Në trotuar për festa, familja mbetet e pastrehë në Tiranë

Ruzhdi Kojka me bashkëshorten e tij jetojnë prej 10 ditësh në trotuar dhe me shumë gjasa, edhe natën e ndërrimit të viteve do e kalojnë në këto kushte të vështira…

Shtëpia e ndërtuar buzë lumit të Lanës ju është prishur para një viti, pasi prekej nga projekti për vijimin e Unazës së madhe, që lidhet me zonën e Shkozës në kryqytet.

Për 9 muaj jetuan në një banesë me qira, por tani që nuk marrin më bonus, pronari i nxori jashtë së bashku me orenditë.

“26 vjet kam punuar për këtë shtëpi, me komardare kam ikur në Itali, rrita fëmijët dhe një ditë vijnë ma prishin shtëpinë, jo do ju japim bonus, jo kshu, 200 policë e 2 fadroma e prishën”, shprehet Ruzhdi Kojka.

Familja Kojka pretendon se banesa e tyre ka qenë në proces legalizimi dhe për këtë kanë kryer edhe pagesa, por projekti është devijuar pas vitit 2011 kur morën garanci, se shtëpia e tyre nuk prekej nga projekti.

“Unë dua vetëm shtëpi, asgjë tjetër. Të fus kokën së bashku me burrin dhe djalin që kemi, djali që më fle rrugëve nëpër shokë, jemi të dy pa pension, s’paguajmë dot as qira e as kredi të butë”, thotë Suzana Kojka.

Fjalët e fundit të Fishtës

Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Krijimtaria artistike

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në 1937.

Eliza Dushku feston ditëlindjen

Aktorja e njohur shqiptare, Eliza Dushku, ka lindur më 30 dhjetor 1980 në Boston, ajo është rritur në Massachusetts.

Ajo ka lindur nga një baba shqiptar dhe nga një nënë daneze.

Në moshën 12-vjeçare, ajo bën hyrjen e saj në kinema. Eliza Dushku është zbuluar pas pesë muajsh kërkime nëpër Shtetet e Bashkuara për të luajtur rolin e Alicet kundër Juliette Lewis në filmin “That Night”, transmeton ksp.

Ka luajtur në shumë filma me aktor të mëdhenj si Robert De Niro, Arnold Schwarzenegger, Ellen Barkin, Leonardo Di Caprio, James Belushi, Paul Reiser etj. Eliza ka studiuar për piano, bateri dhe balet. Por ajo do të bjerë në sy pikërisht në filmin “True Lies”, ku luan përkrah aktorit Arnold Schwarzenegger, atëherë kur ishte vetëm 14 vjeç.

Ndërsa në moshën 18-vjeçare ajo bëhet një yll i ekranit të madh dhe i propozohet roli i Faith në serinë “Buffy the Vampire Slayer”. Fillimisht ajo do të merrte pjesë në pesë episode, por producentja vendosi që seritë të zgjasnin. Por kjo seri i dha asaj emrin “bad girl” (“vajzë e keqe”).

Ajo është ftuar edhe në Shqipëri, ku është kthyer në një lloj simboli kombëtar, duke qenë shqiptaro-amerikania më e famshme (në fakt gjysmë shqiptare, pasi nëna e vet është daneze), si aktore, pas vëllezërve Belushi.

Status në rrjete sociale kundër Krishtlindjes, shqiptari dëbohet nga Italia

Një 33-vjeçar shqiptar në Itali është dëbuar nga autoritetet italiane për shkak se dyshohej si person me prirje radiale. Shaban Caca, i cili prej 14 vitesh jetonte në Padova, kishte bërë në Facebook postime kundër Krishtlindjes, komente mbi sulmet në Francë dhe mbështeste radikalët.

Më 20 Dhjetor, autoritetet italiane kishin bastisur shtëpinë e tij dhe më pas 33-vjeçarin e kishin nisur me një fluturim direkt për në Tiranë. Lajmi është bëri i ditur sot nga mediat italiane. Autoritetet e shtetit fqinj i kanë ndaluar Shaban Cacës hyrjen me 10 vite në Itali.

Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, i cili ka përgëzuar autoritetet e Padovas. “Falenderoj forcat e policisë. Nuk ka vend për ata që duan të sjellin luftën në shtëpinë tonë”.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe vet Shaban Caca. “Unë jam mysliman, shkoj në xhami. Kurrë nuk kam patur probleme me drejtësinë. Asnjëherë nuk kam promovuar asgjë anti-Perëndimore. Më keqtrajtuan dhe më shkatërruan jetën. Dua të kthehem në Padova”, ka thënë 33-vjeçari i cili është kthyer në Kavajë, vendlindjen e tij.

Autoritetet italiane e kanë konsideruar Shaban Cacën si person radikal dhe morën masa duke e dëbuar nga vendi. /tvklan.al/ KultPlus.com

Aktorja e njohur Dame June Whitfield ka ndërruar jetë

Dame June Whitfield, e cila luajti në “Terry”, “June” dhe “Absolutely Fabulous”, ka vdekur në moshën 93 vjeçare.

Aktorja e njohur po ashtu është shfaqur edhe në katër filma të “Carry On Film”, në serialin popullor “Last of the Summer Wine” dhe “Beggar Thy Neighbor” gjatë karrierës së saj të gjatë.

Ajo mori titullin “Dame” para emrit të saj për ditëlindjen e saj në vitin 2017, si shenjë nderimi ndaj punës së saj në dramë dhe në emisionet argëtuese.

Agjenti i aktores ka treguar se ajo ka vdekur mbrëmjen e kaluar, paqësisht. Shumë miq të saj dhe njohës të kinematografisë kanë shprehur ngushëllimet për aktoren June Whitfield./ KultPlus.com


June Whitfield, a TV star for more than six decades, was made a dame in the 2017 Queen’s birthday honours ( PA )

Shpirti

Poezi nga Wislawa Szymborska. Përkthyer nga Vlora Konushevci.

Ne edhe kemi shpirt ndonjëherë,
por ama askush se ka pa pushim dhe përgjithmonë.

Ditë pas dite e vit pas viti
mund të na kalojë pa të.

Ndonjëherë në rrëmbime e frikë të fëmijërisë
e kemi më gjatë
ndonjëherë
vetëm në habinë që jemi plakur .

Rralle herë na e zgjatë dorën
në orët e liga,
kur i lëvizim mobilet,
apo i mbajmë valixhet,
apo ecim gjatë në këpucë të ngushta.

Kur duhet të plotësojmë formularë
apo copëtojmë mish
e merr ditë të lirë.

Nga mijëra biseda merr pjesë në një
por jo patjetër, e preferon heshtjen.

Sapo trupi kalon nga dhimbja në dhimbje
lirohet nga detyra.

Është nazelik: nuk i pëlqen të na shoh në turma
është luftë e jona ajo për përparësi
dhe nxitim të interesave

Gëzimi dhe pikëllimi
nuk janë dy ndjenja të ndryshme për të
ai merr pjesë veç kur këto kombinohen.

Mund të mbështetemi në të
kur të sigurtë jemi për asgjë
e kurreshtarë për çdo gjë.

Ndër objektet materiale
favorizon orët varëse dhe pasqyrat,
të cilat me kujdes punojnë edhe kur askush nuk shikohet.

Nuk tregon prej nga vjen
apo kur do të zhduket përsëri
edhe pse pyetje të tilla pret.

Neve na duhet ai
por siç duket
edhe ne i duhemi atij
një zot e di pse./ KultPlus.com

Instituti Europian Pashko shpalli 10 librat më të mirë të vitit 2018

100 personalitete të kulturës dhe medias u bënë pjesë e një ankete përgjatë një muaji në MapoLetrare dhe zgjodhën 10 librat më të mirë.


1. Kur sunduesit grinden, Ismail Kadare 
2. Vrasje në kryeministri, Diana Çuli 
3. Gurët e vetmisë, Tom Kuka 
4. Pusi, Kim Mehmeti 
5. Hekuri dhe çeliku, Mitrush Kuteli 
6. Vila me tri porta, Vera Bekteshi 
7. I keqi i vetes, Gazmend Kapllani 
8. Tutori, Mimoza Ahmeti 
9. Roja i dritës (poezi), Flutura Açka 
10. Piramida e shpirtrave, Virgjil Muçi./ KultPlus.com

Doli numri i fundit për këtë vit i revistës “Jeta e Re”

Ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i fundit për këtë vit. Në këtë numër janë përkujtuar Fatos Arapi dhe Ragip Sylaj, dy shkrimtarë që u shuan në 2018.

Kështu, në njoftimin për këtë numër, tregohet se ai fillon me një shënim biobibliografik për Arapin dhe vazhdon me shkrimin e poetit dhe të studiuesit Basri Çapriqi me titullin “Arapi-krijues origjinal i një rrethi të simboleve”, për të vazhduar me një cikël poetik përzgjedhur nga libra e tij me poezi. Ndërkaq, për Ragip Sylajn kemi shkrimin e Arben Veselajt me titullin “Murgu i një brezi letrar” dhe ciklin poetik me titullin “Letër Ragip Sylajt në Sllapuzhan”.

Në rubrikën Ligjëratë, kemi një ligjëratë të T.S. Eliotit me titullin “Ç’është poezia minore”, mbajtur në 1944 në qytetin Svuensi, para Shoqatës së njerëzve të librave.

Kësaj radhe rubrika e prozës nis me autorët tanë. Ardian Kyçyku vjen me prozën “Kafaz”, kurse Bajram Karabolli, prozatori dhe përkthyesi ndër më shquarit nga letërsia hispanoamerikane, me tregimet “Shpirtvrasësit” dhe “Emrat e mi”. Kurse Sali Bytyçi me “Njeriu që privatizojë pellazgët hyjnorë” dhe “Njeriu që iu kishte përmbysur bota”. Ndërkaq, prej autorëve të huaj në këtë numër të revistës kemi Primo Levin me “Sistemi periodik” dhe “Arsenik” dhe Alix Epstein me një sërë tregimesh të shkurtra.

Rubrika e poezisë nis me një cikël poezish të poetit, kritikut dhe dramaturgut anglez Wyston Hugh Auden, për të vazhduar me poetin italian Sando Penna, me Allen Gisbergun, njërin ndër poetët më të rëndësishëm, më popullorë dhe më të përkthyer amerikanë të shekullit të njëzetë, pastaj me poetin, eseistin dhe kritikun tjetër italian Franko Fortinin dhe poetin shumë të njohur uruguaian Eduardo Goleano. Me nga një cikël poezish janë prezantuar edhe janë edhe disa nga autorët tanë, si: Musa Ramadani, Sali Bashota, Entela Tabaku, Ndue Ukaj dhe Fatmire Duraku.

Në rubrikën Dossier vjen shkrimtari, kritiku dhe filozofi amerikan William H. Gass. Ky autor është prezantuar me prozat “Citime nga kryetari Flober”dhe “Bletët në verë”, me intervistën me titullin “Aty ku qëllimi është përsosuria – dështimi është rregull”, për të përfunduar me një vështrim të autores H. L. Hix për romanin “Tuneli” me titullin “ Libër me plot metafora”.

Në rubrikën e kritikës janë prezantuar autorë tanë dhe të huaj. Rubrika nis me tekstin “Poetika, e kaluara dhe e ardhmja” Tzvetan Todorovit, për vazhduar me “Kultura të ndryshme, kode të ndryshme” të Jurij Llotmanit, “Mirce Eliade” të Emil Cioranit. Nga autorët tanë kemi tekstet: “Drama e ritualit” i Agron Gashit, “Minimalizmi në letërsi’ i Meliza Krasniqit dhe “Lirika erotike e Azem Shkrelit” i Serafina Lajçit.

Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Alket Çani, Belfjore Qose, Arben Idrizi, Meliza Krasniqi, Erion Karabolli, Kujtim Morina, Fadil Bajraj, Alfred Beka, Qerim Ondozi, Arta Hallaçi dhe Demë Topalli./ KultPlus.com

Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij…

At Zef Pllumi ( Rrno për me tregue)

“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na,… mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.

Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve./ KultPlus.com

Mos e prit jetën nga një burrë. Prite nga vetvetja.

Albert Camus

Mos hiq dore kurrë ! Ke aq shumë gjëra brenda teje dhe më fisnikja nga të gjitha është sensi i lumturisë. Por mos e prit jetën nga një burrë. Prandaj shumë gra mashtrohen. Prite nga vetvetja.

Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurt, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij. 

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllambë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra. 

Në çdo hap të rrugës ndjenja e absurditet mund ta godasë çdo njeri në fytyrë.
 
Vjeshta është një pranverë e dytë ku çdo gjeth është një lule.

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë. 

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë. 
 
Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Ta braktisësh veten për parimet është vërtetë vdekje – dhe është vdekje për një dashuri të pamundur e cila është e kundërta e dashurisë. 

 E vërteta, si drita, verbon. Rrena, në të kundërt, është një terr i bukur që nxjrr në pah çdo objekt.
 
Çfarë është një rebel, një njeri që thotë jo./voal-online.ch/ KultPlus.com

14-vjeçarja lindë fëmijë në Gjilan

Një vajzë 14-vjeçare nga fshati Uglar i Komunës së Gjilanit, është bërë nënë më 24 nëntor të këtij viti. Gazeta Insajder merr vesh se lindja e foshnjës është bërë nga një rast incesti ku vajza 14-vjeçare ka kryer marrëdhënie seksuale me djalin e dajës 16-vjeçar.

Mirëpo foshnja që ka ardhur në jetë nga marrëdhënia seksuale e dy të miturve është braktisur. Ajo është duke qëndruar ende në spital, raporton Insajderi.

14-vjeçarja ka lindur në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Nga Policia e Kosovës kanë treguar se edhe babai i foshnjës është i moshës së mitur, Sipas informacioneve që janë dhënë për Insajderin babai i foshnjës është vetëm 16-vjeçar.

“Foshnja është e braktisur, qendra për punë sociale ka dashtë me marr për me dërgua tek institucionet përgjegjëse mirëpo nuk e kemi liruar për shkak se ka qenë me terapi dhe pas Vitit të Ri besoj që do të vinë ta marrin”, ka thënë Dr. Blerim Bajrami.

Kujtojmë se të martën e kësaj jave në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka lindur një vajzë 13-vjeçare.

Gazeta Insajderi ka raportuar se 13-vjeçarja është e martuar në Gjakovë dhe është shtetase e Shqipërisë./insjaderi.com/ KultPlus.com

Beyonce pre e piraterisë, publikohen albumet

Beyonce ishte viktimë e piraterisë informatike, që nxorën ilegalisht në rrjet dy albume të papublikuar më parë, “Have Your Way” dhe “Back Up, Rewind” .

Albumet, të dalë me emrin “Queen Carter”, përmbajnë këngë të vjetra, të reja dhe projekte interesante. Por, menjëherë pas daljes së paautorizuar, ato u hoqën nga platformat streaming.

Të njëjtin fat pati edhe kolegia e Beyonce, SZA, së cilës, piratët informatikë, i publikuan albumin “Comethru” dhe ia atribuuan Sister Solana. Edhe në këtë rast, fatmirësisht, këngët u hoqën menjëherë nga rrjeti./ insajderi.com/ KultPlus.com

NEW YORK – JUNE 22: Singer Beyonce Knowles attends the national “Show Your Helping Hand” hunger relief initiative kickoff at Madison Square Garden on June 22, 2009 in New York City. (Photo by Bryan Bedder/Getty Images for Exponent PR)

‘Skënderbeu’ dhe rendi shoqëror kaotik, nën llupën e Fadil Hysajt

Arbër Selmani

Një ditë e thjeshtë dhe Bujar Ahmeti po e vizitonte Lezhën me familjen e tij. Pas kënaqësisë, i kishte shkuar në mendje ta vizitonte varrin e Skënderbeut në këtë qytet.

Dhe pikërisht derisa ai po qëndronte më afër se kurrë më Skënderbeun, do të pranonte një telefonatë ku do t’i kumtohej lajmi se është përzgjedhur ta luajë rolin e Skëndërbeut në shfaqjen e re të regjisorit Fadil Hysaj.

Bujari, aktor në shfaqjen që mbrëmë u dha premierë, ka besuar fuqishëm që do të jetë Skënderbeu. Megjithatë, ka të tjerë që e lakmojnë rolin e tij, dhe ai duket si playboy për kolegun e tij i cili insiston t`ia vjedhë rolin.

Shfaqja e cila mbrëmë erdhi në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më shumë se 2 orë solli shfaqjen brenda shfaqjes. Derisa ekipa po provonte të luante një shfaqje për Skënderbeun, aktorët donin t`ia nxirrnin sytë njëri tjetrit për një copë skriptë. Dikë e largojnë nga shfaqja, dikë e marrin, një statiste përfundon në rolin kryesor, një tjetër nuk dëshiron mikrofon, një regjisor është krejt afër depresionit ndërsa një dramaturge është e dashuruar në këtë regjisor, por thjeshtë atij nuk i jep ereksion.

Bujar Ahmeti, aktor kryesor në këtë shfaqje e cila mbrëmë mblodhi artdashësit në kryeqytet, tregon se të punosh në shfaqjen “Skënderbeu”.

“Ishte një proces interesant sepse ishte një tekst poetik, alla shekspirian dhe një tekst shqiptar i cili i është shtuar mbi dhe nuk interferon aspak me tekstin origjinal. Për mua shpesh ka qenë një situatë kaotike sepse kemi shtuar e larguar shumë herë tekst dhe rreth 12 drafte i ka sjellë regjisori për me, por prapë për mua është hera e parë që punova në një shfaqje të stilit të tillë dhe e shijova kënaqësinë e premierës” tregon për KultPlus Bujar Ahmeti, një prej Skëndërbeve të shfaqjes.

Arijeta Ajeti / Facebook

“Shfaqja tregon pakënaqësitë, stresin, mundimin, faktin që njerëzit kur e fitojnë një rol veç ankohen e vajtojnë dhe nuk e shijojnë rolin. Pakënaqësitë tona si aktorë janë gjithmonë të pranishme dhe të vazhdueshme në këtë shfaqje” tregon Bujari.

Në shfaqje ka një regjisor. Ai është Shpëtim Selmani. Faris Berisha e ndihmon, por pse jo, provon ta helmojë. Donika Ahmeti është ajo që e ka përshtatur shfaqjen, e ka shkruar tekstin e saj, dhe ndoshta personi më racional në shumicën e shfaqjes. Ajo nuk e duron dhunën ndaj gruas dhe e di saktë që ekipi i shfaqjes nuk mishërohet me tekstin sepse nuk e kupton, dhe nuk e implementon në jetën reale.

Skënderbeu bëhet tejet poetik. Bujari nuk e lejon këtë. Rolin e tij e dëshiron Afrim Muçaj, i cili tregon se lirinë nuk na solli ai, por e gjeti mes nesh.

Gratë e shfaqjes janë histerike, por krejt në fund, kush nuk është. Teuta Krasniqit i largohet Topija për në luftë, dhe ajo pos e bukur është edhe një grua që di të bërtasë. Kur është jashtë shfaqjes, ende brenda në shfaqje, nuk lejon ta stopojnë dhe me karizmën e saj kërkon që kur ajo flet dhe performon në skenë, të mos ketë një zhurmë në anën tjetër të skenës. E bën me nerva kjo gjë. Edona Reshitaj është ajo që i di krejt tekstet e këngëve, ndërsa Sheqeria Buçaj është shumë dramatike. Disa prej këtyre përfundimeve i thotë, kuptohet, regjisori.

Shpëtim Selmani, pjesë e shfaqjes, tregon për KultPlus përvojën e të punuarit në një shfaqje si “Skënderbeu”.

“Ka qenë bashkëpunimi im i parë me Hysajn. Procesi nuk ishte i lehtë për shkak të natyrës dhe mënyrës se si janë shkruar tekstet. Unë luaj rolin e regjisorit që përmbyset nga një realitet që e krijon vetë në përpjekje për të dhënë një mesazh. Ne fatkeqësisht po vuajmë mungesën e një lideri dhe në të njëjtën kohë po dështojmë ta krijojmë një rend të ri shoqëror që në krye ka dashurinë dhe lirinë, si parakushte për të funksionuar në mënyrë të shëndoshë” tregon për KultPlus Selmani.

Madje, është aq i rreptë si regjisor saqë kërkon prej aktorëve të dalin tek shtatorja e Skënderbeut, jashtë, dhe ta shohin e të kuptojnë kush ishte ai dhe si mund të futen në shpirtin e botën e heroit.

“Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” është vepra e njohur e autorit anglez Thomas Whincop, që është shkruar në vitin 1747 dhe që mbrëmë erdhi e përshtatur për në skenën prishtinase.

Dibran Tahiri, Bislim Muçaj, Armend Baloku, Ismet Azemi, Shpëtim Kastrati, Vjosa Tashollli, Adhurim Demi dhe Naim Berisha janë aktorët tjerë në shfaqje, shoqëruar edhe nga Baleti i Kosovës. / KultPlus.com

Poetja nga Argjentina vlerësohet me çmimin Atjon Zhiti

Poete, shkrimtare e një personazh i njohur i kulturës argjentinase Susana Roberts është vlerësuar nga Shoqata Ndërkombëtare e shkrimtarëve IWA BOGDANI me çmimin “Atjon V. Zhiti”. Ky vlerësim u shoqërua me motivacionin: “për pasionin dhe sinqeritetin artistik në krijimtari”.

”Ky është çmimi im i parë në Ballkan. Ndjehem e lumtur, pasi ky çmim mban emrin një të riu, i cili ishte një talent i lindur.Pata mundësinë të lexoj pak nga ai, por vërejta se Atjon Zhiti ishte një mençurak dhe i urtë. Ishte edhe djali i një të persekutuar nga regjimi Komunist në Shqipëri Visar Zhiti”, u shpreh Roberts.

Ajo shtoi më tej se “do ta ruaj ketë çmim si një gjë tepër e veçantë dhe do ta bashkëndjejë me prindërit e tij, praninë e dhimbshme të këtij talenti”. Poezia e saj është botuar në shumë vende të botës, dhe është pjesëmarrëse në shumë Kongrese Botërore, Kombëtare dhe Ndërkombëtare.  Është nderuar me çmimin e parë për përkthimin nga “lPCRT-China”. Ka marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare si çmimet “SADE”, çmimin e parë në anglisht WAAC, WCP Trujillo-Peru 2014, dhënë nga Qeveria e Prov. Del Chubut-Argjentinë gjatë 2013-2016.

Çmimi “Grand Master Award” për Mjeshtret e Mëdha të Zonjave të Botës në Senatin e Argjentinës, Nation- CABA. 2018.

Është nderuar nga Shoqata Ndërkulturore e Indisë me çmimin ndërkombëtar “Sahitya Shree”, etj. Ka “Medaljen e Paqes” nga Fondacioni “Salvador Allende”, org – Kili 2010. Poezia e saj është pjesë e antologjive botërore në gjuhët spanjisht dhe anglisht. Disa nga titujt e librave të saj dy gjuhësh janë: Rostros / Faces. El vuelo del Ave / Zogu i fluturimit. Art dhe virtyt në evolucionin e njeriut – në frëngjisht, Epub-France-Alter Editions, etj./gazetaobserver.com/ KultPlus.com

Publikohen për herë të parë 6 këngë të Tefta Tashko Koços

Këto që po dëgjoni janë pjesë nga 6 këngët e panjohura deri më sot të Tefta Tashko kocos. Në 71 vjetorin e vdekjes së “Artistes së Popullit”, këto krijime u transmetuan për herë të parë për publikun nga gramafoni, në qytetin e Korçës.

Në vlerësim të figurës së sopranos, disqet e regjistruara nga artistja, materiale fotografike dhe dokumentarë të saj u ekspozuan ne ambientet e Muzeut Kombëtar të Arsimit.

Ndërkohë që sipas studiuesit te historisë Niko Kotherja këto materiale janë një dëshmi me vlerë për historinë tonë kulturore.

3 disqe me nga dy këngë secili te regjistruar në Milano nga Tashko, në vitin 1942 në shoqërinë diskografike “Columbia” janë sjellë në Korçë dhe tashmë janë pasuri e publikut.

Disqet e rralla janë gjetur brenda territorit te Shqipërisë, ne qytete te ndryshme./ vizionplus.tv/ KultPlus.com

84 vjeçari i cili ecë 8 kilometra për të lexuar gazetat

Ahmet Ali Demirel, 84-vjeçar nga qyteza Güce në provincën verilindore turke Giresun, çdo ditë përshkon në këmbë një rrugë prej 8 kilometrash në mënyrë që të lexojë gazetat.

Nga shtëpia e Demirel, i cili është i apasionuar pas leximit, distanca deri te qoshku i gazetave në qendër të qytezës është katër kilometra.

Demirel, baba i gjashtë fëmijëve dhe gjysh i 32 nipërve dhe mbesave, çdo ditë del nga shtëpia në orët e mesditës dhe ecën një orë e gjysmë për të arritur në qendër. Ai shfleton gazetat në qoshkun e vetëm në qytezën e vogël, ndërsa në prag të mbrëmjes, ai kthehet në shtëpi sërish në këmbë.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), ai tregon se të gjitha zhvillimet në Turqi dhe në botë, që nga fëmijëria i ndjek vetëm duke i lexuar gazetat.

Demirel asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ky mjet i informimit, edhe pse, siç thotë, ishin përhapur edhe radio dhe televizori.

“E dua leximin dhe për këtë arsye, nuk kam hequr dorë nga shprehia ime për të lexuar gazetën, përkundër zhvillimeve teknologjike. Zhvillimit brenda dhe jashtë vendit çdo ditë i ndjek nga shtypi”, thotë Demirel.

Ai tregon se qyteza ka vetëm një qoshk të gazetave dhe se për të shkuar deri atje, përshkon katër kilometra të cilat janë të vështira.

“Rregullisht shkoj për të lexuar në qendër të qytezës. Këtë rrugë të pjerrët, kodrinore dhe të vështirë me dashuri. Përshkoj një rrugë prej afërsisht tetë kilometrash, vajtje dhe kthim”, shprehet Demirel.

Ai thotë se kohë pas kohe ka persona që ndalin veturat dhe i ofrojnë ta dërgojnë deri në qendër, por ai i refuzon këtë oferta nga shprehia për të ecur.

Ahmet Ali Demirel thekson se nuk ndien aspak lodhje dhe se emocioni për të shkuar të lexojë gazetat e mban atë në këmbë.

Ai shprehet se përpjekjet e tij janë për ta çuar në vend urdhrin “Lexo” të Zotit dhe të jetë shembull për të rinjtë me vullnetin e tij për të lexuar.

Ndërkaq, djali i tij, Hüseyin Demirel, thotë se babai i tij gëzon dashuri dhe respekt të madh në Güce për shkak të shprehisë së tij për të lexuar.

Ai shton se babai i tij vazhdimisht u rekomandon të gjithëve që të lexojnë shumë.

“Çdo ditë shkon në qendër të qytezës për të lexuar. Në shtëpi vazhdimisht lexon libra. Gjithnjë na këshillon të krijojmë shprei të të lexuarit. Na i shpjegon dobitë e leximit dhe përpiqet të jetë shembull”, shprehet Hüseyin Demirel.

Kumbaro: 5-vjeçari ishte supersfida fantastike e skuadrës së kulturës

Mirela Kumbaro, ish ministrja e Kulturës për 5 mandate të qeverisë Rama, e një ndër ministret më jetëgjatë në historinë e kësaj ministrie vijon të jetë aktive në Facebook përsa i përket aktiviteteve kulturore. Ministrja duket se ka vendosur të jetë deri në momentin e dorëzimit të punës ministres së re Elva Margariti në krye të detyrës.

Vetëm pak orë pasi u zëvendësua nga Margariti, ajo postoi në faqen e saj zyrtare në Facebook një pjesë nga mbyllja e vitit kulturor Shqipëri-Austri, duke shkruar “Festa e bukur jo vetëm në mbyllje të vitit kulturor Shqipëri-Austri, jo vetëm të vitit artistik 2018 , por edhe në mbyllje të një 5 vjeçari që ishte supersfida fantastike e skuadrës se kulturës .

Sonte krenare për talentet e reja të Teatri_të_Operas_dhe_Baletit që vitin e ardhshëm do të shkëlqejnë në skenën e re të Teatrit të Operas e Baletit që do të përfundojë punimet në Tiranë”, shkruan Kumbaro. Ndërsa sot ish ministrja ka shpërndarë pamje nga restaurimi i Kishës së Shën Thanasit duke shkruar se “Shumë krenare që ia dolëm me sukses një sfide shumë të vështirë në restaurime, siç është operacioni i shpëtimit i Kishës së Shën Thanasit në Leshnicë të Sarandës. Pas tërmetit të 2017 kisha me pikturat murale të jashtëzakonshme u dëmtua rëndë dhe nuk e fsheh që e kisha me fort dyshim se mund ta shpëtonim atë trashëgimi në majë të malit”.

Një tjetër lajm i shpërndarë nga Kumbaro është dhe nominimi për Çmimin Europian të Arkitekturës European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe Award ku nga Shqipëria janë në garë 12 projekte arktiekturore. “Por është krenari që 2 prej tyre janë projekte të dy institucioneve të rëndësishme kombëtare të realizuara nga Ministria e Kulturës në këto dy vitet e fundit: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” nga Elisabetta Terragni dhe Daniele Ledda e Studio Terragni Architetti dhe Qendra e Artit Skenik ArtTurbina nga Atelie 4. Kumbaro lë ministrinë e Kulturës vetëm ndërsa ka hapur një nga fushatat më të mëdha për librin, Lëvizjen Kombëtare për lexim. / KultPlus.com

Të jesh me ty

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send, 
të shohësh thellë në ata sy, 
ku dashuria hepohet si anije 
e të mos duash të jesh përherë me ty? 

Të ecësh me krahun mbi supet e tua 
e të harrosh oshëtimën e kaltër, 
limonët mbi krye, 
peshkarexhat si zjarre të natës? 

Të jesh me ty, 
tok me ty të qeshësh 
e mos kuptosh se si përpiqet deti 
të dalë jashtë guaskës së vetvetes? 

Të jesh me ty? 
Të jesh me ty!

Kënga e shqiptares Ava, kënga më e dëgjuar këtë javë në Angli

Një tjetër shqiptare po pushton toplistat angleze.

Ava Max – e lindur si Amanda, me prejardhje shqiptare dhe me prindër nga Tirana dhe Saranda, është momentalisht këngëtarja që këndon këngën më të dëgjuar në Angli – “Sweet But Psycho”.

Ajo e ka tejkaluar këngën “All I want for Christmas is you” nga Mariah Carey e cila gjatë periudhës së Krishtlindjeve ishte e para.

Është ndjenjë e krenarisë kur sheh vajzat shqiptare të cilat triumfojnë me muzikën e tyre.

Ava Max ka lindur në Amerikë, si Amanda Koci, dhe është vetëm 24 vjeçare. Kënga e saj “Sweet but Psycho” ka arritur suksese edhe në Danimarkë, Suedi, Zvicër e Poloni dhe shtete tjera në Evropë. / KultPlus.com

‘Kur fillova ta doja veten’, fjalët e magjishme të Charlie Chaplin

Përktheu Elona Caslli
Charlie Chaplin – Kur fillova ta doja me të vërtetë veten

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
kuptova se dhimbja dhe vuajtja shpirtërore
nevojiteshin për të më kujtuar se po jetoja në kundërshti me vlerat e mia.
Sot, e di që kjo gjë quhet Vërtetësi.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
kuptova, se sa shumë e fyeja dikë, kur i diktoja dëshirat e mia
duke e ditur se nuk ishte çasti i duhur dhe se ai njeri nuk ishte ende gati,
edhe pse, ai njeri isha unë.
Sot ,e di që kjo gjë quhet Respekt.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk dëshiroja më të kisha një jetë tjetër
dhe kuptova se sfidat që po përballoja, veçse më ftonin të bëhesha njeri më i mirë.
Sot, e di që kjo gjë quhet Pjekuri.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët
kuptova se në çdo rrethanë isha në vendin dhe në kohën e duhur
dhe gjithçka që më ndodhte kishte një domethënie të caktuar.
Sot, e di që kjo gjë quhet Besim në Vetvete.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk hoqa dorë nga koha e lirë dhe nuk fantazoja më për projekte madhështore në të ardhmen.
Sot, bëj vetëm atë gjë që më pëlqen dhe më sjell gëzim,
atë gjë që kam pasion dhe që më bën të lumtur dhe e bëj ashtu si më pëlqen, duke respektuar ritmin tim.
Sot, e di që kjo gjë quhet Thjeshtësi.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët
hoqa dorë nga gjithçka që vinte në rrezik shëndetin tim; ushqime, njerëz, objekte, rrethana dhe gjithçka që më ulte poshtë dhe më largonte nga vetvetja.
Në fillim e quaja “ egoizëm të shëndetshëm” por
Sot , e di që kjo gjë quhet Vetëvlerësim.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk doja të kisha gjithmonë të drejtë
dhe kur sillesha kështu, gaboja më pak.
Sot, e di që kjo gjë quhet Përunjësi.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
nuk jetoja më në të shkuarën
dhe nuk shqetësohesha më për të ardhmen.
Sot kam mësuar të jetoj çastin e së tashmes, të vetmin çast që vlen me të vërtetë.
Sot, e di që kjo gjë quhet Mirëqënie.

Kur fillova ta doja me të vërtetë veten dhe t’i doja të tjerët,
kuptova se Mendimi im mund
të më bënte mjeran dhe të sëmurë.
Por, kur e mësova mendimin tim të fliste me zemrën time,
intelekti u bë aleati im më i mirë.
Sot, e di që kjo gjë quhet Mençuri.

Nuk duhet të kemi frikë nga ndryshimet, kundërshtitë
dhe problemet që kemi me vetveten apo me njëri-tjetrin,
sepse edhe yjet ndonjëherë përballen mes tyre
për të sjellë në dritë botë të reja.
Sot, e di që kjo gjë quhet Jetë.

Unë e mbyta vajzën

Nga Adriatik Kelmendi

Çdo e dhjeta shtatzëni në pritje të lindjes së foshnjës femër përfundon me atë që mund të përshkruhet në statistikat që flasin për gjinicid. Në Kosovë i vrasim vajzat për shkak se janë – vajza. Ose, edhe më keq, nuk i lejojmë as të vijnë në jetë, për shkak se janë – vajza

SA FËMIJË I KI?

Njo e kam!

E çika a ki?

Po, valla, tri!

Mund të tingëllojë e çuditshme, por këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë huqje gjuhësore. Ka të bëjë me huqje truri. Biseda të këtilla do të ketë pasur mundësi secili të dëgjojë në Kosovë, sidomos në rrethet rurale të vendit.

Djali, duke u parë si trashëgimtar i “linjës së gjakut”, është mbajtur edhe si i denjë për të mbajtur epitetin e fëmijës. Vajzat, duke qenë se do të martohen “në derë të huaj”, në disa familje nuk janë trajtuar si fëmijë të mirëfilltë.

Gjithsesi, ka të atillë që kur i lexojnë këto fjali do të mundë të kundërshtojnë. Të thonë se kjo nuk është e vërtetë. Se është një arkaizëm, i cili nuk mund të shfaqet në shoqërinë tonë edhe në ditët e sotme.

Madje mund të ketë edhe të atillë, të cilët mund të akuzojnë se kjo është një njollë të cilën na e kanë vënë të huajt për të na paraqitur si të prapambetur.

Natyrisht, do të ishte shumë më e lehtë sikur të ishte vetëm keqkuptim, ose tendencë qëllimkeqe. Fatkeqësisht, e kundërta sot provohet statistikisht.

Në Kosovë i vrasim vajzat për shkak se janë – vajza. Ose, edhe më keq, nuk i lejomë as të vijnë në jetë, për shkak se janë – vajza.

RAPORTI I AGJENCISË së Statistikave të Kosovës, i bërë publik para pak ditësh, është drithërues. Pak a shumë, çdo e dhjeta lindje e fëmijës së gjinisë femërore në vend ndalohet.

Raporti “Gratë dhe burrat në Kosovë” për vitet 2016-2017 tregon se koeficienti gjinor është se për çdo 111.2 meshkuj janë 100 femra të lindura.

Kjo çon te dyshimet se çdo e dhjeta shtatzëni në pritje të lindjes së foshnjës femër përfundon me atë që mund të përshkruhet në statistikat që flasin për gjinicid (gendercide). Gjinicidi nënkupton vrasjen sistematike të pjesëtarëve të një gjinie të caktuar.

Në kohërat moderne, kur teknologjia ka mundësuar që të hetohet gjinia e foshnjës, ende pa dalë jashtë trupit të nënës, ka bërë që disa persona ta kenë në duar të vendosin nëse duan ta lejojnë që foshnja e gjinisë së caktuar duhet të vijë në jetë, ose duhet abortuar.

Kosova në këtë mes renditet më së larti në rajon, ngjashëm me Shqipërinë, me rreth 110 meshkuj për 100 femra të lindura, teksa mesatarja e Bashkimit Evropian është 106.

Ekspertët demografikë vërejnë se si rezultat i mosbalancimit të raportit gjinor mund të ndodhin disa pasoja në shoqëri, siç është edhe vështirësia më e madhe e meshkujve për t’u martuar. Mirëpo në rastin e Kosovës, ku emigrimi më i madh është i gjinisë mashkullore, kjo pastaj mund të balancohet.

SIDOQOFTË, NËSE ka diskriminim gjinor që para lindjes në një shoqëri, është e pritshme që kjo të qëndrojë edhe përgjatë gjithë jetës.

Kosova në letër është një shtet që angazhohet dhe garanton barazinë gjinore – si gjendje e mundësive të barabarta mes grave dhe burrave, për detyra dhe të drejta në pozitat familjare, profesionale e shoqërore – por kjo nuk vërtetohet edhe në praktikë.

Shteti ynë ka adoptuar shumë ligje dhe ka nënshkruar plot dokumente të detyrueshme ndërkombëtare që flasin për garancitë e barazisë mes gjinive dhe ndalojnë diskriminimin gjinor, mirëpo statistikat sërish e tregojnë pasqyrën e vërtetë – atë të pabarazisë turpëruese.

Duke filluar nga organi më i lartë përfaqësues, i cili, ndonëse me ligj detyron që çdo e treta kandidate për deputete në Kuvend të jetë grua, dhe ku asnjëherë nuk është arritur që një grua më tepër të jetë parlamentare më shumë sesa e përcakton kuota. E për të vazhduar te numri i grave të punësuara, i cili, sipas ASK-së, gjen se në vitin 2017 ishte 36.6 për qind për gratë kundrejt 28.0 për qind për burrat.

Kurse për të qenë edhe më ilustruese pabarazia gjinore, mjafton të merret parasysh se vetëm 16 për qind të pronave të paluajtshme në Kosovë janë të regjistruara në emër të grave, sërish larg më e ulëta në rajon, ku për shembull Shqipëria ka 29 për qind, kurse Serbia 49 për qind të pronave në emër të grave.

PSE PO BËRTET “O, kuku, nonë”? – e kishin pyetur atë tipin që e kishte vetëm një djalë e tri vajza.

Se nona më don më së shumti! – ishte përgjigjur.
(Marrë nga portali Koha.net)

Kosova dhe Shqipëria me nominime në Çmimin Europian të Arkitekturës Bashkëkohore

Publikohen nominimet për Çmimin Europian të Arkitekturës European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe Award.

Nga Shqipëria janë në garë 12 projekte arkitekturore, në listën me 383 projekte dhe punë arkitekturore.

Në mesin e projekteve shqiptare janë edhe ArTurbina, Muzeu ‘Shtëpia me gjethe”, Parku Olimpik Tirana nga DEAstudio, Villa ‘Between Olive Trees’ dhe projekte tjera.

Nga Kosova, në këtë listë janë Garden House në Prishtinë, H House nga 4mGroup dhe Anarchitecture Theatre nga anarch, shkruan KultPlus.

Fituesi i çmimit do të shpallet me 7 maj 2019 në Barcelonë. / KultPlus.com

Regjisori Besim Ugzmajli shpallet Artisti i Vitit 2018 në Ferizaj

Mbrëmë në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u mbajt koncerti tradicional i fundvitit që përmbyllë aktivitetin kulturor për vitin 2018, me ç’rast në këtë ngjarje u shpall edhe më i merituari në këtë fushë, Çmimi “Finesa”, Artisti i Vitit 2018.

Me një program të pasur kulturor-artistik ku performuan anëtarë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, grupi i folklorit si dhe u interpretuan këngë popullore nga këngëtarë të mirënjohur ferizajas e më gjerë, të ekzekutuara këto nga orkestra e AKV “Kastriotët”, arriti edhe momenti kulminant i kësaj ngjarje, ndarja e Çmimit “Finesa”, Artisti i Vitit 2018.

Pas një pune disa javore, komisioni nga 7 të nominuarit për këtë shpërblim, zgjodhi regjisorin e mirënjohur ferizajas, Besim Ugzmajli – Artist i Vitit 2018, duke i ndarë Çmimin “Finesa” për sukseset e tij ndërkombëtare dhe çmimet e shumta të pranuara në gara ndërkombëtare me filmin e tij “Forgive me” si dhe kontributin e tij të përgjithshëm në promovimin e kinematografisë vendore në arenën ndërkombëtare. Ndarjen e këtij Çmimi e bëri drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, shkruan Ferizaj Press.

Me mirënjohje u nderuan edhe shoqatat e grupet kulturore që dhanë kontribut në realizimin e aktiviteteve dhe avancimin e përgjithshëm të aktivitetit kulturor në Ferizaj gjatë vitit 2018.

Në këtë ngjarje u përkujtuan edhe personalitetet që ndërruan jetë gjatë këtij viti, protagonist e kontributor në zhvillimin e artit, kulturës e sportit siç janë Sheqer Shllaku, Ramadan Haziri, Isuf Aliu si dhe Ilirjana Vorfi.

Ky aktivitet përmbyll vitin kulturor në Ferizaj me mbi 150 ngjarje kulturore të realizuara gjatë këtij viti nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Nipit dyshues

Tomaž Šalamun

Mos dremit
në trenin e linjës Venecie – Vjenë,
lexues i dashur.
Sllovenia është kaq e vogël,
sa që mund ta humbasësh.
Është më e vogël
se ferma ime në Lindje të Sierras!
Zgjohu, më mirë,
nxirr kokën jashtë dritares,
paçka se thotë NDALOHET
Zërin tim
të artë dëgjo!