Babai i Dua Lipës, përkrahë Rita Orën (FOTO)

Mbrëmë ishte një natë e paharruar në Brit Awards për shqiptarët.

Dy vajzat kosovare Rita Ora dhe Dua Lipa, ishin pjesë e kësaj mbrëmje, ku ato me zërin e tyre ngritën në këmbë publikun londinez dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Rita Ora me performancë magjike ndërsa Dua Lipa me pesë nominime në këtë ceremoni nga të cilat mori dy çmime edhe atë si Artistja më e Mirë Femër. Edhe Dua Lipa, performoi në skenën e Brit Awards, ndërsa për ta përkrahur atë, aty ishin familja e saj Dukagjin Lipa dhe Anesa Lipa.

Dukagjin Lipa, përveç përkrahjes që ia bënte të bijës nëpërmjet rrjeteve sociale, ai ka publikuar edhe një video në InstaStory, gjatë performancës së Rita Orës, me mbishkrimin #RitaOra.

Në vijim, po sjellim fotografitë e publikuara nga Dukagjin Lipa./ KultPlus.com

Thaçi për suksesin e Dua Lipës: Artistet çdo ditë e më shumë na bëjnë krenarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se shkëlqimi i Dua Lipës i gëzon qytetarët e Kosovës.

Dua Lipa, që kishte më së shumti nominime në Brit Awards, rrëmbeu dy çmime të rëndësishme atë të artistes më të mirë britanike, dhe zbulimin e vitit.

Thaçi thotë se artistet çdo ditë e më shumë “po na bëjnë krenarë” me sukseset nëpër botë.

“Artistet tona çdo ditë e më shumë po na bëjnë krenarë me suksese kudo në botë. Dua Lipa theu rekorde me më së shumti nominime për çmimin prestigjioz “Brit Awards 2018”, ndërsa sonte u shpall artistja më e mirë e vitit dhe fitoi çmimin “zbulimi më i madh artistik i vitit”. Shkëlqimit global të Duas i gëzohen të gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi./ KultPlus.com

Ndahen 6 milionë euro për kompleksin ”Adem Jashari”

Pas alarmit të ngritur në opinionin publik se Kulla e Jasharëve në Prekaz rrezikon të shembet, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për rinovimin e saj.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se për kompleksin memorial “Adem Jashari” janë ndarë 6 milionë euro për tre vjetët e ardhshëm.

Por nuk është vetëm ky kompleks që rrezikon të shembet.

Sipas fondacionit kosovar “Trashëgimia kulturore pa kufij”, në Kosovë janë plot 109 asete të trashëgimisë kulturore, të cilat janë në rrezik të lartë.

Jusuf Thaçi, iniciues i peticionit për investime në kompleksin memorial “Adem Jashari”, thotë se Qeveria e Kosovës së shpejti pritet t’i ndërmarrë masat e nevojshme për shpëtimin e Kullës. Në anën tjetër, edhe Ministria e Financave premton t’i mbështesë financiarisht shpenzimet për komplekset memoriale në përgjithësi në Kosovë./ KultPlus.com

Natë shqiptare në Brit Awards, Dua Lipa merr dy çmime, Rita Ora shkëlqen me performancë (FOTO/VIDEO)

Dua Lipa ka qenë ylli i natës së sotme në ceremoninë Brit Awards 2018 duke pasur më së shumti nominime, por edhe duke marrë më së shumti çmime nga artistët e pranishëm në këtë ceremoni, shkruan KultPlus.

AlberinaHaxhijaj

Ceremonia e cila tërheqë vëmendjen e të gjithëve në Britani, BritAwards 2018 është mbajtur sonte. Kurse në vëmendje e të gjithëve ishte këngëtarja Dua Lipa e cila fitoi dy çmime në këtë garë prestigjiozë. Ajo me të filluar ceremonia fitoi çmimin si artistja më e mirë.

“Falënderoj të gjithë që më kanë ndihmuar, miqtë, ekipin dhe familjen time. Gjithashtu edhe çdo grua që ka qenë në këtë skenë para meje dhe që u kanë dhënë vajzave sikur unë, vajza në shoqëri mundësinë për të ëndërruar kaq shumë. Kjo është që më shumë gra të jenë në këtë skenë, të fitojnë çmime dhe të sundojnë në botë”, u shpreh ajo gjatë pranimit të çmimit të parë për këtë natë. Kurse disa minuta më vonë performoi edhe këngën “New Rules”.

Në skenë dolën për herë të parë për të ndarë një çmim së bashku, Millie Bobby Brown dhe Kylie Minogue. Ato çmimin si artistja më e mirë femër në Britani ia dhuruan Dua Lipës.

Artistja nga Prishtina,Dua Lipa gjatë pranimit të çmimit të dytë për këtë natë, si artistja depërtuese në Britani “British Breakthrough Act”, mori në skenë Rinën dhe Gjinin për të përjetuar më afër magjinë të cilën e përjetoi ajo vet sonte.

“Ju keni bërë gjithë ëndërrta e mia realitet. Vëllai im dhe motra ime me siguri mendojnë që jam e çmendur që i solla në skenë me mua. Arsyeja që e kam bërë këtë është se më parë ju thashë që të besoni në magji dhe ky është momenti kur kam qenë më së afërmi me magjinë. Prandaj dëshiroj që edhe ata të marrin emocionet nga dora e parë. Ju dua, faleminderit shumë”, u shpreh ajo.

Dua Lipa këtë vit është nominuar në pesë kategori duke u bërë kështu këngëtarja më e nominuar këtë vit por edhe solistja e parë grua më e nominuar në historinë e kësaj garë.
Gjatë kësaj nate performoi edhe Rita Ora e cila fillimisht solli këngët “Anywhere” dhe “Your Song” për të vazhduar me bashkëpunimin e fundit të cilin e pati me Liam Payne me këngën “For You”. Kurse perfomanca e saj erdhi shumë bukur e ndërthurur në skenë.

E veçantë e kësaj nate ishte edhe perfomanca e Liam Gallagher, në emër të viktimave të rënë gjatë sulmit në Manchester me një version më të ngadalshëm të këngës Live Forever. Për të nderuar viktimat ishte paraparë që të këndonte Ariana Grande e cila nuk arriti që të jetë pjesë e ceremonisë për shkak të problemeve shëndetësore.

Brit Awards gjatë ceremonisë përvetësoi edhe simbolin e trëndafilit të bardhë për të përkrahur kampanjën ‘Time’s Up’. Yjet e industrisë muzikorë të cilët morën pjesë në Brit Awards 2018 janë duke mbajtur trëndafila të bardhë gjatë parakalimit në tepihun e kuq, shenjë kjo përkrahëse ndaj kampanjës “Time’s Up”, kundër abuzimit seksual, shkruan KultPlus.

Organizatorët e kësaj ngjarje patën njoftuar më herët se të gjithë të ftuarve do ju dhurohet nga një trëndafil i bardhë mirëpo do të mbetet zgjedhje e tyre nëse duan që ta mbajnë atë apo jo.
Një gjë të tillë e kanë bërë edhe këngëtaret Dua Lipa dhe Rita Ora të cilat kanë mbajtur në duar nga një trëndafil gjatë parakalimit.

Rita Ora është paraqitur me trëndafil të bardhë edhe gjatë çmimeve Grammy Awards, ku kishte veshur një fustan të zi. Pikërisht në këtë ceremoni filloi edhe përdorimi i trëndafilit të bardhë si simbol për përkrahje të kësaj lëvizje.

Kjo është lista e plotë e fituesve të kësaj natë:

British Female Solo Artist: Dua Lipa
British Male Solo Artist: Stormzy
International Group: FooFighters
British Single: Rag’n’Bone Man – ‘Human’
International Male Solo Artist: KendrickLamar
British Breakthrough Act: Dua Lipa
International Female Solo Artist: Lorde
British Group: Gorillaz
Global Success: Ed Sheeran
British Artist Video of the Year: HarryStyles
Mastercard British Album of the Year: Stormzy – ‘Gang Signs & Prayer’
BRITs Critics’ Choice: Jorja Smith
Producer of the Year: Steve Mac./KultPlus.com

Thëniet më të bukura të Faik Konicës për gjuhën shqipe

E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).

Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).

Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).

Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane.

Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).

Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224)

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).

Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.

Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226)./ KultPlus.com

Rita Ora performon në Brit Awards, shkëlqen me hitet e saj (VIDEO/FOTO)

Këngëtarja e famshme shqiptare Rita Ora sapo ka pushtuar skenën e madhe të Brit Awards, e cila ka perfomuar pjesë të këngëve të saj, të shndërruar tashmë në hite,shkruan KultPlus.

Ajo në këtë skenë është ngjitur edhe me Liam Payne, e cila është vlerësuar edhe si performanca më e pritur për këtë edicion.

Kjo këngë tashmë ka të realizuar edhe videoklipin, dhe është një ndër këngët më të pëlqyera.

Rita Ora, këndoi nga një pjesë të shkurtër edhe të dy hiteve të saj si “Your Song dhe “Anywhere”. Këto këngën u dëgjuan dhe u klikuan mjaft shumë nga fansat e shqiptares e cila me zërin e saj po mrekullon botën.


Rita Ora, së fundmi ka qenë edhe në vendlindje, duke festuar bashkë me vendasit e saj 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com

Dua Lipa merr çmimin e dytë, artistja më e mirë debutuese

Dua Lipa, merr cmimin e dytë, si artstja më e mirë debutuese në BRIT AWARDS 2018.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Dua Lipa ka arritur të prek fuqishëm skenën muzikore vitet e fundit. Ajo sonte është shpërblyer me çmimin “Artistja më e mirë debutuese”, në ceremoninë Brits Awards që po mbahet në Londër, shkruan KultPlus.

Dua Lipa, e cila është bërë shumë e njohur me hitin e saj “New Rules” dhe së fundmi me këngën “IDGAF”. Ajo është cilësuar si këngëtarja më e nominuar këtë vit në ceremoninë Brit Awards. Dua Lipa është nominuar në gjithsej pesë kategori: artistja më e mirë femër, artistja më e mirë debutuese, kënga më e mirë me “New Rules”, albumi më i mirë anglez dhe videoklipi më i mirë anglez.

Dua Lipa ka qenë e nominuar në pesë kategori ndërsa ka arritur të triumfoj në dy prej tyre.

Në kategorinë e albumit më të mirë ajo garon edhe krahas Ed Sheeran, ndërsa në kategorinë e artistes më të mirë femër ka triumfuar krahas Paloma Faith, Jessie Ware, Kate Tempest dhe Laura Marling./ KultPlus.com

Dua Lipa ngjitet në skenën e Brit Awards me New Rules (FOTO)

Dua Lipa pasi mori cmimin e madh si artistja më e mirë femer, tani është ngjitur në skenë me performancën e këngës se saj te suksesshme “New Rules”, shkruan KultPlus.

Kjo performancë nga organizatorët sapo u vlerësua si një performancë magjike.

Dua Lipa është e nominuar në gjithësej pesë kategori, tanimë priten edhe rezultate në katër katogortë tjera ku ajo është e nominuar./KultPlus.com

Dua Lipa fiton, artistja më e mirë femër në Brit Awards 2018

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa sapo është zgjedhur artistja më e mirë femër në ceremoninë Brit Awards 2018, që po mbahet në Londër, shkruan KultPlus.

Dua Lipa, një këngëtare tanimë e njohur gjithandej me hitet “New Rules” dhe “IDGAF”, është nominuar në pesë kategori: artistja më e mirë femër, artistja më e mirë debutuese, kënga më e mirë me “New Rules”, albumi më i mirë anglez dhe videoklipi më i mirë anglez. Në kategorinë e albumit më të mirë ajo garon edhe krahas Ed Sheeran, ndërsa në kategorinë e artistes më të mirë femër është krahas Paloma Faith, Jessie Ware, Kate Tempest dhe Laura Marling./ KultPlus.com

Gjuha e zjarrtë

Poezi nga Lasgush Poradeci – “Vallja e yjeve”, 1933

O gjuhë – e shenjtëruar, o mall me shpirtin plot
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë
O djellë – i llaftaruar që ndrin si pikë lot…
Si pikë lot e ndritur po ndrij në rreze tuaj
Po ndrij e papandehur, po qaj pak e nga pakë
Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj…

Kam mbetur kaq i huaj, dh’i ndrydhur edh’i shkret!
Prej ligjëratës sate që më çudit, o zjarr!
Me gjuhëra prej flake ti djeg… ti flet… ti pret…
Do vi! Do vi pranë mjerush e dyke vuar
E flakën vraparake nër krahë do ta marr
Posi kuvend të shkruar do të ta çik me duar

O këng’ e shenjtëruar, o verb i larë n’ar
O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar
O fshehtësir’ e ndezur në fill prej shkrepëtime

Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë
Posi një kraharuar ti dhemb, o Gjuh’ – e zjarrtë
Posi kullim’ i gjakut që rreh në zemër time

Ti ndrin në thelb të jetës si drit’ e përvëluar
O gjuh’ – e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar

Këtu mund ta përcillni Brit Awards 2018, shikojeni performancën e Rita Orës dhe pesë nominimet e Dua Lipës (LIVE)

Edhe pak minuta fillon ceremonia e madhe e Brit Awards, ku pritet të performojë Rita Ora, e cila është parë se ka shkëlqyer në tepihun e kuq, shkruan KultPlus.

Por pritjet për këtë mbrëmje shkojnë te këngëtarja tjetër shqiptare,Dua Lipa, e cila në këtë garë është e nominuar në pesë kategori të ndryshme./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=USdXXVh-U-8&feature=youtu.be

Rita Ora përplot sharm dhe buzëqeshje (FOTO)

Rita Ora, këngëtarja e famshme shqiptare, minuta më parë ka shkelur mbi tapetin e kuq të Brit Awards 2018, shkruan KultPlus.

Për kaq pak minuta, kanë arritur të qarkullojnë shumë fotografi të saj. Vëmendja për dukjen e saj, Ritës nuk po i mungon as në këtë event. E buzëqeshur e plot sharm ajo po kap kamerat e fotografëve që po e përcjellin këtë ngjarje nga afër. KultPlus ju sjellë disa nga këto fotografi.

Edhe pak minuta kanë mbetur nga hapja zyrtare e ceremonisë Brit Awards 2018. Rita do t’i dhuroj një performancë skenës që tashmë është bërë gati, kurse këngëtarja tjetër shqiptare, Dua Lipa është në pritje të ndarjeve të cmimeve, ku ajo është nominuar në pesë kategori./KultPlus.com

Brit Awards me simbolin e trëndafilit të bardhë, Rita Ora dhe Dua Lipa mbështesin kampanjën’Time’sUp’

Brit Awards me simbolin e trëndafilit të bardhë, Rita Ora dhe Dua Lipa mbështesin kampanjën’Time’sUp’
Yjet e industrisë muzikorë të cilët janë duke marrë pjesë në BritAwards janë duke mbajtur trëndafila të bardhë gjatë parakalimit në tepihun e kuq, shenjë kjo përkrahëse ndaj kampanjës “Time’sUp”, kundër abuzimit seksual, shkruan KultPlus.

Mysafirët në shfaqjen më të madhe të çmimeve britanike të muzikës simbolin e trëndafilit të bardhë e kanë përshtatur me veshjet e tyre në përkrahje të lëvizjen Time’sUp.

Organizatorët e kësaj ngjarje patën njoftuar më herët se të gjithë të ftuarve do ju dhurohet nga një trëndafil i bardhë, mirëpo do të mbetet zgjedhje e tyre nëse duan që ta mbajnë atë apo jo.
Një gjë të tillë e kanë bërë edhe këngëtaret Dua Lipa dhe Rita Ora të cilat kanë mbajtur në duar nga një trëndafil gjatë parakalimit.

Rita Ora është paraqitur me trëndafil të bardhë edhe gjatë çmimeve GrammyAwards, ku kishte veshur një fustan të zi. Pikërisht në këtë ceremoni filloi edhe përdorimi i trëndafilit të bardhë si simbol për përkrahje të kësaj lëvizje./KultPlus.com

Rita dhe Dua në Brit Awards, të ngjashme si kurrë më parë (FOTO)

Dua Lipa dhe Rita Ora janë dy këngëtaret shqiptare që morrën vemendjen e të gjithve në tapetin e kuq të Brit Awards 2018, shkruan KultPlus.

Në këtë event, stili i tyre është më i ngjashëm se kurrë më parë. Derisa Dua mban veshur një fustan tejet të gjerë me ngjyrë rozë, Rita vjen me një fustan po ashtu të gjerë me ngjyrë të bardhë. Të dyja në duar mbajnë trandafilin e bardhë, që konsiderohet si simbol i përkrahjes së grave të abuzuara seksualisht. Rita Ora është njëra nga performueset e kësaj mbrëmje, ndërsa Dua Lipa është këngetarja më e nominuar në këtë event, e nominuar në gjithësej pesë kategori./KultPlus.com

Ja edhe e famshmja Rita Ora, kështu duket sonte në Brit Awards (FOTO)

Rita Ora, këngëtarja e famshme shqiptare Rita Ora po merr pjesë sonte në ceremoninë e madhe Brit Awards, shkruan KultPlus.

Ajo duket shumë bukur me fustanin e saj të bardhë, kurse në këtë mbrëmjë ajo pritet të performojë këngën e saj të fundit.

Në këtë mbrëmje është edhe ylli tjetër shqiptar, Dua Lipa./KultPlus.com

Magji shqiptare sonte në Brit Awards, Dua Lipa e nominuar në pesë kategori (FOTO)

Këngëtarja kosovare tani më me famë botërore Dua Lipa nuk ka të ndalur. Sukseset e saj çdo ditë e më shumë po rriten.

Ajo është bërë jo vetëm pjesë e nominimeve në eventin e madh Brit Awards 2018, por ajo është nominuar në 5 kategori të ndryshme. Sonte ajo sapo ka parakaluar në tapetin e kuq, kurse ceremonia do të filloj pas pak, ku pritet edhe shkëlqimi i Duas. Në këtë mbrëmje do të perfromojë edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Rita Ora.

Këto janë kategoritë në të cilat është nominuar Dua:

Shikojeni parakalimin e Dua Lipës në Brit Awards (VIDEO)

Dua Lipa sapo ka parakaluar në tepihun e kuq në Brit Awards, e cila kryeson me nominime në këtë edicion, ku dhe pritet të jetë ylli i mbrëmjes, shkruan KultPlus.

Ajo duket e mahnitshme me një fustan. “Jam e lumtur për nominimet, por këtë fustan më duhet ta ndërroj, sepse nuk mund të performoj me këtë fustan”, ka thënë Dua Lipa në këtë mbrëmje./KultPlus.com


Erona Tasholli, poetja shqiptare që po mahnitë Gjermaninë me interpretimin dhe poezinë e saj (FOTO/ VIDEO)

Erona Tasholli, është një zë i ri poetik që po arrin të prekë skenat e Gjermanisë me stilin e saj të veçantë të poezisë dhe të interpretimit. Emri i saj tashmë ka zënë vend edhe në shtypin gjerman, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Erona Tasholli është vajza nga qyteti i Lipjanit, por që është rritur dhe shkolluar në Gjermani, atje ku edhe po depërton në sferën kulturore. Talenti që ajo e ka, ia bën çdo herë e më të lehtë depërtimin edhe në një vend të huaj.

Erona, e cila sot është 18 vjeçare, me poezinë e saj ka udhëtuar në shumë qytete të Gjermanisë. “Poetry Slam”, është lloj i poezisë që asaj i ka dhënë shkëlqimin artistik. Ky lloj i poezisë moderne është zbuluar shumë herët në Amerikë, por në Gjermani ka ardhur në fillim të këtij shekulli. Liria që i ofron ky lloj i poezisë, ka bërë që Erona të zhytet në këtë lloj të shkrimit.

“Unë performoj që nga mosha 14 vjeçare dhe kam marr pjesë në shumë Poetry Slams në tërë Gjermaninë, që nga Aschaffenburgit e Miltenbergit në fillim e deri në Mynhen, ne Nürnberg, Regensburg, Berlin, Stuttgart e me vende të tjera”, tregon fillimisht Erona për KultPlus.

Duke qenë se në këtë lloj poezisë, publiku thotë fjalën kryesore dhe vlerësimin vendimtar për poezinë, Erona jo rrallë herë ka arritur ta bëjë publikun për vete, vetëm me fuqinë e shkrimit, zërit dhe interpretimit të saj.

“Zakonisht është formë e lirë, nuk mundet askush që të tregoj që „bejë ndryshe“ se mundesh të shkruash për çfarëdo teme dhe në çfarëdo mënyre. Poezia mund të të bëjë për të qeshur, për të qarë, për të menduar apo edhe për të kritikuar më tepër. Me rendësi është qe e bën publikun për vete me fjalët tua e jo te huaja, me rëndësi është që të jesh i sinqertë, pasi që nuk mund të përdoresh diçka tjetër që mund të ndihmoj, as muzikë, maskime ose elemente të tjera mbështetëse por shkëlqen veten me zërin, me performancen dhe me tekstin, pra me domethënien që e ndërfut brenda tij”, shpjegon për KultPlus, poetja nga Kosova, Erona Tasholli.

Ajo tutje shton se në poezinë e saj është munduar të prek tema që trajtojnë preukopimet e saj personale, jetën e problemet e vendit të saj, e të botës.

“Kam performuar në shumë vende, ku kam treguar për probleme të shtetit, të botes, të popullit, të njeriut individual dhe përmes tyre kam shprehur mendimet e mija se ku ndihem më së miri ose më së keqi – por gjithmonë në gjermanisht”, rrëfen tutje Erona Tasholli.

“E dashura Kosovë”, poezia në të cilën Erona rrëmbeu vendin e parë .

Duke qenë se zëri i Eronës, gjithnjë ka dhënë interpretime në gjuhën gjermane, ajo thotë se këtë vit për herë të parë, ka performuar në gjuhën shqipe, pranë publikut shqiptar. Qendra Kulturore Shqiptare në Stuttgart, për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ka organizuar një orë letrare në të cilën Erona iu fali shumë emocione bashkëkombësve të saj me poezinë “E dashura Kosovë”. Në mesin e dhjetë poeteve, ajo arriti të marr vendin e parë në këtë ngjarje të karakterit garues.

“Unë vendosa te shkruaj për atë që e kam pasur në zemër për një kohë te gjatë, prandaj e dërgova një letër metaforike Kosovës dhe banorëve të Kosovës nga fëmijët e mërgimit”, tregon Erona Tasholli për përmbajtjen e kësaj poezie, e mesazhin e saj.

E dashura Kosovë,
edhe hënës ja merr anën, te thërrasim diell,
me shumë ndriçon se yjet, te thërrasim qiell
sepse edhe kur te jem te humbur gjithmonë ty mbi neve të kem,
Kosovë, te thërrasim shtëpi se këtu pa shtëpi kemi mbetë.


Ky është vargu i parë i poezisë fituese, e që përfaqëson zërin e një vajze mërgimtare, që është rritur me mallin dhe dashurinë për vendlindjen. Edhe pse larg, dashurinë për vendin e ka mbajtur gjithnjë afër. Me të njëjtën frymë vazhdon poezia deri në vargun e fundit.

Kosovë, sot jemi me mall,
për gjysh, për dajën e për hallë,
Kosovë, sot po të thërrasim lartë,
por nese nuk përgjigjesh, nesër tjerët dot mbesin
hiq pa fjalë.

Ne vendin ku ajo jeton thotë se ka organizuar dy ngjarje të poezisë, ndërsa fitimet kanë shkuar për organizatën humanitare Amnesty International. Kurse këtë javë, Erona do te moderoj një mbrëmje letrare dhe do te jetë pjesë e saj me punimet origjinale, per çka edhe ka shkruar gazeta gjermane “Mein echo”. Në faqet e kësaj gazete shkruhet se duke qenë se kjo ngjarje është organizuar edhe më parë, veçantia e këtij viti është se organizatorja Erona Tasholli, ka arritur që në këtë event të mbledh shumë më tepër poetë nga rajoni se sa vitin e kaluar. Në mesin e shumë sukseseve të Erona Tashollit, gazeta gjermane e kujton edhe një poezi me të cilën thotë se Erona ka shkëlqyer në vitin 2016 , dhe që po vazhdon ende të tërheq shumë shikues në Youtube.

Tashmë poetja e re Erona Tasholli, është në prag të organizimit të mbrëmjes poetike që do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 18:30, në Wörth Am Main./ KultPlus.com

Uta Ibrahimi me ekspozitë personale edhe në Gjilan

Uta Ibrahimi, përfaqëson emrin e gruas së parë shqiptare që u ngjit në majën më të lartë të tokës, në Majën e Everestit, në Himalaje, Nepal, shkruan KultPlus.

Ajo ditë më parë solli rrugëtimin e saj të kësaj ngjitje përmes fotografive, në ekspozitën “Kujtimet nga Himalajet”, që u hap në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kurse qytetarët e komunës së Gjilanit, tashmë këtë ekspozitë do të mund ta shohin më afër se kurrë, në qytetin e tyre.

Me mbështetjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nesër do të hapet e ekspozita personale e Uta Ibrahimit në Galerinë e Qytetit, në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00. / KultPlus.com

Kështu duket Dua Lipa në Brit Awards (FOTO)

Dua Lipa sapo ka parakaluar në tepihun e kuq në Brit Awards, e cila kryeson me nominime në këtë edicion, ku dhe pritet të jetë ylli i mbrëmjes, shkruan KultPlus.

Ajo duket e mahnistshme me një fustan. “Jam e lumtur për nominimet, por këtë fustan më duhet ta ndërroj, sepse nuk mund të performoj me këtë fustan”, ka thënë Dua Lipa në këtë mbrëmje./KultPlus.com

Rita Ora e Dua Lipa së shpejti do të kalojnë në tapetin e kuq në Brit Awards (LIVE)

Rita Ora dhe Dua Lipa sonte janë pjesë e ceremonisë më të madhe të muzikës në Britani të Madhe “Brit Awards”, ku Rita Ora do të performojë, kurse Dua Lipa është e nominuar në disa kategori, shkruan KultPlus.

Parakalimi në tapetin e kuq vec ka filluar,ku shpejt pritet të paraqiten edhe Rita Ora e Dua Lipa./KultPlus.com

Një operacion global policor konfiskon 41 000 artefakte

Më shumë se 41 000 objekte kulturore u sekuestruan gjatë një operacioni kundër trafikut të paligjshëm organizuar në 81 vende nga Organizata Botërore e Doganave (OMD), Europol dhe Interpol, njoftoi sot kjo e fundit.

“Këto monedha, mobilje, piktura, instrumente muzikore, skulptura dhe objekte arkeologjike u sekuestruan gjatë një operacioni botëror kundër trafiqeve të objekteve kulturore”, shtoi organizata ndërkombëtare për bashkëpunimin policor në një komunikatë.

Ky operacion botëror u zhvillua në kuadër të operacionit “Athena”, bashkorganizuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe Interpoli dhe operacioni ”Pandora II”, koordinuar nga Europol dhe Guardia Civile spanjolle.

“Dhjetëra mijëra kontrolle u realizuan në aeroportet dhe kufijtë e 81 vendeve gjatë këtyre operacioneve, që janë zhvilluar nga tetori në dhjetor 2017”, sipas Interpol.

Shtëpitë në shitje, muzetë si dhe vende të veçanta janë inspektuar duke bërë të mundur hapjen e më shumë se 300 hetimeve dhe duke çuar në 101 arrestime.

Mes objekteve të gjetura, Interpoli përmendi rastin e një guaske glyptodoni, një tatuazh gjigant të zhdukur, gjendur nga policia federale argjentinase.

Kjo guaskë, më shumë se 1 000 000-vjeçare, ishte shitur për 150 000 dollarë.

Një pikturë e Nicolas de Staël, vlerësuar rreth 500 000 euro, u kap nga doganat franceze në veri të Parisit, ndërkohë që po përgatitej të nisej drejt Londres.

“Më shumë se 7 000 objekte, rreth 20% të numrit total të objekteve të gjetura në këto operacione, u zbuluan në faqet e shitjeve në internet”, zbulon Interpol./ KultPlus.com

Mitrush Kuteli për gjuhën shqipe

Poezi nga Mitrush Kuteli.

Të falem ty, o gjuhë – shkëmb
me rrënjët thellë në shkëmbënj
që çave qiellin kur t’u vrënj
dhe shëmbe bisha e shtërpënj
pa mbete prapë
…..shkrep e shtëng;

të falem, gjuhë – shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrundullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe,
…..vetëtim;

të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltërsi,
ty, afshi i zemrës – dashuri –
gjithmon e ëmbël –
…..mjaltë zgjoi.

Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi:
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim.

Të falem ty, o fis i vendit tim:
Ilir i lashtë, arbër i ri –
dhe sot shqiptar në shumë Shqipëri…
ty, i paepur popull luftëtar,
qendresë e fortë në luftë e zjarr;

ty, o gjahtar i moçëm me hobe,
dhe ty, bari, me hark e me kope
ty, bujk, me shpatë e me qe
ty, nënë e dhembshur e grua – gur,
ju, që më shtatet ngritët mur:
ju rroni dhe rilindni përsëri,
siç lind nga trungu bisku i ri,
kur mplaken edhe vdesin perëndi…
ju mbrujtët e mbrojtët gjer në varr:
gjuhën e shqipes sime
…..thesar

MKRS-ja shpall konkurs për projektet kulturore 2018

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë publike thirrjen për përkrahjen financiare të projekteve kulturore për vitin 2018 për organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Vlera totale për projektet kulturore për këtë vit është e planifikuar është 750,000.00 mijë euro”.

MKRS-ja fton të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet-idetë me karakter:

Profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtjesor i respektojnë standardet krijuese europiane dhe botërore;

Promovues, i cili ka për qëllim paraqitjen dhe integrimin e artistëve vendor në skenën artistike ndërkombëtare;

Stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative;

Tradicional, përmes të cilave do të promovohen vlerat kulturore;

Inovativ, të cilat me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin krijues;

Kritik, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin debat dhe diversitet artistik;

MKRS-ja shton se OJQ-të dhe individët, në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet / programet e tyre për promovimin e kulturës, në fushën e kinematografisë, teatrit, muzikës, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor dhe dialog, diplomaci kulturore, aktivitete letrare, bibliotekari.
http://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,1671#.Wo2PKIPwbcs