Efiçenca energjitike, paradë me fenerë në Rrugën e Ambasadave

‘Kur bie mbrëmja“ është një Paradë me laterna (fenerë) që do të zhvillohet për inaugurimin në Rrugën e Ambasadave të ndriçimit sipas parimit të efiçiencës energjetike.

Me ndihmën e Qeverisë Federale të Gjermanisë, Bashkia e Tiranës ka instaluar në Rrugën e Ambasadave ndriçues sipas parimit të efiçiencës energjetike si dhe kanë vendosur një panel diellor për të prodhuar energji të gjelbër.

Ky projekt pilot ka si qëllim reduktimin e konsumit të energjisë dhe të mbetjeve CO2. Projekti është një komponent i bashkëpunimit gjithëpërfshirës gjermano-shqiptar për të rritur efiçiencën e energjisë në Shqipëri.

Projekti do t’i prezantohet publikut të mërkurën, në datën 14 nëntor. Me këtë rast ka edhe një paradë me laterna, e cila do të fillojë në orën 17:30 te “Rruga e Durrësit” / Sheshi “Adem Jashari” dhe më pas do të kalojë përgjatë Rrugës së Ambasadave.

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë fton tek Rruga e Ambasadave, fëmijët dhe familjen dhe mbi të gjitha me laternat e punuara nga ata vetë. Sipas traditës gjermane të paradës me laterna, do të ecet në rrugë duke kënduar me një laternë në dorë.

Pas prezantimit të shkurtër të projektit, Ambasadorja, Suzanne Schütz, Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj do të inaugurojnë ndriçimin e ri. Më pas fëmijët janë të ftuar të marrin pjesë në një kuic mbi temën e efiçiencës së energjisë, ndërsa për prindërit do të ketë një ponç vjeshtor./ KultPlus.com

Si u formua Kryqi i Kuq

Gjashtëmbëdhjetë shtete dhe mbretëri evropiane më 29 tetor të vitit 1863, formojnë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

Deri në mes të shekullit të 19-të, nuk kishte asnjë sistem të organizuar për kujdesin e viktimave të luftës ose të plagosurve në fushë-betejë.

Në qershor 1859, biznesmeni zviceran Henry Dunant udhëtoi për në Itali, në atë kohë e pushtuar nga Franca. Kur mbërriti në qytetin Solferino, ai pa nga afër pasojat e një beteje franko – austriake, ku në një ditë të vetme, rreth 40-mijë ushtarë në të dy anët u vranë ose u plagosën dhe trupat ishin lënë në fushë pa asnjë kujdes a ndihmë.

Henry Dunant braktisi plotësisht qëllimin origjinal të udhëtimit të tij dhe për disa ditë iu përkushtua organizimit të trajtimit dhe kujdesit për të plagosurit.

Kur u kthye në shtëpinë e tij në Gjenevë, ai vendosi të shkruajë një libër “Kujtesë e Solferinos” dhe u dërgoi kopje të librit figurave kryesore politike dhe ushtarake në të gjithë Evropën. Dhe, kështu u përhap ideja e krijimit të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, që u themelua këtë ditë 155 vjet më parë./ KultPlus.com

Tri gjëra që do të mësosh pasi nëna juaj të mos jetë më

Vdekja është e pashmangshme për të gjithë dhe madje edhe nëse jemi të vetëdijshëm për këtë, është e vështirë të humbasim dikë që e duam.

Ju përjetoni dhimbjen e humbjes dhe, në një farë mënyre, doni të shkoni mbrapa në kohë. Kur nëna juaj, personi që ju dha jetën, largohet, emocionet dhe ndjenjat tuaja bëhen gati të patolerueshme. Ju nuk mund të shmangni së menduari “Si mund të kapërcehet kjo dhimbje?”

Nëna e një shkrimtareje shumë të njohur vdiq nga kanceri i vezoreve, kur ajo ishte ende shumë e vogël, kështu që shkrimtarja vendosi për të ndarë tre mësimet e jetës që mësoi pas vdekjes së nënës së saj.

Mësimi i parë që mësoni pas humbjes së nënës suaj është që ti e kupton se fazat e dhimbjes nuk janë lineare: Nuk përjetoni dhimbje në pikën më të lartë menjëherë pas vdekjes, kjo sasi e dhimbjes do të vazhdojë të rritet në mënyrë progresive. Në të vërtetë, është e mundur që dhimbja të mos zhduket plotësisht ose se kulmi i dhimbjes nuk arrihet kurrë.

Ju do të mësoni se dhimbja është një proces i natyrshëm, ka emocione të lidhura me këtë dhe duhet të lejoni që ata të shprehin veten plotësisht për të qenë në gjendje të mbyllin rrethin e dhimbjes.

Do të përjetoni emocione trishtimi, faji, frike, zemërimi dhe, në disa raste, paqe. Mund të jetë një proces rraskapitës që do t’ju lejojë të njihni dhe shprehni këto emocione, por duke vepruar kështu, do të arrini mbylljen e rrethit dhe shërimin që ju nevojitet pas vdekjes së nënës suaj.

Së dyti, edhe pse ju nuk mund të zëvendësojë nënën tuaj, në fund do të jeni në gjendje të vazhdoni të ecni përpara. Një teknikë që mund të ndihmojë do të jetë për të gjetur cilësitë dhe aftësitë e tjera që posedonte nëna juaj, ata që admiroje dhe që ju ndihmuan. Sigurisht që nuk do të jetë e njëjtë sikur të keni nënën tuaj pranë, por kjo do t’ju ndihmojë të plotësoni zbrazëtinë që do të ndjeni.

Së treti, sigurohuni që të njihni njerëzit që keni pranë, të cilët me të vërtetë ju duan dhe ju mbështesin. Kjo mund të përfshijë babanë, vëllezërit, partnerin ose anëtarët e tjerë të familjes. Këta janë njerëzit me të cilët do të keni më shumë mundësi për të kuptuar rrugën që po kaloni, sepse ata vetë do të kenë përjetuar tashmë fazat e dhimbshme pas humbjes së nënës suaj. Ata do të jenë atje për ju në momentet tuaja më të këqija./ KultPlus.com

Artisti që e portretizoi administratën e Trumpit si “Kabineti i Tmerreve” (VIDEO)

Artisti gueril, Robbie Conal, është i njohur për krijimtarinë e tij që ngacmon politikanët amerikanë dhe kësaj radhe ai është fokusuar në administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ai në ciklin e tij ka përfshirë nga zëvendëspresidenti, Mike Pence, e deri tek këshilltarët, Steve Bannon dhe Kellyanne Conway.

Ekspozita e titulluar “Kabineti i Tmerreve” shfaq edhe veprat që artisti 74 vjeçar ka punuar nëpër rrugët e Los Anxhelosit, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Veprat e mia ndodhen nëpër vende të ndryshme në mënyrë që njerëzit të hasin në to papritur gjatë jetës së tyre të përditshme dhe të mendojnë për këta njerëz që unë mendoj se kanë abuzuar me fuqinë e tyre dhe me emrin tonë”, ka thënë artisti Robbie Conal.

Artdashësja 68 vjeçare nga qyteti Los Anxhelos, Carole Patchett, ka thënë: “E gjithë puna e Robbies, shfaq djallëzinë prapa maskave shumë-shumë të holla që veshin njerëzit”.

Ekspozita do të mbahet e hapur deri më 8 dhjetor të këtij vitit në galerinë “Track 16” në Los Anxhelos dhe pastaj do të shfaqet edhe në Uashington të Shteteve të Bashkuara./ KultPlus.com

Platforma e filmave vendor me 130 mijë shikues për 10 muaj

Testimi i platformës online me disa prej filmave të bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka rezultuar me mbi 130 mijë shikues qysh prej dhjetorit të vitit që shkoi.

E në nëntor ky institucion do ta përditësojë platformën e realizuar në bashkëpunim me kompaninë “Gjirafa”.

Filma të shkurtër e dokumentarë do të shtohen në ueb-faqen që mbetet në dispozicion të atyre që duan t’i shohin projektet e mbështetura nga institucioni më i lartë i kinematografisë në vend. Por këtë herë oferta do të përfshijë edhe filma të metrazhit të gjatë. Me ketë, QKK-ja llogarit që ndikimi në shikueshmëri të jetë i madh.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se ky institucion është duke punuar për ta përditësuar platformën online.

“Jemi në proces për t’i lansuar edhe disa filma. Kjo do të ndodhë gjatë muajit nëntor”, ka thënë Zharku. Ai ka zbuluar se cili do të jetë filmi i parë i bashkëfinancuar nga QKK-ja që do të shtohet në platformën online, shkruan Koha Ditore./KultPlus.com

Dua Lipa më e dëgjuara në “Spotify”

Këngëtarja kosovare, Dua Lipa, është këngëtarja më e dëgjuar në platformën “Spotify”.

Albumi i saj, që u lansua vitin e shkuar, por që së fundmi u kompletua, është dëgjuar më shumë se 4.2 miliardë herë.

“Dua Lipa” është kthyer sërish në top-10 të Britanisë së Madhe një vit pas lansimit të parë.

Kjo e ka gëzuar tej mase këngëtaren kosovare që ka shkruar në Instagram ku ka falënderuar ndjekësit e saj.
https://www.instagram.com/p/BpeiapThPbe/?utm_source=ig_share_sheet&igshid=4bf6tkmlkrzy

“Përse njerëzit, të tjerë duan por me të tjerë martohen?”, e pyeti studenti… Ai i jep përgjigjen e jetës

Një student e pyeti Profesorin, “Përse shpesh njerëzit martohen me një person tjetër nga ai që duan?”

Profesori i tha: “Për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, shko në fushën e grurit dhe zgjidh kalliun më të mirë dhe kthehu sërish. Por rregulli është që ti mund të kalosh nëpër fushë vetëm një herë dhe nuk mund të kthehesh prapa.”

Studenti shkoi në fushë, shkoi në rreshtin e parë, pa një kalli të madh që i pëlqeu menjëherë, por ai pyeti veten se ndoshta ka ndonjë një më të madh më tej.

Pastaj ai pa një tjetër më të madh, por përsëri ai mendoi se ndoshta ka një edhe më të madh duke pritur për të, pak më poshtë.

Më vonë, kur mbaroi më shumë se gjysmën e fushës së grurit, filloi të kuptonte se gruri nuk ishte aq i madh sa ai që e la në fillim të fushës, ai filloi të kuptonte se kishte humbur më të mirin në kërkim të një kalliu më të madh.

Përfundimisht ai u kthye tek Profesori me dorën bosh, sepse ai thjesht nuk mund t’ia falte vetes që kishte hequr dorë nga kalliu më i mirë dhe ia përshkroi atij atë që ndodhi.

Profesori i tha, “Ti ke vazhduar duke kërkuar për një më të mirë, ndërsa ke lënë të të ikin më të mirat dhe më vonë kur e kupton se e ke humbur atë, ti nuk mund të kthehehesh.

Ky është gabimi i bërë shpesh nga njerëz që ranë në dashuri dhe humbën personin më të mirë që mund të kishin në jetën e tyre”.

Studenti iu kthye dhe e pyeti, “A do të thotë kjo, që nuk duhet të biesh në dashuri?”

Profesori u përgjigj: “Jo i dashur, kushdo mund të bie në dashuri nëse gjen një person të përshtatshëm. Por, sapo të biesh në dashuri, nuk duhet ta lësh kurrë atë person për shkak të zemërimit, egos ose krahasimit me të tjerët”.

“Po si mund të përfundojnë duke u martuar me dikë tjetër nga ai që duan?” – pyeti studenti.

Profesori tha: “Për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, shko në fushën e misrit dhe zgjidh misrin më të madh dhe kthehu. Por rregulli është i njëjtë si më parë, mund të kalosh nëpër to vetëm një herë dhe nuk mund të kthehesh prapa.”

Studenti shkoi në fushën e misrit, këtë herë ai ishte i kujdesshëm që të mos përsëriste gabimin e mëparshëm.

Kur arriti në mes të fushës, ai mori një misër të mesëm me të cilin ndihej i kënaqur dhe u kthye te Profesori. Ai përshkroi se si e bëri zgjedhjen.

Profesori i tha atij: “Këtë herë nuk erdhe me dorën e zbrazët. Ti kërkove për një që është mesatarisht i mirë dhe ke patur besim se kjo është më e mira që mund të gjeje. Kështu bëhet zgjedhja për martesë”.

Studenti mbeti komplet i hutuar.

Profesori e pyeti: “Çfarë të shqetëson tani?”

Studenti u përgjigj: “Po pyes veten se cila do të ishte më mirë, të martohesh me një person që e do ose të duash personin me të cilin martohesh”.

Profesori u përgjigj: “Është një përgjigje shumë e lehtë, thjesht duhet të jesh i gatshëm ta pranosh atë”.

Morali

Jeta është si një shportë frutash. Ose ju duhet të bëni një zgjedhje të hani frutat që doni ose të jeni të kënaqur me diçka që është e shëndetshme!

Zgjidhni me mençuri! Për sa kohë që qëndroni të vërtetë me veten tuaj dhe të ndershëm, ju nuk mund të gaboni me ndonjërën nga këto dy zgjedhje.

“Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet, nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt”

Poezi nga Rabindranath Tagore.

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë,
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë.

A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?

Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.

Eja ashtu si je, mos u vono me tualet
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet.

I dënuar të jesh me shkollë të lartë

Shkruan: Alma Nikolla

Nëse je me shkollë të lartë duhet me doemos të dish sa është Everesti, maja më e lartë në botë. Pa rrumbullakosje.

Duhet medoemos të dish çfarë mendon Donald Trump, kur lë Melaninë jashtë çadrës që laget në shi.

Ti, si me shkollë të lartë që je duhet të mos e ngresh zërin në një debat të zhurmshëm, se dreqi e mori je me shkollë.

Imagjinooooooo… të mos dish se kryeqyteti i Brazilit është Brazilia dhe jo Rio, të rroftë shkolla!

Po pate shkollë të lartë duhet që të dish si e do komshia kafen.

Shkolla e lartë medoemos të mëson politikat ekonomike ndërkombëtare.

Nëse je me shkollë të lartë dhe një këngë s’e zbulon “Shazam” (Program që shkarkohet në celular dhe të tregon titullin e këngës), ti nuk e di, je kulturalisht dobët.

Po pate shkollë të lartë nënkuptohesh që nuk ke se si të mos thuash mirëmëngjes i pari dhe duke buzëqeshur, edhe nëse në ëndërr ke parë dinozaurë që po të gllabëronin.

Edhe shkrimin e mjekëve, një shkollëlartë duhet të dijë ta deshifrojë, se doktori është “dorë e tij”, është me shkollë.

Pale të mos kuptosh një kronikë televizive gjithë teknikalitete, krejt të kundërta me fushën tënde, të hidhet poshtë shkollimi, me vendim unanim fisnor.

Nëse je me shkollë ti duhet të jesh i lartë. Të dish. Të thuash se di. Të mos kesh gjëra që nuk di.

Qysh se lulëzuan analistët, shkolla e lartë filloi të na turpërojë. Të na përndjekë.

Kur ato zonjat e zotërinjtë në ekran flasin me siguri për një filan çështje, për çdo temë me vite dritë larg fushës së vet të studimit dhe ti si shkollë lartë nuk dite t’i përgjigjeshe bindshëm pyetjeve të vështira, pyetjeve që duan një jetë për t’i ditur… u akuzove se je me shkollë, mos u mërzit. Nuk je vetëm, analistët janë pak, realistët që nuk dimë, jemi shumë.

Thuaj nuk di. Kam harruar. Budalla me shkollë të lartë do të thonë gjithsesi.

Zbulohet slogani i Eurovizonit të vitit 2019-të

Tashmë është zbuluar edhe slogani i Eurovizionit të vitit 2019-të që do të mbahet në Izrael, shkruan KultPlus.

“Guxo të ëndrrosh” (Dare do dream) është slogani i Eurovizionit ndërsa do të jetë Tel Avivi qyteti që do të mirëpresë vitin tjetër ngjarjen më të madhe muzikore në Evropë.

Festivali do të mbahet në muajin maj 2019, me 14, 16 dhe 18 maj. Do të jetë hera e tretë që Izraeli e mirëpret organizimin e Eurovizionit, pas vitit 1979 dhe 1999.

Eurovizioni do të mbahet saktësisht në EXPO Tel Aviv – International Convention Centre./ KultPlus.com

37 vjet nga inaugurimi i Muzeut Historik Kombëtar

Si sot, 37 vjet më parë, më 28 tetor 1981 u përurua godina e Muzeut Historik Kombëtar.

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.

Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij.

Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit, shkruan ata./ KultPlus.com

Është e ndaluar…

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.

Është e ndaluar:
të qash pa nxjerrë një mësim,
të çohesh një ditë pa ditur çfarë të bësh,
të kesh frikë nga kujtimet…

Është e ndaluar:
të mos u buzëqeshësh problemeve,
të mos luftosh për atë çfarë do,
të braktisësh gjithçka nga frika,
të mos realizosh ëndrrat…

Është e ndaluar:
të mos tregosh dashurinë,
të bësh dikë të paguajë
per dyshimet dhe humorin tënd të keq…

Është e ndaluar:
të mos jesh vetvetja para njerëzve,
të pretendosh nga njerëz që nuk të interesojnë,
të bësh qesharakun me qëllim që të të kujtojnë,
të harrosh të gjithë njerëzit që të duan…

Është e ndaluar:
të mos bësh gjërat për veten tënde,
të mos kesh besim në vetvete,
të mos plotësosh fatin tënd,
të kesh frikë nga jeta dhe angazhimet e saj…

Të mos jetosh çdo ditë
sikur të jetë frymëmarrja e fundit…

Është e ndaluar:
t’i japësh dikujt më pak nga sa mundesh,
të mos ndjesh lumturinë,
të harrosh sytë, buzëqeshjen e tij, gjithçka
sepse rrugët tuaja nuk kryqëzohen më,
të harrosh të kaluarën
dhe ta bësh të paguajë me të tashmen…

Është e ndaluar:
të mos përpiqesh të kuptosh njerëzit,
të mendosh se jeta jote vlen më shumë se e tyre,
të mos kuptosh se gjithkush ka rrugën dhe fatin e tij…

Është e ndaluar:
të mos besosh historinë tënde,
të mos kesh kohë për njerëzit që kanë nevojë për ty,
të mos kuptosh se jeta atë që të jep
mund dhe të ta marre prapë…

Është e ndaluar:
të mos kërkosh lumturinë,
të mos jetosh jetën
duke patur një qëndrim pozitiv ndaj saj,
të mos mendojmë se mund të përmirësohemi…

Është e ndaluar
Të mos mendosh se kjo botë
Do mund të ishte e njëjtë pa ty…

“Çfarë bën dhe çfarë mendon gruaja në takimin e parë…”

“Ja për shembull një grua, e cila ka shkuar në një takim të parë. Ajo i njeh fort mirë synimet që ushqen ndaj saj burri që po flet.

Ajo e di gjithashtu se herët a vonë do t’i duhet të marrë një vendim. Mirëpo ajo nuk dëshiron ta ndiejë urgjencën: ajo jepet vetëm pas anës së respektshme e të matur të sjelljes së partnerit.

Ajo nuk e rrok këtë sjellje si orvatje për të përmbushur atë çka e emërtojmë “qasjet e para”, domethënë që nuk ia ka enda të shohë mundësitë e zhvillimit të përkohshëm që paraqet kjo sjellje: ajo e kufizon këtë sjellje në atë çka është në të tashmen.

Në fjalitë që i drejtohen, ajo nuk don të lexojë gjë tjetër, përveç kuptimit të shprehur qartë. Nëse i thonë: “Sa shumë ju adhuroj!”, ajo e çarmatos këtë fjali me thellësinë e vetëdijes së saj seksuale, i mvesh ligjërimeve dhe sjelljes së bashkëbiseduesit domethënie të menjëherta që i përfytyron si cilësi objektive.

Burri që flet i duket i çiltër e gjithë respekt, ashtu siç, të themi, tryeza është rrumbullake a katrore, letra që vesh muret është blu a e përhime. Dhe cilësitë e mveshura kësisoj personit që ajo po dëgjon, kanë ngrirë kështu në një qendrueshmëri sendore, e cila nuk është gjë tjetër veçse hedhje në rrjedhën kohore i të tashmes së tyre të përpiktë.

Pikërisht, ngaqë ajo nuk është në dijeni të asaj çka uron: ajo është thellësisht e ndjeshme ndaj dëshirës që frymëzon, por dëshira e thënë troç dhe cullake do ta poshtëronte e do ta llahtariste. Megjithatë, ajo nuk do të përjetonte asnjë mrekulli prej një respekti që do të ishte vetëm thjesht respekt.

Për ta kënaqur, lipset një ndjenjë që i drejtohet e gjitha qenies të saj, domethënë lirisë së saj plotësore, e që të jetë një njohje e lirisë së saj. Mirëpo, në të njëjtën kohë duhet që kjo ndjenjë të jetë e gjitha dëshirë, domethënë që t’i drejtohet trupit të saj si objekt. Pra, këtë herë, ajo shkagon ta rrokë dëshirën për atë çka është, madje, nuk i vë as emër, e njeh vetëm në atë masë, teksa ajo përvijohet kah adhurimi, vleresimi, respekti dhe kur përthithet e gjitha në trajtat më sipërane që përfton, deri në atë pikë sa shpaloset aty si një lloj ngrohtësie a dendësie.

Por ja që i marrin dorën. Ky veprim i bashkëbiseduesit të saj ka rrezik ta ndryshojë situatën duke i bërë thirrje një vendimi të menjëhertë: ta braktisësh këtë dorë do të thotë të mos kesh vetiu kundërshtim për flirtin do të thotë të përfillësh. Ta heqësh dorën do të thotë të prishësh këtë harmoni të trubullt e të brishtë që përbën magjinë e këtij çasti.

Lipset të shtyhet sa më larg të jetë i mundur çasti i vendimit. Dihet se ç’ndodh atëherë: gruaja rioshe e heq dorën, por nuk e ve re që e heq. Ajo nuk e ve re, sepse, në këtë çast, rastësisht, është gjithë qejf. Ajo e tërheq bashkëbiseduesin e saj gjer në pjesët më sipërore të spekullimit sentimental, flet për jetën, për jetën e saj, shfaqet në aspektin e saj thelbësor: një njeri, një vetëdije. Dhe gjatë kësaj kohe, ndarja e trupit dhe e shpirtit është përmbushur; dora prehet pa gjallëri midis duarve të ngrohta të partnerit të vet.

Jean-Paul Sartre

Busti i Skënderbeut edhe në një qytet evropian

Busti i heroit kombëtar, Skënderbeu do të jetë edhe në një qytet të njohur evropian.

Ai është vendosur edhe në Bulevardin ‘Nicolae Iorga’ të qytetit Craiova të Rumanisë, shkruajnë mediat shqiptare.

Një grup deputetësh, me iniciativë të ligjvënësit të PS-së, Fate Velaj, ishin të pranishëm në ceremoninë e përurimit të bustit të heroit, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij të rastit, deputeti Fate Velaj falënderoi autoritetet rumune për bashkëpunimin për realizimin e kësaj iniciative dhe nënvizoi se Skënderbeu ishte mbrojtësi më i mirë i vlerave të qytetërimit evropian.


Po ashtu ai u bëri thirrje autoriteteve rumune që të njohin Pavarësinë e Kosovës.

Me nismën e deputetit Velaj, u realizua binjakëzimi i bashkisë dhe i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës me atë të Craiovas.

Në këto veprimtari të përbashkëta shqiptaro-rumune morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si edhe autoritete drejtuese të qarkut, bashkisë dhe universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës./ KultPlus.com

Biblioteka e Fierit prezantohet në Kinë

Biblioteka “Dritëro Agolli” e Fierit u bë pjesë e “Forumit të 1-rë të Kuratorëve të Unionit të Bibliotekave Kinë-Evropa Qendrore Lindore”, të mbajtur në Hangzhou të Kinës.

16 shtete nga Europa Qendrore Lindore dhe Kina nënshkruan një marrëveshje për të qenë pjesë e unionit ndërkombëtar që synon shkëmbimin ndërkulturor dhe përvojën në fushën e bibliotekave, shkruan ata.

Secili shtet prezantoi bibliotekën e tij dhe objektivat për të ardhmen, për të ndërtuar së bashku një platformë për shkëmbimin dhe ndarjen e informacionit bibliotekar, për të rritur partneritetin dhe bashkëpunimin mes tyre./ KultPlus.com

Mjeshtri 85 vjeçar i çative që nuk i ndahet zanatit

Pano Vlashi, 85 vjeç nga Zagoria, është mjeshtri më i vjetër i këtij zanati në Gjirokastër.

Vetëm këtë verë, ai ka shpëtuar më shumë se 10 çati masive në Gjirokastër, e shumë të tjera në zonat përreth.

Me 70 vite eksperiencë mbi shpinë, ai thotë se është ende në gjendje të punojë dhe t’i japë drejtimin ujit mes rrasave të gurit mbi çatitë e banesave historike në të gjithë Jugun.

Restauruesi i mbi 25 çative të kishave mesjetare të zonës thotë se, vetëm puna e mban në formë njeriun. Ai nisi ta mësojë profesionin kur ishte 15 vjeç, e prej atëherë nuk është ndalur. Pano Vlashi shpenzon mbi 10 orë çdo ditë mbi çati, por thotë se nuk ka pësuar asnjëherë ndonjë aksident, me gjithë rreziqet që bart restaurimi i çative.
Mjeshtri 85-vjeçar tregon se ia ka trashëguar profesionin të birit, por ende ai është kryemjeshtri. Pavli Qape, pronari i një banese historike thotë se të gjithë ia besojnë çatitë mjeshtrit Pano Vlashi.

Rrahja e çekiçit të çatipunuesit është shpresë për Gjirokastrën, por mjeshtrat janë gjithnjë e më të paktë në numër. E ardhmja e profesionit, sipas Pano Vlashit do të vendosë edhe të ardhmen e mbrojtjes së qytetit dhe trashëgimisë së ndërtimit./ Top Channel

“Lonely planet”: Eksploroni një kryeqytet tërheqës si Tirana

Tirana një kryeqytet tërheqës që mund të eksplorohet për shumë më pak se çdo vend tjetër në Europë. Prestigjiozja amerikane “Lonely planet”e ka përzgjedhur Shqipërinë në 10 destinacionet për t’u vizituar në 2019.

Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore, i cili ka shumë për t’u zbuluar dhe për t’u eksploruar , vazhdon të tërheqë vëmendjen e agjencive dhe web-siteve të huaja.

“Shqipëria mbetet destinacion ku mund të ecni nëpër peizazhe të bukura malore, fshatrat e përjetshëm dhe të eksploroni një kryeqytet tërheqës si Tirana për shumë më pak se çdo vend tjetër në Europë”, shkruan “Lonely planet”.

Në artikullin e saj prestigjozja amerikane e rendit Shqipërinë mes 10 vendeve si : Southern Nile Valley, Egjipt, Todz Poloni, Great Smokey National Park , Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maldive, Houston SHBA, Argjentinë, Bangladesh, Eku.

‘zoti jem s’pret brenda nji kishe’

zoti jem
s’pret brenda nji kishe
e s’ulet përmbi figurat e tempullit
zoti jem
asht fryma e refugjatit kur ai vrapon
asht duke jetu në barkun e fëmijës së vdekur urie
asht tiktaku i zemrës së protestës
zoti jem
nuk pushon mes faqesh
t’shkrueme prej njerëzve t’shenjtë
zoti jem
jeton mes kofshëve t’djersituna
të trupave t’grave t’shitun për pare
së fundi u pa duke larë kambet e njeriut t’pastrehë
zoti jem
s’asht aq i paarritshëm sa
ata thonë
zoti jem tundet brenda nesh pafundësisht

Rupi Kaur, “The Sun and Her Flowers”.
Përkthyese: Fatbardha Statovci

“Misar”, një adresë e re e kuzhinës shqiptare në Zvicrën lindore

Në regjion ka pasur mungesë të lokaleve me ushqime tradicionale shqiptare, prandaj Drilon Pulaj e ka parë këtë si shans të mirë të hapë një lokal të tillë. Si rezultat, prej dy muajsh në Wil SG, ju mirëpret restoranti “Misar”.

Ka vetëm 3 vjet që ka ardhur për të jetuar në Zvicër dhe tashmë ka nisur biznesin e tij privat: ka hapur prej 6 muajsh në qytetin Wil të St.Gallenit restorantin e vet. Fjala është për Drilon Pulajn, të riun 28 vjeçar nga Prizreni, me diplomë master në gazetari dhe për restorantin e tij “Misar” në këtë qytet të Zvicrës lindore.

“Krahas shkollës, që nga mosha 15 vjeçare, vazhdimisht kam punuar në hoteleri, kryesisht si kamerier në lokale të ndryshme. Duke bërë përvojë të pasur dhe duke vështruar punën në lokalet ku punoja, te unë është rritur dëshira që të kem një lokal privat hotelier. Në Kosovë nuk kam mundur ta realizoj këtë synim dhe ja, më erdhi mundësia ta bëj këtu, në Zvicër”, thotë Driloni.

Ai shton se në këtë rajon të Zvicrës ka pasur mungesë të lokaleve me ushqime tradicionale shqiptare prandaj e ka parë si shans të mirë të hapë një restorant i cili do të plotësojë këtë mungesë në larminë e kulinarisë.

Bashkëbiseduesi ynë, në Zvicër ka ardhur jo më parë se në vitin 2015. Këtu ai është martuar me Hanifen, e cila është mësimdhënëse në universitetin Weiterbildungszentrum Rorschach-Rheintal dhe çifti i ri tashmë ka një vajzë, Nila, e cila tash ka mbushur 9 muaj. Sigurisht, fakti se bashkëshortja e tij është mësimdhënëse e kontabilitetit, ia ka lehtësuar së tepërmi punën dhe ia ka rritur guximin Drilonit për të ndërmarrë një hap të tillë të rëndësishëm siç është hapja e restorantit.

“Përkrahja e gruas ka qenë dhe është e paçmueshme. Veç mbështetjes së pakursyer morale, ka qenë kompetenca e saj në fushë të kontabilitetit dhe të “rregullimit të letrave” ajo që më ka dhënë shtysën vendimtare për të hapur restorantin”, shprehet Drilon Pulaj.

Historia e emrit “Misar”

Por pse e zgjodhi emrin “Misar” për restorantin e tij? Përgjigja që jep Driloni është interesante: “Gjyshi im 82 vjeçar quhet Rasim dhe unë, pasi e respektoj shumë këtë plak të dashur e të ndershëm, e kam pagëzuar restorantin tim të parë me emrin e tij, të kthyer mbrapsht”.

Ndërkaq, i pyetur për bilancin që mund të nxirret pas rreth dy muaj nga hapja e “Misar”-it, pronari i restorantit duket mjaft optimist. “Si fillim, puna po ecën shumë mirë. Kemi kërkesa të shumta për ushqime, si për ato tradicionale shqiptare ashtu dhe për përgatitjet nga kuzhina zvicerane dhe ndërkombëtare. Drekat i kemi të rezervuara më tepër nga zviceranët dhe të tjerët që preferojnë ushqime ndërkombëtare ndërsa për darka dhe fundjava mbizotërojnë bashkatdhetarët tanë, të cilët vijnë këtu për të provuar ushqimet “si në shtëpi”, dmth gjellëra dhe mishra me të cilat janë mësuar në Kosovë, Maqedoni a Shqipëri.

Kur jemi te ky segment, më duhet të them se në këtë kohë kaq të shkurtër më ka ndodhur disa herë të detyrohem t`i refuzoj disa kërkesa për prenotime në grup, për arsye se, thjesht, të gjitha vendet ishin të rezervuara!”.

Vetëm 200 metra nga “autobani”

Gjetja e restorantit “Misar”, për shqiptarët nuk paraqet ndonjë vështirësi. “Ja, vetëm 200 metra nga këtu e kemi autobanin, bën me shenjë në drejtim të daljes nga qyteti Driloni, nga karrigia ku është ulur. Dhe, të kesh afër autostradën, kur dihet se shumica e madhe e bashkatdhetarëve tanë parapëlqejnë të jenë të motorizuar, është patjetër një avantazh për lokalin e ri dhe pronarin e tij, po ashtu të ri.

Ai shton se në këtë rajon të Zvicrës ka pasur mungesë të lokaleve me ushqime tradicionale shqiptare prandaj e ka parë si shans të mirë të hapë një restorant i cili do të plotësojë këtë mungesë në larminë e kulinarisë.

Bashkëbiseduesi ynë, në Zvicër ka ardhur jo më parë se në vitin 2015. Këtu ai është martuar me Hanifen, e cila është mësimdhënëse në universitetin Weiterbildungszentrum Rorschach-Rheintal dhe çifti i ri tashmë ka një vajzë, Nila, e cila tash ka mbushur 9 muaj. Sigurisht, fakti se bashkëshortja e tij është mësimdhënëse e kontabilitetit, ia ka lehtësuar së tepërmi punën dhe ia ka rritur guximin Drilonit për të ndërmarrë një hap të tillë të rëndësishëm siç është hapja e restorantit.

“Përkrahja e gruas ka qenë dhe është e paçmueshme. Veç mbështetjes së pakursyer morale, ka qenë kompetenca e saj në fushë të kontabilitetit dhe të “rregullimit të letrave” ajo që më ka dhënë shtysën vendimtare për të hapur restorantin”, shprehet Drilon Pulaj.

Rezervime të shumta për dasma e gazmende tjera familjare

Edhe pse jemi ende në fillim, mund të them se tashmë kemi shumë rezervime për dasma ose për gazmende e ahengje të tjera. Kështu, kemi pasur edhe deri tash disa të tilla ndërsa për muajt në vijim kemi edhe më shumë. Prandaj mund të them se i kemi kapacitetet edhe për organizime të tilla dhe interesimi i bashkatdhetarëve tanë duket që tash të jetë mjaft i madh.

Po kështu restoranti “Misar” ofron ushqimet e veta edhe për organizime e festa që mbahen jashtë tij, sipas porosive. Bëhet fjalë për turne sportive, ahengje familjare ose tubime festive të firmave ose klubeve të ndryshme, shqiptare e zvicerane në rrethinë, organizatorët e të cilëve porosisin ushqimet te ne”, thitë më tutje Drilon Pulaj.

Çfarë kërkohet më së shumti në “Misar”?

Sigurisht: qebapat, suxhuku, pasuli, gullashi, pitalkat (`petajkat` e Prizrenit) dhe byrekët. “Por, sidomos byrekët, `shkojnë flakë`”, thekson Driloni. “Gjatë gjithë ditës dhe deri në mbyllje të lokalit, natën vonë, kemi kërkesa për byrekë, po edhe për qebapa e ushqime tjera, për t`i konsumuar këtu ose për t`i marrë me vete”. Por sigurisht kemi edhe shumë mysafirë që preferojnë kuzhinën zvicerane dhe ndërkombëtare. Ata i kemi me shumicë gjatë periudhës së drekës dhe vijnë nga zyrat e institucioneve dhe kompanive të shumta që i kemi këtu në afërsi por edhe nga lagja e madhe e banimimit mbrapa restorantit, duke qenë se edhe nuk kemi ndonjë restorant konkurrues këtu në afërsi”.

Për përmbushjen e kërkesave kaq të shumta dhe kaq të ndryshme, pronari i ri i restorantit ka punësuar tre mjeshtra kuzhine: një për kuzhinën tradicionale shqiptare gjegjësisht ballkanike, një për kuzhinën zvicerane dhe ndërkombëtare si dhe një bukëpjekës. Ky i fundit, nga Hasi i Prizrenit, regjioni i njohur si vatra tradicionale e bukëpjekësve.

Krahas ofertës cilësore dhe me shije të ushqimeve, ajo që e bën më të kërkuar restorantin “Misar” është gjithsesi atmosfera familjare që mbretëron aty. Të gjithë ata që kanë ardhur këtu deri tash, janë bindur për këtë”, përfundon Drilon Pulaj.

3 salla, 140 vende

Në tri sallat e restorantit ka vend për 140 mysafirë. Salla e madhe mund të ndahet, gjë që shfrytëzohet kur ka rezervime dasmash ose gazmendesh të ndryshme familjare, në mënyrë që të mos pengohet rrjedha e zakonshme e punës së restorantit.

Byrekët “shkojnë flakë”

Çfarë kërkohet më së shumti nga klientët? Sigurisht: qebapat, suxhuku, pasuli, gullashi, pitalkat (`petajkat` e Prizrenit) dhe byrekët. “Por, sidomos byrekët, `shkojnë flakë`”, thekson Driloni. “Gjatë gjithë ditës dhe deri në mbyllje të lokalit, natën vonë, kemi kërkesa për byrekë, po edhe për qebapa e ushqime tjera, për t`i konsumuar këtu ose për t`i marrë me vete”./Publireportage/

Kadare gati për t’i sjellë lexuesve librin më të ri në Panarin e Librit në Tiranë

Kanë mbetur edhe disa ditë deri në hapjen e Panairit të Librit në Tiranë, atje ku krahas shumë librave të njohur të Kadaresë tashmë vjen edhe libri i tij më i ri “Kur sunduesit grinden”, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Onufri” sapo ka publikuar imazhin e shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili po rishikon faqet e fundit të librit të tij më të ri, i cili do të promovohet në Panairin e Librit në Tiranë.

Deri më sot veprat e Kadaresë janë përkthyer në disa dhjetëra gjuhë të botës.
Panairi i 21 i Librit “Tirana 2018” fillon me 14 nëntor dhe zgjatë deri më 18 nëntor./ KultPlus.com

Përshëndetje nga vendi im i 120-të që vizitoj, Shqipëria

“Kjo shënon fundin e udhëtimit tim dymujor europian dhe gjithçka që mund të them është se Shqipëria nuk është një destinacion turistik shumë i popullarizuar në krahasim me vendet e tjera europiane, kështu që nuk prisja shumë. Përveç planit madhështor të vendit, arsyeja pse zgjodha Shqipërinë është për t’u çlodhur pakëz”, shkruan twomonkeystravelgroup.com, raporton ata.

“Unë absolutisht e kam dashur Shqipërinë dhe do të kthehem një ditë! Tani për tani, unë do t’ju jap 10 arsyet pse Shqipëria duhet të jetë në listën tuaj të preferuar të kësaj 2019”.

1) Është një destinacion aktiv, pasi kur udhëton shumë në qytetet evropiane, do të vijë në një pikë që ju do të ndjeheni sikur gjithçka është e njëjtë. Arkitektura e bukur, kështjella të mëdha, ushqim të mirë, kisha shekullore, kafene dhe restorante, dhe sigurisht mijëra turistë. Shqipëria është një vend i mahnitshëm për të bërë diçka të ndryshme në Europë. Ju mund të shkoni për të bërë rafting, not, vela, ecje dhe gjithçka! Është një vend krejtësisht i mirë për të marrë një pushim nga qyteti.

2) Është historike! – Qyteti i Beratit është një qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 2018 dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. Përzierja e harmonisë që mbizotëron. Shkova në Berat, ku kemi filluar vizitën nga lagjja Mangalem, më pas te pazari i vjetër afër lumit. Më pas shkuam në kalanë e shekullit IV para Krishtit në majë të kodrës me pamje nga lumi Osumi. Ky qytet është kaq i bukur. Galeria e Onufrit duhet të jetë një vizitë e nevojshme!

Qyteti i lashtë i Durrësit është gjithashtu shumë interesant dhe më pak se një orë nga Tirana. Në qytet ju do të shihni rrënojat e qytetit të vjetër, banjot romake, qendrën e e qytetit, amfiteatrin, muret bizantine, kullat veneciane dhe një muze arkeologjik me një ekran panoramik të zbulimeve dhe planifikimit urban të qytetit.

3) Kanë plazhe të bukura. Nëse ju doni për të notuar, të ndjeni rërën në mes të këmbëve tuaja ose të gjitha më lart, mund t’i merrni kudo që ju mund të gjendeni në Shqipëri. Më të famshme janë plazhi Dhërmiut, i Livadhit , Himarës, Plazhi i Pulebardhës në Sarandë dhe plazhi në Borsh.

4) Është e lirë në krahasim me vendet e tjera evropiane – Ne të gjithë e dimë se Europa është e shtrenjtë, por Shqipëria është shumë më e lirë krahasuar me vendet e tjera evropiane. Për sa i përket menusë, një vakt i plotë në një restorant të lirë është 4,78 euro, një birrë 1,20 euro dhe një biletë për një transport lokal me 0,32 euro. Gjithçka që thuhet këtu mund të jetë dy herë ose tri herë më pak se në pjesë të tjera të Europës.

5) Është ende e paprekur krahasuar me vendet e tjera në Ballkan. Ky vend është ende i paprekur. Ju do të shihni mijëra turistë si ju që vizitojnë muzetë dhe do të relaksoheni nga plazhi, nuk do t’u shtohen tarifat e tepruara kudo ju shkoni dhe mbi të gjitha, ju do t’i përjetoni gjërat siç janë.

6) Vendasit janë shumë miqësor dhe të këndshëm, mes të gjitha vendeve që kam vizituar në Europë, më pëlqen që njerëzit janë më të ngrohtë dhe të sinqertë. Ndryshe nga njerëzit në disa vende europiane të cilët japin një buzëqeshje si një valë e shpejtë. Ndonjëherë, ata madje të të thonë ‘’përshëndetje’’ dhe fillojnë të bisedojnë. Ky është vendi që unë ndihem më ‘’i mirëpritur’’ në Evropë, me të vërtetë!

7) Kuzhina e tyre lokale meriton një vëzhgim dhe këtë gjë e kam përjetuar në Shqipëri. Kam shijuar mishin dhe peshkun më të mirë dhe përbërësit më të freskët.

Ju duhet të provoni speca të mbushura, spinaq, byrek dhe verë shtëpie në Fishtë afër Lezhës, ku ju mund të shijoni disa ushqime të jashtëzakonshme tradicionale shqiptare përgatitur në mënyrë moderne.

8) Bujqësia është mjeshtëria e tyre – Vegjetarianë dhe ushqimorë, gëzohuni! Shqipëria është shtëpia e perimeve më të freskëta në Europë thjesht sepse është gjëja e tyre. Unë ju thashë për dashurinë në kafshatën e parë që unë kam përjetuar këtu dhe u largova nga kuzhina. Domate, qepë dhe hudhra dhe vetëm kjo e mori ushqimin në një nivel krejtësisht të ndryshëm. Çka më tepër nëse shtojnë xhenxhefil, patate dhe sallatë marule?

9) Është e sigurt – Personalisht, kurrë nuk kam pasur ndonjë përvojë të keqe me njerëzit këtu në Shqipëri. U ndjeva e sigurt kudo që shkuam dhe vendasit kanë qenë me të vërtetë simpatikë! Krahasuar me vendet e tjera europiane ku hajdutët e çantave janë gjithmonë në lëvizje, Shqipëria ka vetëm disa raste të kësaj natyre.

10) Është e lehtë për të shkuar në vende të tjera nga këtu. Përveç aeroportit ”Nënë Tereza” ata gjithashtu ndajnë kufirin me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Këto vende janë lehtësisht të arritshme me makinë, autobus ose tren./ KultPlus.com

‘Përkushtimi shpirtnor i një artisti’

Kushtue mjeshtrit të pikturës Pjerin Sheldija

Nga Pjetër Logoreci

Si e gjithë Shqipnia edhe Shkodra ka shumë vende që mahnisin nga bukuria çdo kalimtar, vizitor apo turist të huej që (janë të shumtë). Një qytet unik, ku në pak kilometra katrorë gjinden: liqeni, tre lumej e deti ku derdhen ujnat e tyne, si dhe parajsa e bjeshkës të virgjër. E ndër këto mrekulli, një nga objektet ma të vizituem e ma pikantë të Shkodres është Katedralja e Sh’Shtjefnit, e cila të emocionon me bukurinë e madhështinë e saj. E çlirueme nga kangjellat rrethues shekullorë, sheshi dhe krejt hapsinat për rreth Kishës së Madhe (kështu e thërrasin shkodranët), të shtrueme me gurë të latuem e pllaka cilësore, të hijeshueme me bimësi e gjelbrim, të duken si gjerdan argjëndi. Ambientet, muzeu, sallat, fushat sportive, krijojnë për të gjithë ngrohtësi e përkujdesje sociale si dhe mjedis modern e çlodhës. Në çdo kohë të ditës, por sidomos në buzëmbramje, burra, gra e fëmij, ulen ndër stolat e lulishtes, për të ndrrue biseda apo meditue në heshtje, nën hirin e madhështinë e Katedrales. Fëmijë të shumtë, të aktivizuem ndër projekte e lojna të ndryshme, i japin gjallni e sharm atmosferës.

Ndërsa i ndalun po shijojshe pamjen para mejet, i tërhequn nga vështrimet kurioze të disa njerzve të mbledhun te dera e auditorit Mikel Koliqi, vendosa të afrohem aty e të “hjedh një sy”. Pamja që m’u shfaq ishte befasuese.

Mbi një skelë rreth një metër naltësi, në veshje të thjeshtë pune, në mes ngjyrash e penelash, piktori shkodran Pjerin Sheldija po pikturonte mbi nji telajo stërmadhe (7.5 x 3m) një tablo masive, me shumë personazhe e figura impresionuese, që të egërsuem, po hidhnin gurë mbi një viktimë i cili qindronte i pambrojtun në mes të turmës. Hyra në sallë, e pa bëza u vodha në cepin tjetër tuj kundrue e tuj fotografue piktorin gjatë punës. Nga lëvizjet e trupit e nga shprehjet e ftyrës, më dukej sikur mjeshtri po bisedonte me figurat, sikur donte t’i mbushte mendjen që mos ta vrisnin viktimen.

Ishte një kompozim i piktorit, vrasja me gurë e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Krishtënimit. Mbi 30 figura të vizatueme mbi copë, ku nëpermjet dinamikës e shprehjes së ftyrave të tyne, mjeshtri kishte arrijtë të nxirrte në pah karakterin personazheve e të zberthente idenë e tablosë. Piktorin Pjerin Sheldija e njihja nëpermjet pikturave të tij, nga një vizitë qi pata ba ma parë në Kishen e Shën Mërisë në Laç Vau të Dejës, e cila ishte e zbukurueme me piktura murale kishtare të mjeshtrit Sheldija. Në një çast pushimit, gjeta rastin të bisedoja me piktorin, i cili më impresionoj me mendimin dhe interpretimet e tabllove të tij, për të cilat e pyeta.

Pak fjalë mbi jeten dhe vepren e piktorit Pjerin Sheldija.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodres (afër shpisë së Pashko Vasës) me 9 korrik 1937, në një familje të njohun katolike e qytetare shkodrane. Filloren e nisi në shkollën e Jezuitëve, ma vonë 11 Janari, e mandej në atë Ndoc Mazi. Qysh i vogël ai dha shejat e para të talentit për pikturë të cilën ja kultivoj ma ndej mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija (jo i fisit të tij), e ma vonë piktorja Nelda Gera që e pat drejtuese të rrethit të vizatimit në Shtëpinë e Pionierit në Shkoder, e cila e këshilloj që të ndiqte studimet për pikturë në Liceun Artistik në Tiranë.

Mbasi mbaron shkollën fillore, për nevoja ekonomike familjare, Pjerini, punoj për një periudhë të shkurtë si mekanik pranë Fabrikës së Çimentos në Shkoder. Gjatë kësaj kohe hyni në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, të cilin e drejtonte piktori i njohun Vladimir Jani (i cili kishte studjue në Firence me mësuesin e famëshëm Feliçe Karena), që ka pasë ndikim të madh mbi piktorët shkodranë, si njeri dhe artist. Në këtë kurs pat shumë elementë të talentuem si Selim Bilali, Ferdinand Paci, Tefë Palushi, Rudolf Daka, Gjovalin Saraçi etj. disa prej të cilëve u banë ma vonë përsonalitete të artit e të kulturës kombëtare. Nga Vladimir Jani, kursantët e pikturës mësuen, përveç vizatimit, tekniken e aquarelit dhe të bojnave të vojit.

Përpara se me fillue mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativen e Fotografisë në Shkoder, që ishte i pari laborator shtetnor i këtij llojit, për të plotësue nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.
Në vjetin 1956, ai filloj mësimet në Liceun Artistik të Tiranës ku pat mësues Abdullah Eminin (Cangonji), Abdurrahim Buzën (drejtori i Liceut) në Pikturë e Skenografi, Kel Kodhelin në Përspektivë, Janaq Paçon e Kristina Hoshin në Anatonmi, Andrena Menon në Histori Artit, Sadik Kacelin në Pllakatë. Nexhmedin Zajmi, Shaban Hadërin e Guri Madhin në vizatim.

Me kryerjen e Liceut në vitin 1961 (me një nderprerje për të kryer shërbimin ushtarak), u emnue mësues në Shkollen Pedagogjike të Shkoders. Gjatë periudhës së mesimdhanies ai punoj në disa shkolla të Shkodres si mësues vizatimi: në Shkollën Ndoc Mazi, Shkollën 10 Korriku, në Institutin e Lartë Pedagogjik (për ciklin e ulët). Kudo që punoi, krahas mësimdhanies së vizatimit krijoj dhe drejtoj rrethet e pikturës me nxanësit ma të përzgjedhur të shkollave, deri në vitin 1992 kur doli në pension. Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe të botonte punimet e tija (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës si: gazeten Jeta e re (gazetë e Shkodres), Mësuesi, Puna, Bashkimi, Revisten Shqiptarja e re, Revisten Ylli, Hosteni, ku ka marrë edhe çmime kombëtare. Në Konkursin Kombëtar të organizuar në 20 vjetorin e revistës Hosteni, ai meritoj çmimin e dytë.

Si të gjithë artistët, krijimtaria e Sheldisë në periudhën komuniste i asht përmbajtë në mënyrë të detyrueshme metodës së realizmit socialist, temave të kohës. Ai ka provue të lavrojë të gjitha llojet e gjinive, tue provue çdo teknikë, por kompozimi e terhiqte ma tepër, pa lanë mbrapa portretin, pejsazhin e natyren e qetë (influencë e mësimeve të Vladimir Janit).

Gjatë rinisë së tij, Pjerin Sheldija, përveç se piktor ishte aktiv edhe si aktor dhe skenograf me teatrot amatore në Shkoder, shfaqje që viheshin në skenë nga shoqnitë e ndryshme kulturore si dhe Shtëpia e Kulturës.

Më duhet me përmendë një ekspozitë e vitit 1982, ku mjeshtri Sheldija merr pjesë me një punim me temë “Ngritja e flamurit me 1914 në Kështjellen Rozafat”, ku ndër atdhetarët që mbajten fjalën për flamurin, ishte dhe At Vinçenc Prendushi të cilin autori e realizoj si figurë civile, mbasi ju ndalue me e vendosë në tabllo si frat françeskan. Me ardhjen e demokracisë kjo pikturë u ripunue dhe At Prendushi shihet aty, si klerik, me petkun e fratit. Sot kjo vepër ndodhet në Vatikan.

Dalja e tij në pension qëlloi në ditët e rrëzimit të komunizmit në Shqipni. Tashti Pjerini pat ma shumë kohë në dispozicion për t’ju kushtue plotësisht pikturës, por kësaj herë pikturës së lirë nga ndikimet partiake të realizmit socialist. Ai i filloj të punojë pa nderprerje në zbukurimin e objekteve të kultit të sapo hapuna rishtas. Që nga viti 1992, mjeshtri Pjerin Sheldija ishte i pari piktor në republikë që filloj të pasqyrojë në veprat e tij përsekutimin e klerit katolik, me të paren tabllo KRYQËZIMI I SHEKULLIT XX, të cilën ja dhuroj Kuvendit Françeskan në Shkodër. Për afro 25 vjet, me qëllim ringritjen e Kishave dhe dekorimin e tyne, mjeshtri shtegtoj në shumë krahina të Shqipnisë, të Kosovës e Malit të Zi, ku gjet mirënjohjen e respektin e popullsisë kudo ku shkoj. Ai nuk kërkoj për punën e kryer asnjë herë shuma të mëdha shpërblimi edhe pse ishte punë voluminoze. Në fillim, në kushte të vështira ekonomike, ai pranoj çka famullia kishte mundësi me pague, por 20 vitet e fundit, punën, kohen e mundin e tij ja ka kushtue Zotit tuj punue falas. Si shpërblim, me rastin e 70 vjetorit të piktorit, Provinca Françeskane në Shkoder, botoj një album ku përmblidhen të gjitha pikturat e tija me temë fetare.

Për këtë punë të pamasë e të lodhëshme artistike, mjeshtri Pjerin Sheldija u dekorue nga Papa Benedikti i XVI me medaljen e artë “Për Kishen e për Papen”. Gjithashtu Sheldija ka marrë si mirënjohje nga shteti shqiptar Urdhërin Naim Frashëri të Kl. të parë, te Kl. dytë e të tretë me motivacionin: për merita në mësimdhënie, zbulimin dhe edukimin estetik të nxënesve të talentuem…
Mjeshtri Pjerin Sheldija punoj në zbukurimin e pothuajse të gjitha kishave të Shkodres dhe të fshatrave për rreth, si në vepra murale (kupolat, kollonat, tavanet), por edhe në pikturën në telajo. Gjurmët e tija i gjejmë në 36 Kisha e kuvende, mbrenda e jashtë vendit, tuj fillue me Katedralen e Shkodres, Kishen e Sh’Françeskut (në Gjuhadol), Kishë e Zojës Rruzare (te Arra e Madhe), Kishen e Torovicës, Kishen e fshatit Malocaj, të Balldrenit, të Blinishtit, Kishen e Gjadrit, Kishen në Baçel, në Peraj, Nenshat, Vau Dejës, Shën Gjergj, Shtoj, Braticë (në Mal të Zi), Dinoshë, Razmë, Kishen në Bushat e Stajkë. Janë gjithësejt 203 punime e ndër to 1375 persona, pa llogaritë këtu figurat e engjëjve pa trup… Për këtë kontribut të çmuem, Bashkia e Shkoders e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

“Asht dora e Zotit, më tregon mjeshtri, nuk ka si me kenë ndryshe. Unë jam vetëm peneli në doren e të Lumit. Vetëm të mendosh që punimi më i madh më ka marrë jo ma tepër se një muej…p.sh. “Darka e mbramë” e Kishes së Barbullushit 5m x 3m asht ba për 10 ditë…Unë jam i privilegjuem që i Lumi më ka zgjedhë për ti sherbye Atij.

Asht karakteristikë e piktorit, përdorimi i motiveve kombëtare si në tematikat që zgjedh ashtu edhe në detajet, veshtjet, tiparet shqiptare e popullore të personazheve që vizaton. Mbi çdo tabllo piktori përjetëson fytyrat e shumë figurave të njohuna të çeshtjes kombëtare, të njohurve e miqve apo familjarë të tij, të cilët vetëm përsonat afër tij dijnë ti tregojnë. Në gjithë këto vite pune të mundishme e në levizje të panderpreme, ai ka pasun përkujdesjen dhe inkurajimin e grues së tij Marijes që ka kenë edhe “kritikja” e parë artistike e veprave të tij.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija edhe pse vitet kalonjë, asht shumë aktiv, si në jeten familjare, ashtu dhe për të kryer “detyrimin shpirtnor”, (siç e quen ai), realizimin në pikturë të figurave të kultit apo të ngjarjeve kryesore të bibles. I nxitun nga besimi dhe dashtunia për pajtoren e qytetit të Shkodres “Zojen e Këshillit të mirë” që për shkodranët asht ZOJA E SHKODRES, mjeshtri ka realizue në pikturë figuren klasike të Zojës që mban në krah fëmijën e saj, Jezusin, por me veshje kombëtare të zonës së Shkodres, diçka krejt e veçantë në fondin e pikturës tradicionale shqiptare.

Së fundi, punimi i tabllosë gjigande me përmasat 7.5m x 3m, që i mori shumë kohë dhe energji asht drejt përfundimit, e mjeshtri Sheldija asht krenar që ajo do të vendoset në krahun e majtë të altarit kryesor të Katedrales, përballë pikturës “Bekimi i Gurit Themelit” të Katedrales (7 prill 1858), të piktorit akademik Simon Rrota, që ai e respektonte shumë.

Faleminderim e Respekt Mjeshtër, për punët me vlerë që po i len artit, brezave të tjerë, Shkodres dhe gjithë Shqipnisë

Pjeter Logoreci

Vjenë, me 23 tetor 2018
(Shkrimi nuk ka ndërhyrje nga redaksia)./ KultPlus.com

Meghan Markle me zogj në fustan, vlerësohet për veshjen më të mirë të javës

Meghan Markle nga familja mbretërore, është vlerësuar nga stilistët për veshjen më të mirë të kësaj jave.

Revista e modës Ellen, ashtu siç bënë çdo fundjavë, edhe këtë herë ka publikuar vlerësimin se cila ka qenë veshja më e mirë.

Markle kishte veshur fustan nga marka “Oscar de la Renta, e që po e përcillte burri i saj, princi Harry.

Ishte veshur kështu gjatë një ngjarje që ishte zhvilluar në Australi, e Markle e Harry ishin të ftuar.

Dizajni i fustanit të saj është i përpunuar me zogj të vegjël./ KultPlus.com