Taylor Swift lanson albumin e ri

Këngëtarja e famshme Taylor Swift përmes një postimit në profilin e saj në Instagram, ka paralajmëruar se sonte do të lansojë albumin e saj të ri të quajtur “Reputation”.

Javën e kaluar, Taylor Swift fshiu gjithçka nga llogaritë e saj në mediat sociale, duke nxitur spekulimet se po përgatitej publikimi i një albumi të ri.

Loja vazhdoi edhe në fillim të kësaj jave, ku këngëtarja publikoi tre video të një gjarpri, derisa lajmi i shumëpritur u publikua, transmeton TCH.

Taylor Swift do të publikojë singëllin e parë të albumit të saj më të ri “Reputation”, pikërisht të enjten në mbrëmje.

Me albumin e fundit, “1989”, Swift fitoi çmimin ‘Grammy’ në 2015-ën dhe arriti të shesë mbi 6 milionë kopje.

Taylor Swift është 27 vjeçe dhe nga viti 2006 e deri në 2014-ën, ka publikuar pesë albume, një në çdo dy vite, ndërsa i gjashti është vonuar tre vite nga paraardhësi. / KultPlus.com

Botohet e plotë vepra e At Zef Pllumbit (VIDEO)

Provinca françeskane në Shqipëri ka përgatitur botimin e veprës së plotë të At Zef Pllumit, e cila do të promovohet në shtator, me rastin e 10 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Françeskani At Zef Pllumi vuajti 23 vite të jetës së tij në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste dhe, vitet e fundit të jetës, botoi veprën e tij më të rëndësishme “Rrno vetëm për me tregue”, një dëshmi e persekucionit komunist në Shqipëri.

“Zëri i Amerikës” bisedoi me patër Viktor Demaj, i cili punoi për mbledhjen dhe botimin e veprës së At Zef Plumit. / KultPlus.com

Momente nga shënimi i 10 vjetorit të vdekjes së Faruk Begollit (VIDEO)

Artisti Faruk Begolli, emri i të cilit do të mbetet i paharruar në botën e kinematografisë shqiptare dhe jo vetëm, mbrëmë shënoi 10 vjetorin e ndarjes nga jeta, shkruan KultPlus.

Mbrëmë në kujtim të 10 vjetorit të vdekjes së aktorit Faruk Begolli, Qendra Kinematografike e Kosovës organizoi një takim i cili mblodhi në një vend shumë artistë e njerëz të artit.
KultPlus ju sjellë një video nga atmosfera e krijuar mbrëmë ku dy aktoret tona Gresa Pallaska dhe Shengyl Ismaili shihen duke kënduar këngën ‘Mihane’.

Video e postuar nga Arben Zharku. / KultPlus.com

Mediat italiane: ‘Syri i Kaltër’ parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë (VIDEO)

“Syrin e Kaltër”, ky vend i cili tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota, mediat italiane e kanë quajtur si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për të iu uruar një ditë të mbarë ndjekësve të tij në Facebook ka zgjedhur një mënyrë më të veçantë. Ai ka shpërndarë një artikull për atraksionin turistik në Shqipëri, “Syrin e Kaltër” i publikuar në mediat italiane.

Një pjesë nga reportazhi mund ta lexoni më poshtë:

“Burimi i Syrit të Kaltër”, një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë. Duket tamam si një sy i bukur ngjyrë blu. Quhet “Burimi i Syrit të Kaltër” falë ngjyrës së kristaltë të ujërave të tij dhe formës e cila ngjan tamam si një sy të madh. Syri i Kaltër, në gjuhë origjinale, është një burim natyror në zemër të Shqipërisë, një perlë e re e turizmit veror Mesdhetar e cila të surprizon vazhdimisht. Bëhet fjalë për një burim karstik vetëm njëzet e dy kilometra në lindje të Sarandës, vendpushimi bregdetar më i famshëm dhe i gjallëruar përgjatë “Rivierës Shqiptare” në shpatet perëndimore të Malit të Gjerë. Temperatura e ujërave të këtij burimi është rreth 12°C, por thellësia e tij ende nuk dihet.

Shkëmbi i bardhë gëlqeror që i bën sfond këtij burimi, e ngjyros atë me ngjyra të mrekullueshme dhe, sipas legjendave, ai mund të vizitohej vetëm nga anëtarët e partisë gjatë periudhës komuniste. Ndërsa pjesa e brendshme e burimit ka një ngjyrë blu të errët, të ngjashme me beben e një syri, pjesa e jashtme ka tonalitete më të hapura, njësoj si një iridë. Për të mbërritur aty mjafton një shëtitje në këmbë prej rreth dy kilometrash prej udhëkryqit në rrugën kryesore që lidh Sarandën dhe Gjirokastrën dhe, edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë, tipike të Shqipërisë.

Gjelbërimi i dendur i lisave që rrethojnë burimin, ku fluturojnë të lira qindra flutura dhe pilivesa, edhe ato me një ngjyrë blu elektrike, e bën atë vendin ideal për të organizuar një piknik, ose për të konsumuar diçka në barin dhe restorantin e zonës ku gatuhen pjata tipike dhe të shijshme, ndërsa nga tarraca mund të sodisni pamjen e burimit./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=NwVe803_a78

Gjobë deri në 3 mijë euro nëse merrni guaska apo gurë në bregdet

I famshëm për plazhet e saj të kristalta, ishulli mesdhetar i Sardenjës, ka vendosur rregulla të ashpra për pushuesit që mund t’u shkojë ndër mend që të marrin me vete në shtëpi ndonjë grusht rërë prej tij.

Sipas një ligji të hyrë në fuqi nga 1 gushti, katër turistë janë dënuar me gjoba prej 1 mijë eurosh, sepse janë përpjekur të marrin me vete rërë, gurë apo guaska deti. Ata janë zbuluar nëpërmjet rrezeve X ndërsa largoheshin përmes aeroportit Elmas.

E gjithë kjo mund të duket e ekzagjeruar, por prej vitesh, banorët e ishullit ankohen për grabitjen që po u bëhet aseteve të tyre natyrore. Në 1994, aksesi në plazhin e rinovuar ngjyrë rozë, në ishullin Budelli, në veri lindje të Sardenjës, u ndalua për shkak të shqetësimeve për të ardhmen e tij.
Vetëm në tre muajt e verës së 2015, rreth 5 tonë rërë ka kaluar nga aeroporti Elmas, thonë raportet lokale.

Rërë është konfiskuar po ashtu edhe në aeroportet e tjera të ishullit, Alghero dhe Olbia. Një faqe në facebook është hapur, nën titullin Sardenja e grabitur dhe e plaçkitur, ku njerëzit postonin foto të shisheve plastike apo çantave të mbushura me suvenire plazhi.

Vjedhja e rërës u bë krim pas presionit mbi autoritetet lokale dhe politikanët për të reaguar ndaj asaj që konsiderohej si emergjencë ambientaliste. Sipas ligjit, tani, kushdo merr, mban apo shet sasi të vogla pa leje, përballet me gjoba që variojnë nga 500 deri në 3 mijë euro.

Në fund të fundit, marrja e një shisheje të vogël me rërë nga plazhet e Sardenjës mund të mos duket diçka e madhe, por nëse miliona turistët që e vizitojnë atë, bëjnë të njëjtën gjë, atëherë qindra e mijëra tonë rërë do të zhdukeshin çdo vit./KultPlus.com

Kur gjethet kthehen në fytyra artistësh

Arti nuk njeh kufi, mjafton ideja dhe gjithçka do të duket e përkryer. Njohim shumë metoda të artit dhe këtu po shpalosim një prej tyre.

Gjetheve të rëna në tokë ky artist ka për të iu dhënë një jetë të dytë, shkruan rtv21.tv.

Kemi parë krijime nga më të ndryshme madje edhe art në gjethe, por çdoherë duke krijuar objekte apo njerëz të imagjinuar. Tani arti në gjethe vjen më realist se kurrë më parë. Ky artist ka realizuar imazhet e disa fytyrave të njohura nga bota e filmit dhe artit në mënzrë të mrekull;ueshme. / KultPlus.com

20 komeditë më të mira të të gjitha kohërave

Mediumi prestigjioz britanik, BBC, ka publikuar një listë me 20 filmat më të mirë komedi të të gjitha kohërave.

Në këtë listë prin filmi në të cilin luan Marilyn Monroe, Some Like It Hot, i realizuar në vitin 1959.

Ndërsa, filmi i radhitur më së larti e që është realizuar në shekullin XXI, është filmi Anchorman në të cilin rolin kryesor e luan Will Ferell.

Kjo listë u hartua nga 253 kritikë filmi nga 52 vende, nga të cilët u kërkua që t’i listojnë 10 komeditë më të mira të të gjitha kohërave.

20. Blazing Saddles (Mel Brooks, 1974)
19. The Lady Eve (Preston Sturges, 1941)
18. Sherlock Jr (Buster Keaton, 1924)
17. Bringing Up Baby (Howard Hawks, 1938)
16. The Great Dictator (Charlie Chaplin, 1940)
15. Monty Python and the Holy Grail (Terry Gilliam dhe Terry Jones, 1975)
14. His Girl Friday (Howard Hawks, 1940)
13. To Be or Not To Be (Ernst Lubitsch, 1942)
12. Modern Times (Charlie Chaplin, 1936)
11. The Big Lebowski (Joel dhe Ethan Coen, 1998)
10. The General (Clyde Bruckman dhe Buster Keaton, 1926)
9. This Is Spinal Tap (Rob Reiner, 1984)
8. Playtime (Jacques Tati, 1967)
7. Airplane! (Jim Abrahams, David Zucker dhe Jerry Zucker, 1980)
6. Life of Brian (Terry Jones, 1979)
5. Duck Soup (Leo McCarey, 1933)
4. Groundhog Day (Harold Ramis, 1993)
3. Annie Hall (Woody Allen, 1977)
2. Dr Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb (Stanley Kubrick, 1964)
1. Some Like It Hot (Billy Wilder, 1959). / KultPlus.com

Së shpejti edhe dy këngë të reja nga Dua Lipa

Dua Lipa ka nxjerrë tanimë albumin e saj, por megjithatë ka ende këngë të cilat janë pjesë e këtij albumi, por nuk janë përfshirë në të.

Phil Cristie nga Warner Bros UK ka treguar se janë së paku edhe dy këngë të reja nga Dua Lipa të cilat do të lansohen shumë shpejtë.

“Ajo ka shumë pak këngë, dhe kënga e gjashtë e saj është e para në Angli. Është shumë e çuditshme. Megjithatë ne jemi ende në fillimet tona” ka treguar Cristie, kryesori nga label-i me të cilin punon Dua.

Dua së fundmi ka thyer rekordin e Adele dhe është ngjitur në pozitën e parë në Angli, me hitin “New Rules”. / KultPlus.com

Orhan Pamuk: Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën…

Unë shkruaj sepse kam dëshirë të shkruaj. Shkruaj sepse nuk mund të bëj si të tjerët, një punë norma­le. Shkruaj që libra si të mitë të jenë të shkruar dhe që t’i lexoj. Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën. Shkruaj sepse më pëlqen të rri mbyllur në një dhomë, gjatë gjithë ditës. Shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar. Shkruaj që mbarë bota ta dijë çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë, në Stamboll, në Turqi.

Shkruaj sepse e dua erën e letrës dhe të bojës. Shkruaj sepse ky është një zakon dhe një pasion. Shkruaj sepse kam frikë të jem i harrueshëm. Shkruaj sepse më pëlqen fama dhe interesi që kjo më sjell. Shkruaj për të qenë vetëm.

Shkruaj me shpresën të kuptoj përse jam aq i mërzitur me ju të gjithë.

Shkruaj sepse më pëlqen të më lexojnë. Shkruaj sepse besoj si një fëmijë në pavdekësinë e bibliotekave dhe në vendin që do të zënë aty librat e mi. Shkruaj sepse jeta, bota, gjithçka, është pabesueshmërisht e bukur dhe mahnitëse. Shkruaj sepse është argëtuese të përkthesh në fjalë tërë këtë bukuri dhe pasuri të jetës. Shkruaj jo për të rrëfyer histori, por për të ndërtuar histori. Shkruaj për t’i shpëtuar ndjenjës së pamundësisë së kapjes së një vendi që e dëshirojmë, sikurse në ëndrra. Shkruaj sepse nuk arrij të jem i lumtur, çfarëdo që të bëj. Shkruaj për të qenë i lumtur.

Përktheu Urim Nerguti

Sislej Xhafa, pjesë e ekspozitës së ardhshme në Il Palazzo del Quirinale

Për herë të parë, Il Palazzo del Quirinale në Romë do të mirëpresë një ekspozitë të artit bashkëkohor.

Pallati i njohur, një prej tri rezidencave zyrtare të Presidentit të Republikës së Italisë, nga tetori do të jetë vendi ku do të hapet ekspozitë “Da io a noi: la città senza confini” (Nga unë tek ne: Qyteti pa kufij)
Ekspozita në fjalë mirëpret edhe dy artistët shqiptarë: Sislej Xhafa dhe Adrian Paci.

Shpërndarë në 10 objekte të Appartamenti di Alessandro VII Chigi, 22 artistë sjellin punët e tyre artistike në Itali.

Ekspozita fokusohet tek koncepti “anësor”, duke përdorur gjuhë të ndryshme të artit – videoja, Instalacioni, skulptura, piktura, fotografia. Në kohën moderne, problem i artit mbetet tranzicioni mes personales dhe kolektives, si të shndërrohet një imagjinatë personale në një eksperiencë kolektive e grupore. Periferitë janë vende të lëna anash, pa kufij. Artistët e ftuar në këtë ekspozitë janë dëshmitarët e këtij ambienti.

Kuratorja Anna Mattirolo ka përzgjedhur për ekspozitë edhe emrat Luca Vitone , Gianluca and Massimiliano De Serio, Flavio Favelli , Mona Hatoum , Maurizio Cattelan , Grazia Toderi , Alberto Garutti , Lara Almarcegui, mes tjerësh.
Ekspozita hapet me 24 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri me 17 dhjetor. / KultPlus.com

Faruk Begolli intervistohet nga Bekim Fehmiu, viti 1972 (VIDEO)

Dy artistë të njohur e kanë të vështirë të dalin përballë. Kur takohen fytyrat e tyre, njëjtë ndodhë edhe me tregimet që ata i mbajnë brenda vetes.

Në këtë incizim të vjetër të rikthyer në një emision televiziv, Bekim Fehmiu luan rolin e gazetarit dhe ka disa pyetje drejtuar Faruk Begollit. Sot asnjëri nga këta artistë nuk është gjallë, por dikur ata kërkon përgjigje nga njëri tjetri.

Biseda ka zgjatur më shumë sesa në video, por në emisionin Pa Skenar është transmetuar vetëm kjo pjesë.

“Për herë të parë kam nderin që ta bëj një intervistë në karrierën time” thotë krejt në fillim legjenda Bekim Fehmiu, ndërsa Faruk Begolli afër tij si gjithmonë i qetë dhe i durueshëm prej pyetjet e një tjetër artisti të madh.

Intervista ka ndodhur në vitin 1972. Po e sjellim intervistën sonte në dhjetëvjetorin e largimit nga jeta të njërit prej protagonistëve, profesorit Faruk Begolli. / KultPlus.com

Zbulohen pagat e aktorëve të Game of Thrones

Derisa Daenerys Taragaryen dhe Jon Snow i bashkojnë forcat kundër Cersei Lannisterit për Iron Throne, duket se aktorët që luajnë këto role janë duke e bërë një jetë luksoze jashtë serisë së famshme.

Në një raport të revistës së njohur amerikane “Variety” zbulon se aktorja britanike Emilia Clarke, Kit Harington dhe Lena Headey fitojnë nga 500 mijë dollarë për episod.

Në listën e pagave të majme janë edhe Nikolaj Coster-Waldau dhe Peter Dinklage që kanë të njëjtën pagë. Revista e njohur raporton se nuk ka dallime në paga sa i përket gjinisë.

Pesë aktorët, të cilët kanë qenë pjesë të serisë që kur filloi të transmetohej për herë të parë në vitin 2011, janë në krye të listës si më të paguarit në këtë seri. / KultPlus.com

Publikohet traileri i sezonit të shtatë të American Horror Story (VIDEO)

Për shumëkë ka qenë tragjik momenti kur është kuptuar se Donald Trump do të jetë i pari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Momenti kur Amerika e kupton se përfundimisht e ka zgjedhur Trump për President, është momenti kyc i sezonit të radhës të serisë së frikshme amerikane – American Horror Story.

https://www.youtube.com/watch?v=-27J0sR9268

Sezoni i shtatë quhet “Cult”, ndërsa Sarah Paulson është aktorja kryesore, sikur edhe në disa sezone tjera.

Episodet janë dukshëm plot politikë brenda tyre, si gjithmonë të frikshme. Regjisori Ryan Murphy ka vendosur që të vendosë luftën e re amerikane – emrin Donald Trump, në serialin i cili do të transmetohet nga data 5 shtator. / KultPlus.com

“Art De Suisse” e Sahatçinjve të Pejës hapë lokalin e katërt në Karlovy Vary në Çeki (Video)

Kompania e suksesshme e pejanëve të cilët veprojnë në Republikën Çeke “Art de Suisse”, e cila merret me shitjen e orëve luksoze dhe stolive të veçanta, ka shënuar edhe një sukses në rrugëtimin e tyre në njërin nga segmentet më të rëndësishme në tregun evropian.

Ata kanë hapur edhe një lokal në qendrën më luksoze të qytetit turistik dhe të kulturës Karlovy Vary, respektivisht ky është dyqani i katërt që e kanë në zotërim familja Sahatçiu.

Në një natë magjike, me pritje madhështore dhe ambient glamuroz, ka startuar më punë lokali i radhës i kompanisë “Art de Suisse”, produktet e së cilës fillojnë nga orët, stolitë e deri të diamantët me vlera marramendëse.

Familja Sahatçiu, e cila në rrjetin e lokaleve të saj ofron markat më kulmore të orëve dhe stolive si Breguet, Hublot, Bovet, Zenith, Graff, Bvlgari, ka klientë njerëzit më të pasur të botës.

Ndryshe, në vitin 1865, një familje shqiptare në Pejë, nis një biznes të rrallë për atë kohë: tregtinë me orë dhe riparimin e tyre. Kjo familje dhe kjo traditë e veçantë, sot është shembull pozitiv për tregun çek.

Bajram Sahatçiu, me tre djemtë e tij, Samiun, Naimin dhe Agonin janë bërë temë e mediave botërore.

“Art de Suisse” është kompania e këtyre pejanëve që ecin me kohën, e që me suksesin e tyre më mirë se kushdo tjetër kanë zbërthyet kuptimin e mbiemrit të tyre.
“Mbiemri ynë do të thotë ‘orëtar’”, kishte thënë Agon Sahatçiu për European Buseness, që ka shkruar për traditën 150-vjeçare të kësaj familjeje në tregun e orëve e stolive, dhe faktin se “Art de Suisse” ka marrë përsipër barrën që artin e orëve dhe stolive ta sjell edhe në shtetin çek, shkruan Telegrafi.

Kjo kompani e njohur tash ka operuar me tri lokale luksoze, ndërsa tash ka filluar edhe me të katërtin qytetin e turizmit dhe kulturës Karlovy Vary.
“Art de Suisse” e Sahatçinjve, ambasadorëve të suksesit, ndjek përherë trendët e rinj dhe kërkesat e tregut. Falë traditës dhe përkushtimit, kjo kompani shquhet për besueshmërinë e madhe tek klientët, qofshin vendorë apo turistë të shumë në Çeki. Kjo përvojë do të pasqyrohet edhe në Karlovy Vary. / KultPlus.com

“Profesor jam talent se jo mahi”, komedia me profesorin Faruk Begolli (VIDEO)

Një artist i madh, një profesor i pashoq, një shëtitës në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe një maestro në duart e të cilit janë rritur ata që sot janë aktorë të njohur në Kosovë, Faruk Begolli ia vlen të kujtohet në forma të ndryshme.

Shumë njerëzve u kujtohet “Profesor jam talent se jo mahi”. Humori maksimal në teatër nga gjeneratat e reja erdhi i ndihmuar prej emrit të madh – Faruk Begolli.

https://www.youtube.com/watch?v=Yko57Yfhe9E

Në formën e komedisë, aktorët e sotëm nuk mund ta mohojnë sa shumë mësuan nga Faruk Begolli dhe ky format i cili dikur pati jehonë të madhe dhe interesim të madh në të gjithë Kosovën.

Avni Dalipi, Veton Osmani, Sunaj Raça, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Arbnesha Grabovci, Luan Jaha, Armond Morina e emra të tjerë erdhën në episodet e “Profesor jam talent se jo mahi”, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=HA_DKhSRgCY

Duheshin shumë nerva por edhe doza e pozitivitetit që një profesor si Faruku të përballej me gjenerata të ndryshme të aktorëve. Sukseset e tyre sot, dhe emrat lart janë emra të suksesshëm të skenës së teatrit e filmit në Kosovë, tregojnë për trashëgiminë që ka lënë Faruk Begolli.

Begolli nuk harrohet lehtë. Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, ku angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale.

https://www.youtube.com/watch?v=cCBqvhPjgTQ&t=233s

Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.
Begolli është një ndër kolosët e kinematografisë shqipe dhe një prej emrave që shënon historinë e teatrit dhe filmit shqiptar. / KultPlus.com

Dashuri pas dashurie

Poezi e shkruar nga autori Derek Walcott.

Do vijë një ditë
kur, tërë hare,
vetvetes do i thuash tungjatjeta
në prag të derës tënde, para pasqyrës tënde,
dhe do i uroni mirëseardhjen njeri-tjetrit,
duke i thënë, pa ulu ca. Ha diçka.
Do e duash përsëri të panjohurin, vetveten.
Nxirr verë. Nxirr bukën. Ktheja zemrën që i ke marrë
vetvetes, këtij të panjohuri që të ka dashur
gjithë jetën tënde, dhe ti s’e ke përfillur
ngase doje dikë tjetër, që të njihte me sy mbyllur.
Hiq letrat e dashurisë nga rafti
fotografitë, shënimet dëshpërake,
qëroje pamjen tënde prej pasqyrës.
Ulu. Kremto jetën.
Shqipërim nga Edon Qesari

Çifti Clooney dhuron 1 milion dollarë për luftën kundër urrejtjes

Çifti Amal dhe George Clooney dhuruan 1 milion dollarë për luftën kundër grupeve që përhapin urrejtje.

Aktori George Clooney dhe bashkëshortja e tij Amal Clooney deklaruan se Fondacioni “Clooney” dhuron 1 milionë dollarë për institucionin Qendra Ligjore Jugore për të varfrit në SHBA, për luftë kundër grupeve që përhapin urrejtje.

Aktori i njohur theksoi se dëshirojnë materialisht dhe shpirtërisht ta mbështesin betejën për barazi, duke shtuar se “Nuk ekzistojnë dy anë të jotolerancës dhe urrejtjes”.

Fondacioni “Clooney” javën e kaluar dhuroi 2 milionë dollarë për arsimimin e fëmijëve refugjatë sirianë.

Edhe gjigandi i teknologjisë “Apple” njoftoi se javën e kaluar dhuroi mjete në vlerë prej 2 milionë dollarë për luftë kundër grupeve që përhapin urrejtje. / KultPlus.com

RRIPAK nominon Besa Luzhën për ministre të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re

Rrjeti i Institucione të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar që ka nominuar Besa Luzhën për ministre të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në Qeverinë e re, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni të plotë komunikatën e këtij rrjeti.

Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK nominon Besa Luzhën të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës me kumtesën e datës 23.06.2017 ka vlerësuar fushatën parazgjedhore dhe procesin zgjedhor, por mbi të gjitha ka vlerësuar pjekurinë e treguar nga populli i Kosovës në këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe politik.
Edhe në këtë proces, RRIPAK ka vërejtur mungesën e plotë dhe të theksuar të kapacitetit të nevojshëm të partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore që t’i përgjigjen sfidave dhe të shfaqin kapacitet dhe njohuri për gjendjen aktuale në fushën e artit dhe kulturës, t’i njohin nevojat dhe potencialin e artit dhe kulturës, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, për ndikimin që arti dhe kultura ka në zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, marrëdhënjet ndërkombëtare dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.
RRIPAK duke i pasë parasysh edhe dobësitë e treguara në administrimin e këtij dikasteri qeveritar në periudhën e kaluar, si dhe dobësitë e mangësitë e treguara në diskutimet publike dhe programet zgjedhore të partive politike për këtë fushë, ka vlerësuar që pa përfshirjen dhe marrjen e përgjegjësisë nga mekanizmat dhe profesionistët e dëshmuar dhe të pavarur të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si pjesë e shoqërisë civile, nuk mund të ketë zhvillim të kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar.
RRIPAK vlerëson që për zhvillimin e kësaj fushe të rëndësishme dhe këtij dikasteri qeveritar duhet të krijohet një paradigmë e re për artin dhe kulturën në Kosovë.
RRIPAK vlerëson që për krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri të zhvillimit, Ministria e Kulturës duhet të reformohet, dhe në këtë proces kjo Ministri duhet të udhëhiqet nga përfaqësues të dëshmuar dhe të pavarur të shoqërisë civile, të cilët mbështeten në këtë punë nga institucionet e artit dhe kulturës, aristët individual, shoqëria civile, partitë politike dhe partnerët ndërkombëtarë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës në procesin e konsultimit të gjerë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura dhe publike të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës në Republikën e Kosovës, vlerëson mbështetjen e institucioneve anëtare dhe institucineve publike, të gatshme për të ndërvepruar në këtë proces dhe për mbështetjen e RRIPAK-ut për përgjegjësinë e marrë për procesin.
RRIPAK vlerëson mbështetjen e treguar të institucioneve të tjera të pavarura të artit dhe kulturës dhe artistëve individual të gatshëm për të marrë pjesë dhe përgjegjësi në këtë proces.
RRIPAK vlerëson mbështetjen e treguar të mekanizmave të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë dhe partnerëve ndërkombëtarë të përkushtuar për zhvillimet progresive shoqërore në Republikën e Kosovës.
RRIPAK në këtë proces të konsultimit të gjerë vlerëson mbështetjen e institucioneve të vendeve të rajonit të gatshme për t’i bashkërenduar veprimet në këtë proces, dhe për të zhvilluar raporte të reja të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërinstitucional.
Si rezultat dhe rrjedhojë e këtij procesi të konsultimit të gjerë, si dhe shqyrtimit të zgjidhjeve më të mira kadrovike, me anë të kësaj kumtese, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës fton Besa Luzhën të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Me këtë kumtesë, Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës i drejtohet partive politike parlamentare dhe koalicioneve parazgjedhore që ishin pjesë e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, dhe të nominuarëve për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës, që të mbështesin delegimin dhe zgjedhjen e Besa Luzhës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Besa Luzha është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Ka magjistruar në Pedagogjinë e Muzikës dhe ka doktoruar në Edukim në Universitetin e Londrës.
Luzha ka qënë organizatorja kryesore e festivalit të parë të pavarur klasik në Kosovë, edicionit të parë të Kammerfest (2000), dhe është sekretare gjenerale e Kosovo Chopin Association, që me sukses ka organizuar festivalin ndërkombëtar Chopin Piano Fest Prishtina (2010-2017).
Besa Luzha është aktiviste e dalluar e shoqërisë civile në Kosovë, në vazhdimësi e angazhuar në proceset shoqërore, me nisma me ndikim në zhvillimet e rëndësishme kulturore, shoqërore dhe politike në Kosovë. Që nga viti 2000 punon si kordinatore e programeve në Zyrën e Prishtinës të Fondacionin Friedrich-Ebert.
RRIPAK vlerëson që me zgjedhjen e Besa Luzhës, si përfaqësuese e deleguar e shoqërisë civile dhe instituconeve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, do të krijohen rrethana të reja zhvillimi në art dhe kulturë dhe shoqëri në Republikën e Kosovës, si dhe do të krijohen kushte për zgjidhje bashkëkohore strukturore që i përgjigjen nevojës urgjente të reformimit të strukturës dhe rolit të Ministrisë së Kulturës, reformimit dhe fuqizimit të institucioneve publike, fuqizimit të institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, si dhe krijimit të mekanizmave të rinj bashkëkohor që mbështësin dhe fuqizojnë kapacitetet ekzistuese, stimulojnë dhe krijojnë mundësi të reja të zhvillimit dhe mbështetjes të artit dhe kulturës në Kosovë.
RRIPAK vlerson që zgjedhja e Besa Luzhës, si e deleguar e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të dëshmonte përgjegjësinë politike, vizionin dhe vullnetin politik për të përfshirë mekanizmat dhe kapacitetin e dëshmuar të shoqërisë civile në zhvillimet e rëndësishme në vend dhe përkushtimin politik të udhëheqësve politik për zhvillimin e papenguar të kësaj fushe të rëndësishme të aktivitetit të lirë shoqëror, si dhe tërheqjen nga ndikimi politik dhe kontrolli partiak në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson që zgjedhja e Besa Luzhës, si përfaqësuesese e deleguar e shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës për Ministre të Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të përfshinte Republikën e Kosovës në zhvillimet e reja progresive që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në vendet e rajonit, dhe do të kishte ndikim të madh pozitiv në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO.
Me zgjedhjen Ministre të Kulturës të përfaqësueses së deleguar të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, Qeveria e re Republikës së Kosovës i bashkohet zhvillimeve aktuale në Republikën e Maqedonisë, zhvillimeve në Republikën e Malit të Zi dhe proceseve zhvillimore në Republikën e Shqipërisë.
Ministër i ri i Kulturës në Republikën e Maqedonisë është zgjedhur aktivisti i shquar i shoqërisë civile dhe punëtori i skenës së pavarur të artit dhe kulturës Robert Alagjozovski, i ftuar nga Kryeministri Zaev të marrë përgjegjësi për reformin e këtij dikasteri qeveritar. Ministër i ri i Kulturës në Republikën e Malit të Zi është zgjedhur, producenti i sukseshëm Janko Ljumoviq, i cili ka inicuar reformimin e nevojshëm të institucioneve publike dhe krijimin e mekanizmave për fuqizimin e instituciuoneve të pavarura të artit dhe kulturës në Malin e Zi. Ministre në Qeverinë Rama dhe Ministre në detyrë në Republikën e Shqipërisë është Mirela Kumbaro, punëtore e dalluar e kulturës dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Ajo është ftuar nga Kryeministri Rama të marrë përgjegjësi për reformin dhe fuqizimin e këtij dikasteri qeveritar në Republikën e Shqipërisë. Si rrjedhojë Republika e Shqipërisë sot është fuqishëm e pozicionuar në rajon dhe proceset ndërkombëtare për zhvillimet në art dhe kulturë dhe për ndikimin e këtyre proceseve në marrëdheniet ndërkombëtare. Ministrja Kumbaro për punën e saj para pak kohësh është dekoruar me Medaljen e Republikës nga Republika e Francës.
RRIPAK vëren që këto lëvizje në rajon mund të krahasohen me lëvizjet dhe reformat e thella progresive në legjislacionin dhe strukturën e Ministrisë së Kulturës dhe krijimin e mekanizmave të domosdoshëm për mbështetjen e artit dhe kulturës në Republikën e Sllovenisë, që janë zbatuar nga përfshirja strategjike e skenës së pavarur të artit dhe kulturës në krijimin e legjislacionit dhe udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës nga personalitete të dëshmuara të artit dhe kulturës nga shoqëria civile. Republika e Sllovenisë ka trashëgimi të njëjtë politike me Republikën e Kosovës, të dy shtete dikur pjesë e Jugosllavisë Socialiste dhe pjesë e një sistemi të përbashkët politik, në të cilin arti dhe kultura janë mbajtur të kontrolluara nën ndikimin politik dhe partiak të politikanëve. Si pasojë e reformave dhe krijimit të mekanizmave që mbajnë politikanët larg ndikimit në art dhe kulturë, Republika e Sllovenisë është aktualisht vendi më i zhvilluar në rajon në raport me legjislacionin, investimet dhe transparencën e administrimit të fondeve publike dhe institucionet e sukseshme publike dhe të pavarura të artit dhe kuturës dhe artistëve individual. Republika e Sllovenisë me ligj të veçantë mbron Interesin Nacional në Art dhe Kulturë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës vlerëson që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes vital nacional i Republikës së Kosovës dhe fushë e pavarur nga ndikimi partiak dhe politik, si parakusht dhe zgjidhje e domosdoshme dhe e vetme për të krijuar moment të ri zhvillimi për artin, kulturën dhe shoqërinë në Kosovë, për të fuqizuar dhe mbrojtur institucionet publike të artit dhe kulturës, për të fuqizuar potencialin e artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, për të siguruar mbështetje në vend, rajon dhe arenën ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.
RRIPAK në këtë proces njeh dhe vlerëson hapat e mëhërshëm politik të ndërmarrë në Republikën e Kosovës, që nga viti 2000, që për synim kanë pasur krijimin e politikave të reja në art dhe kulturë, fuqizimin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës dhe rritjen e ndikimit të artit dhe kulturës në zhvillimet shoqërore në Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet ndërkommbëtare.
RRIPAK vlerëson edhe vendimin e Kryetarëve të Komunave që në mandatin aktual udhëheqjen e drejtorive të kulturës e kanë deleguar te profesionistë të dëshmuar të artit dhe kulturës dhe të shoqërisë civile dhe që politikat dhe zhvillimet në komunat rrespektive t’i mbështësin në bashkëpunimin me mekanizmat e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës është themeluar për të krijuar një mjedis të përshtatshëm formal, ligjor dhe funksional për punën e institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, zhvillimin e veprimtarisë së lirë shoqërore dhe artistike, demokratizmin dhe reformimin e politikave të artit dhe kulturës të institucioneve të pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës për këtë proces të ri kërkon mbështetjen nga opinioni publik për nominimin dhe mbështetjen e Besa Luzhës si e deleguar e shoqërisë civile dhe instituconeve të pavarura të artit dhe kulturës për të marrë përgjegjësinë e Ministres së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës i bën thirrje Kryetarit të Kosovës që të bëhet pjesë e procesit, të investojë kapacitetin kushtetues të Zyrës së Kryetarit të Kosovës në procesin e reformimit të këtij dikasteri qeveritar dhe të ndihmojnë që ky proces të ketë sukses.
RRIPAK i bën thirrje mekanizmave të bashkësisë ndërkombëtarë në Republikën e Kosovës dhe Zyres së Përfaqësueses së Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, që të bëhen pjesë e procesit të reformimit të këtij dikasteri dhe politikave publike në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës, të investojnë kapacitetet e tyre në këtë proces dhe të ndihmojnë këtë proces.
RRIPAK – Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës këtë proces, delegimin dhe zgjedhjen e përfaqësueses të shoqërisë civile në këtë pozitë udhëheqëse, për marrjen e përgjëgjësisë së përbashkët dhe për investimin e kapaciteteve të përbashkëta shoqërore për zhvillimin e sektorit të artit dhe kulturës, e sheh si parakusht që Kosova të prijë në rajon për politikat e reja publike në këtë sektor me ndikim në zhvillimet shoqërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës vlerëson artin dhe kulturën si fushë të interesit nacional të Republikës së Kosovës që ka ndikim të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe politike në vend dhe ndikim të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
UNESCO e njeh kulturën si nxitës të zhvillimit, për shkak se kultura fuqizon njerëzit me kapacitete për të marrë përgjegjësinë për procesin e zhvillimit të tyre.
Institucionet anëtare të Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK janë: ALBANIADA, ARS KOSOVA, ANSAMBLI ATTACCA, ESTA KOSOVA, FESTIVALI 9/11, FESTIVALI DAM, FESTIVALI PIANISTI I RI, FESTIVALI PRIFEST, FESTIVALI REDO, FESTIVALI SKENA UP, FESTIVALI FRYMA E RE, FRABAC, GALERIA EXPO ART 40, GALERIA QAHILI, GALERIA OPEN ART, INICIATIVA E HISTORISË GOJORE, KOSOVO ARCHITECTURE FOUNDATION, LAMBDALAMBDALAMBDA, PRISHTINA JAZZ FESTIVAL, QENDRA KOSOVARE PËR MUZIKEN E RE / FESTIVALI REMUSICA, SHOQATA KOSOVARE CHOPIN, SHKAS SYTHI / ETNO FEST, STACION – QENDRA PËR ART BASHKËKOHOR PRISHTINË, TEATRI URBAN PRISHTINË, CULTURAL HERITAGE WITHOUT BORDERS / TRASHËGIMIA KULTURORE PA KUFI (CHwB), URBANIAK, VARG e VI, QENDRA PER ART BASHKEKOHOR GJILAN, VIART.
Sekretariati dhe selia e RRIPAK gjendet në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Rruga Zija Prishtina, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovë.

Momente nga atmosfera e ditëlindjes së Dua Lipës (VIDEO)

Dua Lipa, këngëtarja shqiptare që ka filluar ta ‘pushtoj’ botën, dje ka festuar ditëlindjen e saj të 22-të.

Lipa ka postuar një video ku sjellë momente nga atmosfera e festës së saj si dhe fryrja e qirinjve.

Pas fryn qirinjtë ajo i falënderon të gjithë për surprizën si dhe këtë vit e quan si “vit të artë”.

“Kaq me fat dhe mirënjohëse për të gjitha këto gjëra të magjishme dhe njerëzit që janë në jetën time. Ndihem si vajza më me fat në botë. Ju faleminderit dhe ju dua”, ka shkruar ajo në Instagram./ KultPlus.com

15 fotografi nga jeta artistike e Faruk Begollit (FOTO)

Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.

Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit.

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.



Faruk Begoli u filmu Purise Djordjevica “Podne”









Zbulohen qindra këngë të papublikuara të Prince

Një arkiv me regjistrime audio-video i Prince është zbuluar në një dhomë sekrete të yllit të muzikës në Paisley Park.

Qindra këngë të papublikuara më parë janë zbuluar sipas asaj që shkruan ‘The Sun’. Zbulimin e ka bërë motra e këngëtarit, i cili vdiq në 21 prill në rezidencën e tij në Minneapolis.

Për Tyka:”Ylli ka dashur ti publikojë ato materiale, prandaj sapo të mundem do bëj atë që ai dëshironte’.

Gjithçka do të jetë pjesë e një muzeu i cili do të hapet shumë shpejt në nder të tij. Ndër të tjera në 21 tetor, në O2 Arena të Londrës, do të inaugurohet një ekspozitë dedikuar gjeniut të Minneapolis.

Mes objekteve në ekspozim do të jenë kitarat dhe kostumet e turneut që lidhen me albumin ‘Purple Rain’ (1984-1985) dhe ‘Lovesexy (1988-1989)./ KultPlus.com

Albanologu japonez ligjëron për Kanunin e shqiptarëve

Albanologu japonez, Kazuhiko Yamamoto ka mbajtur ligjëratë rreth kërkimeve të tij në sfera të ndryshme albanologjike “Kanuni, etika, antropologjia, metafizika dhe problemet etike të njerëzimit”.

Me këtë rast ka folur edhe albanologu Gëzim Aliu, që njëkohësisht është edhe përkthyes i librit të Yamamotos.

Ai ka thënë se libri është botuar para 2 muajsh. Sipas tij, në këtë studim janë krahasuar koncepti i besës, koncepti i bukës, koncepti i hakmarrjes, etj.

“Ky libër është mjaft interesant dhe gjetjet që ka bërë profesor Yamamoto janë mjaft interesante”, tha ai.

Albanologu japonez, Yamamoto ka promovuar edhe librin e tij “Kodi zakonor fisnor dhe konceptet e Biblës hebraike”, që i ka marrë 25 vjet kohë dhe përkushtim deri në botimin e tij. Libri është studim krahasimtare i koncepteve të Biblës dhe Kanunit. / KultPlus.com

Linkin Park event special në përkujtim të Chester Bennington

Linkin Park do të organizojë një event special në Los Angeles në përkujtim të vokalistit të ndjerë të grupit, Chester Bennington.

Banda e famshme falënderoi fansat për mbështetjen pas humbjes tragjike të këngëtarit muajin e kaluar dhe në Twitter lajmëroi “eventin e veçantë publik”.

“Donim t’ju falënderonim për dashurinë e madhe që keni treguar, gjë që na ka bërë më të fortë gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë. Ne të pestë e vlerësojmë mbështetjen në një kohë që po shërohemi dhe po ndërtojmë të ardhmen e Linkin Park. Po organizojmë një event publik në Los Anxheles për të nderuar kujtimin e Chester. Do të publikojmë detaje së shpejti”, shkruan grupi muzikor.

Chester Bennington vdiq në moshën 41-vjeçare, në 20 korrik, pasi vari veten me një rrip në shtëpinë e tij, në Kaliforni. Ai la pas bashkëshorten Talinda dhe 6 fëmijë, 4 djem e 2 vajza./KultPlus.com