Elton John sonte në koncertin virtual të Dua Lipës “Studio 2045”

Mbrëmjen e sotme këngëtarja shqiptare Dua Lipa pritet të hyjë në histori si artistja e parë që realizon një koncert plotësisht online.

Sot Dua Lipa njoftoi përmes një njoftimi në Instagram se pjesë e “STUDIO 2045” do të jetë edhe legjenda e muzikës botërore, Elton John.

Autorja e hitit “Don’t start now” ka shprehur gjithnjë vlerësimet për legjendën e muzikës botërore dhe ka performuar edhe herë të tjera krah tij.

Ndërkohë javën që lamë pas Dua zbuloi se pjesë e koncertit do jetë edhe Miley Cyrus. Dy artistet sollën të premten bashkëpunimin e tyre me titullin “Prisoner”, që po bën namin.

Gjithashtu pjesë e koncertit të saj virtual do të jenë edhe FKA Twigs, Bad Bunny dhe J Balvin. Vetëm sot është mësuar se këtyre emrave do t’i bashkohet edhe këngëtarja e producentja e famshme Kylie Minogue. /dp/ KultPlus.com

Elton John lavdëron Dua Lipën: Ke bërë albumin më të mirë të vitit

Legjenda e muzikës, Elton John, ka folur publikisht me Dua Lipën gjatë një videoje live në Instagram ku nuk ka ngurruar të lavdëronte publikisht Duan për albumin e saj më të ri, “Future Nostalgia”.

Ai e cilësoi si albumin më të mirë të këtij viti dhe ndër të tjera zbuloi dhe këngën e tij të preferuar.

“Ndërkohë që ti po më interviston…Unë dua të të them se ke bërë një nga albumet më të mira të këtij viti, ‘Future Nostalgia’.

Njerëzit donin diçka argëtuese dhe çdo këngë e albumit është fantastike. Ne nuk ndalim së dëgjuari. Djemtë e mi e pëlqejnë shumë, David gjithashtu e adhuron”, u shpreh Elton John.

Ai shtoi se në albumin e saj, Dua ka tre hite dhe  se ‘Levitating’ është e preferuara e tij. / KultPlus.com

50 vjet nga lansimi i ‘Your songs’, hiti i pavdekshëm i Elton John

Bernie Taupin shkroi tekstin dhe në më pak se njëzet minuta, Elton John kompozoi muzikën. Kështu lindi “Your Song”, hiti i parë i këngëtarit dhe muzikantit anglez.

Një moment historik në historinë e muzikës bashkëkohore dhe që sot mbushi 50 vjet.

Kënga u publikua, më 26 tetor 1970, në Shtetet e Bashkuara. Ishte, menjëherë, një sukses i madh, fillimisht në radio dhe më pas në të gjitha klasifikimet, gjë që bëri që John Lennon të thoshte: “Është gjëja e parë e bukur që doli pas Beatles”. Që atëherë, Elton e ka kënduar në fund të çdo koncerti të tij dhe në imagjinatën kolektive mbetet një nga deklaratat më të bukura të dashurisë në fjalë dhe muzikë.

Kur ai filloi bashkëpunimin e tij me autorin Bernie Taupin, në qershor 1967, Elton John nuk e dinte se ky do të ishte partneriteti më i rëndësishëm njerëzor dhe profesional i karrierës së tij. Ai e zbuloi atë disa vjet më vonë, kur, pas një periudhe reagimesh të dobëta komerciale dhe një albumi debutues, “Empty Sky”, i cili nuk ishte shumë i suksesshëm, u lëshua albumi i tyre i dytë “Elton John”, kënga e parë e të cilit ishte vetëm “Your Song “. Taupin ia kishte dërguar fjalët Eltonit, të shkruara një mëngjes, dhe i ulur në pianon e shtëpisë së nënës së tij në më pak se gjysmë ore këngëtari kishte kompozuar muzikën, nën sytë e shokut të tij të mahnitur.

Por suksesi i këngës, nuk erdhi nga albumi, i cili gjithashtu filloi të vendosej në krye të klasifikimeve, por nga single që u lansua shtatë muaj më vonë në Los Angeles.

Një strukturë e thjeshtë muzikore, një baladë klasike simfonike, “Your Song”, e luajtur në pianon e Eltonit, i detyrohet suksesit të saj edhe orkestrimit mbresëlënës, të Paul Buckmaster.

Historia e treguar flet për ndjenjat e një djali ndaj një vajze, një histori dashurie me pak fjalë, si shumë të tjera, por që ka mundur të pushtojë breza të tërë.

“Sekreti i Bernie është të qenit një tip shumë sentimental dhe të shkruash shumë rrallë. Tekstet e tij janë të gjitha personale dhe unë mund ta kuptoj sepse e njoh atë brenda dhe jashtë. Për shembull, kur ai u paraqit me tekstin e këngës ‘Your Song’ tha: ‘Unë e njihja vajzën dhe meqë ata dukeshin të dashuruar unë u kujdesa për muzikën në një mënyrë të veçantë, dhe të ëmbël për të mos i zgjuar nga apatia dashurore në të cilin ishin zhytur’”, kishte thënë John për tekstin e këngës.

Ylli i rock-ut, gjithashtu, ka pranuar se e pëlqen dhe e konsideron si këngën e tij më të mirë të dashurisë. “Your Song” mbetet ndoshta kënga më e famshme për Elton Johnin, një markë e tij, e interpretuar në çdo koncert live. / KultPlus.com

Elton John i mahnitur me versionin e një grupi nxënësish të hitit të tij “I’m Still Standing”

Ikona e muzikës, Elton John, ka thënë se është mahnitur me performancën e një grupi të nxënësve, të cilët e kanë realizuar një version të ri të hitit të njohur të këngëtarit, “I’m Still Standing”, gjatë kohës së karantinës.

Nxënësit e shkollës “Telford Priory School” në Shropshire, që nga muaji mars po krijojnë video kreative së bashku, me ç’rast po sjellin versione të reja të këngëve hite, transmeton Koha.

Coveri i tyre i këngës klasike të vitit 1983, “I’m Still Standing”, i ishte dërguar Elton Johnit nga muzikanti, Ron Sexsmith, dhe menjëherë pasi e ka shikuar, ylli britanik i muzikës ka reaguar në rrjetet sociale me postimin e një mesazhi.

“E kam shikuar videon tuaj tri herë rresht sepse nuk po mund ta besoja sa bukur këndonit dhe interpretonit në instrumente. Ju e keni bërë një punë të mrekullueshme dhe e keni krijuar një version fantastik të këngës ‘I’m Still Standing’. Shpresoj ta keni një karrierë të suksesshme dhe mos harroni, muzika luan rol të madh në arritjet tuaja sepse padyshim që talenti nuk iu mungon,” ka deklaruar John.

Këngëtari i cili e gëzon një sukses të jashtëzakonshëm anembanë botës, gjithashtu u premtoi këtyre nxënësve që do t’i ftojë për të interpretuar si mysafir në ndonjë koncert të tij në Britani të Madhe, sigurisht kur ngjarjet muzikore live të rikthehen pas pandemisë.

Ndërkohë, së fundmi Elton John ka treguar se çfarë muzike po dëgjon gjatë kohës së karantinës, dhe me këtë rast këngëtari ka deklaruar se albumi debutues i Rina Sawayamas, është muzika e tij e preferuar për këtë vit.

Kantautori i njohur Elton John feston ditëlindjen e 73-të

Elton John, emri i artit i Reginald Kenneth Dwight, mbush 73 vjet, shkruan KultPlus.

Nga “Rocket Man” tek “Sorry Seems To Be The Hardest Word” e më pas “Your Song”, “Don’t Let The Sun Go Down On Me” dhe ende “I’m Still Standing” dhe “Candle In The Wind” janë disa nga sukseset e pavdekshme të Elton John, i cila ka nxjerrë më shumë se 700 këngë në më shumë se 50 vite të karrierës së tij të shkëlqyer. /KultPlus.com

Elton John përlotet në skenë, anulon koncertin për shkak të gjendjes shëndetësore

Ikona e muzikës Elton John është detyruar të anulojë një koncert në Zelandën e Re këtë të dielë për shkak se ishte sëmurë.

Ylli 72-vjeçar humbi zërin gjatë rrugës për në stadiumin e Auckland Mount Smart për shkak të ftohjes.

Ai u ngjit në skenë ku filloi performancën e tij, por për shkak të gjendjes shëndetësore u detyrua ta ndërpriste. Duke iu kërkuar falje të gjithë fansave që kishin ardhur për të, ai u largua nga skena.

“E kam humbur zërin. Nuk mund të këndoj ndaj më duhet të largohem” – iu drejtohet John turmës.

Fillmisht u ul në piano dhe sapo filloi të performonte, John u përlot.

Vetëm pak më parë gjatë ditës së sotme ai u komunikoi fansave të tij se ishte i diagnostikuar me pneumoni por sërish do të performonte për ta.

Por mosha bën të vetën ndaj ishte thuajse e pamundur për 72 vjeçarin që të vazhdonte performancën e tij.

Menjëherë pas largimit të tij nga skena, ai postoi një foto në Instagram ku i kërkoi falje të gjithë të pranishmëve.

“Unë luajta dhe performova me zemër, por ishte zëri që më tradhëtoi. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj që treguat” – shkruan ai. /KultPlus.com