“Shirli Valentina” së shpejti në Teatrin Kombëtar (VIDEO)

Një 42 vjeçare që i ka dedikuar gjithë jetën fëmijëve ka harruar ëndrrat, jetën dhe atë që ishte përpara se të bëhej nënë. Tani që vajzat janë rritur, ajo, Shirli Valentina ka mbetur vetëm me veten. Përtej normave shoqërore, ajo zbulon se përtej kuzhinës së saj ka një botë tjetër.

Duket si një dramë, por është një komedi, me ironi therëse, nga ato që të bëjnë të mendosh.

Ajo është Shirli Valentina dhe këtë përpjekje të saj për të gjetur vetveten aktorja e sjell e vetme në skenë, për gati një orë. Interpreton gati 10 personazhe, e rrethuar nga vezët, tigani, e tavolina e ngrënies.

Me një koncept regjisorial të veçantë edhe për prezantimin e shfaqjes në Tiranë, regjisorja Driada Dervishi vendosi që media t’i bashkohej aktores me elementët e shfaqjes dhe në skenë. Edhe si një mesazh që të gjitha vajzat janë apo do të jenë Shirli Valentina, që harrojnë veten kur bëhet fjalë për t’iu përkushtuar familjes.

Kjo komedi është vendosur në 30 vende të botës dhe ka mbi tre dekada që rivendoset në skenën britanike. Ëilly Russell u vlerësua për veprën e tij që në vitin 1988 kur edhe nisi të vendosej në skenat teatrale. Në Tiranë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar për 4 ditë rresht nisur nga 8 shkurti, shkruan VizionPlus./ KultPlus.com

Lakuriq

Poezi e shkruar nga Juan Ramón Jiménez.

E hirtë lindte hëna, Bethoveni mbi tastierë
nën dorën e saj të bardhë një vaji seç ia niste
Ndërsa i binte pianos në atë dhomë të errët
nën vezullimin e hënës tri herë e bukur ishte

Për ne lulet e zemrës më s’kishin asnjë shije
dhe ndoshta edhe qanim, sho-shokun pa e parë
Çdo notë sikur ndizte një plagë dashurie
dhe pianoja përpiqej të merrte vesh ç’kish ngjarë

Pa hynte nga ballkoni një brymë gjithë yje
një erë e pikur frynte prej botësh të padukshme
Ndërsa ajo më pyeste për gjëra që s’i dija
dhe unë i përgjigjesha për gjëra të pamundshme.

Arkivat shqiptare dhe sfidat e tyre në hapësirat shqiptare

Promovimi i librit “Arkivat shqiptare” me autor ish drejtorin e Arkivit Gjet Ndoj, u kthye në një debat publik mbi rolin dhe sfidat e këtij institucioni, nën praninë e Drejtorit të Arkivave të Kosovës Ramë Manaj, drejtorit të Arkivit shqiptar Ardit Bido studiuesve Mehdi Dërguti dhe Alda Bardhyli.

Në këtë libër vijnë të pasqyruar për të gjithë studiuesit prurjet më të rralla, jo vetëm në Arkivën e Shtetit, por edhe në rrjetet arkivore të vendit.

Një listë e gjatë me kopje të dokumenteve të sjella nga arkivat sekrete të Vatikanit, apo me fermanët e Stambollit shërbejnë si një guidë që lehtëson udhë përshkrimin në dokumentet e duhura. Gjithashtu nuk mungojnë dhe informacionet për dokumentet shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë e më gjerë. “Unë kam pasur fatin siç e thatë ju të isha për tre vite në krye të arkivave të shtetit Shqiptar. Ky ishte institucioni më unik nëpërmjet të cilit mund të përcaktojmë historinë tonë si popull si etni, komb dhe shtet deri në ditët tona, transmeton TCh.

Vetëm në arkiva mund të përcaktohet qartë identiteti jonë kombëtarë. Ndryshe nga çdo studiues që mund të jetë i palodhur, drejtori i arkivave për shkak të detyrës mund të kundroj dhe shikoi më shumë se çdo kush tjetër rreth fondeve arkivore. E ndjeva për detyrë sepse këto arkiva hedhin dritë mbi të vërtetën, dua t’ia them publikut shqiptar e më gjerë,” tha Gjet Ndoj. Librin e ka vlerësuar edhe drejtori aktual i arkivës Ardit Bido.

“Një punë e pa bërë sot me arkivat e jep efektin e vet pas 20,30 vitesh, dhe kur kuptohet problemi atëherë është një punë që do të nevojitet praktikisht dyfishi i punës që bëhet në fillim. Në këtë kuptim përveçse flasim për historinë, guxojmë që të potencojmë momente të guximshme, është momenti të flasim edhe për këtë zanat, këtë profesion. Gjet Ndoj ka bërë një punë të shkëlqyer nga pasqyrimi që ka bërë duke u bazuar te arkivat,” u shpreh Ardit Bido.

Libri i Gjet Ndojit ka një vlerë të veçantë për përshkrimet e arkivave private në Shqipëri, ku janë përshkruar dispozitat ligjore dhe kërkesat që lehtësojnë kërkuesin e tyre. Në këtë libër prezantohet edhe roli i drejtorisë së përgjithshme të arkivave dhe gjendja e vërtetë të tyre. Por drejtorët aktualë të arkivave të Kosovës dhe Shqipërisë janë ndalur dhe tek sfidat e këtij institucioni që janë marrja e dokumenteve mbi Shqipërinë në vendet me të cilat ne kemi pasur marrëdhënie, siç është Turqia apo Austro Hungaria.

“Punimi “Arkivat Shqiptare” i autorit Gjet Ndoj, për mua, vjen në dritë jo rastësisht. Pozita e autorit si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë është një kondicion shumë i favorshëm, është një privilegj i një indicieje, por nuk bën ushqimin themelor që ka sjellë krijimin e kësaj vepre me karakter shkencor e profesional, me vlerë kombëtare që paraqet interes të veçante për çdo lexues në përgjithësi dhe për punonjësit shkencor të fushës së historisë në veçanti. Ushqimi i vërtetë e ka bazën tek formimi i shëndoshë intelektual e pasioni i autorit për shkencën historike që ka ardhur duke u rritur, përsosur ndër vite.

E njoha autorin gjatë viteve 1984-1988, kur ai vazhdonte studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Degën e Historisë, ku unë punoja si pedagog. Që në atë moshë të re, autori më ka tërhequr vëmendjen duke u dalluar nga të tjerët si student serioz, i vullnetshëm, me dëshirë për dije dhe kërkesa ndaj vetes. Ishte këmbëngulës, i prerë, i mprehtë në gjykim.

Nuk e rrëmbente riprodhimi mekanik, por lëndët i studionte me logjikë, arsyetonte e gjykonte mbi faktet mbi të cilat formonte bindje e siguri”, u shpreh studiuesi dhe ish pedagogu i tij Menduh Derguti .Sipas tij, ka pasur shumë drejtorë më parë, bile historianë të mirëfilltë që kanë patur pozicionin administrativ të autorit, por nuk kanë dhënë punime të kësaj natyre, që të shpalosin përpara shoqërisë shqiptare vlerat e Arkivave Shtetërore më tërë diapazonin shterues të tij.

“Punimi jo vetëm informon mbi strukturën e Arkivave Shqiptare, por paraqet me hollësi dokumentacionin që përmbajnë ato duke filluar nga Arkivi Qendror i Shtetit, arkivat e tjerë shtetërorë të sistemit, pjesë e Rrjetit Arkivor të Republikës e deri tek arkivat private. Punimi është shkruar me një metodologji moderne, me stil konciz e mjaft tërheqës.

Është përdorur një gjuhë e qartë, e kuptueshme, pa e rënduar me fraza të ngarkuara e fjalë të tepërta, që do ti sillnin vështirësi jo vetëm në lexim , por dhe në kuptimin e saktë të ideve që përmbanin ato. Punimi jo vetëm që mban ngjyrën e një vepre shkencore, por është trajtuar shumë profesionalisht. Pa hyrë në analizën e tre pjesëve dhe kufijve që përmbajnë ato, theksojmë se vetëm me një punë metikuloze të imtë e të kujdesshme, precize e pedante e shumë të vullnetshme mund të arrihej realizimi i këtij punimi.

Theksuam në fillim rolin determinues që ka luajtur formimi intelektual i autorit , por duhet nënvizuar fort edhe shpirti nacionalist të tij, ndjenja e atdhedashurisë pa të cilën nuk mund të arrihej fryma që ka kjo vepër, e cila i krijon shoqërisë shqiptare mundësinë për të njohur të vërtetën historike, e cila paraqitet sot mjaft e deformuar”, tha Menduh Derguti .

Dokumentet arkivore përmbajnë memorien historike, zbulojnë çështe e vërtetë dhe jo e vërtetë, gjysmë e vërtetë apo e dyshimtë duke krijuar kushte të plota për ndërtimin e një historie të saktë, gjithëpërfshirëse , për historinë e vërtetë të kombit tonë. Në këtë këndvështrim autori Gjet Ndoj, me veprën e paraqitur bën një gjest të vërtetë patriotik.”

Vepra është një manual në dorën e çdo studiuesi, shqiptar apo i huaj i cili orientohet ku të kërkojë e të zbulojë materialin dokumentar që i nevojitet për të studiuar çdo aspekt të botës shqiptare, të fushës politike, social- ekonomike, kulturore apo fetare, duke filluar nga e kaluara e largët (Shekulli i VI, pas.Krishtit) deri në ditët e sotme. Vepra “Arkivat Shqiptare” e para e këtij lloji shënon një hap shumë serioz në fushën e Arkivistikës Shqiptare, si një fillesë e re e kësaj shkence pothuajse e heshtur deri tani në vendin tonë”, u shpreh Menduh Derguti.

Rexhep Qosja, bënë thirrje për protestë kundër korrupsionit

Shkrimtari Rexhep Qosja e ka konsideruar një protestë të rëndësishme protestën që ka ndodhur ditë më parë në Prishtinë kundër ndotjes së ajrit. Sipas shkrimtarit pikërisht fakti që ajo ishte organizuar nga të rinjtë pati ndikim duke bërë kështu që Kuvendi i Kosovës të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme.

Mirëpo për shkrimtarit ndotja e ajrit nuk është e keqja e parë e as e fundit që po i ndodh “Kosovës së lirë, të pavarur dhe pseudodemokratike”, pasi që sipas tij ajo po vuan nga një ndotje shpirtërore siç është korrupsioni.

“Përpos prej ndotjes së ajrit, Kosova, sidomos, Prishtina, vuan shumë edhe prej një ndotjeje tjetër: prej një ndotjeje shpirtërore, që quhet korrupsion. Ndotja e quajtur korrupsion në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi është përshtrirë aq sa politikanët e Bashkimit Evropian e quajnë korrupsion pandemik”, është shprehu ai duke theksuar se ndotja shpirtërore, e quajtur korrupsion, po e rrezikon shtetin, demokracinë, ekonominë, por të pacenuara prej saj nuk janë as arsimi, shëndetësia, shkenca dhe kultura.

“Por, ndotja shpirtërore, që po na gërryen së paku qe shtatëmbëdhjetë vjet, e quajtur korrupsion, nuk po mund të pakësohet, nuk po mund të parandalohet, nuk po mund të mënjanohet dhe gjasat janë pothuajse kurrfarë të ndodhë kjo. Për këtë ndotje, në disa pikëpamje shumë më rrezikuese sesa ndotja e ajrit, as Kuvendi e as Qeveria e Kosovës nuk kanë mbajtur ndonjëherë mbledhje të zakonshme e lëre më mbledhje të jashtëzakonshme. Të rinjtë tanë të cilët ashtu angazhueshëm, ashtu vetëdijshëm, ashtu ndërgjegjshëm protestuan kundër ndotjes së ajrit, nuk do të duhej të heshtnin, të mos protestonin ndaj të këqijave, ndaj padrejtësive, ndaj fatkeqësive që po ia sjell Kosovës korrupsioni me përbërësit e tij nepotizmin dhe konfliktin e interesit”, është shprehur ai duke shtuar tutje se janë pikërisht të rinjtë ata të cilët mund të luajë rol të veçantë për shpëtimin dhe për shërimin e Kosovës nga kjo e keqe e madhe.

Më poshtë mund të gjeni të plotë shkrimin e kritikut letrar dhe politikanit, Rexhep Qosja:

HESHTJE E DËMSHME

Më në fund ndodhi një protestë e rëndësishme.
Ishte kjo protestë jo për të marrë pushtet, por për të mënjanuar të këqijat.
Ishte kjo protestë e organizuar prej një numri të rinjsh.
Ishte kjo protestë e rëndësishme qoftë pse e organizuan të rinjtë, qoftë pse ishte protestë kundër ndotjes së ajrit me të cilën Prishtina qe disa ditë po renditet e para në botë.
Megjithëse me pjesëmarrës më pak se ç’do të duhej, kjo protestë nuk shkoi kot.
Fryt i saj dhe i disa reagimeve të të rinjve para saj ishte mbledhja e jashtëzakonshme dyditore, më 1 e 2 shkurt, që përfundoi me 2 shkurt, e Kuvendit të Kosovës.
Prej diskutimeve të përgatitura mirë, të argumentuara, të bindshme të disa deputeteve dhe të disa deputetëve mësuam se ndotjen alarmante, rrezikuese të ajrit në Prishtinë, nuk na e ka shkaktuar natyra po ne vetvetes.
Për më tepër, prej diskutimeve në këtë mbledhje dyditore mësuam se fajtorë kryesorë të ndotjes aq rrezikuese të ajrit në Prishtinë janë në radhë të parë ato struktura shtetërore, që nuk zbatojnë ligjet me të cilat parashihet mbrojtja e qytetarëve prej të këqijave të ndryshme natyrore, jonatyrore, politike, pushtetore. E të tjera.
Ndotja e ajrit nuk ishte e keqja e parë e as e fundit që po i ndodh Kosovës së lirë, të pavarur dhe pseudodemokratike.
Përpos prej ndotjes së ajrit, Kosova, sidomos, Prishtina, vuan shumë edhe prej një ndotjeje tjetër: prej një ndotjeje shpirtërore, që quhet korrupsion.
Ndotja e quajtur korrupsion në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi është përshtrirë aq sa politikanët e Bashkimit Evropian e quajnë korrupsion pandemik.
Ndotja shpirtërore, e quajtur korrupsion, po e rrezikon rëndë shtetin, po e rrezikon rëndë demokracinë, po e rrezikon rëndë ekonominë, por të pacenuara prej saj nuk janë as arsimi, shëndetësia, shkenca dhe kultura!
Ndotja e ajrit do të mund të pakësohet shpejt, për disa ditë a disa javë, më në fund mund t’i gjendet për një kohë më të gjatë edhe zgjidhja e duhur, ashtu si i kanë zgjidhur situatat e këtilla të tjerë para nesh.
Por, ndotja shpirtërore, që po na gërryen së paku qe shtatëmbëdhjetë vjet, e quajtur korrupsion, nuk po mund të pakësohet, nuk po mund të parandalohet, nuk po mund të mënjanohet dhe gjasat janë pothuajse kurrfarë të ndodhë kjo.
Për këtë ndotje, në disa pikëpamje shumë më rrezikuese sesa ndotja e ajrit, as Kuvendi e as Qeveria e Kosovës nuk kanë mbajtur ndonjëherë mbledhje të zakonshme e lëre më mbledhje të jashtëzakonshme.
Të rinjtë tanë të cilët ashtu angazhueshëm, ashtu vetëdijshëm, ashtu ndërgjegjshëm protestuan kundër ndotjes së ajrit, nuk do të duhej të heshtnin, të mos protestonin ndaj të këqijave, ndaj padrejtësive, ndaj fatkeqësive që po ia sjell Kosovës korrupsioni me përbërësit e tij nepotizmin dhe konfliktin e interesit.
Në qoftë se kanë varur qafën mësimdhënësit, pedagogët e tyre, në qoftë se kanë varur qafën gjysmintelektualët dhe çerekintelektualët, në qoftë se po heshtin baballarët e tyre, të rinjtë duhet të ngrenë kokat se vetëm ashtu kokëngritur mund të shohin deri ku duhet të shihet: mund të shohin larg, përtej murit të gënjeshtrave propagandistike, mund ta shohin qartë njëmendësinë e Kosovës.
Nuk thuhet kot: ardhmëria është e të rinjve. Ata, të rinjtë, kanë jo detyrë po mision që të bëjnë krejt ç’mund të bëjnë për shëndetin shpirtëror, moral, prandaj edhe politik e shtetëror të atdheut të tyre, në të vërtetë për të ardhmen e tyre e të shtetit të tyre.
Mbas protestës kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë e në Kosovë, që njëherë për njëherë nuk iu shkoi kot, të rinjtë tani nuk duhet të heshtin, por duhet të çohen në protesta kundër ndotjes shpirtërore – kundër korrupsionit me përbërësit e tij të quajtur nepotizëm dhe konflikt i interesit, me të cilat po rrezikohet seriozisht e ardhmja e tyre.
Të rinjtë tanë kanë mision të ngrenë zërin, në protesta dhe në demonstratë, kundër oligarkëve politikë, kundër zhvatjeve, mashtrimeve, gënjeshtrave të tyre dhe, në to, të kërkojnë përgjegjësinë e tyre, të kërkojnë përgjigjet si u pasuruan aq shpejt, ku i morën paratë me të cilat u pasuruan aq shumë e aq pangopshëm dhe varësisht prej rezultateve të hetimit të pasurive të tyre, të familjarëve të tyre, të disa bashkëpartiakëve e disa miqve të tyre të kërkojnë nacionalizimin e pasurive të krijuara paligjshëm apo duke keqpërdorur funksionet politike, partiake e shtetërore, në të vërtetë të kërkojnë prej organeve përkatëse të drejtësisë të kryejnë detyrat e tyre të ligjshme, përkatësisht t’u dalin zot Kosovës e pasurisë saj.
Të rinjtë tanë kanë mision e jo thjesht detyrë që të ngrenë zërin, në protesta e në demonstratë, kundër oligarkisë politike: që ka dëshmuar se qëllimi i saj parësor dhe i paharruar ishte dhe është pasurimi; që me sjelljet e saj, me pangopësinë e saj, me pensionet e jashtëzakonshme, me beneficionet e me privilegjet e saj e ka bërë Kosovën shtet privat; që ka kapur gjyqësorin, i cili fjalës vetting ende nuk ia ka mësuar kuptimin dhe rëndësinë; që në Kuvendin e Kosovës, që në Qeverinë e Kosovës, që në ministritë e Kosovës, që në institucionet shtetërore të Kosovës ka sjellë dhe vazhdon të sjellë edhe ish bashkëpushtetarë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe bijtë e tyre; që me pozita e me privilegje të tjera në njërën anë e blen përkushtimin e një vargu kundërshtarësh politikë, kurse, në anën tjetër, pa ngurrime ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë njerëz të merituar, të aftë dhe sakrifikues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; që ka blerë dhe vazhdon të blejë shërbimet propagandistike të disa gazetarëve e pronarëve të medieve me të cilët ka krijuar klasën “elitore” të Kosovës, në të vërtetë klasën e përvetësuesve të pasurive të Kosovës; që zhvendosjen e të rinjve e të të varfërve e ka bërë figurë të ekzistencës në shtetin e Kosovës; që merr vendime me lehtësinë e padurueshme për çështje jetike të Kosovës e të njerëzve të saj e më pas që ato vendime dhe masa të miratuara dje i mohon sot, të miratuara sot i mohon nesër, i rikthen pasnesër e i mohon prapë tejpasnesër, duke e bërë kështu tragjikomike politikën shtetërore të Kosovës e duke e përdhosur skajshëm imazhin e Kosovës në botë; që me politikën e saj ka përmbysur dhe vazhdon të përmbysë kodet kulturologjike dhe etike në veprimtarinë shtetërore; që universitetet e Kosovës, më të shumta në numër se universitetet e Gjermanisë apo Anglisë,i ka mbushur me familjarë, partiakë e miq të vet, të shumtët analfabetë a gjysmanalfabetë të dijeve që gjoja ua shpjegojnë studentëve, disa prej të cilëve kanë magjistruar e kanë doktoruar me procedura të jashtëzakonshme, që s’i mbulon asnjë ligj e asnjë venom dhe asnjë etikë! E të tjera e të tjera.
I shikuar dhe i trajtuar si një ndotje e rëndë, shumë dëmtuese dhe shëmtuese, shoqërore, ekonomike, shtetërore, shpirtërore e morale, me përshtrirje të gjerë e të thellë, korrupsioni po krijon përfytyrim jo vetëm të neveritshëm, por për më tepër përfytyrim joqytetërues për dinjitetin e Kosovës e të popullit të saj jo vetëm në Evropë.
Është detyrë jo vetëm shoqërore, por edhe atdhetare që të bëjmë krejt ç’mund të bëjmë për shërimin e Kosovës prej kësaj të keqeje aq dëmsjellëse e aq komprometuese, që është e do të jetë pengesë jo vetëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, por edhe për liberalizimin e vizave.
Të rinjtë tanë duhet të dinë se zhvatësit e pasurive të Kosovës janë zhvatës edhe të ardhmes së tyre në Kosovë!
Të rinjtë tanë e kanë dëshmuar dhe mund ta dëshmojnë se janë ajo forca më e rëndësishme, më e çmuar shoqërore, morale dhe atdhetare që mund të luajë rol të veçantë për shpëtimin, për shërimin e Kosovës nga kjo e keqe e madhe.
Të rinj e të reja!
Dhurojani Kosovës këtë rol tuajin të pazëvendësueshëm, këtë përkushtim tuajin atdhetar!
Dhe, mos harroni se ata zyrtarë që shkencën, profesionalizmin dhe etikën s’i bëjnë përbërës kuptimorë dhe vlerësues të politikës ata nuk mund ta demokratizojnë, ta zhvillojnë e ta përparojnë vendin.
Dhe, mos harroni se Kosovën e lirë, idealin e aq shumë brezave, duhet ta bëjmë shtet vërtet demokratik, shtet vërtet të së drejtës, që u siguron dinjitet të barabartë të gjithëve, shtet të drejtësisë sociale, që u siguron punësim e jetë të dinjitetshme të gjithëve e jo siç është sot: shtet i privatizuar i oligarkisë politike dhe i propagandistëve të saj medialë e të tjerë, që edhe privilegjet, pasurimet, lukset dhe mashtrimet e kësaj oligarkie i heshtin duke i larë e duke i lyer protagonistët e tyre politikë e shtetërorë.
/ KultPlus.com

Albulena Blakaj, sjellë gjurmët e gjeniut gjerman në kulturën shqiptare

Gili Hoxhaj

“Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, është libri më i ri i studiueses Albulena Blakaj, i shtypur nga Shtëpia Botuese “OM”, shkruan KultPlus.

Libri e sjellë një gjigant letrar, të një kulturë letrare të jashtëzakonshme dhe pranohet në gjirin e një vendi e populli të vogël. Kësisoj, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u bë edhe promovimi i tij mes shumë miqsh të studiueses dhe atyre që e duan librin.

Ky libër monografik është i ndarë në gjashtë pjesë, në të cilat e sjellë shkrimtarin e madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe në kultura të ndryshme, por e veçanta e këtij studimi është se përmes këtij libri, gjejmë përballjen e shkrimtarit në kulturën shqiptare, duke nxjerrë në pah kapacitetin e gjuhës shqipe e përkthyesve shqiptar për t’u përballur me kryeveprat e kësaj figure të njohur botërore.

Për ta sjellë sa më të plotë këtë monografi, autorja Albulena Blakaj ka përkthyer, analizuar e komentuar shumë nga puna e studiuesve të huaj e shqiptar lidhur me këtë figurë, ndërsa puna e saj ishte bazuar edhe në hulumtimin e arkivave të ndryshme. E qëllimi i krejt kësaj vepre ka qenë nxjerrja në pah e pranisë së këtij shkrimtari në kulturën shqiptare.

Shkrimtari Ag Apolloni, në këtë promovim lexoi recensionin e tij me titull “Gjurmët e gjeniut”. Ai e quajti librin e Blakaj si monografia më e madhe shqiptare e shkruar sipas metodës gjermane të receptimit. Ai tha se rëndësia e librit të Albulena Blakaj, është jo vetëm në rezultatet që sjellë por edhe për shtigjet që hap për studimin e kësaj figure.

“Është një kërkim mbi gjurmët e gjeniut gjerman në kulturën shqiptare. Ky kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve e shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptar për veprën kolosale të autorit gjerman”, tha Apolloni, i cili shtoi se ky studim jo vetëm që mbush vakuumet tona në studimet tona por edhe nderon letërsinë dhe kulturën tonë me rezultatet që sjellë.

Apolloni, tutje shtoi se ky studim realizohet si sinkretizëm metodash kritike për ta sjellë të plotë portretin e autorit që krijoi konceptim e letërsisë dhe u bë pastaj njëri nga përfaqësuesit e asaj letërsie, krahas Homerit, Dantes dhe Shekspirit. Ai e quajti këtë studim si burim i rëndësishëm, e që nxjerrë në pah përballjen e shqiptareve ndaj studimit të Goethe-së, një qëndrim që herë është më entuziast, herë më racional por gjithmonë adhurues.

“Ky studim përveç informacionit të detajizuar mbi ndikimin dhe recpetimin e veprave të shkrimtarit gjerman, sjellë edhe analiza për veprat e ndryshme të tij nga autorë e përkthyes të njohur shqiptar. Pra, studimi vjen si një kërkim kritik që nënkupton hulumtimin, analizën dhe komentimin. Në këtë mënyrë studimi ka status të dyfishtë, kritik dhe metakritik”, është shprehur profesori Ag Apolloni.

Studiuesi Gëzim Aliu, gjatë promovimit të këtij libri lexoj një recension me titullin “Geothe, edhe i shqiptarëve”, ai sot tha se duhet të jemi të gëzuar që shkrimtari i madh, shkrimtari i njeriut të emancipuar, sot është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar. Aliu shtoi se ky është libër për krijimtarinë e gjeniut gjerman dhe për kulturën shqiptare, që e pranon dhe përpiqet ta përvetësoj.

“Ky është libër ku bëhen analiza tekstesh, krahasime e përkthime tekstesh, e krahasime përkthimesh, konstatime të sakta, pa kapërcyer kurrë në spekulim, ku gjejmë informacion të pasur e evidentim këmbëngulës. Një kombinim metodash nxjerrë rezultate të prekshme, për një lëndë që është e gjerë dhe kërkon jo vetëm guxim intelektual por edhe punë sistematike”, ka thënë Aliu sot në fjalën e tij gjatë promovimit të librit “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”.

Ai tutje shtoi se qëllimi i monografisë nuk është aspak i lehtë sepse ka të bëj me dy gjuhë, dy letërsi me dy kultura por e dyta është vazhdimisht marrëse dhe pranuese, nganjëherë edhe pranuese e dukurive përparimtare dhe tepër rrallë edhe dhënëse.

Vet autorja e cila ka sjellë një gjigant letrat në një popull të vogël, Albulena Blakaj, falënderoi të gjithë të pranishmit që e bën më të veçantë këtë event, ndërsa nuk la pa falënderuar familjarët, të afërmit e bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur në përkushtimin e saj gjatë procesit të këtij studimi./ KultPlus.com

Shqipëri e Kosovë me qendra të përbashkëta kulturore në diasporë

Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të komunitetit shqiptar në ‘Troy Community Center’ në Detroit, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko foli për hapat e ndërmarrë deri më tani dhe gjithashtu për projektet që synojnë mbështetjen dhe krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës, transmeton atsh.

Të dielën ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, udhëtoi në New York, ku i shoqëruar nga homologu kosovar, Dardan Gashi, zhvilloi një takim me drejtorët dhe mësuesit e shkollave shqipe.

Në takimin e zhvilluar në Konsullatën e Republikës së Kosovës ishin të pranishme edhe ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, dhe konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatçija.

Me këtë rast u diskutua mbi aktivitete të ndryshme arsimore në New York, të tilla si Festivali i Shkollave Shqipe. Ky aktivitet, që zhvillohet në muajin maj, u vlerësua si moment i favorshëm për organizimin e një takimi me përfaqësues të lartë të arsimit nga Shqipëria dhe Kosova, ku do të diskutohet më gjerësisht mbi shqetësimet kryesore e mbi mënyrat për t’i dhënë zgjidhje atyre.

Drejtorët dhe mësuesit e shkollave të gjuhës shqipe i njohën ata me kushtet dhe problematikat kryesore me të cilat përballen. Një prej shqetësimeve kryesore të tyre ishte sigurimi i librave të gjuhës shqipe dhe të dy ministrat u shprehën të gatshëm për të ndihmuar.

Mësuesit sugjeruan të ofrojnë mbështetjen në hartimin e një teksti për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe përmirësimin e kurrikulave për t’u përshtatur më mirë fëmijëve të diasporës.

Ministri Majko deklaroi se arsimi është një prej prioriteteve kryesore të tij, duke informuar të pranishmit mbi marrëveshjen e arritur mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës lidhur me krijimin e qendrave të përbashkëta kulturore, të cilat kanë për qëllim eksportimin e kulturës dhe ruajtjen e forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen.

Ministri Majko propozoi ngritjen e një këshilli koordinativ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ndalur gjithashtu tek çështja e certifikimit të mësuesve të gjuhës shqipe. Ndërsa i përgëzoi për punën e deritanishme, ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi angazhim të përbashkët për përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në klasat e gjuhës shqipe./ KultPlus.com

Në Bern hapet ekspozita me fotografi për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ambasada e Kosovës në Bern në bashkëpunim me “Ibrahim Kodra Swiss Foundation” hap ekspozitën: Bukuritë natyrore të Kosovës.

Ekspozita do të jetë e hapur nga 8 deri më 23 shkurt 2018

Autorët e fotografive: Aleksandër Hiltman, Arben Islami, Erza Rudi, Jeta Abazi-Gashi, Marieke Lebet-Booij, Shkelzen Rexha, Yllka Fetahaj, Agron Nimani, Maria Pacolli, Arian Mavriqi, Armend Nimani, Bleron Caka, Dea Lajci, Sehida Miftari, Layka Barake, Arben Llapashtica./ KultPlus.com

Rrënohet oxhaku i ish-kombinatit të drurit, që konsiderohej monument i Ferizajt

Oxhaku i mbetur i ish-kombinatit të drurit “Tefik Çanga” në Ferizaj është bërë rrafsh me tokë. I konsideruar monument që simbolizonte periudhën e suksesshme të zhvillimit ekonomik të këtij qyteti pas Luftës së Dytë Botërore, ky oxhak, të premten e javës që shkoi, u rrënua nga një buldozer për t’i lënë vend një kompleksi privat.

Në muajin maj të vitit 2017, oxhaku i ish-kombinatit të drurit që u privatizua pas luftës së fundit në Kosovë, ishte bërë pjesë e muraleve të njohura të Ferizajt. Në edicionin e dytë të “Mural Festit” që për temë kishte mbrojtjen e mjedisit, oxhaku ishte bërë me një mural me ngjyra të ylberit.

Organizatorët e “Mural Festit” që kanë qenë të pranishëm derisa është rrënuar oxhaku, kanë thënë se oxhaku është rrëzuar shkaku i rrezikut nga shembja dhe se nuk e dinë nëse Komuna ka dhënë leje për rrënim.

Të dielën, gazeta ka provuar ta kontaktojë pronarin e “Rubin Invest” dhe përfaqësuesit e Komunës së Ferizajt, por nuk kanë dhënë përgjigje shkruan sot “Koha Ditore”./ KultPlus.com

Majlinda Nana Rama, publikoi disa pjesë nga libri i saj i ardhshëm “Kodi poetik i Agollit”

Shkrimtarja dhe gazetaria Majlinda Nana Rama, i është përveshur punës për të sjellë para publikut një monografi studimore “Kodi poetik i Agollit”. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë shkrimtarja nw rrjetin social Facebook, e cila ka theksua se libri është në proces të botimit.

KultPlus më poshtë po u sjellë disa pjesë të shkëputura nga ky tekst për të cilin shkrimtarja akoma nuk ka bërë të ditur se kur do të publikohet.

“Ndër autoritetet absolute të penës, i dashur dhe njerëzor, Dritëro Agolli, mbeti i njëjtë, edhe pse i vendosur mes dy epokave historike shqiptare: sistemit totalitar dhe shoqërisë demokratike” është fillimi i tekstit të publikuar nga Majlinda Nana Rama.

Ajo vazhdon tutje duke e cilësuar shkrimtarin Dritëro Agollin si: “Autor me ndikim dhe rol të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, një ndër emrat që i rezistoi furtunës dhe trysnisë së përballjes midis krijimit të një letërsie ideologjike dhe një letërsie të mirëfilltë artistiko-estetike. Pavarësisht ndikesave dhe presimit nga kjo e para (ideologjisë), kritikat ndaj diktaturës Agolli i shfaqi qysh në atë kohë, kur e shpaloi mendimin e tij përmes romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një demaskim për drejtuesit injorantë e mediokër, të mëkuar në gjirin e partisë mëmë…”, ka shkruar ajo.

Ndërsa sa i përket librit “Kodi poetik i Agollit”, shkrimtarja ka theksuar se ai sjell një variant alternativ leximi dhe synon ndërlidhjen e elementeve autentike me konstanten krijuese moderne të poezisë së autorit.

“Qaset të lidhë kompaktësinë strukturore me shpërthimin gjenetik e tradicional (truallin) dhe t’i paraqesë ato në kontekst me sociologjinë, kushtet shoqërore, sociale, historike etj. Pra, pa dashur të kumtojë teori pranuese, pohuese apo ndarje kontrastive, sjell mundësinë e një rileximi modest, të shtruar e të fushuar në trekëndëshin: tipologji e poetit-tekstualitet poetik-lexues (marrës)”, ka shkruar autorja Ramaj.

Libri hedh vështrim mbi ndikim që pati Dritëro Agolli në Shqipërinë letrare, si idealist e progresist, që synoi një botë të civilizuar poetike, me sens modern. Pasi që sipas shkrimtares ai është dëshmuar si poet i cili qysh në fillimet e veta e deri në certifikimin e tij si personalitet i letrave shqipe, ruajti nivelin artistik nga interferimi i zhvillimeve jashtëletrare, duke lartuar ngrehinën e poetit dhe poezisë së muzave shpërthyese, me penë të mprehtë e universale, që mbart tiparet e një krijimtarie të përbotshme.

“Si njeri i mendimeve të thella dhe ideve të mëdha, poeti vjen në këtë libër edhe si mendja e hapur, edhe si vizioni përparimtar, edhe si poetika dinamike. Me natyrshmëri e origjinalitet fabulesk dhe emocional, Agolli ngriti shqetësime të mëdha shoqërore të kohës ku jetoi, duke u bërë edhe pjesë aktive, përgjegjës, udhërrëfyes e udhëheqës shpirtëror i kombit të vet. Në këtë udhëtim, poeti është sjellë nëpërmjet poezive të krijuara para dhe pas viteve ’90-të, nga ku shfaqet zë i parë për kërkesa të larta të një Shqipërie tjetër”, është paragrafi i fundit i shkëputur nga libri i ardhshëm “Kodi poetik i Agollit”, i shkrimtares Majlinda Nana Rama. / KultPlus.com

Fotografi të rralla të grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (FOTO)

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (shkurt e njohur si UÇK) ishte forcë politiko-ushtarake e popullit shqiptarë të Kosovës e cila ishte aktive mes viteve 1981 -1999, shkruan KultPlus.

Në këtë ushtri që realizoi veprimtarinë e vetë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, përveç burrave, kontribut të madh brenda kësaj lëvizje e kanë dhënë edhe gratë. Në vijim KultPlus, ju sjellë disa nga fotografitë e tyre, ku ato shihen te veshura me veshjet e UÇK-së ndërsa në duar mbajnë armët./ KultPlus.com

Tregimi prekës i Ernest Hemingway në gjashtë fjalë

Kur Ernest Hemingway ka qenë në moshë të re, ka vënë një bast me shoqërinë e kolegët shkrimtarë, ku ka deklaruar se si ai mundet të shkruaj tregim me gjashtë fjalë, shkruan KultPlus.

“Në shitje, Këpucë për bebe, t’pambathura”, është tërësia e asaj që është përshkruar si një roman me gjashtë fjalë, duke e bërë atë një shembull ekstrem të asaj që quhet fantazi e shpejtë ose imagjinatë papritur.

Ernest Hemingway ka qenë një novelist amerikan, që ka shkruar storie të shkurtra. Hemingway njihet si një nga figurat më të shquara të viteve 1920 dhe 1950, ndërsa në vitin 1954 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Ai ka publikuar shtatë romane, në mesin e tyre edhe romanin “Plaku dhe Deti”.

I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Hemingway vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Hemingway janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore./ KultPlus.com

Majko takon shqiptarët e Amerikës: Libra dhe regjistrim për fëmijët e lindur jashtë vendit

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, nisi të shtunën një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndalesën e parë e bëri në Miçigan, ku edhe jeton një numër i madh shtetasish shqiptarë.

Majko, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber, dhe përfaqësues të tjerë të diasporës atje, vizitoi qendrat fetare të komunitetit shqiptar në Rochester Hills. Ministri pa nga afër Kishën Katolike të Shën Palit e cila në çdo cep të saj kishte gjurmë shqiptare. Ndërsa famulltari i Kishës Dom Fred Kalaj e njohu me ambientet e mbushura me simbole e figura shqiptare, si Nënë Tereza dhe Skënderbeu. Ministri Majko tha se bëhej fjalë për një lidhje shumë të bukur mes besimit dhe ndjenjës kombëtare.

Në Kishën e Zojës Pajtore të Shqiptarëve, Kisha e dyte Katolike e shqiptarëve në Rochester Hills, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe delegacioni që e shoqëronte u prit nga famulltari Dom Ndue Gjergji. Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e forta të komunitetit, Majko tha se ishte shumë e rëndësishme që një komunitet të gjente pikat e lidhjes. Përfaqësuesit e Kishës e ftuan Ministrin të merrte pjesë në aktivitetin që zhvillohet në datat 15-16 qershor, kur mijëra shqiptarë mblidhen në Miçigan.

Më pas, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi Teqen e Baba Rexhepit, e para Teqe Bektashiane e hapur në SHBA. Në Teqen ku gjithashtu, simbolet fetare ndërthureshin me ato kombëtare z. Majko u prit nga përfaqësues të komunitetit Bektashian dhe Dervishi Eliton Pashaj. Në fokus të diskutimeve ishte ruajtja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj. Z. Majko shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar për sigurimin e librave të gjuhës shqipe për shqiptarët atje dhe regjistrimin e fëmijëve të lindur jashtë vendit.

Vizitat në qendrat fetare të shqiptarëve në Miçigan, Ministri Majko i mbylli në Qendrën Islamike Shqiptare ku u takua me përfaqësues të këtij komuniteti dhe Imamin Shuaip Gerguri. Gjatë takimit z. Majko informoi të pranishmit lidhur me hapat që po ndërmerr bashkë me qeverinë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës. / KultPlus.com

Adrian Paci, mrekullon me misteret e dritës në Museo Novecento

Artisti i njohur shqiptar i arteve të aplikuara, Adrian Paci, i njohur edhe si piktor dhe kurator, ka hapur një ekspozitë në Museo Novecento të Firences.

“Të gjithë janë të ftuar të ndjekin heshtjet, zërat, sfumaturat dhe misteret e dritës, pasi kjo e fundit është e pranishme në shumë vepra të Adrian Pacit, element që është në gjendje të lexojë, rilexojë dhe transformojë realitetin”, shkruan Museo Novecento.

“Këto do të jenë mënyrat për të filluar një veprimtari të vogël performuese që do të përfshijë të rinj dhe të moshuar për t’i dhënë dritë të re jetës sonë të përditshme, në përputhje me mendimin e artistit që thotë se ‘projekti im i ndërhyrjes në Arno konsiston në një shëtitje në mbrëmje në lumë, me një varkë, nga e cila dalin dhjetëra fije të shndritshme, që shkojnë ‘për të peshkuar’ imazhin e fshehur të fundit të Arnos. Të çosh dritën në errësirën e thellësisë së lumit për të kërkuar të bësh të dukshme atë që normalisht mbetet e fshehur, kjo është përpjekja ime”, shton Museo Novecento, përcjell ATSH.

“Për mua, arti, më shumë sesa produkti i një gjëje të re, është të bësh të dukshme, në mënyrë të ndryshme, atë që ne kujtojmë se e dimë”, shton Paci.

Paci është i njohur për hapjen e shumë ekspozitave në Gjermani, Londër, Sevilje, Stokholm, Hjuston, Modena, Venecia, Paris, Milano Suedi dhe Montreal./ KultPlus.com

“Kështu foli Zarathustra”, fjali nga kryevepra e Niçes

“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”.

“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.
“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?
“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.
“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.
“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.
“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.
“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.
“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”
“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.
“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.
“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.
“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet”. / Përgatiti: Bota.al

Thesari misterioz që kërkohet për më shumë se 200 vjet

Ishulli i vogël në gjirin kanadez Mahone, në Skocinë e Re për më shumë se dy shekuj ka ndezur imagjinatën e gjuetarëve të thesareve.

Oak Island është në pronësi private prej rreth 57 hektarë dhe shtrihet 200 metra në jug të bregut të Skocisë së Renë Kanada.

Kryesisht është i mbuluar me pyje të dendura dhe është njëri nga 360 ishujt e gjirit Mahone. Në Oak Island ekzistojnë teori të shumta për arin dhe artefakte të rralla, të cilat mund të zbulohen.

Gjuetarët e arit misterioz kryesisht koncentrohen në pjesën Money Pit, formacion i shkëmbinjve i quajtur Kryqi Nolan, plazhi te shpella Smith dhe kënetat e vogla.

Kërkimi pas arit të fshehur të ishullit filloi në vitin 1795, kur 18-vjeçari Daniel McGinnis vërejti një dritë nga drejtimi i ishullit. Ai në pjesën juglindore gjeti një pllakë guri, nën dhe. Duke vazhduar gërmimin së bashku me dy shokët e tij, çdo tri metra gjenin shtresa të pllakave që “sugjeronin” se diçka e vlefshme fshihet thellë nën sipërfaqe, por pas rreth dhjetë metrave ata hoqën dorë dhe u larguan nga ishulli pa asgjë.

Lajmi për kërkimin e tyre u përhap me të shpejtë dhe doli në gazeta lokale. Tetë vjet më vonë ‘Onslow Company’ nisi kërkimet dhe në thellësi prej 27 metrash gjetën një guri me simbole të pazakonshme. Kompania u tërhoq nga kërkimet për shkak të vërshimeve të ujit.

Në vitin 1849, në aventurë u hodh edhe kompania ‘Turo’, e cila pas shpimeve hasi në një shtresë metali dhe argjilës në trashësi prej dy metrash. Kompania hoqi dorë pa shpjegime nga kërkimet.

Ato vazhduan në vitin 1861, kur një pjesë e gërmimeve u shemb papritmas dhe mbeti mister shkaku i gjithë kësaj ndodhie. Atëherë u regjistrua edhe rasti i parë i vdekjes së një punëtori nga pompa, e cila eksplodoi.

Edhe disa të tjerë u përpoqën të vazhdojnë shpimet në ishull, por pa sukses deri në vitet ’60-ta të shekullit 20.

Në vitin 1967, vrima ishte e thellë madje 72 metra. Aty u lëshua kamera, e cila gjeti mbetje njerëzore, arka druri dhe vegla. Kualiteti i xhirimit ishte aq i dobët sa që këto pohime nuk janë konfirmuar asnjëherë.

Disa janë të bindur se aty fshihen dorëshkrime të Shekspirit, thesari i masonëve, apo edhe gurët e çmuar të Maria Antoneta. Disa pretendojnë se bëhet fjalë për vendin prej nga ishte nisur anija e vikingëve, gjë të cilën e dëshmojnë shtresat e gjetura nga kërkuesit. Më shumë se 50 libra janë shkruar rreth arit misterioz dhe është regjistruar edhe një dokumentar.

Marty dhe Rick Lagina, amerikanë nga Kingsford, Michigan, të mahnitur nga rrëfimet për arin në Oak Island kontaktuan pronarin e ishullit Oak Island Tours për të blerë një pjesë të pronësisë dhe atyre shumë shpejt iu paraqit kompania Prometheus Entertainment, duke ofruar mbështetjen në kërkim të thesarit.

Ata kontaktuan babanë dhe djalin Dana dhe Dave Blackenship, banorët e ishullit që kanë qenë duke kërkuar arin që nga vitet 1960 dhe bashkuan forcat me ta.

Rick është një postier i pensionuar dhe është i vendosur të gjejë një thesar. Marty, një biznesmen dhe milioner, mbështet financiarisht projektin, duke shpresuar ta kthejë ishullin në një destinacion turistik.

Në sezonin e parë të dokumentarit “Curse of Oak Island”, ata zbuluan një monedhë nga vitet 1600. Rick mendon se ata që kapen në ishull kurrë nuk heqin dorë dhe thonë se ishulli gjithmonë jep pikërisht atë që duhet për të parë më tej, transmeton KosovaPress.

Seria u shfaq premierë në kanalin History në Kanada më 5 janar 2014 dhe që atëherë ajo është regjistruar për pesë sezone, dhe e fundit është duke u shfaqur. Katër episode të tjera do të transmetohen, dhe nëse vëllezërit gjejnë atë që po kërkojnë – mbetet për t’u parë./ KultPlus.com

Nji lutje për reperat tanë…

Nji lutje per reperat tane te cilet tekstet i shkruajne kryesisht vet. Ju ndoshta edhe nuk jeni te vetedijshem per ndikimin qe e keni ne formesimin e te rinjeve t’ketij vendi qe rriten tu ju ndegju juve se sa per mu asnje s’kishit mbet gjalle. Tue e zbukuru e reklamu rabin e droga te ngjashme neper kange po perconi qendrime pozitive ndaj ketij fenomeni vdekjeprues. Jeni tu na marr m’qaf pak a shume si dillerat qe po shesin ne oborr te shkollave. Tash jeni rrit pak e keni me u ba prind edhe vet e hiq nuk e besoj qe kishit pas qef femijet tuej me i ndegju kanget e juve. Aman ndaluni, edhe kijeni parasysh qe mundeni me qene repera e hiphopista te mire edhe pa i k’nu droges!

VLORA KONUSHEVCI / FACEBOOK

Janë thyer xhamat e qendrës kulturore “Termokiss” në Prishtinë (Foto)

Në orën 12:30 të ditës së sotme një nga anëtarët e komunitetit të qendrës shoqërore “Termokiss” duke kaluar nga objekti në fjalë që gjendet në lagjen “Dardania” në Prishtinë ka parë që xhamat e kësaj hapësire janë thyer.

Derisa i njëjti ka lajmëruar edhe anëtarët e tjerë të komunitetit, të cilët më pas e kanë lajmëruar rastin në Polici.

Gent Thaçi një nga anëtarët e këtij komuniteti ka thënë për Indeksonline se nuk dihet kush e ka bërë këtë gjë.

“Nuk e dimë se kush e ka bërë këtë gjë. Jemi lajmëruar në orën 12:30 nga një anëtar i komunitetit, ndërsa më pas kemi lajmruar edhe Policinë dhe Komunën e Prishtinës, ku zyrtar nga Komuna kanë ardh në vendin e ngjarjes dhe kanë parë nga afër dëmet e shkakturara. Ndërsa përveç xhamave që janë thyer, dëme të tjera nuk ka”, ka thënë Genti.

Ndryshe Termokiss është qendër shoqërore e cila gjendet në lagjen Dardania, në afërsi të ngrohtores së qytetit ‘Termokos’ dhe shkollës ‘Dardania.’
Kjo qendër është nisur dhe drejtohet nga komuniteti, dhe ka për qëllim të ofrojë hapësirë për aktivitete argëtuese dhe edukative për qytetarët e Prishtinës. Hapësira ku komuniteti i Termokiss i zhvillon aktivitetet e saj është ndërtuar në fillim të viteve të ‘90ta por asnjëherë nuk është shfrytëzuar deri në korrik të vitit 2016, kur dhjetëra vullnetarë nga Kosova, Belgjika dhe Zvicra e funksionalizuan këtë strukturë nën ombrellën e projektit Toestand Mâche Prishtina./ KultPlus.com

74 vjet nga masakra në Tiranë

Sot bëhen 74 vjet nga masakra e ndodhur në Tiranë, ku mendohet se u pushkatuan 84 antifashistë dhe 400 të tjerë u mbyllën në kampet e përqendrimit.

Operacioni i 4 shkurtit, i quajtur Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 sipas numrit të gazetës “Bashkimi” që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që komunistët u kishin bërë figurave politike.

Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë ka mbetur një enigmë në lidhje me motivin dhe numrin e të vrarëve.
Historiografia shqiptare ende debaton në lidhje me këtë ngjarje, teksa në ndihmë vjen edhe dokumentacioni britanik i kohës për motivin dhe realitetin politik të atyre ditëve të para të shkurtit 1944. Në dosjen me kod HS 5/96, të inteligjencës ushtarake të SOE, ka edhe një paragraf për ngjarjen e 4 shkurtit.

“Partizanët vazhdojnë të tregojnë shenja aktiviteti në zonën e Tiranës ku besohet se ndodhet Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur për jetën e Xhafer Devës, ministër i Brendshëm dhe një kolaboracionist i njohur. 60 partizanë nga burgu i Tiranës thuhet se janë masakruar si reprezalje”, thuhet në dokumentin britanik, transmeton kp.

Ndërsa vetëm në vitin 2015 do të publikohej një letër sekrete në media e një udhëheqësi të Partisë Komuniste Naho Spiru , i cili rrëfen detaje nga terrori dhe sulmet mes të cilave janë gjendur komunistët në shkurtin 1944. Letra e tij i drejtohet Koçi Xhoxes (Trashi), Miladin Popoviçit (Ali) dhe Liri Gegës (Muzhik) dhe shpjegon me një shënim në krye të letrës së ato çfarë shkruan janë shkëputur nga një letër që ia ka nisur edhe Enver Hoxhës (Tarasi).

Ai në letër e cilëson si një masakër ngjarjen e 4 shkurtit por nuk jep numrin e saktë të të vrarëve. Ndërsa tregon emrat e disa të vrarëve, Naho Spiru shpreh shqetësimet se kjo ngjarje mund të përsëritet.

E megjithatë ende nuk ka një shpjegim të qartë zyrtar nga shteti shqiptar për këtë ngjarje por sipas këtyre fakteve ka ndodhur një masakër e vërtetë ndaj komunistëve të cilët kishin ngritur krye ndaj pushtetit të Mbretit Zog në Shqipëri.

Ndërkohë, sot është përkujtuar masakra e 4 Shkurtit në ambientet e gjimnazit “Sami Frashëri”, nën kujdesin e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve dhe Heronjve të LANÇ.

Ky aktivitet u nderua me pjesëmarrjen e Sekretarit Sekretarit të Përgjithshëm të PS Taulant Balla, zëvendësministrit të Mbrojtjes Petro Koçi, kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës Aldrin Dalipi dhe autoriteteve të tjera shtetërore./ KultPlus.com

Shinto

Jorge Luis Borges
Nga origjinali në shqip: Butrint Haxhaj

Kur vuajtja na flak poshtë,
për një çast shpëtohemi
nga gjërat më të papritura
të ndërgjegjes ose kujtesës:
shija e një fruti, shija e ujit,
ajo fytyrë e kthyer te ne prej një ëndrre,
jaseminët e parë të nëntorit,
dëshira e pafundme e busullës,
një libër që menduam se ishte i humbur përgjithnjë,
dridhmat e një heksametri,
çelësi i vogël që hap një shtëpi për ne,
aroma e një biblioteke, ose e drurit të sandallit,
emri i vjetër i një rruge,
ngjyrat e një harte,
një etimologji e paparashikuar,
butësia e thoit të lëmuar,
takimi që ne kërkonim,
duke numëruar dymbëdhjetë tinguj të kambanës,
një dhembje fizike e papritur.

Tetë milionë hyjni Shinto,
fshehtas, udhëtojnë nëpër botë.
Këto hyjni modeste na prekin,
na prekin ne, dhe na lënë.

“Moj e mira te pojata” (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.
Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

https://www.youtube.com/watch?v=Cpcql4xTHMA

KultPlus, sot po e sjellë këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Moj e mira te pojata

Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka
Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë…/ KultPlus.com

Kurier: Udhëtim përmes Shqipërisë

Përshkrim për Shqipërinë në mediet austriake.

Vetëm disa dekada më parë, për Shqipërinë dihej shumë pak. Vizitorët e huaj vinin në mënyrë sporadike dhe vetëm për raste të veçanta, siç ishin ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në futboll, në dhjetor të vitit 1980.

Në atë kohë vetëm pak gazetarë kishin mbërritur, të cilët u dërguan nga aeroporti drejt qendrës së Tiranës. Autobusi ecte në një rrugë virtuale pa trafik, ku kishte vetëm njerëz me biçikleta. Në hollin e hotelit kishte një pemë Krishtlindjesh. Një gjë e rrallë, pasi Shqipëria komuniste në atë kohë ishte e izoluar dhe ateiste.

Por, që nga viti 1990, Shqipëria ka patur zhvillime të jashtëzakonshme. Rreth 12 vite më parë, aeroporti u shndërrua në një kompleks modern dhe mori emrin ”Nënë Tereza”, emri i shenjtores së famshme shqiptare. Trafiku tashmë është i rënduar si në çdo qytet tjetër të Evropës. Rrugët janë të mbushura me reklama të mëdha të kompanive ndërkombëtare, të kompanive të njohura të prodhimit të makinave dhe të universiteteve private.

Trashëgimia e romakëve

Thesari kulturor i Shqipërisë ndodhet jashtë kryeqytetit, ku të presin peizazhe madhështore dhe vlera të çmuara kulturore. Në rrugën drejt bregdetit ju kaloni në Apolloni, një pllajë e gërmuar nga arkeologët, që ju fton të ecni përmes pjesëve të rikonstruktuara të tempujve romakë dhe te teatri. Larg në horizont, dielli që po perëndon reflekton në detin Adriatik. Në Antikitet, ky qytet ishte i aksesueshëm nga anijet dhe shumë i rëndësishëm ekonomikisht, por pas një tërmeti në shekullin III, porti u shkatërrua.
Në qytetin port të Vlorës, ju prekni detin Adriatik. Vetëm pak kohë më parë është përfunduar një shëtitore me palma, e quajtur “Lungomare”. Ende, shezlongët e hoteleve të rinj janë të paprekur dhe në pritje të turistëve. Në vitin 1912 pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Otomane u shpall në Vlorë. Relike, foto dhe dokumente ju mund t’i shihni dhe admironi në Muzeun e Pavarësisë.

Riviera shqiptare

Sapo kalon Vlorën, peizazhi bëhet më tërheqës, ndërsa rruga e bregdetit më e gjarpëruar. Edhe këtë herë, përpara shfaqet pamja e gjireve të vegjël, që të joshin me plazhet me guralecë me ujëra të kaltra dhe të kristalta.

Këtu gjendet kufiri mes Adriatikut dhe Jonit. Pas udhëtimit nëpër rrugën e ngushtë gjarpëruese mbërrin në Qafën e Llogarasë. Pamja nga kjo lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit është mahnitëse. Përgjatë gjithë gjatësisë së Rivierës Shqiptare shtrihen ullishte dhe plantacione agrumesh, që formojnë një peizazh mbresëlënës mbi plazhet e mrekullueshëm me zall.

Një parashutist bëhet gati të fluturojë nga kjo pikë vrojtimi. Nisja është e shpejtë dhe erërat e ngrohta e shtyjnë parashutën në fluturim mbi plazhet e gjera përgjatë bregdetit. Atje poshtë ndanë plazheve dallohet një kantier ndërtimi. Së shpejti turistët do të mund të akomodohen në këtë resort të ri.

Përgjatë rrugës panoramike të jugut, rrallë ndodh të shohësh ndonjë makinë, por dhjetëra njerëz mbi biçikleta. Sidoqoftë ata nuk ishin vendas, por turistë amerikanë, të cilët sodisnin peizazhin mahnitës në atë ditë të bukur vjeshte me mot të ngrohtë. Nga larg dallohet ishulli i Korfuzit.

Përballë, në skajin më të largët jugor të Shqipërisë, gjendet Parku Kombëtar i Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe ndoshta më i rëndësishmi në vend. Një rrugë me ekualipte formon hyrjen e parkut, që të çon drejt një amfiteatri të mirëruajtur antik grek.

Për orë të tëra mund të shëtisësh dhe eksplorosh parkun nën hijen e pemëve. Veçanërisht interesante janë rrënojat e një tempulli, të një bazilike bizantine e shekullit VI dhe një mozaik i bukur.

Rruga e kthimit kalon nëpër një qafë mali dhe kalon ndanë Gjirokastrës, “qytetit të gurtë”, që gjithashtu është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Rrugët e kalldrëmta të qytetit të çojnë në kala, pasi kalon ndanë dyqaneve të vegjël që ofrojnë qëndisma, punime artistike të skalitura në gur dhe suvenire.

Në kala gjendet Muzeu Kombëtar i Armëve, që përfshin një koleksion mahnitës me objekte të periudhës mes vitit 1912 dhe Luftës II Botërore. Pamja e qytetit të vjetër është mbresëlënëse. Çatitë janë të mbuluara me rrasa, që gjenden me bollëk në mjedisin malor përreth.

Rruga për në Veri është shumë e mirë dhe kalon në një prej zonave më piktoreske të Shqipërisë. Luginat e lumenjve, të gjera dhe të zhdërvjellta me ura të gërryera dhe me një mal gjigand në sfond të sjell në mendje kujtimet e Karl May në novelën ”Përmes mbretërisë së shqiptarëve”.

Shumë shpejt mbërrin në Berat, një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Lagjja ”Kala”, sipër një kodre përbëhet nga shumë shtëpi, shumica të pabanuara, por si zonë e konsideruar Trashëgimi Botërore nga UNESCO, ato janë nën një mbrojtje speciale.

Një ish-katedrale përdoret si muze. Ndërsa ikonat e çmuara nëpër mure me skena nga jeta e Krishtit dhe 12 dishepujve dhe shenjtorëve janë të jashtëzakonshme. Poshtë kalasë ndodhet lagjja ”Mangalem”, në qytetin që quhet ndryshe ”qyteti i një mbi një dritareve”, me xhami dhe shtëpi të mrekullueshme antike.

Heroi kombëtar Skënderbeu

Sipër një mali të thepisur gjendet qyteti i Krujës, që është i lidhur ngushtë me historinë e Shqipërisë. Nga këtu, heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu drejtoi një kryengritje të suksesshme kundër ushtrisë turke.

Në këtë kështjellë, përshkruhet nëpërmjet pikturave historia shumë e trazuar e Shqipërisë.

Kur shikon fushat, mund të dallosh periferinë e Tiranës, destinacioni i fundit. Ndërkohë që hyn për në kryeqytet, ende mund të vëresh godina parafabrikate depresuese, relike nga epoka komuniste. Por, qendra paraqitet shumë kozmopolite, me një bulevard të gjerë që kalon përmes godinave të qeverisë me arkitekturë të kohës së Musolinit dhe parqe të mirëmbajtur duke dalë përfundimisht në sheshin ”Skënderbej” me Pallatin e Operas, i vitit 1960.

Si përfundim Shqipëria është për të gjithë ata që interesohen për kulturën.

Hotelet janë të mira, ndërsa në gatim do të shijoni më të mirën nga kuzhina italiane, greke dhe turke, një kombinim fantastik. Infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, ku të gjitha rrugët kryesore janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe të mira. Një udhëtim për të zbuluar një pjesë ende të panjohur nga bota të Evropës. https://m.kurier.at/reise/auf-entdeckungsreise-durch-albanien/308.080.481/ KultPlus.com

Vdes profesori dhe pedagogu, Remzi Nesimi

Në orët e vona të datës 3 shkurt u nda nga jeta, gjuhëtari, pedagogu dhe studiuesi Prof. Dr. Remzi Nesimi.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot, më 4 shkurt (e dielë), në orën 14:30, në varrezat e fshatit Odri, Tetovë, raporton Ina-Online.

Prof.dr.Remzi Nesimi, ishte pjesëmarrës – delegat në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë, të mbajtur më vitin 1972, ku mbajti edhe referatin: “Procesi i njësimit të shqipes letrare në Maqedoni”.

Është personalitet i shquar i botës intelektuale shqiptare i cili ka dhënë kontribut të çmueshëm në shkencat filologjike, në fushën e dialektologjisë, duke promovuar me intelektualizëm të pashoq pasuritë shpirtërore e gjuhësore dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

Përndryshe, prof.dr.Remzi Nesimi lindi në fshatin Odri të Tetovës, më vitin 1933. Shkollën e mesme e kreu në Tetovë, të lartën dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Beogradit, kurse doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës.

Punoi si lektor i gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Universitetin e Beogradit (1962-1964), pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike në Shkup (1964-1975), profesor në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Universitetin e Shkupit (1975-1999).

Është autor i disa librave shkencorë dhe mbi 200 artikuj në revista shkencore e periodike./ KultPlus.com

Fatos Berisha inskenon shfaqjen e parë për 2018-të në TKK, sjellë dramë për ‘peshqit e vegjël’

Sarandë Selimi

Pak kohë pas publikimit të katër projekteve që do të inskenohen në skenën e vogël të vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë nisë provat për shfaqjen “Bardh”, të autorit kroat Dubravko Mihanovic, e që në skenë do të vijë me regji të regjisorit kosovar Fatos Berisha.

Shfaqja, e cila ka filluar me prova në muajin janar, tashmë është thuajse në përfundim dhe shumë shpejt pritet të dalë para audiencës kosovare. Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit, kastës së aktorëve e poashtu edhe për datën e premierës, KultPlus, sjellë një rrëfim të shkurtër më regjisorin Fatos Berisha.

“Bëhet fjalë për dramën ‘Bardh’ të autorit bashkëkohor kroat Dubravko Mihanovic. Është një dramë minimaliste, e cila më bëri përshtypje për stilin e shkrimit, dialogët dhe mënyrën e trajtimit të vet strukturës dramatike. Unë kisha lexuar më parë një dramë tjetër të tij, dhe në kontakt e sipër me autorin, më ra në duar edhe kjo dramë e tij e cila më pëlqeu shumë dhe më është dukur e përshtatshme për skenën e vogël të TKK”, tha fillimisht për KultPlus, Berisha, i cili vazhdoi tutje të tregoi për veçantitë që do të sjellë kjo shfaqje sa i përket inskenimit.

“Të them të drejtën, unë tentoj që gjithmonë të sjellë risi në projektet e mia, por kjo gjë nuk është e lehtë natyrisht. Në anën tjetër, në vazhdimësi më preokupojnë temat sociale dhe fatet e njerëzve nga margjina e shoqërisë, dhe ky tekst më ka ofruar pikërisht atë. Është një dramë për ‘peshqit e vegjël’”, tha regjisori.

Kasta e aktorëve të “Bardh” përbehët nga Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj. Dy emra të aktorëve kosovar të cilët jo rrallë herë i kemi parë në shfaqjet e regjisorit Berisha.

“Me të dy aktorët kam punuar më parë në projekte tjera teatrore dhe i njoh shumë mirë. Vlerësova se personazhet e shkruara në dramë u përshtaten atyre si aktorë. Poashtu edhe ata njohin stilin dhe metodën time të punës, andaj vendimi për të punuar së bashku ishte i lehtë për të gjithë ne”, u shpreh Fatos Berisha, duke thënë tutje se janë një ekip e vogël dhe kjo ua lehtëson pak punën logjistike, megjithëse sipas tij, nga ana artistike kjo nuk përbën ndonjë lehtësi, përkundrazi.

“Si proces i punës deri tani ishte vërtet i këndshëm, në një atmosferë relaksuese që na jep të gjithëve një hapësirë të domosdoshme për punë kreative”, pohoi ai.

“Bardh” është përkthyer nga gjuha kroate nga vetë Fatos Berisha ndërkaq për skenografinë dhe kostumet është përkujdesur Arben Shala.

“Bardh”, është premiera e parë e vitit 2018-të që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Premiera shfaqet më 14 shkurt ndërsa reprizat e para vijnë më 23 dhe 24 shkurt./ KultPlus.com