Shpallen rezultatet e Testit të Arritshmërisë, 3 për qind më mirë se vitin e kaluar

Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka bërë publike rezultatet e Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, sipas të cilit arritshmëria është 61 për qind, apo 3 për qind më shumë se vitin e kaluar ku arritshmëria ishte 58 për qind.

Në njoftim thuhet se Testi i Arritshmërisë nuk ka karakter eliminues për nxënësit, por rangimi i tyre sipas rezultateve do t’u shërbejë si përparësi për regjistrimin e tyre në shkollimin e mesëm të lartë.

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, MASHT ka filluar shpërndarjen e tyre në Drejtoritë Komunale të Arsimit.

“Ky test njëherësh, i shërben MASHT-it edhe për shqyrtimin, apo përmirësimin e politikave arsimore, me synimin e përhershëm për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, thuhet në fund të njoftimit të MASHT-it./ KultPlus.com

Amantia, historia e qytetit antik që tërheq turistët

Me nisjen e sezonit turistik të vitit 2018, një nga destinacionet kryesore turistike për Qarkun e Vlorës është parku arkeologjik i Amantias, ku interesi i vizitorëve vendas dhe të huaj për të vizituar këtë park arkeologjik vitet e fundit shënon rritje të dukshme.

Për të garantuar një infrastrukturë normale dhe akses në monumentet e atraksionet kryesore që ofron ky park, për vizitorët e interesuar, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, ka vijuar me rinovimin dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës orientuese dhe shpjeguese të parkut, mirëmbajtjen e monumenteve të vizitueshme së bashku me rrugëkalimet e itinerarit që të çon drejt tyre.

Për këtë sezon turistik, parku arkeologjik i Amantias ofron një mundësi interesante dhe atraktive në monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristjane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor etj.

Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure.

Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para.

Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit./ KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës mrekulloi parisienët (VIDEO)

Ishte teatri ‘Le Palace’ në Paris, i cili i mirëpriti balerinët nga Kosova, për 3 ditë radhazi, në datat 1, 2, dhe 3 qershor në skenën e tij, shkruan KultPlus.

Përgjatë këtyre tri ditëve Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, dha tri herë shfaqjen “Recomposed”, duke mbushu kështu sallën përplot publik.

Trupa e Baletit të Kosovës, në Paris, u mirëprit edhe nga Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.


Shfaqja “Recomposed” u dha për herë të parë premierë në vitin 2016 edhe në skenën tonë, shfaqja është projekt i realizuar në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë dhe është punuar me koreografi të francezëve Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas-Descours. Recomposed i referohet gjendjes aktuale të Kosovës, të ardhmes së saj, perceptimit të traditave, diçka që të gjithë kërcimtarët bashkëndajnë me kulturën kosovare.

Si një vepër politike, baleti portretizon dëshirat e shoqërisë kosovare në marshimin drejt lirive individuale universale, një proces kompleks por i pandalshëm. Ngjarja zhvillohet në kuadër të “vitit të përbashkët mes dy ambasadave”, të Kosovës në Francë dhe të Francës në Kosovë, dizajnuar me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit./ KultPlus.com

Gashi në Bruksel për të nënshkruar marrëveshjen për “Evropën Kreative”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër, në emër të Republikës së Kosovës nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Evropa Kreative”, për sektorët kulturorë dhe kreativë.

Ministri Gashi, në kuadër të vizitës, do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të BE-së dhe do diskutojë për hapësirat dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në përgjegjësinë e ministrisë, kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ministri Gashi, marrëveshjen në fjalë, e ka konsideruar si jashtëzakonisht të rëndësishëm, sepse përpos që hapet mundësia që Organizata të Shoqërisë Civile dhe individë që merren me art e kulturë, të përkrahen nga fondet e BE-së, është edhe një element fuqizues i shtetësisë së Kosovës.

“Marrëveshja të cilën do ta nënshkruajmë nesër, mes BE-së dhe shtetit të Kosovës, do të mundësojë që personat dhe organizatat që zhvillojnë aktivitete kulturore e artistike të kenë mundësinë që zyrtarisht, si shtetas të Kosovës të aplikojnë në programin e BE-së për kulturë ‘Evropa Kreative’. Kësisoj ata do të munden të marrin mbështetje financiare nga fondet e Komisionit Evropian. Është kjo një mundësi e mirë për artistët nga Kosova që të pasurojnë jetën kulturore në vendin tonë por edhe më gjerë dhe për këtë ndjehem shumë i lumtur”, tha ministri Gashi.

Deri më tani, MKRS-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat që të jetësohet ky programi i BE-së në Kosovës, duke themeluar edhe Deskun Evropa Kreative – Zyra Kosovë, duke organizuar sesione informuese me palët e interesit për programin dhe thirrjet që realizohen nëpërmjet këtij programi. Po ashtu, MKRS-ja ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me DokuFest-in për të hartuar një databazë të organizatave dhe individëve që merren me kulturë e art dhe të një doracaku udhëzues se si të aplikohet në thirrjet e programit “Evropa Kreative”./ KultPlus.com

Sot është datëlindja e skulptores së parë shqiptare

Më 4 qershor 1915, në Kavajë lindi Kristina Koljaka-Hoshi, skulptorja e parë shqiptare.


Sot 103, vite nga lindja e skulptores Kristina Koljaka-Hoshi. Kristina ishte skulptorja e parë shqiptare e diplomuar në Akademinë e Romës, në atelienë e prof. D’Angelo Xaneli. Ajo vdiq më 21 tetot të viti 2005, në moshën 90-vjeçare në Çikago./ KultPlus.com

Hapet “Java e Kulturës” në Vushtrri

Organizata Access organizon sot ceremoninë e hapjes së “Javës së Kulturës”, në Vushtrri e cila mbahet në Kala.

Java e Kulturës organizohet nga Organizata Access dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përmes aktiviteteve të shumta në kuadër të Javës së Kulturës, Access synon të krijojë mundësi ndërveprimi për të rinjtë duke përmirësuar kuptueshmërinë e vlerave të dialogut ndërkulturor, promovimin e tolerancës, komunikimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë kulturor.

Gjatë gjithë javës do të mbahen aktivitete rinore që promovojnë dialogun ndërkulturor./ KultPlus.com

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Rita Orës

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, dhuroi mbrëmjen e kaluar emocione të paharrueshme për mijëra shqiptarë, të cilët kishin mbushur si asnjëherë tjetër sheshin “Skënderbej” për të shijuar hitet e saj.

Koncerti nisi me ritmet e muzikës së këngëtares së njohur nga Kosova, Kida dhe kulmoi kur në shesh mbërriti Rita Ora. “Your song” ishte kënga e parë e Rita Orës, që elektrizoi jo vetëm skenën, por gjithë të pranishmit në sheshin “Skënderbej”, ndërsa spektakli vijoi me të tjera këngë hit të saj.

Në repertorin e saj nuk mungoi as një surprizë për shqiptarët: miksimi i një prej hiteve më të mira të Rita Orës me një nga vallet më të njohura të trevave shqiptare, asaj të Rrugovës. Ndërkohë, para se të ngjitej në skenën e sheshit “Skëndërbej” këngëtarja Rita Ora, e shoqëruar nga i ati dhe e motra, u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai e falënderoi atë për imazhin që përcjell në botë si përfaqësuese e shqiptarëve dhe frymëzuese e brezit të ri, dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi asaj Çelësin e Qytetit. “Duke i dhënë dikujt çelësin, i jep të vetmen gjë që ti ke. Ne nuk jemi të pasur, por përpiqemi të japim gjithçka që kemi si shenjë respekti dhe shenjë e derës së hapur, prandaj, duke të dhuruar Çelësin e Tiranës do të thotë se të vlerësojmë shumë”, u shpreh Veliaj.

Rita Ora e falënderoi kryetarin e bashkisë për mikpritjen dhe vlerësoi ndryshimin që po pëson Tirana. “Mendoj se Tirana është në rrugën e saj drejt një suksesi të pabesueshëm. Me fuqinë dhe mundësitë që unë kam, do t’ia bëj të ditur këtë pjesës tjetër të botës. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, ka energjinë më të mirë të çdo qyteti në tokë. Nga hera e fundit që isha këtu, pa dyshim që energjia ka ndryshuar, ndjehesh gjallë, miqësore, e pëlqyer dhe shumë pozitive. Ndjehem shumë mirë që jam pjesë e kësaj”, tha ajo./ KultPlus.com

Sot hapet edicioni jubilar i Panairit të Librit në Prishtinë

Sot më 5 qershor në Prishtinë, hapet edicioni i 20-të jubilar i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.

Panairi i cili mbahet nga 5 deri më 10 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë në kryeqytet, organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Kësisoj, sivjet pritet që në këtë panair të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora ndërsa numri i titujve të rinj sillet rreth 1400-1500.

Në vijim po sjellim të plotë agjendën e Panairit të Librit në Prishtinë, aty ku mysafir special do të jetë shkrimtari francez, François-Henri Désérable i cili vjen në Prishtinë më 7 qershor.

Panairi jubilar, i 20-të, do të mbahet nga 5-10 qershor 2018 në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor, në orën 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës – RTK-së.

Panairi do të mbyllet më 10 qershor, në orën 18:00.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00.

Hyrja për vizitorë: Gratis!

Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj, rreth 1400-1500. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5000.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, dhe në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare:

– 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – VITIT TË SKËNDERBEUT
– 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit
– 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit
– 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit
– 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos
– 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës
– 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit

dhe botërore:

– 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit
– 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit
– 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.

SHBK-ja po ashtu ka paraparë darkën solemne më 7 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në:

– Prozë
– Poezi
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë
– Përkthim letrar
– Projektin kapital

si dhe shpallet:

– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe)
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj)
– Stenda më e vizituar

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.

Panairi do të organizojë përurime, debate, paraqitje, dedikime shkrimtarësh:

– Më se 50 aktivitete.

SHOQATA E BOTUESVE TË KOSOVËS

More Raça zgjedhet ambasadore e Balkans Beyond Borders

Ballkani Përtej Kufijve (BBB) është një organizatë joqeveritare e përkushtuar për nxitjen e mobilitetit dhe bashkëpunimit të të rinjve në Ballkan duke përdorur artin e krijimit të filmave të shkurtër dhe fuqinë e imazhit.

Kësisoj, More Raça, regjisore dhe skenariste nga Kosova, është zgjedhur Ambasadore e Kosovës në këtë organizatë, shkruan KultPlus.

Nxitja e dialogut, ndërveprimit dhe nxënies inovative midis të rinjve në rajon, Ballkani Përtej Kufijve synon të kontribuojë për një të ardhme më të mirë dhe evropianizim të Ballkanit.

Qëllimi organizatës është të përmirësojmë bashkëpunimin midis festivaleve lokale, qendrave të filmit dhe seminareve filmike me qëllim të krijimit të një rrjeti ndër-ballkanik që mund të promovojë në mënyrë efikase punën e artistëve të rinj nga rajoni dhe më gjerë, si dhe kulturën dhe diversitetin e Ballkanit për një audiencë ndërkombëtare./ KultPlus.com

Adil Olluri merr çmimin “Premio Internazionale Ostana” në Itali

Vepra letrare e autorit Adil Olluri, më 5 prill të këtij viti është shpërblyer me çmimin ndërkombëtar “Premio Internazionale Ostana” në Ostanë të Italisë. Kurse çmimin e pranoi dje.

Arsyetimi i çmimit ishte për “origjinalitetin në prozë, humanizmin dhe mesazhin e paqes që jep rrëfimi i tij”.

Për më tepër, çmimi i është ndarë Ollurit në edicionin e dhjetë jubilar me radhë të këtij çmimi ndërkombëtar, ndërsa jepet nga Bashkia e Ostanës, Provinca e Cuneo-s, në bashkëveprim me asociacionin kulturor “Chambra d’oc”./ KultPlus.com

Dua Lipa tregon se me kë ëndërron të ketë bashkëpunim

E famshmja Dua Lipa, ka zbuluar një sekret se me kë ka dëshirë të ketë bashkëpunim.

Bëhet fjalë për Kevin Parker, këngëtar nga Australia, transmeton Koha.net.

Artistja e “New Rules”, këtë e ka thënë gjatë një interviste para performancës së saj të fundit në hapjen e Ligës së Kampionëve të UEFA-s, mes Real Madridit dhe Liverpoolit.

Lipa, u pyet se me cilin artist (të gjallë apo të vdekur) do të donte të kishe bashkëpunim.

“E di çfarë, do të doja shumë të bëja një album me Kevin Parker nga Tame Impala. Thjesht mendoj se ai është shumë i mirë”, ka thënë Lipa.

Kujtojmë se para pak ditësh, revista e njohur Vogue, e ka listuar Dua Lipën si një prej femrave më me ndikim në botë./ KultPlus.com

Rita Ora: Faleminderit 250 mijë shqiptarëve

Këngëtarja shqiptare Rita Ora, ka dhuruar mbrëmjen e së dielës emocione të paharrueshme për shqiptarët, teksa bëri një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej”.

Pas koncertit ajo ka reaguar në rrjetet sociale ku ka shprehur emocionet që i fali publiku shqiptar.

Ajo shkruan me krenari se u ndoq nga 250 mijë bashkatdhetarë.

“Faleminderit 250 000 vetë që më ndoqën këtë mbrëmje. Ju mund të jeni kudo në botë dhe keni qenë gjithmonë me mua. Faleminderit kryebashkiakut Erion Veliaj dhe sponsorëve. Nuk kam pasur ndonjëherë kohë më të mirë. Pas Tiranës, në Verona”, shkruan Rita Ora./ KultPlus.com

Andi dhe Florist Bajgora me “Kiem Holijand” në Palm Springs International ShortFest

“Kiem Holijand”, filmi me regji të Sarah Veltmeyer nga Holanda, i cili ka një kastë aktorësh nga Kosova, së fundmi u shpërblye me “Ariun e Kristaltë” në Berlinale”, shkruan KultPlus.

Kësisoj, ky film po vazhdon rrugëtimin e tij përmes personazheve që i jetësojnë vëllezërit Florist dhe Andi Bajgora-aktorë nga Kosova. Filmi, do të shfaqet më 24 qershor në Palm Springs International ShortFest.

Festivali i cili sivjet ka edicionin e tij të 24-të, nisë më 19 dhe përfundon më 25 qershor në Kaliforni.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit, nga 100 shtete të ndryshme të botës. ShortFest njëherësh është edhe festival kualifikues për çmimet Oscar, BAFTA dhe Los Premios Goya, dhe deri tash ka prezantuar mbi 100 filma të shkurtër të cilët janë nominuar dhe/ose shpërblyer me çmimin Oscar./ KultPlus.com

Prizreni shpreson në ndihmën e Beratit për aplikim në UNESCO

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit unanimisht kanë miratuar vendimin për binjakëzimin e kësaj komune me Bashkinë e Beratit.

Në këtë mënyrë sipas autoriteteve lokale plotësohet trekëndëshi i bashkëpunimit Prizren, Berat (Shqipëri) dhe Amasja (Turqi), shkruan sot “Koha Ditore”. Madje lidershipi komunal është optimist se Berati e Amasja do të ndihmojnë në ecjen e Prizrenit drejt listës së UNESCO-së.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka paraqitur kërkesën për miratimin e nismës për bashkëpunim komunal ndërkombëtar të Prizrenit me Bashkinë e Beratit.

“Qëllimi i bashkëpunimit është zgjerimi i shkëmbimeve dhe eksperiencave në sektorët e kulturës, ekonomisë, turizmit, trashëgimisë, me qëllim për të dhënë një kontribut për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qyteteve”, shkruan në kërkesën e tij…/ KultPlus.com

Shtatorja e Nënë Terezës në Winterthur, sjell mesazhe paqeje dhe tolerance

Më shumë se tri vite angazhim, lodhje, sakrifikim të kohës së lirë, për Shefqet Cakollin, më 2 qershor 2018 kanë pasur një fund të lumtur. Ato janë kurorëzuar me njërën nga veprat jetësore të tij dhe të SHKA “Dardania”, me përurimin e shtatores së Nënë Terezës në qytetin Winterthur.

“Tash mund të marr më në fund frymë lirisht”, shprehet Cakolli për albinfo.ch pasi që shtatorja e shenjtëreshës shqiptare është zbuluar me një ceremoni që rrodhi shumë mirë dhe që u nderua nga prania e shumë personaliteteve.

Kryesori dhe më i merituari për aktin e vendosjes së shtatores është kryetari i qytetit, Michael Künzle, i cili qëndroi gjatë gjithë kohës në ceremoni dhe e mori dy herë fjalën e tij.

Künzle u shpreh i nderuar me mundësinë që i jepej të ofronte një shërbim për bashkëqytetarët e tij nga komuniteti shqiptar, duke u mundësuar vendosjen e shtatores së një personaliteti kaq të rëndësishëm botëror siç është Nënë Tereza në një shesh të qytetit “të tij”. Ai, në fjalën e tij evokoi “parahistorinë” e këtij evenimenti, duke filluar nga propozimi që Shefqet Cakolli në emrin e SHKA “Dardania” e kishte bërë përmes ish pjesëtarit të ekzekutivit të qytetit, Joseph Lisibach e deri sot. Gjatë kësaj kohe mbi 3 vjeçare, idenë e kanë përcjell edhe mjaft dilema nga anë të ndryshme.

Kryetari i Winterthurit: Vendosëm ta lejonim shtatoren dhe nuk gabuam!

“Nëse ne i përgjigjemi pozitivisht “Dardanisë” dhe komunitetit shqiptar, a do të na vërshojnë nesër të gjitha komunitetet me propozime për shtatore të ngjashme…”, ishte njëra ndër dilemat që ka pasur ekzekutivi i qytetit deri në momentin kur ka marrë vendimin pozitiv.

“Në fund vendosëm pozitivisht, duke marrë parasysh rëndësinë dhe simbolikën e personalitetit të Nënë Terezës dhe meritat e SHKA “Dardania” për integrimin e komunitetit shqiptar në Winterthur”, ka thënë veç tjerash i pari i qytetit të Winterthurit, M. Künzle.

Ai gjithashtu ka theksuar se e çmon shumë përkushtimin e komunitetit shqiptar për ruajtjen e vlerave të vendit të prejardhjes por po kaq e vlerëson edhe pjesëmarrjen e këtij komuniteti në jetën shoqërore të qytetit dhe të vendit ku jeton.

Të pranishëm në këtë akt solemn që u zhvillua në një ditë të bukur e me diell në qytetin e Winterthurit ishin edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ilir Gjoni, drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Ridvan Murati, deputeti i Parlanentit të Kosovës, Anton Quni etj.

Autor i shtatores është skulptori shqiptar me banim në Winterthur, Bashkim Beqiri.

Shtatorja bekohet nga klerikët shqiptarë të katër besimeve

Ndërsa prania e klerikëve shqiptarë të katër besimeve: Don Lush Gjergji në emër të besimtarëve katolikë, Fehim Dragusha, në emër të atyre myslimanë, Baba Mondi në emrin e bektashinjve dhe Femi Cakolli, në emrin e besimtarëve të Kishës Protestante Ungjillore, dëshmoi edhe njëherë për harmoninë tradicionale ndërfetare te shqiptarët.

Klerikët e përmendur kanë bërë, secili sipas ritualeve të besimeve përkatëse, bekimin e shtatores, para një publiku prej disa qindra vetash, kryesisht shqiptarë por edhe miq të tyre, zviceranë, që kishin vërshuar sheshin më të ri të Winterthurit.

Ideatori dhe promotori i vendosjes së shtatores, Shefqet Cakolli i ka dhuruar kryetarit të qytetit disa dhurata simbolike, në shenjë mirënjohjeje për dhuratën e tij të madhe, përkrahjen dhe lejen për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në qytetin që Künzle e drejton tashmë në mandatin e dytë.

Akademia kushtuar Skënderbeut dhe Nënë Terezës

Pas solemnitetit të zbulimit të shtatores, festa u bart në një pjesë tjetër të qytetit, në Hotel “Töss” ku do të mbahej akademia solemne kushtuar Nënë Terezës dhe 550 vjetorit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Akademia rrodhi e kombinuar me leximin e punimeve kushtuar Skënderbeut dhe Nënë Terezës, me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të besimeve fetare dhe të personaliteteve politike si dhe me një program të pasur artistik.

Me një punim rreth rëndësisë së figurës së Gjerg Kastriotit Skënderbeut për shqiptarët është paraqitur dr. Fehmi Cakolli. Ai ka hedhur dritë mbi shumë burime historike që flasin për Skënderbeun, duke u marrë me vlerësimin kritik të disa prej tyre. Në veçanti, Cakolli është marrë me disa nga rrymat që kanë kundërshtuar përpjekjet unifikuese të kryetrimit, Skënderbeut në kohën e tij dhe pastaj. Ai po ashtu ka kundërshtuar tezat sipas të cilave Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka luftuar vetëm për kauzën fetare, duke argumentuar me fakte të njohura e të reja historike përkushtimin e tij për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve arbërore.

Nënë Tereza si simbol që duhet ndjekur

Dom Lush Gjergji, i njohur edhe si biografi kryesor i Nënë Terezës, ka thënë se ne, si shqiptarë, e njohëm Nënë Terezën pak me vonesë, vetëm pasi që ajo, me veprën e saj të madhe humanitare, qe bërë e njohur në botë. Por ne u identifikuam pastaj me këtë nënë që përveç simbolit human dhe të krishterë bartte edhe substratin shqiptar për nga përkatësia e gjakut, siç e kishte dëshmuar edhe vetë. Don Lush Gjergji kujtoi se e kishte përcjellë dhe njohur Nënë Terezën për 28 vjet për të gjallë të saj dhe si rezultat i kësaj njohjeje janë 17 librat kushtuar asaj, të përkthyera në 35 gjuhë. Ai më tutje porositi se nuk mjafton vetëm ta njohim Nënë Terezën dhe të krenohemi me të por duhet edhe të përpiqemi ta imitojmë, të identifikohemi me shpirtin humanitar të saj.

Baba Mondi, kryetar i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me seli në Tiranë, ka përshëndetur tubimin në emrin e miliona besimtarëve të besimit që përfaqëson, siç ka thënë ai. Gjithashtu kreu i bektashinjve ka çmuar lart rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Nënë Terezës për kompaktësinë e shqiptarëve në periudhat kur kanë jetuar dhe pas tyre.

Imami që në një ditë Ramazani nderon shenjtëreshën e krishterë

Me një fjalë përshëndetëse është paraqitur edhe imami Mr. Fehim Dragusha. Ai ka dhënë një mesazh të rëndësishëm sa i përket harmonisë ndërfetare te shqiptarët. Imami Dragusha ka thënë se petku i tij prej kleriku mysliman nuk e pengon që të vlerësojë lart figurat e kombit si Gjergj Kastriotin Skënderbeun ashtu dhe Nënë Terezën. Prandaj ka thënë se nuk ka hezituar aspak që, në një ditë Ramazani dhe duke agjëruar, të vinte në përurimin e një shenjtëreshe katolike me rrënjë shqiptare. Me këtë, ai ka vënë theksin në porosinë e madhe që, sipas tij, të gjitha fetë në burim kanë paqen dhe tolerancën ndërsa për devijimet e tyre janë përgjegjës njerëzit.

Me një përshëndetje të veçantë i është drejtuar publikut Joseph Lisibach, ish këshilltari i qytetit (pjesë e ekzekutivit) të Winterthurit. Ai ka meritën kryesore për shtyrjen përpara në qeverinë e qytetit, të idesë dhe propozimit për ngritjen e shtatores së Nënë Terezës. Lisibach (nga SVP), ka kultivuar që prej kohësh një raport shumë të afërt e miqësor me komunitetin e këtushëm shqiptar. Ai në fjalën e tij ka evokuar pjesëmarrjen në manifestimin për nder të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të organizuar nga “Dardania” më 28 Nëntor 2012 duke vlerësuar lart angazhimin e komunitetit shqiptar në ruajtjen e traditave por edhe në integrimin me vlera në jetën shoqërore të qytetit.

Program i pasur artistik

Një program i pasur kulturor ka shoqëruar këtë akademi, duke i dhënë asaj një petk solemn dhe frymë artistike. Ka qenë në radhë të parë shoqata nikoqire SHKA “Dardania” e Winterthurit e cila me një sërë vallesh të grupeve të saj të ndryshme dhe me orkestrën e instrumenteve folklorike ka bërë “kolonën muzikore” të aktivitetit, duke kënduar edhe këngë kushtuar Nënë Terezës. Atë e kanë ndihmuar edhe Ansambi “Arbëresha” nga Sirnach-u (me një koreodramë kushtuar Nënë Terezës) dhe Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” me vallet e saj tashmë të njohura për publikun shqiptar të Zvicrës. Me këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More” është paraqitur kori i garve “Lyra” nga Cyrihu, i cili sa vjen e po konsolidohet. Një kolazh poezish të Nënë Terezës e ka deklamuar aktorja e grupit “Aktrimi”, Yllka Zuzaku Mustafa dhe një këngë kushtuar Nënë Terezës e ka kënduar Isuf Rashiti.

Ndërsa aktori i madh Reshat Arbana, i ardhur enkas nga Shqipëria me deklamimin e poezive nga Naim Frashëri, Gjergj Fishta etj. ka emocionuar të gjithë të pranishmit.

Gjithë aktivitetin e ka moderuar, si gjithmonë, me invencion dhe me elokuencë, aktori Ramadan Morina, i ndihmuar herë pas here nga Albulena Cakolli-Kqiku./Albinfo.ch

Numri i personave që ndoqen ritmin e Rita Orës në Tiranë

Me një performancë të jashtëzakonshme ka përfunduar koncerti i Rita Orës në Tiranë.

Këngëtarja me famë botërore në sheshin Skënderbej ka mbledhur rreth 250 mijë veta, dhe një gjë e tillë e ka befasuar edhe motrën e Rita Orës, Elena Ora, transmeton Koha.net.


Në Instagram Elena Ora ka shkruar se kjo është e pabesueshme, ndërsa ka falënderuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që e mundësoi këtë koncert.

“Wow, seriozisht ju jeni të mrekullueshëm, 250 mijë njerëz erdhën sonte. Faleminderit të gjithëve që e mundësuan këtë dhe kryetarit të mrekullueshëm të Tiranës, Erion Veliajt që është një lider kaq inovativ i qytetit”, ka shkruar Elena Ora.

Këtu mund ta shihni Rita Orën duke vallëzuar Vallen e Rugovës në Tiranë (VIDEO)

Këngëtarja kosovare Rita Ora ka vallëzuar edhe Vallen e Rugovës në Tiranë, valle në të cilën është shoqëruar edhe nga përcjellësit e saj në skenë, shkruan KultPlus.

Përgjatë vallëzimit të saj, në sfond është paraqitë flamuri shqiptar kuq e zi, përderisa Rita Ora ka ndezë atmosferën në Sheshin Skënderbej.

Për më shumë mund të ndiqni atmosferën e krijuar në Tiranë./KultPlus.com

Rita Ora me Erion Veliajn bëjnë shqiponjën

Rita Ora sapo ka përfunduar koncertin në sheshin Skënderbej në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ajo ka performuar për një orë para audiencës shqiptare, e cila pos tjerash, duke pas edhe në sfond flamurin kuq e zi, me valltarët e saj ka vallëzuar Vallen e Rugovës.

Dhe para koncertit, Rita Ora është takuar edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, të cilët bashkë kanë bërë shqiponjën./KultPlus.com

Rita Ora përfundoi koncertin në Tiranë duke folur shqip

Rita Ora përfundoi performancën e saj në sheshin Skënderbej në Tiranë me këngën “Anywhere”.

Në fund bëri një fotografi me publikun e madh dhe i falënderoi në gjuhën shqipe.

“Faleminderit shumë dhe mirupafshim”, tha Rita Ora në përfundim.

Ajo këtë mbrëmje ndezi shqiptaret me REMIX-in e saj me Vallen e Rugovës, ndërsa këndoi edhe këngët e reja të albumit, ndër to edhe këngën “Girls”./ KultPlus.com

Rita Ora vallëzon Vallen e Rugovës në Tiranë (FOTO)

Rita Ora ndezi Tiranën me vallen e Rugovës, REMIX-in të cilin e pati bërë për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

“Kam një surprizë të vogël për ju tash”, ka thënë ajo.

Me skenografinë ku shpaloset flamuri Kuq e Zi, Rita Ora mrekullon me këngën e saj për shqiptarët./ KultPlus.com

Rita Ora fton vajzat nga publiku në skenë (FOTO)

Këngëtarja kosovare Rita Ora e cila tashmë është duke mbajtur koncertin e saj në Tiranë, ka bërë një deklaratë mbi dukjen e saj, shkruan KultPlus.

Ajo e veshur me të verdha, ka një kontrast në ngjyrën e saj të flokëve, pasi që është duke u paraqitur në këtë koncert me flokë të kuqe. Ajo duke kënduar këngën “Girls”, ka ftuar në skenë disa vajza nga publiku.

“Ejani bashkohuni në skenë me ne, të festojmë këtë mbrëmje. Falënderojmë ata që e bënë të mundur gjithë këtë”, ka thënë Rita./ KultPlus.com

Rita Ora: Jam në Shqipëri, për atë i kam flokët e kuqe (FOTO)

Këngëtarja kosovare Rita Ora e cila tashmë është duke mbajtur koncertin e saj në Tiranë, ka bërë një deklaratë mbi dukjen e saj, shkruan KultPlus.

Ajo e veshur me të verdha, ka një kontrast në ngjyrën e saj të flokëve, pasi që është duke u paraqitur në këtë koncert me flokë të kuqe.

“Jam në Shqipëri, për atë i kam flokët e kuqe”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Rita Ora takohet me Erion Veliajn (FOTO)

Sonte në sheshin Skënderbej në Tiranë, për të performuara para shumë shqiptarëve do të jetë e famshmja nga Kosova Rita Ora.

Rita Ora, tashmë ka mbërritur në Tiranë dhe sapo është takuar me të parin e Tiranës, Erion Veliaj, shkruan KultPlus.

Fotografia është bërë publike nga motra e Rita Orës, në rrjetin social Instagram./ KultPlus.com