Shpat Deda, gurët e Gjirokastrës i ktheu në skenë të gjallë të kulturës

Ministrja e Kulturës, Mirale Kumbaro, ka falënderuar kantautorin Shpat Deda që zgjodhi ambientet e kulturore si skenë të muzikës së tij.

Gurët e Gjirokastrës u kthye nga ritmet e muzikës në skenën e gjallë të kulturës bashkëkohore duke rrëzuar të gjitha kufijtë, ato të mendjes dhe ato administrative.

Ministrja Kumbaro shkruan: ”Falëminderit Shpat Deda që zgjodhe Trashëgiminë Kulturore si skenë të muzikës tënde! Nga Shkodra në Gjirokastër albumi #AmbëlEThartë i dha jetë Kalasë së Argjiros në qytetin që turizmin e ka bashkudhëtarin e të gjithë muajve”, – shkruan ministrja./ KultPlus.com

‘Është veç një fëmijë i bukur në botë dhe çdo nënë e ka atë’

Fotografia në ballinë e ralizuar nga: Nok Selmani.

Thëniet më unike për nënën, nga tradita e popujve të ndryshëm në botë, si dhe të emrave të njohur jo vetëm nga bota e letërsisë.

Theodore Hesburgh: Gjëja më me rëndësi që babai mund të bëjë për fëmijën është ta dashurojë nënën e tyre!

Abraham Lincoln: Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!

Erich Fromm: Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!

William Makepeace Thackeray: Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!

George Eliot: Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!

Rumi: Kemi lindur nga dashuria; dashuria është nëna jonë!

Louisa May Alcott: I lumtur është djali besimi i të cilit te nëna mbetet i pandryshuar!

Robert Frost: Nuk keni nevojë të meritoni dashurinë e nënës; keni nevojë të meritoni dashurinë e babait!

Marion C. Garretty: Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!

Proverb irlandez: Burri e do të dashurën më së shumti, gruan më së miri, e nënën më së gjati!

Arlene Benedict: Në veshët e një fëmije, fjala “nënë” është magjike në të gjitha gjuhët!

Proverb bolivian: Ka mijëra gra, por vetëm një nënë!

Sophia Loren: Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendojë dy herë. Një për vete dhe një për fëmijën e saj!

Osho Rajneesh: Në momentin që lind një fëmijë, lind edhe nëna. Ajo nuk ekzistonte më parë – gruaja ekzistonte, por kurrë nëna. Nëna është qenie e re!

Anonim: Nëna mban duart e fëmijës për pak… e zemrat përgjithmonë!

Robert Browning: Nëna: çdo dashuri fillon dhe përfundon atje!

Napoleon Bonaparte: Fati i ardhshëm i një fëmije, është gjithmonë rezultat i punës së nënës së tij!

Honore de Balzac: Zemra e nënës është një humnerë e thellë, në fund të së cilës gjithmonë do të gjesh falje.

Proverb shqiptar: Nëna është drita e shtëpisë!

Maxim Gorky: Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heroj!

Proverb kinez: Është veç një fëmijë i bukur në botë dhe çdo nënë e ka atë!

Willma Rudolph: Mjekët më thanë se kurrë nuk do të mund të ecja përsëri, por nëna ime ishte e sigurt se do të ecja përsëri. E, dhe unë besova nënën time!

Proverb hebraik: Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj i krijoi nënat!

Perl S. Back: Disa nëna puthin, të tjera janë më të rrepta, por dashuria është gjithmonë e njëjtë. Përveç kësaj, shumica e nënave puthin dhe qortojnë në të njëjtën kohë!

Pam Brown: Nuk e kuptoni se sa ju do nëna juaj , derisa të zbuloni në sirtar të gjitha pikturat dhe kartat që i keni dhënë!

Prover anglez: Nëna e mirë nuk pyet a dëshiron, por jep!

Thomas De Witt Talmage: Nëna: banka që depozituam të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet tona.

George Bernard Shaw: Lotët e nënës janë fuqia më e madhe hidroelektrike në botë!

Seneka: Dashuria e nënës nuk vjetrohet kurrë!

Emile Zola: Kur je një nënë e mirë, gjithçka falet!

Khalil Gibran: Nëna është gjithçka – ajo është ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa jonë në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim; është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. Ai që humbet nënën e vet humb një shpirt të pastër që e bekon dhe e mbron vazhdimisht!

Sofokliu: Fëmijët janë spirancat që mbajnë nënën gjallë!

Stephen King: S’ka bushtër në botë si nëna e frikësuar për fëmijët e saj!

Victor Hugo: Duart e nënës janë bërë nga brishtësia dhe fëmijët fle rehat në to!

Gilbert Parker: Sa herë lind fëmija, lind edhe nëna!

Meryl Streep: Amësia ka efekte humane. Gjithçka reduktohet te thelbësorja!

Robert Brownin: Amësia: Çdo dashuri lind dhe përfundon aty!

Nate Robinson: Babai më thoshte: “Rri i përulur, dhe duhet të punosh më shumë se secili”. Nëna më thoshte: “Bëhu vetja”. Ajo gjithmonë më mësonte se veç Zoti mund të më gjykojë!

Anonim: Në momentin kur kishte shumë paqe në Qiell, por zërat nga Toka mund të dëgjoheshin dhe fëmija me ngut pyeti: “Zot, po të largohem tani, më thuaj emrin e engjëllit tim”. “Ju thjesht do ta quani atë, ‘Nënë”!

Proverb hebraik: Nëna kupton atë që nuk e thotë fëmija!

Maya Angelou: Dashuria e nënës të çliron!

Anonim: Kurrë nuk e dija se sa shumë dashuri mund të mbante zemra ime, derisa dikush më quajti: “Nënë”!

Mitch Albom: Pas çdo gjëje, ka një histori, por pas çdo historie tuajën gjithmonë është historia e nënës, sepse te e saj fillon e jotja!

Haki Stërmilli: Dora që përkund djepin është ajo që rrotullon fatin e njerëzve, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura ose të errëta!

Johann Heinrich Pestalozzi: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!/ KultPlus.com

Emri i ëmbëltores në respekt të liderit të Egjiptit

Hasan Azizi nuk është shtetas i Egjiptit. Nuk e ka vizituar asnjëherë këtë vend e as ka ndonjë histori familjare e afariste me të. Por dyqanit të tij këtu e 58 vjet më parë ia ka lënë emrin “Egipat–Egjipti”.

Me këtë emër ai ka krijuar lidhje tjetër emocionale që nga koha kur shteti me më ndikim në kontinentin e Afrikës drejtohej nga Gamal Abdel Nasser, shkruan sot “Koha Ditore”. Adhurimi për të ishte i motivuar edhe nga fakti se ai ishte mik me liderin komunist të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, për të cilin po ashtu ruan respektin e madh.

Tash 87-vjeçar, Azizi rrëfen historinë e atyre që i quan “kohëra të vjetra”, e edhe të zanatit të tij, nisur nga viti 1960. Flet me ëndje për liderët e kohës, sidomos të atyre vendeve që ishin bërë bashkë në Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe konsideroheshin vende mike të Jugosllavisë.

Beson edhe sot se ata ishin liberalë e paqësorë dhe për këtë gëzonin mbështetjen e madhe të popujve të tyre. Meqë ishin të tillë, Azizi thotë se ata nuk kanë pranuar të rreshtohen as në anën e Bashkimit Sovjetik e as të SHBA-së, që ishin përfshirë në Luftën e Ftoftë.

“Kur është miqësu Tita me Naserin ka qenë kënaqësi e madhe. U bamë fuqia e tretë në botë. Për atë ia kam lanë emrin e dyqanit “Egipat”, edhe pse kurrë s’jam kanë në Egjipt. E kam dasht Titën, sepse ai nuk ka ba dallime në njerëz. Për shembull – kam mujt me i thanë dikujt se nuk e kryej një punë nëse nuk asht e shkrume në ligj prej tij. Edhe aso kohe askush nuk ka mujt mem detyru me bo diçka që nuk asht e shkrume dhe e bazume. Për mendimin tem, ai u kan liberal”, shprehet ai./ KultPlus.com

Të jap këtë poezi

Nga Jimmy Santiago Baca.

Të jap këtë poezi,
se nuk kam ç’tjetër të jap.
Mbaje si pallto të ngrohtë,
kur dimri vjen të të mbulojë,
apo si një palë çorape të trasha,
që i ftohti s’i kafshon dot,

të dua,

nuk kam ç’tjetër të jap,
prandaj, ja një vazo misër i verdhë,
të të ngrohë barkun në dimër,
ja një shall koke, ta mbash
mbi flokë, të mbulosh fytyrën,

të dua,

mbaje, ruaje siç do ta ruaje
po të humbje rrugën, e të kërkoje drejtimin
në xhunglën e jetës prej të rrituri;
ruaje në qoshe të sirtarit tënd,
palosur si të ishte një kasolle a pendaricë
mes pyllit të dendur, eja trokit,
do të përgjigjem, do të ta rrëfej udhën,
do të të ngroh me këtë zjarr,
do të të çlodh, do të ndjesh siguri

të dua,

kaq kam për të dhënë,
kaq i duhet njeriut për të jetuar,
dhe për ta vazhduar jetën përbrenda,
kur bota përjashta
s’pyet në rron, a ke vdekur;
kujto:

të dua.

(Shqipëroi: the Falcon)

Universiteti i Harvardit shënon 382 vjetorin e themelimit

Universiteti i Harvardit njihet si një ndër universitetet më prestigjioze në botë, e pikërisht sot, ky universitet shënon 382 vjetorin e themelimit.

I themeluar para gati afro 4 shekujsh në Kembrixh, Harvardi është institucioni i parë amerikan i arsimit të lartë, që u themelua nga teologu protestant Xhon Harvard.

Meqë themeluesi ishte teolog, në fillim qëllimi i këtij institucioni ishte edukimi dhe arsimimi i klerikëve.

Në fillim ky institucion arsimor mbante emrin Kolegj, por në vitin 1639 e mori emrin Harvard, në nderim të themeluesit të tij i cili një pjesë të pasurisë dhe bibliotekën e tij të pasur ia fali këtij univerisiteti. Kurse në vitin 1879 u themelua edhe kolegji për vajza, që u quajt edhe si “Ankes i Harvardit”.

E ndër shqiptarët e parë që studiuan në Harvard, konisderohen të jenë Fan Noli e Kostandin Tashko. Ndërsa sot, në këtë universitet studiojnë mijëra studentë nga e gjithë bota në studimet themelore, master e doktoraturë. Aktualisht, Harvardi bën pjesë në një nga tetë universitetet prestigjioze të Ivy Leauge./ KultPlus.com

Pacolli: Jam i gatshëm të ofroj aeroplanin tim privat për Shakirën

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ditë më parë kishte bërë të ditur që Shakira është këngëtarja e mundshme që o të performojë në hapjen e urës së Ibrit.

Bahtiri kishte konfiruar se asaj i është bërë ftesë zyrtare vetëm se pritet përgjigja e menaxhmentit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë që përfaqësues të ekipit të tij dhe menaxhmentit të Shakirës janë ende në bisedime për çështjen e koncertit.

“Ardhja e saj pa pagesë është një dëshirë e shprehur nga kryetari Bahtiri, por unë nuk besoj se mund të ndodh diçka e tillë, pasi çdo gjë ka koston e vet. Mirëpo, ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim edhe me donatorët, të përmbushim çdo aspekt ekonomik, që të mundësojmë ardhjen e saj në Kosovë”, tha Pacolli.

Madje, Pacolli është shprehur i gatshëm të ofrojë aeroplanin e tij privat ashtu sikurse për Duan dhe Ritën.

“Edhe nëse është këngëtarja ajo që vendos të vijë pa pagesë, ka plot shpenzime që duhet mbuluar menaxhmentin e saj, duke llogaritur këtu orkestër dhe gjithë stafin e nevojshëm. Ndërkohë për udhëtimin nuk është edhe shumë problem, pasi si për Duan dhe Ritën, jam i gatshëm që të ofrojmë udhëtimin me aeroplanin tim privat”, ka theksuar Pacolli./ KultPlus.com

Elhaida Dani publikon “Let it Go” me këngëtarin australian Nathaniel

Këngëtarja shqptare, Elhaida Dani, ka publikuar projektin e saj të ri ndërkombëtar.

Bashkëpuntori i saj është këngëtari australian Nathaniel dhe këngëtarja me padurim e paralajmëroi projektin para lansimit.

Nathaniel njihet në Australi për pjesëmarrjen e tij në X Factor në këtë vend.

“Më në fund është publikuar “Let it Go”. Uroj ta pëlqeni”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj në Instagram.


Kënga është punuar nga Menno Reyntjes, Tony Polimeni, Richy Sebastian, Scilla Siekmann dhe vet këngëtarët.

Ndërkaq, video është një produksion i CDF Records.

Elhaida Dani më parë ka marrë pjesë në Eurovision duke përfaqësuar Shqipërinë./ KultPlus.com

Objekti gati, MKRS-ja brenda dy javësh zhvendoset në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi për Ekonomia Online ka bërë të ditur se një pjesë e stafit të ministrisë brenda dy javëve pritet të zhvendoset në objektin e ri të ministrisë në qytetin e Prizrenit.

Ai ka thënë se kjo zhvendosje është për të qenë sa më afër qytetit më kulturor të Kosovës, Prizrenit.

“Tashmë jemi në fazën finale të pajisjes së zyrës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me orenditë e duhura besoj se brenda disa ditësh do të kemi objektin e gatshëm, tashmë gjitha pajisjet, infrastruktura ka përfunduar në zyrat e MKRS-së në qytetin e Prizrenit dhe besoj që për disa ditë ndoshta dy javë do ta kemi të gatshëm objektin që natyrisht do ta përurojmë”.

“Një pjesë e ministrisë së Kulturës, përkatësisht kabineti i ministrit dhe një pjesë e departamentit të trashëgimisë kulturore dhe departamentit të kulturës do të jenë pjesë e këtij objekti në qytetin e Prizrenit në mënyrë që të jenë më afër aktiviteteve kulturore dhe gjithsesi pjesës së trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit”, tha Gashi.

Ministri Gashi tha se arsyeja e vonesës së kësaj zhvendosjeje është Komuna e Prizrenit, e cila nuk kishte arritur t’ia dorëzojë me kohë objektin ministrisë.Sipas tij, objekti është pajisur dhe tani edhe stafi i ministrisë është i gatshëm për zhvendosjen e tyre.

“Besoj që e kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, kemi pas ndoshta pak vonesa për faktin se komuna jo me kohë na ka dorëzuar objektin dhe zyrat, por besoj se tashmë gjithçka ka përfunduar dhe është e gatshme që ne një pjesë do të zhvendosemi në qytetin e Prizrenit”, tha Gashi.

Gashi tha se kabineti i ministrisë do të ndahet ku njëra do të operoj në Prishtinë, ndërsa tjetra në Prizren, kjo zhvendosje po bëhet në mënyrë që të mbulohet i tërë territori i Kosovës me shërbime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton EO.

“Brenda 2 javë, një pjesë e ministrisë do të bartet në qytetin e Prizrenit, ndërsa pjesa tjetër do të operoj ashtu siç është edhe sot në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në objektin aktual ku edhe sot operojmë”.“Do të kemi një ndarje të kabinetit ku një pjesë do të operoj në Prizren dhe një pjesë në Prishtinë në mënyrë që ta mbulojmë gjithë territorin e Kosovës edhe me shërbime, por edhe aktivitetet e nevojshme”, tha ai.

Ministri Gashi për Ekonomia Online ka folur edhe për bibliotekat e Kosovës dhe furnizimin e tyre me tituj të rinj. Ai ka thënë se zhvillimi i teknologjisë ka bërë që librat të jenë më pak në përdorim se sa në të kaluarën nga lexuesit. Por, megjithatë ai tha se Ministria është e gatshme të rris fondet në mënyrë që të mos mbyllet asnjë bibliotekë në Kosovë dhe të ketë sa më shumë libra dhe tituj në raftet e bibliotekave.

“Ndoshta kjo është për shkak të zhvillimit të teknologjisë, megjithatë ne e inkurajojmë edhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës që të ofroj projekte dhe kërkesën në Ministrinë e Kulturës, ne do të jemi të gatshëm të rrisim edhe fondet në mënyrë që asnjë bibliotekë të mos mbyllet në Kosovë dhe të mos të ketë më pak tituj, por përkundrazi të kemi sa më shumë tituj në mënyrë që lexueseve, studentëve e gjithë atyre që kanë nevojë për libra të i ofrojmë mundësi”, tha Gashi.

“Si ministri jemi të interesuar që të mos të kemi mbyllje të asnjë biblioteke, përkundrazi të kemi hapje të bibliotekave dhe furnizim të gjitha bibliotekave qofshin ato ndërkomunale, por në të njëjtën kohë edhe biblioteka që janë nëpër shkolla sepse ministria e kulturës tashmë ka rritur edhe buxhetin për librin”.

“Jemi të gatshëm të i financojmë edhe Bibliotekën Kombëtare dhe bibliotekat ndërkomunale të cilat janë kompetencë e komunave, por duke pa rëndësinë e bibliotekës dhe librit si ministri jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe të gatshëm që të mbështesim financime të reja”, shtoi Gashi./ KultPlus.com

Objekti gati, MKRS-ja brenda dy javësh zhvendoset në Prizren from Ekonomia Online on Vimeo.

Picameni shqiptar dhuron spektakël në restorantet e Berlinit (VIDEO)

Ai quhet Rigert Karaj, është nga Tirana dhe prej 25 vitesh jeton në Berlin, në Gjermani, ku ka emigruar nëpërmjet ambasadave, bashkë me nënën dhe vëllanë e tij.

Aktualisht Rigerti punon si picamen në një restorant mjaft të njohur, në sheshin Alexanderplatz të Berlinit, profesion të cilin e ushtron prej 4 vitesh.

Interesant është fakti se pikërisht 32-vjeçari shqiptar, e ka bërë edhe më të njohur restorantin berlinez, me akrobacitë e tij me brumin e picave, raporton Tch.

Rigerti, në videon më poshtë, tregon artin që bën me brumin, teksa inkurajohet edhe nga duartrokitjet e vazhdueshme të klientëve të restorantit ku punon.


Rigerti tregon gjithashtu se edhe vëllai i tij punon si picamen, madje edhe ai, është një “artist” në përdorimin e brumit./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=XK0lYaMr0DE

50 Centi e lë pa publik Ja Rulen, ia blen biletat e koncertit

Reperi amerikan 50 Cent ka nisur “luftën” me shumë yje botërore të muzikës e sportit.

Në rrjetet sociale ai është përplasur me Floyd Mayweather, Khabib Nurmagomedov, dhe Machine Gun Kellyn, e së fundmi edhe me Ja Rule, transmeton Koha.net.

Ai ka blerë 200 bileta të koncertit të Ja Rule, për t’ia lënë pa fansa pjesën e parë të ulëseve. Këtë e ka bërë të ditur ai përmes Instagramit.

“Çfarë shou, mendoj thjesht fantastike. Bëje sërish, fëmija im ka shkuar në banjë”, ka shkruar 50 Cent.

Sipas Live Nation një biletë e koncertit të Ja Rule kushton 70 dollarë, dhe nëse ka blerë 200, reperi 50 Cent ka paguar rreth 14 mijë dollarë për ta bërë këtë rreng./ KultPlus.com

‘Fjalori duhet të hiqet nga qarkullimi menjëherë dhe Akademia duhet të kërkojë falje që ua fali fshatin serbëve’

Fjalori Encklipedik i Kosoves i cili është përcjellë me kritika të shumta, libër ky që është publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, së fundi është kritikuar edhe nga Ag Apolloni. Ai ka shkëputë një pjesë për vendbanimet e Kosovës, ku fshati Verban i Vitisë, në këtë enciklopedi thuhet të jetë i banuar me serbe.

Më poshtë po ju sjellim rragimin e plotë të Apollonit:

Akademia ua jep serbëve një fshat shqiptar

Në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës (2018) thuhet se fshati Vërban është i banuar me popullsi serbe. Sapo e pashë lajmin në fejsbukun e botuesit tim (shqiptar), që është i asaj ane, shkova në Viti (për një punë tjetër) dhe pyeta (edhe për këtë “fakt” të Fjalorit). Kurrë asnjë serb s’kish banuar në Vërban. Madje, nga sa kërkova, as vetë serbët kurrë s’kanë thënë që në Vërban ka pasur serbë, jo më ta quajnë fshat me popullsi serbe.
Kështu, me këtë gabim kapital, Fjalori duhet të hiqet nga qarkullimi menjëherë dhe Akademia duhet të kërkojë falje që ua fali fshatin serbëve, duke falsifikuar historinë e fshatit. Po të ishte Fjalori online, jo i printuar, do të rregullohej lehtë e shpejt, por kryeredaktori i Fjalorit ishte ofenduar nga reagimi i një profesori që e kishte kritikuar botimin e printuar të Fjalorit dhe që e kishte propozuar botimin online (ashtu siç bëjnë sot edhe Amerika dhe Anglia)./KultPlus.com

Anijet e fundosura gjatë Luftës së Parë Botërore, shpallen trashëgimi nënujore e mbrojtur

Të gjitha anijet e mbytura gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, do të shpallen trashëgimi nënujore e mbrojtur.

Vendosja e tyre në këtë kategori, është bërë nga UNESCO dhe do të përshihen anijet e mbytura të Luftës së Parë Botërore nga periudha 1914-1918.

Pas këtij vendimi Shqipërisë po ashtu do të ketë detyrë që si anëtare e konventës së pasurive nënujore, të mbrojë pasuritë e saj nënujore që i përkasin kësaj periudhe./ ATSH/ KultPlus.com

Nesër fillon edicioni i nëntë i Prishtina Kids Fest

Festivali do të hapet në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare me fillim nga ora 18:00 dhe do të jetë i hapur për publikun.

Festivali Ndërkombëtar i Këndimit “Prishtina Kids Fest” nesër fillon me edicionin e nëntë, me ç’rast do të sjellë solistë të rinj nga Kosova, Rumania, Shqipëria, Mali i Zi, Lituania e Maqedonia, të cilët do të këndojnë live. Në mbrëmjen finale që do të mbahet të dielën, do të ndahen nga tri shpërblime në dy kategori: mosha 6 deri në 11 vjeç dhe kategoria e dytë për moshat 12 deri ne 16 vjeç. Kurse çmimi kryesor i festivalit, do të jetë çmimi “Grand Prix” që do të ndahet për solistin me vokalin më të mirë të të dy kategorive. Organizatorët kanë njoftuar që edhe këtë vit do ta ndajnë “Çmimin e Publikut” për solistin që do ta votojë vetë publiku. Juria e festivalit përbëhet nga Diellza Sylejmani Veseli, Dardan Selimaj, Adelina Thaqi dhe Arstina Kadriu- Kelmendi. Prishtina Kids Fest organizohet nga Qendra Multikulturore Nderkombetare për Fëmijë dhe të Rinj, me drejtoreshë Drita Rudi./RTV21.tv/ KultPlus.com

‘Unë kokëfortë e ti kokëfortë, zemrat po na plasin’

Ju rikujtojmë një nga këngët e mëhershme të këngëtares Gili.

U zgjova në krah të majtë, të gjithë me kanë faj
S’pranoj që kam qarë, inatin e mbaj,
Prej se nuk takohemi të gjata janë orët,
Nuk pajtohemi se jemi kokëfortë,

As pardje, dje, as sot,
Njeri-tjetri nuk i flasim,
Unë kokëfortë, ti kokëfortë
Zemrat po na plasin,
Unë kokëfortë, ti kokëfortë
Zemrat po na plasin,
As pardje, dje, as sot
E pafat i trembem jetës
Ti inat unë me inat
Keq i bëmë veç vetës
Ti inat unë me inat
Keq i bëmë veç vetës

Horoskopi nuk premton një bashkim të shpejt
Fatin ma lexojnë e më ftohin krejt
Cili do të thotë ” Më fal ” i pari me mirësi
Në këtë rast o djalë ty të jap përparësi!/ KultPlus.com

Cntraveler: Kosova vendi ku muzika nuk ka të ndalur

Cntraveler ka shkruan për Prishtinën si dhe ka përshkruar dëshirën e madhe për të festuar e dashurinë që kanë për muzikën kosovarët. Më poshtë mund të gjeni disa pjesë të këtij artikulli të përkthyer në gjuhën shqipe.

Stacioni i trenit në Prishtinë, i cili dikur pas ndarjes së Jugosllavisë shfrytëzohej për refugjatë, fjetje, lindje të grave e madje edhe trajtime të lëndimeve të njërëzve, tani shfrytëzohet si klub nate. Në klubin e natës të ashtuquajtur Bahnhof së bashku me Zone club po mbahen rrjete për muzikëdashësit nga organizatorët e Next level dhe Hapësira, të cilët duan ta kthejnë të njëjtën energji që kishte Road to Peace.

Prishtina ka energjinë organike dhe emocionet që klubistët në vende të tjera i përshkruajnë me dëshirë kur kujtojnë një kohë kur njerëzit ndërtuan identitetin e tyre për një përkushtim të plotë ndaj muzikës që ju bën të lëvizni edhe kur nuk posedonin telefonë celularë apo internet, “Turmat këtu janë më të angazhuar”, thotë Arbnor Dragaj, bashkëpronar i Hapësrës, një organizator i ngjarjeve të artit dhe kulturës. “Ata nuk kanë mundësi të udhëtojnë jashtë vendit, por ata kanë aq shumë ngazëllim dhe energji. Ata janë të uritur për një atmosfere të mirë dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme për të vallëzuar “.

Përmendja e luftës është një teme që të lodh në këtë pjesë të Evropës, megjithatë e kaluara e rajonit ka pasur një shenjë të pamohueshme në skenën muzikore. “Shpërthimi i muzikës elektronike pas luftës simbolizon këtë eufori të pasluftës në Kosovë,” thotë Nita Deda, drejtoreshë e festivalit vjetor ndërkombëtar të filmit DokuFest të Kosovës. “Kështu që shumë njerëz që jetonin jashtë vendit u kthyen me muzikë. Mbaheshin shumë ndeja dhe simbolizonin lirinë e vendit”

Nikolaos Symeonidis

Industria muzikore e Kosovës – jo ndryshe nga vetë vendi – është ende në fillimet e saj. Të dhënat e vetme për shitje në vend janë ato të xhazit të dorës së dytë në Soma Book Station, një kafe dhe pike jozyrtare për grupin bohem të Prishtinës. Nuk ka pothuajse asnjë financim qeveritar për skenën muzikore. Për të huajt që vizitojnë Prishtinën, e cila tashmë është lënë në hije nga skena më e vendosur në Beograd, rreth gjashtë orë në veri me makinë, ende mund të ndjehet si pengesë për një sekret të fshehur.

“Ne e bëjmë këtë për pasion, jo për paratë,” thotë Butrint Baholli, bashkëpronar i Zone Club, përpara një eventi të shtunën-mbrëmje me artistin tINI me bazë në Berlin. Çdo muaj, Zona sjell DJ të huaj për të luajtur për turma të gëzueshme. Me 70 për qind të popullsisë së saj nën 35 vjeç, Kosova ndihet sikur është në prag të një shpërthimi kulturor. Çdo verë, gjithnjë e më shumë festivale dhe koncerte janë shtuar në listë – këtë vit, për shembull, dashuria e Kosovës Dua Lipa kryesoi Festivalin Sunny Hill në një veprimtari të organizuar nga babai i këngëtares.
Një natë ideale në Prishtinë fillon me një darkë të vonë në Renesansa. Pastaj drejtohuni në Klubin M, ku do luajë Ilir Bajri, një nga pianistët më të respektuar të xhazit në Kosovë. Për ndalimin tjetër, kontrolloni listat në Zonë dhe Bahnhof. Një tjetër opsion më pak i njohur është Hapësia.

Nikolaos Symeonidis

Si kryeqyteti i vendit më të ri të Evropës, ka shumë për të bërë në Prishtinë edhe gjatë orëve të diellit, kështu që nëse keni kohë të kufizuar, ia vlen të harrosh një gjumë të natës për të parë të gjitha pikat kryesore të qytetit.

Prishtina mund të jetë një nga vendet e pakta në botë ku nuk jeni trajtuar si turist. Shoferët e taksive nuk do t’ju shqyejnë, dhe askush nuk do ta ngrejë çmimin në një restorant apo dyqan. Në vend të kësaj, kosovarët do t’ju trajtojnë si një mysafir me dashamirësi që kufizohet me maninë: Pyetni një vendas ku diçka është, dhe ata mund të këmbëngulin që t’iu dërgojnë vete, siç ndodhi me mua – dy herë.

Baza e shoqërisë shqiptare është besa, një kod sjelljeje që kërkon besim, përgjegjësi dhe mikpritje bujare. Dhe kjo do të thotë që edhe në cep të errët të një klubi nate, ku mund të ndjeheni ndryshe i pakëndshëm ose i lodhur, zakonisht do të gjeni vetëm respekt. Gjithkush është këtu për muzikën, para së gjithash./ KultPlus.com

Nikolaos Symeonidis

I pamposhtur

Poezi nga William Ernest Henley. Përkthyer në burg nga Visar Zhiti.

Jashtë natës që më mbulon mua
E zezë si ferri deri në polet,
Zotat, cilëndo, t’i falenderoj dua
Për shpirtin tim që nuk lodhet.
Nën kthetrat-tmerr të rrethanave
S’u drodha dhe nuk klitha, oh!
Fati me rënie të çomangave
M’i përgjaku kryet, s’i ula, jo.
Kudo na ndjek ankth’ i hijeve
Në baltë lotësh, ashtu të shëmbur.
Por mua kërcënim i viteve
Gjithnjë më gjen të pa trëmbur.
I rëndë qoftë çdo dënim
Dhe le t’mos hapet porta dot,
Zotërues jam i fatit tim,
I shpirtit tim jam unë Zot./ KultPlus.com

25 krijues shqiptarë do të prezantohen në Paris

25 krijues shqiptarë përmes poezive të tyre, tregimeve dhe pikturave do të promovohen para lexuesve e krijuesve frankofon.

Prezantimi i këtyre krijuesve po bëhet falë bashkëpunimit të Reshat Sahitja dhe Unionit të Shkrimtarëve me mbështetje të Shtëpisë Botuese L’HARMATTAN, në Paris. Po ashtu së shpejti do të botohet edhe libri me poezi të veçanta për Skënderbeun me ilustrime të piktorëve shqiptar dhe franceze.

Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë (UShKSh), në kuadër të projekteve për Vitin Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, ka përzgjedhur tashmë 13 poezi me motiv për Skënderbeun që do të botohen në revistën francez “LES EAUX VIVES” në numrin janar-mars 2019. Poezitë janë nga shkrimtarët: Dan Ibrahimi, Adem Xheladini, Zejnepe Alili-Rexhepi, Behare Rexhepi, Xhelal Ademi, Hasan Selimi, Gjon Marku, Lan Qyqalla, Sheqir Podvorica, Florentine Dermaku, Albana Spahiu, Angjelina Sulo dhe Rovena Toska.

Në antologjinë e rrethit botëror brankofon që do të botohet këto dite në Paris janë përzgjedhur 12 poet shqiptar në mesin e 60-të shkrimtareve eminent botëror./ KultPlus.com

Ramë Lahaj: Zgjohuni dhe flini me ëndrrën tuaj

Alberina Haxhijaj

Tenori Ramë Lahaj është rikthyer përsëri në Kosovë, ai kësaj radhë erdhi në kuadër të rrëfimeve TEDx dhe shpalosi me të pranishmit historinë e një të riu nga Kosova më ëndrra të mëdha për të cilat shpresonte që ti bëheshin realitet.

Tenori Ramë Lahaj sot në Prishtinë ndau më të pranishmit rrugëtimin e tij muzikorë. Ai nga një njëri i cili kur kishte qenë i vogël nuk kishte parë asnjëherë filma vizatimorë tregoi sesi ëndërronte që të bëhej një tenor, ëndërr këtë që e arriti vite më vonë. Ai si një 21 vjeçar, për herë të parë filloi që të mësojë notat dhe leximin e notave ne pentagram me ëndrrën se do arrijë të perfomojë nëpër skena operistike. Lahaj tregoi edhe komentet që mori kur nisi këtë rrugë e të cilat sipas tij nuk ishin pozitive pasi që thonin se ai nuk mund të arrinte një gjë të tillë.

“Kam jetu me moton që unë mundem me e arrit. Kur kam qenë në studime dhe kur ishim në pauzë dhe shkonim në librarinë e Akademisë së Arteve dhe merrnim materiale për me degju regjistrime u thoja shokëve të gjeneratës që një ditë kam me këndu me maestro edhe ata më kanë shiku në atë mënyrë edhe më kanë thonë që ti akoma nuk i ke mësu notat mirë ku po don me këndu me maestro. Mirëpo e kam ditë që një ditë ka me ndodh, kam jetu me moton që unë mundem edhe që kam me e arritë këtë”, u shpreh ai.

Rreth moshës 21 vjeçare ai filloi stërvitjen profesionale muzikore dhe një vit më vonë filloi studimet e tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Shqipëri), ku u diplomua si nxënësi më i dalluar në vitin 2008. Ramë Lahaj fitoi një bursë për në Gjermani mirëpo u rikthye përsëri në Kosovë ku fillon punën si drejtor artistik në kanalin RTV 21 në Kosovë. Gjatë asaj kohë ai vendosi të rrezikonte duke e lënë punën dhe Kosovën dhe duke shkuar jashtë vendit për të ndjekur audicionet që hapeshin. Ai tregon se realizoi audicionin e parë ndërsa në audicionin e dytë filloi provat mirëpo më pas u përjashtua nga produksioni pasi që mendonin se nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur, mirëpo Lahajn nuk u ndal me kaq. Sot, ai ka performuar nëpër skenat operistike dhe teatrot me të mëdha në botë si dhe është fitues i çmimit “Operalia”.

“Nuk jam ndal se kam jetu me ato që unë mundem edhe po du me e arritë këto. Mirëpo krejt kjo nuk mjafton veç si ëndërr. Unë jam rritë në këtë shoqëri edhe kohë pas kohë edhe vi dhe na ëndrrat i kemi platonike po ajo që unë e shoh që mungon të shumë prej neve është që me e fokusu krejt energjinë në këto ëndrra. Duhet që fryma jote me qenë me ëndrrën tënde, duhet që ju me u zgju e me ra me flejtë me atë që e dëshironi pasi që atëherë as universi nuk ka zgjidhej pa u përgjigjet mbrapa”, tha ai.

Tutje ai tha se e di që është e vështirë që të realizosh ëndrrat në Kosovë, mirëpo sipas Lahajt koha ka një rol të rëndësishëm dhe siç theksoi ai, asnjëherë nuk ka qenë me e lehtë sesa sot që ato të bëhen realitet falë teknologjisë e cila është zhvilluar.

“Jam rritë në një shoqëri nuk dua të them primitive mirëpo të prapambetur dhe sigurisht që këtu i referohem edhe regjimit që kemi pasur në atë periudhë dhe mundësive që na u kanë ngushtuar apo kanë dashtë me na i ngushtë. Pikërisht kjo është ajo që me ka bo me u shiju këtë rrugëtim dhe me qenë shumë krenar me rrugëtimin im. Nuk ka rëndësi edhe sa ka me vazhdu ajo që është e rëndësishme është që unë kam arritë atë qe e kam ëndërruar, mirëpo mos më pyetni se sa energji kam dhënë, sa vështirë e kam pasur dhe sa herë jam djersitë e sa herë se kam dashtë as veten me e pa sepse me punu për më shumë se dy jave edhe në fund me të thanë se nuk je i mirë aq sa duhet nuk është e lehtë”, theksoi ai duke theksuar se për të realizuar çdo ëndërr sado e vogël që mund të jetë ajo duke shumë punë dhe përkushtim.

Sfidat dhe momentet e vështira që i ka pasur, Ramë Lahaj thotë se e kanë bërë që të tregohet edhe me këmbëngulëse për të arritur ato synimet e tij. Pikërisht këtë këmbëngulësi ai dëshiron që ta shoh tek të rinjtë.

“Po shpresoj që keni shumë ëndrra, mirëpo po shpresoj që nuk janë vetëm ëndrra të kafeve ku uleni boni muhabet edhe mbas kafes gjithçka harrohet edhe ju e filloni prapë atë rutinën”, tha ai.

E krejt në fund Ramë Lahaj befasoi të pranishmit me një këngë shqipe. Lahaj së bashku me korin nga Peja “Siparantum” dirigjuar nga Memli Kelmendi,shoqëruar në piano nga Agron Shujaku dhe së bashku me Adhurim Grezda solli këngën e vjetër shqipe “Vijnë pampurat moj nano”./ KultPlus.com

Filmi “Streha mes reve” premierë botërore në “Black Night Film Festival” në Estoni

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina do të jetë premierë botërore në një festival të kategorisë A në Estoni. Filmi do të jetë në konkurrim zyrtar në edicionin e 22-të të festivalit “Black Night Film Festival”, në Tallinn të Estonisë.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala. Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë.

Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë.

Në rininë e tij Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. .

Premiera e filmit në ”Black Night Film Festival”,në Estoni vjen më datë 28 nëntor./a.a/ /a.g/KultPlus.com

Në Paris veprat e Banksyt shiten më shtrenjtë sesa ishin parashikuar (FOTO)

Disa vepra të njohura të artistit misterioz, Banksy, janë shitur gjatë një ankandi në Paris të Francës.

Për dallim me veprën “Vajza me Balonë” e cila u vetë-shkatërrua para një muaji gjatë një ankandi në Londër, kësaj radhe nuk ka pasur ndonjë incident të tillë. Përkundrazi, të gjitha veprat e ekspozuara në ankand u shitën dy apo tre fish më shtrenjtë se ç’ishte paraparë, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Veprën “Ndalo dhe Kërko” e ka blerë një koleksionist ndërkombëtar i artit për një shumë prej 65,000 eurosh.

Ndërsa vepra “Kanaçja e Supës” është blerë nga një koleksionist europian për 46,800 euro.

Po ashtu edhe vepra e titulluar “Mbretëresha Viç” u shit për 11,700 euro, shumë kjo katër herë me e lartë se sa ç’ishte planifikuar./ KultPlus.com

Restaurohet Pazari i Gjirokastrës, Shqipërisë i kthehet perla arkitekturore

“Me restaurimin e fasadave dhe çative të Pazarit të Gjirokastrës, qytetit i është rikthyer e rifreskuar zona historike, ndërsa Shqipërisë një perlë arkitekturore”, shkruan bashkia Gjirokastër.

Bashkia shton se “me përkushtim dhe pasion, gur për gur dhe ia dolëm. Tregtarët, pronarët e restoranteve apo të hoteleve, të gjithë banorët e qytetit duhet të ndihen edhe më krenarë për vlerat dhe bukurinë që përçon tani pazari i tyre”, shkruan bashkia.

Ky projekt u financua nga “The_AADF” me mbështetjen e partnerëve si, bashkia Gjirokastër dhe Ministria e Kulturës.

“Ndërkohë AADF vijon me fazën e restaurimit të kalldrëmit, për ta perfeksionuar Pazarin në detaje”, njofton bashkia Gjirokastër. /e.caushi/ KultPlus.com

Shkëlzen Gashi liston 10 problemet që duhet diskutuar rreth mosfunksionimit të ASHAK-ut

Shkelzen Gashi

Këto ditë reagoi edhe një anëtar tjetër i AShAK-ut kundër raportit ‘Kriza në Akademi’, i botuar nga organizata ‘INTEGRA’, duke i akuzuar njerëzit se kanë
“…rënë nën influencën e fuqishme të asaj OJQ-së që synon integrimin e Kosovës në Sërbi (dy çunat e asaj OJQ-je nuk kanë bërë gjë tjetër në jetën e tyre, përveç se, si dy pëllumba, kanë kërcyer nga dega në degë, duke kënduar “Mirë dita-Dobar dan!”) dhe që së fundi bëri raport për Akademinë dhe i vuri në lojë të gjitha mediet, përfshirë edhe një komision parlamentar”.
Pa dyshim, mund të debatojmë, madje me kënaqësi të madhe, edhe për ‘synimin e OJQ-së për ta integruar Kosovën në Sërbi’, edhe për ‘kërcimet tona nga dega në degë duke kënduar “Mirë dita-Dobar dan!”’, e edhe për shumë tema tjera, por, po e përsërisim, fillimisht duam të diskutojmë se:

1. Pse gati të gjitha publikimet i keni të autorëve shqiptarë e në gjuhën shqipe e gati asnjë publikim në gjuhën angleze?
2. Pse qe dhjetë vjet, ndonëse i keni marrë gati 10 milionë € nga buxheti i Kosovës – shtetit më të varfër në Europë – i keni finalizuar vetëm dy projekte të mëdha: Monografinë «Kosova – vështrim monografik» dhe «Fjalorin Enciklopedik të Kosovës» (për cilësinë e këtyre dy publikimeve herën tjetër)?
3. Pse të gjitha projektet i keni projekte kombëtare, e për dallim nga akademitë përreth, nuk e keni asnjë projekt ndërkombëtar?
4. Pse prej 10 milionë € që keni marrë nga Buxheti i Kosovës, rreth 2/3 e këtij buxheti i keni çuar në paga dhe mëditje?
5. Pse honorari – për anëtarin e rregullt 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 € – është trefish më shumë sesa i kolegëve tuaj nga vendet përreth, ndonëse Kosova është ndjeshëm më e varfër sesa vendet përreth?
6. Pse gati 90% e anëtarëve të rregullt të AShAK-ut nuk kanë pasë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq angazhime nëpër parti politike kanë pasë më shumë se gjysma e anëtarëve të rregullt të këtij institucioni?
7. Pse pranoni të udhëhiqeni nga një person i dënuar nga gjykata me 18 muaj burgim me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare?
8. Pse i pranoni në radhët tuaja të paktën tre plagjiatorë – Nexhat Daci, Sabri Hamiti e Arsim Morina – të akuzuar publikisht nga Musa Limani, nga Sali Bytyçi, e nga Talat Gjinolli, me dëshmi të forta, se veprat e tyre janë plagjiaturë?
9. Pse faqen zyrtare në internet e keni jofunksionale, të papërditësuar, dhe, mbi të gjitha, vetëm në gjuhën shqipe, e pothuajse asgjë në gjuhën angleze?
10. Pse prej 13 qëllimeve që ua përcakton ligji, ju e keni realizuar vetëm njërin: përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës të anëtarëve të Akademisë?/KultPlus.com

Sabina Kodra: Kërkohen shqiptarë për Shqipërinë

Sabina Kodra: Kërkohen shqiptarë për Shqipërinë

Isha në Romë datë 20 tetor kur mbërriti lajmi se Bujar Alimani kishte fituar çmimin e madh në Varshavë me filmin “Delegacioni”. Mend m’u mbushën sytë me lot nga gëzimi. Jo se jam shumë altruiste e madhe (zot na ruaj ditët e sotme kjo do të ishte herezi e vërtetë) por sepse fitorja e Bujarit vinte në një moment kaq kompleks e të ngarkuar emocionalisht për të gjithë ne. Sepse Artan Minarolli edhe i vdekur fitoi çmimin që e kishte ëndërruar gjithë jetën. Zot çfarë ironie! Në kufijtë e mrekullisë. Nejse përtej të gjitha notave melodramatike a patetike doja të ndaloja e të numëroja disa fakte se pse desh u qurravita në hollin e hotel “Bernini” aty ku zhvillohej merkato e MIA në orën 18:30 të datës 20 tetor (besoj nuk do ta harroj sa të jem gjallë këtë moment, vetëm nëse më zë alzaimeri apo demenca):

1. Fitorja e Bujarit është fitorja e të gjithëve, imja, jotja e të gjithëve. Ndoshta pak kush e di se çfarë konkurrence dhe vështirësie është te prodhosh sot një film, tani mendoni te shkosh në një festival të kategorisë A (janë vetëm 9 në të gjithë Evropën, ku pranohen vetëm 11-13 filma për kompeticion, ndërkohë që prodhohen mijëra filma në botë atë vit prodhimi që t’i konkurron). Imagjino të fitosh çmimin e madh. Është sikur Shqipëria të kishte fituar kampionatin europian të futbollit.

2. Bukur se ky krahasimi i fundit më pëlqeu shumë, imagjino sikur Shqipëria të kishte fituar kampionatin europian të futbollit do të ishte ngritur i madh e i vogël e do të kishte shkuar në Rinas të priste kombëtaren. Nuk po merrem fare me atë se si u prit Bujari në Shqipëri. Artistët janë natyra të duruara, e dinë se kryqi që mbajnë mbi supe është i rëndë e gëzimi i suksesit është vetëm një shkallë drejt një mali akoma më të vështirë. ARTI dhe KULTURA do të na shpëtojnë! Ndoshta duket si slogan komunisto- bolshevik, ndoshta, por jam e bindur se nuk është larg dita që energjia krijuese në këtë vend do të arrijë të ndryshojë faqen.
3. Sepse flamuri shqiptar u ngrit triumfues në Varshavë, e ne shqiptarët nuk ishim lajmi i kronikës së zezë, por faqebardhës kulture. FALEMINDERIT, Bujar Alimani për këtë fitore madhështore!

Rapsodët e Hasit marrin çmim në Festivalin Folklorik të Rapsodëve dhe Instrumentistëve

Edicioni i X-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë, Lezhë 2018 mbylli mbrëmë konkurrimin.

Juria e përbërë nga Prof. Roland Çene, Kryetar i jurisë dhe anëtatë Gjok Cari dhe Shemsi Sulaj Vendosën:

Çmimi Special i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut i jepet
Grupit Folklorik Lezhë

Çmimi “Ndue Shyti” i jepet
Grupit Folklorik Gostivar

Çmimi “Dervish Shaqja” i jepet
Rapsodëve të Hasit

Çmimi “Gjok Nonaj” i jepet
Orkestrinës së Matit

Çmimi i Karrierës i jepet

Grupit “Gjergj Araniti” Mallakastër

Çmimi Inkurajues i jepet
Gabriel Rraposhit- Bashkia Mallakaster
Dhe
Grupit të Kurbinit

Çmimi Instrumentisti më i Mirë
Ervin Gega në Çifteli dhe
Orkestrina Mirditë