Kadri Veseli e viziton Adem Demaçin

“Askush më shumë prej të gjallëve sesa Adem Demaçi nuk bart mbi supe sakrificën në rrugën për liri dhe pavarësi. Një pjesë e historisë së Kosovës është historia e jetës së tij. Një takim emocional me Bacën Adem, në konakun e tij, për ta falënderuar dhe për t’ia uruar 10-vjetorin e Pavarësisë”.

Kësisoj ka shkruar në rrjetin social Facebook Kadri Veseli, i cili e ka vizituar Demaçin në këto ditë feste të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Adem Demaçi është shkrimtar dhe lider i të burgosurve politik shqiptar. Më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua nga qeveria autoritare e Josip Broz Titos. / KultPlus.com

Darvini, për të mirat dhe të këqijat e martesës

Në ditarin e tij, Charles Darwin na ka lënë një pasuri letrare dhe këshilla për jetën.

Darwinin nuk e lë dot koha në pluhurin e saj, por sikur shpesh ai del në pah me meditimet e tij. Ai u martua me Emma Wedgwood, por nuk ishte gjithmonë një ithtar i martesës.

Në ditarin e tij, ai tregon edhe tensionin mes familjes, karrierës, dashurisë, zemrës dhe punës.
Sa për martesën, ai la diçka të shkruar, gjërat pozitive dhe negative që sjellë martesa. Pse po e jo kundër martesës, atëherë, një njeri si Darwini?

Me martesë
Fëmijë (nëse do Zoti) – shoqëri edhe në kohën e pleqërisë, biseda mbi tema të ndryshme. Shtëpi të përbashkët, dikë që përkujdeset për shtëpinë. Edhe humbje kohe e tmerrshme.
O Zot, nuk tolerohet të mendohet se jeta e një njeriu do të kalojë vetëm duke punuar, punuar, punuar e asgjë. Nuk bën. Shtoja zjarrin e mirë, librat, muzikën, për dinjitet të vërtetë. Mund të koleksiononi, por jo libra. Bëhesh objekt i dashurisë, objekt me të cilin luajnë, kur je i martuar.

Pa martesë
Ekziston liria për të bërë çdo gjë. Zgjedhje që e marrin pak njerëz. Nuk je i detyruar të vizitosh të afërmit, nuk ke fëmijë dhe nuk merresh me ankthin që ata të japin. Edhe kjo një humbje e kohës.
Por mund të udhëtoni, në Evropë e në Amerikë. Biseda me shoqëri nëpër klube të natës, por edhe mëngjese i vetëm.

Charles Darwin, natyralist anglez, ishte një nga pesë personat pa prejardhje mbretërore të cilit iu krye një shërbim funebër nga shteti në shekullin e XIX. Ai u varros në Uestminister Abbey, pranë varreve të John Herschel dhe Isaac Newton.

Darwini gjatë verës së 1825 punoi pranë të atit si ndihmës mjek për të ndihmuar të varfrit në Shropshire. Më pas do të shkonte në Universitetin e Edinburgut me vëllain e tij, Erasmusin në tetor të po atij viti. Darwini shpejtë u demoralizua nga studimet e tij duke neglizhuar kështu studimet e tij mbi mjekësinë. Ai njihet si themelues i teorisë së evolucionit. / KultPlus.com

Për ç’heq e vuaj

Poezi e shkruar nga Pano Taçi.

Po iki, e di, s’kthehem më,
Nga jeta një të mirë s’pashë.
Nuk di për mall pas nëse lë,
Një fjalë të çiltër që thashë.

Po iki ku ikin të gjithë,
Pa pritur e pa kujtuar,
Me botën e përtejshme më lidh
Një mall që më djeg në kraharuar.

Po iki dhe pse shumë gjëra
Pa bërë nga pas do t’i lë,
Dëgjoj nga qielli shumë zëra,
Të nënës e dalloj mbi çdo zë.

Do iki siç ikën çdo shpirt
Siç më iku edhe shpirti i nënës,
Çdo natë dal t’ia shoh sytë,
Mes syve që i vinin rrotull hënës.

Zambakët rreth varrit ia mbolla,
Ku emrin me lot ia gdhenda,
Nga qimiri ta zgjoj, u lodha…
Të gjallë ma mban zemra brenda.

Do iki nuk kam më se ç’pres,
Për ç’heq e vuaj them të vdes.

Qeveria ndan 600 mijë euro për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 600 mijë euro për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë.

Këto mjete janë ndarë nga Fondi i Rezervave dhe deponohen te Ministria e Kulturës.

Ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se për ngjarjet që kanë kosto duhet të planifikohen më herët. “Me qëllim që të na lehtësojnë punën është mirë që të planifikohet më kohë”, ka theksuar Hamza, raporton Koha Ditore.

Qeveria ka ndarë po ashtu edhe 100 mijë euro për manifestimin gjithëpopullor për shënimin e Epopesë së UÇK-së.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj në këtë mbledhje të Qeverisë ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me vizitën e delegacionit kosovar në SHBA.

“Dua të ndaj me ju një informatë të vizitës në Amerikë. Ka qenë një delegacion i madh i Kosovës në SHBA. Ngjarja e parë ishte pritja në 10 vjetorin e Pavarësisë. Me rendësi ishte që në këtë pritje ishte prezent një nivel i lartë i institucioneve të Amerikës. Këshilltari për siguri i Trumpit. Ajo që më bëri përshtypje në këtë pritje ishte qëndrimi i qartë i Amerikës se Amerika vazhdon me qenë me Kosovën dhe e përkrah Kosovën në perspektivën e vet si shtet i pavarur dhe sovran. Kam pas takim me Departamentin e Shtetit. Kam pas takim me drejtorin e CIA-s kemi biseduar për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Kemi pasur plot takime dhe një vizite në IOWA. Në këtë vizitë dhe në bisedat që i kemi pas na inkurajojnë më i kryer punët e shtëpisë si Kosovë”, tha ai.

Ermal Meta: Nuk dua ta fsheh se jam shqiptar, jam krenar me rrënjët e mija (VIDEO)

Ermal Meta, fituesi i Sanremos, pas triumfit të madh është shprehur për herë të parë për mediat shqiptare në një interviste telefonike në emisionin “Wake Up” në Top Channel, shkruan KultPlus.

Këngëtari shqiptar theksoi se “sa herë që nxjerr një këngë mendoj se është më e mira”, por nuk priste të fitonte festivalin e këngës italiane me “Non mi avete fatto niente”, edhe pse ishte këngë me “mesazh shumë të fortë”.

I pyetur se si erdhi deri tek bashkëpunimi me këngëtarin Fabrizio, ai tregoi se ai e kishte kontaktuar fillimisht dhe i kishte kërkuar bashkëpunimi.

“Fabrizio më kontaktoi në qershor mua. Ai më ka pëlqyer gjithmonë si artist dhe pranova menjëherë. Pas atentatit në koncertin e Ariana Grande, fansat kishin frikë të vinin në koncertet tona, por kur e lë veten në dorë të frikës… Prandaj vendosëm të merrnim pjesë me këtë këngë”, shpjegoi Meta.

I pyetur për historinë e pezullimit të këngës në fillim, Ermal Meta tha se asnjë sekondë nuk kishte menduar të dorëzohej nga pjesëmarrja në Sanremo.

“Unë nuk kishte shkuar në Sanremo për të hequr dorë, si karakter që nuk heq dorë me lehtësi. Nuk shkoj mbrapsht, kur shkoj mbrapsht shkoj për të marr vrullin. Ne kishim të drejtë sepse ne e kishim deklaruar që ajo këngë kishte një refren që merrej nga një këngë tjetër, e të njëjtit autor që kishte shkruar këngën tonë”, është shprehur Meta gjatë kësaj interviste. Ai shtoi se gazetarët e kishin përdorur këtë për t’i akuzuar, pasi që është e të njëjtit grup, është si t’i thuash dikujt se ke vjedhur në shtëpinë tënde.

Në fund, Meta deklaroi se është shqiptar dhe kjo gjë nuk fshihet dot dhe as nuk ka dëshirë që ta fshehë, “Nacionalizmi është një gjë e këndshme sepse unë jam shqiptar, kjo është një gjë që nuk dua ta fsheh sepse jam krenar për rrënjët e mia por nga ana tjetër çdo njeri përfaqëson veten e vet”,ka thënë krejt në fund të intervistës Ermal Meta./ KultPlus.com

“Fundi i heshtjes”, sjellë zërat e revoltuar të protestës së 1 Tetorit

Gili Hoxhaj

Data 1 Tetor e vitit 1997, ishte një kthesë historike për gjendjen e Kosovës në vitet e 90’ta. Marrëveshja e nënshkruar nga Rugova dhe Millosheviqi në vitin 1996 (ndërmjetësuar nga Komuniteti i Sant’Egidio) mbi arsimin, që parashikonte kthimin e studentëve shqiptarë në ndërtesat universitare, nuk po gjente dritë të zbatimit. Barra kryesore për ta thyer këtë heshtje të gjendjes me të cilën ndodhej populli e arsimi në Kosovë, ra pikërisht mbi studentët.

“Fundi i heshtjes”, është titulluar dokumentari i autorit Arsim Lanit, që përmes rrëfimeve e pamjeve të asaj dite e kthen kujtesën e shikuesve, jo vetëm në atë ditë, por edhe në ditët e gjata të përpjekjeve të studenteve për ta jetësuar protestën e tyre. Ky dokumentar sot u prezantua në Fakultetin Filologjik, para profesorëve e studentëve, shumica e këtyre të fundit kishin lindur po në atë periudhë kur kjo protestë mbushi rrugët e Prishtinës.

Lëvizja Studentore e  vitit 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, gjeti përkrahjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci. Këta emra, me përkrahjen e shumë studentëve të tjerë, u bënë zëri i revoltuar i sistemit në të cilin ndodhej vendi. Ata kishin ndërprerë obligimet e tyre si studentë, për t’iu përkushtuar një kauzë tejet të madhe, për ta kundërshtuar regjimin serb. Pikërisht me këtë protestë zgjohet zëri i heshtur studentor, e fillon të zbehet politika paqësore e mbjellur deri në atë kohë.

Ky dokumentar për ta dhënë pasqyrën e saktë të asaj kohe, pranë profesorëve e studentëve të Fakultetit Filologjik, sot shpalosi rrëfimet e shumë emrave të përfshirë në gjendjen e asaj kohe.

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajqi, Albin Kurti, Ahmet Geca, Hashim Thaçi, Bajram Kosumi, Adnan Merovci, Anila Statovci, Fidajete Spahiu janë këta disa nga emrat që plotësonin mozaikun e rrëfimeve të asaj ngjarje. Dokumentari i realizuar me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, solli detajet e takimeve të para të Unionit të Studentëve, ku që nga shkurti i atij viti ata kishin një vizion e qëllim të qartë deri tek mobilizimi për protestën. Ky dokumentar nxjerrë në pah edhe përpjekjet e vazhdueshme të studentëve për ta njoftuar presidentin Rugova për lëvizjen e tyre, madje nëpërmjet këtij dokumentari nxjerrë edhe emocionet e tyre kur nuk arrijnë të gjejnë përkrahjen e Presidentit Rugova.

Adnan Merovci, nëpërmjet këtij dokumentari tregon se Rugova nuk e kundërshtonte këtë organizim por kishte një qasje më të brishtë në sensin e promovimit të tyre. “Nuk e dua një pikë gjak të një studenti për diçka që konsiderohet se nuk mund të jetë efektive”, me këtë fjali e citon Naser Rugova, presidentin Rugova, lidhur me frikën e tij drejt eskalimit të situatës në gjakderdhje.

Megjithatë studentët vazhduan organizimin e tyre drejt datës së 1 Tetorit. Përmes këtij dokumentari ata shprehin emocionet e tyre deri në zbardhjen e ditës, atë ditë kur frika e vetme ishte në mos nuk do t’u bashkohen të tjerët. Lagjja Velania kishte mbledhur mijëra studentë, e me ngjyrat e paqes kërkonin të drejtat e mohuara. Bluzat e bardha të tyre shpejt do të zhyteshin në ngjyrën e kuqe të gjakut kur ndeshen me forcat e policisë serbe, e përballen me dhunë.

“Këto protesta e kanë thyer mitin e policit serb”, është përkufizimi i Muhamet Mavraj në këtë dokumentar. Por Unioni i Studentëve, do të nënkuptonte më pas një urë lidhëse për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Driton Lajqi, njëri nga udhëheqësit kryesor në atë protestë, në këtë dokumentar shfaqet me bluzën e bardhë të protestes, të cilën më pas do ta ndryshonte me rrobat e një ushtari të UÇK-së. Ai shfaqet në rrobat e paqes dhe të luftës, ndërsa në dokumentar ai shihet teksa flet para një grumbulli ushtaresh një ditë para përfundimit të luftës. Po i njëjti u prezantua me këtë rrëfim sot në një diskutim me studentët, tashmë dy dekada pas asaj kohe, e një dekade të pavarësisë së këtij shteti. Ai sot në këtë diskutim tha se edhe nga ngjarjet e mëparshme, ata veçse kanë qenë të përgatitur që studentët gjithashtu duhet ta thonë fjalën e tyre. Ai thotë së përkrahja e protestës nga rreth pesëdhjetë mijë njerëz, u ka falur lumturinë më të madhe.

“Jemi ndjerë njerëzit më të lumtur në botë kur kemi parë gjysmë milion njerëz, nga të gjitha vendet e Kosovës, po ashtu jemi frikësuar por edhe e kemi trimëruar njeri- tjetrin, nuk jemi frikësuar për shkak se kemi pasur shumë njerëz prapa vetes”, tha Lajqi sot, duke shtuar se të jesh në ballë të një lëvizje të tillë është fat.

“Ne kemi bërë pak por ka qenë momenti i duhur, ka qenë goditja vdekjeprurëse. Njerëzit e duhur në kohën e duhur, neve nuk na ka mësuar askush, na ka mësuar koha dhe momenti”, tha mes të tjerash Driton Lajqi.

“Më duhet ta përsëris pasi që gjenerata e re sot nuk e ka krejtësisht kujtesën historike standard, këtë problem e kanë edhe vendet e BE-së, edhe ata e thonë se është mirë që jemi ne nga gjenerata e vjetra që i dimë rrethanat shoqërore historike. Që të shkohet më tutje duhet ta njohim të kaluarën tonë, nga kemi ecur se si kemi ardhur këtu, sepse jo rrallë popujt që nuk i njohin gabimet historike rrezikojnë t’i përsërisin ato”, tha ndër të tjera Driton Lajqi.

Lajqi, pohoi se secila kohë i ka pasur heronjtë dhe veprimtarët e vet dhe nga këndvështrimi dhe pozicionet e tyre janë përpjekur ta bëjnë më të mirën e mundshme. Gjatë asaj kohe, ai shtoi se janë përballur me pyetje të shumta me veten e tyre. “Kush jemi ne, kush është pas nesh, a mund ta bëjmë ne?”, ishin disa nga pyetjet e asaj kohe që vërviteshin përreth këtyre studentëve të rinj që kishin marrë mbi supe një barrë të madhe. Ai tha se jo gjithmonë vullneti ishte i mjaftueshëm dhe në ato raste duke dashur të bësh mirë, ka mundur të kthehet bumerang për të keq, kjo ka qenë një e para por pastaj ka qenë edhe konflikt gjeneratash.

“Edhe sot ju mund të keni konflikt gjeneratash por gjenerata juaj duhet ta ketë një idealizëm të kohës sepse idealizimi është civilizim është edukatë, kulturë dhe identitet”, është shprehur Lajqi.

Ai theksoi se ne kemi qenë viktima dhe se si njerëzit sot nuk ndihen fitues, e që faktikisht do duhej të ndiheshin të tillë sepse kanë arritur ta mposhtin regjimin më të keq, atë të Millosheviqit.

Lidhur me dokumentarin, autori i tij Arsim Lani tha se gjatë realizimit të tij, ai gjithnjë e më shumë është bindur për rëndësinë e protestave si ngjarje të asaj kohe.

“Unë në atë kohë kam qenë rreth pesëmbëdhjetë vjeçare mirëpo gjatë kohës kur e kam realizuar dokumentarin, e kam kuptuar se shumë pak kam ditur për atë kohë dhe duke shfletuar për dokumentarin, e kam kuptuar se sa e rëndësishme është të bëhet një dokumentar për këtë protestë dhe sa pak ne si gazetarë bëjmë dokumentare dhe emisione të tilla për ngjarje të rëndësishme historike” është shprehur Lani sot para transmetimit të dokumentarit, duke vazhduar të thotë se edhe duke mos qenë pjesëmarrës të atyre protestave, si gazetarë sot mund ta luajmë rolin tonë në këtë aspekt, duke dokumentar atë se çfarë ka ndodhur në një periudhe të caktuar, sot që për shkak të zhvillimeve shumë të mëdha,ngjarje të rëndësishme zbehen në harresë.

Krejt në fund, ai tha se këtë përvojë e ka hasur edhe gjatë realizimit të dokumentarit, kur edhe vet protagonistët e kanë pasur të vështirë t’i kujtojnë në detaje të gjitha momentet. / KultPlus.com

Ermal Meta gazetarëve shqiptarë: Mos spekuloni me jetën time

Këngëtari shqiptar, Ermal Meta, i cili rrëmbeu çmimin e madh në festivalin e këngës në Itali ‘Sanremo’, iu ka përcjellë një mesazh të fortë gazetarëve shqiptarë.

Pas lajmeve që qarkulluan në shumë media për të atin e Ermal Metës, duke e cilësuar atë si ‘bastard’, këngëtari iu ka kërkuar gazetarëve të mos spekulojnë mbi jetën e tij, pasi nuk dinë asgjë.

Këngëtari sqaron se kur ka përdorur fjalën ‘bastard’ nuk ka përmendur asnjë emër, duke shtuar se gabojnë rëndë të gjithë ata që shtojnë këtë emër. Ndërsa shton se kënga që fitoi në ‘Sanremo’ është kundër terrorizmit dhe asgjë më shumë.

“Mesazh për të gjithë gazetarët shqiptarë: Mos spekuloni mbi jetën time, ju nuk dini asgjë nga jeta ime. Kur në atë intervistë përdora fjalën “bastard” nuk thash asnjë emër. Mos e shtoni ju atë emër sepse gaboni rëndë jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni. Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos te lexoj më gjëra të tilla. Faleminderit për vëmendjen”, shkruan Meta./ KultPlus.com

Në 10-të vjetorin e Pavarësisë, kujtohen sfidat e GKK-së dhe arti alternativ nëpër kafenetë e Prishtinës

Galeria Kombëtare e Kosovës ishte sot nikoqire e konferencës me temën “Tejkalimi i kufijve dhe rinjohja përmes artit” nën ombrellën e aktiviteteve për shënimin e 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Alberina Haxhijaj

Arti dhe kultura gjithmonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë platforma të cila tejkalojnë politikën, problemet dhe diferencat në mes popujve dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Kurse tejkalimi i këtyre kufijve dhe thyerja e tabuve mbesin një mision i artit. Mirëpo, cilat janë hapësirat shkëmbyese të cilat kanë qenë me vite në Kosovë? Çfarë roli kanë pasur institucionet publike? Çfarë ka pasur skena kulturore dhe cili është pozicioni i tyre sot në këto lloj shkëmbimesh? Kanë qenë disa nga pyetjet që kanë gjetur përgjigje në këtë konferencë.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, e cila edhe bëri hapjen zyrtare të kësaj konference tha se tema mbi të cilën do të diskutojnë është shumë e rëndësishme.
“Titulli i konferencës mund të ndjellë shumë pyetje dhe mund të tingëllojë si një titull i dëgjuar edhe më parë. Mirëpo, ne duhet ta pranojmë se kjo çështje akoma ekziston, kufijtë akoma ekzistojnë dhe ne nuk njihemi mirë në mes veti sa ai përket kulturës, zhvillimit të institucioneve dhe kështu më radhë. Besoj që kjo konferencë do të ngjallë diskutime në mes nesh dhe ne do të vendosim për një bashkëpunim më kualitativ dhe se shkëmbimi i thjeshtë i ekspozitave nuk do të jetë i mjaftueshëm për ne, por do i qasemi një agjende të përbashkët me shtetet në Ballkan”, u shpreh ajo duke theksuar se bashkëpunimet e tilla kanë ndihmuar çdo herë në periudha pas konflikteve.

Fillimisht drejtori i parë i Galerisë Kombëtare, Shyqri Nimani, solli para të pranishmëve kujtimet nga fillimet e punës së këtij institucioni, duke përfshirë vështirësitë që ka hasur kjo Galeri, por edhe krenarinë që kanë pasur kur kanë filluar punën. Ai para të pranishmëve solli kujtimet nga ekspozitat e para.

“Atëherë kemi pasur tri ekspozita kryesore dhe tri ekspozita të artistëve të rinj. Besoj që i rëndësishëm ka qenë fakti, se atëherë secilit artist që i janë ekspozuar punimet në Galeri, ne si këshill ju kemi blerë veprat, afër 500 vepra. Dhe atëherë patëm trashëguar edhe rreth 200 vepra të cilat kanë qenë të mbledhura nga BVI-ja për kulturë”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje Galerisë që ajo të vazhdojë këtë traditë të blerjes së veprave të artistëve si dhe të përkrahë artistët shqiptarë të cilët po jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.

Përveç fillimeve u diskutua edhe për një periudhë tjetër të rëndësishme jashtë jetës institucionale. Artistja Eliza Hoxha shpjegoi këtë periudhë, kur Galeria Kombëtare nuk ju ka takuar artistëve, të cilët pikërisht gjatë kësaj periudhë kanë realizuar vepra të shumta.

“Janë krijuar vepra nëpër skena alternative e cila vazhdon të mbetet alternativë dhe asnjëherë nuk legjitimohet si e tillë e që është një vlerë shtesë e Kosovës. Kjo periudhë e cila ka qenë e shkëputur prej institucioneve ka krijuar mundësi të tjera të komunikimit dhe rryma të tjera. Mendoj që është shume e rëndësishme kjo hapësirë kohore edhe gjetja e një nyje e cila kish me e lidhë galerinë e asaj kohe, këtë 10 vjetësh të zbrazëtisë institucionale por edhe të skenës tjetër që eshtë zhvilluar paralelisht si dhe periudhën pas vitit 2000”, u shpreh Hoxha, e cila theksoi se sikur të mos kishin qenë kafe-galeritë apo shkollat-shpija ne kishim qenë dhjetë gjenerata të pashkolluara dhe të mohuar nga çdo gjë që ka të bëjë me jetën publike.

Për këtë periudhë diskutuan artisti Mehmet Behluli dhe Shkëlzen Maliqi duke kujtuar kafenetë e miqve të tyret cilat kanë shërbyer si hapësira ekspozuese si: Hani i dy Robertëve dhe Koha në Prishtinë, pastaj kafenetë e tjera në Pejë dhe në Prizren.

“Ne, Galerinë Kombëtare e kemi pasur bazë të krijimit tonë artistik, aty kanë qenë edhe disa ekspozita tradicionale për të cilat ne punonin shumë për të marrë pjesë si ‘Salloni i Pranverës’. Mirëpo edhe pse gjithçka ka qenë e dirigjuar, ka ekzistuar liria e shprehjes, për dallim nga Shqipëria ku edhe shprehja artistikë ka qenë e kufizuar. Artistët kanë qenë të lirë. Sigurisht këtu nuk hyjnë temat si nacionalizmi, ato të cilat i kemi shprehur me metafora, ku me forma e shtresa të ndryshme e kemi treguar edhe ambicien tonë që të jemi të barabartë apo komplet të pavarur”, u shpreh ai duke shtuar se pasi që janë përzënë nga institucionet nga pushteti serb, artistët kanë krijuar këto hapësira alternative.

“Kafetë tona u shndërruan në institucione shumë të rëndësishme për jetën publike, jo vetëm në art por edhe në politikë. Kurse arti për neve në kohën e alternativës ka qenë formë e rezistencës, protestë, mbijetsë, revoltë”, përfundoi ai. Tutje diskutoi edhe Luan Mulliqi mbi menaxhimin e GKK-së pas viti 2000 dhe iniciativat fillestare për Muzeun e Artit Bashkëkohor i cili u konsiderua i rëndësishëm dhe u bë thirrje për ndërtimin e tij. Në anën tjetër, kryetarja e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Zake Prelvukaj, shpalosi planet të cilat i ka tani e tutje në Galerinë Kombëtare.
“Në plan programin tonë së pari e kemi programin e ekspozitave, dhe në këtë program hyjnë 16-të ekspozita. Në këto ekspozita kemi artistë vendor, kosovarë por edhe kosovarë që veprojnë jashtë dhe që janë shumë të suksesshëm, mirëpo edhe artistë ndërkombëtarë. Kurse në pikë të dytë e kemi programin e ligjëratave dhe debatit të cilin e konsiderojmë shumë të rëndësishëm, sikurse edhe programin e edukimit”, u shpreh ajo duke theksuar se roli i Galerisë tani mund të ndahet në ruajtjen e aseteve që kanë, sjelljen e ekspozitave të reja por edhe në edukimin dhe stimulimin e artistëve të rinj.
Konferenca do të vazhdojë edhe nesër . Ajo do të jetë e hapur për publikun dhe do të diskutojnë: Andin Tepelena, Dita Starova, Bojana Janeva, Milan Lucic./ KultPlus.com

Kosova ka makiaton më të mirë në botë

Prej sot, shumica e bar & restoranteve në Prishtinë, do të bëhen pjesë e fushatës “10 vjet kafe t’pavarur”, e cila vjen si bashkëpunim i Shoqatës së Gastronomëve dhe Odës Ekonomike me Këshillin Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Kosova i bën kafet më të mira në botë, është thënë në faqen zyrtare Kosova 10, shkruan KultPlus.

Pikërisht më këtë rast, risjellim artikullin e Yahoo, ku pat vlerësuar se makiato më e mirë në botë nuk bëhet në Itali, por bëhet në Kosovë. Mjafton pak kohë që kosovarët të fillojnë e të krenohen me aftësinë e vendit të tyre për përgatitjen e makiatos perfekte.

“Pavarësisht se ku shkon në Kosovë, do të gjeni makiato shumë më të mirë se të Italianëve”, thotë kamerieri Armend Bytyçi, derisa autorja e tekstit për Yahoo Travel, Jo Piazza darkon në hotelin “Çarshia e Jupave” në Gjakovë.

“Italianët bëjnë vetëm qumësht dhe kafe. Ne e ziejmë kafen, e bëjmë krem dhe ia vendosim sipër qumështit”, thotë më tej Bytyçi. Përcjellësi i gazetares së Yahoo Travel, Petrit Riza, e ka shikuar atë si të çmendur kur kanë diskutuar pse kosovarët e bëjnë këtë krahasim me italianët.

“Në pyetje është kreativiteti jonë”, thotë Riza. “Makiato jonë është thjeshtë perfektë. Ne e kemi shkumën perfekte. Ne e bëjmë këtë shkumë duke e përdorur makinën për espreso”, thotë më tej ai.
Artikulli i publikuar sot në Yahoo Travel thotë se makiatot e mira mund t’i gjesh kudo, edhe në pompa benzine, ndërsa ato janë të lira.

Jo Piazza më tej e citon Lura Limanin, një autore e një libri guidash për Kosovën, e cila thotë se edhe vet italianët kur shkojnë për vizitë në Kosovë, “çmenden” nga brendi kosovar. Autorja më pas shkruan duke thënë: “Sinqerisht, ato (makiatot) janë tejet të shijshme. Kokrrat (e kafesë) asnjëherë nuk janë të djegura, ndonëse kafeja përmban shijen e fuqishme të espresos. Qumështi është i ëmbël, ndërsa shkuma e kafesë është më e lehtë se sa ajri”.

Jo Piazza ka publikuar edhe disa tekste të tjera rreth Kosovës, të gjitha pozitive duke bërë reklamë të shkëlqyeshme zonave turistike dhe zejeve interesante të Kosovës. Një nga shkrimet e publikuara flet për filigranet e Prizrenit, ndërsa një tjetër ishte edhe për butikun e Prishtinës që mban emrin e ish sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton./KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./KultPlus.com

“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” (VIDEO)

“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, është këngë patriotike e kënduar në kohën e Rilindjes shqiptare nga luftërat e kohës.

Pas çlirimit të Kosovës në vitin 2000, një version i këndimit i kompozuar nga Rauf Dhomi është propozuar nga Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova si himn i Kosovës.

Po sjellim një version të kësaj këngë e cila vazhdon të vendoset në sfond të shumë ngjarjeve shtetërore.

https://www.youtube.com/watch?v=RXVnbEG2jrE

Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë

Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftoi Prizreni, Prishtina e Llapi me Rugovë
Mirë luftoi Prizreni, Drenica e Llapi me Rugovë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë

“Për ty atdhe” apo himni i vërtetë shqiptar

Kënga e njohur “Për ty atdhe”, është një ndër këngët që prezantohet në raste të veçanta të popullit shqiptar, shkruan KultPlus.

Po sjellim performancën e baritonit Gëzim Myshketa, i cili mjeshtërisht sjellë këtë perlë të muzikës shqiptare, i cili e ka kënduar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./KultPlus.com

Zija Çela: “Marie Gjoni”, një roman epokal

Shkruan shkrimtari Zija Çela

Është e çuditshme se si mund të ikësh nga kjo jetë pa lexuar disa libra të kolegëve, që nuk dihet pse të kanë shpëtuar nga vëmendja deri atëherë. Për shembull, librin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”.

Sipas meje, është një roman i dimensionit epokal. Jo se sjell fakte që bëjnë histori, por se sjell personazhe që atë epokë historike e kthejnë në letërsi.

Sipas meje, skenat më të vështira për t’u përballur artistikisht janë takimet e Met Rrokes me Komandantin Suprem, gjyqi i Hagës dhe demonstratat e studentëve, të cilat nisin me Kushtet dhe kalojnë te Kushtetuta. Skena e fundit vjen si në një film me ekran të gjerë, ku çdo gjë shihet, por në vend të kolonës zanore me efektet e zallamahisë dhe të eksklamacioneve, ka tekst, ka rrëfim. Është një rrëfim i teknikës së lartë që vjen i alternuar nëpërmjet tri kontrasteve: syrit autorial, syrit të informatorit Faton Leqi, syrit të protagonistit Rroka. Nëse këto tri brinjë përbëjnë një trekëndësh, atëherë këtë imazh na duhet ta përfytyrojmë me majën poshtë. Sepse këto skena nuk tregojnë vetëm çfarë ka ndodhur në Prishtinë, por në ndjesitë e lexuesit paralajmërojnë edhe gjithë përmbysjen e ish-Jugosllavisë.

Veton Surroi shkruan me njohje çdo episod të romanit, qoftë skenë e madhe apo e vogël, vendase apo e huaj, hollësi apo emër personazhi. Fjala e autorit ka peshë, por nuk ka lagështirë. Kultura e shkrimit nuk rri jashtë, si gjalpi në rriskat e bukës. Ajo është e tretur në të gjitha temat e nëntemat, që nga ajo e pushtetit, përditshmërisë, personalitetit, dashurisë, vetmisë, biblikes, somelerisë e deri te Blanche Du Bois (Tennessee Williams).

Pas kapitullit të parë e deri në fund, mbasi “i ka ardhur dora”, shkrimtari hyn plotësisht në stilin e tij të pastër dhe njëkohësisht çekiç. Në stilin me një precizitet milimetrik, ku fjala përdoret shpesh si pika e shiut, e cila prej përsëritjes ngulmuese (rimarrjes në art) shpon edhe gurin.

Teksti i Veton Surroit përmban ndjeshmëri krejt të veçantë. Duket sikur, kur shkruan, autori ka një kompresë të ftohtë në ballë. Por kjo nuk do të thotë se zhiva e termometrit nuk punon ndërkaq nën sqetull.

Dy protagonistët, Met Rroka dhe Marie Gjoni, nuk ishin hasur në këto përmasa në letërsinë tonë. Ata sjellin shumë jetë dhe, po aq, mendim e turbullim. Prej kompleksitetit që kanë, pse jo dhe rigave të perversitetit, Rroka e Maria sikur të fusin në gjynah, prandaj ndaj tyre s’mund të jesh moralisht i njëanshëm.

Kam dëgjuar aty-këtu se, po të shkruash mirë për këtë autor, bën plot “kundërshtarë”. Po mendoj të kundërtën. Nëse do të shkruaja një ditë, do të shpresoja që edhe këta të më shihnin si mik, pasi letërsia e mirë të gjithëve na bashkon./ KultPlus.com

Dënohet me 12 mijë euro kolegji ‘Mehmet Akif’, vendosi kamera në banjo

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas të gjeturave nga inspektimi i zhvilluar nga Agjencia, dënoi Kolegjin ‘Mehmet Akif’ me 12 mijë euro për shkelje të privatësisë përmes vëzhgimit me kamera.

“Me kërkesë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të iniciuar më 5 maj2016, për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Kolegjit ‘Mehmet Akif’, më 09 shkurt 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €12.000 për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave”, thuhet në njoftimin e AShMDP-së.

Në njoftim thuhet se “Zyrtarë të Agjencisë, gjatë inspektimit të zhvilluar në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, mësojtore (klasa mësimi) si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit)”.

“Kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamera bie ndesh me dispozitat 62 dhe 64 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit”, thuhet më tej në njoftim.

Vlen të theksohet se vëzhgimi me kamera lejohet vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë, edhe atë vetëm në hyrjet e ndërtesave, por jo edhe në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete./KultPlus.com

Rrëfimi i vajzës së Pavarësisë

Vajza që do të mbushë 10 vjet më 17 shkurt

Më 17 shkurt të vitit 2008, familja Sopa nga Komuna e Lipjanit, kishin gëzim të dyfishtë. Ishin shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe ardhja në jetë e vajzës së tyre të parë të cilën e pagëzuan me emrin Pavarësia, dy gëzimet në një ditë të kësaj familjeje.

Pavarësia e ka arritur një dekadë jetë. Ajo është nxënëse e shkëlqyer e klasës së 4-rt në Shkollën Fillore “Hasan Zyko Kamberi” në fshatin Sllovi. “Mua nuk ma ka lënë askush emrin, unë kam lindur me emër”, tregon ajo për ‘Kallxo.com’.

Duke e përshkruar se çfarë ka ndodhur ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, siç i kanë treguar prindërit e saj, ajo thotë se ishte një gëzim shumë i madh për shqiptarët e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Deri në ditën e 17 shkurtit shqiptarët kanë vuajtur dhe kur erdhi kjo ditë Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik dhe atë moment unë kam lindur 5 minuta pas shpalljes së pavarësisë”, tha ajo.

Pavarësia, ka synime që të jetë një nxënëse e shkëlqyer, ndërsa profesionet që aktualisht i pëlqejnë janë tri: mësuese, doktoreshë dhe aktore.

“Unë po mendoj që është mirë të jesh nxënëse e shkëlqyeshme dhe të ardhmen e shikoj se çfarë më shkon për shtati. Por, tri profesionet që më kanë lënë përshtypje më së shumti janë aktore, doktoreshë dhe mësuese”, tha Sopa.

Ajo në fund të intervistës e ka dhënë edhe një urim.

“Ua uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e pavarësisë”, tha vajza e cila do të mbush një dekadë jetë së bashku me pavarësinë e vendit.

Koncert për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Kroaci, performojnë Blerim Grubi e Arjana Kuriu Grubi

Bashkësia Shqiptare në Kroaci organizon koncert në sallën prestigjioze Hrvatski glazbeni zavod për nder të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të luajnë Blerim Grubi në violë dhe Arjana Kuriu Grubi në piano, ndërsa do të luhen vepra nga kompozitor shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria.

Programi përmban vepra të Maroshit, Harapit, Sokolit, Skënderit, Sulejmanit, Daijës, Paparistos, Beqirit, Dhomit dhe Tukiqit.

Koncerti vjen më 15 shkurt me fillim nga ora 17:00./ KultPlus.com

Familja Kadare në Operën e Parisit, ndjek nga afër performancën e Ramë Lahajt

Familja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ka ndjekur shfaqjen e tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj që po mbahet në Operën Kombëtare të Parisit, shkruan KultPlus.

Ramë Lahaj përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka ndarë emocionet e tij për pjesëmarrjen e familjes së shkrimtarit në shfaqje dhe ka falënderuar familjen Kadare për ftesën për të kaluar një mbrëmje së bashku.

“Dikur Ismail Kadarenë e njihja vetëm si një prej shkrimtarëve të mëdhenj ndërsa kësaj radhe kënaqësia e të rikthyerit në Operan e Parisit më dha edhe nderin të kem prezent familjen Kadare në njërën prej shfaqjeve të mia. E veçantë të kalonim një mbrëmje bashkë dhe ju faleminderit për ftesën”, ka shkuar tenori Ramë Lahaj në Facebook.

Tenori shqiptar Ramë Lahaj, këtë muaj po prezantohet me shfaqjen “La Traviata”, të Giuseppe Verdi në Operën Kombëtare të Parisit. Premiera e kësaj shfaqje është prezantuar më 2 shkurt ndërsa do të ketë shfaqje të tjera deri më 28 shkurt, duke numëruar gjithsejtë 8 shfaqje./KultPlus.com

Absurdi më 1982, Shqipëria i kërkonte bashkisë së Parisit heqjen e portretit të Skënderbeut

Historia e emërtimit të një sheshi në Paris me emrin e Skënderbeut dhe ngjarjet rreth saj shkaktuan mospajtim të thellë mes qeverisë komuniste të Tiranës dhe diasporës anti dhe jokomuniste të emigruar jo vetëm në Francë, por edhe në mjaft vende të tjera të Perëndimit, rikujton Gazeta Shqiptare, sipas të cilës atëbotë “Në një farë mënyre do të ndodhte njëra prej betejave patriotike dhe politike më të mëdha të historisë tonë të shekullit të shkuar”.

Shkrimi vazhdon:

Për ta plotësuar sadopak këtë tablo tepër të veçantë, në dinamikën e të cilës kulmimi i parë qe në 1978, moment kur në 10 korrik u dha nga Këshilli Bashkiak i Parisit leja për ta emërtuar këtë shesh me “Skënderbej” dhe se, nën trysninë shtetërore të ambasadës shqiptare, u pengua përurimi i tij në 28 nëntor të atij viti, po vijojmë pjesën e dytë.

Kjo ka hop motin 1982.

Patën rrjedhur katërmbëdhjetë vite të këtij ballafaqimi, i cili prej çastit të tanishëm, viteve dymijë, mund të konsiderohet një epope e vërtetë. E ka domosdoshmërisht këtë cilësi, sepse ishte një ngjarje e nisur në 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe se, siç ndodh me vullkanet e fuqishme, ka lënë më pas, deri në ditët e sotme, llavë ende të paftohur mirë, thekson autori i shkrimit, Ylli Pollovina.

Portreti i Skënderbeut në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Parisit

Në 22 mars 1982 diplomati i lartë dhe mjaft i kualifikuar i ambasadës shqiptare në Paris, Th.H., i raportoi eprorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se kishte takuar në Bashkinë e kryeqytetit francez këshilltarin për problemet e kulturës, Patrik de Sajevski. Para pak kohësh ky pati qenë edhe nëndrejtor i Institutit të Lartë të Konstruksioneve Mekanike dhe të Materialeve. Ato çaste kur zhvilluan bisedën Patrik qe shkëputur prej kësaj detyre për ta pasur më të lehtë të zhvillonte veprimtari politike. Sipas diplomatit të rëndësishëm shqiptar në Paris, bashkëbiseduesi ishte golist, me pak fjalë bënte pjesë në partinë Bashkimi për Republikën, të cilës i takonte edhe Zhak Shiraku, kryebashkiaku ato çaste i kryeqytetit francez, i cili pati mundësuar realizimin e propozimit të mërgatës shqiptare antikomuniste për emërtimin e sheshit “Skënderbej”.

Sipas raportimit të Th.H., “Mbasi tregoi gatishmërinë e tij në drejtim të mundësive të organizimit të aktiviteteve mbi vendin tonë nga ana e qytetit të Parisit si p.sh. një ekspozite të madhe mbi kulturën shqiptare në Petit Palais në vitin 1984 me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, të ekspozitave të ndryshme mbi artin dhe traditat e popullit tonë, mbi artin bashkëkohor (pikturë dhe skulpturë), ekspozita fotografike mbi qytetet e Beratit dhe të Gjirokastrës, ekspozita mbi etnografinë shqiptare, etj., më tha se në zyrën e Zv. Kryetarit të Bashkisë së Parisit, Pier Bas, ndodhet një pikturë e bukur e Skënderbeut”.

Vijon raportimi: “Me insistimin tim u futëm dhe pamë këtë pikturë. Ishte e vitit 1979 dhe e punuar nga një shqiptar me emrin Shuttié. Në të shkruhej “Dhuratë nga komuniteti shqiptar i qytetit të Parisit”.

Menjëherë më tej: “Sekretarja e Pier Bas na shpjegoi se këtë pikturë e kanë sjellë shqiptarët që banojnë në Paris, me rastin e inagurimit të sheshit Skënderbe. Së shpejti piktura do të vendoset në një nga muzetë e Parisit – tha ajo”.

Ja edhe reagimi i diplomatit të lartë shqiptar, doemos në përputhje me direktivën që u pati dhënë me kohë Tirana: “Unë u thashë se nga sa kam dijeni ne nuk kemi qenë dakord që ju të pranoni propozimin e tyre për të emërtuar atë shesh me emrin e Skënderbeut, mbasi këtu në Francë ka një përfaqësi zyrtare që shpreh dëshirat dhe aspiratat e popullit shqiptar. Ata nuk janë veçse tradhtarët e vendit tonë, shërbëtorët e mbretit Zog, të cilët morën arratinë me çlirimin e Shqipërisë”.

Në mbyllje të informacionit të tij Th.H. shkruan: “Sajevski më tha se janë bërë shumë debate në këshillin e Bashkisë përpara se të vendosej që t’i jepej emri Skënderbe këtij sheshi. Kjo zvarritje u bë për vite me radhë. Nuk është bërë asnjë ceremoni me rastin e emërtimit të këtij sheshi, tha ai.

Sidoqoftë – u thashë unë – ne jemi të pakënaqur nga veprimi juaj për këtë çështje”.

Rindizet çështja e nxehtë e përurimit të sheshit “Skënderbej”, penguar deri ato çaste nga Tirana zyrtare

Kështu në pranverë 1982 u përflak çështja që u duk sadopak e fashitur katër vite më parë. Këtë herë qeveria e Tiranës ishte edhe më e zemëruar. Përveç se nuk donte të ekzistonte në Paris, Francë apo në tërë faqen e dheut me emrin e Skënderbeut, si të propozuar prej mospajtuesve të saj ideologjikë, të mos kishte asnjë shesh apo rrugë, duhej të censurohej edhe një portret i thjeshtë i dhuruar prej të mësipërmëve. Edhe pse e pati krijuar një franko-shqiptar.

Por periudha nga 28 nëntori 1978, kur ia dolën ta pengonin përurimin e sheshit, deri në fundmars 1982 mes Bashkisë së Parisit (dhe Ministrisë së Jashtme Franceze), ambasadës shqiptare (dhe qeverisë së Tiranës), nuk patën rrjedhur ujëra të qeta.

Kur kjo, e drejtë e miratuar që në 10 korrik, as pas mbi pesë muajsh nuk u realizua dot, në 22 dhjetor 1978 përjetoi një zhvillim tjetër. Këtë ditë prej Tiranës u nis një radiogram i shifruar. Njerëzit e tyre në Paris duhej të hidheshin në sulm. Kabllogrami e udhëzonte ambasadën që të merrnin kontakt me Bashkinë e Parisit dhe t’i propozonin emërtimin e një sheshi tjetër me emrin “Skënderbej”. Ambasada e bëri këtë kërkesë menjëherë, veç Bashkia nuk dha asnjë përgjigje jo vetëm brenda dhjetorit 1978, por gjatë tërë vitit 1979.

Mbase ngjarjet nën këtë pezullim të gjatë, gjithsesi të tensionuar, do të vijonin edhe ca kohë kështu, kur papritur gjithçka u trazua edhe më shumë. Në 20 prill 1980 Ambasada Shqiptare me radiogramin e saj Nr. 1032 njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “grupi i të arratisurve që kishte marrë nismën për t’i dhënë emrin një sheshi të Parisit “Skënderbeg” dhe se këtë gjë ata “e njoftonin me anë të një trakti”. Po ashtu radiogrami bënte të ditur se “ceremonia e emërtimit të sheshit do të bëhej në 6 maj 1980, duke u zbuluar pllaka përkujtimore” dhe se “ceremonia do të drejtohej nga gjenerali francez në pension Robert Kasò si përfaqësues i Bashkisë së Parisit”.

Dymbëdhjetë ditë më pas, në 2 maj 1980, nëpërmjet radiogramit Nr. 1534, MPJ e Shqipërisë i dha udhëzime Ambasadës në Paris që të merrte kontakt urgjent me MPJ e Francës dhe të ndërhynte për të realizuar së dyti anulimin e kësaj ceremonie.

Ambasada reagoi me një përgjigje tre ditë më vonë, në 5 maj. Radiogrami i saj me numër 1072 e njoftoi qendrën se kishin marrë takim me zv. drejtorin për Evropën në MPJ, Zhan Pjer Maset, të cilit ia patën shpjeguar edhe njëherë të gjithë historinë e kësaj çështjeje dhe i kërkuan që të ndërhynte tek eprorët e vet për anulimin e kësaj ceremonie. Sipas ambasadës, Zhan Pjer Maset kishte thënë se qe dakord me tezën shqiptare dhe pati pranuar se do të ndërhynte. Ndërkohë kishte nënvizuar se “nuk mund të thoshte asgjë përfundimtare, mbasi ishte Bashkia ajo që do të vendoste definitivisht”.

Ndërkohë pas këtij takimi, brenda po asaj dite të 5 majit 1980, Bashkia e Parisit i dërgoi ambasadorit me korrier të shpejtë një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit e sheshit me emrin “Skënderbeg”, i cili do të përurohej të nesërmen.

Ambasada menjëherë mori në telefon Maset në MPJ, të cilin e njoftoi çfarë sapo i kishte ndodhur dhe i kërkoi të ndërhynte për anulimin e kësaj ceremonie. Maset mori përsipër të ndërhynte dhe më vonë njoftoi se përfaqësuesi i kryetarit të Bashkisë së Parisit Zhak Shirak qe ngarkuar prej tij për të marrë kontakt me ambasadën për ta biseduar këtë çështje. Të njëjtën gjë, brenda kësaj dite të nxehtë të 5 majit 1980, e njoftoi me telefon edhe shefi i shërbimit diplomatik të Bashkisë. Ky madje kërkoi edhe ndjesë pse për këtë çështje nuk ishte këshilluar më përpara me ambasadën shqiptare.

Në 6 maj u bë përurimi i sheshit me emrin e Skënderbeut. Sipas Konsullit të Përgjithshëm në këtë vend, Idajet Hoxha, atë ditë ai u nis për në vendngjarjen problematike. Duke qenë se ishte edhe zbulues dhe në rregullat e rrepta të punës në misione të tilla duhej të ishin dy vetë, i kërkoi ndihmë pranie një truproje të një anëtari të Byrosë Politike, i cili ato ditë kishte ardhur në Paris për një mjekim.

Që të dy e ndoqën përurimin e sheshit “Skënderbej” prej diasporës anti dhe jo komuniste prej një distance dyqindmetërshe. Ishin vendosur në katin e dytë të një kafeje dhe prej dritareve të xhamta të saj panë grumbullimin e njerëzve, fjalimet që u mbajtën dhe më pas shpërndarjen. Edhe gjatë një bisede të dytë me Idajet Hoxhën, bërë pak ditë më parë, ai ngul këmbë se çdo gjë u zhvillua qetësisht dhe se pjesëmarrësit ishin të paktë. Nuk e pranoi as shifrën dyqind. “Nga lart, siç i pamë ne, na tha ai, dalloheshin qartë hapësirat e mëdha bosh mes njerëzve”.

Sipas Kristo Zharkallit, një pjesëmarrësi në përurimin e “Place Skanderbeg”

Abdurahim Ashiku në fund të janarit të këtij viti botoi kujtimin e një pjesëmarrësi në këtë ceremoni. Ai quhet Kristo Zharkalli, prej shumë dekadash shqiptar i mërguar në Greqi. Dëshmia e tij është një ndër më të plotat e të sinqertat, tërësisht pa ngarkesë politike. Kristo, siç pohon vetë, nuk kishte marrë pjesë fare as në fushatën dymbëdhjetëvjeçare për këtë shesh.

“Isha në dijeni nga revista “Koha Jonë” të dibranit Isa Ndreu, rrëfen ai, që më vinte me daljen në dritë të çdo numri, nga shkrime dhe letra të ndryshme se po bëheshin përpjekje të përurohej një shesh në Paris me emrin “Sheshi Skënderbeg” me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar…”

Pak më tej: “Merreni me mend habinë dhe gëzimin tim kur mora një ftesë për të marrë pjesë në përurimin solemn dhe festim të këtij sheshi. Veçse për mua ftesa të tilla merrja përditë nga të gjitha anët e botës, për mbledhje, kongrese, festa etj. Nuk kishte asnjë peshë, kurrë nuk munda të udhëtoj dhe kjo për arsye të thjeshtë ekonomike.

Duket se Isa Ndreu e kishte parasysh këtë “dobësi”. Bashkë me ftesën më dërgonte një letër ku më thoshte: “Bashkangjitur ju dërgoj edhe një çek për shpenzimet tuaja të para, sidomos për biletat e aeroplanit e për do shpenzime të duhuna për udhëtimin në Francë. Atje do të kini të siguruara të gjitha shpenzimet prej meje dhe e quaj nder që të të kemi mes nesh. Miku yt, Isai”.

Më thoshte, gjithashtu, se ceremonia solemne do të bëhej më 6 maj 1980 dhe se aty do të përfaqësohej i tërë emigracioni shqiptar në botë. Kishin ardhur përfaqësues të të gjitha partive, ngjyrave si dhe përfaqësues të klerit shqiptar.

Arbëreshët kishin ardhur me një përfaqësi shumë të madhe.

Unë isha i panjohuri nga të gjithë dhe në aeroport më priste Leci duke ditur orën që do të arrija në Orli. Besoj se për të parën herë në histori zbritën në atë aeroport kaq përfaqësi shqiptare. Atje dëgjoje emra bombastikë të së kaluarës që tashmë ishin shndërruar në skelete dhe pleq. Por shikoje edhe të rejat arbëreshe që përbënin korin kishtar dhe kombëtar, si dhe disa klerikë, si nga arbëreshët ashtu edhe nga mbeturinat e emigracionit. Më bëri përshtypje që shumica njiheshin ndërmjet tyre”.

Kristo Zharkalliu vazhdon: “Fjalën solemne e mbajti inxhinieri Vasil Gërmenji duke pas pranë gjithnjë Isa Ndreun. Domosdo pranë tyre gjendej edhe Leci e shumë të tjerë, sidomos gjatë meshës në kishën madhështore Notre Dame. Vura re se shumica, sidomos të moshuarve të njohur mes tyre, përqafoheshin e putheshin duke u krenuar me të drejtë se po arrinin që në zemër të Kryeqytetit Francez një shesh do të mbante emrin e Heroit Kombëtar Shqiptar.

Në mes të atyre njerëzve dhe të asaj atmosfere festive, unë e ndjeja veten tepër të vetmuar dhe, pse jo, të trishtuar. Të gjithë e dinim se përfaqësonim një të kaluar të perënduar dhe atëherë shpresat tona ishin krejt të paqena se dikur do të mundeshim të ktheheshim në Atdhe. Nga ana tjetër, kushdo nga ne përfaqësonte një tragjedi, cilido prej nesh kishte lënë prapa njerëz të dashur dhe varre të hapura nga dora vëllavrasëse.

Ndërkohë nuk kisha mundur t’i afrohesha Isa Ndreut, i cili ishte gjithnjë i rrethuar nga “burra me rëndësi”, (kur ka torba fiq), vetëm kisha mundur ta përshëndes duke i dhënë dorën ndërsa Leci i thoshte se kush isha. Ai kishte mundur të murmurisë “gëzohem shumë”, sepse dikush tjetër, një burrë i moshuar e tërhiqte tutje që t’i tregonte diçka.

Ishte burrë i pashëm atëherë Isai dhe megjithëse ishte 61 vjeç, akoma nuk ishte thinjur.

Vetëm kur mbaroi ceremonia dhe njerëzit filluan të ndahen me përqafime e premtime, Leci mu afrua dhe më tha se më kërkonte Isai.

Ai më përqafoi me ngrohtësi duke thënë: “Kisha shumë kureshtje me të njoftë! Të lumtë që more mundimin me ardhë. E shikoni, këtu ishte i ftuar edhe ambasadori i Tiranës, por ai nuk e bani kabull me nderu Skënderbeun e me bisedu me emigrantët! Me thanë të vërtetën mirë bani se kishte rrezik me u kriju ndonjë gjendje e pakandëshme…”

E njëjta ngjarje sipas qeverisë së Tiranës

Me radiogramin 1087, datë 8 maj 1980, ambasada shqiptare njoftonte Tiranën se “në 6 maj qenë grumbulluar në sheshin që do të emërtohej me emrin “Skënderbeg” rreth 500 shqiptarë të ardhur nga Belgjika, SHBA, RFGJ, Italia, Anglia dhe Franca dhe pjesa më e madhe e tyre ishin të arratisur. Midis tyre kishte pasur edhe një grup arbëreshësh me në krye dy priftërinj. Të gjithë këta kishin shkuar në orën 9.00 në “Notra Dame”, ku kishin bërë një ceremoni të shkurtër pa pjesëmarrjen e autoriteteve zyrtare franceze. Këtyre u kishte folur një anëtar i komisionit nismëtar, i cili i njoftoi se me vendim të organeve qeveritare franceze nuk do të bëhet ceremonia e parashikuar nga Bashkia e Parisit, sepse kjo është një çështje diplomatike që ka të bëjë me marrëdhëniet midis qeverisë së Tiranës dhe qeverisë franceze dhe në këto kushte, ka shtuar ai, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e vendit”.

Brenda të njëjtës datë, 8 maj 1980, një radiogram i dytë i shifruar, i koduar me numrin 1095, e njoftoi MPJ në Tiranë se në ambasadë u kishte vajtur këshilltari diplomatik i Bashkisë së Parisit, i cili “pati shprehur në emër të Shirakut keqardhjen për ngjarjen e papëlqyer lidhur me emërtimin e sheshit me emrin “Skenderbeg”. Ai kishte kërkuar që ambasadori të merrte pjesë në ceremoninë në fjalë dhe t’i përgjigjej fjalimit të gjeneralit në pension Kasò. Në radiogram thuhet se “Përgjigja e shokëve të Ambasadës për këtë çështje ishte e prerë, se ne jemi kundër kësaj dhe se jemi për emërtimin e një sheshi tjetër me emrin “Skënderbeg”, shesh i cili të gjindet nga Bashkia. Këshilltari tha se për sa më sipër do të njoftonte Shirakun dhe përfundimin Ambasadës”.

Pas kësaj ngjarjeje MPJ i dha udhëzime Ambasadës që “ambasadori të kërkonte takim me Shirakun”. Kjo kërkesë u përsërit mbi 5-6 herë, shënohet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por takimi nuk u dha asnjëherë, duke u justifikuar se është tepër i zënë me punë, se është me pushime, e justifikime të këtij lloji”.

Në një informacion për tërë këtë histori katërmbëdhjetë vjeçare që ministri i Jashtëm, Reiz Malile në 16 nëntor 1982 i dërgonte Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së, thuhet se “Në qershor të vitit 1981 ambasada konstatoi se ishte vënë pllakata me emrin e Skënderbeut në sheshin e caktuar që në fillim, por pa ceremoni zyrtare. Sheshi është një vend i humbur dhe fare i papërshtatshëm për emrin e heroit tonë kombëtar”.

Në Tiranë filloi trysnia diplomatike ndaj ambasadorit francez për ta fajësuar vendin e tij për lejimin e njëanshëm të dhënies së një sheshi në Paris me emrin e Gjergj Kastriotit dhe se ambasadori Dhimitër Lamani dhe ndihmësi i tij i parë Kujtim Hyseni duhej të merrnin një takim në Bashkinë e Parisit dhe të takoheshin me zv. Kryetarin e saj. “Këtij t’i thuhej pikë për pikë: “Nuk na vjen hiç mirë që Bashkia mban lidhje me grupe të tilla elementësh, të cilët kanë tradhtuar popullin shqiptar dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Veç kësaj ekspozojmë edhe pseudopiktura të prodhuara prej tyre në sallat e saj kur dihet fare mirë se ata përfaqësojnë llumin dhe reaksionin më të zi shqiptar dhe përpiqen të dëmtojnë marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Francës”.

Po ashtu të deklaronin se “Në interes të zhvillimit dhe të thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona është e nevojshme që kjo pikturë të mos ketë vend në Bashkinë e Parisit, por në asnjë vend tjetër publik në Francë”./KultPlus.com

Çfarë diskutuan aktorët e Teatrit Popullor me Enver Hoxhën për ndikimet moderniste

Ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë kapitull të këtij libri i përket muajve janar-shkurt të vitit 1973 dhe bën fjalë mbi dy mbledhje të organizatës bazë të partisë të trupës së Teatri Popullor dhe, gjithashtu, kolektivit të saj, apo siç njihej ndryshe para viteve ’90-të, si “organizata e Bashkimeve Profesionale”, transmeton Gazeta Shqiptare shkrimin e Dashnor Kaloçit.

Këto dy mbledhje konçidojnë me përfundimin e Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (dhjetor 1972-janar 1973), i cili vetëm pas pak ditëve nga mbarimi i tij, do të bëhej “objekt goditje” nga vetë Enver Hoxha, në fjalën që ai mbajti fillimisht në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe më pas (15-16 Mars 1973), në mbledhjen me aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Ashtu siç duket dhe nga dokumenti në fjalë, në këtë mbledhje të Teatrit Popullor, që asokohe, por dhe më vonë do të ishte një ndër institucionet qendrore kulturore dhe artistike më me peshë në të gjithë vendin, i deleguar ka qenë, Pipi Mitrojorgji, (asokohe instruktor për Artin e Kulturën në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili ka përgatitur edhe raport-informacionin në fjalë, “duke nxjerrë në pah problemet” që kanë dalë nga diskutimet e aktorëve të Teatrit Popullor, emra shumë të njohur, mjeshtra të mëdhenj të skenës dhe ekranit, si në atë kohë dhe më pas, si; Pirro Mani, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Luan Qerimi, Mimika Luca, etj. Dhe ashtu siç duket dhe nga faksimilja përkatëse, ky raport i instruktorit të Komitetit Qendror, Mitrojorgji, i është dërguar për t’u parë personalisht Enver Hoxhës, i cili ka vënë dhe firmën e tij mbi faqen e parë të dokumentit.

Po kështu, duket se pas Enver Hoxhës, dokumenti në fjalë iu është dërguar për ta parë, edhe disa prej anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, si Hysni Kapos dhe Haki Toskës, të cilët kanë dhe firmat aty, apo dhe Petro Dodes, i cili në atë kohë mbulonte sektorin juridik në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo që vihet re në këtë raport-informacion, është se të gjithë personazhet që janë kritikuar aty, ndonëse dy të parët pa ju përmendur emrat, si p.sh. autori i dramës “Viti 1961”, apo siç ka qenë titulli në variantin origjinal i saj. “Shtëpia nr. 1961, Shpëtim Gina, (asokohe vetëm 22 vjeçar), dhe skenografi i saj, Ali Oseku, pak kohë më vonë do të bëheshin objekt sulmesh e goditjesh edhe në raporte të tjera (do i shohim më pas në dokumentet e kapitujt e tjerë në vijim të këtij libri), dhe do të kishin një fat tragjik. Shpëtim Gina do të humbte jetën në rrethana misterioze vetëm shtatë muaj më vonë, duke “u mbytur” në dy pëllëmbë ujë, në një pellg të lumit Drojë, afër Mamurrasit ku e kishin dërguar për të kryer zborin ushtarak.

Ndërsa Ali Oseku që akuzohej “për modernizëm” do të përfundonte në burgjet politike të regjimit komunist për disa vjet me radhë. Po kështu në burgejte regjimit komunist do të përfundonte dhe kritiku i artit dramatik, Miho Gjini. Një gjë tjetër që vihet re në këtë dokument, gjë të cilën do ta ndeshim edhe më pas në mjaft dokumente të tjera në faqet e këtij libri, është dhe shprehja e Fadil Paçramit për Teatrin Kombëtar. “….është bërë si Teatri Bogdani”, gjë e cila do të ishte një nga akuzat që do i bëheshin atij herë pas here në mjaft mbledhje dhe raporte, deri sa u arrestua dhe u dënua me vite të gjata në burgjet politike të regjimit në fuqi. Ashtu siç do të shohim edhe në dokumente të tjera në kapitujt në vijim të këtij libri, këto mbledhje që filluan nga gjysma e dytë e janarit të vitit 1973, (menjëherë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar) shënuan dhe prologun furtunës së madhe që do të ngrinte Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së ndaj shkrimtarëve dhe artistëve në të gjitha institucionet kulturore e artistike, si n ë Tiranë ashtu dhe në të gjithë vendin. Gjë e cila do të vazhdonte gjatë gjithë atij viti dhe më pas, duke “dhënë rezultatet” me dënimin e të ashtuquajturit “Grupi liberal në Art e Kulturë” me në krye Todi Lubonjën e Fadil Paçramin. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

Raport-informacioni i Pipi Mitrojorgjit për Enver Hoxhën në Teatrin Popullor

Nga mbledhja e organizatës bazë të partisë më 24.I.1973 dhe kolektivit më 24.II.1973 me rastin e punimit të fjalimeve të shokut Enver kundër ndikimeve të ideologjisë, kulturës, artit të huaj, dualën këto çështje:

Edhe këtu, megjithëse në një masë më të vogël se sa në muzikë e në ndonjë fushë tjetër, janë çfaqur ndikime të huaja moderniste. Edhe këtu ka ekzistuar mendimi se duhet futur “e reja”, duhet “ecur me kohën”. Ndikimet moderniste janë çfaqur në këto fusha:

1. Në mënyrën e interpretimit skenik në pjesët teatrale.

Në vënd të një interpretimi realist ku gërshetohen mendimet dhe ndjenjat, aktorëve iu kërkohet një interpertim racjonalist, pa ndjenjë dhe pa emocione, një lojë e ftohtë dhe racionale. Kjo kërkohet nën atë që të evidentohej mendimi, të luftohet sentimenatalizmi, deklamacjoni, teatralizmi etj. Por në të vërtetë aktorit i kërkohej që të zhvishej nga interpretimi ideo-emocjonal i rolit të vet. Hyri kështu në disa pjesë teatrale një temperament i huaj, nordik, që nuk përputhej me temperamentin e popullit tonë dhe në traditën realiste në teatrin tonë. Naim Frashëri në diskutimin e tij tha: “Tek ne është kërkuar interpretimi i natyrshëm. Në parim, është një kërkesë e drejtë. Por në fakt aktorit i kërkohej që të frenonte emocionet, ndjenjat. Kjo vinte në kundërshtim me karakterin e popullit tonë, me veçoritë kombëtare, mbi të cilat krijohet edhe fytyra e teatrit shqiptar. Edhe pjesët e huaja ne duhet që t’i trajtojmë në terrenin shqiptar, të dallohet vënia e jonë në skenë, nga ajo e vendeve të tjera”.

Një aktor tjetër, Luan Qerimi tha se: “Duke luftuar pompozitetin, dekllamacionet etj, flasim ftohtë pa emocjone. S’kemi qenë vigjilentë ndaj thjeshtëzimeve moderniste. Këto janë quajtur si hap përpatra”. Sulejman Pitarka, tha: “Në mënyrën e vënies në skenë ka shumë kopjime të huaja. Të gjithë aktorët vihen në mënyrë të ngurtë në pyetje nga spektatori pa lëvizur fare duke recituar pjesën ose duke lëshuar batuta”. Kjo tendencë racionaliste justifikohej edhe me teoritë e Brehtit, të cilat u kundërvihen teorive të Stanisllavskit. (Për të dy këta nuk ka ende analiza kritike mbi teoritë teatrale, mbi atë çka duhet pohuar e mohuar prej tyre. Pirro Mani ngriti në diskutimin e tij çështjen se “nuk duhet të jemi robër të kultit të Brehtit apo Stanisllavskit, por të marrim prej tyre atë që na shërben”.

(Siç duket në Teatrin Popullor por edhe në Institutin e Arteve e në ndonjë teatër tjetër, ka partizanë të njërit apo tjetrit teorisjen ose ide konfuze e sempletiste për të dy që në praktikën krijuese regjizorjale e aktoreske krijojnë konflikte).

Nuk duhet përjashtura fakti që tendenca racjonaliste e interpretimit të të pjesëve është ushqyer edhe nga ato drama të huaja ose tonat që kanë pasur prirtje racjonaliste. Mund të ketë edhe burime të tjera siç mund të jetë “teoritë” moderniste mbi teatrin që lulëzojnë në perëndim. Sidoqoftë kjo është çështje që duhet parë më thellë.

2. Në skenografi, e cila kaloj në konvencionalizëm jashtë mase deri në absurditet. Shumë skena e dekore në vënd që të lehtësojnë, pengojnë lojën e aktorit, në vënd që të qartësojnë idenë e çfaqjes, e errësojnë atë. Podiume e shkallë pa kriter e pa funksjon janë përdorur në shumë pjesë aq sa u shëndrua në një mani regjisoriale. Si shëmbull më i freskët u soll skenografia e pjesës “Viti 1961”, në të cilën as merret vesh as vëndi, as koha se ku e kur zhvillohen ngjarjet, kur zhvillohen ato në Shqipëri e kur në perëndim. Pirro Mani tha se mendonin se “skenografia s’ka nevojë të shprehë ambjentin, atë e krijon njeriu, prandaj ajo mund të ishte dosido”. Mirpo ka një kufi edhe në konvencjonalizmëm e aq më tepër të jetë i huaj siç ka pas në vënd në disa çfaqje. Por kur janë kritikuar dekoret e kësaj natyre, janë mbrojtur duke duke i cilësuar si krijime “modern të talentuara” dhe kritikuesit si injorantë.

3. Ndikime të huaja janë manifestuar edhe në përdorimin e efketeve të të ndryshme skenike regjizorjale jashtë çdo uniteti me brendinë e pjesës, të cilat kanë çuar në errësimin e personazheve, të figurave artistike (drita pistoletash, errësime skenash), muzikë e tepruar e në disa raste muzikë konkrete, si një akt të pjesës, “Viti 1961”), etj. Të gjitha këto janë quajtur si gjëra të reja, moderniste.

Sulejman Pitarka tha se: “Ndaj këtyre çfaqjeve të huaja jemi stepur sepse kishim frikë mos na quanin të vjetëruar. Ndërsa Mimika Luca tha se ata që çfaqnin dyshime, quheshin “pa kulturë”.

Veç këtyre u ngritën dhe këto problem të tjera:

1. Dramat historike e ato mbi luftën Nacional-Çlirimtare, praktikisht janë hequr nga repertori mbasi nuk çfaqen më duke u justifikuar me arsye të ndryshme.

2. Ndaj disa aktorëve të moshuar nuk ka respekt dhe quhen të skaduar. Naim Frashëri tha: “Për të denigruar një grup shokësh aktorë të vjetër, pa hapur mirë gojën u është vënë epiteti “Konservator”. Pothuajse të gjithë aktorët e Teatrit Popullor që jepnin mësim në Institutin e Arteve, janë hequr për të mos “infektuar” studentët me dobësitë e tyre. Miho Gjini (inspektor teatri në Ministrinë e Arsim-Kulturës), i ka cilësuar disa aktorë të vjetër si “limona të shtrydhur që duhen hedhur në kosh”. Shoku Fadil Paçrami e ka cilësuar në një diskutim të Teatrin Popullor si “Teatri Bogdani”, për të treguar kështu, shkallën e prapambetjes së tij.

3. Pjesa e fundit, “Orfeu zbret në ferr”, e një dramaturgu amerikan nuk është zgjedhur me kujdes dhe ka mendime pro e kundra çfaqjes së saj. Ajo është pezulluar nga Komiteti Partisë së rrethit. Por justifikimi që u dha nga shoku Fadil nuk u quajt i drejtë. Ai tha se: “nuk është opurtune të çfaqet tani”. Me të drejtë u kërkua të organizohet një diskutim krijues në kolektiv dhe të vendoset në se ka apo s’ka dobësi ideologjike, vlen apo nuk vlen të çfaqet.

Disa nga shokët e aparatit tonë që e panë çfaqjen, janë të mëndimit se ajo nuk meriton të çfaqet në publik për idetë e saj filozofike të pa pranueshme.

Lidhur me pjesët e huaja në të gjithë aktorët ndihej shqetësimi se mos tani do të ndalohen vënia e tyre në skenë. Më 1968-ën, u hoqën me urdhër, me listë, pa diskutim e sqarim. S’kanë bindje. Edhe një herë u sqaruar se Partia ndryshon qëndrimin dhe orientimet që ka dhënë në këtë drejtim.

4. Kur flitet për sukseset e dramaturgjisë e të teatrit shpesh thuhet se vetëm pas viteve ’60-të ka suksese të vërteta dhe errësohet puna e zhvilluar para 1960. Nuk shikohen vitet ’60-të si një etapë e lartë e cila ka bazën e vet të kaluarën.

5. Marrëdhëniet e Teatrit Popullor me Ministrinë e Arsim-Kulturës nuk janë të mira. U ankuan me të madhe për mungesë ndihme e konsiderate. Thanë se nuk vinë as për të parë çfaqjet, pa le të zgjidhin problemet krijuese.

6. Puna politike dhe ideologjike-estetike është jashtëzakonisht e dobët. Nuk bëhen në rregull as mbledhjet e formës së edukimit dhe as zhvillohen tema, biseda, debate e diskutime për çështje të ndryshme ideo-estetike. Në këtë kolektiv vazhdojnë thash e themet servilizmat, qëndrimet oportuniste, indifernetizmi, simpathitë, antipathitë në formë grupesh, egozimat etj.

Pipi Mitrojorgji

28.II.1973

Edhe Gjakova me ikonën #kosova10

Të enjten pasdite me vendim të Këshillit Organizativ për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë filloi vendosja e ikonës #Kosova10. Një ikonë të tillë mund ta shihni në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Klinë, Gjilan, Drenas dhe Kaçanik.

Ikona është rreth 8 metra e gjatë ndërsa është rreth 1.5 metra e lartë. Ajo përfaqëson hashtagun zyrtar të 10-vjetorit të pavarësisë, për çka organizatorët kanë thënë që qytetarët që ta përdorin në të gjitha postimet e tyre në rrjete sociale./ KultPlus.com

Ermal Meta: Ja pse vendosëm të konkurrojmë me një himn kundër terrorizmit

Ermal Meta, fituesi i Sanremos, shprehu emocionet e tij me anë të një interviste telefonike në “Wake Up” për këtë triumf të madh.

Këngëtari shqiptar theksoi se “sa herë që nxjerr një këngë mendoj se është më e mira”, por nuk priste të fitonte festivalin e këngës italiane me “Non mi avete fatto niente”, edhe pse ishte këngë me “mesazh shumë të fortë”.

“Fabrizio më kontaktoi në qershor mua. Ai më ka pëlqyer gjithmonë si artist dhe pranova menjëherë. Pas atentatit në koncertin e Ariana Grande, fansat kishin frikë të vinin në koncertet tona, por kur e lë veten në dorë të frikës… Prandaj vendosëm të merrnim pjesë me këtë këngë”, shpjegoi Meta.

Në lidhje me pezullimin fillestar të këngës nga Sanremo, Meta theksoi: “U trishtuam shumë, por e dinim se kishim të drejtë. Ne e kishim deklaruar që refreni ishte nga një këngë tjetër, e shkruar nga njëri prej nesh. Ndoshta disa gazetarë nuk e dinin ose nuk donin ta dinin. Thanë diçka të pasaktë. Kënga kishte refren të njëjtë, por ishte refreni ynë”.

Në fund, Meta deklaroi se është shqiptar dhe kjo gjë nuk fshihet dot dhe as nuk ka dëshirë që ta fshehë, “por nga ana tjetër çdo njeri përfaqëson veten e vet”./ KultPlus.com

Prezantohen portretet zyrtare të çiftit Obama

Galeria Kombëtare e Portreteve në Washington ka prezantuar portretet zyrtare të ish-Presidentit Barak Obama dhe bashkëshortes së tij, Michelle Obama.

Obama zgjodhi si autor të portretit të tij piktorin e diplomuar në Universitetin Yale, Kehinde Wiley, i njohur për portretet e gjalla të afrikano-amerikanëve.

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur. Unë dhe Michelle jemi shumë mirënjohës për miqtë dhe të afërmit që kemi, si dhe për personelin që ka punuar me mua në Shtëpinë e Bardhë dhe që kanë zgjedhur të na nderojnë në këtë formë e të na ofrojnë mundësinë të jemi në prani të këtij arti të mrekullueshëm”, iu drejtua presidenti të pranishmëve në muze.

Në portret ish-Presidenti Obama është i ulur në karrige mes gjetheve. Autori thotë se përdori elementë botanikë për të simbolizuar rrugëtimin e tij. Ai ka përdorur lule nga shteti Ilinoi dhe nga Kenia, për të pasqyruar rrënjët e ish-presidentit.

Kehinde Wiley është piktori i parë afrikano-amerikan që zgjidhet për të pikturuar një portret zyrtar presidencial.

Michelle Obama zgjodhi artisten nga Baltimora, Amy Sherald, e njohur për punime që stilistikisht përqendrohen tek format dhe kontrastet e ngjyrave, si dhe të frymëzuara nga temat e drejtësisë sociale. Në portret ajo është e veshur me një fustan me forma gjeometrike, e ulur para një sfondi një-ngjyrësh.

“Po mendoj tani për ato vajza të vogla afrikano-amerikane, që gjatë viteve do të vijnë këtu dhe do të shohin dikë që ngjet me ta në muret e këtij institucioni të madh amerikan”, tha Obama, shkruan VoA./ KultPlus.com

U promovuan dy librat e Ilir Muharremit “Moskuptimet” dhe “Psycho”

Sot në Klinë, në kuadër të aktiviteteve të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në sallën e Kuvendit Komunal u organizua promovimi i dy librave të autorit Ilir Muharremi. Më fjalë përshëndetëse në emër të shoqatës u paraqit Bashkim Hoti, kurse me një fjalë urimi dhe mirënjohje u paraqit Skënder Merturi, drejtor DKRS-Klinë

Për librin ‘‘Moskuptimet’’ me një kumtesë u paraqit Vjollca Dibra, e cila ligjëron në ndër të tjera tha se formulimi i përmbajtjes, jo vetëm përcakton kapituj a tërësi, po edhe nënkapituj. “Unë veçoj tri tërësi a pjesë, do të thosha labirintesh, ku përvijohet vrojtimi i autorit: Religjioni, Arti, Njeriu. Pjesën e parë autori e përmbledh brenda kornizës së titullit “Zoti dhe ekzistenca”, të dytën, “Arti dhe vlera” dhe të tretën “Njeriu i revoltuar si dominues””, ka thënë ajo.

Me një recension analitik për romanin ‘‘Psycho’’ të autorit Ilir Muharremi u paraqit para të pranishmeve kritiku letrar Mahir Morina i cili theksoi se struktura e librit nuk e paraqet një ngjarje, po bëhet ngjarje e paraqitjes, ku romani zhvillohet si rrëfim i së kaluarës, ideve, pikëpamjeve e bindjeve krejt brenda një mbrëmje në një lokal nate, me një personazh kryesor, dhe një femër banakiere si personazh dytësor, ku i pari i rrëfen të dytit nga ngacmimi deri të trillimi, edhe pse i ngarkuar me trajtimin e shumë temave, nuk ndahet në kapituj, fillon e mbaron pa respektuar rregulla letrar, fokusohet në fuqinë e mendimit si determinim i vlerës dhe esencës e cila efektizon funksionin e idesë.
Pas kumtesave u organizua edhe një debat të cilin e filloi shkrimtari Vilson Culaj. Ai diskutoi për konceptet filozofike veçanërisht ato ateiste që përmban libri “Moskuptimet”. “A duhet të jesh ateist të shkruash për ateizmin”, kurse Muharremi ka replikuar “Jo gjithherë duhet të jesh ateist të shkruash një vepër ateiste siç është “Moskuptimet”.

Të pranishëm në promovim ishin profesorë, drejtorë shkollash, drejtor komunal e nxënës të shkollave si një kombinim i natyrshëm të cilin e ndërton aktiviteti artistik./KultPlus.com

Një faqe në Facebook për ta mbrojtur flamurin kombëtar shqiptar

Një faqe në Facebook është krijuar për të bërë thirrje që të mbrohet flamuri kombëtar shqiptar, në vendin e njohur tashmë si te Rrethi i Flamurit.

“Nesër nga ora 08:00 në mëngjes takohemi te Rrethi i Flamurit, për ta mbrojtur e nderuar flamurin tonë të larë me lot e me gjak”, thuhet në fillim të kësaj thirrje.

Ky grup nuk do që fare të vendoset flamuri shtetëror aty, ashtu siç ka vendosur sot Zyra e Protokollit Shtetëror.

“Në rrethin e flamurit kombëtar nuk do vendosët asnjë flamur tjetër, ky flamur me jetë është mbrojtur e kështu do mbrohet. Flamuj të tjerë vendosni kudo, por jo në vendin që i takon shqiponjës sonë. Shqiptarë BASHKOHUNI!”, thuhet në këtë thirrje.

Kjo faqe është shpërndarë me dhjetëra herë. Në mesin e tyre edhe asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi. Ai e ka quajtur këtë provokim të rëndë antishqiptar.

“100 flamuj vendosni kudo që doni. Nëse doni këtë me yje, nëse doni bëjeni çdo dite një të ri. Por pse bash tek flamuri kombëtar? Çka po ju pengon ky flamur? Pse projekti juaj për kombin kosovar duhet të ketë kaq shumë urrejtje patologjike ndaj kombit shqiptar e ndaj gjithçkaje që e simbolizon atë?!”, ka thënë Azemi, përcjell Koha.net. “Për këto e shumë arsye ky provokim i rende anti-shqiptar duhet të marrë fund. Flamurin e Kosovës nuk po ua ndalon askush, vendoseni ku të doni, por më mirë kishte me qenë që muskujt t’i tregoni ka Serbia e jo nga Shqipëria jonë”, ka shtuar më tej ai.