Teatri i Operës dhe Baletit hapi thirrjen e tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.
Nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2– 5 tetor, artistët e rinj të moshës 18-30 vjeç, do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë nëpërmjet metodave të reja.
E veçanta e këtij masterclass-i është se do të mundësohet për gjithë të interesuarit të bëhen dëgjues, pa dallim moshe a profesioni. Gjithashtu TKOB fton edhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, të cilët janë mëse të mirëpritur./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit organizoi një konferencë për shtyp për vënien në skenë të operës “Aida” të Giuseppe Verdi-t. E pranishme, së bashku me drejtoren Abigeila Voshtina e dirigjentin Jacopo Sipari di Pescasseroli, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ministrja shprehu mirënjohje për gjithë trupën e TKOBAP, që nga orkestra, kori, solistët, balerinët dhe prapavijën teknike që po përballon me sukses një kalendar sfidues.
“Sa herë që “Aida” vihet në skenë është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm sepse është një nga veprat më madhështore të repertorit operistik botëror, por për impenjimin që kërkon realizimi i një vepre të tillë”, është shprehur Margariti.
Hera e fundit kur “Aida” është ngjitur në skenën e TKOBAP ka qenë viti 2007.
“Jam e kënaqur që na rijepet mundësia të shohim një opera të këtyre përmasave, me regji, skenografi dhe kostumografi nga mjeshtri Franco Zeffirelli dhe që kërkon angazhimin e rreth 200 artistëve”, është shprehur në rrjetet sociale ministrja Margariti.
Opera e famshme e Giuseppe Verdi-t, vjen si premierë nga 23-27 qershor, në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Trekëndëshi i një dashurie pasiononte të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radames, dhe të bijës së Faraonit, Amneris. Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radames urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë në orën 20:00 në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit do të mbahet koncerti “Udhëtim muzikor”. Euronews Albania, ishte pjesë e provave gjenerale. Artistë të rinj të orkestrës simfonike të Forcave të Armatosura, do të luajnë së bashku me dy artistë francezë.
“Skica Simfonike” është vepra e kompozitores Diana Ziu, vepër e cila do të luhet sot për herë të parë.
“Mendoj që përkrah një repertori shumë të rëndësishëm, është një respekt, nder për mua. Bëhet pak lajm drejt muzikës simfonike sepse artistë ka. Mendoj që nuk është vonesë, por qasje, një lloj kalendari që duhet të bëhet,” – u shpreh Ziu.
Gërshetimi i veprave shqiptare dhe ato të huaja, sollën në Shqipëri violonçelistin Aurelien Sabouret dhe violinistin Frederic Laroque.
“Duhet shumë disiplinë, shumë qëndrueshmëri, pikërisht njësoj si parimet që ushtarakët përdorin dhe ne si muzikantë mundohemi të bëjmë muzikë, e të bërit zanat, fat që ndajmë muzikës së bashku,” – u shpreh violinisti Federic Laroque.
Ata tregojnë përjetimet e të luajturit me artistë më të rinj.
“Është kënaqësi që ndaj skenën me kolegun tim, por dhe më këta të rinj, që të përcjellin një energji pozitive. Do doja shumë të rikthehesha e të luaja përsëri në Shqipëri,” – tha violinçelisti Aurelien Sabouret.
Nën dirigjimin e Eno Koço, si dhe të dy dirigjentëve të rinj Harlen Nikolli dhe Laert Qazimi, sot në mbrëmje do të keni mundësi të shijoni disa nga simfonitë më të bukura të luajtura ndonjëherë në vendin tonë./KultPlus.com
Pas suksesit të koncertit me vepra të zgjedhura nga krijimtaria e kompozitorit Ennio Morricone, Teatri Kombëtar i Operas e Baletit, vijon me një program interesant. Vetëm gjatë këtij muaji janë vënë në program 14 shfaqje.
Mbrëmjen e datës 10 qershor do të jetë “Don’t cry for me Argentina” koncerti që do të vijë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Madonna, Queen, Rolling Stones, The Beatles do të vijnë në sallë me një ndërthurje mes klasikes, pop-it dhe rock-ut, me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga maestro italian, Roberto Molinelli.
Koncerti mban titullin e njërit prej hiteve të këngëtares me famë botërore, Madonna.
Një veçanti e programit të muajit qershor është se artistët e TKOBAP do të performojnë edhe jashtë mureve të TKOB. Event me rëndësi do të jetë ngjitja në skenë e Requiem të Verdit, nga Kori i TKOB dhe Orkestra Filharmonike e Kosovës, në qytetin e Prishtinës. Më pas është programuar një shfaqje e Ansamblit Popullor, dedikuar hapjes së sezonit turistik, në qytetin e Sarandës.
Qershori do të ketë edhe premiera siç është opera AIDA e Giuseppe Verdi, e cila do të vihet në skenë duke i qëndruar besnike regjisë së të famshmit Franco Zeffirelli./atsh/KultPlus.com
Koncerti me pjesë nga veprat e kompozitorit Ennio Morricone mund të konsiderohet si një nga kulminacionet e Javës Kulturore Italiane në Shqipëri.
I shumëpritur qëkurse u njoftua se do të ishte pjesë e programit të Javëve Kulturore, koncerti mori vëmendje të madhe dhe arriti të shesë në kohë rekord të gjitha biletat.
Orkestra Simfonike e TKOB-së u drejtua nga maestro Benedetto Montebello ndërsa Kori i TKOB-së nga maestro Dritan Lumshi. Gjatë koncertit performuan dhe dy sopranot: Rovena Xhelili dhe Marina Kurti.
Spektatorët ndoqën muzikën e mrekullueshme të një gjeniu të papërsëritshëm si Morricone, shoqëruar me imazhet filmike, kolonat zanore të të cilëve kanë mbetur në kujtesë. Kompozimet e Ennio Morricone-s janë përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave.
Në përfundim të koncertit, mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane, publiku duartrokiti me ovacione performancën e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TOKB./atsh/KultPlus.com
Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.
I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.
Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.
“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.
“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.
Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com
Kryevepra e baletit klasik “Don Kishoti” u rikthye mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas pas dy dekadash.
Shfaqja bazohet në romanin e famshëm satirik, me të njëjtin titull të Miguel de Cervantes.
Aventurat e Don Kishotit kanë mbërritur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën koreografinë e mrekullueshme nga ikona europiane e baletit, Giuseppe Picone.
Ato u përcollën përmes gjuhës së trupit nga solistët profesionistë të TKOB-së, të cilët si drejtuese kanë artisten Alisa Gjoni.
Shfaqja erdhi nën dirigjimin orkestral të maestros së mirënjohur italian, Jacopo Sipari, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOB-së.
Kostumet e ideuara nga Dea Bejleri i dhanë jetë në skenë personazheve të veprës, duke nga rikthyer pas në kohën kur është shkruar vepra, në shekullin 17.
Historia e kalorësit legjendar që sfidon plot guxim mullinjtë e erës, do të shfaqet në TKOB sot, më 29 dhe 30 maj, ora 20:00./atsh/KultPlus.com
Drejtoresha e përgjithshme e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina u takua me drejtorin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Maqedonisë së Veriut, Shkodran Tola.
Gjatë takimit, Voshtina dhe Tola biseduan për vendosjen e urave të reja të ndërveprimit mes dy vendeve për organizimin e projekteve të përbashkëta.
Gjithashtu, Voshtina dhe Tola folën edhe për fuqizimin e kulturës shqiptare anekënd rajonit dhe përtej tij.
Drejtoresha e TKOB, Voshtina përgëzoi homologun Tolaj për punën dhe sukseset e njëpasnjëshme duke i premtuar mbështetje ansamblit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Voshtina dhe Tolaj theksuan se koordinimi i përbashkët i ansambleve shtetërore në aktivitete të rëndësishme kombëtare duhet të jetë prioritet i tyre si drejtues institucionesh./KultPlus.com
Opera “Carmina Burana”, e kompozitorit Carl Orff rikthehet më 4 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se “kjo opera vjen si një bashkëpunim mes trupës artistike të TKOB-së dhe Filharmonisë së Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin e TKOB-së, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Konservatorin Shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci” dhe Kori i “Zërave të bardhë”, TKOB”.
Me dirigjent orkestre, Jacopo Sipari di Pescasseroli, dirigjent kori i TKOB, Dritan Lumshi, dirigjent kori FK, Hajrullah Syla.
O Fortuna! Me këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit nis “Carmina Burana”, kjo kantatë skenike nga Carl Orff, i cili prej kohësh konsiderohet një klasik i ri i historisë së muzikës. Brilante në thjeshtësinë e vet, depërtuese në ritmikë dhe përjetësisht e re në tematikë, Carmina Burana i jep flatra fantazisë si rrallë ndonjë vepër tjetër muzikore e shek. XX./ atsh / KultPlus.com
Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen për programin e parë profesional muzikor në Shqipëri “Akademia Teatrale”, ku sopranoja me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho do të mbajë një punëtori nga 14 deri më 18 prill, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina.
Në vijim gjeni postimin e plotë:
Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen për programin e parë profesional muzikor në Shqipëri “Akademia Teatrale”, që do të kontribuojë në mjeshtërinë artistike të talenteve të artit klasik.
Me mbështetjen dhe eksperiencën e sopranos ikonike me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila rikthehet në atdhe me titullin “Artistja e Vitit”, akorduar nga “Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023”, për të kontribuar me një masterclass, nga data 14-18 prill, që shënjon edhe çeljen e Akademisë Teatrale 2023.
Një projekt i ndërtuar mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare, që do të ofroje shumëçka rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, përgatitjes psikologjike për trajtimin e rolit si dhe disa tematika të veçanta e interesante për pjesëmarrësit.
Për çdo informacion e detaj mbi regjistrimin ju ftojmë të vizitoni WEB-in zyrtar të TKOB-së, ose të kontaktoni në email-in [email protected]./KultPlus.com
Shfaqja “Muzgu” nisi rrugëtimin e saj 3-ditor në skenën e Teatrit të Operas e Baletit.
“Muzgu” mbuloi gjithë skenën e TKOB-së mbrëmë, me përjetimin emocional që solli interpretimi mjeshtëror i trupës së baletit, në kërcimin kontemporan, kuruar deri në detaje nga koreografi i mirënjohur përtej kufijve shqiptarë, Eno Peçi.
“Muzgu”, ku interpreton trupa e baletit të TKOB-së, do të vijojë edhe më datë 13 dhe 14 mars. Skenografia dhe kostumografia janë realizuar me mbështetjen e Harabel Contemporary Art Platform.
“Muzg” vihet për herë të parë në skenë dhe koreografi Peçi ka pasur asistencën e Eldad Ben Sasson. / atsh / KultPlus.com
Të mërkurën e 1 marsit, në Teatrin e Operas dhe Baletit do të shfaqet premiera botërore e koncertit GEA 2551, Koncert nr. 5 për piano dhe orkestër, vepër e kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi.
Koncerti No.5 i Aleksandër Peçit do të interpretohet nga pianisti francez Pascal Gallet dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Harlen Nikolli.
Të njëjtën natë, spektatorët do të mund të ndjekin edhe Koncertin nr. 1 për Violinë të Niccolò Paganini-t, nën interpretimin e solistes Laura Llozi dhe dirigjuar nga e mirënjohura Elda Laro.
“Jam jashtëzakonisht i nderuar të jap premierë në Tiranë koncertin nr. 5 të Aleksandër Peçit. Kjo punë është e jashtëzakonshme, jashtëzakonisht kërkuese”, ka deklaruar përpara koncertit pianisti francez Pascal Gallet.
Peçi me këtë kompozim, udhëton në kohë, disa shekuj, në të ardhmen tonë, duke eksploruar muzikën dhe vetveten.
Koha e parë, e koncertit ka një formë me tetë variacione e një intermexo. Koha e dytë është një rondo me dy episode, kadencë e finale. Koha e dytë, sipas kompozitorit, është një apoteozë gëzimi e feste, me një energji brilante.
Drejtor artistik i koncertit do të jetë Arben Skënderi. / atsh / KultPlus.com
Kultivimi i talenteve që në vegjëli dhe mbështetja e tyre për t’u ngjitur në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit është prioriteti i TKOB.
Koncerti simfonik vokal, “Oh Dolci Baci”, që TKOB kishte përgatitur me rastin e ditës së Shën Valentinit, solli performanca të shkëlqyera nga studentët e Konservatorit të Salernos dhe solistët e TKOB-it.
Por, e veçanta e mbrëmjes së djeshme në TKOB ishte interpretimi i Isabel Poros. Me timbrin e saj të ngrohtë prej një sopranoje profesioniste, 11-vjeçarja Isabel Poro, debutoi për artdashësit shqiptar Musetta’s Waltz “Quando m’en vo” nga opera “La Boheme” e G.Puccini-t.
Isabel Poro fillimisht ka mahnitur publikun ndërkombëtar me zërin e saj të rrallë, duke rrëmbyer edhe çmime të rëndësishme në Moskë, Itali, e Shqipëri, ndërsa është e ftuar të debutojë edhe në skenën gjigande të “Sanremo-s”, si një “ambasadore” e vërtetë e vendit tonë, që rrit talente të tilla./ atsh / KultPlus.com
Së shpejti Korit të Zërave të Bardhë pranë TKOB do t’i shtohen edhe fëmijë instrumentistë.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka hapur sërish thirrjen për fëmijët e talentuar, që duan t’i bashkohen Korit të Zërave të Bardhë.
Të gjithë prindërit e interesuar mund të çojnë fëmijët e tyre pranë Hollit Koncertor në Teatrin e Operas, më 18 shkurt, ora 11.00.
Kjo mundësi, thuhet në njoftimin e TKOB, vjen plotësisht falas. Mjafton që fëmijët të luajnë një instrument muzikor, si dhe të paraqesin një material sipas dëshirës së tyre. Gjithashtu, ata do të kalojnë përmes një testimi ritmik, melodik dhe atij të kujtesës.
Duhet që paraprakisht prindërit të dërgojnë të dhënat e fëmijëve në email-in [email protected], duke përfshirë: emër, mbiemër, moshën, shkollën, instrumentin me të cilin do të prezantohen si dhe kontaktin.
Për herë të parë, TKOB në kuadër të edukimit për brezat e rinj, hapi shtatorin e shkuar audicion për të gjithë fëmijët nga mosha 6-11 vjeç, për të qenë pjesëtarë të korit të zërave të bardhë.
Kori i zërave të bardhë do të jetë pjesë e produksioneve të TKOB në sezonin e ri artistik gjatë vitit 2023 e në vazhdim.
Fëmijët do të trajnohen profesionalisht nga artistët e TKOB pa asnjë kosto./atsh/ KultPlus.com
Muaji shkurt vjen me një kalendar të ngjeshur artistik, sjellë nga Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Në një komunikatë për mediet, TKOBAP thotë se “muaji i dashurisë” i kushtohet produksioneve të reja që mbartin emrat më të shquar regjisorialë, çeljes së sezonit artistik të baletit dhe operetave për fëmijë e familje, ndjenjës së përkatësisë, që lidhet me trashëgiminë dhe traditat kulturore të zonës si edhe të rinjve e të rejave, që u japin zë emocioneve përmes artit.
Shfaqjet nisin me veprën “Antikiteti Modern”, me koreografi të Enada Hoxhës e Gerd Vasos, me pjesëmarrjen e solistit lirik Xhieldo Hyseni, i cili sapo ka fituar në një konkurs ndërkombëtar të këngëtarëve lirikë (AsLiCo) në Como të Italisë. “Antikiteti Modern” do të shfaqet për dy netë me radhë, në 4 dhe 5 shkurt.
Në datën 9 do të shfaqet “Romeo and Juliet”, me regji të Sakir Gurzumar, një shfaqje e realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, TKOB dhe Shkollën e Baletit. Data 10 shkurt sjell shfaqjen e talenteve të reja “UPFEST 23” dhe ditën e Shën Valentinit, TKOB sjell koncertin vokal simfonik “O dolci baci”, me solistët lirikë të TKOB-së dhe të Konservatorit të Salernos (Itali).
“Shqipëria ime” është koncerti i Ansamblit Popullor, i planifikuar për në datën 16 shkurt. Ndërsa në datat nga 22-25 shkurt, rikthehet opereta e përshtatur për fëmijë dhe familje “La serva padrona”.
4 netë të tjera shfaqjeje do të mbyllin kalendarin e muajit shkurt. Bëhet fjalë për një produksion të ri të operetës “Karnavalet e Korçës”, e cila vjen në skenë pikërisht në periudhë karnavalesh. Artistja e mirënjohur Inva Mula, vjen kësaj here në rolin e regjisores së veprës, e cila do të dirigjohet nga një tjetër artiste me vlera dhe me një karrierë të ngritur edhe jashtë Shqipërisë, Elda Laro./ KultPlus.com
Momente magjike kanë përjetuar të pranishmit në Teatrin e Operës dhe Baletit ndërsa shfaqej “4 stinët e Vivaldit” me koreografinë e Blerina Arbanës dhe interpretimin e nxënësve të Shkollës së Baletit.
“4 stinët e Vivaldit” kësaj here ishte konceptuar si një ndërthurje mes baletit dhe interpretimit të aktorit Reshat Arbana, “Artist I Popullit”.
Shfaqja me koreografinë e drejtores së Shkollës së Baletit, kishte mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Kongresit Rinor Kombëtar si dhe të Tirana European Youth Capital.
“4 stinët” janë një nga pjesët instrumentale më të njohura në botë, edhe mes joprofesionistëve. Ato u shkruan në fillimin e viteve 1700 dhe u bënë publike fillimisht në Amsterdam, megjithëse mendohet se Antonio Vivaldi mund t’i ketë shkruar i frymëzuar nga natyra pranë Mantovës. Ashtu si në shfaqjen e Shkollës së Baletit, edhe në vitet 1700, muzika e Vivaldit, shoqërohej nga poezi, me siguri, të shkruara nga vetë kompozitori.
E pranishme në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, si edhe personalitete të botës së artit dhe televizionit./ atsh / KultPlus.com
TKOB i bashkohet teatrove të tjerë përreth globit në shpalljen e 2023-it si “Viti Verdian”, me rastin e 210-vjetorit të vdekjes të kompozitorit, Giuseppe Verdi.
Disa ditë më parë gjatë prezantimit të kalendarit artistik të këtij viti u tha se nuk do të mungojnë dhe kryeveprat e Verdit.
Ndërsa nuk do të mungojë dhe krijimtaria shqiptare më opera si Rozafa”, “Skënderbeu”, “Karnavalet e Korçës” të Avni Mulës që do të vihet në skenë me regji të sopranos Inva Mula. “Halili dhe Hajria”, baleti I parë shqiptar që pati premierën në vitin 1963 është parashikuar të vihet në skenë gjatë këtij viti.
Ylli ndërkombëtar Ermonela Jaho do të jetë pjesë e bordit artistik, duke u përfshirë në programin e masterklaseve.
Nën regjinë e Gëzim Myshketës do të rivihet opera Carmen. Dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli do të jetë pjesë e disa koncerteve dhe operave premierë. Nga ana tjetër do të ketë bashkëpunime edhe me baletin e Kosovës.
Shfaqja e radhës do të jetë më 19 janar. Notte da Oscar, me muzikë filmi dhe program gjithpërfshirës.
Një ndër objektivat kryesorë sipas Teatrit të Operas është rritja e audiencës dhe diversifikimi i zhanreve./ TopChannel/ KultPlus.com
Bashkë me pianon e re “Steinway & Sons”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit tashmë ka në përdorim edhe dy piano të vjetra, në kushte optimale pune.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi në rrjetet sociale se brenda kontratës së blerjes së pianos së re, u përfshi edhe restaurimi i Grand Piano Steinway & Sons, prodhim i 1989-ës dhe Grand Piano Yamaha, prodhim i 1988-ës në Japoni.
“Pas ndërrimit të kokave të çekiçit dhe krahëve, i fllanxhave, zëvendësimit të tasteve dhe lustrimit të tastierës, zëvendësimit të telave të dëmtuar, riparimit të sistemit të pedaleve dhe elementeve të brendshëm të pianos, pastrimit dhe akordimit, pianot duken si të reja”, informon ministrja.
Steinway është një kompani gjermano-amerikane e prodhimit të pianove, e themeluar në 1853, në Manhattan nga gjermani Heinrich Engelhard Steinweg. Pianot Steinway&Sons njihen botërisht për tingullin dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Sipas pjesës më të madhe të muzikologëve, tingulli i prodhuar nga një Stainway s’ka të krahasuar. / KultPlus.com
Një piano e re e markës “Steinway & Sons” iu shtua sot Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “sot bëmë realitet ëndrrat e brezave të tërë artistësh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”.
“Me gishtat e pianistes sonë të dashur Margarita Kristidhi dhe nxënëses 9-vjeçare të shkollës “Servete Maçi”, Kristel Xhafka pagëzuam pianon e re “Steinway & Sons”, e cila mbërriti pas një përpjekjeje të gjatë”, tha Margariti.
Ministrja Margariti bëri të ditur se “bashkë me pianon e re u arrit edhe riparimi i dy pianove të vjetra, prodhim i viteve 1988 dhe 1989”.
“Blerja e kësaj pianoje është vijim i punës sonë për krijimin e të gjitha kushteve për artistët tanë”, tha Margariti./ KultPlus.com
Koreografi Blenard Azizaj prej vitesh jeton jo vetëm larg vendit të tij, por dhe larg skenës shqiptare.
Por këto ditë, artisti rikthehet në Teatrin e Operës dhe Baletit me shfaqjen “Emigrimi i madh”, si një pasqyrim i realitetit të tij të jetuar.
“Është një biografi e imja pasi shumë kohë më parë unë kam emigruar drejt Greqisë, dhe si shumë shqiptarë të tjerë kam ecur nëpër male e siç e kam thënë dhe herë të tjera këtë temë mundohem ta trajtoj në shumë vende të botës. I inspiruar gjithashtu dhe nga shumë fotografi dhe ngjarje reale është një temë shumë interesante sepse emigrimi ka qenë është dhe vazhdon të jetë.”
Azizaj sjell përballë publikut shqiptar artistë të huaj me një qëllim të vetëm, përcjelljen e mesazheve dhe fenomeneve sociale përmes artit, e veçanërisht baletit bashkëkohor.
“Është hera e parë me një turpë të huaj në tëatrin e opërs dhe baletit, publiku e mirëpriti madje pati shumë ovacione. Do kisha shumë dëshirë mbase deh në shqipëri të sillja një temë me balerinë shqiptarë pasi sic e shoh zhaneri i kercimit konteporan po evolon.”
Mundësisë për t’u rikthyer e për të kontribuar në skenën e artit shqiptar, koreografi nuk i thotë jo, por ende artisti nuk ka një vendim përfundimtar. /vizionplus/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i bashkohet Tetorit Rozë me një koncert bamirësie, për t’iu gjendur pranë vajzave dhe grave, që po luftojnë kundër kancerit të gjirit.
Artistët e TKOBAP kishin zgjedhur një repertor të mrekullueshëm për një kauzë të rëndësishme. Mbrëmja koncertale e bamirësisë u mbajt në hollin koncertor. Në të interpretuan emra të njohur si Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Ramona Tullumani, Sonila Baboçi, Renisa laça, Xhieldo Hyseni, Bledar Domi e Artur Vera, me koncertmaestër: Ingrid Pulizo, Etrita Ibrahimi e Herta Cane e Igli Rapaj.
Me këtë mbrëmje koncertale, TKOBAP u ndodhet pranë vajzave dhe grave të cilat janë duke luftuar kundër sëmundjes së kancerit të gjirit.
Tetori është muaji i depistimit dhe ndërgjegjësimit të kësaj sëmundjeje dhe në këtë kuadër, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, organizoi këtë mbrëmje bamirësie, me qëllim mbledhjen e donacioneve për blerjen e protezave dhe përpunimin e parukeve, në bashkëpunim me Europa Donna Albania, për vajzat dhe gratë të cilat po përballen me luftën kundër kancerit të gjirit. /atsh / KultPlus.com
Për herë të parë TKOB do të vërë në skenë veprën madhështore të Giuseppe Verdi-t, “Messa da Requiem”.
Në datat 22 dhe 23 Tetor. Kjo vepër vjen me mbështetjen ekskluzive të Pontifikatit të Këshillit të Kulturës së Vatikanit. Mbështetje që vjen për herë të parë në Teatër.
Gjithashtu, të ftuar janë dhe një pjesë e folharmonisë dhe orkestrës së Kosovës. Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pesscaseroli. Nën interpretimin e Eva Golemit, Ivana Hoxhës, Raffaele Abate dhe Vittorio de Campo.
Në Vjenë Messa da Requiem i Verdit u dëgjua për herë të parë në Operën e Oborrit në qershor 1875.
Messa da Requiem është krijuar në formën e meshës funerale katolike (Requiem) për katër solistë, kor të dyfishtë dhe orkestër. Requiem u kompozua në kujtim të Alessandro Manzoni, të cilin Verdi e admironte.
Shfaqja e parë, në kishën San Marco në Milano më 22 maj 1874, shënoi përvjetorin e parë të vdekjes së Manzonit. Zakonisht jepet në formë koncerti prej rreth 90 minutash në gjatësi./TopChannel/ KultPlus.com
Sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi së shpejti do të performoj në Tiranë. Kësaj here ajo po i ndahet skenave të shumta botërore, për të kënduar në Shqipëri, përcjell KultPlus.
Koncerti do të mbahet me 13 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me fillim nga ora 19:00.
Po ashtu, koncerti vjen nën dirigjimin e Nicolas André, ndërsa Orkestra Simfonike RTSH do të interpretoj arie nga Le Nozze di Figaro, Manon dhe Rusalka.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kajtazit:
Të dashur miq, Jam mëse e lumtur dhe krenare që kësaj here do të kem rastin të këndoj në Tiranë! Kësaj here i ndahem skenave botërore për të kënduar në Shqipërinë time të dashtun! Gjithmonë falenderuese për nderin dhe respektin që pranoj nga Shqipëria jonë. Ju mirëpresë me 13 tetor në Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor nga ora 19:00 , bashkë me dirigjentin Nicolas André dhe Orkestra Simfonike RTSH do interpretoj arie nga Le Nozze di Figaro , Manon dhe Rusalka. Gjitha të mirat dhe mirë se vini! / KultPlus.com
Premiera botërore e dy veprave të kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi solli përjetime të ndjera dhe performanca magjike me nivel të lartë në skenën e TKOB mbrëmjen e djeshme me orkestrën e RTSH-së, dirigjentin turk Murat Cem Orhan dhe violinistin Elvin Hoxha Ganiyev.
Muzika violinistike shqiptare dhe ajo botërore është më e pasur në gjuhë, brendi muzikore, konceptualitet, bashkëjetesë midis modernizmit e klasicizmit,energji sonore filozofi, dhe estetikë muzikore me veprat që solli mbrëmë premierë Aleksander Peçi: Diellore dhe koncerti për violinë e orkestër, “Love”.
Entuziazmi dhe duartrokitjet elektrizuese të publikut ishin finalja e një mbrëmjeje të paharruar.
Programin e hapi vepra për orkestër “Diellore” e cila përmes shpërthimeve sonore të tunxhit sjell një model të ri në një epokë të re të shekullit 21, koncept të ri në ngjyra arkitekture orkestrale e fusion plot shkëlqim kaleidoskopik, cilësi të individualitetit mjeshtëror të kompozitorit Peçi.
Koncerti për violinë e orkestër “Love” është një nga 8 koncertet që Peçi ka shkruar këto 2 vjet kohë pandemike. Katalogu i botimeve të autorit me 917 botime sjell një shifër rekord në Shqipëri e më gjerë, ku një vend dukshëm të pakrahasueshëm, e sjellin prurjet e autorit me 13 koncerte, 15 sonata, 5 simfoni, 6 rapsodi, 2 opera, 2 balete, 120 botime për piano, rreth 20 filma, 7 këngë hite tashmë dhe të tjera.
Me kohën e parë të koncertit për violin “Aria-Jaria”, kompozitori sjell një formë të re të paeksploruar më parë. Është një mendim i miratuar përgjithësisht në botën muzikore se jaret e Shkodrës janë si arie në muzikën tonë popullore qytetare. Janë ato që i ngacmuan autorit idenë që nga “Gjëma e Illyricum”, në vitin 2020, që të hyjë në territoret e kantusit shkodran.
Violina e Peçit, pas një eksperience tek vepra tjetër e tij “Duo in solo”, është shkruar në 2 pentagrame. Pikërisht, kjo marrëdhënie e sensibilitetit të jares me sensibilitetin e telit bosh që luan iso – ostinaton është një nga gjetjet e autorit, gjetje që duhet thënë se në këtë vepër janë të shumta.
Koha e dytë titullohet “Rendofone” ku autori sjell rendje të tingullit ku lëvizjet binare kryqëzohen me lëvizjen ternare dhe episodet alterohen me temën si në një rondo. Peçi është mjeshtër i orkestracionit, ngjyrave multikolorëshe, dialogjeve të shumta mes familjeve të instrumenteve që thyejnë e përthyejnë dritën, që ai pas një eksperience 50-vjeçare mjeshtërisht i krijon.
Koncerti ka një finale marramendëse ku kontrapunktizohen duke çliruar shume energji “Aria Jaria” e finales së kohës së parë, me “Rendofone” të kohës së dytë.
Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime te shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve./atsh/ KultPlus.com