Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?” Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.” U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë. Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.
Në dyzet e pesë u ndamë. Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha: “Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?” “Jo”, thashë, “vetëm desha të dija nëse është mirë.” “Ajo është mirë”, tha. Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër. Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje./filozofia.al
Dritat shumëngjyrëshe kanë ndriçuar këtë fundvit edhe qytetin bregdetar të Durrësit.
Qytetarët durrsakë po shijojnë atmosferën e bukur e të veçantë të festave të fundvitit në sheshin “Liria” dhe në rrugët e tjera të qytetit, të zbukuruara nga ndërmarrja e dekorit të qytetit.
Ky dekorim i ka dhënë një pamje mahnitëse qytetit që pret mijëra turistë gjatë sezonit veror.
Qytetarëve të Durrësit u mbetet të shijojnë atmosferën e ngrohtë gjatë shëtitjeve të mbrëmjeve./ A.T.SH/ KultPlus.com
Disa fjalë për Librin “Vražiji Posao-Punë Djalli” të poetit nga Kosova Lulzim Tafa, të botuar në Sarajevë. Si e lexojmë ne këtë poezi, pse mendoj se Tafa ka bërë edhe më shumë se sa e thotë Abdulla Sidrani, a është Ajkuna e tij si Ursula e Marquez. Poeti e refuzon tezën e Adornos duke u shfaqur me një poezi tejet zemërprekëse.
Në fjalimin e tij (1982), me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel ,
Gabriel García Márquez e ka prekur problematikën e raporteve gjithë kohore të
artit dhe të botës reale, duke vërejtur se nuk është ai i cili e krijon
letërsinë personale – por, prozën e tij e ka (për)shkruar realiteti i
çuditshëm, të cilën nuk ka pasur nevojë ta mbindërtojë me imagjinatë ose ta
plotësojë me detaje, është dashur, ç’ është e vërteta, vetëm ta formësojë gjuhësisht.
“Ky është realiteti, i cili nuk është vetëm letrar, por i cili jeton brenda
nesh dhe përcakton secilin çast të vdekjeve të panumërta të përditshme te ne,
realitet i cili paraqet burimin e krijimtarisë së pashuar, plot pikëllim e
bukuri“, thotë Márquez.
Duke mbetur në gjurmën e prozës së Márquezit, reflektimi për
enigmat semiotike të poezisë së Lulzim Tafës do të ishte përafërsisht kështu:
Shumë vjet më vonë, para punëve të djallit të të shkruarit të
vargjeve të tij, Lulzim Tafa sjell në mend ato vitet e përgjakshme kosovare,
kur jetës i kishte rënë çmimi, ndërkaq vdekje kishte me bollëk.
Përmes paradës së vargjeve për realitetin e çuditshëm vetanak, ku
ekzistenca reduktohet, duke u shërbyer me sloganin zhgënjyes të subjektit lirik
të Tafës bukë për sonte, barot për nesër, „Punë djalli“ në tërë kompleksitetin
dhe universialitetin e vet, është dramapoezi edhe e luftës së Kosovës edhe e
secilës luftë tjetër në histori, kritikë e absurditetit të saj në të cilin Tafa
adreson më së miri me vargjet, indikativisht dhe ironikisht të mbledhura nën
titullin „Raport nga Kosova 99“: Këtu nuk shkilen të drejtat dhe liritë e
njeriut/ Këtu shkilen vetëm kokat/ .
Është pikërisht e padurueshme pakuptimësia e prodhimit të
çdoditshëm të vdekjes, së cilës Tafa në mënyrë obsesive dhe me pasion brutal
duke e modeluar në vargje, i jep modus operandin autentik, ironinë. Tafa e
shfrytëzon ironinë me bollëk para së gjithash në formësimin e shprehjes.
Ajo përveç tjerash i mundëson atij të shprehë kuptimin e tij për
poezinë si formë ekonomike e cila në pak fjalë mund ta përmbledhë tragjedinë e
një periudhe. Prandaj Tafa me ironi e dendëson shprehjen e vet, e ngrit në një
lapidar proverbial, dhe e kupton se duke shmangur përshkrimet e dhe
eksplicitetin e tepruar, njëkohësisht e privon edhe nga patetikja.
Rrjedhimisht, të liruar nga një patos i tillë, vargjet flasin me një dramë të
veten të brendshme dhe arrijnë të vendosin ritmin e tyre specifik.
Poezia e Tafës, paradoksalisht, afirmon, refuzon dhe në një mënyrë
të caktuar e përmbush tezën e Adornos për pamundësinë e shkrimit të poezisë pas
Auschwitzit. „Punë djalli“ shpreh idenë se Auschwitz është bërë emër i
përgjithshëm për çdo gjakderdhje dhe jo vetëm është e mundshme, por edhe e
domosdoshme të shkruhet për këtë, gjegjësisht të shfrytëzohet letërsia si qërim
i caktuar terapeutik hesapesh me të kaluarën. Tafa, megjithatë, subjektin e vet
lirik nuk e dorëzon si aventurë naive të vetëshërimit përmes reminishensës, por
para së gjithash e çarmatos, deheroizon, brutalisht ia nënshtron kujtesave për
ta aktivizuar. Fjala është, pra, (edhe) për poezinë e angazhuar shumë më
komplekse dhe më shumështresore sesa që ka menduar Abdulah Sidrani në
recensionin e vet, të thjeshtëzuar dhe në mënyrë të tërthortë duke orientuar se
Tafa thjesht i është përgjigjur urdhrit të epokës së vet, e ka marrë penën në
dorë dhe e ka përmbledhur përvojën e vet. Tafa, ç’ është e vërteta ka bërë më
shumë sesa kjo: duke e dëgjuar edhe pulsin artistik të epokës së vet, të kohës
postmoderne, të shënuar me mosbesime të mëdha ndaj cilësdo formë të të dhënës
(ekzistueses) dhe me vënien në pyetje të së kaluarës. Ai unin e vet poetik e
armatos me ironinë dhe me pezmin luftarak, duke ofruar perspektivë krejtësisht
tjetër të ngjarjeve të dhëna historike dhe të kushtëzuara. Poeti, letërsinë e
shfrytëzon si proces vetanak të vetëdijesimit të idesë për atë se ajo që ka
qenë nuk mund të përmirësohet, por mund të kërkohet dhe të gjendet raporti i ri
ndaj kësaj. Në shprehje filozofikisht i ashpër, gati ekskluziv, i pa kompromis,
ironinë dhe sarkazmin i shfrytëzon si armë kritike, nga afër duke jetësuar
qëndrimin e shkrimtarit bosnianohercegovas, Xhevad Karahasan, nënvizon se
„libri nuk ka pushtet, por ka fuqi – ai nuk sundon, por formëson.“ Kështu edhe
Tafa është larg nga ajo që është bërë e zakonshme, kuptim i togfjalëshit
„luftëtar i penës“ sugjeron: duke zgjedhur me forcë mjetet shprehëse, dëshmon
se si poeti refuzon të jetë organ transmisioni i përvojës vetanake tragjike,
respektivisht adreson në potencialin artistik të angazhmanit aktiv përmes
ndërrimit të perspektivës.
Duke e marrë këtë parasysh, bëhet e qartë se vërtetë me sa shtresa
poezia e Tafës disponon dhe sa është semiotikisht zemërprekëse: ajo është në
modusin e përhershëm të hulumtimit, prandaj edhe nga lexuesi kërkon po ashtu të
njëjtën. Me fjalë të tjera, madje edhe ajo që duket si poezi dashurie, nuk
është (domosdo) (vetëm) poezi dashurie. Sidrani, për shembull, në ciklin me
titull simptomatik “Kaçakët„ në personin e Ajkunës, e njeh, e identifikon
hapësirën romantike, të intimes, të nostalgjisë, të mallit dashuror, larg nga
ndjeshmëria kolektive“, por nëse gërmon pak nëpër etimologjinë e vet fjalës
“Ajkuna“, i tërë cikli merr krejtësisht tjetër konotacion: nga gjuha deri te
gjuha, nënkupton “nënën”, “nënëmadhen“, “stërgjyshen“, “hyjneshën“,
“shpirtin“… Degëzimi i mëtejmë do të mund të na shpinte edhe në atdhe,
truall, shtëpi, ngrohtësi, siguri,
mallëngjim, vaj për çfarëdo strehimi, (qoftë edhe abstrakt
shpirtëror) në sëmundjet e kaosit ekzistues, prandaj boshllëku i cili ngritet
mbi vargjet “Ti nuk më ke më / As unë nuk të kam ty” ka marrë krejtësisht
përpjesëtim tjetër, i cili për dallim nga interpretimi i Sidranit, inkuadron aq
shumë ndjeshmërinë e një kolektiviteti. Vallë, a nuk korrespondon Ajkuna e
Tafës me Ursulën e Márquezit, e cila për më tepër është më shumë sesa person
dhe tërësi e gjithë spektrit të shenjave dhe gjithmonë shpie në interpretime të
mëtejme – ajo është edhe fuqi , edhe pikëllim edhe profeci, edhe kalueshmëri
edhe droje dhe fije e rrënjës së gjeneratës qindvjeçare. Çfarë kuptimi më tej
do të mund të luhej me qejf, për shembull, duke mos lëshuar nga vëmendja faktin
e rëndësishëm se në të njëjtën poezi Tafa emrin „Zoti“ e shkruan edhe me
shkronjë të vogël edhe me të madhe? „Ishin vrasësit më human / Lavdi / vrisnin
pa dallim / burra / gra / fëmijë… / vrisnin dhe këndonin / o zot! / Zoti u
ndihmonte. / Zoti ua vraftë Zotin. Është e qartë sesa paradoksalitet implikohet
përmes drojës të zotit të atyre të cilët kanë „vrarë dhe kanë kënduar“ dhe
çfarë dyshimesh dhe kritikash hap Tafa me këtë…
Siç zbulohet, pra poezia e Tafës nuk është stabile dhe
ekskluzivisht sipas përcaktimit të saj tematik, sado që na duket e kundërta,
çelësi i të kuptuarit të saj, siç është dëshmuar edhe pjesërisht, duhet kërkuar
në mënyrën në të cilën poeti i trajton fenomenet (universale) dhe të përcaktojë
çfarë raporti krijon ndaj tyre.
Vet libri është ndarë në gjashtë cikle, për të cilët nuk do të
mund të thuhej se janë ngritur sipas parimit tematik: duke marrë parasysh
shtresëzimin e përmendur të kuptimeve, do të ishte më e udhës të vendoset se
ato janë zgjedhur sipas një logjike vetanake të brendshme, e cila para së
gjithash në ndërrimet e buta të modusit shprehës („Ke fjetur në dritën e hënës“
janë meditime intime, „Këngët e trishta“ janë ndërtuar si monologë proverbial
në miniaturë, te „Kaçakët“ poezitë lidhen pothuaj me linjën narrative,
“Paroditë e zeza“ zgjidhjen e gjejnë në paradoks, në ciklin „Vet me vete“ në
plan të parë është pezmi i ironizuar,…). Por, ajo që ngritët mbi to, pa marrë
parasysh ndryshimet e vogla të fokusit ose intervenimet shprehëse është mundimi
ekzistencial, mundimi që del nga ndjenja e frikës, gati në njohje filozofike se
në ashpërsinë dhe pakuptimësinë e luftës, koha vërtitet në rreth. Prandaj,
arkitektonika, kompozicioni i këtij libri nuk shpie në një drejtim, fillim, ose
fund, nuk i shfrytëzon ciklet si „stacione tematike“, nuk ka një vatër konkrete
sepse me këtë drejton në joracionalitet, në përhumbje në kohë dhe hapësirë për
shkak të shkatërrimit, i cili, siç duket nuk ka as fillim as fund, shkatërrimi
është i thjeshtë, gjithmonë prezent. Varësisht nga ajo se sa vetëdije për kohën
përreth Tafa i jep subjektit të vet lirik, i njëjti nga poezia në poezi ndërron
qëndrimin e vet: nga lemeritës dhe zhgënjyes, deri te dorëheqës dhe i qetë,
nga: „Mo Zot e liga e çohen e vijnë” /, në: “Mo Zot e liga /, /Ja po vijnë “/ e
deri te poezia Uji „ka me hupë krejt / Asnjë ngërçamë / Për sahat t’ dekës / s’
ka me u gjetë”/. Në këtë aspekt poezia e Tafës e plotëson Adornon: me
intensitetin e frikës së stërgjyshes së Márquezit, Ursulës, e cila „frikësohet
se koha nuk kalon por se vërtitet në rreth“, përmes këtyre vargjeve imponohet
pyetja – a është e mundshme pas Aushwitzit ta korrigjojmë kohën dhe ta
drejtojmë njerëzimin drejt shpresës?
Në padurueshmërinë e harkut kohor poeti me vargje vizaton
pasigurinë e pritjes të formës se re të tragjedisë („Vetëm thonjtë mbesin thonj
/ Ditë e nesërme na sjell diçka të re / Se me të vjetrën u përgjakëm“) dhe
çudia e vetmisë që vjen nga vetëdija se tragjeditë e përgjakshme nuk godasin
vetëm popullin si kolektiv, por viktimat i numëron në individë: një edhe një,
edhe një, edhe një… Implikimet e tilla veçanërisht vërehen në ciklin „Në
mungesën tonë“, dedikuar shokëve e shoqeve të Tafës nga ditët shkollore, pastaj
në „Këngët e trishta“, posaçërisht përmes vargjeve domethënëse, sikur në:
„Secila pikë gjaku / Do të bëhet sumbull / Në këmisha dhe në xhamadanë / Të
ushtarëve dhe të kapedanëve të mi.“/
Tafa vargjet e tij në mënyrë me ngulm i ushqen me motivet e
gjakut, duke orientuar kështu në përvojë vetanake të çmendurisë së palogjikshme
të luftës por edhe duke përkujtuar atë se si dhe sa poezia mund të jetë
universale, madje edhe kur pikëmbështetjet e veta i ka në periudhën shumë
konkrete të një realiteti tragjik. Poezia e Tafës është rekonstruim i detajuar
i atij realiteti, reminishencë e trazuar ndaj pamfletit universal. Secila nga
poezitë e tij është një enigmë e episodit të përgjakshëm të historisë e të
cilën lexuesi, duke e shtresëzuar, i palos copëzat e ngjarjeve historikisht të
vërtetuara. Por, përkundër shpirtit luftarak dhe ngulmimit ironik të diskursit
të Tafës, mbi vargjet e tij ngritët vetmia, njësoj e rëndë, njësoj e mundimshme
dhe e përbashkët – madje edhe për ata të cilët nuk janë të ndërthurur
drejtpërdrejt në historinë e përgjakshme të kolektivitetit të Tafës, vetmia dhe
mallëngjimi që aq fuqishëm korrespondojnë me klithmën e Lorkës për paqe:
Cordoba / E largët dhe vetëm / (…) Edhe nëse i di rrugët, kurrë / Nuk do të
arrijë në Cordobë.
Subjekti lirik i Tafës përkohësisht arrin të izolojë nga
kundërmimi kolektiv i vdekjes, kështu që në torturën e vetmisë dukuritë të
cilat e rrethojnë, pasqyrohen me disponimin vetanak: është motiv i shpeshtë i
poetit shiu, i cili „do të pushojë një ditë“, i cili i mbulon gjurmët në qytet
me aromën e gjakut, shiu i cili është „Vaji i Zotit“, njësoj „i tmerrshëm dhe i
papushim“ si shiu i Preverit, njësoj „i qetë dhe i drejtë“ si shiu i Dizdarit.
Ashtu si subjekti lirik i Tafës e humb kontrollin mbi kujtesat vetanake, kjo
tregohet përmes ndërtimit të vet poezive: ato bëhen të privuara nga sistemi i
tyre vargëzues dhe shndërrohen në rrëfim të rrymës së vetëdijes („Reportazhi
nga lufta e shenjtë“).
Për Tafën të shkruarit është proces terapeutik dhe qërim ironik
hesapesh me botën – për lexuesin vargjet e tij janë sfidë ndaj së cilës autori
drejtpërdrejt shpie në poezinë e titulluar simbolikisht „Epitaf“: „Nuk shkruhet
dot një varg / ç’ sëmundje muzave u solli liria”. Në poezinë më intime të
përmbledhjes „Vet me vete“ , Tafa drejtpërdrejt zbulon tërë atë që „Punë
djalli“ paraqet për të: dëshminë e përvojës personale dhe kolektive të luftës
dhe pasojat e saja , mënyrën se si lufta e ka formësuar raportin e poetit ndaj
jetës, Zotit, dhe ndaj vetvetes, por, ajo që mbase është më e rëndësishmja,
ironia e fshehur në vargjet e fundit e pikturon raportin e Tafës ndaj „punës së
djallit“ në krijimin artistik në përgjithësi: „Vështirë / Por duhet forcë / eh
/Qija nanën.“ Përmes mesazheve të tij poetike se duhet ruajtur „nga Jeta dhe
nga Vdekja“, përmes
vargjeve, të cilat me ritmin e vet të brendshëm në mënyrë
apokaliptike paralajmërojnë marshe të përmortshme, pashmangshëm sjellin në
mendje poemën e Kashtelanit „Tifusarët“ („Vdekje deri te vdekja, vdekje deri në
vdekje, vdekja janë gjurmët e mia“), shoshitet shpresa me të cilën Lulzim Tafa
përkujton besimin e tij në poezi, si armë e fuqisë së konsiderueshme: „Kalo,
lirisht / Të thotë Zoti / dhe engjëlli i bardhë të mban / për dore.“
(Autorja është Profesoreshë dhe studiuese e njohur e letërsisë nga Sarajeva, përktheu: Smail Smaka)
“Pasardhësit njeriu nuk mund t’i ndryshojë, por mund të përcaktojë çfarë do të ndodhë me pasardhësit”. – François de la Rachefoucauld
“Nëna është personi i vetëm në botë i cili të do para se të të shohë”. – Johann Heinrich Pestalozzi
“Në fund të jetës suaj, nuk do të pendoheni që nuk keni kaluar edhe një test, që nuk keni fituar edhe një aktgjykim, ose që nuk keni realizuar edhe një marrëveshje. Ju do të pendoheni për kohën që nuk e keni kaluar me burrin, shokun, fëmijën, prindin”. – Barbara Bush
“Familja është gjëja më e rëndësishme në botë”. – Princeshë Diana
“Disa nga diskutimet më të rëndësishme që kam pasur ndonjëherë kanë ndodhur tek familja ime në tavolinën e darkës”. – Bob Ehrlich
“Nëse dëshironi që fëmijët tuaj të bëhen të mirë, shpenzoni dyfish më shumë kohë me ata dhe gjysmën e parave që shpenzoni”. – Abigail Van Buren
“Ju gjithmonë keni kohë për gjërat që i vendosni si primare”. – Autor i panjohur
“Njeriu nuk mund të bëj vend për veten e tij në diell nëse vazhdon të fshihet nën pemën familjare”. – Helen Keller
“Familjet janë busulla e cila na udhëheq. Ato janë inspirimi për të arritur lartësi të mëdha dhe rehatia kur ne ligështohemi”. – Brad Henry
“Fytyrat e familjarëve janë pasqyra magjike ku mund të shikohen njerëzit të cilët na takojnë neve, shohim të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen”. – Gail Lumet Buckley./bota.al/ KultPlus.com
Në Mitrovicë është mbajtur edicioni i 37-të i Festivalit të Muzikës për Fëmijë “Cicërrimat Buzë Ibrit”, ku fëmijët janë prezantuar në dy kategori të ndryshme, shkruan KultPlus.
Në këtë
festival kanë marë pjesë edhe përfaqësueset e grupit “Xixëllonja” nga Prishtina,
ku kënga “Pëllumbi i paqes” me tekst të
Donika Rudit dhe me kompozim të Drita Rudit, është shpërblyer me çmimin
si kompozimi më i mirë i festivalit, çmim që është ndarë nga juria
profesionale.
Kënga
“Pëllumbi i paqes” është kënduar nga dy motrat Anna dhe Ninna Krasniqi, kurse
drejtoresha e grupit “Xixëllonjat” Drita Rudi ka thënë për KultPlus se ky është
vetëm një nga sukseset e xixëllonjave, të cilat prezantohen në shumë festivale,
si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
Ajo
poashtu ka treguar që nga ky grup së fundi janë prezantuar disa këngë të reja,
të cilat do të prezantohen përgjatë
vitit të ardhshëm, sikurse në ngjarje të ndryshme kulturore, poashtu
edhe në festivale të ndryshme.
Në Festivalin e Muzikës për Fëmijë “Cicërrimat Buzë Ibrit”, janë prezantuar shumë këngë nga fëmijë të moshave të ndryshme, kurse çmime janë ndarë për disa kategori./KultPlus.com
Lamtumirë, vendet e mia, qe, po zhduken dalëngadalë! Gjëmon deti, ushton duhia, likundet barka valë mbi valë, Kah njai diell, që asht tue flakue, andej fill un tash do t’vete… Lamtumirë, atdhe i bekue! Lamtumirë, për sa t’jet jeta! Nesër nade kur mbi ne, rrezja e diellit ka me ra, kush e din sa ujë e dhe, mue prej teje ka me m’da! E por n’pyetsha ret mizore, e por n’pyetsha zogjt e detit, se për ty, moj tokë arbnore, s’ka me m’folë kush mue t’shkretit… Tjera fusha e tjera zalle kam me pa, e tjera dete; kam me ndje po tjera valle, tjera gjuhë, tjera qytete. Vendin tem s’kam me e pa, ku kam le e jam burrnue: sytë e mi kan me kja. pa u gjet kush me i ngushllue./ KultPlus.com
Për nder të 28 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Kinematografisë, Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB organizoi një takim me studentët dhe regjisorin e njohur Isa Qosja.
I njohur për filmat e tij artistik dhe dokumentarë, Qosja sot para studentëve të AAB-së foli për gjendjen aktuale të filmit në Kosovë dhe rajon.
Ai gjithashtu përmendi edhe faktorë të rëndësishëm që e përcaktojnë këtë situatë momentale që sipas tij nuk është në formën më të mirë që ai do donte ta shihte. Ai përmendi edhe disa dallime në mes të kinematografisë të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, sipas tij, kinematografia e Kosovës parësore e ka depërtimin e emocioneve tek shikuesi. Ai gjithashtu shtoi se qëllimi i realizimit të një filmi është të përçojë emocion tek shikuesi.
“Kinemtografia e Kosovës dhe Shqipërisë, ka dallime shumë, edhe pse jemi një vend ka dallime. Ende me duket që atje në film zë vend fjala, ajo që është shprehje e teatrit dhe ata e trajtojnë shumë më shumë fjalën se gjendjen. Ata na thonë shpesh ju i keni aktorë të mirë dhe unë përgjigjem, po i kemi sepse trajtojmë gjendjen, aktorët tanë nxjerrin emocionin”, shtoi Qosja.
Qosja me këtë rast foli edhe për dallimet e kinematografisë amerikane dhe evropiane, duke theksuar se kinematografia amerikane dallon shumë nga ajo evropiane, përmes një faktori shumë të rëndësishëm, e që është narracioni. “Kinematografia amerikane është shumë më narrative, më treguese, më e drejtpërdrejtë, do të thoja argumentuese. Në Amerikë filmi punohet për një qëllim, punohet për publikun”, tha regjisori Qosja.
Tutje, Qosja para studentëve tha se një vend mirë i arsimuar duhet ta kuptojë që njerëzit që merren me art janë njerëz të përkushtuar dhe se duhet mbështetur si në anën financiare ashtu edhe në atë motivuese dhe se duhet të instalohet psikologjia që vendit tonë specifikisht i duhet arti dhe i duhen artistët, sepse vetëm kështu ne do t’ i tregojmë botës që vlejmë dhe dimë të realizojmë filma që konkurrojnë me kinematografitë botërore./KolegjiAAB/ KultPlus.com
Vepra e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” përshtatur për skenën e teatrit nga regjisori Bruno Shllaku pritet të jetë premierë për publikun vitin që vjen.
Puna për këtë shfaqje teatrore tashmë ka nisur dhe regjisori Shllaku tregon se premiera do të jetë në skenën e Teatrit Metropol. Vepra do ketë aktorë nga Tiranë, por dhe nga Shkodra. Ky vit që po mbyllet ka qenë me angazhime artistike për Bruno Shllakun. Nuk ka munguar me role jo vetëm në teatër, por dhe në kinematografi. Edhe në ditët e fundit të vitit regjisori Bruno Shllaku nuk ndalon me punën e tij për projektet në teatër. Rolet në veprën e At Zef Pllumit interpretohen nga Bruno Shllaku, Gjergj Doçi, Agron Dizdari, Mimoza Marjanaku, etj. Regjisor në dramë Bruno Shllaku tregon se këto ditë të fundit të këtij viti puna ka nisur me disa figurantë, që do jenë pjesë e korit në vepër. “Unë kam nisur punën me veprën teatrore të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”. E kam filluar punën me figurantët, sepse ka të bëjë shumë kori. Në veprën e At Zef Pllumit, që unë e kam përshtatur për skenën është brenda saj edhe revolta në burgun Spaçit, dhe do të jenë veç aktorëve dhe rreth 25 figurantë, djem të rinj që do të jenë kori. Kori në antikitetin e lashtë grek presupozon frymën e shenjtë dhe të gjithë këto do të trajtohen si kor në këtë shfaqjen, që unë kam perceptuar”, pohon regjisori Shllaku. Jo vetëm vepra e At Zef Pllumit, por nga regjisori Bruno Shllaku në këtë shfaqje janë të përfshira dhe kujtimet e xhaxhit të tij Gjon Shllaku, që vuajti në burgjet e diktaturës. “Në skenë do të vijë një dramë, që është e gërshetuar dhe me disa kujtime që unë kam pasur rastin që ti dëgjoj nga xhaxhai im, i cili ka qenë dhe ai i burgosur politik, i dënuar me pushkatim, por më pas mbeti i dënuar me shumë vite. Xhaxhai im Gjon Shllaku doli nga burgu pas 17 vjetësh”, vijon të tregojë regjisori Bruno Shllaku, i cili pas disa ditësh do të nisë punën dhe me aktorët e tjerë për këtë vepër teatrore, që do ta ketë premierën vitin që vjen në Tiranë.
Drama në skenë
Ditët e fundit të këtij viti e gjejnë regjisorin Bruno Shllaku duke menduar e punuar për projektin e ri të teatrit, që do të sjellë në skenë për publikun. Por këtë herë në një dramë për vuajtjet gjatë regjimit komunist si regjisor Bruno Shllaku thotë se do ti sjellë skenës së teatrit, një dramë që përcjell mesazhe të forta. “Kujtimet nga burgu të xhaxhait time janë gjëra rrënqethëse dhe unë i kam gërshetuar brenda në këtë material, duke krijuar dhe një kënd tjetër vështrimi. Ajo që trumbetohet shumë në tavolina, por nuk e kemi parë në skena shqiptare është momenti se si janë të lidhur dy ekstremitete të komunitetit fetar, ai mysliman dhe katolik, ku ndërthuren me një mjeshtri absolute si nga thëniet e xhaxhait tim si nga At Zef Pllumi gjëra që do të jenë të bujshme dhe kam fatin e madh që po ia jap skenës ti shikojë të vërtetuara ashtu si kanë ndodhur ato vite”, shprehet mes të tjerave Shllaku.
Këtë herë regjisor dhe aktor në këtë dramë Bruno Shllaku tregon se dhe vetë ka zgjedhur të vijë në rolin e një të burgosuri, që i takon besimit mysliman.
“Në këtë dramë unë vetë do të luaj një të burgosur të fesë myslimane, që jep dhe ndihmën e tij për të shpëtuar një të burgosur të rrahur për vdekje në qelitë e burgut të asaj kohe që ndodhej në Bulqizë. Në vepër janë përfshira tre burgjet, Bulqiza, Burreli dhe Spaçi, por kryesisht tregohen ngjarjet në këtë të fundit”, vijon regjisori Shllaku. At Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, na jep një tablo të asaj që ai ka përjetuar përgjatë viteve të persekutimit komunist. Nga Julia Vrapi / KultPlus.com
Ministri Gashi: Institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë
nënkodet e veçanta buxhetore
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mbajti konferencën e fundvitit ku prezantoi të arriturat e 2018-tës.
Ministri, me theks foli për
faktin se për herë të parë pas 18 vitesh, institucionet e kulturës dhe
trashëgimisë do të kenë nënkodet e veçanta buxhetore.
“Ky vit është karakterizuar edhe me sfida, me theks të veçantë në funksionimin e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe siç e dini sipas rekomandimeve të raportit të auditorit të përgjithshëm ne jemi të detyruar dhe kemi vepruar në mënyrë të shpejtë duke i mbyllur të gjitha xhirollogaritë në bankat komerciale me të cilat janë financuar institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ato të kulturës”, është shprehur Gashi.
Sipas tij kjo ka bërë që për herë
të parë pas 18-të viteve të gjitha institucionet e trashëgimisë kulturore dhe
ato të kulturës të jenë me nënkode buxhetore.
“Në buxhetin e vitit 2019 të gjitha këto institucione do t’i kenë kodet e veçanta buxhetore dhe mjetet financiare do i shfrytëzojnë nga kodet të cilat Ministria e Kulturës i ka krijuar në kuadër të buxhetit të saj”, theksoi ai./ KultPlus.com
Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK) për periudhën gjashtëmujore ka arritur që të vë në pah punën dhe vështirësitë e funksionimit të teatrove, shkruan KultPlus.
Në komunikatën e dërguar për media nga ATQK, është shkruar se gjatë këtyre gjashtë muajve në krye me Erson Zymberi (Teatri i qytetit të Gjilanit), ky Asociacion ka arritur disa suksese.
“Si rezultat i
këtij angazhimi është arritur që të iniciohet plotësim-ndryshimin i Ligjit aktual
për teatrot në Republikën e Kosovës, të bëhet kalimi i draft-koncept dokumentit
në qeveri për ndryshimin e ligjit të teatrove, themelimi i grupit punues për
ndryshimin e këtij ligji i cili grup ende vazhdon punën si dhe marrëveshje mbi
shkëmbimin e shfaqjeve ndërmjet teatrove të qyteteve”, është shkruar në
kominikatë.
ATQK-ja është zotuar se do të vazhdojë angazhimin edhe në vitin e ardhshëm në mënyrë që të punojnë në funksionalizimin e plotë të Teatrove si në aspektin legjislativ, financiar e artistik.
“Bashkëpunimi i
teatrove të qyteteve tregoj se bashkërisht kemi rezultate shumë më të mira me
qëllimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe avancimit e teatrove”, ka theksuar
ATQK-ja.
Në këtë gjashtëmujor të dytë (Janar-Qershor) kryesimin e ATQK-së e merr Fatmir Hyseni (Teatri i Qytetit “Adriana”-Ferizaj)./ KultPlus.com
Ka ndërruar jetë sot në moshën 79 vjeçare shkrimtari i njohur Amos Oz.
Oz ka shkruar 18 libra në gjuhën hebreite dhe afër 450 ese dhe artikuj. Veprat e tij janë të përkthyera në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës.
Para disa vitesh në një intervistë me Rudina Xhungën, ai u shpreh edhe për Kosovën dhe për Pavarësinë e Kosovës.
RUDINA XHUNGA: Tani do doja të flisnim pak për vendin nga unë vij, për Shqipërinë dhe Kosovën gjithashtu, sepse kur Kosova shpalli pavarësinë e saj unë kisha me vete librin tuaj, kur tregoni pavarësinë e Izraelit?
AMOS OZ: Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe rrethanat e Kosovës, por në mënyrë instiktive, kur një popull shpall pavarësinë e tij, simpatia ime është me të. Kjo është e vërtetë për sa i përket izraelitëve, kjo është e vërtetë për palestinezët dhe kjo është e vërtetë edhe për kosovarët.
RUDINA XHUNGA: Po për historinë që lidh Shqipërinë me Izraelin, për kohën kur Holokausti na bashkoi dhe shqiptarët u hapën dyert izraelitëve?
AMOS OZ: Ne gjithmonë do ta kujtojmë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë.
RUDINA XHUNGA: Faleminderit. Ju kujtohet ajo kohë dhe raporti që keni me atë kohë? E pyesni herë pas here veten, ç‘qe ajo urrejtje, pse ndodhi Holokausti?
AMOS OZ: Holokausti na shoqëron ne gjithë kohën, madje edhe nipërit e njerëzve që kanë përjetuar Holokaustin akoma i përjetojnë traumat, dhe akoma pyesin veten çfarë ndodhi, por asnjëri prej nesh nuk ka përgjigje, ka shumë përgjigje, por nuk ka një përgjigje të vetme. Ka një përgjigje që thotë: s‘duhet të jesh kurrë i dobët, ka një përgjigje tjetër që thotë: kurrë nuk duhet të jesh johuman dhe ka një përgjigje të tretë që thotë: duhet të kishim ardhur të gjithë në shtetin e Izraelit në kohën e duhur, dhe ka një përgjigje të katërt që thotë: që edhe në shtetin e Izraelit ka nga ata që duan të na shfarosin dhe ka përgjigje të pestë, të gjashtë dhe të shtatë. Pothuajse çdo izraelit ka një përgjigje të ndryshme.
Ministri i Kulturë, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në një konferencë për media shpalosi të arriturat e Ministrisë së Kulturës për vitin 2018, shkruan KultPlus.
Ministri Gashi e cilësoi këtë vit që po e lëmë pas si
një vit të suksesshëm kulturor duke theksuar se ka akoma projekte të cilat
beson që do të realizohen në vitin 2019.
Ai u shpreh se kjo ministri përmes mekanizmave institucional dhe ligjor
ka vazhduar në përmbushjen e objektivave të përcaktuar në fushën e kulturës,
rinisë dhe sportit duke krijuar kështu një mjedisi institucional për zhvillim
bashkëkohor të këtyre fushave.
Duke numëruar arritjet e kësaj ministrie ai theksoi se
lajmi më i mirë dhe më i rëndësishme për të gjithë komunitetin artistik ishte
vendimi për rritjen e pagave për krijuesit, performuesit dhe punonjësit
profesional të trashëgimisë kulturore.
Ministri Gashi u shpreh se e rëndësihme ka qenë edhe marrëveshja e Ministrisë së Kulturës për programin kulturor dhe atë kreativ “Evropa Kreative”. Ai theksoi se gjatë këtij viti është rritur edhe përkrahja e projekteve kulturore dhe artistike ku bartës të projekteve janë gratë, duke theksuar se është rritur edhe përkrahja e projekteve pjesë e të cilëve janë personat me nevoja të veçanta. Gjatë këtij viti është nënshkruar edhe kalendari përbashkët me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë në kuadër të cilit janë zhvilluar disa aktivitete.
“Departamenti i Kulturës gjatë këtij viti ka përkrahur
aktivitete dhe projekte me shumën e përgjithshme rreth 1 milion euro e që është
shuma më e madhe në këto vitet e pasluftës sa i përket mbështetjes së
aktiviteteve kulturore”, theksoi ai.
Gashi tregoi se janë aprovuar edhe koncept dokumentet: Koncept Dokumenti për
Filharmoninë, Operën dhe Baletin, njëkohësisht jemi në përfundim edhe të
Projektligjit për Filharmonine, Operën dhe Baletin; Koncept Dokumenti për
Trashëgiminë Kulturore, njëkohësisht është punuar edhe drafti i parë i
Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore; Koncept Dokumenti për Teatrot,
njëkohësisht është punuar edhe drafti i parë i Projektligjit për Teatrot;
Koncept Dokumenti për ndërmjetësimin e kontesteve në fushën e drejtës së
autorit. Ndërsa në procedim e sipër janë: Koncept Dokumenti për
Kinematografinë; Koncept Dokumenti për Rini; dhe Koncept Dokumenti për Arkivat.
“Viti 2019 do të jetë viti kur teatrot e qyteteve do të trajtohen me ligjin e ri dhe do të kenë fuqishëm mbështetje edhe teknike edhe financiare edhe nga komunat edhe nga ministria e kulturë”, u shpreh ai.
Ministri Gashi e ka vlerësuar si të suksesshme edhe përfaqësimin
e Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare kulturore. Ministri Gashi ka
theksuar se prej që është themeluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
për herë të parë është tejkaluar realizimi i Planit Legjislativ. MKRS-ja
arritur të dërgojë për aprovim në Qeverinë e Kosovës tetë projektligje: Dy
Projektligje nga fusha e Sportit; Tri Projektligje nga fusha e Kulturës; Një
Projektligj nga fusha e Trashëgimisë Kulturore; Një Projektligj nga fusha e te
Drejtës se Autorit dhe te Drejtat dhe një Projektligj i cili përfshinë fushën e
Rinise, Kulturës dhe Sportit.
“Ajo që dua të theksoj për fund është se realizimi i buxhetit
të Ministrisë së Kulturës dhe plani i punës është 98.6% dhe kjo ka qenë ndoshta
një nga angazhimet me të mëdha që kemi bërë si ministri dhe si kabinet. Dua të falënderoj
secilin anëtar të kabinetit dhe veçanërisht punëtorët e Ministrisë së Kulturës
për një angazhim maksimal për të arritur të një rekord i 18-të viteve të
pasluftës ku realizimi i buxhetit është afër 99% për vitin 2018”, theksoi ai.
Tutje ai u shpreh se do të mbesin të përkushtuar për të
realizuar edhe programin e punës për vitin 2019./ KultPlus.com
Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin të tan jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n’ajri, si në qesendi, therin qiellën kryqat e minaret e ngurta, profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë. E mjerimi mirfilli ndien tradhti. Mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme, asht e neveritshme, e keqe, e turpshme, balli që e ka, syt që e shprehin, buzët që më kot mundohen ta mshefin – janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes, t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele, zhele fund e majë, flamujt e një shprese t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.
Mjerimi tërbohet n’dashuni epshore. Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica, mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa, kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta edhe shuhet uja, dhe fashitet etja n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja. Dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit dridhet posi flaka e mekun e qirit nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga, ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga, ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë, e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq, mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë. Foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon, e ama s’e don, por vetëm mallkon. Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis, ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.
Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet, don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet, atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes, një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes. Nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë, tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë. Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.
Mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme, buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme, trupin përmendore e një tregtis s’ndytë, që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë, dhe për at shërbim ka për të marrë do franga ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim -jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme, por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë, mund që t’len kujtim ditën e dikurshme kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit, kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit, ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra. Kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem – thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash. Mjerimi ka motër ngushulluese gotën. Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle. E gota e turbull, gota satanike tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni- dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni, nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike. Tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt kur njiqind i derdh një nga një në fyt. Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba, dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh, që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt! Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë, t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj. Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.
Amos Oz ishte shkrimtar dhe gazetar i
njohur nga Izraeli. Që nga viti 1967 ishte edhe aktivist i
njohur për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestineze.
I lindur si Amos Klausner, ai u rrit në
Jerusalem në rrugën Amos, në kuartin Kerem Avraham. Gjysma e romaneve të Ozit
janë të inspiruar nga ky kuart. Prindërit e tij, Yehuda Arieh Klausner dhe
Fania Musman, ishin emigrantë nga Evropa juglindore.
Oz ka shkruar 18 libra në gjuhën hebreite dhe
afër 450 ese dhe artikuj. Veprat e tij janë të përkthyera në më shumë se
tridhjetë gjuhë të botës. Oz përveç romaneve boton rregullisht edhe ese për
politikën, letërsinë dhe paqen.
Oz është njëri ndër shkrimtarët puna e të cilit është bërë temë e studimit. Në Universitetin në Ben-Gurion të Negevit është themeluar studimi i cili i merret me Ozin dhe veprat e tij. Në vitet e fundit mendohet se është ishte një nga kandidatët më serioz për Çmimin Nobel për Letërsi. Në vitin 1998 e fitoi çmimin më prestigjioz për letërsi të Izraelit./ KultPlus.com
Më 30 dhjetor 2018 (ditë e diel), me fillim nga ora 20:00, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të ngjitet shfaqja eksperimentale “Shkumësi” nga regjisori dhe dramaturgu Naser Shatrolli.
Shfaqja sjellë historinë e një të riu me emrin Shkums i cili ua vendos vijat kufitare dhunshëm qytetarëve kudo dhe kurdo. Gravon dorën e fortë në secilën derë. Ushtron dhunë në emër të lirisë. Shpall vetveten invalid dhe me para e blen librezën e invalidit të luftës. I vë vetvetes epitetin ligj, sillet si njeri që bën ligjin, premton se do ta bashkojë qytetin e ndarë…
Shfaqja është punuar në bazë të formatit të teatrit të absurdit, me përplot dromca komike dhe ironike.
Rezervimin e biletave, për ta parë këtë shfaqje në prag të fundvitit, mund ta bëni në këtë numër të telefonit: 044 430 693./ KultPlus.com
Sot, n’ditëlindjen tande, babë, nuk t’kujtoj
ma
Sot, n’ditëlindjen tande t’kam harru
Sot, n’ditëlindjen tande, kur ti s’je këtu, nuk du as me t’uru.
E çfarë të uroj? Me jetu edhe 100 tjera…? Jo nuk mund ta baj.
Çfarë të uroj? Me u plakë me nipa e mbesa…? Jo s’e baj dot.
Çfare të uroj, t’kesh sh’net e t’japësh
dashni…? Jo s’e baj dot se ti nuk je këtu… M’ke gënjy kur m’ke thanë që ki
me u ndi krenar me mu.
Nuk po t’shoh! Je zhdukë, je tretë, ndoshta edhe nuk ta ndien për mu ma, ose
nuk jam ai që ke dashtë ti m’u kanë…! Edhe mos qofsha, nuk prish punë, te dy
gënjeshtarë jemi. Edhe ti më premtove që ki me nejtë ma shumë me mu, po ike…
Jemi t’lumtun na edhe pa ty!
Po pse burrë m’le me tanë atë dhimbje, pa motiv, pa heroin tim, pa shembullin tim të s’ardhmes. E në fund çka me pritë? Çka me u thanë fëmijëve, me u thanë që gjyshi i tyne ishte heroi që më braktisi? Nuk të fajësoj, dhimbje ndiej, fjalë të nxjerra nga inati. Mos m’gjyko, t’lutem, më fal po kam mall. Po flas me mllef, më fal të lutem, jam shumë i inatosun me ty, por nuk mund të lëndohem ma, masi jeta më vrau nji herë, tani ma as dhimbjen nuk e ndij, as andrra nuk shoh. Je aq larg, as nuk mund t’flasim e t’shkrujmë, por je aq afër sa duhet me t’largu për nji moment që mos me vazhdu me shkru! / KultPlus.com
Lufta në Kosovë nuk mund të harrohet, dhe ka fotografi e momente të dokumentuara të kësaj lufte e cila i morri jetën mijëra njerëzve në Kosovë.
Në këtë luftë u dëbuan 800,000 shqiptarë nga territoret e tyre, u vranë 15,000 persona, nga të cilët 2,400 luftëtar të UÇK-së e të tjerët qytetarë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.
Po i sjellim këtu disa fotografi nga faqja Lajme Shqip në Facebook, e cila i ka shpërndarë fotografitë duke dhënë edhe mesazhin e bojkotit të produkteve serbe dhe konsumimit të produkteve shqiptare, marrë parasysh luftën dhe gjenocidin që Serbia ka shkaktuar në Kosovë jo shumë kohë më parë. / KultPlus.com
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama komunikoi disa ndryshime në qeveri.
Raman njoftoi se Ditmir Bushati nuk do të jetë më ministër për Evropë dhe Punë
të Jashtme, atë tani do e zëvendëson Gent Cakaj.
“Ditmir Bushati ka pa diskutim edhe ai merita të pamohueshme
në të gjithë rrugën e deritanishme. Është koha që Ditmiri t’i përkushtohet
Shkodrës me kohë të plotë”, është shprehur ai.
Gent Cakaj i cili do të jetë ministri i ri, është aktualisht zëvendës ministër në këtë ministri./ KultPlus.com
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama komunikoi ndryshime drastike në qeveri.
Rama bëri të ditur se ministrja e kulturës Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga Elva Margariti, e cila aktualisht është këshilltare në Kryeministri dhe koordinatore e projektit të 100 fshatrave.
“Edhe Mirela Kumbaro meriton të gjithë respektin për punën që është bërë. Trashëgimi kulturore sot është më në kujdes se asnjëherë tjetër. Mirela do të zëvendësohet nga Elva Margariti është këshilltare në Kryeministri dhe koordinatore kombëtare e projektit të 100 fshatrave”. / KultPlus.com
Besa Shahini është ministre e re e arsimit në Shqipëri, me vendimin e fundit të Edi Ramës në ndryshimet e fundit në Qeverinë në Shqipëri.
Besa Shahini është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Deri në verë 2015, ka punuar si analiste me oganizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet (ESI). Ajo herë pasë herë shkruan për gazetat ditore në Kosovë. Shahini ka master nga Hertie School of Governance në Berlin
“Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria” është vepra e njohur e autorit anglez Thomas Whincop, që është shkruar në vitin 1747, e që në Teatrin Kombëtar të Kosovës vjen në fund të këtij viti, me regji të Fadil Hysajt.
Synimi i shfaqjes nuk është demitizimi i figurës së Skënderbeut, por përballja e aktualitetit shqiptarë me figurën e Skënderbeut. Shfaqja si e tillë përballë të kaluarën e rreth 550 vitesh, me të tashmen për të nxjerrë në pah se hapësira mes të tanishmes dhe të kaluarës është shumë më e madhe se këto vite.
Pikërisht rreth pyetjes se “A besojnë sot shqiptarët e kësaj kohe në dashuri dhe liri”, zhvillohet koncepti i trupës teatrale në relacion me regjisorin, e që shpërfaqet me konflikte e fërkime që e sfidojnë këtë tematikë.
Premiera e shfaqjes “Skënderbeu – Dashuri apo Liri” është caktuar për datën 28 dhjetor duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com
Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës organizon Bienalen e Arkitekturës e cila do të mbahet në muajin janar.
Konkursi do të qëndrojë i hapur edhe katër ditë, deri më 31 dhjetor.
Qëllimi i kësaj bienale është nderimi i të gjitha veprave me vlerë arkitektonike në Kosovë objektiva të së cilës janë identifikimi dhe ngritja e vlerave të arkitekturës në Kosovë, rrjetëzimi i komunitetit të arkitektëve dhe themelimi i një tradite e cila do të përsëritet çdo dy vite.
Pjesë e bienales mund të bëhen të gjithë autorët e projekteve të ndërtuara dhe projekteve ideore, të cilat projekte do të konsiderohen si të kompletuara deri më datën 31 dhjetor të këtij viti.
Për të gjithë ata që vendosin të bëhen pjesë e bienales, pagesa për pjesëmarrje është kjo:
Për anëtarët e asociacionit të Kosovës
Projekti i parë 30 euro Për çdo projekt tjetër -10%
Për anëtarët jashtë asociacionit të arkitektëve të Kosovës
Projekti i parë 60 euro Për çdo projekt tjetës -10% (Për aplikimet deri me 30 nëntor -10%)
Ndërsa forma e aplikimit është kjo: Prezantim i projektit me shkrim 250-1000 fjalë 10 foto të objektit 1 foto reprezentuese që do të përdoret për publikime 2 postera të formatit A2 që do të përdoren për ekspozitë Prezantim Power Point që do të përdoret në natën finale
Kategoritë e Bienales për të cilat mund të aplikoni janë:
Projekti më i mirë i ndërtesave të banimit Projekti më i mirë i ndërtesave administrative Projekti më i mirë i ndërtesave arsimore-edukative Projekti më i mirë i ndërtesave për art-kulturë Projekti më i mirë i ndërtesave hotelerike – shërbyese Projekti më i mirë i ndërtesave industrial Projekti më i mirë i ndërtesave komerciale Projekti më i mirë i ndërtesave mjekësore/sociale Projekti më i mirë i ndërtesave rekreative Projekti më i mirë i ndërtesave të agrikulturës Projekti më i mirë urban/peisazhor Projekti më i mirë i enterierit Projekti më i mirë i intervenimit ne ndërtesa Projekti më i mirë i ardhshëm-në zhvillim./ ndertimi.info/ KultPlus.com
“Chasing Dreams” ishte kënga e fundit që e ka publikuar muajt e fundit Jon Tarifa.
Ky i fundit ka pohuar se ka edhe një befasi gjatë festave të fundvitit për të gjithë fansat anembanë botës.
Këngëtari është në finalizim e sipër të një video të një këngë të re të titulluar “Seize in Day”.
https://www.youtube.com/watch?v=x5B7xySheDU
Ai për këtë këngë ka bashkëpunuar me këngëtaren e njohur Marcela Orosi, e cila është pjesë e bendit Luminize.
“Si thoni për një dhuratë të fundit për Krishtlindjet? Për pak ditë, do të sjell videon muzikore të këngës sime të re të titulluar”Seize in Day”, në bashkëpunim me Marcela Orosin”, ka shkruar ai në llogarinë personale në Instagram.
Kujtojmë se këngëtari shqiptar kohë më parë i kishte kushtuar një këngë ish-presidentit amerikan, Barcak Obama.
https://www.youtube.com/watch?v=qtiyAFf9ix4
Ndryshe, Tarifa ka paralajmëruar edhe këngë të reja që do të sjell gjatë muajve në vijim./insjaderi/ KultPlus.com