‘Insta Green’ sjellë shembujt e mbrojtjes dhe ndotjes së mjedisit në Kosovë

Për javë me radhë, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi që në rrjetin social Instagram të dokumentojnë praktikat e mira të mbrojtjes së ambientit dhe dëmin që i bëhet ambientit në forma të ndryshme.

Duke përdorur hashtagun #GiveGreenAChance dhe #EUinKosovo, qytetarët kanë fotografuar ambiente të bukura, ku natyra ruhet në mënyrën më të mirë, dhe ambiente ku mbeturinave hudhen në vende të panevojshme dhe kësisoj ambienti e mjedisi përreth nesh ndotet dhe paraqet rrezik për ne.

E disa prej këtyre fotografive, gjegjësisht 11 prej tyre, sonte u prezantuan në ekspozitën ‘Insta Green’ në EUICC – Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Erza Kurti është një prej atyre që ishin pjesë e ekspozitës me anë të fotografisë së realizuar. Fotografia e saj lë shumë për të dëshiruar, në aspektin e mbrojtjes së mjedisit në Kosovë.

“Unë tentoja me e fotografu edhe banesën afër ndotjes aty, me tregu që këtu është edhe një ambient banimi. Fotografinë e kam realizuar tek Rruga B, shumë afër banesës sime” ka treguar sot Erza Kurti në hapjen e ekspozitës.
Në mesin e 11 fotografive, disa ishin të realizuara nga Blerdi Malushi, Arineta Mula, Leunita Syla dhe të tjerë qytetarë që u përzgjodhën të ishin pjesë e ekspozitës, shkruan KultPlus.

Dimitrios Machairidis nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tregoi se qëkur ka ardhur në Kosovë e ka vërejtur se këtu qytetarët kanë një talent për fotografim dhe se kjo është vërejtur edhe në ata të cilët kanë realizuar fotografitë për këtë ekspozitë, në Instagram.

Derisa Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian e shpalli të hapur ekspozitën duke treguar se angazhimi i kësaj Qendre për mjedisin do të vazhdojë edhe më tutje dhe nuk do të kufizohet në vetëm mbajtjen e kësaj ekspozite, këtë natë në hapje folën edhe dy prej kampionëve të Fushatës për Mjedis, e cila po organizohet momentalisht në Kosovë.

Lum Zhaveli dhe Arineta Mula, dy prej katër kampionëve të Fushatës, treguan se sa janë të privilegjuar me përfshirjen në këtë Fushatë me rëndësi për qytetarin e Kosovës.
Ekspozita u hap sonte si pjesë e Fushatës për Mjedis, e cila ka nisur në fund të shtatorit dhe do të vazhdojë deri me 6 dhjetor, e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga EUICC. / KultPlus.com

‘Jam shqiptar e kosovar, zot e krenar, zot e bujar’

Nga Mitrush Kuteli

Jam shqiptar
e kosovar;
zot e krenar,
zot e bujar
mbi këtë dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fé:
E kam vatan!
E kam atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë.
Ti shqa thërret,
ti shqa bërtet,
gjer lartë në retë
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu
kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu
kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det
në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu
nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën
fushë
e malin
mal.
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.

Dhimbja është mësuesja më e mirë në jetë

Kur humbasim një person të dashur; kur i japim fund një lidhjeje në të cilën jemi përfshirë maksimalisht, arrijmë ta kuptojmë vërtet se fundi i diçkaje na ofron mundësi të pafundme për ta njohur, vlerësuar dhe respektuar veten tonë.

E keni dëgjuar ndonjëherë fjalinë: “Dhimbja është mësuesja më e mirë e jetës”? Sepse është plotësisht e vërtetë. Kur jemi në prani të dhimbjes së humbjes, të ndarjes, apo të fundit të diçkaje, jemi të detyruar të kërkojmë alternativa të reja në jetë për të mbijetuar.

Sipas studimeve, shumica e pacientëve kur kuptojnë se janë në prag të vdekjes, apo në fund të jetës së tyre, arrijnë të pendohen realisht se pse nuk kanë dashuruar më tepër, se pse nuk kanë kaluar më tepër kohë me të dashurit e tyre, apo se pse nuk kanë dhënë puthjet që duhet të jepnin; gjëra këto që lekët nuk i blejnë dot. Gjithë këto, përbëjnë atë që quhet Jetë!

Jetojmë duke mos e kuptuar se sa kohë kalon, sepse shqetësohemi shumë në kënaqjen e dëshirave tonë ekonomike, më tepër se në mbushjen e boshllëqeve shpirtërore që mund të kemi. Pëlqejmë diçka materiale, punojmë fort, bëjmë çdo punë të mundshme për të siguruar të ardhurat e nevojshme për ta blerë atë gjë.

Kur arrijmë ta blejmë, na mërzitet dhe kërkojmë diçka tjetër, shpesh herë akoma më të shtrenjtë. Kështu dëshirat zëvendësojnë njëra tjetrën, derisa një ditë kuptojmë se nuk janë dëshirat apo gjërat materiale që kërkojmë, ato që na bëjnë të lumtur.

Mirëpo në momentin që e kuptojmë këtë të vërtetë të madhe, shpesh të nxitur nga dhimbja që mund të ndiejmë prej ndonjë zhgënjimi, mund të jetë tepër vonë.

Dhimbja vërtet na jep mësimet më të mëdha, por ndonjëherë ato mësime na i jep me vonesë dhe pendesa nuk ka asnjë vlerë. Asgjë nuk mund të kthehet dot ashtu siç ishte më parë.

Por të paktën, ngushëllohemi me faktin se dhimbja na bën të kuptojmë shumë e të mësojmë shumë mbi jetën. Përmes saj ne mund ta shohim jetën me fytyrën e saj të vërtetë, edhe kur mund të jetë vonë.

Një shprehje tjetër popullore thotë se, më mirë është vonë, sesa kurrë. Ndaj, më mirë ta kuptojmë vlerën e gjërave vonë, se sa të mos e kuptojmë kurrë përgjatë jetës sonë. Dhe pavarësisht gjithçkaje që mund të kuptosh, unë të këshilloj të ecësh përpara në jetë. Gjithmonë!/bota.al / KultPlus.com

Vdes krijuesi i “SpongeBob SquarePants”, Stephen Hillenburg

Krijuesi i “SpongeBob SquarePants”, Stephen Hillenburg ka vdekur në moshën 57 vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga Nickelodeon, që ka transmetuar seritë shumë të famshme të karikaturës që nga viti 1999, shkruan BBC, transmeton Telegrafi.

Në një deklaratë, kompania tha se shkaku i vdekjes së Hillenburg ishte sëmundja neurone motorike (e njohur edhe si ALS), një gjendje që ai zbuloi se ishte diagnostikuar me marsin e kaluar.

Hillenburg ishte regjisor i “The SpongeBob SquarePants” deri në vitin 2004.

“Ne jemi të trishtuar për të ndarë me ju lajmin për vdekjen e Stephen Hillenburg, krijues i ‘SpongeBob SquarePants’”, shkruhej në llogarinë zyrtare të Nickelodeon në Twitter.

“Sot po mbajmë një çast heshtjeje për të nderuar jetën dhe punën e tij”.

“SpongeBob SquarePants” filloi transmetimin në vitin 1999 dhe ka më shumë se 200 episode të transmetuara. /KultPlus.com

Capital T koncert në Londër me artisten e re shqiptare të suksesshme në Amerikë, Enisa

Reperi i njohur kosovar, Capital T, vazhdon të jetë shumë i angazhuar në muzikë.

Përveç projekteve të reja, ai është aktiv edhe me paraqitje në koncerte të shumta, duke u munduar të jetë sa më pranë fansave të tij. Së fundmi, ai ka bërë të ditur se do të performojë në “Electric Brixton”, e cila është një prej sallave koncertale më me nam në Londër. Ky koncert, siç ka bërë të ditur reperi, do të mbahet më 28 nëntor dhe në të do të performojnë edhe disa artistë të tjerë.

Taleb Kweli (Mos Def), Professor Green, Marco Carola, e Labyrinth – janë vetëm disa nga emrat që do t’i bashkëngjiten këtij koncerti.

Pjesë e mbrëmjes muzikore do të jetë edhe artistja e re Enisa, e cila është një emër i suksesshëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nisa është një këngëtare e re, e cila i ka kënduar këngët e saj kryesisht ‘cover’, teksa e njëjta ka gjetur përkrahje të platformat e njohura muzikore si iHeartRadio. /Telegrafi/ KultPlus.com

Nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago kremtuan Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Me një program të pasur kulturo-kombëtar nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago kremtuan 28 Nëntorin-Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në qendrën kulturore kishin ardhur prindër, veprimtarë dhe mësuesit e shkollës për të kremtuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse jashtë atdheut në Amerikën e largët dhe me moton “Se nuk ka tjetër atdhe” me recitime, këngë dhe valle shqiptare e bekuan programin kulturor në Çikago.

Të vegjlit shqiptarë të veshur kuq e zi dhe tingujt, recitimet dhe këngët shqiptare që aq bukur shqip i shtonin duartrokitjet, për rendësin e kësaj ditë të madhe kombëtare foli drejtoresha e shkollës Qëndresë Brahimi, e cila ndër të tjera foli për rrugëtimin e plakut të urtë Ismail Qemali dhe për Shqipërinë e lirë në vitin e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Kjo ditë e bekuar për kombin shqiptar, tha në fjalën e saj zonja Brahimi, ka qenë dhe do të jetë për tërë kombin tonë kudo që jetojnë dhe këtu në Amerikën e largët në atdheun e dytë për ne, simbol i bashkimit, të unitetit, të krenarisë, të qëndresës dhe vendosmërisë për liri e pavarësi të atdheut.

Shqiptaro-amerikanët dhe të vegjlit që kanë lindur e po rritën në Amerikën e lirë dhe fidanishte të demokracisë, theksuan se ky vend mik i përjetshëm me dekada ka qenë gardianë i lirisë dhe i pavarësisë së Shqipërisë dhe shtetit më të ri në Evropë të Kosovës.

Mësuesit dhe të vegjlit shqiptarë e nderuan kryetarin e qendrës shqiptare dhe fetare Hasan Ramushi, i cili e ka përkrahur programin festiv, ndërsa prof. Skënder Karaçica, drejtor ekzekutiv i SHSHA-së duke uruar nëntorët historik për kombin shqiptar ka theksuar se pikënisje për pavarësinë e Shqipërisë ishte Kongresi Manastirit(1908)dhe Alfabeti i Gjuhës Shqipe me shkronja latine dhe udha e kombit drejt Evropës aty ku me shekuj ka dhënë vlera të qytetërimit me popujt tjerë europianë dhe më gjërë. Këto dy festa janë dy ngjarje të mëdha kombëtare që na nderojnë sot e gjithmonë dhe i paçim për jetë jetëve, ka thënë Karaçica. Kremtimin e festës së flamurit në Çikago e ka nderuar me një fjalë rasti Lirie Mehmeti, kryetare e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane dhe veprimtare dhe biznesmene e dalluar që për disa vjet e pati mbajtur gjallë fjalën e gjuhës shqipe përmes valëve Radio-Jeta.

Në kremtimin e sotëm festiv morën pjesë veprimtarë të dalluar të çështjes shqiptare në diasporën në Çikago si prof. Ilaz Kadriu, Mahmut Skenderi, Tefik Abdullahu, Vllaznim Sherifi, Nuri Ibrahimi, Riza Milla, Halil Gashi, Vullnet Dervishi e tjerë.

Programin festiv të ditës së flamurit në Çikago, nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” e nisën me një fragment të kohës së Ismail Qemalit dhe populli shqiptar para flamurit kuq e zi në ditën e pavarësisë në Vlorë. Me këtë rast defiluan artistët e vegjël si Darisi, Hadi, Erina, Besniku, Milena, Eraldini, Alena që begatuan programin “Zemra rreh për Shqipëri” për të vazhduar me recitime, këngë dhe valle shqiptare.

Duartrokitjet i gëzuan shumë artistët e vegjël shqiptarë të shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago. /KultPlus.com

Arbër Skënderaj publikon këngën e tij të parë “Brilla”

Alban Skënderaj dhe vëllai i tij Arbër Skënderaj që në fëmijëri e kanë pasur pasion muzikën mirëpo ky i fundit nuk kishte publikuar këngë deri tani. Por, Arbër Skënderaj ka mbledhur energjinë dhe dashurinë e tij për të publikuar këngën të cilën e ka titulluar “Brilla”.

Tekstin, produksionin madje edhe videon për këtë këngë Arbër Skënderaj e ka bërë vet diçka që e ka bërë të ndjehet shumë krenar këngëtarin Alban Skënderaj i cili edhe ka shpërndarë këngën në rrjetet sociale.

“Unë jam shumë krenar për të që gjeti kurajo të provonte vetën por mbi të gjitha që arriti të nxirrte një dedikim të dhimbshëm nga shpirti, forcë që unë ende nuk e gjej tek vetja. Të dua fort vëlla dhe uroj që muzika të jetë mikja jote për gjithë jetën”, është një pjesë e shkrimit që këngëtari Alban Skënderaj ia ka dedikuar vëllait të tij.

Greta Koçi sjellë një kolazh këngësh të mrekullueshme për Shqipërinë (VIDEO)

Festa e 28 nëntorit gjithmonë na sjellë edhe shumë krijime të bukura artistike. Por më të shpeshtat janë ato në muzikë, shkruan KultPlus.

Një të tillë e ka sjellë sonte premierë edhe artistja nga Shqipëria Greta Koçi.

Përmes një video, Greta në një version akustik, na sjellë një kolazh këngësh për Shqipërinë, ku të kombinuara me zërin fantastik dhe të ndjerë të këngëtares e kënduar me zemër gjithçka duket e shkrirë mjaftë bukur.

“Këtë radhë ka kënduar zemra. Sapo doli, e gjeni në Youtube #Acousticversion Për Shqipërinë. Gëzuar për të gjithë Shqiptarët kudo ku ndodhen. Dëgjojeni ,shijojeni”, ka shkruar Greta në Facebook.

Për më tepër shijojeni videon të sjellë më poshtë. / KultPlus.com

Kisha e Prizrenit bëhet me afreskun e Skënderbeut

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, Ipeshkvia e Kosovës në Prizren ka bërë zbulimin e afreskut të Skënderbeut. Ky i fundit është vlerësuar si prodhimi më hyjnor i racës shqiptare dhe modeli më i mirë shqiptar.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje në ruajtjen e vlerave të qytetit të Prizrenit, sepse sipas tij ky qytet është përbashkues, transmeton Kosovapress.

“Në prag të festës sonë kombëtare 28 Nëntorit, kushtuar Skënderbeut, kushtuar heroit dhe në prag të festave të fundvitit, restaurimi i kësaj pikture është dhurata më e mirë për qytetin tonë. Skënderbeu na ka frymëzuar dhe do të na frymëzojë përherë, ngase ai ka qenë luftëtarë dhe bashkues i shqiptarëve mes vete dhe me botën, kështu për bashkues është edhe qyteti jonë, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë”, ka thënë Haskuka.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se shqiptarët janë komb i vjetur, ku sipas tij askush nuk ka arritur dhe nuk duhet të arrijë të vendos barriera mes tyre.

“Jam i gëzuar që jemi bashkuar sot në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, jemi bashkuar edhe me një porosi, me anë të një pikture që i dedikohet atij, të një piktori të një populli tjetër që është frymëzuar, ka jetuar dhe ka punuar këtu. Edhe kështu e vërtetojmë që vlerat tona, jo vetëm të historisë, por edhe të artit do të mbijetojnë ndër vite. Për çdo shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është heroi ynë, është prijësi ynë dhe do të mbetet gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se pasardhësit e të gjithë heronjve janë përball thirrjeve të qytetërimit, ku për shqiptarët, sipas tij, ideali më i çmuar duhet të jetë dashuria ndaj kombit.

“Siç shihet edhe nga portreti i tij në pikturën e restauruar, ishte prodhimi më hyjnor i racës shqiptare. Ishte shpatë në shërbim të atdheut shqiptar, ishte shqiponjë e Shqipërisë, prandaj shekujt që vijnë dhe shkojnë, Gjergj Kastriotit i sigurojnë kurorën e luftëtarit për liri universale. Për vlerat e qytetërimeve më përparimtare të të gjitha epokave deri më sot, Gjergj Kastrioti ishte dhe do të ngelet një kryezot i pa përsëritshëm i lirisë shqiptare, i cili i dha dritë epokës së Rilindjes evropiane, epokës e cila aq shumë kishte nevojë për një titan shqiptar”, ka shtuar Gashi.

Ipeshkvi i Kosovës, Don Lush Gjergji theksoi arsyen e ardhjes në Prizren, duke thënë se Skënderbeu ishte motivuesi në qëndresën heroike.

“Ai ka qenë, ai është dhe ai do të mbetet ati i kombit tonë. Kisha katolike me xhelozi e ka ruajtur figurën e Gjergj Kastriotit në gjirin e vet, në mënyrë që të mos harrohet nga të vetit, të mos përvetësohet nga të tjerët”, ka përfunduar Gjergji.

Don Lush Gjergji së bashku me kryeministrin Haradinaj kanë bërë zbulimin e pikturës së Skënderbeut.

Kujtojmë se ky vit është shënuar si viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ku viti 2018 përkon me 550 vjetorin e vdekjes së tij./KultPlus.com

“Letër engjëllit tim mbrojtës”

Nga Florim Shatrolli

Në librin me poezi “Letër engjëllit tim mbrojtës”, poeti Ragip Sylaj, ka paraqitur një përjetim personal jetësor, një jetë plot gjallëri, plot shpresë, plot dashuri, plot përjetime dhe peripeci, së fundi edhe sfidat e tij jetësore, poeti i përballur nga një sëmundje e rëndë i përshpejtoj vargjet e tija që kishte për veprën “Letër engjëllit tim mbrojtës”. Autori finalizoj projektin e tij me këto poezi, që pas vdekjes së tij doli nga shtypi.

Në librin me poezi “Letër engjëllit tim mbrojtës”, poeti Ragip Sylaj, ka shprehur ndjesitë e tij, ndjenjat dhe frymëzimet që dalin nga burime të ndryshme jetësore.

Vëllimi poetik “Letër engjëllit tim mbrojtës”, është i ndarë në pesë cikle apo kapituj, ku secili cikël apo kapitull paraqet dhe përshkruan një periudhë të jetës dhe përjetimeve të autorit.

Ky botim është i ndarë në disa fusha, siç janë:

-Përshpirtje, ku është vlerësuar në vend të hyrjes ose Preludium, Rrena më e bukur….
-Engjëllit tim mbrojtës, ku është ndarë në: Letër engjëllit tim mbrojtës, I; Letër engjëllit tim mbrojtës, II; Letër engjëllit tim mbrojtës, III; Letër engjëllit tim mbrojtës, IV.

-Këngë të sizifta, ku është ndarë në: Lutje, I; Këngë sizifi; Ndërdyshje të fshehta; Jashtabrenda vetes; Një hapë para vetës; Përmbi vetveten; Përbri Dashurisë; Përbri muzës; Në zbrazëti; Në anën tjetër të vetes; Ilaç i trilluar kundër mërzisë; Ekziston një botë; Lutje, II.

-Para se të bjerë muzgu i kujtesës, ku është ndarë në: Kur ta kthenë muza shpinën; Letër zonjës mërzi; Para se të bjerë muzgu i kujtesës; Oxodus; Letër Omer Kaleshit në Paris; Nganjëherë; Nganjëherë; Bisedë me demonin tim; Këngë e sëmurë; Sprova e përlindjes; Si ta gatis kullën e fatit; Nisja për në vendlindje; Përgjërim hyjnor; Poezia magjike; Gërmim në mëdyshje.

-Libri i letrave, ku është ndarë në: Letër poezisë; Letër muzës; Letër vetmisë; Letër dashurisë; Letër jetës.

Në ciklet apo kapitullin e parë të librit janë paraqitur: Përshpirtje, në vend të hyrjes ose Preludium, Rrena më e bukur…, ku kjo ndarje tregon dhembjen e përjetuar nga autori me sëmundjen e rëndë, sëmundje që edhe ja mori jetën, e mori vdekja dhe amshimi, ku në vargjet e tij e ilustron me metafora dhe me ngjyrime dhembje dhe krenarie, siç janë vargjet: `Se do të ushqehemi vetëm me ushqime bio, Kurrë nuk do të vdesim nga kanceri`, apo vargjet `Se s`do të ketë libra sa do ketë lexues`, si dhe vargjet e përjetuara thellë `Më rrej, Engjëlli im, Se mrekullie rrethuar jam, Veçse unë s`kam sy për të parë`, këto vargje shihen se janë burimore nga fazat e jetës që kalonte autori, ku dashurinë, lumturinë dhe shpresën e përball me thirrjet dhe vdekjen. Sa me elegancë vdekjes dhe amshimit i lutet dhe e dëshiron të jetë ëndërr apo rrenë e jetës.

Ragip Sylaj

Në ciklet apo kapitullin e dytë të librit janë paraqitur: Engjëllit tim mbrojtës, ku është ndarë në: Letër engjëllit tim mbrojtës, I, ku në disa nga vargjet `Vetja nuk më zë Engjëlli im Mbrojtës, Pikëllimi më ka ngjyrosur fytyrën përbrenda`, apo vargjet `Eja e më nxirr së këndejmi Engjëlli im Mbrojtës, Nxirre këtë fëmijë të plakur e të pa mësuar me jetën, Me jetën që nuk e çel lule të bardha në këtë kohë traumatike`, apo vargjet `Atëherë do të rilindemi si pas luftës së Kosovës`, në këto vargje autori fol në njëjës dhe në personale, ku ballafaqimi i tij është ai dhe bota, ai dhe botrat, sepse i drejtohet edhe botës tjetër, qiellit, tokës. Letër engjëllit tim mbrojtës, II, ku në disa nga vargjet `Të dëshmoj për frikën time, Dhe mosdashurinë njerëzore`, apo `Të dëshmoj për pasigurinë e ekzistencës, Që më shtyjnë në dënesje në vaj`, si dhe `Andaj çoji Zotit fjalë, Të më lirojë nga errësira e ferrit, Të më lirojë nga hidhësia e vrerit, Të ma vesh qenien me dritë, Në çaste angështie, T`mos më lërë pa zemër, T`mos më lërë pa shpirt`, në këto vargje autori fol në njëjës dhe në personale, ku ballafaqimi i tij është me krijuesin që i lutet për mbështetje dhe mëshirë në rrugëtimin dhe përballjen me sëmundjen. Letër engjëllit tim mbrojtës, III, ku në disa nga vargjet `Si të shfajësohem para engjëllit e para djallit, Para trimit e para avdallit`, si dhe `Si të shfajësohem para jush e para mëkatarëve, Para atyre të fundit e të parëve`, në këto vargje autori fol në melankoli dhimbjesh për kërkim faljen ndër gjenerata. Letër engjëllit tim mbrojtës, IV, ku në disa nga vargjet `Më mbroj nga shtërpintë helmues, Më ruaj nga Bishat e çliro nga hienat`, si dhe `Më mbroj nga miqtë e rremë që gjithmonë janë me tepricë`, në këto vargje autori fol në melankoli dhimbjesh për mbrojtjen nga helmimet dhe bishat si dhe miqtë e rremë, që me metafora ka thënë se janë me tepricë.

Në ciklet apo kapitullin e tretë të librit janë paraqitur: Këngë të sizifta, ku është ndarë në: Lutje, I, ku në disa nga vargjet `Se nuk e di në është mallkimi im bekim, Apo bekimi është mallkim, Më ruaj Zot!`. Këngë sizifi, ku në disa nga vargjet `Ëndërrojnë të paarritshmen të shndritshmen, Për t`u bërë ilaç për plagët e vjetra, Për t`u bërë urë për t`kaluar hareja, Për t`u ringjallur e vjetra sa herë vdes e reja`. Ndërdyshje të fshehta, ku në disa nga vargjet `Pa ditur saktësisht në do t`udhëtosh, Kah (ri)lindja apo kah vdekja`. Jashtabrenda vetes, ku në disa nga vargjet `Kur hyj brenda vetes, Shoh hirin e mallit zhuritës, Mençurinë e palindur të të eturve`. Një hapë para vetës, ku në disa nga vargjet `Kur t`jem një hap para vetes, Jam një hap përpara jetës, Kur t`jem një hap pas vetvetes, jam një hap më afër vdekjes`. Përmbi vetveten, ku në disa nga vargjet `Por kur t`jem përfundi udhëzuesit, N`dorë maj skeptrin e mësuesit`. Përbri Dashurisë, ku në disa nga vargjet `Kur je n`zemrën e dashurisë, Je n`qelën e fisnikërisë, Kur devotshmërinë s`e ke n`brendi, Je pa qiell pa perëndi`. Përbri muzës, ku në disa nga vargjet `Ringjallja s`i pret ditët, Përtëritja vjen me Orë`. Në zbrazëti, ku në disa nga vargjet `Aq sa antivlera ka vlerë, Lulet plastike lëshojnë erë`. Në anën tjetër të vetes, ku në disa nga vargjet `Në këtë anë të jetës, S`jam edhe aq i errët, Në anën tjetër të saj, Mos më merrni krejt për të marrë, Për aq sa jam i sinqertë`. Ilaç i trilluar kundër mërzisë, ku në disa nga vargjet `Pastaj mërzia i bëhet amë e shenjtë, I bëhet grua besnike, I bëhet dashnore skofiare, I bëhet motër e gjergjeleztë, i bëhet bijë, Më pastaj – qiell, Dikur – yll`. Ekziston një botë, ku në disa nga vargjet `Ekziston një botë, Ku nuk shqetësohesh, Në ëndërr as në zhgjëndërr, Ekziston një botë, Ku dhembja s`është dhembje, E vdekja është e bukur`. Lutje, II, ku në disa nga vargjet `Zoti im m`i jep zjarr këngës, T`i ngroh t`pastrehët t`mërdhirët, T`i ngop t`uriturit, E t`i shpij të mpirët, Më jep kurajë ta bluaj urrejtjen, Nga mielli i saj t`gatuaj dashuri`, në këto vargje autori fol i dërmuar nga gjithçka, duke kërkuar dhe lutur për të mirën, mirësinë, dashurinë, ngrohtësinë, ku në shumë vargje kërkon fuqinë nga Zoti për të ndryshuar njerëzit, vetitë dhe sjelljet e tyre në të mirën e përgjithshme.

Në ciklet apo kapitullin e katërt të librit janë paraqitur: Para se të bjerë muzgu i kujtesës, ku është ndarë në: Kur ta kthen muza shpinën, ku në disa nga vargjet `Kur ta kthen shpinën muza, Mund ta përtypësh sall këngën e heshtjes, Këngën e mërzisë – jo atë të qeshjes`, Letër zonjës mërzi, ku në disa nga vargjet `E dashur Mërzi, Më ndiej që jemi keqkuptuar, Beso se nuk të kam ftuar`, Para se të bjerë muzgu i kujtesës, ku në disa nga vargjet `Pasi të eçtohesh së jetuari, Pasi të jetosh së vdekuri, Para se të çmendesh së jetuari, para se të çmendesh së vdekuri, Se në jetë ka nga pak vdekje, E në vdekje ka nga pak jetë, Para se të ngopesh së jetuari, Para se të ngopesh së vdekuri`, Oxodus, ku në disa nga vargjet `Tronditet e kaluara lëkundet e ardhmja, Herë Hena errësohet nga Dielli, E herë Dielli eklipsohet nga Hëna`, Letër Omer Kaleshit në Paris, ku në disa nga vargjet `Sa kohë ka që koka e kërkon trupin, E sa kohë që trupi kërkon kokën`, Nganjëherë, ku në disa nga vargjet `Nganjëherë brenda njeriut vdes muza`, Nganjëherë, ku në disa nga vargjet `Nganjëherë brenda njeriut bie në komë erosi`, Bisedë me demonin tim, ku në disa nga vargjet `E ti flet e bret nga brendia ime, E ti shkruan e vret nga qenia ime, Aq sa nuk hidhërohet Zoti, Aq sa nuk poshtërohet poeti, Nganjëherë je më njeri se njeriu, Të bekoftë Ora e Qiellit!`, Këngë e sëmurë, ku në disa nga vargjet `Kur sëmuresh, Vallë gëzohet sëmundja për viktimën`, Sprova e përlindjes, ku në disa nga vargjet `Në mes flakës së zezë, E tymit të bardhë, Ndërhyri ijtë e bekuar`, Si ta gatis kullën e fatit, ku në disa nga vargjet `A bëhet kulla altruiste, Në themelet egoiste?!`, Nisja për në vendlindje, ku në disa nga vargjet `Jam nisur të shkoj atje, Ku vdekja vesh rrobat e jetës, Ku pikëllimi vë maskën e buzëqeshjes`, Përgjërim hyjnor, ku në disa nga vargjet `Me kërkesë timen Nanë, Çoji fjalë frymëzuese Qiellit, Të mbretërojë paqja mes nesh`, Poezia magjike, ku në disa nga vargjet `Po t`shkruhej poezia më e bukur, Do t`ishte poezia me magjike, Për një botë krejt fantastike`, Gërmim në mëdyshje, ku në disa nga vargjet `Ndoshta s`jam dhembja që s`pushon, Ndoshta s`jam libër që s`lexohet`, në këto vargje autori fol me entuziazëm, me shpresë, me gëzim dhe pikëllim, ngjyros dashuri e bukuri, vuajtje e vështirësi, por gjithnjë shpresëdhënës mbi të bukurën e jetës, mbi sfidën e vdekjes.

Në ciklet apo kapitullin e katërt të librit janë paraqitur: Libri i letrave, ku është ndarë në: Letër poezisë, ku në disa nga vargjet `Kur të njoha, e pash që ishe: ëndrra, malli, shpresa, toka, qielli, pavdekësia dhe vdekja. E dija se je e ishe kudo, si jeta, si dashuria, perëndia dhe se kudo e kurdo mund të të takoja. Por më vinte marre prej teje, si prej nënës, motrës e gruas, ndaj të nisa letër. Nuk di pse të nisa letër… Ndoshta të nisa letër që të mos më braktisësh se, pa ty mbetem si pa nënë, si pa grua, si pa fëmijë, si pa truall, si pa jetë. E di se vetëm ti nuk më lëndon; se vetëm ty nuk të lëndoj. Andaj desha ta shfaq admirimin tim për ty bukuri e bukurive e dashuri e dashurive, të të kallxoj se për aq sa je brenda meje, po për aq do të jem brenda teje`, Letër muzës, ku në disa nga vargjet `Letra për Ty është si letra për dashurinë, për bukurinë e për harmoninë. Letra për Ty është si letra për përsosmërinë e për perëndinë. Kjo letër është thirrje për të mos ikur nga unë, përgjërim për të mos më braktisur, kërkesë për të mos më harruar. Kjo letër është si propozimi për dashurinë që i bëhet vajzës, nuses, gruas, dashnores, vetë dashurisë. Nuk e di kah ke hyrë në mua, as nuk e di se kah kam hyre në Ty. Por, një gjë e di, se pa ty nuk kam jetë, nuk kam frymë, nuk kam dritë, nuk kam shpresë. Vetëm me Ty, sa herë që vdes, aq herë ringjallem`, Letër vetmisë, ku në disa nga vargjet `Në fillim të fillimit je vetë njohje, në vazhdim të vazhdimit je dhembje e vuajtje, e në fund të fundit je përsosmëri. Në fillim të fillimit je i mësuari, në vazhdim të vazhdimit je mësuesi, e në fund të fundit je Krijuesi. Si ta mbush hapësirën tënde, me çka ta dendësoj mangësinë tënde, si e me çka ta përmbush zbrazëtinë time? Mbase duke qenë unë në ty apo ti në mua, duke qenë unë yti apo – ti imja… Por, në fund të fundit, tregomë, a më je urryer aq sa më ke dashur, apo më ke dashur për aq sa je bërë opsesioni imë?!`, Letër dashurisë, ku në disa nga vargjet `E dashura Dashuri, sa herë nuk vish tek unë ose nuk vij unë te ti, më kaplon zbrazëtia, më kaplon uria, etja, moskuptimësia. Kur ti vishesh në bukuri, unë vishem në mallëngjim… Letër nga unë tek unë. Me çka ta dërgoj, kujt t`ja besoj këtë të fshehtë?`, Letër jetës ku në disa nga vargjet ` E dashura Jetë, ti krijuesja ime, nuk e kemi çuar bash mirë njëri me tjetrin. Më ke ardhur shpeshherë e rëndë dhe padrejtësisht të kam përbuzur. Vetëm tash kur vjen koha të ta kthejmë shpinën e shohim sa e bukur dhe e mrekullueshme paske qenë. Oh, ti na falë gjithmonë për gabimet tona, siç na falë e shtrenjta Nënë! Ti je bukuria e bukurive dhe dashuria e dashurive, mirësia e mirësive dhe kënaqësia e kënaqësive të pa fundme.`, në këto vargje autori i qanë poezisë, muzikës, vetmisë, dashurisë dhe jetës. Aq sa tregon se nuk mundet pa këto vargje, melodi, e ndjenja. Ai krahason këto me familjen, jetën dhe vetën.

Libri i autorit Ragip Sylaj, “Letër engjëllit tim mbrojtës”, është një nga librat më të veçantë të tij, për vet faktin se është botuar pas vdekjes së tij, ku poezitë që janë të përfshira në këtë vëllim, janë të shkruara nga autori përderi sa ishte ende në jetë. /KultPlus.com

(Ragip SYLAJ, “Letër engjëllit tim mbrojtës”, poezi, botuar nga Armagedoni, në Prishtinë, 2018)

(Autori Florim Shatrolli vazhdon studimet Master në Letërsi Shqipe, drejtimi Shkencor)

“Rruga 66”, roman me konflikte dhe dramë të thellë psikologjike

Shkruan: Esat Vatovci

“Rruga 66” është romani më i ri i shkrimtarit Binak Kelmendi, në të cilin ai paraqet një mënyrë të re të shkrimit dhe të trajtimit të temës, ku përmes personazheve të tij, ndanë një mendje në dysh dhe secila lufton, ndeshet dhe kundërshton tjetrën, në të gjitha aspektet e përjetimeve, në kohën reale dhe atë të kaluar.

Qysh në fillim të romanit, autori Kelmendi ballafaqon imagjinatën me realen, personazhet me intrigën, me realen, me abstrakten e tij, duke e trajtuar me mjaft mjeshtëri, bukuri dhe estetikë lojën e tij përmes personazheve.

Përdorimi përmes figurave dhe trajtimit të Marrdheu dhe Japdheu që konsiderohen të jenë Njëshi i Pandashëm. E si mundet të mos jetë njëri kërkuesi i pandalshëm i sakrificës e tjetri i robëruari. Këtu vihet në përdorim metafora dhe përpjekja e autorit që të trajtojë njërin si ndjekësin e sakrifikuar i lirisë dhe tjetri mbrojtës i pakontestuar i robërisë. Pra,
ironia përcjellë rrëfimin përmes frazave dhe kodeve që funksionojnë si mesazhe epike historie.

`Dhoma ishte e errët, tavolina kërciste tek mbështetej e ndalej në mur …`, e po ashtu `Japdheu, me frymëmarrje të rënduar u ul i lodhur dhe i mërzitur. Mërdheu qëndroj në këmbë stoikisht.`, si `Japdheu deshi t`i thoshte me tërë zërin “përshëndet me grusht në ballë , çfarë pret më”.

Por, si arriti autori të luajë lojën e tij të artit në romanin që po trajtojë, përmes një emërtimi të quajtur Route 66?!, apo në gjuhën shqipe Rruga 66. Dihet mirë se është mjaftë e popullarizuar shprehja Route 66.

”Çdo gjë e lidhur. Shpërngojnë, pranga, tela, litarë, zinxhirë, lidhëse…`, `Ku dreqin është liria?! Pse flasim të gjithë aq shumë për të? Unë nuk dua ta përmend më asnjëherë. Fundja, unë ende s` e kam parë lirinë! Madje nuk po e shoh askund!”`.

Romani “Rruga 66” i Binak Kelmendit, ose udhëtimi dramatik i njeriut që konsiderohet të jetë me duar të lidhura. Libri pikant i trajtimit të një ngjarje bashkëbisedimi dhe kërkimi, duke trajtuar në thellësi imagjinatën e tij dhe i trajton me mjeshtëri rolet dhe personazhet e tij, sidomos në romane.

Mardheu vazhdimisht e pyeste Japdheun se ku është Route 66 apo Rruga 66, e Japdheu nuk ju përgjigjet, e zgjedh heshtjen.
Në roman përshkruhet një betejë metaforike brenda identitetit personal, kokës së njeriut që kishte aspiruar rrëfimin ta fokusonte në sfondin e kauzës historike.

Si një trup i pandashëm dhe një mendje e ndarë në dysh, Marrdheu dhe Japdheu konsiderohen si dy mendje ku njëra personifikon ndjekësin e sakrifikuar të lirisë, kurse tjetra mbrojtësin e pakontestueshëm të robërisë.

”Tymi, nëse nuk është në oxhak, shkon nga të dojë vetë.”, “Liria që më sjell ti është e kufizuar.”, Udhëtarët vazhdonin ta shikonin me habi. Mardheu i bërtiti: “Qetësohu më. Më çmende, jo vetëm mua”.

Pra, Japdheu udhëton duke takuar të mirat dhe të këqijat që e kishin përcjellë në jetën e tij, duke I rrëfyer tërë kohën dhe duke qenë njëkohësisht dhe pandalshëm në adresën e tij të cilën pa reshtur e përmend, por që është vetë jeta kolektive e një shoqërie.

Sipas studiuesit Ibrahim Berisha, ky roman është një udhëtim në kohë, njëherësh edhe me shumë shenja simbolike që tronditin me përmasën e humbjes së Japdheut në kohë dhe hapësirë. Edhe në pikën më të skajshme, më të lartë në ikje dhe ardhje kudo është Mbinjeriu i tij që askund nuk arrin dhe nuk do t’i shmanget dhe as ka forcë madje ta mendojë këtë.

`Të gjithë lëviznin ose lëkundeshin, uji, anija, njerëzit, ora dhe Japdheu. Ushtarët e zgjedhur, të trembur, e lëshuan rrethit ushtarak dhe iu afruan Mbretëreshës duke e future në mesin e tyre. Ushtarët u rreshtuan me shpejtësi shumë të madhe. “Një, dy, një, dy”, numëroi hapat ushtarakë Japdheu. –Ti, ti dhe ti, pas meje, bëri Teuta me zërin e dridhur duke hapur me shpatë dyert e kuqe të çadrës së verdgë`.

Gjatë gjithë romanit vërehet trajtimi i pambarim i konfliktit që ka një mendje e ndarë në dy dysh, ku në asnjërën pikë nuk bien dakord, duke kundërshtuar pandalshëm njëra tjetrën. Gjithmonë zhvillohet një luftë dhe një konflikt i pambarueshëm, që mund të quhet edhe psikologjik, nga fakti se imagjinata që rrëfehet dhe trajtohet në roman, nuk ka të ndalur, dhe dialogu gjithmonë zhvillohet i acarshëm dhe me kundërthënie në mes Japëdheut dhe marrëdheut, si dy personazhe që nuk e kuptojnë dhe nuk e mirëpresin iden apo rrefimin e njëri-tjetrit.

”Veç këtyre, ka edhe njerëz atdheu”, tha pastaj Marrdheu. “Si?, bëri Japdheu. Paska edhe njerëz atdheu? Unë e di që njerëzit e atdheut janë vetëm ata që e përmendin çdo ditë atdheun. Dhe atdhe kanë vetëm ata. “Jo”, u përgjigj me vendosmëri Japdheu. “Sepse nëse jepen të gjitha për atdheun, atëherë çfarë do të mbetet? Nuk do të mbetet as atdheu”!.

“Udhëtimi ikën në fantazinë historike të vonshme të jetuar realisht me ngjyra lavdi teutiane apo ngjyrë krizë boshe socialiste, kujtime ku liria është fëmijërore dhe pastaj robëria ushtarake, nën urdhra të forta zërash eprorë kur shumëçka është tragjike”, thotë në vlerësimin e tij kritik studiuesi Berisha. Ai më tej shton: “Është kjo që përmbytë gjithë atë iluzion njeriu të pafuqishëm, i cili pajtohet me bashkëhumbjen në kohë dhe hapësirë duke kërkuar asgjënë në fakt, si trishtim i plotë dhe shterje jete. Kjo ikje e pafuqishme nga atdheu simbolik e mban të robëruar tërësisht Japdheun. Ironia përcjell rrëfimin përmes frazave dhe kodeve që funksionojnë si mesazhe epike historie”.

Pra, shikuar në tërësi, në këtë roman kemi të bëjmë me një luftë psikologjike që trajtohet në mënyrë të kujdesshme dhe mjaftë mirë nga ana e shkrimtarit Kelmendi, i cili duke ndarë një personazh në dy mendje, duke i dhënë dy mendjeve nga një emër, ai trajton një luftë të brendshme që ka një mendje e ndarë në dysh, ku nuk pajtohet me realitetin, apo me mendimin për të ardhmen që mund ta përcjellë fati i jetës. /KultPlus.com

Fillon edicioni i 9-të i “ANIFEST ROZAFA 2018”

Ka startuar edicioni i 9-të i festivalit ndërkombëtar të filmit, “ANIFEST ROZAFA 2018”.

Si çdo vit tjetër, sërish “AniFest” vjen me risi, të cilat vijnë në këtë edicion të nëntë me më tepër shtete pjesëmarrëse, numër filmash më të madh dhe padyshim edhe me juri të ndryshme për të përzgjedhur kategoritë e ndryshme të filmave që do të shfaqen prej datës 16 deri në 23 maj.

Pjesëmarrës në këtë edicion janë 103 shtete të ndryshme të botës, të cilët vijnë me një total prej më shumë se 170 filmash, shkruan Star Plus.

“Anifest” është aktiviteti i përvitshëm i cili vjen në bashkëpunim me universitetin Luigj Gurakuqi dhe partner mediatik, Star Plus.
Përmes një kalendari të ngjeshur të filmave, vijnë në Shkodër tituj të suksesshëm, duke e kthyer Kryeqendrën e Veriut në vëmendjen e kinematografisë./ KultPlus.com

Adem Demaçi në pullën postare për nderë të 28 nëntorit

Për nderë të veprimtarisë së Adem Demaçit, Posta e Kosovës me rastin e festës së 28 nëntorit në kuadër të tematikës “I patunduri – Adem Demaçi”, emetoi një pullë postare dedikuar veprimtarit të madh, Adem Demaçit.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij, priti anëtarë të familjes Demaçi, të cilëve u dhuroi pullën e parë postare të punuara në bronz, si dhe disa prej bashkëveprimtarëve të Bacës Adem. Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të kësaj pulle postare të nderojmë figurën më të ndritur të kombit shqiptar, simbolin e rezistencës dhe sakrificës për liri dhe bashkim kombëtar, bacë Adem Demaçi.

Ai ishte një personalitet që me një vetëmohim të jashtëzakonshëm u angazhua tërë jetën për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb dhe jugosllav. Ai i flijoi 28 vjet në burgje por asnjëherë nuk u mposht as nuk hoqi dorë nga ideali i tij jetësor për liri dhe bashkim të popullit shqiptar. “Adem Demaçi u rreshtua përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke u bërë edhe Përfaqësues Politik i saj, detyrë që do ta kryej me një guxim të pashoq në zyrën e hapur në Prishtinë.

Emri i heroit kombëtar, Adem Demaçi, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do t’i lartësoi vlerat që i krijoi kombi ynë ndër shekuj në shërbim të atdheut dhe vlerave paqësore të njerëzimit”, u shpreh kryeshefi Hoxha. Për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit foli bashkëveprimtari i tij, Ilaz Pireva, i cili paraqiti një biografi të bujshme të Bacës Adem dhe veprimtarinë e tij patriotike, përndjekjen e tij nga regjimi serbo-jugosllav, burgosjet e tij, si dhe frymëzimin e jashtëzakonshëm të shokëve të idealit të tij për çlirim dhe bashkim kombëtar, që asnjëherë nuk e ndalën rrugën e lirisë.

Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe bashkëshortja e Bacës Adem, Xhemajlije Demaçi, e cila me emocione shpalosi fisnikërinë dhe qëndresën e saj gjatë viteve që i kaloi jetë me të madhin e kombit Adem Demaçi. “Krenaria për sakrificën dhe përkushtimin e Adem Demaçit do të jetoj përgjithmonë!”, bëhet e ditur në komunikatë. Veprimtari i shquar shqiptar, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë më 26 korrik, në moshën 82 vjeçare. Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut”, i cili ishte ndaluar nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve të nëntëdhjeta. Në vitin 2010 Demaçi ishte dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Autor i portretit që është përdorur për tu shtypur si pullë postare është piktori e profesori Ahmet Ibrahimi./21Media/ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës me lojë bindëse udhëtoi në vepra të huaja e vendore

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Arben Llapashtica

Kur harkorët e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës vijnë e zënë vendet e tyre në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ata e gjejnë të gjithë sallën e mbushur me publik. Duartrokitjet e tyre kur përballë u vjen dirigjenti Oscar Rubilar, tregojnë se tashmë janë gati për t’u zhytur në programin e këtij koncerti. Dirigjenti Oscar Rubilar që zhvillimin muzikor e ka marr nga Kili, Zvicra e Mbretëria e Bashkuar, përballë orkestrës kosovare po vinte për herë të parë.

Instrumentistët vendosin harkun e tyre mbi instrumente veç kur dirigjenti Rubilar shtrin duart në një largësi jo fort të afërt me trupin. Rrugëtimi muzikor nis me veprat franceze të kompozitores e pianistes Françoise Chevaux që në Prishtinë kishte ardhur me ftesë të Filharmonisë së Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë.

“Simfonia Indigo Op.2- për orkestër harkore” eci nëpër një ritëm të qetë e depërtues. Vepra e cila erdhi premierë në Prishtinë është luajtur më parë nga orkestra të Frances, Brazilit e Rusisë. Kompozitorja këtë vepër e kishte shkruar në një fshat të quajtur Flandres, menjëherë pas kthimit nga studimet që i kishte përfunduar në New York. Kjo dëshmon se ajo në çdo partiturë ka vendosur emocionet e saj të udhëtimeve e është dhënë fort pas muzikës kamertale.

Kompozitorja e pianistja Françoise Chevaux numëron gati 170 vepra të shkruara të cilat janë interpretuar në Francë, Amerikë e Azi. Mbrëmë në Kosovë si soliste interpretoi veprën e saj “Concerto d’hiver- për piano dhe orkestër”, duke lënë në Prishtinë lojën e saj të fundit si pianiste, pasi që me këtë interpretim përmbylli karrierën e saj pianistike.

Pianistes e kompozitores Chevaux nuk i duhej partitura mbi piano, ajo e zhytur tërësisht në lojën e veprës së saj derdhi mjaft pasion e dëshmoi një teknikë precize e komunikim të saktë me orkestrën. Loja e harkorëve dukej sikur ishte e paraparë të ngjante fluska më të dendura të borës, e duke krijuar një atmosferë dimri, ashtu siç e kishte projektuar vet pianistja e kompozitorja. Kur kjo lojë zhytej me atë në piano krijonte një gërshetim mes atmosferës jashtë dhe brenda shtëpisë gjatë kohës së dimrit, ku ftohtësia e dimrit plotësohej me ngrohtësinë e tingujve nga piano. Gjatë interpretimit të veprës, duart e dirigjentit në jo pak raste, do të ngriheshin për të përqendruar tërë vëmendjen tek loja e pianistes, e cila tha se u ndje shumë e lumtur tek interpretoi për herë të parë para publikut të Prishtinës.

“Kjo orkestër është e mrekullueshme dhe luan në mënyrë të natyrshme. Ishte kënaqësi të luaja me ta sonte, ishte një nga bashkëpunimet më të rralla. Këtu atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe çka më gëzon më së shumti është prania e shumë të rinjve”, u shpreh pianistja franceze Chevaux.

“Poema dramatike “Skënderbeu” e shkruar para 50 vitesh më parë nga Fahri Beqiri, në shënim të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut , mbrëmë erdhi në nderim të figurës së Skënderbeut në 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Nga veprat e kompozitores franceze, kjo vepër solli gjithë orkestrën në skenë, lojë e të cilëve zhytej në doza të dramaticitetit e të dërgonte në një kohë më të largët, ku interaktiviteti i instrumentistëve me instrumentet të dërgonte në një përballje mes dy palëve. Pas interpretimit të veprës, para të pranishmëve doli vet kompozitori Beqiri i cili i veshur kuq dhe zi, përshëndeti të pranishmit me krijimin e simbolit të shqiponjës.

Kompozitori Beqiri tregoi për KultPlus se në vepër luftojnë dy tema ardhja e pushtuesve otoman dhe fuqizimin e Skënderbeut. Ai tha se ndihet i lumtur që ka arritur ta përjetoi interpretimin e veprës edhe pas 50 vitesh në këtë vit jubilar.

“Vepra është shkruar në vitin 1968 mirëpo është ekzekutuar në Beograd dy vite më vonë, e më pastaj në vende të tjera të botës. Këtu përshkruhet ardhja e fuqishme otomane pasi që ka qenë fuqi që e ka shkelur jo vetëm Ballkanin por edhe vende të tjera, mandej përshkruhet dalja e Skënderbeut që si i vogël dhe fuqizohet edhe më shumë”, tha mes të tjerash Beqiri. Krejt në fund Beqiri u shpreh se ndihet i kënaqur me interpretimin e orkestrës dhe sipas tij dirigjenti ka nderuar të gjitha kërkesat që ai para 50 vitesh i kishte vendosur në këtë vepër.

Pjesa e dytë e koncertit vazhdoi edhe me një vepër tjetër nga një instrumentist nga Kosova. Përmes lojës së orkestrës së Filharmonisë së Kosovës erdhi një depërtim i thellë melodish që kompozitori Mendi Mengjiqi e kishte shkrirë në veprën “Dhimbje simfonike”, vepër kjo e cila ka marrë çmimin për “Vepër orkestrale, simfonike dhe koncertale” në konkursin e MKRS-së.

Krejt në fund koncerti, orkestra solli frymën e Brahmsit në interpretimin e veprës “Uvertura Tragjike Op.81”, të cilën kompozitori gjerman e kishte shkruar në verën e vitit 1880.

Profesori Zeqirja Ballata ishte në mesin e shumë të pranishmëve që ndoqën këtë koncert deri në veprën e fundit. Profesori Ballata tha se e cilëson si një mbrëmje interesante te kombinuar me autorë vendor e të huaj.

“Jemi të nderuar që patëm një pianiste modeste por shumë të aftë dhe veprat e të cilës tregonin edhe për traditën e kulturën e lashtë franceze, po ashtu dirigjenti dëshmoi se është një dirigjent me perspektivë. Vepra e Fahri Beqiri është një vepër shumë e popullarizuar dhe e afërt që përputhet me tematikë orientale që shpreh një jetë të vështirë me shumë pasoja për popullin shqiptarë dhe triumfin e pavarësisë”, u shpreh Ballata për KultPlus.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të përmbyllë këtë vit me Koncertin e Vitit të Ri që do të mbahet më 23 dhjetor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Sjellë prapë në mendje buzëqeshjen tënde

Nga Eugenio Montale.

Mendoj buzëqeshjen tënde, dhe është për mua një ujë i kulluar

Nisur për aventurë midis guralecëve të zallishtesë së bardhë,

ndjek pasqyrën tënde ku një shelg shikon veten;

e mbi të gjitha përqafoj kthjelltësinë qiellore pa skaj.

Ky është kujtimi im; s’di ta them, e dashur,

Sepse nga fytyra jote shfaqet një shpirt i pafaj,

Apo vërtetë ti je nga ato endacake që të keqen e botës e fshijnë

Dhe vuajtjen e tyre me vete si hajmali e mbajnë.

Por mund të të them se portreti yt i menduar

Fsheh mendime të dalldisura brenda syprinës së qetë,

e pamja jote hyn tinëz në kujtesën time gri

e dlirë si maja e një palme të bleruar…/KultPlus.com

Në Vlorë nisin punimet restauruese në shtëpinë e Marigosë së flamurit

Në shtëpinë e patriotes Marigo Posio, e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali vijojnë punimet restauruese në kuadër të projektit të restaurimit të qendrës historike të qytetit bregdetar.

Marigoja me dorën e saj qëndisi shqiponjën e flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor të 1912.

Ky projekti i rëndësishëm synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm.
Shoqata TID Vlora ( Zona për Zhvillimin e Turizmit), një organizatë jo-fitimprurëse që përfaqëson interesat e bizneseve dhe pronarëve të zonës bën të ditur se “ndërkohë që festat e Nëntorit po afrojnë, vijojnë punimet restauruese tek shtëpia e patriotes Marigo Posio e cila qëndisi shqiponjën në flamurin️ që ngriti plaku i mençur Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912”.

Projekti për restaurimin të qendrës historike të qytetit bregdetar është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Pranvera e ardhshme është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.

Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave përveç Shtëpisë së Marigosë edhe Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Kush është Marigoja

U largua nga vendlindja e saj Hoçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë. Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po i bëhej atdhetarëve nga reaksioni osman. Në vitin 1904, bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda. Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte.

Kur solli plaçkat nga Korça në fund të sëndukut kish vënë një flamur të qëndisur me dorën e saj. E kishte mbuluar me gazeta të vjetra të ngjitura me brumë, që të mos diktohej në rast kontrolli. Ajo u thoshte vajzave vlonjate: “Dëgjoni vajza. Në pajën tuaj duhet të keni medoemos një flamur, atë u a qëndis unë”.

Kjo intelektuale e shquar, patriote e flaktë, gjente kohë të lexonte libra e shfletonte gazeta. Ishte e vetmja grua që aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës, duke u bërë edhe një shembull për masën e grave. Në shtëpinë e Marigosë, që u bë vatër atdhetare, hynin e dilnin Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Ibrahim Shyti, Jani Minga, Musa Çakërri. Në shtypin e kohës citohet se Marigo Posio, mori pjesë në Komitetin e parë që u formua në Vlorë për shpëtimin e Atdheut dhe ndihmoi me të holla.

Sipas të thënave, shoqet e fëminisë, Marigonë e thërrisnin Shqiponja. Kishte një arsye që e thërrisnin kështu. Dhe një arsye më shumë, ishte se ajo qëndiste qindra shqiponja me duart e saj.

Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan: “Flamurin Kombëtar, që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, është hartuar nga duart e Marigo Posio, mbi copën e blerë tek tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes, që kishin vizatuar patriotët Don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë fakt e dinin edhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj, ajo punoi edhe 500 flamuj për t’i vendosur në zyrat e shtetit të ri shqiptar./ KultPlus.com

Tradita e kulinarisë shqiptare prezantohet në Belgjikë

Tradita shqiptare e kulinarisë u prezantua në Belgjikë në një aktivitet të veçantë.

Në Bruksel është zhvilluar panairi “Ditët e Kulinarisë shqiptare në Bruksel”.

Në këtë nismë që vjen si një bashkëpunim i Agjencisë Kombëtarë të Diasporës me “Institutin Kulinar Neranxi”, ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Promovimi i kulturës dhe traditës së kulinarisë shqiptare në Bruksel vazhdon edhe sot në “Place du Luxembourg. Aktiviteti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës ne bashkëpunim me Institutin Kulinar Neranxi nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Diasporën”, ka theksuar ministri Majko.

E veçanta e këtij aktiviteti është autobusi lëvizës, i cili ishte dje në sheshin “Place du Luxembourg”, ku edhe u zhvillua aktiviteti. Përgjatë këtyre dy ditëve të gjithë shqiptarët, por edhe qytetarë të tjerë të Brukselit, kanë mundësinë të shijojnë produktet tipike tradicionale shqiptare.

“Dita e Kulinarisë” përpos promovimit të produkteve dhe recetave shqiptare në Diasporë, si një nga elementet për ruajtjen e identitetit kombëtar, ka për qëllim të nxisë shkëmbimin e kulturave gastronomike dhe bashkëpunimit me kompani të vendit pritës të Diasporës Shqiptare. / KultPlus.com

Një vepër për dashurinë rikthen në skenë Ermira Gjatën

Premiera e komedisë më të re «Këmbëzbathur në park», ngjitet në skenë më datat 1-2 dhjetor në arTurbina. Shkruar nga Neil Simon, me regji të Lorin Terezit vepra sjell një histori ndryshe të dashurisë në Amerikën e viteve 60-të.

Dashuria e vrrullshme dhe pasionante e çiftit të sapomartuar Kori dhe Pol vihet në pikëpyetje teksa ata duhet të përballen me problemet e përditshmërisë. Pol do të ulë Korin me këmbë në tokë, ndërsa ajo do të bindë Polin se është bukur të jesh kundra rrymës.

“Çifti blen një shtëpi të re dhe vajza ka bërë zgjedhjen e saj. Ajo ka marrë një shtëpi në katin e nëntë, por e ka marrë dhe shtrenjtë edhe jashtë komoditetit për të jetuar. Por asaj i duket interesante jeta aty. Të gjithë personazhet që vijnë, si bashkëshorti i saj, apo dhe të tjerët detyrohen që të rrinë aty vetëm për mos t’ia prishur asaj qejfin e apartamentit që ka marrë me qera.

Por përveç kësaj aty dalin dhe problematika të tjera të bashkëjetesës dhe mënyrës të të menduarit të gjërave si dhe me personazhet e tjera që janë aty, që është dhe mamaja e vajzës, ku edhe pse e bija ka dalë të jetojë vetëm ajo i ndërhyn. Po aty është dhe një komshi, që bëhet pjesë e ngjarjeve, por është një komedi”, shprehet regjisori Lorin Terezi. Kjo vepër rikthen në teatër pas kaq kohësh aktoren dhe regjisoren Ermira Gjata./ KultPlus.com

Hebrenjtë: Udhëtuam deri këtu në vagona të mbyllur, pamë të niseshin drejt hiçit gratë dhe fëmijët tanë, të kthyer në skllevër

Ndoshta do të mundim t’u mbijetojmë sëmundjeve e t’u shpëtojmë skartimeve, ndoshta edhe t’u rezistojmë punës dhe urisë që na tresin: po pastaj?

Këtu, përkohësisht larg nga sharjet dhe nga goditjet, mund të kthehemi në qetësinë tonë dhe të futemi në mendime, dhe atëherë duket qartë që s’do kthehemi.

Udhëtuam deri këtu në vagona të mbyllur; pamë të niseshin drejt hiçit gratë dhe fëmijët tanë; ne të kthyer në skllevër, kemi ecur qindra herë sa para mbrapa, nën lodhjen memece, me shpirt të shuar përpara vdekjes pa emër.

Ne s’do të kthehemi. Askush s’duhet të dalë prej këtu që të mund t’i çojë botës, bashkë me shenjën e ngulur në mish, lajmin e keq se çfarë mund t’i bëjë, në Aushvic, njeriu njeriut.

Një pjesë nga Primo Levi që e solli përmes rrjetit social poeti Liridon Mulaj./ KultPlus.com

“Skënderbeu” pëson disfatë në Gjakovë

Kritikë për shfaqjen e Xhevat Limanit

Taine Hyppolite, në “Filozofinë e artit”, thotë: “Arti është pikërisht imitim, por i kuptuar jo si riprodhim i thjeshtë i natyrës, por si një shprehje e natyrës së kundruar në këndvështrimin e dëshirave më të larta të shpirtit”.

Në skenën e Teatrit të Gjakovës pata rastin të shoh një shfaqje dramatike (poemë dramatike) të Teatrit Shqiptar në Amerikë, me aktorët Era Hoxha në rolin e Donikës dhe Xhevat Limani në rolin e Skënderbeut, aktor dhe krijues me përvojë (mbi 100 role dhe 30 vite punë artistike). Kjo shfaqje është prezantuar në USA, Zagreb, Vjenë, Luzern, Gjenevë, Paris, Munchen, Londër, Prishtinë etj. dhe është vlerësuar nga 28 artistë vendorë dhe të huaj në nivelin më të lartë të mundshëm.

Deni Didro thotë: “Turma e budallenjve gjithmonë ka mundur të besoj atë që numri i vogël i njerëzve të arsyeshëm nuk dëgjonte të pranojë; dhe dëgjueshmëria marroçe e disave nuk e ka dobësuar kurrë të dëshmuarit e dijshëm të të tjerëve”.

Kur hyn publiku në sallën e teatrit, së pari ballafaqohet me skenën e hapur dhe me skenografinë e përbërë nga flamuj të principatave arbërore dhe me një fron mbretëror, me përkrenaren e Skënderbeut. Një skenografi statike dhe jofunksionale. Pastaj, aktivizohet ndriçimi me ngjyrë të kuqe që për fillimin e shfaqjes ishte i mrekullueshëm. Por, e gjitha mbeti aty, sepse ndriçimi dhe magjia që krijon ai ishin shfrytëzuar në minimum. Pastaj futet Skënderbeu i cili, përveç përkrenares, shpatës dhe pelerinës, ia kishte huqur fare me të tjera: me një përparëse rreth qafës, me një jakë të gjerë dhe të vijëzuar në vend të parzmores, më shumë dukej si një dekor kishtar që përdorej nga klerikët e shekujve të kaluar se një veshje e Skënderbeut. I veshur me pantallona te kohës së LDB-së së nazizmit, të ngushta nga gjuri e poshtë dhe të fryra lartë, këpucët ishin çizme (alpine) të ushtrisë amerikane të blera më 2018, me logo ngjyrë portokalli.

Në pozicion më të qëlluar ishte aktorja ose sopranoja që i sillte ëmbëlsi dhe freski shfaqjes. Zërimi dhe efektet muzikore ishin qesharake dhe të mërzitshme deri në bezdi.
Mizanskena.
Lëvizjet skenike ishin shpërfillur dhe nëpërkëmbeshin si mos më keq. Aktorët, gjatë tërë shfaqjes, silleshin dhe pështilleshin, futeshin e dilnin nga njëri xhep i perdeve të skenës, në të majtë të saj. Një gjëegjëzë e popullit tonë thotë: “Shka është një send: Sillet e sillet e hyn në birë të minit?! Përgjigjen e dimë të gjithë: d.m.th. është Hoxha”. Nga sot e tutje, nga shfaqja e sotme ka ndryshuar kjo përgjigje. “Shka është një send: Sillet e sillet e hyn në birë të minit?! Përgjigjja është: SKËNDERBEU i Xhevat Limanit!”

Sa do të doja, që së paku një herë të vetme të habiteshin aktorët dhe të dilnin apo të futeshin nga ndonjëra prej hyrjeve të shumta që të ofron skena e madhe e Teatrit të Gjakovës. Por, jo. Kjo nuk ndodhi!
Sir Ken Robinson bën shaka kur thotë se për shumë profesorë, trupi është mjeti për të transportuar kokën nga një takim në tjetrin. Duket sikur trupi e ka çuar kokën deri në skenë dhe, më pas, nuk dihet se çfarë do të bëhet me të. Interpretimi i Skënderbeut ishte ca si shumë i sforcuar: mekanik, i karikuar, i ngurtë me shpërthime deri në çjerrje; me lëvizje shumë të kontraktuara (tendosje e trupit), të ngurta që të krijon përshtypjen se aktori sapo ka dalë nga patericat. Më kujtonte Biomekaniken e Meyerholdit.

Skënderbeu i mbrëmshëm, për mua, ishte një mburravec, agresiv, me lëvizje të çrregullta dhe me tendencë ka jonormalja dhe të afërt me personazhet e “Pavijonit nr. 6” të Çehovit!
Edhe pse Xhevati ka një diksion të mirë dhe artikulimi i fjalës së tij është i pastër, përsëri aktrimi i tij është shumë i sforcuar dhe patetik, deri në dhembshuri. Edhe pse në të shumtën e kohës nuk kishte dialogje, prapë monologu i Skënderbeut, edhe pse i shprehur me anë të fjalëve drejtuar të tjerëve, nuk përcillej me besnikëri nga monologu i brendshëm, si proces i të vepruarit m’vete. Mjeshtëria e aktorit duhet të merret me ligjet e artit aktorial, teknikës aktoriale, figurës artistike. Figura, mund të themi, është e realizuar kur aktori mishërohet me rolin dhe e bie para publikut jetën e një njeriu tjetër, jo vetveten – aktorin.

Atëherë, sonte kemi parë gjithçka përveç Skënderbeut!
Stela Adler thotë: “Aktori ka trupin, zërin, duart. Ai përdor çdo pjesë të trupit të tij. Aktori duhet të punojë me zërin, por më e rëndësishmja është qe ai të punojë me mendjen e tij”.

Në këtë shfaqje nuk pati konflikt dramatik, e, si rrjedhojë, as kthesë dramatike. Nuk pati ngjarje kulminante që e rrit në maksimum tensionin dramatik të konfliktit skenik. Unë mendoj se tempo – ritmi është i varur nga ngjarja dhe rrethanat skenike të cilat nuk ishin aq të artikuluara dhe të prezantuara mirë. Gjithashtu, mendoj se, imagjinata krijuese e Xhevatit është prodhuese dhe ka tentuar ta bie e ta realizoj figurën e Skënderbeut në mënyrën që e ka perceptuar ai vet, ose krijimin e figurës se re (që nuk është prekur nga të tjerë) apo që nuk është parë ndonjëherë, por që fatkeqësisht është larg figurës mitike, legjendare të kalitur në vetëdijen kombëtare si Skënderbeu – Hero i pavdekshëm i shqiptarëve.
Taine Hyppolite, thotë: “Në veçanti, veprat klasifikohen duke u nisur nga shkalla e përputhjes së efekteve: te një prodhimi artistik çfarëdo, te një pikturë, një statujë, një poemë, një ndërtesë, apo një simfoni, të gjitha efektet duhet të përputhen dhe pikërisht kjo përputhje përcakton vendin hierarkik të veprës.

Thuhet se: “Aktori, s’është autor i tekstit të shkruar, por është autor i fjalës së folur, dhe i jep jetë asaj. Por, në rastin e tonë AKTORI YNË është edhe autori i tekstit, i fjalës, regjisë, muzikës, skenografisë, kostumografisë, ndriçimit etj. Prandaj, populli thotë: “Mjeshtri i gjithçkafit, është mjeshtër i kurshkafit!”.

Deni Didro, thotë: “T’ua prezantosh të vërtetën disa njerëzve, donë të thotë të fusësh një rreze drite në një strofull hutash; ajo vetëm u lëndon sytë dhe nxit klithmat e tyre.

Autori i kritikes, Behar ZENELAJ, regjisor & aktor

Claudia Cardinale: Dhuna që më paralizoi për një kohë të gjatë e më pengoi të martohesha

Claudia Cardinale, ambasadore e Unesco, për të promovuar barazinë gjinore, ka treguar përvojën e saj të tmerrshme kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç.

“Kjo dhunë më paralizoi për një kohë të gjatë, duke më penguar që të martohesha dhe t’i jepesha plotësisht një burri”. Claudia Cardinale në një intervistë ka treguar se çfarë i ndodhi shumë kohë më parë, sot ajo është 80 vjeç, gjithmonë feministe dhe shumë e përkushtuar në punën e saj. Ajo ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur u përdhunua, por e mbajti djalin e saj.

“Sulmuesi vazhdoi të më përndjekë”, thotë ajo, “dhe donte që unë të ndërprisja shtatzëninë, por unë nuk do të hiqja dorë nga krijesa ime për asgjë në botë.” Kur i komunikova vendimin prindërve dhe motrës sime Blanche, ata ishin padyshim krah meje”.

Aktorja e madhe mbetet e shqetësuar përpara asaj që vazhdon të ndodhë: Një numër shumë i lartë i grave të vrara dhe të dhunuara. “Është absurde që në vitin 2018 burrat vazhdojnë të tërbohen kundër grave – thotë Claudia Cardinale. – Dhe gjëja më e keqe është se shumica e vrasjeve janë kryer nga burrat, të dashurit, të dashuruarit, domethënë, njerëzit që duhet ta duan dhe ta mbrojnë më shumë një grua”.

Cardinale është ambasadore e UNESCO-s dhe promovon barazinë gjinore në botë, të drejtën për arsim, respektin për gratë, të cilat nëse gjenden përballë dhunës “duhet të raportojnë menjëherë pa hezitim apo frikë”. Dhe shton:

“Meshkujt kurrë nuk do të vlejnë më shumë se ne që japim jetë, nuk kanë mësuar ende të pranojnë emancipimin tonë, të drejtën për pavarësi që kemi fituar falë betejave të shumta. Kur vendosni të lini një partner, ai shpesh reagon në një mënyrë të pakontrolluar që e shtyn atë të vrasë për të ushtruar fuqinë e tij: ai nuk ju fal, sepse ju doni të mos i përkisni më atij“.

Burimi / www.huffingtonpost.it

Këta janë aktorët e përzgjedhur për filmin ‘Në kërkim të Venerës’

Janë përzgjedhur sot aktorët për filmin ‘Looking for Venera’ me regji nga Norika Sefa.

Ana Bajraktari
Erjona Kakeli
Basri Lushtaku
Rozafa Çelaj
Irena Cahani
Abdinaser Beka
Jonida Vokshi
Mal Shala
Rrap Shala
Tristan Halilaj
Melihate Qena
Lumnije Latifi
Shend Miftari
Bleon Monolli
Fatmire Sahiti
Ilir Nura
Fatushe Nushi

Ky projekt është koproduksion Kosovë/Çeki/Shqipëri. Është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është fitues i disa çmimeve deri tani si: PriFest Postproduction Award (InMyCountryProduction), SEE Cinema Network, Cinelink, etj!

Sonte në Prishtinë hapet ekspozita ‘Insta Green’

Sonte me fillim prej orës 18:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë do të hapet ekspozita ‘Insta Green’.

Në një seri të fotografive dhe në prapavi, projektim i video-xhirimeve përmes rrjetit social Instagram, ekspozita do të pasqyrojë bukuritë e natyrës në Kosovë, por edhe dëmet dhe ndotjen e mjedisit nëpër qytetet e Kosovës. Imazhe këto të cilat janë postuar nga qytetarët e Kosovës gjatë muajve të fundit, të cilët i janë bashkuar iniciativës #GiveGreenAChance, duke u bërë pjesëmarrës më aktiv në fushatën vetëdijesuese për mbrojtje të mjedisit të Qendrës së Informimit dhe Kulturës së BE, të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Imazhet janë të përzgjedhura nga EUICC. Këto imazhe pasyrojnë realitetin në Kosovë, me qëllim të vetëdijësimit për bukuritë që kemi dhe ndotjen që është duke u shkaktuar nga pakujdesia.

Imazhet e përzgjedhura janë nga autorët:
Arineta Mula – Gërmi
A. Zhugolli – Koliq
Alex Tanaskovic – DOWNTOWN – Leposavic
Drita Loshi – Ngjyrat e Vjeshtës – Parku Blinaja
Ferdi Noberda – Dirty Sunset – Obiliq
Nikola Bojovic – Zubin Potok
Shkambi Hadri – Grafiti – Gjakovë
Blerdi Malushi – Kosova
Arineta Mula dhe Team KTRA – Gërmi

Rovena Dilo: Nano nuk e përkrahte UÇK-në, kurse unë në mes të festivalit thirra UÇK, ishte skandal

Këngëtarja e njohur, Rovena Dilo gjatë emisionit Oxygen Show tha se e don shumë Kosovën, e në veçanti njerëzit në Kosovë. Këtë gjë thotë se e ka dëshmuar edhe në kohët më të vështira të Kosovës.

“Në 98-tën unë kam bërë një thirrje në një skenë të madhe të Festës së Këngës, pra në këngët e stinës atëhere, unë ndoshta kam qenë shqiptarja e parë që kam thirr “Rroftë UÇK-ja”. Atëherë sigurisht që ka pas probleme sepse qeveria Namo atëhere, nuk kishte përkrahur këtë gjë. Kishte gazetarë që përkrahin, por të dilte dikush publikisht që të përkrahte UÇK-në, nuk kishte”, tha ajo.

Ajo po ashtu ka treguar se familja e saj, familja Dilo kishte një lidhje të madhe me Kosovën, të cilët kishin menduar që lënia e Kosovës anash, ishte një tradhëti.

“Atje njerëzit vriten, ne këtu këndojmë. Unë zgjodha të brohoras për UÇK-në, “Rroftë UÇK, rroftë Kosova”. U prish shumë situata aty në festivali, ishte skandal. Kishin shkruajtur gazetat që unë kisha dëlir. Unë nuk isha në një gjendje për të këndëuar”, ka shtuar Dilo gjatë emisionit Oxygen Show./ KultPlus.com