Italia nënshkroi Paktin e Londrës me fuqitë e Antantës, Britaninë, Francën dhe Rusinë.
“Traktati i Fshehtë i Londrës”, siç njihet ndryshe ky pakt në historiografi, ishte një ngjarje me peshë të madhe në historinë e Shqipërisë, pasi përfshinte plane për ndarjen territoriale të vendit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell 2 nenet që prekën drejtpërdrejt Shqipërinë.
Neni 6, sipas të cilit, “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, ishullin e Sazanit dhe territorin përreth”.
Neni 7 përcaktonte se, “pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.
Kongresi i Lushnjes, vite më vonë, vendosi pas shumë diskutimesh që të bëheshin protesta të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës./ atsh / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri.
“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.
Atë 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.
Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.
Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.
Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.
Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike. / atsh / KultPlus.com
5 çifte folezues të Kalit të Qyqes janë rikthyer tashmë në territoret e tyre të folezimit, në Parkun Kombëtar “Lumi i Vjosës”.
Ky ishte rezultati paraprak i një monitorimi intensiv të kryer në mes të prillit 2023 në 7-të prej vendfolezimeve tradicionale të kësaj shkabe të rrezikuar në rang kombëtar dhe global.
Lajmin e bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që në një postim në rrjetet sociale vuri në dukje se ky rezultat pritet të rritet në vizitat e rradhës në territoret e folezimit.
“Theksojmë se Kali i Qyqes është shkaba e vetme folezuese në vendin tonë, me një popullatë mjaft të kufizuar, e cila qëndron ende besnike e territoreve të folezimit përgjatë luginës së Vjosës, duke i shtuar hiret kësaj perle të natyrës shqiptare”, theksoi AKZM.
Vitin e shkuar pupullata e kalit të qyqes në Shqipëri përbëhej nga 6 çifte folezues dhe 2 individë të vetmuar. Ndërsa në Ballkan kjo popullatë përfaqësohej nga më pak së 50 të tillë.
Si çdo vit, AdZM Gjirokastër së bashku me ekipin e AOS, Klubin e të rinjve CYC Gjirokastra dhe komunitetin lokal do të vazhdojë monitorimin e popullatës së Kalit të qyqes, me qëllim arritjen e rezultateve përfundimtare dhe parandalimin/minimizimin e rreziqeve që mund t’i kanosen kësaj popullate përgjatë gjithë sezonit të folezimit./atsh/Kultplus.com
“Norwegian Star Cruise” me rreth 2200 turistë në bord, kryesisht amerikanë, ka mbërritur sot në Sarandë.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se deri në mars, Shqipëria ka mikpritur mbi 1 milion vizitorë të huaj, plot 59% më shumë se në vitin 2022.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë dymujorit të parë të këtij viti, shënoi rritje me 73.7 %, duke arritur 686.536, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Sipas INSTAT, në periudhën janar-shkurt 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 666 314 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 13 301 dhe 2 671 shtetas.
Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.
Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave./atsh/KultPlus.com
Një çift udhëtarësh kanë zbuluar një parajsë të fshehtë, të krahasueshme me Balin, me vendpushime luksoze, sipas një artikulli të botuar në “Daily Mail”.
Fshati bregdetar shqiptar i Dhërmiut është quajtur perla e fshehur e Evropës.
Ndërsa shumë vizitorë evropianë po vërshojnë në plazhet e mbushura me turistë të Greqisë dhe Italisë, të tjerë kanë rezervuar një udhëtim në qytetin spektakolar i cili është cilësuar si një nga sekretet më të ruajtura të kontinentit.
Aventurierët po shkojnë drejt perlës së fshehur të ëndërruar si, Bali, i cili ofron plazhe të kristalta të pastër, peizazhe mahnitëse, bare, hotele dhe restorante luksoze.
Blogerët e udhëtimeve Scott dhe Sal, nga Britania e Madhe, dokumentuan qëndrimin e tyre në Dhërmi, të cilin e quajtën të nënvlerësuar dhe ”Balin evropian”.
Dhërmiu është pak më shumë se tre orë me makinë në jug të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, dhe ka pesë kilometra vijë bregdetare mahnitëse të mbushur me bare plazhi dhe resorte të jashtëzakonshme.
Ndodhen dy seksione, gjysma e sipërme, ku shtrihet qyteti i vjetër i çuditshëm, ndërsa gjysma e poshtme është vendi ku ndodhet plazhi, restorantet dhe hotelet.
Ndërsa temperaturat kanë filluar të bien në Australi, Shqipëria po hyn tashmë në muajt e saj të verës duke e bërë atë një destinacion perfekt për t’u larguar nga i ftohti dimëror.
“Ju mund te zbuloni Balin evropian në vendin më të paparashikuar”, shkruan Scott dhe Sal në një video në Instagram, e cila mori më shumë se 1.6 milion shikime.
Çifti qëndroi në “La Brisa Boutique Hotel”, i cili ofron pamje spektakolare të perëndimit të diellit, dhe dhoma me 145 dollarë nata dhe një plazh privat.
Ata shijuan gjithashtu pamjet panoramike të ujërave të gazuar të detit Jon në “Sanur Beach House”, e cila u frymëzua nga plazhet e njohura të Balit.
“Kjo është kaq e bukur. Shqipëria është perla e fshehur e Evropës”, shkruan një shikues.
“Një vend paksa i ndryshëm evropian, por duket i mahnitshëm”, shtoi një shikues tjetër./atsh / KultPlus.com
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello ka pritur turistët nga vende të ndryshme të botës të ardhur me kroçerën që ka mbërritur për herë të parë në Vlorë.
Kroçera me 138 persona në bord ka mbërritur për herë të parë në Vlorë dhe vjen nga Korfuzi. Turistët që ndodhen në brendësi të saj janë nga SHBA, Kanadaja, Australia, Irlanda, Qiproja, Zvicra, Hungaria, Ruanda, Norvegjia, Italia, Kina.
Qyteti i Vlorës mbetet një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.
Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej./atsh/KultPlus.com
Në Tiranë u zhvillua Konventa Ndërkombëtare e Turizmit nën logon “FESTA”, një event i rëndësishëm që bëri bashkë personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare, si edhe aktorë të linjës për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit të turizmit, si një sektor potencial me kontribut të madh në ekonomitë e vendeve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo ishte një javë dedikuar turizmit, me mijëra pjesëmarrës online e ne sallë, nga 38 vende të botës që tani janë bërë miq të Shqipërisë.
Kumbaro falënderoi veçanërisht skuadrën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për përkushtimin në mbarëvajtjen e këtij eventi.
“Por gjithë sa pamë në ‘FESTA’ s’do të ishte e mundur pa përkushtimin e sinqertë, angazhimin orar pa orar, harmoninë e grupit dhe koordinimin perfekt të skuadrës së mrekullueshme të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Me zemër organizojmë gjëra që na bëjnë krenarë dhe me zemër ju falënderoj për gjithçka”, u shpreh ministrja, ndërsa ndau foto të ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit./atsh/KultPlus.com
Parkut Arkeologjik i Bylisit po përgatitet për hapjen e sezonit turistik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli sot në rrjetet sociale një album fotografik me pamje nga Bylisi antik.
“E nisim javën me punët e mira të punonjësve të Parkut Arkeologjik të Bylisit, të cilët po përgatiten për hapjen e sezonit turistik”, shkruan ministrja Margariti.
Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis është pa dyshim një nga më të bukurit në Shqipëri, me mozaikë dhe pamje madhështore. Ai është i vetmi në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaikë të periudhës së antikitetit të vonë. Një hapësirë që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve.
Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis ka thesarin e mozaikëve paleokristian, të shekullit V – VI, më të bukur e të mëdhenj jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan.
Vazhdimisht aty janë kryer ndërhyrje si dhe sistemime të mbetjeve të ngurta, të dala nga gërmimet arkeologjike ndër vite. Gjithashu është punuar me ringritjen e blloqeve përreth monumenteve të qytetit antik për të rritur vizibilitetin e sitit./ atsh / KultPlus.com
Mbrëmja e 14 marsit ka ofruar një shfaqje të rrallë mbi Liqenin Artficial në Tiranë.
Me një regji mbresëlënëse 500 dronë u shfaqën me ndriçimin e tyre mbi liqen duke sjellë për të pranishmit momente emocionuese.
Një zemër e ndriçuar, harta e Shqipërisë dhe “Faleminderit Shqipëri” ishte figurat që dronët sollën për të pranishmit që kishin rrethuar Liqenin Artificial.
Shumë prej tyre i fiksuan momentet në celulare dhe pamjet po bëjnë xhiron e tyre në rrjetet sociale.
“Magjia e Tiranës” shkroi në rrjetet sociale kryeministri Rama i cili shpërndau videon e spektaklit.
Shfaqja ishte një orgnizim i Bashkisë së Tiranës në mbyllje të aktiviteteve të shumta me rastin e Dites së Verës në kryeqytet./ KultPlus.com
Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut.
Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913. Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esad Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve.
Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia. Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.
Vilhelm Vid vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945. / KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve gjatë muajit janar.
Krahasuar me vizitorët e janarit të vitit 2022, ajo janë rritur me 345%.
Gjatë muajit janar, të vitit 2022, Muzeun Historik Kombëtar e kishin vizituar 355 persona në total, ndërkohë që ky fillimviti rezultoi shumë i susksesshëm, me 1578 vizitorë.
Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut.
Godina e MHK, një monument i kategorisë II, do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë.
Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj.
Synimi është që ky muze të ketë më shumë hapësira ekspozitash të përhershme dhe të përkohshme, në mënyrë që muzeu të jetë sa më dinamik; të ketë sa më shumë hapësira edukimi për fëmijë, hapësira për takime, workshope, librari, ambiente për familjen dhe patjetër ambiente të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve./ atsh / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur thirrjen për aplikime në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj.
Thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç, të cilët duan të botojnë dorëshkrimet e tyre të para.
Aplikimi kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.
Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese. Aplikimi fillon sot dhe përfundon në datën 10 mars 2023.
QKLL thotë se për rastet kur dokumentacioni nuk do të jetë i plotë, aplikimi nuk do të merret në shqyrtim për fazën përzgjedhëse.
Aplikimet do të dorëzohen në formë të printuar, dorazi ose në rrugë postare, në zyrën e Protokollit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit brenda datës 10 mars./ atsh / KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka postuar në rrjetet sociale një video të filmuar në “Shtegun e ngjyrave”, në Kukës dhe që kohët e fundit është bërë virale në rrjet, duke promovuar alpet e Shqipërisë.
Videoja me kuajt e Afrim Tahirajt, një udhërrëfyes lokal, është rimarrë nga faqja @beautifuldestinations dhe ka bërë xhiron e botës.
Beautifuldestinations me 25 milionë ndjekës, është vetëm njëra nga shumë prej faqeve që kanë shpërndarë këtë video. Përveç saj janë dhe Nature, Earthbestshots, Heaven, Kingdom of Horses, Natgeomagarab etj.
Video në total ka arritur mbi 35 milionë shikime në dy javët e fundit, duke arritur madje 1 milion pëlqime te faqja “Heaven”.
Xhirimi i bukur me kuajt e lirë, me një peizazh befasues, shfaq bukurinë natyrore dhe qetësinë që ofron Kukësi e Shqipëria, duke ftuar miliona ndjekësit e këtyre faqeve, në një udhëtim nëpër veriun e vendit./ atsh / KultPlus.com
Dita e sotme do të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.
Vendimi u mor nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti edhe me Turqinë mike, e cila iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ëhstë shprehur se në këtë ditë flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Gjithashtu, Rama është shprehur se “dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”.
Numri i të vdekurve të raportuar nga tërmetet në Turqi dhe Siri tejkaloi dje shifrën 34 000, ndërsa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë në rrënoja veniten çdo orë./ atsh / KultPlus.com
Pas votimeve në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, u shpallën tre fituesit për titullin akademik: prof. Adem Bunguri, prof. Anila Hoda dhe prof. Valter Memishaj.
Pas afro një viti konkurrim, u përmbyll zgjedhja e kandidatëve të regjistruar për katër fusha të reja të hapura me vendim të Asamblesë.
U regjistruan gjithsej 9 kandidatë, nga të cilët 6 prej tyre u kualifikuan për garën përfundimtare.
Në përfundim të votimit, komisioni bëri të njohur për të pranishmit në sallë dhe për ata në linjë (online) se nga katër fusha pati fitues vetëm për tri prej tyre, si vijon:
Prof. Adem Bunguri për shkencat arkeologjike për titullin akademik, prof. Anila Hoda për shkencat e mjekësisë veterinare, për titullin akademik si dhe prof. Valter Memishaj për shkencën e gjuhësisë, për titullin akademik.
Komisioni do të shpallë në vijim, pasqyrën analitike të rezultateve për të gjithë kandidatët.
Në përfundim, kryesia e Akademisë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në garë, institucionet dhe organizmat që u përfshinë në përzgjedhjen, vlerësimin dhe votimin e tyre. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një prej moleve që po ndërtohet në Liqenin e Shkodrës.
“Në Zogaj, ku po ndërtohet një prej tre moleve në Liqenin e Shkodrës, me të gjitha parametrat në funksion të lundrimit në natyrën e bekuar në zonën liqenore, që shihet edhe si një perspektivë e re turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, tha Kryeministri ndërsa ndau pamjet e molit të ri.
Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë rrugën Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi rreth 6 km e gjatë ku shumë shpejt nis ndërtimi.
Po ashtu, do të investohet në lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.
Në Shkodër do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.
Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, faza 1, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.
Po ashtu ndërhyrje parashikohet në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit./ atsh / KultPlus.com
Parku Kombëtar i Alpeve gjatë vitit të kaluar ka qenë një ndër destinacionet më të vizituara në vendin tonë.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër tha për ATSH-në se “lumi i Gashit, Lugina e Valbonës, Thethi, Vermoshi dhe Boga nga janari deri në dhjetor të 2022 u vizituan nga 230 944 turistë”.
“Konkretisht në këtë periudhë 104 595 ishin turistë vendas dhe 126 349 të huaj”, tha ADZM Shkodër.
Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit janë të pakta dhe në gjendje të keqe.
Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com
Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës fton plot të apasionuar në çdo stinë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ky park me mozaikun e bukurive natyrore me Majën e Kallkanit, Majën e Zezë, Shkëmbin e Koklit, Majën e Rreshpës dhe Liqenet akullnajore të Rrajcës.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë./atsh / KultPlus.com
Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha për ATSH-në se “gjatë këtij viti Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, ku në janar-dhjetor u vizitua nga rreth 400 mijë vizitorë, ku 80% e turistëve janë të huaj”.
“Ky është numri më i lartë i vizitorëve në të gjithë historinë e qytetit tonë. Vitet e fundit turistët po kalojnë më shumë kohë në qytet. Më herët turistët kryenin vizita ditore, ndërsa tani ata qëndrojnë të paktën 1-2 netë në qytet dhe kanë mundësi të njihen më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë”, tha Demo.
Ndër atraksionet më të vizituara Demo përmend Kalanë, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik dhe Solomon.
“Një vëmendje të veçantë zënë edhe objektet e kultit, si kishat dhe xhamitë, të cilat vitet e fundit janë restauruar ”, tha Demo
Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia.
“Bashkia gjatë gjithë vitit, por sidomos në sezonin veror ka organizuar një sërë aktivitetesh çdo fundjavë si teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, festa e miqësisë, ekspozita, etj., të cilat kanë sjellë një numër të lartë turistësh në qytetin e një mbi një dritareve”, tha Demo.
Sa i përket investimeve në sektorin e turizmit, Demo shprehet se “180 biznese të reja janë hapur kryesisht në lagjet kryesore turistike të qytetit”.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./ atsh / KultPlus.com
Qyteti i Krujës është promovuar nga “Voyaged”, një prej faqeve më të njohura të destinacioneve botërore.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se “kartolina e mbrëmjes vjen nga @voyaged, faqja e ndjekur nga miliona njerëz nëpër botë, që promovon Krujën tonë”.
“Duke shëtitur në rrugët e Krujës”, shkruan “Voyaged” duke publikuar edhe disa fotografi nga qyteti i Krujës.
Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri.
Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.
Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / atsh / KultPlus.com
Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë dhe Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror “Natyrë pa kufij” mes Ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini.
“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel evropian e ndërkombëtar, siç është për shembull brezi i gjelbër evropian. Për sa i përket turizmit, i shohim zonat e mbrojtura si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e ekoturizmit me gjithë format e tij”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.
“I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë. Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çka është mjaft e vlefshme. Në vitin 2013 e kemi rritur territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit në 53.469 hektarë”, u shpreh ministri Aliu.
Ministri Aliu u shpreh se përveç destinacionit turistik të Brezovicës, ka një plan hapësinor për të zhvilluar zona të tjera të turizmit malor dimëror, por edhe veror, në përputhje me kriteret e mbrojtjes së natyrës.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura, por nga ana tjetër siguron një menaxhim të qëndrueshëm duke mos i kthyer ato në muze të natyrës, por krijojnë mundësi të reja për zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.
“Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës, duke u përballur më mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit dhe formave alternative të turizmit”, tha Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.
Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara që do të mbështesë këtë projekt.
Nga ana tjetër, Daniel Pirushi, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura sqaroi se brenda tre muajsh do të ngrihet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt./ atsh / KultPlus.com
Shishtaveci, 30 km larg Kukësit është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më të preferuara të turizmit malor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Shishtaveci duke ftuar turistët ta vizitojnë atë, sidomos në stinën e dimrit kur mbulohet edhe nga dëbora.
Kumbaro e cilësoi Shishtavecin, pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhet e veçanta dhe monumentet e natyrës që nga pyjet me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut apo Bjeshkët e Shishtavecit si një prej xhevahirëve të veriut.
Fshati Shishtavec ndodhet në verilindje të Shqipërisë, në lartësinë 1260 m mbi nivelin e detit. Ai shtrihet buzë një kodre pothuajse shkëmbore, në lartësinë e së cilës ndodhet Kamenica me 1330 m lartësi.
Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Po ashtu Bjeshkët e Shishtavecit dhe të Kallabakut, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e udhëtimeve dhe ekskursioneve./ atsh / KultPlus.com
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi se specialistët e AdZM Berat kanë kryer një monitorim tek monumentet e natyrës “Kanionet e Gradecit” dhe “Shpella e Pirogoshit”.
“Këto monumente kanë një veçanti”, thuhet në postim. Në brendësi të monumentit “Kanionet e Gradecit” gjendet edhe monumenti “Shpella e Pirogoshit”.
Shpella e Pirogoshit ka një hyrje të gjerë 12 m dhe me lartësi 4-5 m. Gjatësia e eksploruar deri më tani është 1853 m. Shpella, përgjithësisht është lehtësisht e kalueshme dhe në brendësi të saj gjenden stalaktite e stalagmite. Gjithashtu kjo shpellë është strehë për një koloni lakuriqësh nate.
Shpella e Pirogoshit është më e madhja në Skrapar e ndër më të veçantat në Shqipëri.
Kjo shpellë është vizituar nga shumë grupe speleologjike të huaja franceze dhe holandeze. Eksplorimi i plotë i saj, u krye në vitin 1995 nga speleologët italianë të grupeve “Puglia Grotte dhe Dauno”./ atsh /KultPlus.com
Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë gjatë këtij viti ka shënuar një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se mbi 65,000 vizitorë kanë vizituar nga janari deri në nëntor muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilët u njohën me historinë dhe traditat shqiptare”.
“Vetëm gjatë festave të nëntorit muzeu u vizitua nga 2 mijë vizitorë vendas, por nuk mungonin edhe të huajt”, theksoi Hafizi.
Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe pritet të jetë gati sa më shpejt për të pritur vizitorët”.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.
Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./ atsh / KultPlus.com