Zbulime gjuhësh të harruara në thesarin e Shën Katerinës në Egjipt

Shkencëtarët kanë zbuluar gjuhë të harruara që prej Mesjetës së Errët mes dorëshkrimesh të lashta, të zbuluara në manastirin e Shën Katerinës në Egjipt. Gjuhë të harruara që prej Dark Ages kanë dalë në dritë, pasi shkencëtarët kanë përdorur një metodë të re të deshifrimit të një thesari me dorëshkrime antike.

Ato përcaktohen si gjuhë tejskajshëm të rralla, përfshirë edhe Caucasian Albanian, ose Shqipja e Kaukazit, gjetur mes dokumenteve në Manastirin e Shën Katerinës në gadishullin e Sinait që datojnë së paku 1500 vjet më pare. Murgjit i kanë shkruar tekstet e tyre së pari në pergamena e më vonë ato janë gërryer, fshirë dhe përdorur për të shkruar Biblën nga brezat e mëvonshëm, të cilët flisnin në gjuhë më moderne.

Kërkuesit shkencore – siç raporton Kultplus.com – kanë zhvilluar një teknikë të avancuar përmes së cilës mund të shikohen tekstet origjinale të cilat nuk lexohen dot me sy të lirë, teknika është quajtur “era e re e artë e zbulimeve”. Metoda i lejon shkencëtarët të shikojnë shkrimet e para mbi pergamena, të cilat në ato kohë ishin shumë të vlefshme, para se të ripërdoreshin në vitet e mëvonshme. Teksa shanset për të gjetur të tjera dokumente të lashta në manastirin e Shën Katerinës janë gjithnjë e më tepër të kërcënuara .

“Epoka e zbulimeve nuk është mbyllur”, deklaroi për gazetën “The Times”, Michael Phelps që drejton Librarinë Elektronike të Dorëshkrimeve Antike në Kaliforni. “Në shekullin e 21-të, ne do të aplikojmë teknika të reja mbi dorëshkrime që kanë qenë nën hundën tonë. Do të rikuperojmë zëra të humbur të historisë sonë”. Siti poshtë malit, ku sipas Biblës thuhet që Zoti i dorëzoi Moisiut 10 Urdhëresat, ka qenë burimi dhe depoja e mbledhjes së qindra mijëra dorëshkrimeve që prej ndërtimit të tij në shekullin e 6-të. Nuk ekziston një librari e dytë në botë që të paralelizohet me të. Manastiri është një institucion që prej kohës së Perandorisë romake që vijon të veproje sipas misionit të tij të origjinës. Por shkencëtarët tashmë janë të zënë duke gërmuar ndër tekstet origjinale të gjetura në thesarin e dorëshkrimeve të zbuluara në Manastirin e Shën Katerines, publikuar më parë nga Ministria e Thesarit në Kairo. Zbulimet përfshijnë kopjen e parë të njohur deri më tani të Ungjillit në Arabisht, si dhe shembuj të hershëm të punimeve të njohura tashmë të fizikantit grek Hippocrate.

Dorëshkrimet sipas “The Times” dhe “Indipendent” janë të një rëndësie të veçantë për gjithë shkencën e historiografisë botërore ndërsa mbetet për t’u kuptuar roli dhe rëndësia, me të cilët përdoret Albanian Caucasian në këto dokumente. Ende nuk ekziston një kërkim shkencor i mirëfilltë i akademikëve shqiptarë në gjurmim të lidhjeve që mund të kenë Shqipja e gadishullit Ilirik me Albanët e Kaukazit, dokumente dhe dorëshkrime të të cilëve gjenden me shumicë në Matedanaran në Muzeun e Dorëshkrimeve në Armeni. / KultPlus.com

‘Hardh Fest’ publikon promon zyrtare, promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore

Hardh Fest tashmë ka publikuar promon zyrtare të edicionit të 16-të të festës së vjeljes së rrushit, të realizuar nga Artvision.

Në këtë promo, festivali promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore, të cilat janë të shumta në Komunën e Rahovecit.

E veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së Rock-ut, Joe Lynn Turner, ish vokalisti i grupit Deep Purple dhe Rainbow. Ndryshe, Hardh Fest këtë vit mbahet në datat 7, 8, 9 dhe 10 shtator, nën sloganin “Mbas verës, vjen vera”. / KultPlus.com

Ibrahim Rugova përjetësohet në mozaikun në Katedralen Nëna Terezë (FOTO)

Në muret e katedrales Nënë Tereza në Prishtinë janë portretizuar figura të kishës katolike por edhe të atyre që ndihmuan në ngritjen e saj.

Vend i është lënë edhe presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, transmeton Klan Kosova.

Në prag të shugurimit të katedrales këtu po punohet me intensitet të shtuar. / KultPlus.com

Një çift gay kërkon të martohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me datë 8 shtator

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’ [kazaliste.hr], sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.
Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është:

a është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbas udhëzimeve të BE-së.

55 shades of gay është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Autor: Jeton Neziraj / Regjia: Blerta Neziraj / Aktorë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj / Luan Durmishi (vokal) / Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi, Denis Berisha.

Në 100 vjetorin e lindjes, Qamil Grezda rikthehet në GKA me 55 vepra arti

Ekspozita “Grabitqari i bukurisë së natyrës” sjellë pas 27 vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve piktorin e shquar Qamil Grezda. Kjo ekspozitë është një retrospektive e artistit me rastin e 100-vjetorit të lindjes.

Ekspozita përfshin edhe disa objekte personale të piktorit dhe vjen e kuruar nga Olsen Gripshi.

Ekspozita e cila u hap sonte, përbëhet kryesisht nga koleksioni i familjes i ruajtur nga i biri Ermir Grezda, por ekspozitës i janë shtuar edhe 12 vepra nga Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, ku sipas drejtorit Artan Shabani në këtë fond janë rreth 30 vepra të Grezdës.

Përmes retrospektivës, por edhe veprave të paekspozuara më parë, publiku njohu artin e tij në teknikën e pastelit, por edhe vizatimet në letër apo thasë kafeje, që artisti i realizonte kur nuk mund të siguronte kanavacën. Për publikun do të jenë të prekshme edhe objektet origjinale të vetë artistit si: xhaketa, apo kapelet të cilat mbante kur pikturonte në natyrë, kavaleti, valixhja me penelat e bojërat, ditari vetjak dhe maska në allçi e piktorit fill pas vdekjes së tij.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 10 shtator.

Piktori Qamil Grezda ka lindur në Gjakovë në maj të vitit 1917 në një familje misionare patriotike. Familja e tij u largua nga Kosova për shkak të politikës diskriminuese serbo-sllave. Grezda shquhet për kreativitet të lartë shprehës, ku dallohen portrete si “Romania”, “Portret plake”, “Portret gruaje”, “Shkodrani” e të tjera. Ai shquhet edhe për pikturimin e figurave historike, si “Bajram Curri”, “Isa Boletini”, “Gryka e Kaçanikut”, “Lidhja e Prizrenit “ “Hasan Prishtina”, etj. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 33 vepra të tij. Dhe, për punë kreative tejet të ravijëzuar, piktori Grezda u shpërblye me shumë shpërblime e me mirënjohje të veçanta. / KultPlus.com

L’avenue

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni

Qielli qan
Bulevardit rrjedhin lot
Lisat shkulin flokët nga dhimbja për ne
Ty era t’i derdhë flokët e verdhë
Fjalët e mia t’i lagin sytë
Ti me flokë të derdhuna derdh lot
Âsht terr
Natë shtatë herë e zezë
Ti kokën kah un nuk e kthen
Gjakun n’ball ma ndez
Hijet tona shkojnë si siluetë e trupit siamez
Amfitrita e detit t’ndjenjave t’mia
Ji e sinqertë t’lutna
Shikomë n’sy
Ti fshan me kokën mënjanë
Ni mur mes nesh ka hy
Ne ndalemi
Ti fshin lotët në terr
Në stacion ni buss urban ndalet
Ti hyn e disa dalin
Ti shkon
Kokën mbrapa nuk e kthen
E un po marr malin

Elton John kujton Princeshën Diana (VIDEO)

Elton John vazhdon të mbajë gjallë kujtimin e Princeshës Diana.

E sot, pikërisht kur shënohet 20 vjetori i vdekjes së saj, ikona 70 vjeçare e muzikës, ka ndarë me adhuruesit e tij në një nga rrjetet sociale, një fotografi të tij ngjitur me imazhin e Princeshës Diana.

Bashkë me fotografitë e publikuara, Elton John, ka dhënë dhe një mesazh dedikues me rastin e përvjetorit të vdekjes së Princeshës së Wales.

Në dedikimin e tij thuhet: “Njëzet vjet më parë, bota humbi një engjëll,” shkruan artisti.

Në vitin 1997, John riprodhoi këngën e tij të vitit 1973, “Candle in the Wind”, që fillimisht ishte një dedikim për Marilyn Monroe, në nder të princeshës Diana.

Deri më sot, kënga ka shitur më shumë se 33 milionë kopje në mbarë botën, me shumë të ardhura që shkojnë në bamirësi.

John gjithashtu realizoi këngë për funeralin e Princeshës Diana, e cila u transmetua globalisht. / KultPlus.com

“Mirupafshim, në Kosovën e lirë” (VIDEO)

Është një këngë e moçme e cila sjellë kujtime edhe sot.

Ganimete Abazi – Ganja, këngëtare që edhe sot është aktive në skenën shqiptare të muzikës, këngën “Mirupafshim” e ka mishëruar shumë dhe mbetet ndër këngët e saj më të mira.

Një këngë dashurie e cila në refren tingëllon “Mirupafshim, n`Kosovën e lirë, më the para shumë vitesh, në kurbet kur shkove”. Ishte një kohë për njerëzit largoheshin nga Kosova për arsye ekonomike, dhe këngët shpesh u kushtoheshin ndarjeve shkaku i kurbetit.

Po e risjellim sot këngën në fjalë, që duket shpesh se i përket një kohe shumë të largët. / KultPlus.com

Në Butrint zbulohen dy mozaikë për vizitorët (FOTO)

Butrinti, vendi turistik në Shqipëri i cili u shpall qytet muze më qershor të vitit 1961, është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Ky vend turistik, tërheqë vizitorë nga vende të ndryshme të botës të cilët mbesin të mahnitur pas kësaj vizite, shkruan KultPlus.

Por këtë verë, në Butrint do të mund të shihni nga afër edhe dy mozaikët e zbuluar për vizitorët.

“Mozaiku i Baptisterit” (shek. IV pas.Kr) dhe “Mozaiku i Dhomës së Zhveshjes” (shek.II pas Kr.) i cili
ndodhet tek Termat Romake.

Mozaikët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 shtator 2017. / KultPlus.com

Aktorja Luli Bitri debuton si regjisore në Egjipt

Dy vajza të vogla, dy gonxhe të humbura në lojëra fëmijërie. Në sfond era që fryn, zhurma e gjetheve të pemëve, një buzëqeshje e brishtë fëminore, që pasohet nga një zë i shqetësuar, ai i gjyshes që thërret mbesën e saj. Lena, gjyshja dhe qeni i tyre Bobi duhet të transferohen, sa më parë. Shtëpia që do lënë pas është e vjetër, e dëmtuar, sikur mbart mbi supe një plagë të madhe, aq të madhe sa dashuria e gjyshes për të… Këto janë imazhet e para të filmit me metrazh të shkurtër, “Ujë për trëndafilat”, me regji dhe skenar nga Luli Bitri. Sytë e përlotur të gjyshes, përqafimet që ajo u jep edhe mureve me shikimin e saj dhe një derë e vjetër që mbyllet pa dëshirë. Jashtë është Lena që rend drejt gjyshes në oborrin e asaj shtëpie të vjetër, si dhe disa trëndafila të kuqërremtë që thyejnë atë panoramë të trishtë, të vetmit që duket se kanë mbetur gati të paprekur nga ajo që po ndodh…

Është viti ’97-të, dhe Firmat Piramidale në Shqipëri kanë shpallur falimentimin, atë të njerëzve të thjeshtë, të familjeve të brishta, si ajo e Lenës së vogël. “Kanë ardhur kohë të vështira, del tjetri përpara dhe të grabit”, kështu shprehet zotëria, që shoqëron gjyshen dhe Lenën drejt një shtëpie të re, duke mbajtur në vend të parë një “pasagjer” të rrezikshëm, një armë që për një moment preket nga duart e vogla të vajzës… Gjyshe dhe mbesë hyjnë në portën e shtëpisë tjetër, në dorë Lena mban një vazo lulesh, atë që e mbanin në dritaren e vogël të shtëpisë së vjetër… Gjyshi ujit lulet, po po ujit lulet në kohë lufte! Brenda në shtëpi e shtrirë me të birin përkrahë, e ëma e Lenës, e cila ka pak kohë që ka lindur. Shtëpia dhe gjithçka tjetër reflekton dritë dhe pastërti, aq sa të gënjen për një gjendje paqeje, që në fakt zgjat pak… Krisma armësh dhe pastaj disa njolla gjaku ndotin lehtësisht dyshemenë e shtëpisë, janë të një djaloshi të panjohur.

Në një dorë mban pistoletën, në tjetrën plagën e marrë më kotë, për një fjalë që mund të mos ishte thënë, apo të mos ishte dëgjuar! Por është ’97-ta, dhe lufta bëhet nga shqiptarë, mes tyre, edhe pa arsye! Por edhe në luftë rriten trëndafilat, edhe në luftë shpresa mbijeton e gjen një cep për t’u shfaqur, qoftë edhe në rite në dukje të pafuqishme. Nuk janë gjithmonë të tilla për një gjyshe, e cila pavarësisht krismave ëndërron një të ardhme për nipin e mbesën e saj. Ajo shpreson ndaj ujin ku lahet vëllai i sapolindur i Lenës e derdhë jashtë, “sepse është djalë, të bëhet burrë, të dalë jashtë shtëpisë”. Kështu ndoshta si me babanë e Lenës, që ndodhet jashtë shtetit në këto kohë të vështira, e që siç i ka thënë nëna Lenës do dhe pak që të kthehet “sa të rritet vëllai”. Por ëndrrat e gjysheve janë edhe për mbesat, edhe ujin ku ato lahen e derdhin në rrënjët e trëndafilit, që “të bëhen të bukura” se janë vajza, shkruan Shekulli.

Në rrënjët e trëndafilit, aty ku gjyshja e Lenës, derdh edhe ujin e përgjakur nga plagët e djaloshit të panjohur që u mësyu në derë. I ujit edhe Lena rrënjët e trëndafilit, sepse ndoshta është e vetmja “lojë”, që e ndriçon disi përbrenda asaj porte të ftohtë akull prej nga vëzhgon një lojë e shoqëri të munguar e të rrezikuar po ashtu.

Luli Bitri (1976) është lind në Lushnjë dhe është rritur në Tiranë. Është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në vitin 2001 ka debutuar në teatër me një tekst të Samuel Beckett. Në vitin 2010 luan si protagoniste në filmin “Amnistia” me regji të Bujar Alimanit, prezantuar në Festivalin e Filmit në Berlin (edicioni 61) dhe vlerësuar më çmimin “C.I.C.A.E” të kritikës. Filmi është prezantuar në Festivalin e Filmit në Sarajevë e në festivale të tjera, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.

Gjithashtu Bitri ka qenë protagoniste në filmin “Dimmi che destino avro” me regji të Peter Marcias. Ka interpretuar në “Un bacio sul cuore. Le donne nella vita e nella musica di Verdi” me regji nga Michele Placido. Luli Bitri së fundmi ka interpretuar edhe në skenën e Teatrit Kombëtar, në shfaqjet “Vrasja e Maratit”, “Equus” etj. Bitri është vlerësuar, si aktorja më e mirë në festivale të ndryshme. “Ujë për trëndafilat” është filmi i parë me metrazh të shkurtër, si regjisore dhe skenariste. / KultPlus.com

Një foto dhe telegram i rrallë i Faik Konicës me sekretarin amerikan Frank Kellogg (FOTO)

Ja një foto e paharruar, Faik Konica me sekretarin amerikan të shtetit Frank Kellogg, 17 korrik 1926.

Konica, i cili sapo kishte filluar detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington, u prit në Departamentin e Shtetit nga sekretari Kellogg dhe, pas takimit, i dërgoi këtë telegram ministrisë së Jashtme në Tiranë:

“Sot u poqa zyrtarisht me sekretarin e shtetit, domethënë Ministrin e P. Jashtme hon. F. B. Kellogg i cili më bëri një pritje kordiale. Qëndruam bashkë dhe për një fotografi. Presidenti Coolidge ndodhet larg me vakancë dhe kthehet në Washington pas pesë javësh…”

Kellogg, i cili kishte një prestigj të shkëlqyer në jetën politike amerikane, do të merrte tre vjet më vonë çmimin Nobel të Paqes.

Këtë fotografi e ka postuar në facebook Ilir Ikonomi, ku edhe ka shkruar: “U gëzova kur e gjeta fotografinë e rrallë që përmend Konica, sepse ajo shënon pritjen e parë që i bëhej një ambasadori shqiptar nga titullari i Departamentit të Shtetit. Pas disa javësh Konica u prit në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë nga Presidenti Calvin Coolidge, për të paraqitur letrat kredenciale.

Kështu filloi historia e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në SHBA.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, Roma mori nën kontroll punët e jashtme shqiptare.

SHBA u detyruan ta mbyllin legatën në Tiranë dhe të urdhëronin tërheqjen e përfaqësuesit të tyre diplomatik, Hugh Grant.

Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit vazhdoi ta njohë Konicën si përfaqësues të Shqipërisë në Uashington. Kjo zgjati deri më 24 qershor 1939.

Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri rifilluan më 15 mars 1991. Them rifilluan, sepse ato nuk ishin ndërprerë ndonjëherë me ndonjë dokument zyrtar”. / KultPlus.com

Albert Heta, i ftuar në Konferencën Vjetore CIMAM 2017

Albert Heta, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, është ftuar të marrë pjesë në Konferencën Vjetore CIMAM 2017.

Konferenca Vjetore CIMAM 2017 do të mbahet në Singapor (10-12 nëntor), organizuar nga Galeria Kombëtare e Singaporit, me vizitat studimore në Ho Chi Minh City, Vietnam (8-9 dhjetor) dhe Jakarta dhe Yogyakarta, Indonezi (13-15 nëntor).

Konferenca e këtij viti merret me Rolet dhe Përgjegjësitë e Muzeve në Shoqërinë Civile.

Duke marrë parasysh sentimentet në rritje të nacionalizmit popullist, i cili po dëshmohet gjithandej rreth botës, dhe duke vazhuar fokusin nga konferenca e Barcelonës (Konferenca CIMAM 2016 Muzeu dhe Përgjegjësitë e tij), është imperativ që të ri-vlerësohen dhe ri-ekzaminohen rolet e muzeve, funksionet e tyre publike dhe si këto institucione i përgjigjen sfidave aktuale.

CIMAM apo Komiteti Ndërkombëtar për Muzetë dhe Koleksionet e Artit Modern është një forum i rëndësishëm ndërkombëtar i karakterit profesional i krijuar për diskutimin e çështjeve teorike, etike dhe praktike në lidhje me mbledhjen dhe shfaqjen e artit modern dhe bashkëkohor.

CIMAM është komitet ndërkombëtar që bashkëvepron me ICOM – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (The International Council of Museums). ICOM është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson muzetë dhe profesionistët e muzeve në botë. Që nga viti 1946, ICOM ka asistuar anëtarët të komunitetit të muzeve, të struktura në komitete kombëtare, për të ruajtur, dhe konzervuar trashëgiminë kulturore dhe për bërë të qasshme dhe për ta ndarë me të gjithë. Sekretariati i ICOM gjendet në shtëpinë e UNESCO-s, Paris.

Kontributi më i rëndësishëm i CIMAM bëhet nëpërmes Konferencës Vjetore që është një mundësi për komunikim, bashkëpunim dhe shkëmbim të informatave, ndërmjet muzeve, profesionistëve të arteve pamore, artistëve dhe institucioneve të tjera që merren me artin modern dhe bashkëkohor.

Qëllimi i konferencës është t’i paraprijë dhe diskutojë çështjet në raport me udhëheqjen dhe zhvillimin e muzeve të artit bashkëkohor dhe koleksioneve në gjithë botën. Delegatët e konferencës gjithashtu kanë mundësinë e privilegjuar të marrin pjesë në vizitat në muzetë më të rëndësishëm dhe qendrat e artit në qytetin mikpritës.

Konferenca e parë vjetore e CIMAM-it u zhvillua në vitin 1962 në Hagë. / KultPlus.com

Të famshmit në ndihmë të Houstonit

Tragjedia që po ndodhi në Houston, Teksas ka prekur gjithë botën, dhe të gjithë po mundohen të iu ndihmojnë sado pak.

As të famshmit e Hollywoodit nuk janë kursyer për t’iu dal në ndihmë familjeve të prekura nga uragani Harvey.
Përderisa donacionet po vinë nga i gjithë vendi, disa fytyra të njohura janë bashkuar, për të dhënë ndihmën e tyre, transmeton kp.
Jamie Foxx ka postuar në Twitter, duke thënë se ai bashkë me disa kolegë të tij po organizojnë një fondacion ku do të bëhen donacionet, dhe të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë.
Deri më tani dihet se fytyra të njohura si Reese Witherspoon, Blake Shelton dhe Michael Strahankanë dal vullnetarë të ndihmojnë.
Edhe aktorja Sandra Bullock ka dhuruar një shumë prej 1 milion dollarëve, dhe gjithashtu fondacioni i Leonardo DiCaprios ka dhuruar 1 milion dollarë për të prekurit e vërshimeve./ KultPlus.com

Fluks i lartë vizitorësh në muzeume gjatë gushtit

Muzeumet në Qendrën Kombëtare të Muzeve, Berat – Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik, për periudhën 31 korrik – 27 gusht që korrespondon me pikun e sezonit turistik të verës, u vizituan nga 6 585 vizitorë vendas dhe të huaj.

Përmes një njoftimi të Qendrës Kombëtare të Muzeve Berat bëhet e ditur se ditët me fluksin më të lartë të vizitorëve janë fundjavat, ndërsa dita rekord për numrin e vizitorëve rezulton data 19 gusht.

Në periudhën janar – gusht, siç raporton atsh, numri i vizitorëve ka arritur në 26 838 duke treguar në vazhdimësi se muzetë e QKM Berat, veçanërisht Muzeu Ikonografik Onufri janë destinacion i pashmangshëm për vizitorët e huaj, por nga sa vërehet edhe i vizitorëve vendas, gjë që po e tregon fluksi i lartë i tyre në fundjavë.

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore. Qendra e tij urbane reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./ KultPlus.com

Shënohet 20 vjetori i vdekjes së Princeshës Diana

Sot shënohet 20 vjetori i vdekjes së Princeshës Diana.

Princat, William dhe Harry e kujtuan nënën e tyre dje, duke u shëtitur në oborrin e pallatit Kensington, ku aktualisht ata jetojnë dhe ku kishte jetuar Diana pas ndarjes nga Princi Charles deri në vdekjen e saj.

Lule të shumta janë vendosur në këtë lokacion, i cili e ka marrë emrin “Oborri i Bardhë”, dhe ku njerëzit vijnë për ta nderuar kujtimit të princeshës së tyre të preferuar e cila e humbi jetën në një aksident tragjik në Paris të Francës.

Princat me këtë rast i shoqëronte edhe dukesha e Cambridgeit, Kate Middleton. Kate dhe William i kanë dy fëmijë së bashku, George dhe Charlotte.

4 vjeçari Geroge i cili është i dyti në rend për ta trashëguar fronin dhe të bëhet mbret i Anglisë, javën e ardhshme do ta filloj shkollën dhe ky lajm tashmë është shndërruar në temë të ditës kudo në botë./ KultPlus.com

Libri i autorit Rexhep Murtez Shala përkthehet në gjuhën kroate

Libri teorik-analitik ‘Analiza-Kognicioni dhe Modelimi’ i autorit Rexhep Murtez Shala është përkthyer në gjuhën kroate dhe tashmë është botuar në Zagreb nga shtëpia botuese Illyricum-Dea, shkruan KultPlus.

Librin e përktheu profesor But Jaku ndërsa siq thuhet në parathënie ‘Analiza-Kognicioni dhe Modelimi’, trajton kognicionin dhe modelimin letrar në prozë, në poezinë moderne-vizuale si dhe në modelin aktansial të tekstit, përkatësisht të prozës.
Krahas trajtimit teorik jepet edhe analiza teorike e zbatuar, në radhë të parë, në veprat e autorëve shqiptarë si: Demaçi, Pashku, Podrimja, Rrahmani… Ky libër është shtypur në 500 kopje./ KultPlus.com

Nesër nis ‘The Summit Fest’, festivali më i madh i muzikës elektronike në vend

Ka mbetur vetëm edhe një ditë para fillimit të Festivalit më të përfolur të muzikës elektronike në vend, The Summit Fest. Të premten, më 1 shtator, në hapësirën e njohur si “te koshat” në parkun e Gërmisë ne Prishtinë, do të nisë edicioni I tretë I festivalit ku do të performojnë 15 Artiste të muzikës elektronike.

Për dy net radhazi, 1 dhe 2 Shtator, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë t’i kalojnë orët e mbrëmjes me muzikë elektronike të mirëfilltë e cila nuk do të ndalet deri në mëngjesin e ditës së nesërme.

“Sivjet do të dominojë muzika techno Franceze që konsiderohet një ndër vendet me muzikën elektronike më të zhvilluar në Evropë, por do të kemi edhe disa artistë shumë të njohur të muzikës Techno nga Italia, Gjermania dhe Franca. Sigurisht qe nuk mungojnë as artistë nga Kosova, që do ti japing festivalit një shije shumë unike, sikurse në edicionet e kaluara.

Secili prej këtyre Artisteve i ka karakteristikat unike të cilat I bëjnë veçues në stilin e muzikës së tyre, të cilët do te sjellin atmosfere marramendese” tha Embeta Tahiri, nga kompania MODUS që është kreatore dhe organizator I Festivalit.

Artistet që sivjet do ta shënojnë këtë edicion janë: Dolby D, Process404, Airod B2B Mayeul dhe I Hate Models; nga Franca, WarinD , Antwerp Hand dhe A-909 nga Italia, Jasmine Azarian nga Gjermania, Jeanne nga Austria si dhe nga Kosova Megan, NaniKilla, Mindbend, Ersann dhe Buda.

I Hate Models do të performojë për herë të parë në ballkan. I Hate Models njihet për zhanrin e tij të vecant të cilin e emroi si techno melankolike.

Dolby D është një ndër pionerët e zhanrit tekno në France, I cili do të performojë n% natën e parë të festivalit dhe është nder emrat me te medhenj te ketij edicioni.

Jasmine Azarian është residente në njërin prej klubeve më të mëdha në botë “Tresor Berlin”, e cila gjithashtu do te performoje në natën e parë të festivalit.

Airod dhe Mayeul janë artiste shumë të vlefshem në muzikën elektoronike të kohës tonë dhe përfshirja e melodive të veçanta i bënë ata që të jehojnë kudo në Evropë dhe më tej.

Proces 404 artisti më i ri në line up tonë, përmes tingujve të Evropës së vjetër modernizon aq shumë muzikën elektronike saqë kjo e bonë shumë speciale performimin e tij në edicionin e tretë The Summit Fest.

Jeanne artist i cili historinë revolucionaliste e shprehë përmes tingujve abstrakt si zhanër elektronik

Italianet Antwerp Hand dhe A-909 vijnë si E.S.S.S (Electronic’s Sons) për të ofruar një show unik te B2B.

Nani Killa dhe Mindbend në natën e parë të The Summit Fest vijnë më një versus mode ku artistët garojnë me njëri tjetrin për të sjelle tingujt më të padëgjueshëm. Mënyra e miksimit të tyre së bashku është diçka shumë speciale dhe një set i tillë do të dëgjohet për herë të parë në Kosovë.

Megan vjen me përzierje te tingujve autokton ne kombinim me shpirtin berlinesk për sa i përket zhanrit elektronik.

Ersann është një artist ne ngritje i cili ka lansuar shumë tracks nëpër record labels në Francë, Spanje, Itali dhe Gjermani. Artist i Dolma Records, record labelit të Dobly D i cili poashtu është pjesëmarrës në The Summit electronic music festival.

Buda njeri ndër artistet më të veçantë lokal ka premtuar një show të vërtetë I cili do te nise natën e pare te kësaj feste, ndërsa WarinD i cili për momentin njihet si artisti numër një i technos industriale në Itali, do të përmbyllë festivalin, ne orët e hershme te mëngjesit te ditës se diele.

Ky eveniment sivjet është fuqizuar nga Henineken, lëngjet Sola dhe AMC (skena, efektet vizuele dhe zërimi).
Komuna e Prishtinës e ka mbështet festivalin dhe për mbarëvajtjen e tij do kujdeset Policia e Kosovës.
Biletat janë në shitje në disa pika në Kosovë por gjithashtu mund të blihen në hyrje të festivalit, poashtu edhe online në www.jamatu.com./ KultPlus.com

Festivali i Venecias hapet me “Downsizing”

Satira fantastiko-shkencore “Downsizing” e regjisorit Aleksandër Payne hapi edicionin e 74 të festivalit të filmit në Venecia, që konsiderohet si trampolinë për çmimet Oskar.

Protagonisti i filmit, Mat Damon u prit me entuziasëm nga fansat teksa mbërriti në Lidon e famshme për ekranizimin e filmit.

Filmi ku interpretojnë demon dhe Christin Wiig është një satirë mbi zvogëlimin e qenieve njerëzore në gati 13 cm, si zgjidhje për mbipopullësinë dhe ngrohjen globale. Duke folur për shtypin në një konferencë ne Venecia, Damon vlerësoi industrinë e filmit.

‘Skenari është shume i bukur, i mrekullueshëm, origjinal dhe unik. Unë besoj vërtet se filmat janë mjeti më i mirë për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Damon.

Filmi është një prej 21 prodhimeve ndërkombëtare që garon për Luanin e Artë, që do të jepet në 9 shtator. Presidente e jurisë është aktorja Annete Benning, e cila gjatë një konference më herët gjatë ditës u detyrua t’i përgjigjej pyetjes mbi mungesën e regjisoreve femra në kompeticion.

“Mendoj se seksizmi vazhdon të jetë një problem, nuk ka diskutim mbi këtë. Por gjerat po ndryshojnë “, u shpreh Benning.

Filmi “Engjëjt vishen me të bardhë” i Vivian Qu është i vetmi me regjisore grua. Festivali i filmit në Venecia mbyllet në 9 shtator, shkruan TCH./ KultPlus.com

Vepra ‘Unspoken’ e Donika Rudit debuton në skenën australiane

Vepra “Unspoken” e kompozitores kosovare, Donika Rudi, do të interpretohet në Bendigo të Australisë.

Vepra e përbërë nga tri pjesë, me spektër tingullor polifonik e harmonik e që në thelb është minimaliste, do të luhet për publikun australian në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Bendigo International Festival of Exploratory Music” (BIFEM).

Kjo vepër do të prezantohet në kuadër të segmentit “Sound Gallery” me vepra akusmatike dhe kjo është hera e parë që Rudi prezantohet në Australi. Në këtë koncert për dy ditë do të prezantohen 20 kompozitorë nga mbarë bota, të zgjedhur enkas për festival nga kuratori i këtij programi Stanislaw Shuchora i cili është drejtor i “Sonora Music” në Poloni.

Edicioni i pestë i këtij festivali, i cili konsiderohet si një prej festivaleve më dinamike në Australi, edhe këtë vit prej datës 1 deri më 4 shtator, do të sjellë program divers me vepra të kompozitorëve të rinj, ansamble, orkestra, instrumentistë të ndryshëm, por që të gjithë kanë të përbashkët stilin eksperimentues.

Në një përshkrim që i bëhet këtij festivali në faqen zyrtare, thuhet se “BIFEM sjell koncerte muzikore më inovative dhe virtuoze nga e mbarë bota direkt në zonën kulturore të Bendigos në “View Street”. E “Sound Gallery” është vetëm një prej programeve dhe ky është viti i tretë që ky program rikthehet, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Sonte në Ulqin nis Festivali i Filmit ‘Seanema’

Festivali i filmit “Seanema” i cili nis sonte do të mbahet në disa lokacione në Qytetin e vjetër të Ulqinit, në datat 31 gusht deri më 3 shtator, shkruan KultPlus.

Tema e edicionit të tretë është “EXILE” (Dëbim), ndërsa në fokus janë të rinjtë që ndihen të përjashtuar për shkak të ndryshimeve kulturore si dhe nga pamundësia për t`i realizuar idetë, planet dhe ambiciet në vendin ku ata jetojnë.

Përveç temës së re që prek këtë vit, “Seanema” ndryshon konceptin dhe bëhet festival me karakter garues ku filmat garojnë në tre kategori: filmi më i mirë, filmi më i mirë metrazh i shkurtër dhe çmimi i publikut ulqinak.

Rreth ndarjes së çmimeve vendos juria vlerësuese, e cila përbëhet nga regjisori malazez, Pavlle Simonoviq, regjisori Fatos Berisha dhe dramaturgia e gazetarja Dafina Halili.

Në jurinë që do të vlerësojë filmat metrazh i shkurtër do të jetë aktori, fitues i çmimit të madh të Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Mirko Vllahoviq, regjisori i ri malazez, Senad Shahmanoviq dhe Tomas Auksas, regjisor, producent, aktivist dhe drejtor artistik i kompanisë multimediale Liberatum nga Londra.

Në programin e edicionit të tretë bëjnë pjesë filmat “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” e regjisorit Rajko Grliq, që do të shfaqet në natën e parë të festivalit, dy produksionet malazeze “Iskra” nga Gojko Berkuljan dhe “Perla e Bunës”. Krahas programit të filmit, festivali “Seanema” këtë vit organizon panele, leksione për studentët, prezantime për dhe rreth filmit, për të rinjtë dhe rëndësinë e mbrojtjes së ambientit.

Festivali hapet pranë Muzeut arkeologjik në Kala, të enjten datë 31 gusht në ora 8 në mbrëmje. “Seanema“ këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës ne Mal të Zi, Komisioni për ndarjen e fitimeve nga lojërat e fatit, Qendra kinematografike e Malit të Zi, Komuna Ulqin dhe shumë partnerë e donatorë të tjerë. Hyrja në të gjithë ambientet e festivalit do të jetë falas. /KultPlus.com

Tym

Poezi e shkruar nga Ndue Ukaj.

Është mëngjes.
Lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve:
Na ishte njëherë pranvera, shpresa,
Dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.

Tani ka tym e gaz,
E pranvera i ngjan vjeshtës.

Mbi kokat tona valëvit pikëllimi
Ky flamur morti që si një kortezh trishtimi
Bredh prej dore në dorë.

Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave.
Shkruhen tuneleve ku mungon drita,
Aty ku terri shtrin pushtetshëm fuqinë
Mbi rojet e fatit-
Ata njerëz që luajnë në teatrin e demokracisë.

Qyteti fle i trazuar
Zgjohet i trazuar
Qan e qesh i trazuar.

Kafet janë mbushë më fantazma
Dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.

Ka tym dhe një flamur pikëllimi
Që është shtri si shall dhimbjesh
Në qafën e rënduar të një populli
Që kërkon të pëlcasë nga trishtimi.

E unë mora me vete një thes ëndrra
Dhe dola rrugëve pa shpresa.
Pashë njerëz të shndërruar në hije
Dhe një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese,
Me mbishkrimin:
“Liria është mashtrim i madh.”

Rrugës shkelmova gurë të hedhur pikëllimi.
“Sa shumë marrëzi mban qyteti im mbi supe”-
Më tha vajza me shallin e bukur rreth qafës saj të ambël.
Dhe një çantë të zezë trishtimi që e mbante me vete.

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017 © )

‘A Long Way Home’ i Ibër Dearit në Festivalin e Filmit Downtown Tyler

Regjisori shqiptar nga Maqedonia Ibër Deari po vazhdon të korrë suksese me filmin e tij të metrazhit të shkurtër ‘A Long Way Home’.

Ky film me skenar e regji të Dearit, do të shfaqet në edicionin e shtatë të Festivalit të Filmit ‘Downtown Tyler’në Texas, shkruan KultPlus. Ky festival i cili mbahet në qendër të qytetit Tyler është themeluar në vitin 2011. Festivali mbahet me datat 27 deri më 30 shtator ndërsa filmi i Ibër Dearit do të shfaqet më datën 27 shtator në Liberty Hall.

Filmi bënë fjalë për një djalë me emrin Olti, i cili pasi lirohet nga burgu, niset rrugës për në shtëpi. Por gjatë rrugës haset me një pengesë të madhe. Oltit i ndalohet të futet në fshatin e tij. Ai mbetet mes dilemës, rrezikut për familjen e tij ose të ik larg që të filloj një jetë të re.

‘A long way home’ në kastë të aktorëve ka: Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Musa Isufi dhe Ardian Kadriu. Producent i filmit është Afrim Asani./ KultPlus.com

Qeveria e Shqipërisë mirëpret ide për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut

Pak ditë më parë, pasi veç shpalli kabinetin e ri të Qeverisë ‘Rama 2’, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pati shpallur vitin 2018-të, Vit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Kësisoj pas këtij lajmi Edi Rama, vazhdon të japë informacione shtesë sa i përket këtij viti, ku së fundmi ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të mirëpres çdo ide, sugjerim, propozim për kalendarin e aktiviteteve të Vitit Mbarë Kombëtar të Skënderbeut, shkruan KultPlus.
Njoftimin kryeministri shqiptar e ka bërë përmes rrjetit social Facebook, me rast ju sjellim shkrimin e plotë të tij:

“VITI MBAREKOMBETAR I SKENDERBEUT
Qeveria e Re e Shqipërisë në vendimin e saj të parë do të shpallë Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut.
Një Komision i Posaçëm do të ngrihet për organizimin dhe promovimin e këtij viti, ku përveç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Por padyshim në harkun e vitit që i lidh këta përvjetorë, ka edhe momente të tjera për të kujtuar e kremtuar, ngjarje e figura të historisë sonë kombëtare.
Kontributi i çdokujt prej jush dhe i kujtdo që ka një ide, sugjerim, propozim për kalendarin e aktiviteteve të VITIT MBARËKOMBËTAR TË SKËNDERBEUT, është mëse i mirëpritur”, ka shkruar Rama./ KultPlus.com

Adi Krasta drejtues i Festivalit në RTSH

Adi Krasta do jetë autori dhe drejtuesi i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), në fund të dhjetorit.

Ai ka pranuar ftesën e drejtorit të përgjithshëm Thoma Gellci. Për regjinë është zgjedhur Pali Kuke e për skenografinë Albi Cifligu, shkruan Gazeta Blic.

Gjithashtu Krasta, i cili pranohet si moderatori më i popullarizuar shqiptar kalon në “prime time” me programin e tij personal “A”.

Duke filluar nga java e parë e tetorit, sipas të dhënave nga lista programore e Top Channel, po bëhen përgatitjet që programi talk-show i tij të transmetohet të shtunën në ora 21:00.

Kjo është hera e gjashtë që Krasta e drejton këtë festival, pra më shumë se çdo prezantues tjetër./ KultPlus.com