Fatos Kongoli e kalon me sukses operacionin, përmirësohet gjendja shëndetësore

Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli e ka kaluar rrezikun shëndetësor dhe është drejt përmirësimit të parametrave të jetës. Është ky lajmi i mirë që vjen nga shërbimi i kirurgjisë nr. 2 në spitalin “Nënë Tereza” aty ku shkrimtari i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë për heqjen e masës malinje.

Mjekët thonë se shkrimtari kishte të paktën 6 muaj që përjetonte hemorragji të forta në pjesën e poshtme të traktit tretës, shenja që janë neglizhuar prej tij deri në pikën ku nuk mund të lëvizte më nga shtrati. Pas kësaj familja e ka sjellë në urgjencën e QSUT në gjendje të përkeqësuar.

Menjëherë është reanimuar dhe më pas i është i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë. Operacionet e drejtuara nga profesor Edmond Çeliku kanë qenë të suksesshme dhe vetë shefi i shërbimit të kirurgjisë nr. 2 pohon për News24 se tumori është kapur në fazë të hershme në stadin e dytë të zhvillimit, dhe se pas heqjes së masës analizat imazherike kanë treguar se organizmi i shkrimtarit 72-vjeçar është i pastër dhe nuk ka shenja të metastazave në pjesë të tjera të trupit.

Por ajo që mund të quhet e rrallë është fakti sesi një emër kaq i njohur i letërsisë në Shqipëri dhe në botë autor i 15 veprave të përkthyera në shumë gjuhë nuk ka kërkuar trajtime ekstra nga shteti shqiptar për t’u kuruar jashtë vendit siç ndodh rëndom me persona të ashtuquajtur VIP-a.

Madje sipas mjekëve, Kongoli ka ngulur këmbë që të shtrohet dhe operohet si çdo qytetar i thjesht në spitalin “Nënë Tereza”.
Madje pak kush e dinte që i mirënjohuri Fatos Kongoli po kalonte ditë të vështira në spital derisa ky lajm u publikua në Facebook nga miku i tij Fatmir Toçi. Ish-deputeti socialist publikoi ngjarjen në faqen e tij duke deklaruar se përtej shërbimit të shkëlqyer të mjekëve spitali nuk kishte gjak për pjesën postoperatorë dhe se i bënte thirrje të gjithë shqiptarët të dhurojnë gjak për t’i shpëtuar jetën njeriut të madh të letrave shqipe.

I kontaktuar nga News24 shefi i shërbimit të kirurgjisë në QSUT Edmond Çeliku mohon të ketë pasur mungesë të gjakut gjatë trajtimit postoperatorë të shkrimtarit. Për më tepër mjeku thotë se shkrimtarit të madh i janë krijuar kushte optimale për aq sa mund të ofrojë ky shërbim, i vendosur në një dhomë të veçantë me mbikëqyrje mjekësore 24 orë dhe se 72-vjeçarit i është injektuar dy herë gjak më shumë për të rikuperuar sasinë e humbur gjatë hemorragjisë paraoperatore.

Porse profesor Çeliku pranon ekzistencën e hershme të problemit të rezervave të pakta të gjakut përball fluksit të madh të urgjencave dhe operacioneve që kryhen çdo ditë në këtë shërbim.

Mësuesi midis dy ushtarakëve

Në fotografinë që publikohet për herë të parë, zotëriu midis dy ushtarakëve italianë është Musa Peja, mësues nga Gjakova.

Nga e majta është shefi i Karabinierisë italiane e në të djathtë një gjeneral i aviacionit italian. Emrat e dy ushtarakëve italianë nuk kemi mundur t’i identifikojmë.

Musa Peja është babai i doajenit të muzikës popullore, Ismet Peja.

Fotografia u realizua në vitin 1943 në Gjakovë.

BAJRAM MJEKU

Nudot e Vangjush Mios kthehen në Venecia

Ekspozita e tij e parë, qe hapur në shtëpinë e jetimores, me punimet e sjella nga Bukureshti. Mësuesi i vizatimit dhe mësuesi i historisë së artit në Liceun Francez, më 1921 do të hapte studion e tij si piktor. Deri më 1924-ën, kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe fitoi dy diploma për pikturë dhe restaurim. Dy vite më pas, ndoqi Bienalen e Venecias. Pothuaj 9 dekada më vonë, rikthehet në Venecia me veprat e realizuara në atë kohë.

Veprat e piktorit të njohur Vangjush Mio do të udhëtojnë drejt Venecias ku do të ekpsozohen për publikun.

Nudo, piktura, vizatime të viteve 1920, një fond i artë që ruhet nga familja e artistit(pothuaj fshehur syve të publikut), është tanimë gati për në Itali.

Një VKM ka dhënë tashmë lejen për lëvizjen jashtë territorit të Shqipërisë të veprave të arta të Mios.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lejon “lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 11 veprave të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, me qëllim ekspozimin e tyre në Centro Culturale Don Orione Artigianelli, Sala Tiziano, Dorsoduro 909/a në Venecia, Itali”.

Veprat e artit do të jenë në Venecia në harkun kohor 1 mars – 30 prill 2018, shkruan Gazeta Shqiptare.

Por para vendimit, anëtarët e Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit të Pasurive Kulturore në pronësi private kanë nisur takimet për të shqyrtuar kërkesën e Znj. Rozeta Mio, vajza e artistit Vangjush Mio mbi vlerësimin e veprave të autorit me qëllim miratimin e lejes nga Ministria e Kulturës për lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me rastin e hapjes së ekspozitës në Venecia.

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është marrë me procedurat paraprake dhe tanimë sipas VKM-së, do të kryejë procedurën e monitorimit dhe regjistrimin e lëvizjes së veprave.

Vangjush Mio, (Korçë, 05.03.1891 – Tiranë 30.12.1957) ishte pjesë e artistëve realistë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Një nga figurat më të rëndësishme të arteve pamore shqiptare, peizazhist dhe portretist i shquar, i vlerësuar dhe i njohur si poeti i peizazhit shqiptar. Krijimtaria e Vangjush Mios luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë në kushtet e izolimit kulturor të shtetit komunist, pasi ishte dhe shëmbulli më i qartë i një arti jashtë propagandës partiake dhe kornizave të realizmit socialist shqiptar. Vangjush Mio lindi në Korçë në një familje të mesme qytetare. Mësimet e para i bëri në qytetin e lindjes, shkollën e mesme nuk mundi ta mbarojë në vendlindje dhe vitin 1908 vëllai i madh Anastasi e merr me vete në Bukuresht, ku në vitin 1914 ai regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura të Bukureshtit. Në koloninë shqiptare të Bukureshtit ndodheshin dhe shkrimtarët Asdreni (Aleksandër Stavër Drenova) dhe Lasgush Poradeci, me të cilët Mio takohej shpesh dhe merrte pjesë në veprimtaritë artistike në kor dhe teatër, duke luajtur si aktor. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti do që të rikthehet kinemaja te ish-Shtëpia e Armatës

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, sot priti në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku diskutuan rreth vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike dhe komunës së Prishtinës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se ata kanë vlerësuar mundësinë e shfryëzimit të sallës së ish-Shtëpisë së Armatës në kinema për qytetin e Prishtinës.

“Më këtë rast, Yagcilar dhe Ahmeti vlerësuan mundësinë e shfrytëzimit të sallës së ish-Shtëpisë së Armatës në kinema për qytetin e Prishtinës dhe u dakorduan për koordinim mes dy institucioneve për të angazhuar në bashkërendimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta për të ofruar shërbime publike sa më efikase në interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Armiku im

Poezi nga Mimoza Ahmeti.

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron qenia zhduket)
Armik. Armiku im!
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroi lënda ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat mbërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe jo urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
Turmat,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.

Jericho sonte në Rockuzinë

Sonte në Rockuzinë do të kthehet për herë të tretë për një performacë plotë energji grupi i njohur kosovar Jericho.

Jericho është një rock grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet për muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta.

Muzika e Jerichos është përzierje e muzikës rock, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare e cila është karakteristikë e regjionit te Kosovës dhe Shqipërisë veriore. Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.

Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë, i cili flitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore, ku, shpesh përdoret edhe në poemat epike shqiptare. Të gjitha këngët e Jerichos, trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit. Një nga këngët e para si dhe ajo që i mundësoi Jerichos të ndërtoj një publik rreth vetes është ”Don’t f*** with Albanians”. Këngët e Jericho-s janë të njohura kryesisht në mesin e të rinjve shqiptarë që jetojnë në Ballkan, por janë transmetuar edhe në stacionet e ndryshme të pavarura dhe Radio alternative në të gjithë vendet ish-jugosllave.

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, ky grup, publikoi këngën ”Nëntor i ftohtë”. Një “nëntor i ftohtë” kur populli po festonte një shekull si shtet i pavarur. Ky titull “i ftohtë”, sipas vokalistit Petrit Çarkaxhiu, ishte si pasojë e mosinformimit dhe injorancës së popullit për këtë datë të rëndësishme, mirëpo edhe për gjendjen e atëhershme në të cilën gjendej populli shqiptar. Kjo këngë është e ndarë në tri pjesë, ku pikërisht pjesa e parë flet për 28 nëntorin e 1912-ës, ku, sipas Petritit ishte viti më i vështirë i popullit shqiptar, sidomos për ata të cilët u ndanë me forcë nga Shqipëria.

Përveç këngëve të lart përmendura, grupi “Jericho” njihet edhe për shumë këngë të tjera si: ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” e shumë të tjera. Tani anëtarët e grupit janë në përgatitje të albumit më të ri të tyre.

Pjesëtarët e këtij rock grupi janë:

Petrit Çarkaxhiu – Vocal & Rhythm Guitar
Leonard Canhasi – Solo Guitar
Suad Jamini – Bass Guitar
Visar Rexha – Drums

Sonte mbahet ‘Global Awards’, të nominuara edhe Dua Lipa e Rita Ora

Sonte në Londër do të mbahet ceremonia “Global Awards 2018” dhe tashmë janë bërë të ditur emrat e artistëve të nominuar në 13-të kategoritë, ku në mesin e tyre janCedhe dy këngëtaret nga Kosova Dua Lipa dhe Rita Ora.

Dua Lipa është e nominuar në tri kategori: “Best Female” ku për të marrë këtë çmim është në konkurrencë me Ariana Grande, Camila Cabello, Selena Gomez, Taylor Swift, në kategorinë “Best British Artist or Group” ku të nominuar janë edhe Ed Sheeran, Liam Gallagher, Liam Payne, Little Mix, dhe në kategorinë “Rising Star Award” ku të nominuar janë edhe Jax Jones,
Mabel, Stefflon Don dhe Yungen.

Ndërsa Rita Ora është e nominuar vetëm në kategorinë “Best Pop”, ku për të marrë këtë çmim ajo është në konkurrencë me Charlie Puth, Liam Payne, Little Mix dhe Shawn Mendes, shkruan Radio Plus.

Lista e plotë e nominimeve në Global Awards 2018:

1. Best Song
Camila Cabello, Havana (feat. Young Thug)
Ed Sheeran, Shape Of You
Little Mix, Power (feat. Stormzy)
Niall Horan, Sloë Hands
Shawn Mendes, There’s Nothing Holdin’ Me Back

2. Best Group
Clean Bandit
Coldplay
Little Mix
Take That
The Chainsmokers

3. Best Male
Ed Sheeran
Justin Bieber
Liam Payne
Niall Horan
Shawn Mendes

4. Best Female
Ariana Grande
Camila Cabello
Dua Lipa
Selena Gomez
Taylor Swift

5. Best British Artist or Group
Dua Lipa
Ed Sheeran
Liam Gallagher
Liam Payne
Little Mix

6. Rising Star Award
Dua Lipa
Jax Jones
Mabel
Stefflon Don
Yungen

7. Best Classical Artist
Andrea Bocelli
André Rieu
Ji Liu
Nicola Benedetti
The Ayoub Sisters

8. Mass Appeal Award
Ed Sheeran
James Arthur
P!nk
Paloma Faith
Sam Smith

9. Social Media Superstar
Cameron Dallas
Caspar Lee
KSI
Oli White
Zoella

10. Best RnB, Hip-Hop or Grime
Drake
J Hus
Mabel
Post Malone
Stormzy

11. Best Pop Dance
Calvin Harris
Craig David
David Guetta
Martin Garrix
Sigala

12. Best Indie
Blossoms
Florence + The Machine
Kasabian
Liam Gallagher
Noel Gallagher’s High Flying Birds

13. Best Pop
Charlie Puth
Liam Payne
Little Mix
Rita Ora
Shawn Mendes

Në Berlin promovohet libri biografik për aktorin e madh shqiptar Aleksandër Moisiu (FOTO)

Aktori shqiptar i cili karrierën e tij e ndërtoi në Austri Aleksandër Moisiu, mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Moisiu, i cili vdiq në viti 1935 në Vjenë, ishte një ndër aktorët që përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne.

Kësisoj që njerëzit të dinë më shumë rreth aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiut, në nëntor të vitit të kaluar pati dalë nga shtypi libri me biografi të Aleksandër Moisiut, shkruan KultPlus.

Ky libër erdhi si projekt i përbashkët i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Shtëpisë Botuese PA dhe Tradukit.

Ndërsa më 14 mars në Berlin do të bëhet promovimi i këtij libri. Në këtë promovim do të lexojnë Rüdiger Schaper dhe Feride Xh. Berisha ndërsa do të modelohet nga Cord Pagenstecher-Shtëpia Botuese PA.

Mbrëmja mbështetet nga Ambasada e Republikës së Kosovës ndërsa mbahet në Literaturhaus Berlin, Kaminzimmer, Fasanenstraße 23, 10719 Berlin (U-Bhf Kurfürstendamm) me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Përfundojnë ndërhyrjet konservuese në pesë shtëpi tradicionale në Prizren

Në kuadër të planit të punës për vitin 2017, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka përfunduar punimet për ndërhyrje emergjente në shtëpinë e Familjes Shpejti, asset në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Me këtë projekt QRTK Prizren shënon përmbylljen e suksesshme dhe plotësimin e objektivave të parapara për vitin 2017.

Gjatë vitit 2017 QRTK e Prizrenit ka realizuar ndërhyrje konservuese në kuadër të Programit për Ndërhyrje Emergjente, në 20 asete të Trashëgimisë Kulturore.
Në vijim ndajmë disa pamje të ndërhyrjeve konservuese të zhvilluara në pesë shtëpi tradicionale.

Shtëpia e Familjes Ukallo
Ndërhyrjet e realizuara:
– Restaurimi i konstruksionit dhe mbulesës së kulmit;
– Përforcimi dhe rehabilitimi i konstruksionit të tavanit;
– Restaurimi i fasadës lindore dhe perëndimore;

Shtëpia e Familjes Okqaboll
Ndërhyrjet e realizuara:
– Restaurimi i konstruksionit dhe mbulesës së kulmit;
– Restaurimi i fasadës perëndimore;

Kompleksi i Familjes Drini
Ndërhyrjet e realizuara:
Shtëpia
– Restaurimi i konstruksionit dhe mbulesës së kulmit;
Hambari
– Përforcimi dhe rehabilitimi i konstruksionit të mureve të hambarit;
– Restaurimi i konstruksionit dhe mbulesës së kulmit;
– Restaurimi i fasadës lindore;
– Restaurimi i shkallëve të brendshme;
– Shtrimi i dyshemesë së re në përdhes dhe kat;

Shtëpia e Familjes Morina
Ndërhyrjet e realizuara:
– Restaurimi i konstruksionit dhe mbulesës së kulmit;
– Përforcimi dhe rehabilitimi i konstruksionit të tavanit;
– Përforcimi i mureve të jashmte;
– Shtrimi i dyshemesë në çardak në katin e parë;

Shtëpia e Familjes Shpejti
Ndërhyrjet e realizuara:
– Përforcimi dhe rehabilitimi i konstruksionit të tavanit;
– Rehabilitimi i konstruksionit meskatësh;
– Rindërtimi dhe vendosja e dritareve të reja nga druri.

Jeta e Van Gogh në 65 000 piktura të animuara (VIDEO)

“La Passion Van Gogh”, filmi i parë me metrazh të gjatë i animuar, kryesisht me piktura në vaj, tregon në 65 000 korniza, vizualisht të mahnitshme, historinë e artistit të madh, nëpërmjet një kërkimi për vdekjen e tij për edicionin e 90-të të çmimeve ”Oscar”.

Bashkëprodhuesi polako-britanik aspiron titullin për filmin më të mirë të animuar, përballë prodhimeve me buxhete të mëdha amerikane, thuhet në shkrimin e AFP-së qe e transmeton ATSH.

Ai ka kushtuar të paktën 5,5 milionë dollarë, rreth 30 herë më pak se “Coco” nga Disney, një prej katër konkurrentëve në listë.

“Sigurisht është gjithçka ose asgjë, dëshiroj statujën”, theksoi duke qeshur Dorota Kobiela, regjisorja polake e veprës.

“Vepra e Van Gogh është e përsosur. Tablotë e tij tregojnë në detaje jetën e tij, përditshmërinë, shtëpinë, miqtë e tij”, theksoi ajo.

Bashkëshorti i saj dhe bashkëregjisori i këtij filmi me metrazh të gjatë unik, Hugh Welchman, i cili kishte punuar tashmë për filmin “Guri dhe Ujku” (“Pierre et le Loup”), i cili ka fituar një Oscar për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër në 2008, mbetet optimist.

“Van Gogh ishte tejet i pazakontë si artist, sepse në thelb, ai hidhte në telajo të gjithë botën e tij. Pikturonte këpucët e veta, dhomën e gjumit, pamjen që shihte nga dritarja e saj, ushqimin që hante, njeriun që ia shërbente atë ushqim. Ishte shumë e lehtë për ne të pikturonim botën, ashtu siç e shihte Vincent van Gogh. Arsyeja tjetër përse e zgjodhëm atë si subjekt ishte historia e tij dramatike, apo më mirë të themi tragjike”, theksoi regjisori Hugh Welchman.

Homazhi ndaj mjeshtrit të madh holandez përdor më shumë se 130 piktura të tij, për të krijuar rrëfenjën e përcjellë publikut në një mënyrë krejt të re.

Secila prej 65 mijë sekuencave të filmit të animuar është një pikturë në vaj, e realizuar me dorë nga 125 artistë profesionistë, të cilët kanë udhëtuar nga pjesë të ndryshme të globit, për t’u bërë pjesë e këtij projekti.

Sfida ka qenë shumë e madhe, veçanërisht për piktorët që janë përfshirë në këtë projekt. Në studiot në Gdansk, 125 artistë të ardhur nga mbarë bota kanë realizuar këtë vepër. Ata kanë pikturuar veprat duke u nisur nga skenat e xhiruara aktorët.

Për realizimin e filmit prej 93 minutash ka qenë i nevojshëm realizimi i 65 000 planeve të pikturuara me dorë.

Artpolis sjellë leximin skenik të librit “Monologjet e Vaginës”

Për nder të 20 vjetorit të botimit të librit Monologjet e Vaginës së autores Eve Ensler, Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis i ka dedikuar aktivizmit feminist përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe, si shenjë revolte kundër dhunës ndaj grave, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Zana Hoxha Krasniqit do të shënohet 20 vjetori i veprës “Monologjet e Vaginës”, që cilësohet si vepra më e rëndësishme teatrale politike dhe sociale për të drejtat e grave, si dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Leximi skenik do të mbahet më 6 mars në hapësirën e Teatrit Oda duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa, leximet do të përcillen nën tingujt e muzikës së artistes Blerta Kosova.

Performueset e monologjeve do të jenë artistet dhe aktivistet e shquara nga Kosova: Anisa Ismajli, Aurita Agushi, May-Linda Kosumovic, Vjosa Abazi, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Donjeta Morina, Adelina Tërshani, Jeta Berisha, Jovana Radosavljevic.

Viti 2018-të shënon 20 vjetorin e Lëvizjes “Dita – V”, lëvizje kjo që qysh nga fillimi ka zgjeruar përdorimin e artit dhe aktivizimit së bashku për ndërgjegjësimin e popullatës. “Dita – V” është lëvizje globale aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual. Misioni i kësaj lëvizje është “Një botë ku gratë jetojnë të sigurta dhe të lira”.
Kjo ngjarje është e mbështetur nga United Nations Population Fund – UNFPA/Kosovë, Koalicioni për të Drejtat dhe Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – K1 0 dhe CFD/Zvicërr./ KultPlus.com

Sonte për Bekim Lumin koncert në Zanzi

Sonte Zanzi Jazz Bar do të mbledh shumë emra të muzikës që do të performojnë për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi që po përballet më sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Tashmë pjesëmarrjen në këtë mbrëmje e kanë konfirmuar këngëtarët: Shpat Deda, Dritëro Nikqi, Blerta Kosova, Nita Latifi, Mentor Haziri, e plotë të tjerë që do të bashkëngjiten.

“Bekim Lumi ka merita t’jashtëzakonshme n’historinë e kinematografisë në Kosovë, kështu që e kemi edhe borxh moral në nifar mënyre”, shkruhet në njoftimin e këtij eventi.

Ndërsa për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, tashmë kjo mund të arrihet edhe përmes operatorëve VALA dhe IPKO: Përmes operatorit IPKO mund të dërgoni mesazh në në numrin 55049 me tekst “Bekim” . Kurse në operatorin VALA mund të dërgoni mesazh në numrin 55103, me tekstin “Bekim”. Vlera e një SMS-i është 1Euro. Të gjitha të hollat e mbledhura destinohen për shërimin e tij.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SËIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

KultPlus dhe ADOPT’ KOSOVA dhurojnë tri Gift Card për 8 Mars

Për nderë të 8 Marsit, Ditës së Gruas, KULTPLUS në bashkëpunim me ADOPT’ KOSOVA, dhurojnë 3 GIFT CARD secila nga to në vlerë 20 euro.

Për tu bërë pjesë e kësaj loje, krejt çka duhet të bëni është:

LIKE faqen e KultPlus
LIKE and SHARE postimin
TAG tri shoqe

Postimi duhet të jetë PUBLIC.

Fituesi do të përzgjidhet në mënyrë automatike dhe shpallja e fituesve bëhet më 7 mars 2018 në orën 15:00 në Facebook Live në KultPlus./ KultPlus.com

Fatos Kongoli në spital: Nuk kam forcë ta përballoj, kam nevojë për ndihmën e shtetit

Fatos Kongoli është i shtruar në spital. Shkrimtari i njohur u është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale javët e fundit dhe gjendja e tij është e qëndrueshme, por e vështirë.

Pasi Fatmir Toçi bëri publike gjendjen shëndetësore të autorit të disa romaneve, “GSH” mësoi se së pari në spitalin ku ai është i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, banka e gjakut ka nevojë për gjak. Dhurimi mund të bëhet në emrin dhe për llogari të Kongolit, në mënyrë që kur shkrimtari ta ketë të nevojshme, spitali të ketë gjak për të.

I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare“, vetë Kongoli foli me vështirësi për gjendjen e tij. “Gjendja ime pas operacionit të parë ishte e shkëlqyer. Ka qenë një operacion i shkëlqyer nga ana e mjekëve. Pastaj pati disa probleme të tjera dhe u desh një ndërhyrje e dytë, delikate, dhe pas kësaj gjendja nuk është më e njëjta”.

Shkrimtari i rrëfeu “Gazetës Shqiptare” se “sipas mjekëve, e sigurisht ata kanë të drejtë dhe bënë një punë të shkëlqyer, unë kam pjesën time të përgjegjësisë në këtë problem, sepse nuk po tregoj shumë bashkëpunim në këtë fazë postoperatore, që është një fazë shumë e rëndësishme dhe shumë e dhimbshme”. Mes një zëri të hollë, që ndërpritej shpesh, Kongoli po tregohej një libër i hapur, në një prej çasteve më të vështira për të.
Autori i 15 veprave letrare, ndër zërat më të suksesshëm në letërsinë e pas 1990-ës, rrëfeu se “unë duhet të pranoj se nuk e kam forcën e duhur për të përballuar operacionet që kërkohen për rehabilitim. Megjithatë, unë po bëj çmos”.

I sinqertë si përherë, i thjeshtë siç e njohin të gjithë, Kongoli nuk ngurroi të pranonte rutinën e vështirë të këtyre ditëve. “Kam përdorur ushqimin e spitalit, prej disa ditësh, me qëllim që të gjithë parametrat të përmirësohen, siç më janë kërkuar nga ekipi i mjekëve. Ata janë shumë optimistë, sepse gjithë të dhënat e organizmit tim janë shumë pozitivë. Sipas doktorëve, duhet vetëm pak kujdes që unë të kapërcej këtë gjendje”.
Shkrimtari është kaq i ndrojtur. Kushdo që e njeh, qoftë edhe në e pastë takuar pak herë, e ka vënë re, natyrën e tij modeste, tipin krejt të tërhequr të Kongolit, thjeshtësinë që e karakterizon, e pothuaj turpin që ka ai për të folur në publik a më keq ende, për të shtrirë dorën. Prej sa u tha më lart, me gjasë ai kurrë nuk do të kërkojë ndihmë, ndaj u pyet nga “GSH” nëse ka nevojë për kurim jashtë.

“Nuk e di, e dinë mjekët. Unë mund të them vetëm kaq që në gjendjen që jam, nuk do ta përballoja dot situatën time, pa ndihmë të specializuar të një stafi të përgatitur për këtë punë. Nuk lëviz dot. Është e pamundur të lëviz”.

Duke vlerësuar sërish punën që mjekët shqiptarë kanë bërë, Kongoli na tha që “pas operacionit të parë u ngrita në këmbë menjëherë. Ndërsa, gjendja pas operacionit të dytë erdhi duke degraduar për arsye të ndryshme. Derisa erdha në gjendjen që jam sot, e mezi flas”.

Në fund, pas shumë këmbënguljesh, Kongoli pranoi, se ka nevojë për ndihmë. “Unë kam nevojë… për një njeri që të më ndihmojë me veprime të nevojshme postoperatore. Për dikë që të më vërë në karrige. Unë kam nevojë për asistencë dhe me këtë rast, mbase një asistencë shtetërore do të ishte e duhura”./ KultPlus.com

Digjet flamuri shqiptar në Maqedoni (VIDEO)

Në videon e lajmeve qendrore të televizionit grek, Start Tv ku mes tjerash tregohen pamje të djegies së flamurit helen, gjithashtu shihet edhe djegia e flamurit kombëtar shqiptar.

Policia e Maqedonisë dje me një njoftim tha se janë arrestuar disa persona që kanë prishur rendin dhe qetësinë publike në protestën kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Përndryshe, protesta u organizua nga organizata që mbrojnë identitetin e Maqedonisë dhe thelbin Kushtetues të vendit./ KultPlus.com

Dua Lipa mbron emrin me ligj

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, e cila javën e kaluar u shpall këngëtarja më e mirë në Brit Awards, ka bërë kërkesë në Zyrën për Pronësi Intelektuale, që ta përdor emrin e saj për shitje të produkteve të ndryshme.

Sipas burimeve të tabloidit “The Sun”, Dua tani është duke shikuar mundësinë që të përfitojë nga suksesi i saj dhe të zgjerojë burimet e të ardhurave financiare.

“Dua ka pasur vit të suksesshëm, sidomos kur fitoi çmimin si artistja me Depërtimin më të mirë dhe Artistja më e mirë britanike, por ajo ka një turne për të fituar më shumë para”, ka thënë ky burim për “The Sun”.
“Lansimi i linjave të rrobave, parfumeve apo grimit do t’i krijonin asaj pasuri dhe janë marrë hapa që kjo të ndodhë. Ka fansa të rinj që e përcjellin në media sociale dhe e di se ka një treg për të kapur”, ka shtuar burimi.

Dokumentet që ka dorëzuar gjithashtu paralajmërojnë se ajo do të përdor emrin e saj për të promovuar muzikën e saj me incizimet digjitale./ KultPlus.com

1 Mars 1913: Në Trieste u mbajt Kongresi i Madh i Kolonive Shqiptare

Kongresi i Triestes u mbajt në qytetin e Triestes nga 1-4 Mars 1913. Ai i përfundoi punimet në prag të rënies së Janinës.

Në kongres morën pjesë 120 delegatë shqiptarë, italianë, arbëreshë, austriakë, rumunë, vlleh etj. Qëllimi i Kongresit të Triestes ishte mbrojtja e Shqipërisë nga copëtimi.

Kjo u shpall më hollësisht në programin e tij prej katër pikash që ishin:

1. “Kërkesat per nji Shqipni të madhe, të till qi të mund jetojë e pamvarshme politikisht e ekonimisht.
2.Tue marrë para sysh se Vllahët qi jetojnë në rreth të Shqipnis dishirojnë të jen unjisuem me shtetin e rij të lir, na tue i pëlqye me zemër i pershndesim vllaznisht së bashku me të tjerë kombsije së ndryshme qi dishrojnë me jetue në Shqipnin e re.
3.Tue dijtë se fuqit e mdha kan njoftun si parim formimin e nji Shqipnije të lir e se dhe qeverija e jonë asht diftue asnjanse në ket luftim, na n’emen të Drejtsis, lypim qi t’u epet fund luftës e rrethimevet.
4.Shkoqitje mbi formën e qeveris”.

Kryetar i Kongresit ishte Faik Konica. Anëtarë të kryesisë së kongresit ishin Dervish Hima, Fazil Toptani, Hil Mosi, Pandeli Evangjeli dhe Stef Curani. Delegatët e kongresit në diskutimet e tyre folën rreth gjendjes tragjike të Shqipërisë, nevojën për bashkim dhe domosdoshmërinë për t’i treguar botës pjekurinë e shqiptarëve. Dervish Hima, Leonidha Losi dhe Orazio Irianni përshëndetën nxehtësisht Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe kërkuan që kongresi të mos njohë tjetër qeveri pos asaj të shpallur nga Ismail Qemali.
Nga kongresi iu drejtuan telegrame falenderimi Kontit Berchold, Markezit Di San Giuliano dhe Ministrit të Jashtëm të Rumanisë. Delegatët në kongres u shprehën kundra armiqve të Shqipërisë dhe veprave të tyre barbare që po kryen në tokën shqiptare. Në kongres morën pjesë tre pretendentë për fronin të Shqipërisë. Ata ishin Princi Albert Gjika, Baroni Franc Nopcsa dhe Markezi i Auletës. Gjithashtu, morën pjesë në kongres Konti Taffe, i biri i ish-kryeministrit austriak dhe inxhinjeri Haessler. Ky i fundit i grishi kongresistët të çojnë zërin për të kërkuar kufijtë e vërtetë të Shqipërisë.
Nga arbëreshët e Italisë në kongres ishte i pranishëm Prof. Zef Skiro që në fjalën e tij hodhi poshtë thëniet se shqiptarët janë barbarë e refraktarë të qytetërimit, duke i paraqitur armiqëve kolonitë e lulëzuara të shqiptarëve që gjenden në shtete të ndryshme…. Ai foli për dobinë që i vjen Austrisë e Italisë nga nji Shqipëri e madhe dhe e mbylli bisedën duke thënë: Na jepni dhjetë vjet liri e keni per të pa kush janë shqiptarët. Në kongres morën pjesë disa figura përfaqësuese vllahe si At Epaminonda Ballamaçi, Foti Ballamaçi, publicisti Vasil Djamandi nga Janina dhe Dr. Pattajo nga Amerika. At Epaminonda Ballamaçi përshëndeti mbështetjen e kongresit për vllahët e shtypur të Maqedonisë. Ai shprehu gatishmërinë për të jetuar me vëllezërit e një gjaku e feje nën flamurin shqiptar si dhe besimin se vetëm nën popullin bujar e fisnik të Shqipërisë ata kanë për të gëzuar liri të plotë.
Shqiptarë me banim në Rumani pjesëmarrës në kongres ishin Jan Lehova drejtor i gazetës shqipe “Atdheu” dhe Pandeli Vangjeli. Dr. Shunda prej Bukureshtit u shpreh për simpatinë e rumunëve ndaj shqiptarëve dhe tha se vëllezërit e tij, vllahët, kishin dëshirë me të gjithë fuqinë që të bashkohen në flamurin shqiptar. Ai premtoi se ky vëllazërim do të vihet në veprim fill pas luftës kur qeveria rumune do të filloi të hapë shkolla shqipe në Shqipëri.
Arbëreshi Pal Gjergji nga Borgo Erizzo foli kundër parimit “Balkani balkanasvet” dhe shpjegojë se kjo fjalë nuk është veç një mburojë për të coptuar Shqipërinë. Pjesëmarrës në Kongresin e Triestes si Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Idriz Manushi, Haki Florina, Fan Noli, Mark Kakarriqi, Pal Gjergji, Fadil Toptani, Dervish Hima dhe Frano Kinigo etj. kundërshtuan fuqimisht copëtimin e viseve shqiptare të Kosovës dhe Manastirit. Gjithashtu, termi “Shqipëri e Madhe” i përdorur në diskutime u kundërshtua si i papërshtatshëm dhe u kërkua të flitet për një Shqipëri të njëjtë për nga historia, gjuha dhe zakonet. Në lidhje me këtë çështje u kërkua që Shqipëria të përbëhet nga katër vilajete. Ky mendim u pranua me votim prej delegatëve të kongresit.
At Fan Noli me një bisedë të gjatë shprehu kënaqësinë duke vërejtur bashkatdhetarët e të gjitha krahinave të vëllazëruar në dashurinë e Atdheut. Kënaqësi e kryelartësi i shkaktoi atij prania e shqiptarëve të Italisë të cilët edhe pse tash sa shekuj larg Shqipërisë kanë të njëjtën dashuri për flamurin kombëtar…
Ai u kujtoi kongresistëve se kjo është nji orë gëzimi e trishtimi: Shqipja u ringjall mbas sa qindvjetësh por ajo është e shitur. Shqipëria mbas sa vite martirizimi po vihet dhe një herë n’udhë të lirisë e të përparimit; sa gjak i pafaj po derdhet e sa zjarmi është duke shkrumuar vende shqiptare! Historia – thotë – na kujton se sikur Skanderbeu pati miq papën e Romës dhe Huniadin e Hungarisë ashtu ne kemi mbrojtësit tonë në Vjenë e Romë.

Kryetar i Kongresit ishte Faik Konica. Anëtarë të kryesisë së kongresit ishin Dervish Hima, Fazil Toptani, Hil Mosi, Pandeli Evangjeli dhe Stef Curani. Delegatët e kongresit në diskutimet e tyre folën rreth gjendjes tragjike të Shqipërisë, nevojën për bashkim dhe domosdoshmërinë për t’i treguar botës pjekurinë e shqiptarëve. Dervish Hima, Leonidha Losi dhe Orazio Irianni përshëndetën nxehtësisht Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe kërkuan që kongresi të mos njohë tjetër qeveri pos asaj të shpallur nga Ismail Qemali.
Nga kongresi iu drejtuan telegrame falenderimi Kontit Berchold, Markezit Di San Giuliano dhe Ministrit të Jashtëm të Rumanisë. Delegatët në kongres u shprehën kundra armiqve të Shqipërisë dhe veprave të tyre barbare që po kryen në tokën shqiptare. Në kongres morën pjesë tre pretendentë për fronin të Shqipërisë. Ata ishin Princi Albert Gjika, Baroni Franc Nopcsa dhe Markezi i Auletës. Gjithashtu, morën pjesë në kongres Konti Taffe, i biri i ish-kryeministrit austriak dhe inxhinjeri Haessler. Ky i fundit i grishi kongresistët të çojnë zërin për të kërkuar kufijtë e vërtetë të Shqipërisë.
Nga arbëreshët e Italisë në kongres ishte i pranishëm Prof. Zef Skiro që në fjalën e tij hodhi poshtë thëniet se shqiptarët janë barbarë e refraktarë të qytetërimit, duke i paraqitur armiqëve kolonitë e lulëzuara të shqiptarëve që gjenden në shtete të ndryshme…. Ai foli për dobinë që i vjen Austrisë e Italisë nga nji Shqipëri e madhe dhe e mbylli bisedën duke thënë: Na jepni dhjetë vjet liri e keni per të pa kush janë shqiptarët. Në kongres morën pjesë disa figura përfaqësuese vllahe si At Epaminonda Ballamaçi, Foti Ballamaçi, publicisti Vasil Djamandi nga Janina dhe Dr. Pattajo nga Amerika. At Epaminonda Ballamaçi përshëndeti mbështetjen e kongresit për vllahët e shtypur të Maqedonisë. Ai shprehu gatishmërinë për të jetuar me vëllezërit e një gjaku e feje nën flamurin shqiptar si dhe besimin se vetëm nën popullin bujar e fisnik të Shqipërisë ata kanë për të gëzuar liri të plotë.
Shqiptarë me banim në Rumani pjesëmarrës në kongres ishin Jan Lehova drejtor i gazetës shqipe “Atdheu” dhe Pandeli Vangjeli. Dr. Shunda prej Bukureshtit u shpreh për simpatinë e rumunëve ndaj shqiptarëve dhe tha se vëllezërit e tij, vllahët, kishin dëshirë me të gjithë fuqinë që të bashkohen në flamurin shqiptar. Ai premtoi se ky vëllazërim do të vihet në veprim fill pas luftës kur qeveria rumune do të filloi të hapë shkolla shqipe në Shqipëri.
Arbëreshi Pal Gjergji nga Borgo Erizzo foli kundër parimit “Balkani balkanasvet” dhe shpjegojë se kjo fjalë nuk është veç një mburojë për të coptuar Shqipërinë. Pjesëmarrës në Kongresin e Triestes si Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Idriz Manushi, Haki Florina, Fan Noli, Mark Kakarriqi, Pal Gjergji, Fadil Toptani, Dervish Hima dhe Frano Kinigo etj. kundërshtuan fuqimisht copëtimin e viseve shqiptare të Kosovës dhe Manastirit. Gjithashtu, termi “Shqipëri e Madhe” i përdorur në diskutime u kundërshtua si i papërshtatshëm dhe u kërkua të flitet për një Shqipëri të njëjtë për nga historia, gjuha dhe zakonet. Në lidhje me këtë çështje u kërkua që Shqipëria të përbëhet nga katër vilajete. Ky mendim u pranua me votim prej delegatëve të kongresit.
At Fan Noli me një bisedë të gjatë shprehu kënaqësinë duke vërejtur bashkatdhetarët e të gjitha krahinave të vëllazëruar në dashurinë e Atdheut. Kënaqësi e kryelartësi i shkaktoi atij prania e shqiptarëve të Italisë të cilët edhe pse tash sa shekuj larg Shqipërisë kanë të njëjtën dashuri për flamurin kombëtar…
Ai u kujtoi kongresistëve se kjo është nji orë gëzimi e trishtimi: Shqipja u ringjall mbas sa qindvjetësh por ajo është e shitur. Shqipëria mbas sa vite martirizimi po vihet dhe një herë n’udhë të lirisë e të përparimit; sa gjak i pafaj po derdhet e sa zjarmi është duke shkrumuar vende shqiptare! Historia – thotë – na kujton se sikur Skanderbeu pati miq papën e Romës dhe Huniadin e Hungarisë ashtu ne kemi mbrojtësit tonë në Vjenë e Romë.

Po publikoj një foto, që besoj se deri tani ka qenë e panjohur. Është foto me cilësi relativisht të mirë, në mos më e mira, nga Kongresi i Triestes (shkurt-mars 1913). Nga e majta: Dervish Hima, Mark Kakarriqi (në këmbë), Faik Konica, Stefan (Tefë) Curani, Fan Noli, Masar bej Toptani, Hilë Mosi (në këmbë).
Kongresi i Triestes u mbajt nga 27 shkurti deri më 6 mars 1913 për të shfaqur solidaritetin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga jashtë me shtetin e tyre të sapolindur. Morën pjesë rreth 150 delegatë nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Italia, Egjipti, Turqia, Austro-Hungaria dhe nga Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Vjenës e mbështeti kongresin për të ushtruar ndikimin e saj në Shqipëri, sidomos lidhur me çështjen e zgjedhjes së princit për mbretërinë e re shqiptare

Kryesia e kongresit përbëhej nga austrofilë të mirënjohur si Faik Konica, Hil Mosi, Dervish Hima, Fazil Toptani, Pandeli Evangjeli dhe Stef Curani. Ndër këta emra ai i Pandeli Evangjeli që jeton në Bukuresht mund të jetë rasti i përfaqësimit në kryesi i elementit orthodhoks për t’i dhënë një pamje sa më gjithpërfshirëse një kongresi që pikë diskutimi ka dhe bashkimin e orthodhoksëve vllehë me ata shqiptarë. E nga ky këndvështrim Pandeli Evangjeli është dhe figura numër një e rumunofilëve në kongres që mund të grupohen në këtë mënyrë Pandeli Evangjeli, At Foti Ballamaçi, Epaminonda Ballamaçi, Vasil Djamandi, Dr. Pattajo dhe Jan Lehova. Dr. Shunda nga Bukureshti është rumun. Ai vetë bën dallimin në brendësi të rrymës rumunofile kur shprehet “për simpatinë e rumunëve ndaj shqiptarëve dhe vëllezëve e tij, vllahët, “. Karakteristikë e kësaj rryme është përkatësia fetare orthodhokse. Rumunofilia ndahet më tej në dy rryma të tjera, ajo shqiptare rumunofile me Pandeli Evangjelin dhe Jan Lehovën dhe ajo vllaho rumunofile me At Epaminonda Ballamaçi, Foti Ballamaçi, Vasil Djamandi dhe Dr. Pattajo. Në bisedimet e kongresit dy të parët kërkojnë status për të drejtat e komunitetit të tyre (dishirojnë të ngrehin shtet në shtet). Franc Nopça në kujtimet e tij flet për konflikt ndërmjet kucovllehve dhe shqiptarëve.
Nga bisedimet e zhvilluara në Kongresin e Triestes duket dhe një kahje e pjesëmarrësve me në krye Faik Konicën ndaj Bullgarisë. Delegatët votojnë që shteti i shqiptar të kufizohet në lindje me Bullgarinë dhe jo me Serbinë apo Greqinë. Ndër përfaqësuesit e rrymës italofile në kongres vendin kryesor e zënë italo-arbëreshët dhe katolikët shqiptarë të ftuar në Triesten Austro-hungareze. Këta janë Stef Curani, Zef Skiro, Orazio Irianni, Anselmo Lorecchio, Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Mark Kakarriqi, Pal Gjergji, Luigj Jakova, Jak Koçi, Frano Kinigo dhe Terenzo Tocci. Ky grupim politikanësh në të vërtetë është shumë heterogjen po të mbështetemi në atë çka shfaqet si italofili.
Italo-arbëreshët janë shtetas italianë dhe është e natyrëshme që të përfaqësojnë dhe mbrojnë Italinë. Në Kongres kur Luigj Jakova përmend Austrinë, Franc Jozefin, Mbretin e Rumanisë dhe Trilidhjen është arbëreshi Zef Skiroi që ankohet duke thënë pse la pa përmendur Mbretërinë e Italisë. Ashtu si shkrimtari Zef Skiroi një figurë politike e mirënjohur arbëreshe është dhe botuesi e gazetari Anselmo Lorecchio. Po ndryshe nga këta të dy shfaqet dhe një i tretë, përfaqësues i arbërëshëve dhe shqipëtareve të New Yorkut, Orazio Irianni. Ai deklaron se “kam qenë kundërshtar i fortë i Trilidhjes, sot ndjejë detyrën të rrëfej se ndërrova mendim”.
Ndërkohë që për të përcaktuar politikanin italofil ndërmjet shqipëtarëve është edhe më e vështirë duke patur parasysh se të gjithë katolikët e veriut shqiptar ishin nën protektoratin kulturor austro-hungarez. Kështu për shembull Hil Mosi katolik nga Shkodra me studime për pedagogji në Klagenfurt të Austro-Hungarisë dhe anëtar i Kryesisë së Kongresit është austrofili tipik.
Në rastin tonë italofilia shprehet në bashkëveprimin ndërmjet elitës italo-arbëreshe dhe shqiptare.
Në Kongres dallohet dhe një qëndrim që mund të konsiderohet si rrymë antiballkanike në rastin e Pal Gjergjit nga Borgo Erizzo që është kundër parimit “Ballkani ballkanasve” e thotë se kjo fjalë është vetëm një mburojë për të copëtuar Shqipërinë”.
Fan Noli oksidentalizmin e shqiptarëve e shpall në këtë fjali në kongres “Historija na kujton se sikur Skënderbeu pat miq Papën e Romës dhe Huniadin e Hungarisë ashtu ne kemi mbrojtësit tonë në Vjenë dhe Romë”. Në këtë mënyrë ai gërshëton vetë prirjen italofile dhe austrofile të shqiptarëve.

ongresi në pikën e dytë të programit është për një politikë integruese e bashkimi të shtetit të ri shqiptar, jo vetëm ndaj vllehëve që janë pjesëmarrës në kongres por edhe ndaj “të tjera kombësi të ndryshme që dëshrojnë të jetojnë në Shqipërinë e re”. Nga ana tjetër kjo pikë është dhe një shenjë e fatit që historia i ka ruajtur zonave ku popullsia vllahe shtrihet në jug të Shqipërisë që ashtu si ato shqiptare me krijimin e shtetit shqiptar do t’i nënshtrohen copëtimit.
Kongresi i Triestes, ashtu siç shënohet në pikën e tretë të programit ishte përkrahës i politikës asnjanëse të Qeverisë së Vlorës dhe kërkonte përfundimin e luftës.
Kongresi pikën e katërt të programit e zbaton në shpalljen e memorandumit të tij në përfundim të punimeve. Ai shprehet për një princ evropian që është dhe synimi i grupimit shqiptar oksidental.
Shqiptarët e të gjitha besimeve dhe arumunët i parashtruan Fuqive të Mëdha një memorandum sipas të cilit:
“Shqiptarët njohin me miradije të thell vendimin e marrun nga Fuqit e Mëdha qi të krijohet nji Shqipni të pavarshme, por lusin Shkelq. t’Uej qi të bahen hapat e duhun per t’u dhanë fund sa ma shpejt mnerimevet të filluem bloku në bregun e Shqipnis e gjendja e luftës të largohen së paku n’ato vise t’atdheut të tyne të cilat të gjitha shtetet nji mendje i njehin si pjesë të Shtetit Shqiptar të priten mizorinat e kota. Per ne vazhdoftë këjo gjeje, asht per tu drashtë se princi europjan të cilit sa ma parë do t’i ngarkohet kujdesi i misjonit të lartë per të ringjallë Shqipnin, mos të gjejë në ket shtet veç nji grumbull rrenime nji Shqipni e formueme me krahina pa kurrfarë vjefte ekonomoke, zdeshë nga qytetet e mdhaja qi mund të bahen qendra qytetnimi kombtar shqiptar do t’ishte nji Shqipni në pamundsi per t’u zhvillue normalisht”
Memorandumi është një protestë ndaj gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria, ndaj tmerreve, bllokadës të bregut të Shqipërisë, mizorive të kota dhe shkatërrimeve të qyteteve e krahinave.
Bie në sy qëndrimi i miradijshëm i delegatëve të kongresit ndaj fuqive të mëdha që po krijojnë një Shqipëri të pavarur dhe vazhdohet më tej duke i lutur ato për t’i dhënë fund tmerreve të luftës. Duket se pikërisht këtu delegatët e kanë bërë një kompromis ndërmjet sovranitetit kombëtar dhe atij shtetëror shqiptar kur i kërkojnë fuqive të mëdha që gjendja luftës të largohet “… së paku n’ato vise t’atdheut të tyne të cilat të gjitha shtetet nji mendje i njehin si pjesë të Shtetit Shqiptar”. Pra, kongresistët bëjnë një ndarje ndërmjet viseve shqiptare që do të përfshihen në shtetin shqiptar dhe atyre që do të mbesin jashtë tij. Ata ende nuk e kanë idenë se ku do të jetë vija ndarëse, kufiri ndërmjet këtyre trojeve. Në fakt ata në mendje kanë kufirin shqiptaro-bullgar për të cilin votuan me unanimitet.
Vetë shënimi i çështjes së princit në memorandumin e kongresit vazhdon të ngulmojë në idenë e sovranitetit shtetëror shqiptar. Në lidhje me përdorimin e fjalëve “princ europjan” në memorandum ndërmjet delegatëve pati protestime. Për të shuar mërmëritjet Faik Konica iu drejtua me fjalët “A mos doni ndoshta nji princ nga Madagaskari?”. Kongresi u mbyll duke u kënduar himni i Austro-Hungarisë. Kongresi Triestes u ndoq dhe u pasqyrua gjerësisht si nga media austrohungareze, italiane dhe ajo shqiptare p.sh. gazeta Atdheu e Kostancës etj. Ky kongres shënon dhe një ngjarje interesante në lidhje me mënyrën e të bërit politikë nëpërmjet medias të asaj kohe. Franz Nopscha në kujtimet e tij shënon se “… solla me vete Dr. Leo Freundlich, një ish-deputet socialist nga Viena, i cili në momentin kur Shqipëria po bëhej moderne, me shumë zotësi, kishte krijuar një Albanische Korrespondenz dhe tashmë ‘bënte politikën pushtuese imperialiste’”. Kongresi i Triestes u mblodh në një kohë kur viset shqiptare ishin të përfshira nga Lufta Ballkanike. Ai ishte dhe mbetet provë e aspiratës së shqiptarëve për një shtet evropian e cila në vitin 1913 mbështetej fuqimisht nga Perandoria Austro-Hungareze. Delegatët shqiptarë në kongres shfaqën vokacionin e tyre perëndimor dhe treguan mirëkuptim ndaj grupeve të tjera etnike që ndanin të njëjtin fat me ta në Ballkanin që digjej nga lufta./ KultPlus.com

Veton Surroi: Kthim kolektiv në fillore

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi ka shkruar sot në Facebook për dy dukuri që, sipas tij, po ndodhin njëkohësisht në Kosovë.

Ai, duke përkujtuar përjashtimin e Agjencisë se Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), ka theksuar se kjo nuk shkon me kërkesën për integrim në Europë.
Ky është postimi i Surroit:

Kosova mund të shkelë shumë ligje , por jo edhe ato të fizikës.
Një trup nuk mund të lëviz në dy drejtime (madje të kundërta) njëkohësisht. Nuk mund të kërkosh të njëjtën ditë të integrohesh në Evropë (Juncker) e të përjashtohesh prej Evropës (EQAR, Agjencia e Akredimitit).
Kthim kolektiv në fillore./KultPlus.com

Me një mesazh në operatorin Ipko, mund të ndihmohet shërimi i regjisorit Bekim Lumi

Ndihma për shërimin e regjisorit Bekim Lumi po vazhdon me anë të mënyrave të ndryshme. Tani edhe me anë të dërgimit të një SMS në operatorin IPKO, mund të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Tani mund të dërgoni SMS në numrin 55049 me tekst “Bekim” për ta ndihmuar atë. Vlera e një SMS-i është 1Eur. Të gjitha të hollat e mbledhura destinohen për shërimin e tij.

Që prej dy vitesh, regjisori i mirënjohur dhe profesori i Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi, është duke u përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit. Gjatë kësaj kohe, shpenzimet e trajtimit të gjatë mjekësor në Gjermani kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe ato, me sforcim të madh, janë përballuar vetëm nga familja e Bekimit.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SËIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Fatmira Nikolli: Si ikën në heshtje një fisnik (dhe një rrëfim i pathënë për ’98-ën)

Fatmira Nikolli

Gëzim Qendro iku dje në moshën 60-vjeçare. Iku në heshtje. Siç pati jetuar në heshtje, si një prej fisnikëve të fundit në një vend zulmëmëdhenjsh të rrejshëm. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë, po në heshtje. Pa e ulëritur dhimbjen e tij. Fliste rrallë, fliste vetëm kur kishte diçka për të kumtuar. Fliste pa dashur të sulmonte, pa dashur as të binte në sy, pa dashur që objektivët të ktheheshin drejt tij, e pa dashur ta shihte veten në media më shumë se në pasqyrë. Fliste pa dashur të përfitonte, por padyshim duke e bërë përfitues dëgjuesin e shikuesin.

Ka pak njerëz në Tiranë e në laminë e artit që kanë peshën e fjalës së tij. Ka akoma më pak që dinë ta bëjnë si ai, pa arrogancë, pa luftë, pa i marr skenat me zor. Përkundrazi, ai i kishte zët skenat. E lehtë si pupël dhe e rëndë si gur, fjala e Qendros pati gjithherë forcën e madhështisë.

Prej dje, nuk është më mes nesh. Për shumëkënd, qe lajmi i parë i ditës. Një ikje e trishtë. Kush e ka njohur ka rrëmuar në kujtime për të gjetur biseda, e foto, për të kujtuar çfarë thoshte e si e thoshte. Dikush për të nderuar Qendron, e dikush veten. Sot e dimë me siguri se na duhej më shumë se i duheshim, e së në çdo tast që shtypim, diç po marrim prej lavdisë së tij. Me kohë, në mundshim t’i ngjajmë sadopak urtisë që bartte e urtisë që jepte, do na e falë. Së paku, do kemi përfituar prej shembullit të tij.

Për pasionin për punën, për dashurinë për artin, për dijen mbi kujtesën e arteve në Shqipëri, për ekranin e trashëgiminë, për filozofinë e kritikën, për shembujt e panumërt që ofronte prej më larg. Në respekt të ngjarjeve e mendimeve, që ai nuk donte të ishin publike, as sot, shumë syresh nuk do dalin. Le të mbeten në eter ato që si të tilla i patëm lënë.

Por që shembulli i tij të mos humbë në babëzinë e madhe për famë e pushtet, mes atyre që e citojnë edhe pse nuk mundën ta kuptojnë kurrë, më duhet të risjell në vëmendje një bisedë të dy viteve më parë, kur koha e desh të bënim një intervistë për artin në realizmin socialist. Në takimet paraprake për intervistën, ndodhi që të më rrëfente ndodhi të jetës së tij. Dëgjoja një zë të ulët, një narracion të qartë. I ngjante një filmi: një burrë me thinja, më tregonte për kohë që nuk i kisha jetuar. Kur Tirana i ishte dorëzuar kaosit të 1998-ës, Gëzim Qendro, atëkohë në krye të institucionit më të rëndësishëm të artit pamor në vend, flinte në Galerinë Kombëtare, për të mbrojtur artin e një vendi në flakë. Kur ai kërkonte mbrojtje nga shteti për Galerinë, shteti qeshte me të, qeshte se si ky burrë po mbronte pikturat në një skenë apokaliptike të rënies së shtetit. Por ai qëndroi, i vetëm, në godinën përbri teatrit, kur të tjerë rendnin të merrnin ç’të mundnin, ai qëndroi të mbronte ç’të mundte.

Ceremonia e homazheve dhe pritja e familjareve u bë dje nga ora 10:00 deri më 11:00, tek Galeria Kombëtare e Arteve. La pas një vajzë dhe një grua që do të dijë ta ruajë me dinjitet kujtimin e veprën e tij.

IKJA E QENDROS

E para që shkroi për ikjen e Qendros, ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shumë para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e artit dhe të mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro. Le vepra shumë të mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqësor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazëvendësueshëm! Lamtumirë!”. Pas saj, edhe kryeministri Edi Rama, u shpreh “Hidhërim për ndarjen nga jeta të Gëzim Qendros, një mik i mirë, fjalëpakë e punëshumë, studiues i zoti i artit e njeri i rrallë, që nuk ia doli dot mbi sëmundjen e rëndë, por la pas kujtimin e bukur të kulturës e të fisnikërisë së tij të posaçme. Lamtumirë o mik!”

Si një nga kritikët dhe filozofët më të njohur në vend, e një nga themeluesit e Bienales së Artit të Tiranës, miqtë që e deshën qenë shumë.

Stefan Taçi kujtoi se pat shpresuar deri në fund, që Gëzimi ta mundte sëmundjen. “E dinim gjendjen e tij shëndetësore të kohëve të fundit, por njeriu shpreson gjithmonë, deri në minutën e fundit, aq më shumë kur dinim kurajën e vetë Gëzimit”. Në një bisedë të ditëve më parë, Taçi kujtoi se i kishte çuar një mesazh për ta përgëzuar dhe falenderuar për librin “Kinostudio ‘Shqiperia vjetër”. “Bashkë me mesazhin i kisha çuar një imazh nga faqja e fundit e librit ku kisha skicuar atë vetë në profil siç e mbaja mend unë në vitet kur punonim në Kinostudio. Dukej i prekur nga fjalët e mia mbi librin dhe skicën, folëm disa minuta e as më shkonte ne mend se pas 20 ditësh zëri tij do fikej kaq shpejt. Dukej aq kurajoz. Më tha se po punonte për një libër të ri”- shkroi dje Taçi.

“E njihte si pakkush tjetër estetikën dhe kritikën bashkëkohore të arteve pamore: kolegët e tij do ta vënë këtë në dukje më mirë se unë. Me veprën e tij provoi mundësinë e një qasjeje tjetër, më refleksive dhe larg bujës, ndaj artit të Realizmit Socialist dhe krejt historisë së pikturës shqiptare. Prej tij do të më mbeten edhe përshtypjet e shpërndara të atyre pak orëve që kemi ndenjur bashkë në Tiranë; si dhe premtimet, tani të pambajtshme, për t’u takuar sërish”, tha dje Ardian Vehbiu. Për drejtorin aktual të GKA-së, Erzen Shkololli, “kemi humbur një profesionist të vlefshëm, njohës dhe kritik të artit të çmuar, por mbi të gjitha një mik të veçantë”.

JETËSHKRIM

Profesor i Asociuar i Teorisë së Artit dhe Kritikës, Shef i Departamentit të Arkitekturës dhe Dizajnit, në një universitet privat, në Shqipëri. Është diplomuar në “Academie voor Beeldende Vorming”, Amsterdam, Holandë (1992-1996) dhe ka mbrojtur doktoraturën në Estetikë në Universitetin “Paris VIII” (2009) për pikturë. Ka qenë drejtor arti i filmave të animuar në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë (1997-2002), drejtor i revistës së artit PamorART” (1998-2002), bashkëdrejtor dhe një nga kuratorët e tre edicioneve të para të Bienales në Tiranë, kurator i ekspozitave “Surrealizmi socialist”, “Homo Socialisticus”, “Post EVA”, “Nostalgji”, “Glocal”; bashkëkurator i ekspozitës “In & Out”; ka marrë pjesë në konkursin e përvitshëm mbi artin bashkëkohor Onufri (1997, 2001). Ekspozita të tjera të kuruara nga ai janë: Çmimi Myslim Mulliqi, Antologjia e Shpresës, Koordinatat Onirike të Nënvetëdijes, Zbrazëtia Ludike e Objektit, Mes Orientit dhe Oksidentit. Që prej vitit 1992 ka botuar mbi 100 artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj mbi çështje rreth historisë së artit shqiptar. Është autor i tre monografive për artistët shqiptarë: “Arkeologjia e Mëngjesit (Dituria), “Heronjtë janë të uritur” (Onufri), “Surrealizmi socialist” (l’Harmattan) dhe përkthyes i 14 titujve librash të lidhura kryesisht me historinë e artit dhe teorinë e artit. Ka qenë gjithashtu një nga kuratorët e Muzeut “Shtëpia me gjethe” dhe anëtar i jurisë së Ministrisë së Kulturës për Bienalen e Venecias.

Suzana Varvarica Kuka: Kujtova se do ia hidhte, nuk e kishte kohën të ikte

Gëzim Qendro erdhi në GKA në fund të vitit 1998 dhe u largua në vitin 2002 kujton Suzana Varvarica Kuka për Qëndron e pyetur nga “GSH”.

E ka njohur shumë kohë më parë, kur punonin në filmin vizatimor në Kinostudio. Dhe ky është rrëfimi i saj:

Pas viteve ’90 u bashkuam përsëri në Galeri me të ndjerën Majlinda Agolli dhe mikun tonë të përbashkët specialistin Andon Ikonomi. Na u duk se po punonim si dikur dhe asgjë nuk kishte ndryshuar, vetëm se tani Gëzimin e kishim drejtor dhe e respektuam që të tre si të tillë.

E kam njohur në rini dhe e respektoja për vullnetin e fortë që kishte për leximin dhe dijen. Më pas për pasionin dhe talentin në përkthimin e ideve në imazhe.

Në Galeri dukej i rritur, plot dinjitet dhe personalitet të formuar. I edukuar jashtë vendit kishte fituar qartësinë e funksionit të sistemit të artit ndërkombëtar. Kjo e nxiti që në galeri të krijonte një institucion kombëtar ekspozues me parametra bashkëkohorë. Ai u bë iniciator i ekspozitave të konceptuara nën një ide dhe shumë informacione. Ai e grupoi veprën e artit si një kohë dhe një hapësirë e kjo vlejti për të kuptuar edhe më shkoqur sesi kishte ndikuar metoda e realizmit socialist në jetën e artistit dhe në deformimin e njeriut, i cili rëndom quhej “njeriu i ri”. Ai është iniciator i revistës së vetme të artit të GKA, Tiranë “PamorArt”, e cila pas tij nuk e gjeti më dritën e botimit, por ne aso kohe ishim të gëzuar dhe madje menduam se diçka shumë të paqme dhe intelektuale po bënim. Gjatë kohës së tij në drejtim u organizuan ekspozitat atraktive dhe mbresëlënëse ndërkombëtare “Onufri”, “Marubi” e “Bienalja e Tiranës” e shumë kombëtare. E kjo ishte koha kur artisti shqiptar u përball me shumë vështirësi, kur ndjeu konkurrencën dhe nivelin e tij në sipërfaqen e artit bashkëkohor ndërkombëtar. E kjo situatë ishte një situatë e fortë kthese e ndryshimi. Ai është autor i dhjetëra librave me vlerë në fushën e studimit, estetikës, artit dhe filozofisë. Për të ndjerin dhe të diturin Qendro, siç ne e themi emrin e tij kam shumë për të treguar e shkruar.
Nuk do harroj takimin tonë me biseda që nuk mbaronin, në tavolinën ku u ulëm, pranë shtëpisë së tij e kur doli nga spitali. Shpresova se ia kishte hedhur për gjithmonë. Por, Ai, Qendro, ç`ka shkruar, ç`ka kemi biseduar nuk do të harrohen askurrë, për ne miqtë e tij. Nuk e kishte kohën të ikte./ KultPlus.com

Për 24 orë, mblidhen dhjetë mijë euro për Bekim Lumin

Që prej dy vjetësh regjisori i mirënjohur dhe Profesori i Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi, është duke u përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Tash ka ardhur një moment kritik, kur për shkak të shpenzimeve të mëdha financiare, atij i duhet mbështetja edhe më e madhe për ta vazhduar përballjen me sëmundjen e kancerit. Shërbimet mjekësore në Gjermani kanë marrë përmasa të papërballueshme. Praktikisht, shpenzimet e këtij trajtimi mjekësor individualisht nga Bekimi dhe familja e tij janë të papërballueshme.

Ndihma për shërimin e regjisorit Bekim Lumi po vazhdon sot në mënyra të ndryshme. Deri më tani për 24 orë janë grumbulluar dhjetë mijë euro, ndërsa nevojitet edhe më shumë.

Tashmë mund të kontribuoni edhe duke dërguar SMS përmes VALA 55103 me tekst BEKIM për vetëm 1 euro.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Haradinaj për BBC: Ne jemi popull i Nënë Terezës, Skënderbeut, Rita Orës e Dua Lipës

Në emisionin e njohur të BBC “Hard Talk” Ramush Haradinaj është pyetur nga gazetari Stephen Sackur nëse Kosova përballet me paragjykime nga vendet e Bashkimit Europian, për faktin se shumica e popullsisë i takon besimit islam.

Haradinaj ka dhënë një përgjigje të vendosur duke thënë “jo”.

“Ata evropianët e dinë se kush jemi. Ne jemi popull i Nënë Terezës, Skënderbeut, Rita Orës, Dua Lipës” ka thënë Haradinaj.

BBC, kreun e Qeverisë së Kosovës e ka përballur me temën e radikalizmit dhe kosovarët që në zonat e konfliktit kanë shkuar në numër të madh. Haradinaj ka theksuar se për shqiptarët nuk është primar identifikimi me fenë, por me kombin./KultPlus.com

Mentor Haziri realizon këngë me orkestër të televizionit irlandez (VIDEO)

Pop rokeri Mentor Haziri ka realizuar këngën e tij të radhës në gjuhën angleze, “When I hear your name”, një këngë kjo që ka për produksion një kompani irlandeze.

Ish frontmeni i rok grupit “Kthjellu”, Mentor Haziri, që tani bën solo-karrierë dyfishe, në mes të Irlandës dhe Kosovës, ka realizuar këngën e tij të radhës “When I Hear Your Name”.

Kënga mban vulën e “Ventury Studios” së Irlandës, kurse muzika është punuar nga Keith Cullen JJ Daly, i cili ka shkruar po ashtu edhe tekstin e kësaj kënge.

Interesante është se kënga është incizuar me orkestrën e televizionit irlandez RTE.

Ndërkaq, në videoklipin e këngëtarit ka diçka kosovare megjithatë përpos Mentorit, është kjo ish Miss Kosova dhe Shqiperia Agnesa Vuthaj.