Alban Muja fillon përgatitjet për realizimin e veprës që përfaqëson Kosovën në Bienale

Pas propozimit të komisioneres së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Arta Agani, njëherësh drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, pati marrë vendim që artisti Alban Muja të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet nga 11 maj deri më 24 nëntor 2019.

Alban Muja në mëngjesin e sotshëm, ka ndarë me publikun disa fotografi teksa tregon që tashmë kanë filluar përgatitjet për realizimin e veprës që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e 58-të të Venedikut.

Vepra ka filluar përgatitjet për realizim në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Artisti Alban Muja, i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo./ KultPlus.com

Nëno, dua bukë!

NONDA BULKA

Nëno!…
-Bir!
-Dua bukë!
Mëma hesht.
-Nëno!
-Bir!
-Ngriva!
Mëma psherëtin.
-Nëno!
-Bir!
-Më dhemb koka!
Mëma s’përgjigjet.
S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tik-taket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. S’guxon të qajë; ka frikë mos ta zgjojë djalin që porsa filloi të flejë. Rri dhe e vështron. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.
-Nëno!
-Biri i nënos.
-Dua bukë!
Nëna hesht.
-Nëno!
-Xhani i nënos!
-Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin.
Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njezët!
Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron koren e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndije shprese shkëlqen në sytë e saj.
Shën Maria hesht!
Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.
-Nëno!
-Bir!
-S’jam mirë!
-T’u bëftë nëna, fli!
Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë.
Dhe djali fle!
Mëma i ve dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht.
Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje.
S’u prish bota, as fukuarallëku s’mori fund.

| Nonda Bulka |

Karnavalet i japin jetë fundjavës në Berat

Nga Erjola Azizolli

Festa e karnavaleve ka mbushur me ngjyra fundjavën në qytetin e UNESCO-s.

Fëmijë të maskuar me maskat e personazheve të botës së tyre kanë emocionuar prindërit dhe qytetarët që i kanë ndjekur në një paradë të vërtetë. Aktiviteti është zhvilluar përgjatë pedonales së qytetit dhe është ndjekur me mjaftë interes nga qytetarët.

Karnavalet, kanë sjellë botën e maskuar të shumë personazheve, ndërkohë që fëmijët kanë sfiduar temperaturat e ulëta të së shtunës. Plotë ngjyra, energji dhe interpretime në një festë të vërtetë që ka zgjatur gjatë gjithë paradites. Fëmijët e talentuar kanë demonstruar dhe numra artistik, të cilët kanë qenë pjesë e një feste të vërtetë. Protagonistë kanë qenë fëmijët e të gjitha kopshteve publike dhe jo publike të qytetit, të cilët ishin përgatitur me mjaftë mjeshtëri nga stafi i edukatorëve, ndërkohë që nuk ka munguar dhe ndihma e dhënë prej prindërve.

Nën kryetarja e Bashkisë, Afize Skëndo, u shpreh se ky aktivitet i fëmijëve ishte pjesë e një programi që bashkia ka miratuar që në fillim të vitit për të pasur një jeta kulturore dhe artistike në qytet.

“Sot, ishte radha e fëmijëve që na mbushën qytetin me jetë. Aktiviteti bëri bashkë një sërë institucionesh dhe u arrit që jo vetëm të gëzonim fëmijët, por ti jepnim ngjyra qytetit”, tha nënkryetarja e bashkisë.

Aktivitete kulturore parashikohet që të ketë për çdo festë kalendarike sipas Skëndos me qëllim që ti jepet larmi qytetit veçanërisht në fundjavë, ku dhe pse në stinën e dimrit nuk mungojnë vizitorët. / KultPlus.com

Mbrëmje e poezive me Arbër Selmanin, me 26 shkurt

Shkrimtari, gazetari dhe redaktori i gazetës KultPlus, Arbër Selmani, me datë 26 shkurt do të lexojë poezitë e tij në një mbrëmje poetike.

Tetë: Poetry Night me Arbër Selmanin do të mbahet në hapësirën Shtatëmbëdhjetë, shumë afër gjimnazit Sami Frashëri në Prishtinë.

Selmani do t’i lexojë disa prej poezive të tij ndërsa edhe të tjerë njerëz në audiencë do të mund të lexojnë krijimet e tyre. Ngjarja mbahet me 26 shkurt në ora 19:00, në Prishtinë.

Ky është përshkrimi i ngjarjes në fjalë:

Prej dashnisë, te vuajtja, prej andrrave tek copëtimi i tyre, prej përlamjeve tek përqafimet, prej fantazmave te realiteti, prej babait tek nëna, prej detit te rëra, janë temat që Arbër Selmani i trajton në poezitë e tij. Numri tetë (8) ka një domethënie për Arbërin. Ai thotë se është numër i dashurive të humbura dhe të poezive të gjetura. Ka kohë që Arbëri nuk i ka lexuar copëzat e tij para publikut. Për herë të parë atij poezive të tij i kushtohet një natë e vetme. Ai do të vjen në Project Space të martën me datën 26 i përthekum me ndjenjat e tij të cilat janë të shpërndame, bipolare, herë në letër e herë as aty jo.

Shtatëmbëdhjetë ju sjell edhe këtë muaj Natën e Poezisë. Sikur herën e kaluar ju ftojmë që t’i merrni poezitë me vete dhe pas Arbërit të ngjiteni në skenë dhe t’i ndani ato me të gjithë neve.

Letra e Aleksandër Moisiut për gazetën franceze: Ja arsyeja e anulimit të turneut tim në Paris

Nga Aurenc Bebja

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të dielën e 5 qershorit 1927, në ballinë, letrën e Aleksandër Moisiut në lidhje me arsyen e anulimit të turneut të tij në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja e Kammerspiele-s

Arsyet e vërteta për mungesën e Aleksandër Moisiut

Një shkresë e aktorit tragjik austriak :

Ne jemi në gjendje tani të sjellim detaje të reja dhe të rëndësishme rreth heqjes dorë – të cilën e shpallëm kohët e fundit pa trajtuar shkaqet – të Kammerspiele-s së Vjenës në lidhje me shfaqjet që ajo do të organizonte në “Atelier” me pjesëmarrjen e aktorit të madh tragjik Aleksandër Moisiut.

Ja teksti i shkresës së z. Aleksandër Moisiu që na dërgon nga Vjena :

Vjenë, 4 qershor.

Ndaj komenteve që ju keni bërë në lidhje me heqjen dorë nga një turne në Paris, më lejoni të bëj sqarimet e mëposhtme :

Në praktikën e artit tim, gjithmonë jam distancuar nga politika. Kurrë nuk kam pasur për udhëtimet e mia grant të ndonjë shteti. Nuk kisha më shumë për projektin e Parisit. Turneu im ishte vetëm për qëllime artistike, kështu që asnjë ndërhyrje e një natyre politike nuk do të më bënte të hiqja dorë për të ardhur në Paris.

Unë kam luajtur pothuajse në të gjitha vendet e Evropës dhe natyrisht kam prej kohësh një dëshirë të madhe për t’u paraqitur para publikut parizian në disa role. Për këtë arsye, shfrytëzova rastin e Kammerspiele-s së Vjenës për t’iu përgjigjur ftesës së z. Charles Dullin.

Sapo u përhap lajmi i këtij turneu, një pjesë e shtypit gjerman dhe sidomos Berliner Tageblatt dolën kundër këtij projekti dhe propozuan të dërgonin në Paris, një trupë teatrore nga Berlini, duke argumentuar se kjo e fundit mund të përfitonte një grant nga shteti.

Turneu im u paraqit si një dëshirë për të sulmuar projektet e skenave të tjera gjermane, edhe pse këto projekte nuk ishin dhe as nuk janë ende të sigurta.

Por arsyeja vendimtare e heqjes dorë nga ana ime ka qenë qëndrimi i z. Gémier, themelues i “Teatrit Botëror – Théâtre mondial”, i cili, në një letër drejtuar një zyrtari të Legatës Austriake në Paris, u shpreh kundër ardhjes së Kammerspiele-s, që, sipas tij, do të dëmtonte festivalin e këtij “Teatri Botëror”.

Megjithatë, duhet të them që interesi i madh që u shfaq menjëherë në Paris për shfaqjet tona, bëri që “Atelier” të siguronte tashmë të ardhura për disa mbrëmje. Gjithsesi, unë do të shkoj në Paris në korrik për t’i kërkuar falje personalisht z. Charles Dullin, për të cilin braktisja e projektit tim ka qenë një sakrificë e vërtetë. Me siguri, ai do të më japë mundësinë, një ditë, që të kem gëzimin dhe të paraqitem para publikut parizian në kushte më të mira, gjatë një kohe e cila nuk do të dëmtojë më “Teatrin botëror” të z. Gémier.

Ju lutem pranoni përshëndetjet e mia të sinqerta.

Aleksandër Moisiu

 https://www.darsiani.com/la-gazette/letra-e-aleksander-moisiut-drejtuar-gazetes-franceze-1927-ja-arsyeja-e-anullimit-te-turneut-tim-ne-paris/

“Krenaria e tepruar rrëzon më tepër se dështimet”, fjalimi gjenial i Rowling

Të gjithë e njohin Joanne Kathleen Rowling. Ajo është autorja e serisë së famshme të librave për fëmijë dhe adoleshentë “Harry Potter”. Refuzimi i pranimit në universitet, vdekja e të afërmve më të dashur të saj, aborti i një shtatzënie të padëshiruar, ndarja nga bashkëshorti dhe shumë ngjarje të tjera, e bënë autoren një person akoma më të fortë. Duke qëndruar plot besim përpara studentëve të Universitetit të Harvardit, ajo mbajti këtë fjalim gjenial:

“Gjëja që kisha më tepër frikë në moshën tuaj, nuk ishte varfëria, por dështimi. Unë isha dështimi më i madh që njihja, por nuk kam ardhur për t’ju thënë se dështimi është i këndshëm, sepse ajo periudhë e jetës sime është e errët”, ka thënë në fjalimin e mbajtur përpara studentëve Joanne Kathleen Rowling, autoria e serisë së famshme të librave “Harry Potter”.

“Ju do të dështoni në diçka të caktuar në jetën tuaj; do të humbni; do të vuani; do të zhgënjeheni shumë në jetën tuaj. Mirëpo është shumë e thjeshtë të jesh në fund. Nuk ju duhet të përpiqeni aspak. Por a do të rrish përherë ashtu? Do të jesh përherë ai që të tjerët as i hedhin sytë?

Sfidojeni veten dhe diljani mbanë në jetë. Mos hiqni dorë. Një ditë do t’ia dilni mbanë. Por nuk keni se si t’ia dilni mbanë, nëse hiqni dorë. Përpiquni dhe keni për të mësuar plot gjëra që nuk i dinit për veten tuaj. Do të mësoni se sa të zhvilluar e keni imagjinatën, se sa të fortë e keni vullnetin dhe se sa të madhe e keni dëshirën për të arritur më të mirën.

Këto nuk janë fantazi. Këto janë rruga që juve do t’ju shtyjë drejt suksesit që dëshironi. Ju jeni më të mëdhenj se dështimet tuaja dhe më të fortë se vështirësitë tuaja. Nuk keni pse ecni në jetë si viktima. Ecni si modestë dhe kur të korrni sukses, ecni si fitimtarë. Por kujdes edhe nga krenaria, sepse kur ajo është e tepruar, ju rrëzon më shumë se dështimet.

Dua ta mbyll këtë fjalim me fjalët e të madhit Stephen Hawking “Ju jeni të gjithë të ndryshëm. Sado e keqe t’ju duket jeta juaj, ka gjithmonë diçka për të bërë që t’ia dalësh mbanë. Për aq kohë sa ka jetë, ka shpresë”./bota.al / KultPlus.com

Daily Mail dhe People: Babai i Dua Lipës mori vëmendjen me dukjen e tij në ‘Brit Awards’

 

Ajo ndoshta ka shkëlqyer në skenë, mirëpo ishte babai atraktiv i Dua Lipës që e vodhi spektaklin në Brit Awards. Kështu shkruajnë mediat botërore për Dukagjin Lipën dhe pjesëmarrjen e tij në evenimentin e popullarizuar britanik.

“Depërtimi më i mirë… Babai i Dua Lipës! Babai hamshor i këngëtares e vodhi spektaklin në Brit Awards” – ky është titull i artikullit të tabloidit britanik, Daily Mail, kushtuar dukjes së Dukagjin Lipës në ceremoninë britanike të ndarjes së çmimeve muzikore.

Ndërsa revista amerikane People e ka titulluar kështu artikullin e vet: “Babai shumë atraktiv i Dua Lipës tërhoqi vëmendjen në Brit Awards”.

Hamshori Dukagjin Lipa, një yll roku në vendin e tij Kosovë, ka tërhequr vëmendjen në O2 Arena të Londrës dhe madje nikoqiri Jack Whitehall është mahnitur me dukjen e tij.

Ai e quajti Dukagjinin “babanë me dukjen më të mirë në industrinë e muzikës” dhe me shaka i kërkoi Duas që t’i ndërronin prindërit. Ndërkohë që prindërit krenarë të Duas ishin të lumtur me vëmendjen që e morën para ceremonisë në të cilën vajza e tyre e fitoi çmimin për incizimin më të mirëpër “One Kiss”.

Dhe nuk ishte vetëm nikoqir i spektaklit që e vërejti prezencën e babait të këngëtares në Brit Awards, pasi shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë shkruar për dukjen e mirë të shqiptarit nga Kosova.

Fansat e kanë kërkuar emrin e Dukagjin Lipës në Instagram dhe profili i tij tash numëron mbi 181 mijë ndjekës – vazhdon artikulli i Daily Mail.

Në vazhdim edhe tabloidi britanik edhe revista People kanë shkruar për Festivalin Sunny Hill që e ka themeluar ai. “Ish-muzikanti po ashtu ka themeluar një festival muzikor në vendlindjen e tij, në përpjekje për të ndryshuar çfarëdo perceptimi të gabuar për Kosovën…”, thuhet në artikull.

“Ne duam t’ua japim njerëzve ndjenjën se përkasin, jetojnë në Evropë dhe idenë se jemi pjesë e Evropës. Kjo është mënyra më e mirë për ta promovuar Kosovën si një vend që e do paqen dhe muzikën, që i mirëpret të gjithë fqinjët tanë dhe të gjithë vizitorët që duan të argëtohen”, citohen fjalët e Dukagjinit për Observer lidhur me Festivalin Sunny Hill. / KultPlus.com

“Corriere della Sera”: Në zbulim të Shqipërisë së re

Gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” i ka dedikuar një reportazh Shqipërisë moderne dhe antike, duke përshkruar një udhëtim që fillon nga kryeqyteti dhe kalon nëpër qytetet më historike si Shkodra, Kruja, Gjirokastra por edhe në ato antike si Apollonia dhe Butrinit.

Më poshtë vijon reportazhi:

Mbi modernitetin e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, fliste që në vitin 1939 një i ri, Indro Montanelli (gazetar i njohur italian, shën. i përkth.) ku theksonte kontrastet e dukshme.

“Është një botë e përzier, e përzier në mënyrë piktoreske, ku gjen automjete luksoze dhe karroca prehistorike që i binin borisë sikur të ishin edhe autovetura…”, shkruante në librin “Albania, una e mille”.

Ishte koha e pushtimit italian që ka lënë gjurmë, shumë të dukshme edhe sot. Për shembull, arkitektura racionaliste e pallateve ministrore përgjatë bulevardit që është arteria kryesore e qytetit.

Por Vendin e Shqiponjave e preku diktatura komuniste e Enver Hoxhës, që zgjati 40 vite. Në fund, në agim të viteve ’90, rrugëtimi i vështirë i rimëkëmbjes demokratike. Një proces i vështirë drejt modernitetit bashkëkohor. Ndërsa për italianët që nuk kanë qenë asnjëherë në këtë tokë, vetëm disa milje detare nga Pulja, është shqetësuese. Italianët kanë mbetur të bllokuar në pamjet e eksodit të shumë shqiptarëve që, të hipur nëpër gomone, vinin në brigjet tona për një jetë më të mirë.

Tirana dhe Rilindja plot ngjyra

Por sot ka një Shqipëri që nuk e pret, krejtësisht për t’u zbuluar. Rritje e shpejtë (por edhe kaotike), mbi të gjitha në qendrat urbane. Mbi të gjitha në Tiranë.

Pak histori: në fakt, kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama (artist, djali i një skulptori), i zgjedhur kryebashkiak i kryeqytetit në fillim të mijëvjeçarit të ri (që qëndroi deri në 2011), pikturoi me shumë ngjyra godinat gri dhe të shkreta të lëna trashëgimi nga regjimi i Hoxhës, për t’i dhënë kuptim, qoftë viziv, Rilindjes. Një imazh tashmë i mbuluar nga qiellgërvishtëset moderne.

Njësoj edhe me aeroportin, ku në vitin 2003, viti i udhëtimit tonë të parë në Shqipëri, rreth pistës kullosnin delet, dhe zona e pasagjerëve ishte pak më e madhe se një barakë.

Tur gjashtëditor mes së kaluarës dhe së ardhmes

Sot lexuesit e “Corriere della Sera” që do të duan të marrin pjesë në turin në Shqipëri të propozuar këtu, do të zbresin në aeroportin shumë modern “Nënë Tereza”. Në Tiranë, do të qëndrojnë në një hotel me pesë yje, duke zbuluar edhe “dolce vita” të kryeqytetit, për të përdorur një shprehje që të kujton një periudhë italiane plot gjallëri.

Turi gjashtëditor fillon më 27 prill. I organizuar me mbështetjen e “Francorosso”, gjithkush do të ketë kohë për të zbuluar Shqipërinë e sotme dhe të djeshme. Nga Tirana në Krujë, kryeqyteti antik, qytet simbol i rezistencës anti-osmane, e përfaqësuar më së miri në muzeun e Gjergj Skënderbeut, heroit kombëtar. Në të hyrë të kështjellës ndodhet pazari karakteristik.

Më pas në Shkodër, që ndodhet buzë liqenit me të njëjtin emër. Banesat fillojnë pranë një qyteze veneciane, të ndërtuar në shekullin e XV. Dëshmi e periudhës kur qyteti ishte pjesë e Republikës së Venecias.

Një zhytje mes natyrës dhe qyteteve prej guri

Më pas shkohet në jug, në Shqipërinë arkeologjike. Nga Apolonia, një prej kolonive greke më të konsiderueshme, tek xhevahiri arkeologjik i vendit, Parku i Butrintit (në UNESCO), koloni greko-romake. I njohur për ekosistemin e tij dhe rrënojat që shtrihen deri në mes të një xhungle mesdhetare.

Gërmimet më të rëndësishme janë bërë nga arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini, që i zhvilloi në vitet 1930. Trashëgimi e UNESCO është edhe qendra historike e Beratit, që dominohet nga një fortesë kështjellë. Ndërsa Gjirokastra, “qyteti i gurtë”, është një muze në qiell të hapur. Pushimi në shtëpinë ku ka lindur Ismail Kadare (sot një muze) na bën të mësojmë për shkrimtarin më të famshëm shqiptar, i përkthyer në të gjithë botën.

Spektakli i natyrës shijohet gjatë udhëtimit për të vizituar Syrin e Kaltër, burim karstik që e merr emrin nga ngjyra e ujit. Përveç Tiranës, edhe qendra të tjera urbane po i drejtohen modernitetit si Saranda, Vlora, Durrësi. Por nuk mbaron me kaq.

Vreshta dhe një kantinë e veçantë

Turi shqiptar zgjatet nëpër brigje, plazhe, kështjella, manastire. Por nuk duhet lënë pas kalimi interesant në një kantinë në Kavajë. Ky është një shembull virtuoz i rrugës së re të verërave në vend. Zoti Fatbardh Belba ka mësuar artin e verës në Toskanë. Pasi u kthye në Shqipëri, filloi të aplikonte eksperiencën, duke mbjellë vreshta në tokën pjellore dhe duke prodhuar verëra shumë të mira. Udhëtimi përfundon atje ku filloi, me një shëtitje në kryeqytet ku shijohet movida me një shëtitje në Bllok, qyteti i jetës së natës. Në fund, nga mali i Dajtit vjen lamtumira për Shqipërinë. Këtu, pamja panoramike përqafon Tiranën dhe më tej. /G.S/.T.A.SH/ KultPlus.com

‘S’duam tuba, s’duam diga’

Muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, të gjithë së bashku, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“. Kjo këngë (një nismë e duos Duni – Zari) lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

O Valbonë me Shtojzovalle,

që këndon tek zbret ndër male, 

ujin duan të ta shterin, 

shtratin duan të ta bjerrin.

O moj Vjosë valë-valë, 

zonjë e rëndë, ti zonjë e rrallë, 

vrullin duan të ta presin, 

trupin duan të ta shesin.

Lumi qante lumin, ti dhe unë nuk bzajmë 

ç’qe ky fat hajdut që na zhvat nam e nishan.

(Refren) S’duam tuba, s’duam diga, 

s’duam pengesa dhe prita. 

Duam çdo njeri i mirë të thërrasë: 

Lum Lumi i Lirë!

Lumi vajton lumin, Valbonë shtatdhunuar, 

si në përrallë murosur o nuse gji zbuluar.

Thellë në shtrat o Vjosë zë rrënjë betonimi, 

kujë, mall e qumësht, si në legjendë murimi.

Kush është sot vërtetë shqiptar 

Shqipen s’e nxjerr në pazar, por thotë: 

“Mos vendos për mu, diga mbi lumenj nuk du!”/ KultPlus.com

Shqiptarët ftojnë yllin e filmit të njohur “Taken” që të vizitojë Shqipërinë (VIDEO)

Filmi i njohur “Taken” ku luan ylli amerikan Liam Neeson i portretizon shqiptarët si rrëmbyes dhe trafikantë diçka që ndodh edhe në shumë filma të tjerë. Prandaj, një grup shqiptarët e Shqipërisë kanë realizuar një video përmes të cilët kundërshtojnë paragjykimet për shqiptarët të cilat jepen përmes kinematografisë.

Shqipëria nuk është një vend i rrezikshëm është mesazhi i videos e cila vë në pah bukuritë e Shqipërisë dhe e fton yllin e njohur që të vizitojë këtë vend./ KultPlus.com

23 shkurti

Ali Podrimja

Tërë ditën
Ditën e 23 shkurtit
Rrobat më të shkurtra ndoshta
Për ditëlindjen e pesëmbëdhjetë
Bankënotën e fundit Petritit
Në Murin e Kujtesës edhe një gërvishtje
Konferenca e Rambujesë i takon të kaluarës apo
Flini të rënët e mi
Ka me u zgjue zëri i Dheut
Jashtë rrethit të vdekjes
Petriti fillon të 16-tat nesër
Unë vazhdoj të grindem me zotëra
Ç’ditë e shkurtër
Më e shkurtër se shkurtkeqja.
Ulpianë, 23 shkurt 1999/ KultPlus.com

Rrëfehet pas shumë vitesh operatori që filmoi rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës

Fatmir Çepani njihet si operatori i vetëm që ka regjistruar rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, përmbysja e të cilit solli edhe përmbysjen e sistemit komunist.

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë” me Nisida Tufën, Çepani rrëfeu detaje nga 20 shkurti i 1991. Ish-operatori i RTSH-së tha se ajo ditë për të ishte si gjithë të tjerat, një ditë ku i ishte ngarkuar detyra të ndiqte aktivitetin e Komunitetit Mysliman.

Çepani, u shpreh se pavarësisht thashethemeve që qarkullonin nuk e mendonte se atë ditë do të ndodhte rrëzimi i bustit të diktaktorit famëkeq, Enver Hoxha. Ish-operatori tha se gjithë ngjarjen e filmoi nga një kafene ku gjendej i ulur prej orësh dhe nuk e kishte idenë që ishte i vetmi që zotëronte pamjen filmike. Atë ditë ju ishit nisur me urdhër për të shkuar në një aktivitet të Komunitetit Mysliman Aktiviteti u realizua mbas atij aktiviteti ishte edhe një ekspozitë pikture. Dhe siç bëhet ndarja e punës shkuam në Pallatin e Kulturës, aktiviteti ka qenë në 8 të mëngjesit në mos gabohem.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe Sali Berisha. Berisha përshëndeti të pranishmit dhe tha duhet të largohem. Gjej momentin t’i falënderoj shumë për të gjithë kontributin e tyre pas mbarimit të aktivitetit ishte problemi që në komunikimin në të pashë një anomali. I thashë këtu do ndodhë diçka. Sa realizuam aktivitetin e Komunitetit Mysliman, gazetarja iku do çonte materialin për aktivitetin.

Nga ora 10 e mëngjesit deri nga ora 2 e drekës, unë kam qenë gjatë gjithë kohës në kafe, aty ishin shumë njerëz brenda besoj se nja 200 veta po ishin. Në atë kohë kishte një pakicë njerëzit në shesh. Thashethemet qarkullonin dhe nuk është se ishte masivi i madh pas orës 10 erdhën nga Rruga e Trenit, nga të gjitha kryqëzimet filluan të vinin njerëzit në mënyrë të organizuar. Koha ishte e kufizuar për të filmuar.

Kam lexuar se ishin nisur 11 grupe xhirimi atë ditë Me përjashtim të departamentit të informacionit që punonte me kapacitet të plotë, pjesa tjetër kishin marrë detyrat në aktivitete të ndryshme. Por, numri fizik sa qysh tek nuk e di. Realisht nuk e dija nëse kishte grupe të tjera në shesh. Realisht ishte një gjendje shumë e tensionuar. Edhe TVSH kishte tensionime shumë të mëdha atë ditë. /gazetatema.net/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=Jv9bYYorKGo

Eni Koçi paralajmëron këngë të re

Këngëtarja e njohur shqiptare, Eni Koçi, paralajmëron se së shpejti do të publikojë këngën më të re.

Koçi ka bërë të ditur se kënga do të titullohet “Afër dhe larg” dhe se do të publikohet më 3 mars, transmeton Koha.net.

Gjithashtu, këngëtarja ka zbuluar se kënga e re është punuar në bashkëpunim me humoristin shqiptar Olsi Bylyku.

“‘Afër dhe larg’ feat. Osli Bylyku. Së shpejti. 03.03.2019”, ka shkruar Koçi në Instagram./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BuO6nLWBdOX/

Sonte mbahet “Miss Gjermania”, kreatorja shqiptare vesh finalistet

Sonte do të mbahet finalja e “Miss Gjermanisë”  dhe mbrëmja pritet që të jetë e mrekullueshme. Një arsye më shumë për të ndjekur këtë ngjarje do të jenë kreacionet të cilat do i veshin kandidatet pasi që ato janë krijuar nga kreatorja shqiptare e njohur si Flora S.

Vajzat do të sfilojnë dy herë me kreacionet e shqiptares, ka bërë të ditur vet kreatorja Flora Suldashi për KultPlus.

“Vajzat do të hapin eventin me veshjet e realizuara nga unë dhe po ashtu edhe në fund tetë finalistet do të veshin fustanet e mia”, është shprehur kreatorja.

Kjo mbrëmje është shumë e rëndësishme dhe do të jenë mbi 2 mijë të ftuar si dhe një numër i madh i mediave të cilat do të mbulojnë këtë ngjarje. Kujtojmë se kreacionet Flora S janë parë edhe më herët në këtë garë bukurie/ KultPlus.com


Flora Suldashi

Suedia do të fillojë të paguajë gjyshet që kujdesen për nipërit dhe mbesat

Gjyshet janë simbol i përkujdesit dhe dashurisë për të gjithë. Thuajse secili nga ne e kujtojmë gjyshen tonë me shumë dashuri, pikërisht për këtë arsye. Në shumë familje, gjyshet janë ato që kujdesen për fëmijët gjatë kohës që prindërit janë në punë. E për këtë arsye, Suedia ka vendosur t’i shpërblejë.

Detyra rraskapitëse e kujdesit ndaj fëmijëve duhet të kompensohet edhe ekonomikisht.

Qeveria suedeze ka aplikuar një program pilot që parashikon pagesën e një rroge për gjyshet që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre nga e hëna në të premte.

Qëllimi i këtij programi është për të përmirësuar nivelin e punësimit në vend.

Dalarni dhe Stokholmi, kryeqyteti suedez, janë dy vendet ku do nisë programi. Programi do nisë tek 1.000 familje dhe në gjashtë muaj synohet të përhapet edhe në qytete të tjera.

Mendohet se rroga bazë do jetë rreth 700 euro dhe flitet edhe për një përfitim ekstra, afërsisht 100 euro, për t’u kujdesur për fëmijët në shtëpi.

Kjo do i japë mundësinë edhe nënave për të punuar të qeta.

Duket aq e pabesueshme, që diçka normale siç është një gjyshe e cila kujdeset për nipërit dhe mbesat, tani do jetë një punë e paguar mirë./oranews/ KultPlus.com

“Prit për kohën tënde, çdo gjë do të vijë në kohën e duhur”

“Njoh njerëz që janë diplomuar në moshën 21 vjeçare dhe nuk kanë gjetur një punë, as kur kanë mbushur 27 vjeçë. Njoh njerëz që janë diplomuar në moshën 25 vjeçare dhe kanë gjetur punë menjëherë. Njoh njerëz që nuk kanë shkuar asnjëherë në universitet, por e kanë kuptuar se çfarë pëlqejnë në moshën 18 vjeçare. Njoh edhe nga ata të rinj që kanë gjetur punë menjëherë sa mbyllën studimet e universitetit dhe kanë bërë para, por nuk e kanë pëlqyer atë që bënin. Disa të tjerë kanëkaluar vite me radhë për të kuptuar se çfarë pëlqenin. Njoh edhe nga ata që ishin të sigurtë se çfarë do të bënin, kur ishin 16 vjeç dhe e ndryshuan mendjen, kur ishin 26 vjeç.

Ka nga ata që kanë fëmijë, por janë beqarë dhe nga ata që janë të martuar, por shpresojnë me vite të tëra për të bërë fëmijë. Ka njërëz që janë në marrëdhënie me dikë, por duan dikë tjetër. Ka nga ata që e duan njëri-tjetrin, por nuk janë bashkë.

Pra, mendimi im është se gjithçka në jetë ndodh në kohën e duhur. Mund të shohësh drejt disa miqve të tu dhe të mendosh se ata janë shumë më para teje (disa mund të jenë edhe pas), por çdo gjë ndodh sipas ritmit të vet. Ata kanë kohën e tyre, po ashtu siç e ke edhe ti. Ji i duruar.

Në moshën 25 vjeçare, Mark Cuban u bë bankier në Dallas. U deshën vite që J. K. Roëling të botonte serinë e librave të Harry Potter, pasi u refuzua nga 12 shtëpi botuese. Ortega e lançoi firmën e njohur Zara në moshën 39 vjeçare. Jack Ma e filloi Alibaba-n, kur ishte 35 vjeç. Morgan Freeman bëri pushimin e tij më të gjatë, kur ishte 52 vjeç.

Të marrësh diplomën pas moshës 25 vjeçare është një arritje. Të mos jesh i martuar në të 30-tat, por të jesh i lumtur, është gjë e bukur. Të nisësh një familje pas moshës 35 vjeçare është plotësisht e mundur dhe të blesh një shtëpi, kur të jesh 40 vjeç, është gjë e mrekullueshme.

Mos e lejo askënd të të nxisë të ecësh me kohën e tyre, sepse ashtu siç ka thënë Ajnshtajni: “Jo çdo gjë që ka vlerë, mund të numërohet dhe jo çdo gjë që mund të numërohet, ka vlerë”. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Unë dua që secili nga ju të jetojë një jetë me objektiva dhe qëllime të mëdha dhe të mësojë t’i përdorë objektivat dhe qëllimet e veta për të sjellë një ndryshim në jetët e të tjerëve. Ky do të jetë suksesi i vërtetë i gjithsecilit nga ju”. / Jay Shetty/ Bota.al/ KultPlus.com

Mirjeta Qehaja erdhi me ekspozitën ‘Holokausti’ në Galerinë Qahili

Studentja Mirjeta Qehaja ka ekspozuar punimet e saj në ekspozitën personale të titulluar “Holokausti”, e cila u hap mbrëmë në Galerinë Qahili në Prishtinë. Mirjeta është studente e nivelit master në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Mirjeta tha që për këtë temë është inspiruar nga një vizitë që ka pasur në Auschwitz, ku situatën që ka parë atje, ka tentuar që përmes artit ta përkthejë në vështirësitë që hasin grupe të ndryshme shoqërore në jetën e tyre të përditshme.

“Problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, personat me aftësi të kufizuara e grupe të tjera shoqërore, për mua paraqesin një holokaust modern, të cilëve nuk iu rrezikohet jeta drejtpërdrejtë por në mënyrë latente” tha Mirjeta në fjalën e saj.

Puna e Mirjetës u duartrokit edhe nga të pranishmit e tjerë që ishin profesorë nga Fakulteti i Arteve, kolegë dhe familjarë të saj.

Ekspozita u mbështet nga Rotary Club Prishtina Newborn dhe Roma Versitas Kosova, shkruan faqja e Universitetit të Prishtinës.

Për të gjithë artdashësit, ekspozita do të jetë e hapur deri më 26 shkurt 2019. / KultPlus.com

Ermonela Jaho e mbështetë Elbenita Kajtazin, sonte në debutimin në ‘Le nozze di Figaro’

Elbenita Kajtazi, sopranoja e njohur nga Kosova, sonte do të debutojë në rolin e Sussanës në ‘Le nozze di Figaro’ nga Mozart.

Në mbështetje për këtë debutim sonte dhe për sukses të radhës të sopranos ka dhënë edhe Ermonela Jaho, emri i madh shqiptar që po pushton skenat e të gjithë botës me emocionet e saj, shkruan KultPlus.

Ajo ka shkruar në rrjetin social se ëndrrat bëhen realitet kur njeriu beson në to dhe i kushtohet në tërësi, duke i uruar suksese Elbenitës në këtë rrugëtim.

Elbenita sonte ngjitet në Staatsoper Hamburg, në një rol tjetër të rëndësishëm në karrierën e saj e cila tanimë nuk ka të ndalur.

Jaho dhe Kajtazi po e mbështesin njëra tjetrën në karrierën e tyre dhe si rrallëherë nga rastet tjera, duket se dyshja kanë këshilla dhe ndihmë për njëra tjetrën dhe po e ngrisin njëra tjetrën në majat e larta të performancave klasike në rruzull. / KultPlus.com

Sa shqiptarë e dinë serbishten dhe sa serbë shqipen në Kosovë

Gjuhën shqipe e flasin 5 për qind e serbëve, e kuptojnë pjesërisht 31 për e qind e nuk flasin fare 64 për qind e tyre, ka vlerësuar pas bërjes së një ankete Qendra për iniciativë sociale me përkrahje të Organizatës ndërkombëtare për migrim (IOM) dhe të Ambasadës së Britanisë Madhe në Prishtinë, përcjell portali “danas”.

Nga ana tjetër, rezultate e këtij hulumtimi tregojnë se në përqindje më të madhe dinë serbisht – 18 për qind e flasin, 49 për qind e kuptojnë pjesërisht, 31 për qind nuk e flasin.

Theksohet se vërehet trendi i përkeqësimit të situatës te të rinjtë, dhe kjo sidomos te shqiptarët nga të cilët 96 për qind janë përgjigjur se nuk dinë të flasin serbisht e vetëm 4 për qind e tyre kanë thënë se dinë pjesërisht këtë gjuhë, transmeton Koha.net.

Shqipen dëshirojnë ta dinë 71,3 për qind e serbëve, ndërsa ky trend te të rinjtë pa pakësohet (62 për qind). Serbishten dëshirojnë ta dinë 73 për qind e shqiptarëve, por vetëm 27 për qind e të rinjve.

46 për qind e serbëve thotë ta ketë pasur rastin të flasë shqip, ndërsa 36 për qind e shqiptarëve thonë ta kenë pasur rastin të flasin serbisht. Kontakte me bashkësinë tjetër nuk ka 39 për qind e shqiptarëve dhe 31 për qind e serbëve, ndërsa 41 për qind e serbëve kanë deklaruar se nuk e ka asnjë mik ose të njohur që e flet gjuhën shqipe.

Hulumtimi ka treguar se serbët e shqiptarët e zhvillojnë bisedën në gjuhën serbe në 82 për qind të rasteve, në anglisht 9 për qind, në shqip 7 për qind, ndërsa në gjuhët tjera vetëm 2 për qind.

Në pyetjes se “a jeni për futjen e gjuhës shqipe lëndë zgjedhore”, 34 për qind e serbëve kanë thënë po, ndërsa për futjen e lëndës gjuhë serbe janë 44 për qind e shqiptarëve.

Aleksandër Moisiu, besnik ndaj origjinës shqiptare

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të dielën e 16 gushtit 1925, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me reagimin e deputetit Stavro Stavri, mbi origjinën shqiptare të Aleksandër Moisiut.

Ai e ka cilësuar aktorin e famshëm në arenën ndërkombëtare, duke thënë se ai është besnik ndaj origjinës shqiptare, ndonëse është gjerman i natyralizuar.

z. Stavro Stavri, deputet i Durrësit, Tiranës, Kavajës, Shijakut dhe Krujës në Parlamentin shqiptar, na shkruan në lidhje me artikullin që botuam para pak kohësh për Aleksandër Moisiun.

Aleksandër Moisiu, edhe pse i natyralizuar gjerman që nga viti 1918, ka qëndruar besnik ndaj origjinës së tij, e cila është shqiptare, babai i tij është lindur në Durrës, qytet në të cilin jeton ende e gjithë familja e tij.

Ne i japim atij plotësisht të drejtë.
(Burimi: AURENC BEBJA)

Gjendje shqetësuese e drogës nëpër shkolla të Prishtinës, 275 të dyshuar

Fenomeni i përdorimit të drogave vazhdon që jetë prezent në shkollat e kryeqytetit dhe rreth tyre.

Më problematike në këtë aspekt janë shkollat e mesme, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Për të luftuar këtë dukuri, Policia ka angazhuar disa njësi. Një ndër to është edhe njësiti anti-drogë.

Sipas policisë, substanca narkotike më e frekuentuar në shkolla, është marihuana. Për një vit e pak muaj, brenda objekteve shkollore janë gjetur gjithsej 47.21 gramë marihuanë dhe 69.1 gramë në oborre të shkollave.

Nga fundi i 2017-s e deri më 31 janar të këtij viti, policia ka hapur 226 raste për përdorim të drogës në shkollat e kryeqytetit dhe rreth tyre.

Sipas statistikave të policisë, gjatë kësaj periudhe, janë arrestuar 275 persona të dyshuar, prej tyre 50 nxënës dhe 225 të tjerë.

Prej 275 të arrestuarve, 46 persona kanë qenë shpërndarës, ndërsa 229 përdorues të drogës.

Këtë situatë, zyrtarë të policisë e vlerësojnë si shqetësuese, pasi thonë se ka tendencë për shtimin e këtyre rasteve.

Aksione kryhen edhe ndaj objekteve dhe veturave të dyshuara përreth shkollave.

Fetah Zejnullahu, drejtor i shkollës së mesme “Sami Frashëri”, njërit nga gjimnazet më të mëdha në Prishtinë, thotë se kanë shtrënguar masat e sigurisë kundër përdorimit të drogave.

Situatën e shohin shqetësuese edhe në qendrën rehabilituese “Labyrinth”. Aty kërkojnë angazhimin e të gjithëve për hartimin e programeve parandaluese.

Sipas “Labyrinth”-it, në vitin 2007, mosha mesatare e personave që kanë filluar të përdorin drogë ka qenë 21.4 vjeç, ndërsa deri vitin e kaluar ajo ka rënë në 16.2 vjeç.

Shteti pagoi 3000 euro për 1000 stilolapsa, 5 parashuta me 5,770 euro

Në shtatë qytete të Kosovës u dërgua deklarata e pavarësisë në përvjetorin e 11-të të shtetësisë, por arkës së shtetit kjo i ka kushtuar 27 mijë euro.

Mbi 18 mijë euro u dhanë vetëm për shtypjen e saj, 5 e 250 të tjera për dukjen e kamionëve me ikonat ceremoniale, e shoferët e tyre morën nga 100 euro, ndërsa qiraja për 7 kamionët në total arriti në 2,800 euro, raporton KTV.

Në dokumentet e shpenzimeve që i ka siguruar KTV-ja, 1 mijë stilolapsa me ikonën e pavarësisë, buxhetit të shtetit i kushtuan 3 mijë euro, nga 3 euro secili.

Ndërsa 4 euro e 90 centë u pagua emblema metalike që liderët shtetërorë e kishin vendosur në xhaketat e tyre, e në total për to u dhanë 4 mijë e 900 euro.

Kompania “Dizarium”, 5 mijë euro ia mori shtetit vetëm për shpenzimet që i ka konsideruar si të paparashikuara, të cilësuara si kërkesa të minutave të fundit nga ta.

Po kaq para u dhanë edhe për konceptin kreativ, sloganin dhe zhvillimin e materialit.

Tre fotografë profesionalë që kanë përcjellë aktivitetet e pavarësisë, morën nga 1 mijë euro secili.

Qeveria, në kuadër të shpenzimeve, krijoi një domen për 5 vjet që i kushtoi 500 euro, derisa aplikacioni në rrjetet sociale kushtoi 1 mijë euro, e 500 euro të tjera u dhanë për sponsorizim.

Ceremonia në hotel Venus, shtetit i ka kushtuar rreth 31 mijë euro. Këtu hyjnë zbukurimi brenda dhe jashtë hotelit, zërimi, ndriçimi, përkthimi etj.

137 mijë euro ka kushtuar ceremonia kryesore, ku ka parakaluar për herë të parë ushtria.

Vetëm bina ku u vendosën liderët shtetërorë, i ka kushtuar shtetit 15 mijë euro. 1,780 euro të tjera u paguan për flamurin e madh që u ngrit mëngjesin e Ditës së Pavarësisë.

5 parashuta u dizajnuan veçanërisht për ditën e pavarësisë, çmimi i të cilave ishte mbi 1 mijë euro për copë, apo në total 5, 770 euro, por për paragllajdistët u paguan edhe 6,750 euro.

Në katër sheshet kryesore, nga Grandi deri te Kuvendi, zbukurimi i 75 shtyllave thuhet se kushtoi rreth 14 mijë euro.

Brendimi i grilave dhe barrikadave që ka ndarë qytetarët me ceremoninë shtetërore, ka kushtuar 13 mijë e 300 euro.

12 mijë e 150 euro, “Dizarium” thotë se u kushtuan për zbukurimin e 15 kiosqeve të drurit “Verë n’dimër”.

Ndërkohë, koncerti në shesh kushtoi rreth 33 mijë euro, 18 prej të cilave shkuan për artistët.

Hiç më pak se 25 mijë euro kanë kushtuar 11 minutat me fishekzjarrë në mbrëmjen e 17 shkurtit.

Këto e shumë shpenzime të tjera që arritën vlerën prej 300 e 10 mijë eurosh i mori kjo kompani që u kontraktua nga protokolli i shtetit, për festimin e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Protokolli kishte kërkuar 500 mijë euro, me pretendimin që paratë e mbetura do të ktheheshin prapa.

Gati dyfishin e këtyre parave i kishte shpenzuar Qeveria Haradinaj edhe për kremten e 10-vjetorit të shtetësisë.

600 mijë euro i kishte ndarë në fillim Qeveria, por muaj më vonë, në nëntorin e 2018-s, ajo ndau edhe 255 mijë e 613 euro të tjera në emër të shlyerjes së borxheve të mbetura nga kremta e dekadës së parë të shtetësisë.

Për dallim nga dy vitet e fundit, 9-vjetori i pavarësisë i kishte kushtuar Qeverisë vetëm 70 mijë euro.

Prandaj, për të marrë sqarime për vendimin e 12 shkurtit që ndau gjysmë milioni euro, kryeministri Ramush Haradinaj do të duhej të ishte para komisionit që mbikëqyr financat publike, por shefi i qeverisë nuk erdhi aty.

Përveç opozitës, kritika për shumën e ndarë kanë dhënë edhe deputetë të PDK-së.

Komisioni ka shqyrtuar edhe raportin e auditimit dhe pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2017.

Aty u tha se janë evidentuar një varg shkeljesh në raportin e auditimit.