Për 8 Mars në Tiranë fillon Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gruan

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, për herë të parë zhvillohet në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gruan. 6 filma dhe dokumentarë, vendas dhe të huaj do të shfaqen në kinema. 

Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, e cila është organizatore e këtij festivali bashkë me UN Women në Shqipëri, ka deklaruar se ky është një aktivitet i ri që vjen në një moment shumë të veçantë, sepse prej kohësh në shoqërinë dhe mediat tona është trajtuar një tematikë që më shumë se temë është kthyer në problematikë. Dhuna ndaj grave, sensibilitetet që janë të lidhura me pozicionin e femrës në Shqipëri, janë bërë tepër të animuara.

“Ky festival sjell një mesazh të fortë, si një domosdoshmëri në trajtimin problematik nëpërmjet artit dhe kinematografisë. Kjo e fundit krijon një impakt emocional, që mund të ndikojë në shtresëzimin e një kulture kolektive. Do doja që të shfrytëzoja rastin për të gjitha institucionet, publike dhe private, që të bashkojnë forcat edhe të krijojnë mundësi financiare për të mbështetur iniciativa të tilla. Dita e festës së grave mos të jetë një ftesë që merr trajtën e piknikut, por të trajtohet edhe në forume të tilla, siç është kinemaja”, ka tha Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë.

Në mesin e gjashtë filmave sa do të shfaqen gjithsej për publikun janë edhe dy filmat nga Kosova “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja dhe “Ajo” i regjisores More Raça. Filmat e tjerë të huaj janë “Die Fremde”, “Jaha’s Promise”, “ Netizens” dhe “Ivan”.

“Ajo që dua të theksoj është se nuk është vetëm Festivali i Gruas në Shqipëri, por që kjo është një temë universale, që ndodh në çdo vend të botës. Vëmendja ndaj dhunës ndaj grave edhe vajzave duhet që të jetë një prioritet në Shqipëri, sepse një ndër dy gra ka përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së saj. Vetëm vjet 5000 raste janë raportuar në polici. Në rajonin e Ballkanit Shqipëria është vendi me prevalencën më të lartë të dhunës me bazë gjinore, sidomos në zonat rurale”, deklaroi Giuseppe Belsito, përfaqësues i “Un Women”.

Dokumentare dhe filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, nga kineastë vendas dhe të huaj, do të shfaqen falas në Kinema Milenium. /Shqiptarja/ KultPlus.com

Mbrëmë filluan ‘Javët e Frankofonisë’ në Kosovë, KultPlus ju sjellë detajet e aktiviteteve

Alberina Haxhijaj

Në Teatrin Oda në kryeqytet u shënua fillimi i aktiviteteve të shumta të cilat do të organizohen në kuadër të manifestimit “Javët e Frankofonisë”, shkruan KultPlus. Dhe si shpesh herë, frëngjishtja për disa ditë bëhet kryefjala e botës, njësoj edhe në Kosovë.

Koncerti i këngëtarit kosovar Shpat Deda dhe performanca nga Elsa Hyseni i hapën rrugën aktiviteteve të shumta të cila do të mbahen deri në përfundim të këtij muaji në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë, Vushtri e Viti.

“Javët e Frankofonisë” shquhen nga një shumëllojshmëri ngjarjesh: koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca, aktivitete për të rinj, lajme për bursa e studime në Francë dhe kudo ku flitet gjuha frënge. Çfarë e bën këtë ngjarje edhe më të veçantë nga viti i kaluar është se Kosova tani mirëpret Javët e Frankofonisë si anëtare e asocuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe si anëtare vëzhguese në Kuvendin Parlamentar të Frankofonisë.

Valon Ibraj, atashe për kulturë në Ambasadën Franceze në Kosovë u shpreh se programi gjatë këtyre ditëve është shumë atraktiv për të gjithë, dhe jo vetëm për njohësit e gjuhës frënge dhe kulturës frankofone, por për të gjithë entuziastët.

“Duke marrë parasysh që nga ky vit Kosova është anëtare e asocuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, është shumë me rëndësi organizimi i këtyre aktiviteteve në Kosovë. Kosovës iu hapën dyert e një universi tejet të pasur dhe të mundësive të panumërta të krijimit të lidhjeve të reja miqësore, kulturore e ekonomike duke ndërtuar ura lidhëse me vende të pesë kontinenteve të botës. Për Kosovën, Frankofonia duhet të mbetet prioritet gjatë tërë vitit, duke ditur se gjuha frënge bashkon më shumë se 300 milion folës në mbarë botën. Risi për këtë vit mund ta quajmë ekspozitën me autorët francez të shekullit 20, kjo falë bashkëpunimit me Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe Muzeun Nacional të Maqedonisë. Pastaj, Hapja e Dam Festit me Quartetin nga Parisi, Java e filmit të shkurtër në Aleancën Franceze e kështu me radhë”, tregoi Ibraj për KultPlus duke i ftuar të gjithë që t’iu bashkohen aktiviteteve të Frankofonisë.

Në Kosovë gjuha frënge dhe kultura frankofone gëzojnë një adhurim edhe nga të rinjtë të cilët kanë krijuar lidhshmëri në këtë gjuhë që kur ishin në gjimnaz. Një lidhje të tillë ka edhe Arta Ademaj e cila më shumë dashuri i përcjellë këto ngjarje dhe ishte e pranishme edhe në koncertin i cili u mbajt mbrëmë.

“Jam e pasionuar pas gjuhës frënge për të cilën edhe kam pak njohuri e çdo herë përpiqem ta përforcoj. Marr pjesë në karaoke të cilat zhvillohen në Aleancën Franceze dhe i përcjell edhe filmat në gjuhën frënge mirëpo aktivitetet të cilat organizohen në ‘Javët e Frankofonisë’ janë të preferuarat e mia pasi që përmes tyre kam mundësi që të njoh edhe të apasionuar të tjerë të kësaj gjuhë dhe të kulturës frankofone”, tregoi ajo për KultPlus.

Për të shikuar të gjitha aktivitetet të cilat do të mbahen gjatë këtyre jave, vendin dhe orën, klikoni këtu.

“Javët e Frankofonisë” organizohen nga ambasadat dhe përfaqësuesit diplomatik të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleanca Franceze në Prishtinë, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës./ KultPlus.com

Festohet me poezi dhe me vargje plot mishërim, sepse çdo ditë është 8 mars

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Librarinë Dukagjini në kryeqytet u lexuan poezi të autorëve të ndryshëm, të cilat në fokus të tyre kishin fuqizimin e grave.

Poezitë e shkruara nga shkrimtare e shkrimtarë të njohur sollën para të pranishmëve copëza të përditshmërisë së grave, ëndrrat e tyre dhe fuqinë që ato kanë për tu ngritur përsëri pas çdo sfide e pas çdo goditjeje, ashtu siç thotë edhe poetja e njohur Maya Angelou, në një prej poezive të saja ikonike.

“Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
Mund të më copëtosh me sytë e mprehtë,
Mund të më vrasësh me urrejtje,
Por përsëri, ashtu sikurse ajri, do të ngrihem”.

Ky aktivitet u realizua nga Qendra për Art dhe Komunitet-Artpolis për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke lexuar për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre. Poezitë u lexuan nga Ilire Zajmi, Shpëtim Selmani, Nora Prekazi, Melihate Qena, Anisa Ismajli, Denis Galushi, Daniela Markaj dhe Qëndresa Kajtazi. 

Aktorja e njohur Melihate Qenë në kuadër të këtij aktiviteti solli fjalët e Nënë Terezës përmes poezisë “Gjallërohu”.

“Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje.
Pas çdo suksese, një zhgënjim.
Përderisa je gjallë, gjallëro!

Venera Ismaili nga ArtPolis tregoi për KultPlus se qëllimi prapa kësaj nate ishte që të jepet mesazhi që çdo ditë është 8 mars, pa marrë parasysh datat.

“Edhe këtë herë, Artpolis organizoi një mbrëmje artistike, poetike, për ti dhënë  fuqi grave përmes vargjeve të bukura të thurura nga poetët tanë dhe të huaj. Ideja e kësaj nate ishte të krijohet një natë e qetë, e bukur, me atmosferë intime duke performuar dhe lexuar poezi inspiruese dhe fuqizuese nga vetë poetët e këtyre vargjeve por edhe nga artistët e nderuar kosovarë.  E mbi të gjitha, të përcillen përmes tingujve muzikorë të performuar ‘live’ mu aty pranë skenës së artistëve dhe poetëve.  E qëllimi ishte që përmes vargjeve inspiruese, me shumë dashuri, respekt dhe vëmendje të veçuar ti fuqizojmë gratë dhe të japim një mesazh se çdo ditë është 8 mars e jo vetëm një ditë në vit”, tha ajo për KultPlus.

Gruaja është krahët e mi, këmbët e mia
foshnjë, nëna, gruaja, motra ime,
është shoqja e jetës time…

Poezitë e kësaj mbrëmje janë përzgjedhur nga poeti dhe aktori Shpëtim Selmani, e që u përqafuan me shumë dashamirësi nga të pranishmit. Kjo mbrëmje ishte edhe për dashurinë, për përqafimet, për puthjet sepse ashtu siç thotë edhe poetja Alda Merini, dashuria është art.

Mandej bëni dashuri.
Jo seks, veç dashuri.
Dhe me këtë nënkuptoj
puthjet në gojë,
në qafë,
në bark,
mbi kurriz…

Sipas Ismajlit, e bukura e këtij organizmi është se pas leximit të poezive të zgjedhura edhe të pranishmit patën mundësinë që të lexojnë poezitë e tyre apo të poetëve të tjerë. Kështu Artpolisi edhe këtë mbrëmje ja arriti që përmes fuqisë së kulturës ti bëjë të rinjtë që të jenë nxitës për ndryshime dhe të shfaqin zërin e tyre.

“E bukura ishte se për disa prej tyre, ishte hera e parë që i lexonin para publikut dhe i shfaqnin krijimet e tyre dhe kjo falë performancës së poetëve dhe artistëve edhe të muzicientëve, por edhe falë poezive të bukura e të fuqishme. Kjo do të thotë se arti e kultura, e në këtë rast poezia, ndikoi fuqishëm dhe i bëri me të guximshëm pjesëmarrësit e sidomos gratë e vajzat që të dalin në skenë dhe të iu dëgjohet edhe zëri i tyre. Dhe po, kjo u arrit përmes poezisë” theksoi ajo.

Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton,
që nuk lexon,
që nuk dëgjon muzikë,
që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.

Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër./ KultPlus.com

Zvicerania shkruan për muzikën në autobusët e Kosovës

“Ndryshe nga Zvicra ku parapëlqehet qetësia, ka vende të botës ku njerëzit kanë një qasje krejtësisht të ndryshme lidhur me lartësinë e zërit dhe të tingujve në transportin publik. Si Kosova, për shembull”, shkruan Alexandra Hiltmann në një artikull të publikuar sot në Tages Anzeiger.

“Merreni me mend: po udhëtoni me tren nga Cyrihu drejt Bernës, në orën 8 të mëngjesit dhe nga altoparlanti gjëmojnë zërat e këngëtarëve si Gölä, këngë popullore ose rap i fortë gjerman. Diçka e paimagjinueshme. Zviceranët duan qetësi. As telefonime të zëshme, as kollitje të zhurmshme, thjesht, heshtje… Por ka vende në të cilat njerëzit kanë një qasje krejtësisht të ndryshme lidhur me lartësinë e zërit  dhe të tingujve në transportin publik. Si Kosova, për shembull”, shkruan Alexandra Hiltmann në një artikull të publikuar sot në Tages Anzeiger, transmeton albinfo.ch.

“Atje, (në Kosovë), në autobus ka muzikë dhe madje në çdo kohë. Capital T, Loredana (nga Zvicra!), hite të viteve `90, ansamble tradicionale me `kitara` shqiptare (çifteli). Gjithçka këtu është e mundshme. Përpara, në rreshtat e parë të autobusit janë të ulura gjyshet me shami dhe gjyshërit me plisa në kokë, mbi kokat e tyre zvarriten në ekrane gra gjysmë të zhveshura me flamuj me shqiponja, pasi që muzika ofrohet në kombinim me videoklipe, përcjell albinfo.ch. Por, edhe gjeneratat e reja sfidohen, atëherë kur burra me mustaqe ulen në qilim duke berë një gjysmëharku dhe me dy akorde të instrumenteve tradicionale këndojnë me zjarr  këngë për atdheun. Përmbajtje tjera të preferuara të këngëve janë: dashuria, gratë e bukura, zemra e përgjakur… Kjo mund të zgjasë me orë, dmth aq sa zgjat udhëtimi. Mëshirë nuk ka fare. Lutja për të ulur zërin e muzikë, respektohet zakonisht më së shumzti për gjysmë ore, edhe kur ajo bëhet nga vendësit.

https://www.tagesanzeiger.ch/leben/gesellschaft/hier-spielt-die-musik/story/29572443?track

Si vizitor i jashtëm do të kalosh faza të ndryshme përballë këtyre rrethanave. Në fazën e parë je totalisht i ekzaltuar: Wow, sa ekzotike, këta njerëz ngasin autobusin me muzikë të zhurmshme! Pas humë udhëtimeve me autobus dhe shumë orëve ngujuar në diskotekën mbi katër rrota, përhapet dëshpërimi, shkruan tagesanzeiger.ch transmeton albinfo.ch. Muzika luan dhe luan, edhe kundër emocioneve që ke kur autobusi ngelet në kolonë, përmes peisazheve të mrekullueshme ose kur me shpejtësi thyeqafëse kalon nëpër kthesa. A do të dëshironit që, duke dëgjuar Bushidon të kalonit nëpër Berner Oberland ose me Debussy-n të tejkaloni përnjëherë tri makina njëherësh në një rrugë të ngushtë me kthesa?

Askush nuk do diçka të tillë, por, pastaj vjen faza e tretë. Kur ti tashmë je kalitur. Hip thjesht në autobus dhe tralalatë në fjalë i regjistron vetëm si muzikë sfondi, dhe madje kthen sytë nga altoparlanti kur ai papritmas hesht. Ku mbeti muzika? Diçka me siguri nuk është në rregull, aty pranë një tinejxher dëgjon muzikë nga smart telefoni i tij: S-Bahn Zürich Flughafen-Zürich HB. Unë do të doja që ai t`ia rriste zërin pak më shumë. Dhe më së miri, me këtë këngë, me të cilën më janë mësuar veçanërisht veshët gjatë dy javëve të qëndrimit tim të fundit në Kosovë./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=s5rJRYv2Vk4

Shkrimtarë dhe artistë nga Kosova e Serbia bëhen bashkë në Beograd

Shkrimtarë dhe artistë nga Kosova e Serbia bëhen bashkë në Beograd

Një projekt në mes të Kosovës dhe Serbisë synon të promovojë shkrimtarët e të dyja vendeve por edhe të hapë debat mbi artin dhe kulturën, dy fusha që nuk njohin kufinj.

IN THE NEIGHBOURHOOD – është takim dy ditor mes shkrimtarëve dhe kolumnistëve nga Kosova e Serbia, që do të mbahet në Beograd.

Organizuar nga Asociacioni Krokodil – Engaging Words dhe Belgrade Fund for Political Excellence, në këtë program nga Kosova do të marrin pjesë Jeton Neziraj, Arbër Selmani, Shpëtim Selmani, Rina Krasniqi, Azem Deliu, Gjergj Filipaj, Rrona Jaka, Fjolla Hoxha, Lura Limani dhe Genc Kadriu.

Gjatë dy ditëve të takimit, shkrimtarët dhe kolumnistët nga Kosova dhe të tjerët nga Serbia do të lexojnë pjesë nga krijimtaria e tyre letrare por edhe do të marrin pjesë në diskutime të ndryshme, mbi letërsinë bashkëkohore në Kosovë e Serbi, mbi atë se si këto dy letërsi konceptohen nga njëra tjetra dhe se si duhet përmirësuar raportimi, përfshirë edhe ai kulturor, në mes të të dyja shteteve, shkruan KultPlus.

Tanja Šljivar, Marjan Čakarević, Jasna Dimitrijević, Marija Pavlović dhe shkrimtarë e emra të tjerë nga Serbia do të marrin pjesë në këtë takim që do të mbahet në Qendrën për Letërsi Bashkëkohore – KROKODIL në kryeqytetin serb. / KultPlus.com

Në Kalanë e Tiranës u hap ekspozita “Një Komb, një Abc”

“Një Komb, një Abc” titullohet ekspozita që u hap për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës, me rastin e 7 marsit, e cila organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin: Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizimit në Bashkinë e Tiranës znj. Mirela Koçollari, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe mësues dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit.

Ekspozita përmban foto dhe dokumenta të rralla të Kongresit të Manastiriti cili ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë ishin Luigj Gurakuqi, Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës, Taqi Buda, Gjergj Zavalani. Në këtë ekspozitë mund të shihni dhe mjaft fotografi dhe dokumente të tjera.

Kjo ekspozitë është paraqitur përpara publikut në Festimet Qendrore të 110-vjetorit të Kongresit të Mastirit, të zhvilluara në Shkup. Ekspozita vjen në Tiranë për herë të parë në ambientet e Kalasë së Tiranës, ku do të mirëpresi deri më datë 14 të gjithë vizitorët./albarchive.gov.al/ KultPlus.com

Ekspozohen dëftesa e diploma që nga fillimet e arsimit shqiptar

Me rastin e 7 marsit, Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë vjen me një ekspozitë mjaft interesante për publikun mbi vlerën e mësuesit dhe arsimit si një hallkë e rëndësishme në zhvillimin e një shoqërie.

Ekspozita pasqyron për publikun “Dëftesa dhe diploma të shkollave të Korçës” që prej fillimeve e deri në Luftën II Botërore.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka uruar festën e 7 marsit me anë të kësaj ekspozite. “Gëzuar 7 Marsin! Faleminderit armatës së dijes që përgatit dhe formon të ardhmen e kombit shqiptar.Ju presim në ekspozitën “Dëftesa dhe diploma të shkollave të Korçës” prej fillimeve e deri në Luftën II Botërore në Muzeun Kombëtar të Arsimit ”Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, Korçë””, tha ajo.

Dua Lipa ju propozon ta lexoni këtë poemë çdo ditë

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të suksesshme në arenën e huaj të botës së muzikës.

Ajo gjatë muajve të fundit ka marrë shumë çmime ndërkombëtare duke përfshirë Brit Awards dhe Grammy Awards.

Këngëtarja shqiptare kohët e fundit është duke punuar në këngët e reja që do të përfshihen në albumin e ri dhe për këtë ka anuluar turnetë koncertal.

Por, pas një pune të lodhshme Lipa thotë se lexon libra dhe ka zbuluar poemën qe lexon sa herë t’i jepet mundësia.

“Kjo është poema ime e preferuar në të gjithë botën. E kam atë në mur dhe përpiqem ta lexoj atë çdo ditë. Nëse keni kohë edhe ju duhet ta bëni”, pohoi Dua.

Theksojmë se bëhet fjalë për poemën “Desiderata” të shkrimtarit amerikan, Max Ehrmann, i cili këtë krijimtari letrare e ka shkruar në vitin 1920.

Ndryshe, Lipa pritet që gjatë këtij viti të nxjerrë në shitje albumin e dytë muzikor në karrierën artistike. / KultPlus.com

View image on Twitter

DUA LIPA@DUALIPA

Oh actually before I go, i might’ve posted this before but this is my favourite poem in the whole world. I have it on my wall and I try and read it everyday. If you have time you should too x5,5632:56 AM – Mar 7, 20191,288 people are talking about this

Ministri Gashi takoi Ministrin e Jashtëm të Maltës, pritet marrëveshje mes dy vendeve


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në zyrat e MKRS-së në Prizren ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Republikës së Maltës, Carmelo Abela, me të cilin diskutoi rreth bashkëpunimit në fushat e interesit të dynashëm të dy shteteve mike, Republikës së Kosovës dhe asaj të Maltës, me theks në kulturë e trashëgimi kulturore.

Ndër çështjet e bisedës në këtë takim ishte edhe fokusimi në qytetin e Prizrenit, duke bashkëpunuar në projekte konkrete mes dy shteteve. Madje, ministri Gashi, i propozoi ministrit Abela që qyteti i Prizrenit të binjakëzohet me ndonjërin prej qyteteve të Maltës.

Ministri Gashi e ka informuar ministrin Abela për punën dhe politikat që zhvillon MKRS-ja. Ndër të tjera, ministri e njoftoi ministrin maltez se MKRS ka themeluar edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore si një mekanizëm që funksionon në kuadër të Trashëgimisë dhe në këtë drejtim Republika e Maltës do të mund të ndihmonte me përvojën e saj.

Ndërsa, ministri Abela shprehu kënaqësinë që ndodhet në një qytet të mrekullueshëm, siç e quajti ai qytetin e Prizrenit. Ai vlerësoi se është e rëndësishme që përpos marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve të ketë edhe bashkëpunim konkret në fusha të caktuara.

Ministri Abela u shpreh se është i gatshëm që të nënshkruajë marrëveshje me MKRS-në në fushat që i mbulon ajo, në mënyrë që të strukturohet bashkëpunimi në këto fusha ashtu që dy popujt të përfitojnë sidomos në trashëgimi kulturore ngase të dy popujt kanë një histori të gjatë, vlerësoi ai.

Të dy ministrat u pajtuan që të konkretizohen planet për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim mes dy vendeve, ashtu që historia e dy popujve të ruhet dhe të kujtohet ndër gjeneratat që vijnë pas. /KultPlus.com

Dua Lipa, pjesë e GlobalFeminism

Këngëtarja shqiptare tashmë e njohur botërisht, Dua Lipa po vazhdon të ecë suksesshëm në industrinë e muzikës. Krahas kësaj, emri i saj është pjesë e eventeve më të njohura botërore.


Së fundmi ajo ka qenë pjesë e projektit “GlobalFeminism”, për të cilin ka thënë se ndihet e inspiruar për të përkrahur gratë në gjithë botën.
Faleminderit Annie Lenox që më ke ftuar për të qenë pjesë e filmit që i ndihmon çdokujt që t’i kuptojë vështirësitë me të cilat vajzat dhe gratë përballen çdo ditë”, ka shkruar ndër të tjera Lipa, shkruan KultPlus.


Dua Lipa së fundmi është shpërblyer me dy çmime Grammy, në ceremoninë që u mbajt muajin e kaluar. Ajo vitin e kaluar ka interpretuar para publikut prishtinas, në kuadër të festivalit “Sunny Hill”./ KultPlus.com

Për mësuesit, jo vetëm një ditë, por një jetë

Nga Manjola Brahaj

 “Ai njeri që i bën të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi”, thotë Ralph Waldo Emerson. Dhe sot në këtë ditë të veçantë ne si shoqëri duhet t’i kthejmë sytë dhe të reflektojmë sadopak për vlerën e këtyre njerëzve që gjërat e vështira na i kanë bërë të lehta. Kur them duhet t’i kthejmë sytë kam parasysh, një kthim të vëmendjes ndaj tyre, me respekt dhe përulje, sepse pa ata ne nuk do të ishim këta që jemi. Fatkeqësisht kjo gjë në shoqërinë tonë, nuk ndodh, pra respekti ndaj këtyre personave, nuk është i duhuri as në ditën e tyre. Pse them kështu? Për çdo 7 mars, për 8 vite me radhë që kam punuar si mësimdhënëse e Gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnaze të ndryshme të qytetit të Tiranës, kur vinte kjo ditë kisha një lloj ankthi të pashpjegueshëm. Dhe kjo gjë më ndodhte vetëm për shkak të trajtimit jo dinjitoz që u bëhej mësuesve nëpër media, për shkak të talljes në mënyrat më të këqija, vetëm pse ata, mësuesit, për këtë ditë pranonin një tufë me lule, ndonjë fotografi të printuar ose ndonjë detaj si dhuratë në shenjë respekti dhe dashurie nga nxënësit e tyre. Minutazhi që iu rezervohej mësuesve nëpër televizione, nuk ishte që t’i uronin dhe që të tregonin një model për t’u ndjekur në këtë fushë të dijes, por vetëm për t’i nënçmuar, për t’i ulur, për t’i bërë të ndihen si të pa vlerë, kur në fakt janë vlera më e çmuar e një shoqërie. Ndaj nga kjo dukuri nga viti në vit më binte të shikoja mësues që edhe pse do donin që në një ditë në vit, të çmohej dhe vlerësohej tërë ai mund dhe ajo sakrificë që kanë bërë gjatë gjithë jetës së tyre si mësues, iknin, shmangeshin ose refuzonin “dhuratat”, lulet apo detajet sado të vogla dhe simbolike që nxënësit kishin zgjedhur për ta.

Gjatë leximit të këtij shkrimi e di që do ketë nga ju të cilët do të thoni, pse a nuk ka mësues që janë të korruptuar dhe pranojnë dhurata nga më të shtrenjtat? Po kjo gjë është e vërtetë, ja po ju përgjigjem paraprakisht, por në një ditë në vit sado mësues jo dinjitoz të ketë në të gjithë shoqërinë, nuk duhet të fyhen të gjithë, e as të publikohen e promovohen vetëm modelet e këqija. Nuk duhet “të futen të gjithë në një thes”, kur shumë mirë e dimë që më të shumtë në numër janë pikërisht ata të mirët. Media ka fuqi të jashtëzakonshme në realizimin e trushpërlarjes shoqërore dhe në manipulimin e masave, ndaj do duhej që me këmbëngulje të promovohen modelet pozitive, modelet shembullore dhe të veçanta që ekzistojnë dhe janë të shumtë në stafet e ndryshme të shkollave të ndryshme. Gjatë përvojës sime si mësuese kam arritur të shoh mësues që sakrifikojnë edhe nga koha jashtë mësimore dhe nga jeta e tyre për mirëqenien dhe arritjet e nxënësve, kam parë mësues që u kanë shpëtuar jetën nxënësve të tyre, që i kanë ndihmuar, jo vetëm shpirtërisht, por edhe financiarisht në raste të ndryshme, kam parë mësues fisnikë dhe shembull të dijes dhe përçimit të saj, kam parë mësues miqësorë dhe të aftë, që në radhë të parë janë humanë, që të gjithë dijen e tyre në procesin e mësimdhënies e bazojnë në radhë të parë mbi dashurinë që kanë dhe transmetojnë. Ndaj jam që sot, por edhe çdo herë që t’i kujtojmë mësuesit tanë t’i kujtojmë me përulje, sepse misioni i tyre ngjan me Sizifin që i duhet të bartë gurin nga humbnera për në majë dhe sapo e bart atij i bie prapë në humbnerë. E megjithatë, siç thoshte Kamy, Sizifin duhet ta imagjinojmë të lumtur, kështu duhet t’i imagjinojmë dhe mësuesit, në punën e tyre fisnike dhe plot sakrifica. Këta sizifë, sapo përcjellin një brez nxënësish dhe i nxjerrin në majë, ia fillojnë prapë bartjes për në majë me brezin tjetër të nxënësve, dhe prapë gjatë gjithë asaj malorje, me vështirësitë dhe pengesat që hasin ata janë të lumtur, sepse vetë procesi i dhënies së dijes është lumturi, sepse vetë fakti që ti po realizon dhe mundëson që një njeri të bëhet më i ditur dhe më i aftë se sa ishte kur erdhi përpara teje, është lumturi.

Kështu, mësuesit, në këtë lloj procesi janë, jo vetëm transmetues, por edhe shokë që e ndjejnë botën e nxënësve bashkë me problemet dhe shqetësimet e tyre. Ata janë prind që japin dashuri dhe përkrahje të vazhdueshme, janë artistë që të bënjnë për vete me fjalët që i thonë dhe me mënyrën se si i thonë, duke na ndryshuar dhe na bërë që të piqemi, jo vetëm profesionalisht, por duke na dhënë, mbi të gjitha, mësime për jetën.

Prandaj, ata meritojnë, jo vetëm një ditë të dinjitetshme dhe një trajtim fisnik, por një për respekt dhe përunjësi që zgjat gjatë gjithë jetës së tyre.

Faleminderit mësues!

Gëzuar 7 marsin! / KultPlus.com

Në Prizren ‘FEMaktiv’ për 8 Mars marshojnë për barazi

8 Marsi në vargun e festave kalendarike shënon ditën ndërkombëtare të gruas. Kjo datë është personifikimi i luftës së grave (fillimisht) në New York për barazi në vitin 1909. Më shumë se njëqind vjet më vonë, lufta e grave për më shumë të drejta si dhe mizogjinia në rritje ka transformuar ditën e përkujtimit të sakrificave të grave në thirrje për protestë.

Një grup joformal i grave dhe vajzave të Komunës së Prizrenit, për ditën ndërkombëtare të gruas, 8 marsin, do të marshojnë. Do të tregojmë se 8 marsi nuk është festë ku gruaja thjeshtë pranon lule, por është ditë ndër ditët tjera ku gruaja artikulon kërkesat e saja për barazi gjinore e shoqërore.

Në këtë ditë ato do të kundërshtojnë sistemin vrastar patriarkal i cili me dhunën e ushtruar sistematike nuk i ka lënë vend kund gruas në shoqëri. Beteja e kundërshtimit ndaj shtypjes dhe diskriminimit gjinor nuk duhet të përfundoj vetëm në rrjete sociale, por duhet të zhvendoset në rrugë. Sikundër që 8 marsi nuk duhet të jetë dita e vetme që thërret në ndërgjegje.

Të shtyrë nga pozita e pafavorshme në të cilën gjendet gruaja në Kosovë, si e pa pronë, e pa zë, e ngacmuar seksualisht, e paragjykuar, e dhunuar dhe e vrarë, #FEMaktiv fton gratë dhe burrat, të rejat e të rinjtë, që të bashkohen në marshin tonë protestues me 8 mars. Sheshi Shadërvan do të jetë vendgrumbullimi i shpresës të së ardhmes së vendit e shoqërisë sonë.

Marshi protestues fillon nga ora 13:00, në sheshin Shadërvan. Marshi do vazhdojë rrugën deri tek ura e Arastës, ku do të realizojmë edhe një aksion simbolik. Prizreni marshon për 8 mars! FEMaktiv, Grupi joformal i grave dhe vajzave te Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com

“Njëqind vjet vetmi” e Garcia Marquez, së shpejti në Netflix

Romani “Njëqind vjet vetmi” i shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez do të përshtatet për herë të parë në ekran nga Netflix. Lajmi është bërë i ditur nga kompania, duke njoftuar se kishte fituar të drejtën për të zhvilluar në seri botimin e 1967-ës.

Djemtë e autorit, të cilët do të jenë prodhues ekzekutiv në projekt, janë shprehur se babai i tyre kishte marrë shumë oferta gjatë viteve për përshtatur librin në film, por ai ishte i shqetësuar se historia nuk do të përkthehej mirë në rast se do të përfshihej në një film të vetëm ose edhe dy. Sipas tyre, shkrimtari ishte gjithashtu mjaft i interesuar që tregimi të trajtohej në spanjisht.


“Në tre apo katër vitet e fundit, niveli, prestigji dhe suksesi i serive është rritur kaq shumë”, tha Rodrigo Garcia për vendimin e familjes së tij për të shitur të drejtat e zhvillimit tani. “Netflix ishte ndër të parët për të provuar se njerëzit janë më të gatshëm se kurrë për të parë seritë që prodhohen në gjuhë të huaja me titra”, u shpreh më tej ai.

Ndësa zëvendëspresidenti i prodhimeve origjinale spanjolle në Netflix, Fransisco Ramos deklaroi se kompania kishte provuar më parë për të fituar të drejta për romanin, por kishte hasur rezistencë. Ai vuri gjithashtu në dukje suksesin e serisë “Narcos” dhe filmit “Roma”, e cila fitoi së fundmi çmimin Oskar për filmin e huaj më të mirë.

Libri “Njëqind vjet vetmi” trajton jetën e familjes Buendia në qytetin fiktiv të Kolumbisë, Macondo, që u krijua pikërisht nga patriarku i kësaj familjeje. Është konsideruar si një kryevepër e letërsisë latino-amerikane, duke e katapultuar Gabriel Garcia Marques në majat e letërsisë latine dhe jo vetëm. Libri ka shitur që nga publikimi i tij rreth 50 milionë kopje dhe është përkthyer në 46 gjuhë.

Ende është shumë herët për të ditur se kush do të merret me skenarin e serive, por Rodrigo Garcia u shpreh se janë tejet të angazhuar për të punuar me talente. Vëllezërit Garcia nuk do të përfshihen në prodhim, nën argumentin se duan t’i japin produktit hapësirë për një përshtatje tërësisht objektive. Sa i takon detajeve financiare të marrëveshjes, ende nuk janë bërë të ditura.


Libri i Mimoza Hasanit promovon letërsinë e Kosovës në Sofje të Bullgarisë


Me organizimin e Universitetit të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, u promovua libri i studiueses së letërsisë Mimoza Hasani Pllana me titull “Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90” të shekullit XX-për lexuesin bullgar, shkruan KultPlus.

Në kuadër të fushës së Filologjisë, letërsive të popujve të Evropës, Amerikës, Azisë, Afrikës dhe Australisë, në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, para një audience të përbërë nga profesorë të linguistikës, filologjisë bullgare dhe asaj ballkanike,  studiues të Institutit të Ballkanistikës në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesorë nga Universiteti i Veliko Tërnovos “Sh. Kiril dhe Metodij”,  Ambasadorit të Kosovës në Sofje SH.T.z.Edon Cana, Ambasadores së Shqipërisë në Sofje SH.S.znj.Donika Hoxha dhe diplomatëve nga të dyja ambasadat, studentëve të ballkanistikës, në  Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, u promovua libri i autores nga Kosova Mimoza Hasani Pllana me  titull: Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90 të shekullit XX (për lexuesin bullgar).

 Libri i Hasanit është produkt i punës trevjeçare që autorja ka realizuar gjatë studimeve doktorale në të njëjtin universitet me udhëheqje shkencore nga albanologia e njohur bullgare, Prof. Asoc. Dr. Rusana Hristova Bejleri. Me këtë rast, albanologia Hristova Bejleri, publikimin e librit e vlerëson si një kontribut të veçantë në promovimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe në Bullgari, duke e sjellur letërsinë dhe kulturën e Kosovës më afër lexuesit bullgar.

 Sipas Bejlerit, autorja ka realizuar një studim të shkëlqyeshëm në formë dhe përmbajtje duke përdorur metodologji dhe analizë strukturore mbështetur në parime të larta akademike. Akademik Shaban Sinani, librin e vlerëson si një studim analog me pamje të përgjithshme të zhvillimit të poezisë shqipe në Kosovë gjatë viteve 1990-1999.

Sipas tij “në këtë studim autorja spikat individualitetin e secilit prej poetëve të zgjedhur, që janë përgjithësisht poetë antologjikë, duke iu referuar kryeshenjave të poezisë së secilit, rendeve paraletrarë që kushtëzojnë vjershërimin e tyre, rrafshit tematologjik, rolit të autobiografizmit, strukturave poetike dhe shumë qasjeve të tjera. Shqyrtimi është formalist e përmbajtësor. Në metodologji autorja thekson mbështetjen në parimet e analizës strukturore, përforcuar me metodën krahasuese dhe metoda të tjera. Zgjedhja e strukturalizmit mund të duket fillimisht si pretencioze, por fakti që leximi i poezisë shqipe në Kosovë në vitet 1990 nuk mund të paramendohet pa shqyrtimin etnokulturor dhe antropokulturor na bën të ditur për një zgjedhje sipas parimit si të jetë objekti do të jetë dhe metoda”, tha me këtë rast Akademik Sinani.

Profesori i gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës Raki Bello ndër tjerash përmendi që ky libër do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet të dyja letërsive dhe kulturave i cili sjell vecanti të ndjeshme poetike të një periudhe të ndjeshme të popullit shqiptar të Kosovës. Ambasadori Cana duke përshëndetur dhe cmuar kontributin e dhënë nga autorja Hasani Pllana me këtë libër, po ashtu vlerësoi lartë kontributin e Katedrës së Gjuhësisë në kuadër të Universiteti të Sofjes ku mësohet gjuha shqipe dhe nënvizoi se Ambasada në Sofje dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përkrahjen për promovimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Bullgari me forma konkrete. Në anën tjetër, Ambasadorja Hoxha u shpreh e lumtur për kontributin që ipet nga Universiteti i Sofjes, Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, dhe librin e sjellë nga Hasani Pllana si vazhdimësi të bashkëpunimit dhe ndërveprimit shumështresor në funksion të promovimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në librin “Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90 të shekullit XX”,  autorja ka përzgjedhur krijimtarinë disa vjeçare të poetëve shqiptarë të Kosovës: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Agim Vinca, Abdullah Konushefci, Din Mehmeti, Edi Shkuriu, Fahredin Gunga, Sabri Hamiti, Rrahman Dedaj, krijimtarinë poetike të poeteve të reja: Fakete Rexha, Habibe Maliqi, Naime Beqiraj, Xheraldina Vula, etj, pjesë nga poezitë e shkruara nga të burgosurit politik kosovarë gjatë viteve `90 dhe poezinë e migracionit.

Struktura e librit është e ndarë në katër kapituj ku përfshihen fenomene dhe veçori të përgjithshme themelore që e dallojnë këtë dekadë nga dekadat tjera letrare të shekullit XX. Në kapitullin e parë trajtohet krijimtaria dhjetëvjeçare e poetëve të formuar (siç i quan autorja), pastaj krijimtaria poetike e autoreve të reja, që sipas autores konsiderohet si fenomen i dekadës së fundit të shekullit të kaluar,  poezia shqipe e këtij dhjetëvjeçari e përkthyer në gjuhët ballkanike, e njohur nga lexuesi ballkanik  dhe në fund trajtohet shkurtë edhe poezia e shkruar nga të burgosurit poltik dhe ajo e migracionit. 

Libri u publikua në gjuhën bullgare pas përkthimit, vlerësimeve dhe rekomandimeve që mori nga profesorët e Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike pranë Fakultetit të Sllavistikës të Universitetit të Sofjes “Sh. Kliment Ohridski”, si një libër i rëndësishëm për studentët e letërsisë ballkanike./ KultPlus.com

Haradinaj: Si popull e kemi një dashuri të madhe për arsimin

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka vizituar shkollën fillore “Hasan Prishtina” me rastin e 7 Marsit.

Haradinaj ka thënë që misioni t’i edukuar brezat nisi në Korçë, ndërsa do të vazhdojë nga mësimdhënësit tanë.

“Në ditën e 7 Marsit, mësuesit i nderuam në shkollë Fillore “Hasan Prishtina”, ndër më të mëdhatë në Kosovë, duke i falenderuar për vetmohimin edhe në kohëra të vështira.

“Misioni do të vazhdojë, tani me kujdesin më të dinjitetshëm institucional”.

“Si popull e kemi një dashuri të madhe për arsimin, prandaj mësuesit po ia kthejmë dinjitetin e nxënësit po ia rrisim dashurinë për dije”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Mësuesit mërgimtarë bënë historinë

Shkruan: Hysen Ibrahimi

Në këtë 7 Mars, do të ju njohim me një përvojë të mësuesve shqiptarë në mërgatë, më saktë të atyre në Suedi, të cilët në kohët më të vështira bënë historinë, shkruan KultPlus.

Mësimi në gjuhën shqipe ishte prioritet për shqiptarët në Suedi. Që në kontaktet e para me njëri-tjetrin, në qytete e vendbanime suedeze, si çështje parësore shqiptarët e kishin diskutuar mundësinë organizimit të mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë. Në këtë kuadër, intelektualë shqiptarë dhe aktivistë të shumtë mobilizohen për të mbajtur gjallë arsimin shqip. Kështu ata kishin regjistruar fëmijët shqiptarë në secilin vendbanim që ata të mbanin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Mësimi në gjuhën shqipe kishte nisur më të madhe në vitin 1992 dhe mësuesit ishin intelektualë shqiptarë, madje shumë të përgatitur, të cilët, vullnetarisht e kryenin këtë mision.

Në librat e ”Thesarit kombëtar” jipen detaje për organizimin e grupeve të mësuesve shqiptarë, të cilët po i bënin thirrje çdo familje shqiptare që ta ruajë identitetin kombëtar, duke e ruajtur para të gjithave, gjuhën shqipe për fëmijët e tyre. Madje, kërkime të SHSHASH “Papa Klementi XI – Albani”, çojnë shumë vjet më parë kur ishte mësuar shqip në Suedi. Shkolla e parë shqipe e mësimit plotësues në Suedi është hapur në vjeshtën e vitit 1968, në Malmö të Suedisë. Mësuesi i parë i shkollës shqipe në Suedi ishte Bejzat Beqiri. Pastaj, ishte mësuesi Kosovë Rexhë Balaj, nga Istogu, i cili ishte i përndjekur nga shërbimi sekret i Serbisë e ish Jugosllavisë, ku kishte migruar në vitet 60-ta. Ai që atëherë kishte iniciuar mbajtjen e mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Suedi. Pastaj, më 5 mars 1976 ishte hapur shkolla e parë shqipe në qytetin e Nybros, me iniciativë të Sadulla Zendelit – Dajës.

Qeveria suedeze nuk i ka penguar, përkundrazi, i ka mbështetur për organizimin e mësimit edhe në gjuhën shqipe. Në ”Thesarin numër 1” veçohet bashkëpunimi me rektoren e shkollës Margaretha Larsson, në qytetin e Bastadit, e cila, i kishte ofruar të gjitha kushtet për fillimin e procesit mësimor, në lokalet e shkollës ku shkonin nxënësit shqiptarë. Këtë lloj mbështetje shqiptarët e kishin marrë shumë shpejt edhe në shkolla tjera të Suedisë.

Në secilën komunë, ishin ngritur Komisionet Rajonale, të cilat mbikqyrnin procesin e regjistrimit të nxënësve dhe vijimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe. Çdo gjë ishte bërë në koordinim me prindërit, të cilët kishin dhënë një mbështetje të madhe për ato procese. Ata kishin formuar edhe Këshilla të Prindërve, në mënyrë që të realizohej mirë ai mision, duke siguruar që fëmijët shqiptarë të mos mungonin asnjëherë në shkollën shqipe.

Këshilli i Prindërve kishte marrë masat organizative, kishte siguruar planprogramin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, kujdesej maksimalisht që të përcillte mësimdhënësit shqiptarë dhe lëvizjet e tyre eventuale, për arsye familjare. Interesimi për mësimin plotësues në gjuhën shqipe kishte qenë shumë i madh. Mësimi i gjuhës amtare ishte shumë i rëndësishëm, sepse nuk mund të asimiloheshin fëmijët shqiptarë në mërgatë, në këtë rast edhe në Suedi. Ata kishin mësuar ndërkohë për shkrim-leximin shqip, historinë, kulturën, gjeografinë e çdo që kishte të bënte me shqiptarët dhe për shqiptarët.

Ndërkohë ishte themeluar Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë për Suedi “Naim Frashëri” (LASH-i). Përmes LASH-it, ishin botuar dhe shumë tekste mësimore shkollore, që nga ABETARJA e tre libra leximi për klasën e II, III dhe IV, gjeografia, antologjia e shumë të tjera. Mësimi ishte zhvilluar me planrogram të Arsimit të Republikës së Kosovës. Planprogrami ishte dërguar nga kryetari i LASH-it “Naim Frashëri” për Suedi, Prof. Bedri Paci. Qëllimi ishte që fëmijëve shqiptarë t’iu ligjërohej për gjuhë shqipe, dituri natyre e shoqërie, histori, gjeografi matematikë, art figurativ, art muzikor,dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me çështjen shqiptare.

Gjatë viteve 1991-1993, mësimi zhvillohej nëpër strehimore ku punonin mësuesit në baza vullnetare. Sapo kishin marrë lejeqëndrimin, familjet shqiptare kalojnë, nga strehimoret nëpër qytete dhe kështu nxënësit shqiptarë fillojnë mësimin në shkollat suedeze dhe mësimi i gjuhës amtare, zhvillohej në bazë të ligjit suedez që quhet “Modersmål” d.m.th “Gjuhë amtare”. Drejtori i shkollës në Hyltebruk, Bengt Johansson kishte dhënë përkrahje për shqiptarët. Në fund të vitit shkollor 1993/1994 kanë qenë të aktivizuar mbi 266 pedagogë që kanë mbajtur mësimin plotësues në 72 strehimore dhe në 28 komuna të Suedisë. Në vitin shkollor 1994/1995 mësimi ishte organizuar në 49 strehimore dhe në 28 komuna të Suedisë. Ishin përfshirë mbi 3 mijë e 700 filloristë, me të cilët kishin punuar vullnetarisht mbi 200 mësimdhënës. Në vitin shkollor 1995/96 filloi mësimi i gjuhës shqipe edhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku mësimdhënësi Fetah Bahtiri mbante kurset e gjuhës shqipe: Dygjuhësia aktive në praktikë dhe përdorimi i dygjuhësisë vlerësohej me pika. Meqenëse për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë të mesme nuk kishte planprogram mësimor, Fetah Bahtiri e kishte hartuar vetë një planprogram mësimor dhe punonte sipas tij. Ky planprogram iu ishte shpërndarë edhe disa mësuesve bashkatdhetarë në Kuvendin vjetor të LASH-it. Në librin e tij “Dritë, ngrohtësi, optimizëm”, Fetah Bahtiri, sjell shumë dëshmi rreth organizimit të mësimit në gjuhën shqipe. Që nga viti 1998 – 2011, vijueshmëria e nxënëseve në gjuhën amtare, tanimë ishte 100 %, gjë që ishte rast i rrallë në Suedi.

Në librat e ”Thesarit kombëtar” veçohet përkushtimi i mësimdhënësve shqiptarë për mbajtjen e mësimit shqip në Suedi.

Mësimdhënësit vullnetarë në Suedi kanë kryer mision shumë fisnik. Të arsimosh fëmijët në gjuhën amtare është një punë e shenjtë”, thuhej në një letër të kryetarit të LASH-it, Bedri Paci dhe të Ibrahim Ergiut (kryetar i Këshillit Pedagogjik), për arsimtarët që mbanin mësimin në gjuhën shqipe në Suedi. Bedri Paci kishte vënë kontakte me zyrtarë të Entit Shkollor të Suedisë për botimin e teksteve me të cilët do të punonin mësimdhënësit shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Disa të dhëna nga arkivi personal i Hysen Ibrahimit, (tani kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI- Albani”) tregojnë se ishin evidentuar 262 lokacione ku mbahej mësimi shqip në Suedi. Ndërkaq, në librin “Thesari kombëtar 9” është publikuar një listë me 471 emra të mësidhënësve shqiptarë në Suedi , të cilët janë identifikuar nga veprimtari Hysen Ibrahimi, në librin e tij “Vepra 2”.

Aktivitetet e shqiptarëve në Suedi, për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe, janë të ngjashme me ato të Papa Klementit XI – Albanit, emrin e të cilit e mban sot Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. Ai ishte faktor shumë i rëndësishëm për përhapjen e emrit të popullit të tij shqiptar, të historisë dhe të gjuhës së tij.

Mësuesit mërgimtarë shqiptarë bënë punën më fisnike të mundshme. Ata dhanë dije, djersë, sakrificë për të mundësuar fëmijëve të mësojnë shkronjat dhe gjuhën e bukur shqipe. Sot, të rinj shqiptarë në Suedi kanë arritur të jenë të dalluar në shumë fusha. Ata janë bërë mjekë, inxhinierë, juristë, ekonomistë, regjisorë, artistë, piktorë e profesione të tjera të rëndësishme.

Gëzuar 7 Marsin Mësuesve shqiptarë në mërgatë dhe të gjithë mësuesve shqiptarë për misionin fisnik që kanë!

Hysen IBRAHIMI, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi./ KultPlus.com

Eliza Hoxha, gruaja e shumë profesioneve erdhi në ‘KultWoman’

Arbër Selmani

Kanë qenë të rastësishme shumë prej profesioneve të cilat Eliza Hoxha i ka ushtruar nëpër vite. Po kaq të rastësishme kanë qenë edhe shumë iniciativa të saj, shumë angazhime profesionale dhe shumë vende të punës, por emërues të përbashkët secila rastësi e ka pasur kënaqësinë, disciplinën në punë dhe dashurinë për projektin.

Është jo e lehtë ta përthekosh Eliza Hoxhën në disa pyetje dhe në një mbrëmje kushtuar vetëm asaj. ‘KultWoman’, projekt i KultPlus, e pati mbrëmë Elizën si mysafire të radhës, e cila erdhi para publikut në numër të madh për të treguar rrëfimin e saj artistik në shumë projekte të cilat ajo i ka realizuar.

Gjatë natës, Eliza tregoi për albumin e parë muzikor, për bashkëpunimin me Enis Preshevën, por edhe për albumet të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

“Më kujtohet sidomos pjesëmarrja në Akordet e Kosovës, herën e fundit kur u mbajtën ato, në vitin 1989. Hera e parë poashtu ka qenë në Akordet e Kosovës kur unë pak qenë veç 5 vjeçe, me një këngë që e ka kompozuar babai im” tregon Eliza.

Ajo ka punuar edhe si fotografe më pas, për Gazetën ‘Zëri’ asokohe me një emër tjetër, ndërsa kujton këtu një moment me kolegun e saj Halil Matoshi.

“Më kujtohet kur ishim kolegë dhe Halil Matoshi më thotë – kur u bone ti këngëtare. Në këtë kohë kur kam punu në Zëri, në vitet e 90-ta, këndimi ka qenë njëfarë ëndrre peng dhe e pamundur me u realizu. Unë kam pasur më pas paraqitje në Showfest, në Zambakun e Prizrenit, kam disa albume që nuk janë dalë kurrë, njëri prej tyre është ai me Rebeka Qenën dhe me vëllaun tim, një album që nuk ka dalë kurrë e që është në kasetë të cilën e posedon Rebeka” tregon Eliza.

“Më pas, prindërit i largojnë nga puna ndërsa më kujtohet vëllau im i cili tekstualisht më tha kështu – Unë po shkoj knej se duhet me bo pare për me jetu – dhe këtë e tha kur nisi me bo muzikë me kitare. Garazhën e shtëpisë ne e shndërruam në një dyqan që e pati emrin Liza dhe ku edhe unë me familje shitnim speca, patligjona… sepse rrethanat ishin të tilla” tregon rrëfimin e saj Eliza Hoxha, gjithmonë duke kërcyer nga një realitet tek tjetri dhe nga një peripeci në tjetrën, si një grua që ka jetuar në kohë të ndryshme dhe secilës i është dashur t’i japë diçka prej energjisë dhe entuziasmit të saj.

****

Është interesant se si Eliza ka ditur t’i bashkojë të gjitha fushat e veprimit të saj në një të vetme, shpesh me kryefjalë muzikën. Ajo thotë se një pikë kthese në jetën e saj ishte Belgjike, ku shkoi për studime postdiplomike, e ndoshta sepse atje kishte kohë për të menduar, kishte kohë për të reflektuar dhe mbi të gjitha kjo eksperiencë i shërbeu edhe për ta njohur Prishtinën më shumë.

“Kur kom shku në Belgjikë, atëherë e kom kuptu edhe sa di unë në raport me profesionin tim, me arkitekturën. Aty edhe i kam vërejtë mangësitë e sistemit paralel në Kosovë, duke marrë parasysh se në çfarë kushte kemi mësuar, mirëpo megjihatë ku sistem na ka jepë një bazë sepse përndryshe nuk kishim mujt me marrë bursa dhe me shku me studiu në Belgjikë. Mirëpo ishte një periudhë e mirë sepse pas dy albumeve, vendosa që për kohën sa jam në Belgjikë mos me këndu dhe me u ballafaqu pak edhe me veten time” tregon Eliza.

Eliza më pas nisi edhe të shkruante.

‘Takohem me Memli Krasniqin i cili i shkruante tekstet e këngëve të mia dhe më tha se më nuk do të shkruante për shkak të pozicioneve të tij politike. Kënga ‘Dëshprimi’ ka qenë e fundit që e ka shkruar Memli për mua. Kësisoj, në muzikë unë kom nisë me i shkru tekstet e mia prej zorit, në njëfarë mënyre. Por edhe këtu e kam gjetur veten mirë sepse kanë dalë tekste si Kënga për Prishtinën – e cila ka lindë gjatë studimeve, njëjtë edhe kënga ‘Për ata që s’janë’. Në karrierën muzikore, me plot xixa dhe me lavde të thurura, erdhi një pike kur i thashë vetes se çka kam unë për krejt këto që i kam përjetu; kam pasur këngën “Revolucion” apo “Drejt ardhmërisë” por këto kishin mesazhe të lehta dhe shtjellime të lehta. Kësisoj nisa edhe të shkruaja, por shkrimi më shoqëroi edhe më vonë” tregon Eliza Hoxha. Nuk është e lehtë ta konkretizojmë kah mbahet më shumë Eliza, por ajo ka provuar të këndojë, ka provuar arkitekturën, shkrimin, fotografinë, dhe jo pak herë edhe pjesën e aktiviteteve humanitare dhe vullnetare.

“Temën e diplomës e kam pasur retrospektivën për qytetin e Prishtinës, kur nisa me hulumtim dhe shkrim. Kur erdha në Prishtinë nga Belgjika e pashë se ka tepër pak materiale, dokumente për Prishtinën, në kuptimin e zhvillimit urban, dhe më pas ishim në dilemë me profesorin se a duhet të vazhdoj me këtë temë apo jo. Tema është realizuar megjithatë, por dëshira që të shkruaj për qytetin më mbeti deri në momentin kur u botua edhe libri ‘Qyteti dhe Dashuria’.

****

Gjatë mbrëmjes së ‘KultWoman’, e cila zgjati për rreth 2 orë, Eliza ka treguar shumë skena e frekuenca tjera të jetës së saj.

Ajo ka folur edhe për ekspozitën në Beograd, kur vitin e kaluar u ndal në kufirin Kosovë – Serbi pasi ka bartur me vete disa fotografi të cilat duket se nuk i pëlqyen policisë në kufi.

“Ato fotografi mund të shtypeshin edhe në Beograd, dhe u shtypën prej Nismës për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Megjithatë, kur morra ftesën prej Kushtrim Koliqit, i thashë se nëse i ka parë fotografitë dhe prapë dëshiron t’i ekspozojmë atje, jam e pajtimit. Ishte ndjenjë pak e tmerrshme, sikur në kohën e regjimit serb në vitet 90-të, me kontrollën e Policisë në kufi. Aty i gjetën disa fotografi që nuk ju pëlqyen, njëra prej tyre me flamurin kombëtar dhe me flamurin e Kosovës, dhe disa fotografi të tjera të cilat vetëm i larguan. Megjithatë, presioni ka qenë shumë i madh asokohe, edhe prej mediave në Serbi. Madje më kujtohet se një një intervistë njëra prej pyetjeve ishte, – Kush e vrau Oliver Ivanoviqin, për mua absurde si pyetje të më drejtohej mua” tregon Eliza Hoxha kur i rikthehet festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’ kur ajo u ndalua në kufirin Kosovë – Serbi për shkak të fotografive që do t’i ekspozonte në Beograd e të cilat ishin fotografi të luftës së fundit në Kosovë.

Tregimin e plotë të Eliza Hoxhës mund ta shihni në faqen e KultPlus në Facebook.

Eliza Hoxha ishte mysafirja e radhës në kuadër të ‘KultWoman me…’ projekt i KultPlus dhe i financuar në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’ nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Para Elizës, të ftuara në këtë format të mbrëmjeve artistike ishin Leze Qena, Pranvera Badivuku, Lejla Pula, Ilire Vinca dhe Zake Prelvukaj.

https://www.youtube.com/watch?v=Pp73jSsnyb4

7 Marsi, Dita e Mësuesit

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm ne luftën për liri dhe pavarësi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit. / KultPlus.com

Ftohen shkrimtarët dhe entuziastët e teatrit, për një projekt interesant të dramës

A jeni të interesuar të shkruani dramë për transmetim në radio?

INTENT është bashkuar me kompaninë e shpërblyer të teatrit nga Londra,  Tamasha, për ta ringjallur dhe zgjeruar dramën e radios në Kosovë. Si  pjesë e këtij projekti, INTENT fton shkrimtarët dhe entuziastët e teatrit në një udhëtim krijues: një seri hap pas hapi e punëtorive të shkrimit me një ekip mbështetës profesional për t’ju ndihmuar ta shkruani, shfaqni dhe ta prodhoni radio-dramën tuaj.

Seria do të nisë me një punëtori një-ditore me dramaturgen kosovare të inskenuar ndërkombëtarisht dhe regjisoren për shfaqje të të rinjëve, 
Fjolla Hoxha, më 23 mars 2019.

Fjolla do t’i familjarizojë pjesëmarrësit me projekt dhe do t’u ndihmojë atyre që ta zhvillojnë një ide për një dramë të shkurtër radioje që do të prodhohet në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo do ta prezantojmë modelin e shkrimit të dramave replikë, duke iu referuar temës së ‘Identitetit’.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të marrin kopje në gjuhën angleze dhe  
shqipe të radio-dramës ‘On Kosovo Field’ nga Fin Kennedy (prodhuar nga  
BBC dhe pjesërisht e inskenuar në Prishtinë) dhe ‘Dimensioni i pestë’  
nga shkrimtari britaniko-boshnjak Miran Haxhiç, si frymëzim për t’i  
ndihmuar ata me idetë e tyre.

Serija do të vazhdojë me një seminar dy-ditor në fund të pranverës me  
dramaturgun e vlerësuar me çmime britanike dhe drejtorin artistik të  
Tamasha, Fin Kennedy. Fin ka shkruar dhjetë drama të pasdites për BBC Radio 4 dhe ka përvojë mbi dhjetëvjeçare të mësimdhënies në të gjitha  aspektet e dramaturgjisë për studentët e moshave të ndryshme në Britani të Madhe.

Seminari i Fin “Hyrje në shkrimin e radio dramës” do t’i shqyrtojë mënyrat krijuese për t’i treguar tregimet me zë, dhe do t’i prezantojë format e reja të radios, të tilla si podcast-et apo audio dramat e shkurtra. Dita e Dytë do të përmbajë senaca individuale për ta ndihmuar çdo shkrimtar që t’i formësojë idetë e tij/saj në një sinopsis.

Idetë e gjashtë shkrimtarëve do të përkrahen për zhvillim të mëtejshëm dhe të konsiderohen për prodhim në Londër dhe Kosovë midis vjeshtës 2019 dhe verës 2020. Punëtoria do të jetë e përshtatshme për të gjitha nivelet e dramaturgëve ose skenaristëve, si dhe artistët nga forma të tjera të artit, të interesuar për të shkruar për teatër si dhe për përdorimin e tingujve dhe / ose të muzikës si medium për të treguar tregime.

Numri i pjesëmarrësve meritorë është i kufizuar në 15. Punëtoria ofrohet falas dhe do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe shqipe. Aftësitë themelore të gjuhës angleze janë të nevojshme.

Si të aplikoni?

Dërgoni:
• CV-në ose ½ faqe të sfondit tuaj profesional/arsimor dhe pse doni të  
merrni pjesë në punëtori.
• Një ekzemplar të shkurtër (max 2 faqe) të shkrimit tuaj
• Detalet e kontaktit tuaj – email dhe telefoni mobil. Ju lutemi na  
dërgoni këto dokumente në [email protected]

Afati i fundit për aplikim: 17 mars, 00:00

Shqipëria turistike, pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin

Shqipëria turistike përherë e më shumë po promovohet në panairet ndërkombëtare si një vend me potenciale turistike dhe kulturore. Së fundmi Shqipëria është pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, ”starton Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Berlin. Eventi turistik, ndër më të rëndësishmit dhe më të mëdhenjtë në botë, i jep mundësi e njohjes dhe kontaktimit të drejtpërdrejtë, qindra operatorëve turistikë, sipërmarrësve në këtë fushë dhe mijëra vizitorëve nga mbi 160 vende”.

”Stenda e Shqipërisë gjithmonë e më e vizituar dhe gjithmonë e më shumë nën interesin e lartë të Tour Operatorëve më të njohur ndërkombëtarë, duke konfirmuar edhe një herë rritjen e turizmit dhe potencialet e larta të vendit tonë për konsolidimin e Shqipërisë si destonacion turistik”, përfundoi Klosi. / KultPlus.com

Këngët e Michael Jackson hiqen nga transmetimi në disa radio

Disa radio të rëndësishme në Quebec hoqën nga transmetimi këngët e Michael Jackson pas publikimit në SHBA të një dokumentari që akuzonte këngëtarin e famshëm për akte pedofilie, njoftoi sot për median zëdhënësja e një grupi mediatik kanadez.

”Ne jemi të vëmendshëm ndaj komenteve të audiencës sonë, dhe dokumentari i publikuar të dielën në mbrëmje ngjalli reagime’’, deklaroi Christine Dicaire, zëdhënësja e Cogeco.

”Ne preferojmë të mos jemi indiferent ndaj situatës, prandaj vendosëm të hiqnin për momentin këngët nga valët e stacioneve tona.

Grupi, i cili kontrollon 22 stacione radioje në Quebec dhe një në Ontario, mori këtë vendim pas publikimit të dielën të dokumentarit “Leaving Neverland’’ në televizionin amerikan HBO. Në këtë film që zgjaste rreth 4 orë, dy burra dëshmojnë për abuzimet seksuale që ata kishin pësuar nga ana e këngëtarit për disa vite ndërsa ishin ende minorenë./ Javanews/KultPlus.com

Astrit Nixha, fitues i Bienales së Arkitekturës

Sonte u mbajt ceremonia e Bienalës së Arkitekturës, e organizuar nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës.

Ndër çmimet tjera për 13 kategori, u nda edhe çmimi kryesor. Çmimi kryesor u fitua nga arkitekti Astrit Nixha me projektin e objektit të Klan Kosovës.

Çmimi i dytë u fitua nga Arianit Loxha me projektin për Pallatin e Drejtësisë, kurse çmimin e tretë e mori arkitekti Ilir Murseli me projektin e një ville./ndertimi.info/ KultPlus.com