Kanagjegji i Shqipes dhe traditat shqiptare, në fokusin e Martha Stewart (FOTO)

Blogerja Martha Stewart, një personazh i njohur në Amerikë, së fundi në blogun e saj ku më së shumti ka artikuj që lidhen me dasma ka shkruar edhe për një kanagjegj i cili është mbajtur në New York.

Blogerja e cila ka qenë e ftuar në këtë festë përmes shkrimit të saj ka vënë në pah detaje të traditës shqiptare.

Në artikull blogerja Martha vë theksin se nusja ka përgatitur shumicën e gjërave vet, duke përshirë edhe ushqimet, e këtu ajo përmend edhe nënën e nuses e cila kishte përgatitur për të pranishmit pite me spinaq.

“Në më pak se tri javë do të jetë dasma e asistentes sime Shqipe Berisha dhe të fejuarit të saj Zenel Lulanaj. Për këtë javën e kaluar Shqipja ka organizuar kanagjegjin e saj. Aty ishin të ftuar 60-të familjarë të saj duke përfshirë edhe kosovarë të cilën kishin ardhur nga Kosova për të marrë pjesë në këtë festë. Ky organizim ishte i mbushur me traditë shqiptarë, madje Shqipja ndërroi disa herë veshjen e saj, ajo veshi jelek të qëndisur me ngjyrë ari, fustan, madje mbante edhe shamia të qëndisura më dorë dhe bizhuteri”, fillon shkrimi i Stewart.

Ajo që fillimisht i kishte lënë përshtypje blogeres, personalitetit tw njohur televiziv dhe biznesmenes ishin dy shami të dorës të cilat i kishte qëndisur motra e nuses.

“Është e zakonshme që shqiptarët të mbajnë shami të tilla të zbukuruara nëpër ngjarje të tilla. Këto janë dy shami që Buqja, motra e Shqipes, i ka qëndisur. Rruazat më ngjyra të katërta janë si shenjë e mbrojtjes nga ‘syri i keq’”, ka shkruar Stewart e cila ka treguar se nusja e ardhshme ka vallëzuar me muzikë tradicional gjersa ka valëvitur në ajër shaminë që kishte në dorë.

Tutje ajo ka përshkruar disa nga rrobat tradicionale që Shqipja ka veshur e që asaj i kanë lënë mbresa.
“Fillimisht Shqipja ka veshur Dallama me shallvare, e cila është një jelek i gjatë dhe pantallona të dekoruar me ari. Të gjitha këto janë të qëndisura me dorë dhe me fije ari”, ka shkruar ajo duke treguar se edhe nuset e tjera të cilat kanë qenë të pranishme kanë mbajtur veshje të tilla.

Tutje ajo tregon se Shqipja pastaj ka veshur edhe veshje të tjera mirëpo ajo që i ka lënë përshtypje ka qenë fakti se ajo ka mbajtur ‘lira’ rreth qafës së saj, prandaj edhe i ka bërë një fotografi nga afër për t’u vërejtur më shumë.

“Këto kostume tradicionale shqiptare nuk kanë nevojë që të vishen në një rend të caktuar, kjo vendoset vet nga vajzë që do të bëhet nuse. Kurse fustani i bardhë është gjithashtu një tjetër ‘adet’ “, ka shkruar ajo duke treguar se nusja kishte edhe vathë në të cilët mund të vërehej shqiponja e që lidhet me traditën shqiptare.

Ajo gjithashtu ka shkruar edhe për dimijat me jelek, veshjen e katërt dhe të fundit të Shqipes për këtë natë, aty ajo ka treguar se pantallonat punohet nga 17 metra material të cilat pastaj lidhen rreth belit dhe poshtë të këmbët. / KultPlus.com

Çfarë lloj kosovari jeni?

Falë përpjekjeve të përbashkëta të Termokissit, Asociacionit të Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Kosovës dhe Taivanit në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, më 28 mars duke filluar nga ora 17:00, mund të merrni pjesë në diskutimin i cili mundohet të sjellë përgjigje për pyetjet: kush jemi dhe çka po bëjmë këtu, shkruan KultPlus.

Kjo punëtori do të zhvillojë edhe një test online me pyetjet e krijuara nga të pranishmit të cilat pastaj do të jenë pjesë e ekspozitës “Kosovo Future Exhibition”.

“Ky debat nuk ka me u përqendru në dallimet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në Kosovë, por ka me u fokusu në ato që sjell’ popullsinë e Kosovës së bashku. Ne shpresojmë që përmes komunikimit, kemi me qenë në gjendje t’i shuajmë barrierat shekullore n’mes nesh e po i bijmë n’fije se çka do të thotë të jesh kosovar”, thuhet në njoftim.

Tutje diskutimi do të sillet rreth pyetjeve si: Çfarë lloj personi jeni ju? Çfarë lloj kosovari jeni ju? Çka i bjen m’u kon Kosovar?

Ngjarja do të ndodhë me 28 mars, në ora 17:00 në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com

A bëri gabim NATO kur bombardoi Radio Televizionin e Serbisë?

Sot po kujtojmë 19 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi.

Për shumë, po të mos ndodhnin këto bombardime Millosheviqi nuk do të ndalej së vrari shqiptarët e Kosovës. Kampanja që nisi në 24 mars 1999 megjithatë e pati efektin e vet të suksesshëm në fund.

Gjatë kësaj kampanje, me 23 prill 1999 u bombardua Radio Televizioni i Serbisë.

16 persona vdiqën në këtë sulm, i cili ende shihet si një ndërhyrje e NATO-s në civilët që nuk patën faj. Në anën tjetër, vetë Radio Televizioni i Serbisë në vitin 2011 kërkoj falje për informatat e pasakta që kishte shpërndarë gjatë kohës së luftës në Kosovë, dhe propagandën e tmerrshme asokohe, dhe në përgjithësi në vitet 90-të.

Analisti Tim Judah qysh asokohe kishte treguar se ky televizion po përhapë dezinformim dhe po bën që lufta në Kosovë të jetë edhe më e fuqishme.

NATO u arsyetua se mediet përdoren si armë gjatë luftërave. Filozofi Chomsky e quajti këtë veprim si terrorist ndërsa Amnesty International e quajti një krim lufte.

Viktimat kishin mbetur të ngujuara për disa ditë, derisa u vranë nga një sulm raketor. / KultPlus.com

Të dua pa e ditur si

Poezi nga Pablo Neruda

Nuk të dua si kristal kripe rozë, as si gur të çmuar
E as si shigjetë karafilash që përhap zjarrin :
Të dua siç duam ca gjëra të errëta,
Fshehtas, ndërmjet hijes dhe shpirtit.
Të dua si bima që nuk lulëzon
Dhe e mbart në vete, të fshehur, dritën e këtyre luleve,
E falë dashurisë tënde në trupin tim jeton aroma
E errët dhe e fortë që ngjitet nga toka.
Të dua pa e ditur si, kur dhe nga ku,
Të dua troç, thjesht e pa mburrje :
Të dua kështu se unë s’di të dua ndryshe,
Në mos në këtë mënyrë pa qenë unë e pa qenë ti,
Aq pranë sa dora jote mbi gjoksin tim është e imja,
E aq pranë sa sytë e tu mbyllen mbi timen ëndërr.

Një fans bën tatuazh portretin e Rita Orës

Një nga fansat e këngëtares shqiptare, ka surprizuar Rita Orën pasi ai ka realizuar një tatuazh me portretin e saj.

Bëhet fjalë për artistin Juan-Pierre Le Roux, i cili merret me tatuazhe, dhe tatuazhin e radhës e ka realizuar në dedikim të këngëtares Rita Ora.

“Kjo është mrekullisht çmenduri”, ka shkruar këngëtarja shqiptare në rrejtin social Instagram.

Arnita sjellë versionin e saj të ‘Xheloz’ nga Elvana Gjata (VIDEO)

Një prej këngëve të Elvana Gjatës, “Xheloz”, e përfshirë në albumin më të ri të këngëtares, është kthyer në një hit muzikor në Shqipëri.

“Xheloz”, një melodi interesante dhe më ndryshe se stili i zakonshëm i Elvanës, kësisoj po këndohet edhe prej talenteve të reja muzikore që duan ta provojnë veten në këndim.

Arnita Kastrati është një prej këtyre zërave që ka goditur mirë me këndimin e këngës “Xheloz”. Arnita e sjellë me përpikëri këngën e Elvanës, incizuar në një studio muzikore.

Eroll Dogani, Lulzim Kryeziu dhe Ermal Dosti janë bashkëpunëtorët e saj në këtë incizim muzikor të cilin po e sjellim me shpresën që talenti i Arnitës do të dalë në pah më shumë. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti dëshiron trupë rezidente prej 20 aktorësh në teatrin ‘Dodona’

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka bërë kërkesë Ministrisë së Financave që të lejojë financimin e trupës rezidente të Teatrit të Qytetit.

Sipas kërkesës së dërguar më 13 mars në adresë të ministrit Bedri Hamza, kërkohet që të mundësohet pagesa për 20 aktorë për teatrin “Dodona”.

“Teatri i Qytetit duhet të ketë trupën rezidente në përputhje me Ligjin. Me 13 mars kemi dërguar kërkesën në Ministrinë e Financave që të na lejohet financimi i trupës rezidente sipas kërkesës së aktoreve të Prishtinës. Kryeqyteti duhet ta ketë teatrin funksional”, ka thënë Ahmeti, teksa ka bashkëngjitur edhe letrën që i ka dërguar ministrit Hamza.

Në anën tjetër, nisma për Trupën është e kahmotshme dhe vullneti i njerëzve të angazhuar mund të rezultojë me sukses në fund. / KultPlus.com

10 thëniet brilante të Mahatma Gandit

Emri i tij i vёrtetё ёshtё Mohandas Karamchand Gandhi. Lindi nё Indinё Perёndimore (Porbandar) dhe vdiq nё vitin 1948, nё Nju Delhi. Ishte njё personalitet i madh politik i Indisë, qё shprehte besimet e tij tё thella filozofike nё veprimin e tij politik.

Dedikoi tё gjithё jetёn e tij qёllimeve mё tё larta: pavarësisё sё Indisё, barazisё sё tё drejtave tё shtresave tё ultëta tё popullit, paqes midis induistëve dhe myslimanёve.

Indianёt qё kanё njё koncept shumё tё ndryshёm nga bota perёndimore, sa u pёrket shenjtorёve, e vendosin Gandin midis shenjtorёve tё tyre dhe pёr kёtё arsye e quajnё Mahatma( Maha Atma- shpirt i madh) dhe madje akoma kur jetonte.

Gandi konsiderohet si njëri nga personalitetet e rralla në historinë e humanizmit dhe politikës botërore. Ai ka lënë shumë mesazhe të fuqishme për njerëzimin, para se të vdiste.

Ju bëheni ajo që mendoni.

Aty ku ka dashuri, ka edhe jetë.

Mëso sikur do të jetosh përgjithmonë.

Shëndeti është pasuria jote e vërtetë.

Ruaj gjithmonë sensin e humorit.

Jeta jote është mesazhi yt.

Veprimet që bën, tregojnë prioritetet e tua.

Madhështia jonë qëndron në faktin, se jemi në gjendje të ndryshojmë/përmirësojmë vetveten.

Duhet të jesh gjithmonë në shërbim të të tjerëve.

Bëhu ndryshimi që dëshironi të shihni në botë

“Lugina e dhembjes dhe shpresës”, dokumentari i Dijana Toskës rreth bombardimeve (VIDEO)

Sot kur kujtojmë përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, patjetër kujtojmë edhe mizoritë që i janë shkaktuar popullit shqiptar ndër vite.

Në një dokumentar vijnë të gjitha dokumentimet rreth bombardimeve. “Lugina e dhembjes dhe shpresës”, është film dokumentar i shfaqur premierë më 24 mars 2000 në RTK, në përvjetorin e parë të bombardimeve të NATOs.

Dokumentari është realizuar nga Dijana Toska, një grua që ka punuar si gazetare, producente e programeve politike dhe bashkëpunëtore e agjencive të ndryshme të lajmeve vendase e ndërkombëtare, në Televizionin e Prishtinës dhe Radio Televizionin e Kosovës, në VOA, Rilindje, Lajm dhe ligjëruese në Akademinë Policore në Vushtrri.



Filmi u shfaq në disa festivale ndërkombëtare të filmit, shkruan KultPlus.

Dikur dhe tani

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.

Fle e lodhur duke ëndërruar ditët kur hanim bukë e shpresë
e mbi qiell përditë kacavarej dielli i verbuar nga drita e vet
Aromë e trëndafilave hynte nëpër dritaren e hapur të bibliotekës së shtëpisë
derisa shkruaja poezi për ditët që kurrë nuk erdhën
Të prisja me shishe vere mbi tavolinë
dhe qiri të ndezur
po
bota ishte shumëngjyrëshe

Kur dielli binte si mollë e kalbur
dhe yjet ndizeshin përreth nënës hënë
bënim dashuri ndërsa gjinkallat këndonin
një këngë më të vjetër se mosha e njerëzimit

Pastaj lufta na vodhi jetën që e patëm
zbuluam sa bukur është të humbasësh punën
të mbetesh në shtëpi o të dalësh nga ajo
pa e ditur se për ku je nisur dhe çdo të bësh

Zbuluam se të thyhet këmba a dora
do të thotë se je gjallë
se jeta është e bukur
e hidhur dhe e bukur përderisa jetohet në liri

Tashti e kemi një bibliotekë pothuaj me të njëjtat libra
por në një gjuhë tjetër
në një gjuhë tjetër shkruaj vargje për ditët që kurrë nuk do të kthehen
në një gjuhë tjetër e kërkoj bukën në shitore
në tjetër gjuhë e dashur
tani
dhemb jeta

Wesley Clark, burri që e shpëtoi Kosovën

Në vitin 1999, me datë 24 mars, Wesley Clark – gjeneral amerikan dhe pjesë e NATO-s, do të jepte urdhrin për fillimin e bombardimeve në Jugosllavi.

Ai besoi fuqishëm se një intervenim i tillë do të ndikonte në uljen e fuqisë së Millosheviqit, pasi Serbia nuk po pranonte të drejtën e Marrëveshjes së Rambujesë.

Kampanja e bombardimeve të NATO-s përfshinte 1000 avionë, disa prej Italisë e Gjermanisë dhe bazave të tyre ajrore, dhe USS Roosevelt që ishte stacionuar në Detin Adriatik. Të parët që sulmuan ishin Forcat Ajrore Spanjolle.
Wesley Clark mund të quhet edhe si burri që e shpëtoi Kosovën, duke dhënë urdhër e duke e përkrahur këtë bombardim mbi caqet serbe.

Clark, sot 73 vjeçar, ka marrë pjesë edhe në operacione të tjera, përfshirë disa operacione në Vietnam. Clark ka nisur karrierën e tij në vitin 1962, kur u fut në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Nju Jork.

Ai ka marrë edhe Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa ka kaluar 34 vite në Ushtrinë Amerikane. Kuptohet që ata që ishin pro luftës në Kosovë e quajtën Clark dhe bashkë me Bill Clinton si kriminelë lufte të cilët e shfrytëzuan autoritetin e tyre në NATO për të bombarduar njerëzit e pafajshëm.

Kampanja e bombardimeve përfundoi me 10 qershor 1999, me urdhrin e Javier Solana – Sekretar Gjeneral i NATO, pasi Millosheviq ishte pajtuar me kushtet që i kishte vënë komuniteti ndërkombëtar, dhe kësisoj trupat jugosllave filluan tërheqjen nga Kosova. / KultPlus.com

Teatri ‘Dodona’, afër formimit të Trupës Rezidente të Aktorëve

Aktorët nga Komuna e Prishtinës, me 28 janar të vitit 2018 ishin takuar me iniciativë të disa aktorëve, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës ‘Teatri DODONA’, për arsyen e vetme ligjore, formimin e trupës së aktorëve rezident të Teatrit të Kryeqytetit.

Pas shumë diskutimeve dhe ideve të arritjes finale të kësaj iniciative, iniciativa në fjalë nga të pranishmit aktor/e dhe profesor universitar u dakorduan të formojnë bordin e kësaj Iniciative ‘Dodona’, në krye me aktorët: Naser Rafuna, Xhejlane Tërbunja, Fidan Jupolli, Besart Zeneli, Dardan Gashi dhe Molikë Maxhuni

Me 2 shkurt, në Komunën e Prishtinës, u zhvillua takimi në mes të Kryetarit të Komunës së Prishtinës – Shpend Ahmeti dhe Bordit të Iniciativës ‘Dodona’. Në diskutim e sipër u parashtruan kërkesat dhe vonimi i përzgjedhjes së trupës rezidente në Teatrin e Kryeqytetit, si i vetmi Teatër krahas qyteteve tjera që nuk ka funksionalizim të trupës rezidente të aktorëve. Pas dakordimit në mes tyre dhe përkrahjes së idesë konkrete të Kryetarit të Prishtinës për Iniciativën në fjalë dhe pas takimeve të Bordit, ky Bord përpiloi edhe kërkesën legjitimore, pra bazuar në akte ligjore, me qasje konkrete për funksionalizimin e Teatrit, formimin e bordit të këtij Teatri, përzgjedhjen transparente të Drejtorit të Teatrit dhe Udhëheqësit/es artistik/e si dhe kërkesa kryesore, përzgjedhja e Trupës së Aktorëve Rezident të Teatrit të Qytetit të Prishtinës dhe funksionalizimin e tij.

Poashtu edhe formën më transparente të paraqitjeve publike dhe para komisionit për përzgjedhjen e trupës rezidente krahas kushteve të konkursit që i përcakton Komuna e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës me datën 12.03.2018 bazuar në kërkesën e dt.05 shkurt me nr prot.29151/18 të Bordit të Iniciativës ‘Dodona’,kërkesë kjo e bazuar në Ligjin nr.04/L-106 për Teatrot ( shpallur në Gazetën Zyrtare me 24 maj 2011),Komuna me datë 12.03 2018 APROVON kërkesën e Iniciativës në tërësi dhe të nesërmen me datë 13.03.2018,Komuna e Prishtinës bën kërkesë te Ministria e Financave gjegjësisht te Ministri i Financave z.Bedri Hamza dhe z.Salvador Elmazi, Drejtor i Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Në vazhdim pritet se si do të ecë procesi deri te Ministria e Financave, për të parë nëse do të jetë i suksesshëm në fund krijimi i një Trupe Rezidente. / KultPlus.com

Ismail Kadare, për vajzat shqiptare që përfunduan në kthetrat e prostitucionit

Helena Kadare, gruaja e shkrimtarit Ismail Kadare, sjellë në kujtimet e saj një vjershë të papërfunduar të Ismail Kadaresë, që me gjasë është vjersha e fundit që ka shkruar ai, por e pabotuar ndonjëherë.

Është fjala për vargjet popullore “Mbeçë, more shokë, mbeçë, përtej Urës së Qabesë”, veçse e kënduar përmbys, që përshkruan një realitet të shume vajzave shqiptare gjatë viteve 90-të, të cilat u nisën drejt Italisë për një jetë më të mirë, mirëpo përfunduan në kthetrat e kontrabandistëve e prostitucionit.:

“Mbeçë, o moj shoqe, mbeçë ,
N’trotuare n’Itali.
Në Western Union dollarët merni,
Se unë vetë nuk do vij.

Në pyestë im atë, thoni për mua
Se më në fund gjeti karar.
Me ç’burrë, në pystë, u martua,
I thoni haptas: me një varr.

Në pyestë shoku i shkollës, Blendi,
Nga klasa ngjitur, matura “B”
I thoni se një peng më mbeti
Që nuk u putha dot me të.

Në pyestë nëna ç’krushq i vanë
…………………………………………..

Policë belgë a italianë…”

Televizioni jugosllav raporton në ditën e parë të bombardimeve në Serbi (VIDEO)

Në ditën e 24 marsit 1999, Serbia dhe tërë Jugosllavia do të tronditej prej lajmit të fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Lufta në Kosovë nuk po ndalonte dhe ishte i nevojshëm intervenimi i forcave paqësore ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Televizionit jugosllav kërkonte paqe nga qytetarët e Serbisë, një qetësim dhe jo atmosferë për panik.

“Në këtë moment, duhet të mbajmë qetësi. Bombardimet e NATOs mund të krijojnë dëme por nuk mund të na skllavërojnë” thotë moderatori i lajmeve kur vijnë pamjet e para prej bombardimeve të NATO-s, si sot 19 vjet më parë.

https://www.youtube.com/watch?v=LhmG_pHsYH0

Me datë 23 prill u bombardua edhe Radio Televizioni i Serbisë, i cili thuhej se po shpërndante urrejtje dhe informata jo të sakta duke e ushqyer sentimentin urrejtës dhe duke rritur moralin e serbëve për luftë. / KultPlus.com

Organizatat kundër NATO-s sot do të përkujtojnë bombardimin e vitit 1999

Organizata anti-NATO në Mal të Zi do të shënojnë 19 vjetorin e bombardimit të Aleancës Perëndimore të Jugosllavisë me një ceremoni në kishë ku do të marrin pjesë edhe veteranë lufte rusë.

Serbët e Malit të Zi dhe organizatat anti-NATO, së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, do të mbajnë një përkujtimore pranë qytetit bregdetar të Tivatit të shtunën për të nderuar viktimat e bombardimeve të NATO-s që filluan më 24 mars 1999.

Në përkujtimoren e këtij viti do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatës së veteranëve rusë të luftës.

Një nga organizatorët, Gojko Raiceviç, nga lëvizja “JO NATO”, shprehu zemërimin se Mali i Zi ishte i vetmi vend që u bë anëtar i NATO-s pasi u bombardua nga aleanca ushtarake perëndimore.

“Një bashkim i terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar ka çuar në faktin se po shënojmë 19 vjetorin e agresionit të NATO-s, ndërsa jemi edne të pushtuar nga të njëjtët agresorë,” tha Raiceviç për BIRN.

Organizatorët e tjerë të përkujtimores janë Vëllazëria Rinore Ortodokse në Mali të Zi, veteranët e forcave ajrore jugosllave dhe organizata pro-serbe Matica Boke.

“Një liturgji dhe përkujtimore për të gjithë të vdekurit në bombardimet e vitit 1999 do të mbahet nga peshkopi Joanikije me klerin,” thanë organizatorët në një deklaratë.

Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s, duke përjashtuar Greqinë, nisën trupat e tyre për fushatën 78-vjeçare të sulmeve ajrore në Jugosllavi, e cila në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.

Operacioni u nis pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për shkak të kundërshtimit nga aleatja e Jugosllavisë, Rusia, gjë e cila ka shkaktuar akuza se kjo nuk ishte e ligjshme.

Bombardimet e NATO-s vranë dhjetë vetë në Mali të Zi, nëntë prej të cilëve ishin civilë.

Gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë, u vranë në një sulm ajror në një urë në fshatin Murino në Malin e Zi më 30 prill 1999.

Familjet e viktimave paditën shtetin në vitin 2007 për shkak se autoritetet malazeze nuk arritën të lëshonin një alarm urgjence në Murino përpara bombardimit të urës, edhe pse sirenat në qytetin aty pranë të Plavës ranë.

Gjykata në Podgoricë i hodhi poshtë në vitin 2015 të gjitha paditë për kompensim, duke vendosur se pretendimet ishin të vjetruara.

Mali i Zi u bë anëtari i 29-të i NATO-s në qershor 2017.

Dusica Tomovic BIRN Podgoricë

Sot bëhen 19 vite nga fillimi i bombardimeve të NATO-s

Data 24 mars shënon sot 19-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri me 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATOs, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës. / KultPlus.com

Llora

ISMAIL KADARE.

Prapë m’u kujtove, Llora.
Dashurinë tonë të shkuar
Prapë ripërtyp
Si demi që ripërtyp barin e livadheve të largët
Natën
Në grazhdin e rrethuar nga bora.
Po ripërtyp
Atë asfalt e zhavorr të zi kërrcitës,
Boritë dhe katrorët mizëri të taksive,
Tabelat e kafeve plot dritë,
Afishe, stacione metrosh
Ku me ty brodha
Nofullat e zemrës
Më dhëmbin
Llora.

-II-
Tani shiu godet me shkelma xhamave.
Atje qielli si negativi i zi i një shkretëtire.
Llora,
Më ka marrë malli,
Mall bojë hiri.
Tani nata si një mbulesë vigane
qëndisur me drita anëve
Karrfosur me paralele dhe meridiane
Nga lindja në perëndim,
Na mbulon e shqetësuar.
Ne shtrihemi nën të,
Si në ethe zbulohemi
Të ndarë,
Të largët,
Të vetmuar.
Pati netë
I qullur nga stuhia jote
Heshtja pranë teje dhe pasjonit të marrë
Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua
Si mbi një kryq të madh
Të bardhë.
Në fillim e mora kaq lehtë.
Madje s’thosha as fjalën “dashuri”.
S’e dija se dhjetë vjet me i ri se Krishti
Do të kryqëzohesha mbi ty.

-III-
Ja
Vetëtimat e bardha në qiej
Adresën tënde shkarravisin.
Sikur këto re
Të përhimta
Të ngarkuara
Te ti dërgoja si letra, Larisa.
Letra …
Nga tërë letrat që shkrova
S’di pse të dërgova atë më të marrën
Pas së cilës si personazh Dostojevski
Të thashë njëqind herë “më fal!”
Me pas atë faj për ta shlyer
Doja të të shkruaja por më kot.
Lapsi më ngrinte mbi letër
Dhe unë ngrija si robot.
Ti u ngryse kur ta shpjegova,
Vështrimi t’u err, t’u mpi,
Si sytë e falltarit kur pikasin
Midis fallit kumtin e zi.
Diçka qe prishur në botë
Në zemrek të saj, në aks.
Ikje e letrave si e zogjve
S’parandillte veç dimrin plak.

-IV-
Kështu pra te ti nisja këto re
Gjer në vilen tënde në rrethinë të Moskës.
Ti në mesnatë e hutuar atje
Do të çoheshe nga gjumi
Tek xhami t’afroheshe:
Ç’ndodh kështu?
Ç’është kjo gjëmë,
Ky shi her i mërzitur, her i rreptë,
Këto vetëtima,
Këto rrufe?
Dhe do të rrije gjithë natën tek dritorja
Retë të dëshifroje,
Llora.

-V-
Zor se në jetë do të takohemi.
Adresat humbën,
S’ka më letra.
Ti mjegullat,
Unë retë
Do t’i dërgojmë njeri-tjetrit
Gjersa dhe vetë
Të mjegullohemi.

-VI-
Më kujtohet, gazetat hapa në mëngjes
Si një tërbim, si një shkulm ere,
Shkronjat vallëzonin si në ethe:
Prerje. Prerje. Prerje.
Prerje mardhëniesh diplomatike
Kurrë s’do të shoh ty.
Ambasadat u mbyllën.
Pasaportat,
Vizat
Ramë në zi.
Mbi ijet e tua të bardha
Ra pluhur.
Mbi sytë e tu.
Larisa diplomaticeskaja
Ç’ndodhi në botë kështu?

-VII-
Qëndrova përpara globit.
Ballin e nxehtë mbështeta
Mbi rrudhat e meridjaneve
Do të desha të pija me globin,
T’endeshim të dy të dehur,
Ai mes kozmosit,
Unë rrugicave të Tiranës.

-VIII-
Nga erdhi kjo dashuri
Në kohen kur turp më vinte nga fjalët.
Ishte me siguri si ndëshkimi
I atij që me tempullin tallet.
Njohja në stacjonin Konsomolskaja
Banale si rrallëherë ish
Numri i telefonit shkarravitur shkujdesshëm
Me të kuq buzësh
Barbarisht.
Restorant Leningradi
Shampanjë
Snobizëm i dyanshëm.
Kotni.
Perlat, secili, pse vallë
Përpiqej t’i fshihte në thellësi?
Një të kollur si prej prostitute
Ajo nxirrte orë e çast si mburojë,
Ndërsa unë ngul këmbë se nga lirat,
Merrja vesh më pak se nga futbolli.
Veç te port e shtepisë
Nën ca jargavane
Ajo psherëtiu njerëzisht
Dhe iku me vrap pas puthjes së parë
E kthyer në madonë sërisht.

-IX-
Gjithë naten fluturuam mbi qytetet e Evropës
Natën avjoni u ul n’aeroport.
Ç’pati mes nesh,
Llora,
Harresë, ftohje, abort?
Tek dera e avjonit era të priste.
Zemra ime me dëborë u mbush
Si një vetmi e madhe zbrisja
Po n’aeroport.
Askush.
Askush.
Hamej, merrini këto valixhe.
Të rënda?
Janë mbushur me pritje.
Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës
Ti s’dija ç’kishe, s’më prisje.

-X-
Në kafe artistike bashkë jemi prapë.
Jashtë dëbora ruse.
Brenda ti.
Shkrofëtin brenda meje geni i rracës:
Prapë me sllaven bën dashuri.
Pusho, gen i vjetër i rracës,
Në thellësi, në humnerë hesht,
Nëse jetës sime do t’i duhej një kryq
Kryqi im ajo le të jetë.

-XI-
Dhe ja gdhiu mëngjesi plot gazeta.
I ngrysur, shpresëpak, shtetëror,
Kemi flakur të dy mburojat,
Si qelqi të thyeshëm jemi prore.
Ku janë ditët e shkudesshme.
Të djelat mendjelehta, të martat,
Kur ti me shthurjen unë me injorancën
Vërtiteshim si me maska?
Tani që të tjerët rresht vunë maskat
Ne papritur i hoqëm ato
Fishkëlle, ulëri erë e marrë,
Orën e ndarjes këndo!

-XII-
Ndarja …
Një fjale goje
Por ndarja është e rëndë, shpirtin ta qit.
Të ndërtosh një ndarje për të qenë
Ësht’ m’e zorshme se të ngresh një piramidë.
Si yjet janë vërtetë dashuritë,
Kërkojnë hapsira të mëdha e po aq mund.
por jet e njeriut s’është galaktikë
Që të nxejë kaq yje e katastrofa e shkrumb.
Në jetën e ngushtë koha vërtet s’mjafton
Për dashuri,
Për ndarje,
Harresë.
Pleksen dashuritë dhe ndarjet dhe harrimi
Këngëtor i thinjur shëtitës syqorruar…
Era e nëntorit
Librin e tretë të vjeshtës
Shfleton dhe mbyll duke uluritur trishtuar.
Të gjitha këto rikujtoj
Ripërtyp.
Në dhëmbë gurët e pendimit më kërrcasin,
Asfalti i zi më varet nofullave të lodhura.
Kështu pra, Larisa, moskovitja.
Kështu pra, Llora.

“Xhamia ha kishën dhe kisha ha xhaminë”

“Ja pra se si xhamia ha kishën dhe kisha ha xhaminë, jo për shkak të të vërtetave të së kaluarës, por për shkak të orekseve të kanibalëve kulturorë [i referohet konceptit të Strauss-it i cili homogjenizimin kulturor e përcakton si “kanibalizëm kulturor”] të së tashmes që shpesh e ndërrojnë shijen, gjellën dhe oreksin sipas asaj se kush u jep të hanë. E për sa kohë do të zhvillojmë këtë kulturë kanibalësh, që manifestohet edhe në marrëdhëniet me të tjerët e ndryshëm kudo që ndodhemi nëpër botë, e do të bëjmë debate mbi identitetin/tet me një frymë që na tregon se kemi mbetur në shekullin XIX e në kohën e totalitarizmave…”

Fatos Lubonja, “‘Esenca’ jonë identitare dhe kanibalizmi kulturor” (Përpjekja, 2006. Tiranë)

Ibrahim Rugova, lidership i idealeve të mëdha

Gjon KEKA – DR. IBRAHIM RUGOVA, LIDERSHIP I IDEALEVE TË MËDHA, BOTART TIRANË 2011

Nëpërmjet autoritetit të madh që kishte, ai ka ndikuar fuqishëm jo vetëm në rrjedhën e kohës, por edhe në vullnetin e përgjithshëm dhe historik të popullit, duke bërë kështu që çdo miratim që vinte nga proceset dhe nga zhvillimet e tjera historike dhe politike-kombëtare të vendit t’i merrte së bashku me mendimet dhe vullnetin e popullit, gjë që e bënte atë një lidership dhe politikan harmonik e të besueshëm.

Ibrahim Rugova kishte atë lloj aftësie politike dhe lidershipi politik shtetëror aq sa veprimet e tij dhe praktikimi i filozofisë së tij politike-kombëtare kishin zënë vend në të gjitha sferat e jetës dhe të proceseve historike të popullit shqiptar të Kosovës, në rrugëtimin e tij të vështirë historik dhe vendimtar për të ardhmen drejt lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe rikthimit në familjen e lashtë evropiane.
Liria, demokracia dhe pavarësia e Kosovës ishin sine qua non (kusht pa të cilën nuk bëhet) për paqen, për barazinë dhe bashkëpunimin e rajonit në përgjithësi dhe për të ardhmen e vendit drejt qëllimit historik dhe natyror. Më duhet të nënvizoj këtu se presidenti Rugova ishte një lider që praktikonte në përpikëri filozofinë e tij politike kombëtare; këtë ai e bënte te të gjitha proceset dhe te të gjitha hapat e vazhdueshme të zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit demokratik dhe evropian të Kosovës. Po ashtu, dr. Ibrahim Rugova, si president dhe burrështetas kishte një vizion dhe strategji politike kombëtare të gjerë dhe në shërbim të vendit, duke e udhëhequr atë në periudhat më kritike dhe vendimtare për vendin dhe rajonin. Vizioni dhe strategjia e tij politike kombëtare ishin me shekuj përpara vizionit të bashkëkohësve të tij, por edhe të njerëzve të tjerë që kishin filluar të merreshin me veprimtari politike dhe udhëheqëse në vend e në rajon.
“Arkitrau” i filozofisë politike-kombëtare të Ibrahim Rugovës ishte ndërtimi i shtetit mbi bazën e lirisë, të demokracisë dhe të vullnetit historik të popullit, si dhe rikthimi i plotë i vendit në familjen e lashtë evropiane.
Është interesante këtu të nënvizojmë se si arkitektura e tij politike dhe institucionale ishin bërë baza themelore e ndërtimit të shtetit demokratik dhe evropian. Ajo që është tepër e rëndësishme këtu, filozofia e tij jetësore dhe politike-kombëtare e më pas edhe ndërtimi i institucioneve demokratike shtetërore kishin përshkruar frymën e lirisë dhe të demokracisë edhe në zonat më të errëta të vendit. Por këto kanë pasur edhe një ndikim të jashtëzakonshëm për të hapur sytë për një botë të re, botë të kuptimit të kohës së re, të përgjegjësisë ndaj lirisë dhe demokracisë e shtetit, institucioneve të krijuara me sakrificë dhe përpjekje historike të vazhdueshme për liri, demokraci dhe pavarësi.

Të gjitha këto hapa historike kapin në tërësi jo vetëm zhvillimet politike të brendshme dhe ato të jashtme ndërkombëtare, por edhe drejtimin e plotë të vendit drejt kuptimit dhe ecjes sipas vizionit dhe filozofisë së tij politike kombëtare në rrugën e lirisë, të paqes, demokracisë, pavarësisë dhe bashkimit të kombit me familjen e lashtë evropiane si një rikthim i natyrshëm.

Veprimtaria politike dhe shtetërore e presidentit dhe lidershipit Ibrahim Rugova ishte harmonike, historike dhe me vlera mbikohore, sepse në gjithë veprimtarinë e tij ai la gjurmë jo vetëm në brendësinë e vendit dhe të mjedisit të tij popullor e atij të kohës, por edhe në politikën ndërkombëtare, në botën dinamike dhe të qytetëruar, për të cilat më pas ai mori një mori çmimesh ndërkombëtare në shërbim të paqes, demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Presidenti dhe burrështetasi dr. Ibrahim Rugova ishte një personalitet dhe njeri popullor i fuqishëm apo, më mirë të themi tepër i lidhur më popullin e me traditën e tij të lashtë historike. Gjithashtu, ai ishte edhe zbatues në përpikëri i filozofisë dhe i pikëpamjeve të tij politike, sipas parimeve dhe punës së vazhdueshme për të realizuar kështu jo vetëm plotësisht zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit juridik, demokratik dhe evropian, por edhe për të rikthyer frymën e lashtë evropiane të Kastriotëve, të strategut dhe diplomatit të njohur të kombit shqiptar Gjergj Kastrioti.
Vizioni i tij i qartë evropian e bënte atë një lidership largpamës dhe të përgjegjshëm, si ndaj vullnetit të popullit, ndaj historisë së tij të vërtetë evropiane, por edhe ndaj të ardhmes së kombit shqiptar evropian, si një komb i lashtë dhe me rrënjë të thella të qytetërimit evropian. Pa këto rrënjë historia dhe zhvillimi e ndërtimi i plotë i familjes, tashmë edhe i bashkësisë evropiane, nuk do të mund të kuptoheshin e të ishin të plota.
Përveç kësaj, duhet nënvizuar edhe diçka tjetër tepër e rëndësishme: dr. Ibrahim Rugova, si një president strategjik-historik dhe lidership transformues i kushtonte një rëndësi të veçantë dijes dhe arsimimit të gjeneratave të reja të popullit, sepse arsimimi është baza themelore e vlerave të popullit drejt ardhmërisë, si alma mater (nëna ushqyese), e ardhmërisë së gjeneratave të arsimuara në Universitetin e Prishtinës, si vlera kombëtare evropiane. Ibrahim Rugova dha një ndihmesë të madhe në historikun e arsimimit dhe zhvillimit të Universitetit të Prishtinës. Në mënyrë të vazhdueshme, këtë ai e bëri edhe si intelektual, si shkrimtar, por edhe si politikan e më pas edhe si president i vendit, sepse në parimet e tij arsimimi zinte një vend të veçantë në themelet e filozofisë së tij jetësore, intelektuale dhe politike-kombëtare.
Ndërkaq, në mënyrë narrative më tej mund të vërejmë se si Ibrahim Rugova, gjatë procesit të prezantimit në tryezat diplomatike dhe në vendet më me ndikim të politikës ndërkombëtare të realitetit në Kosovë i përputhi të gjitha gjërat që kishin të bënin me procesin e daljes së popullit nga robëria në liri, në demokraci dhe në pavarësinë e tij. Këto parime, këtë vullnet historik të popullit, Rugova i kishte si qëllimin parësor për realizimin e plotë të kësaj të drejte, por edhe si një domosdoshmëri të kohës. Po ashtu, dr. Ibrahim Rugova, si president strategjik i kristalizoi të gjitha këto elemente, duke u dhënë kështu këtyre proceseve pamje pozitive dhe të drejtë historike, në favor të së drejtës historike të popullit autokton shqiptar të Kosovës. Me një pasuri të madhe intelektuale ai arriti të lëvizë kështu jo vetëm kolltukët dhe tryezat e diplomacisë ndërkombëtare, por edhe t’i vërë ata në peshore, për shpëtimin e popullit autokton të Kosovës apo shuarjen e tij. Politika shtetërore serbe bënte një spastrim etnik të vazhdueshëm ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në Kosovë, ashtu siç bënte perandoria e errët otomane ndaj tërë kombit shqiptar evropian përgjatë pesëqind e ca viteve. Porse kjo politikë kurrë nuk kishte arritur ta zhduket nga faqja e dheut këtë komb, sepse kombi shqiptar europian i ka rrënjët të lashta, me lidhje të forta e të shenjta historike dhe gjenealogjike. Po ashtu, politika serbe nuk arriti dot ta realizonte një plan të tillë demon, as në fundshekullin XIX, as në fillimshekullin XX; porse as edhe më herët.

Duhet theksuar këtu se Rugova, si një politikan i fuqishëm gjatë veprimtarisë së tij dhe praktikimit të jetësimit të filozofisë së tij politike-kombëtare ka hasur gjithnjë në pengesa të vazhdueshme nga gurët që hidhnin mbi të si armiqtë e jashtëm, duke krijuar bllokime e duke u munduar që me anë të mjegullnajës në proceset historike dhe vendimtare të popullit autokton për liri, demokraci dhe pavarësi, të arrinin të dobësonin ndikimin e tij në politikën ndërkombëtare, por edhe në jetën e brendshme politike. Por të gjitha këto ata kurrë nuk arritën t’i realizojnë, sepse presidenti strategjik dr. Ibrahim Rugova ishte mbështetur në shkëmbin historik të kombit shqiptar evropian dhe vazhdimisht merrte fuqi nga fryma kombëtare e Kastriotëve, për t’i sfiduar të gjitha sulmet dhe për të dalë te qëllimi i tij historik, kombëtar dhe evropian, qëllim ky i filozofisë së tij jetësore dhe politike-kombëtare.

Gjithashtu, në kuadër të gjithë kësaj, duhet nënvizuar se gjatë veprimtarisë së tij politike-kombëtare, si një lidership dhe politikan i fuqishëm i vendit, disa qarqe të errëta ideologjike-politike të brendshme dhe të jashtme janë munduar shumë që ta stigmatizojnë atë si personalitet politik dhe lidership, por që kurrë nuk kanë arritur ta realizojnë atë planë demon. Duhet theksuar këtu se këto qarqe të errëta ideologjike-politike e bënin të gjithë këtë në mënyrë subversive, vetëm e vetëm për t’i rrëmbyer të gjitha në duart e tyre ose për t’i shkaktuar dëme të mëdha vendit, si brenda ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse këto qarqe të errëta ideologjike-politike mendonin dhe bënin vazhdimisht përpjekje prej demoni, që nëpërmjet agjitacionit të ndryshonin jo vetëm rrethanat dhe mendësinë e popullit dhe vizionin për të ardhmen europiane, por edhe për braktisjen e vullnetit dhe besimit që i kishin dhënë presidentit dhe njeriut-lider dr. Ibrahim Rugova, për ta udhëhequr vendin drejt rrugës së lirisë, paqes, demokracisë, pavarësisë dhe rikthimit të plotë në familjen evropiane, ata kurrë nuk arritën dot ta shtrembëronin figurën dhe personalitetin e Rugovës, as t’ia ndryshonin mendjen popullit për besimin dhe fatin që i kishin lënë atij në duar, për ta drejtuar popullin në vendin e sigurt. Ata e dinin se ai ishte lider vizionar, i besueshëm, besnik ndaj popullit dhe të ardhmes së tyre, por edhe besnik ndaj qëllimit që kishte si dhe përgjegjësisë së madhe që bartte mbi krahë në rrugën e realizimit të vullnetit të plotë historik të popullit për të jetuar i lirë, i pavarur dhe me dinjitet.
Si një lidership dhe burrështetas i madh i popullit shqiptar e, veçanërisht kombit shqiptar europian në përgjithësi, erdhi me një formulë të re në mes të popullit, për ta nxjerrë atë nga skllavëria e regjimit të politikës shtetërore serbe. Thjesht, ai hyri në procesin historik të marrjes së përgjegjësisë për fatin e popullit të Kosovës si një profet i demokracisë, i lirisë, i paqes dhe si arkitekt i shtetit të Kosovës, si dhe i tërë Gadishullit Ilirik apo Europës Juglindore, sepse fryma e Kastriotëve që ai bartte përshkoi tërë rajonin dhe botën demokratike e të qytetëruar.
Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu se presidenti dhe njeriu-lider Ibrahim Rugova ishte jo vetëm arkitekt i shtetit të Dardanisë europiane (Kosovës), por edhe një mbrojtës i së mirës së përbashkët. Gjithashtu, ai krijoi lidhje të forta dhe në mënyrën e duhur e të dorëzanë të shtetit kushtetues, respektivisht të shtetit ligjor e demokratik, lidhje këto sipas parimeve moderne evropiane dhe liberal demokratike.
Siç dihet, dr. Ibrahim Rugova, si një president dhe politikan harmonik kishte qartësinë dhe përmbajtjen e gjuhës politike dhe intelektuale. Kjo është parë sidomos gjatë argumentimit me shkathtësi dhe dituri, në mënyrë të fuqishme të realitetit historik dhe vizionit për të ardhmen e popullit shqiptar, shtetit të Dardanisë apo Kosovës europiane.
Programi i tij politik-kombëtar brenda LDK-së për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit ishte i mbështetur në filozofinë e tij politike kombëtare, që nga shpalosja e kësaj filozofie të frymës së Kastriotëve. Që këtu u pa qartë se programi – i cili ishte mbështetur në bazat e fuqishme të lirisë dhe pavarësisë, si premisa kryesore të filozofisë së tij politike-kombëtare të demokracisë liberale dhe vullnetit të përgjithshme të popullit – do të tregonte më pas edhe një shpalosje të plotë të formës së ardhshme të shtetit të Dardanisë europiane apo Kosovës.
Në këtë mënyrë, Ibrahim Rugova ndërtoi kështu institucionet e ligjshme demokratike dhe ato të paqes në vend; gjithashtu ai, si president dhe lidership vizionar, vuri edhe rregullat demokratike të shtëpisë home democratic rule, rregulla këto që do t’u shërbenin historikisht pasardhëseve të ardhshëm të politikës dhe institucioneve demokratike shtetërore të vendit.

Nga kjo mund të nxjerrim përfundimin se lider është ai që e gjen fillin e strukturës së shoqërisë së popullit dhe zhvillimit të përgjithshëm të vendit drejt të ardhmes së mirë për të gjithë. Kështu që, duke e gjetur fillin e kësaj strukture themelore dhe jetësore të shoqërisë, ai mund ta udhëheqë atë shoqëri në rrugën e vizionit dhe t’i shërbejë të mirës së përgjithshme të kombit.

Libri poashtu ka një parathenie nga dr.Gjon Boriçi

Një qenushe futet në librari dhe vjedhë librin e shkrimtares së njohur (VIDEO)

Në një librari në Brazil, një qenushe futet brenda dhe del jashtë pa u parë nga askush.

Qenushja, krejt rastësisht dhe e qetë rrëmben një libër.

Libri është ai i Elena Ferrantes, “The Story of the Lost Child”, një prej librave të njohur të shkrimtares misterioze italiane.

Vajza që punon në librari e ka kuptuar më vonë se një libër po i mungon dhe nga kamerat e sigurisë e ka kuptuar se qenushja e ka marrë librin me vete. E cka ka ndodhur më pas, është magjike.

Është gjetur qenushja, afër Librarisë – University Infinity Livraria, dhe është dërguar për kontrollë mjekësore që më pas të adoptohet nga një familje.

Sa për librin e ‘vjedhur’ prej qenushes, historia është kjo. Dy shoqe, Elena dhe Lila, kalojnë nëpër peripeci të ndryshme jetësore. Librat e Ferrantes lidhen për këto dy personazhe italiane, dhe të gjithë librat e saj kanë një lidhje mes tyre. / KultPlus.com

“Nuk dua të bëj atë që nuk më pëlqen, dhe atë që më bën të vuaj”

“Unë s’kam më durim për ca gjëra, jo sepse jam bërë arrogante, por thjesht sepse kam arritur në një pikë të jetës sime ku nuk dua të humb më shumë kohë e të bëj atë që s’më pëlqen, apo çka më bën të vuaj. Mua më ka sosur durimi ndaj cinizmit, kritikave të tepruara dhe kërkesave të çdo natyre. Më ka humbur vullneti për të kënaqur ata që nuk më pëlqejnë, të dua ata që nuk më duan dhe t’u buzëqesh atyre që s’u qesh buza kurrë. Nuk kam më dëshirë të humb as edhe një minutë të vetme me gënjeshtarët dhe manipulatorët. Kam vendosur të mos bashkëjetoj më me shtirjet, hipokrizinë, pandershmërinë dhe lavdet e tepërta. Nuk do t’i toleroj të diturit selektivë, as akademikët arrogantë. Unë s’mund t’u përshtatem përgojimeve. I urrej konfliktet dhe krahasimet. Unë besoj në botën e të kundërtave dhe kjo është arsyeja pse i shmang njerëzit me personalitet të ngurtë dhe kokëfortët. Nuk mund t’i pëlqej më miqësitë plot tradhti dhe mungesë besnikërie. As nuk mund të vazhdoj të qëndroj me ata që nuk dinë të të bëjnë një kompliment, apo të të japin qoftë edhe një fjalë inkurajuese. Dhe për t’a mbyllur: mua më ka sosur durimi për të gjithë ata që s’e meritojnë durimin tim.”

MERYL STREEP

Orkestra jonë gazmore

Poezi nga Adelina Mamaqi.

Në klasën tonë kemi
një orkestrinë gazmore
Kitara e violina
e vegla frymore.

Mëngjes dhe pasdite
mbi piano Bardhi ngeli
nga Lola vogëlushe,
m’i madh është violonçeli.

Dhe Yllkën, në çdo provë,
e gjeni me violinë
Ermali ka një trombë,
Arbani një klarine.

Por fort mos na qortoni,
në gjetshi një të metë;
ne nesër do të jemi
artistë të vërtetë…

Feride Rushiti e merr çmimin nga Zonja e Parë, Melania Trump (VIDEO)

Melania Trump – Zonja e parë e Amerikës, sot i ka dhënë çmimin “Grua e guximshme” shqiptares Feride Rushiti.

Në një ceremoni janë nderuar dhjetë gratë që këtë vit janë laureate të çmimit të madh i cili nderon fuqinë e gruas dhe ndryshmin që ajo ka bërë në aspekte të ndryshme të shoqërisë.

Feridja është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës. Një doktoreshë, ajo në vitin 1999 gjatë konfliktit dhe luftës në Kosovë ndihmoi në shërimin e civilëve të lënduar.

Mbi të gjitha, angazhimi i saj kryesor ka qenë dhe mbetet ai me gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, një kauzë në të cilën Feride Rushiti ka dhënë maksimumin e angazhimit të saj në këto dy dekada. / KultPlus.com

“Fërfëlloj fëllanza n’ujë”, ëmbëlsia e zërit të Fitnete Rexhës (VIDEO)

KultPlus ju sjellë sonte këngën “Fërfëlloi fëllanza n’ujë”, nga Fitnete Rexha.

Fitnete Rexha është njëra ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. Ajo lindi në vitin 1933 dhe vdiq në vitin 2003.

Një “Artiste e Merituar”, Fitnete Rexha e shkriu zërin e saj në këtë këngë të kompozuar nga Muharrem Gurra.

https://www.youtube.com/watch?v=OdHEWdAJlq4

Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës. Akademik.

Çesk Zadeja ka thënë se sa herë të dëgjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha.

Fërfëlloj fëllanza
Në ujë x2
Fëllanzo fëllanzo x2
Dil prej ujit o
Mos dalsh kurrë x2
Fëllanzo fëllanzo x2

Tybe unë ty nuk të ngasë
Sall për flokësh o të përkasë
Të të shof a je e bardhë
A je e ambël porsi dardhë

Fërfëlloi fëllanza
Në ujë x2
Fëllanzo fëllanzo x2
Dil prej ujit o
Mos dalsh kurrë x2
Fëllanzo fëllanzo x2

Tybe unë ty nuk të ngasë
Sall për dore të përkasë
Të të shof a je e zeshkë
A je e butë porsi pjeshkë

Fërfëlloi fëllanza
Në ujë x2
Fëllanzo fëllanzo x2
Dil prej ujit o
Mos dalsh kurrë x2
Fëllanzo fëllanzo x2

Tybe unë ty nuk të ngasë
Sall prej synit o të përkasë
Të të shof a je e bukur
A je e rrumbull porsi kumbull

Fërfëlloi fëllanza
Në ujë x2
Fëllanzo fëllanzo x2
Dil prej ujit o
Mos dalsh kurrë x2
Fëllanzo fëllanzo x2

Tybe unë ty nuk të ngasë
Sall për ballit o të përkasë
Të të shof a je e hollë
Faqe kuqe porsi mollë / KultPlus.com