Kushdo që i drejtohet Zyres së Kuvendit apo Zyres së Presidentit të Kosovës, tashmë që në hyrje mund t’i kthej kujtimet e datës së 17 Shkurtit, të vitit 2008, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë, ka mbledhur disa nga fotografitë më domethenëse të kësaj date, nga fotoreporterë të ndryshëm. Momente festive, e përplot emocion vërehen mes perqafimeve e duarve drejt qiellit. Këto fotografi reflektojnë emocionet në sytë e fëmijeve që në duar mbajnë flamurin kuq e zi dhe në sytë e rrudhosur të pleqve që në kokë mbajnë plisin.
Në ballkone, kafene, e mes turmave, emocionet e kësaj date janë të shenuara në historinë e shtetit të ri të Kosovës, qe mbajnë si datë historike 17 Shkurtin, para plot një dekade.KultPlus ju sjellë disa nga fotografitë e kësaj ekspozite që është hapur sot në këto dy instutucione. /KultPlus.com
Muaj: Shkurt 2018
“Përtej shqisave” ekspozita që bën bashkë Argenita Fetahun dhe Andin Bakija
Alberina Haxhijaj
Muzeu Etnografik në Gjakovë në përvjetorin e 10-të tëPavarësisë së Kosovës, më përkrahje nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komunës, ka bërë së bashku piktoren Argenita Fetahu dhe skulptorin Andin Bakija. Dy artistët gjakovarë do të hapin së bashku ekspozitën “Përtej shqisave” më 13 shkurt, në ora 12:00.
Ekspozita e realizuar në kuadër të Programit Artistik për vitin 2018 ka bërë së bashku këta dy artistë pikërisht për arsye se përmes punës së tyre ata shfaqin ndjenjat, çdo gjë lidhin me emocionet e tyre, shkojnë përtej shqisave.
Piktorja Argenita Fetahu për KultPlus tregoi se synim i saj është paraqitja e vetvetes në të gjitha format dhe madhësitë trupore duke e sfiduar veten, për të mësuar se cili është projektimi më i duhur për të.
“Që në fillim unë e prezantoj vetveten, punën, mendimet apo botën time, kam një fustan që i takon nënës sime, por që e mbaj të veshur unë, pasi që jam modeli, plus kësaj paraqitet në mënyrë të tërthortë një etapë e jetës sime. Nga pesha e rëndë e sfidave që më kanë përcjellë në jetë, nga syri i shikuesit mund të vërehet se diçka tek unë mungon. Ndjenja e boshllëkut është diçka që vërehet, prandaj unë përpiqem ta përcjell një mesazh përmes imazheve të mia”, u shpreh ajo për KultPlus.
Reduktimin e disa elementeve në piktura të saj ajo e bënë në mënyrë të qëllimshme, prandaj në çdo pikturë mungon diçka duke i bërë kështu shikuesit të kenë dhjetëra mendime lidhur me pikturat. Kurse të gjithë vendin në piktura e zë ngjyra dhe ana emocionale.
Veprat e saj kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistit, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.
“Veshja si aspekt i paraqitjes fizike ka rëndësi sociale, me rregulla dhe pritshmëri të ndryshme që aplikohen në varësi të rrethanave dhe rasteve. Si veshje e përdorur më së shumti është fustani i kohës, fustani i nënës time, i cili ka ngjyrën e kuqe të mbyllët. Historia mbetet prapa, ndërsa fustani ndjek një rrugëtim të ri.”, shprehet artistja mbi fustanin që e mban veshur nëpër pikturat e saj.
Pikturat e piktores Argenita Fetahu vërehen edhepër shkak të ngjyrave.Ajo ka përdorur ngjyra të ngrohta dhe të ftohta që paraqesin dhe fitojnë iluzion në thellësi. Kurse përmes hedhjes së ngjyrave me shpatull ( mjet pune), duke e bërë hapësirën më të vrazhdë apo më të lëmuar, nxitë mendimin se ku qëndron trupi realisht.
Por edhe skulpturat e artisti Andin Bakijajanë të lidhura me eksperiencat, ndjenjat e tij. Mirëpo përderisa te piktorja Fetahu diçka mungon, në skulptura gjejmë të kundërtën. Aty gjërat janë të zmadhuara.
“Skulpturat e mija janë të lidhura me eksperiencën time e sidomos pasi që kam filluar që kur isha katër vjeçar që ti realizoj. Përmes punimeve shprehi gjithë adrenalinën time të brendshme, ndjenjat e rebeluara që i kam brenda trupit”, u shpreh Andin Bakija për KultPlus.
Ai punimet e tij i bazon në karaktere që dallohen për krenari, fuqi mbinatyrore, gjersa përdore plastelin dhe argjilën.
“Tejkalimi i ndjenjës nëpërmjet të gjitha informacioneve të cilat u krijuan nga shqisat, vjen si rrjedhojë e shprehjes së shpirtit që i përmbushë të gjitha kërkesat e një karakteri të dëshiruar nga të gjithë ne. Ëndrrat e realizuara pa asnjë shpresë dështimi dhe arritjet më të larta në këtë jetë apo tjetrën, krijesat që i solla në jetë nëpërmjet një materiali të caktuar i arrijnë ato”, shprehet ai./KultPlus.com
Më 17 shkurt, kosovarët mund të vizitojnë Parisin
Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë dhe Ambasada e Francës në Kosovë, e organizojnë ngjarjen me qëllimin për t’i afruar banorët e dy kryeqyteteve në një ditë kaq të shënuar për kosovarët, në shenjë mirënjohjeje po ashtu për Francën, vend i cili ka kontribuar bujarisht në çlirimin dhe rindërtimin e Kosovës dhe që e njohu shtetin e ri të nesërmen e shpalljes së pavarësisë.
Nëse keni kureshtje për Parisin, më 17 shkurt është dita për një «vizitë virtuale» !
Dy pano LED të përmasave të mëdha, do t’ju ofrojnë mundësinë të shihni e përshëndesni kalimtarët e rastit, apo të lini takim virtual me miq e familjarë, të cilët jetojnë në Francë.
Kjo ngjarje do të zhvillohet më 17 shkurt, nga ora 11:00 deri më 16:30, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./KultPlus.com
I kam shkru një mijë poezi
Poezi e shkruar nga Gili Hoxhaj.
I kam shkru një mijë poezi,
para syve tu që lotonin.
Për shuplakën e dorës tande që kurrë s’më la ta fshij lotin,
do të shkruj dhe një mijë të tjera.
Ma ke thënë disa herë që s’mund të ndihmoj në këtë stinë që t’i zgjon plagët.
Ma ke thënë që as dielli s’të nxjerrë nga ajo dhomë ku natën qan dhe i shtrëngon fort fotografitë e tyre.
“Hajde veç edhe një herë në këtë prag’ të derës tem’, e sheh qe unë s’po kjaj”
Sikur unë s’po ta shoh mindilin e lagur, përshperis në vete.
E di që edhe pas 19 vitesh provon të qash pa zë, për tu thënë që nuk po mërzitesh.
E mishëruar me dhimbjen, më së miri mëson ta fshehësh.
Edhe të shkruaj çdo natë në këtë stinë,
një mijë poezi s’mund të shpëtojnë këtë kasolle nga rënkimet e heshtura.
Ende duket sikur në çdo prag të derës në atë lagje dikush e kishte shkruar,
“këtu ditën s’flitet për luftën, por natën qahet pa zë”.
“Karnavalet e Shkodrës”, tradita që lidh rrënjët historike e kulturore të qytetit
Eventi kulturoro-artistik, “Karnavalet e Shkodrës 2018”, përfundoi maratonën e rrugëtimit ditën e djeshme ku për orë të tëra qyteti u kthye në një ambient festiv me pjesëmarrjen e të gjitha moshave.
Dhjetëra fëmijë dhe të rritur ndoqën paradën tradicionale të dordolecit në rrugët e qytetit të Shkodrës, ku në fund u bë dhe djegia si simbolikë për largimin e fenomeneve negative të shoqërisë në sheshin “Nënë Tereza” ku u zhvilluar dhe shfaqja finale e ditës së fundit të karnavaleve .
Veç qytetarëve shkodran, në këtë festim publik, kishte dhe shumë vizitorë nga qytetet e tjera të vendit.
Grupi i organizatorëve kishin konceptuar aktivitete të shumta kulturore të shtrira në 4 ditë prej datës 8 shkurt deri më 11 shkurt, që zgjatën dhe këto festime karnavalesh në qytetin e Shkodrës.
Karnavalet e Shkodrës janë edhe një ftesë për turizmin kulturor për qytetin verior.
Kjo festë prej vitesh e ka bërë Shkodrën të veçantë edhe këtë vit atmosfera e festive me angazhimin e artistëve u përcoll me shumë interes. Ndërkohë nga viti në vit, këto festime po tërheqin vëmendje jo vetëm për qytetarët shkodranë por dhe më gjerë.
Përveçse si qendra e festimit të karnavaleve në Shqipëri, Shkodra njihet edhe si qyteti i prodhimit të maskave të famshme veneciane, që u japin jetë festave të tilla. Tradita e festimit të karnavaleve në Shkodër daton që në 1860, për tu ndërprerë gjatë periudhës moniste e për tu rikthyer pas shembjes së këtij sistemi.
Karnavalet e Shkodrës gjithnjë kanë dhënë një imazh spontan por të lidhur në mënyrë konkrete me rrënjët historike dhe kulturore të këtij qyteti./ KultPlus.com
Gjuha e qenit
Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.
Duke u marrë me Gjuhën e Qenit
gjithnjë e më pak ndiej
praninë e Njeriut
Për dhëmbin e verdhë
e syrin e verbër
as sharjet
Kriposini trupat
për një kohë më të mirë
gjuhë e Qenit iu zgjon
edhe n’ëndërr
Të jetosh
nuk po mjaftuaka
vetëm të marrësh frymë
Tragjedia çame: Si u kthyen në thertore qytete të tëra (FOTO)
Enver Kushi
1.Dëshmi të listave të dhimbjes
Në vitin 2007, kur merresha me projektin dhe realizimin e veprimtarive kushtuar historisë dhe kulturës së Çamërisë, z. Hilmi Saqe, më solli për të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, ca fletë të zverdhura nga koha.
Ato ishin të fotokopjuara. Me duart që më dridheshin dhe me shikim të turbulluar (pse ta fsheh nga lotët), i shfletova disa herë dhe i lexova me dhimbje ato fletë. Ato nuk janë as kujtime, as kronika të tragjedisë çame, as të dhëna për masakrat e viteve 1944-1945. Ato janë më shumë se kujtime, më shumë se kronika individësh, më shumë se raporte të shtabeve të Luftës së Dytë Botërore në Çamëri. Ato janë lista me emrat e të masakruarve.
Nuk janë të plota. Janë një pjesë (vetëm 13 faqe). Duhet të kenë qenë qindra faqe, sepse diku, në fund të tyre, dallohen numrat 105, 106, të faqeve. Krahas tyre, z. Hilmi Saqe, më dha edhe një listë tjetër ku janë shënuar emrat e atyre që kanë deponuar për masakrat në Paramithi, Pargë, Filat, Spatar, Vola, Vërselë, Smarte. Ndoshta këta apo edhe të tjerë kanë dhënë edhe emrat e të masakruarve çamë nga bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës.
Çfarë përmbajnë këto lista:
1.Fëmijë të masakruar nga forcat zerviste gjatë 1944-1945.
2.Emrat e pleqve e grave të masakruara e të humbura gjatë 1944-1945.
3.Emrat e të marrëve e sakatëve të masakruar gjatë 1944-1945.
4.Familje të zhdukura dhe të masakruara gjatë 1944-1945.
Dhimbja dhe kuja është në çdo emër të këtyre listave, por më ulëritëse ato janë në listën e parë, ku përfshihen 64 emra fëmijësh të moshave nga 1 deri në 12-14 vjeç. Mes tyre është edhe fëmija me numrin 42, i quajtur Nail Gjinika nga Margëllëçi, 13vjeç. Përbri këtij emri është edhe ky shënim i veçantë: pjekur në furrë.
Vetëm kaq që menjëherë të të mbahet goja, vështrimi të turbullohet dhe të ringjallet kujtesa tragjike e mijëra çamëve, për të trokitur në ndërgjegjen e trazuar të fqinjit tonë të jugut. Vetëm kaq për të sjellë ndër mend edhe gjykimet objektive të ndonjë historiani grek, siç është Niko Zhangu, i cili për tragjedinë e popullsisë çame dhe masakrat e bandave kriminale të Napoleon Zervës shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.
Duke botuar këto lista, në kuadrin e përkujtimit të 27 qershorit, shpallur më 30.06.1994 si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, ne rikthejmë në këtë 65-vjetor të masakrës së Paramithisë, një pjesë të kujtesës tragjike të popullsisë çame. Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamët e të gjitha moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, të cilat janë transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme.
Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monopatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakura, gjymtyrë të flakura nëpër kanale, gra shtatzëna me barqe të çara etj., etj., përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame.
Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.
2. Dëshmi e dhimbjes në vargje
Këto ditë, duke kërkuar në dosjet e arkivit tim modest për Çamërinë, gjeta të fotokopjuar vjershën “Sanije Bollati”, shkruar nga Gjergj Komnino dhe botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamëri, në Shqipëri dhe u botua vetëm në disa muaj duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete, Gjergj Komnino ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame si “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”.
Do të duhej një studim i veçantë kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak, Shpend Topallaj, ishte “diplomuar jashtë shtetit, ku kishte mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën me një studim për Luixhi Pirandelon”. Këtë intelektual, në damarët e të cilit “rridhte gjak princash e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste.
Agim Musta, në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash kujton edhe fjalët e Komninos: “Më dënuan me vdekje më 1956–n. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj ….”.
Le të rikthehemi te poezitë e Gjergj Komninos kushtuar tragjedisë çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë.
Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij është me plagë që ende rrjedhin gjak. Mendoj se poezia “Sanije Bollati” është më tragjikja. Atmosfera është danteske. Duket se ajo flet në boshllëk diku mes tokës e qiellit. Ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “Sanije Bollati është një viktimë e monarko-fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrisht”.
Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti (ku ndodhjet ende në këmbë kulla e Bollatatëve) dhe martuar po në këtë qytet në familjen Nuri. Është me interes për lexuesin t’i bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe është biri i Sanije Bollatit.
Po citoj një pjesë të dëshmisë së tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Soko: “Nëna kishte në djep motrën 6-muajshe, Dilenë, dhe shkon në banjë për të marrë ndërresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë. Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtyn nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe coptuar.
U mbusha tërë gjak nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat. Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende-vende kullonin gjak. …
Buzët ishin djegur dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të më shoqërojë derisa të rroj…. Kriminelët vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6-muajshe…..”
Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend, mes të tjerave, thënien e historianit objektiv grek: Niko Zhangu “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, (në Thesproti), sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.
Të njëjtën mendim ka edhe historiani bashkëkohor grek, Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë që më 27 qershor 1944 qyteti u kthye në thertore…. Rreth pesëqind persona u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”.
Poezia e Gjergj Komninos ribotohet në faqet e shtypit shqiptar pas 67 vjetësh, në kuadrin e 27 qershorit, Ditës së Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë. Me këtë rast i bëjmë një thirrje opinionit të shëndoshë grek: Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme që shkruan trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave, duke bërë katarsis.
Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire është akoma jashtë, pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve, burrave e grave apo fëmijëve masakruar barbarisht nga bandat famëkeqe të Napoleon Zervës. Në emër të tyre, shpirtërave që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë, në viset tragjike të Çamërisë tonë. Kjo poezi u flet! Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino.
3. Dëshmi të një historiani grek
Më 26 qershor, sektorë të Divizionit X të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, duke shfrytëzuar tërheqjen e grupeve ushtarake gjermane nga zona, sulmuan Paramithinë dhe e pushtuan atë, pas një rezistence shumë të shkurtër të milicisë çame. Me gjithë premtimet, brenda pak ditëve, më 27 qershor, ditën e parë të “çlirimit”, qyteti u kthye në thertore.
Të gjitha dëshmitë, nga çfarëdo palë që të vijnë, bien dakord në shtrirjen dhe dhunën e vrasjeve e të keqtrajtimeve në kurriz të banorëve myslimanë. Me qindra e qindra vetë – numri është i panjohur, por ndoshta afrohet rreth pesëqind personave – u vranë me mënyrat më çnjerëzore, brenda dhe përreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër.
Pasditen e së njëjtës ditë, mbërriti në qytet major Kranias, komandant i Regjimentit të 16- të të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke. Ai mori vendimin për dënimin e shkaktarëve kryesorë, domethënë ekzekutimin e 34 çamëve, të cilët i kishin shpëtuar masakrës. Ky vendim gjeti zbatim të menjëhershëm.
(Jorgos Margaritis: “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, fq. 141.)
4. Dëshmi të shtypit amerikan
Gjendja pikëlluese në të cilën gjenden çamët që banojnë në Shqipëri, është e përshkruar në një listë të zonjushës Lovely, anëtare e familjes të Manchester dhe që shërben si sekretare pranë misionit të UNRRA në Shqipëri. Zonjusha Lovely shpjegon gjendjen e çamëve. Sipas saj kjo gjendje do të shkaktojë një farë jehone në mes të çamëve të Hartfordit që është konsideruar si qendra e çamëve në Shtetet e Bashkuara.
Tani Shqipëria strehon më shumë se 25000 çamër, pjesa më e madhe e së cilës përbëhet nga gratë dhe fëmijët të instaluar nëpër kanune të ndryshme (bashkësi) gjatë luftës në Greqi, fshatrat e tyre u shkatërruan dhe ata shpëtuan duke u strehuar në Shqipëri.
Muajin e kaluar, UNRRA në marrëveshje me qeverinë shqiptare, u dha si ndihmë këtyre të fundit dhe në hapësirën e 5 ditëve, 329 tonë artikuj të ndryshëm. Në dy kampet që kam vizituar në Elbasan, shkruan zonjusha Lovely, çamët jetonin në një mjerim të vërtetë.
Çdo dhomë ishte e ndarë më dysh dhe strehoheshin dy familje, numri i të cilave ndryshonte nga 11 deri 12 vetë, fut këtu edhe pleqtë dhe të sëmurët. Mobiliet e vetme ishin hasrat e shtrira në tokë duke lënë në mes të dhomës vijën ndarëse ndërmjet dy familjeve. Kishte gjithashtu edhe orenditë e nevojshme për të përgatitur ushqimin e tyre. Ushqimi për shumë javë përbëhej nga një bukë e thatë për kokë dhe kjo qe e një cilësie të keqe.
Një grup tjetër që kishte më shumë shans kishte vënë një tenxhere për të zier supën. Kjo supë përbëhej nga mielli dhe disa perime me qëllim që të jepnin pak aromë. Një fëmijë 5 muajsh qe ushqyer me një lloj mielli të përzier me ujë. Në fund të dhomës gjendeshin dy burra dhe dy djem të rinj.
Pleqtë me tu afruar ne, donin të ngriheshin, por nuk mundën ta bënin këtë, për shkak të gjendjes së dobët ku ata ndodheshin. Pas këtyre fakteve dhe këtyre dëshmive, çfarë konkluzioni mund të nxjerrim nga deklarata e famshme e M. Pangalos e bërë më 1926 në kohën kur ai ishte ministër i Parë i Greqisë? Në Epir ne kemi disa mijëra çamë të njohur nga ne dhe që formojnë në shtetin tonë pakicën shqiptare.
Në qoftë se në të kaluarën ka pasur disa veprime të pahijshme nga ana e organeve të pushtetit në dëm të çamëve, kjo nuk përbën në asnjë mënyrë një trajtim kundrejt tyre. Në të kundërt, qeveria është e frymëzuar nga dëshirat më të mira dhe është e vendosur, të dënojë pa mëshirë çdo veprim të keq kundër pakicave, që rrjedh nga ana e disa personave të papërgjegjshëm dhe të rrëmbyer, dhe të zbatojë plotësisht zotimet të cilat rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare ndaj pakicave në Maqedoni dhe në Epir.
Përfundimi që rezulton, është një akuzë e pamëshirshme kundër qeverisë greke. Në fakt, tragjedia e pakicës shqiptare çame në Greqi nuk është vetëm një krim i shëmtuar në vetvete që revolton çdo njeri të ndershëm, por ajo tregon për një etje të pashuar ndaj krimit të personave që qeverisin sot Greqinë. Mund të krahasosh vetëm me ushtarët hitlerianë, me Gestapon dhe me S.S gjermane, sepse, si ata dhe këta dogjën, përdhunuan dhe vranë një popullsi të tërë.
Por Napolon Zerva që udhëhoqi masakrat në masë, sot është ministër i Sigurimit Publik në Greqi, dhe shokët e tij qeverisin Greqinë dhe bëjnë ligjin në këtë vend. Gjithë varret, gërmadhat e Çamërisë, gratë dhe vajzat e përdhunuara, vuajtjet e refugjatëve në Shqipëri, si dhe deklaratat e personaliteteve të huaja janë aktakuza kundër qeverisë monarko-fashiste greke. Ato janë provat e politikës gjakësore dhe agresive të qeverisë greke ndaj popullit shqiptar, ato janë provat e një krimi ndaj ndjenjave njerëzore.
(Marrë nga gazeta “The Hartford Times”, Connecticut, Etats –Units, e datës 9 nëntor 1945)./ KultPlus.com
Zbukurimet e Gjilanit për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës (FOTO)
Ikona #kosova10, që përfaqëson hashtagun zyrtar i këtij dhjetëvjetori, me rreth 8 metra gjatësi dhe rreth 1.5 metra lartësi, është vendosur edhe në qytetin e Gjilanit, shkruan KultPlus.
Me këtë ikonë të vendosur afër Komunës së Gjilanit dhe me flamujt e shtetit të Kosovës, tashmë qyteti i Gjilanit ka marrë një pamje krejtësisht tjetër.
Ikona të tilla janë vendosur edhe në sheshet kryesore të 10 komunave të tjera, KultPlus ju sjellë disa pamje nga Visar Beqiri, ku shihet atmosfera festive që është krijuar me vendosjen e këtyre dekorimeve. / KultPlus.com
Në Pejë dëmtohet ikona #kosova10 (FOTO)
Të enjten pasdite me vendim të Këshillit Organizativ për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë filloi vendosja e ikonës #kosova10. Një e tillë është vendosur edhe në Pejë mirëpo sipas fotografive të publikuar nga qytetarët ajo ka filluar që të dëmtohet.
Në vazhdim KultPlus, ju sjellë pamjen e kësaj ikonë në qendër të Pejës.
Ikona është rreth 8 metra e gjatë ndërsa është rreth 1.5 metra e lartë. Ajo përfaqëson hashtagun zyrtar të 10-vjetorit të pavarësisë, për çka organizatorët kanë qytetarët që ta përdorin në të gjitha postimet e tyre në rrjete sociale.
Një ikonë të tillë mund ta shihni në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Klinë, Gjilan, Drenas dhe Kaçanik./ KultPlus.com
Tri këngët më të mira nga albumi i ri i Elvana Gjatës
Elvana Gjata është këngëtarja më origjinale e estradës shqiptare momentalisht.
Ky është vetëm një prej komenteve në njërën prej këngëve që Elvana e lansoi këtyre ditëve. Ajo ka lansuar një album të tërë në Youtube, ndërsa secila këngë duket se godet më shumë se tjetra.
Me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov, Elvana heshti e më pas doli në pah me një album që ka emocionuar shumicën e fansave të saj. Një roman është shpalosur në këngë, të dhimbshme por të thella.
Këtu po i sjellim tri këngë që ndoshta dallohen nga pjesa tjetër e albumit.
ELVANA GJATA – MË FAL
Një tekst i këndshëm, i qartë, i dhimbshëm, i përjetuar. Elvana Gjata me shumë pak instrumente pas saj, dëgjohet tek e vuan këngën dhe përvojën. Këtë këngë e ka shkruar ajo vetë, ndërsa duket se mbetet kënga më e mirë në albumin e ri të Elvanës. Një këngë për të mos gjykuar, se ndoshta të njëjtin gabim e bëjmë dikur vetë ne.
ELVANA GJATA – GJËRAT KANË NDRYSHUAR
Një baladë e thellë, me Elvanën që shpërthen në fundin e saj. Në fakt, na kishin munguar të tilla balada nga Elvana, e cila për pak kohë doli në një zhanër më ritmik. Elvana asnjëherë nuk është një “Asgjë”, por gjithmonë një “Gjithçka”. Kënga të qetëson, e gjithmonë të lidhë me përvojën personale të hidhur që ti mund të kesh.
ELVANA GJATA – XHELOZ
Një prej këngëve më simpatike të albumit, ritmike dhe shumë melodike, “Xheloz” e sjellë Elvanën në stilin e saj unik. Fakti që ajo ka marrë pjesë në tekstin e këngës tregon se sa shumë është përkushtuar ajo, që ky projekt të jetë vula e saj personale e munguar prej kohësh. Elementet e tradicionales vërehen në këtë këngë dhe kjo e bën edhe më të pëlqyeshme. “Sa ndihet Pirro Çako në këtë këngë” shkruan një koment tek kënga, dhe është pikërisht kështu. / KultPlus.com
“E vërteta për Nolin” promovohet në Prishtinë
Më 16 shkurt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, promovohet libri me titull “E vërteta për Nolin” nga autorja Entela Komnino.
Libri i promovuar së pari në Ministrinë për Evropën dhe punët e jashtme të Shqipërisë, e më pas edhe në Universitetin e Tetovës, do të jetë në duart e lexuesve të Kosovës që nga dita e premte kur në Prishtinë do të bëhet paraqitja e tij.
Promovimi bëhet nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, ndërsa autorja është e njohur si gazetare në televizionin publik shqiptar dhe është e doktoruar në letërsi./ KultPlus.com
GKK sjellë konferencën regjionale ‘Tejkalimi i kufinjve dhe rinjohja përmes artit’
Me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës organizon konferencën dy ditore me temën ‘Tejkalimi i kufinjve dhe rinjohja përmes artit’, shkruan KultPlus.
Në këtë konferencë janë të ftuar drejtuesit e institucioneve shtetërore të artit vizuel , nga Galeritë Kombëtare dhe Muzetë e Artit Bashkëkohor të vendeve fqinje.
Në ditën e parë të kësaj konference do të flasin: Shyqri Nimani, Luan Mulliqi, Zake Prelvukaj, Skender Boshtrakaj dhe Miran Mohar.
Kurse në ditën e dytë të konferencës do të flasin: Dita Straova – Qerimi, Bojana Janeva – Semova nga Maqedonia, Milan Lucic nga Serbia, Shkelzen Maliqi dhe Mehmet Behluli.
Konferenca do të mbahet në datat 13 dhe 14 Shkurt në GKK, nga ora 11:00 deri në orën 17:00, ndërsa dita e dytë do të jetë e hapur për publikun./ KultPlus.com
Shqiptarët, të panjohur në kulturën serbe
Historia e marrëdhënieve serbo-shqiptare është e pazakontë, shkruante të shtunën e përditshmja e Beogradit, “Politika”. Me asnjë popull nuk kemi jetuar bashkë më gjatë, e aq pak jemi njohur. Ç’është e vërteta letërsia dhe shkencat tona, shkruan ajo, nuk janë marrë shumë as me popujt e tjerë fqinj, transmeton Koha.net pjesë nga një shkrim më i gjatë të kësaj gazete.
“Dhe ta them, ty serb, nuk është e vështirë të afrohesh me ta, ashtu siç mendon ti; por vetëm njih veten dhe ata, pastaj puno, me zemër dhe vullnet, dhe aty do të gjesh vëllanë dhe shokun, aq të dashur; dhe me fare pak shpenzime, sa vetë do të habitesh sa lehtë do të shkojë. E di, ti serb do të më thuash: kur qenka kështu, pse këtë mësim prej tyre nuk e morën gjermanët ose italianët, ose ndonjë mbretëri tjetër që merret me këtë? Por ta dish se secilës fuqi i vjen më shumë mundim ta bëjë këtë dhe të shoqërohen me ta, sesa ty, or serb! Sepse ti nuk je fuqi, por si një moshatar i tij, prandaj shoqërohu e afrohu me ta… Kurse fuqitë nuk dinë ta bëjnë këtë, por me hapin e parë të punës së tyre me ta duan të tregojnë forcën e madhësinë, dhe t’i bëjnë fatlumë në krahët e vet, me bukurinë dhe civilizimin e pafund… Puno vëlla serb me shqiptarët dhe bëhesh mik me ta! Trokit në dyert e tyre dhe do të hapen! Puno me besnikëri dhe pa hile! Mos shpreso në ngutësinë tënde as në modestinë e tyre se do të mund t’i mashtrosh!” (Mark Milani, Jeta dhe zakonet e shqiptarëve).
Të shtunën mbushen dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, vazhdon shkrimi në “Politika”, transmeton Koha.net. Si bëhet që serbët dhe shqiptarët të mos gjejnë mënyrën për të bashkëpunuar si “moshatarë”, por i lanë fuqitë e mëdha t’i bëjnë të lumtura me “bukurinë dhe civilizimin e pafund”, siç e kishte thënë me ironi vojvoda e Kuçit (Mark Milani)?
Historia e marrëdhënieve serbo-shqiptare është e pazakontë. Me asnjë popull nuk kemi jetuar bashkë aq gjatë dhe aq pak jemi njohur. Ç’është e vërteta, letërsia dhe shkencat tona nuk janë marrë shumë as me fqinjët tanë të tjerë. Po të mos ishin shkrimtarët nga viset perëndimore nga Matavuli e pastaj Koçiqi, Andriqi, Qopiqi, Selimoviqi e Mirko Kovaç, ne as në traditën tonë thuaja nuk do të kishim figura letrare kroatësh e boshnjakësh. Ndërsa ata janë vëllezër tanë për nga gjuha besimesh të tjera. Fqinjët tanë nga Panonia janë përshkruar më mirë se shqiptarët (Tishma, Kish, Pekiq) në saj të traditës multikulturale të Vojvodinës. Por mungojnë bullgarët të ngjashëm me ne. Por, as në shkenca çështja s’është shumë më mirë. Të pakta janë librat që flasin për jugosllavët tanë, e lëre më për fqinjët e tjerë. Thuajse kemi jetuar të vetëm në ishull dhe jo të përzier me të gjithë këta fqinj, shkruan ndër të tjera “Politika” e Beogradit./ KultPlus.com
Dekorimet në qytetin e Mitrovicës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë (FOTO)
Festa e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka nisur të ndjehet edhe në qytetin e Mitrovicës, ku kanë filluar dekorimet ne qendrën e këtij qyteti, me ç’rast janë vendosur edhe flamuj të shtetit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Të premten pasdite me vendim të Këshillit Organizativ për dhjetëvjetorin e Pavarësisë u vendos ikona e parë #Kosova10 në qendër të qytetit, në afërsi të shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini, ndërsa ikona të tilla janë vendosur edhe në sheshet kryesore të 10 komunave të tjera.
Kjo ikonë është rreth 8 metra e gjatë ndërsa është rreth 1.5 metra e lartë. Ajo përfaqëson hashtagun zyrtar të 10-vjetorit të pavarësisë, andaj të gjithë qytetarët mitrovicas kanë mundësin që ikonën #Kosova10 ta përdorin në të gjitha postimet e tyre në rrjete sociale.
Përmes një njoftimi, Komuna ka paralajmëruar se e gjithë festa do të shoqërohet me aktivitete të shumta të organizuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport por manifestime të ndryshme do të këtë edhe nga shkollat e kësaj komune./ KultPlus.com
Sihana Badivuku do të prezantohet në “Rassegna Internazionale di Musica da Camera” në Milano të Italisë
Violinistja shqiptare Sihana Badivuku është pjesë e edicionit të trembëdhjetë të “Rassegna Internazionale di Musica da Camera” që mbahet në Milano të Italisë, shkruan KultPlus.
Duke pas një shtrirje të prezantimeve prej tetorit të vitit të shkuar e që do të mbyllet në gusht të këtij viti, violinistja shqiptare do të prezantohet në muajin shkurt.
KultPlus mëson se Sihana Badivuku do të prezantohet më 16 shkurt, ku do të prezantohet edhe orekstra e Milanos./KultPlus.com
“Një Miliard në Këmbë të Ngritur/a në Revolucion”, fushatë përmes vallëzimit kundër dhunës ndaj grave
Nikoqir i këtij organizimi është Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis në bashkëpunim me organizata të tjera dhe aktivistë organizon edhe këtë vit fushatën “One Billion Rising” duke e shprehur zemërimin, solidaritetin, vallëzimin si protestë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, shkruan KultPlus.
Çdo 14 shkurt në gjithë botën organizohet fushata “One Bilion Rising” ndërsa synimi është tu t’i tregohet komuniteteve lokale dhe botës se si duken një miliard vajza dhe gra, si dhe për të hedhur dritë mbi mosndëshkimet dhe padrejtësitë me të cilat të mbijetuarat e dhunës përballen çdo ditë.
Sipas statistikave, një në tri gra në planet dhunohet apo rrihet gjatë jetës së saj që do të thotë një miliard vajza dhe gra.
“Ne ngrihemi përmes vallëzimit për të shprehur gëzimin dhe për të festuar faktin se ne nuk jemi të mposhtura nga kjo dhunë. Ne ngrihemi që të tregojmë se jemi të vendosura për të krijuar një lloj të ri të vetëdijes – atë ku dhuna do të rezistohet deri sa të jetë e paparamendueshme”, shkruhet në njoftimin e këtij organizmi.
“Çohu, rezisto,bashkohu”, kjo është thirrja e këtij organizimi që do të mbahet të mërkurën më 14 shkurt, pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00./ KultPlus.com
GKK sjellë ekspozitën “Vizatimi sot”, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Galeria Kombëtare e Kosovës me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të hap ekspozitën me titull “Vizatimi sot”, shkruan KultPlus.
Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë Adem Rusinovci, Agim Salihu, Alije Vokshi, Artan Balaj, Artan Hajrullahu, Burim Canolli, Esat Valla, Fjoruntina Sylejmani, Hysni Krasniqi, Jeton Muja, Leunora Salihu, Mehmet Behluli, Musa Prelvukaj, Nebih Muriqi, Orhan Kurtolli, Rexhep Ferri, Shpend Qeriqi, Shyqri Gjurkaj, Veli Blakçori dhe Vlora Hajrullahu.
Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten, më 15 Shkurt 2018 në orën 19:00./KultPlus.com
Protokolli i Shtetit nesër e vendos flamurin e Kosovës te Rrethi
Departamenti i Protokollit të Shtetit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nesër do ta vendosë flamurin e Republikës së Kosovës te Rrethi. Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka bërë me dije për Gazetën Express se flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë përkrah atij kombëtar pasi të vendoset edhe një shtizë.
Flamuri i Republikës së Kosovës ishte vendosur te Rrethi i Spitalit nga Komuna e Prishtinës që udhëhiqej nga Isa Mustafa, por atë e kishin hequr aktivistë të VV-së, më saktësisht Sali Zyba, që më vonë kishte shërbyer drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga Shpend Ahmeti.
Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, këto ditë është përballur me presion publik për vendosjen e flamurit, por ai e kishte hequr përgjegjësinë nga vetja duke thënë se me një gjë të tillë duhet të merret kryeministri.
Por, tani duket se kjo çështje do të zgjidhet ndryshe. Me këtë çështje do të merret Departamenti i Protokollit të Shtetit, që mbulon çështje të tilla dhe është përgjegjës për organizimin e ceremonialeve shtetërore. Kjo është konfirmuar për Gazetën Express nga Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Konform Ligjit nr 03/L-132, është kërkuar nga Protokolli i Shtetit ta zbatojë ligjin sipas kompetencave të tij dhe të bëjë vendosjen e flamurit shtetëror me rastin e festës shtetërore. Pra do të vendoset edhe një shtizë te rrethi kryesor i Prishtinës, me parametra adekuate”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Gazetën Express.
Duke e krijuar vetveten
Ragip SYLAJ
Ke ardhur këtu nga një pikë (çuditje)
Me paralajmërim por pa trokitje
Je rrahur nga dallgët je pjekur nga dielli
Ke kaluar humnera që i ka nënqielli
Ke hapëruar mbi frikën e mbi dhembjen
Duke gjakuar të drejtën
Duke urryer të shtrembëtën
Duke ushqyer virtytin si dënim të vetes
Duke ëndërruar përsosmërinë
Duke i dhënë ujë etjes
Në rrugë në shtigje fati
Kërkove Pemën e Jetës
N’ecjet depresive s’e pive ujin e Letës
Të tundoi e pambërrishmja
Si kërkimtar e lakmues bukurish
Të sprovoi e pa sprovueshmja
Në leqe hyjnish
Pastaj ia the këngës pa zë
Në heshtjen e thellë sa deti
Si aed antik e me gjëmë poeti
Më vonë një tronditje
Nën këmbë ta lëkundi Dheun
Ti që kishe luajtur Sizifin
E kishe imituar Anteun
Para se të vdirreshe
Mësove ta vlerësosh jetën
Dhe si alkimist shestove
Ta rikrijosh vetveten
Bëj të kumbojë muzika e sferave
Në skaj të kësaj bote
Dhe mundëso të gjelbërojë
Brenda teje shkretëtira jote
Ndaj rritu nga fillimi
Me të lartin synim
Ta shpëtosh vetveten
Dhe botën Amin!/KultPlus.com
“Bardh”, të mërkurën në TKK
Të mërkurën më 14 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës, vjen shfaqja “Bardh” me tekst të Dubravko Mihanovic, e regji të Fatos Berisha, shkruan KultPlus.
Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic është një tregim me dialog minimalistik të dy personazheve, të cilat janë Mjeshtri dhe Ndihmësi i tij që lyejnë me ngjyrë muret e një banese. Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre.
“Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit. Përmes marrëdhënies arketip: mësues-nxënës, e dy njerëzve nga margjinat e shoqërisë, vepra sjell një tregim që trajton probleme ‘të mëdha’ shoqërore-sociale”, thuhet në komunikatën dërguar medieve. E cila vazhdon tutje të sqarojë se është pikërisht bota jashtë dritares e cila ua tërheq gjithnjë vëmendjen dhe i jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim.
“Të them të drejtën, unë tentoj që gjithmonë të sjellë risi në projektet e mia, por kjo gjë nuk është e lehtë natyrisht. Në anën tjetër, në vazhdimësi më preokupojnë temat sociale dhe fatet e njerëzve nga margjina e shoqërisë, dhe ky tekst më ka ofruar pikërisht atë. Është një dramë për ‘peshqit e vegjël’”, pati thënë regjisor Berisha në intervistën e tij për KultPlus.
Drama ‘Bardh’ është shpërblyer në vitin 1998 me çmimin vjetor kroat të Ministrisë së kulturës së Kroacisë. Në shfaqje luajnë aktorët: Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj, skenografia dhe kostumet: Arben Shala, përkthimi nga kroatishtja: Fatos Berisha.
“Bardh”, është premiera e parë e vitit 2018-të që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Reprizat vijnë më 23 dhe 24 shkurt./ KultPlus.com
Aktorët nuk lejohen të hyjnë në Teatrin Kombëtar (VIDEO)
Artistët e Teatrit Kombëtar nuk janë lejuar sot që të hyjnë në mjediset e tyre të punës, në një kohë që vijojnë të kundërshtojnë fuqishëm projektligjin e ri të ministrisë së Kulturës për artin dhe zhvendosen te “Turbina”. Regjisori Altin Basha ka ftuar ministren Mirela Kumbaro që ditën e mërkurë në orën 16:00 të vijë në godinën e Teatrit Kombëtar për dialog me artistët.
Aktori Bujar Asqeriu ka bërë një deklaratë të fortë teksa është shprehur se askush nuk e çan trapin për artistët. Ai tha se artistët kanë rroga më të ulëta dhe se nëpunësit e shtetit, ndërsa shtoi se politikanët e kanë mendjen të vjedhin.
“Artisti më i mirë merr një rrogë sa nëpunësja më e ulët e shtetit. Zoti i paftë ata që vjedhin. Nga jeta ikën artistët më të njohur dhe askush nuk e çau trapin për ta. Bujar Lako jetonte në një dhomë 50 metra katror dhe askush nuk u kujtua për ta. Ndonjëherë them pse të flas, për çfarë të flas?! Mendojnë sesa do fitojnë dhe me kë do e bëjnë qejfin dhe jo për ne”, u shpreh Asqeriu.
“Asnjë nga ne nuk e ka marrë një email nga ana e Ministres së Kulturës, ne si artistë nuk jemi lejuar që të hyjmë në ambientet e brendshme të Teatrit. Ky vend nuk është as i ministres dhe as i drejtorit. Ligji bëhet për artistët dhe atyre nuk iu është kërkuar mendimi i tyre”, u shpreh më herët regjisori Altin Basha.
Arben Llapashtica dhe Shkëlzen Rexha me ekspozitë të përbashkët në New York
Për nder të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, artistët Arben Llapashtica dhe Shkëlzen Rexha nesër do të prezantohen me ekspozitë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, në New York, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, quhet “Breathing new life” në nderim të një dekade pavarësi të shtetit tonë më të ri.
Ekspozita do të hapet nesër duke filluar nga ora 18:00 ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 16 shkurt./ KultPlus.com
FemArt hapë thirrjen për edicionin e gjashtë
FemArt 6 – Festivali i Artisteve dhe Aktivisteve, zyrtarisht ka hapur thirrjen për aplikimin e pjesëmarrëseve për edicionin e 6-të.
Thirrja është e hapur nga data 06 shkurt deri më 30 mars 2018, ndërkaq me qindra artiste dhe aktiviste nga Kosova, rajoni dhe mbarë bota kanë aplikuar për të qenë pjesëmarrëse.
Festivali FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që për katër vite radhazi ka bashkuar artiste dhe aktiviste nga mbarë bota në zemrën e Kosovës.
Qendra për Art dhe Komunitet – Artopolis, këtë vit organizon për herë të 6-të Festivalin FEMART duke filluar nga data 25-30 Maj, 2018 në qytetin e Prishtinës.
Festivali FEMART çdo vit angazhon mbi qindra artiste dhe aktiviste të cilët prezantojnë punën e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Film Dokumentar, Filmit të Shkurtër, Leximeve skenike, Artit Vizual, Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Promovime Librash, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantime të ndryshme në formë të artit.
Edhe këtë vit, me plot befasi, FemArt do ta bëjë javën e fundit të majit të paharrueshëm për artdashësit.
Ndërkaq thirrjen e plotë në gjuhën shqipe gjeni të bashkangjitur më poshtë:
THIRRJE PËR APLIKIM FEMART 6 / RUN THE SHOË FESTIVALI I ARTISTEVE DHE AKTIVISTEVE 25-30 MAJ 2018, PRISHTINË, KOSOVË FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh më i madhi në rajonin e Ballkanit që për pesë vite ka bashkuar artiste dhe aktiviste nga mbarë bota në zemrën e Kosovës. Si çdo herë tjetër, edhe këtë vit, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, organizon për herë të 6-të Festivalin FEMART nga 25-30 Maj 2017 (6 ditë) në qytetin e Prishtinës. FEMART çdo vit angazhon qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin angazhimet e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmit, Film Dokumentar, Film të Shkurtër, Leximeve Skenike, Artit Vizual, Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Promovime Librash, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantime të ndryshme në formë të artit. Festivali është një platformë për fillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve profesionale të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe në njohjen e të drejtave të njeriut. Nëse jeni të interesuara që të prezantoni punën tuaj artistike në ndonjërën nga disiplinat e lartëpërmendura, ju inkurajojmë të APLIKONI! Aplikimet të dërgohen në [email protected] Aplikimi është i hapur nga data 06 Shkurt – 30 Mars 2018. Njoftim paraprak: Vetëm kandidatet e pranuara do të kontaktohen! Më shumë informacione mbi festivalin klikoni në vegzën: http://femart-ks.com/
Na gjeni edhe në Facebook: https://www.facebook.com/FemartPrishtina/
Forma e aplikimit:
https://docs.google.com/forms/d/1CNwLudJXJOEfvmnQkkRSt4HC4ezWaq_FmXq2EdiTSf0/edit
100 thëniet më të bukura të Faik Konicës
Se Faik Konica ishte intelektual i papërsëritshëm shqiptar, dëshmi janë edhe thëniet e mëposhtme, që u mblodhën, u përkthyen dhe u përgatitën për botim nga Fotaq Andrea.
1. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).
2. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897).
3. Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).
4. E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).
5. Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).
6. Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).
7. Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).
8. Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).
9. Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).
10. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).
11. Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).
12. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).
13. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).
14. Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).
15. Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).
16. Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
17. Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
18. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
19. Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).
20. Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
21. Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
22. Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).
23. Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).
24. Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).
25. Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).
26. Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).
27. Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).
28. Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).
29. Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).
30. Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).
31. Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901).
32. Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit (Albania, 15 shtator 1901).
33. E sa ia vlen të vazhdosh një diskutim të rëndomtë përpara një qëndrimi kokëfortë? (Albania, 15 tetor 1901).
34. Është krim të trazosh lumturinë e budallait (Albania, 9janar 1902 f. 24 G).
35. Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi (Albania, prill-maj 1902, G, f. 113).
36. Popujt e Ballkanit janë të gjithë me mentalitet të kufizuar (Albania, shkurt 1903).
37. Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar (Albania 2, 1904).
38. Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti (Albania, nr.2, 1902).
39. Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre. (Albania 1, 1909).
40. Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja, e ashtu u prishet më shpejt organizmi (Albania 5, 1899).
41. Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë (Albania 2, 1899).
42. Kur e nget një njeri, s’ke të drejtë t’i thuash pse më nget (Albania 2, 1899).
43. Frika të bën të thuash broçkulla (Albania 4, 25 qershor 1897).
44. Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë (Albania 3, 1904).
45. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë (Albania, 4 prill 1904).
46. Atje ku nuk ka as forcë të brendshme në lëvizje, as interesa të jashtme në lojë, thashethemet e disa gazetarëve të huaj nuk mund ta çojnë përpara as edhe një jota zgjidhjen e një problemi politik (Albania 5, 1905).
47. Frikacaku i ka tërë karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët (Albania 5, 1905).
48. Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).
49. Padurimi shoqërohet gjithnjë nga dështimi (Albania 5, 1905).
50. Më mirë shtrëngo rripin denjësisht, se sa të pëllasësh nga uria (Albania 5, 1905).
51. Kur tinzarinë e përdor si diplomaci, poshtërsinë si shkathtësi, harbutërinë si forcë, domosdo të duket vetja i papërballueshëm. Por betohem për kamxhikun e Skënderbeut se në rastin më të parë do të bëj të ndërrosh mendim! (Albania 5, 1905).
52. Rrallë mund të jesh profet i keq po qe se parathua vetëm gjëra me shumë gjasa (Albania 6, 1905).
53. Gjërat tepër qesharake zbavitin edhe më budallain (Albania 6, 1905).
54. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive (Albania 6, 1905).
55. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, mosinteresimi dhe butësia (Albana 4, 1906).
56. Besimi është aritmetika e idealistëve, që i bën të besojnë se gjashtë egoizma të forta janë baras me një bujari të plotë (Albana 4, 1906).
57. Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër (Albania 11,1907).
58. Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston (Albania 11, 1907).
59. Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen (Albania 5, 1907).
60.Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve (Albania 5, 1907).
61. Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime (Albania 5, 1907).
62. Koncepti i turqve për qytetërimin kufizohet thjesht në përdorim pomadash dhe në spërdredhje çupëlinash (Albania 12, 1909).
63. Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë (Albania 12, 1909).
64. Fjala e urtë e njohur : “gjithkush sipas shijes së vet”, mbetet përjetësisht e vërtetë (Albania 7, 1905).
65. “Patriotët” e aty-këtushëm janë duke e bërë qesharak patriotizmin me lloj-lloj maskarallëqesh e lloj-lloj teprimesh të shpëlara (Albania 1, 1905).
66. Botëkuptimi i një patrioti të vërtetë : të ngjallësh tek kombit tënd – me shijen e mendimit intelektual dhe me ndjenjë të fuqishme dinjiteti kombëtar – dëshirën e zjarrtë për përparimin e shoqërisë në kuptimin e plotë të fjalës. Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës (Albania 1, 1905).
67. Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve (Albania 5, 1905).
68. Përsosuria absolute nuk ekziston në një gjuhë që vetëm flitet; u takon shkrimtarëve për ta përpunuar (Albania 5, 1905).
69. Guximi i tepruar shkon gjer në krim (Albania 6, 1905).
70. Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle (Albania 6, 1905).
71. Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë (Albania 6, 1905).
72. Nëse shfaqem se mbaj ndonjë rezervë, do thosha se të mbash rezerva në disa raste, do të thotë gjithashtu edhe të lëvdosh. Ndaj një shkrimtari me nivel intelektual dhe talent, paanshmëria është një formë epërsie e nderimit (Albania 4, 1906).
73. Për mungese kulture, besimet, ashtu si dhe idetë, vdesin(Albania 4, 1906).
74. Respekti ndaj pronës private është një virtyt i vështirë, zbatimi i të cilit gjithmonë ka kërkuar ndërhyrjen dhe ndihmën e mirëmbajtësit të rregullit (Albania 4, 1906).
75. Turqit janë një popull oriental e teokratik, nomadë dhe pushtues. Brenda këtij karakteri të katërfishtë ndodhet çelësi i krejt historisë së tyre (Albania 4, 1906).
76. Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori (Albania 4, 1906).
77. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia (Albania 4, 1906).
78. Të lehtësosh mjerimin e kundërshtarëve tanë është një veprim i meritueshëm. Të mbështetësh pretendimet e tyre politike është të bëhesh bashkëfajtor i një pabarazie. Të nxitësh lëvizjen tonë është të ndihmosh për një vepër nga më fisniket: çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër (Albania, vëll XI, 1907).
79. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar (Albania 4, 1907).
80. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm (Albania 2, 1907).
81. Çdo aleancë duhet të bëhet mbi bazën e parimit do ut des (më jep, të të jap) (Albania 2, 1907).
82. Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë (Albania 12, 1909).
83. Shkenca e edukimit është shkenca e së ardhmes, e para nga të gjitha, duke qenë se është motori i krejt të tjerave (Ese për edukimin hyrje ).
84. Individë të dënuar me sëmundje të pashërueshme, të çfarëdo natyre qofshin, nuk ka si ta shohin veten të zhveshur nga një epsh që ndez instinkti (Ese për edukimin).
85. Fëmija qan dhe bërtet për dy arsye: herë ngaqë ka gjumë a vuan, dhe vihet re kollaj duke përdorur këtë apo atë ilaç që i përshtatet, herë ngaqë nuk bën gjë tjetër – falë një instinkti të mrekullueshëm – veçse ushtron zërin e tij. Dhe në këtë rast të fundit duhet lënë të vazhdojë në punë të vet.
86. Një nga detyrat më të vështira të edukimit ka të bëjë me atë që unë do ta quaja pa frikë kundër-trashëgimia. Ashtu sikurse ka kundërhelme, ka në fakt edhe një trajtim psikik për të zbutur apo zhdukur – sipas shkallës së qëndresës që shfaqin– të metat, pasionet apo veset e trashëguara. (Ese për edukimin).
87. Mendimi i lirë nuk i nënshtrohet asnjë sektarizmi; pasioni antifetar, më shumë nga ateizëm, nuk është veçse një devotshmëri zvetënuese. Ateizmi është asnjanësia. (Ese për edukimin).
88. Zotërimi i shumë gjuhëve është për një të njeri të shkretë një armë e mirë dhe municion shumë i mirë… Gjuha njihet vetëm kur mund të mendohet nëpërmjet saj. (Ese mbi edukimin).
89. Edukimi është shkencë, shkenca e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit njerëzor. (Ese për edukimin).
90. Qartësia apo paqartësia, saktësia apo pasaktësia e ideve dhe e mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varen shpesh nga metoda e mirë apo e keqe e të menduarit, ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s’është gjë tjetër veçse si t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore. (Ese për edukimin).
91. Qeni tund bishtin, kurse njeriu duartroket. Është, si tek njëri dhe tek tjetri, një mënyrë për ta bërë të dukshme kënaqësinë që ndjejnë. (Skice metode për t’u duartrokitur).
92. Moda, sot, është drejt artificiales. (Ese për gjuhët artificiale).
93. Gjuha përfaqëson, me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e tij të zakontë për të përcjellë idetë. (Ese për gjuhët artificiale).
94. Tek harrojnë të djeshmen, tek përbuzin të ardhmen, bohemët jetojnë të përditshmen dhe vetëm e tashmja u intereson. (Ese për gjuhët artificiale).
95. Jeta e njeriut nuk është veçse një vijimësi mendimesh dhe veprimesh, të drejtuara qoftë mendimet, qoftë veprimet në një mënyrë të caktuar. (Ese për gjuhët artificiale).
96. Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli… sa më shumë përgjithësohen tek një popull mirësjellja, takti dhe ai qëndrim i përmbajtur për të respektuar rregullat e vendosura në një shoqëri të zhvilluar, aq më shumë pasthirrmat priren drejt zhdukjes. Si të tilla, tek formonin fjalorin e njeriut të egër primitiv, teksa i shohim në përdorim aq të dendur midis popullatave të Afrikës moderne, teksa ende çmohen në letërsinë e racave të ngrohta dhe komunikuese të Jugut, pasthirrmat nuk janë më veç një kujtim disi qesharak ndër shkrimtarët gjithë elegancë të shumicës së vendeve të Veriut. (Ese për gjuhët artificiale).
97. Detyra parësore, detyra e vetme e përkthyesit është të ketë një dije dhe një ndjeshmëri të tillë sa të mund të shohë e të ndjejë krejt mprehtësitë dhe ngjyrimet e tekstit origjinal, të shohë e të ndjejë idenë e autorit, as më lart e as më poshtë, si dhe ta japë përkthimin në mënyrë të tillë që të veprojë në trurin dhe nervat e lexuesit në masë të njëtrajtshme. (Ese për gjuhët artificiale).
98. Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit është stili. (Ese për gjuhët artificiale).
99. Ironia, kjo bimë me aromë të këndshme e të lehtë. (Ese për gjuhët artificiale).
100. Ritmi ndihmon më shumë se gjithçka për t’i dhënë stilit shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Është qarkullimi i gjakut dhe rrahja e zemrës. Andaj dhe është karakteristika më vendimtare e shkrimtarit të vërtetë (marrë nga Tirana Observer).