Ricky Martin: Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë

Këngëtari i njohur i muzikës latine Ricky Martin do të performojë për herë të parë në Tiranë. Ylli botëror i cili po zhvillon turin e tij “Ricky Martin Symphonic”, do të ndalojë dhe në vendin tonë.

Lajmin e konfirmoi vetë këngëtari i cili në rrjetet sociale shkroi: “Po!!! Shumë i lumtur të njoftoj se do të jem në Tiranë, Shqipëri më 20 korrik me koncertin tim simfonik dhe Orkestrën Kombëtare të Tiranës. Shpresoj që të gjithë të mund të më bashkoheni në koncertin tim të parë në Shqipëri”.

Përpara koncertit të Ricky Martin, një tjetër këngëtar po aq i njohur dhe i dashur për publikun, do të performojë në Tiranë. Enrique Iglesias do të jetë në sheshin Skënderbej në fund të muajit qershor duke nisur kështu Javën Kulturore Spanjolle.

Lajmin për koncertet e dy prej figurave më të rëndësishme të muzikës latine e dha edhe kryeministri Edi Rama. / KultPlus.com

“Det spektakolar dhe peshk i freskët”, Shqipëria në krye të 8 destinacioneve turistike të italianëve

Nga Xhamajka në Pragë, përmes Dubait dhe Ishujve Aeolian, këtu janë 8 udhëtime spektakolare nëse jeni duke vendosur se ku do të shkoni me pushime, të cilat zakonisht varen nga tre faktorë; çfarë kërkoni – qoftë argëtim, det apo aventurë dhe zbulime të reja – sa kohë keni në dispozicion dhe sa dëshironi të shpenzoni.

Për t’iu përgjigjur çdo kombinimi të përgjigjeve, Grazia.it ka përpiluar një listë që i përshtatet nevojave dhe buxheteve të secilit. Ajo që bie në sy është se për herë të dytë në pak ditë, revista italiane ka renditur Shqipërinë në krye te destinacioneve të kësaj vere.

Nga çatitë spektakolare të Dubait te klubet magjepsëse të Panarea-s, duke kaluar nëpër trenat e Holandës që shohin fushat e tulipanëve. Përveç destinacioneve më tradicionale (si Malta, Pulia dhe Spanja) janë edhe ato të përshtatshme për një fundjavë, si bukuritë e Pragës dhe për ata që e duan natyrën, por nuk duan të humbasin jetën e natës së qytetit, është Estonia.

Dhe më pas vjen deti i Shqipërisë, ku plazhet dhe klubet mahnitëse alternohen me ambiente ku mund të relaksoheni dhe të kaloni një pushim të qetë. Së fundi: ata që duan të largohen me miqtë, por kanë pushime të ndryshme nga miqtë, mund të zgjedhin një nga udhëtimet grupore të organizuara nga projekte si WeRoad, është Havai. Ndërsa për aventurierët e vërtetë, së fundi, për ata që duan tokat e largëta dhe detin, është Xhamajka.

Nga Evropa në pjesën tjetër të botës, këtu janë tetë destinacione që janë të gjitha magjepsëse për t’ju dhënë idenë e përsosur se ku të shkoni për pushime këtë vit. / a2cnn / KultPlus.com

“Lonely Planet” artikull për Butrintin: Udhëtohet edhe nëpër kohë

Një nga kompanitë më të mëdha mediatike që merret me promovimin e dhe kontrollin e cilësisë së turizmit në të gjithë botën, “Lonely Planet”, ka bërë një artikull për qytetin antik të Butrintit, të cilin e ka titulluar “Në Butrint të Shqipërisë udhëtohet (edhe) nëpër kohë”.

Shkrimi jep një panoramë të gjerë të qytetit të lashtë, ku përshkruan kohën se kur daton, vendndodhjen gjeografike, por gjithashtu citon edhe mitologjinë klasike, konkretisht poetin e lashtë romak Virgjilin.

Në artikull shkruhet: “Nga këta shekuj të parë, ka ende gjurmë të dukshme në zonën arkeologjike. Një pyll i dendur dhe i qetë dhe, në mes të tij, pamje të arkitekturës antike. Këto janë gjurmët e kalimit të qytetërimeve të shumta, të cilat nga shekulli i VIII pr.e.s. e tutje, u alternuan në këtë segment të bregdetit në jug të Shqipërisë.

Në këtë shtrirje jugore të Shqipërisë, jo shumë larg kufirit me Greqinë, bregdeti krijon një hyrje të thellë që i ngjan një liqeni të brendshëm. Është liqeni i Butrintit në fakt dhe lidhet me detin Jon nëpërmjet kanalit të Vivarit.

Pikërisht përgjatë rrjedhës së këtij kanali të qetë ndodhet një gadishull i vogël, i gjelbëruar dhe i rrumbullakosur, i pushtuar tërësisht nga Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 1992. Sipas mitologjisë klasike, megjithatë, të mërguarit që u larguan nga Troja pas rënies së saj do të kishin themeluar qytetin e njohur në kohët e lashta si Buthrotum dhe është gjithmonë poeti Virgjili ai që kujton se Enea vizitoi Butrintin gjatë udhëtimit të tij në Itali”.

Në artikull nuk mungojnë as të dhëna historike që janë shkruar pë qytetin antik të Butrintit, si periudha kur ai u pushtua nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, ku citohet: “Por historia e Butrintit nuk përfundon me Perandorinë Romake. Qyteti ishte një rezidencë peshkopale në shekullin e 5-të, më pas u mor nga venecianët, iu dorëzua Napoleonit, më në fund u pushtua nga Ali Pasha në fillim të shekullit të 19-të”.

Artikulli përfundon shkrimin me një rekomandim për të gjithë turistët, se kur mund të jetë koha e duhur për të vizituar këtë qytet antik, e ku nuk lë pa përmendur as bregdetin e Sarandës, si një destinacion që nuk duhet humbur: “Rreth njëzet kilometra larg Butrintit ndodhet qyteti i Sarandës, një destinacion kryesor për ata që ëndërrojnë një pushim plazhi mes plazheve të bardha dhe ujërave të kristalta.

Vlen të organizohet një vizitë në zonën arkeologjike të Butrintit në sezonin e ulët ose, nëse kjo nuk është e mundur, në kohë më pak të ngarkuara, si në mëngjes herët, për të shmangur turmat”./ rtsh / KultPlus.com

UNUM Festival, Kumbaro: Kartëvizitë prestigjioze e Shqipërisë turistike

Shëngjini do të presë nga 1-6 qershori festivalin ndërkombëtar të muzikës elektronike, UNUM.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe organizatorë të tjerë të këtij festivali zhvilluan një takim, që i paraprin nisjes së UNUM Festival.

Kumbaro tha se, ky festival do të mbledhë mijëra të rinj nga Evropa, duke u kthyer në kartivizitë prestigjioze të Shqipërisë turistike.

“Këtë vit ky festival vjen me mbi 90 artistë nga e gjithë bota, por edhe me ndjeshmërinë për mjedisin, me aktivitete për mirëmbajtjen e zonës dhe pastrimit, ndarjes së mbetjeve për riciklim, që janë po aq të rëndësishme sa vetë muzika”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se, “është një festival miqësor me mjedisin në zonën ku zhvillohet nga data 1 deri më 6 qershor dhe sigurisht ka gjetur vendin ideal të një perle të bregdetit si Rana e Hedhun”.

Gjatë ditëve të këtij festivali do të zhvillohen aktivitete sportive, muzikore e promovuese të bregdetit shqiptar, të gjitha nën kurorën e mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm.

”The Sun”: Isha në Ksamil, në Maldivet e Evropës, dhe rashë në dashuri me atë vend

Një zonjë britanike ka përshkruar vizitën e saj në “Maldivet e Evropës” dhe arsyen pse ajo ra në dashuri me këtë vend, sipas gazeta e njohur britanike ”The Sun”.

”Për shumë njerëz, plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat blu të pastër i bëjnë Maldivet një destinacion të rëndësishëm. Por, udhëtimi atje nuk është gjithmonë i lehtë.

Fluturimet janë të gjata dhe të shtrenjta, që do të thotë se njerëzit përfundojnë duke kërkuar alternativa më afër shtëpisë.

Megjithatë, një zonjë britanike dhe Tiktok-eri “The Travel Mum” zbulon se sa e lehtë është të udhëtosh diku me pamje të ngjashme, pa pasur nevojë të largohesh nga Evropa.

Në një video, ajo ka shpjeguar se si mund të shkohet në Ksamil, të cilit i referohet si “Maldivet e Evropës” dhe saktësisht se çfarë mund të presin vizitorët.

Pamjet e saj janë parë mbi një milion herë në Tiktok, ku ajo dhe familja e saj shihen duke shijuar plazhet me rërë me ujëra bruz si dhe perëndimin e diellit në ngjyrë portokalli të ndezur, nga ballkoni i hotelit.

Për më tepër, plazhi është shumë i qetë, që do të thotë se pushimet e saj dukeshin të qeta dhe relaksuese.

Njerëzit u mahnitën nga ajo që panë në video dhe thanë se do ta mendonin ta vizitonin vetë.

“Një vend që nuk e kisha menduar kurrë se do ta vizitoja. Do të shkoj të kërkoj më shumë në këtë vend”, shkroi një komentues.

“Duket një vend i mahnitshëm”, tha një tjetër.

Megjithatë, një komentues i tretë ishte i shqetësuar se sa i vështirë do të ishte udhëtimi atje.

“Si udhëtohet atje? A është e vështirë?”, tha ai.

Në një video tjetër, zonja shpjegoi se atje mbërriti shumë lehtë.

Ajo tha se “ne vazhdojmë të dëgjojmë për Maldivet e Evropës, kështu që le t’i shohim. Ka disa gjëra që duhet të bëjmë për të mbërritur deri atje dhe e para është të marrim një avion për në Korfuz”.

“Tani që jemi në Korfuz po i drejtohemi portit dhe marrim një traget për në Sarandë. Ne kemi rregulluar paraprakisht të marrim me qira një makinë, çmimi i së cilës na u ul 25%, deri në destinacionin tonë përfundimtar në Ksamil”, shton ajo.

Përveç vendpushimit dhe sa e thjeshtë ishte për të mbërritur deri atje, TikTok-erja ishte gjithashtu e kënaqur me atë se sa e përballueshme ishte gjetja e akomodimit, me vendndodhje të përshtatshme.

“Ne kemi rezervuar një apartament në qendër, me dy dhoma gjumi, për vetëm 190 paund për gjashtë netë. Është një vend i shkëlqyer për të shijuar plazhet e shumta të bukura, por edhe për të eksploruar disa vende të mrekullueshme aty pranë. Sapo shpenzuam pesë paund në supermarket për të ushqyer pesë persona”, shton ajo.

“Ne jemi absolutisht të dashuruar me Shqipërinë”, përfundon zonja britanike.

Për ata që nuk janë të interesuar të marrin një traget nga Korfuzi, ka një mënyrë edhe më të lehtë për të arritur në Ksamil nga Britania e Madhe.

Fluturimet janë më të shpejta se sa deri në ishujt Kanarie, pasi të duhen vetëm tre orë për të mbërritur atje.

Linjat direkte lidhin Shqipërinë me Londrën, Manchesterin, Birminghamin, Bristolin dhe Newcastle.

Dhe ky vend i panjohur pushimesh është vetëm tre orë larg Britanisë së Madhe./ atsh / KultPlus.com

Rama: Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me Greqinë fqinje

Me moton “Shqipëria mikpret botën”, Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me aktivitetet kulturore të Greqisë.

Kryeministri Edi Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se është kënaqësi nisja e Javëve Kulturore Ndërkombëtare me Javën e Greqisë fqinje, e cila është përkundur në djepin e një tradite të madhe.

Ndryshe nga viti i kaluar, në të cilin ishin pjesëmarrës 18 shtete, këtë vit do të jenë prezente 20 vende të ndryshme. Holanda, Mali i Zi dhe Azerbajxhani vijnë për herë të parë në edicionin e dytë të këtij eventi të madh kulturor.

E konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore, çdo javë do t’i dedikohet një shteti, ku në fokus do të jenë promovimi i vlerave dhe shkëmbimi i eksperiencave.

Nëpërmjet këtij organizimi synohet njohja dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Mbi 700 artistë do të bëhen pjesë e programit, ku ndër ta do të jenë dhe emrat të njohur të arenës ndërkombëtare.

Edicioni i dytë i këtij viti përfundon më 30 nëntor 2023./ atsh / KultPlus.com

‘Në vend të Mykonosit, provoni Shqipërinë’, Washington Post: Ujë kristal dhe çmime të përballueshme

Shqipëria sërish është bërë pjesë e mediave prestigjoze botërore.

Washington Post u ka sugjeruar qytetarëve amerikanë nëntë destinacione pushimesh verore më pak të mbipopulluara me njerëz, mes tyre edhe Shqipërinë.

Media amerikane shkruan që në vend të Mykonosit në Greqi, pushuesit mund të provojnë Shqipërinë, pasi do të gjejnë ujë të pastër kristal dhe çmime të përballueshme.

“Në vend të Mykonosit, provoni Shqipërinë. Greqia renditet lart për udhëtarët amerikanë këtë verë dhe ministri grek i turizmit Vasilis Kikilias po parashikon 10 deri në 20 për qind më shumë vizitorë në vend këtë vit se sa i kaluari. Si fillim, ishulli grek i Mykonos ishte destinacioni kryesor ndërkombëtar në trend i Airbnb për përdoruesit amerikanë. Për një alternativë me ujë të pastër kristal dhe çmime të përballueshme, provoni fqinjin verior të Greqisë, Shqipërinë. Do të gjeni plazhe mesdhetare përgjatë Rivierës Shqiptare, dhe në brendësi, malet janë idilike për ecje, çiklizëm dhe qytete antike”, shkruan media e famshme.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjete sociale artikullin e Washington Post.

“JA EDHE KOLOSI MEDIATIK Washington Post, me jehonën e tij për Shqipërinë turistike e cila u jepet lexuesve si alternativa më e mirë edhe krahasuar me të superfamshmin Mikonosin fqinj, duke i ftuar të provojnë eksperiencën unike përgjatë bregdetit shqiptar me plazhe të kristalta qytete antike dhe male perfekte për sporte natyrore si paketa më e plotë e turizmit të qëndrueshëm, në vend të destinacioneve të mirënjohura por edhe të mbipopulluara të Mesdheut”, shkruhet në postimin e Ramës./Top Chanel/KultPlus.com

”The Telegraph”: Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri

Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri, shkruan Mark Stratton për ”The Telegraph”.

”Me ujërat e tij bruz, rërën e bardhë dhe palmat, qyteti bregdetar shqiptar i Ksamilit ofron një version ekonomik të plazheve tropikale.

Pashë një postim në Instagram pak kohë më parë që përshkruante qytetin bregdetar shqiptar të Ksamilit si Karaibet e Evropës. Kishte më shumë se një ngjashmëri kalimtare, me palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat e diellit me kashtë. Me shqetësimin aktual mbi emigracionin shqiptar që po zien, fillova të imagjinoja një rrëfim alternativ të britanikëve ”të uritur” për diell, që dynden në drejtim të kundërt për të kërkuar pak rreze dielli karaibike. Kështu që vendosa të bëj një vizitë, për ta parë tamam se si bëhej ky krahasim.

Ksamili është sigurisht më i shpejtë dhe më i lirë për të shkuar se sa ishujt Barbados. Fluturova për në Korfuz, ishulli më i afërt grek me Rivierën Shqiptare, që shtrihet përreth 160 kilometra përgjatë bregut lindor të detit Jon. Nga qyteti i Korfuzit është një kalim me traget për 40 minuta drejt Sarandës.

“Atje ka shumë siguri dhe qetësi”, më tha taksisti që më çoi në portin e Korfuzit.

Në Sarandë, guida Gëzim Shimi qeshi kur i thashë komentin e taksistit grek.

”I gjithë publiciteti është i mirë. Gjatë viteve të fundit, unë kam udhëhequr shumë britanikë kureshtarë për të parë se si është Shqipëria në të vërtetë”, më tha Gëzimi.

Udhëtuam 30 minuta në jug të Sarandës për në Ksamil, i cili ndodhet pak mbi kufirin e Greqisë Veriore. Ksamili nuk ekzistonte derisa regjimi komunist i Enver Hoxhës e vendosi atë në vitet 1960 si bazë për prodhimin e vajit të ullirit. “Është vetëm disa milje nga Korfuzi, kështu që vetëm ata me prejardhje të besueshme politike lejoheshin të jetonin këtu gjatë komunizmit”, tha Gëzimi.

”Shqiptarët rrezikonin jetën duke marrë varka të vogla apo edhe duke notuar drejt Korfuzit, për t’i ikur marrëzisë staliniste të Hoxhës”, shton ai.

Ksamili është një qytet i vogël, i mbrojtur nga tre ishuj të gjelbër në det. Plazhi është i mbushur me hotele, restorante dhe bare dhe është i ndarë për përdorim privat, megjithëse shumica ishin të mbyllura kur mbërrita para sezonit. Vetëm një numër i vogël njerëzish ishin të zhytur në shtretër, nën çadra me kashtë.

”Poda Boutique Hotel” është i hapur dhe unë takova autoren e postimit në Instagram që më tërhoqi këtu, Anna Poda, drejtoreshë menaxhuese e këtij biznesi familjar me 20 dhoma.

“Ju mund të shihni se deti bruz dhe rëra e bardhë janë pothuajse si të Karaibeve”, thotë ajo.

”Britanikët, gjermanët dhe italianët zënë tre vendet e para. Njerëzit vijnë për 310 ditë me diell çdo vit dhe çmime vërtet janë të mira”, shtoi ajo.

Sedimentet nga malet e mermerta përreth krijojnë një fund deti me rërë të bardhë që jep një ngjyrë të mrekullueshme qumështi. Dhe dhoma ime dyshe, me pamjen e saj të mrekullueshme të ballkonit drejt Korfuzit, kushton vetëm 80 paund për natë. Përgjatë gjithë kohës, Riviera Shqiptare ka pasur vlera të jashtëzakonshme, veçanërisht kuzhina e ndikuar nga italianët, e pasur me ushqime deti. Në hotel, një vakt me tre pjata me sallatë greke, linguini me midhje dhe levrek të pjekur në skarë kushton vetëm 2 250 lekë (17 paund).

Megjithatë, nuk kishte asgjë nga Karaibet kur një shi i lehtë filloi të nesërmen në mëngjes. Për fat të mirë, një peizazh historik, aq i mirë sa kudo në Evropë, është pranë Ksamilit, me qytetërimet greke, romake dhe osmane që kanë lënë gjurmët e tyre.

Butrinti është një nga tre vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Shqipërisë dhe një vlerë arkeologjike. Virgjili e përmendi atë në “Eneidën” si datimin para rënies së Trojës, por lavdia e vërtetë filloi rreth shekullit III para Krishtit me romakët që u futën brenda dhe lanë struktura karakteristike sublime, përfshirë një teatër 3 000 vendesh me mbishkrime latine.

Një orë ecje me makinë na çoi në malet për në Gjirokastër, shtëpitë trekatëshe osmane prej guri dhe kalaja e përmasave të Kështjellës Windsor pothuajse nuk kanë ndryshuar që nga shekulli XVIII. Ajo u njoh nga UNESCO në vitin 2005. Kuzhina është e ndikuar nga osmanët. Për drekë, hëngra imam bajalldi, një pjatë e quajtur sipas emrit të një kleriku mysliman, i cili konsumoi shumë patëllxhanë të mbushur dhe i ra të fikët.

Diku tjetër, plazhi i Porto Palermos mbikëqyret nga një kështjellë me mure të trasha e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si një mburojë kundër britanikëve në Korfuz.

Porto Palermo ka gjithashtu një bazë të braktisur nëndetësesh me një tunel të gjatë. Gëzimi tha se u deshën 30 vjet për ta ndërtuar, kryesisht sepse Hoxha u konfliktua me BRSS-në dhe Kinën, të cilët po financonin ndërtimin e saj. Si kompensim, ai refuzoi të kthente katër nëndetëse sovjetike.

Natën e fundit e kalova pranë Vlorës, ku deti Jon takohet me Adriatikun dhe hoteli ”Paradise Beach” ka dhoma dyshe të mëdha me pamje nga deti për 75 paund. Ajri i mbrëmjes ishte i ngrohtë, deti në ngjyrë blu dhe stafi më trajtoi si një mik të humbur prej kohësh.

Kujt i duhen Karaibet kur keni përpara një gotë raki që i kthen ishujt e largët grekë në silueta?”./ atsh/ KultPlus.com

Përurohet mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, i cili iu nënshtrua restaurimit, u përurua sot në një ceremoni të veçantë në sheshin “Skënderbej”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se, “është emocionuese që ia dolëm kësaj dite, që përtej vështirësive të orëve të para pas tërmetit, u kthye për të gjithë ne në një motivim pune, shprese, për të arritur këtu ku jemi, për të rimëkëmbur atë çfarë është e bukura jonë shqiptare, por mbi të gjitha për t’i ridhuruar Tiranës një kartëvizitë të vërtetë, siç është mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar”.

Margariti u shpreh se, nuk do t’ia kishte dalë dot e vetme, pasi theksoi ajo, “është patjetër falë edhe mbështetjes së skuadrës së madhe të Ministrisë së Kulturës, që në asnjë moment nuk hezitoi që të hartonte me qindra projekte objektesh të dëmtuara”.

Ajo dha një falënderim të veçantë edhe për ambasadorin Soreca, i cili theksoi Margariti, “besoi që në fillim dhe na shtriu dorën e bashkëpunimit dhe gjithë ambasadorët e pranishëm këtu që kanë qenë prezentë, jo vetëm në rastet e vështira, por sa herë që kemi pasur për të celebruar atë çfarë na lidh bashkë, që është e bukura”.

“Faleminderit edhe ambasadores Hohmann që e mori stafetën në një moment të vështirë, kur dukej se kantieret e restaurimit ishin futur në problematikat e mëdha, por së bashku ia dolëm të arrijmë në këtë ditë”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se restaurimi i mozaikut ka qenë punë e gjatë dhe e vështirë.

“Të restaurosh një mozaik, të vendosësh ca teserina mund të dukej si një rrugë e lehtë, por nuk ka qenë e tillë. Më vjen mirë që kemi bashkëpunuar me të njëjtën fabrikë, e cila në vitet ’80 ka realizuar këto teserina dhe ndodhet në Venecia. Me habinë e madhe të tyre panë se si kishim ruajtur në magazinat tona këtë numër të lartë të teserinave dhe sot i riprodhoi me të njëjtën cilësi si atëherë, për të bërë këtë kartëvizitë që është shumë simbolike”, tha Margariti.

Margariti bëri të ditur se, shumë shpejt do të nisë projekti i madh për restaurimin e plotë të Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann në fjalën e saj falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për restaurimin e mozaikut.

“Jnë vërtet artistë, të cilët me të gjitha aftësitë e tyre, me artin e tyre kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kanë mësuar edhe studentët, duke i përçuar këto aftësi tek të rinjtë. Falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ekipin e UNOPS, nuk mund t’ia kishim dalë pa ju”, tha Hohmann.

Ambasadorja Hohmann u shpreh se, “ju dëgjuat që bëhet fjalë për 123 tonalitete ngjyrash që janë përdorur për të gjithë pjesëzat që bëjnë mozaikun. Mendoni sa aftësi janë përdorur këtu dhe të gjitha këto do vazhdojnë të përdoren edhe në të ardhmen”.

“Janë të gjitha këto aftësi, të cilat përbëjnë çdo pjesë të këtij mozaiku, jo vetëm këtij që kemi këtu, por edhe të jetës sonë. Janë këto aftësi, të cilat do të përdoren edhe në të ardhmen, për t’i bërë ballë çdo vështirësie që do të vijë edhe në sferën ekonomike. Kemi gjithë këtë larmi aftësish dhe pikërisht kjo është edhe motoja e BE-së, të bashkuar në diversitet, në këtë larmi, që ne ofrojmë dhe këtë dëshirojmë që të bëjë Shqipëria kur të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Hohmann.

Projekti madhor i restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar u mundësua falë programit “EU4Culture”.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbej”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981.

Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare./atsh/KultPlus.com

Agjensia e OKB-së: Shqipëria, destinacioni i tretë turistik më i mirë i vitit!

Barometri botëror i turizmit UNWTO ka nxjerrë indeksin e destinacioneve turistike me performancën më të mirë të vitit, e Shqipëria renditet aty e treta pas Katarit dhe Arabisë Saudite.

Disa vende raportuan rritje të jashtëzakonshme të mbërritjeve për 2023-shin krahasuar me vitin 2019: Katari, 98% më shumë, Arabia Saudite 64%, dhe Shqipëria 54%. Raporti i agjencisë së OKB-së konfirmon një trend të vënë re prej kohësh tashmë: Interesi i turistëve të huaj për Shqipërinë, është rritur ndjeshëm. Shifrat flasin qartë: sektori i turizmit po forcohet dita-ditës edhe jashtë sezonit veror.

Të dhënat e Instat-it treguan se në muajin janar pati një shtim të vizitorëve me pothuajse 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit. Me rritje dyshifrore ishte edhe numri i turistëve të brendshëm, nga gati 260 mijë janarin e vitit të kaluar në 456 mijë janarin e këtij viti. Në 2022-shin, rreth 7.5 milion vetë e vizituan Shqipërinë, një rritje kjo prej 32% krahasuar me një vit përpara.

Turizmi në vendin tonë ka përjetuar një rritje të konsiderueshme vitet e fundit, çka është përcjellë edhe në revista e gazeta prestigjioze ndërkombëtare, duke tërhequr festivale muzikore dhe duke bërë që të vërshojnë komente të shkëlqyera nga influencuesit e Instagram dhe YouTube.

E mbyllur nga bota për gati gjysëm shekulli, Shqipëria, thonë korrespondentët e huaj, ka punuar fort për imazhin e saj për të tërhequr turistët në vijën e saj bregdetare prej afro 300 miljesh, në peizazhin e mrekullueshëm, në kalatë dhe kështjellat, si dhe në gamën e larmishme të maleve dhe liqeneve.

Ajo u rendit së fundi nga Organizata Botërore e Turizmit si një nga vendet me rimëkëmbjen më të mirë të turizmit pas COVID-19, me numrin e vizitorëve dhe të ardhurat nga turizmi që i kapërcejnë edhe nivelet e përpara pandemisë./TopChanel/KultPlus.com

‘Vogue Italia’ vjen në Tiranë me ekspozitën “Fashion Panorama”

Si asnjëherë më parë, një emër si Vogue Italia, vjen në Tiranë. Kjo arrihet falë bashkëpunimit mes Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), Institutit Italian të Kulturës dhe Vogue Italia.

Fashion Panorama-The Italian New Wave është një projekt i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, me kurator ‘Vogue Italia’. Ekspozita bën ndalesën e saj të parë ndërkombëtare, në Tiranë.

Ekspozita u lind me synimin për t’i dhënë zë dhe shikueshmëri gjeneratave të reja të stilisteve dhe stilistëve italianë, duke përçuar gjerësisht vizionin dhe punën e tyre.

Synimi i ekspozitës është të rrëfejë modën bashkëkohore italiane përmes vizionit dhe punës së 10 stilistëve: ACT Nr 1, Gisele, Cormio, Lessico familiar, Magliano, Marco Rambaldi, Medea, Panconesi, Niccolo Pasqualetti dhe SSHENA, të cilët përkrah ripërpunimit të traditave artizanale në formë rishtare dhe me gjuhë e metoda novatore, kanë mundur të ruajnë një marrëdhënie të fortë dhe të integruar me industritë e tjera të lidhura me kulturën dhe krijimtarinë italiane, si dhe të trajtojnë në mënyrë origjinale aspirata dhe tema të dashura për shoqërinë bashkëkohore.

Gjithmonë në ndjekje të bashkëkohores dhe të interpretimit të rrymave dhe kontrasteve që përshkojnë shoqërinë, moda ofron mundësinë e ripërcaktimit të identitetit shoqëror dhe dëshirave, gjatë përditshmërisë tonë.

Ekspozita, e cila sapo ka nisur rrugëtimin e saj, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 qershor, në mjediset e COD./ atsh / KultPlus.com

7 udhëtimet e reporterit Reuben Markham në Shqipëri, rrëfyer në gazetën amerikane më 1931

Nga Aurenc Bebja

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të premten e 20 shkurtit 1931, në ballinë, rrëfimin e dytë të reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth 7 udhëtimeve që ai ka realizuar asokohe nëpër Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Drini, i padisiplinuari i Shqipërisë, duhet të kontrollohet në regjimin modern të rendit dhe ligjit

Burimi : The Christian Science Monitor, e premte, 20 shkurt 1931, ballinë
Burimi : The Christian Science Monitor, e premte, 20 shkurt 1931, ballinë

Kullat e rrënuara të bëhen shtëpi

Fiset e kullave do të kenë shkolla, rrugë dhe gjykata 

Nga R. H. MARKHAM

Korrespondenti i stafit të The Christian Science Monitor

Shkodër, Shqipëri — Shkodra, ose siç quhet zakonisht në botën perëndimore Scutari, ka qenë prej kohësh një qytet sovran, megjithëse tani është rrëzuar, ose të paktën reduktuar në gradën e një princeshe modeste.

Ajo ndodhet në skajin veriperëndimor të Shqipërisë në skajin e poshtëm të një liqeni që mban të njëjtin emër. Liqeni dhe qyteti bashkëjetojnë me vështirësi, sepse është një trup ujor me temperament, edhe nëse nuk është plotësisht përgjegjës për dëmet që shkakton.

Këtu është një lumë që “ngacmon” gjithë rrethin. Quhet Drin, por mendoj se duhet të quhet Drin Pasha, pasi u ngjan pushtuesve të egër të vjetër, të cilët vendosën fortesa në të gjitha këto kodra dhe për shekuj me radhë morën haraç nga tokat përreth.

Drini, i cili përshkon gjithë Shqipërinë, është i egër dhe i furishëm në pjesën më të madhe të rrjedhës së tij dhe ka një mënyrë të çuditshme dhe të pakëndshme për të dalë në det. Deri para një gjysmë shekulli më parë, ai thjesht përshëndeti kalimthi qytetin e Shkodrës, dërgoi përshëndetje për liqenin afër, u kthye në jug dhe derdhej i qetë në Adriatik përmes një duzinë degësh (grykësh), të cilat nuk i shkaktuan askujt dëm. Por gjatë një pranvere jashtëzakonisht të lagësht, ai doli nga shtrati dhe nxitoi në lumin e shkurtër të Bunës që mbart ujërat e liqenit të Shkodrës.

Grumbullon tonelata zhavorri

Dhe ky rezultoi të ishte një nga pushtimet më shkatërruese që ka pësuar ndonjëherë kjo luginë, e mësuar prej kohësh të shkelej nga këmbët e pushtuesve. Sepse kanali i vogël modest i Bunës nuk ishte aq i madh dhe as i thellë sa duhet për Drinin e egër të vjetër.

Duke mbledhur tonelata zhavorri dhe rërë në rrugën e tij nëpër më shumë se 100 milje male, ai i derdhi të gjitha në shtratin e tij të ri, duke e mbushur atë shpejt, në mënyrë që ujërat të mos arrinin në det.

Megjithatë Drinit plak nuk i interesonte asgjë për këtë; asgjë nuk mund ta ndalonte atë. Nëse do të ishte në gjendje ta drejtonte tufën e tij të shkumëzuar e të leshtë nëpër malet më të padepërtueshme të Ballkanit, me siguri do t’u gjente një shtëpi (stan) në fund dhe meqenëse nuk mund t’i fuste në liqen.

Por atje nuk ka vend për to; liqeni është plot pa to. Rrjedhimisht në stinë të caktuara bëhet pothuajse një det; ai shtrihet në të gjitha brigjet e saj, mbulon pemët në breg, dërgon qindra fshatarë në male, pret tregjet në rrugët e Shkodrës dhe madje pushton gjysmë duzine qytetesh jugosllave, si çdo pasha tjetër pushtues, duke bërë një çështje ndërkombëtare për këtë.

Kështu Drini i vullnetshëm i shqetëson mjaft diplomatët dhe kur ata e qortojnë, ai përgjigjet se fillon në Jugosllavi dhe ka të drejtë të mbarojë aty nëse do, duke pretenduar se në pasaportë ka vetëm një vizë tranziti shqiptare.

Megjithatë, kjo është konsideruar si një përgjigje shumë e pakënaqshme dhe do të merren masa për të kulluar Bunën dhe për të mbajtur brenda kufijve rrjedhën e padisiplinuar. Duhet të mësojë se ligji dhe rendi sundon në Shqipërinë e re.

Këtë e ka mësuar vetë Shkodra. Për shekuj ishte një zonë e vogël autonome dhe shërbeu si kështjella e shumë zotërve të fuqishëm. Është e njohur në mbarë Ballkanin. Zotërit e saj dominonin dikur pjesë të Malit të Zi, të gjithë Shqipërinë veriore dhe pjesën më të madhe të Maqedonisë. Ata shkëmbenin me Kostandinopojën, Venedikun dhe Vjenën.

Përzierje e shumë racave

Shkodra ka shumë ngjyra, një qytetërim të caktuar, një farë begatie. Të gjitha gjuhët fliten në të, të gjitha monedhat kalojnë këtu. Në të përzihen shumë raca. Qytetarët e saj udhëtojnë shumë larg, kthehen dhe enden përsëri. Në dyqane shiten mallra të huaja.

Disa nga shkollat e saj janë të shkëlqyera dhe sigurisht që ka qenë një qendër jetike e kulturës shqiptare. Por ajo ka qenë viktimë e kapriçove dhe çrregullimeve. Liqeni mbi të cilin është ulur është i padisiplinuar, lumi që vërshon pranë saj është shkatërrues; kështjellat shkëlqejnë nga të gjitha majat rreth saj, malet madhështore që e rrethojnë kanë qenë foletë e Robin Hoods-ve më të guximshëm të Evropës. Dhe gratë në të, madje edhe të krishterët, përzihen me ndrojtje me fytyra të mbuluara ose të shmangura.

Shqipëria e re nuk mund të ndërtohej në krahët e këtyre maleve të egra, në hijen e despotëve. Shkodra është e rrethuar si Orienti dhe e kërrusur nën një të shkuar të rrëmujshme. Është një qytezë e pashallarëve me mjekër të thinjur.

Por tani Shqipëria është e re dhe virile, me fytyrë të pambuluar dhe shpatulla të ngritura. Pra, ka një mbret të ri, ka ndërtuar një kryeqytet të ri në fusha të hapura dhe shikon nga perëndimi. Burrat e fisit të Shkodrës do të fitojnë rrugë, shkolla, gjykata dhe rend, lumenjtë do të kthehen në shtëpi dhe rinia do të flakë peshën e përkuljes së epokave kaotike skllavëruese.

Pjesa e parë : “Arritjet e Shqipërisë nuk duhet të krahasohen me Zvicrën apo Holandën, të cilat kanë qenë të lira për shekuj, por me atë që ajo vetë ishte dje dhe pardje

https://www.darsiani.com/la-gazette/7-udhetimet-e-reporterit-reuben-henry-markham-neper-shqiperi-rrefyer-ne-gazeten-amerikane-me-1931-pjesa-e-dyte-shkodra-dhe-lumi-qe-ngacmon-te-gjithe-zonen-quhet-drin-por-mendoj-se-duhet-te-quhet-drin-pasha-pasi-u-ngjan-pushtuesve-te-eger/

Aktori i njohur amerikan, Danny Glover, viziton muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë

Aktori dhe producenti i njohur amerikan, Danny Glover, ka vizituar një ditë më parë muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Lajmi bëhet i ditur nga Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ku ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vizita e producentit të njohur amerikan në këtë muze.

Glover pasi ka vizituar muzeun ka parë edhe filmin e Skënderbeut i cili transmetohet në muze.

Bëhet me dije se vizita e Glover vjen pas ftesës që bashkia Tiranë i ka dërguar atij për të mësuar më shumë mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe historinë e Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

“Traktati i Fshehtë i Londrës”, copëtimi i Shqipërisë në favor të fqinjëve

Më 26 prill 1915, u firmos Pakti i Londrës.

Italia nënshkroi Paktin e Londrës me fuqitë e Antantës, Britaninë, Francën dhe Rusinë.

“Traktati i Fshehtë i Londrës”, siç njihet ndryshe ky pakt në historiografi, ishte një ngjarje me peshë të madhe në historinë e Shqipërisë, pasi përfshinte plane për ndarjen territoriale të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell 2 nenet që prekën drejtpërdrejt Shqipërinë.

Neni 6, sipas të cilit, “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, ishullin e Sazanit dhe territorin përreth”.

Neni 7 përcaktonte se, “pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.

Kongresi i Lushnjes, vite më vonë, vendosi pas shumë diskutimesh që të bëheshin protesta të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës./ atsh / KultPlus.com

Përvjetori i vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri.

“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.

Atë 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.

Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.

Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.

Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.

Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike. / atsh / KultPlus.com

5 çifte të shpendit të rrallë në Shqipëri rikthehen në Parkun Kombëtar “Lumi i Vjosës”

5 çifte folezues të Kalit të Qyqes janë rikthyer tashmë në territoret e tyre të folezimit, në Parkun Kombëtar “Lumi i Vjosës”.

Ky ishte rezultati paraprak i një monitorimi intensiv të kryer në mes të prillit 2023 në 7-të prej vendfolezimeve tradicionale të kësaj shkabe të rrezikuar në rang kombëtar dhe global.

Lajmin e bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që në një postim në rrjetet sociale vuri në dukje se ky rezultat pritet të rritet në vizitat e rradhës në territoret e folezimit.

“Theksojmë se Kali i Qyqes është shkaba e vetme folezuese në vendin tonë, me një popullatë mjaft të kufizuar, e cila qëndron ende besnike e territoreve të folezimit përgjatë luginës së Vjosës, duke i shtuar hiret kësaj perle të natyrës shqiptare”, theksoi AKZM.

Vitin e shkuar pupullata e kalit të qyqes në Shqipëri përbëhej nga 6 çifte folezues dhe 2 individë të vetmuar. Ndërsa në Ballkan kjo popullatë përfaqësohej nga më pak së 50 të tillë.

Si çdo vit, AdZM Gjirokastër së bashku me ekipin e AOS, Klubin e të rinjve CYC Gjirokastra dhe komunitetin lokal do të vazhdojë monitorimin e popullatës së Kalit të qyqes, me qëllim arritjen e rezultateve përfundimtare dhe parandalimin/minimizimin e rreziqeve që mund t’i kanosen kësaj popullate përgjatë gjithë sezonit të folezimit./atsh/Kultplus.com

2200 turistë amerikanë mbërrijnë sot në Sarandë

“Norwegian Star Cruise” me rreth 2200 turistë në bord, kryesisht amerikanë, ka mbërritur sot në Sarandë.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se deri në mars, Shqipëria ka mikpritur mbi 1 milion vizitorë të huaj, plot 59% më shumë se në vitin 2022.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë dymujorit të parë të këtij viti, shënoi rritje me 73.7 %, duke arritur 686.536, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sipas INSTAT, në periudhën janar-shkurt 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 666 314 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 13 301 dhe 2 671 shtetas.

Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.

Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave./atsh/KultPlus.com

“Daily Mail”: Dhërmiu perla e fshehur e Evropës

Një çift udhëtarësh kanë zbuluar një parajsë të fshehtë, të krahasueshme me Balin, me vendpushime luksoze, sipas një artikulli të botuar në “Daily Mail”.

Fshati bregdetar shqiptar i Dhërmiut është quajtur perla e fshehur e Evropës.

Ndërsa shumë vizitorë evropianë po vërshojnë në plazhet e mbushura me turistë të Greqisë dhe Italisë, të tjerë kanë rezervuar një udhëtim në qytetin spektakolar i cili është cilësuar si një nga sekretet më të ruajtura të kontinentit.

Aventurierët po shkojnë drejt perlës së fshehur të ëndërruar si, Bali, i cili ofron plazhe të kristalta të pastër, peizazhe mahnitëse, bare, hotele dhe restorante luksoze.

Blogerët e udhëtimeve Scott dhe Sal, nga Britania e Madhe, dokumentuan qëndrimin e tyre në Dhërmi, të cilin e quajtën të nënvlerësuar dhe ”Balin evropian”.

Dhërmiu është pak më shumë se tre orë me makinë në jug të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, dhe ka pesë kilometra vijë bregdetare mahnitëse të mbushur me bare plazhi dhe resorte të jashtëzakonshme.

Ndodhen dy seksione, gjysma e sipërme, ku shtrihet qyteti i vjetër i çuditshëm, ndërsa gjysma e poshtme është vendi ku ndodhet plazhi, restorantet dhe hotelet.

Ndërsa temperaturat kanë filluar të bien në Australi, Shqipëria po hyn tashmë në muajt e saj të verës duke e bërë atë një destinacion perfekt për t’u larguar nga i ftohti dimëror.

“Ju mund te zbuloni Balin evropian në vendin më të paparashikuar”, shkruan Scott dhe Sal në një video në Instagram, e cila mori më shumë se 1.6 milion shikime.

Çifti qëndroi në “La Brisa Boutique Hotel”, i cili ofron pamje spektakolare të perëndimit të diellit, dhe dhoma me 145 dollarë nata dhe një plazh privat.

Ata shijuan gjithashtu pamjet panoramike të ujërave të gazuar të detit Jon në “Sanur Beach House”, e cila u frymëzua nga plazhet e njohura të Balit.

“Kjo është kaq e bukur. Shqipëria është perla e fshehur e Evropës”, shkruan një shikues.

“Një vend paksa i ndryshëm evropian, por duket i mahnitshëm”, shtoi një shikues tjetër./atsh / KultPlus.com

Kroçera me 138 turistë për herë të parë në Vlorë

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello ka pritur turistët nga vende të ndryshme të botës të ardhur me kroçerën që ka mbërritur për herë të parë në Vlorë.

Kroçera me 138 persona në bord ka mbërritur për herë të parë në Vlorë dhe vjen nga Korfuzi. Turistët që ndodhen në brendësi të saj janë nga SHBA, Kanadaja, Australia, Irlanda, Qiproja, Zvicra, Hungaria, Ruanda, Norvegjia, Italia, Kina.

Qyteti i Vlorës mbetet një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej./atsh/KultPlus.com

Në Shqipëri shënohet java e turizmit me organizimin ‘Festa’

Në Tiranë u zhvillua Konventa Ndërkombëtare e Turizmit nën logon “FESTA”, një event i rëndësishëm që bëri bashkë personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare, si edhe aktorë të linjës për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit të turizmit, si një sektor potencial me kontribut të madh në ekonomitë e vendeve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo ishte një javë dedikuar turizmit, me mijëra pjesëmarrës online e ne sallë, nga 38 vende të botës që tani janë bërë miq të Shqipërisë.

Kumbaro falënderoi veçanërisht skuadrën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për përkushtimin në mbarëvajtjen e këtij eventi.

“Por gjithë sa pamë në ‘FESTA’ s’do të ishte e mundur pa përkushtimin e sinqertë, angazhimin orar pa orar, harmoninë e grupit dhe koordinimin perfekt të skuadrës së mrekullueshme të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Me zemër organizojmë gjëra që na bëjnë krenarë dhe me zemër ju falënderoj për gjithçka”, u shpreh ministrja, ndërsa ndau foto të ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit./atsh/KultPlus.com

Parkut Arkeologjik i Bylisit përgatitet për sezonin turistik


Parkut Arkeologjik i Bylisit po përgatitet për hapjen e sezonit turistik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli sot në rrjetet sociale një album fotografik me pamje nga Bylisi antik.

“E nisim javën me punët e mira të punonjësve të Parkut Arkeologjik të Bylisit, të cilët po përgatiten për hapjen e sezonit turistik”, shkruan ministrja Margariti.

Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis është pa dyshim një nga më të bukurit në Shqipëri, me mozaikë dhe pamje madhështore. Ai është i vetmi në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaikë të periudhës së antikitetit të vonë. Një hapësirë që tërheq vëmendjen e studiuesve dhe vizitorëve.

Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis ka thesarin e mozaikëve paleokristian, të shekullit V – VI, më të bukur e të mëdhenj jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan.

Vazhdimisht aty janë kryer ndërhyrje si dhe sistemime të mbetjeve të ngurta, të dala nga gërmimet arkeologjike ndër vite. Gjithashu është punuar me ringritjen e blloqeve përreth monumenteve të qytetit antik për të rritur vizibilitetin e sitit./ atsh / KultPlus.com

“Faleminderit Shqipëri”, shfaqje e veçantë dronësh mbi Liqenin Artificial të Tiranës

Mbrëmja e 14 marsit ka ofruar një shfaqje të rrallë mbi  Liqenin Artficial në Tiranë. 

Me një regji mbresëlënëse 500 dronë u shfaqën me ndriçimin e tyre mbi liqen duke sjellë për të pranishmit momente emocionuese.

Një zemër e ndriçuar, harta e Shqipërisë dhe “Faleminderit Shqipëri” ishte  figurat që dronët sollën për të pranishmit që kishin rrethuar Liqenin Artificial.

Shumë prej tyre i fiksuan momentet në celulare dhe pamjet po bëjnë xhiron e tyre në rrjetet sociale.

“Magjia e Tiranës” shkroi në rrjetet sociale kryeministri Rama i cili shpërndau videon e spektaklit.

Shfaqja ishte një orgnizim i Bashkisë së Tiranës  në mbyllje të aktiviteteve të shumta me rastin e Dites së Verës në kryeqytet./ KultPlus.com

Në datën 7 mars përkujtojmë ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe themelimin e Principatës Shqiptare

Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut.

Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913. Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esad Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve.

Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia. Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.

Vilhelm Vid vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945. / KultPlus.com

Muzeu Kombëtar: Rritje me 345% e vizitorëve në janar krahasuar me një vit më parë

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve gjatë muajit janar.

Krahasuar me vizitorët e janarit të vitit 2022, ajo janë rritur me 345%.

Gjatë muajit janar, të vitit 2022, Muzeun Historik Kombëtar e kishin vizituar 355 persona në total, ndërkohë që ky fillimviti rezultoi shumë i susksesshëm, me 1578 vizitorë.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut.

Godina e MHK, një monument i kategorisë II, do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë.

Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj.

Synimi është që ky muze të ketë më shumë hapësira ekspozitash të përhershme dhe të përkohshme, në mënyrë që muzeu të jetë sa më dinamik; të ketë sa më shumë hapësira edukimi për fëmijë, hapësira për takime, workshope, librari, ambiente për familjen dhe patjetër ambiente të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve./ atsh / KultPlus.com