100 emrat e grave të vrara, boll mo!

Nga Fatbardhë Kiqina

BOLL MO!

Gjaku i vajzave e grave nuk mund ta shuaj etjen për gjak të burrave kriminelë shqiptarë.

Jo. Nuk janë krime pasioni, as krime nderi. Dashuria nuk vret. Mendjet kriminale vrasin.

Nuk ua kanë pasur borxh jetën! Vajzat e gratë nuk janë prone e juaja.

Shumica prej jush nuk do ua lexoni as emrat deri në fund, ashtu siç nuk u morën parasysh e u harruan krimet ndaj tyre. Jeta e tyre nuk pati vlerë, ama boll.

1. Zejnepe Bytyçi
2. Diana Kastrati
3. Donjeta Pajazitaj
4. Antigona Morina
5. Fildeze Hafizi
6. Natasha Kazanxhi
7. Manjola Luzi
8. Afize Lila
9. Eltelva Ndoka
10. Zhazivare Dervishi
11. Liljana Ruko
12. Alketa Llapushi
13. Lumturie Xhilaj
14. Ilda Dervishi
15. Ariela Murati
16. Adriana Shaholli
17. Vergjinushe Hasani
18. Eleni Basho
19. Megi Jokiçi
20. Naime Abazi
21. Arze Biba
22. Lule Cara
23. Leonora Kaloçi
24. Lahe Sina
25. Shqiponja Miza
26. Rajmonda Sota
27. Thellëza Lelaj
28. Marie Çuku
29. Alma Gjata
30. Dane Prendi
31. Pranvera Muslika
32. Manjola Koxhaj
33. Marjana Bregu
34. Fatbardha Tafa
35. Fatjona Sula
36. Miranda Shtjefni
37. Eliverta Çoçka
38. Rolanda Doku
39. Ajshe Vata
40. Lime Dedej
41. Azbie Myftari
42. Manushaqe Çeliku
43. Ahsinja Krytha
44. Nertila Petriti
45. Vasilila Muço
46. Valentina Begu
47. Sonila Tafa
48. Mereme Pashai
49. Gjyste Paplekaj
50. Lumturi Selimaj
51. Mimoza Nikolli
52. Valbona Çarçani
53. Alketa Cani
54. Anxhela Haga
55. Feride Prokshi
56. Sose Metushi
57. Miradie Hetemi
58. Xhulieta Çuni
59. Suela Sula
60. Z.C (66 vjeçe)
61. Elsina Hidershaj (Emmy)
62. Migena Këllezi
63. Arianita Zahiti
64. Shkurte Veseli
65. Liljana Rukaj
66. Valbonë Nrecaj
67. Fjoralba Nonaj
68. Fatime Selmanaj
69. Seneada Selmanaj
70. Erjeta Avdyli
71. Irena Sela
72. Fatmira Deda
73. Dije Lita
74. Resmije Goxhaj
75. Liljana Zhehza
76. Liljana Uzo
77. I. Çekakani
78. Marte Malndrea
79. Dallëndryshe Jazxhi
80. Lumturie Xhilaj
81. Nurije Metallari
82. Natasha Kazanxhiu
83. Irena Seli
84. Alda Canaj
85. Mbarime Canaj
86. Denisa Demaj
87. Liljana Arapi
88. Greta Baja
89. Jonida Çanaku
90. Yllka Xhiko
91. Zyra Lila
92. Alma B.
93. Elida Osmani
94. Brunilda Hoxha
95. Lidia Nusdorfi
96. Ermira Arapi
97. Diana Zhubi
98. Sevdije Berisha
99. Valbonë Marku
100. Vajza e Valbonë Markut

(…) shërbejnë për të përshkruar edhe dhjetëra vajza e gra shqiptare të tjera që janë vrarë dhe që do të vazhdojnë të vriten.
Kjo tokë i urren gratë./KultPlus.com

‘Heshtje kolektive sepse dajaku është pjesë e jetës sonë’

Arbana Xharra / Facebook

Valbonat i vrasim cdo dite. Ato dhunohen, shkelmohen, nencmohen e degradohen tere jeten e tyre. Ato rrihen qysh ne vegjeli, vellai e shqelmon per te ia ruajtur moralin, nena nuk ben ze se e shkreta han dajak nga burri i saj…Kjo vajze rritet, behet grua e me pase nene duke e harruar dajakun vetem atehere kur i pushojne dhimbjet e trupit. Tjetra goditet me gure nga kalimtaret; se “kurva e lype”…Rrethi i saj heshte, sepse “dajaku ka dale prej xhehnetit”. Policia s’ben gje ngase eshte ky “burr” qe dajakun e vrasjen e gruas nuk e konsideron krim por normalitet. Keta burra e jo pak gra (qe i edukojne djemte te dhunshem e vajzat te durojne) qe edhe vet jane te dhunshme, jane shoqeria jone qe ne i perkasim. Ata/ato, nuk kane pike prej qiellit, jane ne shtepite tona, ne rruge, ne institucione, jane vet NE. E ngushellimi qe keto viktima marrin jane statuset tona ne Facebook, vetem atehere kur plumbi i vret. Heshtje kolektive sepse dajaku eshte pjese e jetes sone!

Vlerësohet roli historik i Hasan Prishtinës

Studiues të shumtë të historisë, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të institucioneve, si dhe familjarë të personaliteteve emblematike që dhanë për Kombin shqiptar, sot kanë marrë pjesë në sesionin shkencor që është mbajtur për patriotin e madh kombëtar Hasan Prishtinën, në 85 vjetorin e vrasjes së tij, njofton kumtesa.

Ky sesion shkencor po mbahet në kuadër të manifestimit tradicional, ‘Ditët e Hasan Prishtinës’ e cila për një javë rresht po zhvillon aktivitete të shumta në mbështetje nga Komuna e Vushtrrisë.

Nga kumtesat e studiuesve të shumtë, profesori Ibrahim Berisha ka thënë se Hasan Prishtina ishte i pari që i artikuloi kërkesat për Pavarësi të Shqipërisë. ‘Fillimisht Lëvizja shqiptare kishte nisur kryengritjen për pavarësi nga Turqia, por në korrik të vitit 1912 gjërat kishin ndryshuar aq shumë në terren ku ishin çliruar shumë qytete, sa që Hasan Prishtina ishte ai që kishte artikuluar kërkesat për Pavarësinë e Shqipërisë, ka thënë profesori Berisha.


Profesori Jusuf Osmani, ka folur më për Masakrën që forcat serbe bënë me 10 shkurt të vitit 1924 në fshatin Zagori të Vushtrrisë, ku u bë terror i paparë për kohën ndaj familjeve në përpjekje për shuarjen e kryengritësve të udhëhequr nga Mehmet Konjuhi. ‘Hasan Prishtina ishte ai që njoftoi opinionin dhe diplomacinë botërore për këtë ngjarje të tmerrshme.

Në këtë sesion shkencor të përgatitur nga historianët Zahir Kastrati, Jeton Sallahu dhe Izet Miftari, kanë folur edhe shumë studiues tjerë.

Në hapje të këtij sesioni shkencor, kryetari i Komunës Xhafer Tahiri ka vlerësuar lartë atdhetarin e patriotin e madh Hasan Prishtina, bir i qytetit të Vushtrrisë.

“Sot kur Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, kujtimi për veprën patriotike të Hasan Prishtinës, nuk është kundërshtim i ndonjë figure tjetër historike, sepse kjo nuk është detyrë e jona, por ky kujtim sot këtu na shërben si inspirim për të vazhduar rrugën e patriotëve të mëdhenj për ta mbrojtur Kosovë, atdheun tonë të dashur nga kundërshtarët e brendshëm dhe nga armiqtë e jashtëm. Prandaj Forcimi i shtetësisë së Kosovës, ndërtimi i një shteti të drejtë e të barabartë në mendimin tim, nënkupton realizimin e idealeve të patriotëve e atdhetarëve që dhanë jetën për lirinë e popullit tonë.

Gjatë këtij sesioni kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka ndarë solemnisht ‘Çmimin Hasan Prishtina’, për Heroin e Kosovës Enver Zymberi, çmimin e ka pranuar babi i heroit./KultPlus.com

Tre artistë shqiptarë në Festivalin “Vera e Ohrit”

Në Edicionin e sivjetmë të Festivalit “Vera e Ohrit” do të performojnë edhe tre artistë shqiptarë: pianisti dhe kompozitori Robert Bisha, kitaristi Drilon Çoçaj, flautisti Elvis Rudi si dhe pianisti Marin Gjollma.

Koncerti i Robert Bishës do të mbahet në Kishën e Shën Sofisë më 10 gusht, me fillim në orën 21:00. Bisha është pianist dhe kompozitor tepër i talentuar, improvizues gjenial dhe është një nga multi-instrumentistët më të talentuar sot. Muzika e tij është bashkëkohore, me elemente të xhazit avangard. Performon në piano elektrike, duke bërë remikse të muzikës origjinale, duke i implementuar teknikat e muzikës klasike me harmoni bashkëkohore dhe elemente të folklorit të pasur shqiptar.

Muzika vokale polifonike është ende aktuale në Shqipëri, ndërsa në vitin 2005 është shpallur për kryevepër të trashëgimisë jomateriale kulturore të njerëzimit nga ana e UNESKO-s. Kori shqiptar Iso-polifonik është përfaqësuesi më i madh i stileve të ndryshme muzikore nga jugu i Shqipërisë. Fjala “iso” e paraqet të ashtuquajturin dron (shoqërim, ku një ton ose akord vazhdimisht tingëllon nëpër gjithë kompozimin), i cili mund të këndohet vazhdimisht ose ritmikisht në kundërshtime me meloditë e tjera. Kompozimet e këtilla kryesisht i performojnë zërat mashkullorë në ngjarje të ndryshme sociale. Tradicionalisht, këndimi iso-polifonik nga pjesët jugore të Shqipërisë transmetohet “nga brezi në brez”.

Ndërsa, kitaristi nga Kosova Drilon Çoçaj do të performojë më 13 gusht, me fillim në orën 21. Çoçaj do të performojë vepra nga Johan Sebastian Bah, Fernando Sor, Abel Karlevaro, Manuel Ponse.

Drilon Çoçaj me kitarën njoftohet në moshën shtatëvjeçare në rrethin e familjes. Më vonë regjistrohet në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren, ndërsa në vitin 2004 i regjistron studimet e tij deridiplomike në Akademinë për Arte në Prishtinë, në klasën e profesorit të njohur Xhevdet Sahatçija. Nën mentorimin e tij Çoçaj i përfundon edhe studimet pasdiplomike. Në biografinë e tij Çoçaj regjistron fitore në Garë internacionale për muzikantë të rinj “Ars Kosovë” në Prishtinë, koncerte të shumta solistike dhe kamertale në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Suedi, Mal të Zi, Gjermani, pastaj pjesëmarrje në festivale të ndryshme, si “Tingujt e kitarës” në Tiranë, “Dam Fest” dhe “Re Muzika” në Prishtinë, festivalin e njohur “Shopen” në Poloni, Festivalin veror në Ulqin dhe të tjerë. Ai për momentin punon si asistent në Fakultetin për Arte në Prishtinë, profesor në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, dhe në shkollën e muzikës “Misbah & Friends”.
Koncerti i flautistit Elvis Rudi dhe pianistit Marin Gjollma do të mbahet në Kishën e Shën Sofisë më 15 gusht, me fillim në orën 21. Në program kanë vepra nga Filip Gober, Fridrih Kulau, Pjer Sankan.

Formimi i klasës së parë të flautistëve në Shqipëri ka qenë rezultat i vullnetit të madh dhe punës së palodhshme të atyre të cilët kanë qenë profesorë të liceut të atëhershëm artistik (lloj i arsimit të mesëm artistik). Kjo është edhe koha kur Elvis Rudi fillon ta mësojë instrumentin flautin nën mentorimin e Miresla Selenicës dhe Isuf Spahiut. Studimet e tij i përfundon në Universitetin për muzikë në Bukuresht, tek profesori Virgil Frank, pas çka kthehet në Tiranë, ku fillon të punojë si asistent-ligjërues në Akademinë e Arteve. Më vonë ky institucion riemërohet në Universitet i Arteve, ndërsa titulli i Rudit rritet në asistent-profesor. Bursa nëntëmujore nga Konservatoriumi në Paris i mundëson përsosje me Pjer Iv Artod dhe Sofi Sherier. Gjatë këtyre viteve, i rëndësishëm është kontributi i tij në interpretimin dhe promovimin e muzikës bashkëkohore shqiptare.

Marin Gjollma studimet e tij deridiplomike, pasdiplomike dhe të doktoraturës i përfundon në Universitetin për muzikë në Karlsruhe të Gjermanisë, nën mentorimin e pianistes së njohur braziliane Fani Solter. Pas kësaj pason përsosja e tij në kurse maestrosh tek profesorë dhe muzikantë të njohur. Në sferën e muzikës kamertale ka bashkëpunuar me artistë eminentë, midis të cilëve edhe Martin Ostertag, si dhe orkestra të shumta. Nga viti 1996 deri në vitin 2018, mban një sërë koncertesh në Shqipëri dhe Gjermani, ndërsa gjithashtu merr pjesë edhe në festivale të rëndësishme internacionale në Greqi, Shqipëri. Është fitues i më shumë çmimeve në garat nacionale dhe internacionale për piano nga viti 1998 deri në vitin 2011.

Ohri përmes festivalit më me renome në Maqedoni “Vera e Ohrit” prej 12 korrikut e deri më 20 gusht i jeton 40 ditët e magjishme me emocionet që i sjellë ky festival. Mbi 800 artistë nga 27 vende nga e mbarë bota për të 58-tën herë me radhë për një muaj e gjysmë interpretojnë, aktrojnë, krijojnë në skenat e festivalit në Ohër…

Festivali sjell gërshetim të përsosur të muzikës, teatrit dhe artit në përgjithësi.Interpretojnë emra të njohur nga bota e muzikës, por edhe produksionet më të mira teatrore me projekte të shkëlqyeshme dramatike.

Festivali “Vera e Ohrit” mbahet me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq i ndihmuar nga Komuna e Ohrit, si dhe nga sponsorë të shumtë. /KultPlus.com

Serbia s’lejon akademik Hivzi Islamin të vizitojë Preshevën

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, sot, në vendkalimin kufitar Muçibabë/Buhiq nuk është lejuar nga policia kufitare e Serbisë të shkojë në Preshevë.

“Islami ishte nisur me familjen për vizitë te familjarët e tij në Preshevë. Familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të u lejuan ta kalonin kufirin, ndërsa ai jo pa marrë shpjegime nga policia kufitare serbe”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

ASHAK thotë se deri sot, Islami ka udhëtuar në Preshevë e Bujanovc sa herë ka pasur arsye apo dëshirë pa asnjë problem. Ai është i lindur në Letovicë të Bujanovcit, ndërsa familjarët e tij të afërt jetojnë në Letovicë, në Bujanovc dhe Preshevë. / KultPlus.com

Dua Lipa ka arritur në Kosovë (FOTO)

Këngëtarja Dua Lipa ka arritur në Kosovë.

Ajo para pak minutash ka ateruar në aeroport ndërsa gjatë ditës pati postuar edhe videon ku paralajmëronte për koncertin në Prishtinë.

Dua Lipa do të jetë emri kryesor i festivalit Sunny Hill Festival.

Dua po bëhet një prej emrave më të njohur momentalisht në muzikën botërore, duke prodhuar hitet “Neë Rules”, “Genesis”, “IDGAF” e hite tjera.

Shkëlqimi i Rita Orës në Monte Carlo (FOTO/VIDEO)

Rita Ora me një veshje transparente është prezantuar në paraqitjen e saj në Monte Carlo, shkruan KultPlus.

Rita Ora tashmë ka publikuar dukjen e saj në këtë paraqitje e cila duket të jetë shkëlqyer.


KultPlus ju sjellë një video nga ky koncert e cila ka kënduar disa këngë , duke pëefshirë edhe ato të fundit./KultPlus.com

Shpat Deda e Armend Xhaferi me koncert në Pejë

Në Teatrin Profesionist të Pejës ‘Istref Begolli’ do të mbahet një duo koncert tejet i veçantë i Shpat Dedës dhe Armend Xhaferit, koncert që do të mbahet sonte prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

“Ky koncert autorial karakterizohet nga zhveshja e këngëve nga dy albumet e Shpatit dhe sjellja e tyre në një formë shumë të afërt dhe intime, shoqëruar nga xhaz kitara unike e Armend Xhaferit. Koncerti është mundësuar nga Komuna e Pejës, FLUX dhe Kosovo Art Academy”, njoftojnë organizatorët, kurse hyrja për këtë koncert kushton 3 euro./KultPlus.com

Kënga korçare “Kapiten, o i ri” këngë që godet edhe sot (VIDEO)

Kapiten i ri
m’dëfto se ka po vjen?
Ti që ke qenë n’ushtri
a ke pa burrin tem?

Burrin tand unë e kam pa,
bashkë me të kam luftu.
Burri yt ka ndrru jetë
dhe ti ke m’marrë mu.

Kapiten i ri
porsi bora në mal.
Unë dashninë nuk e ndrroj’
as për nji gjeneral.

O moj ti zonjushë
që m’ke dal në ketë fushë.
Të puthsha faqe e gushë
dashnori yt vetë unë jam./KultPlus.com

Margaret Fuller, e para gazetare amerikane, një figurë e pavdekshme

Margaret Fuller (23 maj 1810 – 19 korrik 1850) ishte gazetarja dhe publicistja e parë amerikane, kritike letrare, aktiviste shoqërore dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Kryevepra e saj konsiderohet ajo e botuar në vitin 1845 me titull “Gratë në shekullin e XIX”.

Njohëse që në fëmijëri e disa gjuhëve të huaja: gjermanishtes, frëngjishtes, italishtes, greqishtes dhe latinishtes. Ajo u rrit duke zhvilluar një intelekt e talent të jashtëzakonshëm.

Margaret Fuller u bë redaktorja e parë
e revistës intelektuale transidentale “Dial”, të cilën e mbajti për dy vjet.

Ishte gruaja e parë që shkroi një libër për jetën e vështirë të tribuve indiane të Amerikës, keqtrajtimin e tyre nga të bardhët, duke u bërë kështu mbrojtëse e të drejtave tëtyre. Në dhjetor 1844, ajo u punësua nga “New York Tribune”, botuar nga Horac Greeley, duke u bërë gazetarja e parë amerikane. Ajo e filloi punën në gazetë me intervistat që u bëri prostitutave në burg duke skandalizuar lexuesit.

Fokusi i artikujve të saj ishte sfera shoqërore dhe letrare e jetës amerikane. E pamohueshme në aftësitë e saj profesionale, ajo preku me kritikat e saj letrare edhe emra krijuesish të njohur të kohës si Longfelow, Low dhe Ralph Waldo Emerson.

Me botimin e librit të saj “Gruaja në shekullin e 19-të” në shkurt të vitit 1845,në Nju Jork, ajo krijoi sensacion të madh. Libri ishte një thirrje pa kompromis për tëdrejtat e gruas amerikane. Botimi i parë u shit brenda javës. Guximi i saj i tepruar apo “i pacipë” revoltoi shumëkënd.

Emri Margaret Fuller u bë i njohur edhe
jashtë kontinentit amerikan, duke inspiruar njerëzit, por edhe duke revoltuar shumë të tjerë.

Në 1846, Margaret Fuller shkoi në Angli si korrespondente për “New York Tribune”, duke u bërë kështu gruaja e parë korrespondente jashtë kufijve të vendit te saj. Në Angli, libri i saj qe lexuar me simpati dhe i hapi shumë dyer autores.

Ajo intervistoi shumë personalitete
të kohës si Harriet Martineau, Wordsworth dhe De Quincey, por edhe hyri në skutat e jetës angleze, në miniera, lavanteri dhe u tmerrua nga varfëria e madhe dhe diferencat e mëdha klasore, u shqetësua nga kushtet e vështira të jetës dhe mungesa e shpresës te të varfrit. Ajo menjëherë shkroi për nevojën e një “revolucioni paqësor”.

Pikërisht kur ishte në një gjendje të
tillë emocionale, ajo takoi Giuseppe Mazzini-n, një imigrant revolucionar italian. Ajo kishte hyrë pa kuptuar në lëvizjen revolucionare të kohës, duke u bërë aktiviste e saj.

Fuller, gjatë kësaj kohe, vazhdonte
të shkruante për gazetën e saj në kohët
më dramatike që po kalonte Evropa, ndërsa mblidhte materiale për të shkruar veprën monumentale “History of Italian Liberation”.

Ndërkohë, shkrimet e saj në Amerikë kishin lënë shije jo fort të mirë.
Ndërkohë, botuesi i gazetës së saj në Nju Jork dhe miku i saj, Horac Greeley, kishte dëgjuar thashethemet mbi një dashuri “të lirë” të Margaret-ës dhe i preu rrogën. Për shkak të policisë sekrete, burrë e grua vendosën ta lënë Italinë e të udhëtojnë drejt Amerikës. Kështu, në maj 1850, ata lanë Livornon. Udhëtimi qe i pafat. Më 18 korrik, anija “Elisabeth” u përplas papritur me Fire Island. E kështu Margaret ndërroi jetë.

Vdekja e Margaret-ës qe një sensacion
publik. Miqtë e saj, nga Bostoni, erdhën
në ishull me shpresë se mos gjenin ndonjë gjurmë të dorëshkrimit të saj mbi revolucionin roman. Asnjë gjë nuk u gjet në mbeturinat e anijes, veç një kutie të mbyllur me letrat e dashurisë së Margaret-ës dhe Angelo-s.

Margaret Fuller ka qenë e para grua e
emancipuar lektore, gazetare, kritike
letrare e korrespondente ndërkombëtare
e shtypit amerikan, aktiviste politike.
Ajo guxoi të kompletonte vetveten e saj
si grua, duke hedhur poshtë epitetet nënvleftësuese me të cilat paragjykimet e veshin një femër. Ndaj ajo mbetet një figurë e pavdekshme femërore edhe sot.

Disa nga aforizmat e saj më të famshme janë:
– Nëse ke dituri, le t’i ndezin të tjerët qirinjtë në të.
– Ajo çfarë ka nevojë një grua nuk është të dominojë, por si natyrë të rritet, si intelekt të perceptojë, si shpirt të jetojë e lirë dhe e shpenguar.
– Po qe se gratë do të ishin në gjendje të zhvillonin forcën dhe bukurinë e tyre si gra, ato nuk do të uronin kurrë të ishin burra.
– Në mentalitetin e burrave gratë shihen si skllave.
– Sot një lexues, nesër një lider.
– Burrat për hir të jetesës së harruar harrojnë të jetojnë.
– Natyra siguron përjashtime për çdo rregull.
– Një shtëpi nuk është shtëpi, nëse përmban ushqim dhe zjarr për mendjen, si dhe për trupin.
– Karakteri dhe historia e secilit fëmijë mund të jetë një përvojë e re për prindin, nëse ai do ta lejojë atë.

MTI urdhëron largimin e lodrës “Slime” nga tregu i Kosovës

Misitria e Tregtisë dhe Industrisë ka urdhëruar largimin nga tregu i Kosovës të mbi 5 mijë lodrave për fëmijë, pasi që ka konstatuar se janë të rrezikshme për fëmijët. Në lodrat “Slime me Mbishkrimin Burrel-O-Slime”, sipas MTI-së është gjetur se është tejkaluar elementit kimik Bori i cili gjatë përdorimit nga fëmijët mund të shkaktoj dëmtim të përhershëm të sistemit të riprodhimit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për sekuestrimin e lodrave për fëmijë që mbajnë mbishkrimin “Barrel-O-Slime”, që është një lloj plasteline.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se sekuestrohen 5 mijë e 184 copë të kësaj lodre, të cilat janë importuar nga operatori ekonomik “Luca shpk” me seli në Skenderaj.

Sipas vendimit operatori ekonomik obligohet që brenda afatit prej 3 ditësh të bëjë tërheqjen e plotë nga tergu i brenshëm të të gjitha produkteve për fëmijë.

As ankesa e parashtruar kundër këtij vendimi sipas MTI-së nuk e ndalon ekzekutimin e tij.
“Me qëllim të verifikimit të komponentëve të sigurisë, inspektorati i Tregut me 10/04/2018 në procesverbalin e inspektimit, operatorit ekonomik “Luca” i ka ndaluar vendosjen në treg të produkteve lodra për fëmijë “Slime me Mbishkrimin Burrel-O-Slime në sasi 5184 copa”, thuhet në vendim, raporton Insajderi.

Këngët e çikave me defa, jehuan në Kalanë e Prizrenit

Alberina Haxhijaj- Prizren
Fotografitë Photo: Somer Spat
Mbrëmë në Kalanë e Prizrenit në kuadër të DokuFest, erdhi një përmbledhje e këngëve të cilat janë kënduar nga gratë, për të shënuar ceremoni të ndryshme, shkruan KultPlus.

Performanca e grupit i cili përbëhej nga Merita Rama, Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi, bëri që dhjetëra mysafirë të festivalit të ngjiten në Kala.

Të rehatuar në skenën e improvizuar në Kala, mysafirët shijuan perëndimin e diellit por edhe u kthyen prapa në kohë dhe udhëtuan nëpër troje të ndryshme të Kosovës përmes këngëve që solli grupi.
Këngët e tilla si: Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, Këqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera, bënë që të pranishmit të reflektonin për trashëgimin shpirtërore të cilën e ka Kosova.

/Kaj o nanë oj ti bashkë me muee, kaj o nanë oj ti bashkë me mue, s’ka kush vendin oj nanë me ta shtrue, s;ka kush vendin oj nanë me ta shtrue, Kajn o lule more lotë gurë gurë, kaj oj lule more lot gurë gurë ee/ qysh po e len more babën për një burrë/ qysh po e len more babën për një burrë ee/
Merita Rama e cila ishte njëra nga çikat që performoi, u shpreh për KultPlus se janë të lumtura që akoma po arrijnë që ta ruajnë zakonet dhe këngët që i kanë mësuar nga nënat dhe gjyshet e tyre.
“Grupi jonë është privat dhe shërben si vend takime për neve që tani jemi bërë edhe mikesha. Të gjithë janë të interesuar për të dëgjuar këngët e tilla, sidomos ndërkombëtaret dhe të huajt që po vizitojnë Prizrenin. Pra këngët që i kënduam i kemi trashëguar nga nënat tona, gjyshet por ka edhe këngë të krahinave të tjera të cilat i kemi mbledhur ndër vite”, tregoi ajo.

Grupi solli këngë të ndryshme të cilat përshkruajnë disa pjesë të jetës nëpër të cilat kalojnë gratë në shoqëri, të tilla si këngët për kangjegj, dasma, e të tjera.
Performanca po ashtu përfshiu edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.
/ioo uooo a ti n’at shpat e unë n’këtë shpat eooo/ iooo iooo o fol njëherë o gojë dukat eoo/ iooo ueeo ueoo o lule e kuqe fletë bojë pembe oo/

Kjo performancë është organizuar nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës. /KultPlus.com

Dua Lipa do të vjen me aeroplanin privat të këtij politikani kosovar

Burime të emisionit Express Summer në KTV kanë bërë të ditur se këngëtarja e famshme Dua Lipa do të vijë në Kosovë për koncertin e saj me aeroplan privat.

Sipas burimeve, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli sërish ka ofruar aeroplanin e tij privat që të sjellë Duan në Kosovë dhe gjithë ekipin e saj që këtë herë vijnë në numër të madh.
Këngëtarja pritet të mbërrijë në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sot rreth orës 16:00./KultPlus.com

Aktori Alban Ukaj, nikoqir i ceremonisë së hapjes së Festivalit të Filmit në Sarajevë

Aktori kosovar Alban Ukaj do të jetë nikoqir i ceremonisë së hapjes së edicionit të 24-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Ky festival do të hapet më 10 gusht, me një numër të madh të mysafirëve, ku hapja do të bëhet në Teatrin Kombëtar të Sarajevës.

Festivali i Filmit në Sarajevë, si një festival që zbulon gjeneratat e reja që do të udhëheqin kinemanë rajonale në të ardhmen, ka vendosë që në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, rolin e nikoqirit t’ia besoj aktorit kosovar Alban Ukaj, i cili ka shumë vite që është paraqitur në shumë role, si në teatër, ashtu edhe në film./KultPlus.com

Dua Lipa: Mezi po pres (VIDEO)

Dua Lipa tashmë është nisur për Prishtinë, e cila do të jetë e pranishme në kuadër të Sunny Hill Festival dhe atij fondacion, shkruan KultPlus.


Dua Lipa tashmë ka njoftuar se është rrugës për Prishtinë, duke shkruar se ajo mezi që po pret të jetë pjesë e këtij festivali./KultPlus.com

Serenata korçare, himni nostalgjik i dashurisë

“Të shkruash për serenatën korçare është njësoj sikur të duash të tregosh një ëndërr që e ke parë në një natë maji, kur protomajaja ka çelur te pragu i portës dhe hëna ka dalë si një perëndeshë mbi fronin e blertë të malit të Moravës dhe përzien rrezet e saj të arta me lulet erëkëndshme, kurse zëri i bilbilave me jonet e veta e shpie shpirtin në lëndina përrallore…”. Këtë pasazh veçon në librin e tij të titulluar “Serenata, himni i dashurisë korçare” shkrimtari Vangjush Ziko, duke i sjellë Korçës në kujtesë atë që e bën të quhet qyteti i serenatave. “Është e pafalshme që ta lëmë serenatën në harresë, edhe pse kjo gjini muzikore e spikatur vetëm në Korçë tashmë e ka mbyllur ciklin e saj”, thotë Ziko. Malli i mërgimit në Kanada, por edhe mosha afro 75-vjeçare, nuk e kanë lënë të qetë për të kërkuar rrënjët e serenatës korçare, brezat e këngëtarëve të saj, personazhet që edhe sot e kësaj dite Korça i mban për emblematikë etj. Qysh i ri, pas përfundimit të studimeve për letërsi në Moskë, Vangjush Ziko ka qenë aktiv në jetën kulturore të qytetit të tij të lindjes dhe pjesë të veprimtarisë artistike ka qenë edhe serenata. Jo më kot, ai na rikthen me nostalgji “jetën” e serenatës në Korçë.

Origjinaliteti i serenatës korçare

Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore korçare. “Për hir të së vërtetës duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, jo vetëm të Qefalonisë në Greqi, por edhe të serenatave italiane dhe spanjolle”, përmend në librin e tij Vangjush Ziko. Sipas tij, këtë e dëshmojnë edhe tekstet e disa serenatave të përkthyera nga këngë greke prej Spiridon Ilos dhe Loni Llogorit. Kurse në këngën “Zyhra”, të kënduar nga këngëtari bohem Petro Dula ndihen motivet e këngëve orientale. “Nuk është aspak i çuditshëm apo i dënueshëm ndikimi i serenatës italiane apo qefaloniane në serenatën korçare. Qefalonia është porta nga hyri serenata në Gadishullin Ballkanik. Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë”, na thotë Vangjush Ziko. Atij i kanë rënë në dorë tri fletore me tekste serenatash të shkruara prej serenatistit Sotiraq Mite. Në to, autori ka dëshmuar se mjaft prej serenatave janë origjinale në tekst e muzikë, e për disa të tjera pohon me sinqeritet se janë të përkthyera nga tekste të serenatave greke, italiane apo spanjolle. “Këto dëshmi flasin jo vetëm për raportet e serenatës korçare me serenatën mesdhetare, por edhe për sinqeritetin profesional dhe karakterin korrekt të një prej kantautorëve më të përkushtuar, më prodhimtarë dhe më popullorë, i quajtur princ i serenatës korçare, Sotiraq Mite”, thekson Ziko. Do të duhej patjetër njëfarë kohe, që kjo përvojë e re e mbartur të “alkimizohej” me shijen dhe me traditën muzikore vendase. Kështu, me krijimin e shoqërive kulturore zyrtare si klubi “Rilindja”, nën drejtimin e profesor Spiro Kondës, shoqëria “Djelmuria korçare”, shoqëria e Arteve të Bukura, e korit “Lyra” etj., filluan të krijohen e kompozohen shqip edhe këngë dashurie përveç këngëve patriotike. Serenata korçare nisi të marrë tipare origjinale. Kjo krijimtari mori hov veçanërisht në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe në vazhdim kur po njiheshin edhe autorët e këtyre serenatave. Në vitet që pasuan, bëhet fjalë kryesisht për krijime të mirëfillta dhe me plot gojën mund të thuhet se bëhet fjalë tashmë për serenatën origjinale korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm. Apoteoza e serenatës është lëvizja e lehtë e perdes së dritares, që zëvendëson duartrokitjet dhe drithërimat e sallës. Serenata është shumë më modeste edhe për instrumentet muzikore. Asaj i mjafton një mandolinë apo kitarë. Në fillimet e saj i mjaftonte vetëm fyelli… Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, “premierës” nën dritare, serenata fiton “qytetarinë” e saj për t’u kënduar në rrugë, gosti, në dasma e kudo.

Serenata në shtatë breza

Sipas Vangjush Zikos, serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza serenatistësh. Grupi i parë u përket viteve 1860-1880, ku merrnin pjesë Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, L. Osmanlli etj. Një grup tjetër i njohur në kohën e vet përpara vitit 1913 ishte ai i Nodhi Lakos, këngëtar dhe instrumentist, Sotir Dakos, Petraq Pilkatit, Taqi Fundos. Ndërsa kantautori më i njohur i viteve ‘50 të shekullit të kaluar mbetet Sotiraq Mite. Grupe të tjera të reja të shekullit të kaluar janë “Trëndafili i kuq” me kantautor Sotiraq Qano, Naskë Kondili, Gjergji Peleshi, Naskë Bicolli, Nesti Miska, Aristidh Themeli etj. Vijojnë grupe të tjera serenatistësh, si ai i kantautorit Ilia Vinjau, grupi me Ridvan Shëllirën, grupi i kantautorit më në zë aktualisht në Korçë i Mihallaq Andreas, ai i Tomi Kondakçiut, i Nonda Kajnos, i Maksi Kullës, kantautorët e tjerë si Vaskë Gaqi, Ilia Peleshi, Vaskë Nico. Ata që kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë serenatën korçare janë të panumërt në këtë qytet. Në Korçë janë të zakonshme familjet që kanë pasur nga dy apo tre breza serenatistësh. Një nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli. Ata këndonin familjarisht me burra dhe gra, zakonisht në oborr apo në shkallët e gurta të shtëpisë së tyre në qendër të qytetit te lulishtja e “Themistokli Gërmenjit”, që njihet edhe si një nga qendrat burimore më të hershme të serenatës korçare. Të moshuarit tregojnë edhe sot për atë traditë të bukur që kishin në rininë e tyre të largët për t’u mbledhur e për të kënduar tok në “pare” ose siç u quajtën më vonë edhe shoqëri. Ata mblidheshin për të kënduar dhe për t’u argëtuar duke ia shtruar me të gjithë të mirat, me sebep dhe pa sebep. Këndonin në dasma dhe fejesa, për të kremtuar ditët e emrit. Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara. Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatistëve të të gjitha brezave në vite.

Magjia e këngës korcare

Këngët kushtuar Korçës, Vangjush Ziko i quan me plot gojën serenata të vërteta dhe të merituara për këtë qytet që jo më kot, atëherë kur kishte lulëzuar serenata u quajt edhe “Paris i Vogël”. Me Korçën janë dashuruar dhe i kanë kënduar edhe të huajt që e kanë njohur këtë qytet, pasi kanë zbuluar bukurinë dhe magjinë e serenatës. “Serenatistët e vjetër tregojnë me krenari dhe buzëqeshje se nuk mbahet mend asnjë rast,asnjë incident në sokakët e Korçës të atyre viteve të largëta, që të kenë dalë pleq me dolloma ose plaka me shami në kokë dhe t’i kenë sikterisur apo mallkuar djemtë e serenatave kur u këndonin bijave apo mbesave të tyre. Vetëm në një rast, kur një bukuri e rrallë korçare dëgjoi se i këndonin poshtë dritares serenatë me pllaka gramafoni, doli dhe hodhi kovën me ujë mbi kokën e atij që kishte kurdisur veglën muzikore”, na rrëfen dëshmitë e qytetarisë Vangjush Ziko. Dashuria korçare kalonte sokakëve të qytetit me kitarën e hedhur në sup, duke ronitur xixëllimat e telave të saj të argjendta mbi kalldrëm. Grupi i serenatistëve, i veshur si për ditë të kremte, si dhëndurë me shamiçkën e bardhë në xhepin e vogël të xhaketës këndonte serenatën më të re. Dashuria korçare këndonte himnin e vet të pavdekshëm; Serenatën! Ridvan Shëllira, një serenatist i vjetër korçar, tregon një histori nga netët e panumërta kur këndonin me kitarë. “I kënduam një bukurosheje nga mëhalla e lumit e na dëgjoi pa e hapur dritaren. Pa e lëvizur perden fare. Ne ishim të sigurt se ajo na dëgjonte, sikur ia ndjenim në sokak frymëmarrjen e saj të shqetësuar. Puna ishte pse nuk na dha ndonjë shenjë, se serenata nuk impononte njeri. Por jo të gjitha vajzat që u këndonim përgjëroheshin për ne. Kur po largoheshim nga bukuroshja që nuk na përfilli, u hap një portë përkarshi. Del një i moshuar dhe na ftoi brenda se na kishte dëgjuar, por dëshironte akoma të këndonim. E kush nuk i ka ndier me shpirt serenatat! Kemi kënduar serenata edhe në vdekje, sepse serenata edhe pikëllimin e vdekjes e vë poshtë”. Për magjinë e serenatës tregojnë edhe një ndodhi tjetër. Familja e vjetër tregtare e Kaçadanëve në Korçë kishte përjetuar shumë fatkeqësi radhazi. Dera e kësaj shtëpie qëndronte vazhdimisht e mbyllur, i kishte pllakosur zija. Pareja e serenatistëve shkoi një mbrëmje dhe trokiti në portën e tyre. E hapi plaku i shtëpisë, por kur pa grupin e djemve me kitara dhe mandolinë u mbylli derën me nervozizëm. Ndërkohë, një nga djemtë kishte arritur të vinte këmbën dhe e kishte penguar derën të mbyllej plotësisht. Të rinjtë këmbëngulën të hyjnë brenda, duke i thënë plakut se kishin ardhur t’i jepnin asaj shtëpie çaste të gëzuara dhe ta prishnin atë zi që i rëndonte jo vetëm familjes, por edhe mëhallës dhe tërë qytetit. Plaku i lejoi më në fund të hynin dhe serenatat që u kënduan me gjithë shpirt e sfiduan vdekjen e zinë që kishte pllakosur shtëpinë e Kaçadanëve, e cila kishte djem e vajza të tjera për të martuar. Serenata ka lidhur me martesë edhe djem e vajza, pasi prindërit nuk pranonin në fillim dashurinë e tyre për shkaqe sociale, sepse ajo nuk ishte vetëm këngë e qejfeve, e mallit përvëlues dashuror, por edhe emancipimit dhe gëzimit të jetës.

Femrat serenatiste

Emancipimi që solli serenata në jetën e qytetit përfshiu edhe femrat korçare, të cilat nuk qëndruan vetëm duke i dëgjuar këngët e dashurisë pas perdes së dritares, por i krijuan dhe kënduan edhe vetë ato. “Serenata është një qelq ku brenda saj rreh një zemër e kristaltë”, ka thënë e para serenatiste korçare, Spanja Pipa. Spanja, që ishte me fat, sepse vinte nga një familje që e dashuronte muzikën, ishte nga të parat vajza që u ngjit në skenë dhe këndoi serenata para publikut korçar. Repertori i serenatave të saj nuk është i madh, por as i vogël. Ka të regjistruar në diskun e saj dhjetë këngët më të dashura për të, këngë që i kushtohen mallit të dashurisë. “Serenatat i këndojnë hapur dhe sinqerisht dashurisë. Shumë dhimbje që këndojnë serenatat janë dhimbje të asaj kohe kur dashuria duhej të mbahej e fshehtë”, thotë Spanja Pipa. Ajo kujton bashkëpunimet me Aleko Skalin e Pirro Manin kur flisnin për serenatën korçare dhe shpreheshin se gurët e rrugëve të Korçës ruajnë shumë kujtime, por edhe shumë të puthura. Vajzat korçare i kanë kënduar serenatat në mjediset e shtëpisë apo edhe në dasma për qejfet e tyre. Gjithashtu i kanë krijuar brenda mureve të shtëpisë dhe po atje i kanë kënduar dhe dashje pa dashje janë bërë pronë e grupeve të serenatistëve të qytetit. Vasilika Bimbli, sot në moshë të thyer, ka krijuar para më shumë se gjysmë shekulli serenatën e titulluar “Sikur ta dinte zemra jote”. Një tjetër pinjolle e kësaj familjeje, Jorgjeta Lalazi, këndon edhe sot në skenën korçare me zërin e saj të ëmbël e pasionant serenatat. “Korçarët e brezit tim nuk e harrojnë këngëtaren e talentuar Pavlina Nika, e cila është e para që ka kënduar përveç serenatave korçare, edhe serenatat spanjolle në skenë”, shkruan Vangjush Ziko. Këngëtare të tjera të serenatës dhe që vazhdojnë ta interpretojnë akoma janë edhe Eli Fara, Lazarela Deti, Mimoza Paraveli, Ermira Kola. Nuk mund të lihet pa përmendur Ermira Babaliu, aktualisht në emigrim në SHBA. Ajo jo vetëm e ka kënduar me shumë pasion serenatën, por është pikërisht kjo këngëtare, që cila në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur “bilbilat” e serenatës u detyruan të heshtnin, të këndonin nëpër rrugë, që i mbajti të freskëta serenatat me koncertet e saj.

Bilbilat e serenatës heshtin…

Kantautorët dhe serenatistët e brezit të viteve ‘60-‘70, veçanërisht ata të brezit të gjashtë, tregojnë peripeci sa qesharake edhe të trishtuara. Serenata që kishte qenë për dekada me radhë një stoli e mbrëmjeve korçare, një sonatë hënore, shpallej e ndaluar, se prishte gjumin e qytetarëve, të vajzave që nuk duheshin “shqetësuar” sepse shumë prej tyre punonin në turnet e natës. Serenatat nëpër rrugë dhe oborre ishin bërë të padëshiruara për pushtetin e ri. Bilbilat e serenatës dalëngadalë heshtën, nuk u dëgjuan nëpër rrugët e Korçës këngët e tyre. Serenatat këndoheshin vetëm në mjedise të mbyllura. Serenatistët e atyre viteve kujtojnë se ata që guxonin të dilnin me kitarë rrugës, i merrnin dhe i mbyllnin për një natë në polici. Për peripecitë e tij si këngëtar i serenatave ka treguar edhe kantautori Mihallaq Andrea. Atij nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta dhe punoi në një gurore. Veten e ka në personazh të një romani, dhe shprehet se në atë kohë ecte si një xhanaze dhe qante. Po çfarë kishte bërë? Vetëm kishte kënduar. Serenatistin Tomi Kondakçi e arrestuan dhe e burgosën duke ia ndërprerë për tetë vjet pasionin e tij për serenatën, por pa mundur t’ia shuajnë këtë pasion. E vërteta ishte se serenatat i pëlqenin shumë udhëheqës dhe militantë të partisë, sidomos korçarë, por ato i këndonin në rrethe të ngushta. Ky qëndrim i egër e përshpejtoi venitjen e parakohshme të serenatës në Korçë. Tani, në një periudhë që Vangjush Ziko e quan “Post-serenata”, kjo gjini muzikore nuk mund të krijohet më si dikur, me gjithë dëshirën e mirë dhe nostalgjinë që kemi për të. Ajo e mbylli ciklin e vet dhe atë mision historik të emancipimit shpirtëror, intim e shoqëror që pati në vitet e kaluara. Megjithatë, kantautorët e serenatës korçare bëjnë përpjekjet e tyre për rinovimin e saj, duke qenë në kërkim të atij kufiri që do ta mbante formalisht serenatën brenda kërkesave të gjinisë së saj. Por, shkëputja e serenatës nga sfondi i saj tipik, nga “skena” e rrugës po e shpie drejt gjinisë tjetër, këngës lirike që ngjitet në skenë dhe jo nën dritaren apo ballkonin e vajzës. Serenatës tani i mungon ritmi i trokitjeve të një zemre, që rreh e lumtur pas perdes së dritares, duke e ndier veten një perëndeshë, së cilës i kanë rënë në gjunjë dhe i betohen për adhurim të përjetshëm.

Ky ishte Tarzani, filmi që kishte zgjuar imagjinatën e shumë personave

Hero imagjinar, i lindur nga pena e shkrimtarit amerikan Edgar Lee Burroughs (1875-1950).

Për herë të parë u shfaq në vitin 1912 në numrin e tetorit të revistës All Story, por u bë i famshëm nga kinemaja dhe notari olimpik Johnny Weissmuller, i cili e mishëroi në ekranin e madh botëror. Sipas Burroughs, Tarzani ishte djali i lordit britanik dhe lejdit Greedock, të cilët ishin kapur nga piratët në një udhëtim në Afrikën Perëndimore.

Prindërit e tij vdiqën kur ishte fëmijë dhe edukimi i tij u mor përsipër nga Mangani, një race gorille. Ata i dhanë emrin Tarzan, i cili në gjuhën e tyre do të thotë njeri i bardhë.

Emri i tij i vërtetë ishte John Clayton, kur ishte i ri, u njoh me Jane Porter dhe familjen e saj, të cilët kishin një aventurë të ngjashme me atë të prindërve të tij.

Zemra e tij u ça për amerikanen e re dhe kur ajo u kthye në atdheun e saj, Tarzani la xhunglën për të kërkuar dashurinë e tij të parë dhe të vetme. Ata u martuan dhe jetuan për një kohë në Angli, ku lindi djali i tyre Korak.

Tarzani, i zhgënjyer nga hipokrizia e botës së civilizuar, kërkoi kuptimin e jetës, duke u kthyer me familjen e tij në xhungël. Burroughs, i dha heroit të tij aftësi të pazakonta për një njeri normal. Tarzani mund të ngjitej dhe të qëndronte në pemë, si majmun. Me ndjesi të mëdha, mund të nuhaste ushqimin nga një milje larg dhe të dëgjonte zërin më të vogël nga dy milje. Forca, shpejtësia, reflekset dhe aftësitë e tij në not tejkalonin ato të njeriut mesatar. Përballonte me sukses gorillat, rinocerontët, krokodilat, dinosaurët dhe kafshë të tjera të mëdha, ndërsa përthyente me sukses hekura dhe ngrinte ngarkesa të rënda me një dorë. E njihte shumë mirë gjuhën e trupit dhe marrja vesh me kafshët ishte lodër për të. Mund t’i shëronte vetë plagët e veta, të cilat njerëzit e tjerë do t’i dërgonin në botën tjetër. Burroughs krijoi një hero pothuajse të përsosur.

Tarzani nga pamja ishte atletik, i gjatë, i bukur, i nxirë nga dielli,dhe me sy gri. Emocionalisht ishte i guximshëm, i qëndrueshëm dhe besnik ndaj partneres së tij. U dallua për inteligjencën dhe moralin e tij, ndërsa në të gjitha rrethanat ishte mbrojtës i të dobëtve. Filozofia e tij njëdimensionale: kthimi në natyrë. Vishte një rrobë të thjeshtë nga lëkura e një kafshe të ngordhur, që mbulonte vetëm organet gjenitale të tij, dhe ishte i armatosur me një thikë. I mjaftonte një degë peme për të fjetur, teksa hante mish të gjallë nga kafshët që i vriste vetë. Megjithëse ishte në gjendje të jetonte në një shoqëri të civilizuar, preferonte të “hiqte shtresën e lëmuar të civilizimit”, siç shkruante Burroughs.

Tarzani, gjatë gjithë këtyre viteve, është një nga heronjtë më të njohur letrar. Përveç dhjetra tregimeve shkruar nga Burroughs dhe pas vdekjes së tij, të tjerë autorë, me lejen e Fondacionit Burroughs, e transferuan në kinematografi, teatër, televizion, libra komik, dhe në video lojëra. Pranimi kritik nuk përputhet me suksesin e tij të madh. Kritikët nuk ia falën Tarzanin që vinte nga fusha e “literaturës së lirë” Përveç kësaj, shkrimtari i tij u akuzua për riprodhimin e stereotipeve seksiste dhe raciste për gratë dhe zezakët në librat e tij të parë. Vetëm kur Burroughs u zhvendos në Hollivud, u bë më liberal dhe në librat e fundit të Tarzanit u tall me seksizmin dhe racizmin.
Në kinema, Tarzani bëri paraqitjen e tij më 27 janar, 1918, kur regjisori Scott Sidney transferoi në ekranin e madh librin e parë të Burroughs “Tarzani Of The Apes”, me protagonist Elmo Lincoln. Deri më sot janë xhiruar 87 filma të tjerë hero Tarzanin, që u lavdua dhe pothuajse u identifikua me të notari olimpik amerikan Johnny Weissmuller në vitet 30-të.

Shimpazeja mashkull Chita, i cili shoqëron Tarzanin në aventurat e tij, nuk referohet në asnjë libër të Burroughs. Tregimet e Tarzanit u ndaluan në Gjermaninë naziste si tregues i artit degjenerues. Qyteti i Kalifornisë, ku u vendos Burroughs, u emërua në nder të Tarzanit. Edhe pse kopjet e para të librave të tij kanë mbaruar, emri Tarzan është një markë tregtare. Tarzan ka qenë veçanërisht popullor në Izrael dhe në vendet arabe, në botime pirate të shkruar nga shkrimtarët vendës në vitet 1950 dhe 1960. Në Izrael gjuante arabët në vendet arabe izraelitët. Ngjarje Nga Historia Botërore./KultPlus.com

Kur Dua Lipa këndonte në Sallën e Kuqe, atëherë kur ishte e vogël (VIDEO)

Dua Lipa, ylli i muzikës ndërkombëtare talentin për muzikë e ka shfaqë qysh e vogël, shkruan KultPlus.

Ajo shihet si e vogël duke kënduar në Sallën e Kuqe, e cila bashkë me një vajzë tjetër këndon një këngë që i dedikohet mësueses.

Për më shumë mund ta shihyni videon./KultPlus.com

Dua Lipa sot vjen në Kosovë, në këtë kohë do tu drejtohet medieve

Këngëtarja kosovare e cila do të prezantohet me një koncert të madh në kuadër të Sunny Hill Festival, sot do të jetë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Këngëtarja Dua Lipa e cila po konsiderohet si një ndër këngëtaret më të suksesshme në Angli e më gjerë, përpos koncertit të saj, do të shpërndajë edhe mjetet e siguruara nga Fonadacioni i saj, mjete këto që do të dedikohen kryesisht për fëmiëjt.

Kurse rreth këtyre zhvillimeve, Dua Lipa do ti bëj të ditura të gjitha aktivitetet nëpërmjet një konference për medie, që do të mbahet në mbrëmje./KultPlus.com

Flaka Haliti me ekspozitë në Tiranë

Artistja kosovare Flaka Haliti do të prezantohet me ekspozotë personale në Tiranë, shkruan KultPlus.
Flaka Haliti e cila është duke e zhvilluar karrierën e saj artistike në shtete të ndryshme evropiane, kësaj radhe punën e saj do ta prezantojë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Bëhet e ditur se kjo ekspozitë do të hapet me 9 nëntor dhe do të rri e hapur për publikun vetëm dy ditë.

“Këtu- apo atje, është më atje”, titullohet kjo ekspozitë që do të sjellë Flaka Halitin në Tiranë./KultPlus.com

Lady Gaga yll në Las Vegas

Në dhjetor të 2017, kishte njoftuar se kishte nënshkruar një marrëveshje për qëndrimin në Las Vegas. Tani Lady Gaga ka bërë të ditur detajet e aventurës së saj të re në Park MGM “qyteti që nuk fle”, që do të nisë më 28 dhjetor.

Ikona e pop-it do të mbajë dy shfaqje të ndryshme, “Enigma” (23 data) dhe “Jazz dhe Piano Engagements” (4 data).

Biletat do të dalin në shitje nga data 13 gusht dhe 27 datat e përgjithshme do të përhapen nga dhjetori deri në fillim të nëntorit 2019: do të jetë e qëndrueshme në Park Theatre, nga dhjetori 2018 deri në shkurt 2019, pastaj pas një pushimi do të kthehet së pari në qershor dhe më pas në tetor .

Sipas një njoftimi për shtyp, Lady Gaga Enigma “do t’i çojë fansat në një aventurë me hitet më të mëdha të saj pop”, ndërsa Lady Gaga Jazz & Piano do të fokusohet në “në versionet e këngëve të saj, ashtu si edhe muzikën e The Great American Songbook”.

Në një intervistë për People, ylli kishte thënë: “mezi po pres të ndaj “Enigmën”, me të gjithë fansat e mi dhe me Las Vegasin. Po krijojmë një spektakël që është ndryshe nga çdo gjë që kam bërë më parë. Sfidat mund të tejkalohen me kreativitetin dhe guximin që vjen nga fatkeqësia, dashuria dhe muzika “./k.s/ KultPlus.com

Leka e Gjergji

Poezi nga Enerestina Gjergji Halili.

Për Lalë Gjergjin – Mirdituer
( Gjyshin tem)

N’Kuven’ t’Lezhës , Pal Dukagjini,
besën e burrit ka dhânë Gjergjit,
dukagjinas e djelmni Shalet,
kâmbën anmikut me e qitë faret.
Kish pa lé Leka i Palit…
Rrit’ n’Ulpianë , Raguzë e Lezhë,
me vlla Pal, Marí e Rozë,
páj ma i miri i kull’s t’vendit,
nip n’derë Aranit Komnenit…
N’dasëm t’Gjergjit, básh n’Krue,
thirr’ n’duel ka Lekë Zakarinë,
për nját t’bukrën e Dushmanve,
për nját fllanxë t’re, Jerinë.

Uj’ ma mrápa n’kohë ka rrjédhë…

Kur n’kry i vnoj kunόrë,
tuj lidh’ besë me Gjon Muzak’,
tuj dhânë fjal’n e nderit t’burrit,
me má t’bukrën Teodorë.
N’Stefigrad âsht bâ e madhe,
Kastrioti thirr’ p’e kâ,
flut’ron Leka me ndih’ vllaun,
páj prej dékës, Gjergjin ka ndâ…
N’bukë t’sofrës, n’teh t’shpatës,
n’besë arbnore t’Principatës,
kryetrimat kanë lidh’ motin,
Leka njá n’ Gjergj Kastriotin.
Re zezona mbi Krue apet…
Ballaban Pasha, s’gjân’ gajret
As ushtri, as kockë ka mbetë…
Thirr e ka njáj Zot Gjergjin,
e ka lânë Lekën vetun,
thirr ká Leka n’oshtimë t’giatë,
bes’n e Gjergjit kush s’pe çârtë!
…Njéshtu puna n’at Principatë…
Gjergj e Lekë, ngát e ngát,
âsht’ thânë fjala dhe m’dhe:
-Kryetrimat s’mund me dekë,
jetë dhané, mandej kanë lé! /KultPlus.com

Paris Hilton i kthehet profesionit si DJ

Prej disa vjetësh Paris Hilton ka nisur karrierën në botën e muzikës, ka nxjerrë disa këngë, por i pëlqen edhe ritmi i diskotekës dhe për këtë fakt është orientuar edhe nga puna si Dj.

Një ndër ndalesat e turneut botëror “State Platinum Rush European 2018” ishte edhe Qipro, ku luajti muzikë për të pranishmit në një resort./KultPlus.com

DokuFest reflekton prapa, në kohën kur fotografitë ishin analoge

Alberina Haxhijaj – Prizren
Fotografitë: Bruno Tenschert

Të vegjlit të cilët janë bërë pjesë e DokuPhoto, kanë dalë sot rreth e rreth qyteti për të mbledhur objekte të ndryshme. Dikë e ka tërhequr një lule e dikë disa të tilla, e të tjerët kanë grumbulluar objekte të ndryshme të cilat i kanë gjetur në natyrë, shkruan KultPlus.

Pastaj të gjithë së bashku të udhëhequr nga fotografja, Blerta Hoçia, janë kthyer në Gjimnazin “Loyola” ku në dhomën e errët kanë zhvilluar në mënyrë analoge fotografitë e gjësendeve të mbledhura.

Bleta Hoçia tregoi për KultPlus se interesimi i madh i fëmijëve ishte ajo që i la më së shumti mbresa. Gjithë kjo sipas saj pasi që njohuritë e tyre për fotografinë vijnë nga aparati digjital apo nga telefonat e mençur ku me një klikim realizohet një fotografi.

Prandaj e veçanta e ditës së sotshme ishte se fëmijët e zbuluan një mënyrë krejt tjetër të realizimit të fotografive, ku nuk kishin nevojë
aspak për një aparat fotografik.

“Mblodhëm objekte dhe u futëm në dhomën e errët dhe nga objektet që fëmijët mblodhën, të impresionuar nga drita mbi kartën e ndjeshme pra duke lënë shenjën mbi kartën. Pastaj këtë letrën e zhvendosëm të pjesa ku ajo zhvillohet dhe lahet nëpër vaska me acide të ndryshme”, sqaroi procedurën fotografja.

Një procedurë të cilën pastaj e vunë në praktikë të 10-të fëmijët që ishin pjesë e kësaj punëtorie. E sigurisht momenti kur nga letra e bardhë filloi që të shfaqej imazhi, u prit me shumë habi nga fëmijët.


“Prova e parë që pamë ishte shumë emocionuese pasi që ata nuk e prisnin që nga një letër e bardhë dhe me objektet që kishin mbledhur të krijohej një fotografi”. Dalloja nga komentet që të gjithë prisnin me pa durim se çfarë do dilte pasi që duhej disa minuta që të zhvillohet fotografia”, theksoi ajo.

Këtë proces fotografja Blerta Hoçia e konsideron një metodë shumë të mirë reflektuese për fëmijët dhe edukative njëkohësisht.

“Për mua është e rëndësishme që sa paku brezi i ri i fëmijëve të kuptojë se jo vetëm te fotografia por edhe në fushat e tjera, teknologjia nuk është e vetmja që t’i zgjedh punët. Ne kemi mundësi që të eksperimentojmë me shumë me resurset të cilat i kemi”, u shpreh ajo.

Rezultatet e punës së sotshme do të paraqiten në një ekspozitë e cila do jetë e hapur për të gjithë, në Qylhan më 8 gusht./ KultPlus.com