Ky është vendimi i Bashkimit Evropian për ndryshimin e orës

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa shtesë për të shfuqizuar llogaritjen e kohës së verës dhe dimrit.

Komiteti i Parlamentit Evropian votoi sot me 23 vota për dhe 11 kundër ndalimit të lëvizjes së orës që kishte ndodhur për dekada në baza vjetore, në pranverë dhe në vjeshtë, transmeton AP, përcjell albinfo.ch.

Mbetet për deputetët të vendosin se çfarë ore – verore apo dimërore – do të miratohen në të ardhmen, ndërsa në BE ka ndryshime në lidhje me cilën nga këto dy orë duhet të bëhet standard.

Shumë shtete anëtare kanë krijuar një ndryshim në kohë gjatë krizës së naftës në vitet 1970 si një përpjekje për të kursyer energji.

Që nga viti 1996, të gjitha vendet e BE-së ndryshojnë orën në të njëjtën kohë.

Propozimi tani shkon përpara Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. 

Kori “Siparantum” pas koncertit në Pejë, niset për dy koncerte në Romë

Nga data 6 deri më 12 mars, kori ‘Siparantum’ nga qyteti i Pejës do të udhëtojë kryeqendrën e muzikës korale, në qytetin e Romës,  shkruan KultPlus.

Kori “Siparantum” do të prezantojnë dy koncerte të muzikës korale, njëra në Chiesa di San Salvatore in Lauro (afër Vatikanit) dhe tjetra Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, në Romë.

Dirigjenti i korit Memli Kelmendi është shprehur i lumtur që brenda dy viteve kanë realizuar shumë koncerte dhe programe të larmishme brenda dhe jashtë vendit.

“Sukseset tona po rriten çdo ditë prandaj ky është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm për gjithë ne. Po vërtetohet që punë është dëshmi e suksesit. Sigurisht që ky udhëtim do të jetë ndër më të rëndësishmet”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Kryetari i korit, Fatmir Bajraktari ka thënë se reagimi i audiencës që ka mirëpritur koncertet e tyre, ka qenë një motiv shtesë për të vazhduar tutje.

“Me t’vërtetë kemi punuar shumë por kënaqësia çdo herë ka qenë që të mendojmë dhe realizojmë gjëra të bukura dhe kjo po dëshmohet me pjesëmarrjet tona brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Fatmir Bajraktari, kryetar i korit.

Rikujtojmë që kori Siparantum më pare është paraqitur në Kroaci, Francë, Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore Nancy Voix Du Monde dhe tani në Romë, Itali. Kelmendi ka thënë se për këtë vit kanë edhe dy ftesa ndërkombëtare.

“Aktualisht kemi edhe dy ftesa të tjera ndërkombëtare për vitin 2019, por meqë udhëtimet tona kërkojnë një kosto të lartë dhe për ne është e papërballueshme për shkak të numrit të madh të koristëve ne do të përcaktohemi për njërën nga këto”, u shpreh Memli Kelmendi.

Koncertet do të drejtohen nga dirigjenti permanent I korit Siparantum Memli Kelmendi dhe kompozitori dhe dirigjenti I mirënjohur kroat Josip Degl’ Ivellio me të cilin Siparantum ka patur edhe më herët bashkëpunime./ KultPlus.com

Dyqani hebre në Berat që po rrezikon të mbyllet pas vdekjes së pronarit shqiptar

Gazeta e përditshme izraelite “The Times of Israel”, ka shkruar një artikull për një dyqan të një historiani nga Berati i cili tregon historinë e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një dyqan i vogël në qytetin jugor të Beratit tregon historinë e mrekullueshme të shtetit të vetëm të pushtuar nga nazistët që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa më parë.

Dhe historia që tregon është e jashtëzakonshme: shteti i Ballkanit është i vetmi vend i pushtuar nga nazistët, popullsia jude e të cilit u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, falë trimërisë së familjeve të zakonshme që strehonin qindra refugjatë që iknin nga persekutimi gjatë Holokaustit.

Muzeu i vogël Solomon, i cili u hap në qytetin e Beratit vitin e kaluar, ishte një punë e dashur e historianit lokal Simon Vrusho, shkruan gazeta izraelite “The Times of Israel”.

Por vdekja e tij muajin e kaluar në moshën 75 vjeç e ka vënë rrezikun e saj në të ardhmen, dyqan ky i cili qiran e ka të paguar vetëm deri në muajin prill.

Deri tani kishte mbuluar shpenzimet e muzeut me pensionin e tij dhe donacionet e vogla nga një kuti pranë derës.

“Kujtimet duhet të kenë shtëpinë e tyre,” tha Vrusho, një njeri i zjarrtë me sy të ngrohtë, për AFP, pak para se të vdiste pas një sulmi në zemër, raporton Insajderi.

Ai kaloi vite për të korrur dokumente, fotografi dhe kujtime që dëshmonin për një komunitet hebre që arriti për herë të parë në Berat në shekullin e 16-të nga Spanja.

Në qendër të koleksionit janë tregimet e shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë që strehonin hebrenjtë në shtëpitë dhe bodrumet e tyre gjatë Holokaustit – një kapitull i historisë, i cili sapo është bërë më i njohur gjerësisht.

Kur gjermanët morën kontrollin e Shqipërisë në vitin 1943, autoritetet vendore gjithashtu refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve brenda vendit.

Falë këtyre akteve të hidhura të heroizmit, popullsia hebraike e vendit u rrit nga disa qindra para luftës në më shumë se 2,000 më pas.

Dhe, sipas Memorandumit të Holokaustit të Izraelit, Yad Vashem, “pothuajse të gjithë çifutët që jetojnë brenda kufijve shqiptarë gjatë pushtimit gjerman, u shpëtuan, përveç anëtarëve të një familjeje të vetme”, të cilët u dëbuan dhe të gjithë vdiqën përveç babait. /Insajderi.com

Gati 5 mijë persona presin në shi për të ndihmuar 5-vjeçarin me kancer

Mijëra njerëz në Britani të Madhe janë shprehur të gatshëm të dhurojnë qeliza për shërimin e një djaloshi 5-vjeçar, i cili po vuan nga kanceri.

Nevoja e djaloshit Oscar Saxelby-Lee për shërim i mblodhi 4855 njerëz, të cilët pritnin në radhë dhe në mot me shi gjatë fundjavës për të bërë teste mjekësore dhe për të parë se a kanë qeliza të përshtatshme për shërimin e sëmundjes së vogëlushit.

Mjekët thonë se ky fëmijë i ka vetëm tre muaj afat për ta gjetur dhuruesin e duhur nga i cili mund të merren qelizat e gjakut për ta trajtuar sëmunden e leukemisë akute limfoblastike, nga e cila vuan djaloshi.

Ai i është nënshtruar trajtimit me kemoterapi që nga koha kur ishte diagnostifikuar në dhjetor të vitit të kaluar, por për ta shëruar sëmundjen nevojitet edhe një trajtim tjetër më i rëndë.

Familja e tij po lufton me kohën për ta gjetur sa më shpejt një dhurues të përshtatshëm për djalin e tyre. Ata thonë se gjasat që vogëlushi të mbijetojë do të zvogëlohen tepër në rast se nuk gjendet dhuruesi i duhur brenda tre muajve të ardhshëm.

Leukemia akute limfoblastike, e cila njihet ndryshe si “kanceri i gjakut”, është sëmundje e rrallë. Vetëm 650 njerëz në vit preken nga kjo sëmundje në Britani të Madhe, ndërsa gjysma e tyre janë fëmijë.

Artisti shqiptar krijon maska për karnavalin e Venecias

Karnavali i njohur i Venecias është në kulmin e tij dhe njerëzit e shijojnë me kostume të bukura dhe maska të jashtëzakonshme.

Maskat mund të jenë me tema klasike dhe historike, por edhe krijime moderne, origjinale. Ju njohim tani me një punishte të Venecias, ku një shqiptar derdh talentin e tij për të krijuar maskat e ndërlikuara.

Është kohë karnavalesh në Venecie dhe njerëzit veshin kostume shumëngjyrëshe dhe maska të bukura, për të cilat qyteti është i famshëm. Maskat janë një homazh për origjinën e karnavaleve që datojnë prej një mijë vjetësh.

Në dyqanin e tij, Armando Balla i krijon maskat në mënyrë artizanale me metodën tradicionale të kartonit të presuar.

“Maskat janë sigurisht pjesë e jetës së Venecies. Ato i lejonin njerëzit të shprehnin gëzimin e tyre për jetën, por gjithashtu u jepnin intimitet për të bëra gjëra që nuk do t’i bënin dot pa maskë”, thotë ai.

Mjeshtri i maskave e nis punën duke hedhur shtresa letre të lagur mbi një model. Pastaj modelohet balta. Disa nga maskat më të njohura të Venecias mund të maskojnë edhe zërin e njeriut që e vesh.

“Kjo ju lejon të vendosni dorën brenda maskës, të hani, dhe madje edhe të pini duhan me llullë. Forma e maskës e ndryshon zërin duke e bërë atë të tingëllojë si gjëmim”, thotë zoti Balla.

Dhe sigurisht, maska ndihmon fshehjen e identitetit të një njeriu, duke e bërë misterioz. Në fakt, në shekujt e kaluar, maska i lejonte njerëzit e klasave të ndryshme shoqërore të përziheshin me njëri-tjetrin.

“Gjatë karnavales nuk përdoreshin tituj. Nëse takoje një grua në rrugë i thoshe: “Mirëmëngjes zonja Maskë”, thotë ai.

Prej më shumë se 20 vjetësh, Armando Balla ka krijuar më shumë se 500 modele maskash. Duhen tre ditë për të krijuar një maskë të thjeshtë dhe një javë për një model maske të sofistikuar.

“Ne studiojmë piktura dhe libra për t’i riprodhuar maskat ashtu siç ishin dikur. Përdorim gjithashtu imagjinatën dhe shtojmë idetë tona”, thotë ai.

Për Armandon, është një punë që ai e bën me shumë dashuri/”Zëri i Amerikës”.

Ambasadori amerikan i mahnitur nga koncerti i Filarmonisë së Kosovës

Mbrëmë Filharmonia e Kosovës solli koncertin e radhës. Kjo mbrëmje u përmbyll me veprën  “Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi””, e kompozuar nga dirigjenti, pianisti dhe  kompozitori amerikan Leonard Bernstein, shkruan KultPlus.

Koncertin e mbrëmshëm e ka përcjellur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett. Ambasada Amerikane në Prishtinë përmes një postimi ka ndarë impresionet e ambasadori dhe bashkëshortes së tij lidhur me natën e mbrëmshme.

“Ambasadori dhe znj. Kosnett u mahnitën nga Filarmonia e Kosovës mbrëmë, që përfshiu dirigjentin amerikan Gregory Charette dhe muzikë nga West Side Story i Leonard Bernstein: një përrallë e përjetshme e dashurisë dhe faljes nëpër vija etnike. “Do të gjejmë një mënyrë të re të jetesës, do të gjejmë një mënyrë për të falur …””, shkruhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Vepra “Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi”, është e kishte kompozuar mes vjeshtës së vitit 1955 deri në verën e vitit 1957, ndërsa  premierën e parë e pati në 1957 në Washington. Mbrëmë kjo vepër u  zbërthye mjeshtërisht edhe nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën udhëheqjen e dirigjentit amerikan Gregory Charette, i cili vjen për të disaten herë me radhë për ta drejtuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa në edicionin e vitit të kaluar të “DAM Fest”, ka sjellur një koncert solistik me piano. / KultPlus.com

Shqiptari primitiv

Poezi nga Ragip Sylaj.

Shqiptari primitiv vdes për fjalën
Për nderin e fjalës 
E për fjalën e nderit
Se fjala e nderi për të janë jetë e amshueshme

Shqiptari primitiv ta hap zemrën dhe derën
Se është i vetes sa i të tjerëve
Se është i të tjerëve aq sa i vetes

Shqiptari primitiv e merr në mbrojtje të dobëtin
Të drejtin
I do kafshët e bimët si vetveten
Betohet në tokë e në qiell 
Në bukë e në fjalë

Shqiptari primitiv s’di të bëjë kurthe si njeriu modern
T’i ndërrojë fytyrat e gëzofin sipas motit
S’mund ta lëpijë atë që e pështyn
As ta hajë atë që e vjell

Shqiptari primitiv
S’e ka mësuar artin e mashtrimit
Andaj ka mbetur i papërmirësueshëm 
Specie në zhdukje si çdo specie e rrallë

Hyjni e llojit të vet

Vdiq aktori Luke Perry

Aktori Luke Perry, i njohur për rolin e Dylanit në “Beverly Hills 90210” ka vdekur të hënën, pas një sulmi masiv në tru të mërkurën e javës së shkuar.

Ai vdiq në moshën 52-vjeçare.

Përfaqësues të Perryt kanë bërë të ditur lajmin për vdekjen duke thënë se familja e çmon mbështetjen dhe lutjet për Perryn.

Perry u lind në Mansfield, Ohio, teksa karrierën e nisi në moshën 16-vjeçare në “Loving” e “Another World”.

“Me motivet tona” nga Rona Nishliu do të udhëtojë për në Vjenë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri organizojnë jazz-koncertin e Rona Nishliut “Me Motivet Tona”,  shkruan KultPlus.

Projekti ‘Me Motivet Tona’ është cikli përfundimtar i kërkimit dhe transformimit që Rona Nishliu ka aplikuar për klasikët e muzikës urbane shqiptare, që daton që nga fundi i shekullit të 14-të. Ajo filloi kërkimin e saj personal të rrënjëve të trashëgimisë muzikore shqiptare, të emocioneve origjinale ose të mëkateve që çuan në krijimin e këngëve, në kuadrin pothuajse akademik të eksperimentimit duo në piano dhe vokale, tani është pjekur në një shfaqje muzikore që tejkalon përmbajtjen tradicionale përmes bashkimit me Free Jazz, Trip Hop dhe Soul, duke ofruar një përzierje unike dhe freskuese të tingujve të Ballkanit.

Ky koncert do të mbahet më 15 mars 2019 në Kabarett Vindobona Wallensteinplatz 6, 1200 Wien.

Hyrja është falas por për shkak të numrit të kufizuar të biletave, duhet të lajmëroheni në  e-mail: [email protected]/ KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi raportoi për punën e MKRS-së në Komisionin Parlamentar


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka raportuar sot pranë Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, për periudhën e tremujorit të fundit.

Ministri Gashi tha se për të është kënaqësi raportimi për herë të katërt pranë këtij komisioni parlamentar dhe se ky raportim ka të bëjë me disa veprime dhe vendime që kanë ndodhur në tre muajt e fundit. Ministri Gashi po ashtu tha se vitin 2019 e kemi filluar me hapjen e deskut Evropa Kreative. Pastaj ai raporti se “Ka filluar punën MKRS-ja edhe në Prizren, kemi finalizuar ndryshim dhe plotësimin e disa ligjeve në fushën e kulturës, janë përfunduar konkurset për mbështetje të projekteve kulturore, është hapur konkursi për mbështetjen e botimeve për librin Prioritetet e Departamentit të Kulturës, kanë filluar procedurat për projektimin e objektit të Teatrit dhe Operës Dr. Ibrahim Rugova, etj.”

Ministri Gashi, përveç tjerash theksoi rritjen e buxhetit për këtë vit për të gjitha institucionet e kulturës, me theks të veçantë për filmin. “Kosova për herë të parë është paraqitur me një film të financuar nga shteti në njërin prej festivaleve më të mëdha në botë, në Berlinale, filmi ‘Në Mes’ i regjisorit prizrenas Samir Karahoda”, tha ministri Gashi.

Për sa i përket trashëgimisë kulturore, ministri Gashi tha se mbrojtja, ruajta dhe promovimi i trashëgimisë kulturore vazhdon të jetë një nga prioritetet e Ministrisë. “Programi i punës është i bazuar ne dokumentin Strategjia Kombetare per Trashëgimi Kulturore 2017-2027 dhe prioritetet e dërguara në kuadër të Planit të punës së Qeverisë. Plani është i shtrirë në pesë objektiva dhe zbatohet nga të gjitha institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore”, tha ministri Gashi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka finalizuar draft-Strategjinë për Rini 2019-2023 si dhe Planin e Veprimit për Rini 2019-2021. Në kuadër të kësaj strategjie, MKRS-ja ka përcaktuar prioritetet e saj, gjate muajit te ardhshëm ky dokument do te aprovohet. Këtë vit po fillojmë me plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinise përmes te cilit do ti adresojmë te gjitha kërkesat e te rinjve dhe organizatave tjera si dhe këtë ligj do ta harmonizojmë me legjislacionin e BE-së”, raportoi ministri Gashi.

Ndërkaq, për prioritetet rreth sportit dhe të arriturat e Ministrisë, ministri Gashi tha se prioritete vazhdojnë të jenë: Modernizimi i Infrastrukturës sportive sipas standardeve ndërkombëtare; Ndërtimi i Stadiumit Kombëtarë në komunën e Drenasit, ku sqaroi se projekti ka filluar të hartohet dhe deri në muajin korrik e kemi të gatshme si dhe Stadiumi ‘Adem Jashari’ nga kategoria II në IV.

Këtë vit kemi përfunduar 2 palestra sportive në Shtime dhe Rahovec, të cilat tash e një dekadë janë neglizhuar, dhe jemi në përfundim edhe të palestrave tjera në Kaçanik, Deçan, Skenderaj dhe Istog, për fat të keq palestra e Istogut ka nisur para 13 vitesh dhe nuk është përfunduar, kurse të tjerat para 10 vitesh”, theksoi ministri Gashi. 

“KOK-un, Federatat, sportistët dhe trajnerët për herë të parë i financojmë sipas kategorizimit, sipas meritave dhe rezultateve, nga 1 milion e 400 mijë në 3 milion”, tha ai dhe këtu theksoi se xhudistja Majlinda Kelmendi dhe trajneri Driton Kuka përveç shpërblimeve që marrin nga ne, financohen edhe në bazë të pikëve.

Ndërkaq, për sa i përket Departmentit Ligjor të Minsitrisë, ministri tha se: “Sfidë do të jetë mënyra e organizimit të institucioneve, përshkrimi i autorizimeve dhe përgjegjësive të tyre, koordinimi mes këtyre institucioneve me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, në veçanti kur kjo duhet të jetë e harmonizuar me legjislacionin e BE-së, në kuadër të zbatimit të MSA’së”.

Nga ana e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, u vlerësuan arritjet e fundit dhe realizimi i projekteve të ndryshme në tremujorin e fundit Ministrisë për të cilat raportoi ministri Gashi e po ashtu vlerësuan lart edhe korrektësinë e ministrit Gashi në raportimet para Komisionit.

Po ashtu, Komisioni ka vlerësuar lart gatishmërinë e ministrit Gashi për të raportuar para këtij mekanizmi të Kuvendit, çdoherë kur është e nevojshme të bëhet një gjë e tillë, për fushat që mbulon MKRS-ja.

Pak kush e di kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin…

Pak kush e di kush ishte gruaja e Naim Frashërit apo vajza që frymëzonte Haki Stërmillin, fytyrën e Eugjenisë së Andon Zako Çajupit apo trishtimin e Brojkës së Migjenit. Cilat ishin muzat e shkrimtarëve tanë dhe pse mungojnë biografitë ndryshe të autorëve…

Haki Stërmilli, burri me vështrimin e thellë, veshur me kostumin e zi, shfaqet elegant në fotot e mbetura në kohë. Në historinë e letrave shqipe ai është një ndër personazhet më interesante për vetë profilin që ka, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të viteve 1923-1924, partizan në Luftën e Dytë Botërore, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, mbrojtës i të drejtave të grave në shtyp dhe autor i një prej veprave më të rëndësishme të fillesave të historisë sonë letrare “Sikur t’isha djalë” (1936).

Historia e Dijes, vajzës jetime të mbuluar me ferexhe që zbulon papritur dashurinë, e cila hap tek ajo dëshirën për ta parë botën ndryshe nuk mund të ishte thjesht një përfytyrim i aktit të krijimit. Stërmilli analizon me këtë personazh botën femërore, duke treguar kushtet e vështira në të cilat jetonte femra shqiptare para Luftës së Dytë Botërore. Ai e bën Dijen të shkruajë ditar, duke treguar aty jo vetëm dëshirat e fshehta për Shpendin, por dhe dëshirën e saj për të mësuar për të jetuar në një botë më të lirë.

Kritika shqiptare ende nuk i ka dhënë Dijes vendin e duhur në galerinë e pafund të personazheve të kësaj letërsie, ku ajo vijon të shfaqet e ndrojtur. Por teksa flasim për Dijen ne shohim se sa pak dimë për jetën e burrit që i pëlqente të vishej bukur, Haki Stërmillin. Në një histori letërsie, e cila deri atëherë ishte më shumë një sprovë, ai shfaqet si autor i disa romaneve. Ajo çfarë dimë për Stërmillin janë titujt e veprave që ka shkruar. Ne nuk dimë se kush ishte “Dija” e tij, në ishte i martuar apo ndonjë vajzë me të njëjtin emër e torturonte nga pamundësia për t’u takuar lehtë.

Historia e letërsisë shqipe është një nga më të varfrat sa u përket historive të dashurive, letrave apo qoftë dhe ndarjeve. Në asnjë letërsi shkrimtarët nuk shfaqen kaq seriozë, si qenie perfekte të zhveshur nga veset. Pas viteve ’50, vetë sociorealizmi i përjashtonte histori të tilla në jetë e jo më në letërsi. Por nëse hidhemi sërish para në kohë e kemi të vështirë të përfytyrojmë se cila mund të ketë qenë gruaja e Naim Frashërit, një prej intelektualëve më tërheqës të Perandorisë Osmane. Apo çfarë e trazonte kur shkruante vargjet “Në fytyrët tënde gjeta Bukurinë / Si ajy që gjeti në malt Perëndinë / Lulezët e Majit sa janë të mira! / Po përpara teje m’erdhë të pështira / Kur shoh faqezët’ e tua / Ç’vjeft’ i mbetet trëndafilit, / Zëri yt shpirt më jep mua …” (Poezia Bukurija). Është e vështirë të besosh udhëtimet e tij nga Janina në Stamboll pa pasur në mendje imazhin e një femre. Asnjë biograf nuk është marrë deri tani me jetën private të Naim Frashërit, duke e bërë profilin e këtij intelektuali të rëndësishëm të kohës të mos jetë i plotë.

E ç’mund të themi për të ditur më shumë mbi Marin Barletin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin apo Pjetër Bogdanin. Edhe botimet e sotme të Jeronim de Radës, djaloshit që bëri një jetë të lirë përtej brigjeve, denjojnë të rrëfejnë mbi pasionet apo femrat që takoi në jetë. Do të ishte e pamundur ta mendojmë De Radën një asket teksa Arshi Pipa, pas hulumtimeve në Kozencë mes dorëshkrimeve, zbuloi letra që ai ia drejtonte tek Josephine de Knorr, Dora D’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky etj. A thua mes këtyre letërkëmbimeve nuk kishte asnjë për grua?

Në një nga letrat drejtuar të atit më 1845-n ai shprehet për martesën: “Dhe a mos duhet ta shes talentin, që Zoti më ka falur për t’u shërbyer shumë njerëzve, për çmimin e një gruaje, në një kohë kur ai don që martesa të jetë një betim i shenjtë hyjnor?” Kjo letër të lë të kuptosh që poeti do të jetojë i lirë, duke mos ia lënë zemrën peng vetëm një dashurie.

Interesante do të ishte të kishim sot ditarin e Ndre Mjedës, priftit, gjuhëtarit e poetit lirik, i cili përpara se të përqafonte besimin mbrëmjeve në Venecia ëndërronte të jetonte si shkrimtar i lirë. Më pas u nis në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi letërsi. Sa keq që copëza historish që mund të kenë shoqëruar jetën e Mjedës janë shuar sapo kanë mbaruar duke mos mbetur në asnjë rresht. Po kështu histori të Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Sami Frashërit, Naum Veqilharxhit, Risto Siliqit, Mihal Gramenos …

Ne dimë shumë pak për Eugjeninë, gruan, ikja e së cilës nga kjo jetë do të sillte një nga elegjitë më të bukura për ndarjen shkruar nga Andon Zako Çajupi. Ajo dhe Çajupi janë takuar në Aleksandri, ku Andoni u vendos për të studiuar frëngjisht për pesë vite te Sainte Catherine des Lazaristes. Pas studimeve ata u martuan dhe patën bashkë një djalë me emrin Stefan. Të gjithë ata që janë marrë me jetën e Andon Zako Çajupit nuk kanë shkruar asnjë rresht për Eugjeninë, gruan që do të frymëzonte një nga vajet më të bukura të shkruara në historinë tonë letrare. Ndarja e saj e parakohshme nga jeta do ta zhyste në trishtim shkrimtarin, i cili nuk ngurron të hedhë në letër fjalët e zemrës, duke shkruar: “Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë / Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë / Shumë vjetë u bënë sot u mbushën dhjetë / Që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!” (Vajë).

Brojka, vajza e ndrojtur shkodrane, është një ndër të parat që tregon se në letërsinë shqipe ka pasur jetë. E fshehur për vite me radhë në sirtarët e familjarëve të poetit, lidhja e saj me Migjenin është bërë publike vetëm pak kohë më parë, në një biografi të hartuar nga Skënder Luarasi. Dashuria mes tyre ka qenë e fortë. Kjo ndihet edhe në letrat që Brojka ia dërgon së motrës së tij Ollgës, teksa i rri pranë të vëllait në spital. Ja çfarë i shkruan ajo: “Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje, sipas dëshirës së tij. Kur e kam pyetur se ç’duhet të them ty, sepse unë gjithmonë kam thënë diçka, ai m’u përgjigj: ‘Më mirë mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato qoftë edhe për një çast të mendojnë se unë dashurinë time ia fal dikujt tjetër përveç tyre’. Pas kësaj unë i thashë se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është e një lloji tjetër dashurie, entuziazëm që nuk e gjen shpesh në jetë e se ju motrat e tija do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç deshi ai. E unë përkundrejt tij kam qenë mund të them lirshëm, shumë e kujdesshme. Kur ma shfaqi dashurinë për herë të parë përmes një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë, se edhe unë e dashuroj dhe e respektoj”.

Ja çfarë i shkruante Migjeni asaj në një letër: “Ti je kundër meje aq e ëmbël, më e ëmbël sesa engjëlli që nuk ekziston. Kam dashuruar e kam puthur, por vetëm te ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore”.

Djaloshi që nisi studimet për letërsi në Athinë ka pasur një nga jetët më interesante deri në hyrjen e komunizmit në vend. Përpara se të merrte anijen për në Marsejë më 1937-n, ai ndalon në Itali të takohet me Migjenin… Më pas, përmes Mesdheut mbërrin në Marsejë e ndalon në Paris për të takuar Llazar Fundon e Ali Kelmendin dhe u bashkohet Brigadave Internacionale me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë në Valencia, ku ishte dhe Hemingueji, Pablo Neruda etj. Dy nga romanet më të bukura të letërsisë sonë e kanë zanafillën nga kjo periudhë e shpenguar në jetën e shkrimtarit. Aty ka lindur dhe Ana dhe Anita, dy femrat personazhe te Nata e Ustikës dhe Hasta la vista. Por, për fat të keq në ditarin e shkrimtarit nuk shohim asnjë takim dashurie të kësaj kohe. Ajo çfarë dihet zyrtarisht është martesa e tij me piktoren Safo Marko, me të cilën pati dy fëmijë dhe një jetë aspak të lehtë nën komunizëm.

Historitë e fshehura të dashurisë apo tradhtia, flirtet e vogla që mund të ndodhnin në jetën e secilit as që mund të mendoheshin të hidheshin në letër gjatë komunizmit, ku vetë erosi mungonte në letërsi. Pas viteve ‘50 e deri në fillim të viteve ‘90 e gjithë letërsia është pothuajse e zbrazur nga histori të tilla. Ato mund të ndodhnin në jetë, por jo në letra. Në biografitë zyrtare të shkrimtarëve shqiptarë të asaj periudhe qoftë edhe në Wikipedia, ndryshe nga shkrimtarët e huaj nuk jepet me kë kanë qenë të martuar. Megjithatë, bashkëshortet e shkrimtarëve të kësaj periudhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë që ata shkruan.

Le ta nisim me Lasgushin. Nafija, vajza brune nga Durrësi, do ta dashuronte menjëherë poetin. Ajo ishte njohur më parë me vargjet e tij aq sa padurimi i zemrës për takimin e radhës. Nafije Mema, e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Letrat e tyre të dashurisë janë botuar së fundmi nga të bijat. Por, ana tjetër intime e Lasgushit, ajo e studentit në Grac apo të riut të gjatë veshur me kostum në Tiranën e atyre viteve apo poetit më vonë, pothuajse nuk ekziston.

Dhimitër Shuteriqi, një ndër shkrimtarët më prodhimtarë pas viteve ’60, njihet dhe për lidhjen e fortë që pati me bashkëshorten Mynever. Vajza me flokët e drejtë nga Elbasani nuk do të ndahej asnjëherë prej tij që kur u njohën në kohë lufte. “Kemi punuar në një nga fshatrat më të thellë, sepse ne ishim te shtypi ilegal. Që nga kjo kohë kemi punuar bashkë, ku unë isha redaktore, ai ishte kryeredaktor. Kur unë isha punonjëse e propagandës në Elbasan, ai ishte shef. Edhe këtu në Tiranë ai u interesua që unë të isha brenda këtij kuadri, që të merresha me shtypin e me botimet dhe kam punuar me shtypin e botimet gjithë jetën time. Kam qenë në Komitetin Qendror të Partisë në sektorin e shtypit, pastaj kam qenë zv/drejtore e shtëpisë botuese ‘8 Nëntori’. Kam qenë gjithnjë afër veprimtarisë shkencore të Dhimitrit”, kujton ajo në një intervistë pas ndarjes së tij nga jeta.

Mynever ka kontribut në historinë e librave biografikë, duke sjellë për herë të parë në historinë e botimeve tona një libër mbi jetën e saj me Shuteriqin, Një jetë me dashuri, duke ndjekur shembullin e bashkëshorteve të shkrimtarëve të njohur në botë, si Ana Dostojevska apo të tjera. “Në katedër zuri vend një djalë i ri, me një paraqitje që më tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe që e regjistrova në kujtesë në mënyrë krejt të pavetëdijshme, por tepër besnike: flokë të zinj pak të valëzuar, fytyrë e bardhë e fisme, buzë mishtore me pjesën e poshtme disi të varur. Ndërsa nën syzet e vogla me një rreth ari të hollë, që nuk më lejonin t’i shquaja ngjyrën e syve, arrita të dalloj gjithsesi vështrimin e tij të vëmendshëm, që m’u duk se më drejtohej mua”, shkruan ajo.

Dritëro Agolli hyn te shkrimtarët ku tragjedia njerëzore, siç ishte prishja e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, do të bënte të ndahej përgjithmonë nga gruaja e tij Nina ruse, me të cilën kishte edhe një djalë. Martesa e mëvonshme me Sadijen dhe lindja e dy fëmijëve, një djali e një vajze, do ta mbulonte me heshtje këtë histori, për të cilën dhe vetë shkrimtari preferoi të mos fliste. Do të ishte bukur të kishim nga ai ditarë apo letra nga kjo periudhë e ndarjes apo njohjes me Ninën, apo histori të tjera kur si gazetar i ri udhëtonte në krahina të ndryshme të vendit. Agolli është një ndër shkrimtarët që ka folur më shumë mbi tradhtinë në tregimet e tij. Te Zhurma e erërave të dikurshme ne takojmë femra jo të lumtura në jetën bashkëshortore, të cilat udhëtojnë deri në Tiranë për të takuar gazetarin e ri, që një ditë kishte bujtur në shtëpinë e tyre. Tregimet e Agollit tregojnë se asnjëherë nuk e dimë kur mund ta takojmë lumturinë.

Njohja me Sadijen duket se do të sjellë gëzim në jetën e shkrimtarit. Vetëm pak kohë më parë është botuar libri Dashuri në kohën e Krishtit me letrat e dashurisë që ata ia dërgonin njëri-tjetrit nga njohja gjatë jetës martesore. Ky libër e pasuron kolanën e rrëfimeve të munguara në këtë gjini në letërsinë tonë dhe, nga ana tjetër, na sjell jetën tjetër të Agollit, atë të pasionantit dhe të dashuruarit me gruan që ndan jetën.

Çifti Helena dhe Ismail Kadare janë një ndër çiftet më interesantë në letrat shqipe. Biondja me sytë e bukur nga Elbasani do të dashurohej me studentin shqiptar në Rusi që kur i lexoi vargjet e para. Më pas ajo i shkroi një letër, pa e menduar se kjo do të ishte letra e parë e një morie letrash që do t’i shkruante më pas gjatë bashkëjetesës së tyre. Fjalia e Dhimitër Xhuvanit, që në atë kohë ishte student në Rusi bashkë me Kadarenë, se vajza që ka shkruar letrën është më e bukur se në fotografi, duket se do të ndizte shkëndijën e parë të një raporti dashurie që vazhdon ende edhe sot. Çifti Kadare, ashtu si me letërsinë që shkruan, por edhe me jetën e tyre, do të ndikonin në emancipimin e shoqërisë.

Fakti që Helena ishte shkrimtare e një nga autoret femra më të talentuara pas viteve ‘70, e bënte ta kuptonte më lehtë jetën plot trazime të shkrimtarit. Ajo diti t’i jepte atij dimensionin e lirisë, kaq i nevojshëm për shkrimin, duke ia bërë më të lehtë jetën në diktaturë. Disa vite më parë ajo botoi librin autobiografik Kohë e pamjaftueshme, ku tregon jetën e saj përkrah Kadaresë. Një libër, i cili e çon lart nivelin e botimeve të kësaj natyre në historinë letrare, pasi Helena nuk ngurron të tregojë çdo gjë interesante rreth gjeniut, pa fshehur dhe rastet ku femra të tjera kanë hyrë mes tyre duke e bërë të ndihet “xheloze”. Po vetë Kadare është ndër shkrimtarët më të hapur për sa i përket jetës private. Në librin Ftesë në studio ai nuk ngurron të tregojë pasazhe, copëza dashurish të jetuara në kohën e studimeve në Rusi, letra që ua dërgonte vajzave ruse apo ato çfarë i shkruanin ato duke bërë që për herë të parë një shkrimtar shqiptar të flasë hapur për intimitete të tilla, për të cilat lexuesi është kaq kurioz. Ja çfarë i shkruan Ljuba C., një vajzë me të cilën kishte dalë disa herë:

Që kishe në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli, këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj te ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njëlloj si të pije çaj me djallin. Këto, këto fjalë të nënës sime, e cila njëlloj si unë, e ndien veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj, dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes. Nuk mjaftonte sjellja mospërfillëse ndaj prindërve të mi, kur ti mezi iu përgjigje pyetjeve të tyre me nga një “po” ose një “jo” të thatë, sikur të ishe një zotëri i madh, por duhej të dërgoje edhe atë shëmti. Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës, termat e së cilës pa kurrfarë turpi i krahasoje me sëmundjet veneriane, për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjej në fund, duke e parë se me prindërit e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha: “Zoti e ndjeftë!”. Më vjen turp, shumë turp, që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba (Ftesë në studio).

Një tjetër bashkëshorte e bukur e letrave shqipe është Eftipia, gruaja e Mitrush Kutelit. Vajza elegante nga qyteti i Korçës pëlqente të vishej bukur e me stil. Njohja me Kutelin ishte gjëja më e bukur në jetën e saj. Ajo ra në dashuri pa e ditur se jeta përkrah këtij burri nuk do të ishte e lehtë. Janë të njohura letrat që ai i dërgonte asaj, sidomos gjatë kohës kur ishte në burg. Kaq afër jemi, por kaq larg, / Të lutem mos më prit / Na ndajnë terre rreth e qark / Dhe yll për mua s’ndrit. /MAPO

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës erdhi me dhimbjen për të pagjeturit

Gili Hoxhaj

Krejt hapësira e Sallës së Kuqe ishte e mbushur me publik. Jo shumë larg tyre, vijnë instrumentistët e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Duartrokitjet e mirëpresin dirigjentin amerikan Gregory Charette që tash e disa herë e dirigjon lojën e instrumentistëve nga po kjo skenë.

Ndryshe nga çdo koncert tjetër, skena ngadalë zhytet në errësirë që merr pak nuanca të së kuqes. Violina e Visar Kuçit është nikoqire e minutave të parë të koncertit, ai del nga ana e djathtë e perdeve e bën pak hapa larg saj. Brenda tre minutave harku i tij lëviz me goxha intensitet.

Pas kësaj, krejt vëmendja zhvendoset diku tjetër. Ndriçimi mbi partiturat e thyen pak pamjen e errët. Loja e harkorëve nis në zbërthim të  veprës “Fratres” e kompozitorit estonian Arvo Part, vepër që është  kompozuar për violinë dhe orkestër harqesh dhe perkusione. “Fratres” e kompozuar në vitin 1977  është vepër pa orkestrim fiks dhe përshkruhet si set hipnotizues i variacioneve në një temë, që kombinon aktivitetin e çuditshëm dhe heshtjen sublime. Tingujt që sjell kjo vepër deri në të sosur, mbrëmë shoqëruan një kapitull të dhimbshëm të luftës së Kosovës. Përmes muzikës, ato erdhën si ballafaqim me dhimbjen e zhgënjimin që  vazhdon e rritet brenda mureve të familjarëve të të pagjeturve.

Ekrani i vendosur prapa instrumentistëve, i sjell shumë afër shprehjet e fytyrave të tyre që nuk dallonin, dukej sikur ato vetëm kalonin nga një personazh tek tjetri. Ka 20 vite që ndajnë pikëllimin e zhgënjimin e njëjtë. Fotografitë e Atdhe Mullës, përcjell me rrëfimet në formë titrash dukej sikur familjarët e të pagjeturve po  e ndanin zbrazëtinë e tyre me secilin veç e veç.

 Pamja e  personazheve në fotografi, shoqëruar me muzikën e Part-it e bënë audiencën që ta ngrij shikimin në ekran, shumë prej tyre iu dorëzuan emocioneve që ngjallën këto video-ekspozita. Loja e Patris Berishës në përkusione, tingëllonte si trokitje e herë pas hershme në këtë kapitull të shoqërisë. Kur ekrani fiket, e dritat ndizen, dora e dirigjentit kishte mbetur si e ngrirë lart. Ndryshe nga pjesët tjera të koncertit, në pjesën e parë koka e tij qëndronte më shikimin poshtë, në formë përkulje për dhimbjen që shfaqej në ekranin përballë tij.  

Video-ekspozitat janë prodhim i Intergra-s dhe forumZDF. Ato fillimisht qenë prezantuar në formatin e video-ekspozitave me fotografi të realizuara nga Atdhe Mulla dhe regji të Kushtrim Koliqit. Në shkurt të vitit 2019, këto fotografi u instaluan në një hapësirë institucionale (Kuvendi i Kosovës) ku dialogu për ta është domosdoshmëri dhe obligim për t’i dhënë fund pritjes së tyre të përhershme.

Drejtori  i Integra-s,  që ka bërë regjinë e video-ekspozitave, Kushtrim Koliqi tregoi se fillimisht ideja e këtij koncepti kishte ardhur nga menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj me të cilën kanë bashkëpunuar edhe më herët. Ai thotë se e kishin mirëpritur këtë ide pasi që qëllimi i tyre është që rrëfimet e trashëgimisë së luftës e njerëzve të pagjetur të arrijnë sa më pranë publikut dhe si të tilla duhet të tingëllojnë si kambanë për krejt shoqërinë.

“Puna jonë që ne e bëjmë për të pagjeturit, për trashëgiminë e luftës duhet që gjatë tërë kohës të tingëllojë si kambanë dhe neve kushdo që na jepë atë hapësirë, e shfrytëzojmë pozitivisht atë platformë. Në këtë rast Filharmonia e Kosovës është treguar shumë e ndjeshme dhe ka treguar një indikacion që shoqëria jonë edhe pas 20 vitesh nuk duhet më i harru disa borxhe që i kemi ndaj të kaluarës”, tha regjisori Kushtrim Koliqi për KultPlus.

Koliqi theksoi se edhe pse ka qenë vazhdimisht pjesë e realizimit të video-ekspozitave dhe e emocionojnë secilën herë, atmosfera që ngjalli kjo mbrëmë e ka bërë që t’i duket sikur ato po i sheh për të paren herë.

“Nuk e ndjejsha që unë i kam prodhuar ato, erdh një format dhe energji krejt tjetër që është e pakalkulueshme. Fuqia që erdh sonte mes Filharmonisë së Kosovës dhe videoekspozitave tona është e pamatshme dhe pakalkulueshme”, tha Koliqi për KultPlus.

“Nga errësira në dritë”

Pas veprës së parë, publiku kaloi në një dimension tjetër muzikor. Vepra “Koncert për alt saksofon dhe orkestër Op.26”  e Paul Creston e solli Dardan Gjinollit si solit pranë orkestrës së Filharmonië. Vepra lëvizi në tri pjesë, tingujt e të cilave përshtateshin me identifikimin e tyre si: energjike, medituese dhe ritmike. Kjo vepër ishte goxha impenjative për solistin i cili për pothuajse gjysmë ore e solli atë me një frymë me orkestrën.

Gjinolli i cili lëvizte varësisht nga tingujt që vinin nga instrumenti që mbante, jo dhe rrallë mbizotëroi sallën. Ai po kthehej pas dhjetë vitesh për të bashkëpunuar me Filharmoninë e Kosovës, ndërsa tha se duke qenë se vepra që interpretoi mbrëmë njihet si më të vështirat për saksofon, atij i ka marrë mjaft shumë kohë e energji.

“Mund të them që kjo vepër më ka marrë rreth 6 muaj për ta sjell në këtë formë si erdhi sot por ka qenë një mbrëmje kur tërë mundi është shpërblyer. Koncerti ka qenë shumë i vështire por dua ta falënderoj edhe Filharmoninë e Kosovës që kanë bërë një punë të mrekullueshme dhe jam me fat që kjo mbrëmje e ka dirigjuar Gregory Charette”, tha Gjinolli për KultPlus.

Charette i cili dirigjoi këtë mbrëmje, pak  pas koncertit për KultPlus tha se këtë mbrëmje do ta titullonte “Nga errësira në dritë”, pasi që përmes muzikës tregohet se e kaluara nuk duhet të harrohet por gjithnjë duhet të ecësh kah e ardhmja.

 “Ka qenë shumë emocionuese të kalosh nga vepra e parë në të dytën, ishte paska e vështirë  në aspektin psikologjik pasi që edhe fotograitë dhe teksti ishin shumë e fuqishme dhe më pas u desh të kalonim në muzikën me saksofon që është më ritmike”, tregoi Charett për KultPlus.

 “Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi” është vepra e njohur Leonard Bernstein, që e kishte kompozuar mes vjeshtës së vitit 1955 deri në verën e vitit 1957, ndërsa  premierën e parë e pati në 1957 në Ëashington. Pas një pauzë,  orkestra e Filharmonisë së Kosovës u kthye përsëri në vend dhe goxha më e madhe në numër, krahasuar me veprën e parë kur nisi koncerti. Vepra erdhi me ritmike, duke sjell goxha gjallëri, ndërsa në fund të saj dirigjenti e bën edhe publikun pjesë të saj.

“Mendoj se energjia e audiencës këtu është shumë e veçantë,  unë ndihem shumë i mirëseardhur këtu dhe po e them për të disaten  herë se po ashtu ndihem shumë i lidhur me muzikantët. Veprat komunikuan shumë mirë me publikun sonte”, tha dirigjenti Charett për KultPlus.

Vepra e Bernestein-it kishte qenë një shtytje që kompozitori Valton Beqiri mos ta humbiste këtë koncert. Pas  përfundimit të koncertit, ai tha për KultPlus se ky koncert është dalluar nga koncertet e tjera të Filharmonisë.

“Besoj që vepra  e fundit e Bernsteinit është një vepër mjaft e vështirë sa i përket aspektit stilistik megjithatë mendoj se Filharmonia e Kosovës i ka realizuar me sukses edhe veprat e tjera, vecmas këtë të Bernsteinit. Kjo intencë e Filharmonisë të eksplorojë dhe ta sfidojë veten është e rëndësishme jo vetëm për publikun por edhe instrumentistët e Filharmonisë që në forma të ndryshme zhvillohen dhe jemi të gjithë dëshmitarë që Filharmonia e Kosovës po arrin nivelin e konsiderueshëm edhe stilistik dhe artistik”, theksoi Beqiri.

Filharmonia e Kosovës sjell koncertin e radhës në fund të kësaj jave, më 10 mars duke filluar nga ora 20:00 në sallën e kuqe të Filharmonisë së Kosovës./ KultPlus.com

Meta takon shkrimtarin arbëresh, Mario Brunetti

 Presidenti Ilir Meta u takua sot me arbëreshin Mario Brunetti, deputet i Parlamentit italian gazetar, shkrimtar dhe studiues i çështjes së Italisë së Jugut

“Sot pata një takim shumë të ngrohtë me mikun tim Mario Brunetti, deputet i Parlamentit italian për një kohë të gjatë, prezantues i ligjit 482 për ruajtjen e gjuhëve të minorancave, veçanërisht asaj arbëreshe, gazetar, shkrimtar dhe studiues i çështjes së Italisë së Jugut dhe një nga studiuesit më të mëdhenj të veprës së Antonio Gramshit”, shprehet Meta.

Po ashtu, Meta u shpreh se “Ishte kënaqësi që mora si dhuratë botimin e tij të fundit mbi mendimtarin e madh italo-arbëresh, Antonio Gramshi”.

Promovimi i Shqipërisë nëpër botë, 41 aktivitete nga SHBA në Japoni

Promovimi i turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë do të ketë një rëndësi të veçantë gjatë vitit 2019, teksa do të ketë një program eventesh që do të shtrihen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Japoni.

Një prej arritjeve të Samitit të Dytë të Diasporës, të mbajtur në datat 28 shkurt-2 mars në Tiranë, ishte dakordësimi i një kalendari të përbashkët të eventeve, për promovimin e turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë.

Aktualisht, janë 41 evente të planifikuara, por lista e tyre pritet të zgjerohet me vende të tjera gjatë vitit, ndërkohë që edhe në Shqipëri do të mbahen për herë të parë një numër konferencash/panairesh/eventesh me fokus promovimin e imazhit të vendit tonë dhe forcimin e lidhjeve të biznesit.

Konkretisht, kalendari i eventeve nisi në Milano në muajin shkurt, me një event për artizanatin, duke vijuar me Tel Avivin dhe Berlinin.

Gjatë marsit, evente që promovojnë turizmin dhe vlerat e tjera shqiptare do të zhvillohen në Berlin, Kiev, Prishtinë dhe Lajpcig.

Në prill, kalendari i eventeve parashikon ndalesa në Moskë, Dubai, Bruksel dhe Toronto.

Do të vijohet në maj me Torinon, Kanën, Venecian, Zvicrën, Bakunë dhe Lisbonën, ndërsa në qershor, vëmendja zhvendoset në Kinë, në një panair të madh ndërkombëtar.

Pas ndalesës verore, vëmendja do të përqendrohet në shtator në Tokio dhe në disa qytete italiane.

Në tetor, ndalohet në Këln, Paris dhe Rimini. Ndërsa në nëntor, në Dyseldorf, Varshavë dhe pjesëmarrja në prestigjiozen e “Fiera di Milano”.

Dhjetori përmbyllet me evente në Itali dhe një event dedikuar diasporës shqiptare në Nju Jork.

Këtë vit, një vend të veçantë do të zërë edhe promovimi i kulinarisë shqiptare, ku në 6 mujorin e parë të vitit do të organizohen 10 evente, në Vienë, Amsterdam, Londër, Francë, Zvicër, Athinë, Selanik dhe tre qytete italiane.

Ndërsa eventi “Ditët e Shqipërisë”, do të zhvillohet në Poloni, Çeki, Gjermani, Bullgari dhe një listë vendesh të tjera ku vendi ynë ka një potencial të madh zgjerimi në fushën e turizmit./gj.mima/ KultPlus.com

Ava Max në emisionin italian, theksohet se është shqiptare

Ava Max tashmë ka nisur të shndërrohet një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

Ajo po bën një karrierë të suksesshme në Britani të Madhe dhe duket se jo vetëm kaq, pasi që po kërkohet edhe në shtetin italian.

Këngëtarja që në realitet quhet Ava Koçi bëri shumë bujë veçanërisht pas këngës së fundit “Sweet but a psycho”.

Së fundi, artistja ishte mysafire speciale e televizionit Rai Uno, ku kishte një performancë të jashtëzakonshme.

Pas kësaj, ajo pati një bisedë më moderatorin Fabio Fazio, i cili theksoi se këngëtarja e njohur ka origjinë shqiptare dhe ajo e pohoi.

“Ka shumë këngëtare shqiptare që po bëhen të famshme në botë. Më pëlqen ta them sepse Shqipëria është shumë afër nesh dhe shumë shqiptarë na ndjekin në ‘Rai Uno’. Mund t’i përshëndesësh”, iu drejtua moderatori teksa këngëtarja nuk ngurroi ta bëjë një gjë të tillë, “Përshëndetje shqiptarë, ju dua shumë”.

Ndryshe, 23-vjeçare ka lindur më 16 shkurt të 1996-së në Wisconsin të SHBA-ve, me prindër emigrantë nga Shqipëria. /Telegrafi/ KultPlus.com

Letër çdo djali e burri në Shqipëri!


Nga Blerim Gjonpalaj

Përpara disa muajsh u ndodha në një taksi në Tiranë, duke biseduar me shoferin. Më pyeti nëse kisha fëmijë dhe iu përgjigja se kisha dy vajza të vogla. “I paç me jetë të gjatë”, më tha dhe më bëri përshtypje që nuk shtoi “Me një djalë pas!”, sepse kjo është fraza shoqëruese e urimit që has kur jam në Shqipëri. Kur ia rrëfeva këtë, më tha se ai vetë kishte tri vajza. “Kur lindi e para nuk u mërzita, por kur lindi e dyta u mërzita pak. Kur lindi fëmija i tretë isha në maternitet. Infermierja doli me vajzën e tretë ne krahë dhe më përgëzoi. Unë ia lashë në krahë dhe ika.”, filloi të më tregonte. “Shkova u ula diku për të pirë cigare, çka e kisha lënë për 11 vjet. Piva aq shume cigare dhe isha aq i mërzitur sa më ra te fikët.”

Pse bën një baba një gjë të tillë? Cili është edukimi që marrim përsa i përket mënyrës se si i trajtojmë vajzat dhe gratë? Çfarë shembujsh kemi? Çfarë na formon ne si djem, baballarë dhe burra për atë se si sillemi me vajzat dhe gratë në shoqërinë tonë? Këto dhe shumë pyetje të tjera, kam frikë se nuk i kemi shtruar kurrë seriozisht, qoftë si shoqëri, qoftë individualisht. Ajo që kemi bërë për shekuj të tërë është normalizimi i partiarkalizmit, shtypjes, pabarazisë dhe dhunës kundër vajzave dhe grave. Kjo padrejtësi e ky diskriminim na janë bërë aq normale sa që shumica nuk arrin t’i dallojë më përveç se kur shohim shembuj të llahtarshëm në media, si rasti i vajzës 13-vjeçare në Kavajë, i vajzës 15-vjeçare në Malësi të Madhe apo vajzës 15-vjeçare në Drenas të Kosovës.

“Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë!”

Në Shqipëri e kemi zakon të pyetemi gjerë e gjatë kur takohemi. Ajo që mua më bën përshtypje është se çfarë themi gjatë këtyre takimeve. Në përgjithësi dëgjoj: “Si i ke djemtë?”, “Si i ke vëllezërit” ose “Si e ke babën?”? Duket sikur pjesa dërrmuese e burrave në Shqipëri nuk kanë nëna, vajza, motra apo shoqe! E nëse ato ekzistojnë, mbeten nën hije apo në shërbim të djemve dhe burrave. Shumica jonë është rritur me motra dhe nëna që na kanë ndejtur gati në shërbim. Diçka që ne e kemi marrë për të mirëqenë, si gjënë më normale në botë! Padyshim, pasi gatimin nuk e bëjnë burrat. As tavolinën nuk e shtrojnë burrat. Enët nuk i lajnë burrat. Shtratin nuk e ndreqin burrat. Rrobat nuk i lajnë burrat. Shtëpinë nuk e mbajnë burrat. Sikurse fëmijët nuk i rrisin burrat…

“Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë!… Moj e mjera grua, ç’e do burrë zinë që ftohet në krua dhe ti mban shtëpinë!”, shkruante Çajupi diçka si më shumë se një shekull më parë. Shifra nga Organizata Ndërkombtare e Punës për vitin 2018, tregojnë se gratë shqiptare shpenzojnë 270 minuta në ditë me pune shtëpie, kurse burrat 45 minuta. Statistikat tregojnë të jemi në vend të pestë në botë, përsa i përket kësaj pabarazie. Sa kemi ndryshuar në 100 vjet?

Ky diskutim nuk është thjesht çështje punësh shtëpie. Sa prindër kanë derdhur lotë vetëm sepse janë bërë me vajzë? Sa baballarë janë mërzitur a thua se u kish rënë ndonjë mort, vetëm e vetëm ngaqë fëmija i ardhur në jetë ishte vajzë? Sa të tjerë janë ngushëlluar për të njëjtën arsye? Sa herë u përsëritet vajzave në shoqërinë tonë se në jetë ato “lindin në shtëpi të huaj dhe shkojnë tek shtëpia e burrit”.

Sa ëndrra, talente dhe aspirata vajzash janë varrosur vetëm sepse ato ishin vajza? Sa herë bëhen dëshmitare vajzat në shoqëri si e jona, se si djemtë privilegjohen kurse ato shtypen e trajtohen si shërbëtore? Kështu i trajtojmë vajzat dhe gratë në Shqipëri, nga Vermoshi në Konispol.

Nuk kemi pse bëjmë sikur habitemi kur ato keqtrajtohen, shtypen, përdhunohen, madje dhe vriten. Ne kontribuojmë drejt kësaj dhune. Çfarë i shërben shoqërisë sonë e veçanërisht vajzave e grave habia jonë? Çfarë ndryshon për ato nëse e vetmja mbështetje ndaj tyre tingëllon e përçudnuar. “Duhet të sillemi ndryshe me vajzat tona sepse mund të ishin motra, gruaja apo nëna jonë?” Vajza apo gruaja para se me qenë motër, bashkëshorte apo nënë, është grua, një individ me liri dhe të drejta të barabarta me ne.

Ne si shoqëri nuk jemi askund dhe ka ardhur koha të vetëdijësohemi e te shohim gjithsecili prej nesh vetveten në pasqyrë. Ka ardhur koha që ne djemtë e burrat, ë kuptojmë që jemi pjesë e problemit dhe se kërkohet prej nesh jo vetëm të thyejmë heshtjen, por të reagojmë ndaj kësaj mynxyre.

Kurajo

Do të doja që ky shkrim të konsiderohej një letër e hapur për çdo djalë dhe burrë në Shqipëri. Ka ardhur koha që gjithsecili nga ne ta luftojë patriarkalizmin e pabarazinë, ta sfidojë këtë rend shtypës që na prek po aq sa vajzat dhe gratë, paçka se preferencialisht më ndryshe. Dhuna jo vetëm që s’duhet ushtruar por as toleruar kur bëhemi dëshmitarë të saj. Ne nuk do të zhvillohemi si shoqëri nëse gjysma e popullsisë trajtohet në mënyrë çnjerëzore; sepse ëndrrat, talentet dhe aspiratat e vajzave dhe grave meritojnë të njejtat shanse sikurse ato tonat për t’u realizuar.

Jam i vetëdijshëm se në një kontekst si ky yni, të sfidosh patriarkalizmin nënkupton të sfidosh veten dhe kjo kërkon kurajon tonë por nuk ka rrugë tjetër dhe realiteti do të ndryshohet vetëm nga bashkëpunimi ynë. Prandaj, si fillim le ta pyesim veten: Si jam duke e trajtuar nënën time? Si jam duke e trajtuar motrën time? Si jam duke trajtuar partneren time? Si jam duke trajtuar vajzën time? Si jam duke i trajtuar shoqet e mia? Si jam duke trajtuar vajzat dhe gratë e tjera ne punë, në rrugë apo kudo ku ndajmë hapësirën? Le të provojmë për një çast sado të pakët, ta vendosim veten në vendin e tyre, për të kuptuar më mirë e për të vepruar më drejtë.

Për një shoqëri më të mirë

Nje shoqëri nuk ndryshohet vetëm nga akte individuale. Aktet politike, sociale, ekonomike dhe kulturore janë gjithashtu të domosdoshme. Prandaj, do të doja që ky shkrim të ishte edhe një apel për klasën politike sikurse për shoqërinë civile që të mbështesin vajzat dhe gratë realisht, jo sa për fasadë sikurse ndodh rëndom.

“Prej asaj dite e kam kuptuar se sa gabim isha dhe akoma e kam të vështirë t’ia fal vetes. Mbrapa më lindën edhe dy djem, por lidhjen më të fortë nga gjithë fëmijët e mi e kam me vajzën e tretë që fillimisht pothuajse e braktisa.”, m’u drejtua taksisti para se të ndaheshim.

Zotëria që më shpuri deri në destinacionin e kërkuar, nuk është një rast i veçantë. Si puna e tij mund të ndihen shumë burra të tjerë në shoqërinë tonë. Por ai e pat kuptuar gabimin e tij e tani, ka ardhur koha që edhe ne të tjerët të reflektojmë njëlloj. Trajtimi në mënyrë dinjitoze, të barabartë e të drejtë i vajzave dhe grave prej nesh, do e bëjë shoqërinë tonë më të mirë dhe më të drejtë. Shoqëria na përket të gjithëve, jo vetëm disave prej nesh. / KultPlus.com

(c) 2019, Blerim Gjonpalaj

Ermal Meta koncert në Tiranë, Veliaj: Produkti më dinjitoz shqiptaro-italian!

Pas suksesit të një viti më parë, Ermal Meta rikthehet me një tjetër koncert në Tiranë. Të gjithë adhuruesit e zërit të kantautorit të mirënjohur shqiptar kanë mundësi ta ndjekin sot në mbrëmje nga afër në Pallatin e Kongreseve, ku Ermal Meta do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, si vijim i turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

Para koncertit të sotëm, kantautori u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mbolli edhe një pemë.

“Jam shumë i lumtur që vëllai im, Ermali, është kthyer sërish në Tiranë për të lënë gjurmë, për të hedhur rrënjë këtu.  Bëmë edhe një mbjellje për të hedhur ca rrënjë fizike. Jam shumë i lumtur që i gjithë koncerti është “sold out”, një nga më të mëdhatë në Pallatin e Kongreseve të turit të Ermalit me GnuQuartet, një grup fantastik nga Xhenova. Kanë bërë një tur në të gjithë Italinë dhe jam shumë i lumtur që me këmbënguljen e  Ermalit, edhe Shqipëria u bë pjesë e këtij turi”, tha Veliaj.

Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një supershfaqje te Pallati i Kongreseve. Veliaj vlerësoi kantautorin dhe e cilësoi atë si shembullin më dinjitoz shqiptaro-italian.

Jam entuziast për faktin se sapo mbaruam Samitin e Diasporës dhe kur flasim për ambasadorë të Shqipërisë dhe për njerëz që na bëjnë të ndihemi krenarë, Ermali është i pari që më vjen në mendje. Jam sot shumë i lumtur, që si ambasador i Shqipërisë në një Itali që gjithmonë e më shumë ka debate për të huajt, për ata që kanë ndoshta bindje të ndryshme, për ata që kanë opinione të ndryshme, unë besoj se Ermali është shembulli dhe produkti më dinjitoz shqiptaro-italian. Jam shumë i lumtur që je kthyer në shtëpi dhe mezi pres ta bësh rrugë dhe të vish më shpesh”, tha Veliaj.

Artisti Ermal Meta vlerësoi ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Veliaj.

“Kjo është shtëpia ime, është Shqipëria, edhe kthehem gjithmonë me shumë emocione. Faleminderit shumë! Qyteti më duket jashtë mase i bukur, më pëlqen ndjenja që gjej rreth e rrotull, e kjo është mbi të gjitha për punën e mrekullueshme që ka bërë Erioni në këtë qytet”, deklaroi Ermal Meta.

Në koncertin e sotëm para publikut shqiptar, do të bëhen bashkë një sërë instrumentesh muzikore si violë, violinë, violinçel dhe flaut. Ritmi dhe muzikaliteti i këtyre instrumentistëve, do ta bëjnë edhe më të gjallë muzikën e kantautorit shqiptar./java

Fluturim mbi atraksionet më të bukura turistike në Jug (VIDEO)

Me vijën e gjatë bregdetare dhe thyerjen e relievit malor, me monumente natyrore dhe kulturore të shumta si dhe me site arkeologjike të njohura, jugu i vendit është një destinacion i padiskutueshëm turistik.

Përmes një videoje promovuese, Kryeministri Edi Rama solli pamjet e mrekullueshme turistike të jugut të vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë fluturim mbi disa nga atraksionet më të bukura turistike në Jug të Shqipërisë, ju uroj një javë sa më të mbarë”, u shpreh Rama.

Një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme, e bëjnë jugun e vendit ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik./m.m/ KultPlus.com

Sa flitet gjuha shqipe në Zvicër?

Gjuha franceze është bërë më e popullarizuar në 50 vitet e fundit, derisa më pak zviceranë flasin gjuhën gjermane. Kjo lidhet me migrimin, përcjell albinfo.ch.

Pothuajse dy të tretat e njerëzve që jetojnë në Zvicër flasin rregullisht më shumë se një gjuhë. Me katër gjuhë zyrtare kombëtare, Zvicra ka një peizazh të veçantë gjuhësor dhe shumë gjuhë jo-kombëtare që mund të dëgjohen edhe në jetën e përditshme, shkruan ‘Swissinfo.ch’.

Sipas të dhënave aktuale nga Zyra e Statistikave Federale (FSO), pjesa më e madhe e popullsisë së përhershme flet gjuhën gjermane ose zvicerane gjermane. Në mesin e gjuhëve jo-kombëtare, gjuha angleze dhe portugeze janë më të zakonshmet e më pastaj është edhe gjuha shqipe, përcjell albinfo.ch.

Për shkak të numrit të madh të të huajve, edhe gjuhët e huaja gjithnjë janë më të përhapura në Zvicër.

Gjuha angleze po bëhet gjithashtu një gjuhë e shquar në Zvicër. Në vitin 2010, 4.6% e popullsisë zvicerane foli gjuhën angleze si gjuhë kryesore, krahasuar me 5.4% shtatë vjet më vonë. Kjo është gjithashtu për shkak të rritjes së emigracionit nga vendet që flasin anglisht, si Britania e Madhe dhe SHBA.

Në Zvicrën frankofone, emigrantët priren të përshtaten me gjuhën lokale. Për shembull, shumë njerëz që flasin spanjisht, portugalisht ose italisht emigrojnë në Zvicrën frankofone, dhe ata priren të mësojnë shpejt frëngjishten.

Dhe, të huajt në përgjithësi integrohen më shpejt në Zvicrën frankofone, sesa në Zvicrën gjermanofolëse.

Trendet e emigracionit janë të ndryshme në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Për shembull, njerëzit që emigrojnë nga Kosova ose Turqia kanë më shumë probleme duke folur gjermanisht në fillim krahasuar me spanjollët që mësojnë frëngjishten në Zvicrën frankofone.

Sipas statistikave zyrtare, 62.6 flasin gjermanisht ose zvicerane-gjermane, pastaj 22.9 frëngjisht, 8.2 italisht dhe 0.5 romansh, përcjell albinfo.ch.

Nga gjuhët e huaja, 5.4 flasin anglisht, 3.7 portugeze, 3.2 shqip, serbisht ose kroatisht 2.5, spanjisht 2.4 dhe 7.7 gjuhë tjera. / KultPlus.com

Vdes këngëtari i Prodigy në moshën 49-vjeçare

Vokalisti i bendit të njohur është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij sot në Essex, raportojnë mediat britanike.

Keith Flint i grupit Prodigy ka ndërruar jetë në moshën 49-vjeçare. Policia ka konfirmuar vdekjen e tij në ora 8:10 sipas kohës lokale.

“Vdekja e tij nuk trajtohet si e dyshimtë”, tha një zyrtar policor, transmeton KosovaPress.

Flint ishte një nga ikonat më të mëdha të muzikës britanik në vitet e nëntëdhjeta. Ai iu bashkua Prodigy, i formuar nga Liam Howlett në vitin 1990, fillimisht si vallëzues dhe më vonë si këngëtar.

Gjatë debutimit të tyre në vitin 1992, të shtatë albumet e grupit arritën në vendin e parë në Britaninë e Madhe.

Flint performoi këngët më të mira të Prodigy, të njohura si Firestarter dhe Breathe, që të dyja u renditën në vendin e parë në vitin 1996, duke u bërë hitet e tyre më të mëdha në SHBA.

Serbja e lindur në Mitrovicë përfaqëson Serbinë në Eurovision

Është zhvilluar në Serbi “Beozivija 2019”, festivali i rëndësishëm i këngës, i cili zgjedh dhe përfaqësuesin e këtij shteti që prej vitit 2007 në Eurovizion.

Pas një gare të fortë dhe një votimi surprizë, fituese është shpallur Nevena Bozovic, me këngën “Kruna” që në shqip përkthehet “Kurora”.

Nevena Bozovic është artisja 24 vjeçare e cila ka lindur dhe ka jetuar për disa vite në Mitrovicë, derisa vazhdoi studimet në shkollën e muzikës në Beograd. 

Edhe pse në moshë të re, ajo është një emër i njohur për muzikën në Serbi, pasi ka qenë pjesëmarrëse në disa talent-show si “The Voice”, por gjithashtu karriera e saj ka qenë e lidhur ngushtë me Eurovizion-in.

Në vitin 2013 ajo përfaqësoi vendin e Ballkanit si pjesë e grupit “Moje 3” me këngën “Ljubav Je Suda”.

Ata nuk arritën të kualifikoheshin në finale në atë edicion gjithsesi. Ndërkohë në 2015-ën, Nevena ishe pjesë e jurisë që dërgonte këngën e Serbisë në Eurovision.

“Një kurorë dhe një hakmarrje” e kanë titulluar blogerët e Eurovizioni-t fitoren e saj dhe udhëtimin që do të bëj drejt Tel Avivit.

Kjo për shkak të titullit të këngës por edhe pasi do të përpiqet që kësaj radhe të “hakmerret” në një farë mënyrë ndaj jurisë së Eurovizion-it që para pak vitesh e la jashtë fazës finale, shkruan blitz.al.

Ndërkohë faqet e dedikuara festivalit europian të këngës, e theksojnë faktin që Nevana është e lindur në Mitrovicën e Kosovës. Ashtu siç bën dhe vetë këngëtarja, e cila jo vetëm që e ka të shkruar vetë në Instagram: Mitrovica, Kosovo dhe jo Serbia siç mund të shkruhet rëndom në shtetin sllav.

Gjithashtu në një intervistë të 2012-ës ka pranuar që Kosova është në zemrën e saj pavarësisht se nuk kthehet shpesh që ta vizitojë.

Në numërimin final gjithsesi ajo u shpall fituese dhe zyrtarisht përfaqësuese e Serbisë në Eurovision. / KultPlus.com

Shoqëria civile e quan plan përfitues të Gjinit ndërrimin e destinacionit të zonës historike të Gjakovës

Shoqëria civile në Gjakovë e ka quajtur plan përfitues vendimin e kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për tentim ndërrimin e destinacionit të zonës historike të Gjakovës, me të cilin pritet të bëhet shfuqizimi i parcelave dhe ndërtimit të objekteve shumëkatëshe në afërsi të kullës së Sulejman Vokshit.

Përmes një reagimi ata kanë thënë se ky plan i të parit të Gjakovës po e shkatërron zonën historike të komunës, ku flitet për zonën ku është vendosur kulla e lindjes së udhëheqësit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshi.

Sipas tyre, kjo kullë është e mbrojtur nga Ministria e Kulturës dhe se ndërtimi i objekteve të mëdha në atë zonë po bëhet për interesa të ngushta të kryetarit të Gjakovës.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta e forma të tjera të mosbindjes qytetare për ta kundërshtuar këtë vendim, thuhet më tutje në njoftimin e dërguar mediave.

Njoftimi i plotë:

Përmes këtij reagimi qytetar, dëshirojmë të shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën e thellë të qytetarëve të Gjakovës lidhur me vendimin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, për realizimin e planit të tij PERFITUES për të shkatërruar zonën historike të Gjakovës, përkatësisht zonën tek Mejtepi Ruzhdije, ku është e vendosur shtëpia (kullë) e lindjes së një prej figurave më të shquara kombëtare – përkatësisht udhëheqësit ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit.

Në realizimin e këtij plani perfitues kryetari i Komunës së Gjakovës synon të shërbehet me gjoja ‘vendimet e shumicës’ në Kuvendin Komunal të Gjakovës, kësisoj duke synuar të sjellë për herë të tretë me rradhë, për një periudhë të shkurtër kohore përpara vendim-marrësve komunalë, një projekt për përmbysjen e një vendimi paraprak të Kuvendit Komunal të Gjakovës me të cilin zona e njohur si Mejtepi Ruzhdije, përkatësisht zona përreth shtëpisë (kullë) të lindjes së Sylejman Vokshit ishte shpallur zonë e veçantë e mbrojtur, duke shpronësuar pronat përreth këtij objekti me qëllim ruajtjen dhe pengimin e ndërtimit të objekteve që do të dëmtonin apo në çfarëdo forme tjetër zhvlerësonin vlerën historike të kësaj zone. Kjo ndërmarrje monstruoze e orkestruar nga kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, po bëhet me të vetmin qëllim, shkatërrim të zonës së mbrojtur historike të Gjakovës, duke lejuar ndërtime të larta banesore dhe afariste në shërbim të interesave të ngushta partiake dhe të pastra përfituese klienteliste tashmë të dëshmuara.

Me këtë rast, duam t’i rikujtojmë kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe vendimmarrësve komunalë se shtëpia (kullë) e Sylejman Vokshit dhe zona te Mejtepi Ruzhdije janë monumente nën mbrojtje të përhershme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe si te tilla figurojnë në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, si një monumente të rëndësisë së veçantë arkitektuale i kohës osmane.

Zona në fjalë përveç që është nikoqire e shtëpisë (kullë) të Sylejman Vokshit, gjithashtu është zonë në të cilën ishte e vendosur Shkolla e Parë Shqipe në Gjakovë, një monument që poashtu është nën mbrojtje të përkohshme, nga MKRS-së sa i takon anës formale dhe procedurale të vendim-marrjes publike, po ashtu, duam t’i rikujtojmë Kryetarit të Komunës dhe vendim-marrësve komunalë, se vetë mënyra klandestine e procedimit të kësaj politike është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit, dhe atë për një numër arsyesh.

E para, demokracia parlamentare në Kosovë nuk është e dizajnuar sipas modelit të supremacisë parlamentare

E dyta dhe thelbësorja është se :Qeveritë ndryshohen por vendimet e marra nga ato parapraket janë të plotfuqishme ,obligative për tu zbatuar sipas parimeve integrale të sundimit të ligjit.

Kësisoj, vendimi i Kuvendit Komunal të Gjakovës 01 nr. 011-78935/2015 të datës 27. 10. 2015, për shpronësimin e pronave përreth zonës historike në fjalë është ligjërisht valid dhe nuk mund të rishikohet nga përbërja përfaqësuese e mëvonshme në raste të panumërta.

Kësisoj, pritjet legjitime dhe të drejtat e personave të shpronësuar të fituara me vendimin e Kuvendit Komunal të Gjakovës, të vitit 2015, me numër 011-78935/2015 janë të drejta legjitime dhe me plot të drejtë presin realizimin e tyre.

Çfarëdo rivendosje në rivotim do të ishte provë që qëllimi i kryesuesit të Kuvendit dhe kryetarit të Komunës është që të keqpërdor një vendim në dëm të interesit publik.

Lidhur me te , grupi i qytetarëve të Gjakovës është i vendosur dhe këmbëngulës deri në tërheqjen përfundimtare dhe të pakushtëzuar të vendimit të kryetarit të Komunës së Gjakovës për ndërrimin e destinimit të zonës së mbrojtur historike tek Mejtepi Ruzhdije, duke u kamufluar prapa ‘vendimeve të shumicës’. Në realizimin e kërkesave të veta, grupi i qytetarëve të Gjakovës do të përdorë të gjitha mjetet e njohura demokratike –kushtetuese dhe ligjore – duke mos përjashtuar edhe protestat dhe format tjera të mosbindjes civile. / KultPlus.com

Kalon propozim-vendimi për shpronësimin e parcelave rreth kullës Sulejman Vokshi

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal, me 18 vota pro dhe 14 kundër ka kaluar propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit nëpërmjet të cilit shpronësohen parcelat rreth kullës së Sulejman Vokshit

Të dielën, para Kullës së Vokshit është mbajtur një aksion nga Lëvizja Vetëvendosje. “Udhëtim në kohë” ka qenë togfjalëshi i panove të aktivistëve.

Lirika Komoni nga kjo parti, pranë Kullës së Vokshit të dielën ka thënë për KTV-në se përmes panos me titull “Udhëtim në kohë” po paraqesin logjikën që po përdoret për ndërtimin e banesave përreth kësaj Kulle. / KultPlus.com

“Motrat Qiriazi”, grumbulluan fonde për Muzeun hebraik në Prizren

Organizata shqiptaro-amerikane e grave “Motrat Qiriazi”, ka mbledhur dhe nderuar në New York, disa aktivistë dhe donator për çmime vjetore, dhe ka grumbulluar fonde për një Muze hebraik në qytetin e Prizrenit.

Kryetarja e kësaj organizate, avokatja Beti Beno, tha se organizata që drejton ajo merret me emancipimin e grave dhe në aktivitete të ndryshme, duke ndihmuar shkollat, artin, kulturën.

Përpos që ndihmojnë dhe vazhdojmë të ndihmojnë dhe kontribuojmë në shkolla kulturë dhe artë, ne me aq sa mundemi, do të vazhdojmë edhe më tutje të ndihmojmë duke i mirëpritur kërkesat e komunitetit”, tha kryetarja Beno.

Në anën tjetër, kjo organizatë përveç se nderoj me çmime disa personalitete shqiptaro amerikane, ajo kishte edhe një mision tjetër të veçantë, pra të ndihmoj në grumbullimin e fondeve për një Muze shqiptaro-hebraik, që do të shërbej edhe si qendër e bashkësisë hebraike të Kosovës,

Bëhet fjalë për renovimin e një ndërtese të vjetër në Prizren, ku komuna e Prizrenit, I ka dhënë për përdorim bashkësisë hebraike të Kosovës.

Për këtë ndërtesë, biznesmenët shqiptaro amerikanë- Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, janë ata që po e mbështesin me fonde këtë Muze, që do t’i shërbejë qëllimit humanitar të promovimit të tolerancës .

Pasi përshëndeti të pranishmit në këtë ngjarje, duke ju dëshiruar mirëseardhje, biznesmeni bajraktari, tha se Ky Muze, është edhe një qendër komunitare dhe të tregoj historinë e hebrenjve shqiptar dhe historinë e besës dhe bujarisë shqiptare.

“Rrustem Gecaj dhe unë jemi angazhuar të grumbullojmë 50 mijë dollarë për Muzeun në fjalë, dhe deri më tani kemi grumbulluar 30 mijë dollar, ku deri në fund të këtij muaji, do të arrimë shumën deri në 50 mijë dollarë”, tha Bajraktari.

Ai falënderoj të gjitha ata të kontribuuan në këtë fond, duke thënë se i respekton të gjithë për bujarin që kanë treguar.

Megjithatë, ky projekt do të realizohet me mbështetjen e ligjvënësit Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në emër të ligjvënësit, në këtë mbrëmje foli bashkëshortja e tij, Pat Engel, e cila tha se ngritja e një muzeu të ri, dhe të bukur në një vend me shumicë myslimane, në një qytet me tre fe të ndryshme, tregon se është e mundur se njerëzit me besime të ndryshme fetare të jetojnë së bashku në paqe dhe në harmoni.

Ndërkaq, shefja e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, tha se Qeveria e Kosovës, tashmë e ka dhënë ndërtesën , komuna e Prizrenit i ka dhënë të gjitha lejet për Muzeun, por ajo ndërtesë, me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan, o të bëhet shtëpi.

“Shqiptarët edhe kësaj here dëshmojnë, se jo vetëm në luftën e dytë botërore, i kanë shpëtuar hebrenjtë prej holokaust, por po e dëshmojnë çdo ditë që janë afër dhe janë njerëz të ndershëm dhe që janë aty ku nevojiten”, tha ajo.

Kurse, ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara , Besiana Kadare, shprehu mbështetjen për organizatën “Motrat Qiriazi”.
Ajo falënderoj të gjithë komunitetin, posaçërisht ata që po mundohen ta mbajnë të gjallë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare.

Përndryshe, organizata e grave “Motrat Qiriazi”, nderoj një numër të konsiderueshëm të personaliteteve shqiptaro-amerikane, të cilët kanë luajture rol të rëndësishëm dhe që janë dalluar në Amerikë.

Sopranoja Lindita Mezini- Lole, u nderua me çmimin ‘Gruaja e vitit’, kurse, Afërdita Osmani, u nderua me çmimin “Mësuese e Vitit”, ndërkaq, Dino Erbeli, për filantropi që ndihmon me fonde për fëmijët pranë organizatës , dhe në fund pianistja Hermina Gjoni për kontribut të shquar në arte dhe edukim. / Lumturije Bekaj/ KultPlus.com