Ilire Zajmi në Kroaci me “Një tren për Bllacë”

Libri “Një tren për Bllacë” i autores Ilire Zajmi, libër tashmë i përkthyer edhe në gjuhën kroate do të promovohet në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Ky libër do të promovohet në kuadër të kremtes së dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Libri promovohet nga Bashkësia Shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe Biblioteka Qendrore Shqiptare e Kroacisë, me mbështetjen e deputetes shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prlaskaj. “Një tren për Bllacë”, do të promovohet të shtunën, në ora 12:00./KultPlus.com

Spektakël me flamuj e parashutistë mbi qiellin e Prishtinës

Në kuadër të aktiviteteve festive, mbi qiellin e Prishtinës do të fluturojnë parashutistë kosovarë me flamuj të Kosovës.

Federata Aeronautike e Kosovës, me parashutistët e saj, sot do të performojë mbi qiellin e Prishtinës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë. Ky fluturim i tyre mësohet se po bëhet me kërkesë të Këshillit Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Fluturimin e nesërm të tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.
“Po, nesër nga ora 12:00 – 13:00, parashutistët e Federatës Aeronautike pritet të fluturojnë mbi Prishtinë, konkretisht mbi zonën e gjerë të qendrës së kryeqytetit. Lejen nga KFOR-i e kanë siguruar dhe parashikimi i motit për nesër është i pranueshëm, prandaj besojmë që edhe fluturimi i tyre do të realizohet”, ka thënë Behramaj për Gazetën Express.

Gjithashtu, Behramaj ka thënë se nesër do të vazhdojnë edhe dekorimet e mbetura, derisa Komiteti Olimpik i Kosovës, në sheshin “Edit Durham” – amfiteatrin e hapur te hoteli “Grand”, do ta bëjë edhe hapjen e Festivalit Olimpik PyongChang 2018, ku do të hapet edhe fusha sintetike për patinazh, hokej dhe karlling, të cilat janë sporte të reja në Kosovë. /KultPlus.com

Bashkë, Ismail Kadare dhe Bekim Fehmiu

E ndajmë sonte me lexuesin tonë një fotografi të përbashkët të Ismail Kadaresë e Bekim Fehmiut. Fotografia nuk është e rezolucionit të mirë, por në ndërkohë do ta tregojmë edhe historinë e kësaj fotografie dhe shpresojmë ta marrim edhe fotografinë ku dyshja e njohur shqiptare, njëri shkrimtar e tjetri aktor, shihen së bashku në një prej takimeve të tyre.

Fotografia është marrë nga libri i Fahri Musliut mbi Bekim Fehmiun.

Softueri për plagjiaturë zbulon fakte të reja rreth dramave të Shekspirit

Shekspiri po del që ka qenë i inspiruar diku për të shkruar punët e tij më gjeniale.

Një softuer për plagjiaturë ka gjetur se Shekspiri është inspiruar nga një dorëshkrim me titullin “A Brief Discourse Of Rebellion And Rebels” shkruar në vitin 1500 nga George North.
Zbulimi në fjalë është i mahnitshëm. Dennis McCarthy dhe June Schlueter, me softuerin e tyre, mendojnë se “Mbreti Lir”, “Makbethi” dhe “Rikardi III” janë bazuar në këtë dorëshkrim, shkruan KultPlus.

“Është një dorëshkrim të cilit Shekspiri i është kthyer nga koha në kohë, dhe i cili më pas ka ndikuar deri në një pikë tek skenat e Shekspirit, tek filozofia e dramave të tij” thotë McCarthy nga New Hampshire.
Martin Meisel, profesor i letërsisë dramatike në Columbia University,, thotë se është definitive se libri në fjalë ka qenë i pranishëm tek mendja e Shekspirit kur ky i fundit ka shkruar letërsinë e tij.

North, shembull, në librin e tij thotë se ata që e mendojnë veten si ‘të shëmtuar’ duhet të përpiqen të jenë të bukur përbrenda, për ta sfiduar natyrën. Ai përdorë fjalët “Bota”, “natyra”, “e drejtë”, “deformim” dhe “hije” në këtë pjesë, për të argumentuar.

Në fillimin e Rikardit III, tirani i zënë përdorë të njëjtat fjalë, por për të kundërtin veprim: pasi është i shëmtuar nga jashtë, të vazhdojë të jetë një shejtan.
Derisa studimi pritet të jepet më i detajuar për publikun, McCarthy, 53 vjeçar, punon në shtëpinë e tij dhe qëndron në këtë softuer për plagjiaturë deri në 12 orë në ditë. / KultPlus.com

“Ekziston njëfarë sharmi tek e ndaluara, që e bën atë tejet të dëshirueshme…”

“Njeriu që nuk lexon nuk e ka asnjë përparësi ndaj atij që s’mund të lexojë.”

“Unë kurrë nuk do të lejoj që shkollimi im të ndërhyjë ne edukimin tim.”

“Kurrë mos u’a trego të vërtetën atyre që s’janë të denjë për të.”

“Zoti e krijo luftën në mënyrë që amerikanët ta mësojnë gjeografinë.”

“Besnikëri ndaj atdheut gjithmonë. Besnikëri ndaj qeverisë vetëm atëherë kur e meriton.”

“Problemi nuk është të vdesësh për një mik, por te gjetja e një miku për të cilin do i’a vlente të vdisje.”

“Për ta marrë vlerën e plotë të kënaqësisë, juve ju duhet dikush me të cilin mund ta ndani atë.”

“Ekziston njëfarë sharmi tek e ndaluara që e bënë atë tejet të dëshirueshme.”

“Nëse votimi do të përbënte ndonjë dallim, ata nuk do na lejonin të votojm.”

“Fjala e duhur mund të jetë efektive, por kurrë asnjëherë asnjë fjalë s’ka qenë po aq efektive sa heshtja në kohën e duhur.”

“Është shumë më e lehtë ti mashtrosh njerëzit se sa ti bindësh që ata kanë qenë të mashtruar.”

“Njeriu që është pesimist para moshës 48 vjeçare, di tepër shumë; nëse pas kësaj moshe është optimist, ai di tepër pak.”

“Gjykimi i mirë është rezultat i përvojës dhe përvoja është rezultat i gjykimit të keq.”

“Burimi sekret i humorit nuk është kënaqësia por dhimbja; në parajsë humori nuk ekziston.”

– Mark Twain

Poezia e shpërblyer me vendin e tretë në konkursin ‘KultStrofa’

Vdekja e bardhë / Sibel Halimi

Kur të vdes miku im
Mos shkruani epitaf
Asnjë fjalë mos ma thoni
Zbrazeni nga një
Për frymën time
Kohën e acartë

Kur të vdes miku im
Lotët rrëke mos i derdhni
Kujtoni kur ma rrihnit shpinën
Thuajse më mbani gjallë

Mos u vishni në zi me syze gri
Në të gjallë i doja ngjyrat e natyrën me krejt madhështinë

Miku im kur t`i ofroheni varrit
Kujtojeni kur cakërronim gotat për provimin e dhënë
Të keqen e shkelmuar…

Kur miku im ta hidhni një grusht dhé mbi mua
Copëza balte si rruaza
Qafore gushës sime do t`i bëhen

Miku im, kur secili në homazh para meje të jetë
Gajasuni
Të tillë ju kam dashtë prore

Im mik, mos u rreshtoni për të ardhë tek unë
Rreshtimet përherë luftuar i kam
Ofrohuni tok
Ngrini dolli për mua që ju dhashë një dromcë jete
Do të ngjallem në vitin e brishtë

I fundit që më largohet
lutem
Ma lërë një gotë verë dhe një fletë të bardhë
Kushedi, mund ta marrë ta shkruaj ndonjë fjalë
Edhe në amshim

Faleminderit, miku im!

Olta Gixhari dhe Dritan Arbana, në filmin e ri të Erion Kames

Alberina Haxhijaj

Regjisori Erion Kame është në fazën finale për të sjellë filmin e tij të metrazhit të gjatë – “Një jetë me ty”. Për KultPlus regjisori ka treguar se në fillim të marsit stafi i ekipit filmik do të hyjë në xhirime dhe sipas tij në tetor do të jetë edhe premiera.

Regjisori Kame për KultPlus tregon se dëshiron që filmi me historinë e tij të jetë një atraksion për këtë vend. Dëshiron të tregojë vendet e bukura që i kemi e të cilat sipas tij janë mjaftë shumë, duke treguar edhe histori për njerëz “të bukur” me problematika si të gjithë qytetarët e botës. Sipas tij dëshira për të folur me gjuhën e filmit është një dëshirë që të gjithë e kemi thellë-thellë brenda vetes.

Filmi “Një jetë me ty” ngre një pyetje shumë të thjeshtë: Çfarë është martesa?

“Është odiseja 10 vjeçare e një çifti të martuar. Pra, që nga njohja e deri pas dhjetë vitesh më vonë. E veçanta është se e njëjta histori rrëfehet nga të dy bashkëshortët. Këndvështrimet e tyre janë krejtësisht të ndryshme. Po ashtu edhe qëndrimet. Në një moment të caktuar të filmit, marrëdhënia tyre rrezikohet seriozisht nga hyrja në jetën e tyre e një vajze e cila punon me burrin. Nëse ka një histori mes tyre, apo kjo është pjellë e fantazisë së gruas, por edhe e të shoqit, kjo është për t’u parë”, tregon regjisori, duke shtuar se të dy personazhet e duan shumë njëri-tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi në një marrëdhënie bashkëshortore. Por a është e mjaftueshme? A i përgjigjemi dot pyetjes: Çfarë është martesa?

Në rolin e bashkëshortit në film do të jetë aktori Dritan Arbana, i cili ka mbaruar studimet për aktor në Australi ku ka pasur shumë eksperienca dhe punë. Për publikun shqiptar ai njihet me projektin shqiptaro-australian “Bloodlands”, si producent dhe aktor. Në rolin e gruas do të jetë aktorja e teatrit dhe ekranit, Olta Gixhari.

“Ne kemi filluar provat me Tanin dhe Oltën dhe mendoj se çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Presim në fundjavë edhe vajzën që do ti bashkëngjitet projektit tonë. Pjesa tjetër e aktorëve do të jenë emra shumë të njohur për publikun, por do të preferoja që ky i fundit të vinte vetë në kinema për t’i parë”, u shpreh ai duke vlerësuar lartë aktorët të cilët janë pjesë e ekipit të filmit.

Edhe pse buxheti i këtij filmi është shumë i kufizuar, ekipi i filmit po bën të gjitha përpjekjet që lokacionet të gjenden mes miqsh dhe dashamirësish. Deri në këtë moment atyre u janë gjendur shumë të tillë.

“Sigurisht që vendi kryesor i xhirimeve është një shtëpi. Kjo shtëpi është vënë në dispozicion nga Dritan Arbana që ka lënë banesën e tij për të zhvilluar xhirimet. Kjo është një sakrificë e jashtëzakonshme nga ana e tij, pasi vendet e xhirimit mund të krahasohen me një fushëbetejë. Por sakrifica të tilla bëjnë njerëz të cilët ia dinë vlerën artit dhe konkretisht filmit. Shtëpia e Tanit nuk është zgjedhur vetëm se s’kishim alternativë tjetër, por në radhë të parë është një shtëpi e ngrohtë, dinjitoze dhe përfaqësuese për çiftin e filmit”, u shpreh regjisori Kame, i cili kohë më parë pati dhënë komedinë më të njëjtin titull në Teatrin Kombëtar.
Komedia “Një Jetë Me Ty” ka qenë një projekt i Teatrit “A. Moisiu” të Durrësit me Ministrinë e Kulturës. Premiera është dhënë në 9 maj 2016 në Teatrin Kombëtar, kurse ka vazhduar deri në dhjetor 2017 në Korçë. Komedia ka pasur rreth 30 repriza.

“Çifti i aktorëve në skenë, por edhe në jetë, Romir Zalla dhe Suela Bako, janë ata që i dhanë jetë kësaj vepre për herë të parë. Po ashtu edhe aktorja Vilma Hodo e më pas Ina Gjonci. Ka qenë një eksperiencë e paharruar dhe kemi kaluar shumë mirë së bashku, dhe teatri ta jep këtë mundësi. Unë kujtoj çdo moment me ta”, u shpreh regjisori mbi komedinë duke shtuar se filmi ka shumë të përbashkëta me komedinë, por kësaj radhe gjuha e shprehjes dhe konceptimi është tjetër, pasi ai ka dëshirë që në film të flasë me nota më romantike dhe pak më “seriozisht”.

“Qëkur kam shkruar komedinë kam përdorur një gjuhë filmike. Megjithatë, tashmë mund të them që shumë prej dialogëve janë redaktuar, pasi filmi ta jep këtë mundësi. Diçka që mund të thuhet, shihet. Po ashtu janë shtuar karaktere dhe personazhe të tjerë të cilët do ta shtyjnë më përpara historinë në mënyrë më organike. Ajo që i bashkon do të jetë qëndrimi. Ky mbetet i pandryshuar. Pra, ideja për të mos dhënë mesazhe të drejtpërdrejta, por t’ia lëmë në dorë shikuesit, nëpërmjet qëndrimit tonë”, është shprehur regjisori Erion Kame.

Ai tregon se ka shumë arsye të cilat e kanë shtyrë të shndërrojë komedinë në një skenar për film të gjatë. Në radhë të parë për të ka qenë dëshira për të fiksuar në ekran një histori e cila nuk i përket vetëm regjisorit. E as shqiptarëve. Është një histori e cila i flet të gjithë shoqërisë botërore. Dhe jo vetëm sot.
“Një Jetë Me Ty” është projekt filmik i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kuadrin e filmave të pavarur – indipendentë, me shtëpi filmike “Black Box” e përfaqësuar nga Tan Kazazi dhe së fundmi filmit i është bashkëngjitur edhe shtëpia e mirënjohur filmike “Kinostudio Dardan” me përfaqësues Gent Prizreni. Skenari ka fituar në bordin e QKK-së që në fund të qershorit të vitit të kaluar. / KultPlus.com

“Ne nuk jemi skllevër”, aktori Robert Ndrenika me një mesazh të fortë (VIDEO)

“Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. I takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, një teatër 500-600 vjeçar. “Turbina” ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është për ndonjë fushatë elektorale. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çdo bëhet në të”.

“Artisti i Popullit”, Robert Ndrenika ka kundërshtuar fortë amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”.

Të organizuar në Sindikatën e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, në një mbledhje të hapur për mediat, artistët diskutuan mbi zhvendosjen sipas tyre tërësisht jotransparente të trupës së Teatrit Kombëtar tek Teatri “Turbina” dhe njëkohësisht amendimet në ligj që ata mendojnë se “cënojnë rëndë” statusin e artistit.

Arben Derhemi: Teatri Kombëtar pas pesë vjetësh që ka ikur këtej të vijë për godinën e re e cila do të jetë një godinë e re, marramendëse, fantastike, por nuk dihet se si është pasi nuk ka projekt

Neritan Licaj: Personalisht mendoj se duhet ta ngremë presionin shumë lart nëpërmjet protestave, nëpërmjet shumë institucioneve, parlament, kryeministri, presidencë, të ftojmë shoqërinë cvile, pra të ngremë një valë të madhe kundër kësaj arrogance.

Genc Fuga: Këtu po demitizohet dëshira e lidërve të komunitetit tonë për tu shtrirë në rast se prishet teatri

Altin Basha: U sulmuan fillimisht institucionet që kishin ndërtuar artistët, me pak presion, me pak lobim, me pak mundësi, për të ardhur tek pika e fundit që është ligji. Me pak fjalë unë e kuptoj këtë si vrasje të pluralizmit kulturor.

Mehdi Malkaj :
Ne nuk jemi skllevër, ne jemi vlerë kombëtare! Ata na marrin na nxjerrin përjashta. Pse na nxjerrin përjashta?

Besarti e Aida rikthejnë hitin e Gilit dhe Enis Potokut (VIDEO)

Dy këngëtarët kosovarë Besart Halimi dhe Aida Doci kanë rikthyer në skenë hitin “Kur u ndamë”.

Kjo këngë në versionin origjinal ishte lansuar në vitin 2009 nga Gili dhe Enis Potoku.

Tani kënga është risjellë nga dy yjet e reja dhe duket se është pritur mirë nga shikuesit. Kënga për pak orë në YouTube ka grumbulluar më shumë se 70 mijë klikime.

Gjithçka gabim

GUIDO CATALANO / Përktheu Beti Njuma

Kësisoj u gjendëm
në vendin e gabuar
në çastin e gabuar
ose ndoshta
ishte vendi i duhur
në çastin e gabuar,
me gjasë
ishte gjithçka e gabuar
vendi
dhe çasti.

Ishin të gabuara pemët dhe rrugët
ishte i gabuar qielli
dhe dyshemeja
ti ishte e gabuar
unë isha i gabuar.

Gabuam puthjen e parë
dhe të fundit
takimin e parë.
Orgazma e parë qe e gabuar
E gabuar qe e para herë që të çova në djall
Gabova që të thashë të dua
gabova që të thashë të urrej.

Në të vërtetë kurrë s’të thashë të urrej
E mendova
duke gabuar.

Por hëna atë natë gaboi që e plotë ish
dhe fytyrën ta ndriçoi
sytë e tu gabuan që ishin të bukur në përlotje
gabuan përqafimet
ato që s’u dhanë
ato që u dhanë
përqafimet e pakërkuara
përqafimet e shpresuara.
Kësisoj e humbëm njëri-tjetrin
dielli lindi në perëndim
kuajt hingëllinë
taksistët romanë u ofruan një xhiro falas
të gjithëve.

Ermal Meta vazhdon garën, nuk diskualifikohet nga Sanremo

RAI e ka marrë vendimin: Ermal Meta do të vazhdojë garën në Sanremo.

Shqiptari, që garon në duet me Fabrizio Moro, ishte pezulluar pasi dyshohej për plagjiaturë.

Dueti këndon hitin: “Non mi avete fatto niente”.

Mediet italiane aluduan fillimisht për plagjiaturë, por kjo u hodh poshtë shumë shpejt falë reagimit të zv.drejtorit të Rai Uno, Claudio Fasulo.

“Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Kjo sepse autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon mundësinë e përdorimit të teksteve të autorëve të tjerë në një masë jo më të madhe sesa 30%. Në këtë mënyrë, kjo këngë ka parametrat e mjaftueshme për të qenë një këngë e re me të gjitha efektet”, do të shprehej fillimisht zëvendësdrejtori i Rai Uno, Claudio Fasulo.

Në lupën e “hetimit” ishte vënë pikërisht ngjashmëria në një pjesë të tekstit, me këngën “Silenzio” të Ambra Calvanit dhe Gabriele De Pascalit, që u prezantua në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë, në vitin 2016.

Edhe kjo këngë kishte për autor Andrea Febo, i njëjti që ka shkruar edhe tekstin e asaj të Metës dhe Moros. / KultPlus.com

Poezia e shpërblyer me vendin e dytë në konkursin ‘KultStrofa’

Po e sjellim sonte poezinë ‘U dogj filmi’ shkruar nga Adem Gashi, e cila mbrëmë u shpërblye me vendin e dytë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’ në Prishtinë, organizuar nga KultPlus.

u dogj filmi

athua është gjallë Habibi
ai asdjalasburri me mustaqe, brus
që ma pat huazuar aparatin e fotografimit
aparatin “Smena 8” të prodhimit rus

me kursimet e muajit bleva lentën
të mbyllur në kutizë si në shtëpi kërmilli
tridhjetegjashtë kuadrate, po kaq poza
tridhjetegjashtë
ç’më kujton kjo
ah po, tridhjetegjashtë shkronja

e vura në krah rripin e hollë
si një botë
sa e lehtë më vinte bota

në mbrëmje nëna ofshani si t’i kisha rënë mëkatit
ç’na bëre more bir, na i dalldise gratë e fshatit

njërës i shpërthente virgjëria në faqe e buzë
një vajze
ma bëj fshehtas, mos më shoh njeri
po si ta bëj kur kjo vrima këtu do diell
diellin do përballë pamjes

e vinin e vinin më radhë
dikur edhe pleqtë e rënduar të lagjes
duke shkelur mbi lodhjen e sedrën
m’u bënë përpara statuja e monumente
a diçka prej guri e dheu
a veç skelete

heu, po Habibi thua të jetë gjallë

kështu qe si sot, Habibi
“me të hyrë maji me të ikur prilli”
kur imazhet po hynin në kutizë

s’është se bota qe pa ngjyra
qe bardh e zi
sipas metodës së soc-realizmit

me ankth e prita dhe padurimin s’e fsheha
për terminin e foto-negativit
ku të bardhat do të nxinin, do të zbardhte e zeza

në studion “Foto – Zharku”
i pangjyrë dhe indiferent m’u shfaq dhe Zhivku:
është djegur filmi

lëre filmin që iku e më la
po kush më beson tani nga grari e lagjes –
ja edhe një maskara

një e di, mbase ajo që ma kërkonte fshehur
më beson vetëm ajo
që dielli i dashurisë e kishte dehur

thua të jetë gjallë tani Habibi
apo u dogj edhe ai si filmi
në krematorin e mistershëm të Zhivkos.

Censurohen disa prej pikturave të Egon Schiele

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania nuk po e përkrahin iniciativën e Austrisë që të kujtohet në përvjetorin e vdekjes, piktori Egon Schiele.

Austria, në 100 vjetorin e vdekjes së një prej piktorëve më të mirë të këtij vendi, po organizon jo vetëm në Austri por në mbarë botën ekspozita për të festuar punën e piktorit. Schiele, bashkë me Klimtin dhe Kokoschka, janë tre prej piktorëve më të njohur nga Austria.

Muzeu Leopold me datë 23 shkurt hapë ekspozitën ku vijnë punët dhe jeta e piktorit që vdiq në vitin 1918 nga një epidemi.

Megjithatë, disa galeri dhe muze nëpër Evropë po e refuzojnë këtë iniciativë. Egon për vite me radhë në Evropë është konsideruar si një piktor shumë erotik, shpesh edhe pornografik.
Punët e Schiele mund të shihen në Londër dhe në Berlin. Një pjesë e tyre janë të mbuluara, të censuruara. Punët artistike ‘nudo’ të Schiele, duket se po refuzohen pas 100 vitesh kur janë krijuar, shkruan KultPlus.
Schiele madje edhe ishte i burgosur dikur për shkak se punët e tij artistike u cilësuan nga regjimi si pornografike.

Zyra e Turizmit e Vjenës megjithatë do të vazhdojë që tërë vitin 2018-të të organizojë ekspozita të ndryshme në kujtim të piktorit të njohur. Parisi do të sjellë ekspozitë në fillim të tetorit të këtij viti, ndërsa më herët ekspozita do të vijnë në Boston dhe në Albertina Museum.

Disa prej punëve më të njohura të Schiele janë “Portret of Wally”, “Përqafimi”, “Death and the Maiden”, “Standing Girl”, “Harbor of Trieste” etj. / KultPlus.com

Filmi ‘Martesa’, filmi më i shikuar në Cineplexx

Filmi i parë i metrazhit të gjatë i Blerta Zeqirit ka filluar të shfaqet në kinematë kosovare më 1 shkurt dhe ka përmbyllur javën e parë të shfaqjeve me 1355 bileta të shitura nga vetëm 2 termine në ditë, duke ia kaluar kështu premierave botërore, si Den of Thieves dhe Maze Runner. Nga e premtja “Martesa” do të shfaqet në 3 termine ditore.

Mbrëmë Martesa ka përmbyllur javën e parë të shfaqjes në Kosovë, ku ka arritur të mbushë pothuajse plotësisht sallat e Cineplexx në të gjitha shfaqjet e saj, duke u bërë kështu filmi më i shikuar për javën e parë të shkurtit 2018.

“Edhe pse ishim të kënaqur me premierën botërore në Tallinn, me çmimet dhe me kritikat e jashtëzakonshme ndërkombëtare nga Variety.com dhe Cineuropa.org, nuk e kam pritur aspak këtë interesim nga publiku kosovar. Assesi nuk kam pritur që shikuesit të kenë nevojë të blejnë bileta shumë më herët për të gjetur vend, e gjithsesi jo të kthehen pa e parë filmin për shkak të shitjes së biletave”, tha Producenti i filmit Keka Kreshnik Berisha.

As regjisorja dhe skenaristja Blerta Zeqiri s’e ka pritur një jehonë të tillë: “Jam e kënaqur që një punë 5-vjeçare po arrihet të shikohet nga publiku kosovar, e i cili është edhe arsyeja pse bëjmë film e pse fondet e shtetit tonë shkojnë në kinematografi. Festivalet janë të rëndësishme, por as nuk i afrohen kënaqësisë dhe përmbushjes që e arrin një filmbërës kur publiku e pëlqen filmin. Shpresoj që produksionet e Kosovës gjithmonë të tejkalojnë pritjet me shitje dhe që në një të ardhme të afërt edhe filmi të mund të vetëfinancohet nga shitja e biletave.”

Filmi “Martesa” flet për një temë tabu në shoqërinë kosovare, për dashurinë e ndaluar në mes dy burrave. Megjithatë, “përkundër temës, që para disa vitesh mund të konsiderohej kontraverse, deri më tani reagimet në rrjetet sociale kanë qenë jashtzakonisht të mira, ku ka edhe të tillë që kanë treguar që e kanë parë filmin nga 2 herë. Për këtë arsye, nga dita e nesërme Martesa do të shfaqet në 3 termine në Cineplexx”, thotë producenti, bashkëskenaristi dhe montazheri i filmit, Keka.

Filmi që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar.

“Martesa” tashmë është në rrugëtim nëpër festivale të ndryshme botërore, me 6 festivale të konfirmuara vetëm në 2 muajt e ardhshëm, kurse nga marsi do të shfaqet edhe në kinematë e Tiranës.

Tallinn Black Nights Film Festival, ku më 28 nëntor bashkëprodhimi filmik Kosovë-Shqipëri e ka pasur edhe premierën botërore, bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garues të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP), ku filmi u shpërblye edhe me çmimin FIPRESCI – Çmimi i kritikës ndërkombëtare dhe Çmimin special të jurisë për ansamblin e aktorëve. / KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës në rrezik, i çahen muret

Arkitekti nga Gjirokastra, Kreshnik Merxhani përmes rrjetit të tij social ka shfaqur shqetësimin mbi Kalanë e vjetër të Gjirokastrës, duke ndarë me miqtë e tij fotografitë në të cilat vërehen çarjet që po i ndodhin mureve të kalasë.

“Sot ambientet poshtë çative të reja dhe poshtë hapësirës ku është ndërhyrë janë me më shumë lagështi siç shihet shumë lehtësisht në foto”, shkruan Merxhani.

Sipas tij, Kalaja e Gjirokastrës është në rrezik të vërtetë, e në situatë urgjente. Kurse më parë janë ndarë informata se po pretendohet një “restaurim” me fonde donatorësh./ KultPlus.com

Fotogaleri nga edicioni i dytë i KultStrofa

Arjola Zadrima doli të jetë fituese e edicionit të dytë të “KultStrofa”, të organizuar nga gazeta online për kulturë www.kultplus.com.

Me vendim të jurisë profesionale në përbërje të: Erenestina Halili, kryetare dhe Halil Matoshi e Adil Olluri, anëtarë, çmimi i dytë ka shkuar për Adem Gashin, kurse i treti për Sibel Halimin.

Emocionet e kësaj mbrëmje letrare ju sjellim nëpërmjet fotografive të realizuara nga fotografi Arben Llapashtica, ku të pranishëm ishin edhe finalistët e këtij edicioni, sikurse që kishte të pranishëm shumë figura të njohura të jetës kulturore në Kosovë, Shqipëri e më gjerë./ KultPlus.com

Ansambli i Forcave të Sigurisë së Kosovës u prezantua me koncert në Washington DC (FOTO)

Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington DC, për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës mbrëmë ka organizuar koncert festiv me Ansamblin e tunxhit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert interpretuan pjesëtarët e ansamblit të FSK-së, Avni Krasniqi dhe Ardit Pira në trumpetë, Bledar Bujupi në korno, Betim Krasniqi dhe Rejhan Rexha në trombon dhe Shkumbin Bajraktari në klarinetë.

Po ashtu dhe ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku mbrëmë ka postuar një fotografi me këtë ansambël. “Me djemtë më të mirë të Kosovës, gati për pritjen për #Kosova10”, kishte shkruar ambasadorja Çitaku. Në këtë koncert që është mbajtur mbrëmë në The Meridian House – Washington, DC, kanë qenë të pranishëm lider nga Kosova dhe edhe shumë personalitete amerikane por edhe dhe shqiptaro-amerikane. / KultPlus.com

Poezia fituese e edicionit të dytë “KultStrofa”


Arjola Zadrima

Po të due unë

Ba me dashtë unë
pranvera zgjohet në mes të dimnit.
Andrrat jargaviten si lule kacavjerrese
ndër muret tuej të naltë.
Ba me dashtë unë liria jote
del prej guackës
e shndrit perlë në qafën teme
të bardhë.
Ba me të dashtë fort unë
jehona e stuhisë tonë
ndihet deri në agim.
Dielli lind në gojën tande
e vdes në gjinjtë e mi.

Por unë nuk due
se poetja në mue, fle nën borën e trishtimit
e të rrëshqet shpinës
veç kur ti e shkrin./KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Isa Boletinit me Princin Vid (FOTO)

Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite.

Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptan. Princi Vid ishte princ i Shqipërisë për 6 mua, që nga viti 1914 deri më 3 shtator të vitit 1914

KultPlus, sot ju sjellë një fotografi pikërisht nga ky vit i ardhjes së Princit Vid në Durrës, ndërsa Isa Boletini me plisin në kokë e me hijen e një patrioti ndan një përshëndetje me princin, në qytetin e Durrësit./ KultPlus.com

Fiqiri Kasa: Gati për përurimin e monumentit të Skënderbeut, ndihem i privilegjuar për këtë vepër kaq të rëndësishme

Fiqiri Kasa, skulptori shqiptar që është në realizim e sipër të monumentit të Skënderbut, në një format tjetër nga ato që jemi mësuar ti shohim deri më tashti, për KultPlus ka treguar edhe për periudhën e përurimit të këtij monumenti. Por ai ka treguar edhe për një dëshirë, për realizimin e një monumenti të tillë edhe në Kosovë.

Alberina Haxhijaj

Fiqiri Kasa kishte filluar të krijonte portrete në baltë që kur ishte 10-të vjeçar, duke mos e kuptuar atëherë se pikërisht kjo dëshirë do të ngelej talenti dhe pasioni i tij. Se është i lindur për këtë punë, bindet edhe më shumë pas zhvendosjes së tij nga Seferani i Elbasanit në Tiranë, ku edhe ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë ku edhe mbaron studimet për skulpturë. Tani, ai një pjesë të punimeve të tij i bazon në elemente të trashëgimisë kulturore.

Përveç skulpturës, ai u kushton një kohë të rëndësishme edhe pikturës, gjersa shprehet për KultPlus se i pëlqen edhe arkitektura. Mirëpo tashmë duart e tij u japin skulpturave forma që kanë një histori të fuqishme prapa tyre.

“ Kryesisht bëjë punime të veshjeve kombëtare sikurse nga: Medvegja, Prizreni, Gjakova deri në Sarandë. Edhe njëra nga skulpturat e mia ‘Ushtari ilir” ishte një ide e imja për të sjellë imazhe të historisë tonë kombëtare, pasi nga koha e Ilirisë nuk kemi shumë skulptura. Madje kam ideuar dhe ndërtuar edhe një amfiteatër dhe statujën e ‘Perëndeshës Afërditë’ në vendlindjen time, ku kam pasur edhe mbështetjen e bashkësisë”, tregoi Kasa, për të cilin skulptura më e dashur mbetet ajo e Skënderbeut, në të cilën edhe është duke punuar aktualisht.

“Me vlerë më të madhe shpirtërore padyshim është monumenti që jam duke ndërtuar aktualisht, heroi jonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu . Është një kënaqësi, kam marrë shumë falënderime dhe ndihem i privilegjuar që po e ndërtoj unë këtë vepër, shpresoj dhe dëshiroj që edhe në Kosovë të realizoj një vepër kaq të rëndësishme. Në Labinot të Elbasanit ku po ndërtohet Skënderbeu do të realizohen shumë vepra të tjera, ne e nisëm nga Skënderbeu, pikërisht sepse përkon me vitin e Skënderbeut, shpresojmë që nga fillimi i muajit mars të këtij viti të mbaroj”, u shpreh ai për KultPlus duke shtuar se dëshiron që skulpturat e tij të vendosen në hapësira ku njerëzit mund ti shohin dhe jo vetëm objekte e hapësira private.

Skulptori Fiqiri Kasa i cili të shumtën e kohës së tij e kalon duke shfletuar studime historike, antropologjike dhe dokumente të tjera të cilat japin fakte dhe imazhe mbi figurat si ato të cilat ai i ka shndërruar në skulpturë, u shpreh se i mbetet historisë dhe historianëve por edhe studiuesve të artit që të vlerësojnë se sa afër origjinalit janë skulpturat e tij.

“Të gjitha figurat janë studiuar dhe bazuar në fakte dhe imazhe me dokumente të mirëfillta. Edhe pse nuk mund të them se skulpturat janë të lidhura me historinë pasi që këtë e dinë historianët dhe historia”, u shpreh ai.

Skulptori Kasa i cili ka një studio në Tiranë pranon kërkesë të ndryshme për veprat e tij gjersa njëkohësisht punon edhe për Fondin e Investimeve në Turizëm (TIFF).

“Meqenëse kryesisht punoj me porosi, një pjesë e vogël e kohës më ngelet për tu marrë me krijimtari. Prandaj edhe që pesë vite kam punuar me gdhendje guri dhe mermeri me figura historike kombëtare për një kompani private në Amadeus Palace. Mirëpo ka po ashtu pesë vite që kur kam filluar të shfaqë idetë e mia të cilat bazohen edhe në elemente të trashëgimisë sonë kulturore. Të gjitha punimet e mia janë në shitje edhe pse numri i punimeve në gjendje është i vogël”, përfundoi ai për KulPlus./KultPlus.com

Romani i ri i Elif Shafak flet për Turqinë e ndarë dhe fuqinë e gruas

Romani i ri i Elif Shafak “Three Daughters of Eve”, përmban një përzierje ku shumë çështje janë në konflikt me njëra- tjetrën. Në këtë libër autorja e njohur prek shumë tema të rëndësishme rreth Turqisë, politikës, lindjes, perëndimit e Zotit, shkruan KultPlus.

Elif Shafak, si një shkrimtare që qëndron në mes të perëndimit dhe lindjes, duke punuar në turqisht dhe anglisht, që jeton në Stamboll dhe Londër, ajo angazhohet me disa nga temat më të rëndësishme politike dhe personale të kohës sonë. Këtu nuk përjashtohet as romani i saj i ri. Si romanciere dhe zë publik, ajo ka fituar shumë çmime dhe shpesh quhet si shkrimtarja më e njohur grua në Turqi.

Libri i saj i ri “Three Daughters of Eve”, përfshin Peri Nalbantoğlu, një vajzë që rritet në një familje të polarizuar turke, aty përfshihet jeta e saj universitare në Oksford dhe pyetje të rëndësishme për identitetin, marrëdhëniet gjinore, besimin dhe të ardhmen e Turqisë. / KultPlus.com

Sqarim nga kompania Coca-Cola mbi muralin e mbuluar me billboard

Si një kompani që promovon vlera pozitive, sistemi Coca-Cola në asnjë moment nuk kishte për qëllim të mbuloj artin mural në ndërtesën e ish-Slovenia Sportit ose të neglizhojë trashëgiminë e qytetit të Prishtinës. Duke pasur parasysh reagimet e banorëve, ne kemi vendosur të heqim billboardin tonë i cili tashmë është larguar.

Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të komunitetit lokal dhe ju sigurojmë se planifikojmë të mbështesim shumë iniciativa të fokusuara në filantropinë artistike të komunitetit./KultPlus.com

“Hapësira negative” i Luljeta Lleshanakut botohet në Angli

Sapo ka dalë në treg, libri me poezi në gjuhën angleze “Hapësira negative” i poetes Luljeta Lleshanaku, botuar nga shtëpia botuese Bloodaxe në Mbretërinë e Bashkuar. Ky libër është një përmbledhje në anglisht e dy librave të botuar në origjinal nga shtëpia botuese OMBRA GVG: “Pothuajse dje” (2012), dhe “Homo Antarcticus” (2015).

Përkthyesja e librit në anglisht është Ani Gjika, e cila,për përkthimin e këtij libri, së fundmi është vlerësuar me çmimin e PEN-it anglez, dhe me një grant nga National Endowment for Arts në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë “Hapësira negative”, është njëri nga librat e rekomanduar nga Poetry Society në Angli. Ja se si shprehet në komentin e tij, poeti dhe përkthyesi George Szirtes: “Hapësira negative” e poetes shqiptare Luljeta Lleshanaku, është libri i saj i dytë i botuar në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse New Directions në Shtetet e Bashkuara, e ka botuar që në vitin 2002.

E lindur në vitin 1968 dhe e vlerësuar si një poete kryesuese e brezit të saj, Lleshanaku është përkthyer fuqishëm nga Ani Gjika. Libri fillon me një poemë të gjatë që i referohet zbuluesit të Antarktidës Frenk Uajld, krahut të djathtë të Shakëlltonit.

Kjo poemë është plot forcë, dhe ofron një revokim të kursyer por të gjallë, pothuajse filmik, të jetës së Uild-it, që mund të shërbejë si një lloj analogjie e vetë jetës së autores. Prej këtu, autorja lëviz nëpër një varg karakteresh dramatikë, para se të rikthehet përsëri në vetën e parë. Syri i saj është kureshtar; shqisa e saj për të ndërtuar detajin, herë pas here të mahnit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ajo i paraqet lexuesit një version të besueshëm të botës… …

Kështu që janë thjesht gjërat në vetvete, ai grumbull mbresëlënës copërash, fragmentesh, ku lënda përzihet me idetë në mënyrën më të natyrshme të mundshme, me një shkathtësi numrash akrobatikë. Ajo nuk bën asgjë ekstravagante në aspektin teknik ose atë retorik. Ajo flet drejtpërdrejt: por vetëm se ky i folur direkt, është i mprehtë (ashtu siç është edhe përkthimi), dhe e vë gishtin drejt e në plagë. Ndërsa në prezantimin që botuesi i bën autores në kopertinë, ndër të tjera thuhet:
“Shumë nga poezitë nuk i referohen ndonjë vendi specifik ose kohe specifike. Ngjarjet intervenojnë midis tyre dhe ngjarje të reja marrin formë, ashtu si në poemën e saj të gjatë “Homo Antarcticus”, e cila ndjek fatin e një heroi, i cili, ndërsa ia doli të përshtatej për muaj me radhë me vdekjen nga uria në Antarktidën e ftohtë nën zero gradë, nuk mundi të përshtatej më pas me jetën në qytetërim. Kjo është njëra nga poezmat në libër që flet për presionin e shoqërisë moderne mbi individin. Brenga dhe vdekja, dashuria dhe dëshira, burgosjet dhe zhgënjimi, janë të gjitha tema që bëjnë jehonë në poezinë magjepsëse të Lleshanakut”.

“Hapësira negative” është libri i dhjetë i autores i botuar në gjuhë të tjera, pas: Haywire; New & Selected Poems (Bloodaxe Books, Londër, 2011), Fresco (New Directions, SHBA, 2002), Child of nature (New Directions, SHBA, 2010), Kinder der Natur (Edition Korrespondenzen, Austri, 2010), Dzieci natury ( Stowo / Terytoria Obraz, Poloni, 2011), Antipastorale (LietoColle, Itali 2006), Ponedjeljak u sedam dana (Versopolis edicija, Kroaci, 2015), Lunes en Siete Días(Olifante, Spanjë, 2017) dhe Pondelok v siedmich dӣoch (Občianske združenie VLNA, Sllovaki, 2017), shkruan GSH./ KultPlus.com