Fjalët e fundit të Princeshës Diana

Princeshë Diana është një nga personazhet më të përfolura të Familjes Mbretërore, edhe pse nuk jeton më.

Ajo lindi më 1 korrik të vitit 1961 dhe ishte bashkëshortja e Charles, Princit të Wellsit. Diana në këtë martesë lindi edhe dy fëmijët e saj, Princin William dhe Harry, të cilët janë trashëgimtarë të familjes mbretërore. Princeshë Diana vdiq në 31 gusht të vitit 1997, në një aksident të rëndë automobilistik, kur ajo ishte 36 vjeç. Ndërsa sot kanë kaluar 20 vite që nga tragjedia e saj dhe vdekja në Paris. Princeshë Diana ishte duke udhëtuar në një Mercedes S-280, pasi ajo u largua nga Hotel Ritz përpara se të përplasej fatalisht në tunelin e Pont De l’Alma. Sgt Xavier Gourmelon ishte përgjegjës për një ekuipazh zjarrfikësish të trajnuar nga mjekët, të cilët shkuan të parët në vendin e ngjarjes.

Gjysmë e vetëdijshme Diana me sa duket u përpoq të fliste, teksa ishte ulur pranë të dashurit të saj Dodi Fayed në pjesën e pasme të makinës. Sgt Gourmelon zbuloi se ajo tha: “Zoti im, çfarë ka ndodhur?”. Në intervistën e tij të parë me mediat, Gourmelon, 50 vjeç, tha se mendonte se Princesha e Uellsit do t’i mbijetonte aksidentit. Ai tha se 36-vjeçarja ishte e vetëdijshme kur u nxor nga makina. Diana më pas pësoi një arrest kardiak, pasi u vendos në një barelë.

Lady Di vdiq tragjikisht pak orë më vonë në spital.

“Makina ishte një kaos dhe ne u morëm me të si në çdo aksident rrugor. Ne nisëm punën për të parë se kush kishte nevojë për ndihmë dhe kush ishte gjallë”, tha zoti Gourmelon për “The Sun”. Ai shtoi:
“Gruaja, që më vonë kuptova ishte Princesha Diana, ishte në dysheme në shpinë. Ajo po lëvizte shumë pak dhe unë mund të shihja se ajo ishte gjallë. Munda të shoh se ajo kishte një dëmtim të lehtë në shpatullën e saj të djathtë, por përveç kësaj, nuk kishte asgjë të rëndësishme. Nuk kishte asnjë shenjë gjaku. Unë i mbajta dorën dhe i thashë të qetësoheshe…i thashë se isha atje për ta ndihmuar dhe siguruar atë. Ajo tha: “Zoti im, çfarë ka ndodhur?”.

“Tani e di që ajo kishte pësuar lëndime serioze të brendshme…Kujtimi i asaj nate do të qëndrojë përgjithmonë me mua”, shton ai.

Princesha, Dodi al Fayed dhe shoferi i tyre Henri Paul humbën jetën pas aksidentit në tunelin e Pont de Alma. Princeshë Diana nëse do të ishte akoma gjallë do të gëzonte dashurinë e dy anëtarëve më të rinj të familjes, mbesës dhe nipit të saj, Princit George dhe Princeshës Charlote./ KultPlus.com

Nuk ka shpresë që Kosova të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit tjetër

Kosova nuk ka shanse të marrë pjesë në garën e madhe muzikore të Evropës.

Meqë Kosova nuk është pjesë e EBU- Unionit të Transmetuesve Evropianë, do të jetë e pamundur që të jetë shtet pjesëmarrës në Lisbonë, vitin tjetër.

ESCtoday ka kontaktuar me EBU të cilët kanë treguar se Kosova nuk do të jetë shtet pjesëmarrës në Eurovizion vitin tjetër, vitin 2018-të, kjo edhe për shkak se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, shkruan KultPlus.

Kosova ka provuar të jetë pjesë e Eurovizionit disa herë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se RTK-ja, transmetuesi publik, ende nuk është anëtar i rregullt i EBU, pos bashkëpunimeve të ndryshme me të që nuk garantojnë pjesëmarrjen në Eurovizion.

“EBU bashkëpunon me RTK-në dhe ka ndihmuar në formimin e televizionit, në vitin 1999. Bashkëpunimi gjithashtu do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme” tregojnë nga EBU për ESCtoday.

Vitin tjetër në Eurovizion do të rikthehet Rusia, pasi këtë vit nuk morri pjesë, ndërsa ende pritet të shihet nëse Sllovakia e Bosnja poashtu do të bëjnë rikthimin e tyre në garë, shkruan KultPlus.

Shqipëria ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë garë. Këtë vit Eurovizionin e fitoi për herë të parë një këngëtar nga Portugalia.

Ironike të përmendet se rezultati më i mirë shqiptar në Eurovizion është arritur në fakt nga një shqiptare e Kosovës, këngëtarja Rona Nishliu, në vitin 2012-të / KultPlus.com

“Dita zë fill” nga 14 shtatori në kinematë e Tiranës

Filmi shqiptar “Dita zë fill” i regjisorit Gentian Koci, i cili në Festivalin e Filmit në Sarajevë mori një vëmendje të theksuar, tashmë po vjen në kinematë e kryeqytetit shqiptar, përcjellë KultPlus.

Ky film i cili i solli aktores Ornela Kapetani edhe çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, do të shfaqet për publikun shqiptarë nga data 14 shtator në Cineplexx Albania.

“Me padurimin për ta ndarë këtë film me ju, uroj të jeni të shumtë në sallat e Cineplexx”, ka njoftuar regjisori i filmit.

Një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg. / KultPlus.com

Pesë vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë

Nga Don Lush Gjergji

Akoma sot ka njerëz ndër ne që dyshojnë për vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë. Javët e fundit është rizgjuar “kërshëria” e disa medieve që duan të “vërtetojnë” me fakte vizitat në fjalë, përkundër publikimeve të herëpashershme në media të shkruara dhe libra. Për lexuesit e Dritës, Mons. Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, na i risjell edhe njëherë faktet me fotografi të vizitave të Nënë Terezës në Kosovë.

Shën Tereza jonë ishte pesë herë në Kosovë:

1. Vizita e parë e Nënë Terezës ishte më 9-12 korrik 1970. Gjatë kësaj vizite ka qenë në këto vende: Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Ndër personalitete të atëhershme kishtare ka takuar: Imzot Joakim Herbut, ipeshkëv, Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, e shoqëruar nga Mons. Nikollë Mini, famullitari i atëhershëm i Przrenit dhe kushëriri i saj. (Rreth kësaj vizite më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, DRITA, 1990, botimi i dytë, f. 233-235).

Mons. Nikollë Mini gjatë intervistës me Nënën Tereze (Prizren, 12 korrik 1970)

2. Hera e dytë ishte 28-30 mars 1978 vizitoi: Shkupin, Ferizajin, Prizrenin, Letnicën dhe pati shumë takime edhe me popull:

Mesha me popull dhe kler në barakën në “Bitpazar” në Shkup; fjalët përshëndetëse të Imzot Joakim Herbut dhe Imzot Nikë Prela; Fjala e Nënës Tereze; Biseda e Nënës Tereze me televizionin e Shkupit; Përshtypjet pas takimit me Nënën Tereze. (Më gjerësisht lexo, Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 235-249).

Nëna Tereze në kapelë në “Bitpazar” (Shkup, 28 mars 1978).

3. Hera e tretë ishte 26 – 29 qershor 1980: Shpallet “Qytetare e Nderit” të Shkupit dhe pati shumë takime publike:

Me kryetarin e Shkupit, Metodi Antonov; nënkryetarin e KE të RSM-së Vasil Tugjarov; vizitoi varrin e babait të saj Kolë Bojaxhiut; jetimoren e Shkupit; takimin me gazetarë.

Me 27 korrik 1980 ishte në Binçë:

Mesha me popull, me fjalën e rastit të Imzot Joakim Herbut, Imzot Nikë Prela; dhe fjala e Nënës Tereze; Vizita e Nënës Tereze në Letnicë;

Më 28 korrik 1980 Nëna Tereze në Prishtinë: takimi në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës me kryetarin Bahri Oruçi, nënkryetarin Pajazit Nushi dhe bashkëpunëtorët.

Më 29 korrik 1980 largimi i saj nga Kosova, Prishtina. (Më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 249-279).

Intervista e Avni Spahiut me Nënë Tereze (Prishtinë, 26. 06. 1980).

Nëna Tereze me Bahri Oruçin (Prishtinë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze me murgesha dhe meshtarë (Shkup, 27. 06. 1980).

4. Hera e katër ishte në Kosovë 22-23 tetor 1982, me vizitë në Shkup, Letnicë, Ferizaj, Prizren, Zllokuqan dhe Pejë.

Gjatë kësaj vizite Nëna Tereze e hapi kuvendin e “Misionareve të Dashurisë”, me ftesë të famullitarit të atëhershëm, të ndjerit Dr. Don Gjergj Gjergji.

Nëna Tereze në kishën “Shën Katarina” (Pejë, 22 tetor 1982).

Nënë Tereza me Imzot Nikë Prela, meshtarë dhe motra të Kosovës (Pjeë, 22 tetor 1982).

5. Hera e pestë gjatë qëndrimit të saj në Zagreb 17-19 korrik 1986, ishte në vizitë private motrave të saja në Pejë dhe në disa vende tjera (18. 07. 1986).

Me atë rast i dhurova Nënës Tereze monografinë “Lule për Nënën” dhe pata një intervistë me të për revistën tonë “DRITA”. (Intervista dhe fotografitë janë botuar tek Revista “DRITA”, nr. 7-10, 1986, f. 8-9).

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)

Pamje ekskluzive nga Katedralja Nëna Terezë e cila do të shugurohet me 5 shtator (FOTO)

KultPlus ka siguruar një fotografi nga punimet në brendësinë e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Brenda saj po punohet një mozaik i cili do të jetë gati me datë 5 shtator, kur edhe shënohet 20-të vjetori i vdekjes së bamirëses Nënë Tereza.

Në po këtë datë bëhet edhe Shugurimi i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa do të festohet edhe në pjesë të ndryshme të botës duke u respektuar kësisoj figura e bamirëses të cilën e njohu tërë bota. / KultPlus.com

Eksploro Kosovën me anë të fokusit të alpinistëve

Alpinistë të ndryshëm shpesh marrin rrugën për të eksploruar bukuritë natyrore në Kosovë, por gjatë këtij eksplorimi, kur ata përballen me bukuritë e natyrës, është e pamundur të mos shkrepin edhe ndonjë fotografi. USAID Kosovo, ka shpalosur një album me fotografitë më të bukura të shkrepura nga alpinistët gjatë udhëtimeve të tyre. Me të vërtetë mahnitëse këto fotografi. / KultPlus.com

Hitet e harruara të verës, viti 2010 (VIDEO)

Çdo verë i ka hitet e saj. Këngëtarët madje përgatiten që pak para verës të nxjerrin këngët më ritmike dhe verore në mënyrë që të ftohen më pas nëpër koncerte e net muzikore.

Do të shikojmë se si është zhvilluar nëpër kohë muzika gjatë stinës së verës. Viti 2010-të, po e nisim me të, ka pasur disa hite të cilat janë dëgjuar në verën e këtij viti jo fort të largët.

Në Shqipëri e Kosovë, dhe aty ku flitet shqip, vera gjithmonë rezervohet për hite dhe muzikë. Në Kosovë vijnë mysafirët nga diaspora, në Shqipëri shkohet në bregdet, gjithmonë shoqëruar me këngë. / KultPlus.com

Viti 2010-të u shënua me këto hite verore:

https://www.youtube.com/watch?v=j5VqehwBTk8

https://www.youtube.com/watch?v=ZaZENRK6CF8

Zbulohet një letër e rrallë e Nënë Terezës e shkruar shqip (FOTO)

Roze Kukaj, e afërme e Nënës Terezë që jeton në Australi, i ka ofruar meshtarit shqiptar Don Marjan Marku disa letra që Nënë Tereza ia kishte shkruar nënës së saj, në gjuhën shqipe.

Don Marjan Marku, famullitar në Zvicër, ka takuar kohë më parë një të afërme, të bijën e dajës të Nënë Terezës, e cila jeton në Australi. Me këtë rast, bashkë me lajmin për kontaktin me familjaren në fjalë, Marku na sjell, ekskluzivisht për albinfo.ch edhe një letër në gjuhën shqipe që Nënë Tereza i kishte shkruar të afërmes së saj në vitin 1972. Letra bën fjalë për vdekjen e nënës së Nënë Terezës, Drane Bojaxhiut.

“Në shkurt dhe në mars të këtij viti isha për dy muaj në Australi për shkollim të mëtutjeshëm dhe me këtë rast pata kënaqësinë për tu takuar me një ilake (familjare të afërt) të Shën Nënë Tereza nga Kalkuta, me zonjën Roza Kukaj. Roza ishte një zonjë në një moshë të thyer, por e fortë dhe e fliste shumë bukur gjuhën shqipe, fliste një gjuhë të ëmbël qytetare. Gjyshi i saj (i Rozës), pra baba i nënës së saj dhe nëna e Shën Nënë Terezës ishin vëlla dhe motër”, shprehet Don Marjan Marku për albinfo.ch.

“Pas vdekjes së Kolë Bojaxhiut, pra të babait të Shën Nënë Terezës, ata ishin shumë të afërt me njëri – tjetrin, natyrisht se nëna Drane kishte nevojë për përkrahje nga vëllai i saj. Në bisedë me të, ajo më njoftoi për vizitën e nënë Terezës në shtëpinë e tyre. Sa herë që vinte në Melburn, ajo e vizitonte edhe vajzën e dajës, zonjën File Kukaj, tregon e bija, Roze Kukaj. Ajo mi tregoi edhe disa letra që nënë Tereza ia kishte shkruar nënës së saj, të cilat me lejen e saj unë edhe i fotografova. Këto letra të nënë Terezës ishin të shkruar në gjuhën shqipe. Njëra nga këto letra ishte edhe njoftimi i vdekjes së Dranës në Tiranë, pra vdekjes së nënës së nënë Terezës”, thotë më tutje meshtari shqiptar për albinfo.ch.

Ai bën të ditur se zonja në fjalë kishte po ashtu edhe një fotografi të shtëpisë ku ata jetonin në Shkup, para se të shpërnguleshin në Australi.

“Pasi që letra të shkruara në gjuhën shqipe nga shën Nënë Tereza ka shumë pak, sivjet në përvjetorin e 20 të vdekjes së saj po e publikoj një letër të saj të shkruar në gjuhën shqipe, me të cilën njofton bijën e dajës për vdekjen e nënës së saj”.

“Motra jeme e dashtun, Filja jeme. Nana loke ka shkue n’shpi te Zoti dashtun. Qe tash e kam fitue nji telegram. Agia ka shkrue: “12 Korrik ora 05, Nana vdiq – Agia» Tash na e kemi loken mu lut për ne.

Unë e di – se si Ti e ke dasht loken, si motra jeme e vogla. Sakrificionet e lokes na kan ndihmue – dhe tash ajo ka sigurisht me na ndihmue ma tepër – t’lutem lute argjipeshkvin Knox dhe motrat e jona mu lutë për loken. Si jeni ju – unë jam mir me shnet vetem qetash kam shum punë. Shkruj Ages dhe Lazri. Lutu per Agen shum, me shum dashni, motra jote – m. Teresa”.

Në letër janë të shkruara edhe adresat e tyre, e Ages në Tiranë dhe e Lazrit në Palermo.
(Letra është shkruar më 12 korrik, 1972)



Bashkëpunimi i Autostrada Biennale me UBT-në, komunitetit i sjellë inovacione teknologjike

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” ka publikuar bashkëpunimin me Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) e cila komunitetit i sjellë inovacione teknologjike dhe artistike, përcjellë KultPlus.

Stafit të madh organizativ të edicionit të parë të Autostradës Biennale, të përbërë kryesisht nga të rinj entuziastë dhe të dashuruar pas artit, i janë bashkuar edhe një numër i madh i studentëve të UBT-së nga Fakulteti i Ar-kitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, i Dizajnit të Integruar, i Medias e Komunikimit dhe nga ai i Mekatronikës, të cilët në varësi të departamenteve, po kontribuojnë në sjelljen e inovacioneve të shumta në këtë organizim.

Angazhimi i studentëve dhe profesionisteve të rinj është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Auto-stradës Biennale dhe UBT-së, në bazë të së cilës, ndër tjerash është paraparë edhe kryerja e punës praktike nga studentët, përgjatë ditëve sa edhe do të zgjasë aktiviteti i Autostradës Biennale.

Studentët janë duke funksionuar në mënyrë të organizuar dhe po japin kontribut nëpër departamentet për-katëse, duke kryer punë të ndryshme në cilësinë e stafit ose vullnetarëve. Aktualisht, ata janë duke ndihmuar në punët organizative, në menaxhimin e hapësirave, në punët e produksionit, në koordinimin dhe mbulueshmërinë e anës mediale, si dhe në përgatitjen e skenave dhe ndërtimin e robotit.

Robotit lypsar është projekti i artistit Sašo Sedlaček, interesat parësor të cilit janë gjërat që njerëzit i harrojnë dhe mënyra se si ato mund të bëhen të dobishëm. Puna e tij përgjithësisht përcaktohet nga teoritë e deponimit dhe përdorimit dhe ripërdorimit të teknologjive të lira, softuerit me kod të hapur dhe materialeve të mbeturinave.

Ndërtimi i robotit është bërë nga studentët e UBT-së të drejtimit të Mekatronikës dhe synohet që të jetë njëri ndër ekskluzivitetet më të mëdha të këtij organizimi. Sipas rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmod Hajrizi, synimi është që studentët të involvohen në ngjarje të tilla siç është Bienalja, duke gjeneruar rezultate dhe kompetenca me njohurit dhe aftësitë që i kanë, ku këto njohuri të fituar mund ta përdoren në të ardhmen. Sipas Sašo Sed-laček, studentët e UBT-së nga Prishtina, të udhëhequr nga profesori Valmir Hoxha, kanë bërë njërin ndër robotët më të avancuar deri më tani, madje më të avancuar se atë që e ka bërë ai në Japoni. Roboti është duke qëndruar në hapësirën e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit dhe është i pari i këtij lloji i ndërtuar ndonjëherë në Kosovë. Ndërtimi i këtij roboti, ndër të tjera, do të luajnë edhe një rol shumë të rëndësishëm humanitarë.

Robori lypsar është një robot i privuar materialisht dhe është ndërtuar tërësisht nga hardueri i vjetër kompju-terik dhe disa pjesë këmbimi, që janë marrë pa asnjë kosto. Ai është një agjenci zëvendësuese e krijuar për një botë, në të cilën të margjinalizuarit si individët dhe familjet e varfëra, refugjatët dhe azilkërkuesit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata të fshehtit nga sytë e publikut, kurrë nuk do të dalin në rrugë për të lypur, me përjashtim të rrethanave të tmerrshme. Roboti ka akses në zona që normalisht janë jashtë kufijve të lypësve, siç janë qendrat tregtare dhe ngjarjet e komunitetit, ku më të pasurit e shoqërisë, i frekuentojnë më shpesh. Hipoteza është se kjo pjesë e shoqërisë është në gjendje vetëm të tregojë pakënaqësi ndaj të margji-nalizuarve, nëse ata komunikojnë nga një distancë e sigurt dhe nëpërmjet një ndërfaqeje teknologjike. / KultPlus.com

Videon e plotë të projektit mund ta gjeni në linkun e bashkangjitur:

Letër e hapur drejtuar ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç

Mevi Rafuna

Kivilcim Kiliç, shqiptarët e kanë zakon ta presin dhe respektojnë në mënyrën më të mirë mikun në shtëpi. Kështu krijojnë besë ndaj tij, duke mos e gjykuar asnjëherë. Por shpesh kjo qasje e jona është keqpërdorur. E shoh që keni një vëmendje të tepruar ndaj nesh, një kujdes dhe dashuri të çuditshme.

Agjenda juaj duket mjaftë aktive në Republikën tonë. Sinqerisht do më vinte mirë, sikur puna juaj e zellshme të ketë fryte pozitive në vendin ku jetoj. Por më duket që gjithë rezultatet shkojnë në favorin tuaj. Shpesh njeriun di ta tradhtojë mimika e tij /saj e fytyrës, apo gjestet dhe atëherë kur ai/ajo pretendon se po kryen një veprim madhor. Dje shikova në lajme, defilimin e disa fëmijëve në sheshet e Prizrenit, të cilët ishin bërë synet. Shumë mirë, nuk kam asgjë kundër ritit. Por më pengon propaganda. Këtu ka ende njerëz barkthatë, dhe dikush di ta shfrytëzojë këtë situatë. E barkthati kot lutet në tempujt e bëra nga investimet turke. Për hir të dashurisë suaj të çuditshme që shfaqni ndaj nesh, do të ishte i mirëseardhur ndërtimi i ndonjë fabrike, që të mund të punonin barkthatit, njëjtë sikur ato që po i investoni në Serbi. Eh si ndryshojnë kohërat Kivilcim Kiliç ! Dikur osmanët nuk lejonin që të ndërtohet një shkollë në gjuhën shqipe. Ndërsa sot po zhvillohet konkurrencë se cila nga shkollat turke të dominojë në vendin tim. Nuk është mirë që në shtëpinë e mikut t’i bartësh problemet e tua, – thonë. Dhe ne si shtet mik i juaji nuk mundemi të infiltrohemi në problemet tuaja të brendshme. Ne si popull mikpritës që jemi, lejuam shkollat në gjuhën e juaj, por arnautët në Turqi nuk di t’kenë pasur ndonjë shkollë në gjuhën shqipe; tash e sa shekuj jetojnë atje. Veç tjerash shkollat në të cilat nxiten ideologjitë ekstreme, nuk i shkojnë për shtati shtetit tim që ka për synim integrimin në BE. E mos të harroj: në luftën e fundit ne përjetuam gjenocid me urdhrin e diktatorit Millosheviç, i cili na shpalli terroristë para botës. Të ta rikujtojë. Ky popull që të pret ty si mike, nuk ka shtypur askë në historinë e njerëzimit dhe është i etur për lirinë e mohuar ndër shekuj. Ky shtet nuk i rrështohet s’ë keqes sepse e ka të qartë rrugën e tij. Njashtu si ju Kiliç që punoni për interesin shtetëror tuajin, edhe mua më takon si bijë e këtij vendi, të reagoj, ndaj kafshimeve tinzare dhe ekspansionit të hapun që vijnë në adresë të atdheut tim. / KultPlus.com

Çfarë përfaqëson puna për të rinjtë sot?

MARC AUGÉ
Çfarë përfaqëson puna për të rinjtë sot?

Një obsesion dhe një mirazh. Jetojnë në një shoqëri ku mbizotëron pabarazia dhe padrejtësia, ndaj dhe ekuacioni mes punës dhe parave është i parregullt. Nëse shumë drejtues fitojnë para edhe pse bëjnë mjaft gabime gjatë punës, përhapet një perceptim rastësie pasi të gjithë mendojnë se atëherë nuk paska rëndësi merita dhe talenti, por fati. Për të rinjtë puna ka humbur vlerën dhe ky është dimensioni thelbësor i shqetësimit tim. Puna dominohet nga individualizmi, konkurrenca dhe pasiguria, ndaj ajo nuk përfaqëson më një vend ku krijohen lidhje sociale.

Në teori, puna është çelësi i autonomisë, por për shkak të krizave shumë të rinj janë të detyruar të rrinë në shtëpi me prindërit. Fëmijëria e tyre e zgjatur kontribuon në përhapjen e një ndjenje paaftësie, ndërsa ata nuk mund të përçojnë vlerat e tyre më të mira.

Tentojnë të varen pas familjes, duke treguar pasivitet në jetën reale. U ka ikur ambicia. Ndërsa ata që arrijnë të shkëputen prej kësaj lidhjeje, shpesh herë e bëjnë përmes trashëgimisë së profesionit: fëmijët e aktorëve bëhen aktorë, fëmijët e avokatëve bëhen avokatë etj. Pa harruar që fëmijët e periudhës “baby-boom”, sot 60-vjeçarë, zënë të gjithë postet drejtuese. Një horizont i tillë patjetër që të dekurajon.

Gjendja e të rinjve është një kampion që tregon kushtet e gjithë shoqërisë sonë, ku progresi i madh tekniko-shkencor ka krijuar pabarazi gjithnjë e më të thella. Të rinjtë janë të parët që i vuajnë pasojat. Por nuk duhet folur vetëm për të rinjtë, pasi kushtet sociale dhe përkatësia klasore luajnë një rol thelbësor në fatet e gjithsecilit. Duke e përqendruar vëmendjen vetëm te të rinjtë, ideologjia dominuese tenton të fshijë dallimet klasore duke e trajtuar çështjen vetëm si një problem moshe. / KultPlus.com/ Marrë nga Beti Njuma dhe Biblioteka e Librave të Harruar

Njiheni këngëtaren Lady Gaga me anë të numrave

4: Mosha kur ajo nisi të mësonte pianon
5: Numri i albumeve të realizuara
10: Numri i minutave që iu deshën Lady Gaga-s për ta shkruar “Born this Way”
13.5: Numri i minutave që ajo performoi në Superbowl Halftime Show
15: Mosha kur ajo u paraqit në një episod të serialit The Sopranos
19: Numri i tatuazheve

25: Kaq herë Lady Gaga ka dalë në ballinën e V MAGAZINE
29: Numri i videoklipeve
70: Numri i adresës së restaurantit të familjes së saj në West 68th street, Joanne Trattoria
117: Numri i çmimeve që ka marrë Lady Gaga
559: Koncerte të mbajtura në mbarë botën
146 milion: Numri i këngëve të shitura në mbarë botën
275 milion: Pasuria e Lady Gagës, përafërsisht / KultPlus.com

Mbrëmje gala për ngritjen e ‘Shtëpisë së Shqiptarëve’ në Kanada

Shoqata e Bashkësisë Shqiptare-Kanadeze, organizon mbrëmje gala për mbledhje fondesh me qëllim të ngritjes së ‘Shtëpisë së Shqiptarëve’, një qendër kulturore dhe shqiptare e cila ka për qëllim afrimin e shqiptarëve në Kanada dhe ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar në këtë vend, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje gala do të mbahet më 1 tetor në Toronto, ku pjesë e saj do të jenë këngëtarët e rinj siç janë Era Rusi e Valon Shehu. Përpos tyre kësaj mbrëmje gala i shtohen edhe ylli shqiptaro-kanadez Ana Golja, muzikantët e mirënjohur në si Përparim Mefaj, Erind Emiri dhe DJ Visar Zejnullahu. I ftuar nderi në këtë është kapiteni i Kombëtares Shqiptare Lorik Cana.

Mbrëmja gala do të mbahet më 1 tetor me fillim nga ora 18:00 në Toronto ndërsa hyrja është vetëm për të rritur dhe kodi i veshjes është ‘Black Tie’./ KultPlus.com

Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ thërret atdhetarët për gdhendjen e Skënderbeut në shkëmbin e Matit

Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’, e themeluar nga pasardhësit e Rilindasve, ka bërë mbrëmë një thirrje të veçantë, për një nismë që ka nisur kjo organizatë.

‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ iu bënë thirrje atdhetarëve shqiptarë që të mbështesin nismën e tyre, për të gdhendur në shkëmbin ballor në Mat, heroin kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun dhe prelatët, Pal Engjëllin e Pjetër Budin në të dy anët e shkëmbit të dytë, shkruan KultPlus.

Thirrja është publikuar në rrjetin social Facebook, të njërës anëtare të kësaj Lëvizje siç është Elida Jorgoni, e cila ka shkruar:

“Është viti i Gjergj Kastriotit
Lëvizja “Foleja Kombëtare Shqiptare” e themeluar nga pasardhësit e Rilindasve iu bën thirrje atdhetarëve shqiptarë, që të mbështesin nismën tonë, për të gdhendur në shkëmbin ballor në Mat, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe prelatët, Pal Engjëlli e Pjetër Budi në të dy anët e shkëmbit të dytë.

Pjetër Budi (1566 – 1622) – klerik, shkrimtar, humanist… nga Guri i Bardhë i Matit.
Pal Engjëlli (1416 – 1470) – kardinal i Papës në Romë, Kryepeshkop i Durrësit, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, shkrimtar, humanist, diplomat…

555 vite më parë, më 8 nëntor 1462, me nismën dhe kryesimin e këtij prelati, u mbajt Sinodi apo Kuvendi i Parë i Arbërit pranë Manastirit të Skënderbeut në Mat (Shën Trinisë), në pragun e pushtimit të plotë të vendit nga pushtuesit osmanë”, ka shkruar anëtarja e Lëvizjes ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’, Elida Jorgoni, ku poashtu ka bashkëngjitur dy fotografi të shkëmbit të Matit./ KultPlus.com

Fyerje ndaj figurës së Adem Jasharit

Deri kur më të fyhen heronjtë shqiptar me shtatore të dobëta. Nuk e dijë a është e qëllimshme kjo fyerje apo përse duhet të bëhet? Duhet sa më parë të rrënohen këto shtatore, të ngritën ato siç i ka hije heronjve shqiptar. Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vet ne me anë të artit.

Ilir Muharremi

Edhe një shtatore qesharake dhe fyese ndaj komandantit legjendar Adem Jasharit e ngritur më 2012 në fshatin Radushë të Shkupit, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Shtatorja ka madhësi prej dy metra e pesëdhjetë centimetra, ndërsa në vete mban mbi 280-300 kilogram rrjetë çeliku si dhe ka cement-krom dhe disa aditive të tjera. Në atë kohë disa folën fjalë miradije për anën estetike të shtatores, disa të tjerë qenë më realist sepse realizmin artistik e quajtën: “Marre dhe marrëzi, përmendore qesharake.” A qëndron kjo? Natyrisht, ngjanë me tendencën e skulpturave realosocialiste. Në anën tjetër figura e Ademit duket si xhuxhë, apo babadimër, ose një meksikanë i vogël, apo trup valltari tejet vital. Asnjërën nga këto nuk i posedonte heroi Adem Jashari. Për mua kjo është një fyerje e rëndë ndaj figurës së tij. Skulptori merr guxim të tallet me figurën e Ademit, dhe Ademi po qe i gjallë, ta shihje veten në këtë art, do qeshej me siguri ose të ndjehej i turpëruar.

E dyta, shtatorja u ngritë në fshat në një hapësirë tejet të ulët, mirëpo figura siç ishte Ademi meriton hapësira urbane, por kjo është ajo më e pakta krahas anës estetike realizuese shëmtuese të shtatores. A ngjanë shtatorja me heroin Jashari? Pothuajse fare. Edhe këtu përmasat devijojnë trupore derisa skulptori i saj Selam Mustafi kishte tendencë të krijonte një realizëm minimal sepse çdo gjymtyrë trupore është shumë e vogël, ose ca të tjera janë më të mëdha. Është degradim total i figurës së Adem Jasharit. I mungon jeleku antiplumb të cilin heroi gjithmonë në beteja e përdorte, dylbitë janë të fëmijëve, duken si lodër në shtatore, pastaj plumbat janë të mbështjellur rreth dorës, a në realitet Ademi i ka mbajtur rreth qafës, pistoleta është shumë e madhe, dhe kjo përdorej në filma vizatimor, tranformers. Pastaj i mungon edhe pjesa mjekrës që e kishte shumë të theksuar. Mustaqet janë kjo s’mund të mohohet. Koka është shumë e madhe në raport me trupin, duart janë tejet të shkurtra dhe masa e trupit është e vogël.

Nëse vështrohet nga poshtë pak do vërejmë karakterin e tij, sepse duhet të rritet figura nga distanca e tokës, ajo humbet në perspektivë, e në këtë rast Ademi qëndron sipër mbi tank. Nëse flasim për karakterin e tij duhet të paraqesim anën luftarake, qe vizionar i luftës, por edhe familjarë i mirë, dhe i dashur për të gjithë. E tërë skulptura është një shëmti disproporcionale, aspak estetike.

Çfarë kishte thënë në media skulptori Mustafi për artin e tij? Ai kishte menduar se njerëzit kanë prapavijë dhe qëllime jo të mira. Të gjithë mund të kenë, vetëm shqiptarët jo. Kjo nuk mjafton me arsyetua një skulpturë të dobët. Ai madje kërkonte se ku ka gabuar? Shumë e lehtë, syri më i thjeshtë e vëren. Madje, shumë fëmijë e identifikonin si babadimër ose si ndonjë xhuxhë i borëbardhës. Fyerje e rëndë kjo.

Skulptori po të kishte ndërgjegje do punonte shumë më shumë për një figurë siç qe Ademi. Unë si qytetar jam jashtë mase i fyer me një shtatore të tillë. “Këto që u thanë janë ngatërresa politike kurse unë kam tentuar të bëj një Adem Jashari në Maqedoni, të gjallë, të lëvizshëm, jo-statik, promotor i lëvizjes çlirimtare shqiptare. Për mua si artist është shumë me rëndësi simbolika”, ishte shprehur skulptori. Shtatorja as nuk është në lëvizje e as statike, është qesharake. Kurse pjesa simbolike nuk e dijë se ku vërehet në këtë shtatore, ndoshta vetëm në emër dhe mbiemër, kurse pjesën artistike fare. Ky është pseudomonument zotëri skulptor, dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të ngrihen kundër një përqeshje ekstreme banale që i bëhet heroit. Qytetari këtu duhet të ulërijë sikurse në pikturën e Munkut, zëri i tij ta shkul këtë objekt tallje, apo mjerim të vuajtur.

Ademi nuk e ka merituar një gjë të tillë zotëri skulptor. Ky në shtatore s’mund të jetë as Charlie Chaplin askush zotëri. Adem Jashari ishte shtatmadh, i plotë. Suzana Varvarica Kuka, pedagoge e historisë artit në Tiranë shtatoren e ka quajtur në një tekst “Monument bastard”. Dhe, vërtetë është i tillë nga ana estetike. “Ju lutem në emër të artit dhe të asaj që dinë të bëjnë artistët profesionistë shqiptarë hiqeni atë katrahurë mjetesh luftarake”, shkruan Kuka. Nëse respektohet thellë Jashari, duhet të hiqet kjo karikaturë, të punohet një tjetër, ashtu si vërtetë e identifikon figurën e tij madhështore. “Ju, që e inaguruat dhe ai njeri anonim e mjeran që e ka kryer atë zallamahi figurative, do të jeni gjithmonë të gjykuar nga një pjesë e denjë e shoqërisë shqiptare.” Shprehet ajo. Edhe janë të gjykuar, gjykimet nuk do ndalen derisa të hiqet ky marifet.

Në shqiptarët e Kosovës edhe sot krijojmë art të lirë. Përse qëndrimi i Adem Jasharit t’i kthehet skulpturave socialreliste të Shqipërisë? Nejse, është vetëm në këtë rrugë e jo tamam ashtu siç e theksova. P.sh. dora e skulpturës në këtë rast nuk kanoset, simbolikën e dorës e ka lënë ta gjejnë vetë njerëzit. Këtë skulptori e lidh me 2001-shin, kur ushtarët e UCK-së marrin tanket e forcave të armatosura maqedonase. Kjo simbolikë i bartet shtatores që mbanë armatim të lehtë, e që bëri punë të madhe. Pastaj, pjesa e këmbës së ngritur lartë, tentohet t’i jepet gjallëri shtatores, të jetë në lëvizje mbi tank i cili është material tjetër krahas me skulpturën, e imazhi këtu na del si kiç tipik. Nuk ka ndërlidhje fare kjo.

Mjekra i mungon, kjo ndonëse e qëllimshme nga skulptori sepse kur ishte në Kukës të Shqipërisë, kishte vetëm mustaqe. Këtë fizionomi e trajtoj skulptori, por ai mbahet mend me mjekër, dhe nuk e dijë pse e ktheu në kohë Adem Jasharin. Kurse pjesa proporcionale e tankut me shtatoren, nëse shikohet nga poshtë në relief të drejt duket si lojë fëmijësh krahas me figurën. Pse figura ka dal e shëmtuar? Mund jetë edhe materiali i cili nuk modifikohet dy herë, duhet njohuri për konstruksionimin e fizionomisë. Skulptura është realizuar për 4 muaj.

Nuk e dijë përse figurat e heronjve bien në duar të skulptorëve amator të cilët marrin guxim me fare përgjegjësi edhe të arsyetohen në media kinse duhet kuptuar konceptin e jo pamjen, a skulptura identifikohet me plastikën e saj. Këta njerëz janë kundër artit shqiptar dhe disi gëzohen me këtë tallje të mjerë. Publiku krenohet me figurën, por duhet të reagojë kundër realizimit të dobët. Kjo nuk po ndodh në Maqedoni. Vërtetë nuk e dijë si mund të kënaqet një artist me një shtatore aq të shpërfytyruar, aq turp të dhimbshëm. Unë këtë nuk mund ta quaj vepër arti e as skulpturë, vetëm një shëmti e qëllimshme, ose e pavetëdijshme, por nuk mjaftohet me kaq, sepse ajo tashmë ka zënë hapësirën.

Skulptorët amator përjashtuar disa autodidakt të cilët i bastardojnë heronj përmes shtatorëve të dobëta, nëse ju ofrohet ndonjë punë e madhe si kjo, duhet të heqin dorë, sepse komisionet si duket janë edhe më të papërgjegjshme për këtë. Unë ndjehem tepër i fyer, dhe nga revolta reagoj sepse nuk është kushdo Gjergj Kastrioti, Adem Jashari, Ismet Jashari, janë figura që meritojnë shtatore realiste me përmasa natyraliste.

Edhe politika shqiptare e Maqedonisë, por edhe ajo e Kosovës, në tërësi e trojeve shqiptare duhet të ndjehet e fyer, por edhe e zemëruar ndaj këtyre shëmtive artistike.

Ju lutem rrënojini shtatoret e dobëta sa më parë, krijoni shtatore të merituara, sepse jemi komb që meritojmë artë të mirëfilltë./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës kërkon shfrytëzimin e ‘Kinemasë së Armatës’ për ngjarjet kulturore (FOTO)

‘Kinemaja e Armatës’ quhet objekti afër amfiteatrit në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, i cili një kohë të gjatë është administruar nga misionet ndërkombëtare. Tashmë pak muaj më parë i ka kaluar në menaxhim dhe administrim Ministrisë së Administratës Publike.

E pikërisht për këtë objekt Komuna e Prishtinës përkatësisht Drejtoria e Kulturës, është angazhuar fuqishëm që ky objekt të shfrytëzohet për ngjarje kulturore nga ky institucion, shkruan KultPlus. Një gjë të tillë e ka bërë publike në rrjetin social Facebook, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Besart Vllahinja, i cili ka theksuar se janë të angazhuar, që deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme, të bashkëpunojnë me Ministrinë e Administratës Publike që këtë objekt ta shfrytëzojnë për organizimin e ngjarjeve kulturore brenda këtij ambienti, brenda konceptit të interesit publik.

Po sjellim shkrimin e plotë të drejtorit Besart Vllahinja bashkë me disa fotografi të këtij objekti:

“Objekti afër amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti”, i njohur me emrin “Kinemaja e Armatës” i administruar një kohë të gjatë nga misionet ndërkombëtare, muaj më parë ka kaluar në menaxhim dhe administrim të Ministrisë së Administratës Publike.
Po angazhohemi fuqishëm, që deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme, të bashkëpunojmë me autoritetet e MAP ashtu që shumë prej ngjarjeve të kulturës, të organizohen në këto ambiente, brenda konceptit të interesit publik”, ka shkruar Vllahinja./ KultPlus.com

Gazeta gjermane shkruan për botimin e romanit ‘E Penguara’ të Ismail Kadaresë në Gjermani

Mbylle Gojën, Kufomë!
Nuk ka kujtime pa interes dhe as moral pa siguri të rreme: Shkrimtari i madh shqiptar rrëfen në romanin e tij “E penguara” për vitet e fundit të sundimit të Enver Hoxhës.

Nga: Thomas Steinfeld
Përktheu nga gjermanishtja: Xhevat Ukshini

Jo për dashurinë bëhet fjalë në tregimin, në të cilin Orfeu zbret në skëterrë, për ta rikthyer në jetë Euridiken. Ai, për më tepër, bën fjalë për vdekjen. Dashuria mes të fejuarve bën të lind një rast, falë të cilit mund të hulumtohet se sa e shkurtër është jeta dhe sa e parevokueshme, në fakt, është vdekja. Ky mendim, me sa duket, ka qenë vështirë i durueshëm për grekët, aq torturues, saqë ata çdo hero të madh të tyre e dërgojnë në mbretërinë e hijeve: Tezeun, Heraklesin dhe Odisenë. Njerëz të gjallë janë këta tre heronj. Ata i bëjnë thjesht një vizitë hadit. Ndërkaq, Euridika është e vdekur. Ajo duhet të nxirret nga bota e nëndheshme. Dhe, kur Orfeu dështon në përmbushjen e kësaj detyre, për shkak të fajit të tij, ai mbetet i vetmuar në tokë, ulet mbi gur dhe këndon këngë pikëllimtare, kështu që ai shpejt i ngjan një të vdekuri mes të gjallëve.

Që romani “E penguara”, në origjinal i botuar në vitin 2009, i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare duhet të jetë një variacion i historisë së Orfeut dhe Euridikes në vitet e vona të diktatorit Enver Hoxha, këtë gjë e vë re ndoshta edhe një lexues i vëmendshëm tek kah fundi i kësaj vepre. Që ky roman rrëfen për shtegtimin në një lloj skëterre, përkundrazi është e qartë që nga fillimi. Heroi, një dramaturg i suksesshëm me emrin Rudian Stefa, thirret për bisedë në godinën e Komitetit të Partisë. Arsyen ai nuk e di, por ai ka frikë nga më e keqja. Ndoshta __i ka shkelur rregullat e realizmit socialist për shkrimin e pjesës teatrore, nga se ai në aktin e dytë të veprës së tij të fundit lë të shfaqet një fantazmë. Ndoshta __ është denoncuar nga e dashura e tij, pasi që __ në grindje e sipër e kishte shtyrë atë me kokë kundër raftit të librave. Aq i shqetësuar është __, saqë ai flet e flet, ndërkohë që shokët që e marrin në pyetje pak a shumë heshtin.

Rudian Stefa është një njeri jo i këndshëm, ndoshta edhe një njeri i keq, por një shkrimtar impresiv. Tërësisht i përqendruar në vetvete, duket sikur pjesën me të madhe të ditëve e kalon, duke u përfytyruar se çka mendojnë për të njerëzit e tjerë (dhe para së gjithash hetuesit e shtetit komunist), si do te reagojnë ata, çka duhet të bëjë nëse ky apo ai dyshim vërtetohet- dhe, në fund, ai vije në këtë përfundim: “Ne jetojmë në botë të ndryshme”.

Shumë gjëra në këtë libër nuk duken reale për të gjithë pjesëmarrësit dhe as të liruara nga obsesioni i interpretimit: kafeja vietnameze në hotel Dajti, me të gjithë spiunët dhe çimkat, tabela e afisheve para teatrit, në të cilin nuk varen më pllakate për pjesën e Rudian Stefës, librat e rrëzuara nga rafti, kundër të cilit ai e kishte shtyrë kokën e të dashurës. Ajo quhet Migena (një anagram për “enigma”). Ajo hyn dhe del në shtëpinë e tij, e shtyrë nga interesa të paqartë dhe të ndërlikuar, dhe e vë në lëvizje historinë në atë mënyrë që merr prej tij një libër me nënshkrim për një shoqen e saj me emrin “Linda B.”.

Një shtegtar në mbretërinë e të vdekurve është ky Rudian Stefa dhe kështu, si parakalon si një hije nëpër libër, konturat e të cilit mbahen nga një materializëm i vogël i dalë boje, para së gjithash përmes logjikës së dyshimit, kështu duket se i shkojnë punët edhe vendit dhe udhëheqësit Enver Hoxha.

Nuk ka kujtesë pa interes dhe as moral pa siguri të rreme

Ky paraqitet në fund të këtij romani të vogël, si një burrë i sëmurë, i cili i hedh sytë e tij të përlotur mbi nusen e re të njërit prej funksionarëve të tij. Skëterra, kështu duket, e ka gëlltitur gjithë realitetin në vetvete. Ajo vazhdon të ekzistojë edhe kur udhëheqësi prej kohësh ka vdekur dhe kur shtatorja e tij zvarritet në sheshin Skënderbeu në Tiranë:

“Koka e shtatores ishte pikërisht poshtë dritares. Te kafka kishte një të çarë, pas së cilës nxinte zbrazëtia.
Ik trajtë e poshtëruar, tha me vete.
Ulërima e turmës ngjitej valë-valë që poshtë.
Syri i djathtë mbi bronz, i nxirë, i stërmadh e i panatyrshëm ngjante si me lot.”

Një Orfe është ky dramaturg, një had gjithë vendi dhe sidomos miniera e bakrit, ku do të zhvillohet ngjarja e pjesës më të re të Rudian Stefës, e cila përsëri përbën vetëm një metaforë të fatkeqësisë për shterimin ( apo mosekzistencën) e forcës krijuese të shkrimtarit. Por, nëse Orfeu i mitologjisë greke vetëm një herë të vetme e kthen kryet për të parë fejuarën tij që e ndjek pas dhe kështu përfundimisht e fundos në skëterrë, këtu Orfeu është një figurë që pa pushim shikon rreth e rrotull, në të gjitha anët dhe kështu ai gjithçka e kthen në hije.

Fundi i shtetit komunist nuk i ndriçon këto rrethana. Përkundrazi. Ç’është e vërteta duket se është e qartë kush ishte Linda B.: pra e internuara që i jep titullin e librit të përkthyer në gjermanisht, njëri nga mijëra njerëzit e padashur, të cilët regjimi i depërton në vende të largëta, shpesh me familjet e tyre. Por edhe e internuara është vetëm një hije, një hije e kthyer në kujtesë të gjallë përmes kureshtjes së shkrimtarit, për besueshmërisë e së cilës nuk ka asnjë garanci, edhe nëse ajo insiston në mënyrë demonstrative për vërtetësinë e saj.

Ky roman është një libër i vogël, i hidhur. Por si mendim peshon rëndë dhe ç’është e vërteta edhe sepse na mbanë larg nga idealizmat e ballafaqimit me të kaluarën. Nuk ka kujtim pa interes, na mëson kjo vepër. Dhe nuk ka moral pa siguri të rreme. “Mbylle gojën, kufomë!“ i thirret fantazmës, të cilën Rudian Stefa e lë të paraqitet në dramën e tij mizerable kundër rregullave të teatrit socialist. Fjalia mund të qëndronte si moto për këtë libër. Sepse natyrisht këtu kufomat flasin, në kundërshtim me mitin antik të fantazmave memece. Ato madje vazhdojnë të flasin brenda njeriut. Andaj si të mos doje t’i dëgjosh ato, fantazmat që flasin, për arsyen elementare se do të doje të mësoje se si jetohet me vdekjen? (Botoi Süddeutsche Zeitung, nr. 196, 26/27.08.2917, Letërsi evropiane, fq.20)./ KultPlus.com

6700 turistë më shumë se vitin e kaluar, sivjet vizituan Kalanë e Gjirokastrës (FOTO)

Pamje të mrekullueshme të Kalasë së Gjirokastrës, ka publikuar sot në rrjetin social Facebook, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, shkruan KultPlus.

Rama, përveq fotografive ai poashtu ka treguar se deri më 31 korrik të këtij viti, kjo kala është vizituar nga 6700 turistë më shumë se nga viti i kaluar.

“MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje të sheshpushimit të ri në Kalanë e Gjirokastrës, vizituar deri më 31 korrik të këtij viti nga 6700 turistë më shumë se një vit më parë”, ka shkruar kryeministri Rama./ KultPlus.com

Shpëtim Selmani sjellë pjesë nga libri i tij i ardhshëm ‘Fragmente t’padobishme’

Shkrimtari kosovar njëherësh edhe aktor shumë i suksesshëm në Kosovë Shpëtim Selmani, nesër mbrëma sjellë një natë leximi në Klubi《M》Club në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Shpëtimi të enjten e 31 gushtit me fillim nga ora 20:00 do të lexojë disa pjesë nga libri i tij i ardhshëm ‘Fragmente t’padobishme’, siç quhet në event ‘Nër hijen e arrës’./ KultPlus.com

Botohet në Serbi një libër me tregime të shkurtra nga Ismail Kadare

Shtëpia botuese nga Serbia, Samizdat B92 ka sjellë këtyre ditëve në serbisht një libër me tregime të shkurtra të Kadaresë.

“Razgovor O Brilijantima Jednog Decembarskog Popodneva” është përmbledhje e tregimeve të shkrimtarit shqiptar në periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij, me fillim moshën 17 vjeçare kur edhe nisi të shkruante ai.

Përmbledhja përfshin tregime të cilat autori i ka shkruar deri në vitin 2008, shkruan B92 dhe përcjellë KultPlus.

Disa tregime vijnë në formën e tyre origjinale, edhe pse të botuara në shqip disa prej tyre janë ndryshuar për tu përshtatur regjimit shqiptar në kohën kur shkruante Kadare.

Libri është përkthyer nga Shkëlzen Maliqi ndërsa ka 156 faqe. / KultPlus.com

Poezitë e tre poetëve shqiptarë botohen në Antologjinë e Poezisë ‘Dialogje’ në Itali

Në Itali, “La stanza del poeta” në edicion të EVA-s ka botuar në gjuhën italiane Antologjinë e poezisë “DIALOGHI” (Dialogje). Në të janë përfshirë 16 autorë të njohur botërorë, në mesin e të cilëve edhe poetët shqiptarë, shkruan KultPlus.

Ndër 16 autorët e njohur botëror tre nga ta janë poetë shqiptarë si: Shaip Emërllahu, Ilire Zajmi dhe Ndue Ukaj. Një gjë të tillë e bëri publike përmes rrjetit social Facebook, poeti Shaip Emërllahu, i cili poashtu ka publikuar edhe fotografitë e poetëve dhe të antologjisë ‘Dialogje’.

Poezitë i përktheu poeti dhe përkthyesi italian, Xhezepe Napolitano, i cili njëherit ka bërë edhe parathënien e Antologjisë./ KultPlus.com

Nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Dea Open Air’, edicioni i katërt me 50 filma në Sarandë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” po zhvillon edicionin e katërt në Sarandë. Ceremonia e hapjes së festivalit u zhvillua në Kinema Limani në bregdetin e Jonit, në Sarandë. Këtë vit në festival janë në konkurrim rreth 50 filma.

Kinemaja shqiptare përfaqësohet me një film të metrazhit të gjatë dhe 6 të shkurtër, 2 nga Shqipëria dhe 4 filma nga Kosova. Këtë vit miqve të kinemasë do t’u shtohet edhe një tjetër hapësirë, që do të ketë një seksion të veçantë, kryesisht “Best off”. Në rubrikën ‘in memoriam’ do të përkujtohet 80-vjetori i lindjes së regjisorit Viktor Gjika si edhe aktori i madh Bujar Lako.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzane Schutz, kineastë shqiptarë dhe të huaj, kritikë dhe gazetarë. Drejtori i “Dea Open Air”, Edmond Topi vuri në dukje, se motivimin për realizimin e këtij eventi e ka mbajtur gjallë që në fillim bindja, se kultura mund të ndryshojë shoqëritë.

“Ngjarjet kulturore si ky festival mundësojnë dialogun mes kulturave, mes mënyrave të ndryshme të kuptimit të botës. Në një kohë me kaq shumë dhunë dhe arbitraritet, kultura është pothuajse e vetmja paqe dhe rrugëdalje dhe kontribuesit e shquar të saj të vetmit udhëheqës shpirtërorë. Po që kjo të funksionojë, duhet fituar lufta për audiencat”, pohon mes të tjerave drejtori Topi.

Për drejtoren artistike të festivalit Mirela Oktrova, kinemaja nuk është luks, kinemaja është e drejtë themelore. “Një brez, që në harkun e 27 vjetëve, jeton pa të, nuk e ndjen më të nevojshme atë as ta shohë, as ta mësojë, as ta ushtrojë dhe aq më pak të mësojë prej saj. Ai brez nuk e kupton nevojën për t’u shprehur me filma, për të konsumuar filma, për të diskutuar filma, për t’u identifikuar me filmat. Vetëm nëse bëhemi të ndërgjegjshëm për këtë, do ta kuptojmë, se sa e rëndësishme është të edukosh kinema” tha për festivalin Oktrova.

Festivali u çel më datë 27 gusht dhe do të vijojë deri më datë 2 shtator. Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka e vlerësoi festivalin si një event, që premton t’i bëjë më të vlefshme mbrëmjet, duke shoqëruar me magjinë e artit të shtatë. Filmat e këtij viti vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë.

Tre juri në festival

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” nisi me konkurrimin në gjininë e filmit me metrazh të gjatë. Filmi Hannat (Die Hannas – Gjermani 2016) vendos në fokus të vëmendjes së tij një çift: Ana dhe Hans, të cilët janë një dhe të pandarë. Aq e vërtetë është kjo, saqë të gjithë miqtë e tyre i quajnë thjesht Hannas. Ata janë një çift i kolauduar në të tridhjetat e tyre të përgjumura, që i bashkon me njëri-tjetrin obsesioni i gatimit. Derisa një ditë, ata takohen me motrat Adhid, Kim dhe Nicola. Nga ky çast, në fshehtësi, secili prej Hannave-ve fillon të planifikojë dhe nxisë aventura të nxehta dashurie me motrat.

Po në fund të fundit përfundojnë të shtrydhur emocionalisht kur konstatojnë se motrat Kim dhe Nicola janë të lidhura me diçka për të cilën Hanna-ve nuk u kishte shkuar në mend. “Hannas” është një rrëfim rreth trupave tridhjetëvjeçarë, ushqimit dhe dashurisë. Në të njëjtën kohë në kinemanë e improvizuar verore, në resortin turistik Bougainville startoi programi “Miqtë e kinemasë”. Sipas traditës edhe në këtë edicion konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Veton Surroi (shkrimtar dhe publicist – Kosovë), Dr. Cathy de Haan (studiuese e filmit dhe komunikimit – Gjermani), Mevlan Shanaj (regjisor – Shqipëri), Diana Dobreva (aktore dhe regjisore – Bullgari), Agron Vula (regjisor dhe producent – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor ; Fotografinë/Kameran më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi. Në festival janë dhe juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga Natasha Lako (poete dhe skenariste); Ema Andrea (aktore) dhe Sokol Krasniqi (grafist) dhe juria e medias, e përbërë nga: Astrit Idrizi (regjisor dhe producent), Violeta Murati dhe Shpresa Dine gazetare. (Shkruan Julia Vrapi. SN.com)/ KultPlus.com

Bija shqiptare – Nëna e botës – tani shenjtëresha e dashurisë, Nëna Tereze

Shekujt e pritën dhe përgatiten, ne e përjetuam

Për ta kuptuar njeriun si qenie personale, familjare, shoqërore, kombëtare, fetare, kulturore, lypset njohur rrethin, ambientin, kontekstin jetësor, sepse pa këto tipare dalluese njeriu humb disi tërësinë, rrënjët, mbetet në “ajër”, pa identitet dhe personalitet bazor.

Nga Don Lush GJERGJ

Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu?
Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar.

Përse ajo lindi në Shkup?
Familja e Gonxhe Bojaxhiut u shpërngul nga Prizreni në Shkup për shkaqe të përndjekjeve dhe masakrimeve turke kundër shqiptarëve, veçmas shqiptarëve katolikë; për shkaqe të epidemisë, sidomos të kolerës, që e përgjysmojë popullatën e Prizrenit gjatë viteve 1850 – 1855, si dhe për shkaqe të kërkimit të tregjeve më të mëdha.
Sipas një dokumenti të gjetur gjatë vitit 2010 në arkivin e famullisë së Prizrenit “Zoja ndihmëtare” të datës 23 janar 1880 Lazër Mark Bojaxhiu, babai i Kolë Bojaxhiut, pra, gjyshi i Nënës Tereze, i kishte dhuruar “të gjitha shtëpitë, tokat dhe pasuritë që gjenden në qytetin e Prizrenit dhe jashtë tij, si të mirat e palëvizshme, ashtu edhe ato të lëvizshme, të cilat janë ne emër tim, që i kam blerë apo trashëguar… nuk janë më pronë e imja, por i përkasin Argjipeshkvisë katolike dhe Kishës Katolike në Prizren, të cilët janë pronarët e vërtetë e të gjitha këtyre të mirave… tash e përgjithmonë, për mua dhe për pasardhësit e mi…”.

Kush ishin prindërit e saj?
Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.
Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.
Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973).

Në çfarë rrethana lindi, qe edukuar Gonxhe Bojaxhiu?
Ajo lindi më 26 gusht 1910, gjatë sundimit turko-otoman, në një ambient të përzier etnikisht dhe fetarisht. Shkupi atëherë ishte kryeqendra e Vilajetit të Kosovës dhe Selia e Ipeshkvisë sonë. Atë e pagëzoi Don Zef Ramaj, e krezmoi argjipeshkvi Imzot Lazër Mjeda. Shkollën fillore e kreu pranë shkollës shqiptare katolike të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, ndërsa gjimnazin në shkollë publike, shtetërore po ashtu në Shkup. Së pari familja, pastaj famullia, atë e edukuan për dashuri flijuese dhe dhuruese, për vëllazëri të gjithëmbarshme, për shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit, sidomos ndaj atyre që vuanin në trup apo në shpirt

Si erdhi te thirrja rregulltare?
Gjashtë vite “luftoi me Zotin”, prej moshës 12 deri në atë 18 vjeçare, dhe pas shumë këshillimeve, lutjeve, shtegtimeve të rregullta në Letnicë, së fundi vendosi: “DUA TË BËHEM MOTËR MISIONARE PËR T’I SHËERBYER TË VARFËRIT E BOTËS”. (Letnicë, 14 gusht 1928)

Pse shkoi në Kalkutë, në Indi?
Sepse si e re kishte lexuar dhe dëgjuar në Shkup prej etërve jezuitë, që kishin misionarë në Kalkutë dhe më gjerë në Bengali (Indi), mbi mjerimin, varfërinë, gërbulën si dhe mbi ndasitë fetare, kastore, gjinore, racore, dhe më s’ mund të ishte e qetë, por dëshironte të jetonte me ta dhe të vepronte në mesin e tyre.

Si udhëtoi në Kalkutë dhe kur mbërriti atje?
Udhëtimi për Kalkutë u zhvillua në tri faza: me tren Shkup – Zagreb (26 shtator 1928), prapë me tren Zagreb –Dublin (13 tetor 1928) dhe së fundi me anije Dublin – Kalkutë
(prej 1 dhjetorit deri më 6 janar 1929). Në një mënyrë ky udhëtim simbolizon dhe paralajmëron tri fazat e saja jetësore, si Gonxhe Bojaxhiu (1910-1928), Motra Tereze e Loretos (1929-1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997).
Këto tri periudha jetësore përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Pse quhej Motra Tereze e Loretos?
Sepse atëherë ishte tradita dhe ligji kishtar i ndërrimit të emrit të pagëzimit me ndonjë emër të ri në rregulltari. Gonxhe Bojaxhiu e ndërroi emrin e pagëzimit në atë të Motra Tereze e Loretos, sepse ishte anëtare e bashkësisë rregulltare të motrave që quheshin “Motrat e Loretos”. E ndërroi emrin për ta ndërruar së pari vetveten, jetën dhe veprimtarinë e saj, pastaj Kalkutën, Indinë, botën mbarë.
Kërkim (feja), angazhimi apo veprimi (shpresa) dhe dhurimi apo flijimi (dashuria), ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

Sa kohë jetoi dhe veproi si motër e Loretos në Kalkutë?
Prej vitit 1929 deri në vitin 1950, kur përfundimisht mori lejen e themelimit të bashkësisë së re rregulltare “MISIONARET E DASHURISË”. Këto tri faza jetësore janë konteksti jetësor i saj, dhe pa këtë ajo s’ mund të kuptohet, edhe më pak të imitohet.

Çka bëri Nëna Tereze për Kalkutën, Indinë, Botën?
Asgjë dhe gjithçka. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, vërtetoi dhe dëshmoi se i vetmi mjekim për trup dhe shpirt, për varfëri, sëmundje, gërbulë, vetmi, për pleq, fëmijë dhe rini, për të këqijat e botës së pasur dhe të varfër, për të gjithë është DASHURIA VEPRUESE ose NË VEPRIM.
Ajo së pari i përballoi të ligat e Kalkutës, më vonë edhe të Indisë, së fundi edhe të mbarë botës, dhe ia doli, i tejkaloi të gjitha ndasitë, dallimet, përkufizimet kombëtare, fetare, gjinore, racore, kastore… duke e pasur si pikënisje dhe si përfundim të çdo veprimtarie binomin ZOTI dhe NJERIU.
Për të Zoti dhe njeriu ishin të pandarë, sepse ajo ishte mbi të gjithë që të jetë dhe të mbesë NËNA E TË GJITHËVE.
Për të bërë të gjitha këto vepra bamirësie Nëna Tereze ka themeluar: MISIONARET E DASHURISË (1950), VËLLEZËRIT MISIONSRËT E DASHURISË (1963), BASHKËPUNËTORËT E NËNËS TEREZE (1969), MISIONARET E DASHURISË –DEGA KONTEMPLATIVE (1976) dhe VËLLEZËRIT E FJALËS – REGULL MESHTARAK (1984).

Çka kemi ne prej saj?
Me Nënën Tereze edhe një herë ndriçoi dhe lulëzoi krishterimi ynë 2000 vjeçar martir, dialogu ndërfetar shqiptar krishtero-mysliman, dialogu ndërkishtar katoliko-ortodoks, tradita bujare e mikpritjes dhe e bamirësisë, ndihmës ndaj të varfërve, strategjia paqësore jodhunore, me pak fjalë vlerat tona shekullore të fisnikëruara dhe të begatuara me përvojën madhore të Nënës Tereze.
Me rastin e Shpërblimit Nobel për paqe, së pari gojarisht, pastaj edhe më shkrim para mijëra gazetarëve ma dha këtë porosi në gjuhën tonë shqipe:
Oslo, 10/ 12/ 79
“Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin qi Pagja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija.
Une lutem për juve”.
M. Teresa Bojaxhiu

Çka kemi ne me beatifikimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze?
Shumë, sepse do të jetë Shenjtëresha e parë Shqiptare edhe zyrtarisht e pranuar dhe e shpallur nga ana e Selisë Shenjte, ajo që bota e shpalli NËNË UNIVERSALE dhe SHENJTËRESHË e mbarë njerëzimit, Nëna e Jetës dhe Dashurisë.
BIJA SHQIPTARE, NËNA E BOTËS, TANI EDHE SHENJTËRESHA E DASHURISË, ja, NËNA JONË TEREZE. Ajo do të lutet dhe do të ndërmjetësojë për ne para Zotit, ndërsa ne do të mundohemi të jemi bijtë dhe bijat e saja në jetë dhe në veprim.

Porosia apo testamenti shpirtëror i Nënës Tereze për ne?
“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ ka kuptim”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.
Nga goja dhe zemra e plotë lind urata spontane: Shën NËNA TEREZE LUTU PËR POPULLIN SHQIPTAR, PËR KISHËN TONË, PËR BOTËN MBARË! Amen.(Drita.Info)./ KultPlus.com