kontenjera mbeturinash!
Po si Ukraina, të gjithë ata që na u bënë armik, të lirisë duke na e shuar çdo shpresë e duke na bërë që urrejtja ndaj tyre sna la rruge tjeter vec ta braktisim vendin i madh e i vogël pa përjashtim!

Një gjë ta dini, se dashurinë për tokën ku jemi rritë, tu ecë zbathur e të zhveshur, s’ia dolët të na e shuani kurrë. Gjeneratat e reja mendjendritura po vijnë!
Të gjithë ju një dit do të merrni mallkimin e merituar! /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi tenorin me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim tenorin me renome ndërkombëtare Ramë Lahaj, i cili vizitoi ministren për t’i uruar marrjen e detyrës dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ministrja e falënderoi tenorin Lahaj për kontributin dhe angazhimin e tij në fushën e kulturës në përgjithësi, e sidomos për promovimin e kulturës shqiptare nëpër botë si dhe forcimin e imazhit të Kosovës nëpër ngjarje kulturore kudo që merr pjesë.

Po ashtu, ministrja Dumoshi, e informoi për planet dhe programin që pritet të realizohet në fushën e kulturës, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore fizike të kulturës ku veçoi objektin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” i cili është në fazën e vlerësimit të hartimit të tij dhe komisioni vlerësues do të themelohet shumë shpejt.

Ndërkaq, nga ana e tij, Lahaj tha se është e nevojshme krijimi i hapësirave për artistët që të kenë ku të performojnë dhe mbështetja e kulturës do të jetë inkurajim që artistët e rinj të krijojnë edhe më shumë. / KultPlus.com

Ramë Lahaj i reagon kryeministrit Rama: “Profeti” paska qu padi për t’zotin e shpisë n’Kosovë

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj ka reaguar pas lajmit të fundit se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ngritë padi ndaj kryeministrit të Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj.

KultPlus sjell reagimin e tij të plotë dhe origjinal:

Faqja e zeze

N’ven se Shqipnija me qu padi kundra krimeve te bame ne Kosove e gjenocidin barbar ne dekada nga Serbija, sot nji shortim mes greku e serbi “profeti“ paska qu padi per t’zotin e shpise n’Kosove, vllaun e vet. I mjeri !

Historikisht kombi shqiptar ka pase qakoj qe me bisht ner’ kame, i kan shti hunet fell, sa kan mbrri me permyse sofren e vet per me ja bo qefin e me gzu vrasesin, hasmin t’perbetuem t’vallut t’vet.

Po nuk jemi merzite asihere se luajt gardian qe jeten flijuan neper dekada per ket’ liri t’lame me gjak, na kan lane djem e nipa boll, qe me na e mrbojte torishten prej zagarve te ktij soji. N’funt t’funit, boll i kemi hallet tona me ndamjen e hises se pushtetit, bash si qent e terrbum rreth lekures se kurbanit.

HIJENA T’PUSHTETIT

Zot ruje Shypnin prej shartimit t’kti soji./KultPlus.com

Ramë Lahaj: Ju keni një shtëpi që u rindërtua hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë

Me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri po solidarizohen të gjithë duke ju ardhur në ndihmë në forma të ndryshme, shkruan KultPlus.

Artistët gjithashtu po shprehen të prekur nga kjo tragjedi. Tenori i njohur, Ramë Lahaj përmes një statusi në Facebook është shprehur se të gjithë të prekurit e kanë një shtëpi që u rindërtua 20 vjet më parë, duke aluduar në Kosovën, qytetarët e secilës Shqipëria i strehoi gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Gjithmonë e në çdo frymëmarrje do të jemi me ju, sikur që ju shenjtërisht ishit me ne, në kohët më të vështira! Të gjithë duhet ta dini se keni një shtëpi që u rindërtua, hiç më larg se 20 vjet më parë dhe ju mirëpret në çdo sekondë derisa tuajën ta rindërtojmë së bashku. Tashme, ia kemi marrë dorën ne të mjerët, gjithmonë të shkatërruar ose nga ndonjë regjim barbar ose ndonjë politikë e gabuar, dhe herë pas here, na përplas edhe vet Zoti, sikur pak të kemi vuajtur ne shqiptarët! Por të fuqishëm do të qëndrojmë, deri në frymën e fundit. Me shpirt jeni me ju, gjithmonë!”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com

Ramë Lahaj: Mos i harroni njerëzit tuaj të dashur, jeta është e shkurtër e suksesi gënjeshtër e madhe

Ritmi i shpejtë i jetës dhe vrapimi drejt suksesit, shpesh na bënë t’i harrojmë njerëzit më të dashur e të kthehemi për ta kaluar kohë bashkë me ta.

Këtë mesazh, përmes një statusi në Facebook e ka përcjellur tenori shqiptar, sot me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, i cili përmes një fotografie në natyrë me një prej personave më të dashur për të ka dërguar tek ndjekësit e tij një mesazh shumë domethënës. Ai ka theksuar që nuk duhet të harrojmë të kthehemi aty ku nisi gjithçka si pasojë e dashurisë së madhe e ku dashuria nuk kishte asnjë interes përpos mirësisë.

“Kur ritmi jetësor më merr para dhe njëfarë forme ma zë frymën, me shumë obligime dhe më bënë të ndihem sikur gjithçka dhe çdo sekondë duhet kalkuluar për hir të suksesit dhe një jete luksoze që vjen si rrjedhojë e egos sonë, atëherë vendosi të kthehem krejt në fillim, aty ku nisi gjithçka si pasojë e dashurisë së madhe, ku ditët ishin të ndritura e të shenjta e ku dashuria s’kishte asnjë interes përpos mirësisë. 

Mos i harroni njerëzit tuaj të dashur, duani fort ata sepse jeta është e shkurtër e suksesi gënjeshtër e madhe!” / KultPlus.com

Placido Domingo akuzohet për ngacmime seksuale, reagon Ramë Lahaj

Placido Domingo po përballet me akuza të ngacmimit seksual, por publiku amerikan e kishte dënuar edhe para se të fillonin hetimet ndaj legjenda së operës.

AP ka publikuar deklarata e tetë këngëtarëve, valltareve dhe individë të tjerë që e akuzuan tenorin spanjoll për ngacmim, puthje të pahijshme dhe sjellje të tjera të padëshiruara. Megjithatë, deri më tani, askush nuk duket se ka paraqitur prova të qarta për pretendimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, lajmi ka bërë një bujë të vërtetë dhe vetëm disa orë pas lajmeve, Opera e San Francisko ka anuluar performancën e tij në shtator. Ata ishin pak më të kujdesshëm në lidhje me Operën e Los Angelesit, duke thënë se do të hapnin një hetim.

Megjithatë, ndryshe nga publiku amerikan, shtëpitë e operave në Evropë nuk po arrijnë në përfundime të shpejta. Deri më tani, askush nuk ka marrë vendim që të anulojë performancat e Domingos duke përfshirë edhe qytetet si Milano, Cyrih e Londra. Disa nga kolegët e Domingos në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë të befasuar nga këto akuza dhe se duhet të “lihet të sharroj”. Nga ana tjetër, evropianët janë më të kujdesshëm dhe disa prej tyre i kanë dalë në mbrojtje.

Ndryshe, kujtojmë se spanjolli është mik i mirë edhe me tenorin tonë, Ramë Lahajn, ku në disa raste edhe kanë performuar së bashku në operat ndërkombëtare. Për këtë rast Lahaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke i dalë në mbrojtje mikut të tij. Ai pohon se të gjithë ata që e njohin Domingon e dinë që një gjë e tillë nuk është e vërtet sepse ai është babai i mirë, që në mënyrë specifikë kujdeset për të gjithë.

“Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku mjafton t’i mbledhësh, 2 apo 3 shoqe e të akuzosh dikë për gjëra të pabazuara, edhe krejt farë lehtë mund të vësh në mëdyshje personalitetin e dikujt. Kjo po ndodh edhe me Maestro Domingon. 
Nuk di nëse ka artist në botën e operës të këtë pas sado pak talent e të mos jetë mbështetur nga Maestro Domingo. 
Për të gjithë, që kishim fatin ta takojmë e të punojmë me të, e dimë mirë se çfarë personaliteti ka ai dhe kush është ai. Lirisht mund të them për të gjithë ne artistët e rinj, ai është Baba i mirë, që në mënyrë specifike është kujdes për secilin prej nesh. 
Maestro, ti je heroi ynë, ti je shembull dhe po ashtu modeli më i mirë i të gjitha kohërave. 
Ne të duam dhe e dimë mirë se kush je, do të të mbështesim deri në frymën e fundit”, ka shkruar Rame Lahaj. / KultPlus.com

Me zërin e tij madhështor, Ramë Lahaj mblodhi Prishtinën në një vend

Ramë Lahaj mbrëmë mbushi Prishtinën me ngjyrat artistike të zërit të tij të veçantë. I titulluar ‘’Ramë Lahaj ëith Friends’’ ky koncert u mbajt mbrëmë në sheshin Skënderbeu. Shfaqja filloi me disa video-incizime, që për bazë kishin performancat e Lahaj-t ndër vite. Kur skenës iu bashkua Lahaj, dhe duartrokitjet e publikut pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën, ai filloj me një fjalim të shkurtë, duke falënderuar Komunën e Prishtinës, dhe duke u shprehur se një koncert të tillë ua ka borxh qytetarëve të Kosovës dhe se ky lloj i eventit do të organizohet edhe vitin tjetër, shkruan KultPlus.

’’Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jem në mesin e juaj’’, u shpreh ai. Falënderoj orkestrën, miqtë e tij që do të ishin performues në koncert, si dhe publikun e madh që me padurim prisnin të dëgjonin zërin e tij të veçantë. Duke qenë një artist me famë botërore, ai bëri që sheshi i Prishtinës të mbushej plot me dashamirë të artit dhe të punës së tij.

Sheshi kumbonte nga turma, e nga brohoritjet drejtuar Ramë Lahajt. I emocionuar nga pritja madhështore që i bënë publiku kosovarë, ai filloj me performancën e tij, që më pasë do të përcillej edhe nga baritoni bullgar, Kiril Manolov, baritoni Kosovar Adhurim Grazda dhe sopranoja Besa Llugiqi, të cilët publiku i priti me shumë entuziazëm e duartokitje.

Dirigjues i orkestrës ishte italiani, David Crescenzi, për të cilin Lahaj tregoi një storie interesante, ai tha: “Storia e lezetshme në këtë mes është me Davidin, kur para një periudhe performuam në operë në Duseldorf, në muhabet e sipër më thotë: Si është Prishtina pas 20 vjetësh? I thashë që është mirë”. “Por mua më habiti si e dinte Prishtinën se ndonjëherë kur udhëtoj në kontinentet e tjera nuk e kanë shumë idenë se ku i bie Prishtina dhe Kosova – edhe po e pyes kah kjo lidhje e jotja me Prishtinën, ai ma kthen se ka qenë carabinier në luftë dhe se është kurioz me pa Prishtinën 20 vjet pas luftës”.

Pika kryesore e këtij koncerti, ishte kur Ramë Lahaj performoi këngën e famshmë “O moj bukuroshe”, këngë kjo e cila te publiku ngjalli një emocion më ndryshe, duke i dhënë shpirt publikut, dhe në një mënyrë indirekte duke e bërë edhe atë pjesë të koncertit.

Kurse mbrëmjen e përfundoi me këngën ‘’Rrjedh në këngë e ligjërime’’, këngë kjo që dikur është kënduar nga Vace Zela. Ndërsa sot Ramë Lahaj përmes një statusi në facebook, ka shprehur ndjenjat e tij rreth koncertit të mbrëmshëm dhe ndjenjat personale atdhetare. ‘’Mundesh me qenë me fat, me i ra tanë dynjasë rreth e përqark, po dashninë si në tokën nanë s’e gjen askund! Aty ku t’a shijojnë e dëgjojnë çdo frymëmarrje, sikur të ishte e fundit. Aty ku vuajtja e gëzimi na rrëmbejnë njëkohësisht, sepse kemi vuajt shumë që m’u mbledhë kështu… pa frikën nga pushtuesi, e për të k’nue gjithçka që na do zemra në tokën që sakrifikuam aq shumë për të. Nga sheshi i të madhit Skënderbe, e me hovin e trokut të tij, sh’iptarët do t’i biejnë botës anë e mbanë, për me tregue që jemi diamanti i Evropës, jo ai qe ju është e shtremnue ndër shekuj! Ju dua, qysh e do nana fëmijën, ohh sh’iptarët e mi të dashur! E ju premtoj se cdo vit kam me ju dhanë një koncert të këtillë, për çdo vit kemi me i këndue bashkë dashnisë e lirisë. Një falënderim i madh për komunën e Prishtinës, orkestrës mbarëkombëtare dhe kolegëve të mi nga vendi e ndërkombëtarë’’, ka shkruara Rama.

Ky concert u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. / KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj pret audiencë të madhe në koncertin e së enjtes në Prishtinë (VIDEO)

Me shumë krenari i këndon vendit, ani se institucionet nuk e ftuan asnjëherë që të mbajë koncert.

Por gjërat kanë ndryshuar tani për tenorin me famë botërore. Ramë Lahaj, këtë të enjte do të këndojë midis kryeqytetit të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Pjesë e ekipit të tenorit nga Istogu është edhe një dirigjent italian që pas luftës shërbeu si karabinier.

E nikoqiri po beson se sheshi “Skënderbeu” do të mbushet plotë njerëz, të enjten nga ora 20:30.

Kjo për faktin se edhe mërgimtarët janë në pushim, dhe se koncerti është pa pagesë.

Kronikë nga Njomza Pllana.

Ramë Lahaj rikthehet me një koncert në Prishtinë

Ramë Lahaj ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë adhuruesit e muzikës së tij.

Ai përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se shumë shpejt do të rikthehet me një koncert në kryeqytetin tonë, Prishtinë, shkruan Indeksonline. “Së shpejti koncert në Prishtinë…”, ka shkruar tenori kosovar me famë botërore.

Kujtojmë që sukseset dhe fama e Lahaj ka depërtuar përtej kufijve shqiptarë.

Tenori kosovar këndon këngë popullore midis Moskës

Tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj, ka publikuar pamje nga Moska duke kënduar muzikë popullore shqiptare. Ramë Lahaj, njihet për zërin e tij të veçantë, e këtë e ka dëshmuar disa herë.

Kësaj radhe, ai është paraqitur nga Moska, duke shkruar se kur i bie rreth e përqark dynjasë, duke e hequr make-upin, ia kris këngës së qejfit.

“Ai momenti kur e hapë dhe e mbyllë sezonin e 243-të, të teatrit gjigant, atë të Bolshoit, të Moskës e po ashtu i bie dynjasë rreth e përqark e duke e hequr make upin ia krisë këngës së qejfit. Zotit e njëri tjetrit i qofshim falë për gjitha të mirat që i gëzojmë. Gëzofshi të mira edhe ju o njerëz të mire” shkroi Lahaj. 

Ramë Lahaj me performancë mahnitëse në Washington për 20 vjetorin e çlirimit

Tenori Ramë Lahaj mbrëmë ka mbajtur një koncert në Washington për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ambasada e Kosovës në SHBA së bashku me Washington Performing Arts organizuan këtë koncert, njofton Klan Kosova.

Ambasadorja Vlora Çitaku performancën e Ramë Lahajt dhe Vasel Shkrelit në lahutë e cilësoi si magjike.

“Ambasada e Kosovës së bashku me Washington Performing Arts shënoi 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës me koncertin e tenorit tonë fantastik duke i dëshmuar audiencës së zgjedhur në DC se talenti nuk njeh kufij. Falënderoj në mënyrë të veçantë zotin Vasel Shkreli i cili na i solli tingujt autokton të lahutës. Mbrëmje fantastike”, shkroi Çitaku në Facebook.

Ndërsa, tenori me famë botërore në një postim në Instagram tha se kështu kremtohen 20 vjetët e paqes dhe çlirimit.

“Duam të falënderojmë SHBA-në që ishte me ne gjatë periudhës më të vështirë.Faleminderit që vepruat dhe ndaluat gjenocidin. Faleminderit që sollët paqe në shtetin tim dhe shpresë për gjeneratat e reja. Faleminderit që ndaluat regjimin brutal të Serbisë që na kushtoi me aq shumë jetë. Përgjithmonë mirënjohës”, shkroi Lahaj.

https://www.instagram.com/p/ByUnXxwFMYL/?utm_source=ig_embed

Ramë Lahaj takohet me aktorin e njohur botëror (FOTO)

Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj, vazhdon të shijojë suksese të shumta në arenën ndërkombëtare.

Duke i rastisur të udhëtojë shpesh për interpretimet e tij, jo të paktat janë rastet kur Lahaj ka shansin të takohet me emra të njohur të Hollywoodit.

Së fundmi, ai ka pasur fatin të takohet me aktorin e madh, Sylvester Stallone.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Instagram, ku shfaqet duke pozuar krah aktorit me famë ndërkombëtare.

“Përshëndetje nga Los Angeles”, ka shkruar tenori në mbishkrimin e fotografisë, ndërsa ka marrë pëlqime dhe komente të shumta nga ndjekësit e tij.

Përndryshe, projekti i fundit muzikor që Ramë Lahaj publikoi ishte kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime”, e cila erdhi si dhuratë këtë vit për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/

Ramë Lahaj me “La Traviata” në Teatrin e Los Angeles

Tenori i njohur shqiptar do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit në Los Angeles, shkruan KultPlus.

Në këtë teatër ai do të luaj në shfaqjen “La Traviata”, dhe për këtë angazhim ka njoftuar vet Lahaj nëpërmjet faqes së tij në facebook.

Lahaj ka bërë të ditur se për këtë paraqitje është ftuar nga artisti i njohur Placido Domingo, kurse për detajet e tjera se kur do të jetë kjo shfaqje, ai ka thënë se do të bëhet e ditur së shpejti./KultPlus.com

“Dua më shumë Shqipërinë” dhe “Lule borë” nën interpretimin e yjeve shqiptarë (VIDEO)

Mbrëmë në Romë, artistët shqiptarë të njohur në gjithë botën, në një mbrëmje të veçantë u mblodhën për të kujtuar heroin shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje solli Inva Mulën, Dua Lipën, Ermal Metën, Erza Muçollin, Genc Tukicin, Elhaida Danin, Lorik Canën, Olen Cesarin, Eno Peçin dhe Ramë Lahaj, si asnjëherë më parë.

Po sjellim dy video, ku yjet shqiptarë kënduan shqip në Teatrin Argentina, të gjithë së bashku./ KultPlus.com

Të famshmit shqiptarë më 19 nëntor mblidhen në Romë për nderë të Skënderbeut

Në të gjitha fushat e artit, shqiptarët kanë arritur të depërtojnë në arenën ndërkombëtare, por ajo që po veçohet është fusha e muzikës ku ata kanë arritur suksese të mahnitshme, shkruan KultPlus.

Dua Lipa, Inva Mula, Ramë Lahaj e Ermal Meta, janë vetëm disa prej emrave që po shënojnë suksese në botë.

Të gjithë këta dhe shumë të tjerë, do të bëhen bashkë më datë 19 nëntor për një natë të magjishme që vetëm artistët shqiptarë dinë ta sjellin.

Artistët si Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Erza Muqolli, Genc Tukici, Eno Peci, Lorik Cana, Olen Cezari, Elhaida Dani dhe Ermal Meta do t’i bëj bashkë “Skënderbeu” në teatrin “Argentina” në Itali, më 19 nëntor me një koncert i cili fillon në orën 20:30.

Me moton “Tok së bashku për Skënderbeun” këta artistë pritet të performojnë në këtë natë e cila pritet të jetë e magjishme.

Ky manifestimi bëhet në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të kreut të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj, Papa Françesku do të takojë përfaqësues të popullit shqiptar në Vatikan, të cilët do të shoqërohen nga autoritet e larta të Qeverisë shqiptare dhe nga liderët e të gjitha besimeve fetare. Gjithashtu të pranishëm do të jenë edhe artistë shqiptarë me famë botërore.

Pas takimit me Papën do të vazhdojë koncerti madhështor ” Të Bashkuar në kujtim të Skënderbeut”.

Ishte tenori Ramë Lahaj ai që njoftoi lajmin në rrjetin social “Instagram” duke shkruar: “Tok së bashku për Skënderbeun”. /KultPlus.com

Lahaj: Për sallën e koncerteve isha te kryeministri Haradinaj, sepse pa të, Prishtina nuk ishte më as kryeqytet e as kryekatun

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj sot ka marë një vendim në lidhje me objektin e njohur si “Gërmia”, për shpronësimin e këtij objekti, edhe pse, ditë më herët ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, këtë objekt e kishte futur në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Sot Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së saj kanë dhënë vendimin për shpronësim të ndërtesës së ish “Gërmisë”, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmes rrjeteve sociale.
Ai ka shkruar se kanë shpronësuar këtë ndërtesë për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve, ka bërë të ditur Kryeministri.

Ai ka shkruar: “Një ndër vendimet kryesore të Mbledhjes së sotme të Qeverisë, ishte ai për shpronësimin e ish ndërtesës së ndërmarrjes “Gërmia”, për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke e ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve.”
Mirëpo, një vendim i tillë ka revoltuar një pjesë të komunitetit artistik, të cilët ishin kundër rrënimit apo përafrimit të këtij objekti për një sallë koncertale, me arsyetimin se ky objekt do të duhej të ruante pamjen e vjetër, por edhe në anën tjetër, se një sallë e tillë nuk i plotëson kushtet për një sallë të denjë koncertale.

Por një vendim të tillë, kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, duket ta ketë marë pas takimit me tenorin e famshëm kosovar Ramë Lahaj, i cili po për shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale, kishte marë mundin të vinte nga larg, që ta takonte kryeministrin Haradinaj.
“Për këtë objekt kam qenë te kryeministri”, ka thënë eksluzivisht Ramë Lahaj për KultPlus, i cili ka treguar se ka mbështetë idenë për shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale.

“Po në atë takim, kryeministri Haradinaj më ka premtuar një mbeshtetje prej 100%”, ka thënë Lahaj.
Mirëpo, duke pasë parasysh se ky objekt nuk ështe edhe aq i madh dhe nuk i gjason sallave të mëdha botërore, ashtu ku edhe ka performuar Ramë Lahaj, tenori i famshëm e arsyeton me faktin se një mbështetje të tillë e ka bërë për faktin se pa një sallë koncertale, Prishtina më ishte një Prishtinë gjysmake.

“Pa një sallë koncertale, Prishtina nuk ishte më as kryeqytet, por as kryekatun”, ka thënë Lahaj në lidhje me këtë ndërmjetësim që ka bërë me kryeministrin Haradinaj. Por kush e solli nga Evropa që të negociojë në lidhje me shndërrimin e këtij objekti të vjetër në një sallë koncertale, Ramë Lahaj ka konfirmuar për KultPlus, se ardhjen e tij e ka kërkuar komuniteti artistik.

Lahaj ka përmend se ka dashur të kontribuojë në lidhje me ndërtimin e kësaj salle duke pasë parasysh edhe kërkesën e BE-së, që një vendim i tillë duhet të merret para Vitit të Ri, duke specifikuar se është falënderues edhe për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti, i cili ka qenë pro kësa ideje.
“Por në këtë takim më shumë më ka sjellë nevoja për një sallë të mirëfilltë, sepse kemi mbetë për gjynah, mjerim”, ka thënë Lahaj./KultPlus.com

Ramë Lahaj vjen me një rrëfim inspirues dhe të fuqishëm në “TEDx”

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj do të udhëtojë në Kosovë për të mbajtur një fjalim në ngjarjen “TEDx” që zhvillohet më 27 tetor me fillim nga ora 14:00.

Pjesëmarrjen e Lahajt në ngjarjen “TEDx RITK” e ka konfirmuar Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK), i cili është organizator i ngjarjes.

“Folësi jonë i radhës do të udhëtojë direkt nga Moska për të dhënë një fjalim inspirues aq të fuqishëm sa zëri i tij”, thuhet në njoftim.

Nga viti 2009 deri në vitin 2011, Ramë Lahaj punoi si drejtor artistik në kanalin RTV 21 në Kosovë. Në vitin 2010 Lahaj bëri paraqitjen e tij në skenën operistike ndërkombëtare me rolin e Alfredo Germont në La Traviata në 50 vjetorin e festivalit Eutin në (Gjermani).

Për dikë që pretendon të shkëlqejë në muzikë profesionale, ai nuk duket të nxisë interesin e tij në këtë fushë pasi ai filloi të tregojë atë në moshën 21-vjeçare. Ishte në atë moshë, kur Tenori i ardhshëm filloi stërvitjen e tij profesionale muzikore .

Fillimet e tij nuk ishin më të mëdhatë, pasi talenti i tij nuk u njoh aq sa duhet dhe komentet inkurajuese nuk ishin të pranishme. Por kjo nuk e ndaloi pasionin e krijuesve të rinj për muzikën dhe seriozitetin e tij në punë, i cili një vit më vonë, në vitin 2004 i lejoi atij të arrinte të drejtën e studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Ai u diplomua si një student nderi i gjeneratës së vitit 2008.

Bashkë me cilësinë e tij vokale ishte edhe vendosmëria e tij në punë që shtyu Lahaj më tej të shfaqej në Operën e Shtetit hungareze në Budapest në rolin e Macduff nga Macbeth në vitin 2011.

Skena gjermane gjithashtu do të mundësonte tenorin të bënte disa paraqitje në rolet e tij të debutimit. Tenori erdhi me një rol tjetër të rëndësishëm për repertorin e tij, rolin e Rodolfos në opera [La boheme | La Boheme]] në Dortmund.

Agjenda e punës së Lahajt u zgjerua me shpejtësi në dimensionet ndërkombëtare gjatë vitit 2012. Ai mori një ftesë për të kryer në Operën Kombëtare të Lionit në Francë, si pjesë e prodhimit të operës puritane. Në të njëjtin vit, ai luajti rolin e Rodolfo / La Boheme në Operën Kombëtare të Montpellierit.

Suksesi i sinqertë i tenorit në Itali mori detyrën pasi ai luajti rolin e Duca di Mantova/Rigoletto në Teatro Massimo di Palermo. /KultPlus.com

Haradinaj dhe tenori Lahaj flasin për sallën koncertale

Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar tenorin shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj. Në takim është biseduar edhe për ndërtimin e sallës koncertale.

“Tenori prestigjioz, Ramë Lahaj, përpos që ka arritur majat personale të suksesit, ka lartësuar emrin e Kosovës në qendrat më të njohura kulturore në botë. Kënaqësi e veçantë të flisnim për angazhimin e tij të madh, ruajtjen dhe avancimin e vlerave kulturore dhe të këmbenim mendime rreth ndërtimit të sallës koncertale, e cila do të jetë strehë ku artistët do t’i shpalosin veprat e tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Mbrëmja e bamirësisë “Meet us Halfway” në New York për nënat dhe fëmijët e Kosovës

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë po organizon një mbrëmje filantropie në qytetin e New Yorkut, për të ngritur fonde për shpëtimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Kjo mbrëmje e bamirësisë do të mbahet në klubin prestigjioz Yale të New Yorkut me datën 16 tetor 2018 nga ora 18:30 deri në 21:00.

Fadil Berisha, Vlora Çitaku, Teuta Sahatçija dhe shumë personalitete të tjerë nga bota e biznesit, kulturës, politikës dhe arteve kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Kjo mbrëmje bëhet e mundur falë miqve dhe anëtareve të bordit të fondacionit që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë siç janë, Bledar Asllani, Drin Kukaj, Mark Kosmo, Sara Shala dhe Valon Xharra.

Mbrëmja do te përfshijë muzikë, rrjetëzim, koktel dhe ankand të qetë, ku gjatë mbrëmjes do të performojë edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj i cili njihet si performues i famshëm në skenën ndërkombëtare të operave. Pjesëmarrës në ngjarjet ‘Meet us Halfway’ gjatë viteve të kaluara kanë qenë Dua Lipa, Valerie Rockefeller e Albert Stanaj.

Të gjitha shitjet e biletave do të orientohen për mbështetjen e programeve të Fondacionit në Kosovë, specifikisht në: furnizimin me pajisje mjekësore, mbështetjen e dorëzimit të medikamentit Surfaktant, zhvillimin e sistemit të transportit neo-natal, zgjerimin e ‘Klasave për Nëna‘ si dhe skrinimin e kancerit të qafës së mitrës.

Për të qenë pjesë e ngjarjes, biletën tuaj mund ta blini përmes platformës “Eventbrite” të cilin mund ta gjeni KËTU./ KultPlus.com

Ramë Lahaj me masterklasë në Prishtinë: Fillimisht muzika për mua ka qenë eksperiment

Gili Hoxhaj

Tenori i njohur Ramë Lahaj po qëndron këto ditë në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës. Ai sot u kthye përsëri në skenën ku performoi një natë më parë, kësaj here para një publiku që përbëhej kryesisht nga të rinj.

Lahaj erdhi për të ndarë një masterklasë me studentë të artit muzikor.

Para kësaj, ai ishte i hapur për të pranuar pyetje nga të pranishmit, që lidheshin kryesisht me eksperiencën e tij profesionale në skenat më të mëdha botërore. Nuk munguan as pyetjet për fillimet e rrugëtimit të tij dhe mungesën e mbështetjes. Ai tha se mungesa e mbështetjes në fillimet e tij është krejt e arsyeshme pasi që edhe për të muzika ka qenë fillimisht një eksperiment.

“Është krejt e logjikshme që s’kam pasur si të kem një mbështetje më të madhe pasi muzika për mua ka qenë një eksperiment që ka ardhë shumë vonë, shumica prej kolegëve dhe studentëve e dinë që unë kam filluar ta studioj pentagramin në një moshë shumë të vonë, në moshën 21 vjeçare dhe sigurisht që komentet s’kanë pasur si të jenë pozitive”, tregoi Lahaj.

Ai u shpreh se ajo që e pengon më së shumti është që në komunitetin muzikor artistik është krijuar një atmosferë jo shumë mbështetëse për njëri-tjetrin.

“Nëse do të mund ta kisha thënë që edhe të largohet ky mentaliteti i pedagogëve të vjetër që mendojnë se vetëm ata dinë dhe s’ka si të jetë ndryshe. Arti nuk është matematikë, ka shumë mundësi për të eksperimentuar dhe ka forma të reja të eksplorimit të artit”, u shpreh Lahaj sot gjatë ligjëratës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Të pranishmit ia rikujtuan edhe rëndësinë që ka ai për imazhin e Kosovës, që shpesh herë e ka dërguar emrin e Kosovës në vendet më të njohura të botës. Lidhur me këtë ai tha se ai nuk është as drita e parë e as e fundit e tunelit pasi që Kosova ka shumë ambasadorë të fushave të ndryshme në botë, për të cilët as që dihet.
“Kam pasur fatin të takoj njerëz të suksesshëm të fushave të ndryshme por sa jemi duke u dhënë ne hapësirë atyre që të na promovojnë sa më mirë, sa jemi duke i promovuar që ta dijmë kë ku e kemi dhe sa janë duke kontribuar”, u shpreh Lahaj sot.

Lahaj tha se ka mbajtur në mënyrë vullnetare trajnime në shkolla të mesme dhe në Universitet, në mënyrë që t’i ndihmojë talentët e rinj kosovarë, për të mos u larguar në tërësi nga Kosova dhe aktivitetet këtu.
“Kam ardhur me dëshirën që dy fjalë të mira të eksperiencës time do t’i ndihmojnë dikujt, kanë me i hapë një rrugë apo një vizion. Dëshira ime më e madhe në botë është që ta transmetoj këtë eksperiencë time”, tregoi tenori i njohur Ramë Lahaj.

Viteve të fundit ai ka performuar në shtete të kontinenteve të ndryshme por thotë se tek shqiptarët dhe në Ballkan, ekziston një veçanti që tek muzika funksionon perfekt.
“Tek shqiptarët dhe në përgjithësi në Ballkan ekziston një lloj nervi, një lloj temperamenti që tek muzika funksionon perfekt. Tek arti funksionon perfekt edhe tregimi njerëzor, mënyra se si je rritur, rrugëtimi yt. Besoj se pak shoqëri të tjera e gëzojnë këtë natyrë të funksionimit të dashurisë dhe lidhjet që i kemi”, tha Ramë Lahaj.
Rrugëtimi jetësor nuk ka qenë i mbushur me momente vetëm të mira, edhe tek Lahaj.
Ai tha se ka vetëm një teori, që të punohet shumë dhe që të mos dorëzohesh pasi çdo rrugëtim ka rënie dhe ngritje. Ai tha se ndryshe po ndodhë me gjeneratat e pasluftës.

Pas ligjëratës, Lahaj priti në skenë studentë të muzikës, të cilët i dëgjonte me kujdes, i përgëzonte, i ndalte, këndonte bashkë me ta dhe i sugjeronte me këshilla e me komente.

Tenori Ramë Lahaj po bën karrierë të bujshme muzikore jashtë Kosovës me paraqitjet e tij edhe krahas yllit të madh Placido Domingo. Ai ka qëndruar këto ditë në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Qendra Kulturore dhe Informative e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këtyre ditëve ai është dekoruar nga Presidenti – Hashim Thaçi. / KultPlus.com

Ramë Lahaj solli një mbrëmje të paharruar në Prishtinë, publiku mbeti i magjepsur nga interpretimi i tij (FOTO)

Gili Hoxhaj

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare në Prishtinë po mirëpriste një superyll të operës. Ardhja e tij këtu ishte si një dhuratë për publikun, i cili dukej që mezi kishte pritur ta dëgjoj për së afërmi zërin e tij që ka magjepsur teatrot më të mëdha botërore. Data e djeshme, që është në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës, bëri që Kosova të jetë në agjendën e tenorit Lahaj, mes vendeve që zotërojnë sallat më të mira të operas.

Vendi ku performoi mbrëmë ai, është një nga të vetmet hapësira në Kosovë, ku mund të dëgjohen interpretues të huaj, që prezantohen para publikut të Kosovës. Dhe pikërisht në këtë skenë, kthehet një solist opere që është rritur në Kosovë, që prej këtu ka ushqyer ëndrrat e tij për skenën.
Ani pse kjo skenë nuk ishte e denjë për të, në krahasim me skenat ku ka jehuar zëri i tij, ishte publiku ai që e bënte dallimin. Në mesin e disa prej tyre ishte rritur, e një pjesë tjetër është rritur me ndjenjën e krenarisë për të.

Për ardhjen e tij në Kosovë, publiku ishte njoftuar ditë më parë. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme ishin shitur biletat për këtë koncert. Para ambientit ku do të mbahej koncerti, kalimtarët e kanë parë të vendosur një poster që tregonte se brenda kësaj ndërtese, do të mund të dëgjojnë më afër se kurrë tenorin, Ramë Lahaj. Po aty ishte vendosur dhe një tapet i kuq, përmes së cilit depërtoje tek salla ku do të fillonte koncerti.

Një moment prapa, një vulë e madhe e suksesit të Ramë Lahaj kthehet para syve të publikut përmes ekranit prej nga ata ishin përqendruar, para se në skenë të vinte Ramë Lahaj. Është momenti kur Placido Domingo i dhuron çmimin prestigjioz “Operalia”, ku aty Lahaj ishte listuar në vendin e tretë. Mes ekranit bardh dhe zi, Ramë Lahaj e solli edhe mjeshtrin Placido Domingo me vete. Domingo thotë se Lahajn e cilëson si një nga fituesit më të mëdhenj të Operalias. Karriera e tij në muzikë filloi në një moshë të madhe, e rrugëtimin e tij në skenat më të mëdha botërore e filloi që nga viti 2012 e tutje, duke e bërë atë një nga emrat më të kërkuar. Kjo ishte dëshmi që Rama kishte punuar fort për t’i jetësuar ëndrrat e tij, ani pse, shkollimin fillor e të mesëm e kishte përfunduar në qytetin e Istogut, atje ku as sot nuk ekziston një shkollë profesionale e muzikës.

“Kur zëri ka kualitet, nuk ka rëndësi prej nga vjen”, thotë Domingo në videon kushtuar Ramë Lahajt. Skena të teatrove më të rëndësishme erdhën përmes ekranit që ndodhej prapa, ato në qendër kishin figurën e Ramë Lahajt. Ishte reflektimi më i mirë i emocionit që e ka lënë Lahaj në skenat e mëdha.
“Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, u titullua koncerti i mbrëmshëm, që po e kthente pas shumë vitesh Ramë Lahajn me koncert në Kosovë, tash me një bagazh të ngjeshur artistik. Kjo e kishte bërë edhe me kuptimplotë ardhjen e tij këtu, për të shënuar Ditën e Evropës. I gjithë koncerti u organizua nga Zyra së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Dalja e Ramë Lahajt në skenë dhe duartrokitjet e publikut

Fotografitë nga skenat më të mëdha, kur bashkohen me zërin dhe prezencën e Ramë Lahajt në skenë, e fusin këtë mbrëmje në mesin e atyre më të rëndësishmeve për jetën kulturore në Kosovë. Ende pa u dëgjuar zëri i tij, dëgjohen fort duartrokitjet e publikut që kishin mbushur çdo hapësirë të sallës. Mes duartrokitjeve të fuqishme, tenori Ramë Lahaj bën hapat e parë në skenë. Salla ndriçohej anash nga një ndriçim i zbehtë, e në formë të rrumbullakët ndriçimi ishte përqendruar tek Lahaj e pianisti. Pranë pianos zë vend pianisti Alessandro Amoretti i cili do ta shoqëronte gjatë gjithë koncertit Lahajn. Me një precizitet e teknikë të saktë, publiku shijoi lojën e Amorettit i cili ishte i lumtur që mbrëmë e shoqëroi Lahajn, për të cilin pa asnjë ngurrim thotë se është një nga këngëtarë që ka shumë për t’i dhënë botës. Loja e tij që ishte më e theksuar, kur zëri i fuqishëm i Lahajt ndalej, plotësonte mjeshtërisht koncertin.

Kur Ramë Lahaj vjen në skenë, me një buzëqeshje ndeshet me qindra sy që janë drejtuar drejt tij. Kur zëri i tij fillon rrugëtimin muzikor të mbrëmjes, publiku mezi mban frymën deri në fund të veprës, për t’i përplasur fort duart. Ai solli vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht. Arie të njohura botërore, përmes zërit të tij bënin që publiku prishtinas ta përjetonte nivelin më të lart artistik të muzikës klasike. Veprat e kompozitorëve më të njohur italian për opera, si Giacmo Puccini, Giuseppe Verdi, Ernesto De Curtis erdhën mbrëmë tek publiku. Dramaticiteti i tyre, e ndjeshmëria e veprave shtriheshin në zërin e lëvizjet e Lahajt, që lëvizte trupin bashkë me zërin e tij brenda skenës. Zëri i tij jo rrallë herë gjatë mbrëmjes dukej se po arrinte kulmin. Me një përjetim më të veçantë u prit vepra “Agimet shqiptare”. Ishte vepra e vetme shqip që mbrëmë erdhi përmes zërit të Lahajt.

“Trualli im shqiptar me gjallëron, me bën krenar, sa jam krenar, sa jam krenar”, që vinte mrekullisht përmes Lahajt, ngjalli fort emocionet e publikut, i cili pas veprës shpejt ngrihet në këmbë, për ta nderuar interpretimin e tij me duartrokitje.

Lahaj vendos dorën në njerën anë të gjoksit, e përkulet pranë tyre, për t’u ndarë për pak minuta nga ta. Nga perdet e zeza, ai kthehet kësaj here pa sako. Momentet e para, i drejton sytë lart, mbështet dorën në njërin skaj të pianos e pastaj lëviz. Shpesh i mbledh duart pranë gjoksit, e ndonjëherë vetëm njërën dorë e lë varur lart e me ngadalësi e ofron pranë vetes. Shpesh herë duart i bashkoheshin pranë fytyrës, e zgjateshin më larg trupit. Është i vetëm një rast kur këmba e tij përplaset fort në skenë. Shikimi i tij, ashtu si zëri shtriheshin në çdo pjesë të sallës. Derisa shikonte publikun, ai tundte kokën në shenjë mirënjohje nga emocioni që i dhuronin.

Para interpretimit të parafundit, drejt tij ngjitet Nexhmije Pagarusha që në duar mban buqetën me lule. Lahaj zbret me shpejtësi pranë saj. Ky takim mes tyre gjatë koncertit, krijoi një nga momentet me emocionuese të mbrëmjes. Publiku po duartrokiste dhe këtë bashkim të dy zërave që janë ngulitur fort në historinë e muzikës shqiptare.

“O sole mio”, e “Di Capua” mbylli mbrëmjen. Pasi që Lahaj e pianisti Amoretti bashkonin muzikalitetin e tyre përmes interpretimit të veprave, ata në fund të tyre bashkonin duart, e përshëndetnin publikun. Lahaj nga skena largohet duke kënduar, duke lënë publikun të magjepsur nga zëri i tij. Mes urimeve, përqafimeve e fotografive me Ramë Lahajn, publiku largohet nga salla.

Besa Luzha dhe Marigona Qerkezi për Ramë Lahajn

Profesoresha Besa Luzha tha se ndihet e kënaqur që Ramë Lahaj po shënon Ditën e Evropës dhe me këtë koncert edhe dëshmohet që Kosova ka vlera evropiane. Ajo tha se Ramën e bën më të jashtëzakonshëm fakti që edhe pse nuk ka pasur shkollimin e gjatë dhe të mirëfilltë muzikor.
“Prej një vendi siç është Istogu nuk i ka marrë mendja dikujt që del një Mario Lanza i Kosovës”, shprehet Luzha.
Luzha tha se Lahaj po e mahnit Evropën me artin e tij, e vazhdimisht duhet të përmendet fakti që vjen nga një vend që s’numëron as edhe një sallë të operës e baletit.
“Ne gjithmonë po trajtohemi si një vend që po kërkon mëshirë prej Evropës por ne duhet që sa më shumë ta promovojnë faktin se ne i sjellim vlera Evropës. Përveç vajzave e djemve të rinj si fuqi punëtore, ne Evropës i sjellim edhe talentë të tillë si Rama që i mbush sallat evropiane të operës e baletit, edhe pse ne nuk e kemi një të tillë”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Sopranoja e njohur nga Kosova, Marigona Qerkezi, e cila së fundmi është pranuar në një ndër garat më prestigjioze në konkursin famshëm operistik “Operalia”, pikërisht nga kjo garë prej nga edhe Lahaj ka marrë çmimin e madh, tha se ndihet shumë krenare me sukseset e tij edhe për faktin që e ka mik dhe për faktin që ai prezantohet kudo me prejardhjen e tij, e që ndikon edhe në përmirësimin e imazhit të vendit.

“Ramën e kam shumë mik, jam shumë krenare me të si personalisht ashtu dhe me faktin që po na bën krenar neve si shtet dhe komb. Jemi me fat që Rama kudo që shkon tregon se është nga vendi ynë, kështu që dhe imazhi i vendit përmirësohet. Rama është një këngëtar i shkëlqyeshëm, kur mbyll sytë ke përshtypjen se po dëgjon një superyll të historisë se operas dhe kur hap sytë e sheh që është miku yt, është gëzim i dyfishtë”, u shpreh Qerkezi për KultPlus.
Lahaj, i cili këtyre ditëve po qëndron në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, sot do të mbajë një ligjëratë dhe një masterklasë në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës 2018. Masterklasa fillon nga ora 15:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë . / KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj, nesër me masterklasë në Prishtinë

Duke filluar në ora 15:00, nesër në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë tenori Ramë Lahaj do të mbajë një masterklasë.

Lahaj, i cili këtyre ditëve po qëndron në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, nesër do të mbajë një ligjëratë dhe një masterklasë në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës 2018.

Lahaj sonte po e mban koncertin e tij në kryeqytet e nesër në këtë ligjëratë e masterklasë të hapur do të ketë mundësi të njoftohet me fansat e tij nga Kosova.

Tenori Ramë Lahaj po bën karrierë të bujshme muzikore jashtë Kosovës me paraqitjet e tij edhe krahas yllit të madh Placido Domingo.

Lahaj është dekoruar këto ditë nga Hashim Thaçi. / KultPlus.com

Ramë Lahaj: Është kënaqësi që sonte performoj në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Sonte do të mbahet koncerti i titulluar “Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, në të cilin do të paraqitet tenori Ramë Lahaj pas disa viteve mungesë në skenën kosovare. Gjithë kjo pas sukseseve të panumërta që ai po arrin nëpër skenat më të mëdha operistike nëpër botë.

Tenori Ramë Lahaj në konferencën e cila u mbajt sot për media, shpalosi disa detaj për koncertin ndërsa tregoi se sa e rëndësishme është për të koncerti por edhe masterklasa që do të mbajë.

Fillimisht Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian tregoi se qendra ka pasur disa organizimi gjatë këtyre ditëve për të shënuar Ditën e Evropës. Mirëpo sipas saj mysafiri kryesor i këtyre organizimeve është tenorin Ramë Lahaj.

“Kemi një nderë të veçantë që ambasadorja Nataliya Apostolova ka vendosur që këtë vit Ditën e Evropës ta shënoj duke na e mundësuar që Ramë Lahaj përkundër agjendës së tij shumë të ngarkuar të performojë sonte në Prishtinë dhe të mbajë edhe masterklasë”, tha ajo.

Në anën tjetër përveç tenorit Ramë Lahaj në Prishtinë ka ardhur edhe pianisti, Alessandro Amoretti, i cili tashmë punon rregullisht së bashku me tenorin shqiptarë.

“Jam i lumtur që jam këtu për të shoqëruar mikun tim të cilin nuk ka shumë kohë që e kam takuar. Jemi takuar fillimisht në Rusi dhe menjëherë jam mahnitur nga zëri i tij. Unë punoj si trajner i zërit dhe mund ta them këtë pa pasur asnjë ngurri. Jam i lumtur që jam këtu dhe që e shoqëroj këtë këngëtar i cili ka shumë për ti dhënë botës”, tha ai.

E tenori Ramë Lahaj u shpreh së ardhjen në Prishtinë e kishte në mendje që një kohë të gjatë. Tutje ai kujtoi edhe fillimin e karrierës së tij ndërsa u shpreh se akoma ndjehet si një parashutistë në këtë profesion.

“Është kënaqësi që jam këtu pasi që është bërë mjaft gjatë që nuk kam qenë këtu. Jo për shkak se dëshira nuk ka ekzistuar mirëpo sepse kam qenë në fillim të hapave të karrierës sime dhe kam qenë mjaft i zënë. Mirëpo duke e parë që ishte një kauzë e cila më të vërtetë më pëlqeu u shkëputa për pak nga puna dhe jam këtu. Gjithmonë kam pasur dëshirë që të ketë një arsye të veçantë dhe jo thjeshtë të vi dhe të jap një koncert”, tha ai duke shtuar se Prishtina sado që i jep një kënaqësi të veçantë njëkohësisht i jep edhe një lloj stresi të cilin nuk e gjenë çdo kund.

Programi i cili do të jetë në koncert ka qenë i sajuar në momentet e fundit. Kështu tenori Ramë Lahaj sonte do të sjellë vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht.

Në kuadër të ardhje së tij ai do të mbajë edhe një mastërklasë, nesër, në ora 15:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

“Masterklasa është pjesa e preferuar e imja sepse është shumë e veçantë se sa shumë talente ka ky vend. Është vërtetë e vështirë, duke përfshirë këtu të gjitha vendet që kam udhëtuar nëpër botë, me arrit me gjete vokale që kanë një veçanti si kjo e zonës tonë. Në përgjithësi gjithë Ballkani por veçanërisht në Kosovë e Shqipëri. Jam shumë interesuar dhe kam bërë edhe disa punëtori të vogla pasi që gjithmonë kërkoj për talent të reja. Talent të cilin kisha mundur me i sugjeruar ose me i orientuar diku dhe jam i kënaqur që nesër do kemi mundësi të punojmë pikërisht me talent të rinj”, thekso ai duke shtuar se shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë më shpejtë në mënyrë që studentëve të ju ofrohen sa më shumë mundësi.

Koncerti do të jetë sonte në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitar. Biletat të cilat janë shpërndarë falas në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, tashmë kanë mbaruar./ KultPlus.com

Ramë Lahaj, me 8 maj vjen me koncert në Prishtinë

Tenori i njohur Ramë Lahaj po vjen në Kosovë.

Me datë 8 maj, tenori me ftesë nga Ambasadorja Apostolova do të mbajë koncert në Prishtinë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Kosovë.

Lahaj nuk ka koncertuar asnjëherë në Kosovë prej kohës kur nisi të merrte famë.
Koncerti do të jetë i hapur për të gjithë por biletat duhet siguruar paraprakisht.

Koncerti po vjen në kuadër të “Ditëve të Evropës” që festohen në Kosovë, me organizim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lahaj një ditë më pas do ta mbajë një masterklasë në të njëjtin lokacion.

Lahaj ishte njëri ndër fituesit e çmimit OPERALIA ndërsa së fundmi ka koncertuar bashkë me Placido Domingon. Ai është ndër tenorët më të mirë të gjeneratës së tij dhe premton shumë në botën e muzikës klasike. / KultPlus.com