Haradinaj: Mësimdhënësve do t’u njihet kontributi i viteve të 90-ta

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kongresin e VII zgjedhor të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, deklaroi se statusi i punëtorëve të arsimit për punën e bërë gjatë viteve të 90-ta do tu njihet shumë shpejt atyre që kanë kontribuar në këtë periudhë.

Haradinaj pohoi se do ta zgjidhin hallin e tyre, veçse do të shikojnë të gjitha mënyrat që të gjitha palët të ndahen të kënaqur.

Haradinaj sindikalistëve të arsimit u bëri thirrje që të punojnë më shumë në përmirësimin e nivelit arsimor, duke i lutur qe t’i mësojnë fëmijët më shumë dhe të përmirësohen rezultatet e testit PISA.

Këtu mungoi ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi, por Haradinaj tha se ai vet është duke e zëvendësuar edhe ministrin në këtë ngjarje.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut nuk përmendi çështjen e grevave, veçse uroi që të ketë zgjedhje te mira.

Yll Xhaferi vjen me ekspozitën ‘Toy Story’

Hapësira ekspozuese “Motrat” vazhdon të sjellë ekspozita të artistëve të ndryshëm kosovarë.

Kësaj radhe, me 1 mars prezantohet ekspozita e Yll Xhaferit, me titullin “Toy Story”.

Yll Xhaferi ka lindur në Prishtinë, është student në nivelin Master në Fakultetin e Arteve të Prishtinës.

Medium kryesor ka pikturën, por punon në mediume të ndryshme, kështu, duke eksploruar forma të ndryshme vizuele, me teknika të ndryshme. Është artist aktiv dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita, disa personale dhe kolektive.

Shumica e punëve të Yllit trajtojnë ndikimet e imponuara te transaksioneve sociale lokale, dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet artit, ironikisht tenton të qëndrojë i distancuar ndaj këtyre ndikimeve dhe të jetë pjesë e një konteksti më të gjerë kulturor. Gjithashtu, ai kërkon mbi estetikën duke iu referuar idesë së përfaqësimit me një identitet të caktuar kulturor.

Hapja e ekspozitës do të mbahet të enjten, 1 Mars, nga 19:00 deri në 21:30 në (Rrugën Shaban Polluzha, pas Teatrit Kombëtar), dhe do të shoqërohet me një koktej të vogël.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 30 Mars, nga e Hëna deri të Premten, nga ora 09:00 deri në orën 18:00. / KultPlus.com

Largimi

Poezi nga Enesa Mahmić / (përktheu Nikollë Berishaj)

Kur u largova, mëngjesi ishte i mjegullt.
Fytyrat e zbehta nga pagjumësia
U zvarrita drejt zyrave, shkollave, bankave
Macet mjaullinin përmbi kulme
Plaku i kërrusur mblidhte gjethet.
Asgjë nuk mund ta prishte atë rregull të amshueshëm
Dhe nuk mund ta zgjonte masën e përkundur,
E unë ecja si të ishte e mundur.

Eca gjatë:
Maskat dhe kurthet
Dhe shputat e lënduara.
Dheu i mësuar në rrapëllimën e sunduesve
Nuk e duronte hapin e butë.
Fantazmat e së kaluarës më mbysnin me duar të vrazhda.
Më beso
Ishin gjithfarësh.
Ishin naive që lakuriqeshin tepër
Ironizonin veten se nuk mund ta pranonin.
Ishin idiote, inatçore, perverse
E më së shumti ishin të vetmuara
Duhej të përshtatesha, të bija ujdi, ta kërrusja kurrizin, ta humbja formën.
Zëri nga radioja përsëriste:
Populli. Vullneti i popullit. Individi. Fuqia.
Fjalët rrëzoheshin si zogj të cofur.

Shkova aq larg
Nën këtë qiell të dëshpëruar
Derisa qenia ime klithi: Shtëpia!

Eugent Bushpepa do të këndojë në festën e Eurovizionit në Londër

Këngëtari Eugent Bushpepa do ta promovojë këngën e tij në Londër, shkruan KultPlus.

London Eurovision Party është një organizim ku këngëtarët e Eurovizionit të këtij viti kanë mundësi të performojnë dhe promovojnë këngët e tyre përfaqësuese.

Eugent Bushpepa do të këndojë këngën “Mall” në këtë festë të muzikës, me datë 5 prill.
Bushpepa po pëlqehet dhe kënga e tij mund të arrijë sukses në këtë festival të madh evropian të muzikës.

Bushpepa ka premtuar se kënga “Mall” në skenën e Eurovizionit, në Portugali, do të këndohet në gjuhën shqipe. Kujtojmë se çdo paraqitje e Bushpepës para festivalit nënkupton një promovim të këngës së tij tek fansat në Evropë.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Kënga e Shqipërisë ka qenë e para këngë që është ditur si pjesëmarrëse në Eurovizion. Deri sot mbi 15 shtete kanë zgjedhur këngët përfaqësuese, ndërsa të tjera shtete pritet të zgjedhin këngët e tyre deri në muajin maj kur edhe mbahet Eurovizioni. / KultPlus.com

Kur rrëzohet Enver Hoxha…

Me 20 shkurt të vitit 1991, busti i Enver Hoxhës në Shqipëri u rrëzua përtokë.

Për shumë ditë dhe kohë më pas, rruga afër do të mbetej e shkatërruar, ndërsa imazhi i tillë vinte si mesazh për shumë shqiptarë.

Tek busti, në njërën anë të tij, shkruhet “Rroftë Xh.Bush” – Long live G.Bush.
Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991 është padyshim një ndër ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri.

Rrëzimi i bustit ndodhi në një situatë të rënduar politike në vend. Kishte vetëm dy muaj që ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri në 31 mars 1991.

Pamjet e mijëra qytetarëve të cilët me brohoritma hodhën në tokë bustin e diktatorit Hoxha bën xhiron në mediet e huaja, duke sjellë në fokus zhvillimet që po ndodhnin në Shqipëri.

20 shkurti është caktuar si dita e kujtesës kombëtare për viktimat e regjimit komunist. / KultPlus.com

Filmi ‘Martesa’, pjesë e festivalit Roze Filmdagen në Amsterdam

Filmi “Martesa” do të shfaqet në Amsterdam në kuadër të festivalit Roze Filmdagen.

Drama e një trekëndëshi të dashurisë ku luajnë Adriana Matoshi, Genc Salihu dhe Alban Ukaj, në rolet kryesore, do të shfaqet me 10 mars në ora 15:30 dhe me 16 mars në ora 17:45.

Nga 8-18 mars mbahet Roze Filmdagen Festival – festivali ku shfaqen filma që lidhen me jetën e komunitetit gej, lezbik, transgjinor e biseksual – LGBTQ.

Pos filmit “Martesa” janë edhe rreth 125 filma të tjerë që do të shfaqen në këtë edicion të 21 të Roze Filmdagen.

Filmi ka nisur të shfaqet në Kosovë dhe ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut. / KultPlus.com

Pirro Çako, kompozitori që ia dha fitoren Parashqevi Simakut

“Ai është momenti më i bukur i jetës sime, është unikal.” Pirro Çako, këtë e ka thënë gjithmonë dhe sot e kësaj dite, 30 vjet më pas, e kujton njëlloj sikur të kishte ndodhur dje. Ishte momenti i tij, rasti i tij i parë në jetën artistike që jo vetëm goditi fort, por edhe vendosi atë që Pirro do të bënte në jetë.

“E duam lumturinë”, kënga e famshme e Parashqevi Simakut fitoi festivalin në vitin 1988. Pirro ishte një kompozitor i ri që kishte dëshirë të bënte një këngë për Parashqevinë – këngëtarja e adhuruar e atyre viteve, me shumë artdashës. Nuk ishte e thjeshtë, por ai kishte lindur me fat.

Historinë me Parashqevinë, Pirro e ka rrëfyer edhe herë të tjera, por është bukur sa herë e kujton, aq sa duket sikur e dëgjon për herë të parë. Nga fillimi kantautori e nisi edhe sot nga studio e “Rudina”.

Fati “i keq” i Pirros ishte që Parashqevia, si këngëtare me përvojë, nuk mund të pranonte aq lehtë një këngë nga një kompozitor që akoma testonte veten. Për më tepër, kur ky e priste në konviktin ku jetonte këngëtarja, në Tiranë. Shumë-shumë, ajo mund të mendonte se ai ishte thjesht një adhurues i saj që gënjente veten se shkruante muzikë dhe kishte një këngë për të.

Por nuk rezultoi kështu. Megjithëse fillimi i historisë ky ishte: “Unë i shkoja te konvikti ku jetonte Parashqevia, e prisja çdo ditë. Derisa një ditë doli dhe unë iu afrova. Po çfarë t’i thoja? Që jam një kompozitor i ri? Më vinte zor t’i thoja djali i kujt isha, sespse nuk doja të njihesha në këtë mënyrë. Më priti shumë mirë, por… më përcolli”, – tregon Pirro me të qeshur duke kujtuar historinë me Parashqevinë.

Ishte e thënë që gjërat të bëheshin, që kënga të bëhej: “Pastaj u kombinuan shumë gjëra. Aq sa unë nuk e besova që u gjenda në një piano në teatrin e Qytetit Studenti. Aty ia tregova këngën dhe u bë.”

Ishte një nga ngjarjet më të bukura të një artisti të ri që kishte pasion muzikën. Ishte momenti kur të gjitha gjërat u bënë bashkë për të shkruar historinë e një kompozitori që premtonte shumë për të ardhmen. Vitet e mëpastajme për të do të ishin të arta. Parashqevia, me gjithë refuzimin e saj, ishte vetëm fillimi. / KultPlus.com

Qytetarët kërkojnë emrin Dardania në vend të emrit Kosovë

Ndërsa Kuvendi shtyu për javën tjetër ratifikimin e demarkacionit, qytetarët në Facebook kanë nisë të votojnë për emrin e vendit: Dardaní apo Kosovë? Nuk është fjala për një referendum, por për një sondazh vullnetar që e ka postuar në rrjetin shoqëror një jurist nga Prishtina.

Getoar Mjeku thotë se “[e]mri Dardania është i saktë historikisht, gjeografikisht dhe politikisht”. Ai prej kohësh ka nisë faqen fushatë në Facebook “Dardania, vendi ynë” për ta promovuar ringjalljen e emrit të lashtë.

Ditë më parë, mediet tona përhapën një shkrim të historianes shqiptare Elena Kocaqi, e cila nxit përdorimin e emrin Dardania. Më herët, një organizatë e njohur si Lëvizja Dardania gjithashtu ka bërë thirrje për ripagëzimin e vendit. Këtë synim e kanë përkrahë dikur edhe figura të ndryshme politike si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e Arbën Xhaferi.

Në sondazhin në Facebook, kanë votuar rreth 500 vetë dhe mbi dy të tretat anojnë kah Dardania.

Të tjerët janë për emrin zyrtar Kosovë. Arsyet e tyre janë kryesisht praktike — thjesht, janë mësuar me Kosovën. Por ka dhe nga ata që e shohin emrin Dardania si propozim partiak të përkrahësve të presidentit Rugova ose si përpjekje për të sajuar një identetit të ndarë nga kombi shqiptar.

Kanë mbetë edhe gjashtë ditë deri në mbyllje të sondazhit të Mjekut. Por nëse qytetarët do të kenë mundësinë ta ndryshojnë emrin zyrtar të vendit nuk është e qartë.

Emërtimi Kosovë përdoret zyrtarisht prej shekullit XIX, kur është themeluar Vilajeti i Kosovës, në kuadër të Perandorisë Osmane. Kurse Kuvendi e ka miratuar emrin Kosovë dy herë, duke shfuqizuar emrin Kosovë-Metohi: më 1969, me ligjën kushtetuese të krahinës, dhe më 1990, me deklaratën kushtetuese që shpalli Kosovën republikë. / KultPlus.com

Naganti e jo koburja e Isa Boletinit!

BAJRAM MJEKU

Ministria për Kulturë, Rini e Sport e paskësh ekspozua sot në Muzeun Kombëtar në Prishtinë, revolverin e markës Nagant M1895, prodhim i Rusisë cariste.
Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës e kanë huqur emërtimin e këtij revolveri, të cilin ata e quajnë “kobure”. Kjo e fundit ishte shumë primitive dhe përdorej vetëm për një shkrepje!
Megjithatë, Naganti i heroit kombëtar Isa Boletini, i cili edhe sot e një shekull mbahet peng në Mal të Zi, ishte i veçantë edhe për faktin se ishte i stolisur me fije argjendi.

Kunora e Bylbylave

Dom NDRE ZADEJA

Leht i prekë me fletë zbunimi
Zemren zemrave tuj qase
Ndin se rrahin prej mallnjimi
Se jan fry e duen me plasë

Këndon bylbyli ban se s’ndjeva
Shkundet puplash ban se s’pa
Po kur doren mbrendë e ktheva
Me ty bashk bylbyl kam kja.

Zoga te bukra delni,eni
Sot prej prindve do tu daje
Gja s’po merrni gja s’po keni
Bukurija e vetmja paje.

Rrokni babë e puthni nanë
Te dyvet lypni hallall
Me sy matnje ane e m’ane
Shpin qe sot u qet me mall

I percjellë kafazi i vjeter
Udhamare bylbyka të mi
Shkoni e gjeni i kafaz tjeter
Shkoni e gjeni prind te ri.

Besabese fort jam idhnue
E ksaj jete s’di çka me i than
Zemra zemren me largue
Syni synit lot me i dhane!

Dokumentari ‘Hotel Jugoslavija’ shfaqet në Berlin (VIDEO)

Një shtet që nuk ekziston më, por një hotel qe mban emrin e tij.

Pamjet brenda dokumentarit paraqesin Hotel Jugoslavija, një ndërtesë e ndërtuar në vitet 60-të dhe foleja e Arkanit dikur në kohën e krimeve të Serbisë, më pas e bombarduar në vitin 1999 nga forcat e NATOS, shkruan KultPlus.

Regjisori Nicolas Wagnieres, me nënë nga Beogradi por i rritur e lindur në Zvicër, me anë të dokumentarit që u shfaq në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin, e kërkon shtetin e zhdukur në brendësinë e Hotelit modern e luksoz në Beograd.

Dokumentari sjellë intervista me ish drejtorin e hotelit, nëna e regjisorit njashtu flet për përvojën e saj, ndërsa janë përfshirë edhe fotografi nga arkiva dhe fotografi të hotelit momentalisht, i cili ka dalë në procesin e privatizimit.

Në 78 minuta vijnë edhe dy imazhe të filmave, një prej filmit “Mlad i zdrav kao ruža” i vitit 1971 dhe tjetri është një pasazh filmik nga ‘Three days to kill” i vitit 2014. / KultPlus.com

Elidor Mëhilli analizon Shqipërinë e socializmit

Rrethanat, ngjarjet dhe aktorët që i dhanë formë historisë pas Perdes së Hekurt mbeten një burim interesi për historianët dhe akademikët megjithëse kanë kaluar dekada që nga hapja e sferës ish-komuniste.

Studiuesi Elidor Mëhilli jep kontributin e tij duke shtjelluar përvojën e Shqipërisë gjatë diktaturës, por edhe dinamikat e ndërlikuara që krijoi regjimi i asaj kohe me botën komuniste. Libri i tij i ri Nga Stalini tek Mao, Shqipëria dhe Bota Socialiste, u prezantua këtë javë në Qendrën Woodrow Wilson në Washington.

Mes akademikësh, studiuesish e diplomatësh të mbledhur tek Qendra Wilson, shfaqet një interesim i qartë mbi specifikat e komunizmit në Shqipëri dhe dinamikat që ndikuan tek aleancat ndërkombëtare të Shqipërisë.

Për autorin ky ishte një projekt që nuk duhej thjesht të reflektonte ngjarjet historike, por t’i analizonte ato në një dritë të re, që ai thotë se i mungon historiografisë shqiptare:

“Në këtë kuptim, mendoj që qëllimet e mia kanë qenë dy: ta ndërkombëtarizoj studimin e historisë shqiptare, që t’u ikim atyre analizave që mbeten pak periferike dhe qëllimi tjetër ka qenë që të japë edhe një model të shkrimit të një historie që nuk merret vetëm me partinë, udhëheqësit e partisë, ideologjinë në nivelin më të lartë, por edhe me jetën e përditshme të njerëzve nën atë sistem,” thotë Dr. Elidor Mëhilli, Asistent Profesor në Hunter College, CUNY.

“Një objektiv i imi kryesor në këtë studim ka qenë ta depersonalizoja historinë e komunizmit shqiptar. Në kuptim që të mos ishte thjesht histori e Enverit, histori e udhëheqësit të ndritur. Këtu kemi ngecur tek studimet shqiptare në marrëdhënien tonë me të shkuarën, vazhdojmë akoma ta personlizojmë atë histori, ndërkohë që ka më shumë nevojë që të merremi me mitet, por ta zgjerojmë qasjen ndaj diktaturës për të përfshirë edhe dimensione të tjera të historisë”.

***

Libri nuk ofron thjesht faktet e një historie mbi 40 vjeçare nën regjimin komunist. Autori i analizon në kontrast marrëdhëniet dhe interesat e shkëmbimeve të Shqipërisë me aleatët e saj të fuqishëm. Ja si e përshkruan autori dallimin e lidhjeve Tiranë-Moskë dhe më pas Tiranë-Pekin:

“Ndodhi një lloj pjekjeje e regjimit sidomos duke krahasuar vitet ’50 me vitet ‘60. Ndërsa marrëdhënia me sovjetikët kishte edhe një inferioritet brenda, sovjetikët ishin modeli që duhej zbatuar. Ishin më të përparuar, ishin në një rol komandues në botën komuniste. Po ta krahasojmë me marrëdhënien e shqiptarëve me Kinën është një dinamikë tjetër. Edhe Mao e shpjegon këtë: shpesh herë Shqipëria ishte në një rol dominant, se nuk kishte rënë pre e revizionizmit, nuk kishte rënë pre e atyre ndryshimeve në Bashkimin Sovjetik që pastaj u quajtën ndryshime vetëshkatërruese të sistemit. Dhe në këtë aspekt ishte një dinamikë tjetër”.

Edukimi politik, indoktrinimi, propaganda dhe atmosfera e terrorit janë pika të përbashkëta të të gjitha regjimeve diktatoriale, që i gjejmë edhe në përshkrimin e Shqipërisë socialiste në librin e Dr. Mëhillit. Diktatura krijoi një kulturë politike që ka lënë gjurmë të dukshme edhe në Shqipërinë e ditëve tona, thotë studiuesi.

Megjithëse një perspektivë historike, autori thotë se shumë tema qendrore të librit mbeten aktuale dhe të hapura për diskutim:

“Sot që flasim jemi në 27 vjetorin e shembjes simbolike të regjimit në shkurt të 1991. Po ta kapim në dimensionin e 27 vjetëve është një periudhë goxha e gjatë. Është periudha e një gjenerate”.

“Por duhet thënë edhe kjo që ka nevojë për një reflektim sot: jo vetëm për ta shkruar atë histori, për t’ia mësuar një gjenerate të re që nuk e ka atë eksperiencë, por edhe për të reflektuar për marrëdhënien tonë me pushtetin, me autokracinë si sistem, demokratizimin që ende është shumë problematik. Për mendimin tim ka shumë nevojë edhe për një reflektim më të thellë për faktin që vizioni evropian i shqiptarëve që trumpetohet shumë, ka dështuar këto 26 vjet. Pra vendi është ende shumë mbrapa edhe po ta krahasosh edhe me rajonin në implementimin e këtij vizioni evropian të shqiptarëve”.

Hija e së kaluarës komuniste të Shqipërisë ende bie sot mbi qytetarin në marrëdhëniet e acaruara dhe problematike me pushtetin, thotë studiuesi. Por ai shpreh entuziazëm nga një brez i ri historianësh që Dr. Elidor Mëhilli beson se do të ndihmojnë në zhvillimin e një debati të hapur, dhe një qasje më pluraliste mbi të shkuarën.

“Është një qasje që duhet bërë, duhet inkurajuar, duhet të jemi të hapur edhe ndaj aspekteve më të dhimbshme të diktaturës”.

Studiuesi Elidor Mëhilli po punon tani për ta sjellë librin në shqip, por premton të vazhdojë të kontribuojë në debatin e hapur mbi të shkuarën e Shqipërisë. Në planet e tij për të ardhmen janë kërkimet mbi periudhën e ndërrimit të sistemeve, nga fundi i viteve 1980-fillimi i viteve 1990. / KultPlus.com

Rita Ora shënoi edhe një sukses në karrierën e saj (FOTO)

Rita Ora së fundmi ka realizuar këngen “For You” në bashkëpunim me Liam Payne, dhe që nga realizimi po e shijon suksesin e saj edhe përmes performancave te ndryshme, shkruan KultPlus.

Kënga “For You” që është kolonë zanore e filmit “Fifty Shades Frees”, sonte ka arritur që te mbledh mbi 50 milionë klikime në kanalin You Tube. Kujtojmë se publiku ka shijuar edhe një interpretim të mahnitshëm të kësaj kënge në skenën e madhe të Brits Awards 2018, që u mbajt gjatë kësaj jave./KultPlus.com

LONDON, ENGLAND – FEBRUARY 21: *** EDITORIAL USE ONLY IN RELATION TO THE BRIT AWARDS 2018 *** Rita Ora attends The BRIT Awards 2018 held at The O2 Arena on February 21, 2018 in London, England. (Photo by Mike Marsland/Mike Marsland/WireImage)

Dua Lipa për Rolling Stone: Në Kosovë e surprizuam babain tim

Dua Lipa së fundmi ka dhënë një intervsitë për revistën “Rolling Stone”, ku ka përshkruar rrugëtimin e saj artistik dhe qëndrimin në Kosovë dhe kthimin në Londër, shkruan KultPlus.

Dua Lipa po ashtu ka treguar për mundin e madh të prinderve, të cilët u larguan në Londër pasi vendi ishte në prag të luftes. Në këtë shkrim po ashtu thuhet se Dua Lipa ka qenë gjithnjë e rrethuar me muzikë falë babait te saj, që ka qenë pjesë e një grupi të njohur rok që quhet “Oda”.

“Ata fillimisht e bën më shumë sa për qejf”, ka thënë Dua Lipa, që më pas shtoi. “Por ata arritën që ta bëjnë një këngë shumë të mirë që quhet “Beso në Diell”. Unë kam mbajtur një koncert në Kosovë, para dy viteve, në të cilin unë me bendin tim vendosem ta befasojmë babain tim duke e kënduar pikërisht këtë këngë. Ishte aq e pabesueshme, për shkak se çdo njeri në publik këndonte me zë të lart”, ka shpjeguar tutje këngëtarja shqiptare, Dua Lipa./KultPlus.com

Dua Lipa për Rolling Stone: Këta janë 100 librat që dua ti lexoj

Në një intervistë të dhënë për prestigjiozen Rollingstone, këngëtarja e famshme ka treguar edhe për pasionin e saj për leximin, përcjellë KultPlus.

Ajo ka treguar se ka listën e 100 librave që duhet ti lexoj, para se të vdes, pasi që, sipas saj, leximi e inspiron edhe për këngët e saj.

Ajo ka treguar se sapo ka përfunduar “The Girls” nga Emma Cline, kurse tash është duke lexuar “The Unbearbale Lightness of Being”.

Dua Lipa poashtu ka folur edhe për rrënjët e saj prej Kosovës, për këngën “New Rules”, që është inspiruar nga ish të dashurit. /KultPlus.com

Aktori që luajti në filmin “Shok” tashmë shënon suksesin tjetër në Berlinale

“Kiem Holijanda” është filmi që sapo u shpërblye me cmimin “Ariu i Kristaltë”, në festivalin prestigjioz “Berlinale”, shkruan KultPlus.

Filmi është shfaqur në kuadër të programit Generation 14plus në Berlinale – dhe ka përbrenda rrëfimin nga Kosova.

Dhe në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Andi e Florist Bajgora dhe Arbnexha Grabovci-Nixha.
Andi dhe Floristi jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen. Filmi 14-të minutësh vazhdon me historinë e Floristit i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.
https://www.youtube.com/watch?v=17FlAL1zhe8
Andi Bajgora është njëri nga aktorët e filmit “Shok”, filmi që ishte i nominuar për cmimin Oscar, kurse tash është pjesë e filmit tjetër që sapo shënoi suksesin ne Berlinale./KultPlus.com

“Kiem Holijanda” ku luajnë Andi e Florist Bajgora dhe Arbresha Grabovci Nixha, shpërblehet me “Ariun e Kristaltë”, në Berlinale

Arbresha Grabovci Nixha, vëllezërit Andi e Florist Bajgora si dhe regjisorja Sarah Veltmeyer janë prezantguar në festivalin e filmit në Berlinale me filmin “Kiem Holijanda” i cili është shfaqur në kuadër të programit Generation 14plus në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin, shkruan KultPlus.

Andi dhe Floristi jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen. Filmi 14-të minutësh vazhdon me historinë e Floristit i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.
Filmi në fjalë ka për regjisore Sarah Veltmeyer nga Holanda dhe është një nga 16-të filmat në këtë kategori, shkruan KultPlus.

Ky film sapo u shpërblue me Ariun e Kristaltë. /KultPlus.com

Ky është kameramani kosovar që xhiroi Maskrën e Reçakut, pamje që tronditën botën

Masakra e Reçakut, është masakra që sinjalizoi botën për intervenimin e forcave ndërkombëtare për të shpëtuar Kosovën, shkruan KultPlus.

Këto masakra kanë ndodhë në vitin 1999, ku kameramani Sylejman Kllokoqi ishte një ndër kameramanët e parë që xhiroi ato pamje të tmerrshme, që më pas u shpërndanë nëpër mediet më prestigjioze të botës.

Kllokoqi ka përvoja të ndryshme në punën e tij prej kameramani, duke përfshirë ato në Kosovë, por edhe rolin e tij prek kameramani në Sarajevë, në periudhën kur ishte lufta atje./KultPlus.com

The bodies of 23 ethnic Albanians who had been shot death 15 January near the town of Racak lie near the roadside 16 January. US diplomat William Walker, head of an international observer mission in Kosovo, said that the deaths looked “like executions.”

Sunny Hill Foundation në Prishtinë, nën patronazhin e Dua Lipës

Me karakter bamirësie“Sunny Hill Foundation”, është organizatë bamirësie që është themeluar nën patronazhin e Dua Lipës, shkruan KultPlus.

Dhe Sunny Hill Festival që do të mbahet më 10 gusht, ku do të paraqitet edhe Dua Lipa duket të jetë organizim nga Sunny Hill Foundation.

Kjo organizatë është themeluar në vitin 2016 dhe ka për qëllim përmirësimin e kushteve në Kosovë, duke përfshirë zbutjen e varfërisë, forcimin e demokracisë, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe pika të tjera që janë përfshirë në përshkrimin e kësaj organizate.

Kjo organizatë edhe ka anëtarë të bordit, ku duke u bazuar në faqen zyrtare të kësaj organizate shihen të jenë: Bujar Musa, Laura Kryeziu-Selimi, Laura Kryeziu-Selimi, Atifete Jahjaga, Shpend Ahmeti dhe Ruairí O’Connell. Edhe koncerti i fundit i Dua Lipës i organizuar në Kosovë është organizuar nga kjo organizatë./KultPlus.com

Sunny Hill Festival në Prishtinë, përpos Dua Lipës do të sjellë edhe këtë këngëtar të famshëm

Dua Lipa, ylli i muzikës botërore që së fundi shënoi suksesin në Brit Awards 2018 në Londër, ka vendosur të kthehet përsëri në Prishtinë, e cila do të paraqitet në Sunny Hill Festival në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Dua Lipa në Prishtinë do të prezantohet më 10 gusht, pas koncertit të fundit që pat realizuar në vitin 2017, po në Prishtinë.

Mirëpo, në këtë koncert përpos Dua Lipës do të merr pjesë edhe një artist tjetër shqiptar, poashtu një yll në ngjitje. Ai është Albert Stanaj, i cili do të jetë pjesë e këtij festivali në Kosovë, që ende nuk është zbuluar shumë për karakterin e këtij festivali.

Vetë Albert Stanaj ka shkruar në rrjete sociale, i cili është shprehur të jetë i lumtur për këtë paraqitje.“Hej Dua Lipa, nuk më pritet që të të bashkohem në Kosovë në festivalin e muzikës ‘Sunny Hill’. I emocionuar që të performoj për herë të parë në Kosovë. Detaje të tjera së shpejti, shihemi”, ka shkruar Stanaj./KultPlus.com

1 mijë e 248 artefakte të Kosovës akoma qëndrojnë në Serbi

Kosovës akoma nuk i janë kthyer 1248 artefakte të cilat në vitin 1999 janë zhvendosur në Serbi. I vetmi eksponat i kthyer është “Hyjnesha në Fron”, shkruan KultPlus.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe.

Mirëpo me të përfunduar të ekspozitave, këto koleksione nuk u kthyen asnjëherë në Kosovë.

Njëri është koleksion arkeologjik prej 677 eksponateve dhe tjetri një koleksion etnologjik me 571 eksponate. Nga këto dy koleksione ose 1248 artefakte në Kosovë është kthyer vetëm një eksponat.

Kjo ka ndodhur në maj të vitit 2002 me një angazhim shumë të madh e të veçantë të Michael Steiner është kthyer një eksponat “Hyjnesha në Fron”. Është në ekzemplar që vjen prej neolitit një gjetje në lokalitetin e Tjerrtores dhe është figura që është edhe simbol i Muzeut dhe Komunës së Prishtinës.

Këto dy ekspozita qëndrojnë në Serbi. Koleksioni arkeologjik qëndron në depon e Muzeut Kombëtar të Beogradit kurse koleksioni etnologjik qëndron në depon e Muzeut Etnologjik të Beogradit.

Kthimi i këtyre dy koleksioneve ishte përfshirë edhe në pakon e Ahtisarit. Në këtë plan ishte bërë e qartë se Serbia është dashtë që këto artefakte t’i kthej në Kosovë në afat prej 120 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit./ KultPlus.com

Kristale Ivezaj Rama: Në kohën e komunizmit, stërgjyshes sime ia nxorën thonjtë e duarve dhe të këmbëve

Kanë kaluar 27-të vite nga shembja e regjimit komunist, mirëpo njerëzit janë duke treguar historitë e tyre për këtë periudhë më shumë se kurrë. Madje, disa prej historive po tregohen nga gjeneratat e reja, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm historitë e të parëve të tyre, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Kristale Ivezaj Rama e cila është bërë pjesë e projektit “Edhe Muret Kanë Veshë” për të treguar historitë e stërgjyshes së saj.
Ajo u bë pjesë e projektit kur ju drejtua Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për tu njohur me historinë e stërgjyshes së saj Rinës nga Thethi i Malësisë së Madhe, e cila ishte dënuar më burgim gjatë kohës së komunizmit.

“Ajo ishte torturuar, i janë shqyer thonjtë e këmbëve dhe duarve dhe i kanë hedhur në trup një mace, gjersa e kanë goditur, një histori që duket e pabesueshme. Prandaj është e rëndësishme që të vlerësohen kujtimet e këtyre njerëzve që dëshmojnë të vërtetën”, ka treguar ajo.

Duke sjellë historinë e familjes së saj, Kristale Ivezaj Rama thotë se synon të mbledhë dëshmi edhe nga shqiptarët që u detyruan të lënë vendin e tyre për shkak të persekutimit dhe vuajtjeve gjatë periudhës së komunizmit.

“Edhe muret kanë veshë”, kështu titullohet nisma e re e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit që nisi sot, më 20 shkurt, në përvjetorin e 27-të të rrëzimit të shtatores së ish diktatorit, e që i kushtohet mbledhjes së dëshmive të të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.

Ideatore e këtij projekti është artistja Alketa Xhafa, kurse Kristale Ivezaj Rama në këtë projekt është në cilësinë e shkrimtares. Artistja Alketa Xhafa Mripa theksoi se kjo nismë, përmes artit dhe historisë, kërkon të provokojë mbi të shkuarën. “Të gjithë janë të mirëseardhur, të tregojnë ndonjë rrëfim apo histori që e kanë dëgjuar prej gjyshërve, familjes, për kohën e regjimit barbar që ka ndodhur këtu në Shqipëri. Kjo nuk është një dhimbje vetëm për viktimat dhe familjarët, por për të gjithë kombin shqiptar”, u patë shprehur ajo. Instalacioni i Alketa Xhafa Mripës do të prezantohet më 9 maj. /KultPlus.com

Zgjohu, Kosovë

Zgjohu, Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj! A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemer, mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
per të përqafuar unë, ashti yt?

Zgjohu, Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cvater kush po e le?
Ç`janë keto gjurmë gjaku që po shtohen
nëper fytyren tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vëtem mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në keto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!

Hapet ekspozita e pullave postare të Kosovës

Sot Posta e Kosovës prezantoi ekspozitën e pullave postare në kuadër të ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës për nder të vitit jubilar të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Eksponatet e pullave postare, paraqesin një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e Kosovës që nga viti 2000, si dhe afirmimin dhjetëvjeçar të Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë e deri më tani.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për qytetarët ku mund të njihen nga afër me pullat postare të Kosovës.

“Përgjatë periudhës 18-vjeçare, kemi emetuar pulla postare me pamje të trashëgimisë kulturore, me imazhe të heronjve, dëshmorëve, të personaliteteve me famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi promovuar florën vaskulare të Kosovës, pastaj të arriturat në kulturë, në art dhe në sport”, thuhet në një komunikatë nga Posta e Kosovës.

Filatelia e Postës së Kosovës gjatë vitit të kaluar është shpërblyer me dy çmime prestigjioze ndërkombëtare. Për pullën postare më të bukur në Botë “Shenjtërimi i Nënës Terezë” nga organizata International Philatelic Prize “Saint Gabriel”, në Verona të Italisë, si dhe çmimin tjetër për vendin e 5-të me pullën më të bukur postare “Evropa 2016 – Mendo gjelbër”, në ekspozitën ndërkombëtare “Grand Prix De L’Exposition Ëipa” të mbajtur në Austri./ KultPlus.com