Yannis Bahrakis, fotografi fitues i çmimit Reuters, i cili ka mbuluar luftën në Kosovë ka vdekur dje në moshën 58 vjeçare, përcjellë KultPlus.
Një fotografi e bërë nga Yannis gjatë luftës në Kosovë, tregon
një njeri gjersa vendos trupin e dy vjeçarit Mazllum Sylmetaj, në arkivol pranë
trupave të tre anëtarëve të tjerë të familjes të vrarë po ashtu nga forcat
serbe.
Bahrakis e ka bërë fotografinë nga lartë dhe ka përdorur një
teknikë të veçantë e cila të jep ndjesinë e lëvizjes.
Fotografia ishte shumë e fuqishme dhe trupi i fëmijës pothuajse ishte në ajër. Të jepte përshtypjen që shpirti është duke lënë trupin për të shkuar në parajsë, pati thënë Behrakis për këtë fotografi. / KultPlus.com
Kultura e të rinjve e viteve pesëdhjetë ka qenë elementi qendror i sfilatës së veshjeve të Christian Dior, gjatë Javës së modës në Paris, derisa të shumtë kanë qenë disenjatorët që kanë përkujtuar njeriun, mungesa e të cilit është vërejtur më së shumti gjatë kësaj jave, drejtorit të ndjerë kreativ të “Chanelit”, Karl Lagerfeldit.
Nëntë ditët e sfilatave në Paris, që kanë nisur mbrëmjen e së hënës, me prezantimin e veshjeve të brendeve të reja, përfshirë “Jacquemusin” e Francës, vijnë pas Javës së modës në New York, Londër dhe Milano, shkruan sot Koha Ditore.
Në to prezantohen veshjet më të reja dhe trendët që do të mbizotërojnë gjatë vjeshtës dhe dimrit të ardhshëm. E tërë vëmendja në Francë do t’i kushtohet debutimit të disenjatorëve të shtëpisë së modës “Lanvin”, që po mundohet ta bëjë dallimin me pronarin e ri kinez, firmën “Fosun”, ashtu si edhe të shtëpisë “Nina Ricci”. / KultPlus.com
Sopranoja kosovare Besa Llugiqi, po dëshmon çdo ditë e më shumë që skena është vendi ku ajo di të shkëlqejë më së miri. Pas suksesit që pati me shfaqjen e Lucia di Lammermoor në Shtëpinë Operistike në Burgas, si dhe rolit kryesor të Violeta Valery po në këtë teatër, ajo tashmë ka debutuar në Poloni me rolin kryesorë të Thais nga kompozitori J. Massenet, shkruan KultPlus.
Përgatitjet për këtë shfaqje kanë nisur nga 29 janari dhe kanë zgjatur deri më 1 mars. Llugiqi ka treguar për KultPlus se gjatë këtyre pesë javëve prova intensive, kanë arritur ta kurorëzojnë një punë kolosale, jashtëzakonisht profesionale, me një ekip të mrekullueshme.
“Një kënaqësi të punosh në një teatër të tillë me një dirigjent
fantastik dhe orkestrën e mrekullueshme të këtij teatri. Në Teatrin Baltic te
Gdansk do të përsëritet edhe 4 herë Thais në periudha të ndryshme. Një
privilegj të këndoj përkrah artistëve si Marcin Bronikowski, Tomasc Rak dhe
Daniel Borowski.
Kjo shfaqje erdhi nën dirigjimin e Jose Maria Florencio, ndërsa për regjisor kishte Romuald Wicza – Pokojski që për Llugiqin ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të punoj me ta. / KultPlus.com
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, është takuar me presidentin e teknologjisë amerikane Amazon, Jeffrey Preston Bezos.
Çitaku është shprehur e lumtur që ka takuar sërish Bezos pas
tri vitesh atëherë kur edhe ndodhi takimi i tyre i parë në një darkë dhe ka
premtuar që do të angazhohet që ta sjellë atë dhe fondacionin e tij në Kosovë.
“Kënaqësi e veçantë ta takoj sërish Jeff Bezos. Amerika është e veçantë, jo vetëm pse është fuqia më e madhe ushtarake në botë, por edhe sepse në të, njerëz me potencial inovativ si Bezos mund të fillojnë nga zero, pa asgjë. Pa hile. Dhe të ndërtojnë të ardhmen. Amazonin e dua, sepse librat i ka bërë cool sërish.
U ndjeva mirë që Bezos e mbante mend Kosovën dhe dollinë time për vendin tim, të bërë para 3 vitesh kur rastisëm të ishim në të njëjtën darkë. Do të angazhohem që zotin Bezos dhe fondacionin e tij ta sjellë në Kosovë. Mbi të gjitha, pak ditë më parë, Bezos dha një shembull fantastik, duke denoncuar publikisht shantazuesit e tij. Shembull që duhet ndjekur. Amerika është e madhe!”, ka shkruar Çitaku në Facebook. / KultPlus.com
Shfaqja kontroverse “55 shades of gay” e Qendrës Multimedia nga Kosova, do të shfaqet për 9 net me radhë në Off-Broadway të New York-ut, në teatrin legjendar La MaMa.
Shfaqja do të luhet në gjuhën angleze dhe shqipe, nga data 7 deri
me datën 17 mars, në skenën Ellen Stewart, që është skena kryesore e teatrit La
MaMa.
“55 shades of gay” është shkruar nga Jeton Neziraj, regjinë e ka
bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Tristan Halilaj, Alketa Sylaj, Bujar Ahmeti,
Shengyl Ismaili, Semira Latifi e Luan Durmishi (vokal).
Qendra Multimedia nga Prishtina që është konsideruar si ‘njëra nga
kompanitë teatrore më interesante dhe provokative nga Evropa Juglindore’, ka
sjellur me shfaqjen ‘55 shades of gay’, një performancë argëtuese politike dhe
provokative.
‘55 shades of gay’ është një rrëfim burleskë për politikat rreth
LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të
manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve
ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të
realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e
seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve, ndërsa që zyrtarë të BE–së,
duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i
nënshtrojnë të gjithë.
Pyetja që shtron shfaqja është: a është i mundur një çlirim
seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një
‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?
‘55 shades of gay’ është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të
mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga
Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.
Drama në anglisht është përkthyer nga Alexandra Channer. ‘55
shades of gay’ në Amerikë është botuar nga shtëpia botuese Laertes press.
Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena
Popovic / Koreografia: Florian Bilbao, menaxhere e skenës: Lendita Idrizi, ass.
e regjisë: Verona Koxha, mjeshtër i dritave: Mursel Bekteshi.
Realizimi i kësaj shfaqje është mundësuar nga The Olof Palme International Center, Zyra në Kosovë e Unionit Evropian dhe Goethe Institute. Turneu i shfaqjes në Amerikë është mundësuar nga Trust for Mutual Understanding, Open Society, Rockefeller Brothers Fund dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Pas Besnik Krapit, ekipit të PriFest i është bashkangjitur edhe Valter Lucaj, regjisor, për të marrë në udhëheqje Prishtina Kino Kabaret, që është pjesë e rrjetit të Kino Kabareve në botë.
Prishtina Kino Kabaret është aktivitet i PriFest që ka filluar në
vitin 2016 dhe në kuadër të këtij aktiviteti PriFest fton aktorët, regjisorët,
producentët, skenaristët, kamermanët dhe montazherët me apo pa përvojë, nga
mbarë bota, që për një javë gjatë festivalit, të vizitojnë Prishtinën dhe të
realizojnë projekte të shkurta filmike me ekipe xhirimi që organizohen në
mënyrë spontane.
Ky koncept ka filluar si ide në Montreal, Quebek të Kanadasë në
vitin 1999. Kino Kabaret është një lëvizje e realizimit të filmave që avokon
produksionin e filmave të shkurtër me buxhet të vogël apo pa buxhet fare, duke
bërë bashkë ekipe të vogla dhe një bashkëpunim pa karakter garues. Kino
Kabaretë janë prezente në mbarë botën dhe kanë për qëllim që të promovojë bashkëpunimin
dhe rrjetizimin në mes të filmbërësve nga mbarë bota (www.kinokabaret.org).
Kino Kabaret në Prishtinë realizohet që nga viti 2016 në kuadër të
PriFest, festivalit më të madh ndërkombëtar të filmit artistik në Kosovë.
Lidhur me angazhimin e Valter Lucaj si udhëheqës i Prishtina Kino
Kabaret, Vjosa Berisha drejtoreshë e festivalit u shpreh: “Valteri është një
regjisor shumë aktiv dhe me një përvojë të madhe në televizion dhe film. Ardhja
e tij në ekipin e PriFest na gëzon shumë sepse edhe Prishtina Kino Kabaret
është në fillimet e veta dhe ka nevojë për një udhëheqës që e njeh mirë punën e
produksionit filmik. Valteri do të sjell një frymë të re me idetë e veta për ta
zhvilluar më tutje këtë lëvizje në kuadër të PriFest. Koncepti i Kino Kabaret
është shumë I përshtatshëm për t’u dhënë mundësi filmbërësve dhe aktorëve tanë
që të bashkëpunojnë në realizime filmike me filmbërës të huaj, duke ju dhënë
mundësi që të promovohen edhe jashtë kufijve të Kosovës përmes këtyre filmave.
Prishtina Kino Kabaret poashtu ka rëndësi sepse realizimet filmike do të bëhen
në Prishtinë dhe kjo e mundëson edhe promovimin e kryeqytetit tonë përmes
filmit.”
“Jam entuziast dhe i gëzohem angazhimit tim në PriFest për të
udhëhequr një aktivitet shumë tërheqës sic është Prishtina Kino Kabaret, sepse
më jep mundësi mua dhe filmbërësve tanë që të takojmë dhe punojmë me shumë
njerëz të botës së filmit që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës në
Prishtinë, e aq më shumë më gëzon fakti kur bëhet fjalë për realizimin e
filmave këtu në qytetin tim. Si udhëheqës i Prishtina Kino Kabaret do të sjell
përvojën time që ky aktivitet të ketë të gjitha parametrat sic realizohen Kino
Kabaretë në vendet tjera të botës dhe do të angazhohem që kjo mundësi t’i
shërbejë edhe filmbërësve dhe aktorëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme.”
– u shpreh Valter Lucaj lidhur me rolin e tij të ri në PriFest.
Aplikimi për të qenë pjesë e Prishtina Kino Kabaret do të hapet me
datën 5 mars në faqen e PriFest www.prifest.org ku do të gjeni edhe kushtet e
aplikimit. Pjesëmarrja në
Prishtina Kino Kabaret është e hapur për të gjithë aktorët,
regjisorët, producentët, skenaristët, kamermanët, tonistët dhe montazherët me
apo pa përvojë, nga Kosova, regjioni dhe mbarë bota.
Data e edicionit të 11-të të PriFest dhe Kino Prishtina (Prishtina Kino Kabaret) janë 16-21 korrik 2019. Slogani ndërkombëtar i Kino Kabaret është “Make your mov(i)e” ndërsa festivali vazhdon të ketë slloganin e vet të njohur ndër vite: Friendship. Forever. PriFest. / KultPlus.com
Me vitet të tëra, Lady Gaga është një prej yjeve më të mëdha të muzikës botërore, ndërsa në muajt e fundit emri i saj është ndër më të përmendurit në industrinë muzikore.
Ndërsa gjithçka kulmoi me nominimin e saj për Oscar si aktore (pas performancës së parë në një rol kryesor në filmin “A Star Is Born”), ndërkaq për të njëjtin film, e fitoi statujën prestigjioze për këngën më të mirë origjinale, me “Shallow”.
Mirëpo, këngëtarja e ka pasur shumë të vështirë ngjitjen e saj drejt majës në skenën muzikore, por edhe në aktrim, duke mos e pasur mbështetjen e askujt veç prindërve të saj.
“Stefani Germanotta, kurrë nuk do të bëhesh e famshme”, është emri i një grupi në Facebook, të cilin e kishin krijuar personat, të cilët e urrenin Lady Gagan në kohën kur ajo ishte në fakultet.
Lady Gaga është emri artistik i këngëtares, ndërsa emri i saj i vërtetë është Stefani Germanotta, me të cilin është prezantuar në fillet e karrierës së saj.
Fansat e këngëtares e kanë gjetur këtë grup dhe në disa postime në Twiter, i kanë publikuar nga dy fotografi, një të grupit dhe një të Gagas duke e mbajtur Oscarin.
Dikur ishte një personazh që askush nuk e mbështeste, madje as ish- i dashuri, mirëpo sot, 32-vjeçarja është bërë femra e parë që në të njëjtin viti i ka fituar katër çmime prestigjioze (Oscar, Grammy, BAFTA dhe Golden Globe).
Lady Gaga e fitoi çmimin Oscar për këngën më të mirë (Foto: Dia Dipasupil/Getty Images/Guliver)
“Kisha një të dashur që më thoshte se kurrë nuk do të arrija sukses, asnjëherë nuk do të nominohesha për Grammy dhe se shpresonte të dështoja. I kam thënë se një ditë, kur nuk do të jemi bashkë, nuk do të mund të pijë as kafe pa më parë apo pa më dëgjuar mua”, ka thënë këngëtarja.
Në fjalimin e saj pasi e fitoi çmimin Oscar, Gaga i falënderoi prindërit për dashurinë e pakusht dhe mbështetjen, dhe më pas e falënderoi Bradley Cooperin për bashkëpunimin që i solli aq shumë sukses. /Telegrafi/ KultPlus.com
Shqiptarëve të Maqedonisë Veriore ju mungojnë projektet filmike në përgjithësi por së fundmi regjisori Xhafer Saliu ka vendosur të realizojë një film horror shqiptar të metrazhit të gjatë, transmeton Billbordi.
Filmi quhet TE PAFTUARIT dhe është në fillimet e tij dhe po kërkohen aktor dhe aktore të moshave të ndryshme ku ndër to edhe për role kryesore.
Të gjithë ju që mendoni se keni talent dhe mund të jeni një aktor ose aktore e ardhshme, mund të dërgoni: Emrin, Mbiemrin, Foto, Viti i lindjes dhe Numrin kontaktues në faqen zyrtare të filmit ne facebook: Të Paftuarit. / KultPlus.com
Ansambli i valleve popullore bullgare “Vangeloff”, me ftesë të bashkisë së Beratit, dha sot përpara artdashësve të shumtë beratas, një koncert të përbashkët me Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” dhe grupin e shoqatës “Qypërllinjtë e Roshnikut”.
Të pranishëm në këtë koncert ishin ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Stoyanov Raytchevski, dhe nënkryetarja e bashkisë, Afize Skëndo, të cilët përshëndetën këtë aktivitet të bukur artistik. Vallet dhe këngët e bukura popullore elektrizuan sallën dhe rrëmbyen duartrokitjet e artdashësve të shumtë, të cilët kaluan momente të paharrueshme mes tingujve të muzikës. / atsh / KultPlus.com
Si rrallë kund të botë, në Kosovë në 20 vitet e fundit ka ndodhur degradimi i objekteve të vjetra e historike, të cilat janë edhe me ligj të mbrojtura. Madje në shumë raste ato janë dëmtuar nga vet shteti. Kështu po tentohet të ndodhë edhe këto ditë në Komunën e Mitrovicës. Mirëpo në këtë qytet kësaj radhe nuk po tentohet nga ndonjë qytetar apo biznes që të dëmtojë objektet e mbrojtura. Së fundmi, më saktësisht më 6 shkurt të këtij viti, kërkesë me shkrim për të rrënuar dy objekte që janë edhe në listën e trashëgimisë, ka bërë kryetari komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
I pari i këtij qyteti po kërkon që të rrënohen objektet qindra vjeçare për t’i zëvendësuar ato me ndërtime të reja.
Sipas zyrës së kryetarit të komunës së Mitrovicës, objekti i “Armatës” dhe “Posta e Vjetër”, të cilat kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme, po paraqesin pengesë në realizimin e objektivave të komunës. Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar dokumentin me të cilin kryetari Agim Bahtiri i ka kërkuar Zyrës rajonale të trashëgimisë, që të heq objektet në fjalë nga mbrojtja e përkohshme, duke mundësuar kështu rrënimin e tyre dhe fillimin e ndërtimit të objekteve të reja.
“Meqense Komuna e Mitrovicës në këtë vit kalendarik, ka filluar me hartimin e Planit Zhvillimor Komunal konform ligjit për Planifikimin Hapësinor 04/L-174, plan i cili përcakton synimet afatgjata të zhvillimit të Komunës, destinimin e sipërfaqeve dhe prioritetet strategjike, Komuna e Mitrovicës e sheh pengesë ish objektin e “Armatës” dhe objektin “Posta e Vjetër”, të cilat për momentin kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme. Gjatë hartimit të PZHK, statusi i tyre interfenon në destinimin e sipërfaqeve gjë që paraqet penges me objektivat e Komunës për periudhën 8 vjeçare sa hatorhet ky plan, andaj kërkojmë nga zyra rajonale për trashëgimi, që t’i largoj këto dy objekte nga mbrojtja e përkohshme dhe t’i hapet rrugë zhvillimit të qytetit me objekte të reja, destinimi i të cilave përcaktohet nga Plani Zhvillimor Komunal”, thuhet në kërkesën e zyrës së kryetarit Agim Bahtiri.
Objekti i “Postës së Vjetër” figuron në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme. Objekti në fjalë figuron si pjesë e historisë që nga viti 1920 dhe në listën e objekteve me mbrojtje kulturore është e 4143-ta me radhë. Ndërkaq objekti i “Armatës”, aktualisht nuk figuron në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, ani pse vite më parë figuronte në këtë listë në mesin e mbi 1500 objekteve në Kosovë. Ky objekt i njohur si ndërtesa e “Armatës” ishte e listuar me numër 1159 të këtyre aseteve.
Objekti apo shtëpia e “Armatës” në Mitrovicë ka qenë kazermë e ish ushtrisë Jugosllave. Pas luftës së fundit në Kosovë, në të njëjtin objekt ka qenë e vendosur komanda e Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK), si pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si paraardhëse e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndaj rrënimit të këtij objekti, ishte polemizuar shumë edhe në zgjedhjet komunale të vitit 2017 në Mitrovicë.Atëherë kryetari aktual Agim Bahtiri kishte deklaruar se do ta rrënojë këtë objekt për të ndërtuar një parking për qytetarët e Mitrovicës. Qytetarë nga Mitrovica si atëherë edhe tani po shprehin kundërshtimin e tyre në lidhje me rrënimin e këtyre objekteve kulturore. Ndaj kësaj iniciative ata kanë paralajmëruar edhe protesta.
Lulzim Hoti nga organizata joqeveritare “7Arte” ka thënë për FaktePlus se komuna jo që nuk duhet të kërkojë rrënimin e këtyre objekteve, por duhet të angazhohet e kontribuojnë në ruajtjen e objekteve që edhe ashtu kanë mbetur të pakta në qytetin e Mitrovicës.
“Komuna e Mitrovicës do ishte dashur që të fokusohej dhe investonte në fasadat e këtyre objekteve dhe të ruante trashëgiminë e saj prej një qyteti me histori të pasur e me synime për të qenë qytet model e sa më evropian. Qytete të shumta evropiane veç e kanë ruajtur dhe vazhdojnë ta ruajnë trashëgiminë e tyre, e ne nuk do duhej t’i vetshkatrronim edhe këto pak objekte unike që kanë mbetur”, është shprehur Hoti.
Për faktin se objektet e trashëgimisë kulturore e historike nuk po mbrohen në Mitrovicë dhe disa prej tyre u shkatërruan, patën reaguar dy vite më parë edhe Rrjeti i organizatave kulturore të Mitrovicës, si dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile në Mitrovicë.
Këto organizata shprehen shqetësimin e thellë ndaj rrënimit dhe degradimit të vazhdueshëm që iu bëhet trashëgimisë kulturore në këtë komunë, duke kujtuar se gjatë viteve të pasluftës në këtë qytet janë bërë rrënime të vazhdueshme të objekteve me vlera arkitektonike si dhe historike./KultPlus.com
Gjashtëmbëdhjetë vite më parë në Prishtinë është krijuar Teatri i pavarur ODA, e menduar si një nismë për t’i hapur rrugën Skenës së Pavarur Kulturore në vend.
Mbrëmë gjithë kjo punë u shënua përmes
premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus. Shfaqja e parë e realizuar
në teatrin ODA – “Monologët e Vaginës”, premiera e të cilës u dha me 1 mars të
vitit 2003 i’u hapi rrugë shfaqjeve të shumta të cilat erdhën në kuadër të
këtij teatri i cili përmes punës së tij vendosi shumë shpesh emrin e Kosovës në
hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.
Themeluesit e këtij teatri, aktori Lirak
Çelaj dhe regjisori Florent Mehmeti, atëherë besonin se në të ardhmen mundësitë
që Skena e Pavarur Kulturore të lulëzonte në Kosovë do të ishin shumë të mëdha.
Si themelues, ata mendonin se do t’u mbetej që të realizonin shfaqje të cilat
denjësisht do ta përfaqësonin Teatrin ODA në atë skenë, mirëpo 16 vite pas, ata
akoma luftojnë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare.
Madje Mehmeti thotë për KultPlus se
ndihen edhe të vetmuar, pasi që Skena e Pavarur Kulturore akoma mbetet e
zbehtë.
“Ne ndihemi goxha të vetmuar në këtë
anën e teatrit të pavarur. Nëse dikush do të më kishte thënë në vitin 2003 që
do të jetë kështu skena, nuk do e kisha besuar. Nëse dikush do të më kishte
thënë që do jetë kështu e vështirë edhe pas 16 viteve, duke harxhuar shumë
energji për mbijetesë, ndoshta ish ulë shumë kjo kurajo dhe ky motivim. E them
me keqardhje që një pjesë e madhe e energjisë harxhohet në mbijetesë, e kisha
dashtë me e pa këtë energji të kanalizume në produktivitet për me kriju dhe me
prodhu më shumë në atë që edhe jemi të thirrur, për krijime artistike”, theksoi
ai.
Mirëpo me shumë kokëfortësi për të bërë
ballë ndaj sfidave dhe me shumë dashuri për punën që bën, ky teatër iu ka
rezistuar viteve. Rrethuar nga shumë artistë të rinj dhe nga miq të vjetër të
cilët hapat e parë i morrën në këtë teatër, dyert e Odës akoma mbesin të
hapura. Gjenerata të ndryshme të aktorëve akoma kalojnë kohë në këtë hapësirë
duke punuar dhe duke ndikuar në diversifikimin e kulturës në vend. Oda gjatë
këtyre viteve ka shërbyer si një pikë gravitacioni për të sjellë risi në skenën
teatrore, duke qenë e hapur për ide dhe eksperienca teatrore të cilat ndoshta
nuk do të kishin gjetur rehati në skenat që janë institucionale. Fuqinë e gravitacionit
e gjejmë edhe te shfaqja “Graviteti” shkruar nga Lirak Çelaj dhe me regji të
Florent Mehmetit e cila erdhi përmes lojës së aktorëve Daniela Markaj, Flamur
Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.
Tërësia e shfaqjes u krijua përmes
kronikave të shkurta të cilat u shfaqën brenda kornizave të varura në skenë,
duke krijuar kështu një mozaik të ngjarjeve dhe periudhave të ndryshme nëpër të
cilat kanë kaluar shqiptarët. Filloi nga Skënderbeu, të emigrantët e parë të
Shqipërisë, lufta në Kosovë, familja Jashari e deri te ata që kanë migruar, ata
që janë kthyer e ata që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. “Fillimi i
shtjellimit të idesë për këtë shfaqje ka qenë me u marrë me lidhjen që ka
shqiptari me vendlindjen. Në këtë mënyrë, përmes shfaqjes u krijua edhe një
rrugëtim artistik që sillet rreth lidhjes gravitacionale me vendlindjen, prej
problemeve shumë të vogla e deri të lidhjet që janë edhe me të mëdha, sublime,
ku njerëzit edhe janë flijuar për këtë vend”, theksoi Mehmeti.
“Jemi duke jetuar në një kohë kur
atdhedashuria është duke u bërë pak bajat prej politikanëve të skenës politike
dhe po mendoj që arti ka ndoshta mision që me e ushqye këtë punë për ata që iu
pëlqen me pa tema të tilla por në një mënyrë më origjinale. Ne si Odë tregojmë
histori për të treguar një pozicion tonin karshi kësaj shoqërie ose fenomeneve
që ndodhin”, theksoi ai.
Aktorja Daniela Markaj e cila ishte
pjesë e kastës së aktorëve tha për KultPlus se sjellja e disa karaktereve ka
qenë mjaft sfiduese në fillim, mirëpo falë punës regjisoriale, karakteret kanë
krijuar një lidhshmëri dhe e kanë nxjerrë më të bukurën e kësaj shfaqjeje. “Me
Teatrin ODA për herë të parë kam punuar para dy viteve në kuadër të festivalit
Hapu. Vitin e kaluar pikërisht me 1 mars, për 15-të vjetorin e teatrit kam
luajtur në shfaqjen ‘Lufta e Tretë Botërore’ pas saj filluam projektin e ri e
që kishte si temë lidhjen e shqiptarëve me vendin e tyre, një proces shumë i
lezetshëm dhe me shumë diskutime, se qysh me i lidh skenat dhe pastaj edhe një
muaj prova. E bukura e këtij teatri si skenë e pavarur është që ODA iu jep
shumë mundësi aktorëve të rinj që me e prezantu veten dhe kjo është shumë e
rëndësishme për aktorët e rinj dhe për artistët. Kemi goxha shumë aktorë dhe
duhet me u kriju hapësirë dhe me iu jep mundësi dhe teatri ODA e bën këtë”,
theksoi ajo.
Kjo shfaqje i solli ndërmend regjisores
Zana Krasniqi- Hoxha se sa shumë artistë gjatë këtyre viteve ka zbuluar teatri
“ODA”. Kjo mbrëmje për të ishte një rizbulim i faktit që ky teatër mbanë akoma
gjallë frymën e pavarur artistike. “Shfaqja sonte ishte një tragjikomedi, do të
thoja, për faktin se trajton një pjesë të dhimbshme të historisë sonë, por
meqenëse është 20 vjetori i çlirimit të Kosovës mua më duket që është bërë me
qëllim një trajtim i tillë, pikërisht për historinë e këtij 20 vjeçari dhe ka
copëza te historisë sonë që të prekin emocionalisht por nganjëherë të bëjnë për
të qeshur me disa situata me të cilat ne identifikohemi shumë lehtë “, tha ajo.
Shfaqja “Graviteti” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Zëri i tij është emocion i madh, sidomos kur interpreton në skenën e Shqipërisë dhe këndon këngën shqip.
Tenori Saimir Pirgu la magjinë e tij në skenën e Pallatit të Kongreseve, në mbrëmjen gala të Samitit të Diasporës. Zëri i tij ka kumbuar në skenat e Europës, Amerikës dhe Azisë, por në shtëpi ndjesia është komplet ndryshe.
“Ishte kënaqësi e veçantë në radhë të parë edhe fakti që përveç publikut shqiptar kishte edhe shumë nga diaspora që tashmë më ndjekin kudo ku janë. Por, sidoqoftë në territorin tënd. Në shtëpinë tënde. Në shtëpinë edhe të diasporës në Tiranë apo edhe në Shqipëri është gjithmonë një kënaqësi dhe publiku gjithmonë ka një përqëndrim tjetër”, thotë Pirgu.
Saimir, sigurisht që çfarë ndodh në Shqipëri ka një ndikim shumë të madh tek shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve. A keni ju një perceptim, një mesazh rreth gjendjes aktuale të tanishme?
Keq më vjen, por ky perceptim i mediave të huaja të sinkronizuara sikur në Shqipëri është Mesjetë. U bënë 20 vjet që e teprojnë. Është përgjegjësi e politikës shqiptare. Dhe flas të të gjitha krahëve politike që këto gjëra të mos përsëriten. Sepse imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rikuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë.
Unë di që tani jeni duke udhëtuar për në Tokio, si është axhenda?
Shfaqja që do të jepet në Tokio, është e regjisorit Nikola Zhoel dhe do të interpretoj operan Verter, kështu që jam në rolin kryesor. Për herë të parë e kam kënduar edhe në Shqipëri operan Verter, kështu që është tjetër emocion të rikthehem prapë.
Unë kam një pyetje në sensin e zbërthimit të shpirtit apo prekjes së telave, kush është opera ideale në këtë rast?
Mund të veçoj që Duca di Mantova, Verter apo dhe Boheme mbeten gjithmonë, jo sepse janë të famshëm, por janë edhe role që të japin si kënaqësinë interpretative, por edhe kthimin mbrapa kur pëlqehen nga publiku, kështu që kanë një sodisfaksion tepër të madh./tch
Ka mjaftuar një status i koreografit Robert Nuha në lidhje me tri shfaqjet e fundit të Baletit Kombëtar të Kosovës, dhe i njëjti të nxitë reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, shkruan KultPlus.
Reagimi i Nuhës nëpërmjet rrjetit social Facebook kishte në fokus shfaqjet e BKK-së, të cilat së fundi janë drejtuar nga tre balerinë të këtij institucioni, të cilët së fundi i kanë përveshur mëngët për tu shndërruar në koreografë.
Teuta
Krasniqi, Sinan Kajtazi dhe Kreshnik Musolli janë koreografët që janë vënë nën
gozhdën e koreografit Robert Nuha, i cili ka vënë në mëdyshje këta tre balerinë
për profesionalizmin e tyre, pasi që, sipas tij, të njëjtit i kanë dhënë të
drejtë vetës që të hyjnë nën petkun e koreografit, por që të njëjtit nuk janë të
kualifikuar për këtë profesion.
Dhe
pikërisht ky reagim ka bërë që të ndajë komunitetin artistik në dy grupe. Reagimi i Nuhës ka vënë në pah se Kosova
tashmë ka rreth dhjetë koreografë të diplomuar, të cilët janë shkolluar në
Fakultetin e Arteve të Shqipërisë, por të cilët nuk janë angazhuar në Baletin Kombëtar
të Kosovës.
Por jo vetëm Robert Nuha ka mëdyshje
Një
mëdyshje të tillë ka edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar
të Kosovës, i cili të diplomuarit për koreografë në Shqipëri po i merr me
rezervë, pasi që, Sinan Kajtazi, përpos që Fakultetin e Arteve në Shqipëri po e
vlerëson si një institucion që ka mbetur nga koha e komunizmit, ai poashtu është
shprehur se mënyra se si i kanë marë diplomat këta koreografë, është e dyshimtë.
Këtë deklaratë, Sinan Kajtazi e ka dhënë në një nga mediet e Kosovës, dhe kjo deklaratë ka nxitë edhe një reagim më të madh të komunitetit artistik në Shqipëri, duke përfshirë tashmë një numër të madh të artistëve.
Ema
Andrea është artistja që ka reaguar ndaj deklaratës së Sinan Kajtazit, e cila në
të njëjtën kohë ka kërkuar nga dy ministrat e Kosovës në Qeverinë Rama, Besa
Shahini në atë të Arsimit dhe Gent Cakajt në atë të Jashtme, që të reagojnë
ndaj kësaj deklarate të Sinan Kajtazit, duke pas parasysh se kjo deklaratë nuk është
tashmë një deklaratë private, por institucionale, pasi që Sinan Kajtazi së
fundi është duke ushtruar postin e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Ne
kuadrin e marreveshjes(ve)per bashkepunime kulturore e projekte te perbashketa
et etj midis Shqiperise e Kosoves,me poshte nje Drejtues enti shteteror,
deklaron se dyshon mbi menyren si merren diplomat ne “Nje Universitet te
nje vendi fqinj krijuar ne komunizem etj etj”qe eshte Universiteti i
Arteve ne Tirane. Nuk kam nder mend te replikoj mbi konceptin e ketij drejtuesi
per artin,e as kam nder mend ti tregoj qe nga auditoret e atij Universiteti ka
nisur levizja studentore per rrezimin e diktatures,skam nder mend te flas per
artistet qe kane dale nga dyert e ketij Universiteti,e integritetin e kolegeve
mentore pasi nuk ndaj te njejtin nivel me padijen e Zotnise.
Zonja
Besa Shahini, zv Ministria e Kultures dhe Ministri i Jashtem jo vetem si
mbajtes te merituar te posteve drejtuese ne Shqiperi por edhe si njohes me te
mire te mentalitetit te bashkevendasit Tuaj,jam sigurte qe ju do te reagoni
ndaj kesaj deklarate te papergjegjshme te shprehur si ‘mendim personal”
kundrejt UA,i vetmi institucion edukimi artistik ne nivelin Universitar ne
Shqiperi.Per te justifikuar vendimet personale,askush nuk ka te drejte te fyeje
dedikimin,profesionalizmin e integritetin e kolegeve te Universitetit te Arteve
ne Tirane! Gjergj Prevazi Kozeta Bakiu Genci Fuga Rovena Lule tag koleget kush
eshte dakort!”, është reagimi i Ema Andreas.
Reagimit
të saj tashmë i janë përgjigjur disa nga artistët e Shqipërisë, të cilët kanë kërkuar
që për këtë deklaratë të Kajtazit, një shpjegim duhet të japë edhe Ministria e
Kulturës në Kosovë, pasi që, Sinan Kajtazi është vartës nga ky institucion.
Shfaqjet që kanë nisë këtë zjarr të reagimeve janë: “Pa mure” me koreografi të Teauta Krasniqit, “O. Taka” me koreografi e muzikë të Sinan Kajtazit, dhe së fundi shfaqja “Andërr” e Kreshnik Musollit./KultPlus.com
Guri Kelmendi një 20 vjeçar i pasionuar pas dizajnin grafik, pasionin e tij e ka shndërruar edhe në një biznes. Guri së bashku me vëllain e tij Ylli Kelmendi, 19 vjeçar kanë krijuar “Mask On”, një brend i cili bënë modifikimin e patikave duke ju dhënë atyre një pamje krejtësisht ndryshe përmes dizajneve unike të krijuara nga vëllezërit Kelmendi, shkruan KultPlus.
Guri Kelmendi tregoi për KultPlus se ai vite më parë ka filluar që të merret me dizajn grafik, duke modifikuar dizajnet e gatshme dhe duke ju shtuar elemente unike, derisa ka vendosur që të njëjtën që të bëjë edhe me patika. Ai thotë se në mënyrë figurative i maskon ato me art dhe pikërisht nga kjo ka ardhur edhe ideja për Mask On e cila është krijuar në shtator të vitit të kaluar.
“Inspirimet dhe idetë të cilat i përdori në dizajne me vijnë nga jeta e përditshme, nga trendet e kohës, storiet e ndryshme virale në internet, muzika e shumë elemente të cilat me rrethojnë në përditshmëri”, tregoi Guri, i cili theksoi se gjatë dizajnimit marrin parasysh edhe preferencat e klientit.
Sipas tij, djemtë por edhe vajzat e të gjitha moshave mund të gjejnë të “Mask On” dizajne të veçanta e të cilat do të jenë unike e që shfaqin edhe elemente të karakterit e të preferencave që mund të kenë ata. Bazuar në dizajnin e zgjedhur, Guri dhe Ylli i përveshen punës për të ju dhënë pamje të re patikave përmes një procesi i cili mund të zgjasë nga 4 deri në 8 ditë. Guri dhe Ylli kanë dizajnuar patika për artistët kosovarë si Buta, Azet por edhe për artistin Zuna e të tjera personalitete.
“Materiali apo patika më e përdorur për momentin nga ne është modeli air force 1 nga Nike por ne i dizajnojmë të gjitha modelet. Mjafton që të na sjellin apo të na tregojnë se cili model e dëshirojnë dhe ne në bashkëpunim me klientin bëjmë edhe modifikimin. E rëndësishme është që jemi të hapur ndaj ideve dhe kjo bënë që të prodhojmë dizajne unike për secilin klient”, theksoi Guri Kelmendi. Për të porositur patikat e juaja me dizajn të veçantë mund të ndiqni faqen e “ Mask On” në Facebook, në Instagram apo në website./ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Muzeve Berat në bashkëpunim me ChwB Shqipëri , organizoi në pedonalen e qytetit të Beratit “Lojën Mos u Nxeh”. Aktiviteti u zhvillua në formë konkursi me pjesëmarrjen e katër shkollave 9 vjeçare, ”22 Tetori”, ”1 Maji” , ”Thimi Tani” dhe shkolla e mesme artistike “Ajet Xhindole”.
Nxënësit përveç sfidës së lojës me njëri – tjetrin , arritën të bëjnë një interpretim të historikut, i vendosur në pikat kyçe në lojë. Këto pika të japin informacion për trashëgiminë kulturore të qytetit duke filluar, me muzeun Etnografik dhe koleksionin e tij, objektet e kultit, trashëgiminë jo materiale, informacion për piktorin Onufri dhe Muzeun Ikonografik Onufri, rendësin e librave liturgjik (Kodikët).
“Loja Mos u Nxeh” në përmasa më të mëdha do të qëndrojë e hapur çdo ditë në ambientin e Muzeut Etnogafik , duke ftuar të provojnë sfidën të gjithë vizitorët./A.T.SH/ KultPlus.com
I titulluar “Event 55”, koncerti i zhanrit Etno-Jazz do të sjellë para publikut instrumentistë të dy zhanreve të ndryshme, të cilët kanë punuar në ri-aranzhimin e disa këngëve shqipe në një stil modern.
Orkestra e “Event 55” përbëhet nga Afrim Sadiku, Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Gëzim Sadiku, Fatlum Ferati, Aleksandar Jovevski, Sefjedin Kryeziu, Mustafë Ramaj, Teoman Ukça. Nën shoqërinë e orkestrit me disa pika do të jenë edhe këngëtarët Petrit Çarkaxhiu, Agona Shporta, Ganimete Asllani, Mustafë Ramaj, Rijad dhe Mirhad Lecaj.
Koncerti do të mbahet sonte në teatrin ODA duke filluar nga ora 20:00.
Kjo ngjarje njëherit shënon edhe rikthimin e Afrim Sadikut një prej instrumentistëve i cili ekzekuton me instrumentet me tela si sharki dhe çifteli që nga mosha 9 vjeçare. Atë e karakterizon stili i veçantë me të cilin i sjell këngët shqipe. Projekti i fundit ku ka marr pjesë është “Kënga e Ashikëve” e grupit Jericho. Në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e projekteve tjera të rock’ut të grupit Troja.
Për këtë koncert është bërë përzgjedhja e disa pikave muzikore ku Afrim Sadiku bashkë me Ilir Bajrin dhe Armend Xhaferin i kanë ri-aranzhuar dhe do t’i sjellin në zhanrin Etno-Jazz./ KultPlus.com
Fragment nga drama “Kallogjeri” – 1980 – e dramaturgut Hasan Dajaku. Radiodrama u ndalua pas transmetimit të parë në ish- Radio Prishtina.
Syri ngihet vetëm dhè!
Syri ngihet vetëm dhè! Vërtet urti, vërtet.
Dola nga lëvozhga e anonimitetit. I shijova bardhësitë dhe shkëlqimet e saj.
Prapa lashë copëra kolltuqesh vërtet të këndshme.
Syri ngihet vetëm dhè! Vërtet, urti
madhështore! Të tjerët nuk kishin fjetur kur unë, krejt i përgjumur, nuk kisha
shikuar asgjë. Asgjë s’kisha bërë për ardhmërinë lumturonjëse për bijtë dhe
bijën time. S’kisha bërë kurrfarë zgjedhje. As për vete s’kisha menduar. Përse
mund të krenohësha, përveç se me copëra kolltuqesh që kisha lënë prapa dhe me
atë mbi të cilin qëndroja.
Syri ngihet vetëm dhè! Për Tonin, Fanin, Tinin s’kisha menduar fare. Për lumturinë e tyre nuk kisha bërë kurrfarë zgjidhje. Ata kishin nevojë për ajër. Kishin nevojë për argëtim, për diell kishin nevojë! Do të më akuzonin: – Nuk kemi pasur fat se kishim një baba të ngathët, që nuk diti të depërtojë. Ai nuk mendoi fare për ne, nuk u kujtua se edhe ne kishim nevojë për ajër, për diell, si shokët e shoqet tona! Vetëm dashuria e thatë atërore nuk i bën fëmijët e lumtur. Macja – macë, e ha pjellën e tepërt!… / KultPlus.com
Autoritetet e qytetit të Venecias votuan pro idesë së pagesës për çdo vizitor të huaj në qytet në një ditë të vetme. Sipas propozimit, të ardhurat do shkojnë në mbulimin e shpenzimeve për pastrimin e qendrës historike, e cila vizitohet çdo vit nga rreth 25 milionë njerëz. Sipas Reuters, ky veprim krijon një precedent që mund të ndiqet nga të tjera destinacione popullore turistike.
Nga 25 milionë turistë në vit, rreth 14 milionë njerëz vijnë në Venecia për një ditë dhe nuk paguajnë asnjë taksë qëndrimit. Shumë prej tyre marrin dhe ushqimin me vete, kështu qyteti përfiton shumë pak prej tyre.
Këshilltarët vendosën që turistët që vijnë në Venecia, qyteti në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, të paguajnë një biletë prej tre euro për vetëm një ditë.Kjo kuotë më pas pritet të arrijë në mes 6 dhe 10 euro që nga fillimi i vitit 2020. Të përjashtuar do të jenë vetëm turistët që qëndrojnë në hotelet lokale dhe që paguajnë një taksë qëndrimi, si dhe fëmijët nën moshën gjashtë vjeç.
“Ky është rast unik në botë. Kjo është hera e parë që dikush ka guxuar ta bëjnë këtë në mënyrë që të mbajë qytetin”,tha kryetari i komunës së Venecias, Luigi Brugnara./INA/ KultPlus.com
M’u duk pak e çuditshme tani që u ula dhe shkrova në krye të kësaj letre emrin tënd. Sepse bashkë nuk kemi shkëmbyer ndonjëherë mesazhe. Ato i bëja me nënën tënde, Sadijen. Ndaj tani që po të drejtohem ty, më duket e papritur. Siç është edhe ngjarja e hidhur që sapo ka ndodhur. Sepse të gjithë njerëzit që kanë një histori të gjatë së bashku, e kanë të vështirë ta përfytyrojnë që do të vijë një çast i tillë.
Teksa të shkruaj, në mendjen time ti je përherë Elona e vogël, vajza e shoqes sime të kahershme, Sadijes, që ka disa orë që nuk është më… I shkrova këto fjalë dhe prapë më duket e pabesueshme. Ngaqë asnjëherë nuk do të mund të duket e natyrshme dhe as “e drejtë”, humbja e njeriut të afërt, edhe pse të gjithë e dimë se kjo është e pashmangshme. I kam ndjekur si ndër ethe lajmet që më vinin nga Shqipëria, nga miqtë tanë të përbashkët, për ecurinë e gjendjes së saj. Mëngjesi i djeshëm, kur më telefonuan për të më thënë se nëna jote e dashur dhe shoqja ime ishte nisur në rrugën pa kthim, më shtangu. Nuk je vetëm ti, e dashura vajzë, që të erdhi befasishëm nisja e saj e shpejtë. Jemi shumë, gjithë miqtë e mikeshat e saj që kemi mbetur kështu, pa fjalë, nga lajmi për të. Është një rrugë që do ta bëjmë të gjithë, e megjithatë, nuk arrijmë dot ta pranojmë.
Çdonjëri prej nesh është i lidhur me qindra e mijëra fije dhembshurie, mirëkuptimi, herë-herë paqartësie, por më së shumti dashurie, me krijesa të tjera që ka përreth dhe humbja e çdonjërit, bashkë me misterin e jetës, mbetet përherë e padurueshme. E papranueshme, do të thosha. Sikurse e di, miqësia ime me nënën tënde nuk nis sot. Ajo fillon shumë vite më parë, kur të dyja, vajza të reja dhe pa përvojë, ajo me kaçurrela të zeza, unë me gërsheta, vinim nga dy qytete të largëta të Shqipërisë, për t’u ulur në bankat e Fakultetit të Letërsisë. Bashkë me leksionet, do të ndanim edhe dhomën e konviktit. Të gjitha ngjarjet, sekretet tona vajzërore, të vogla apo të mëdha, do rriheshin e do shoshiteshin në atë dhomë të përbashkët të konviktit të vajzave, ndërtesë njëkatëshe, barakë e ushtrisë italiane, siç thuhej, në hyrje të Rrugës së Elbasanit. E vërteta është se ndiheshim të lumtura dhe plot gjallëri, gjë që na e jepte mosha, edhe pse e përditshmja jonë ishte plot privime dhe mungesa të panumërta.
Ne ishim të lumtura që kishim ikur nga rregullat e rrepta prindërore, të lumtura që studionim në degën e dashur të letërsisë, të gëzuara që kishim ardhur në Tiranë. Të lumtura për gjithçka. Dasma ime ndodhi shpejt, qysh në vitin e parë të fakultetit, me një poet të ri që sapo kishte nxjerrë vëllimin me poezi “Shekulli im”. Ishte një dasmë që shkaktoi shumë trazira, ngaqë në vend të kushërinjve dhe farefisit, të ftuar kishte shkrimtarë të Lidhjes dhe shoqe të miat të konviktit. Në këtë dasmë nëna jote u njoh me poetin tjetër, po aq të njohur, babanë tënd, Dritëroin, gjë që i dha miqësisë sonë një dimension të ri. Shumë shpejt erdhët ju, fëmijët tanë. Ti e di fort mirë se, siç e ka përshkruar edhe Sadija, emrin tënd të bukur që ke sot, ta ka vënë Ismaili. Ishin kohë të paharruara. Po të kujtoj një detaj të thjeshtë, që ndoshta nuk e di: Kur bisedat tona na merrnin përpara dhe ora e mesnatës na gjente aty, darkën e hanim së bashku në dhomën tonë të gjumit, shtruar mbi një valixhe të vjetër që e kishte sjellë me vete Ismaili, pas studimeve pasuniversitare në Moskë.
Ishin darka të thjeshta, me ushqime të pakta, marrë në kuzhinën e shtëpisë, atje ku i vinte nëna e Ismailit dhe ku ne të dyja hynim me majat e gishtave, për të mos zgjuar pjesëtarët e tjerë që flinin… Jo rrallëherë, kur konvikti ishte mbyllur, Sadija flinte te ne mbi një krevat portativ, të ruajtur prapa derës posaçërisht për të. Sa mbrëmje të bukura e të paharruara që ishin! Pastaj koha erdhi e u ashpërsua politikisht. Shumë probleme, shumë shqetësime. Ne nuk rrinim më bashkë aq shpesh sa dikur, por fijet e miqësisë nuk i premë asnjëherë. Vite më pas, fati e solli të ishim në të njëjtën godinë banimi, në Rrugën e Dibrës, aty ku edhe jeni sot. Në atë periudhë, problemet dhe telashet erdhën dhe u rënduan dhe ne nuk e patëm më kohën e mjaftueshme për të ndarë me njëri-tjetrin mendimet dhe gostitë. Por, në ngjarjet e rëndësishme të familjeve tona, mbetëm përherë bashkë. Në një darkë të tillë, aty nga mesi i viteve ’70, kur unë isha duke shkruar romanin tim të parë, i kërkova babait tënd të më shkruante një skenë fshati, që për mua ishte diçka krejt e panjohur.
Dritëroi, pa më të voglin hezitim, madje duke qeshur, ma shkroi aty, mbi tryezë. Ishte një dialog me “punë fshati”, skenë që edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në roman, ashtu siç e ka bërë ai, me dorën e tij, atë mbrëmje. Sa kujtime të tilla zënë vend në këtë hapësirë kohe… Nëna jote e bukur Sadija dhe unë, për vite të tëra e ruajtëm të pacenuar miqësinë tonë nga turbullirat e kohës. Në çdo festë, botim të ri a përurim letrar, ne do dëgjoheshim së bashku në telefon. Dhe ky komunikim nuk u ndërpre edhe kur ne ishim larguar nga Shqipëria. Hera e fundit që ndenjëm bashkë, ishte dhjetori i vitit që sapo lamë. Edhe pse e lodhur dhe me shëndet jo fort të mirë, ajo na priti gjithë gaz, me një shoqe tjetër të shkollës sonë dhe me entuziazmin e dikurshëm, na tregoi punën e jashtëzakonshme që po bënte me dorëshkrimet e Dritëroit.
I solli dosjet aty, para nesh, në atë tryezën e madhe të rrumbullakët në mes të sallonit të mbushur plot piktura, tryezë që e gjen tani në të gjitha reportazhet dhe intervistat që shkruhen për ju. Një tryezë trofe! Bashkë me fotografitë e shumta që bëmë atë ditë, duke qeshur që tanimë s’kishim më nevojë për fotograf, si dikur në konvikt, ngaqë celulari që mbanim ndër duar i bënte ato lehtësisht, lamë takim të shiheshim në pranverë, kur ne të ktheheshim, si zakonisht, në Tiranë. Me shoqen tjetër i premtuam se, edhe të mos donte, do ta merrnim me vete në shëtitjet mëngjesore nga kodrat e Liqenit të Tiranës. Do të vij se s’bën me ju, tha ajo kur u ndamë te shkallët e apartamentit. Deri në pranverë do ta kem marrë veten mirë. Një premtim që nuk u mbajt dot…
Elonë e dashur, ti tani je vetë një nënë e re. Por para se ta përfundoj këtë letër, do të doja të thosha se nëna jote, Sadija, ka qenë një vajzë, një grua dhe një nënë e mrekullueshme. Jam e sigurt se ti do të dish t’ua mbash gjallë figurën e saj nipërve dhe mbesave që ajo la pas. Dhe do t’u flasësh atyre për të. Për gjyshen e bukur e të mençur Sadije.
Fillon grumbullimi i emrave për zyrtarizimin e Fesë së Shqiptarizmit
Në 575 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës të mbajtur më 2 mars 1444, ku u vendosën themelet për ndërgjegjen e bashkimit dhe traditës shtetërore shqiptare, Qendra Botërore e Fesë së Shqiptarizmit njofton tërë shqiptarët me vetëdije të pastër arbërore se ka filluar grumbullimin e emrave për zyrtarizimin formal të Fesë së Shqiptarizmit.
“Prandaj, ftojmë tërë shqiptarët kudo që janë dhe që dëshirojnë të nënshkruajnë letren zyrtare për zyrtarizimin e Fesë së Shqiptarizmit, të na shkruajnë në e-mail adresen [email protected], duke cekur qartë: EMRIN, MBIEMRIN, ATËSINË DHE VENDBANIMIN! ZOTI na ndihmoftë që të ecim gjithmonë në rrugën e mirësisë, dashurisë ndër shqiptare dhe na udhëzoftë larg ndikimeve të vendeve, kombeve, kulturave e gjuhëve të huaja. Paqi bekimin hyjnor të Nënës Shqipëri!” shkruhet në njoftimin e kësaj Qendre Botërore të Fesë së Shqiptarizmit.
Në Muajin Ndërkombëtar të Kujtesës së Viktimave të Holokaustit është shfaqur në Harvard University filmi “BESA – The Promise”.
“Besa: The Promise” është dokumentari që tregon historinë e myslimanëve të Shqipërisë të cilët shpëtuan jetën e mijëra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Filmi u shfaq ne Universitetin Harvard, ku ishin të pranishëm studentë, pedagogë, anëtarët e komunitetit dhe ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Floreta Luli-Faber.
Kjo ngjarje u organizua nga shoqata studentore në Harvard. Presidenti dhe themeluesi i organizatës, Deni Hoxha, foli rreth mesazhit që ky film sjellë për bashkëpunimin ndërfetar dhe vlerat e popullit shqiptar. Ai theksoi se shqiptarët mbrojtën hebrenjtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
Gjithashtu, ambasadorja Luli-Faber vuri në dukje se populli shqiptar me bujarinë, humanizmin dhe mikpritjen tradicionale strehoi dhe shpëtoi të gjithë hebrenjtë e ardhur në Shqipëri.
Ambasadorja falënderoi studentët shqiptarë, të cilët organizuan një event kaq domethënës që përcjellë më së miri vlerat e vërteta të popullit tonë.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në vendin tonë, Besa Shahini, në studion e emisionit “Provokacija” në ABC News, është shprehur se ka ndodhur një degradim në brezin e mësuesve në vend.
Ajo ka theksuar se nxënësit më të mirë shkojnë për mjekësi, ndërsa më të dobëtit për mësuesi.
“Problemi është tek mësuesit. Kemi pasur një gjeneratë shumë të mirë të mësuesve shqiptarë, pastaj ka ndodhur një degradim në fillim të viteve 2000, për arsye politike dhe sociale, por edhe për një arsye se është vendosur se për mësuesinë mund të shkojë kushdo. Nxënësi më i dobët mund të shkojë për mësuesi. Është një punë e lehtë që e bën kushdo. Për mjekësi shkon më i miri, ndërsa për mësuesi shkon më i dobëti. Ne po bëjmë dy gjëra që të motivojmë nxënësi e mirë që të shkojnë për mësuesi. Ne po i motivojmë dhe vjet ne morëm dy vendimi ku nota mesatare për dikë që zgjedh mësuesi duhet të jetë 7. Ndërsa nota 6 është minimalja për ata që fitojnë të drejtën për t’u futur në universitet, për mësuesi është 7. Ne kemi shpërndarë bursa për më të mirët dhe kush quhet student ekselent. Natyrisht ne kuptojmë që pagat nuk janë shumë të mëdha për punën që bën mësuesi, por pagat kanë qenë në rritje të vazhdueshme 4 vitet e fundit. Dhe kjo ka treguar një sinjal që mësuesi është mjaftueshëm i respektueshëm nga qeveria që të bëhen vazhdimisht përpjekje që t’u rriten rrogat. Tani po na thonë qe nëpër universitet nxënës të mirë po shkojnë dhe po zgjedhin degët e mësuesisë. Efektin e plotë të kësaj do e shikojmë pas 4-5 vitesh ndërsa efektin e menjëhershëm e kemi parë pasi kemi marrë nxënës shumë të mirë në fushat e mësuesisë”.
Me datë 8 mars, Andrra (Fatime Kosumi) dhe ekipi i saj vijnë në Kino Armata ndërsa me 9 mars në Prizren, në Kino Lumbardhi.
ANDRRA (Fatime Kosumi) është artiste dhe muzikante me origjinë nga Kosova puna e së cilës bazohet në impaktin e trashëgimisë dhe traditave në shoqërinë e sotme moderne. E lindur në Rosenheim të Gjermanisë, ajo u kthye në fshatin e familjes së saj në Kosovë në vitin 2001, menjëherë pas luftës. Ajo tani jeton dhe vepron në Berlin.
Albumi i saj debutues, Paline i vitit 2017, trajton çështjet e martesës së fëmijëve dhe shtypjes së femrave në Kosovë, duke u mbështetur në tekstet popullore dhe historitë personale të grave të familjes së saj. Prodhuar dhe bashkë- financuar nga muzikanti gjerman PC Nackt, Palina kombinon një tingull të errët, sintetik me orkestrim tradicional të ritmeve dhe melodive popullore.
Grupi i ANDRRA-s aktualisht përfshin muzikantët gjermanë Christoph Mäcki Hamann në sint dhe Jörg Wähner në bateri. Albumi i shoqëruar me një libër këngësh dhe një seri të videove të vet financuara, kënga nga albumi Kalle Llamen kryesonte listat nëpër Kosovë dhe Shqipëri.
Ky koncert organizohet paralel konferencës ndërkombëtare “Giving Voice to Sexual Violence in Conflict in Kosovo” i cili do të mbahet me 8 Mars në Prishtinë në partneritet mes Fondacionit Lumbardhi dhe Fondacionit Jahjaga, me mbështetjen e German Embassy Pristina , UN Kosovo Team dhe UNDP Kosovo.