Kënga qytetare shkodrane dhe ahengu

Repertori i këngës qytetare shkodrane është shumë i pasur dhe i larmishëm. E lindur në një ambient e në rrethana të caktuara historike, kjo këngë ka fituar tipare të përcaktuara mirë si gjuhë muzikore.

Ashtu si filigramat, meloditë e bukura shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhen e kohërave nga populli dhe një pjesë e tyre janë pastruar dhe pasuruar me elementë gjithnjë e më autoktone.

Në këngën qytetare shkodrane bëjnë pjesë këngët e ceremonialit të dasmës dhe ahengu qytetar. Përveç këtyre, përfshihen edhe këngë të tjera si këngët mitunore (“Nina-nana”), këngët e fëmijëve (“Mirë dita per kollana”), etj. Më të lashtat janë këngët

e dasmës ose vallet e kënduara. Ato përbëjnë një nga dukuritë më të bukura folklorike muzikore jo vetëm të qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë trashëgimisë shpirtërore dhe artistike të popullit tonë. Muzika e tyre shumë e brishtë, elegante dhe delikate është ruajtur mjaft mirë.

Këngët e dasmës shkodrane

Në qytetin e Shkodrës këngët e dasmës këndohen kryesisht në tre raste: në dasëm, pra në martesë, në festat e pranverës ose shrregullat dhe në shetitje. Rituali i martesës është ai më i bukuri dhe më i pasuri. Dasma shkodrane, deri para 60-70 vitesh, zhvillohej sipas një ceremoniali të përcaktuar mirë, i njohur dhe i zbatuar me përpikmëri si nga ana e shtëpisë së djalit, ashtu edhe nga ana e vajzës. Të gjithë, burra dhe gra, shoqëronin me këngë e valle momentet e ndryshme të këtij ceremoniali.

Para se të vazhdojmë me parashtrimin e veçorive kryesore letrare dhe muzikore të valleve të kënduara të qytetit të Shkodrë, dy fjalë mbi kuptimin që ka, në kontekstin e dhënë, përdorimi i termit “valle”.

Në Shkodër vallet nuk kërceheshin, nuk dancoheshin, por këndoheshin. Megjithatë, në receptorin e këngëve të dasmës shkodrane kemi ndonjë valle e cila këndohej e shoqëruar edhe me lëvizje. Dy janë llojet e lëvizjeve me të cilat interpretoheshin këto valle:

Formohej një rreth i madh ku çdo njeri i vinte krahun tjetrit dhe, të gjithë së bashku, këndonin duke lëvizë hapin sipas ritmit të këngës, së parit nga e djathta, pastaj nga e majta. Në këtë mënyrë interpretohej, ndër të tjera, kënga “Sillet vallja rrotull-o, moj syzezë”.

Formohen dy rrjeshta prej tetë apo dhjetë vetësh që, të kapur sup më sup, qëndronin përballë njëri-tjetrit në largësi prej dy ose tre metrash. Njëri rrjesht ishte i formuar prej burrash, tjetri prej grash. Burrat fillonin të këndonin vargun e parë të këngës dhe njëkohësisht lëviznin, sipas ritmit të këngës, në drejtim të grave.

Me të njëjtën lëvizje dhe duke kënduar të njëjtin varg, ktheheshin, pa u sjellë, me hapa mbrapa, në pozicionin e nisjes. Po të njëjtën lëvizje, melodi dhe fjalë përsërisnin edhe gratë. Në këtë mënyrë interpretoheshin pothuajse të gjitha këngët me ritmin karakteristik 7+5/8, ritëm që sipas studiuesve të folklorit tonë muzikor, mendohet të jetë origjinal i yni.

Në tërësinë e shfaqjes së tyre (përmbajtja, muzikë, vargje), vallet e kënduara të qytetit të Shkodrës nuk janë thjeshtë një fenomen artistik, por tregues i gjallë i një jete ku ballafaqohemi me mënyra të menduari, me të dhëna etnografike, me marrëdhëniet midis pjesëtarëve të familjes, me të afërmit, miqtë dhe rrethin shoqëror. Përmes tyre ne njihemi deri në hollësitë më të vogla që kanë të bëjnë me urimet, dëshirat, gjellët e dasmës, bestytnitë, mallkimet etj. Ato përfshijnë njëhark aq të gjërë veprimesh të shprehura me një thjeshtësi e natyrshmëri fjalësh, figurash, melodish; sa që në një trajtim dhe ekzekutim të plotë të tyre, çdo sektor studimi i pasurisë materiale dhe shpirtërore të popullit tonë do të gjente një material të prekshëm dhe të ndjeshëm. Të gjithë këtë bagazh vlerash të padiskutueshme artistike, populli e ka skalit, plotësuar në çdo detaj, pa përsërit asgjë dhe, ajo që është më e rëndësishme, e ka ruajtur të plotë, duke ua përcjellë brezave gjithnjë të freskët dhe me po atë dendësi emocioni.

Në vargjet e këngëve të dasmës shkodrane ndeshemi me thënie popullore të një karakteri të thellë përgjithsues si dhe me një fond gjuhësor të pasur dhe të virgjër. gjithashtu, disa nga këto këngë i përshkon një humor i hollë që, përgjithësisht, i përgjigjet një morali të shëndoshë.

Në qendër të këngës së tekstit poetik është djali e vajza që sapo kanë vendosur të bashkojnë fatet e tyre në jetë. Veçanërisht i goditur është portreti i vajzës dhe nuses shkodrane. Poeti anonim e shëmbëllen atë me “zambakun e bardhë” si shenjë e pastërtisë

dhe fisnikërisë, me “trendafilin” si shenjë e zjarrtë e dashurisë; me “lulen e allit”, “shebojën”, “gjyljakun”, “marangjylin” e plot lule tjera që ai ka zgjedhë me kujdes për t’i kënduar bukurisë së saj. Më tej poeti anonim e krahason nusen me trupin e një “selvie”; e çmon si “dardhë”, si “mollë”, si “pjeshkë”, si “portokall”, si “limue” etj.; ia përshkruan synin si “filxhan”, vetullen si “gajtan”, faqet si “gurabi”, gojen si “kuti”, dhëmbët si “inxhi”, gushën “farfuri”, hunden “miskali” e plot shprehje tjera, njëra më e bukur se tjetra ,që së bashku plotësojnë portretin e gjallë e plot jetë të vajzës dhe gruas shkodrane.

Edhe pse të pakta në numër, nuk mungojnë gjithashtu këngët që i këndojnë hijeshisë dhe virtyteve të djalit. Kujtojmë këtu këngët “Broj një pëllumb i bardhë”, “Bini karajfili i bardhë”, apo këngët ku djali krahasohet me “bilbilin” këngëtar, “lejlekun” shtegtar, trimin “sokol me fletë” etj si këto.

Nga ana muzikore vallet e kënduara të qytetit të Shkodrës ruajnë karakteristikën e një stili unik, qoftë për sa i përket ndërtimit melodik, modal e ritmik. Meloditë e tyre të shkurtëra kufizohen brënda pak notave. Në një veshtrim të parë, të lind përshtypja sikur këto këngë janë krijuar brënda një dite, nga të njëjtit autorë dhe se ruajnë pak a shumë të njëjtat emocione. Por mjafton edhe një lëvizje e

vogel në planin melodik, qoftë thjeshtë edhe në atë harmonik për t’i dhënë çdo njëres prej tyre fizionomi të veçantë. Një gjë e tillë flet jo vetëm për faktin se ato janë shumë të vjetra sepse, sa më parake të jetë një muzikë, aq më pak ndryshime elementesh melodikë vërejmë në te; por edhe për nuhatjen e hollë prej artisti të popullit tonë që, me mjete muzikore shumë të kursyera, ka dijtë të derdhë me mjeshtri në këto këngë dufin e shpirtit të vet.

Këngët e dasmës shkodrane paraqesin interes për qartësinë melodike, për thjeshtësinë dhe për arkitekturën e ndërtimit. Zakonisht ato janë të ndërtuara në formën e periudhës, të përbërë prej dy fjalishë. Fjalitë janë të barabarta ose përsëriten duke u lidhur njera me tjetren me lidhëse ose karakteristika tjera muzikore si kthesa harmonike etj.

Kadencat përfundimtare janë pothuajse të njëllojta. Ato realizohen në zbritjen graduale nga terca minore në tonikë. Përjashtim bëjnë këngët e ndërtuara kryesisht në ritmin 3+2/4 të cilat kadencojnë me zbritjen e menjëhershme nga kuarta në tonikë.

Meloditë e valleve të kënduara kanë një shtrirje të kufizuar që nuk e kalon kurrë kuinten. Seksta maxhore që vërejmë në kulminacionet e disa këngëve, ndërtohet jo mbi primen e tonikës, por mbi basen e tingullit nentonik. Shembull këngët “Moj maranxhë e moj limue”, “Lanë vasha te guri i lumit” e ndonjë tjetër si këto.

Shtrirja e kufizuar e melodisë së këtyre këngëve tregon më së miri edhe për faktin se ato nuk janë ndikuar gjatë kohës nga bashkëjetesa me muzikën e kultivuar, qoftë edhe nga manifestimi tjetër muzikor popullor që lulëzoi më vonë në qytetin e Shkodrës po në të njejten ceremoni, pra në dasem, siç është “ahengu” me të cilin vallet e kënduara të qytetit të Shkodrës, me përjashtim të ritmit 7+5/8, nuk kanë asgjë të përbashkët.

Vallet e kënduara fillojnë zakonisht me gradën III (terca minore), apo me tingullin nëntonik (grada VII e ulur). Rrallë takojmë këngë që fillojnë me gradën IV; kurse në asnjë rast me gradët I,II dhe V. Të gjitha këngët, pa përjashtim, përfundojnë në tonikë. Grada II është krejtësisht e paqendrueshme dhe luan gjithnjë rolin e tingullit ndihmës ose kalues. Një rol i tillë i dytë arsyetohet me faktin se akordi që ndërtohet mbi këtë gradë është akord disonant.

Veçori tjetër e pjesës më të madhe të këngëve të dasmës shkodrane janë edhe shtesat e vargjeve, kryesisht me mbaresa herë urimi, herë humori, herë thirrje apo grimca fjalësh me kuptim ose pa kuptim. Kujtojmë disa prej tyre: “bini, moj bini”, “moj e hollë”, “moj beqare”, “moj lule”, “moj lajle”, moj mollë e kuqe”, “moj nana ime”, “o babë loci”, “marshalla, marshalla”, “lum, lumi unë”, “rashë e vojta”, “tintananja, moj tintananja”, “rring rringexhing, moj rring rringexhing”, etj.

Zgjerimi që pëson në këto raste fjalia e dytë, ndikon dukshëm në përforcimin e mendimit muzikor që mbartë kënga. Në rastin kur shtesa është e vendosur në fillim të fjalisë së parë, ajo zë vendin e një ekspozicioni të vogël. Shembull këngët “Broj nji sokol”, “Moj maranxhë e moj limue” e cituar më lart etj. Gjithashtu kemi raste kur përsëritet një rrokje e brëndshme e vargut, këndohet dy herë rrokja e fundit apo futet një rrokje e huaj në mes të fjalës si, p.sh., “thu-ve-ja”, “lu-ja-ga” etj.

Duke shfletuar vëllimin “Valle kombëtare”, botuar nga muzikologu Gjon Kujxhija në Firenze (Itali) më 1943, vërejmë se ndër 51 këngët e përfshira në këtë vëllim, mbizotërojnë ritmet 2/4, 3+2/4 dhe 7+5/8. Vijnë pastaj ritmet 2+3/4, 4/4, 3/4+3/8 dhe vetëm tri këngë në ritmin 7/8 që përbën bazën e lëvizjes ritmike të këngëve të “ahengut”.

Është e kuptueshme se në këngët ku ritmi është i thjeshtë, melodia ruan karakterin e një bisede masive dhe të organizuar mirë; kurse në këngët ku ritmi është më i ndërlikuar, kënga merr karakterin e një bisede më të kerkuar. Megjithatë, si në rastin e parë, ashtu dhe në të dytin, biseda tingëlluese zhvillohet e lirshme, e pa sforcuar dhe gjithnjë emocionuese.

Në repertorin e këngëve të dasmës shkodrane kemi më shumë tekste këngësh se sa melodi d.m.th., me një melodi këndohen dy, tri e më shumë tekste poetike. P.sh., me melodinë e këngës “Li bardha nëpër Dri” këndohen edhe vargjet e këngëve “Urdhëroni zotni e merrni”, “Ç’po shendritë rruga mbarë”, “Sonte âsht e diele mbráma” dhe “Udha e mbarë o krushku i parë”. Dy janë hipotezat që argumentojnë një gjë të tillë. Ose melodia e disa këngëve ka humbur, ose poeti anonim i ka shtuar ndonjë poezi të re melodisë që i ka pëlqyer më shumë.

Per të mënjanuar mospërputhjet e mundshme midis theksit muzikor me atë të vargut poetik, interpretuesit e këtyre këngëve kanë qenë të detyruar, sipas rastit, ose të dyfishojnë rrokjet në brëndi të fjalëve, ose të vendosin në fillim apo në fund të vargjeve grimca të vogëla fjalësh që, në më të shumten e rasteve tingëllonin si pasthirrma. P.sh., “jo”, “po”, “brê”, “more”, etj. Pjesërisht këtë gjë e kemi trajtuar edhe më lart kur kemi folur per shtesat në mbarim apo në fillim të vargut poetik.

Baza modale e këngëve të dasmës shkodrane është diatonike e pastër, kryesisht modi eolian (minori natyror), provë tjetër kjo e lashtësisë së tyre. Por, megjithë thjeshtësinë e ndërtimit melodik, funksioni modal në këngët e dasmës shkodrane nuk është kaq i thjeshtë.

Gati të gjitha këngët fillojnë me primen e gradës së shtatë të ulur, pra në maxhore, dhe duke kaluar në subdominantë, pa përjashtim, zgjidhen në tonikën minore. Një gjë e tillë i jep frazës fillestare një karakter të dritshëm e burrëror që krijon një kontrast të bukur me shprehjen e çiltër lirike të këngës në përgjithësi. Ky dualizem që ndodh në procesin modal të këngës, me sa duket është shprehje e psiqikës sonë kombëtare, meqë edhe në këngët tjera popullore jashtë ciklit të dasmës e ndjejmë në këtë mënyrë (kemi parasysh kryesisht kadencimet në pjesën më të madhe të këngëve tona popullore).

Është vendi të ndalemi pak këtu në diskutimin e një praktike të gabuar në interpretimin e këngëve të dasmës shkodrane (kam parasysh rastet kur ato këndohen të shoqëruara me orkestër). Disa muzikantë të pa formuar, të ndikuar prej muzikës së huaj, sidomos asaj të fqinjëve sllavë, e interpretojnë dhe e ndjejnë atë në një mënyrë që gjithçka mund të jetë, por shqiptare jo.

Ta ilustrojmë këtë me një shembull. Kënga “Zojë nuse, kunata e jonë” fillon në tonalitetin Sol maxhore dhe përfundon në tonalitetin la minor. Poqe se noten përfundimtare la e harmonizojmë jo si tonikën e tonalitetit la minore, por si gradën e pestë të dominantës të tonalitetit Sol maxhore ne, dashtë pa dashtë, i japim asaj një ngjyrë, një karakteristikë që është tipike për muzikën sllave. Një gjë të tillë e vërejmë edhe në interpretimin e disa këngë të ahengut që kanë pak a shumë të njëjtën strukturë me këngët e dasmës shkodrane.

Këngët e dasmës shkodrane këndoheshin në kor, pa shoqërim instrumental. Këngën e fillonin burrat, pastaj gratë përsërisnin të njëjten melodi dhe fjalë që këndonin burrat. Sipas dëshmive gojore të të vjetërve, gratë e përsërisnin melodinë jo në tonalitetin që e këndonin burrat, por një kuartë më lart, d.m.th., në tonalitetin e subdominantës. Një mënyrë e tillë interpretimi e këngëve të dasmës shkodrane, jo vetëm bënte të mundur përshtatjen e zërit sipas specifikës së zërave,

por njëkohësisht krijonte edhe njëfarë modulacioni organik në karakterin modal të vetë këtyre këngëve. “Ky ndryshim shkalle, – shprehet muzikologu Gjon Kujxhija në studimin që i paraprinë veprës “Valle kombëtare” të cituar më sipër, – i jep valles një fuqi shprehjeje më të gjallë; duket porsi fillimi i sistemit të fugës…”

Pavarësisht se një mënyrë e tillë të kënduari ka shumë kohë që nuk dëgjohet më; deri në momentin që këto këngë filluan të këndoheshin të shoqëruara me orkestër, grupi i dytë që i përgjigjesh grupit të parë të këngëtarëve, e fillonte këngën pa mbaruar mirë frazen e fundit të këngës grupi i parë, duke krijuar kështu përshtypjen e në vazhdimësie valëzuese.

Duke përfunduar këto shënime lidhur me këtë pasuri të paçmueshme të folklorit tonë muzikor, shprehim keqardhjen që vallet e kënduara të qytetit tonë nuk po e luajnë më rolin e tyre si bartëse kryesore të emocioneve në dasmat tona. Për më tepër ato po dëgjohen përherë e më rrallë, të gershetuara me këngë tjera, jo vetëm të ahengut që kishte edhe ai vendin e vet në dasmat tona, por ç’është më keq, edhe me këngë të huaja apo tjera të një shije të rëndomtë. Brezi ynë i ri nuk do të na falin ne muzikantëve shkodranë po qe se nuk punojmë për ringjalljen e tyre dhe krijimin e një atmosfere të shëndoshë në dasmat tona.

Këngët e Ahengut Shkodran

Krahas valleve të kënduaram, në folklorin muzikor të qytetit të Shkodrës bëjnë pjesë edhe këngët e ahengut, këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez pas brezi, duke rritur pa reshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre.

Dihet që pas pushtimit turk të vendit tonë, shumë qytete shqiptare, ndër to edhe Shkodra, për një periudhë të gjatë kohe nuk e morën dot veten. Megjithkëtë, është i njohur fakti që qytetet tona, edhe pas këtij pushtimi, kanë patur e kanë zhvilluar kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet.

Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme, në një stad të caktuar të zhvillimit të qyteteve tona, për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara. Vetë ndërtimi i këtyre këngëve, si formë më e zhvilluar, lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet shoqëror të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve.

Këngët e ahengut shkodran shquhen për tematikën kryesisht lirike-erotike me theks intim, për pathosin e thellë emocional dhe për dinamikën e zhvilluar që i karakterizon. Në to kanë zënë vend një radhë elementësh muzikorë të veçantë, siç janë frymëmarrja e gjërë e melodisë (mveshja e së cilës me lloj-lloj melizmash e

kadencimesh të lira i kanë falur asaj, krahas tingëllueshmërisë vokale, ndonjëherë edhe tipare instrumentale); trajtimi lirik (ku pasazhet e improvizuara gërshëtohen me ato të inkuadruarat); mbështetja në një radhë modesh të pasura; modulime të pazakontë; karakteri shprehës-emocional që ato marrin sipas rastit; përcjellset instrumentale (që kontrastojnë me dinamikën e vokalit); roli që luan në to shoqërimi instrumental etj.

Fakti që këngët e ahengut shkodran nuk kanë asgjë të përbashkët me këngët e tjera e sidomos me ato të ciklit që këndohen në dasëm, qoftë përsa i përket përmbajtjes, qoftë ndërtimit të tyre melodik, ritmik e modal; ka bërë që herë pas here të shfaqet

ndonjë mendim i kundërt lidhur me origjinën shqiptare të tyre. Por, pavarësisht nga këto mendime të shkëputura të cilat janë krejtësisht të pa argumentuara (fatkeqsisht studimet tona muzikore janë dukshëm të vonuara në këtë fushë), edhe këngët e ahengut gjatë kohës janë bërë pjesë e pandarë e asaj feste të madhe me karakter popullor siç është dasma.

Është i pamohueshëm fakti që, së bashku me pushtimin ushtarak, pushtuesi osman u përpoq të impononte kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet. Por tashmë populli ynë kishte fituar tipare të përcaktuara mirë të kulturës së tij shpirtërore, të muzikës së tij, të folklorit të tij në përgjithësi që i ruajti dhe i zhvilloi me përpjekjet e tij shumë shekullore kundër pushtuesit të huaj, kundër asimilimit si popull, gjuhë, muzikë, zakone etj.

Duke u nisë nga sa thamë më siper, mendojmë se këngët e ahengut shkodran nuk mund të quhen të huaja pse në to ndikimi i një kulture tjetër është i ndjeshëm. Populli i ka seleksionuar ato duke ia pershtatur kerkesave shpirtërore dhe psikologjisë së tij. Nga ana tjetër, fenomene të tilla takojmë edhe në kulturat muzikore të popujve tjerë. Ato duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore që nuk cenojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të ahengut shkodran.

Në repertorin e pasur dhe të larmishëm të ahengut shkodran dallojmë disa tipe këngësh. Në përgjithësi ato ruajnë një unitet stilistik që flet qartë për epokën në të cilën janë krijuar dhe për evoluimin që ato kanë pësuar kohë pas kohe.

Melodia e këngëve të ahengut është në shumë raste e një sentimenti subjektiv, e butë dhe shumë përkëdhelëse për plastiken e saj. Kjo lidhet me përmbajtjen emocionale të këngëve. Zakonisht ato trajtojnë tema të lirikës qytetare në plan mjaft sentimental. Sentimentalizmi i tyre kalon në ndonjë rast edhe në shpërthime erotike disi të ekzaltuara.

Në krahasim me vallet e kënduara, këngët e ahengut shkodran kanë një shtrirje dhe një diapazon shprehës shumë të gjërë. Kulminacionet vijnë natyrshëm dhe zakonisht ndërtohen në pjesën e fundit të ndërtimit muzikor, duke konkretizuar kështu me forcë mendimin e vet.

Dy janë tipet e melodive kryesore që përbëjnë ciklin e këngëve të ahengut shkodran: meloditë e inkuadruara qartë nga ana ritmike dhe ato të karakterit të shtruar, që ose këndohen në mënyrë krejt të lirë, ose herë pas here gërshetohen me momente të inkuadruara ritmikisht.

Këngët e karakterit ritmik shquhen për një lirizëm efektiv, mjaft dinamik. Meloditë e tyre janë të zhveshura nga zbukurimet e shumta. Janë më koncize dhe ndërtohen me struktura frazore binare. Shembull këngët: “Ti je krejt si nji ganxhe”, “Ala emnin s’ta kam xanë” etj. si këto.

Këngët e karakterit të shtruar që këndohen sipas deshirës dhe ndjeshmërisë së këngëtarit, shquhen për zbukurimet e shumta, për natyren e një “ornamentalizmi oriental”, për rrjedhshmërinë dhe delikatesën e shprehjes artistike muzikore.

Të gjitha zbukurimet në tipet e melodive të shtruara qendrojnë si elementë jo të jashtëm. Në këto elemente shfaqen veçantitë e asaj lirike e cila shpreh një botë të tërë emocionale. Në këto këngë ku bëjnë pjesë edhe grupi i këngëve “jare”, ndjejmë thellë fantastikën krijuese të popullit. Shembull kënga “Jare të due, mori të due”.

Ritmika e këngëve të ahengut shkodran është shumë e pasur, qoftë për strukturën ritmike mbështetëse, qoftë edhe për formën. E kemi fjalën këtu jo vetëm për ritmin si skemë apo për karakterin e aksenteve, por edhe për trajtimin shumë të lirë që marrin këto aksente në kontekstin e dhënë.

Pjesa më e madhe e këngëve të ahengut shkodran shtjellohen në ritmin 7/8, pastaj vijnë ritmet 2/4 dhe 7+5/8. Më pak takohen ritmet 3/4, 5/8, 5+7/8 dhe 8/8. Brënda këngëve të shtrira ndeshemi edhe në kombinime ritmike të tilla siç janë ritmet 4+3/8, 4+5/8 etj. Shembull kënga “Edhe njiherë due me kja hallin”.

Kjo ritmikë që në veshtrim të parë duket sikur është e çrregullt, në ekzekutimin e ahengxhinjve shkodranë tingëllon jo vetëm shumë e natyrshme, por edhe shumë shprehëse. në kontekstin e dhënë, renditja e aksentave nuk ka më vlerë organizuese brënda masës, por brënda frazës. Në këto raste, ashtu si melodia, edhe ritmika ruan natyren e një improvizimi ritmik.

Zakonisht këngët e ahengut shkodran ndërtohen në formën dy pjesëshe të thjeshtë (strofë – refren) dhe pa përjashtim, kanë një hyrje instrumentale. Si rregull këto hyrje shtjellohen brënda 16 masave. Ka raste kur fillesat instrumentale ndërtohen me materialin tematik të vetë këngës, por në përgjithësi ato përmbajnë material krejt të ri, duke sjellë kështu zgjerimin e mëtejshëm të sferës emocionale të këngës. Shembull kënga: “Pranverë e bukur”.

Në këngët e ahengut shkodran, rëndom, takojmë edhe fraza instrumentale brënda për brënda këngës. Këto momente janë të lidhura jo vetëm me njifarë ndihme, po mund të shprehemi kështu, që i jepet këngëtarit për vazhdimin e mëtejshëm të këngës, por në mjaft raste edhe plotëson, zgjeron mendimin, i bën njëfarë jehone këtij mendimi. Megjithëse këngët e ahengut shkodran janë të stilit homofonik, këto fraza sikur krijojnë njëfarë “imitacioni” të largët. Shembull kënga “Në zaman të njasaj furi”.

Struktura modale e këngëve të ahengut shkodran mbështetet mbi një bazë të gjërë modale, duke filluar nga modet natyrore maxhore e minore, deri tek ato të ashtuquajturat mode orientale. Këto shkallë modale që populli i quan “perde” ose “makame”, janë gjithsej dymbëdhjetë dhe përcaktohen zakonisht nga tonika dhe lidhja e gradëve të ndryshme që bëjnë pjesë në strukturën e shkallës.

Nganjëherë ndryshimi ndërmjet dy perdeve qendrore tek shtrirja ose diapazoni i tyre, d.m.th., dy perde kanë pak a shumë të njëjtën renditje intervalore, por dallohen nga diapazoni, shtrirja ose funksionet modale të tyre. Një gjë e tillë e ndërlikon mjaft ndërtimin e tyre.

Në dasmën tradicionale shkodrane, këngët e ahengut shkodran grupoheshin në shtatë grupe. Çdo njëri prej këtyre grup këngësh hapej e mbyllej me një pjesë instrumentale. Në tërësi, ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në orët e para të mengjezit të ditës së neserme. Këngët që i përkisnin një grupi, këndoheshin në orë të caktuara të natës dhe përmbajtja e tyre lidhej në njëfarë mase me veçoritë e kohës kur këndoheshin. Kështu, këngët e grupit “sabah” që përfundonin krejt ahengun, këndoheshin në të gdhirë.

Shoqërimi orkestral bëhej me një grup instrumentash të përbërë prej violinës, sazes që kishte 10 tela dhe që akordohesh mbi parimin e kuartë-kuintës (la-re-sol); kavallit, dajresë. lugëve ose çapareve. Sazeja nuk përbënte një bazë të përhershme tonale, sepse akordi i saj lëvizte në varësi të grup këngëve. Nga gjysma e dytë e shek. XIX, kavalli u zëvëndësua nga klarineta. Më vonë, në vend të sazes hyri braçi, instrument melodik me forcë tingëlluese më të madhe se sazeja dhe bugarija që, në vend të akordit pedal, shoqëronte me harmoni të rregullt. Në çerekun e parë të shek. XX, hyri edhe basi që siguroi fondamentin e orkestrës. Shtatë ishin akordimet që përdorin instrumentistët për të rënë në ujdi me njëri tjetrin.

Këngët e ahengut shkodran janë kënduar nga tenorë lirikë dhe me një impostim të bazuar në shkollën popullore të të kënduarit. Duke iu referuar një transkriptimi të vjetër të këngës

“Në zaman t’njasaj furi”, rezulton se këngëtari shkonte lart deri tek nota Re bemol e oktavës së tretë. Gjatë ahengut këngëtari me përvojë ia linte radhen një këngëtari të ri. Kështu tradita e të kënduarit popullor transmetohej nga brezi nën mbikqyrjen e një këngëtari të njohur popullor. Shkolla popullore e të kënduarit meriton një vëmendje dhe studim të veçantë.

Një vend të veçantë në këngët e ahengut shkodran zënë këngët e trimërisë, si evokim i traditave luftarake të popullit tonë. Përmbajtja e re i ka diktuar krijuesit popullor nevojën e përdorimit të një ritmike dhe intonacioni jo thjeshtë qytetar. Në strukturën e këtyre

këngëve vërejmë prirjen për t’iu shmangur modeve karakteristike të këngëve të ahengut, gjë që në shumë raste i afron këto këngë me intonacionet e këngëve të trimërisë që këndohen në Malësi. Shembull janë këngët: “Dasho Shkrelit”, “Dedë Gjon Lulit”, “Ali Pashë Tepelenës”, “Krisi topi, gjemoi deti” etj. si këto.

Bashkëtingëllimi për një kohë të gjatë në dasmat e qytetarëve shkodranë e këngëve të ahengut me vallet e kënduara, ka bërë që mjaft elementë intonativë të këtyre të fundit të zënë vend në strukturën e disa këngëve të ahengut. Shembull këngët “Si t’kam dashtë unë ty”, “Hajde verë e bardha verë”, “Mollë e kuqe top sheqere” etj. të kësaj natyre. Së bashku me këto intonacione, ato u kanë falur këtyre këngëve edhe elegancën, finesën dhe ndjeshmërinë që është tipike per vallet e kënduara.

Është vendi këtu të japim disa konsiderata lidhur me evoluimin që vërehet dukshëm në krijimtarinë popullore të këtyre 100 viteve të fundit, krijimtari që ka pasuruar me vlera të qendrueshme repertorin e këngëve të ahengut shkodran.

Në qoftë se në periudhat e hershme të krijimit të këngëve të ahengut shkodran, mendimi muzikor ishte mjaft i zhvilluar dhe që në disa raste merr përmasa të një bukurie të veçantë, mendimi poetik qendron në këto këngë relativisht prapa. Dhe kjo është e kuptueshme. Temat shoqërore, në kushtet e një pushtimi të egër dhe prapanik, trajtoheshin në tekstin poetik në mënyrë të terthortë, alegorike. Megjithkëtë, në fillimet e zgjimit tonë kombëtar, Rilindjes sonë Kombëtare,

kemi një evoluim të ndërgjegjshem si të përmbajtjes, ashtu dhe të formës në këngët e ahengut shkodran.

Nuk ka dyshim se këngët më të mira të ahengut shkodran, krijuar gjatë 100 vjeçarit të fundit, janë dhe duhen vlerësuar si dokumente muzikore ku ndjehet dinamika e jetës qytetare dhe zbulohen një radhë motivesh shoqërore, të cilat, nga jeta zunë vend në këngë dhe që nuk i takojmë në këngët tjera popullore si, p.sh., në këngët e dasmës, të cilat pasqyrojnë vetëm ceremonialin e saj.

Ky fakt na shtron për detyrë të nxjerrim në pah këtë dinamikë jetësore që pasqyrohet në këngët e ahengut shkodran të kësaj periudhe. Kështu, në këto këngë dallojmë elemente të zhvillimit arsimor (nga kënga “Iptida due me fillue” sjellim vargjet “Ku ta gjejë unë nji shkollar/F’tyren tande me ta shkrue”); dallojmë kalimin nga shprehjet alegorike në thirrjen e drejtpërdrejtë të objektit të frymëzimit

(këngët “Sa me t’shpejtë ma vune kamben”, “Midis t’ballit m’ke nji pikë”); dallojmë vendosjen për herë të parë të emrit të vajzës në tekst (këngët “Mori drandofilja e vogël”, “Kur me flet me gojë moj Gjyle”); rritjen cilësore të vargut poetik nën ndikimin e poezisë qytetare të kohës; ngjyrën lokale që marrin këngët (këngët “N’Shkodër tonë ka ra nji dritë”, “Ti moj Shkodër, Shkodra e jonë”); dallojmë pasurimin e teksteve të këngëve me elementë përparimtarë, siç është mosperfillja ndaj kufizimeve fetare etj.

Në planin muzikor të tëra këto gjejnë reflektim në kontekstin e përgjithshëm të këngës, këngë e cila arriti kulme të tilla që janë vlerësuar si paralajmëruese apo modele të para të romancës e deri të aries shqiptare (këngët “Marshalla bukurisë sate”, “Për mue paska kenë kysmet”, “Kenke nuri i bukurisë”).

Mund të themi me bindje se sot proçesi i zhvillimit të këngëve të ahengut qytetar (e kemi fjalën këtu jo vetëm për ato të qytetit të Shkodrës, por edhe të disa qyteteve tjera shqiptare ku këto këngë janë kultivuar pak a shumë në të njëjtat rrethana historike dhe po me të njëjtat karakteristika muzikore), ka hyrë në një etapë të re që paraqet ndryshime të dukshme në procesin e zhvillimit të hershëm të saj.

Mjafton të theksojmë kalimin nga tradita gojore e transmetimit në atë të notizuar; variantet e reja të interpretimit të këtyre këngëve nga artistët profesionistë; ndryshimet në tekst e muzikë që iu bënë varianteve të vjetra nga vetë muzikantët popullore; gërshetimin e këtyre këngëve në dasma, festa familjare, manifestime të ndryshme artistike-muzikore si koncerte etj. me këngë të muzikës së lehtë, popullore të krahinave tjera të vendit tonë apo edhe me muzikë të popujve dhe vendeve tjera.

Koha ka seleksionuar repertorin e gjërë të këngëve të ahengut, duke pranuar ato që janë me të vertetë popullore dhe që shprehin ndjenjat e aspiratat e tij si dhe duke mënjanuar ato që mbartin karakteristika dhe mënyra jetese të huaja për popullin tonë. Sidoqoftë, mbetet të ndërmerren studime të mëtejshme,

aq më tepër se numri i përgjithshëm i tyre nuk dihet, se mungojnë të dhëna qoftë për sa i përket stilit kompozicional, qoftë për stilin interpretativ të shumë prej këtyre këngëve.

Një fushë tjetër studimi, e pa rrahun ende me vemendjen e duhur nga muzikologët tanë, është edhe përcaktimi i plotë i tipeve të këngëve të ahengut dhe i varianteve të tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë apo ndikimi që kanë ushtruar në strukturën e këtyre këngëve elementët intonativë të këngëve të fshatit e të Malësisë.

Bibliografi:

Gjon Kujxhija – “Valle kombëtare”, vëllimi i “Dasma shkodrane”, Firenze, 1943.

Ramadan Sokoli – “Folklori muzikor shqiptar” (Morfologjia), Tiranë, 1956.
Tonin Harapi – “Vlera ideoartistike e folklorit” (Vallet e Shkodres). Një kopje të dorëshkrimit pat mirësinë të ma dhurojë autori sa ishte gjallë.
Suzana Grashi – “Këngët e dasmës shkodrane” (Punë diplome), Tiranë 1972.
Spiro Kalemi – “Kënga popullore qytetare”, gazeta “Drita”, 20 janar 1980.

Tonin Zadeja

Sonte publikohet videoklipi i këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision

Sonte, në orën 20:00 do të publikohet premierë videoklipi i këngës “Ktheju tokës”, me të cilën Jonida Maliqi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, shkruan KultPlus.

Premierën e këtij videoklipi mund ta shikoni në ora 20:00 në Televizionin Shqiptar (Rtsh 1 HD) apo live në www.rtsh.al.

Klipi, i punuar nga Triangle Media Group, është konceptuar duke u bazuar mbi mesazhin e këngës.

Jonida Maliqi do ta prezantojë Shqipërinë me këngën “Ktheju tokës”, të cilën do ta këndojë në shqip. Kujtojmë se vitin e kaluar, Shqipëria u përfaqësua nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”.

Datat e Eurovision 2019 janë planifikuar të mbahen më 14, 16 maj (gjysmëfinalet) dhe 18 maj (finalja) në Tel Aviv të Izraelit./KultPlus.com

Një reportazh i bukur francez për Shqipërinë

Shqipëria dhe ujërat e saj të kristalta, me peizazhe malore dhe natyrën e paprekur, ka tërheq turistët nga e gjithë Europa dhe jo vetëm. Televizioni francezë “Francë 2” ka risjellë në vëmendje një reportazh mjaft të bukur për turizmin në vendin tonë, ndërsa thekson se siguria dhe çmimet e ulëta e kthejnë Shqipërinë në një perlë turistike të Ballkanit.

“E shkëputur nga bota prej një kohe të gjatë nga një diktaturë komuniste, Shqipëria tërheq gjithnjë e më shumë turistë, me një argument të fuqishëm, çmimet e ujëra. Larg nga turizmi masiv dhe qyteteve e populluara, e zhytur në mes të asaj që e quajmë gjithashtu “Perla e Ballkanit””, thuhet ndër të tjera në reportazhin e “Francë 2”

“Sipas vëzhgimit tonë për pushimet me çmim të lirë, Shqipëria, që pas Malit të Zi dhe Kroacisë, është vendi që tërheq turistët e gjithë Europës, me plazhe, male madhështore, parqe kombëtare gjigante. Thesaret e Shqipërisë janë të shumta, por mbi të gjitha janë çmimet e saj të ulëta që joshin. Ky është një vend ende i panjohur nga turistët, një parajsë sekrete, përballë Italisë, mes Greqisë dhe Malit të Zi. Shqipëria dhe ujërat e saj të kristalta, me peizazhe malore dhe natyrën e paprekur”, theksohet në reportazh.

“E shkëputur nga bota prej një kohe të gjatë nga një diktaturë komuniste, Shqipëria tërheq gjithnjë e më shumë turistë, me një argument të fuqishëm, çmimet e ulëta. Larg nga turizmi masiv dhe qyteteve e populluara, e zhytur në mes të asaj që e quajmë gjithashtu “Perla e Ballkanit”, vijon reportazhi.

Në reportazh, turistë francezë përshkruajnë emocionet e tyre gjatë udhëtimit turistikë në Shqipëri.

“Jemi në rrugën përgjatë Rivierës Shqiptare, 90 kilometra asfalt që lidh qytetet bregdetare, si Saranda. Në këto plazhe, këto dy pariziane të sapodiplomuara kanë vendosur të bëjnë një ndalesë. Shqipëria dukshëm iu imponua atyre, pasi ato panë çmimet për një javë pushime këtu”, thuhet në reportazh.

“Ne këtu, për një javë, duke përfshirë hotelin, avionin, përveç ushqimit dhe të tjerave, shkon rreth 500 euro java për person. Restorantet në vend janë shumë të lira, mund të hash me 3-4 euro personi dhe më pas ke mundësi për të marrë makina me qira apo e varka etj”, thekson njëra prej vajzave.

“Ato kanë ardhur në Shqipëri para katër ditësh. Një destinacion që e kanë zbuluar nëpër blogje, por vendi mban edhe një reputacion të keq. Megjithatë, njësoj si gjithë turistët që kemi takuar, ato shprehen se ndjehen të sigurta”, vijon reportazhi.

“Shumë na kanë thënë të bëjmë kujdes në Shqipëri, bëni kujdes për veten, jeni dy vajza. Por mos ia vini veshin, pasi është një vend super i sigurt etj. Përfundimisht ne jemi këtu, ishim shumë të habitura kur mbërritëm, sepse ishim super të sigurta si ditën edhe natën, është vërtetë e mrekullueshme”, saktëson njëra prej vajzave.

“Ne vazhdojmë rrugën tonë për të hyrë në thellësi të vendit, që mban gjithashtu disa thesare kulturore. Si qyteti i Beratit. Një qytet i klasifikuar në trashëgiminë botërore të njerëzimit, ku xhamitë qëndrojnë përballë kishave. Në tavolinë mbërrijnë specialitetet lokale. Byreku, peta të kripura me djathë, spinaq ose mish.

Pra ai do i kërkojë hotelit një seri punimesh të vogla, para se të dërgojë klientët e tij në këto dhoma, me pamje nga deti, që kushtojnë mes 60-90 euro nata bashkë me mëngjesin”, përshkruhet në reportazhin e “Francë 2”.

“Në pak vite, numri i turistëve francezë në Shqipëri ka kaluar nga 5 000 në 35 000. Dhe sipas analistëve nëse vendi përqendron investimet e nevojshme në infrastrukturat rrugore dhe turistike, Shqipëria ka të gjithë potencialin që të bëhet Kroacia ose Mali i Zi i ardhshëm”, theksohet në reportazh.

Kisha e Shën Kollit në Kurjan, atraksioni më i ri turistik

Kisha e Shën Kollit në fshatin Kurjan, Roskovec, e ndërtuar në shekullin XIII, në stilin bizantin, është atraksioni më i ri turistik, me restaurimin e saj pas 50 vitesh lënie në harresë. E favorizuar edhe nga peizazhi i mrekullueshëm i natyrës përreth, kisha po merr vëmendjen e vizitorëve.

Kryeministri Edi Rama vizitoi Kishën e Shën Kollit, restaurimi i së cilës është fryt i bashkëpunimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe bashkisë Roskovec.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se projekti për restaurimin e kishës nuk është mjaftuar vetëm me ndërhyrjet në konstruksionin e kishës, por edhe me rivitalizimin e mjedisit përreth. “Nukjemi ndalur  vetëm tek pjesa  e restaurimit të kishës, por ajo që është shtuar janë gjithë restaurimet e jashtme, që është pikërisht formula të cilën duam ta kthejmë në  një formulë suksesi në të gjithë jetësimet e kishave në të gjithë fshatrat, sepse nuk mund të ndalemi vetëm tek restaurimi e konstruksioni i çative, i pjesëve emergjente, por, nëse nuk kanë gjithë këtë pjesë rreth e rrotull, nuk do të jenë totalisht potenciale turistike kulturore. Ka ende akoma për të bërë me sinjalistika apo me ndërhyrje të tjera informuese për turistët, por ka patur një zhvillim shumë të mirë edhe me këto ndalesa, stolat, pjesët panoramike. Faktikisht këtu jemi në zonat më të bukura përsa i përket panoramës dhe pozicioni i kishës në majë të kodrës favorizon akoma më tepër edhe llojin e turizmit natyror.”

Kryetarja e bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi, tha se e gjithë zona ku është pozicionuar kisha është transformuar falë këtij investimi. “Këtu më parë nuk ka ekzistuar asgjë nga këto që shikoni tani. Ka qenë një pjesë e kodrës, rrugë dheu. Është bërë gjithë ndërhyrja, ndriçimi që është funksional, sistemimi i shkallëve, pjesa rreth e rrotull kishës dhe punimet e brendshme dhe në muraturë, janë pjesë speciale. Ka një efekt shumë pozitiv edhe për vetë banorët, por edhe për ata që vijnë nga jashtë.”

Kisha e Shën Kollit ka vlera të rralla arkitektonike dhe kulturore. Pikturat murale në brendësi të kishës janë vepra të ikonografit Nikolla, i biri i Onufrit, të cilat do të restaurohen tërësisht në një fazë të dytë të projektit. 

“Është kishë bizantine e shekullit XIII. Forma e saj më parë ka qenë në formë kryqi e mbuluar me kupolë. Kupola është shembur ndër vite. Afër këtu kemi dhe një nga degëzimet e pjesës jugore të rrugës Egnatia dhe faktikisht është një vlerë e shtuar për të gjithë itinerarin e “Rrugës së besimit”. Të gjitha kishat e Myzeqesë janë të famshme, pasi kanë të integruara në trupin e  tyre pjesë të pllakateve dekorative paleokristiane, të cilat janë të marra nga gërmime arkeologjike dhe në zonën përreth. Të  gjithë ndërhyrjet janë fokusuar në rikthimin e identitetit të kishës. Në fazën e dytë kemi gati projektin për restaurimin e afreskeve. Vlera e shtuar e kishës janë afresket e 1578-s. Janë afreske të ikonografit Nikolla, i biri i Onufrit, që së bashku me Joanin kanë realizuar të gjitha afresket e kishës, të cilat kanë ende nevojë për restaurimin që do të zhvillohet në fazën e dytë të saj,” – shpjegoi ministrja Margariti.

Në rivitalizmin e mjedisit përreth janë ruajtur edhe elementet e natyrës, siç është simbolika e ullirit duke integruar më së miri, pjesën e peizazhit, kulturës dhe historisë. / KultPlus.com

Studimi i gegëve nga Carleton Coon: Portretet e viganëve të Shqipërisë së Veriut

Fotografitë e rralla të 1929-1930, realizuar në malësitë e veriut të Shqipërisë nga antropologu amerikan, botuar në 1950 në librin “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut…”!

Raca e shqiptarëve kishte karakteristika të atilla, që e bëri antropologun amerikan Carleton Coon të kalonte thuajse një vit udhëve të veriut të Shqipërisë.

Në fshatrat më të thella të malësisë së veriut, Coon gjeti karakteret që i duheshin për studimet e tij.

Takonte burra, gra, fëmijë e pleq. Bënte ca matje të çuditshme, që me shumë gjasa banorëve të këtyre anëve ju dukeshin jashtë mendsh. Ai studionte tiparet e portretit, flokët, gjatësinë trupore, gjymtyrët… I fotografonte thuajse të gjithë malësorët gegë që takonte.

Me aparatin e tij fiksonte portretin ballor dhe profilin. Po ashtu mbante shënime për secilin prej tyre, pas matjeve të hollësishme që ju bënte.

Në këtë udhëtim e shoqëronte një mik i afërt i tij shqiptar, të cilin e kishte punësuar si asistent. Ai quhej Stavri Frashëri.

Falë kësaj dysheje Coon-Frashëri, që qëmtonin karakteristikat e racës shqiptare maleve të veriut të Shqipërisë përgjatë vitit 1929-1930, sot kemi të dokumentuar të dhëna shumë të rëndësishme mbi antropologjinë e gegëve, të cilat së bashku me studimin e tij dhe një album me foto të zgjedhura që Carleton Coon i botoi në librin e tij “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut”, botuar në Kembrixh më 1950.

Coon lindi në Masaçusets në vitin 1904. Studioi fillimisht për egjiptologji dhe antropologji në Universitetin e Harvardit, degë për të cilat u diplomua në vitin 1925. Në këtë drejtim ai kreu kërkime dhe punoi si asistent dhe profesor në Universitetin e Harvardit. Më tej, po në fushën e antropologjisë, ai dha mësime edhe në Universitetin e Pensilvanisë (1948-1963). Gjatë kësaj periudhe ideoi dhe realizoi edhe muzeun universitar të Filadelfias.

“Gjatë viteve 1929-1930 Carleton Coon ndodhej në Shqipëri, ku kreu një studim antropometrik mbi 1.067 shqiptarë të dhjetë zonave të Veriut, duke iu matur madhësitë dhe format e trupave të tyre. Ky studim u përfundua në vitet 1946-1947 me ndihmën e komunitetit shqiptar të Bostonit”, shkruan studiuesi Robert Elsie, në prezantimin e fotografive të realizuara nga Carleton Coon.

Puna e tij kishte qenë e tepër e lodhshme, voluminoze, kërkimet të gjata, një punë që në fund duket se nuk i dha autorit frytet që ai priste. Jehona shkencore e punës kërkimore ishte e kufizuar, meqë “pas Luftë së Dytë Botërore, studime të tilla të antropologjisë fizike dhe të tipareve racore u bënë tabu apo kishin humbur interes”, sqaron studiuesi Robert Elsie, duke shtuar se interes të veçantë ngjallin fotografitë që Coon realizoi gjatë udhëtimeve nëpër dhjetë zonat e veriut shqiptar.

Përveç tyre, me mjaft interes janë edhe fotot që mblodhi e botoi nga ana e tij Stavri Frashër në librin e tij “Përmes Mirditës në dimër”, botuar në Korçë më 1930 dhe në versionin anglisht “Through Mirdite in Winter”. Me materialet fotografike të këtyre dy autorëve, studiuesi Elsie ka ndërtuar një album të veçantë, të cilin e ka promovuar në faqen e tij këto ditë, e prej nga i kemi zgjedhur edhe ne këto ekzemplarë për t’ia prezantuar lexuesit tonë. /Telegrafi/

Mariah Carey sjell videoklipin e ri “A No No” (VIDEO)

Mariah Carey është ndezur më shumë se kurrë dhe këtë po tregon me publikimet e reja.

Mariah ka nderuar hip hopitn e viteve të 90-ta me videoklipin “A No No” nga albumi i fundit i saj “Caution”.

Në klipin me shumë ritëm, diva glamuroze bën një festë vallëzimi teksa shfaqet në një metro në një fustan shkëlqyes.

Kënga punuar nga Jermaine Durpi, që e shfaq Lil Kimin ishte emëruar si një prej 25 këngëve që ja vlen të dëgjohen tani nga New York Times.

Muajin e kaluar, Mariah e filloi turneun e saj “Caution World Tour”.

Ajo kalon nëpër shtatë shtete amerikane në turneun që mbaron më 6 prill. / KultPlus.com

“Komedi e kuqe” me regji të Kreshnike Osmanit, vjen në teatrin Dodona




“Komedi e kuqe”, shfaqja mysafire nga Teatri i Qytetit të Mitrovicës e cila po vjen në Teatrin Dodona, synon të provokojë shikuesin me një temë e cila trajton një periudhë jete të një çifti, Agimes dhe Fisnikut, të cilët zgjodhën të jetojnë në Gjermani, megjithëse supozohet në një jetë stabile të çiftit, na del të jetë diçka tjetër!

Kjo shfaqje e Albana Mujes, e cila vjen me regji të Kreshnike Osmanit, me anë të komikes, vë çiftin në sprovë dhe shfaqin mungesën e lumturisë së tyre, për vite të tëra të bashkëjetesës.

Edhe më në dukje, vihet ky fakt, pasi Fisniku kinse për të fituar një shumë të caktuar të hollash, vendosë të martohet me një vajzë nga Kosova, duke i mundësuar kështu asaj, lejeqëndrimin në shtetin gjerman. Ardhja e kësaj vajze të quajtur Rilindje, e cila është e detyruar të jetojë me çiftin, na jep mundësinë të shohim situata dramatike por gjithashtu arrin të shfaq edhe kthesa dramatike të pa pritura.

Jo vetëm ky trekëndësh i “Komedisë së Kuqe” por shumë të rinj në kërkim të një jete më të mire, gjenden para zgjedhjeve hiç të përshtatshme, madje banale, të shtyrë për t’i realizuar ëndrrat e tyre!

Në këtë shfaqje luajnë: Xhejlane Terbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi.

Shfaqja vjen më datë 12 mars, në ora 19:30 në Teatrin Dodona. / KultPlus.com

“Atij që ka gruan e bukur, shtëpinë në kufi dhe vreshtin pranë rrugës, nuk do t’i mungojnë grindjet kurrë”

Historia e popullit spanjoll është një nga faqet më të rëndësishmë të librit të madh të historisë së kombeve, pushtues, tregtarë, kalëros, filozofë, artistë dhe shkrimtarë të cilët kanë ndikuar me veprat e tyre botën e thithën ajrin për herë të parë në tokën spanjolle dhe e lëshuan frymën e fundit po aty.

Me një histori kaq të pasur dhe me një tejmbushje me personalitete të kalibrit botëror, Spanja dhe populli spanjoll nuk ka sesi të mos kenë lënë gjurmë me thellësinë e mendimeve të tyre në kohëra.

Për kënaqësinë e ndjekësve dhe lexuesve tanë kemi mbledhur një koleksion të bukur të thënieve të popullit spanjoll:

Afërsia është gjysëm familjare.

Armiku i rrëzikshëm është ai për të cilin nuk dyshon.

Atij që ka gruan e bukur, shtëpinë në kufi dhe vreshtin pranë rrugës, nuk do t’i mungojnë grindjet kurrë.

Beqari është – si palloi, i fejuari si luani, i martuari është – si gomari.

Burri i bukuroshes është gjithnjë në alarm.

Dashuria korrupton zemrat e pastra dhe pastron ato të papastra.

Dielli më i mirë është ai që më ngroh sot.

Djalli shkon njëherë në shtëpinë e të pasurve dhe dy herë te të varfërit.

Edhe kali më i butë hedh shkelma, po t’i shtrëngohet freri vazhdimisht.

Gruaja, era dhe fati ndërrojnë shpejt.

Gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, lum ai komb që e përkrah.

Kopja nuk mund të jetë kurrë më e përkryer se origjinali.

Kur mund të hash bukë thatë në shtëpinë tënde, mos kërko mish të njomë në shtëpinë e tjetrit.

Kur zjarri dhe uji janë në luftë, është zjarri ai që humb.

Kurrë mos i thuaj burimit “unë nuk do pij nga ti”

Kush nuk di, nuk dyshon.

Me gënjeshtër dhe art jetohet gjysëm viti, anasjelltas gjysma tjetër.

Mos kërko maçok me pesë këmbë.

Nëse hedh baltë kundër një muri, në mos ngeltë balta, ngelet njolla.

Nëse je në pozitë të lartë, nuk do ta njohësh veten tënde; nëse nuk je, askush s’ka për të të njohur.

Në udhëtimin e gjatë edhe fija e kashtës është e rëndë.

Njeriut të lumtur më parë i lind një vajzë.

Një gotë pije është tamam, dy janë shumë, kurse tri janë shumë pak.

Për urinë e madhe s’ka bukë të keqe.

Po të tha gruaja të hidhesh nga shkëmbi, lut Zotin të jetë shkëmb i ultë.

Rregulli jep bukë, çrregullimi jep uri.

S’është njësoj si të flasësh për demat si të jesh në arenë.

Të marrësh anën e të drejtit, do të thotë para së gjithash t’i shërbesh vetvetes. / KultPlus.com

Josefi nga Vlora në Galeritë më të njohura të New York, veprat e tij kushtojnë deri në 30 mijë dollarë

N

Keni dëgjuar për Josef Koten? Nëse jo, mos e humb këtë shkrim.

Jozefi është piktor dhe veprat e tij ekspozohen në galeritë më të mira amerikane, në Cutter and Cutter Fine Art apo Ocean Galleries Stone Harbor.
Aty ku gjen Chagall, Miro, Dali, do gjesh edhe piktorin vlonjat.


Dritare.net do ju njohë sot me këtë piktor, çdo veper e të cilit nuk ndodh të shitet, nën vlerën e 30 mijë dollarëve.

Ju mbase nuk e dini, por dhe veprat e Kadaresë mbajnë në kopertinë, pikturat e tij.

Josef Kote ka lindur në vitin 1964 në Selenicë të Vlorës. Që i vogël, e ka ditur që piktura ishte dëshira e tij më e madhe në jetë.

Rrugëtimi i tij drejt artit nisi qe në moshën 13-vjeçare. Josef kishte ëndrra të mëdha, por as i shkonte ne mendje, se skicat që bënte në atë kohë, ishin punime të një piktori, që një ditë do bëhej aq i njohur në botë.

Josef, 13 vjeç, mori pjesë në konkursin për të fituar fillimisht në Vlorë, e më pas në Tiranë, për të studiuar për art në Liceun Artistik. Pasi fitoi dhe e mbaroi liceun, konkurroi sërish për në Akademinë e Arteve, ku dhe u diplomua për “Pikturë dhe Skenografi”.
8 vjet studime ishin të mjaftueshme për atë që të merrte bazën, e cila do e ndihmonte për të vazhduar rrugën e artit.

Në vitin e fundit të studimeve në Akademinë e Arteve, Josef Kote, punoi në Kinostudion Shqiptare, ku realizoi një film vizatimor të titulluar “Lisi”, si piktor dhe animator.
Pas shkollës u emërua si skenograf në teatrin e Vlorës, ku ka punuar vetëm për një periudhë të shkurtër.

Josefit nuk i premtonte shumë Vlora dhe Shqipëria, që të bëhej artisti që kishte ëndërr. Kështu, ai u largua fillimisht në Greqi, pastaj në Toronto të Kanadasë, zhvendosje të cilat kanë pasur një ndikim të madh në formimin tij si artist. Ndërsa sot ai jeton në New York.

Janë bërë pothuajse 28 vjet që nga largimi i tij nga Shqipëria, dhe rrugëtimi i tij i gjatë nga një vend në tjetrin janë bërë gjithmonë në kërkim dhe në eksperimentim të vetes.

Zhvendosja e tij përfundimisht në Amerikë ka qenë një nga zgjedhjet më të mira, për një artist që i jep jetë gjithçkaje që e rrethon, mjafton një furçë dhe ca ngjyra.


Ekspozitat e tij kanë qenë të shumta, jo vetëm në Amerikë, por dhe në Kanada e Greqi. Josef është nderuar gjithashtu me disa çmime, që për një piktor janë një kënaqësi e madhe shpirtërore dhe vlerësim i një pune intensive e krijuese.

Pikturat e tij, ekspozohen në galeritë e njohura në Amerikë, si Cutter and Cutter Fine Art, Ocean Galleries Stone Harbor, Onesimo Fine Art etj.

Gjithashtu ai ka realizuar edhe 3-4 espozita personale, në këto galeri, gjë e rrallë për një piktor shqiptar.

Josef Kote tregon për dritare.net se këto galeri, gjithashtu organizojnë ekspozitat personale çdo vit, dhe se zakonisht dita e parë e hapjes është e rezervuar vetëm për koleksionistë, ndërsa ditët e tjera për publikun e gjerë.


Pikturat e Josef Kote nuk kanë të krahasuar. Ato janë shumë të veçanta nga mënyra sesi ai shikon objektet, trajton dritën, qëndrimi artistik dhe vizioni që ka në realizimin e pikturës. Josef tregon për dritare.net se suksesi që ai ka sot, nuk ka qenë një arritje e lehtë.

“Natyrisht nuk ka qenë e lehtë, dhe suksesi nuk erdhi brenda natës, por ishin mijëra ore eksperimente, acarime, grisje punësh derisa te arrija dhe realizoja vizionin qe kisha ne koke, që të mundesha të arrija të krijojë çfarë bëj tani dhe të kem individualitetin tim si artist”, thotë ai.

Sot, pikturat e tij, të cilat shiten vetëm në ekspozita, arrijnë në vlerën e më shumë se 30 mijë dollarëve.

Përse i përket subjektit, arti i Josef Kotes nuk ka limit. Ai shprehet për dritare.net se është 24 orë me pikturën dhe se nuk pret që t’i vijë frymëzimi për të pikturuar, por e kundërta, ai e kërkon atë.
“Unë nuk mund të pres të më vijë frymëzimi, por e kërkoj atë dhe e gjej kudo, në natyrë, tek portretet e njerëzve, te muzika dhe te shumë elementë të tjerë të jetës perreth meje.”


Momentalisht Josef po punon për dy ekspozita; një në Stone Harbor, New Jersey, e cila do të jetë në javën e parë të  gushtit, dhe e dyta në Atlanta, në muajin shtator.

Ai tregon për dritare.net se do të kishte shumë dëshirë të bënte një ekspozitë në Shqipëri, që dhe shqiptarët të njiheshin me veprat e tij.

Ne jemi shumë të lumtur që treguam të parët një histori suksesi, të një piktori të njohur shqiptar, në botë.

Josefi është shqiptari i mrekullueshëm, Ai është shembulli që ëndrrat realizohen, që puna shpërblehet, dhe që pasioni përkthehet në sukses. I mrekullueshëm mund të jesh dhe ti, ndaj ndaje historinë tënde me ne, dhe lexuesit tanë do njihen me ty./dritare.net

Merita Harxhi – Koci sjell koleksionin e ri Pranverë / Verë (FOTO)

Disenjatorja Merita Harxhi Koci ka sjell koleksionin e radhës. Fustane tejet të bukur dhe elegant kanë zënë vend në këtë koleksion i cili nuk përmban një numër të caktuar fustanesh, pasi që disenjatorja do të vazhdojë të rris numrin e tyre deri në fund të verës, shkruan KultPlus.

Materialet me të cilat janë punuar këto fustane elegante, janë kryesisht dantellë, mëndafsh, dantellë me gurë etj.

Për këtë koleksion disenjatorja ka treguar për KultPlus që më shumë ka eksperimentuar me prerje dhe kombinime të materialeve.

“Sa i përket ngjyrave, kam përdorur një gamë të gjerë, prej baby blue, pra ngjyrave të buta, deri të ato të fortat”, ka thënë Merita për KultPlus.

Koleksionin kësaj radhë ajo do ta prezantojë vetëm përmes fotosesionit. Fotografitë janë realizuar në shtëpi dhe banesa të ndryshme, kryesisht në ambiente ku jetohet. / KultPlus.com

Një pikë shkollore në gjuhën shqipe hapet në Zvicër për 7 Mars

7 Marsi i vitit 2019, solli edhe një dhuratë për fëmijët shqiptare në qytetin Uster të Kantonit të Cyrihut.

Hapet edhe një pikë shkollore në gjuhën shqipe dhe natyrisht nxënësit kanë mundësinë që nga dita e enjte t’i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, shkruan albinfo.ch.

Pra kjo festë kombëtare nuk ishte vetëm një festë e zakonshme që i bashkëngjitet festave të tjera, por edhe një festë për të cilën u gëzuan në rend të parë prindërit sepse është një mundësi më shumë që fëmijët e tyre t`i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, përcjell tutje albinfo.ch.

“Prandaj, Ju ftojmë, që edhe ju të na bashkoheni në shkollën shqipe, sepse gjuha shqipe është gjuha jonë, të cilën na e kanë lënë amanet baballarët tanë”, thonë organizatorët.

Gjuha mbron flamurin, identitetin, atdheun!

Orari: çdo të enjte,paralel në dy klasë, në shkollën Freiestrasse 20, Uster:

Grupi i parë (kl.I-II) prej orës 15.30 – 17.15,

Grupi i dytë  (kl.III-IV) prej orës 17:15-19:00

Grupi i tretë  (kl.V-VI) prej orës 15.30 – 17.15,

Grupi i katërt (kl.VII-VIII) prej orës 17:15-19:00

Ju mirëpret mësuesi i shkollës shqipe:

Vaxhid Sejdiu, Tel.  076 321 26 94 / KultPlus.com

“Përrallë Mesdheu”, një event përbashkues kulturash që solli art në Teatrin Metropol

Muaji shkurt dhe fillimi i marsit kaluan në një gjendje të veçantë për teatrin Metropol. Nga 8 shkurti deri në 1 mars grupi ‘’Scriptum N’ Sonus’’ performuan në  bashkëpunim me ‘Balkan World Music Management’ në festivalin muzikor METROSOUNDS – “Përrallë Mesdheu”. 

 Një përzgjedhje artistike për të shprehur identitete të ndryshme brenda një identitetit primar, atë mesdhetar solli copëza të ndryshme kulturore, mozaik dialogu ndërkulturor rreth artit dhe kulturës që na bashkon dhe që kemi nevojë të ndihemi, të gjendemi dhe të mendojmë, të gjykojmë sa dhe të përfshihemi në të gjithë format që quhen vlerë, vlerë që duhet përcjellë me njeri-tjetrin për të njohur më mirë.

Çfarë u performua në këtë festival shumëkulturësh në disa dimesione?

Redi Hasa në Trio (midis Shqipërisë dhe Itali), Data: 9 shkurt – Ora 20:00

Më 9 Shkurt, Ora 20:00 në trio, performoi violonçelisti i talentuar Redi Hasa, i njohur për performancën e tij në aktivitete të ndryshme, si atë të fundit të 19-20-21 tetor në festivalin ‘’Fustanella’’, në interpretimin e shumë artistëve të tjerë. Veçanti e këtij insturmentisti është përfshirja e gjithë qenies së tij, ngjizjes me instrumentin dhe melodinë, trupëzimin njësh me instrumentin, plastikën e tij domethënëse që shoqëron meloditë, gjë që shkrihet bukur në vargëzimin e ndërthurur të tingujve të telave ku gishtat e tij ngjitin. Së bashku me Rachele Andrioli në tamburë dhe Rocco Nigro në fizarmonikë violonçelisti solli një natë të paharruar në Metro Sounds Festival.

Mario Mariani (Itali), më 15 Shkurt – Ora 20:00

Data 15 shkurt në orën 20:00 ishte radha e Italianit Mario Mariani. E pazakonta vazhdoi me kompozitorin, pianistin, interpretuesin i njohur për tingujt që ai nxjerr. Ai diti të luajë ashtu si ai ndjen, dhe ashtu si të gjithë artistët e veçantë duan të ndjejnë duke u përfshirë me lum duartrokitjesh. Ai sa përfshihet edhe improvizon, sa tërheq do dhe të bashkëveprojë me muzikantë, artistë e aktorë, me gjithçka që ka lidhje me artin, sepse i tillë është bërë.

Më datë 22 Mars artisti Etibar Asadili në Trio (Turqi)

Data 23 Shkurt ishte e ndryshme sa dhe e veçantë. Në po të njëjtën orë, në 20:00 me pianistin Etibar Asadili zbarkoi trio me bërthamen e vet të zgjedhur, me një shqiptar nga mitrovica, Enver Muhamedi, i gërshetuar me Ekin Cengizkan. U trajtua në zemrën e tyre dhe të artdashësve muzika xhaz me motive etnike shqiptare, turke, azerbajxhanase. Një folk i përzier ku mund të gjenden gjëra të përbashkëta që të tërheqin kulturë dhe identitete të përbashkëta muzikore nën hijen e xhamive për 15 shekuj. Sa më thellë të futesh në kulturë, aq më shumë kuptimet afrohen, ndjesitë përbashkohen, sitli ngjit po të njëjtën substancë, po të njëjtën rime dhe po të njëjtën përfshirje. Duket sikur njeriu, sa i largët dhe i huaj është, aq dhe vlera universale të përbashkëta ka, ku universaliteti i tij përbashkohet në kuptimin ekzistencial të domethënies së qenies. Projekti i Teatrit Metropol do te organizohet me bashkëpunimin e Balkan World Music Management.

Scriptum N’ Sonus, performancë e grupit në shqipërimin e autorëve grekë.

Të enjten në orën 19: 00 në Teatrin Metropol, u mbajt aktiviteti i katërt, Alcedo Folk Band (GR). Përralla e quajtur Mesdheu vazhdoi me mbrëmjen e anëtarëve e grupit ‘’Scriptus N’ Sonus’’ në kulturën greke, me vjershërimet e shqipëruara. Kultura greke foli nga zërat e vecantë dhe të talentuar, në emër të universalitetit të dashurisë, dëshirës, pasionit, jetës, ajo flet po me të njëjtën gjuhë edhe në shqip, ndjehet me po të njëjtën forcë, nuhatet me të njëjtën lehtësi, dhe përfshihet në shumë zemra që dëgjonin në errësirën e drunjtë të karrigeve të sallës Shekspir të teatrit Metropol. 

Ata janë grup shumë aktiv dhe shumë të shkathët në seriozitetin e tyre, të gjendur në shijet që sjellin, artistë të talentuar të gjithë për të dhënë interpretimin më të mirë. Sjellin nga pak të gjitha, si shumë përbëresa aromatikë që të bën të ndihesh mirë, kjo e përplotëson si qershia mbi tortë edhe këtë festival në teatrin Metropol.

Java greke si natë e katërt, në 1 mars, erdhi po e magjishme dhe shpërthyese si të gjithë të tjerat. 

Mes tingujsh dhe projeksionesh edhe mbrëmjet poetike nga Scriptum N’ Sonus shënjoi përzgjedhje të disa prej autorëve më të mirë të shqipëruar nga letërsia greke.

Scriptum N’ Sonus është një grup i veçantë. Rrugëtimi i tyre i kultivuar në shumë aktivitete, në ngjitje po krijon artdashës të vërtetë. Grupi shqiptar përbëhet nga të rinj që dinë t’u përshtaten eventeve sa të ndërthurin metoda të ndryshme arti, t’u koordinohen kulturave të ndryshme sa të bëjnë artdashësve të kënaqen mbrëmjeve, ata ditën të futen në mendjen e njerëzve me larminë e së pafundmes që do të thotë art. Ndonjëherë njeriu në imtësinë e vargjeve, imazhit dhe notës muzikore mund të gjejë vetveten, siç gjen lulja në pranverë dëshirën të ngrejë krye.

Kush është grupi Scriptum N’ Sonus?

Veç Altin Sulaj që është dhe bazamenti koordinues i grupit,  ishte Xhoana që merret me skriptin dhe videon.

Elsa Hajdari është një vajzë tjetër e re, ka kryer studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në degën Marrëdhënie me Publikun. Ka punuar gazetare tek portali ‘’Pamflet’’, dhe për më tepër interpretuese në këtë projekt letrar. Dëshirës për komunikim i shtohet ajo për vjershërim në Scriptum N’ Sonus. Aktualisht punon si gazetare ne një portal online politik dhe drejtoj një radio online.

Alba Dajlani është një vajzë e re nga qyteti i bukur i Pogradecit me prirje për nga arti që në vogëlinë e saj. Ka qenë pjesëmarrëse ne ‘’The Voice Kids’’ dhe ‘’Gjeniu i Vogël’’ si dhe në shumë aktivitete të ndryshme kulturore. Isntrumenti i saj i zemrës është flauti por nuk ngelet pas pianoja, kitara. Dëshiron kompozimin dhe dashuron Jazz. Ajo sikur ka lindur në një teatër simfonik. I shtohet edhe ajo si e re 18 vjeçare grupit Scriptum N’ Sonus. 

Sara Cengu, një vajzë e veçantë, 20 vjeçare, vjen nga qyteti i Kukësit. Ajo vazhdon studimet per arte të bukura. Është e apasionuar ndaj çdo forme që quhet art po në veçanërisht asaj i pëlqen vizualiteti, momenti që mund të kapet në arti ne fotografisë. Ajo e ushtron këtë profesion sa dhe videografi e marketing. Pandashmërisht ajo vazhdon në pasionin e saj të zemrës që e bën të rigjenerohet në ndjenjat e saj, pikturën. Por kësaj si qershia mbi tortë i shtohet bashkimi me grupin ku performoi në mënyrë të shkëlqyer. Ritmi i vjershëmit ka sens.        

Margret Radovani është sinonimi i vajzave të talentuara të tjera të grupit. Ajo është një muzikante, eksploruese dhe një dëshiruese e çdo forme që quhet art. Pozitiviste dhe e re që mendon se dashuria është baza e një jete të shëndetshme sa dhe e një jete të përplotësuar. I bashkohet edhe ajo me zërin e saj të veçantë ku pas çdo performance ajo do të jap maksimumin me ngjyresat e saj, sidomos në zërin e ulët. E ëmbël dhe ritmike, tonifikuese në notat muzikore.

Xhoni Treni, një instrumentist i ri në kitarë, i cili i është bashkëngjitur grupit. Arti nuk njeh të rinj dhe të vjetër por njeh ndjenjë, gjendje dhe përfshirje, në qoftë se këto arrihen, atëherë raporti i njeriut me artin është arritur, ai duhet të përcjellë njeriun dhe njeriu duhet ta kërkojë këtë me ngulm. Sepse njeriu për më tepër është raport, raport që gjendet në copëza kulturore nëpërmjet shqisave të vet.  

Të gjithë këtë grup në mënyrë të suksesshme e ka ideuar, menaxhuar dhe ndërvepruar një djalë i qetë, punëtor dhe fjalëpaktë por i magjishëm në punën e tij. Punë praktike në pamje të vogël, po që të mbledhura bashkë kthehen në kryevepër. 

Scriptum N’ Sonus, lind si një ide e tij, strukturohet, rimendohet dhe tashmë vjen te publiku i magjishëm, i veçantë si formë neoklasike i të ripërtëriturit art. Ai ka ditur të gjejë të rinj të këndshëm energjikë, të ndjeshëm, është gjithmonë në kërkim, në rikrijim, riformim të vetvetes dhe eksplorues i pafundëm i artit.

Dikur në Francë në shekullin e 18 këto forma krijoheshin në kabinete Leximi, sot mendja fine e Altin Sulaj e ridimesionon për një kohë moderne. Gërshetimi i muzikës, zërit, figurës e bën atë një novator të formave artistike dhe të kulturës në një të vetme krijim për jetën, dashurinë, ndjenjën dhe emocionet që duhet të përshkruhen. Plotësisht këtë e ndjen i ulur në errësirën, zhytur në mendime. Kjo formë të relakson, të shpie në retrospektivë, në dëshirën për paqe dhe harmoni.

Pasioni për të bashkuar 3 zhanret në një ka ardhur në mënyrë organike pas një rrugëtimi të gjatë nëpër këto 3 shtigje: tingullit të muzikës në moshë fare t vogël, ishte dhe dashuria e parë, librit, e trashëguar nga babai dhe anës vizuale, pasionit të tij për pikturën në veçanti, e më pas çdo lloj arti pamor .

Emisioni Scriptum N’ Sonus transmetohet çdo te enjte në radion kombetare Club FM në orën 23:00 dhe ritransmetohet çdo të dielë në orën 22:00.

Cfarë u prezantua në këtë mbrëmje artistike?

 “Scriptum n Sonus” live solli  prozën dhe poezinë, lexim, muzikën nëpërmjet novatorizmit të shijeve të muzikës elektronike, neoklasike dhe artet vizuale. Hulumtimi i thellë i kuptimit të qenies, sidomos dashurisë nga buron jeta dhe të jetës nga burojnë dhimbjet, nga dhimbjet e vargut ku burojnë emocionet grupi ishte mjaft i aftë t’ua përcillte artdashësve. 

Kjo ndërthurje në larushinë e vlerës tonë dhe të huajës, andej nga ngjizemi dhe ne në raport me tjetrin riformon një kuptim të ri si për letërsinë, si për këngën dhe si për instrumentet. Ajo vjen më e plotë, më ritmike dhe më dinamike në syrin, veshin dhe zemrën e publikut.

Të gjitha këtyre i ndërthuresh një nuhatje e këndshme e platformës së drurit sa kërcitje që vinte në pasazhet e interpretuesve. Druri që sjell klasiken bashkëvepron me neoklasiken, të gjitha bashkëveprojnë në këtë situatë për të sjellë një performancë unike dhe përjetim gjithpërfshirës në teatrin Metropol. Errësira e mbivendosur në aspektet vizuale të mbështeste më fort në dëshirën për të dëgjuar vargun, notat muzikore. 

Fillimi i mbrëmjes nisi i butë në efektet elektronike të imazhit që me butësinë, qulltësinë dhe me dritësinë të sillnin një kënaqësi nëpërmjet perlave të shumta të vjershave greke. Vjershat mund të jenë të bukura por që duhen edhe të përcillen bukur, me ndjenjë, me një intonacion që të rok kuptimin. Të gjitha këto erdhën butë, ritmikisht dhe harmonikisht nga grupi. 

Ky ishte spektakël i veçantë, ai vinte këndshmërisht dhe të drejtonte ta ndiqje, ta lëshoje veten gërmësisht, në çdo shkallë pentagrami të qenies tënde duke shikuar një rrugëtim të qënies. Kjo qenie vizuale në 4 elementë të jetës, ujit, ajrit, tokës dhe dritës, përpos imazhit perfekt ku sillesh dhe bulëza e ujit, drejtonte për nga kuptimi i jetës nëpërmjet një rrugëtimi, nga ngjizja e njeriut, për në një gjendje metropolitane. Njeriu lind nga uji dhe rritet në të, ushqehet sa dhe përfshihet në ujë, shikon dhe përfshihet me diellin, ecën e jeton në tokë dhe mbretëron në metropolitet mendimesh, e sjellë kjo bukur nga poezitë e përzgjedhura, në këtë aktivitet të kësaj “Përralle Mesdhetare”.

Përralla vazhdoi, në datën 8,9 Mars, Ora 20:00 ishte Koncert i Ansamblit Folklorik Tirana. 

Mos e humbisni, i shton jetës diçka më tepër, diçka që quhet ndryshe art!

Eugent Kllapi

Kukulla ikonë Barbi mbush 60 vjeç

Barbi mbush 60 vjeç dhe në përpjekje për të ecur në një hap me kohën, një seri e re kukullash po prezantohen, përfshirë Barbin në karrierë dhe modelet që frymëzojnë vajzat e vogla. Një astronaut, një futbollist dhe një spikere lajmesh janë mes kukullave të reja që kompania e lodrave Mattel do të prezantojë në festën e përvjetorit, në Singapor.

Një seri femrash të suksesshme po ashtu kanë kukulla barbi me imazhin e tyre në nder të gjashtë dekadave jetë të kukullës më të dashur. Mes tyre janë tenistja Naomi Osaka, aktorja amerikane Jara Shahidi dhe kukulla e parë maore në histori, e modeluar sipas gazetares neozelandeze sportive, Melodie Robinson.

Mattel ka shënuar përvjetorin duke bërë një partneritet me Singapore Flyer, një rrotë e madhe panoramike në qytetin shtet, që përkohësisht është shndërruar në një ambient ku ngado sheh Barbin.

Mattel ka bërë shumë ndryshime gjatë viteve, duke prezantuar lloje të ndryshme kukullash, në përmasa të ndryshme trupore dhe ngjyra të ndryshme lëkure.

Më shumë se 1 miliard kukulla Barbi janë shitur që nga debutimi i saj në panairin amerikan të lodrave në New York më 9 mars 1959. /a.a/ KultPlus.com

“MedWet”: Karavastaja, laguna me rëndësi ndërkombëtare

Laguna e Karavastasë është pjesë e rëndësishme e projekteve të iniciativës “MedWet”. Kjo është një iniciativë që bashkon 27 shtete të Mesdheut për të mbrojtur zonat ligatinore.

Në faqen e saj zyrtare “MedWet” i ka dedikuar Lagunës së Karavastasë një reportazh të detajuar ku përshkruhen bukuritë dhe veçoritë e kësaj zone shumë të rëndësishme për Mesdheun:

”Në vjeshtë, një prej vendeve që do të dëshironit të vizitonit në Shqipëri është Laguna e Karavastasë. Nëse dëshironi të ndjeni aromën e pishave gjatë gjithë ditës, të shihni fluturimin e pelikanëve dhe flamingove, atëherë duhet të shkoni në Lagunën e Karavastasë.

Karavastaja është laguna më e madhe në Shqipëri. Ajo ndodhet në bregun lindor të detit Adriatik, ka një sipërfaqe prej 4 300 hektarësh brenda dhe ndodhet brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Vetë parku ka një sipërfaqe prej 22 230 hektarësh dhe përmban pyje me bimësi karakteristike, laguna, toka bujqësore, duna rëre si dhe toka jopjellore. Laguna e Karavastasë është shpallur një Zonë e Smeraldtë sipas Konventës së Bernës në 2008, një Zonë e Rëndësishme Zogjsh, si dhe një Ligatinor me Rëndësi Ndërkombëtare (ose Zonë Ramsar) që prej 1994.

Laguna është toka ligatinore më e madhe në Shqipëri për zogjtë migratorë, duke siguruar për ata një habitat të përshtatshëm për t’u ushqyer, kaluar dimrin, shumimin dhe ngritjen e foleve. Ajo është gjithashtu habitati i vetëm në Shqipëri ku mund të rritet pelikani kaçurrel. Ishujt natyrorë brenda lagunës janë elementi më i rëndësishëm i kësaj zone për ruajtjen e zogjve. Për të shmangur shqetësimet në vende të tjera, pelikanët tani i ngrenë foletë e tyre vetëm në këta ishuj. I gjithë procesi i riprodhimit të pelikanëve fillon në janar dhe mbaron në qershor çdo vit.

Sipas censusit të fundit për migrimin dhe dimërimin e zogjve, si dhe studimet e zhvilluara në këtë ekosistem, numërohen rreth 240 lloje zogjsh në një vit. Ia vlen të përmendet se për censusin e vitit 2018 ka pasur 50 000 shpendë ku dominonin harabelat. Përveç zogjve, parku është shtëpia e shumë lloje insektesh, amfibësh, zvarranikësh, gjitarësh dhe molusqesh, disa prej të cilëve janë në prag të zhdukjes.

Në Lagunën e Karavastasë ka gjithashtu disa monumente natyror siç është pisha e famshme katër shekullore, Ishulli i Pelikanit që është i vetmi vend ku shumohet pelikani kaçurrel në Shqipëri, Kordoni Litoral dhe Dunat e Oazit të Divjakës, që ofrojnë një pamje magjepsëse.

Me një stil bizantin dhe zona antike arkeologjike, laguna ka gjithashtu një rëndësi kulturore dhe historike. Ajo është gjithashtu një zonë me potencial turistik. Çdo vit, zhvillohen vazhdimisht aktivitete për vëzhgimin e zogjve, ku numërohen më shumë se 400 000 vizitorë në vit, 42 000 prej të cilëve janë turistë të huaj.

Laguna e Karavastasë përbën një burim të ardhurash për popullsinë lokale që jeton brenda parkut tradicional. Këtu, njerëzit varen nga laguna për jetesën e tyre duke u marrë me zejtari, me restorante të vogla, duke zhvilluar guida për turistët dhe peshkim tradicional, duke respektuar teknikat dhe periudhat e peshkimit.

Kullat e drurit, të ngritura kohët e fundit në mes të pyllit, ka rritur numrin e grupeve familjare që dëshirojnë të shkojnë për të kaluar një drekë dhe për të ngjitur këto kulla 30 metërshe që u mundësojnë atyre të shohin mbi parkun me pisha të larta.

Në lagunë mund të organizohen gjithashtu kajak ose udhëtime të vogla me varka. Ndërkohë që lundroni përreth lagunës, mund të imagjinoni se ndodheni në një mjedis perfekt, ndërkohë që zhyteni në qetësinë e kësaj zone. Ndodheni në një botë tjetër apo kjo është reale?

Liqeni është gjithashtu një tërheqje për të porsamartuarit, të cilët e vizitojnë për të bërë foto në kujtim të një prej çasteve më të rëndësishme të jetëve të tyre. Këto foto do të përjetësojnë çastet e një dite të mbushur me romancë dhe dashuri, kur dy shpirtra bëhen një. Çfarë fillimi i mrekullueshëm për një tjetër udhëtim bashkërisht brenda vetë jetës!

Veprime për të ruajtur lagunën

Një moratorium mbi gjuetinë është miratua në Shqipëri që synon të rrisë numrin e kafshëve të egra dhe zogjve migratorë në vend, edhe ato që janë në rrezik zhdukjeje. Si pasojë e këtij moratoriumi, numri i zogjve të ujit në 2018 kishte arritur më shumë se 47 000 në Parkun Kombëtar të Karavastasë dhe numri i flamingove në park ka arritur mbi 4 000 individë.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM Fier) po punon me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të aplikuar projektin e “NaturAL”, “Forcimi i kapaciteteve kombëtare në mbrojtjen e natyrës – përgatitje për rrjetin Natyra 2000”.

Ky projekt synon të ndalojë humbjen e biodiversitetit në Shqipëri nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe të vendosë bazat për implementimin e ardhshëm të rrjetit europian “Natyra 2000”.

AKZM Fier po punon gjithashtu në një tjetër projekt për mbrojtjen dhe menaxhimin e pelikanit kaçurrel në detin Mesdhe, që financohet nga “Noe Conservation” me qendër në Francë”. /G.S/ KultPlus.com

Dirigjentja Deliana Lazarova fiton konkursin ndërkombëtar


Një mbrëmje emocionesh dhe arritje artistike do të cilësohej mbrëmja finale e Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjentëve.

RTSH dhe Orkestra  Sinfonike  e saj kanë përmbyllur me sukses të premten e 8 Marsit një ngjarje të madhe artistike. Një konkurs unik për Shqipërinë , por jo për arenën ndërkombëtare muzikore. Tashmë NRTA Conducting Competition është listuar në konkurset ndërkombëtare, fakt ky që e bën vendin tonë një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës serioze.

Pas përballjes së 10 gjysmëfinalistëve në skenën e Universitetit të Arteve , për në natën finale u përzgjodhën 3 finalistë : Andrew Joon Choi- Korea e Jugut, Ji Yujue- Kinë dhe Delyana Lazarova –Bullgari.

Pas drejtimit të tre konkurrentëve  juria e përbërë nga personalitete ndërkombëtare të botës nderoi me çmimin e parë dirigjenten Delyana Lazarova. Një dirigjente e re në moshe por me një ekperiencë në drejtim me orkestra të rëndësishme si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë e Azi. Ajo është përzgjedhur si dirigjente edhe në Festivalin Aspen Music që do të zhvillohet gjatë këtij viti.

E  emocionuar Delyana  falënderoi të gjithë muzikantët e Orkestrës së RTSH-së duke shpresuar që të rikthehej sa më shpejt që të drejtojë një koncert të vërtetë me këta artistë të jashtëzakonshëm. Gjithashtu , Lazarova vlerësoi edhe kolegët e saj dirigjentë të cilët ishin vërtet shumë të talentuar.

Kryetari i kësaj jurie, Mjeshtri I Madh Zhani Ciko u shpreh se për jurinë ishte shumë e vështirë të merrte vendim kur ke të bësh me talente të tilla ,ndaj çmimin e dytë juria  e ndau midis Andrew Joon Choi dhe Ji Yujue.

Nga data 2 deri më datë 4 Mars 75 dirigjentë nga 35 shtete të ndryshme të botës kanë drejtuar Orkestrën Simfonike të RTSH-së , e cila është vlerësuar si një pasuri e vyer tashmë jo vetëm në vend por në të gjitha trojet Shqiptare. Një orkestër e cila ka marrë vlerësimet maksimale nga të gjithë personalitetet e muzikës që kanë bashkëpunuar me të. Po ashtu me nota maksimale kanë vlerësuar muzikantët e kësaj orkestre edhe juria e cila kishte në përbërjen e saj emra të muzikës botërore si:

 Zhani Ciko – Mjeshtër i Madh

Vittorio Parisi – Dirigjent, Docent në Konservatorin G.Verdi ,Milano.

Bernt Bauge- Menaxher i Filarmonisë së Bergen, Norvegji

Gyorgy Igric –Drejtor Artistik i Orkestrës Sinfonike të Radios, Hungari

 Maurizio Cocciolito –Drejtor Artistik i Solisti Aquilani

Kujtesa ndaj kompozitorit tonë të shquar Nikolla Zoraqi e bëri edhe më domethënës këtë konkurs, ku një nga veprat e tij emblemë e cila ka korrur sukses jo vetëm brenda vendit kur është interpretuar por edhe jashtë saj, duke sjellë  kështu shpirtin kombit tonë nëpërmjet harmonisë dhe melodisë. Uvertura festive është luajtur 3 herë nga dirigjentë të kombësive të ndryshme, në 3 forma të ndryshme dhe nga një orkestër e vetme.

Përveç, Uverturës Festive të Zoraqit,  3 finalistët drejtuan dhe nga një kohë nga sinfonitë e kompozitorëve të mëdhenj si Dvozhak, Brams dhe Shuman duke spikatur kështu në stilin dhe karakterin e gjithësecilit .

Për të gjithë artdashësit finalja e madhe e këtij konkursi u transmetua direkt nga RTSH MUZIKË, si një kanal I dedikuar muzikor në tërësi ,por që tregon një kujdes të veçantë ndaj muzikës serioze si një vlerë e jashtëzakonshme në ushqimin shpirtëror .

RTSH ndërmori këtë nismë kurajoze për të realizuar një ngjarje të përmasave kaq te mëdha , ne bashkëpunim edhe me Classics Management , duke treguar se I përgjigjet kërkesave te publikut duke treguar vëmendje të veçantë ndaj artit. / KultPlus.com

Restaurimi i dështuar i Kalasë së Novobërdës

Gjendja e Kalasë së qytetit të Novobërdës, që ndodhet 35 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit të Kosovës, është e mjerueshme.

Kjo trashëgimi kulturore e vendosur në një kodër prej 1 mijë e 124 metra mbi nivelin e detit, dita e ditës po shkatërrohet. E kjo sipas njohësit të turizmit kulturor, Sali Shoshit po ndodhë si pasojë e përdorimit të materialit jo adekuat për restaurimin e Kalasë.

Shoshi ka reaguar në llogarinë e tij “Facebook” duke publikuar disa fotografi ku pasqyrohet gjendja e Kalasë së Novobërdës dhe materiali i cili është përdorur. “SOT 3 vjet pas po shihen pasojat e përdorimit të materialeve të gabuara. Fatkeqësisht në këtë projekt kanë qenë të përfshirë aktere të rëndësishëm: #UNESCO, #EUROPEANUNION dhe Institucionet tona. Marre është me punu”, kishte shkruar Shoshi në llogarinë e tij “Facebook”.

Sali Shoshi, drejtor në trashëgimia Kulturore ” pa kufi” (CHwB), sot në një prononcim për portalin rtv21.tv vlerësoi se restaurimi në rastin e Kalasë se Novobërdës ka dështuar i gjithë zinxhiri që planifikon, realizon dhe mbikëqyrë punët.

“Siç po shihet aty janë përdorur materiale jo adekuate dhe mbase është punuar në mot të papërshtatshëm dhe si rrjedhojë materiali lidhës ka dështuar duke shkaktuar rrëshqitje dhe shembje të gurëve. Kjo tregon që gjatë realizimit ka pasur shkarje në analiza dhe aplikim të materialeve si dhe në mbikëqyrje të punëve”, u shpreh njohësi i turizmit kulturor.

Nga gjetjet arkeologjike dhe dokumentet, ky vendbanim daton të jetë ndërtuar në shekullin XIV./ KultPlus.com

Publikohet traileri biografik i “Red Joan”

Ka arritur traileri i parë për filmin “Red Joan”, i cili e sjell tregimin emocionues biografik spiunësh me aktoret fantastike Judi Dench dhe Sophie Cookson në rolet kryesore.

Traileri i parë e paraqet Joan Stanley, zonjën e vjetër të cilën e luan Judi Dench, të përkushtuar ndaj familjes e cila e jeton një jetë modeste në Britani të Madhe.

Megjithatë, jeta e saj bëhet kaotike kur autoritetet e arrestojnë atë dhe fillojnë ta pyesin për ditët e saj universitare. 

Ajo do të dënohet për bashkëpunim me spiunët e panjohur komunistë gjatë studimeve dhe për ndihmën ofruar rusëve. 

Ngjarja e filmit më pas kthehet në të tridhjetat, kur Joan ishte studente e fizikës në Cambridge. Joanën e re e luan Sophie Cookson. Në film luajnë edhe Olivia Buckland, Stephen Boxer, Stephen Campbell Moore, Kevin Fuller dhe shumë të tjerë. 

Regjinë e “Red Joan” e bën Trevor Nunn, ndërsa skenarin e ka shkruar fituesja e çmimeve Lindsay Shapiro. Filmi bazohet në historinë e vërtetë të Melita Stedman Norwood, e cila në vitet e dyzeta, kishte punuar për KGB. Premiera e “Red Joan” është planifikuar për 19 prill në Britani të Madhe, ndërsa filmi më pas fillon me distribuim kinematografike botërore.


Silueta e nënës

Shkruar nga Kaltërina Meka

(Përpjekje për ta  zbërthyer dhe përfolur  kaq sa të jetë e mundshme poezinë e Nexhet Halimit “A vuan më pse nuk vuan)

Poezia është vetë shpirti, rrjedha e ujit. Pika e ujit të kroit nga guri i pathyeshëm. Ajo nuk shpjegohet në asnjë mënyrë. Asnjë herë dhe kurrë nuk shpjegohet deri në fund.  Ajo të çel plagë. Ajo shëron plagë! Poezia është ilaç.  Melhem. Ajo pa dyshim është e veçantë. E krijuar nga fijet më të kristalta shpirtërore, nga lulet dhe aromat më të njënjëshme të jetës, për të ecur në të gjitha kohët,  për të prekur e jetuar në të gjitha  vetëtimat, në të gjitha çeljet e reja të  secilës zemër, në hapësirat kurrë të mbyllura për të zgjuar dashurinë e dhembjen. Ja pse ajo ndrit qoftë në dhembje apo në dashuri, pse buhet kaq e fortë dhe e papërsëritshme. Poezia e njëmendtë është ajo, e cila këputet nga thellësia e shpirtit e përmes pikës së gjakut pikë në letër,për  të hyrë në zemër të lexuesit .Poezia e njëmendtë është ajo, e cila rrjedh nga brendësia, nga ndjenja e shpërthimit, të marrë jehonë ndër ecje, leqe e vetmi sipërfaqesh të veçanta, për t`u zgjuar në secilën shkronjë, në secilin varg në poezinë  e drejtpërdrejtë,në rrëfimin e zgjedhur, në kallëzim poetik, apo në atë me simbole, me metafora, e –

shfaqen veç varret mbi jalli në dumnicë

e unë nga i bie fyellit në rosujëra ndër lot

 Ja pse gjithherë poezia e dhembja janë një amshim.

Ja pse e marrin një kuptim,një hije dhe dritë, për t`u shquar nga pika e gjakut të vet, për ta shfaqur tërë atë udhëtimin deri te shtrirja në hapësirë e kohë, në letër, në mbamendje.

ende në arkivol udhëton krejt e ngrirë

veç dhe `i pëllëmbë e të arrish te rosujërat

 të prehesh mes dy gurësh në kodër

aty kaherë të presin dy çunat e çupa

unë me biletë në buzë në radhë i mpirë

me qumështin e gjirit tënd ilaç

Poezinë e lind pika e thellë e reales, dhembja, dridhja e gjëmës së brendshme,  e krijon dashuria, çdo gjë që lëviz rreth nesh, secili mendim, secila rrjedhë. Secila pikë e kroit, secili kalli i dritës e grurit, për të formuar përsëri poezinë nga dhembja, e ajo e dhembja e përhershme janë një amshim, një kuptim, një nuancë, të shtatë ngjyrat e harkuara të ylberit, të cilat e krijojnë mozaikun më të bukur të qiellit shpirtëror.

Jeta gjithsesi i ka bukuritë dhe dashuritë e përmotshme. Kjo rrjedhë, jo rrallë,lëndohet. Këputet.

Zgjohet e kaluara, këlthet e tashmja, e ardhmja vjen hapësirës së ngelur zbrazët pa një zemër, pa një palë duar që e përkëdhelin shpirtin e mbetur vetëm. Shfaqet përhitja, silueta, dhembja.

               Dhembja jeton te shpirti e shpirti amshohet te dhembja.

Magjisë së dhembjes i dorëzohet vetëm  shpirti që e ka humbur personin që tashmë mungon e prapë është aty e gjithherë do të jetë, kaq sa do të ketë frymë shpirti që e shkruan poezinë, e cila në të gjitha rrjedhat e ngriti në jehonë udhën e mbetur vetëm me lëvizjen e siluetës, me zbrazësitë.

të pres e s`vjen pse vonon nënë

as ta dëgjoj frymën as lëviz gjë në dhomë

e prapë hija jote shfaqet nën hënë

e lulet e xhenetit ndrisin me aromë

 Çdo gjë është zë i vërtetë, i afrohesh, e dëgjon e nuk e dëgjon e është e s` është. Kumbon e prapë ik e përhitet vetëm jehonë. S`ka jehonë pa zë. S`ka hije pa trup. Ka vetëm dhembje dhe imitim të siluetës, të cilën e shohim në secilën lule, në zbritje e ngjitje jetës.  Mungon personi i dashur.

Shfaqet e humb.

 E prapë është. Nuk është e  prapë është dhe gjithnjë.

Kjo, në një përpjekje të veçantë është esenca brenda shkrimit poetik të librit, kaq sa do të ketë  mendim, kaq sa do të ketë rrjedhë të brendshme, kaq sa do të ketë shpirt e jehonë përmbledhja me poezi  “A të dhemb pse më nuk të dhemb” të Nexhat Halimit, autor me përvojë në krijimin artistik. Ky është botimi i parë i librit, me vetëm 50 faqe, me të gjitha krijimet kushtuar vdekjes së nënës.

ky mëngjes i turbullt e dumnica qan

 Iku, në këtë mënyrë një vit pa nënën e silueta e njëjtë lëviz gjithnjë aty, e – përsëri, autori shkroi librin tjetër, me 80 faqe për nënën. I shtoi nga dita në ditë shumë kujtime, shumë inserte, shumë rrjedha të kaluara në jetë pranë nënës, ndërsa babanë  e kishte larg, në përpjekje të përditshme për ta bërë pragun e ri të shtëpisë, të iknin nga Dumnica e Poshtme e  të krijonin një jetë më të mirë, një jetë tjetër. Kjo familje dhe ashtu muhaxhirësh, e ikur për ta shpëtuar kokën nga Toplica, ku u ngelën të gjitha dhe tashmë erren e agojë të vetmuara  vetëm varret e paraardhësve, kaherë të mbuluara me bar të egër.

Pak udhë larg nga atje, tashmë varret e rrethuara me tela gjemborë i ruajë të dashurit e familjes, në copëzën e tokës mbi jalli, ku ndrisin lulet e xhenetit bri lumit, mes barit e pemëve  e yjeve të ndritur lart. Natën ata bëhen engjëj , ndërsa të gjithë flejë veç poeti shkruan, e çel dhembjen e vet dhe krijon libër për nënën, për të dashurën e vet që nuk është më.

Padyshim, ky është një libër i rrallë, pa përsëritje, pa fjalë që do ta rëndonin dhe do t`ia humbnin kuptimit poezisë, veç pse dhembja sillet në rreth, ik për një çast e prapë shfaqet,  i kushtohet një personi, gjurmët e të cilit ai i gjen kudo të shikojë në udhët e Dumnicës së djegur deri në shtëpi të fundit nga armiku i vjetër yni, i përbetuar.

“sorra mos ma qoftë as ashtin në prishtinë

të dhimbshin sytë të bartja tërë ditën në shpinë

të të shikojë doktori me `i të folur tjetër”

ah nënë e mbushja me ujë kroi gotën e vjetër

prishtina afër nënë ti vajte dhe në amerikë

në stihinë e luftës zemra digjej me shtëpinë

më varrosni te fëmijët e mi te kodra e fjetur

më ka marrë malli për të dashurit e vdekur

Kot është zemra e njeriut nuk mund të ndihet e qetë larg atyre që i takojnë amshimit,  kudo të jetë e ndien njëjtë dhembjen për ta dhe dashurinë. Ja pse, ky libër është i veçantë. Ndoshta, ky është njëri ndër librat e vetëm në letërsisë shqipe, i cili në tërësi i kushtohet darkës me nënën, drekës me nënën, mbledhjes së frutave me të, korrjes së misrit, korrjes së grurit, por pa e banalizuar për asnjë çast motivin e angazhimit të nënës në këtë rrjedhë. Libri i dytë është shkruar për një vit. Ka biseduar me ata që e kanë ngushëlluar, ka biseduar me ata që e kanë lexuar librin, ka gjetur detaje, kujtime, çaste të veçanta, të cilat i kanë ikur herën e parë. Tash shfaqen dhe më fuqishëm, në mënyrë të veçantë.

               Libri ka faqe e përjetime të prekura me veçanti. Shtohen ditët e jetës pa nënën e dhembja  ngel gjithnjë e njëjtë.

               Koha ik e dhembja sa vjen e shtohet.

               Në libër përdoren teknika të ndryshme të vargut, me rimë, pa rimë, përdoret një vargu,  dy vargu, tre vargu, katërvargëshi. Shkrimi rrjedh në vargje të lira, por ka dhe sonete, kurora tingëllimash e me radhë. Autori e ka përdorur përvojën e vet të gjasë në krijimtari dhe me fuqi të rrallë ka krijuar një poezi, që do të mbahet mend për kohë të gjatë. Gjithnjë duke e apostrofuar të vërtetën që e afron secili detaj, gjithnjë duke e bërë të jetë i afërt dhe i ngrohtë brenda dhembjes që ndien dhe që e shpreh.

Ja pse pra poezia dhe dhembja janë një amshim i shkrirë brenda shpirtit, brenda poezisë së librit, njërit ndër librat më të veçantë të autorit.

               ja nënë në këtë festë siç jam zotuar me lot

arrita mes dy gurësh në dumnicë tek vijë e ujit

në heshtje përgjërohem në dritën tënde në zot

e mungesa rëndë rëndë më shpërthen në gji

               Poezia pa hamendje do të apostrofoj të ketë diçka të shenjtë në vete, diçka nga lart, ndërsa ajo sa herë lidhet, gërshetohet e bëhet një me dhembjen e dashurinë e krijojnë amshimin, pa të cilin shpirti nuk do të ndriste dot në kohë e hapësirë.

              Asnjë herë dhe kurrë!/ KultPlus.com

Reagimi i AGK-së ndaj ministrit të Maltës bëhet kryetitull në mediet e Maltës

Reagimi i AGK-së drejtuar ministrit për punë të jashtme dhe promovim të tregtisë të Republikës së Maltës, Carmelo Abela  ka zënë vend në median e njohur online në Maltë, TimesOfMalta, shkruan KultPlus.

Lajmi i publikuar “Gazetarët e Kosovës i drejtohen ministrit: Praktikoni atë që predikoni” tregon sesi AGK-ja ka kërkuar nga shteti maltez dhe qeveria, pjesë e së cilës është z. Abela, të ndriçojë sa më parë rastin e vrasjes së gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia.

https://www.timesofmalta.com/mobile/articles/view/20190309/local/practice-what-you-preach-kosovo-journalists-tell-minister.703948?fbclid=IwAR3XiWwmAb6rcFCOr5Ho_lEaKtv3qNa_Y9i2D4EyEcCrPVHB7t6oFekE5Kk#.XIQQRzW2HGk.facebook

Në lidhje me deklaratën e Ministrit të Jashtëm për vlerat evropiane, shoqata tha se një nga vlerat kryesore të BE është e drejta për lirinë e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve./ KultPlus.com

<iframe src=”https://web.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fweb.facebook.com%2Fasociacioniigazetareve%2Fposts%2F2072942216107183&width=500″ width=”500″ height=”530″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowTransparency=”true” allow=”encrypted-media”></iframe>

Ashtu më tha shpirti

Abdyl Kadolli

Shpirti i zgjuar më tha:
Brof, ec, nxito!
U bë tepër vonë
Lumi po vërshon.
Edhe pak dielli perëndon
Nata sterr pushton
Vetmia trishton.
Ashtu më tha shpirti
Koka u tund tëhu
Hapat rendën tutje!/ KultPlus.com

Gati 700 dekorata ndau Thaçi për 3 vjet – analistët thonë se ky është tentim për të rritur besueshmërinë ndaj tij


Ishte dekorata e parë që Behgjet Pacolli e kishte ndarë si president i Kosovës dhe kishte mbetur e fundit.

Ai kishte nderuar me çmimin “Ambasador Nderi” legjendën e futbollit gjerman, Franc Beckenbauer, raporton KTV.

Megjithatë, presidentët paraprakë e pasues, nuk janë kursyer në ndarjen e dekoratave.

Listës i prin presidenti aktual, Hashim Thaçi, që nga betimi tre vjet më parë, ka ndarë gati 700 dekorata.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen presidenciale, e përditësuar në fund të vitit 2018, Thaçi ka ndarë hiç më pak se 657 dekorata, ku përfshihen medalje, tituj, urdhra e mirënjohje.

Pas Thaçit, në listë vjen ish-presidentja Atifete Jahjaga, por Jahjagës që t’i ndajë 550 dekorata, i janë dashur 5 vjet.

Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, ishte njëri prej presidentëve më duarshtrënguar kur bëhet fjalë për dekorata.

Pavarësisht se shumë personalitete të vendit ia kishin refuzuar Medaljen e Pavarësisë presidentit Thaçi, Sejdiu e kishte pranuar një të tillë, ndërsa nuk komenton shumë kur pyetet për numrin dekoratave të presidentit aktual.

Por, analisti Krenar Shala, mendon se Presidenti Thaçi, përmes dekoratave, tenton të rrisë besueshmërinë në figurën e tij.

Ndarja e dekoratave, nga Thaçi ka vazhduar edhe në muajt e vitit 2019, ku nuk përjashtohen edhe këngëtarë, gazetarë, emisione televizive e kreatorë të modës, shkruan koha.net

Presidenca nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga televizioni për të kuptuar arsyetimet që janë ndarë disa prej dekoratave të fundit.

E në njoftimet e publikuara në rrjete sociale, nuk kanë munguar komentet komike, si në rastin kur një prej komentuesve i kërkon një medalje, me arsyetimin se ia pëlqen të gjitha postimet presidentit.

Në mesin e mijëra dekoratave që janë ndarë, ka edhe personalitete që janë dekoruar më shumë se një 1 herë, siç është rasti me ish-kryeadministratorin, Bernard Kouchner.

Ish-presidenti Rugova, në vitin 2004 ia kishte ndarë atij Medaljen e Artë të Lirisë, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte nderuar me Medaljen Humanitare “Nëna Terezë”, dhe i fundit, presidenti Thaçi, Medaljen jubilare të 10-vjetorit të pavarësisë./ KultPlus.com

‘A do të blesh disa iluzione të përdorura, të dorës së dytë’

Është e mrekullueshme kur kujtojmë faktin se Marianne Faithfull ka me shumë se 50 vite në skenën e muzikës që kur u zbulua talentin e saj kur ajo ishte 16 vjeçare.

A do te blesh disa iluzione, disi te perdorura, te dores se dyte? 
Kane qene iluzione te dashura
Qe synonin per siper, te ndertuara mbi rere 
Ato kane pasur nje tis parajse
Nje magji qe nuk mund ta shpjegosh dot
Sepse ne kete parajse te cmendur
Ti je e dashuruar me dhimbjen 
A do te blesh disa iluzione
disi te perdorura, ashtu si te reja?
Iluzione kaq romantike Dhe ato jane te gjitha per ty
Sa keq qe jane shperbere te tera 
Sic ndodh shpesh me endrrat 
Ato ishin iluzione te dashura
Por qe nuk mund te realizohen
Disi te perdorura, ashtu si te reja
Iluzione kaq romantike
Dhe ato jane qe te gjitha per ty 
Do t’i shisja per nje qindarke 
Ato jane nje dhurate e bukur
Merri iluzionet e mia te dashura…
Disa per te qeshur, disa per te qare…/ KultPlus.com

Harta e turizmit kulturor e Shqipërisë pasurohet me 15 monumente

Janë 15 objekte të tjera kulti nëpër Shqipëri të cilat janë restauruar falë programit kombëtar “Rrugët e Besimit”. Ato sivjet i shtohen itinerarit turistik të shtetit shqiptar. Një prej tyre është Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë të Fierit. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan Koha Ditore. 

“Këtë verë mirëpresim turistët me rreth 15 destinacione të reja turistike të objekteve të kultit në të gjithë Shqipërinë, me histori dhe vlera të veçanta”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti. “552 milionë lekë (4.4 milionë euro v.j.) është investimi në katër vjet në ‘Rrugët e Besimit’, program që ka për qëllim jo vetëm për t’i shpëtuar si trashëgimi kulturore, por edhe për t’i kthyer në itinerare turistike”.

“Rrugët e Besimit”, sipas saj, “po zgjerohet me zona të rëndësishme si Pogoni, Voskopoja, Kosina, Karavastaja, Labova, Delvina, që ecin paralel me programin ‘100 Fshatrat’”.

Ministria e Kulturës, sipas saj “e ka gjithmonë në vëmendjen e saj kryesore bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm, ku një vend të veçantë zë bashkëpunimi me pushtetin vendor, si në rastin e Kishës së Shën Kollit në Kurjan, një bashkëpunim i shkëlqyer me Bashkinë e Roskovecit”.

Turizmi kulturor, sipas ministres Margariti, “është një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës”.

Eliza Hoxha: Nuk jetoj jetë luksi, servilizmi e favoresh, jam rritë dhe eduku me ideale të tjera

Eliza Hoxha ka reaguar pas lajmit të rrejshëm që është publikuar në lidhje me anëtarësimin e saj në PDK. Ajo përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur edhe Ngadhnjim Avdylit, një nga komentuesit i cili ka komentuar lajmin për anëtarësimin e saj.

Kujtojmë se Eliza Hoxha, Zake Prelvukaj dhe Burbuqe Berisha e kanë mohuar anëtarësimin e tyre në këtë parti.

Postimi i plotë

Për ata që më njohin mirë po edhe për tê tjerët – zakonisht qëndrimet dhe vendimet e mia që lidhen me sferën publike i kam ba publike vet. Prandaj edhe nëse një ditë do të angazhohem ne sferën publike në një rol e pozicion tjetër me cilëndo parti sigurisht se e bëjë publike vet. Prandaj portalet ka kohë që nuk me shqetësojnë më sepse vazhdon me u abuzu cdo gje mbi idenë e klikimeve…perderisa liria e tepruar apo edhe e abuzuar e individeve për të ofendu jo vetem mua por përfshi edhe familjen është poashtu shqetësuese…dhe cuditërisht kjo vjen nga një gazetar që i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë për të hulumtu para se me gjyku.

Këtë status po e shkruaj për hir të familjes dhe kolegëve që kanë qenë pjesë e rrugëtimeve te mia…dhe është hera e parë që e bëjë një gjë të tillë – por e ndjeva te nevojshme pak me ia qartësu pasqyren Ngadhnjimit.

Ngadhnjim Avdylin nuk e njoh por e shoh që as ai mua.

Kur nana e baba im kane hy ne punë, ju Ngadhnjim ndoshta s’keni qenë as i lindur…Te përjashtuar të dy nga puna në të ’90-tat pas luft sës baba im ka dal në penzion të parakohshëm nga Radio Prishtina e nana është kthy në qerdhe ku ka nisë prej 1974 dhe sivjet del ne pension. Te dy kanë edukimin përkatës për pozitat që i kanë ushtru gjatë tanë jetes.

Kur unë kam konkuru ne Fakultetin e Arkitekturës edhe pse i kam plotësu kriteret dhe recenzioni është shkruar për mua…tre herë është anulu konkursi me argumentin qe une kendoj – derisa eshte qu njera nga profesoreshat me diskutu faktin qe une aty kam konkuru me diplome te arkitektes, i kam plotesu kushtet dhe ua ka perkujtu shumices se profesoreve burra ne Keshille ate kohe qe brenda Fakultetit te Arkitektures ka plot profedir e asistent instrumentiste e kengetar ne bende por qe per ta ska qene ajo pengese.

Sa per ceshtjet artistike nuk diskutoj me ty.

Por po ta lehtesoj pak punen e gazetarit e po te tregoj qe procesi i bienales ka nise ne kohen kur nuk ka pas qeveri dhe kur Vlora Dumoshi ka qene ushtruese e detyres se Ministrit te Kultures. Pas krijimit te qeverise fatmiresisht si proces i nisur ka vazhdu…per ma shume te lutem hulumto vet. Ndersa sa i perket Bienales Muslim Mulliqi ne Prishtine – menjehere pas Bienales se Venedikut – dikush tjeter po te ishte ne vendin tim as qe kishte konkuru se ju kishte duke nencmuese pas Venedikut me konkuru ne nje Bienale ma te vogel. Ja qe une nuk kam keso mendje dhe ja qe per kete ka nje konkurs te rregullt ku une kam konkuruar dhe ka nje kuratore bullgare Iara Boubnova e cila i ka perzgjedhur punimet dhe ka nje drejtoreshe. Te Galerise Arta Bunjaku Agani e cila ka kembengulur qe vepra te realizohet si eshte menduar dhe te vendoset ne hapesire publike duke gjetur mundesi realizimi …

Per aktivizmin nuk flas dhe ate nga parimi. Ka shume e shume qe i dijne ato qe une kam kontribu dhe nuk i beje per te folur.

Ne fund po ta them edhe nje gje, qe une vendin e qytetin tim e du fort dhe cdo gje qe kam bere deri tani ka qene ne te miren e tij nga cilido pozicion dhe do te vazhdoj ta beje deri sa te kam shendet dhe mendje.
E di vec nje qe nuk e kam bere… Vendin e qytetin tim nuk e kam demtu kurr me asnje gje.

Une nuk jetoj jete luksi, servilizmi e favoresh. Jam rrite dhe eduku me ideale te tjera dhe jam shume e lumtur per kete.

Rri ne paqe me veten dhe te tjeret per ate se cfare jam dhe cfare kam./ KultPlus.com