Si e ruajti Gjergj Kastrioti atdhedashurinë?

Nga Gjon KEKA

Është tepër interesante se si prindërit e Gjergj Kastriotit – Gjoni dhe Vojsava e kishin rrënjosur tek fëmijët e tyre atdhedashurinë, mosharresën e vendit ku ata kanë lindur dhe ku kanë paraardhësit e tyre. Kjo bimë e patriotizmit të Kastriotëve që ishte mbjellë në zemrat e brezave rritej vazhdimisht sidomos në zemrën e Gjergj Kastriotit edhe përkundër asaj se ai trupërisht rritej në oborrin e sulltanit pa dëshirën e tij, në brendësinë e tij rritej fara që e kishin mbjellë prindërit e tij.

Kjo u pa posaçërisht me rikthimin e tij në Krujë dhe çlirimin e atdheut të tij nga prangat e pushtuesit turk.

Duhet ditur se kur Gjergj Kastrioti ishte dhënë pa dëshirën e tij si pengë në oborrin e Sulltanit dhe formimi i tij si një Jeniçerë otoman brenda këtij oborri të hekurtë dhe të barbarisë. Siç dihet trupat e quajtuara Jeniçerë (Yeni Çeri) ose trupa të ri të formuara nga Sulltan Orhani i cili rekrutonte sipas nevojës në këto trupa prej moshës tetë vjeçare deri në moshën njezetëvjeçare, më pas nga Sulltanët tjerë pasardhës kryesisht të rekrutuarit ishin femijë të marrur pengë nga fshatrat e të gjitha popujve të Gadishullit Ilirik, por më së shumti brenda këtyre trupave kishte shqiptarë që ishin marrë pengë nga Sulltani. Siç shkruan H.Gstrein në librin e tij , ”Shqipëria”më 1989, këta fëmijë “u morën me forcë nga fshatrat …dhe u mbyllën në kazermë. Ata u rrahën dhe u torturuan derisa ata kishin humbur gjithë kujtesën për prindërit e tyre, të atdheut të tyre, dhe të fesë së tyre. Të gjitha i bënë “skllevër të armëve”, por ata edhe mund të ngjiteshin në zyrat e Sulltanatit ,si dhe të merrnin pozita më të larta.”

Edhe Gjergj Kastrioti ishte rritë në këto Kazerma të Sulltanit, poashtu edhe ndaj tij ishin përdorur të gjitha mjetet për t’ia shlyer nga truri i tij Arbërinë, prindërit, atdhedashurinë dhe farën që i kishin mbjellë Prindërit e tij. Metodat ishin të njëjta për të gjithë nuk kishte dallim edhe pse Gjergj Kastrioti i quajtur më pas Skënder-Bej nga Sulltani sipas Pozitës, por është e qartë se metodat e dhunës në këto kazerma i kishte përjetuar edhe ai në trupin dhe psikikën e tij,në shpirtin e tij.Mirëpo edhe përkundër gjithë kësaj makinerie të egër brenda Kazermës së Sulltanit ku dhunoheshin dhe i bëhej shlyerja e kombit të tyre, identitetit dhe fesë së tyre nga truri dhe zemra ,atij nuk kishte arritë kjo makineri e egër t’ia shlynte nga truri atëdhedashurinë, paraardhësit ,rrënjët e atdheut të tij – fjalët që Prindërit kishin mbjellë në mendjen dhe zemrën e tij. Nga kjo mund të thuhet se Gjergj Kastrioti është rast i vetëm në grushtinë e trupave të Jeniçerëve që nuk arritën t’ia shlyejnë nga truri dhe të ja nxjerrin nga zemra dashurinë për atdheun, identitetin, besimin, vlerat dhe kulturën arbnore si dhe paraardhësit e tij të lashtë. Prandaj Gjergj Kastrioti është shembull se si qielli dhe toka arbnore arriti ta ruaj për vete këtë hyjnor për t’ia këputur zingjirët atdheut të tij dhe për ta bërë atë kryeqendra mbrojtëse europiane ose pika strategjike e kontinentit Europian,sepse për aq kohës sa jetoi e mbrojti tërë Kontinentin e familjes Europiane dhe civilizimin e saj.

Mungon kritika, por a kemi…?

Shkruan: Çapajev Gjokutaj

Mungon kritika, qarje e qëmotshme, gati-gati refren në ligjërimin tonë për letërsinë. Përtej ankimit dhe qarjes, është mbase më konstruktive të diskutojmë shkaqet.

Mungon kritika, po a ekziston leximi? Ka rënë dukshëm, thonë disa, brezi i ri nuk lexon, ku ne e ku këta! Dhe si argument sjellin tirazhet. Atëhere librat e mirë botoheshin në 20 mijë kopje dhe shpesh nuk i gjeje, një pjesë shiteshin nën banak, për miq e të njohur. Ka rënë leximi, po janë shtuar dukshëm titujt, kundërshtojnë disa.

Hajde e gjeje cila është e vërtetë! Si edhe në fusha të tjera mungojnë të dhënat empirike. Diskutojmë me hamendje. Në shkencë ky lloj diskutimi quhet edhe spekullim.

Mirë leximin individual nuk e masim, po pse e kemi aq të mekët leximin publik? Nuk i praktikojnë grupet apo klubet e leximit. Të rralla e tejet formale janë takimet me autorin, leximi prej tij në auditor. Kemi radiot dhe televizione tëshumta, por leximi i letërsisë në to është i munguari i madh. Këto dhe forma të tjera të leximit publik, do nxisnin artikulim publik për këtë apo atë vepër, këtë apo atë shkrimtar.

Mungon kritika, por a ekzistojnë mediumet që e kërkojnë, e nxisin, e gjenerojnë. Bashkë me kritikën mungojnë edhe revistat a gazetat e specializuara. Ashtu siç mungojnë edhe rubrikat serioze në media me emër, gazeta a televizione qofshin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë lexuesit e kualifikuar e të artikuluar. Lexues, që seleksionojnë e nxjerrin në pah, qoftë me një reçensë a qoftë edhe me vetëm një referencë, vlerat që hidhen në qarkullim, ndihmojnë të orientohet masa e lexuesve të thjeshtë, e bëjnë më të lehtë ndarjen e drithit nga byku e kashta e botimeve. Me gjasë këta lexues të kualifikuar ekzistojnë, por nuk përqëndrohen aq tek vlerat që krijohen në shqip. Dhe në një farë mase është e kuptueshme. Jetojmë në kihën kur librin e mirë, që bën emër në NY, Londër a Paris mund ta blesh në variant elektronik njëkohësisht njoujorkezin a londinezin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë kritikët? Eshtë profesion jo fort i lehtë, kërkon specializim të hollë, erudicion e shije të rafinura. Sa punojmë për t’i përgatutur në kurse universitare e pasuniversitare, ç’institucione shkencore kemi?

Kjo është vetëm njera anë e mungesë a pengesës. Ana institucionale. Por egziston dhe ana etike: jemi vënd i vogël, ndajmë të njëjtat hapsira, jo aq e lehtë të vlerësosh tjetrin, pa u ndruajtur a frenuar.

Mungon kritika, po a kemi letërsi? Eshtë vështirë të përgjigjesh. E sigurt është se kemi një vërshim botimesh të paguar nga vetë autorët, pa kurrfarë seleksionimi, sipas parimit ‘zhgarravit, paguaj e boto’. Mes këtij byku të shumtë nuk është lehtë të gjesh drithin letrar. Mund të humbasë e të përfundojë në sosmë. Për më tepër se fjala, qoftë edhe ajo letrare, nuk ka më peshën e dikurshme, i ka hyrë rendshëm në pjesë imazhi. Edhe spektakli.

E me që është koha e e spektaklit, s’na mbrtet gjëveçse të performojmë qarjet ‘mungon kritika’.

Partia Radikale Serbe dëshiron ta pengojë festivalin ‘Mirëdita, dobar dan!’

Edhe këtë vit do të mbahet ‘Mirëdita Dobar Dan’, festivali që prezanton kulturën e Kosovës në Beograd.

Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita Dobar Dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë.

Këtë vit, siç raporton N1 në Serbi, SRS – Partia Radikale Serbe, po planifikon ta ndalojë mbajtjen e këtij festivali, nga 30 maji deri me 2 qershor.

“Partia Radikale Serbe është si një zëdhënëse që shpërndanë lajme dhe kësisoj edhe është zëri i shumicës” thotë Bojana Pavlovic, gazetare e KRIK.

Vitin e kaluar festivalin provuan ta ndalonin militantët e organizatës Zavetnici, pasi u lajmërua se në festival do të fliste edhe Atifete Jahjaga.

Ende nuk është bërë i ditur për këtë vit programi i festivalit i cili gjithmonë ka një karizëm dhe një paraqitje dinjitoze në Beograd, gjithmonë me qëllimin më të vogël për provokim politik.

Për mundësinë që Partia Radikale e Serbisë të kërcënojë festivalin, ka reaguar Nisma për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Organizata ka thënë se pret nga Policia të ndërhyjë aty ku ka nevojë dhe se ‘Mirëdita Dobar Dan’ është festival kulturor që asnjëherë nuk përçon mesazhe kërcënuese apo politike në mes të dy vendeve.

KultPlus edhe këtë vit do të jetë pjesë e këtij festivali dhe do t`iu sjellë më të rejat nga Beogradi dhe zhvillimet atje gjatë ditëve kur mbahet festivali. / KultPlus.com

Kërcnimi

Poezi nga Azem Shkreli

Mbramë…
Ku thehen krahët e gëzimit
E diell’ i jetës tret mbas malit
Hijen tande e pashë
Ngadalë kah unë tue u matë.

Mbramë,
Në cakun e të gjitha caqeve
Ku fjala e kamba ngrihen,
Në përshpëritjen tande tinëzake
Heret, shumë heret e ndjeva
Emnin e vogël t’kurrkushit,
Edhe hijen time kah përpëlitet si gjet i vramë
E pashë ndër dhamb’ t’përgjakun…

Mbramë…

E tash
Shpeshherë po e ndjej
Shushuritjen e kambëve t’tua
Livadheve t’gjoksit tim,
Dhe e dij:
– Dikund…
– Ti po vjen
– Me hapa të mdhej sa vjeti.

Kënga “Girls” zbulon orientimin seksual të Rita Orës

Këngëtarja shqiptare,Rita Ora së fundmi ka dhënë një deklaratë me anë të se cilës ka treguar se është biseksuale.

Ajo ka dhënë një intervistë për revistën “People”, ku ka folur për herë të parë në lidhje me këtë fakt.

Pak kohë pas publimit të këngës së saj të re “LGBT Anthem’ Girls”, Rita Ora ka zbuluar se është biseksuale.

Këngëtarja 27-vjeçare ka treguar se në të kaluarën ka pasur eksperienca edhe me meshkuj dhe me femra, shkruan noa.
“Jam biseksuale 50/50 dhe nuk do ta fsheh. Nuk po fsheh çfarë jam apo kush jam”, u shpreh Rita Ora për revistën “People”.

Eugent Bushpepa fuqishëm edhe në performancën e sotme para jurisë ndërkombëtare (VIDEO)

Po afrohen orët deri në natën e madhe të finales së Eurovisionit. Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, po përfaqson Shqipërinë këtë vit në Eurovision, ndërsa para tri netve arriti ta dërgojë atë në finale, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjellë një video nga performanca e Bushpepes për juritë ndërkombëtare që përbëjnë 50% të votimit total. Këtë vit në Eurovision do të marrin pjesë tre shqiptarë, te cilët përfaqësojnë flamuj të ndryshëm. Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë, Ermal Meta Italinë dhe Eleni Furera Qipron.

Të shtunën në mbrëmje i pari ndër ta do të këndojë Bushpepa, i 12-ti në renditje, ndërsa Furera dhe Meta do të këndojnë në fund, përkatësisht në vendin e 24-ërt dhe 25-së. Këngët e tyre mjaftë të vlerësuara, sjellin histori jetësore, ngjarje emigracioni të vendit të vogël të Ballkanit gjatë tre dakadave të fundit. Performancat e tyre kanë qenë ndër më të vlerësuarat nga mediat në festival. Natën finale në Lisbonë do ta çeli Ukraina./ KultPlus.com

Aurela Gaçe lanson këngën “Të dua” (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Aurela Gaçe ka prezantuar këngën e saj më të re, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është baladë dhe është e shoqëruar edhe me videoklip, kurse duke pasë parasysh stilin e këngëtares Aurela Gaçe, edhe kënga e re përpos që shihet të jetë e fuqishme, ka edhe një tekst mjaft të bukur.

KultPlus sjellë këtë këngë për adhuruesit e Aurela Gaçes./KultPlus.com

Tre shqiptarët që po ‘dridhin’ skenën e Eurovizionit, së bashku në një fotografi (FOTO)

Është publikuar fotografia e shumë pritur nga tre shqiptarët që po marrin pjesë në Eurovizion 2018-të, shkruan KultPlus.

Eugent Bushpepa, Eleni Foureira dhe Ermal Meta janë shqiptarët që po përfaqësojnë tri shtete të ndryshme në këtë garë të madhe.

Në skenën e Eurovizion-it, i cili sivjet po mbahet në Lisbonë të Portugalisë, nën flamurin e Shqipërisë po paraqitet Eugent Bushpepa, në atë të Qipros Eleni Foureira ndërsa atë të Italisë Ermal Meta.

Që të tre janë në finale e cila mbahet nesër më 12 maj me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

‘Nëse e fiton Eleni Foureira Eurovisionin do ta organizojmë një spektakël në Qipro’

Nesër në mbrëmje do mbahet finalja e madhe e festivalit “Eurovision” që këtë vit mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Edicioni i këtij viti është i veçantë për shqiptarët, pasi marrin pjesë tre këngëtarë shqiptarë që përfaqësojnë tre shtete të ndryshme.

Këngëtarja e lindur në Shqipëri që përfaqëson Qipron Eleni Foureira është kualifikuar për në finale dhe ministri qipriot i Financave Harris Georgiades ka thënë se nëse Qipro fiton Eurovision ai do të ‘hapë’ arkën e shtetit.
Deklarata e ministrit qipriot ka ardhur pas debateve të qipriotëve se nëse fitojnë Evrovizionin vendi nuk do e përballojë koston e organizmit të këtij evenimenti vitin tjetër.

Kompanitë e basteve parashikojnë 31-vjeçaren shqiptare, Eleni Foureira si pretendente për të fituar Eurovision 2018. Ministri qipriot tha se vajza e tij 10-vjecare është fanse e këngëtares që përfaqëson Qipron.

“Unë shpresoj që të kemi sukses. Sa i përket shqetësimeve, doja të thoja se pjesa financiare nuk është problem. Nëse ne fitojmë, do hapim kasafortën dhe kjo nuk është diçka që unë e them shpesh. Siç kanë bërë shtetet e tjera me organizimin do të bëjmë edhe ne”- ka thënë ministri Harris Georgiades.

Azerbajxhani mban vendin e parë për më shumë shpenzime në organizimin e Eurovision në vitin 2012 ku u shpenzuan 54 milion euro për ndërtimin e Sallës së Kristaltë. Festivalin e ndjekin rreth 180 milion shikues nga e gjithë bota dhe përfitimet për vendin që e organizon janë të mëdha, pasi përveç promovimit të shtetit ka një numër të madh turistësh që e vizitojnë. / KultPlus.com

‘HANA’ i regjisorit Ujkan Hysaj mbështetet nga Agjensia Maqedonase e Filmit

Agjensia Maqedonase e Filmit sapo ka publikuar rezultatet e projekteve filmike fituese të konkursit të tyre të fundit ku projekti filmik HANA i regjisorit Ujkan Hysaj është njëri ndër ta.

HANA me skenar nga Fadil Hysaj dhe producent Kushtrim Koliqi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2017 dhe për temë ka Sarën, një aktore e dhunuar gjatë luftës në Kosovë e që bëhet protagoniste e një filmi të huaj që ka për temë dhunimin. Ndërsa përjeton të njëjtat situata, më në fund arrin të lirojë veten nga trauma e saj.

Ky është i katërti projekt filmik nga Kosova që mbrenda një viti gjejnë mbështetjen nga Maqedonia. / KultPlus.com

Nesër në Prishtinë promovohet ‘Shënime nga bodrumi’ e Dostojevskit

“Shënime nga bodrumi” asht i pari botim nga veprat e Dostojevskit që ka përkthye Nazim Saiti (1941 – 2001). E mbajtun si vepra e parë me të cilën identifikohet ekzistencializmi, asht një evokim i autenticitetit të njeriut që mundet me eksplorue përmbrendësisht t’kenit njeri qoftë edhe në amulli.

Vepra do të promovohet nesër në Soma Book Station, 12 maj, prej orës 16:30.

Përkthimi i kësaj vepre asht ba në kushte edhe ma të skajshme nga ç’kuptohet me amulli: përkthyesi e ka tejbartë nga rusishtja në standardin me bazë gegnishten gjatë kohës që vuente dënimin në Burgun e Burrelit, më 1978.
Prezantimin do ta bajnë Sait Saiti, i biri i përkthyesit, me një sprovë trajtuese të përkthimit në kushtet e një regjimi totalitar – dhe posaçërisht në realitetin e regjimit komunist në Shqipni, tuj përshkrue elemente nga elementët biografikë të përkthyesit dhe qasjet e tij mbi gjuhën.

Përkimi se si Dostojevski “u çmend” prej burgimit dhe ky përkthim vjen po në po atë mënyrë të çmendun, ma shumë se ironik asht diktues i njëfarë fatum-i a kismeti… për të cilin ju ftojmë për një orë në Soma Book Station. / KultPlus.com

Po vdes nanë, sot po vdes

Meti Fidani, kushtuar Marie Tuçit.

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kanë futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kanë mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kanë ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kanë mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku

as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

(Një e burgosur, e cila ndau qelinë me Marijen dëshmon se nuk kishin ndërresa dhe vetëm një herë të afërmit e Maries u lejuan të sjellin rroba për të, dhe këto ajo i ndau me shoqen e saj.
Një tjetër dëshmitare e asaj kohe, e cila ndau dy muaj të dënimit me të, shprehej se e vetmja mënyrë per tu ngrohur në qeli ishte përqafimi me njëra-tjetrën)

Thatësira

Dritëro Agolli

Të bjerë një shi,
Një shi i madh i paparë,
Të na lajë të gjithëve
Në asfalt, a në arë.

S’e durojmë vapën me miza
Dhe erën e djersës sonë
Të zbritur nga qafa tek kërthiza
Kur dergjemi në dhomë.

Përvëluar prej diellit
Zogjtë cicërojnë në plepat
Dhe lart drejt qiellit
I ngrenë përhumbur sqepat.

Të bjerë një shi…

2006

Magjia e folklorit dhe valleve evropiane vjen në Vlorë

Qyteti i Vlorës mirëpret edicionin e 10 -të “Aulona Inter Folk Festival”, i cili do të nis një festë tre ditore nga 12 maj deri më 14 maj.

Festivali do të zhvillohet në sheshin ”Lungomare”, Skelë dhe do të përfundojë me hapjen e sezonit turistik të vitit 2018.

Për tre mbrëmje qyteti i Vlorës do të jetë nën ritmin e traditës kulturore, me këngë dhe valle popullore nga vende si Shqipëria, Bullgaria, Italia, Letonia, Greqia, Sllovakia, Kina, Kosova.

Ky festival është një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian dhe botëror dhe një promovim fantastik i sezonit turistik në qytetin bregdetar.

Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona” në Vlorë, me mbështetjen kryesore të Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Një grua e pjekur

RENACER HUMANO / Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua.

Fituesi i Eurosong 2017 e kritikon këngën e Izraelit këtë vit

Fituesi i Eurovizionit të kaluar, Salvador Sobral, e ka kritikuar këngën e Izraelit këtë vit në Eurovizion duke e quajtur atë të tmerrshme.

Këngëtarit portugez nuk i ka pëlqyer aspak kënga e Izraelit nga këngëtarja Netta dhe “vallëzimi i pulave”.
Netta dhe kënga TOY në fakt është favoritja e dytë për ta fituar nesër mbrëma Eurovizionin.
Në një intervistë për gazetën Publica ai është shprehu se nuk ka dëgjuar asnjë nga këngët garuese përveç të Portugalisë dhe të Izraelit, dhe këtë të fundit e ka quajtur të tmerrshme.

“Fatmirësisht këtë vit nuk kam nevojë që të dëgjojë këngët. Unë kam dëgjuar vetëm këngën e Portugalisë dhe të Izraelit dhe kjo pasi që YouTube më ka detyruar në një mënyrë duke menduar se do të më pëlqente mirëpo kur e kam klikuar kam dëgjuar një këngë të tmerrshme”, është shprehur ai.

Kënga e Izraelit është cilësuar si favorite nga disa sondazhe duke pasur prapa vetës këngën nga Qipro dhe Norvegjia.

Netta nga Izraeli nuk ka komentuar rreth këtij vlerësimi por veç ka dërguar mesazhe dashurie për të gjithë pjesëmarrësit në Eurovizion.
Këngëtari 28 vjeçar Salvador Sobral, do të rikthehet në Eurovizion të shtunën me 12 maj për të performuar në finale. Sobral ia solli fitoren e parë Portugalisë në Eurovizion në tërë historinë e festivalit. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ sjellë komedinë ‘Trashëgimtari’

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vazhdon të sjellë shfaqje të cilat bëjnë për vete publikun por edhe shpalosin tema të ndryshme. Këtë javë që po vjen ky teatër do sjellë komedinë “Trashëgimtari”, shkruan KultPlus.

Komedia goteske “ Trashëgimtari”, me regji nga Milto Kutali dhe autor Arben Iliazi, vjen me një mesazh të qartë: Me para mund të blesh gjithçka, por jo të ardhmen dhe moralin, apo të shpëtosh nga ndërgjegjja, ku me rolet e tyre do të luajnë: Dajana Nenaj, Donald Shehu dhe Xhuliano Brisku.
Fatiku dhe Suzi, që bashkëjetojnë prej 7 vitesh si burrë e grua, janë dy karaktere kontravers, pa asgjë të përbashkët. Fatiku, një “zyrtar i lartë” , i katapultuar në politikë pa asnjë meritë dhe që jeton me ambicien pa kufij për pushtet e para , përfaqëson individin instinktiv të zhveshur nga ndjeshmëria.
Komedia “Trashëgimtari do të shfaqet më 14 dhe 15 maj në ora 20:00, salla Moliere, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Hyrja për të parë këtë shfaqje do të jetë falas./KultPlus.com

Hapet thirrja për studentë të Universitetit të Prishtinës dhe arkitektë të rinj

“Urbanizmi i ri dhe kultura e bashkëjetesës” është kombinimi i pikave të ndryshme që përfaqësojnë të kaluarën kronologjike historike me vendet arkeologjike, të tashmen me brezat e arkitektëve të rinj dhe të ardhmen me fëmijët e vegjël të edukuar sipas praktikave të qëndrueshme. Të gjitha këto elemente së bashku janë pjesë e instalimit që pasqyron jetën historike dhe shoqërore të Kosovës.

Ky projekt është një projekt arsimor dhe kulturor, i cili lidhet me një zonë të qëndrueshme urbane dhe struktura arkitektonike që promovojnë rëndësinë e hapësirës së lirë, si një vend takimi, shkëmbimi i mendimeve dhe iniciativave, dhe krijimi i mundësive për mirëqenien dhe dinjitetin e çdo qytetari. Hapësirat e lira si zonat urbanistike kanë një ndikim të madh në zhvillimin shoqëror.

Thelbi i instalimit është vepra “Arti i Ri Urbanistik” e Mjeshtrit Ibrahim Kodra, e rrethuar me imazhe nga kontestet fotografike kombëtare për trashëgiminë kulturore të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në Prishtinë.

Në kudër të këtij projekti do të ekspozohen modelet më të mira të hapësirës së lirë urbanistike të krijuar nga arkitektë të rinj nga Kosova dhe vizatime të fëmijëve nga shkollat artistike në Kosovë rreth zonës së re të lirë urbane të ekspozuar.

Përfshirja e pikturave dhe veprave të artit të fëmijëve në këtë prezantim ka të bëjë me përfshirjen e ideve të reja që në një farë mënyre reflektojnë vizionin e tyre objektiv ekologjik dhe të qëndrueshëm për të ardhmen, dhe se si e shohin këtë të ardhme në botë. Ky projekt është i frymëzuar nga OKB –ja për qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, për shembull qytetet dhe komunitetet e qëndrueshme, energji të përballueshme dhe të pastër, ujë të pastër dhe kanalizime, konsumim të përgjegjshëm dhe prodhim e veprim klimatik, shëndet dhe mirëqenie të mirë, industri, inovacione dhe infrastrukturë.

Fondacioni i Zvicrës Ibrahim Kodra i përkushtohet aktiviteteve për të promovuar dhe mbështetur projekte kulturore dhe arsimore për brezat e rinj.

“Urbanizmi i ri dhe kultura e bashkëjetesës” realizohet në sajë të kontributit të rëndësishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. .
Koncepti i projektit është krijuar dhe finalizuar nga ekipi i Fondacionit Zviceran Ibrahim Kodra.

Projekti i një qyteti të ri duhet të përfshijë:
Hapësirat e lira urbane për të gjithë qytetarët;
Një apo më shumë prej 17 qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.
https://www.un.org/sustainab…/sustainable-development-goals/
ti dedikohet `Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore 2018, kështu që përfshihet edhe aspekti tradicional i arkitekturës së Kosovës;
bashkëjetesën kulturore që mund të përfshijë karakteristika të lashta dhe moderne;
ndërtimin e qëndrueshëm dhe të respektueshëm për kushtet ekologjike dhe mjedisore.

Formati i projektit: 30 x 40 cm (horizontal)
Të dërgohet projekti deri në datën 14 Maj në formatin digjital në:
[email protected]
[email protected]

Për informacione shtesë rreth konceptit “Free Space” (Hapësira e Lire), ” vizitoni faqen zyrtare të Biennale Architettura Venezia 2018 (www.labiennale.org), skicë e përgjithshme./KultPlus.com

Eugent Bushpepa, Ermal Meta dhe shqiponja në Eurovizion

Këngëtarët Ermal Meta dhe Eugent Bushpepa janë fotografuar gjatë festivalit Eurovizion duke bërë me duar shenjën e shqiponjës, simbolit kombëtar shqiptar.

Të dy këngëtarët nesër mbrëma do të ngjiten në Eurovizion për të kënduar për dy shtete, Shqipërinë dhe Italinë.
Ata duket se janë edhe miq të mirë pasi ka pasur fjalë të mira nga ana e të dyve për muzikën dhe stilin që ata kultivojnë.

Meta po bëhet një prej emrave më të njohur në muzikën italiane ndërsa Bushpepa ka marrë vëmendjen e duhur nga tërë kontinenti me zërin e tij të fuqishëm që këtë vit përfaqëson muzikën moderne shqipe në Eurovizion.

@ermalmetamusic A great and a humble artist #esc2018

A post shared by Eugent Bushpepa (@eugentbushpepa) on

Në Instagram, Bushpepa ka postuar fotografinë duke shkruar “Një artist i madh dhe i dashur” – për Ermal Metën.
Nesër mbrëma në finalen e Eurovizionit, Eugenti këndon i 12-ti me radhë ndërsa Ermal Meta do të këndojë i fundit, me numër 26. / KultPlus.com

Nëse do rrisja dhe njëherë fëmijën tim

Poezia “Nëse do rrisja dhe njëherë fëmijën tim” nga Diane Loomans.

Nëse do e rrisja dhe një herë fëmijën tim
do t’i ndërtojë më parë vetë-vlerësimin,
e më vonë shtëpinë.

Me gishta me shumë do pikturoja me të,
e gishtin më pak do ja drejtoja për gabime,
do t’i zëvendësoja qortimet më përqafime
do t’i largoja sytë nga ora e do ta shihja atë në sy,
do ngjisja balona me të drejt qiellit,
do të ndaloja së qeni serioz,
por do luaja shumë seriozisht

do vrapoja pafundësisht nëpër yje
dhe përqafimet do ishin shtroja jonë
nëse…. edhe një here./KultPlus.com

Tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, rreth 500 mijë shqiptarë te “Verat e Llukës” (VIDEO)

Tubim i përmasave epike, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, ku rreth 500 mijë shqiptarë bashkohen në fushën e pajtimit. Vlenë të përmendet se kjo ishte një nga periudhat kur vetëdija kombëtare ishte në nivelin më të lartë. Fushata e pajtimit të gjaqeve ishte një nga nismat më patriotike, që rezultoi me 1800 gjaqe të falura, dhe rreth 30 mijë ngatërresa të pajtuara.
Dhe një kontribut të madh pat dhënë figura e njohur shqiptare Anton Çetta, i cili me kontributin e tij ka arritë të vë paqe në shumë familje shqiptare.


Lufta për të shpëtuar lumenjtë, edhe nëpërmjet filmit

Mbrëmë Kino ABC ka mirëpritur premierën e filmit “Blue Heart”, filmi i cili dokumenton betejën për të shpëtuar “Zemrën e kaltër të Evropës”, shkruan KultPlus.

AlberinaHaxhijaj

Filmi “Blue Heart” dokumenton betejën për lumin më të madh në Evropë, Vjosa e Shqipërisë, përpjekjet për të shpëtuar Rreqebullin e rrezikuar të Ballkanit në Maqedoni dhe gratë e Krushqices, Bosnje dhe Herzegovinës, të cilët mbajnë një protestë 24-orëshe për një muaj, për të mbrojtur burimin e vetëm të ujit të freskët të komunitetit.

Mirëpo premiera e këtij filmi në Kino ABC, jo vetëm që solli një pasqyrim të asaj që po ndodh, e ka ndodhur, por vuri në pah edhe rreziqet që i kanosen natyrës, pikërisht përmes ndërtimit të hidrocentraleve nëpër lumenj.

Kështu me të përfunduar ky film u dëshmua përsëri se fuqia më e madhe e lumenjve është bashkimi i njerëzve dhe kulturave të ndryshme. Mirëpo shfaqja e tij ngjalli edhe debatin se çfarë po ndodh në Kosovë dhe cilat janë mundësitë alternative të energjisë, të cilat nuk e dëmtojnë natyrën, nuk shkelin ligjet juridike dhe nuk mohojnë të drejtat elementare të njerëzve, e ndër to është edhe qasja në ujë të pijshëm.

Prandaj, pasi filmi i cili dëshmonte se më shumë se 3,000 diga dhe diversione të hidrocentraleve janë të propozuara ose po ndërtohen në lumenjtë e fundit të Evropës në Ballkan dhe do të shkaktojnë dëme të pakthyeshme për lumenjtë, tema për kafshët e egra dhe komunitetet lokale, u hap edhe në diskutim me tre panelistët e ftuar, Fatos Lajci (ERA), Dajana Berisha (FIQ) dhe Behare Bajraktari (RTK).
Dajana Berisha tha se ky film përkundër që dokumenton një të vërtetë e cila nuk është e këndshme përmes pamjeve të bukura që shfaq është edhe shlodhëse.

“Duke e parë lumin Vjosa i cili gjarpëron dhe nuk ja ndien për asnjë lloj ministër apo ministre, por në atë qetësinë e vet e në një harmoni të madhe me natyrën vazhdon rrjedhën e tij. Duke parë pamjet e tjera të bukura, disi të mishëruara edhe në karakteret e grave të fshatit të cilat qohen me një energji dhe guxim alla grash ballkanase për të mbrojtur lumin, të bënë të ndjehesh mirë”, u shpreh ajo duke shtuar se pikërisht këto bukuri të cilat na i ka falur natyra ne po i lejojmë që të keqpërdoren dhe të shkatërrohen.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që nëse e shkatërrojmë këtë bukuri në vendet ku jetojmë po shkatërrojmë një pjesë tonën goxha të madhe shpirtërore e mendore. Po shkatërrojmë vetveten, komunitete dhe po krijojmë konflikte të panevojshëm e për një arsye e cila tashmë është shumë e qartë dhe fare banale, për shkak të disa ujqërve nëpër qeveritë respektive të këtyre vendeve të Ballkanit”, u shpreh ajo, duke treguar se zgjedhja më e mirë për energji nuk është përmes hidrocentraleve, mirëpo duke shfrytëzuar erën dhe diellin.

Në anën tjetër, Fatos Lajçi tregoi se si pasojë e hidrocentraleve dhe vendosjes së gypave nëpë lumenj, Kosova tashmë e ka humbur një lum.

“Një lum veçse ka vdekur dhe ai është Lumëbardhi i Decanit. Mirëpo ajo që duhet të theksojmë që prodhimi i energjisë prej hidrocentraleve sado që krijon energji, sasia e kësaj energjie është e vogël, ndërsa shkatërrimi shumë i madh. Ne po shkatërrojmë lumenjtë, shtretërit e tyre diçka që është e pariparueshme”, tha ai duke shtuar se nëse vazhdon vendosja e gypave, Kosova do të humb edhe lumenj të tjerë.

E sipas tij një fat i tillë mund ta pret edhe Lumëbardhin e Grykës së Rugovës, e tutje diskutoi edhe për kafshët, për ruajtjen e parqeve, e që po ashtu ndikojnë në mjedis.
Ndërsa gazetarja Behare Bajraktari theksoi se një problem i madh është mungesa e informimit dhe se pikërisht kësaj ajo i kushton vëmendje të veçantë. Ndërsa potencoi se dëmtimi i mjedisit është juridikisht i dënueshëm. Në Kosovë janë duke u ndërtuar përafërsisht rreth 11 hidrocentrale, ndërsa në Rajon rreth 38./KultPlus.com

“Fieri 2018” bashkon 100 botues nga trevat shqiptare

Rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi po marrin pjesë edicionin e 5-të të panairit kombëtar të librit “Fieri 2018”, që u hap dje në sheshin qendror të qytetit të Fierit.

Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm personalitete të letrave nga bota akademike, shkrimtarë, studiues, qytetarë, nxënës, etj. Në panairin “Fieri 2018” janë prezantuar 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1500 janë të rinj.

Gjatë ditës të panairit do të organizohen konferencat shkencore si: “Figura e Skënderbeut në letërsinë shqipe e të huaj”,“Jorgo Bulo, ‘magjistari’ i fjalës së mençur”, me rastin e 79-vjetorit të lindjes,
“Universalja në veprën e Petro Markos”, “Shkrimtaret në letërsinë shqipe”, Tryezë e rrumbullakët: “Data dhe personalitete” – kolazh me krijime të autorëve shqiptarë e të huaj, që kanë përvjetorë lindj.esh dhe vdekjesh

Po ashtu do të promovohen një numër i madh librash si; “Shkrimtar i majave letrare-Mbi prozën e Zija Çelës”, “Njëfarë Z. Piekielny” (“Un certain M. Piekielny”) të Francois-Henri Désérable. Përkthyes: Urim Nerguti, “Urtia e fjalës” të akademik Ali Aliut, “Zjarr dhe tërbim” Jenny Han, “Gusht 1914” të autorit rus, Aleksandër Sollzhenjicin, “Anatomia e një krize financiare 2008-2018’ të autorit Adrian Civici, “Ditari i maces”, Shkëlzen Zalli, “Arti i bisedimeve”, të autorit Jakup Krasniqi, “Këngë të Solomonit”, të autorit Sadik Bejko, etj.

Pjesë e aktiviteteve të ditës së sotme të panairit është edhe takimi me studiuesin dhe shkrimtarin Nasho Jorgaqi.

Panairi i librit do të qëndrojë i hapur deri më 13 maj. Dita e fundit do të kurorëzojë me çmim 4 autorët më të mirë të vitit në një ceremoni organizuar për këtë rast.