Policia e Kosovës e ndërprenë natën e muzikës kurde në Prishtinë

Sipas informatave që ka KultPlus, sonte në Prishtinë është ndërprerë një natë me muzikë kurde në Qendrën Sociale Sabota.

Qendra gjendet në Prishtinë.

Fillimisht ky organizim ishte ndërprerë nga Policia e Kosovës për disa minuta, me që rast policia kishte kontrolluar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje, ndërkaq më vonë kjo ngjarje ka vazhduar pa ndonjë problem.

“Influenc se jo mahi, midis shtetit, midis kryeqytetit, ta ndeprejne edhe nje organizim te nje qendre kulturore, me policine e shtetit te pavarur qe 10 vjet, me policine tande, kjo ka ndodh ose ndodh ne shtetet totalitare. Posa me erdhen informatat se ne Qendren Sociale Sabota ne Prishtine, ndeprehet organizimi per shkak se kjo qender ka planifikuar te leshoje muzike kurde. Qofsha i gabuar ne te kunderten ky vend nuk ka lidhje me demokracine” ka shkruar në rrjetin social Facebook gazetari Milot Hasimja.

“Muzika kurde asht muzike
me plot vujtje, heroizma e dashni.Duke qene te shtypun me shekuj, muzika ka qene ai medium permes te cilit kurdet e kane mbajte gjalle identitetin e tyne.
Kurdet, ni popull 40 milionesh po historikisht te diskriminum e te tradhetum. Te shperndam ne kater shtete (Turqi, Siri, Irak, Iran) ata konstant luftojne per te ruajtur identitetin e tyne social e kulturor.
Te gjendun ne hapsina ku diktatura ka dominuar edhe dominon me dekada cdo sfere te jetes, kurdet shfaqen si shprese per clirimin e individit.
Viteve te fundit rajoni i Rojava (Siria veriore) u bo shprese per te gjithe revolucionaret neper bote. Lufta e tyne kunder ISIS-it

dhe kryesorja, lufta e tyne per clirimin e gruas ngjallen nje entuziazem te ri. Grate kurde bashke me ato arabe, asiriane, etj. kapen armet dhe bashk me burrat arriten ta mposhtin ISIS-in ne “kryeqytetin” e tyre. Tash ky revolucion po rrezikohet prej fashizmit te shtetit turk i cili bashke me aleatet e tyne teroriste (tu e perfshi Al-Qaeda) jane duke i sulmuar civilet ne kantonin e Afrinit ne Rojava” shkruhej në eventin e kësaj nate në rrjetin social Facebook.

Për këtë ndërhyrje policore është shkruar edhe nga faqe të tjera që e mbështesin SABOTAN dhe të cilat kanë treguar për ndodhinë në orët e vona. / KultPlus.com

Plisi në vend të fesit

– Kur isha fëmijë, plotëson imazhet për qytetin e dikurshëm, profesori Hamdi Spahu mbaj mend se në Prishtinë shkollimi fillor ishte i obligueshëm deri në klasën e katërt, kurse më vonë orientimi i të rinjve bëhej nëpër zeje të ndryshme që ushtroheshin asokohe: ndër saraçë, këpucëtarë, nallanexhinj, kënataxhinj, kasapë etj. Një numër i zanatçinjve përvetësonin të rinjtë për zejet e tyre. Siç dihet, të rinjtë aty kalonin nga 10-15 vjet, derisa merrnin zanatin, pra derisa të bëheshin mjeshtër.

Të martave, dyqanet ekspozonin mallin nëpër qepena. Standardi ishte fare i ulët.

Prishtinasit mbanin mbi kokë kryesisht fesin, kurse katundarët që vinin për tu furnizuar mbanin plisa të bardhë. Me ardhjen e gjermanëve, së pari e pamë flamurin kombëtar dhe të rinjtë, ata pak intelektualë, filluan të kuptonin më mirë se ishin shqiptarë. Përmes bursave të ndryshme dhe mësuesve të ardhur nga Shqipëria, prishtinasit filluan të mësonin gjuhën shqipe. U ndërrua fesi me plis.

Në Prishtinë është folur kryesisht gjuha turke, madje edhe intelektualët shqiptarë flisnin turqisht në shtëpi.

Bile, rrallë ndonjë qytetar serb të mos e dinte turqishten. Ndërsa të ardhurit përçmoheshin si “qyl”.

Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Albana Ejupi, finaliste e Konkursit Ndërkombëtar të Pikturës në Poloni

Piktorja e re nga Kosova, Albana Ejupi, është kualifikuar në listën e finalistëve të “Konkursit të 3të Ndërkombëtar të Pikturës”, që do të mbahet në Poloni, shkruan KultPlus.

Për të qenë pjesë e listës së finalistëve, puna e Albana Ejupit ka kaluar në tri etapat të vlerësimit.

“The 3rd International Painting Competition” Poloni (Misioni i Konkursit Ndërkombëtar të Pikturës) ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e punës se piktorëve të talentuar nga Polonia dhe nga kontinenti.

Ky konkurs këtë vit arriti të mbledhë gjithsej 586 aplikues, ku nga ta në fazën e dytë kaluan 54 artistë, për të vazhduar në rundin final me emrat e 24 artistëve finalist, shkruan KultPlus.

Ceremonia e shpalljes së tre fituesve do të bëhet pas dy ekspozitave ndërkombëtare në Poloni.

Ekspozita e parë do të paraqitet në galerinë “Galeria przy Kozach Służewskiego Do-mu Kultury “, më 9 mars 2018 deri më 4 prill. Ekspozita e dytë do të paraqitet në Galerinë e Pikturës së Akademisë së Arteve të Bukura (ASP) në Krakov.
Ekspozita do të fillojë në 6 Prill dhe do të zgjasë deri në 22 e prillit 2018. / KultPlus.com

Paqe e harruar

Brikenë Ceraja Beka

Në fund të tokës dua të shtrihem
Sa kam mall të puth
Paqen që ma kanë gozhduar
Ty tokë po të lë nën bardhësinë e vonuar
Po shtrihem mu në fund të tokës
Të dehem me dashurinë tënde
Më thirr!
Atje mu në fund
Ka vite që më pret
E të marrët le të vallëzojnë mes lakuriqësive
Le të ikë nga përditshmëria fantazma ime
Ti dehje që më pastron nga pluhuri i kohës
Kam mall të të puth paqe e harruar.

(Poezia është një prej dhjetë poezive finaliste të edicionit të dytë të konkursit ‘KultStrofa’ organizuar nga KultPlus).

Ndahet nga jeta aktori serb Nebojsha Glogovac

Nebojsha Gllogovac, aktori i njohur i teatrit serb është ndarë nga jeta në moshën 48 vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e Beogradit. Vetëm pak kohë më parë Nebojsha Gllogovac ishte në Tiranë për të interpretuar veprën e Shekspirit “Romeo e Zhuljeta”.

Pas premierës që pati në Beograd, kjo vepër që u realizua me aktorë serbë e shqiptarë udhëtoi drejt Prishtinës e Tiranës. Shfaqja me regji nga Miki Manojlović dhe bashkëproducentit nga Kosova, Jeton Neziraj ishte një projekt i përbashkët teatror që synonte të thyente barrierat gjuhësore dhe urrejtjen nacionale mes dy popujve duke përçuar mesazhin e integrimit dhe harmonisë mes njerëzve pa dallime etnike.

Në këtë projekt të rëndësishëm intepretuan aktorët Uliks Fehmiu,: Mensur Safciu, Nikola Rakoçeviq, Armend Ismaili, Goran Jevtiq, Armend Baloku, Faris Berisha, Edona Reshitaj, Natasha Tapushkoviç, Anita Mançiç dhe Arta Selimi. Dramaturgjia nga Olga Dimitrijević, skenografia, Branko Hojnik, kostumografia Zora Mojsilović Popović, koreografia, Sonja Vukićević. Shfaqja u dha në dy gjuhë, serbe dhe shqiptare.

Nebojsa ka qenë jo vetëm një aktor i jashtëzakonshëm, por edhe bashkëpunëtor e njeri i shkëlqyeshëm. Vdekja e tij është një humbje e thellë jo vetëm për skenën kulturore në Serbi, por për krejt regjionin. / KultPlus.com

Fillon një peticion online për vendosjen e Flamurit të Kosovës “Te Rrethi”

Në prag të 10 vjetorit të pavarësisë po bëhet thirrje për nënshkrimin e një peticioni on-line në Facebook. Ky peticion po kërkon vendosjen e flamurit të Republikës së Kosovës në hyrje të Prishtinës, konkretisht “Te Rrethi”.

Në këtë pjesë aktualisht është i vendosur flamuri i Shqipërisë.

Kjo nismë kërkon vendosjen e flamurit të Kosovës “Te Rrethi”, krahas atij Kombëtar.

“Nuk jemi kundër flamurit kuq e zi, i cili ka një simbolikë për gjithë kombin tonë, mirëpo për festen e 17 shkurtit – dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti kërkojmë që të vendoset flamuri i pavarësisë, pra flamuri i Republikës së Kosovës????????”, sqarohet në këtë nismë.

Një faqe në Facebook e krijuar nga katër persona po bën thirrje që kjo të ndodh në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Së fundmi flamuri Kombëtar u hoq nga kjo pjesë e kryeqytetit për një kohë të shkurtër nga një artist. Në vend të tij u vendos flamuri offside. Artisti kishte sqaruar se këtë vepër arti e kishte bërë për të paraqitur realitetin dëshpërues të Kosovës. / KultPlus.com

Rugova dhe Demaçi, dy Sakharov në dy vite të vështira (VIDEO)

Dy njerëz të njohur për idealin e tyre, arritën që të bënin krenarë shqiptarët me një çmim që është jo pak i lakmuar në fushën e paqes dhe stabilitetit mes popujve.

Në vitin 1991, Adem Demaçi do të merrte çmimin Sakharov për Paqe.

Çmimi që jepet nga Parlamenti Evropian i ndahet vit për vit individëve apo grupeve që punojnë për të drejtat e njeriut.

Demaçi do ta merrte çmimin në vitin 1991, si një figurë e cila punoi një pjesë të madhe të jetës për të drejtat e njeriut, duke i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në kohë e regjime të ndryshme. Në vitin 1996 ai do të angazhohej në një prej partive politike në Kosovë, ndërsa në periudhën 1998-1999 ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së.
Kur e pranoi çmimin, Demaçi tha se “liria e fjalës është i pari hap drejt demokracisë. Pa liri të fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk mund të ketë një të vërtetë, dhe pa të vërtetën progresi është i pamundur”.


Të njëjtin çmim në vitin 1998 e morri Ibrahim Rugova.

Parlamenti Evropian e laureoi Rugovën me këtë çmim, si njeri që u përkushtua për principet e rezistencës paqësore ndaj dhunës. Ai mbeti gjithmonë paqësor krahas regjimit serb, e u quajt Gandi i Ballkanit pasi gjithmonë kërkoi dialog me Serbinë në kohën kur ajo dëshironte gjenocid në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në vitin 1992, ai u zgjodh president i një republike që njihej vetëm nga Shqipëria. Çmimin Sakharov për Rugovën përfaqësonte një njohje të sakrificës dhe betejave të shqiptarëve ndër vite.

Edhe Rugova por edhe Demaçi e pranuan çmimin personalisht para të pranishmëve në sallën e Parlamentit Evropian.

Ndër vite çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit e kanë marrë personalitete e grupe të ndryshme. Në vitin 2012-të çmimin e morri regjisori iranian Jafar Panahi, ndërsa në vitin 2013-të këtë çmim e morri Malala Yousafzai. / KultPlus.com

Letra e Kamysë drejtuar të dashurës së tij

– ”Ti gjaku im”, – i shkruante Kamy të dashurës Kazares,
dhe ajo i përgjigjej:
– “Pres mrekullinë të më rishfaqë praninë tënde”
– ”Ti je ajo që do të doja më shumë se jeta dhe qielli”,
– ”Atëherë po të dërgoj diejt e zemrës…”
Letra të zverdhura nga koha
që sot enden e shtegtojnë në mijra udhë të botës,
fjalë si prushi në sytë e tu, të mi,
i kthej letrat ti shoh për nga qielli
dhe fjalët më shkojnë tutje si mizëri harabelësh,
i kthej për nga dielli
dhe lexoj se Kazares po digjet nga një zjarr,
shkoj dhe i lexoj buzë detit
dhe dallga ma mbulon fytyrën plot shkumë,
pastaj siluetat e tyre shkojnë, vijnë,
është vonë, duan të flenë,
të mbyllin portat dhe të kërleshen
në shtratin ende të kuq,
dy dashnorë prej mishi e gjaku
dy dashnorë prej zjarri e pluhuri
që ngrihet lart në mugëtirën e agut.
Letra me aromë dielli që tunden në erë
si shami të kuqe, të bardha, të zeza,
sa shumë shami për këtë dashuri,
mesazhe për kohën që nderet e ndalon
në cep të buzëve,
në ijet e kolme që përvëlojnë nga dëshira,
ku prushet më së fundi rreshken, shuhen,
mesazhe për vetminë e madhe
që ditën e ktheu përfundimisht në natë
që dritën e ktheu në errësirë
nobelisti kërkonte zjarrin e Prometeut
ta çonte gjer në skajet e botës,
ah, ky «Njeri i revoltuar»
ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…
Atëherë dritarja mbyllet,
shpendi shtegtar ndoshta s’do të kthehet më,
Kazares lëshohet mbi shtrat në letargjinë e gjatë
pa mundur të jetë lehonë,
pa mundur të dehet dhe njëherë e të klithë
për të dashurin që i shkroi ”Po vij…”
dhe që nuk i erdhi kurrë…
ah, ky «Njeri i revoltuar»
ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…

Luan Rama

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mbulohet me flamur

Ndërtesa e Qeverisë sot ka marrë një pamje shumë të bukur. Përgjatë saj është lëshuar flamuri shtetëror i Kosovës duke i dhënë ndërtesës një pamje mjaftë të bukur, shkruan KultPlus.

Gjithë kjo është realizuar në kuadër të 10-të vjetorit të Pavarësisë. Kurse zbukurimet kanë filluar edhe në pjesë të tjera të qytetit në Prishtinë por edhe qytete të tjera në shënim të kësaj ditë të rëndësishme./KulPlus.com

Alfred Mirashi Milot : Nuk duhen më çelsa, tashmë duam një botë të hapur

Artisti shqiptar që braktisi Shqipërinë bashkë me mijëra të tjerë shqiptarë nëpërmjet anijes së famshme që shkonte për Itali, tashmë është shndërruar në një artist mjaftë identifikues, pasi që, vepra e tij “Çelsi” simbolizon hapjen e portave, të kufijve dhe të çdo pengese tjetër që mund ti shfaqet njerzimit. Mediet italiane këtë vit kanë pas nën llupë veprën e këtij artisti, pasi që një skulpturë e tillë është e vendosur në njërin nga qytetet e Italisë, vend që i hapi portën pikërisht Alfred Mirashit. Por ky artist ka vendosë që mbi supe të tij ta bartë një qytet të tërë të Shqipërisë, pasi që emrin e qytetit të tij Milot, tashmë e ka shndërruar në emrin e tij artistik. Në një intervistë për KultPlus, Miloti ka treguar se si këtë vepër akoma nuk e ka prezantuar në Shqipëri.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju njiheni për goditjen tuaj nëpërmjet veprave, sikurse është skulptura e “Çelsit” skulpturë që u përcoll nga mediet më prestigjioze të Italisë, na tregoni më shumë për çelësin?
Alfred Mirashi Milot:
Kur pritet mirë nga mediet italiane një vepër arti kështu monumentale , për artistin është diçka magjike , sepse duket sikur të shpërblehet mundi dhe djersa e shumë viteve për të arritur diçka në jetë, është për tu habitur, sepse një gjë e tillë ndoshta është hera e parë që në Itali bën kaq shumë bujë , nëpër tv, radio e gazeta. Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se kjo skulpturë “ Çelësi i Cervinares”, u mirëprit edhe nga mediat në Shqipëri. Mesazhi i madh që jep kjo vepër është pothuajse aktual, problemi i komunikimit kontemporan, internacional.

KultPlus: Pse pikërisht Çelësi nëpërmjet veprave tua artistike?
Alfred Mirashi Milot:
Mendoj që çdo artist e ka ëndërr në jetë që të njihet me stilin e vet personal, brenda çdo dite të lind pyetja se çfarë mund të bëj diçka personale që të ngelet në historinë e artit, dhe lindi ideja origjinale e Çelësit , një “objekt i përdorur kudo në bote” që unë e bej te papërdorur, sepse nuk duhen më çelësa, tashmë duam një botë të hapur.

KultPlus: Ju jeni një ndër dhjetëra mijëra udhëtarët që vërshuan anijen e famshme prej Durrësit në Itali, ku edhe u larguat prej Shqipërisë,dhe tashti, çelësin po ua dhuroni vetë italianëve, ka një ndërlidhje kjo me të shkuarën tuaj prej një refugjati?
Alfred Mirashi Milot:
Viti 1991 për shumë bashkatdhetarët e mi ishte një vit që populli ynë se harron kurrë , se si u larguam nga atdheu ynë, një histori ku është folur shumë dhe e dinë pothuajse të gjithë, unë ja dhurova këtij qyteti Cervinares , sepse ata me mirëpriten, në mënyrë te shkëlqyer, dhe mbas 26 vitesh erdhi dhe momenti im që t’ua shpërbleja me një vepër arti monumental, ku ajo sot është vendosur në hyrje te qytezës, dhe që i tregon botes një mesazh fantastik, mikpritjen e mënyrën për tu integruar në jetën e përditshme.

KultPlus: Megjithatë, refugjatë nga të katër anët e botës, të rrëqethë kur dëgjon për refugjatët?
Alfred Mirashi Milot:
Bota sot është në krizë te tmerrshme në shume vende të botes, sepse ka humbur komunikimi, pastaj burokracia, indiferenca mbizotërojnë shoqërinë e sotme kudo, por duhet te kemi kurajë te ndihmojmë njeri-tjetrin , sepse kështu bëhemi më të dashur dhe krijohet një shoqëri e vërtetë ku besoj që është e vetmja rrugë e botes së ardhshme.

KultPlus: Mirëpo, edhe përkundër faktit që zgjodhët të braktisni Shqipërinë, ju emrin e vendlindjes suaj e bartni kudo, pasi që emri artistik i juaji është Milot, emër që vjen nga vendlindja e juaj, si tingëllon të të thërrasin në emrin e një qyteti?
Alfred Mirashi Milot:
Është një sfidë e imja personale që të mposht paragjykimet që kishim përpara disa viteve kundrejt shqiptarëve në Evropë dhe Itali, ku unë asnjëherë se kam venë në dyshim nga vij, dhe kur dëgjoj emrin Milot, te paktën sot me karrierën time artistike është me shume se një emër ARTI.


KultPlus: Flasim më konkretisht për Çelësin, kur filloi rrugëtimin dhe në sa vende deri më tashti është prezantuar kjo skulpturë e juaja?
Alfred Mirashi Milot:
Në pikture çelësi në telajot e mia është ekspozuar në shumë vende të botes, pra mund të them se është ekspozuar pothuajse kudo, në Evropë , SHBA e Kinë, ndërsa si skulpturë tani për tani në Itali. Ekspozimin e saj e fillova në Venecia ku me ftoi kritiku Paolo de Grandis në Open 14, pastaj në Pietrasanta ku me ftoi Kryetari i komunës- Massimo Mallegni, në komunën e Lizzawllo , afër Lecce (më ftoi) kritiku profesori Massimo Guastella në evenimentin “Arti e të drejtat e njeriut” kurse tani skulptura më e madhe e imja, që është gati 20 metra, ndodhet në Çervinara , Avelino.

KultPlus: A është prezantuar ndonjëherë në Tiranë?
Alfred Mirashi Milot:
Jo në të ardhmen nuk dihet,shpresojmë.

KultPlus: Po në Kosovë?
Alfred Mirashi Milot:
Jo, shpresojmë në të ardhmen.

KultPlus: Do të vazhdoni po me mesazhin e çelësit, apo keni ndonjë projekt tjetër për të ardhmen?
Alfred Mirashi Milot:
Sapo kam filluar, do ta mbush boten me çelësa të papërdorshëm në mënyrë që ky mesazh të kuptohet nga të gjithë, sepse çdo njeri duhet te realizoje ëndrrat e tij që ka. Në të ardhmen kam shume projekte pasi që më kanë ftuar në shumë qytete e muze të botës.
KultPlus: Për fund, në çfarë pike të krijimtarisë gjejmë Alfred Milot Mirashi ?
Alfred Mirashi Milot: Atë që kam ëndërruar pothuajse e kam arritur te jetoj me art por gjëja më e bukur dhe me çelësa te papërdorshëm./KultPlus.com

Spektakli më i madh në botë

Gjatë shkurtit karnavalet janë qendra e vëmendjes e të gjithë njerëzve, por karnavalet e kontinentit amerikan tërheqin patjetër më shumë se cilat do, sidomos ato të Rio de Zhaneros.

Duhen edhe pak ditë që Sambódromo Marqués de Sapucaí të shkëlqejë me ngjyra, muzikë, karroca, kostume dhe mbi të gjitha me alegrinë në 9 shkurt. Festa fillon të pulsojë qysh kur hyn periudha e karnavaleve, por tani është tamam momenti kur ndihen emocionet. Njerëz nga e gjithë bota i drejtohen Rios për të shfrytëzuar një spektakël unik në Brazil. Nëse arrin në kohë ju rekomandojmë të merrni me qira një makinë për të vizituar mrekullitë e qytetit. Dita e parë është dita e ceremonisë së shumëpritur, ditë ku kurorëzohet Mbreti Momo dhe këtë çmim e jep kryetari i komunës që gjithashtu i jep edhe çelësin e qytetit. Pas kësaj ceremonie vjen sfilata nga grupe të shkollave të ndryshme të, shkruan klan kosova.

Në ditën e dytë festa nuk pushon, vazhdojnë përsëri shkollat dhe mund të thuhet se kjo ditë është dita e vërtetë kur fillon spektakli që ka larmi grupesh për të gjitha shijet. Që nga animimet e shumta deri tek festat private, të gjithë kanë nga një vend për të ndjekur ritmin në qytetin e mrekullueshëm të Rios.Ngjarja kryesore do të organizohet brenda Sambódromo-s që ka 13 sektorë të ndryshëm për pjesëmarrësit.

Në ditën e tretë sfilata i kalon shkollës së Sambës që garanton një ditë me të gjithë përbërësit tipikë brazilianë. Kjo ditë dhe dita e katërt janë më emocionueset dhe më befasueset. Shkolla e grupit Special përmbyt rrugët e Sambódromo-s me një sfilatë plot ngjyra dhe bukuri që tërheqin vëmendjen në të gjitha shqisat përmes imponimit të karrocave, ngjyrave, kostumeve, shkathtësisë së balerinave, spektaklet e ngjyrave që e shndërrojnë gjithë këtë veprimtari në një vepër arti.

Në ditën e pestë është sfilata e fëmijëve, shkruan bota.al. Karnavalet e Rios mbyllen të shtunën që këtë vit bie në 17 shkurt, kur merret vesh rezultati final, cila është samba më e mirë e vitit dhe kampionët e grupit Special sfilojnë për të mbyllur këtë veprimtari. Është momenti për t’u kthyer në shtëpi me një shije të mirë të lënë nga një ngjarje e paharrueshme dhe për fillimin e përgatitjeve për vitin pasardhës.

Del në ankand një “Mona Liza” afrikane

Një “Mona Liza afrikane” ikona e vërtetë kombëtare në Nigeri, e konsideruar si e zhdukur, do të shitet në ankand pasi u rigjet në një apartament në Londër.

Ky portret i princeshës Ife Adetutu Ademiluyi, ashtuquajtur “Tutu”, pikturuar në vitin 1974 nga artisti nigerian, Ben Enwonwu do të shitet në ankand më 28 shkurt nga shtëpia e ankandeve ”Bonhams”, një shitje që do të transmetohet drejtpërdrejt në Lagos për t’u mundësuar blerësve potencialë të interesohen.

“E konsideroj si Mona Lizan afrikane”, theksoi romancieri nigerian, Ben Okri, laureat i Booker Prize për këtë portret që nuk ishte parë më që prej ekspozimit për herë të fundit në vitin 1975.

Që prej 40 vitesh, kjo është një pikturë legjendare, të gjithë flasin për të, pyesin ku është Tutu?”, theksoi shkrimtari.“Artisti nuk ka shfaqur thjesht vajzën e re, ai ka shfaqur të gjithë traditën. Kjo është një simbol i shpresës dhe rigjenerimit në Nigeri, simboli i Feniksit të rilindur nga hiri”, shtoi Ben Okri i cili theksoi se kishte kaluar disa orë duke e parë atë dhe duke kompensuar kohën e humbur.Ben Enwonwu ka pikturuar tre versione të Tutusë, por tre tablo ishin zhdukur deri sa një prej tyre ishte rigjetur nga Giles Peppiatt, drejtor i artit modern afrikan tek ”Bonhams”

Yll Rugova: Hamami i Madh i Prishtinës do të rifunksionalizohet

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka vizituar sot Hamamin e Madh të Prishtinës, së bashku me restaurues nga Turqia dhe me përfaqësues nga TIKA, shkruan KultPlus.

Drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka treguar se ky objekt do të rifunksionalizohet pasi që tashmë janë zhbllokuar proceset që e kanë bërë të pamundur këtë proces më parë.

“Jam shumë i lumtur që pas shumë vjetësh neglizhencë, ky objekt i shekullit të 15-të do të rifunksionalizohet dhe konzervohet me praktikat më të mira profesionale. Falë angazhimeve të komunës dhe akterëve tjerë, më në fund janë zhbllokuar proceset që e kanë mbajtur këtë objekt në këtë gjendje”, është shprehu ai, duke theksuar se ai personalisht do e përcjell nga afër këtë projekt, në mënyrë që si institucion të mund të ofrojmë transparencë për të gjithë hapat e këtij procesi.
Ky hamam dikur ishte bërthamë e qytetit të vjetër, pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Madhe që veç dedikimit, shërbente edhe si vendtakim shoqëror për meshkujt dhe femra. Kurse është mbyllur që 48-të vite.

Ky kompleks qyteti, kujtohet me shumë nostalgji si qendër sanitare-higjienike. Përbëhej nga kubetë, 15 sosh, që ishin burim I dritës, pastaj nga pishinat, nga shatërvani dhe holet e tjera. Në këtë hamam zhvilloheshin shumë ceremoni, si përgatitja e vajzave për nusëri./KultPlus.com

Rita Ora: Ne jemi shqiptarë, kështu që nuk pranojmë broçkulla

Përpara se këngët e Rita Orës të dëgjoheshin në radio, ikona angleze e popit po performonte dhe po punonte në lokalin e babait të saj në Londër “The Queens Arms”, shkruan Forbes, përcjellë KultPlus.

“Gjaku, djersa dhe lotët e mi ishin në bar”, kujton Rita, kohën kur ishte në moshën 14 vjeçare. “Nuk pija alkool … Unë vetëm shkoja në shkollë dhe pastaj kthehesha, dhe reagimi i babit tim ishte si të thuash, “ngrihu dhe këndo”.

Tashmë, Rita Ora e njohur për hitet e saj, të tilla si “I Will Never Let You Down”and “How We Do (Party)” dhe albumi i saj i dytë që është caktuar për të dalë këtë vit. Por ajo nuk i ka harruar rrënjët e saj. Tani 27 vjeçarja thotë se koha që ajo kaloi duke punuar në lokalin e babait të saj, me familjen e saj, i mësoi shtatë mësimet e saj të rëndësishme që e kanë ndihmuar atë të ketë sukses në industrinë e muzikës. Lexoni, tregimin në të cilin Rita Ora zbulon se si jeta në bar i dha asaj një arsimim të veçantë.

1. Është në rregull të fillosh nga asgjë
“Babai im filloi një biznes nga e para,” thotë Ora. “Duke menduar për këtë tani, e di se ishte diçka e vështirë për të marrë këmbët e tyre nga toka”. Ashtu si skena e lokalit, as biznesi i muzikës nuk është i lehtë – dhe shpesh është e gjitha ose asgjë. “Momentin që filloni të merreni me të, ose duhet të zhyteni krejtësisht në të ose të dorëzoheni” ka thënë Rita Ora.
2. Nuk ka ndonjë orar fiks
“Nuk është ashtu, është ora 19:00 dhe ti duhet të shkosh në shtrat. Nuk mund ta bësh këtë. Ju shkoni në shtrat kur shkoni në shtrat, “thotë Ora, e lokalit të mbrëmjes që thotë se është e njëjta si të jesh performuese. “Ju duhet të liroheni nga gjithçka, të punoni, të bëni një shfaqje gjatë natës, të hipni në një aeroplan dhe të ktheheni përsëri në tokë. Ju duhet të përgatiteni psiqikisht”, thotë Rita.
3. Të buzëqeshni dhe të jeni sa më energjike është e domosdoshme
“Të gjithë njerëzit që i takoni, ju nuk i keni takuar kurrë më parë,” thotë Ora. E njëjta gjë vlen edhe për performanca, prandaj është e domosdoshme që të kemi një qëndrim optimist. “Mund të ndiheni e lodhur. Është shumë e vështirë që ta jepni më të mirën nga vetja e juaj, kur ju nuk keni atë energji brenda jush”.
4. Pengesat të bëjnë më të fortë
Këtu Rita Ora ka treguar për sfidat e nënës së saj, dhe përpjekjet e saj për të diplomuar për psikiatri në Britaninë e Madhe, ku ajo nuk dinte asnjë fjalë të gjuhës angleze. “Ajo kishte kancer të gjirit, mësoi anglisht, dhe ajo u diplomua të gjitha në të njëjtën kohë – ndërsa na rriti neve”, ka thënë Rita.
5. Durimi është çelësi
“Është një skenë shumë e ngadalshme me bar”, thotë Ora. “Jam shumë mirë me Ed Sheeran. Ai më tha një ditë se do të merrte 20, ndonjëherë nuk do të merrte asgjë. Ju thjesht nuk ndiheni sikur jeni duke ecur përpara, por jeni në një mënyrë të çuditshme. Nuk ka asnjë mënyrë për të dalë nga kjo, në thelb, ju vetëm me të vërtetë duhet të kalojnë nëpër sh * t për të marrë në ari. ”
6. Mbajini qëndrimet tua
“Mos u hidhëroni nëse dikush flet gjëra të këqija për ty, sepse ato janë njerëz të pavlerë. Dhe në qoftë se ata nuk janë të tillë, vetëm u thoni atyre ta mbyllin gojën. “thotë Ora për të mbrojtur veten. “E bëra këtë që kur isha 15 vjeçare”.
7. Mos i merrni mbeturinat nga të tjerët
“Ishin njerëzit e qytetit ata që vinin çdo ditë për të marrë pije, birra dhe për t’u talluar në lokal, por mua më pëlqente që të rritesha në një lokal. Nuk ishte kurrë e mërzitshme “, thotë Ora. Gjithmonë ka pasur raste kur vinin njerëz të rendomë të cilet babai im i hidhte jashtë. Ne jemi shqiptar kështu që nuk pranojmë broçkulla”. /KultPlus.com

ëndërr e përditshme

Poezi nga Emin Emini

oktapod e kisha pushtuar
të voglin të dashurin të pafajshmin
të vetmin atdhe
që më lanë
Iphone 4s

kryeneç nëpër giruset e trurit të tij
sërfoja
i vetmuar në mesin e gjithë njerëzve të globit

fluturoja me pendla të kaltra zogu
çilja guacka në pafundin e detit
fluturave të fundbarkut trishtimin ua korrja
shpresën shprazja zbrazëtirave të kozmosit

kjo i bjen se piqja qiqra në hell
*
diku pashë të shkruhej
kund tjetër të dëgjoj
herë hapur herë tinëz
për

1 të drejtën e gishtit të sustës së bombës atomike
2 misterin e përbotshëm të vezullimës verbuese të qimës më të
gjatë të pubisit të marilyn monroe
3 fëmijën që flinte në asfalt pranë nënës së vizatuar me shkumës
4 proteinat çudibërëse të jargës së kërmillit në luftën estetike
kundër mplakjes
5 therjen humane të qengjit lazdrak të shën gjergjit
6 trajnimin e transgjinorëve për të ofruar shërbimet me
kriptovalutën bitcoin
7 gjyqin kundër shoshës së ozonit dhe CO2 për ngritjen e
temperaturës së bythëve njerëzore

për shtatë e shtatë mijë e shtatë mrekullitë e botës përtejmoderne
pra
të shekullit XXI

ti
ishe në askund e në askohë
*
dikur
hapa kutinë e moçme
në kapakun e saj picërrontë sytë e ngrirë
buzëqeshja mëkatshëm e bukur
gdhendur me kthetra
me mjaltë pelini lyer

dhëmbë është e vërteta
dhëmbë

paskëtaj
erë iu bëra flamurit të saj
e paturpësisht dënesa në heshtje
e e qava

plagët e këmbëve të prera
ia mëkova me petale pranvere e melhem merimange
*
pip qe shpirti
torzo mbeti
*
ike
*
nuk të fajësoj
grackë të kishte vënë nata e zezë
e terrtë nëpër errësirë
ktheve shpinën
tinëz mëngjesit
*
gjinkallat e dimrit në kishë
thurën himnin e acarit
në stinën e epikës
lirisë sate ia vranë diellin

pasi i shpërthyen me gjilpëra antibiotikësh stërkalat e dritës
qiellit tënd të murrmë
në natën e lirikës
ia varën kryeveprën e tyre
atë
artistikën
skulpturën e diellit

ti kishe qafë
prandaj nuk ishe e gënjeshtërt
prandaj dhe
nuk të prisja të ktheheshe

tashmë ti
moti në atë mot të zi
ishe kthyer në personazhin e perëndimit të së dieles
me surrat saharaje
*
të hënën e ditës me hënë
hapat e tu
shkelën barin e yrtit tim
kambana e trinës së gjoksit
ra në numrin 044 201 707

ç’dreqin do
kushdo qofsh
në këtë pakohë

u përhëna

shembe gardhin
mes teje e meje

ti
erdhe
e ekrantë
për të parën herë
as e bukur as e shëmtuar

nga sytë e gjelbër
shkarkove hejbet e mallit

shkilnim nëpër gaca

në shuplakë të dorës kishe dhëmbët e bardhë
qelq të tejukshëm

mollën e kuqe
që sall një herë
dikur
mëkatshëm e kishe kafshuar
ta dhashë

ta fala
*
kanatat e qiellit u çelën
avulli i hukamës sate
ujëvarë derdhej në xhamin e dritares

alo oo ooo
*
s’qe kush tjetër
veçse ato të zakonshmet të përditshmet
ato
ëndrrat e mia kurvat e mia
*
i mbylla perdet e atdheut tim
bip bip bip./KultPlus.com

Teuta Krasniqi solli hapat e shtetit të izoluar në dritën e shpresës (FOTO)

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë solli premierën e parë për këtë vit. Hapat dhe lëvizjet e balerinës Teuta Krasniqi, për dymbëdhjetë vite kanë ecur brenda skenës për t’u bërë përfaqësim i mesazheve të koreografeve vendas e të huaj. Kurse nga mbrëmë, emri i saj përfaqëson koreografen e parë grua që realizon një shfaqje të plotë. Fuqinë artistike me të cilën balerina Teuta Krasniqi është prezantuar në rreth dyzet premiera, duket sikur e kishte bartur në secilin hap të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Valerie Plesch

Dritat e skenës së Teatrit Kombëtar ishin tejet të zbehta, por përpjekjet e hapave edhe në këtë dritë ishin tejet të shpejtë e intensiv. Tërë kjo, për të sjellë izolimin e këtij vendi, me përpjekjet e njerëzve për të gjetur veten diku. Publiku, në të shumtën e rasteve e shijoi lojën e krejt trupës brenda skenës. Interaktiviteti i tyre me muret që u qëndrojnë prapa, e bëjnë këtë lojë edhe më sfiduese. Herë të vendosur prapa, e herë para tyre ata gjejnë përsëri vendin e tyre në skenë. Përveç mureve, që nënkuptonin lëvizjen e tyre jashtë këtij vendi, mesazhi i lojës së balerinëve shkonte përtej kësaj. Ishin muret e padukshme, ata që më së shumti i torturonin lëvizjet e tyre që ishin tejet të kufizuara. Për ta sjellë këtë përmes trupit të tyre, hapat e tyre herë niseshin para, e herë tërhiqeshin prapa, duke u kufizuar në të njëjtën hapësirë.

Kjo performancë me koreografi të Teuta Krasniqit, jo vetëm që dha një mesazh të qartë por nxorri edhe mjaft emocione nga publiku, kur ajo ngjitet në skenë për t’u rreshtuar në mesin e kolegëve të saj. Duartrokitjet e fuqishme ishin aprovimi më i fortë që Teuta Krasniqi vetëm se duhet të vazhdoj t’i sjellë performanca të tilla publikut prishtinas. Vet Teuta Krasniqi thotë se finalizimin e punës së saj në skenë, sonte e ka percjellur me emocione tejet të fuqishme, ndërsa shtoi se tërë kjo punë nuk do të ishte e realizueshme pa bashkëpunimin e kolegëve të saj, me të cilët ajo ka ndarë për 12 vite skenën e njëjtë.

“Tërë kohën kam pasur rrahje të forta të zemrës, aq shumë kam pasur emocione sa që nuk kam fjalë as t’i përshkruaj. Është një përgjegjësi shumë e madhe që po filloj si koreografe e para dhe për temën që e prek kjo shfaqje, është një temë aktuale dhe shumë sfiduese”, ka thënë Teuta Krasniqi për KultPlus.
Muzika vinte e bëhej tejet depërtuese, dhe së bashku me çdo hap dukej sikur godiste në një pjesë të rrugëtimi të një dekade pavarësi. Dëshpërimi i trajtave të ndryshme manifestohej në çdo vallëzim e lojë të balerinëve. Është një personazh që në mesin e lojës shfaqet me të zeza, e Teuta Krasniqi e kishte emërtuar si “Padrejtësi”, përmes të cilit kishte identifikuar faktorin kyç që injoron përpjekjet e mllefin e të tjerëve. Madje në një moment, ai ecën pranë trupave që kanë prekur tokën, derisa ata zgjohen e të bashkuar largojnë muret.

“Përmes personit të veshur me të zeza, kam dashur ta paraqes një faktor i cili ka ndikuar dhe ndikon në këto mure, kështu deri vonë nuk dihet kush është padrejtësia në mes, sepse gjithmonë është dikush në mesin tonë dhe në vendin tonë sepse nuk mundet me qenë jashtë. Ne në fund i kemi larguar të gjitha këto padrejtësi dhe jemi munduar që këtë ta shndërrojmë në një person të mirë dhe si dikush që punon me neve dhe na ndihmon neve t’i thejmë këto mure”, tregoi Teuta për KultPlus.

Muret e larguara, bëhen pjesë e një dere prej nga vjen një dritë, drejt së cilës largohen të gjithë. “Ne vazhdojmë tutje me shpresë”, ky është mesazhi i fundit që nxjerrë tërë kjo performance. Teuta Krasniqi tha për KultPlus se kjo dritë në fund të tunelit nënkupton shpresën, jetesën tonë të vazhdueshme në përballjen me muret, që përpiqemi t’i rrezojmë. “Shpresoj që dikush do të bëjë diçka për t’i thyer ato mure”, u shpreh Teuta.

Pavarësisht asaj që derës së hapur nuk i reziston askush, ajo thotë se kjo derë është derë e shpresës për të ikur dhe për t’u kthyer për t’i dhënë shumë më shumë këtij vendit. Ajo tutje tha për KultPlsu se vet jetesa në një vend të bllokuar, mund të jetë një nxitje për njerëzit për t’u larguar nga ky vend, ndërsa tha se liberalizimi i vizave nuk do të jetë arsye për njerëzit që ta lëshojnë vendin por do të jetë arsye që njerëzit të shkojnë jashtë vendit, të punojnë dhe të kenë hapësirë që të kthehen në vendin e tyre.

“Nëse të rinjtë që tani kanë shkuar jashtë, kthehen përsëri në këtë vend, ata përsëri do të ndihen të izoluar dhe kjo është arsyeja që i bën ata të mos kthehen këtu”, tha mes të tjerash balerina Teuta Krasniqi.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha e ky është një moment sa emocional,aq edhe prekës pasi që si trupë e baletit, kanë kaluar në shumë sfida për të arritur në këtë nivel që është sot, që një balerinë shumë e mirë sonte arriti ta përgatitë një shfaqje që po përcillet me shumë lavdata nga të tjerët. Drejtori Brahimaj tha se Teuta sonte ka arritur të sjellë një shfaqje me një koncept dhe të gjitha që i duhen një shfaqje të baletit modern, duke gërshetuar edhe një temë prekëse brenda saj. Megjithatë, drejtori i BKK-së tha se Teuta edhe pse dëshmoi që është e mirë si koreografe, ajo nuk do duhet të ndalet asnjëherë edhe në rolin e balerinës, pasi që, sipas tij, ajo është e shkëlqyer.

Aulona Nuhiu, e cila kishte një rol kyç në këtë shfaqje, tha se kjo shfaqje do të mbahet mend për shumë gjatë nga trupa e baletit. Ajo tha për KultPlus se kënaqësinë e dyfishtë ja sjellë puna me Teutën dhe fakti që nga Trupa e BKK-së po del edhe një koreografe. “Këto ditë të punës më Teutën kanë qenë të mrekullueshme dhe besoj që kemi sjellë një shfaqje mjaft e mirë me një mesazh mjaft të qartë”, tha balerina Aulonë Nuhiu.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, krejt në fund solli ngjyrat festive me bluzat e dhjetëvjetorit të pavarësisë #Kosova10. Të gjithë ata që duan ta shohin këtë shfaqje, repriza e parë është sonte duke filluar prej orës 20:00./KultPlus.com


Prishtina ka filluar të zbukurohet për 10-të vjetorin e Pavarësisë

Komuna e Prishtinës ka filluar që të rregulloj sheshet në qendër të Prishtinës për të shënuar 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në shesh veç po vërehen ngjyrat kaltër, e verdhë dhe ajo e bardha, sikurse që shihet numri dhjetë, që shënon edhe dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Po ashtu në shesh është duke u punuar edhe në vendosjen e dy skenave të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat janë paraparë që të mbahen për këtë ditë. Disa nga aktivitetet e organizuara nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës tashme janë bërë të ditur gjersa pritet që të publikohet edhe kalendari i plotë kulturor për këtë 10-të vjetorë të Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com

Kjo është gjendja e shtatores së Fehmi Aganit

Dëmtimet të cilat i ka pësuar shtatorja e Fehmi Aganit, e cila gjendet në Kampusin Universitar, përballë Fakultetit Filologjik, po i vërejnë edhe kalimtarët e rastit. Edhe më parë për këtë shtatore është raportuar mbi gjendjen e saj, si mungesa e pllakës së emrit pastaj dëmtimin e pllakave përreth shtatores si dhe hedhjen e mbeturinave, përcjell KulPlus.

Janë pikërisht qytetarët të cilët kanë përcjellë fotografi të kësaj shtatore në një gjendje jo të mirë, fotografi këto që i kanë përcjellë nëpër medie. “Në prag të jubileut të pavarësisë, berllogu, shkatërrimi dhe harresa kanë mbuluar memorialin që do të duhej të nderohej. Një prej strategëve më të merituar për këtë pavarësi. Ne e kemi lënë atë në harresë, duke e bërë pasqyrë të turpit për atë qe i kemi bërë shtetit për këto 10 vjet”, është shprehur gazetari Arben Ahmeti duke ndarë shqetësimin e qytetarëve.

Për gjendjen e shtatores për media më parë pati biseduar edhe skulptori i kësaj shtatoreje Luan Mullliqi i cili ishte brengosur më shumë për hapësirën përreth saj me pllaka të thyera e mbeturina.
“Nuk jam i kënaqur me mirëmbajtjen e kësaj shtatoreje ashtu si shumë shtatoreve tjera. Ajo çfarë mua më pengon më shumë është hapësira përreth, ajo duhet të mirëmbahet”, ishte shprehur Mulliqi për shtatoren, përgjegjës për mirëmbajtjen e të cilës është Universiteti i Prishtinës.

Fehmi Agani u lind në vitin 1932, studioi për filozofi, ishte profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ishte redaktor në gazetën “Rilindja” dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u vra nga forcat serbe në afërsi të Lipjanit më 6 maj 1999, pas përpjekjeve për të dalë nga Kosova në Maqedoni./KultPlus.com

Diskutohet për Kompleksin memorial “Adem Jashari”

Sot mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje diskutohet gjendja e kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe nisma legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për të diskutuar për gjendjen e kompleksit i ftuar drejtori është drejtori i AMKMK-së./KultPlus.com