Anais, ti më topit: Dashuria e fshehtë e Henry Miller!

Letra që shkrimtari kontravers amerikan Henry Miller i shkruan të dashurës Anais:

“…Pa mundur që ju ta vinit re, unë jetoja vazhdimisht me ju. Por kisha frikë ta pohoja – druhesha se mos trembeshit. Sot kisha ndërmend t’ju çoja gjer te dhoma për t’ju treguar akuarelët e mi. Por m’u duk diçka aq e fëlliqur t’ju çoja në atë dhomë mjerane hoteli. Jo, nuk mund ta bëjë këtë gjë. Ju do të më çoni ndokund – në koliben tuaj, siç e quani. Çomëni atje, që të mund t’ju marrë në krahët e mi.

Dhe gënjej, Anais, kur them që nuk dua t’ju adhuroj. A e prisnit që t’jua thosha këtë gjë? Kur pash filmin e Pagnol-it, Mariusin, ëndërroja për ju – ju jeni si ajo anija që niset në det, e vela i keni plotësit të shpaluar, ndërsa drita e diellit ju lazdrohet në trup…

…Anais, nuk di se si ta përshkruaj atë çka përjetoj. Jetoj në pritje të përhershme. Ti vjen dhe koha rrjedh si në ëndërr. Pikërisht kur ikën, bëhem përnjëmend i vetëdijshëm për praninë tënde. Por atëherë është tepër vonë. Ti më topit…”

10 thënie mbi Zotin: Funksioni i lutjes nuk është të ndikohet tek Zoti, por më shumë të ndryshohet natyra e atij që lutet

“Zoti nuk ka fe.”
– Mahatma Ganddhi

“Funksioni i lutjes nuk është të ndikohet tek Zoti, por më shumë të ndryshohët natyra e atij që lutet.”
– Søren Kierkegaard

“Sa më e errët nata, aq më të shndritshëm janë yjet; Sa më i thellë që është mjerimi, aq më afër është Zoti.”
– Fyodor Dostoyevsky

“Nëse dëshiron ta dish se çfarë mendon Zoti për paratë, thjeshtë shikoji njerëzit të cilëve ai u’a ka dhënë ato.”
– Dorothy Parker

“Unë besoj në Zot, por jo si një gjë, jo si një burrë i vjetër që rri në qiell. Unë besoj se ajo që njerëzit e quajn Zot është brenda secilit prej nesh. Unë besoj se ajo që e ka thënë Jezusi, Muhamedi, Buddha dhe gjithë të tjerët ka qenë e drejtë. Vetëm se përkthime i tyre është bërë gabim.”
– John Lennon

“Unë nuk besoj në Zot dhe nuk jam ateist.”
– Albert Camus

“Zoti është një rreth qendra e të cilit është gjithkund, ndërsa perimetri i tij askund.”
– Voltaire

“Unë nuk ndjehem i obliguar të besoj se i njejti Zot i cili na ka pajisur me ndjenja, arsye dhe intelekt, ka për qëllim që ne ta harrojmë përdorimin e tyre.”
– Galileo Galilei

“Ajo që je është dhurata e Zotit për ty; ajo që do të bëhesh është dhurata e jote për Zotin.”
– Hans Urs von Balthasar

“Fjala ‘Zot’ për mua nuk është asgjë më shumë veçse një shprehje dhe produkt i dobësisë njerëzore. Bibla për mua është një koleksion i legjendave të respektuar por megjithatë mjaftë fëmijërore. Asnjë interpretim, pavarësisht se sa i mprehtë, nuk mund ta ndryshojë këtë.”
– Albert Einstein

Dua Lipa publikon pamje të videoklipit më të ri (VIDEO)

Nuk ka shumë kohë që Dua Lipa ka sjellë bashkëpunimin me Calvin Harris. “One Kiss” titullohet kënga që ata e kanë sjellë së fundmi dhe qe ka arritur nivel të mjaftueshem të dëgjueshmerisë.

Dua Lipa sapo ka paralajmëruar fansat e saj në Instagram që këtë këngë nesër do ta sjellë edhe me videoklip. Ajo madje ka publikuar edhe disa pamje të këtij videoklipi që po duket të jetë më i veçantë.

Dua Lipa po prek fuqishëm skenat botërore. Ajo vitin e kaluar ka arritur të mbledhë mbi 1 milard klikime me këngën “New Rules”. / KultPlus.com

Reportazh: Vuno, një mrekulli e fshehur në jug të Shqipërisë (FOTO)

Gili Hoxhaj

Rrugëtimi drejt Shqipërisë rëndom të jep ndjesinë e zhytjes drejt një thesari që bart brenda shumë bukuri që presin të zbulohen. Ata që ia mësyjnë Jugut të këtij vendi, nuk mund ta kenë vetëm një destinacion, bukuritë drejt kësaj zone të ftojnë drejt shumë ndalesave për t’i shijuar pamjet e bregdetit e maleve të larta. Rruga drejt atje nuk është dhe shumë e lehtë, kthesat duket se janë të pambarueshme e qielli duket shumë afër. Ata që duan të zbresin në Himarë, domosdo kalojnë përmes fshatrave të ndryshëm.

Arkitektura e njërit nga fshatrat e kësaj zone, të fton drejt eksplorimit. Kafenetë qëndrojnë buzë rrugës por shtëpitë e banorëve qëndrojnë jo shumë afër këtyre kafeneve. Është Vunoi, fshati që është i pozicionuar në bregun e detit Jon, që rri në shpatullat e malit të Mjegulloshit. Vuno është një thesar prej të cilit vizitorët do të marrin më të mirën, në çdo gur lexon një histori të kësaj pjese e duket sikur nuhat rezistencën e lashtësisë, që rri në muret pa dritare. Në çdo skutë të ndërtesave mund ta shihje fshatin mes këndeve të ndryshme, cdo derë drejt se cilës hyje të nguliste një pamje të këtij vendi.

Pjesa e sipërme e fshatit duket sikur një botë në vete. Një botë drejt së cilës çdo kush ëndërron të ikë, të paktën një herë në jetë, të paktën në njerën nga katër stinët. Drita e diellit duket sikur ruan dritaret e shtëpive prej guri, andaj mbrojtëset e dritareve kanë një bukuri në vete mes ngjyrave të drunjta e atyre më të ndezura. Drita e diellit edhe e bën edhe më të theksueshme bukurinë e këtij fshati. Harqet dhe qemerët e mbuluara me gjethe japin një ndalese hijeje. Këmbët herë ngjiten me më ngadalësi e herë rrëshqasinnë rrugët e kalldërmta.

Ani pse rruga herë-herë duket e mundimshme, bukuria në çdo skutë të fshatit, domosdo të bën të ndalesh e të shijosh secilin gur e secilën ndërtesë, një pjesë e tyre edhe me gjurmë të thella të rrënimit kanë një bukuri që duket sikur flet mbi atë se si e bukura i reziston edhe shkatërrimit. Gurët ishin të fortë, por jo edhe gjithçka në këtë pjesë, në çdo vend mund ta zësh veten duke e shijuar qoftë edhe trëndafilat ngjyrë të ndezur, që diku edhe janë tkurrur nga dielli i fortë.

Përveç zhurmës së punëtorëve lart, e zhurmës së zogjve poshtë në këtë fshat, gjithçka dukej që qëndronte e heshtur në bukurinë e vet. Shtëpitë e gurta qëndrojnë afër njëra-tjetrës dhe larg zhurmës së veturave. Ishin disa pjesë të fshatit që e thyenin lashtësinë e ndërtesave, kjo tregonte se kjo zonë ishte në restaurim, gjë që iu ngjallte shpresat banorëve për të takuar edhe më shumë turistë viteve që vijnë. Këto rrugë të kalldërmit, për disa prej banorëve janë edhe oborr, andaj dalja e tyre në ballkon shpesh i bën që papritur ta takojnë ndonjë nga banorët a vizitorët e kësaj pjese. Në këtë pjesë të fshatit nuk e gjen as një dyqan, as një kafene, por gjen njerëzit që me dashuri t’i shërbejnë ato.

Afërsia mes ndërtesave që nuk dallojnë shumë nga njëra tjetra, të jep ndjesinë e një bashkëjetese në harmoni. “Këtu jeta është e bukur”, shumica e banorëve me këtë fjali e përkufizojnë jetën e përditshme mes gjelbërimit, detit, mes flladit të natyrës, ndërtesave prej gurit dhe nxehtësisë së diellit.

Një nga gratë e kësaj ane duhet të ecën mbi shumë gurë që të dërgojë bukën e gjërat e tjera ushqimore deri tek shtëpia e saj. Kur fëmijët nisen për në shkollë, me ta duhet të shkelë në gurët që të dërgojnë poshtë rrugës dhe ta bëj të njëjtën rrugë kur ata të vijnë. Ajo e ndjen bukurinë e këtij ritmi të jetës, ani pse ecja tri herë në ditë në këtë rrugë nuk duket të jetë e lehtë.

“Këtu të bësh vetëm pesë orë ditë në gjumë, është e mjaftueshme”, shprehet ajo. Kjo tregon se si ky fshat ia ka dhuruar prehjen e shpirtit, se si vet jeta këtu ia plotëson nevojën e gjumit.
Rrobat e varura për tu tharë, tregojnë së numri i banorëve nuk është dhe i madh, madje, sipas banorëve shumë prej tyre e kanë braktisur këtë vend. Nëse shikohet madhësia e rrobave që qëndrojnë të varura jashtë shtëpive, kuptohet mungesa e të rinjve e fëmijëve. Më së shumti takon njerëz në moshë më të shtyrë por që pamjen e kanë tejet të freskët. E tillë është dhe Vasilika Kongjik, një grua e thinjur e bujare që i buzëqesh çdo kalimtari qe kalon pranë shtëpisë së saj. Me plot bujari sjellë shishen me ujë të freskët e mbush gotat plot. Duart i ka plot bonbone të ëmbla që i dhuron me buzëqeshje. Ajo nuk e kthen asnjë mbrapa, i zbraz duart e t’i dhuron me shkëlqim në sy. Ajo ka jetuar me vite në Greqi, prej nga është larguar që nga ditët e para të pensionimit, për të kaluar këtu pjesën e mbetur të jetës, pasi që është i vetmi vend që i jep qetësi.

Është Festivali South Outdoor ai që i ka sjellë ngjyrat e gjallërisë kësaj pjese, e që disa prej banorëve i ka bërë kureshtar për të zbritur poshtë tij. Me buzëqeshje të fëmijëve, zhurma të biçikletave, të lojërave të ndryshme, mes qetësisë së yogas, ngjyrave të pikturave u manifestuan tri ditë të festivali që kishin përfshirë edhe shumë fshatra të tjerë të kësaj zone. Ky festival i ka bërë bukuritë e këtij fshati, pjesë të kujtimeve të shumë vizitorëve të huaj e shqiptarë.

Brenda pjesës së poshtme të fshatit, duhet jo dhe pak përpjekje për të gjetur një vend për parking. Tendat e vendosura në njërën anë flasin për interesimin që ka zgjuar ky festival i organizuar nga GIZ, e që në Vuno shënoi edicionin e dytë të tij. Njerëzit që ka mbledhur ky festival, reagojnë me qetësi e buzëqeshje e rrallë qëndrojnë në një pozitë të vetem, disa prej tyre janë zhytur në një hapësirë më të thellë eksploruese të kësaj zone.

Vërehej dukshëm që njerëz jashtë festivalit, i janë bashkangjitur atij në natën e dytë. Aleksandër Gjoka, Elton Deda e Redon Makashi ishin emrat që krijuan natën kulminante të këtij festivali dhe njërën nga mbrëmjet më të bukura që kanë ndodhur në këtë fshat. Terri tashmë kishte fshehur bukurinë e fshatit por të ndjekur rrugën drejt dritave që zgjateshin, të dritave drejt skenës që po mirëpriste këngët që do të deshifroheshin në emocion e kënaqësi të rrallë.


“Unë i pasur s’jam vërtetë por në ëndërr e shoh veten mbret”, ishte vargu që çdo kush e ka dëgjuar, ishte vargu që fuqishëm vinte nga ngjyra e rrallë e zërit, e atij që në muzikën shqiptare po dëshmon që është vështirë i tejkalueshëm. Mosha nuk ia ka zbehur fuqinë e skenës, as afërsinë me publikun. “As rrufetë s’më vrasin dot se ka një Zot”, vinte përmes zërit të tij dhe njërit gisht që ngrihej. Me një afërsi të rrallë dukej sikur i këndonte çdo njeriu që gjendej aty, çdo njeriu që i ka dhënë emocion përgjatë viteve.

Kush mund të këndonte me të, para tij dhe pas tij përveç EltonDedes dhe Redon Makashit të cilët sollën këngët e tyre hite. Ata ndër vite e kanë ushqyer publikun me muzikë sa që shumë prej të pranishmëve këngët e tyre i kishin brumosur brenda vetes. Ata i kanë kënduar dashurisë e urrejtjes, stinëve, pranimit të vetes e tjetrit. Mes këndimit e vallëzimit të kënges së Elton Dedës “Na lini të jetojmë”, publiku u shpërnda duke kënduar këngët e tyre mes qiellit që ndriqohej e duarve që ngriheshin drejt tij.

Ata që i kanë përjetuar këto ditë të South Outdoor Festival dhe ata që e kanë shijuar koncertin e “Tre muskutierëve”, do të presin gjithnjë për një kënaqësi të dytë të momenteve të tilla.
Për ata që e kanë vizituar Vunon, ai mbetet një mozaik i bukurive të përkufizuara në gurë, i njerëzve që jetojnë në prani të njëri-tjetrit dhe kanë lenë pjesën tjetër të fshatit të paprekur me shtëpi, por të pasur me bukuritë e ngjyrave të natyrës./ KultPlus.com















Drithma e një mendimi: Thënie nga Soren Kierkegaard

1.Kur fëmijës , pasi është rritur ca, i duhet ndërprerë qumështi i nënës, ajo virgjërisht e fsheh gjirin, dhe atëherë fëmija s’ka më nënë. Lum ai fëmijë që nuk e ka humbur nënë tjetërsoj!

2.Poeti është gjeniu i të rikujtuarit.

3.Të marrësh besimin do të thotë të lësh arsyen.

4.Ankthi është marramendja e lirisë.

5.Është kaq e vështirë të besojmë, sepse është kaq e vështirë të bindemi.

6.Është krejt joproduktive të grindem me botën, po ashtu të grindem me veten nganjëherë është joproduktive.

7.E çfarë është poeti? Një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur.

8.Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron. Martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.

9.Ka, siç dihet, disa insekte të cilat vdesin në momentin që pjellin. Kështu është me të gjitha gëzimet: çasti më i hatashëm e më i lartë i gëzimit është i shoqëruar nga vdekja.

10.Të guxosh do të thotë të harrosh për momentin drejtpeshimin. Të mos guxosh do të thotë të humbësh vetveten.

11.Filozofia shkon më larg. Teologjia, e lyer dhe e pudrosur, rri në dritare duke lypur favoret e filosofisë, tek i ofron hiret e veta.

12.Absurdi përshenjon themelin e besimit, fillesën e kërcimit të besimit, meqë njëherazi përshenjon mospërputhjen midis rendit të Krijuesit dhe redit të krijesës.

13.Hiqjani paradoksin një mendimtari dhe do të fitoni një profesor.

14.Lutja nuk ndikon tek Zoti, por ndikon te ai që lutet.

15.Lum kush mund të vdesë në një mënyrë të atillë që shtrati i tij i vdekjes, në çastin që trupi hiqet s’andejmi, të duket edhe më i këndshëm se djepi i një fëmije./Bota.al

Prova e parë e këngëtares shqiptare Eleni Foureira për Eurovizion, kjo është performanca e saj (VIDEO)

Tashmë janë duke u realizuar provat e para të konkurrentëve për garën e madhe të muzikës Eurovizion dhe një provë të tillë tashmë ka mbajtur edhe këngëtarja shqiptare Eleni Foureira e cila këtë vit përfaqëson Qipron.

Ajo duket mjaftë dinamike në skenë, e cila përcillet në performancë edhe nga grupi i saj .
Shqiptarja që do të këndojë këtë vit për Qipron në Eurovizion, ka kënduar këngën “Fuego”.
Foureira është me origjinë nga Fieri i Shqipërisë dhe ka një karrierë pë tu lakmuar, në Greqi. Kënga e saj është kompozuar nga Alex Papaconstantinou, shkruan KultPlus.

Qipro, si rezultat më të mirë në Eurovizion ka pozitën e pestë, në vitin 1982, 1997 dhe 2004.
Qipro ka debutuar në Eurovizion në vitin 1981 dhe ka marrë pjesë në garë gjithsej 34 herë./KultPlus.com


Veliaj: Në Tiranë ka mbi 22 tregje ku mund të shitet, trotuaret janë për nënat me fëmijë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh sot se kryeqyteti është shumë herë më i pastër nga ç’e gjetëm në 2015-ën, por ka ende punë për të bërë, sidomos në mentalitetin e shoqërisë për të mos nxjerrë gjithçka në rrugë.

Ai tha se çdo ditë, punonjësve të bashkisë u duhet një sforco e madhe për të mbajtur Tiranën pastër dhe për të vendosur rregull në rrugët e qytetit, të cilat shpesh zihen nga tregtarët e fruta-perimeve.

“Çdo ditë ndërmarrjes sonë të pastrimit i duhet të pastrojë trotuaret e të lirojë rrugët. E di që ka njerëz që me të drejtë thonë: po unë ku do shes? Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka mbi 22 tregje ku mund të shiten fruta-perimet, por ama duhet ta ndajmë: hyrjet e pallateve janë për të banuar, rruga dhe trotuari për të ecur, parku është për të pushuar dhe luajtur, kurse tregu është për të shitur. Nëse ndonjëri nga ju më tregon ndonjë qytet në botë i cili ka lulëzuar dhe pasuruar nga njerëzit që shesin përtokë, ma thoni dhe eja ta bëjmë Tiranën ashtu!”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se nëse e duam Tiranën si kryeqytetet e Evropës, duhet që trotuaret të jenë të lira, që nënat me karrocë të kalojnë lirshëm. “Ambicia jonë nuk është ta bëjmë Tiranën si Kalkuta, me njerëz të shtrirë përtokë. Nëse e duam si BE, do ta bëjmë si në Evropë dhe nuk ka nevojë fare për histeri, për sa kohë që Bashkia ka tregje dhe do të duhet t’i mbajmë trotuaret e lira, që nënat apo gjyshet me karrocë fëmijësh të kalojnë lirisht, që si në çdo qytet evropian t’i ndajmë hapësirat”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se sfida më e madhe e këtij problemi është mentaliteti sepse tregjet për tregti ekzistojnë në gjithë Tiranën.

“Edhe në kohën e Zogut kishim të njëjtat probleme, njerëz që shisnin përtokë, hanin përtokë, pështynin përtokë. Por, fakti që 90% e Tiranës e ka pranuar, përtej histerisë, civilizimin, do të thotë që edhe ky 10% i vogël që na ka mbetur në këto zonat periferike, do të duhet ta pranojnë si pakti që kemi bërë me njeri-tjetrin, që qytetit të mos i bjerë vlera, që rrugët dhe infrastruktura të mos degjenerojnë, që të mos dukemi si Kabuli apo Kalkuta, por të dukemi realisht si kartolina europiane e Republikës së Shqipërisë, që aspiron nesër të jetë një vend me të drejta të plota në BE”, nënvizoi Veliaj.

/dita

Mediat britanike, elozhe Bushpepës: Shumë këngëtarë “do të vrisnin” për një performancë të tillë

Mediat britanike nuk i kanë kursyer elozhet për këngëtarin shqiptar Eugent Bushpepa, i cili dhuroi një performancë të shkëlqyer vokale gjatë provave të këngës “Mall”.

Bushpepa do të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në festivalin kontinental “Eurosong”, që do të mbahet më 8 maj në Portugali.

“Kjo është një këngë tepër e vështirë vokalisht, megjithatë Eugenti ia ka dalë në të gjitha performancat. Ka disa nota të larta dhe shumë këngëtarë kryesorë grupesh ‘do vrisnin’ për të dhënë një performancë të tillë. Këngëtari shoqërohet nga dy vokaliste dhe një grup i vogël muzikantësh, duke përfshirë një baterist, basist dhe një kitarist (akustik dhe elektrik).

Nëse ndryshimet e skenës për vitin 2018 do të vendosnin më shumë theksin tek këndimi sesa tek paraqitja skenike, kjo i përshtatet më së miri Shqipërisë. Me këtë performancë, Eugenti ka shumë shanse që të kualifikohet. Eugent Bushpepa po lufton shumë që të kualifikojë Shqipërinë në finalen e Eurovizionit, gjë që nuk është arritur prej tre vitesh. Performanca më e mirë e Shqipërisë deri tani ka qenë ajo e Rona Nishliut në vitin 2012, e cila siguroi vendin e 5-të në finalen e Eurovizionit. Shqipëria me Eugent Bushpepen këtë vit, ka shumë shanse të futet në listën e 10 këngëve më të mira të Eurovizion. Eugenti do të performojë i treti me datën 8 maj në Lisbon,”- shkruan “Metro”./shekulli

Milan Kundera: Praga ime dhe rusët që nuk i urrej më

“Shakaja” u prit në Perëndim pothuajse si një model i letërsisë antikomuniste ose, siç thuhej asokohe, disidente. Megjithatë, romani ishte botuar në Çekosllovakinë komuniste një vit para Pranverës së famshme të Pragës, saktësisht në pranverën e vitit 1967… Fillova të shkruaja “Shakanë” rreth vitit 1961, pak a shumë i sigurt se do të publikohej. Gjatë viteve gjashtëdhjetë, shumë përpara Pranverës së Pragës, realizmi socialist dhe gjithë ideologjia zyrtare kishin marrë fund, ata ishin tashmë vetëm një lloj fasade që askush nuk e merrte më seriozisht. Pasi e mbarova në dhjetor 1965, dorëshkrimi mbeti për rreth një vit në zyrat e censurës që, në fund, nuk kërkoi asnjë ndryshim. Romani u botua në pranverën e vitit 1967 dhe pati një sukses të menjëhershëm, tri botime me rreth 117 000 kopje tirazh.

Në pranverën e vitit 1968 libri fitoi çmimin e Bashkimit të Shkrimtarëve Çekosllovakë. Romanin e përdora më vonë për një skenar për mikun tim Jaromil Jireš, i cili bëri një film që kurrë nuk më doli nga zemra. Kritika letrare nuk u mor shumë me aspektin politik të librit, duke theksuar ndërkaq esencën e tij ekzistenciale (…). Pra, në fillim të udhëtimit tim si romancier, jam ndier i kuptuar në mënyrë të përkryer në atdheun tim. Por ishte një moment që zgjati vetëm pak. Një vit më vonë, në vitin 1968, pushtimi rus krijoi sërish një regjim stalinist të stërlashtë dhe shtypës nga pikëpamja intelektuale. Ky ishte momenti kur “Shakaja” u zhduk nga libraritë dhe bibliotekat. Dhe atëherë nisi aventura ndërkombëtare e romanit tuaj… Në vitin 1967, menjëherë pas botimit, shtëpia ime botuese në Pragë, e ngazëllyer nga suksesi i librit, ia propozoi romanin Gallimard-it. Këtu dorëshkrimi iu dorëzua, siç ishte rregulli, një lexuesi çek që jetonte në Paris. Atij iu duk pa interes romani dhe çështja u mbyll.

Ndodhi që një intelektual i Pragës, Antonín Liehm, një lloj emisari i artit jozyrtar çek jashtë vendit, i foli për romanin tim Lui Aragonit i cili, në atë kohë, demonstronte një solidaritet të madh ndaj intelektualëve të vendeve komuniste që kundërshtonin regjimet e tyre (roli i Aragonit u harrua, por unë jam gjithmonë i lumtur ta kujtoj atë). Pa e njohur madje tekstin çek, ai e rekomandoi atë te Claude Gallimard, i cili vendosi ta botonte. Në këtë pikë, rastësia ndërhyri përsëri: “Shakaja” doli nga shtypi ditët e para të shtatorit të vitit 1968, pra pikërisht tre javë pas pushtimit rus të Çekosllovakisë! Në peshën e asaj ngjarjeje Aragoni, me gjasë aty për aty, shkroi parathënien për romanin, që më vonë u bë e famshme. Në Francë, pritja e librit ishte e jashtëzakonshme. Momenti i mirëkuptimit që kishit përjetuar një vit më parë në Pragë u përsërit, pra, edhe në Paris? Gruaja ime shpesh më qesëndis: “Ti mbërrite në Paris si një fitimtar ndaj tankeve ruse”.

Në ato javë të shtatorit 1968, gazetat, në fakt, nuk flisnin për gjë tjetër përveçse për tanket ruse në Pragë dhe romani i një çeku tërhoqi automatikisht simpatinë e lexuesve dhe emrat e kritikëve të mëdhenj. Për të gjithë unë isha gati një ushtar në bordin e një tanku dhe të gjithë vlerësonin guximin me të cilin kisha luftuar kundër totalitarizmit. Por kur unë po shkruaja “Shakanë”, nuk isha ndier kurrë veçanërisht trim. Sfida ime nuk ishte politike, por ekskluzivisht estetike. Cila ishte sfida juaj? Të kapja përmbajtjen ekzistenciale të paprecedent të një situate historike të pashembullt. (…) Sapo vutë këmbë në Francë, filluat të shkruanit në frëngjisht ese për revista të ndryshme, ese që më vonë u bashkuan pjesërisht në vitin 1986 në “Arti i romanit”, në vitin 1993 në “Testamentet e tradhtuara”, në vitin 2005 në “Sipari” dhe në vitin 2009 në “Një takim”. Në vitin 1995 shkruat romanin tuaj të parë në frëngjisht. Por çekishtja dhe frëngjishtja nuk janë vetëm dy gjuhë të ndryshme, ato janë gjithashtu dy përvoja, dy mënyra për të shprehur rrënjët përkatëse. Të braktisësh një gjuhë për një tjetër, nuk do të thotë të heqësh dorë përfundimisht nga e kaluara? Mendohet gjithmonë se një romancier i ka rrënjët e tij në një vend. Nuk është kështu. Si romancier, ai i ka rrënjët në disa tema ekzistenciale që e magjepsin dhe për të cilat ai ka diçka për të thënë. Jashtë rrethit magjik të temave të tij, ai e humbet gjithë forcën. Imagjinoni për një çast sikur Kafka të ishte i detyruar të shkruante një sagë familjare ose një roman historik për Maria Terezën: si çdolloj nxënësi i keq, ai nuk do ta kalonte provimin. Në rregull. Por unë ju pyes: a nuk është ky rreth magjik i temave ekzistenciale i lidhur me një vend, një gjuhë, një përvojë të caktuar historike?

Sigurisht. Tronditja e revolucionit komunist më ka zgjuar një kureshtje ekzistenciale: isha i tunduar të thellohesha në situatën e çuditshme ku gjendeshim unë dhe njerëzit rreth meje. Pa këtë përvojë të lidhur me vendlindjen, kurrë nuk do të bëhesha romancier. Por temat ekzistenciale nuk i njohin kufijtë. Lirizmi që kam parë në të gjitha shëmtinë e tij në Çekosllovakinë komuniste, është i pranishëm në jetën e njeriut të të gjitha kohërave dhe një nga personazhet e librit “Ngadalësia” (1995) është kushëriri francez i Jaromilit, poetit çek në librin “Jeta është kudo” (1969). (…) Ju njiheni si nje njeri mjaft alergjik ndaj rusëve. Në gjithçka që keni shkruar për Evropën Qendrore, keni treguar dallimin e thellë midis kombeve të vogla të Evropës Qendrore dhe Rusisë … Polonia, Hungaria, Çekosllovakia u shndërruan pas Luftës së Dytë Botërore në satelitë të Rusisë. Kjo ishte fatkeqësia e tyre e përbashkët. Megjithatë, historia e marrëdhënieve të çdo kombi me Rusinë është e ndryshme. Polakët veç mund t’i urrenin rusët, të cilët, që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë nuk kishin bërë gjë tjetër, përveç përfshirjes së territorit polak në perandorinë e tyre. Hungarezët kishin qenë aleatë të gjermanëve gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Kështu, në vitin 1945, ushtria ruse fitimtare nuk ishte shumë e sjellshme me ta. Çekët, nga ana tjetër, gjithmonë kanë qenë rusofilë. Kur rusët në vitin 1945 e çliruan Çekosllovakinë, ata u pritën me dashuri. Kjo dashuri për rusët e bëri shumë të fuqishme Partinë Komuniste Çeke dhe bëri që kundërshtia e saj ndaj regjimit stalinist të ishte më pak e ashpër sesa në Poloni dhe Hungari. Vetëm pas pushtimit të vitit 1968, çekët, ashtu si popujt e tjerë të Evropës Qendrore, filluan të urrenin rusët. Dhe ju ende i urreni? Jo, aspak. Por u larguam nga tema e dialogut tonë… Nga libri “Dialog i pambaruar”, Massimo Rizzante, përktheu MY

30 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

ETIKETAT:KULTURE

A jeni adhurues të grupit ABBA, ata po vijnë me një projekt interesant (VIDEO)

Grupi suedez ABBA, që ishte një ndër grupet më të njohura të viteve të 70-ta është rikthyer me një lajm të madh, përcjellë KultPlus.

Ata kanë njoftuar se janë bashkuar pas 35 viteve dhe tashmë kanë regjistruar dy këngë të reja.
Për këtë rikthim ata kanë njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ku kanë treguar se tashmë grupi prej katër anëtarëve kanë kryer regjistrimin e dy këngëve të reja, ku njëra prej tyre do të pritet të lansohet në muajin dhjetor nëpërmjet televizioneve BBC dhe NBC.

“Ne tashmë kemi bërë një moshë, por kënga është e re”, kanë shkruar ata për këtë rikthim.
Grupi ABBA është një ndër grupet që ka realizuar shumë hite të mëdha botërore, kurse po muzika e tyre ka inspiruar regjisorët edhe në realizimin e filmave, ku deri më tashti janë realizuar dy filma mjuzikëll me këngë të po këtij grupi suedez./KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Jazz-it

Dita Ndërkombëtare e Jazz-it u vendos nga UNESCO në bashkëpunim me Institutin Thelonious Jazz, në vitin 2011, duke e njohur rolin e xhazit në promovimin e lirisë, kreativitetit, dialogut ndërkulturor dhe duke bashkuar njerëzit nga të gjitha anët e globit. Sot, partnerët e shtatë kontinenteve të botës do të festojnë Jazz-in si një gjuhë universale të paqes në Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it.

Drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s Audrey Azoulay dhe Ambasadori i Vullnetit të Mirë në UNESCO, Herbie Hancock ditë më parë kanë njoftuar se Dita Ndërkombëtare e Jazz-it këtë vit do të shënohet në Shën Petersburg të Rusisë. Në këtë qytet nikoqir të sivjetmë, do të organizohen programe të shumta arsimore dhe informuese, por theksi i veçantë do të jetë tek koncerti i jashtëzakonshëm me yje botërore të Jazz-it. Koncerti në fjalë do të transmetohet direkt në mbarë botën.

Po ashtu bëhet e ditur se shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it për vitin 2019-të do të shënohet në Shtëpinë e Operës, në Sidni të Australisë, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s./KultPlus.com

Agron Alibali prezantoi jetën e albanologut Jokli, që tërë pasurinë intelektuale ia la Shqipërisë

Gili Hoxhaj

Agron Alibali prezantoi sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës gjetje të rralla nga “Fjalor etimologjik i shkruar nga albanologu Norbert Jokl”, shkruan KultPlus.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku tha se ndihet i lumtur që sot studiuesi Agron Alibali ka ardhur përsëri në BKK, ku kishte prezantuar kohë më parë një libër studimor lidhur me Faik Konicën. Ai tha se e cilëson Alibalin si një njohës të fushës juridike dhe si një njeri të pasionuar në dokumente arkivore me interes albanologjik që sot po e sjellë një studim më të thellë për albanologun Norbert Jokl.

Prezantimi i Alibalit sot në BKK, ishte i fokusuar tek jeta dhe trashëgimia e albanologut Jokl. Ai fillimisht lexoi dosjen OSS, e cila në fjali të shkurtra përshkruante gjithë jetën dhe veprimtarinë e Jokl-it i cili ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje dhe që ka shkruar një fjalor të gjuhës shqipe ende të pabotuar. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstadts bibliothekar) i Universitetit të Vjenës.

“Në janar të vitit 1931, një kartolinë urimi do të vinte në apartamentin e Fan Nolit në Boston, dhuruesi ishte albanologu Norbert Jokli dhe kartolina fliste kështu “Fort i ndershmi zotni Fan Noli, urimet ma të përzemërta për motin e ri”, në një komunikim të mëvonshëm që e ka nxjerrë Agim Vinca, Jokli i drejtohej Fan Nolit si hirësi”, tregoi studiuesi Alibali.

Ai tutje tregoi edhe vizitën e parë dhe të fundit që Norbert Jokli i bëri Shqipërisë në fund të nëntorit të vitit 1937 ku pritja dhe respekti për të ishin të jashtëzakonshme.

“Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së vendit, Mbreti Zog ia dhuroi Joklit “Medaljen më të lartë të Shqipërisë”, tregoi Alibali.

Në kohërat më të vështira politike që ndikuan edhe në veprimtarinë e Joklit, Shqipëria ishte bërë destinacion për Joklin. Disa nga miqtë e tij shqiptarë që e njihnin punën e tij, ishin Gjovani, Pepo, Noli, Poradeci dhe Konica. Ata ishin përpjekur që ta strehonin Joklin në Shqipëri.

“Raportet e Nolit dhe Konicës dhe mbështetësve të tyre me Norbert Joklin përbëjnë një ndër faqet më të ndritshme në jetën e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Ata iu gjinden Joklit në ditët më të vështira”, tregoi tutje Alibali.

Fundi i jetës së tij është tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë, dy nëpunës të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryn së pari në Sperrgasse e mandej në kazermën Rossauer në Vjenë. Me një letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavini i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për të ndërhyrë nëpërmjet kryeministrit fashist Kruja. Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por për sa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme.

“Norbert Jokli nuk la trashëgimtar, sot nuk ka as varr e megjithatë tërë pasurinë e tij intelektuale ia la popullit shqiptar. Jokli ishte së pari jurist dhe me siguri me shkrim e ka lënë dëshirën e tij të fundit por edhe sot ende nuk e kemi gjetur testamentin e tij”, tregoi Alibali i cili sqaroi se pro konkluzioni për këtë bazohet në atë se vet faqja zyrtare e “Universiteti të Vjenës” e afirmon këtë. Së dyti është dëshmia e Hito Sadikut në bazë të një letre që i ka shkruar Nolit ku shkruhej: “Kam dëgjuar se vite më parë Jokli ka bërë një testament me anë të së cilës bibliotekën e tij të pasur ia falë shtetit shqiptar por bibliotekën më pas ia konfiskuan shqiptarët”. Dëshmia e tretë është ajo nga Eqrem Qabeji: “Karlo Talavini profesor në Itali më tha se profesori Jokli disa muaj para se të zhdukej i kishte thënë atij në Vjenë se gjithë pasurinë shkencore të tij ia ka lënë Shqipërisë”.

Alibali lexoi edhe dëshminë e katërt nga autoritetet gjermane, për të cilës tha se është një dëshmi e palëkundshme. Kjo dëshmi përbëhet nga një letër e 3 qershor të vitit 1942 e nisur nga shefi i Policisë së Sigurimit, ku thuhet se albanologu hebre Jokli mbizotëron një bibliotekë të rrallë shkencore të cilës i përkasin ndër të tjera “Fjalori shqip” me përpunime të hollësishme me dorëshkrim për një përpunim të mëvonshëm si dhe një katalog, si trashëgimtar për këtë bibliotekë të plotë e cila për shkencën gjermane ka një vlerë të lartë, profesor Jokli ka caktuar shtetin shqiptar. / KultPlus.com

Ermal Meta: Para tri vitesh e gjithë kjo ishte e paimagjinueshme

“Deri tre vjet më parë duke shkruar në dhomën time e gjithë kjo ishte e paimagjinueshme, nuk më duket e mundur se është e vërtetë”.

E gjithë kjo për Ermal Metën, është një sukses i merituar, ku u shitën të gjitha biletat për koncertin e tij në Mediolanum Forum të Assago, Itali, ku kantautori jo shumë herë nuk e fshehu emocionin, transmeton ATSH raportimin e Tgcom24.

Njëzetë e tetë këngë në të cilat përshkoi karrierën e tij si dhe një ribashkim i La Fame di Camilla dhe shumë të ftuar; nga Antonello Venditti tek Elisa, nga Jarabe de Palo dhe natyrisht Fabrizio Moro.

Vendet e Forumit janë të gjitha të zëna: ka fëmijë, të rinj, prindër dhe gjyshër. Është publiku i Amici, i Sanremos dhe i rrjeteve sociale që gjatë viteve Ermal Meta ka qenë në gjendje ti bëjë për vete dhe është kujdesur ditë pas dite pa tradhëtuar asnjëherë. Me sinqeritetin e tij të përzier me një drojë të vogël. Dhe tani më në fund mbledh frytet në një mbrëmje që vështirë se do të harrojë. Ai këndon shumë, ai flet pak. Siç na ka mësuar gjithmonë.

Por edhe tregon ndonjë kujtim: “Unë kisha vendosur të mos ëndërroja më, thashë me vete “mbaroj diplomimin “, pasi kisha një provim dhe ende mungon (qesh), pastaj i vendosa duart në piano dhe nuk mendova më për këtë …”.

Pra, këndon “Ka fjalë që fshehin heshtjen …”, publiku në fillim dëgjon në heshtje pastaj shpërthen në një duartrokitje të madhe. Duke valëzuar flamuj të verdhë dhe të zi, ngjyrat e albumit të ri “Non abbiamo armi”. Së bashku me Fabrizio Moro, pas fitores në Sanremo falë “Non mi avete fatto niente”, do ta çojë atë në skenën e Eurovision më 12 maj.

Mes njerëzve fshihen fansa si Ambra Angiolini dhe Francesca Michielin. Mes dueteve, këngëve dhe hiteve të vjetra vjen momenti i falënderimit për “herë të parë” të tij në Forum, për muzikantët, për shtëpinë diskografike Mescal që besoi tek ai, ndaj miqve dhe natyrisht për publikun, “pa ju do të isha askushi”.

Kantautori italian Ermal Meta ka marrë pjesë në tre edicione të Festivalit të Sanremos, ku në edicionin e këtij viti fitoi edhe çmimin e parë me këngën “Non mi avete fatto niente”, së bashku me këngëtarin italian Francesco Moro.

Ermal Meta 13 vite më parë u largua nga Shqipëria për në Itali. Ai ka qenë anëtar i grupit muzikor italian “Ameba4” dhe “La Fame di Camilla”. Pasi kompozoi këngë për disa artistë italianë, ai filloi karrierën e tij solo, duke nxjerrë edhe albumet Umano (2016) dhe Vietato morire (2017) dhe “Non abbiamo armi”, (2018). Ai ka rrëmbyer edhe çmimin ‘MTV Europe Music Awards’./ KultPlus.com

Dyndje turistësh në Muzeun e Krujës, 1 mijë vizitorë vetëm në një ditë

Monumentet e kulturës po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen dhe interesin e vizitorëve vendas, e sidomos të huajve.

Institucionet përkatëse për monumentet e kulturës këtë vit kanë bërë të mundur që çdo të diele të fund muajit dhe ditët e festave hyrja në këto institucione trashëgimie të jetë falas për vizitorët.

Kjo nisëm e ndërmarrë bën të mundur rritjen e numrit të vizitorëve shqiptarë dhe të huaj në këto vende atraksioni dhe historie.

Mbi 1 mijë vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë, vetëm këtë të diele të fundit të muajit prill, raporton ATSH.

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja./ KultPlus.com

Zbulohen fotografitë, si u hap arkivoli i Avni Rustemit pas 58 vitesh

Ish-drejtori i arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar disa foto të rralla Avni Rustemit. Sipas tij fotot i përkasin viteve 1924, vdekja dhe 1982 hapja e arkëmortit.

“Më 20 prill 1924 Avni Rustemi u plagos nga Isuf Reçi. Dy ditë më vonë nga plaga e vetme e marrë vdiq në spitalin e Tiranës. U desh viti 1982 kur për varrin e Avni Rustemit u interesua ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Trupi i Avni Rustemit ishte balsamosur me shumë cilësi nga doktor Sazai Çomo”, -shkruan ai në Facebook.

Avni Rustemi në dy foto të viteve 1924 dhe 1982./ KultPlus.com

Ka vdekur aktorja Pamela Gidley

Ylli i “Twin Peaks”, Pamela Gidley ka humbur jetën në moshën 52-vjeçare.

Vdekja e Gidley u njoftua të dielën në një nekrologji. Thuhet se “vdiq në mënyrë paqësore në shtëpinë e saj, të hënën, më 16 prill 2018 në Seabrook.” Shkaku i vdekjes nuk ishte menjëherë i qartë, raporton Time.

Gidley u quajt gruaja më e bukur në botë pasi luajti rolin e Teresa Banks në filmin ‘Twin Peaks, Fire Walk with Me’ në vitin 1992./ KultPlus.com

“Kosova Brass Festival” edhe ketë vit me emra botëror

“Kosova Brass Festival” këtë vit fillon më herët se edicionet e kaluara. Edicioni i tretë i festivalit të tunxhit këtë vit fillon më 2 maj në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Edhe këtë vit festivali do të organizohet dhe mbahet në disa etapa. Etapa e parë fillon me “Java e trumpetës dhe ansamblit të tunxhit”. Kjo javë e cila do të zgjas nga 2 deri me 6 maj, vjen si rezultat i bashkëpunimit të festivalit me “World & European Brass Association”. Gjatë javës së trumpetës dhe ansamblit të tunxhit do të mbajnë masterklasë profesorët dhe instrumentistët me renome botërore, prof. Otto Sauter dhe prof. Daniel Crespo.

Profesori Otto Sauter është trumpetist solist ndërkombëtar dhe drejtor artistic i “Ëorld & European Brass Association” ndërsa profesori Daniel Crespo është trumpetist i parë në Filhramoninë e Teatro Colón dhe profesor i trumpetës në konzervatorin Franz Liszt në Buenos Aires – Argjentinë.

Masterklaset mbahen në sallën e Filharmonisë së Kosovës dhe do të jenë të hapura për gjithë studentët dhe nxënësit dhe instrumentistët e tunxhit në vend.

Ky festival që do të filloi në fillim të muajit maj, ogranizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit Avni Krasniqi dhe Betim Krasniqi./ KultPlus.com

Ali Podrimja: Vetëm ose Hamlet i sëmurë

Nga Ali Podrimja.

Pak po më jep, jeta ime,
e tepër po lyp nga Unë.
Të të jap s’mundem më
tepër,
se sa të të ngre në këmbë.
S’mundem më tepër se sa
të të jap emër,
se sa të të mësoj të ecësh
kah e vërtetë, kah njerëzit,
se sa kohën time për ta
falur,
durimin e gurit, zjarrin,
kaltrinë.
S’mundem më tepër të të
jap
e ti tepër po lyp nga Unë.
Ne mes të verbërve vetëm
jam,
në mes të hijeve,
perëndive.
Vetëm para vetvetes
e hapësisë e murit,
para dashurisë e urrejtjes
vetëm.
Po ti tepër po lyp nga Unë
e pak po më jep, jeta ime.
0 Hamlet, o Hamlet, po vijnë mjekët me mantele
të bardha,
me mantele të zeza po
vijnë, për të të shëruar,
kokë e pafjetur e botës.

SARAH – Të marrësh seriozisht një grua

Albanikë Ymeri

(Alfred Peza: “Sarah”, “Mapo”, Tiranë, 2017)

Është e çuditshme, ndoshta edhe admiruese, freskia që një femër enigmatike, siç ishte Sarah Blloshmi, solli në botëkuptimin e jetës shqiptare, të viteve ’20 -’30 të shekullit të kaluar. Libri me të njëjtin titull, si personazhi kryesor, nuk ka të bëjë aspak me Sarën biblike, por me Sarën reale, femrën intriguese, që nuk e duroi assesi jetën brenda rregullave. Pra, kuptimi esencial dhe intencional i veprës përmblidhet në vetë titullin e këtij romani, sepse Sarah, nuk është një grua dosido, ajo bëhet muzë e një mode dhe i një mentaliteti të ri, duke ndryshuar përgjithmonë ishullimin kulturor shqiptar.

Autori i saj, Alfred Peza, i rikthehet historisë, por këtë herë jo për t’i rilindur ndjenjat patriotike, por ato të dashurisë, nga të cilat do të niset rruga e modernitetit në shoqërinë shqiptare. Autorit i mjaftojnë dy personazhe reale, siç janë Ahmet Zogu dhe Sarah Blloshmi, që pastaj romani të shkëlqejë me rrëfimin fiksues, që përveç tjerash dallohet në ç’mitizimin e figurave të njohura të kohës, por edhe të mentalitetit tonë. Kjo do të thotë se romani sjell një atmosferë historike, që ndërthuret me narracionin kreativ, që pastaj marrin formë sintetike, për të dëshmuar fuqinë e gruas, të quajtur Sarah.

Vepra fillon me një kllapi kolektive, ku zëri me i rëndësishëm, në mesin e të tjerëve, ishte ai i Ahmet Beut, për t’u pasuar me shtjellimin e ngjarjes që ka ndodhur, në prag të vitit 1926, pas festës së vallëzimit në ambasadën amerikane. Pikërisht këtu, në këtë festë, ndodh kthesa e madhe kulturore, për herë të parë në Shqipëri, një grua myslimane vallëzon në publik:

” .. ende s’po bëheshin të ndërgjegjshme, se shkundja e tyre e gjymtyrëve, sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë…”.

Por, ajo më e rëndësishmja, është se, emrat e lakuar historik të Ahmet Beut dhe Sarës, nuk mbesin vetëm portrete reale, atyre iu mëveshët edhe portreti poetik, me ç’rast, artistikja do të shpalos shpirtësinë e tyre përmes rrëfimit të historisë së supozuar të dashurisë.

Ahmet Beu, një ministër, kryeministër, pastaj edhe mbret, do të përulet para së bukurës, inteligjencës dhe sharmit të Sarah Blloshmit, arsyeja e vetme që Mbreti do e shtynte vazhdimisht martesën. Në anën tjetër Sarah, një grua e lirë, që nuk dëgjonte se çfarë thoshte bota, e cila bashkëjetonte me Selahudin Blloshmin, një oficer dhe deputet i shquar, i cili kishte pasur një martesë jo të mirë, por që tani ata, ai bashkë me Sarën, jetonin një jetë të thjeshtë dhe të lumtur, sepse burri i lejonte gruas të ishte vetvetja.

Mendoj se linja e rrëfimit të idilit të dashurisë, përshkrimet e takimeve të fshehta, me plot emocione dhe butësi, zbukurimi i pallatit deri në detajin më të vogël, përzgjedhja e kostumeve, delikatesa në sjellje dhe fjalë, mbështetja dhe përkushtimi ndaj Sarës, janë pjesë artistike, që brenda çdo lexuesi zgjojnë simpatinë ndaj figurës së Zogut, por njëkohësisht edhe kureshtjen se çka do të ndodhë në vazhdim të romanit. Prandaj, këto pamje, jo vetëm që tregojnë për rëndësinë e Sarës, por edhe e lartësojnë figurën e Mbretit Zog.

Sepse një qëndrim të tillë, të një zotërie, duhet ta ketë çdo burrë përballë një gruaje, sepse Mbreti është i vetëdijshëm se vetëm duke e ngritur mitin e gruas, do të arrihet që të rrëzohen qindra vitet e një historie të shkuar dem, prej miteve mashkullore.

Një ç’mitizim i radhës, do t’i bëhet edhe njërës nga figurat më të rëndësishme të kohës, personalitetit të Faik Konicës, që në vepër është Fuad Beu, i cili mund të konsiderohet edhe si personazh ideografik i autorit, pasi që tek ai alternohen mendimet dhe idetë autoriale rreth përparimit të shoqërisë sonë. Por, këtë herë rivaliteti i tyre, pra, ai, i Ahmet Zogut dhe Fuad Beut, nuk shfaqet për pushtet, por për një grua, për Sarah Blloshmin, që siç duket Fuad Beu e humbi atë dy herë rresht, herën e parë nga Selahudini dhe të dytën nga Zogu.

Mirëpo, përveç romancës, që ngërthen një pjesë të madhe të rrëfimit, brenda veprës thuren intriga të thella njerëzore, që lidhen me vdekjen e burrit të Sarës, vetëm një vit pas shpalljes së Mbretërisë, ndërkohë që ajo ishte e preferuara e Ahmet Zogut në ballot e tij. Kjo pjesë e mistershme, të rikujton filmat kriminalistikë, apo deshifrimin e shenjave të krimit që i hasim edhe tek “Emri i Trëndafilit”, është pjesa, ku autori, futet në botën e mirëfilltë të trillimit artistik, e cila zbulon prapavijën e kurtheve për marrjen e pushtetit. Por brenda botës polivalente të kësaj vepre, hasim edhe motive të erotikes, të misterit, të tradhtisë dhe të hakmarrjes.

Ndërsa sa i përket stilit, ky roman, nuk posedon një gjuhë të figurshme, por shquhet për përdorime të shpeshta të frazave popullore, ndjek një strukturë kronologjike të paraqitjes së ngjarjeve, të cilat rrokin fenomene negative shoqërore, të kohës së kaluar, të së tashmes, që assesi s’duhen të jenë të trashëguara edhe në të ardhmen. Mirëpo, ajo çka para se gjithash e shquan librin “Sarah”, është mënyra, se si autori ka arritur t’i paraqes personazhet nga një elitë e lartë shoqërore, në një version më të thjeshtë, më të afërt, dhe më njerëzor për lexuesin.

Dhe fare në fund, nëse qëllimi autorial, ishte që përmes Sarës të tregohet fuqia e një gruaje, atëherë këtë edhe e ka arritur mjaft mirë autori, ngase “Sarah” (si vepër dhe si personazh) është sinonimi më i gjetur për të treguar se çfarë ndodh, kur një femër merret seriozisht, atëherë ndodh e papritura: ndryshon e tërë historia; sepse të takosh Sarën do të thotë të takosh një grua të lirë.

Mirëpo, nëse domosdoshmërish, në propagandën për përparimin e shoqërisë, në lojë vihen edhe identitetet fetare, them që këtu, duhet pasur më shumë kujdes, sepse nëse Evropa është multikulturore, a s’duhet të ishte edhe multifetare?!!

Por kjo, gjithsesi që i takon lexuesit të vendos, pasi ta lexojë veprën, në duhet të i përqafojë idetë e autorit, a t’i kundërshtojë ose t’i abstenojë ato, dhe të presë të ardhmen për t’u formuar, e pastaj pranuar pa asnjë brejtje të ndërgjegjes, atë që nuk është si ti, që është ndryshe, që mundet me qenë një Sarah, ose jo!

(Autorja është studente në Fakultetin e Filologjisë, “Hasan Prishtina”, në Degën e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën,“Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të pare)./ KultPlus.com

94 vite nga ceremonia e varrimit të Avni Rustemit

Më 30 prill 1924, u mbajt ceremonia e varrimit të Avni Rustemit.

Në këtë ceremoni morën pjesë 300 përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. / KultPlus.com

Më 30 prill 1924, u mbajt ceremonia e varrimit të Avni Rustemit. Në këtë ceremoni morën pjesë 300 përfaqësues nga e…

Gepostet von Micky Haxhiislami am Sonntag, 29. April 2018

Nga ligjërata e yllit të arkitekturës, Calatrava në Universitetin e St. Gallenit

Santiago Calatrava është i njohur për rinovimet dhe ndërtesat e reja si psh. stacionet e trenit futuristic-looking: Zurich Stadelhofen (1990) stacioni hekurudhor, stacioni i trenit e Liège-Guillemins (2009), Gare de Lyon Saint-Exupéry (1994), PATH (2016).

Santiago Calatrava, arkitekti i madh spanjollo-zviceran, një ndër më të mdhenjtë e arkitekturës bashkëkohore, mbajti më 26 prill në Universitetin e St. Gallenit, në Zvicër një ligjëratë me temen: Religjioni dhe politika në arkitekturë.

Calatrava është i njohur për rinovimet dhe ndërtesat e reja si psh. stacionet e trenit futuristic-looking: Zurich Stadelhofen (1990) stacioni hekurudhor, stacioni i trenit e Liège-Guillemins (2009), Gare de Lyon Saint-Exupéry (1994), PATH (2016).

Ai për bazë, ka njohuritë e tij inxhinierike me qasje funksionale praktike të cilave u jep një dizajn futuristik si dhe vulën e tij të patjetërsueshme për të projektuar ndërtesa teknikisht spektakolare. Shpesh, ai motivohet nga strukturat natyrale (gjethe, skelete ose krahë). Dizajni elegant i bën veprat e tij menjëherë të njohura, por ato kanë edhe koston relativisht te lartë të ndërtimit.

Një pyetjeje të një studenti të ekonomisë, nëse për arkitektin e njohur, kostoja e lartë e objekteve të tij, është profesionalisht etike, politike dhe sociale, ai i përgjigjet me: absolutisht po, një objekt parashihet t`i amortizojë shpenzimet e ndërtimit për afro 30 vjet. Hagia Sophia si ndërtim brilant bizantin nga shek. VI, a thua sa herë nxori shpenzimet e ndërtimit? Hagia Sophia paraqet për arkitektin e madh një si “Partenon të Ortodoksisë” shpesh një frymëzim për veprat e tij.

Calatrava thotë se te objektet sakrale, simbolika dhe ndjenja që ato përçojnë është më e rëndësishme se sa vetë funksionaliteti.

Calatrava ka projektuar në Ground Zero në Nju Jork (World Trade Center (stacioni PATH) si një figurë zogu gjigant. Gjithashtu në Ground Zero Calatrava fitoi konkursin për pasuesin e kishës ortodokse greke të Shën Nikollës, gjersa edhe këtu, Hagia Sophia i shërbyeu Calatravas si frymëzim. Fasada e jashtme e mermerit të bardhë ndriçohet nga brenda. Shën Nikolla është e vetmja strukturë josekulare në trollin e Memorandumit të 11 Shtatorit në Parkun e Lirisë në Nju Jork.

Veprat e tij, qofshin për nga volumi të mëdha ose të vogla, për shkakun e efektit skulpturor të strukturës së tyre, dalin spektakulare dhe futuristike. Bile edhe një strehë e një stacioni të vogël autobusësh lokal në St.Gallen mban vulën e artit tij prej mjeshtri. Edhe një dëshmi që arkitektin e bën të madh, e jashtë-zakonshmja dhe e bukura e kombinuar me funksionalen e jo volumi i veprave të tij./ KultPlus.com

Sot prezantohet “Fjalor etimologjik i shkruar nga albanologu Norbert Jokl” nga Agron Alibali

Sot, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, bëhet prezantimi i një gjetjeje të rrallë nga autori Agron Alibali “Fjalor etimologjik i shkruar nga albanologu Norbert Jokl”, shkruan KultPlus.

Autori Alibali materialin e ka gjetur pas kërkimeve në Bibliotekën Kombëtare në Vjenë dhe sot pritet t’ua dhurojë të njëjtin në formë CD-je Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve.

Promovimi do të mbahet sot, më 30 prill, në Bibliotekën Kombëtare, në orën 14:00./ KultPlus.com

Kori Sinodal i Moskës, koncert në Berat

Kori Sinodal i Moskës performoi në qytetin e Beratit, në qendrën kulturore “Margarita Tutulani”, me rastin e vizitës së parë në Shqipëri të Patriarkut rus, Kirili.

Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë shumë besimtarë ortodoksë, ishin të ftuar edhe drejtues të pushtetit vendor.
Përmes koncertit, kori i Kishës së Moskës solli këngë me tema të liturgjisë së Kishës Ortodokse. Për rreth dy orë, pjesëmarrësit dëgjuan dhe duartrokitën me nostalgji performancën në gjuhën ruse.

Nënkryetarja e bashkisë, Teuta Muçogllava tha se jo më kot u zgjodh Berati si qyteti i mbajtjes së këtij eventi, pasi ai është simbol i harmonisë fetare në Shqipëri, vendi i cili vizitohet për herë të parë nga Patriarku rus, Kirili.

Kjo veprimtari u pasua edhe me vizita e shëtitje në qytetin e UNESCO-s, ku nuk munguan edhe takimet me shumë nostalgjikë, të cilët komunikonin në gjuhën ruse me vizitorët nga Moska./a.a//m.m/