“Amerigo Vespucci” tërhoqi rreth 10 mijë vizitorë në portin e Durrësit

Rreth 10,000 qytetarë vizituan anijen italiane me famë botërore, “Amerigo Vespucci”, e konsideruar si ndër anijet më të bukura në botë.

Kjo anije u ankorua në 16 tetor në portin e Durrësit, ku gjatë ditëve të qëndrimit tërhoqi vëmendjen e mijëra vizitorëve.

Autoriteti Portual Durrës shprehu mirënjohjen për punën e bërë nga ekipet operacionale dhe të Sigurisë Portuale.

E ndërtuar në vitet ‘20 në kantieret e Castellammare di Stabia, anija “Amerigo Vespucci “është kthyer në një shkollë lundruese që ka edukuar breza të tërë oficerësh.

Ajo ka kryer mbi 70 fushata trajnimi në mbarë botën. Prej vitit 1994  “Amerigo Vespucci” nuk kishte lundruar më në ujërat shqiptare.

APD njoftoi se anija ka vijuar sot lundrimin e tyre drejt destinacionit të radhës. / atsh / KultPlus.com

Kumbaro: Gjirokastra destinacion gjithëvjetor i turizmit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “Gjirokastra është kthyer në destinacionin gjithëvjetor të turizmit”.

Gjatë një takimi me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Kumbaro tha se “sot ofertat janë të shumta dhe mbi 2 mijë shtretër janë të zënë sidomos në fundjavë”.

Sipas saj, investime e kryera në Gjirokastër kanë ndodhur falë vizionit të qeverisë dhe gjirokastritëve që i rikthyen investimet në vlerë qytetare ekonomike dhe kulturore.

“Sot Gjirokastra është destinacioni numër një i turistëve që nuk vijnë për plazhin dhe rërën dhe këtë e dinë të gjithë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “sot ka kaq shumë biznese te pazari, dyqane suveniresh, administratorë bujtinash, restorante hotele që sot pazari është mbushur sektori i turizmit dhe agroturizmit. Sot kemi vetëm një vështirësi ajo e zgjedhjes kur vjen në Gjirokastër të rrish ne Qafën e Pazarit, të shkosh në Dropull, Libohovë, apo të ndalosh në Tepelenë ,në Picar apo Valare. Të gjitha këto deri dje ishin vetëm emra fshatrash sot janë destinacione turistike , të gjithë këtë paketë e kemi në një shoqatë shumë të mirë që është “Visit Gjirokastra””.

“Jam krenare dhe e lumtur që në Gjirokastër kemi krijuar atë që quhet destinacione të menaxhuara, modeli më i mirë në Shqipëri. Këtë model po përpiqemi ta replikojmë edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë”, tha Kumbaro. / atsh / KultPlus.com

Transformim rrënjësor i qendrës së Beratit

Në Berat po transformohet rrënjësisht imazhi i qendrës së qytetit, për ta bërë më tërheqës për turistët dhe mbi të gjitha për të ofruar standarde jetese më të larta për banorët.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo në një postim në rrjetet sociale ka ndarë momente nga puna për rehabilitimin e qendrës së qytetit si dhe fotografi nga projekti.

Sipas tij, së shpejti sheshi “Iljaz Vrioni” dhe hapësira përreth e rrugës “Antipatrea” do ketë tjetër pamje.

“Kemi nisur punimet për projektin e përmirësimit të siluetës urbane të rrugës ‘Antipatrea’ dhe rehabilitimin e sheshit ‘Iljaz Vrioni‘ (ish -Agjencia) në një hapësirë të bukur dhe me gjelbërim, të përshtatshme për qytetarët gjatë kohës së tyre të lirë dhe për fluksin e vizitorëve të cilët vizitojnë dy objektet e kultit “Katedralen” dhe “Xhaminë e Plumbit”. Projekti do të vijojë me rehabilitim të fasadave në dy anët e rrugës “Antipatrea” dhe përmirësimin e rrjetit nëntokësor”, u shpreh Demo.

Pas përfundimit të këtyre investimeve pritet të ketë rezultate të pritshme si mjedis urban të integruar dhe miqësor për këmbësorët ndërmjet qytetit modern dhe zonës historike, përmirësim i sigurisë së këmbësorëve, përmirësim i lëvizjes së turistëve.

“Do të ketë 14,350m2 hapësirë publike të rehabilituar të ndarë në: 8,120m2 hapësirë për këmbësorë dhe 9,620m2 fasadë të rehabilituar”, shtoi Demo.

Ndërsa trafiku në qytet do të jetë i organizuar në këtë mënyrë: i hapur nga të dy anët (me dy sense) Aksi “Ura e Varur” – “Biblioteka”, me një sens lagja “Mangalem” – “Katedralja” (drejt Spitalit Rajonal).

Investimet që po kryhen në bashkinë e Beratit vitet e fundit do të kenë një ndikim të madh në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, si dhe t’i japin një hov të ri turizmit në qytetin e një mbi një dritareve. / atsh / KultPlus.com

Alpet ndër destinacionet më të vizituara, mbi 210 mijë turistë në nëntë muaj

Parku Kombëtar Alpet që përfshin lumin e Gashit, Luginën e Valbonës, Thethin, Vermoshin e Bogën është ndër destinacionet më të vizituara gjatë këtij viti në vendin tonë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bën të ditur për ATSH-në se “gjatë këtij vitit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe, ku nga 1 janari deri në 30 shtator u vizitua nga 213 344 turistë, ku numrin më të lartë e zënë të huajt”.

“Konkretisht në këtë periudhë 93 095 ishin turistë vendas dhe 120 249 të huaj si gjermanë, francezë, sllovenë, etj”, tha AdzM Shkodër.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruar natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë, madje edhe në botë.

Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com

Konferenca Ndërkombëtare e Antropologjisë do të zhvillohet në Shqipëri

Konferenca ndërkombëtare e International Association of Southeast European Anthropology (InASEA) për vitin 2024 do të organizohet në Shqipëri.

Propozimi i dr. Olsi Lelajt që konferenca e radhës të mikpritet dhe të organizohet në Shqipëri, në drejtimin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), mori mbështetjen e plotë nga anëtarët e organizatës, në mbledhjen e fundit që mbajti Asambleja e Përgjithshme e InASEA.

Me një anëtarësi prej mbi 300 studiuesish dhe e themeluar në vitin 1996, InASEA është aktualisht shoqata më e madhe e profesionistëve dhe institucioneve kryesore publike në fushën e dijes antropologjike, etnologjike, folklorit, antropologjisë historike dhe fushave të ngjashme për Europën Juglindore.

Ndaj, organizimi i kësaj konference, jo vetëm që do të jetë një mundësi e mirë për të parashtruar kërkimet e zhvilluara në fushën e antropologjisë shqiptare, por mbi të gjitha, do të jetë një moment historik pasi Shqipëria do të bëhet një qendër gravitacionale për antropologjinë europiane, e ku studiuesit më të mirë dhe institucionet kryesore në fushën e antropologjisë për Europën Juglindore, do të paraqesin dhe debatojnë risitë kërkimore.

Sipas dr. Olsi Lelaj, drejtues i departamentit të Etnologjisë në IAKSA, Akademia e Studimeve Albanologjike ka eksperiencën shkencore dhe teknike, si dhe partneritetet e duhura kombëtare dhe ndërkombëtare për organizimin e një ngjarjeje shkencore të madhe siç është Konferenca e 11-të e InASEA që do të mbahet në vitin 2024. / atsh / KultPlus.com

Rama: Mbi 1 miliard lekë të ardhurat nga turistët

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sezoni turistik në vend ishte surprizues jo vetëm për nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaj po ashtu, por edhe për sa i takon pastërtisë e shërbimeve publike.

Gjatë një takimi të mbajtur në një nga strukturat e reja turistike, e mbështetur drejtpërdrejt nga programet e qeverisë për të stimuluar sipërmarrjet në sektorin e turizmit, në Lalz, Durrës Kryeministri tha se të ardhurat në buxhet nga ky sektor në fund të gjysmës së parë të vitit llogariten mbi 1 miliard lekë teksa foli për bilancin e sezonit turistik veror.

“Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave. Vetëm në 6-mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard lekë të ardhura në ekonomi nga turizmi. Pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Kemi pasur fluks të vizitorëve. Deri në gusht kemi pasur 5.6 milionë turistë të huaj që është e barabartë me faktikisht 1.3 miliardë turistë më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se flukset e vizitorëve ishin të shpërndarë në të gjithë territorin.

“Kemi pasur një diversifikim shumë domethënës nga veriu në jug dhe një prurje inkurajuese për zonën veriore falë edhe investimeve për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave më tërheqëse”, u shpreh Rama.

Një tjetër veçori e këtij sezoni turistik, sipas kryeministrit ishin edhe vizitat në qytete.

“Ky sezon ka sjellë vizitorë të shumtë në qytete. Duke filluar nga Tirana, ku patëm një bum turistësh. Hotelet ishin plot, por kemi edhe numër të madh apartamentesh të marra me qira, përmes agjencive dhe në rrugë digjitale”, tha ai.

Kryeministri u ndal dhe në kontributin e sektorit të turizmit në PBB.

“Kur ne e kemi nisur punën për të transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi kontribuonte me vetëm 4 % në PBB. Sot ai kontribuon 17 %. Shumë kush e ka harruar se kemi pasur një turizëm krejtësisht primitiv dhe jashtë çdo lloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik që Shqipëria ka fatin, por edhe peshën e madhe të vështirësisë mes lojtarësh botërore si Italia e Greqia, ashtu si dhe mes lojtarësh rajonal si Mali I Zi apo Kroacia”, deklaroi Kryeministri.

Rama theksoi faktin se Shqipëria deri para 30 vitesh ishte një vend pa turizëm, me detin krejtësisht të ndaluar.

“Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e PBB-së është 17 % për të gjithë ata që për 1 mijë e një arsye refuzojnë të njohin progresin dhe kanë kujtesën e shkurtër, kemi qenë një vend që bënim lajm për pisllikun”, deklaroi Rama. / atsh / KultPlus.com

Parku Kombëtar i Llogorasë, destinacioni i mbi 110 mijë turistëve

Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, është një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vend.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-gusht ky park u vizitua nga 110 087 turistë, nga të cilët 15 674 të huaj dhe 94 413 vendas”.

Sipas ADZM Vlorë, turistët  përveç shtigjeve që ndodhen në këtë park, kanë vizituar edhe qendrën e vizitorëve të parkut kombëtar Llogora, ku janë njohur me historinë e këtij parku.

Gjatë ditës së djeshme ky park mirëpriti një grup botanistësh të huaj, të cilët nën koordinimin e AdZM Vlorë, u njohën me vlerat natyrore të parkut si edhe ndoqën nga afër shtegun e Qafës së Thellë, e cila përbëhet nga prezenca e lartë e llojeve endemike dhe subendemike.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj., që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore si ngjitje në lartësi, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive. /atsh / KultPlus.com

Kalaja e Drishtit, së shpejti në paketën turistike të bashkisë Shkodër

Është prezantuar për banorët e Drishtit, në njësinë administrative Postribë, projekti i “Rijetëzimit dhe përmirësimit të vlerave të Kalasë së Drishtit”, duke shtuar kështu një tjetër atraksion në paketën turistike të bashkisë së Shkodrës.

Në Kalanë e Drishtit (Drivastum), së shpejti do të bëhet një ndërhyrjeje për rikualifikimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave të një prej vendbanimeve më të vjetra në Shqipëri.

Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit,  përmes studios Atelie 4, po planifikon së shpejti investimin në një prej zonave më me rëndësi për sa i përket historisë dhe trashëgimisë, duke e rikthyer Kalanë e Drishtit në një prej pikave më atraktive për turistët e vizitorët.

Projekti parashikon rivitalizimi e zonës së Kalasë së Drishtit, evidentimin dhe përforcimin e gjurmëve historike, restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve dhe hapësirave të banuara brenda kalasë si dhe kthimin e lagjes së banuar në gjendje funksionale dhe tërheqëse për turistët.

Projekti do ta kthejë zonën në një destinacion të mirëfilltë turistik duke rritur numrin e vizitorëve e duke ndikuar në zhvillimin social ekonomik të banorëve./ atsh / KultPlus.com

Promovimi i “Kosovës” I-VIII në Shqipërisë: Vepër e rëndësishme që thyen status quon e historiografisë shqiptare

Sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u bë promovimi i veprës historiografike “Kosova” V-VIII të historianit Jusuf Buxhovi, përcjellë KultPlus.

Në këtë promovim morën pjesë akademikë të njohur shqiptarë, historianë dhe intelektual të shumtë, si Rektori i Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, akademikët Neritan Ceka dhe Nestor Thereska, historiani Hadan Bello, shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj, etnografja Luljeta Dano, ambasadori Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi si dhe ish ambasadorët e Shqipërisë Islam Lauka, Mal Berisha dhe të tjerë nga radhët e shtypit dhe të qarqeve intelektuale të Tiranës.

Rreth veprës së Buxhovit folën, ambasadori Avni Spahiu, përkthyes i veprave në anglisht, veprën e cilësoi hap të rëndësishëm në demistifikimin e gënjeshtrave të historiografisë serbe.

Ndërsa rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, e quajti vepër të rëndësishme të historiografisë shqiptare, që ndriçon shumë çështje antike të Dardanisë si qendër e botës ilire.

Nikollë Camaj, foli rreth diapazonit historiografik të autorit në letërsi që asaj i kanë dhënë dimension antologjik. Rexhep Shahu foli rreth Buxhovit si publicist të kohës së kthesave historike. Në fund, akademik Neritan Ceka falënderoi në emër të nikoqirit. Theksoi se vepra e Buxhovit meriton vëmendje për çështjet e hapura si dhe guximin që të thyhen stereotipet ideologjike dhe ato që i ka vu historiografia serbe, që duhet të rishqyrtohen në përputhje me faktet.

Në fund, autori Buxhovi theksoi se ndjehet i nderuar që veprës së tij, më në fund , iu hapëm dyert në Akademitë e Shkencave të Shqipërisë, me të cilën, tha se ka dallime dhe kundërshtime për shumë çështje, por që ato duhet të çojnë te njohja e të vërtetës jashtë kornizave ideologjike të historiografisë hegjemoniste serbe.

Promovimi u udhëhoq me shumë sukses nga Ambasador Flamur Gashi, ish gazetar dhe ish ambasador i Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë. / KultPlus.com

Rama: Shqipëria turistike, jehonë në mediet e huaja

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin promovues të medies së njohur zvicerane “20 Minutes”, ndërsa u shpreh se “Shqipëria turistike vijon të bëjë jehonë në mediet e huaja”.

“’20 Minutes’, një medie shumë e njohur zvicerane, në një artikull të fundit të saj iu sugjeron lexuesve që të vijnë për pushimet e shtatorit në Shqipëri. Shqipëria renditet në artikull si destinacioni i parë i preferuar, krahas Stambollit, Hieres në Francë, Algraves në Portugali dhe Kalabrisë në Itali”, shkruan Rama.

“20 Minutes” e rendit Shqipërinë mes 5 vendeve më të bukura që nuk duhen humbur gjatë muajit shtator, kur temperaturat janë të favorshme, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet ulen.

Me dy foto ilustruese të peizazhit piktoresk dhe të ujërave të kristalta të Ksamilit, prestigjiozja zvicerane ka veçuar Sarandën dhe rrethinat e saj.

“Saranda është afër kufirit me Greqinë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Më në jug, mund të vizitoni me varkë dy ishuj të vegjël: Ishullin e Tongos dhe atë të Stillos”, shkruan mes të tjerash “20 Minutes”. / atsh / KultPlus.com

Abetarja e parë e unifikuar, Rama: Krijesë e bashkimit të vullneteve Shqipëri-Kosovë

Duke nisur nga ky vit shkollor, nxënësit e klasës së parë në Shqipëri e Kosovë do të mësojnë me Abetaren e re të përbashkët.

Kryeministri Edi Rama uroi sot nxënësit, ndërsa u shpreh se abetarja e parë e unifikuar është krijesë e vullneteve të dy qeverive.

“Gëzuar Abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë nxënësit shqiptarë këtej e andej bjeshkëve”, shkruan Rama.

Më herët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi një takim me mësues të klasave të para, me të cilët ndau për herë të parë Abetaren e re të përbashkët unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Duke qenë se viti i ri shkollor 2022-2023 nis më parë në Kosovë më 1 shtator, e më pas në Shqipëri me 12 shtator, ministrja Kushi informon se në 1 shtator së bashku me homologen Nagavci do të prezantojnë abetaren unike për nxënësit e klasave të para në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2021, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për Abetaren e përbashkët. / KultPlus.com

Syri i Kaltër, destinacioni i 93 000 vizitorëve që nga janari

Pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2022, ka ardhur çdo muaj duke u rritur duke arritur në 93 000 që nga janari.

Kjo shifër u bë e ditur për ATSH-në nga burime zyrtare të Administratës së Zonave të mbrojtura AdZM të qarkut Vlorë.

Sipas Gjergji Mano, menaxher i AdMZ,  biletaria elektronike nisi të funksionojë më 1 gusht 2022 dhe numri i turistëve vendas e të huaj që po e frekuentojnë parkun natyror të Syrit të Kaltër është i lartë.

“Nëse në qershor numri i turistëve arriti 3922 në korrik, ai pësoi rritje më 18 129, ndërsa më 21 gusht , numri i vizitorëve të Syrit të Kaltër arriti në 70.000”, tha Mano.

I pyetur për parkimin e automjeteve që i drejtohen këtij parku, Mano vuri në dukje se “ky parking po përfundon në fushën pranë digës së Liqenit të Syrit të Kaltër dhe ka një kapacitet deri në 300 automjete”.

Mësohet se treni ekologjik, i cili do të mundësojë lëvizjen e turistëve nga zona e hyrjes deri në afërsi të monumentit të rrallë gjeonatyror të Syrit të Kaltër pritet të realizohet pas muajit shtator.

Parku Natyror “Syri i kaltër” vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara edhe për këtë vit, ku një numër gjithnjë e më i lartë vizitorësh kanë aksesuar këtë park.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shume vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

Ndërkohë rritje e panjohur më parë është shënuar edhe në drejtim të të ardhurave që sigurohen nga frekuentuesit e këtij parku.

“Nëse gjatë muajit qershor, të ardhurat arritën në 2 milionë lekë, në korrik u rritën me 11, ndërsa deri më 23 gusht arritën në 31 milionë lekë”, tha Mano për ATSH-në.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota./ atsh / KultPlus.com

Prestigjiozja zvicerane: Shqipëria, ndër 5 vendet më të bukura që s’duhet humbur në shtator

“Shqipëria është mes 5 vendeve më të bukura që nuk duhen humbur gjatë muajit shtator, kur temperaturat janë të favorshme, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet ulen”.

Kështu shkruan media e njohur zvicerane “20min”, në një artikull ku u propozon lexuesve të saj 5 destinacione europiane për t’u vizituar gjatë muajit shtator mes të cilave, Franca, Turqia, Portugalia dhe Italia.

Me dy foto ilustruese të peizazhit piktoresk dhe të ujërave të kristalta të Ksamilit, prestigjiozja zvicerane ka veçuar Sarandën dhe rrethinat e saj.

“Saranda është afër kufirit me Greqinë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Më në jug, mund të vizitoni me varkë dy ishuj të vegjël; Ishullin e Tongos dhe atë të Stillos”, shkruan mes të tjerash “20min”. / atsh / KultPlus.com

Mbi 2 milionë vizitorë në Shqipëri gjatë muajit korrik

Mbi 2 milionë shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë hyrë në vendin e Shqipërisë në muajin korrik të këtij viti.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin e mbi lëvizjet e shtetasve, sipas të cilit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin korrik 2022, shënuan rritje me 22,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit.

Sipas INSTAT-it, në korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.403.333. Ky numër është rritur me 21,1 %, krahasuar me korrikun e 2021-shit.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Italia me 48 %, krahasuar me korrrik 2021.

Ndërkohë, gjatë shtatëmujorit të këtij viti, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Greqia me 3 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik 2022 kanë dalë 1.869.366 shtetas të huaj dhe shqiptarë, duke shënuar një rritje me 28,1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit korrik është 555.978. Krahasuar me korrikun e 2021-shit, ky numër është rritur me 16,8 %.
Ndërsa numri i shtetasve të huaj që kanë dalë nga territori i Shqipërisë është 1.313.388, ose 33,5 % më shumë se korrikun e 2021-shit.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit 2022, është 3.075.511, duke u rritur 41,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2022, numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime “personale” është 1.395.253, duke u rritur me 21,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /atsh /KultPlus.com

Dua Lipa për pushime në jug: Vajza shqiptare në Shqipëri

Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa pas qëndrimit në Kosovë ku u mbajt festivali Sunny Hill, duket se ka ndarë disa ditë për pushime, shkruan KultPlus.

Lipa ka zgjedhur jugun e Shqipërisë për të pushuar, ku ka ndarë edhe disa fotografi në rrjetin e saj social Instagram.

“Vajza shqiptare në Shqipëri”, është mbishkrimi që këngëtarja i bashkëngjit fotografive.

Ky pushim vjen vetëm 10 ditë para se festivali Sunny Hill të nis në Tiranë.

Datat 26,27, 28 gusht do të sjellin në Tiranë emra të njohur të skenës muzikore si nga bota ashtu edhe nga vendi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Me presidentin Begaj do të punojmë ngushtë për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë

Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Presidentët pasi zhvilluan një takim, bën nderime edhe para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj mbajtën konferencë për media.

Presidentja Osmani është shprehur se me presidentin Begaj do të punojnë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të të dyja shteteve.

“Me Presidentin Bajram Begaj do të punojmë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të shteteve tona, për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë dhe për të qëndruar bashkërisht në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë.

Kjo vizitë e rëndësishme vazhdon traditën e presidentëve nga Shqipëria, të cilët e nisin mandantin e tyre me vizitën në Kosovë si konfirmim i mbështetjes së parezervë për Republikën e Kosovës, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për t’i thelluar raportet tona si shtete simotra.

Mirë se vini në shtëpinë tuaj, zoti President!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Mbi 100 mijë turistë gjermanë në 7 muaj, “Die Zeit” promovon Rivierën shqiptare

Mbi 100 mijë turistë gjermanë kanë vizituar në shtatë muaj Shqipërinë, përkundrejt 52 mijë në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Shifrat i publikoi sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau në rrjetet sociale shkrimin e medies gjermane “Die Zeit”, e cila promovon turizmin në Shqipëri.

“Mediet gjermane vijojnë traditën e mirë të promovimit të Shqipërisë, ku këtë herë gjiganti “Die Zeit” i kushton një artikull rivierës shqiptare, florës e faunës”, shkruan Rama.

Më herët, mediet britanike, franceze dhe ato spanjolle kanë promovuar turizmin në Shqipëri, duke vlerësuar përveç natyrës edhe kulinarinë dhe traditat shqiptare.

Sipas statistikave zyrtare, nga muaji janar deri në korrik Shqipërinë e vizituan 38,915 turistë francezë, dyfish më shumë se sa vitin e kaluar kur ishin 19,184 të tillë.

Po ashtu për të njëjtën periudhë u regjistruan 18 820 turistë spanjollë, përkundër 4228 vizitorëve të së njëjtës periudhë të vitit që shkoi.

Ndërkohë, 90 mijë vizitorë nga Britania e Madhe kanë vizituar Shqipërinë në këto shtatë muaj./ atsh / KultPlus.com

Mbi 100 mijë turistë gjermanë kanë vizituar në shtatë muaj Shqipërinë, përkundrejt 52 mijë në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Presidenti i Shqipërisë pritet nga presidentja Osmani me nderime të larta shtetërore (VIDEO)

Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Presidentët do të zhvillojnë një takim, pas së cilit do të bëjnë nderime para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj do të mbajnë një konferencë për media.

Gjatë ditës, Begaj do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe me liderët e opozitës. / KultPlus.com

102 vjet më parë, fillimet e lëvizjes feministe në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, kujton se 102 vjet më parë, më 3 gusht të vitit 1920, gratë shqiptare u organizuan për të ndihmuar në luftë për Atdhe.

Më 3 gusht 1920, u krijua në Shkodër, “Komiteti i Zojavet ‘Grueja Shqyptare‘ për ndihma bamirësie”. Synimi kryesor i Komitetit ishte mbështetja në mjete financiare dhe sende të ushtrisë shqiptare që ndodhej në front të luftës (bëhet fjalë konkretisht për përpjekjet mes ushtrisë shqiptare dhe asaj jugosllave, në Koplik)

Neni 2 i statutit të këtij komiteti, i dedikohet ndihmës për familjet e dëmtuara prej luftës. Pjesëtare e këtij Komiteti mund të ishte çdo vajzë e grua që dëshironte të kontribuonte vullnetarisht, në përputhje me Statutin e Komitetit. Kryetare nderi u caktua zoja e Hysen beg Bushatit, kryetare u zgjodh Shaqe Çoba, nënkryetare Age Koka, sekretare Paulina Leka, arkëtare Albina Ashiku e të tjera zonja shkodrane nënshkruan si anëtare dhe këshilltare.

Ky Komitet, veç përmasës së vet të bamirësisë, shpërfaq qartazi dhe një element tjetër të veprimtarisë shoqërore të nisur dhe të mbështetur nga vajzat dhe gratë në Shqipëri: shërben si piketë orientuese e lëvizjeve feministe që filluan të vepronin menjëherë pas organizimit shtetëror të Shqipërisë (Lushnje, janar 1920). Ngjarje të tilla me peshë historike do të përkujtohen përherë nga populli ynë -thuhet në postimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. / atsh / KultPlus.com

Butrinti, destinacioni i rreth 35 mijë turistëve vendas e të huaj në 7 muaj

Qyteti antik i Butrintit në Sarandë, ka shënuar në 7 muajt e parë të këtij viti një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj.

Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë muajit janar-korrik Butrinti u vizitua nga 34 61 turistë vendas e të huaj, një rritje me 72 % ose 14 483 vizitorë më shumë se në 2021”.

Sipas saj, gjatë janar-korrik 2021 Butrinti u vizitua nga 20 135 vizitorë vendas e të huaj.

“Sa i përket të ardhurave nga biletat për mujorin janar-korrik të këtij viti kanë rritur me 68.7% ose 103 01 600 lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Dhima.

Turistët në këtë vend shijojnë një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik që ky vend të ofron në çdo stinë.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti). / atsh / KultPlus.com

Ishulli i Sazanit dhe plazhet në Karaburun, eksperiencë unike për turistët

Shqipëria ka hyrë tashmë në radarët e destinacioneve turistike dhe fluksi i vizitëve të huaj sa vjen e shtohet në vendin tonë.

Një nga atraksionet që tërheq vëmendjen më të madhe është padyshim riviera e bukur shqiptare. Me shtrirjen e bregdetit që del nga kalimi malor i Llogarasë dhe përfundon në kufirin me Greqinë, bregdeti jugor i vendit të magjeps me vend plazhet e mrekullueshëm, gjiret e fshehura e fshatrat turistik.

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi publikoi në rrjete sociale pamje nga bregdeti i Vlorës teksa shkroi se, “turistë të shumtë vendas dhe të huaj zgjedhin udhëtimin me anije për të parë mrekullitë e bregdetit të Jonit”.

Ekonomi u shpreh se, zgjidhja më e mirë gjatë pushimeve me anije në bregdetin e Vlorës është një ndalesë në ishullin e Sazanit dhe plazhet fantastike në gadishullin e Karaburunit.

“Një ndalesë në ishullin e Sazanit dhe plazhet fantastike në gadishullin e Karaburunit, bëhen shpejt një eksperiencë e parrahueshme për këdo”, shkroi Ekonomi. /atsh / KultPlus.com

Rama: Plazhi i Pishë-Poros, destinacion që pret çdo ditë dhjetëra pushues

Plazhi i Pishë- Poros, në Fier, me rreth 9.5 km vijë bregdetare ofron plazhe ranore dhe pyllin me pisha të buta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Pishë Poros, ku bashkia është kujdesur të ketë hapësira publike, tërësisht të sistemuara dhe të pastra.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga plazhi i Pishë-Poros në Fier, një tjetër destinacion pushimi, që pret çdo ditë dhjetëra pushues, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishë- Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.

Pishë- Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV, ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare. / atsh / KultPlus.com

Pianoja e vjedhur në Parma iu dorëzohet autoriteteve italiane, Manja: Pjesë e trashëgimisë kulturore

Pianoja antike e vjedhur në vitin 2015 në Konservatorin e Parmës në Itali, e cila u soll në vendin tonë për t’u shitur, iu dorëzua sot autoriteteve italiane.

Bëhet fjalë për një instrument ‘Clavikorda’ e shekullit të XVIII, pjesë e trashëgimisë italiane, e cila u gjet në një dyqan instrumentesh muzikore në Shqipëri.

Dorëzimi i saj është bërë nga Ministria e Drejtësisë, ministria e Kulturës për komandatin e Karabinierëve për trashëgiminë kulturore në një ceremoni të posaçme në ambientet e ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se dorëzimi i pianos së shekullit të XVIII e cila ishte vjedhur në Itali është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik që është Italia.

“Është një takim që shpreh një bashkëpunim të shkëlqyer që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Në fakt, objekti që do t’u dorëzojmë sot autoriteteve italiane do ta merret posaçërisht nga gjeneral Rikardi dhe stafi i tij. Është një objekt i trashëgimisë kulturore italiane me vlera të padiskutueshme historike, është një clavikordë që i takon shekullit të XVIII, saktësisht e prodhuar në vitin 1880, e cila është vjedhur në Parma në vitin 2015. Dhe falë një bashkëpunimi të autoriteteve gjyqësore të Parmës dhe autoriteteve shqiptare, konkretisht Prokurorisë së Tiranës, në tetor të viti 2021 është bërë e mundur gjetja e kësaj clavikorde. Instrumentin e ka dorëzuar në tetor të vitit 2021 një qytetar nga Vora dhe në fakt kjo clavikordë mbante vlera të jashtëzakonshme historike. I përket një koleksioni në Pama dhe që në tetor të vitit 2021 në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është ruajtur dhe administruar në Ministrinë e Drejtësisë. E para si provë materiale e cila do iu dërgohet autoriteteve italiane por dhe si një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore italiane”, tha Manja.

Manja u shpreh i lumtur që kjo vegël muzikore do të riatdhesohet në Itali dhe e konsideroi dorëzimin si një shenjë të bashkëpunimit serioz ndërmjet autoriteteve gjyqësore.

“Natyrisht, ky nuk është bashkëpunimi i parë por ne sot kemi rënë dakord që edhe në fushën e trashëgimisë kulturore bashkë me kolegen Margariti dhe ambasadën e Italisë në Shqipëri, ne ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen, pse jo për të bërë të mundur riatdhesimin reciprok të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore që personat në konflikt me ligjin të ndëshkohen kudo që ata janë. Ndërsa këto vepra të shkojnë aty ku ishin”, tha ministri Manja. /atsh / KultPlus.com

Kepi i Rodonit, plazhe me rërë të bardhë dhe vende historike

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Kepi i Rodonit.

“Kepi i Rodonit një bukuri tërheqëse që ofron plazhe me rërë të bardhë dhe vende historike që kombinohen perfekt”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kepi i Rodonit është monument natyre. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug.

Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin.

Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.

Bregu i Rodonit për turistët që e zgjedhin si destinacion, ofron aventurën, hiking, kanoe…etj.

Për të apasionuarit e historisë është kalaja. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452.

Po ashtu për turizmin fetar, në Kepin e Rodonit janë katër manastire katolike, ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. /ATSH / KultPlus.com