Në Luksemburg, gratë nga Kosova flasin kundër dhunës seksuale

Nga të dhunuarat e luftës në Kosovë, deri te të dhunuarat dhe viktimat e dhunës seksuale kudo në botë, Alketa Xhafa Mripa është shndërruar në një artiste e cila po e përhapë artin e saj për këtë kauzë.

Alketa është ftuar të marrë pjesë në Stand Speak Rise Up në Luksemsubrg.

Me 26 dhe 27 mars, në Luksemburg mbahet ky organizim ndërsa Alketa ka vendosur ta rikrijojë instalacionin e njohur “Thinking of You”, i cili para disa vitesh kishte marrë vëmendjen, në Stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Ngjarja synon të ngrisë zërin për ndalimin e dhunës seksuale në botë, e cila ndodhë në kohë luftërash por edhe në mjedise ku ka ende mentalitet më primitive, shkruan KultPlus.

Ngjarja mbahet nën patronatin e Dukeshës së Luksemburgut dhe fondacionit të saj. Me fjalimet e tyre vinë edhe Denis Mukwege – Fitues i Nobelit për Paqe për vitin 2018, Atifete Jahjaga – ish Presidente e Kosovës, Nadia Murad – poashtu Nobel për Paqe 2018, Feride Rushiti nga Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims. / KultPlus.com

Sukses i madh për Flaka Halitin, nominohet për Preis der Nationalgalerie

Artistja Flaka Haliti është në mesin e katër të nominuarve për çmimin artistik Preis der Nationalgalerie.

Çmimi ndahet çdo dy vite për artistët të cilët punojnë dhe jetojnë në Gjermani.

Pauline Curnier Jardin, Simon Fujiwara dhe Katja Novitskova i bashkohen artistes Flaka Haliti në këtë nominim.

Për të zgjedhur fituesin pason edhe një ekspozitë e cila do të hapet në Berlin në muajin gusht. Çmimi, njëjtë sikur ekspozita, promovon pozicionet e ndryshme të artit bashkëkohor që kanë reflektuar në skenën kulturore në Gjermani, duke sjellë edhe shprehje të reja dhe duke bërë që kjo skenë të zgjerohet e të promovohet edhe në botë.

Ekspozita me katër të nominuarit do të hapet me 16 gusht në Hamburger Bahnhof – Museum für Gegenwart – Berlin.

Fituesi do të përzgjedhet nga një pane i ekspertëve dhe më pas do të hapë ekspozitën personale në një prej sallave të Galerisë Kombëtare – Nationalgalerie në Berlin.

Flaka Haliti është një prej artisteve më aktive nga Kosova, e cila jeton në Gjermani por ekspozitat dhe paraqitjet i ka të shpeshta në shumë shtete. Ajo e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2015-të, ndërsa ka fituar edhe çmimin Ars Viva Prize, shkruan KultPlus.

Fituesit e këtij çmimi në të kaluarën janë Agnieszka Polska (2017), Anne Imhof (2015), Mariana Castillo Deball (2013), Cyprien Gaillard (2011), Omer Fast (2009), Ceal Floyer (2007), Monica Bonvicini (2005), Elmgreen & Dragset (2002) dhe Dirk Skreber (2000). / KultPlus.com

Punëtorët e arsimit në vitet e 90-ta përfitojnë pas pensionimit, pensioni trashëgohet nga bashkëshortët

Rreth 10 mijë punëtorë të  arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët ushtruan profesionin e tyre nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin 1998/99, pritet që të marrin beneficionet e tyre, sipas Ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Këta punëtorë të arsimit gjatë kohës së para dhe gjatë luftës, pritet që të marrin beneficionet pas daljes së tyre në pension.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka sqaruar në tërësi Ligjin për mësimdhënësit e arsimit shqip në vitet e 90-ta.

Ai tha se beneficionet shtetërore do t’i takojnë të gjithë punonjësve të arsimit gjatë asaj kohe, ku përfshihen edhe punëtorët të tjerë, si teknik dhe administrativ.

Sipas Bytyqit, të drejtë për të përfituar nga beneficioni do të kenë edhe bashkëshorti ose bashkëshortja e ndonjërit prej ish punëtorëve të arsimit shqip në vitet e 90-ta, të cilët nuk ndodhen më në këtë jetë.

“Ky ligj ka përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tjerë, si punëtorë të tjerë, punëtorë teknik, punëtorë administrativ. Edhe informacionet ekzistojnë edhe këtu në ministri, mirëpo proceduralisht kërkohet që ne ta kemi një akt nënligjor që specifikon mënyrën e aplikimit secilit mësimdhënësit apo trashëguesit të mësimdhënësit, këtu flasim që mund të jetë mësimdhënësi por edhe bashkëshorti ose bashkëshortja në rast se kemi ndonjë që nuk jeton tashmë në këtë periudhë që të aplikon dhe të fillon ta shfrytëzon pjesën pensionale”, tha ministri Bytyqi.

Bytyqi ka bërë të ditur se përqindja përfituese do të jetë në kohën kur punëtori i arsimit të asaj kohe do të del në pension dhe e cila është e përcaktuar në bazë të viteve sa ka punuar, të cilat fillojnë nga 1 deri në 9 vjet kontribut.

“E drejta për ta shfrytëzuar këtë beneficion do të jetë në ditën kur është pensionuar, që nga ajo ditë do të fillon e drejta për shfrytëzim edhe këtu pastaj kemi një kategorizim sipas kontributit që kanë dhënë këta persona, duke filluar nga një vit deri në nëntë vite është periudha e kontribut-dhënësve që kanë kontribuar në periudha të rëndësishme gjatë këtyre viteve të rëndësishme dhe sipas këtyre viteve do të jetë edhe pjesa që është e ndame me përqindje si beneficion. Ma e ulëta është diku për një vit është 3.45 për qind e pagës aktuale të mësimdhënësit dhe më e larta që është për nëntë vite  17.28 për qind e pagës aktuale të mësimdhënësit. Kjo është pjesa shtesë që do ta marrin secili mësimdhënës apo punëtorë administrativ apo bashkëpunëtorë mbi pensionin që i takon në kohën që do të pensionohet”, bëri të ditur ministri Bytyqi për Ekonomia Online.

Madje sipas Bytyqit, edhe ata të cilët veçse kanë dalë në pension dhe deri më tani nuk kanë marrë beneficione, priten që këto të fundit t’i llogariten që nga momenti që kanë marrë statusin e pensionistit.

Sa i përket aplikimit, Bytyqi thotë se ende nuk është bërë e ditur se si do të jetë. Sipas tij, pas miratimit të projektligjit nga ana e presidentit të vendit, do të fillojnë procedurat e nevojshme, për të gjitha udhëzimet administrative.

Bytyqi ka bërë të ditur se ligji do të futet në fuqi sapo të dekretohet nga presidenti dhe të del në gazetën zyrtare.

Arben Bajraktaraj flet për prapaskenat e filmit famëkeq për shqiptarët

Arben Bajraktaraj ka ardhur në Tiranë për premierën e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, dhe ka dhënë një intervistë për revistën “Bordo”

A ju bezdis fakti që shpesh ju identifikojnë me shqiptarin e keq?

Aktori nuk duhet gjykuar nga roli. Unë kam luajtur edhe role kriminelësh, por askush nuk ma ka bërë këtë pyetje, pse luajte rolin e një shqiptari. Një aktor serb luajti rolin e një shqiptari, ashtu si unë kam luajtur rolin e një kozmonauti rus apo të një doktori. Një rol mund të jetë filozof dhe vrasës, ndaj nuk duhet gjykuar aktori nga personazhi. Para së gjithash një aktor duhet të pranojë identitetin e tjetrit, duhet të kemi empati ndaj tjetrit. A është vrasës? Jo, sepse ne për këtë punë jemi, të veshim petkun e personazhit.

E njëjta gjendje ka qenë edhe për rolin e Besnikut?

Në malësi ishte fantastike, ajri i pastër, por edhe energjia që të jep ai vend janë unike. Ti zgjohesh dhe e gjen veten aty, i vetëm me Zotin. Roli i Besnikut ka pasur tre shtylla që në fillim: e para shtylla fizike që ka qenë e rëndësishme, e dyta shtylla psikologjike dhe e treta shtylla emocionale. Të treja kalojnë nga njëra në tjetrën sipas situatave. Ana fizike është e rëndësishme sepse duhet të përgatisësh trupin për të hyrë brenda. Edhe pse çdo aktor ka mënyrat e veta të përgatitjes fizike, ka një rregull kryesor: kur kamera është gati për xhirime, ti duhet të jesh një personazh, duhet të marrësh frymë me të, ndaj përgatitem shumë më përpara, bëj ushtrimet e mia, edhe kur nuk luaj. Duhet që të fle mjaftueshëm në mënyrë që të mos reflektohet lodhja në gjendjen time fizike.

****

Si u gjendët në filmin e Robert Budinës?

Në atë periudhë kam qenë me xhirime në Prishtinë. Roberti më dërgoi skenarin, pasi e kam lexuar jemi takuar dhe kam vendosur për të qenë pjesë e filmit. Nganjëherë në jetë vijnë disa role që nuk i pret, dhe unë nuk e prisja. Me disa role ke një identifikim të menjëhershëm, sepse tek Besniku ishin disa detaje që më pëlqyen. Personazhi im është shumë shpirtëror. Kur vjen në moshën 40 vjeçare, çdo mashkull e kërkon anën e tij shpirtërore. Unë kisha lexuar në këtë periudhë të gjithë librat e shenjtë dhe ky dimension spiritual që ka pasur personazhi ka qenë i madh, madje edhe heshtja e tij më ka prekur shumë. Këto kanë qenë pikat që më kanë dhënë menjëherë shenjë që duhet të kisha këtë rol. Po ashtu ishte një detaj tjetër që më tërhoqi, ishte roli i një bariu, duke më sjellë pranë fëmijërinë time. Sepse kur kam qenë fëmijë kam pasur fatin të shikoj ngjitjet në bjeshkë të bagëtive gjatë verimit dhe kjo ndihet edhe në film. Por sado që unë kam një lidhje emocionale, duhet që të mos teprohet me emocionet, duhet të mbaja distancë në çdo situatë.

Besniku është një burrë i fortë malësie, por i butë kur sheh aspektin shpirtëror?

Kjo është një klishe për burrat e malësisë, sepse në këto anë banorët janë besimtarë të devotshëm, përtej besimit të një feje. Ndoshta nga fakti që kanë qenë të izoluar, doemos janë të lidhur me natyrën më shumë se ne laikët. Personazhi kryesor është një malësor, por ama dimensioni i tij shpirtëror është unik. Edhe pse ai është një bari, raporti i tij spiritual është shumë i fortë. Kjo duket edhe me njerëzit që janë aty.V

Si ishte bashkëpunimi me aktorët e tjerë?

Jam shumë i kënaqur, me disa prej tyre kisha luajtur, me disa të tjerë jo. E rëndësishme është që u bëmë miq, kasti kanë qenë të mrekullueshëm, edhe fëmijët edhe banorët e Valbonës. Por çuditërisht edhe kafshët: dhitë që janë personazhe, kanë qenë të jashtëzakonshme. Është një detaj: ne po xhironim dhe ato duhet të bënin atë që donim, të na ndiqnin. Kam kaluar një kohë bashkë edhe me dhitë dhe ato mendonin sikur isha bariu i tyre.


****

Çfarë ju ka ndihmuar të mbani gjallë gjuhën shqipe?

Aktori është i lidhur fort me gjuhën. Edhe pse të gjithë filmat i kam bërë në gjuhë të huaja, edhe në gjuhë që nuk i di fare. Kam qenë në një shfaqje në Prizren dhe aty zbulova se duke folur shqip, çdo gjë më dukej më e lehtë. Sepse teknikën e vendosjes së zërit e kam më të lehtë në shqip. Aq më tepër që duhet të flas në dialektin e fshatit tim Isniq. Ne kemi një avantazh në gegnisht, sepse gjuha është shumë muskuloze, është ekspresive, imediate, ka tingëllimë.

Si u gjendët në filmin “Taken”?

Kam qenë pjesë e një audicioni i cili u bë në Paris të cilin e fitova. Kur ke përballë një aktor me përvojë si Liam Neeson ndihesh dyfish më i detyruar të jesh profesionist. Ky është një avantazh, sepse prej tij edhe mund të mësosh shumë. Edhe pse filmi nuk ka shumë fjalë, duhet të përfshihesha shumë në situatë. Me aktorët anglezë, të cilët jo rastësisht kanë fituar më shumë çmime Oscar, kishte një respekt të ndërsjelltë.

Keni luajtur edhe krah Zherard Depardie, si është të punosh me të?

Shumë thonë që është një aktor i vështirë, por me mua nuk ka ndodhur aspak kjo. Kemi kaluar shumë mirë, kemi kaluar shumë kohë bashkë dhe më ka dhënë edhe këshilla. Edhe pse secili ka teknikën e vet, ai më ka këshilluar shumë për të shmangur teknicitetin. Të bëhen gjërat sepse duhen bërë. Kjo është e vështirë, sepse ti duhet t’ia fillosh nga zero, duhet të përshtatesh.

****

A e ruani raportin me shqipen përmes përkthimit të autorëve shqiptarë?

Kam pasur disa eksperienca në përkthim bashkë me Teki Dervishi. Tani do të përkthej një dramë, por e kam më shumë si një pasion, qoftë nga shqipja në frengjisht dhe anasjelltas. Sepse përkthimi është një lloj interpretimi.

A ka ndonjë pasion tjetër që mbush jetën tuaj?

Merrem me meditim, me joga. Ndoshta është efekti i 40 vjeçarit. Më përpara merresha me artet luftarake por i kam lënë. E dua shumë poezinë, shkruaj. Shpesh me miqtë mblidhem dhe interpretoj. Bëj ato që themi ne: bëj ato që i kam për kokërr të qejfit…!

(Marrë nga revista Bordo)

Gent Cakaj, prej emocioneve ngatërron vargjet e Naim Frashërit (VIDEO)

Prej ditës së djeshme ka nisur në Tiranë Samiti i II i Diasporës, ku marrin pjesë figura të shquara dhe shqiptarë të famshëm në botë.

Ndër personat që folën dhe dhanë trofe për shqiptarët që kanë lartësuar imazhin e vendit në botë, ishte dhe ministri Gent Cakaj, i cili teksa u përpoq të recitonte vargjet e poemës ‘Bagëti e Bujqësi’ të Naim Frashërit është ngatërruar, i ndikuar dhe nga emocionet.

 ‘Atje lind dielli i gëzuar, dhe ha… atje dielli është i gëzuar… Atje di… atje dielli është lind i gëzuar dhe hëna e buzëqeshur… (Duartrokitje në sallë për t’i larguar emocionet) Të lutem! Fat i madh e mirësi, atë vend e ka mbuluar. Atje nata është një tjetër natë dhe dita është një tjetër ditë’, u shpreh Cakaj.

Vargjet e sakta të poemës së Naimit janë:

“Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,

Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;

Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,”

Piktura katërshekullore e zbuluar rastësisht vlerësohet mbi 150 milionë euro

Në vitin 2014, në papafingon e një shtëpie në Tuluzë të Francës ishte zbuluar një pikturë e mbuluar nga pluhuri dhe e dëmtuar nga lagështira, që dukej sikur e kishte një vlerë.

Piktura u mor nga një ekspert, Marc labarbe, i cili e pastroi atë, i dërgoi një foto një njohësi të artit dhe më pas…thjesht priti, transmeton TCH.

Pesë vite më vonë, piktura qëndron e varur në një galeri të Londrës. Bëhej fjalë për një pikturë të humbur të Caravaggios, që më në fund kishte dalë në dritë. Bëhet fjalë për ‘Judith dhe Holofernes’, që besohet se është realizuar në vitin 1607.

Lajmi i zbulimit u dha në një konferencë për shtyp të enjten dhe piktura do të dalë në një ankand më 27 qershor, në Tuluzë, ku pritet të kapë një vlerë prej jo më pak se 150 milionë eurosh.

Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një pikturë të dhunshme, por Caravaggio është i famshëm për domethënien e kamufluar nën ngjyra. Sipas tyre, piktura ka një histori të komplikuar. Ajo është krijuar pasi Caravaggio u largua nga Roma, i akuzuar për vrasje, dhe reflekton ndryshimin e dallueshëm në stilin e artistit gjatë kohës që ai ishte në azil, në Napoli.

Caravaggio u bë atje më i errët, më i zymtë dhe më ekstrem. Janë 4 dokumente që provojnë ekzistencën e pikturës, dy letra të vitit 1607 drejtuar Dukës së Mantovës, ku përshkruhet puna; një testament i vitit 1617 i një tregtari arti; si dhe një inventar i një prone në Antwerp, në vitin 1619.

Pas këtij viti nuk dihet më asgjë për pikturën, deri në momentin e rishfaqjes së saj në Tuluzë./ KultPlus.com

Image

Ura e Vashës në Mat, kryevepra e shekullit XVIII

Në Kos të Matit gjendet një kryevepër njerëzore e shek. XVIII, ura e Vashës, e stolisur me kalldrëm dhe që varet mbi lumin Mat me një hark gjysëm rrethor.

Ura e Vashës ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor.

Metoda e ndërtimit të urës është me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese. Gjatësia e urës është 11m, lartësia e saj nga sipërfaqja e ujit është 7m, gjerësia 2.8 m dhe largësia mes dy këmbëve është 7m.

Sipërfaqja e urës është shtruar me kalldrëm me gurë lumi, llaç gëlqere dhe rasa guri. Ura e Vashës ndodhet, 200 m  nga rruga e Arbrit e cila u ndërtua si vepër bamirësie nga familja, Skura. Ura vizitohet nga shumë turistë shqiptare e të huaj dhe është një nga pasurit e trashëguara të kësaj treve. / KultPlus.com

Ministria e Kulturës: Vendosja e shtatores së Skënderbeut në Lezhë do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme

Ministria e Kulturës ka dalë më një deklaratë në lidhje me shtatoren e Skënderbeut në Lezhë, bazamenti i të cilës është larguar. Sipas ministrisë, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse.

“Sheshi “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”, sipas Vendimit e Këshillit të Ministrave Nr. 728, datë 01.09.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, për këtë arsye Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi nga Bashkia Lezhë dorëzimin e projektit për shqyrtim”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës së ministrisë projekti “Vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në sheshin “Gjergj Fishta”, u dorëzua me mangësi nga Bashkia Lezhë me datë 26.02.2019 si dhe me datë 27.02.2019.

Duke vlerësuar situatën Instituti i Monumenteve të Kulturës i drejtohet Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me datë 27.02.2019 për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.

Ministria e Kulturës po ashtu ka bërë të ditur se aktualisht, projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë./ KultPlus.com

Leze Qena kujton momentin kur Bekim Fehmiu i kishte treguar që po shkonte në Hollivud

Ajo tregoi edhe për bashkëbisedimin që kishte pasur me aktorin e madh Bekim Fehmiu kur i kishte treguar se synonte rrugën drejt Hollivudit, tregoi edhe për mundësinë që i ishte ofruar asaj e Istref Begollit që të ndiqnin Akademinë e aktrimit në Beograd, e ajo kishte refuzuar përkundër inkurajimit të Xhevat Qenës, ndërsa thotë se as sot nuk pendohet për këtë vendim.

Leze Qena nuk la pa ndarë edhe kujtimet me aktoren e njohur Katarina Josipi. “Bekim Fehmiu ka ardhur në teatër pas meje dhe më tha “Leze unë po du me shku në Hollivud”, thashë “ku po i shkon mendja në Hollivud, unë mezi erdha në Prishtine e ai më thoshte që po shkon në Hollivud’.

Njeriu vetëm duhet të ketë zemër e ambicie që të arrij çkado. Mua dhe Istref Begollin na dekoruan që të shkojmë së bashku në Akademi në Beograd, kurse unë pikërisht atë vit u martova dhe nuk doja të shkoja, edhe pse Xhevati më thoshte që të shkoj”, ka thënë mes të tjerash Leze Qena.

KJo pjesë e rrëfimit është nxjerrë nga rrëfimi i Leze Qenës në “KultWoman” . KultWoman organizohet nga KultPlus dhe financohet nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./KultPlus.com

Paulin Zefi: Shtatoren e Gjergj Kastriotit do ta vendosim gjallë a vdekur

Një ditë para se të vendosej busti i Skënderbeut, IKMT ka ndërhyrë dhe ka prishur bazamentin. Kjo për shkak se Bashkia e Lezhës nuk kishte marrë leje përkatëse te Instituti i Monumenteve në Ministrinë e Kulturës.

Paulin Zefi, përgjegjës në Memorialin e Bashkisë së Lezhës ka reaguar me këtë ndërhyrje. Më poshtë po sjellim reagimin e plotë.

GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU” po pret për t’u vendosur mbi piedestalin e stilizuar dhe për të hijeshuar qendrën urbane të “Kryeqytetit të vet diplomatik”, Lissus-in e lashtë dhe të mrekullueshëm. Fatkeqësisht nuk do të vendoset me “2-Mars” me rastin e 575 vjetorit të “Bashkimit të parë politik, ushtarak, ekonomik dhe shpirtëror të popullit tonë”, por së shpejti do ta vendosim gjallë a vdekur. Të paudhët dhe antikombëtarët e realizuan “vetëm përkohësisht” atë çfarë dëshironin, por ne do ta çojmë misionin tonë deri në fund./KultPlus.com

Leze Qena: Për të shkuar në teatër mendoja se duhet të ishe e gjatë dhe e bukur si Sofia Loren

Karriera e saj ka një pikënisje që lidhet me emrin e Shemsedin Kirajtan, drejtor i teatrit amator në Prizren, për të cilin thotë se do t’i jetë mirënjohëse gjatë tërë jetës. Leze Qena mes të qeshurave tregon se nuk e kishte marrë seriozisht punën e aktrimit, sepse kishte besuar fort se nuk mund të jesh aktore nëse nuk ke një imazh si të Sofia Loren.

“Ai ka qenë drejtues i jetës time. Ai më pat thënë që duhet të shkoja në teatër në Prishtinë, por unë i thoja që mos të tallej me mua, sepse për të shkuar në teatër mendoja se duhet të ishe e gjatë dhe e bukur si Sofia Loren. Por ai insistonte se teatri kishte nevojë për mua. Unë nuk e dija që teatri kishte aktore me pamje të ndryshme”, fillon rrëfimin e saj Leze Qena.

Pjesë nga rrëfimi i KultËoman, ku ishte pjesë edhe aktorja e mirënjohur Leze Qena. KultËoman është projekt i KultPlus dhe i mbështetur nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./KultPlus.com

Leze Qena feston datëlindjen e 84-të

Aktorja e mirënjohur Leze Qena sot ka mbushur 84 vjet shkruan KultPlus. Leze Qena është një ndër aktoret e pakta që në këtë moshë është aktive në jetën kulturore, duke marrë pjesë edhe më në seriale të ndryshme televizive.

Leze Qena qysh në moshë të re ka nisë me aktrim duke qenë kështu një ndër aktoret e para të Teatrit të Kosovës, e për të vazhduar kështu edhe me shumë role të ndryshme.

Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë. /KultPlus.com

Pas Berlinit, Rama ekspozitë me piktura në Spanjë

Ekspozita “Work” (Puna) e cila vazhdon të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë Carlier Gebauer në Berlin, e kryeministrit Edi Rama, tashmë do të udhëtojë drejt Spanjës.

Ekspozita është pritur mirë nga media dhe kritika në Gjermani, që gjejnë tek kryeministri shqiptar artistin e angazhuar. Kuratori Hans Ulrich Obrist, është shprehur për punët e kryeministrit se, “arti nuk është i ndarë nga politika në punët e tij”. Por kjo ekspozitë së shpejti do të jetë në Cale Salorenco në Madrid, shkruan Gazeta Shqip.

“Rama nuk e sheh artin si një luks, por si një element thelbësor në një shoqëri funksionale, të cilën ai e përmbledh në mënyrë të drejtë në thënien e tij “kultura është infrastrukturë, nuk është sipërfaqe e thjeshtë” , shprehet Obrist.

Gjithë ekspozita ka lindur në momente pune, mbi tryezën e zyrës së tij, ku në fletë të takimeve zyrtare ai ka vizatuar imazhe që ravijëzojnë një realitet tjetër përtej politikës. / KultPlus.com

IKMT shemb në Lezhë bazamentin pa leje për bustin e Skënderbeut

Një ditë para se të vendosej busti i Skënderbeut, IKMT ka ndërhyrë dhe ka prishur bazamentin. Kjo për shkak se Bashkia e Lezhës nuk kishte marrë leje përkatëse te Instituti i Monumenteve në Ministrinë e Kulturës.

Nuk dihet se ku do të ngrihet bazamenti i ligjshëm, ndërkohë që nesër, më dy mars, do të mbahet ceremonia shtetërore për të përkujtuar “Besëlidhjen e Lezhës 1444”. Pas kësaj ndërhyrjeje të IKMT-së ceremonia do të braktiset nga pushteti vendor dhe ende nuk dihet se si do veprohet me aktivitetet e festimeve që ajo ka marrë përsipër të organizojë /abcnews/ KultPlus.com

“Djali pa nanë, si nata pa hanë”

Fundi tragjik i Et’hem Haxhiademit, shkrimtarit e dramaturgut të spikatur që është cilësuar si “babai i tragjedisë shqiptare”. Jeta dhe vdekja në burgjet komuniste rrëfyer nga Menksen Bungo, bashkëvuajtës i tij, gjithashtu shkrimtar i dënuar nga diktatura.

“Djali pa nanë, si nata pa hanë“, ishte tema e hartimit që profesori i normales së Elbasanit, Ethem Haxhiademi i kishte dhënë nxënësve të tij në Normalen e Elbasanit. Ishte mesi i natës kur profesor Et’hemi po vazhdonte punën duke korigjuar fletoret e hartimit, kur në portën e shtëpisë së tij i shfaqen hijet e errëta të xhelatëve të diktaturës. Përmes britmave shtazarake, e arrestuan, i vunë hekurat para syve të fëmijëve të tij të mitur dhe bashkëshortes dhe e nisën për në hetuesi. Atë natë të shkurtit 1947, në Elbasan ishin arrestuar dhe shumë të tjerë intelektualë në zë të këtij qyteti.

Shkrimtari Makensen Bungo, bashkëvuajtës i shkrimtarit Et’hem Haxhiademi,  ka rrëfyer jetën e vështirë nëpër burgjet e diktaturës, deri ditën kur Haxhiademi dha shpirt në burgun e Burrelit.

Natën kur u arrestua Et’hem Haxhiademi, nga burgu i madh i Elbasanit, u morën katër  të  burgosur për t’i implikuar me akuzat e të arrestuarve. Ndër ta ishte edhe Makensen Bungo. Ishin edhe Shefqet Baholli, Salim Ceka e Nazmi Fagu, që të tre të dënuar me burgim të përjeshëm. Atë natë, u mbushën plot me të arrestuar birucat e hetuesisë së Grand Hotel,  ku ishte vendosur në atë kohë Dega e Punëve  të Brendëshme. Bungo rrëfente që Et’hem Haxhiademin e kishin mbajtur në Tiranë disa muaj në tortura të tmerrshme. “Kur e kthyen në Elbasan për ta gjykuar, unë nuk e njoha. Ishte plakur shumë, ishte dobësuar e tretur.  Ishte kërrusur dhe mezi ecte. Ishte transformuar, që të vinte keq ta shikoje” rrëfente Bungo.

Një rrëfim vuajtjesh në burgjet komuniste

Të arrestuarit u mbajtën 3 muaj nëpër birucat e Grand Hotel në Elbasan, në kushte të tmerrshme. Çdo ditë e çdo natë birucat e Grand Hotel-it oshëtinin nga ulurimat e tyre dhe  spërkateshin me gjakun që u rridhte nga torturat.

Gjykimi i tyre u bë në zyrat e Degës së Brendshme me dyer të mbyllura. Në grupin e parë që u gjykua, ishte edhe Et’hem Haxhiademi. Ai u akuzua se kishte riorganizuar Ballin  Kombëtar. Dramaturgun poet e dënuan me vdekje. Kur kryetari i gjyqit ushtarak   komunikoi dënimin e tij me vdekje, ai shqiptoi menjëherë shprehjen atdhetare që thonin rilindasit tonë, kur i pushkatonin turqit. Ai thirri: ‘Rroftë Shqipëria!’ Dhe nga ajo thirrje ushtoi e gjithë salla dhe trupi gjykues shtangu.

Në këtë kohë, birucat e nëndheshme të Grand Hotel-it ranë në një qetësi. Nuk bëheshin më tortura dhe nuk ndiheshin më ulërima çdo natë, si më parë. Atëherë në atë kat të nëndheshëm, zotëronte një heshtje që të lemeriste, që të kallte tmerrin. Ishte një heshtje  të vdekurish.

Por kjo heshtje nuk vazhdonte çdo natë, sepse herë mbas here krimi shprehte urrejtjen e  tij klasore, duke vazhduar të torturonte Et’hem Haxhiademin, edhe pse ai ishte dënuar.

PUSHKATIMI 

Mbas disa ditësh, disa prej të dënuarve me vdekje, Gjykata e Lartë ua fali jetën. Dënimi i  tyre u kthye në burgim të përjetshëm. Ata të shkretët u gëzuan.

U gëzuan se u falën jetën! Atë jetë që ua kishte falur vetë Zoti. Atë jetë deshi t’ua merrte   Diktatura, t’ua grabiste duke i torturuar, që të pranonin krimet, ato krime, që nuk i kishin bërë kurrë dhe as që kishin menduar ndonjëherë, t’i bënin.

Iu njoftua ky vendim dhe ua hoqën prangat.

Tani ata do të kishin jetën, por jo lirinë. Lirinë atyre, diktatura do të vazhdonte t’ua grabiste. Tani ata do të jetonin pa liri, pa familje, pa njerëz, pa gjallëri, pa gëzime, në një jetë të heshtur, në një jetë të mërzitshme, në një jetë të trishtueshme, në një jetë të vdekur. Tani ato do të vuanin gjithë jetën nëpër kanale, nëpër miniera, nëpër moçalishte, duke luftuar me vdekjen, për të jetuar lirinë e ëndërruar, atë liri, shpresa e së cilës rrinte e  fshehur në ndërgjegjen e tyre.

Po atë ditë ata i dërguan në Burgun e Madh të qytetit.

Tani në birucat e nëndheshme të Grand Hotel-it mbetën vetëm të dënuarit me vdekje që do të pushkatoheshin dhe ne të katërt, që ishim dënuar që më parë.

Të dënuarit me vdekje, të lidhur me pranga, rrinin të ndarë në ato biruca në heshtje, në  shoqëri me vdekjen. Rrinin e mendoheshin, mendoheshin dhe kujtoheshin. Kujtonin akuzat e rrema që u kishin bërë, torturat që u kishin bërë, procesverbalet, që kishin firmosur në  gjendje agonie, kujtonin procesin gjygjësor, fjalët e prokurorit, akuzat e trupit gjyqësor    dhe vendimin e gjyqit, atë vendim të tmerrshëm, të hatashëm, vendimin me vdekje që i  ushtonte ende: ‘Me vdekje! Me vdekje! Me vdekje!’ Mendoheshin dhe kujtonin njerëzit e  familjes së tyre, që nuk do t’i shikonin më kurrë, prindërit, gruan e re të porsamartuar,   fëmijët që pritnin t’u ktheheshin baballarët, por nuk do t’u ktheheshin më, kujtonin  kushërinjtë, shokët, miqtë…

Ata ishin shtatë gjithsej: Dhe midis tyre ishte edhe Et’hem Haxhiademi.

Po ky njeri, Et’hem Haxhiademi, vallë apo mendonte dhe apo kujtonte edhe ai si të  dënuarit e tjerë me vdekje?

Edhe ai po mendonte dhe po kujtonte si të dënuarit e tjerë me vdekje, por jo gjithënjë, sepse atë, si kemi thënë, vazhduan ta torturojnë edhe mbasi u dënua me vdekje. Ai  shkrimtar edhe pse jetonte nën ankthin e vdekjes, duhej torturuar, duhej të vante, që ata  njerës të ushqyer me krimin, të shuanin urrejtjen për këtë njeri të madh. Dhe nga këto   tortura të vazhdueshme ai u bë një skelet i gjallë, kur e nxirrnin për të shkuar në banjë,  mbahej te muri, se nuk kishte më fuqi të qëndronte në këmbë dhe së fundi edhe të eci këmba doras.

Kjo gjendje vazhdoi deri në mengjesin e datës 9 mars të vitit 1948, kur në bincat e Grand  hotelit zbritën disa oficerë dhe policë duke uluritur e duke qeshur.

Erdhi dita e pushkatimit. Erdhi çasti i vdekjes. I nxorrën nga birucat me radhë për t’i  pushkatuar: Zija Lunikun, avokatin e nderuar të Elbasanit, Fadil Gurmanin, mësuesin  idealist të shkollës ushtrimore, Kamer Kazazin, mësuesin e talentuar që kishte mbaruar  shkollë e Fullcit, Mahmut Macin, mësuesin e bujqësisë të shkollës Normale, Mehmet Elezin,  atdhetarin e papërkulur të Peqinit, dhe Xhaferr Mirakun, ish luftëtarin e Luftës së Spanjës ,  luftëtar dhe bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, dhe ish komandant i një brigade partizane.

Et’hem Haxhiademin nuk e nxorrën nga biruca. Ai nuk do të pushkatohej. Atij njeriu i  ishte falur jeta.

Në lidhje me këtë fakt është shprehur mendimi se duhet të ishte bërë një ndërhyrje tek    diktatori Enver Hoxha, sepse akuzat kundër Et’hem Haxhiademit ishin shumë të rënda.    Por se cili ose cilët e kishin bërë këtë ndërhyrje janë shprehur tre variante. Një variant  është se ndërhyrjen do ta ketë bërë profesor Aleksandër Xhuvani me Omer Nishanin.  Varianti i dytë është se do ta ketë bërë po Aleksandër Xhuvani por tok me Ymer Dëshnicën, ndërsa varianti i tretë ishte prap po me prof Xhuvanin, por tok me prof. Kostaq Cipon. Në  të tre variantet del figura e profesor Aleksandër Xhuvanit dhe kjo duhet pranuar, se ai ishte figurë e vjetër atdhetare, se ishte personalitet i lidhur shumë me Qeverinë e atëhershme   dhe se ishte babai i dëshmorit Ptoleme Xhuvani.

AMANETI

Në ato biruca të Hotel Grand-it tani ishim vetëm pesë vetë, katër ne të burgosurit të mëparshëm dhe Et’hem Haxhiademi, tani i dënuar me burgim të përjetshëm. Sigurisht që  ekzekutimi i të gjashtë të dënuarve na dëshpëroi shumë, se ishin njerëz të mirë, të  ndershëm, atdhetarë dhe të pafajshëm. Por, edhe ulja e dënimit të Haxhiademit na gëzoi.

Ne u gëzuam, por edhe krimi, sepse iu fal jeta, u inatos edhe më shumë dhe e shprehte  urrejtjen dhe inatin ndaj këtij shkrimtari, duke i vazhduar torturat më shpesh dhe më të  egra. Ai arriti një ditë, që po ta shikonte ndonjë njeri në atë gjendje, me siguri nuk do ta  njihte se cili ishte.

Mua atëherë, meqë isha shumë i ri, afër njëzet vjeç dhe më dënim të pakët në krahasim  me të tjerët, policët që shërbenin në birucat e nëndheshme qëllonte që më nxirrnin në  koridorin e birucave për të bërë pastrimin e tij, nën mbikqyrjen e tyre dhe me porosi që  të mos komunikoja me ‘armikun e poullit’, Et’hem Haxhiademin.

Një ditë rastisi që, ndërsa unë po pastroja koridorin, polici hapi derën e birucës së  Haxhiademit, që ai të shkonte në banjë dhe vet u ngjit lart. Haxhiademi doli nga biruca   dhe ne të dy u ndodhëm ballë për ballë. Haxhiademi me mundim të madh dhe duke  rënkuar, m’u  afrua, më kapi duart dhe më porositi që kur të përmbyset diktatura, të  shkruaja një tragjedi për atë, duke u bazuar mbi vuajtjet e tij aty. Unë u shtanga. Ai shtoi  se po më linte një amanet dhe amanetin nuk e tret as dheu. Kaq më tha dhe u largua. Këtë amanet ma ka përmendur më vonë disa herë, kur ishim të dy në kaushin e tretë të Burgut të Madh të Elbasanit. Ma kujtoi edhe më vonë, kur unë u lirova nga burgu. Duke u përshëndetur, ai më tha: Mos e harro amanetin!

NËPËR  BURGJE

Ethem Haxhiademin nuk e mbajtën shumë kohë në Burgun e Madh të Elbasanit. Jo më  shumë se katër vjet. Prej këtej, bashkë me disa të burgosur të tjerë të dënuar rëndë, e  dërguan në Kalanë e Gjirokastrës. Nuk dihet se sa kohë e mbajtën atje. Prej andej, e dërguan në burgun e Burrelit, ku diktatura grumbullonte të burgosurit më të rrezikshëm.

Në burgun e Elbasanit, e kanë mbajtur vazhdimisht në kaushin e tretë. Kështu quheshin  atëherë dhomat e burgut, kaush. Ky kaush ishte kaushi më i keq i atij burgu. Atje nuk  hynte kurrë dielli. Në burgun e Elbasanit, Haxhiademin mundoheshin ta ofendonin. Por dhe ai mundohej të mos u jepte ndonjë shkak. Kështu, për shembull, kur makina që sillte  bukën për të burgosurit prishej, komanda e burgut nxirrte të burgosur me dënime të ulët  të merrnin bukën, duke e sjellë në krah. Bashkë me këta  të burgosur, caktonte edhe Et’hem Haxhiademin. Ai nuk kundërshtonte. Shkonte me të tjerët në furrë, ngarkonte thesin me bukë në kurriz dhe ecte me kokën lart, në mes të qytetit, bashkë me të burgosurit e tjerë.

Unë, disa muaj, kam ndenjur në një kaush me atë. Madje, rastisi që edhe të rrija e të flija  ngjitur me atë.

Ishte njeri i heshtur. Nuk fliste pa e pyetur njeri. Më shumë mendohej, se sa fliste. Dhe  kur fliste, fliste me ngadalë dhe me zë të ulët. Nuk hapte vetë ndonjë bisedë, vetëm dëgjonte të tjerët dhe nuk ndërhynte në debate. Nuk pranonte të hynte në biseda politike. Kur fillonte ndonjë bisedë e tillë, largohej. Ndoshta se ishte ende nën ndikimin e tmerrit të torturave të hetuesisë.

Kur i vdiq i vëllai i vetëm, priti në heshtje ngushullimet nga të gjthë të burgosurit e kaushit. Kur bisedonim për letërsinë, fliste me respekt për at Gjergj Fishtën dhe lavdëronte  Lasgush Poradecin, Mitrush Kutelin dhe Ernest Koliqin. Shpesh thoshte, se i vinte shumë  keq që i kishin sekuestruar bibliotekën.

VDEKJA

Mbasi jetoi një kohë të gjatë nëpër burgjet e tmerrshëm të diktaturës, ky njeri ndërroi jetë në burgun e Burrelit, në 17 mars 1965, në moshën 63vjeçare.

Vdiq ai njeri që e deshi jetën. Vdiq ai njeri që shkroi për jetën. Vdiq ai njeri që ia rrëmbyen jetën. Një jetë e pastër. Një jetë e kulturuar. Një jetë shqiptari. Sa nevojë ka Shqipëria për jetë të këtilla. Vdiq. Por vdekja e tij është misterioze. Mund të ketë qenë e natyrshme, por mund të ketë qenë edhe kriminale. Kështu, prifti Konrran Gjolaj O.F.M . thotë se ka vdekur mbas dy muajsh që pësoi një atak natën në gjumë: ‘‘Një ditë i ra të  fikët në oborr. U ndodha afër dhe i dhashë ndihmën e shpejtë e thirra infermieren. Erdhi dhe e mori me vete n’infermieri. U kuptue se kishte qenë infrakt. Kur erdhi në dhomë, me dashamirësi e këshillova me kenë i kujdesshëm se po t’u përsërit edhe nji herë, do ta kesh pisk. Mbas dy muajsh, kur kishte ra me fjetë, kishte vdekur në gjumë’’. Diktatura i  mohoi  lirinë dhe më vonë i vodhi edhe jetën.

Por këtij njeriu, nuk i dihet edhe se ku janë varrosur eshtrat e tij. Mbasi u shkërmoq  komunizmi, një komision i Shoqatës të ish të përndjekurve politik të Elbasanit u mundua  të gjejë eshtrat e këtij njeriu. Takuan në Tiranë infermierin e Burgut të Burrelit, por ai nuk  tregoi gjë. Shkuan e pyetën në Burrel, njerëzit tundnin kokën të helmuar. Shkuan në  Burgun e Burrelit, ai ishte kthyer në një gërmadhë. Qershia ishte zhdukur. Njëri nga ata  më tha se në një gropë kishin parë eshtra njerëzish. U kthyen në Elbasan të mërzitur për  qëndrimin e qeverisë, të partive politike, të shoqatave të ndryshme, për mosinteresimin  për këtë problem atdhetar. Në fund, kur familja i humbi çdo shpresë se mund të gjendeshin eshtrat e njeriut të tyre, ndërtoi në mes të varrezave të Elbasanit, një varr fiktiv me  mermer të zi, ku u shkrua ky epitaf: ET’HEM HAXHIADEMI, 1902 – 1965.

Po të kaloni në Elbasan, shkoni dhe e vizitoni atë varr dhe përkuluni me respekt para   kujtimit të atij njeriu.

VLERËSIME

Për vlerën letrare të veprave të tij, por edhe për veprimtarinë e tij atdhetare që ai zhvilloi,  Et’hem Haxhiademi zë një vend të veçantë në sofrën e shkrimtarëve atdhetarë shqiptarë.

Ai është themeluesi i tragjedisë shqiptare, nga shtatë tragjeditë që shkroi. Ai është poet dhe poezitë e tij edhe sot lexohen me ëndje, ai është romancier, pavarësisht se dy romanet që shkroi nuk u botuan dhe humbën bashkë me një dramë, ai është edhe shkrimtari që ktheu në shqip kryeveprën e Vitgilit.

Haxhiademi ishte politikan me ide republikane, antikomunist. Punoi dhe luftoi për çlirimin e Shqipërisë në krahun e djathtë të politikës shqiptare dhe përmendet edhe si veprimtar në  Konferencën e Mukjes.

Njeri me karakter të fortë, idealist me pikëpamje republikane. Punoi dhe luftoi për çlirimin  e Shqipërisë në krahun e djathtë të politikës shqiptare. E shohim edhe veprimtar në Konferencën e Mukjes.

Gjatë Diktaturës u arrestua, u torturua tmerrësisht, u gjykua, u quajt nga trupi gjykues   kriminel dhe u dënua me vdekje. Kur kryetari i gjykatës ushtarake njoftoi dënimin e tij me vdekje, ai thirri ‘Rroftë Shqipëria!’’. Iu fal jeta nga Diktatori se ndërhynë njerëzit që e  vlerësonin, vuajti vite të tëra nëpër burgjet e tmerrshëm dhe së fundmi, vdiq i helmuar nga diktatura, që të mos dilte i gjallë nga burgu.

Mbas shkërrmoqjes së diktaturës komuniste Et’hem Haxhiademi u vlerësua me të drejtë si shkrimtar e atdhetar dhe vepra e tij filloi të studjohet në shkollat e mesme të vendit tonë.

Mbas shkërrmoqjes së Diktaturës, shkrimtarë, kritikë, analistë e gazetarë nga Shqipëria e Kosova, u morën me veprën e Haxhiademit. Po shënojmë disa nga vlerësimet e tyre:

Analisti i mirënjohur Eugjen Merlika e ka vlerësuar veprën e tij dhe Haxhiademin e ka  quajtur  ‘Dramaturgu i njohur’.

Zoti Josif Papagjoni e ka përcaktuar Et’hem Haxhiademin, ‘Dramaturgu i heronjve mitik’ dhe për atë shkruan: ‘I pajisur me koncepte letrare e teatrore të kohës, ai u bë në dramën  shqipe, një nga stilistët dhe udhëhapësit e modelit mitologjik e modernist, duke risjellë në  subjektet e moçme, shtresime e ngjyresa të kohëve aktuale, me theks mbi anët morale  dhe ekzistenciale të njeriut.’

Shkrimtari Tomorr Plangarica shprehet mbi zhvillimin e mesazheve në tragjeditë e  Haxhiademit, se ato lindin dhe nisin të përçohen nga përplasja artistikisht, përmes një  veprimi dramatik në tragjedi, ato janë të kapshëm, të pranueshëm dhe të dëshiruar nga  publiku dhe lexuesi i thjeshtë.

Studiuesi Anton Cefa, duke u bazuar në vlerën e veprave të këtij shkrimtari, shprehet: Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plot gojën që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Ne themi se Naimi është pjellë e vonë e romantizmit, siç e ka cilësuar Cabej, Haxhiademi është pjellë tepër e vonë e klasicizmit  ……

Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla dhe nga historia e jonë e herëshme dhe mesjetare, trajtoi probleme shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare. Kështu që, veprat e tij kanë karakter të theksuar edukativ dhe didaktiv.

Në veprën ‘Elbasani, Enciklopedi’,  Et‘hem Haxhiademi është cilësuar si më i miri  dramaturg i periudhës midis dy luftrave.

Ndërsa at Konrrad Gjonaj O .F.M., kur ai vdiq, është shprehur: ‘Kombi shqiptar humbi nji  njeri të madh.’

EPILOG

Këtë monografi do ta përfundoj me një propozim.

Kemi përpara 50-vjetorin e vdekjes të shkrimtarit dhe politikanit Et‘hem Haxhiademi, 17 mars 2015.

A nuk do të ishte mirë që me rastin e këtij përvjetori, qyteti i Elbasanit të zbukurohet me  një shtatore të Et‘hem Haxhiademit? Pse nuk e meriton ky njeri këtë vlerësim?

Sa madhështor do të duket Elbasani, kur midis shtatoreve të Kostandin Kristoforidhit, Aqif  Pashë Biçakut, Aleksandër Xhuvanit dhe Isuf Myzyrit, të vendosej edhe shtatorja e Et‘hem  Haxhiademit, themeluesit të tragjedisë shqiptare! Do të ishte krenari për qytetin e  Elbasanit.

Besoj që Bashkia, partitë politike dhe intelektualët e Elbasanit do të nxiten për realizimin  e këtij propozimi.

Njerëzit që na nderojnë, duhet t’i nderojmë. Fundja, kjo është një detyrë atdhetare.Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën e kujto.al

Filharmonia të dielën bënë bashkë muzikën dhe dhembjen për të pagjeturit

Të dielën Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin e radhës i cili do të veçohet pasi që në koncertin e kësaj mbrëmje rrëfime të familjarëve të të pagjeturve do bëhen një me veprën hipnotike të Arvo Part-it në interpretim të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, violinistit Visar Kuçi e dirigjentit Gregory Charette.

Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve 

Intergra dhe forumZDF programi në Kosovë kanë intervistuar familjarë të të pagjeturve dhe kanë sjellë kujtimet e tyre në formën vizuale. Ato fillimisht qenë prezantuar në formatin e video-ekspozitave me fotografi të realizuara nga Atdhe Mulla dhe regji të Kushtrim Koliqit. Në shkurt të vitit 2019, këto fotografi u instaluan në një hapësirë institucionale (Kuvendi i Kosovës) ku dialogu për ta është domosdoshmëri dhe obligim për t’i dhënë fund pritjes së tyre të përhershme.

Kuratorja e ekspozitës Eliza Hoxha, gjendjen e familjarëve të të pagjeturve, në pritje tash e 20 vjet e paraqet si një tunel të pafund të formësuar në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Në koncertin e kësaj mbrëmje rrëfime të familjarëve të të pagjeturve do bëhen një me veprën hipnotike të Arvo Part-it në interpretim të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, violinistit Visar Kuçi e dirigjentit Gregory Charette. “Fratres” është vepër pa orkestrim fiks dhe përshkruhet si “set hipnotizues i variacioneve në një temë, që kombinon aktivitetin e çuditshëm dhe heshtjen sublime”, e thjeshtë dhe komplekse në të njëjtën kohë, po aq sa procesi i ballafaqimit me të kaluarën përmes njohjes së natyrës universale të vuajtjes njerëzore dhe solidaritetit./ KultPlus.com

Ministri Gashi: Vlerat frankofone të nevojshme për kulturën e Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Aleancën Franceze të Prishtinës me qëllim të mbështetjes financiare të projekteve që kanë të bëjnë me promovimin e Frankofonisë në Kosovë, tashmë pas avancimit të statusit të Kosovës si anëtare e asocuar në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).

Në bazë të marrëveshjes, të cilën e nënshkroi ministri Kujtim Gashi në emër të MKRS-së, në prezencën edhe të Ambasadorit të Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, Aleanca Franceze e Prishtinës subvencionohet me shumën prej gjashtë mijë euro, shumë përmes së cilës do të promovohet Frankofonia në Kosovë, duke e pasur parasysh faktin se një gjë e këtillë është edhe vullnet i Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rast, ministri Gashi, vlerësoi se vlerat kulturore evropiane e me theks ato franceze, janë në interes të MKRS-së që të promovohen në Kosovë dhe t’u jepet hapësira e nevojshme.

“Duke e pasur parasysh kontributin e Republikës së Francës e cila ka dhënë për shtetndërtimin e Kosovës si një shtet mik dhe partner strategjik i Kosovës, promovimin e Frankofonisë në vendin tonë e shohim në këtë prizëm. Nëpërmjet kësaj marrëveshje ne do të mundohemi që sadopak t’i japim një nxitje të mëtejme promovimit të Frankofonisë me projekte konkrete dhe të cilat do të jenë në dobi dhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.

Ambasadori i Francës Chabert, falënderoi ministrin dhe MKRS-në për mbështetjen e Frankofonisë duke e bërë të mundur kështu që të realizohen shumë projekte në kuadër të Frankofonisë.

Nga ana tjetër, Dafina Bytyqi, përfaqësuese e Aleancës Franceze, e falënderoi ministrin për përkrahjen e treguar dhe gatishmërinë që vlerave frankofone t’u krijohen mundësitë dhe hapësirat e nevojshme. / KultPlus.com


Inarritu kryeson jurinë e Festivalit të Filmit në Cannes

Regjisori meksikan Alejandro Gonzalez Inarritu (55) – i cili më 2015 me “Birdman” pos “Oscarit” për filmin më të mirë mori edhe atë për skenarin dhe regjinë më të mirë e më 2016 me “The Revenant” mori “Oscar” për regjinë më të mirë – do të kryesojë jurinë e edicionit të 72-të të Festivalit të Filmit në Cannes, që mbahet prej 14 deri më 25 maj.

Përzgjedhja e një regjisori meksikan në pozitën e kryetarit të jurisë së Festivalit do ta “nderojë krejt kinematografinë meksikane” përderisa do të nxjerrë në plan të parë regjisorin e cili nëpërmjet realitetit virtual ua ka mundësuar shikuesve që të njihen me ferrin nëpër të cilin kalojnë emigrantët. Këtë e bëri me filmin “Flash and Sand” me të cilin më 2018 mori “Oscar” në kategorinë për arritje të veçanta, përcjell sot Koha Ditore. 

Vitin e kaluar jurinë e Festivalit të Cannes e ka kryesuar Cate Blanchett, e cila ka luajtur në filmin e Inarritus, “Babel” të vitit 2006. Asokohe regjisori meksikan mori “Palmën e Artë” për regjisorin më të mirë. Vitin e kaluar “Palmën e Artë” e ka marrë regjisori japonez Hirokazuu Koreedi për filmin “Shoplifters”.

“Prej fillimit të karrierës, Festivali i Filmit në Cannes për mua ka qenë i një rëndësie të veçantë. Jam shpërblyer dhe më vjen mirë që do të rikthehem edhe sivjet. Pakrahasueshëm jam krenar që do ta kryesoj jurinë. Kinemaja rrjedh nëpër venat e planetit tonë e ky festival është sikurse zemra e tij”, u ka thënë Iñarritu gazetarëve./ KultPlus.com

Aurela Gaçe: Deri dje me pasul, sot nxjerrin në pah firmat e rrobave

Aurela Gaçe nuk njihet vetëm si një nga këngëtaret më të mira të skenës shqiptare. Ajo është padyshim e adhuruar nga publiku për vokalin dhe repertorin e mrekullueshëm, por edhe për sinqeritetin që ka përballë tyre.

Shpesh, Aurela zgjedh të flasë për fenomene të caktuar të përditshmërisë që na prekin të gjithëve, duke shprehur opinionin e saj pa dorashka. Edhe mbrëmjen që lamë pas, këngëtarja ka shkruar diçka që ja ka dedikuar të gjithë atyre personave që kanë maninë të tregojnë veshjet e shtrenjta ose firmë.

“Mundohem të mos i gjykoj njerëzit dhe gjej nga një justifikim për veprimet e tyre, por këta që nxjerrin akoma në pah firmat e rrobave, më duket se nuk dinë të gëzojnë plotësisht paranë që me ‘mund’ kanë mbledhur. Të mburresh akoma me emrin që ke veshur më duket kaq varfëri. Shpirtërore, sigurisht. Nejse… Do thoni ju, po mirë, ka mundësi dhe pse jo? Po, po dakort, vetëm se fakti që e tregon më bën të qesh. Mendoja se kishte rënë pak fluksi i pordhacëve bosh të këtij fshatit tonë madhështor, ku paradën e bëjnë pikërisht ata që dje mbase edhe buka u mungonte. (Kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot tregojnë). Ka shumë të pasur që kurrë nuk u mësuam se çfarë veshin, çfarë hanë, ndoshta ngaqë ata janë bërë të pasur falë pasioneve, në kundërshtim nga këta tanët që pasion kanë lekun. (Ta gëzojnë vetëm të mos harrojnë fasulet… T’i ziejnë e ta derdhin ujin e parë, se përndryshe do ju grisen brekët nga p….)”,-e mbyll fjalën Aurela./revista who

Mësuesit në Kosovë i kishin thënë Dua Lipës: Nuk ke zë, këndimi nuk është për ty

Kosovarja Dua Lipa e cila është shndërruar në një yll të madh botëror, nuk e kishte këtë shtytje nga mësuesit e muzikës në Kosovë, shkruan KultPlus.

E vlerësuar së fundi me Grammy dhe Brit Awards, Dua Lipa përpjekjet për muzikë i kishte nisë si e vogël në Kosovë.

New York Magazine kishte shkruar një shkrim më herët për këtë përballje të Dua Lipës, ku mësuesit në Kosovë i kishin thënë se nuk ka zë, dhe po sipas këtij shkrimi, një mësuese kishte shkuar aq larg sa atëherë i kishte thënë se ajo nuk mund të arrij notat e larta dhe këndimi nuk është për të.

Dua Lipa sot konsiderohet si një ndër yjet më shpërthyese në botë dhe karriera e saj pos në muzikë, tashmë është edhe në film dhe në kampanja të ndryshme. /KultPlus.com

RTSH, mikpritëse e Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjentëve

Shqipëria  bëhet mikpritëse e një konkursi  krejt të veçantë e të pazakontë për mjedisin tonë muzikor : Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjentëve.  Ka udhëtuar më parë  ky konkurs në  Itali, Francë, Hungari  e të tjerë, në  çatitë muzikore më të njohurat  e botës. Sigurisht që  garancia artistike që  jep Orkestra Simfonike e RTSH-së bëri të mundur që RTSH të jetë mikrpritës i një aktiviteti me përmasa  shumë të mëdha e që domosdo do të lërë gjurmë në jetën  artistike të vendit.

Per kete qellim Orkestra Simfonike e RTSH-së në bashkëpunim me Agjensinë Ndërkombëtare të Artistëve Studiomusica të Hungarisë  po punojnë prej kohësh  për të realizuar  një veprimtari të denjë e prestigjoze , duke  qenë në mbështetje të performancës së dirigjentëve që do jenë pjesmarrës nga vende të ndryshme të botës. Në datat 2 deri më 8 mars  ky formacion artistik, do të jetë në vëmendjen e publikut artdashës   permes kesaj ngjarjeje të  veçantë artistike. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë konkurruese, do të zhvillohet faza finale e këtij konkursi ndërkombëtar i cili do të konceptohet në formën e koncerteve . E gjitha kjo ngjarje e madhe artistike do të ketë si bazë realizimi : Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Ky asset i  vyer i këtij institucioni, ka  rastin të  afishojë edhe një herë  aftësitë dhe performancën e lartë artistike, por edhe të dëshmojë se zgjedhja e tij nuk ishte e rastësishme.

Gjatë këtyre ditëve konkurrentët do të prezantohen  kryeveprat e muzikës botërore si:

P.I. Tchaikovsky: Serenatë për vargjet në C major op. 48
L. van Beethoven: Overture “Prometeu”
Ë. A. ​​Mozart: Symphony 39 në banesë K 543
G. Rossini: Sinfonia nga “Il barbiere di Siviglia” (Ricordi Edicioni kritik nga A. Zedda)
L. van Beethoven: Symphony n ° 5 Lëvizja e parë, e tretë dhe e katërt
S. Prokofiev: Sinfonia nr. 1 në D major “Klasike” Op. 25

Përzgjedhja  e çmimeve fituese do të realizohet nga juria profesioniste ndërkombëtare ku marin pjesë personalitete të shquara në këtë fushë si:  Zhani Ciko (Shqipëri), Kryetar i jurisë, Bernt E. Bauge (Norvegji), Kryeshef Ekzekutiv, Bergen Philharmonic Orchestra; Maurizio Cocciolito (Itali), Drejtor Artistik, Solisti Aquilani; Géza Kovács (Hungari), President i Orkestrës Kombëtare të Radios Kombëtare Hungareze; Vittorio Parisi (Itali), Drejtues  i Konservatorit Giuseppe Verdi në Milano.

Pas përfundimit të konkursit do të shpallen tri çmime fituese të cilëve do t’u jepet mundësia për t’u prezantuar në koncerte me Orkestrat Simfonike më në zë në Europe si: Orkestra Filarmonike e Bergen (Norvegji),  Manila Symphony Orchestra (Filipine), Orkestra e Dhomës Comunidad Valenciana (Spanjë), Orkestra Simfonike e Budapestit MAV (Hungari),  Orkestra Simfonike e Lindjes së Largët, Khabarovsk (Rusi).

Studim thellësor në perspektivën e këndvështrimit ndryshe

Alush Avduli

STUDIM THELLËSOR NË PERSPEKTIVËN E KËNDVËSHTRIMIT NDRYSHE

Mbi studimin e Anton Nikë Berishës Tronditjet shpirtërore si mesazhe poetike (Për poezinë e Agim Matos). Milosao, Sarandë 2019

Tanimë me mungesën e dyshimit guxoj të pohoj se “Tronditjet shpirtërore si mesazhe poetike’’ studim i Anton Nikë Berishës për poezinë e Agim Matos, si i pazakontë rrëshqet drejt veçimit. Është virtyti i leksikut erudit, estetik e filozofik që përparon për fanitjen e përhumbur tek ardhmëria. Veças krijuesit e vërtetë nuk e njohin krahasimin. Të gjithë bashkë ngjajnë me sahatë të paqëllimtë që gjithkush vështron orën e tij dhe në peshore si dinjitoze dalin pa peshë. Po ku ta dinë mendjet e paajrosura se në poezi numrat nuk numërojnë, metrat nuk matin dhe aq më keq lavdërimet në brohorimë  nuk lavdërojnë.

Po të dritësosh pak vëmendjen këto i kundron edhe në këtë studim të Anton Nikë Berishës, të miqësuar tejet me alkiminë e shpirtit poetik të Matos, me humnerat dhe hapësirat e tij farfuritëse ku shpërfaqet poezia – pulëbardhë flatëruese, eterike, si dritë që nuk njeh shuarjen. E çlirët, ndjeshmëri e brishtë kaotike si copëz përjetësie. Në rënien e tiranisë kërkon plagët e saj. Si përrethësi e poetizuar në çdo metër katrore është gjerësi e pamatë, tingëlluese, vegimtare në universalizmin e lirisë. Fundo në misterin e mëvetësisë.

Në nivele të epërme absolute e copëzuar, errësirë e zhvirgjëruar nga vezullimi flakërues, pllenuese e vazhdimeve. Anije e dehur me aventurën e lundrimit në pabregzim. Furi e një ligjërimi strukturor, në tronditje, dalldi e ritëm. Risike deri në vdekjen e së shkuarës. Fjalët gjallërojnë, lëvizin, përthyhen, provokojnë, manifestojnë në ngritje vibruese nga dëshira  për të përfshirë gjithçka. Në betejë: cilësia kundër sasisë.  Edhe pse e vetmuar si “Shkretëtirë Harrimi’’ arrin të çlirojë një energji magjepse tejet drithëruese. Demiurg kaq i rrallë si Agim Mato përherë në befasime spirale e fshehin të padukshmen tek dukshmëria.  Këto ndjesi  keni për t’i gjetur  edhe më shumë në meditimin e përkorë të profesor Anton Nikë Berishës, në filologjinë e tij kaq të begatë, që është bërë njëjtësi me Poetin, për të thënë se një vepër  madhore tani ka mbërritur, ndaj nuk mund të zhbëhet më. Në këtë libërth është thellësia e një koshience transcendentale në perspektivën e këndvështrimit ndryshe, që vëzhgon, këlthet e në esencën e vet thadron vlerat  e natyrshme, format e realitetit narrativ, të vagullta e marramendëse…

Larg puritanizmit tradicional, manierave dhe pozimeve inferiore nga huazimet,  botën e tij diturake ngjyrosur me filozofimin sa të ndjerë e  ftillues, e lavdëron vetëm mrekullia e kënaqësisë estetike. / KultPlus.com

Ma vranë Sarajevën

nga Robert Shvarc (Sarajevë, 1932 – Tiranë, 2003)

Ma vranë Sarajevën,
qytetin ku më ka rënë koka,
qytetin përjetësisht të dashuruar,
ku puthej lindja me perëndimin
dhe kishat rrinin pranë xhamive
dhe pranë sinagogave
të zëna për dore,
ku gjindja ishte përherë gazmore
dhe i donte këngët
dhe i donte lulet…

Ma vranë Sarajevën –
dhe Milaçka e kristaltë
gjarpëron tani e kuqe
përmes qytetit të martirizuar…
Ah, ç’ngjyrë tjetër veç asaj të gjakut
mund të lerë pas thundra e një viçi –
iliçi, visarionoviçi,
milosheviçi?

Ma vranë Sarajevën! –
pesëdhjetë vjet kam pritur
ta shihja edhe një herë
qytetin ku kam lindur,
qytetin vetëm pesëqind kilometra larg
që këtej! –
pesëdhjetë vjet kam pritur…

Tani s’dua ta shoh më:
s’kam zemër që të shoh gjithë atë gjak,
gjithë ato kufoma,
mu në zemër të Evropës,
mu në fund të këtij shekulli!

Do ta ruaj në kujtesë
ashtu të hirshme siç e lashë
në fëmijëri,
ashtu të butë dhe njerëzore,
ashtu gjithë tinguj e poezi…

Ma vranë Sarajevën!
Sarajevën më s’e pashë!

Ditari i Sadijes në vitet ‘90, kur udhëtonte me Dritëroin në Francë

Elona, e bija s’mund të thotë dot asnjë fjalë. 27 shkurti është dita kur përcillet me nderime dhe lot për në banesën e fundit, nëna Sadije Agolli. Shkoi pranë Dritëroit, dy vjet pas vdekjes së tij. Pesha e dhimbjes është dyfishuar. “Kishim lënë shumë punë në mes me mamim”-ia plas vajit Elona. Ishin punë që lidheshin me veprën e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Elona ka zbuluar edhe disa shënime të nënës Sadije, shënime që dëshmojnë shumëçka e dëftojnë të thëna e të pathëna për kohën, për raportet me të panjohurën botë të Perëndimit.

Vajza e tyre është krenare kur zbulon këto shënime të sinqerta të prindërve të saj. I quan me të drejtë fisnikë e plot vlera. Kjo thjeshtësi rrëfimesh në ditarin e mbajtur gjatë qëndrimit disaditor në Francë, na bënë që t’i rikthehemi bisedës së ndërprerë me Sadije Agollin, që u përcoll për në banesën e fundit si një kryezonjë, si një pjesë e pandarë e trupit të shkrimtarit Dritëro Agolli që ndërroi jetë dy vjet më parë, më 3 shkurt 2017.

Fjalë, ndjenja dhe kujtime fantastike nga Sadije Agolli!

                   08.06. 1990

“Kemi katër ditë në hotelin Monparnas- Hotel me 3 yje , nata 120 dollarë. Dhoma është e vogël, me minibar që nuk guxojmë ta hapim. Shoqëruesja Ana Renard na tha që bëjnë shumë shtrenjtë. Çdo gjë është e shtrenjtë. Një fustan me lule bën 110 dollarë. Rrobat e mia janë si të një fshatareje. Dhomën e kemi nga rruga me shumë zhurmë. Deri tani kemi takuar drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës në Ministrinë e Jashtme , zonjën Gaudini që na dha programin. Kemi parë muzeun Zhorzh Pompidu, një mrekulli. Shëtitëm mbi tre orë atje, pamë me qindra të rinj në bibliotekë ku lexonin, ku mësonin gjuhë të huaj, ku dëgjonin muzikë e vështronin piktura të artit modern. Në një qoshe ishte kafeneja, ku rrinin gazetarët, të rinj ,ndërsa në një shesh ishin të rinj muzikantë, piktorë, që nxirrnin ndonjë lekë. Pamë edhe një ekspozitë pikture të aplikuar nga një piktor austriak, Andre Korabi.

   10.06.1990

Dje morëm pesë kopjet e Zylos. Hëngrëm një drekë me Gytin* (përkthyesi i romanit )në një restorant në periferi. Gyti prishi rreth 400 dollarë, vetëm me dy shishe verë. Sot ishim rreth 3 orë në Louvër. Pamë një pavijon skulpture dhe pavijonet e pikturës franceze. Drejtori i muzeut ishte shumë xhentil dhe na shoqëroi gjithë kohës. Gjithë këto ditë kam qenë e hutuar, depresive, me dhimbje. Është një botë e pakonceptueshme për ne. Në muze kishte që nga nxënësit e vegjël të shkollave që bënin me mësueset orë mësimi deri tek të moshuarit nga gjithë anët e botës. Më erdhi keq që nuk kisha marrë aparatin. Drekën e hëngrëm në një restorant, Baltimore, shumë luksoz me një kryetar komiteti të kulturës, i ri, shumë i kulturuar dhe me shumë protokoll. Ishin të ftuar Mabëno, drejtor drejtorie i botimeve, Giju, shef i redaksisë në Gallimard, Gyti dhe Ana. Giju foli shumë mirë për librin. Dritëroi nuk është çkontraktuar. 
                       ***

Njeriu më i çuditshëm dje në ora 4.30 ishte Zhan Didnjë. Njeri ekstremist , në një zyrë me tavolinë trekëndëshe të vënë në mes të dhomës, me libra për tokë, pa dollap, me ca poltronë të vënë pa rregull. Njeri i shpërndarë, hynte e dilte, me shprehjen “ekskyze mua”. Ju drejtua Dritëroit: Çfarë kërkoni konkretisht nga unë? Qëndruam një çerek ore dhe na përcolli deri tek dera. Ky ishte drejtori i piktorëve të Francës. Dolëm përjashta dhe qeshëm të tre me të madhe. Në Turqi ishim shumë të gëzuar, ndërsa në Paris jemi si të hutuar nga kultura e lartë. Dritëroi lexon Zylon në frëngjisht, ndërsa unë shoh filma pambarim në 6 kanalet franceze. Do të shkojmë të shohim një balet modern dhe një shfaqje teatri në Komedinë franceze. 
 

                ***

Ditët janë të ftohta , me shi dhe me erë, si në vjeshtë. Më shumë është moda e pantallonave të zeza, e minifundeve dhe e fustaneve me lule, të mëndafshta. Shumë makina, rruga tundet nga ato. Në kafene nuk mund të ulesh po nuk harxhove. Francezët nuk të qerasin. Në asnjë zyrë nuk nxorën kafe. Takimet i masin me minuta. Njeriu mund të mësojë për kursim ore kudo,në hotel, në Ministri, në rrugë, në kafene.

                  11.06.1990
 

Kaluam shumë mirë. Vizita në Versajë një mrekulli. Në këto kohë një nga drekat më të bukura është me Anë Barlukë, në një restorant ku kanë ngrenë Pikaso, Heminguej, Verlen e artistë të tjerë. Është një grua shumë romantike. Më tha çfarë të të blej për fëmijët. Një kostum blu xhinsi për Lonën 40 dollarë, pastaj bleva gjëra të vogla. Për vete vetëm një triko blu me të bardhë dhe një bluzë. Shëtitëm me Anën në Pallatin Royal, tek Monumenti i Molierit, tek qendra Defense, me pallate moderne dhe shatërvanë, me skulptura moderne . Ishim ne Monmartrë ku pikturonin piktorēt. Pamë Pyllin e Bolonjës, ku qëndronin prostitutat. Nesër jemi në baletin modern.

                   13.06.1990

Sot dhe nesër janë ditët më të ngarkuara me gazetarë dhe fotografë të Gallimardit. Dreka është me Antuan Galimardin. Jam ulur në një poltron të studios së Galimardit. Dritëroi me Anën hynë në studio për foto. Sot kam emocione si asnjëherë. Bëhen foto të mëdha. Dritëroi është pak i kontraktuar, megjithëse përpiqet të jetë i qetë. Ishim në shtëpinë e Hygoit. Bëmë ca fotografi. Mendoj në këto çaste për Elonën që po të ishte në Francë do të ishte njëlloj si unë. Hyjnë e dalin njerëz. Unë i kam mendimet shumë të shpërndara. Dritëroi i shkretë që do t’u përgjigjet gjithë këtyre gazetarëve, që i kanë vënë në plan. Janë ditët më të sikletshme. Shoh fotografitë e mëdha të disa shkrimtarëve të botuar. Po të ketë sukses dhe fotografia e tij do të vihet krahas të tjerëve. Alen Boskeja foli shumë mirë. Është nga librat më të mirë që kam lexuar – tha ai .”G.M./b.ha.