Elgit Doda vjen me një klip dhe bashkëpunim të ri interesant

Këngëtari shqiptar, i cili premton shumë për të ardhmen e muzikës në Shqipëri, Elgit Doda, duket se shumë shpejt do të na paraqesë projektin e radhës.

Me një foto në instagram, Elgiti na prezanton me bashkëpunëtorin e këngës së tij të re dhe ndoshta me pamjet nga xhirimi i klipit.

Dario Zela është artisti që së shpejti do të performojë këngën e re me Elgitin. Nga pamjet duket që Dario është në një moshë shumë të re, por mbetet për t’u parë suksesi i këngës.
Pas këngës “Asaj”, e cila është publikuar në muajin prill, urojmë që projekti i ri i Elgit Dodës të ketë të njëjtin impakt. / KultPlus.com

CONAD ushqim me cilësi dhe çmime me levërdi

Tregu në Kosovë ka oferta të llojllojshme të produkteve ushqimore, por konsumatori kosovar për arsye të kritereve në rritje të përzgjedhjes së ushqimit për tryezën e tyre është gjithnjë në hulumtim për cilësi dhe leverdi, se si do të shtrohet tryeza e tyre. Nëse po ushqehemi shëndetshëm dhe me produkte të cilësisë së kërkuar?!

Alternativa më e mirë në tregun e Kosovës pa dyshim është marketi CONAD, zinxhir marketesh italiane në tërë botën, e cila gjendet edhe në Prishtinë, që për familjet kosovare ofron produktet me cilësinë më të mirë Italiane. CONAD, përpos që dallon me emrin që bartë, me shtetin prej nga vijnë produktet, 100 % dallon edhe me produktet që ofron, pasi ato janë ekskluzive dhe nuk ofrohen në asnjë market tjetër në Kosovë.

Është i vetmi market që produktet ushqimore të ofruara për kosovarët janë të cilësisë së njëjtë, të destinuara edhe për tregun e Bashkësisë Evropiane, pasi e gjithë gama e produkteve në Romë, Milano e San Paolo, për konsumatorin tonë, gjendet dhe në Prishtinë dhe kanë po të njëjtën origjinë, përmbajte dhe cilësi.

Andaj, duke u nisur nga këto specifika: brendi italian, ushqim trefish i kontrolluar sipas standardeve evropiane, produkte eksluzive, çmime të volitshme, dhe mbi të gjitha siguri për një ushqim të shëndetshëm, në CONAD, qytetarët e Kosovës mund të gjejnë zgjidhje me mbi 4300 artikuj të ndryshëm, që vijnë ekskluzivisht nga Italia.

Prandaj qytetarët e Kosovës, për një tryezë të pasur, për një tryezë të shëndoshë dhe me shumëllojshmëri, në CONAD pos tjerash mund të gjejnë ushqim për fëmijë prej moshës 0 deri në 36 muaj, mbi 100 lloje djathërash tradicionale italiane, mëlmesa të ndryshme me aroma e me shije pikante, proshuta italiane duke përfshirë markat e njohura si: Milaneze, Crudo, Cotto si dhe sallamëra italiane.

Brendi i njohur CONAD ka zhvilluar një linjë produktesh biologjike që është e përshtatshme për ata që kujdesen për ushqimin e tyre duke kërkuar ushqime sa më të shëndetshme e natyrale dhe mbrojnë shëndetin e tyre dhe ambientin që i rrethon, pa hequr dorë nga kënaqësitë e shijimit.

Por nuk duhet të harrojmë edhe ushqimin e detit, ushqim mjaft i shëndetshëm dhe me kualitet shumë të lartë. Tregu i Kosovës nuk ofron një cilësi të mirë të ushqimit të detit, por në CONAD, duke iu referuar edhe përvojës italiane, ofron fruta deti të freskëta, të marinuara, të ruajtura në frigorifer të ftohjes së ulët, si: kallamari, karkaleca, oktopod, skampi, etj, kurse për ata që nuk janë shumë të familjarizuar me përgatitjen e këtyre produkteve, ka edhe fruta të gatshme për shërbim.

Dhe jo vetëm me këto produkte përfundon shërbimi i CONAD, pasi që, nëse dëshironi të keni një veçanti nga shtëpitë e tjera, atëherë patjetër duhet të zgjidhet CONAD, duke pasë mundësi të furnizimit edhe me produkte të amvisërisë, si dhe produkte ekskluzive higjiene si Dixan, Dash etj. Me këto oferta do të bindeni vetëm atëherë pasi ti dërgoni këto produkte në shtëpi dhe të vlerësoni cilësinë e tyre. Patjetër që do të ktheheni sërish në CONAD. “Artistë në cilësi, dhe mjeshtër në levërdi”.

Për përkrahje financiare të projekteve për botimin e librave për vitin 2017

Republika e Kosovës
Republika Kosova-Republic of Kosovo
Qeveria-Vlada-Government

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Ministarstvo za kulturu, omladinu i sport
Ministry of Culture, Youth and Sports

Departamenti i Kulturës/Departman za kulturu/Department of Culture
Në pajtim me nenin 3 e 21 të Ligjit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin, duke u bazuar në nenet 12, 13, 14, 15, 16, të Rregullores Nr. 02/12 për Punën e Këshillit të Librit, me qëllim të promovimit dhe përkrahjes se librit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, publikon

FTESË PUBLIKE
Për përkrahje financiare të projekteve për botimin e librave për vitin 2017 me Nr Konkursi: MKRS-DK-DLB 03/2017

 

Data e shpalljes:17.01.2017

Dosja e plotë e konkursit mund të kërkohet përmes postës elektronike në adresën:
http://www.mkrs-ks.org
KONKURSI PËR PËRKRAHJEN FINANCIARE TË PROJEKTEVE TË BOTIMIT TË LIBRIT PËR VITIN 2017
Përkrahja financiare u jepet botuesve për veprat e pabotuara të të gjitha gjinive letrare, përfshirë:
 veprat nga krijimtaria letrare e Kosovës;
 përkthime të veprave kulmore të letërsisë së huaj,
 kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur.
Të drejtën për konkurrim e kanë botuesit e regjistruar për këtë veprimtari në Kosovë, që përmbushin këto kritere:
 Prezantimi i dëshmisë së të drejtës së autorit,
 Dy dorëshkrime ( një kopje fizike dhe një elektronike ) të titujve konkurrues
 Paraqitja e një vlerësimi profesional nga shtëpitë botuese (arsyetim narrativ)
 Paraqitja e kërkesës me shkrim bashkë me specifikimin detaj të mjeteve buxhetore të planifikuara për realizimin e botimit
 Subjektet nuk duhet të kenë obligime të pakryera ndaj Ministrisë nga vitet paraprake,

Në këtë konkurse nuk mund të përkrahen:
 tekstet shkollore,
 doracakët dhe udhëzuesit
 publikimet komerciale;
 botimet që nuk i plotësojnë standardet e kulturës së librit.
Projektet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen.
Projektet me dokumentacionin e kërkuar dorëzohen, në dy kopje, nga data 17/01/2017 deri më, 20/02/2017 në ora 16:00, në Arkivin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyra nr. 022 – për Departamentin e Kulturës Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Tereze”, nr. 35.

GKA, hapë ekspozitën ‘Bota e fëmijëve’

Të premten, më 23 qershor, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë do të prezantojë për publikun e saj ekspozitën “Bota e fëmijëve”.

Kjo ekspozitë i kushtohet një publiku të veçantë, jo vetëm të rriturve artdashës, por në veçanti krijuesve të vegjël.

Në këtë ekspozitë do të prezantohet krijimtaria e përzgjedhur e katër artistëve si Abdurrahim Buza, Agim Faja, Guri Bulollari dhe Ledia Kostandini, autorë të jashtëzakonshëm, plot fantazi, veprat e të cilëve dinë të flasin në gjuhën e të rriturve e të vegjëlve.

Nën kurimin e Esmeralda Dalipi dhe Bujana Demiraj, kjo ekspozitë vjen përpara publikut si një “ditar” me ilustrime të realizuara ndër vite, në teknika të ndryshme, nga autorë të specifikave të ndryshme.
Është vendosja e Abdurrahim Buzës, piktorit më të rëndësishëm realist të shekullit XX-të, përballë Guri Bulollarit, një piktor autodidakt të pa ndikuar nga arsimimi akademik, që e bën këtë ekspozitë unike të llojit të saj.

Është prezantimi I krijimtarisë së Agim Fajës, ilustrues dhe krijues i teksteve letrare për më shumë se 50 vjet në Shqipëri, me mbi 100 libra të ilustruar për fëmijë dhe të rritur, përkrah Ledia Konstandinit, artiste e gjeneratës së re, e cila ilustron përmes mediumit të ri dixhital manual, që e bën këtë ekspozitë një burim kurioziteti për çdo moshë.
Konferenca për mediat do të mbahet ditën e premte dt. 23 qershor ora 10.00.
Ekspozita hapet të premte 23 qershor ora 11.30 të paradites./ KultPlus.com

Era Istrefi letër komunitetit LGBT: Mos lejoni askënd t’ua ndalojë dashurinë

Për muajin e komunitetit LGBTI, Billboardi kërkoi nga një numër i madh yjesh që të shkruajnë një letër për këtë komunitet.

Në mesin e yjeve që ishte ftuar për të shkruar letër ishte edhe Era Istrefi, letra e së cilës është publikuar në faqen zyrtare të Billboardit.

“Bota mund të jetë e ashpër për komunitetin LGBTI, sidoqoftë, ky realitet i hidhur mund t’u jap atyre superfuqi për shndërrimin e këtij planeti në vend më kreativ, argëtues dhe të mençur. Faleminderit për frymëzimin e pafund dhe ngjyrat që ia jepni universit”, ka shkruar Era Istrefi.
“Njëherë kam njohur një fans timin që ishte nga komuniteti LGBTI, i cili mendonte vetëvrasjen sepse askush nuk e kuptonte në Kosovë. Ai më ka thënë se muzika ime e frymëzon që të vazhdojë tutje dhe takimi me mua në vitin e kaluar gjatë paradës në NYC [New York City] i dha atij shpresë. Si rezultat i performancës sime Sinful Colors dhuroi një pjesë të të ardhurave për projektin e Trevorit të ngjyrosjes së thonjve. Trevor është linjë ndihmëse telefonike 24/7 për të rinjtë e komunitetit LGBTI, e që për mua ka rëndësi të madhe. Jam e lumtur që do të performoj përsëri në Pride NYC, në të cili ndo të lansojë koleksionin tim me ngjyra të thonjve në bashkëpunim me Sinful Colors”, ka shkruar krijuesja e hitit “Bon Bon”.

“Mos lejoni askënd t’ua ndalojë dashurinë. Dashurojeni veten dhe këdo për të cilin u rrah zemra. Përtej gjinisë, racës dhe kombit”. / KultPlus.com

Ismail Kadare, javën tjetër në Itali flet mbi frikën dhe guximin

Shkrimtari Ismail Kadare do të jetë i ftuar në fund të këtij muaji në Itali.

Shkrimtari do të jetë pjesë e organizimit kulturor La Milanesiana – një organizim që zgjatë rreth 1 muaj në disa qytetet të Italisë inicuar nga Elisabetta Sgarbi.

Me datë 26 dhe 28 qershor Kadare do të jetë pjesë e seksionit letrar të këtij organizimi, shkruan KultPlus.
Kadare do të jetë i pranishëm në panelin letrar mbi frikën dhe guximin të shkruash në një vend që nuk është origjina jote, bashkë me Janine di Giovanni dhe Tahar Ben Jelloun. Ngjarja do të ndodhë në Piccolo Theatro Grassi në Milano të Italisë.

La Milanesiana 2017 ka të ftuar rreth 140 artistë të fushave të ndryshme, përfshirë librin, muzikën, arkitekturën, filmin e filozofinë.

Pos Milanos, ngjarja do të zhvendoset edhe në Torino, Florence, Bormio dhe Verbania. / KultPlus.com

Dua Lipa sonte performon live në New York Times

Dua Lipa, këngëtarja e njohur shqiptare, sonte me fillim prej orës 22:00 me kohën tonë lokale do të jetë live në llogarinë e NewYork Times – gazetës së njohur amerikane.

Në ora 16:00 me kohën lokale në Nju Jork, ajo do të këndojë por edhe do tu përgjigjet pyetjeve të ndryshme, ka njoftuar vetë Dua me anë të rrjetit social Facebook.

Dua ka lansuar këtë muaj albumin e saj të parë. / KultPlus.com

Shoqata e re e Regjisorëve përçan artistet, komente të ndryshme në rrjete sociale

Një shoqatë e re e cila dje iu shtua komunitetit kulturor në Kosovë duket se u bë sebep që një debat në rrjetet sociale shpesh edhe të eskalonte.

Jo rastësisht të përfshirë në debat, me komentet e tyre janë disa prej figurave që kanë disa projekte artistike dhe konsiderohen pjesë e artistëve në Kosovë.

Bëhet fjalë për një postim të Flutra Zymit – një regjisore e cila dje, pasi u formua Shoqata e Regjisorëve të Teatrit të Kosovës, shkroi një status në llogarinë e saj në Facebook me këtë mbishkrim:

“Bravo Teatrit Kombetar per ndryshimet qe i ka sjell kete vit……e shihni keta njerez kur dikur dy here ne vit merrnin te holla nga ju…..nuk kishin nevoje per shoqate po te njejtit regjisor……po pra duhet zingjirte nese jo mi kpute me i livrit kapak 😉 😜 ose po duhet me ateru a aderu qysh po i thojnë ”

Postimit më pas i ka pasuar një debat ku janë përfshirë aktorja Albulena Kryeziu Bokshi, regjisorja Burbuqe Berisha dhe regjisori Ilir Bokshi.

Në fotografitë poashtu mund të shihni pak nga debati i zhvilluar, ku nuk kanë munguar edhe fjalë që nuk i takojnë një diskursi artistik e as që duhet thënë nga personat që punojnë në botën e artit dhe kulturës.

Në këtë link mund të lexoni më shumë mbi Shoqatën në fjalë, e cila është nismë e re e krijuar nga disa artistë të teatrit nga vendi. / KultPlus.com 

Dy vëllezërit Vlashi shpallen fitues të konkurseve muzikore në Francë dhe Spanjë

Dy vëllezër instrumentistë, bij artistësh shqiptarë, ditët e fundit janë shpallur fitues në dy konkurse të zhvilluara në Francë dhe në Spanjë.

Dy vëllezër instrumentistë, bij artistësh shqiptarë, ditët e fundit janë shpallur fitues në dy konkurse të zhvilluara në Francë dhe në Spanjë. Violinisti Daniel Vlashi është shpallur fitues në konkursin “Talents Classiques” që u zhvillua në Grenoble (Francë), duke u vlerësuar me Prix du Jury (Çmimin e Jurisë).

Danieli, i cili sapo ka mbushur 20 vjeç, studion për violinë në Konservatorin e Lionit, duke ndjekur gjurmët e të jatit, Florian Vlashi. Ndërkaq, vetëm 13 vjeç, Martini është shpallur fitues i Konkursit të Solistëve, duke interpretuar në violonçel një nga veprat e L. Boccherinit (1743-1805), shkruan atsh.

Përveç mësimeve në një nga shkollat artistike të Korunjas, për edukimin artistic të Martinit kujdeset e ëma, Rediana Llukaçi, violonçeliste, mësuese dhe instrumentiste në Ansamblin “Shekulli XX”, që drejtohet nga Florian Vlashi. Instrumentistët e familjes Vlashi Llukaçi në fillim të muajit gusht do të jetë për një javë radhazi në Durrës, si pjesëmarrës në Bienalen e titulluar “Netët e Muzikës Klasike”, që organizohet nga Florian Vlashi që prej vitit 2003. Familja e artistëve durrsakë jeton që nga viti 1992 në qytetin e Korunjas (Spanjë)./KultPlus.com 

Serbët ndërpresin transmetimin e filmit “Kosovo…Nazdravlje! Gëzuar!” në Novi Sad

Pjesëtarë të organizatës nacionaliste serbe “Zavetnici”, kanë ndërprerë shfaqjen e filmit “Kosovo…Nazdravlje! Gëzuar!” në Media Qendrën në Novi Sad, në selinë e Shoqatës së gazetarëve të pavarur “Shoqatës së Vojvodinës”.

Para kësaj qendre, anëtarët e “Zavetnici” paraprakisht kanë mbajtur një konferencë për gazetarë, ku anëtari i komitetit qendror, Sllobodan Joviq, ka paralajmëruar se në përmbajtje të këtij filmi, kooproducent i të cilit është Dinko Gruhonjiq, ushtria dhe policia serbe si forcë okupatore ndërsa “pjesëtarët e UÇK-së terroriste” paraqiten si luftëtarë legjitimë për liri.

“Po tentohet rehabilitimi i kriminelëve shqiptarë të luftës dhe po tentohet të ndërrohet teza ku serbët marrin fajin për luftën në Kosovë e Metohi, ndërsa shqiptarët rolin e viktimës”, ka thënë Joviq, transmeton Koha.net.

Joviq vlerëson se një film i llojit të këtillë promovon separatizmin në Novi Sad me qëllim të inkurajimit të një veprimi të njëjtë në Vojvodinë.
Pas konferencës, siç raportojnë mediat në Serbi, disa pjesëtarë të “Zavetnici” kanë hyrë në sallën ku ishte paralajmëruar transmetimit i filmit “Kosovo… Nazdravlje! Gëzuar!”.

Krejt në fillim të transmetimit, anëtarë të ‘Zavetnici’ kanë fikur projektorin dhe kanë ndërprerë transmetimin e filmit, me thirrjet: “Kjo është turp!”.
Më pas, anëtari i komitetit qendror, Vedran Çosiq, ka pyetur organizatorët: “Ku është drejtësia për viktimat serbe?! Kush është përgjegjës për familje të tëra serbe që janë vrarë dhe kidnapuar?! Si jetojnë serbët në Kosovë e Metohi”.

Filmi dokumentar “Kosovo… Nazdravlje! Gëzuar!” është një rrëfim i takimit të Arientin Abdylit – Arit, veteran i luftës së UÇK-së dhe Isak Vorguqiqit, ish-murg në Kishën ortodokse serbe.

Ata dy sot janë gazetarë dhe në film flasin për gjendjen në Kosovë, për luftën, marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Kujtojmë se ditë më parë, po e njëjta organizatë kishte penguar edhe pjesëmarrjen e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”, e cila ishte ndaluar të hyjë në Serbi. / KultPlus.com 

Një relikë e Nënës Terezë po ekspozohet në Irlandë (FOTO)

Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.

Një relikë, kujtim nga Nëna Terezë, po e shëtitë botën në një turne për tu ekspozuar në lokacione të ndryshme.

Bëhet fjalë për një pëlhurë/mbulesë burynxhuk e shënuar me gjak të bamirëses dhe e vendosur në kryq, e cila këtë vikend u ekspozuar në Irlandë, shkruan KultPlus.

Relikti është marrë nga Qendra e Bamireseve e Nënë Terezës ndërsa do të ekspozohet më pas edhe në qytete tjera evropiane.

Nënë Tereza ka lindur më 1910 në Shkup ndërsa vitin e kaluar u shenjtërua në Romë nga vetë Papa. / KultPlus.com

Shpallet lista e këngëtarëve më të paguar në botë

Puff Daddy, në skenën muzikore prej 20 vitesh është këngëtari që ka fituar më shumë sipas listës së publikuar nga Forbes: 130 milionë dollarë në 12 muaj.

Në 1999 Diddy (siç po thërritet kohët e fundit) tregonte për revistën se po punonte për të ndërtuar pasurinë e tij dhe duket se ia ka dalë.

Pas tij vjen ajo që është konsideruar ylli i vitit: Beyonce, që me albumin e saj ‘Lemonade’ dhe Formation World Tour ka mbledhur 105 milionë dollarë.

Forbes ka kurorëzuar më parë Sean Combs, emri artistik i të cilit është Puff Daddy (ose Puff Diddy) disa muaj më parë si reperi më i pasur në botë (duke u bazuar në pasurinë e deklaruar) për të shtatën herë me radhë pasuria e tij ka një vlerë prej 820 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilës vjen nga aktiviteti i biznesit dhe jo thjesht nga muzika.

Pjesa më e madhe e fitimeve të Daddy, vitin e kaluar vjen nga linja e tij e veshjeve , e vlerësuar 70 milionë dollarë.

Kthehet në kalsifikim “mamaja”e ‘Harry Potter’ J.K. Rowling me 95 milionë dollarë të fituar, ndiqet nga Drake me 94 milionë dhe e plotëson listën me pesë emrat e parë edhe një sportist: futbollisti i Real Madrid, që fitoi këtë vit me skuadrën e tij, Chiampions League, Cristiano Ronaldo vitin e kaluar ka fituar 93 milionë dollarë.  / KultPlus.com 

Orges Kokoshari: Me veshjen e Skënderbeut do të paraqitem në paradën shqiptare në New York

Orges Kokoshari, themelues i brendit të aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York ka lansuar shumë aksesorë me motive nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke përfshirë edhe unazë me përkrenaren e Skënderbeut, helmetën ilire, unazë me shqiponjë dhe shumë aksesorë të tjerë, të cilat edhe shiten online. Në një intervistë për KultPlus ai ka treguar edhe për përgatitjet e reja, sipas të cilit, më 17 qershor , në paradën shqiptare në New York, brendi Gheg & Tosk do të prezantohet me Skënderbeun dhe Donikën.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju jeni themelues i brendit “Gheg & Tosk”, në New York, nëpërmjet të cilit i ofroni tregut aksesorë me elemente shqiptare, kur e keni hapur këtë brend dhe si ju lindi ideja të bëni këto aksesorë me motive shqiptare?
Orges Kokoshari: Gheg & Tosk filloi në vitin 2016, si një mundësi për promovimin gjithëpërfshirës të elementeve më të spikatura të popullit shqiptarë. Siç mund të kuptoni, brendi Gheg & Tosk përmban në vete hapësirën shqiptare në Ballkan, që përfshinë gjitha trojet shqiptare pa kufij, pa ndarjet që na janë imponuar përherë nga të tjerët. Qëllimi i Gheg & Tosk është paraqitja sa me artistike dhe dinjitoze e elementeve historike dhe kulturore që na bashkojnë dhe që duhet të krenohemi me to si popull. Niveli artistik është prioritet kryesor që unë personalisht jam i angazhuar. Besoj se çdo kush që ka mundësinë për të përfaqësuar sa me bukur dhe denjësisht kombin e tij, duhet të bëj diçka në këtë drejtim.

 

KultPlus: Me çfarë materiale punohen këto aksesorë?
Orges Kokoshari: Gheg & Tosk boutique përfshinë bizhuteri origjinale të frymëzuara nga kultura dhe trashëgimia shqiptare. Këto bizhuteri janë të punuara në formë esenciale të periudhës historike që i përkasin, pa diamante apo gurë të çmuar, por me materiale qw i përshtaten kësaj periudhe si argjend, flori 14k , 18k ari, platin…

 

KultPlus: A keni menduar që të krijoni edhe aksesorë me motive të tjera shqiptare, nëse po, çfarë prurje do të ketë?
Orges Kokoshari: Së shpejti do sjellim për publikun Helmetën e Skënderbeut. Të cilin , çdo shqiptar mund ta gëzoj në ambiente festive të ndryshme. Poashtu, më 17 qershor kemi paradën shqiptare në New York, për nderë të arbëreshëve dhe Gheg & Tosk do të paraqitet me Skënderbeun dhe Doniken. Unë do të paraqitem me veshjen e Skënderbeut, kurse gruaja ime do të paraqitet si Donika, e cila do të ketë kurorë bizantine të punuar posaçërisht për këtë paradë. Në bashkëpunim me Albanian Roots in NY, komuniteti shqiptarë këtu është bërë një mundësi e rritjes së bashkëpunimit të shqiptarëve të diasporës.

 

KultPlus: Dhe për fund, pas kësaj parade, a ka ndonjë projekt tjetër që është menduar që të lansohet brenda këtij viti?
Orges Kokoshari:
Jemi në përgatitje edhe të projekteve të tjera, por për momentin nuk mund të flas më shumë për shkak se nuk është momenti i duhur. Në anën tjetër, unë jam artist i efekteve vizuale në New York dhe shoh mundësi reale për një film të shkurtër apo të gjatë për Skënderbeun, si krye hero i ynë, që të arrihet deri në shkallën hollivudiane. Talentet i kemi, na duhet vullnet i përbashkët që të arrijmë dhe një gjë të tillë. Pasi, atë çka nuk e bën politika mund të arrihet me art. Bota duhet të njohë thelbin the historinë e popullit tonë, pasi shume heronj na janë marrë nga shtetet fqinje, sidomos Greqia./KultPlus.com

www.gheg-tosk.com/

“Zbutja e Kryeneçes” shfaqet për herë të parë në Kinë

Zbutja e kryeneces » është përzgjedhur mes shfaqjeve në repertor të TK-së, në Festivalin ndërkombëtar të teatrove «The silk Road » në qytetin Xi’an në Kinë.

Me mbylljen e sezonit artistik 2016-2017 Teatri Kombëtar po bën përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në dy ngjarje shumë rëndësishme ndërkombëtare.

Zbutja e kryeneces » është përzgjedhur mes shfaqjeve në repertor të TK-së, në Festivalin ndërkombëtar të teatrove «The silk Road » në qytetin Xi’an në Kinë. Ndërkohë prej datës 23-28 shtator do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Tangxianzu,” International Theater Festival” në qytetin Fuzhou të Kinës. Ky fakt ka lumturuar pa masë edhe vetë regjisoren, Elma Doresi e cila shprehet shumë e lumtur në rrjetet sociale, shkruan blitz.al.

“E lumtur është pak të thuash!! Faleminderit Hervin Çuli për këtë super mundësi që na krijove. Mirënjohje Teatri Kombëtar!Mirënjohje stafit të Teatrit! Dhe në fund mirënjohje 10.000 miqve tanë të “Zbutjes së Kryeneçes”. Faleminderit Shekspir Shihemi në Kinë”, shkruan Doresi në Facebook. Kjo është hera e parë që Teatri Kombëtar prezantohet me një shfaqje në Kinë.