Sopranoja Adelina Paloja i përgjigjet sfidës “Mbjellë një pemë”

Në kuadër të aktiviteteve të sfidimit për mbjelljen e drunjve, shumë artistë , politikanë, e njerëz nga fusha të ndryshme janë nominuar për këtë sfidë. Kësaj sfide i është përgjigjur pozitivisht edhe sopranoja Adelina Paloja, shkruan KultPlus.

“Pas nominimit që më është bërë nga Kryeministri i Kosovës z.Ramush Haradinaj për #PlantaTreeChallengeKosovo / Sfida “Mbjellë një pemë””, ka shkruar Paloja në Facebook.

Ajo thotë se duke qenë pjesë e saj, ka mbështetur  kauzën për shtim të gjelbërimit dhe vetëdijësimit për ruajtjen e ambientit, ndërsa ka shtuar se për të është kënaqësi edhe më e madhe që u shoqërua nga studentët e Fakultetit të Arteve në Prishtinë duke kontribuar kështu së bashku  në një pamje më të bukur të shtëpisë së tyre të dijes./ KultPlus.com

Doli nga shtypi revista “Akademia”

Numri i pestë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, i më të madhes revistë kulturore në Kosovë, ka dalë nga shtypi këtë të mërkurë dhe nga dita e nesërme mund ta gjeni në redaksinë e gazetës “Epoka e re” dhe në librarinë “Artini” në Prishtinë.

Në këtë numër të revistës hapësirë më e madhe i është lënë poezisë. Janë botuar në këtë numër dhjetëra poezi nga autorë suedezë, francezë, anglezë, gjermanë, italianë, sllavë, turq, shqiptarë etj. Por, përpos poezi, janë botuar edhe intervista, ese, letra, recensione, drama, analiza sociale, mediatike, kulturore.Revista prej 565 faqesh nis me një paraparathënie shkruar nga botuesi, i cili tregon për iniciativën dhe për nevojën e botimit të kësaj reviste dhe vazhdon me një parathënie shkruar nga redaksia e revistës, në të cilën prezantohensynimet e deritashme dhe ato të ardhshme të anëtarëve të redaksisë.

Në këtë numër të revistës janë përfshirë dy intervista, një e realizuar me Haruki Murakamin nga shkrimtarja Deborah Treisman dhe një tjetër e realizuar me Milan Kunderën nga gazetarja Olga Carlisle, në të cilat këta dy shkrimtarë, ndër më të mëdhenjtë e letërsisë së përbotshme, flasin për veprat e veta, për procesin e shkrimit të tyre, për dëshirat dhe pëlqimet, për të metat dhe për veçoritë e disa prej veprave, njerëzve dhe kafshëve që pëlqejnë.

Po në këtë numër të revistës, me rastin e 65-vjetorit të lindjes, është realizuar edhe një intervistë me shkrimtarin Adem Gashi nga Berat Armagedoni, në të cilën Gashi rrëfen për jetën e vet, për veprat e veta dhe të shkrimtarëve të tjerë nga Kosova, për punët dhe për punërat e disa institucioneve e të disa “studiuesve” që krekosen me thirrjet shkencore e me librat e vet shkencorë, të cilëve Gashi ua përmend të metat një nga një.

Së këndejmi, në këtë numër të revistës është botuar edhe një letër e Tiziano Terzanit dërguar Oriana Fallacit, një letër e John Lennonit dërguar Yoko Onos, një letër e Frida Kahlos dërguar Diego Riverës, një letër e John Keatsit dërguar Fanny Brawnes, një letër e Rainer Maria Rilkesdërguar një poeti të ri i cili i kërkon ndihmë për t’u bërë poet, një letër e Albert Camus për mësuesin e vet.

Në rubrikën eseistikë është botuar një ese e gjatë e stilistes Susan Sontag “Mbi stilin”,  një ese e publicistit Agron Shala për dashurinë dhe dashamirësinë e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë për Amerikën.

Në rubrikën kritikë/recensione janë botuar disa këndvështrime për vepra letrare nga Resmije Kryeziu, Albin Mehmeti, Hajdin Morina, Irena Gjoni, Majlinda Zorba.

Në rubrikën e prozës, për herë të parë në gjuhën shqipe, është përkthyer dhe botuar kapitulli i dytë (të parin e gjeni në numrin pararendës të revistës) i romanit të shkrimtarit francez Gustave Flobert, “Buvar dhe Pekyshe”, një tregim i Charles Bukowskit, një tregim i shkrimtarit turk Aziz Nesin, një mbresë nga Michael Schmidt-Salomon dhe Lea Salomon, një tregim i ripunuar nga Gazmend Bërlajolli, një nga Shpëtim Selmani dhe një nga Bujar Meholli.

Në rubrikën e poezisë janë botuar poezi nga: Leonard Cohen, Neeli Cherkovski, Michael Mcclure, Gregory Corso, Charles Bukowski, Erich Fried, Pol Elyar, Charles Baudelaire, Stefan Simi?, Danilo Kiš, Anna Bagriana, Ivan Gunduli?, Jevrem Brkovi?, Miroslav Krleža, Phil Bosmans, Roman Skiba, Šuri Grigorjevu, Tadeusz Rózewicz, Jacques Prevert, Bertolt Brecht, Orhan Veli Kanik, Andrew Singer, Enzo Santese, Marina Torossi Tevini, Erik Axel Karlfeldt, Harriet Löwenhjelm, Nils Ferlin, Karin Boye, Harry Martinson, Artur Lundkvist, Solveig von Schoultz, Ebba Lindqvist, Maria Wine, Elsa Grave, Sonja Åkesson, Tomas Tranströmer, Bodil Malmsten, Göran Tunström, Eva Ström, Bruno K. Öijer, Göran Sönnevi, Iliaz Bobaj, Linditë Ramushi Dushku.

Në rubrikën e dramës është botuar, për herë të parë, një dramë e dramaturgut Haqif Mulliqi.

Në rubrikën e gjuhës është botuar një studim gjuhësor i studiuesit të gjuhës Qemal Murati dhe një i profesor Ragip Gjoshit.

Në rubrikën e medias është botuar një studim i teoricienit dhe studiuesit kroat të mediave, profesor Stjepan Malovi?, dhe një studim nga Shpresë Mulliqi për rëndësinë e fotogazetarisë në kohën e luftës në Kosovë.

Në rubrikën reportazhe janë përkthyer dhe botuar për herë të parë në gjuhën shqipe pesë reportazhe të Ernest Hemingwayt dhe një reportazh i publicistit Agron Shala për një nga fshatrat e bukur të Korçës.

Në fushën shoqëria është botuar teksti i profesor Sabri Kiçmarit për filozofinë dhe etikën politike të Ukshin Hotit. Ndërkaq, në rubrikën e fundit, trashëgimia, studiuesi i trashëgimisë kulturore, Klodian Gjoni, ka shkruar për qytetin antik të Antigonesë.

Për këtë numër të revistës kanë përkthyer: Salajdin Salihu, Fadil Bajraj, Rexhep Maloku,Gazmend Bërlajolli, Shpresë Mulliqi, Verjon Fasho, Leonora Buçinca, Rrona Jaka, Roland Çipa, Ismet Daci, Ibrahim Kelmendi, Qerim Raqi, Fahredin Shehu, Fatijona Bajraj)./ KutPlus.com

A e dini se një francez ka vdekur duke mbrojtur Kosovën në luftë?

Ish-pjesëtari i UÇK’së u kujton të gjithë atyre që reaguan pse Kosova po ndihmon Francën, se një francez ka rënë dëshmor në luftë duke mbrojtur Kosovën.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se Qeveria do të ndajë mjete për të ndihmuar rindërtimin e katedrales historike Notre Dame në Paris, dhe në Kosovë shpërthyen reagimet.

Besnik Kada, zyrtar i Bankës Qendrore, që ka qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare, u kujton kosovarëve se Franca nuk ka kursyer ndihmën për Kosovën.

Madje ai thotë se duke mbrojtur Kosovën në luftë, një francez është vrarë, shkruan Gazeta Express.

Tutje Kada ka thënë se deklaratat e atyre që kritikuan vendimin e Qeverisë se po bëjnë fushatë dhe po harrojnë ndihmën që ia kanë bërë Kosovës miqtë ndërkombëtar.

Shkrimi i plotë i Kadës:

Ky djaloshi ka ardhé nga Franca, me kombèsi franceze èshtè dhe ka vdekè pèr Kosovèn! Mos u koritni shqipe herèt èshtè pèr fushatè zgjedhore , i degjova do prononcime sot pèr njè propozim tè ekzekutivit pèr njè ndihmè simbolike pèr Katedralèn e djegur ,simbol i Parisit , mè bonen pèrshtypje deklaratat e dy tipave pèrfitues tè tè gjitha llojeve tè ndihmave nga vendet mike ,madje edhe shkollim falas e plot privilegje qè u ka dhènè paslufta deri nè kolltukèt mè tè larta! Deklaratat e tyre mè shumè ngjanin nè fushatè zgjedhore dhe sa tè mjerè u dukèn dhe injorant nuk e keni idenè! Mè pèlqeu dhe e pèrkrahu propozimin e ekzekutivit 100% ! Miqtè e mirè qè na pèrkrahèn nè ditèt e vèshtira nuk do ti harrojmè kurrè !

P.S. Atyre intellektuallcave qe reaguan sot, po ua kujtoj se dèshmori Pierre Arnaud Pallard tè dy prinderit i ka profesor Universitar, doktor tè shkencave. Ku mbeti morali dhe shkenca dhe titujt e juaj te fituar nga bursat e falura tè kombeve qè na ndihmuan sa herè patèm nevojè, marre ju koftè !

Fragmenti më i dhimbshëm nga kryevepra e Hygo-së, “Katedralja e Parisit”

Të nesërmen në mëngjes, kur u zgjua, ajo e kuptoi që kishte fjetur dhe kjo gjë e çuditi. Esmeralda kishte kohë që nuk flinte. Një rreze gazmore e diellit, që po lindte, hyri nga dritarja dhe i ra asaj në fytyrë. Njëherësh me diellin, në dritare u duk edhe diçka tjetër, që i kalli frikën: fytyra e fatziut Kuazimodo. Padashur ajo i mbylli sytë përsëri. Por më kot.

I dukej sikur edhe përmes qepallave të saj ngjyrë trëndafili po e shihte atë maskë përbindëshi, i cili ishte qorr me një sy dhe i kishte dhëmbët si çataj. Atëherë, ndërsa po i mbante sytë mbyllur, ajo dëgjoi një zë të vrazhdë, që po fliste plot ëmbëlsi: – Mos u trembni, mua më keni mik. Erdha të shihja nëse po flinit. Unë nuk ju bëj ndonjë të keqe në qoftë se vij të shoh nëse flini, apo jo? Ç’punë ju prishet nëse unë rri këtu, kur ju i mbani sytë të mbyllur. Tani po iki.

Shikoni, tani jam prapa murit. Ju mund t’i hapni sytë. Dhe, më i përvajshëm se fjalët, ishte theksimi me të cilin ai i shqiptonte ato. Cigania, e ngashëryer, hapi sytë. Te dritarja nuk kishte asnjeri. Ajo u afrua atje dhe pa gungaçin e shkretë, që ishte strukur në një qoshe të murit, kryeulët dhe i brengosur. Atëherë vajza e mposhti me pahir neverinë që i ngjallte dhe i tha me ngadalë:
– Ejani.

Nga lëvizja e buzëve të saj, Kuazimodo pandehu se ajo po e dëbonte; atëherë ai u ngrit dhe, duke ecur çalë – çalë, u largua kokëvarur, pa guxuar as t’i hidhte Esmeraldës vështrimin e tij, që ishte i mbushur me dëshpërim.
– Ejani, pra!- thirri ajo.
Por ai vazhdoi të largohej. Atëherë vajza doli nga qelia, e arriti atë dhe e zuri për krahu. Kur ndjeu dorën e saj, Kuazimodos i shkuan mornica në trup.

Ai i hodhi asaj një vështrim përgjërues me syrin e tij të vetëm dhe, duke parë se ajo po kërkonte ta afronte, i rrëzëlleu fytyra nga gëzimi dhe përmallimi. Ajo deshi ta fuste në qelinë e saj, por ai u tregua kokëfortë dhe qëndroi te pragu.
– Jo, jo, – ia bëri ai, – bufi nuk mund të hyjë në folenë e laureshës.
Atëherë ajo u ul hijshëm mbi shtrat bashkë me dhinë, të cilën e zuri gjumi te këmbët e saj. Që të dy ndenjën një copë herë pa lëvizur dhe në heshtje: ai duke soditur bukurinë e saj dhe ajo duke u habitur me shëmtimin e tij.

Vajza po zbulonte te Kuazimodo për çdo çast një shëmtim të ri. Vështrimi i saj hidhej prej atyre gjunjëve të shtrembër te shpina gungaçe, prej shpinës gungaçe te syri i vetëm. Ajo nuk arrinte ta kuptonte se si mund të kishte në botë një krijesë kaq të shëmtuar. Por këtë shëmtim e mbulonte një melankoli dhe një butësi aq e madhe, saqë pak nga pak ajo filloi të mësohej me të.

Gungaçi e theu heshtjen i pari:
– Më thatë të kthehesha?
– Po, – iu përgjigj ajo, duke pohuar me kokë. Ai e kuptoi atë pohim me kokë. – Medet!- vazhdoi të thoshte ai si me ngurrim.
–Unë jam… shurdh.
– I shkreti!- thirri vajza me një shprehje plot dashamirësi dhe dhimbsuri. Ai buzëqeshi me hidhërim.
– Si ju duket: vetëm kjo më mungonte, apo jo? Kurse ju jeni kaq e bukur! Në zërin e atij fatziu ndihej një brengë aq e thellë, saqë ciganes nuk i bëri zemra të thoshte asnjë fjalë: le që Kuazimodua as që do ta kishte dëgjuar.
Ai vazhdoi:
– Kurrë s’e kisha ndjerë shëmtimin tim kaq fort sa tani. Kur e krahasoj veten me ju, më vjen keq për veten time, për një përbindësh të mjerë siç jam unë. Pa më thoni: unë ju dukem si ndonjë egërsirë pylli, apo jo? Ju jeni një rreze dielli, një cirkë vese, një këngë bilbili. Kurse unë jam diçka e llahtarshme, as njeri dhe as kafshë; jam një send më i vrazhdë, më i shëmtuar dhe më i përçmuar se një copë gur!
Ai zuri të qeshte dhe asgjë në botë nuk mund të krahasohej me atë të qeshur, që të copëtonte zemrën./ bota.al

“Do të vdes, i mbytur në borxhe…”

BORXHET E MIA

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë, a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.

Poezia e Ali Podrimjes për Ismail Kadarenë

BETEJA E ASKUJT

Ismail Kadares

Poezi nga Ali Podrimja

Vasko Popa të tregojë se është poet i madh i popullit 
shkroi një poezi më të fortë thanë 
se gjithë poezia serbe

por gjithë ajo që frymonte në fjalë në vargje në libra 
gjithë ajo që hijonte në kohëra në legjenda në magji 
bënin sfidë

prandaj Lexuesi mitin e Kosovës e kuptoi
si e ndiente në të vërtetë
dhe si e shihte në mënyrën e vet

U desht një kohë e gjatë për të krijuar poetët 
derisa të lindte një poezi 
mbi betejën e askujt

dhe rastësisht krejt rastësisht u duk ajo veshur kuq 
përderisa Kadareja po kthente nga një shëti 
nëpër atë kohë të errët e plot nerva popujsh

Gazmend Kapllani: Shqiptarët ende nuk e njohin historinë e tyre

Shkrimtari i njohur Gazmend Kapllani, që sot jep mësim në Boston, Massachusetts, sjell dy foto, njëra që përkon me realitetin dhe tjetra e censuruar nga diktatori Hoxha. Sikur mund ta shihni Enver Hoxha i kishte prerë të gjitha kokat dhe në foto ka lënë vetëm veten e tij. Ja si shkruan më poshtë Prof.Kapllani:

“Ne se shihni keto dy foto (origjinalen e Marubit dhe tjetren qe shperndante propoganda e Qofte Largut, pasi zhduku nga foto dhe nga jeta te gjithe njerezit rreth e rrotull), do kuptoni pse Shqiptaret ende nuk e njohin historine tyre: perderisa eshte perdhunuar, retushuar, falsifikuar ne menyren me barbare per nje gjysem shekulli.

Prandaj kane nevoje per nje debat serioz mbi historine bazuar mbi te gjitha ne fakte dhe burime arkivore (duke perfshire edhe hapjen e dosjeve famekeqe te Sigurimit).

ps: ”moda”e retushimit dhe falsifikimit te fotove dhe dokumenteve historike nisi me Stalinin. Te gjithe udheheqesit komuniste (nga Europa ne Azi dhe nga Afrika ne Ameriken Latine) kane retushuar foto dhe falsifikuar ne mase dokumente historike, duke imponuar me dhune versionin e tyre te historise. Megjithate, ne asnje vend, as ne Korene e Veriut qe eshte ende nje cmendine e vertete, nuk arriti perdhunimi dhe falsifikimi i dhunshem i historise ne ato nivele kriminale dhe groteske bashke qe arriti ne Shqiperine e udhehequr nga banda enveriane.

Ky eshte nje problem kolosal me te cilin perballet historiografia shqiptare dhe kujtesa kolektive.

Mjeku shqiptar që u vlerësua si më i miri nga Mbretëresha e Suedisë

Në botë janë vetëm 27 mjekë të cilët kanë përfunduar këtë kurs, “Trajtimin e Demencës” ku shumica e tyre punojnë në Suedi.

Jemi njohur me histori suksesi në fushën e artit dhe politikës, por edhe mjekësia nuk mbetet pas.

Historia e radhës e suksesit është shënuar pikërisht në këtë fushë, ku shqiptari Vasil Pema, i cili jeton dhe punon si mjek në Suedi, ka përfunduar me sukses Masterin për trajtimin e demencës.

Aktualisht Vasili jeton dhe punon si mjek në Suedi, ndërkohë që ky master është i një niveli të rëndësishëm, sepse mbështetet nga vetë Mbretëresha e Suedisë  përmes fondacionit “SilviaHemmet” dhe nga Instituti “Karolinska” në Stokholm, shkruan “the-living-media.com”.

Kësisoj, në ceremoninë e diplomimit, ka qenë vetë mbretëresha Silvia, e cila i ka dorëzuar diplomën mjekut shqiptar si edhe mjekëve të tjerë që kanë përfunduar me sukses këtë kurs, përcjell albinfo.ch.

Ky master është pjesë e specializimit si mjek psikiatër, specializim i dytë për Vasilin, pasi më herët ai ka përfunduar edhe specializimin si mjek familjeje.

Në të gjithë botën, janë vetëm 27 mjekë të cilët kanë përfunduar këtë kurs, “Trajtimin e Demencës” ku shumica e tyre punojnë në Suedi./albinfo.ch

20 vite nga Masakra e Poklekut ku u vranë e pastaj u dogjën 53 shqiptarë nga forcat serbe


Ne fshatin Poklek i Vjetër komuna e Drenasit, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civil të parmatosur, duke filluar prej foshnjeve gjashtëmuajshe e deri te pleqët 75 vjeçar. Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka patur këtë rrjedhë:(…)


-Me 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli,Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1,5 Km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serb dhe i kaurdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje përanash është gjuajtur edhe me armë.Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin,pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, tek policët e tjerë që ndodheshin atje. Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë “?Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17 e 30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar. Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55). Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë,shtatë karikator të automatikut.Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysëm të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe,duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar. Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e koridori, por e tërë shtëpia.
§Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 19991.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër

2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër

3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër

4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër

5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër

6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër

7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër

8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër

9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër

10.. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër

11.. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër

12.. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër

13.. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër

14.. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër

15.. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër

16.. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër

17.. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër

18.. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër

19.. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër

20.. Mirsad Liman Muqolli ( Poklek i Vjetër

21.. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër

22.. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci

23.. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci

24.. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci

25.. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),

26.. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër

27.. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër

28.. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër

29.. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër

30.. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër

31.. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër

32.. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër

33.. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër

34.. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër

35.. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

36.. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër

37.. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër

38.. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër

39.. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër

40.. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

41.. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër

42.. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër

43.. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muj, Tjetri dy vjeçar,
Poklek i Vjetër

44.. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër

45.. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër

46.. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemët e Ymer
Elshanit, prej 22 vjeç e më të rinjë

47.. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër

48.. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme

(…)

Të zhdukur konsiderohen edhe tre përsona

1.Halim Kluna (75),

2.Nëna e Ymer Elshanit (75),

Dalin në shitje biletat për koncertin “Mindil” të Rona Nishliut

Këngëtarja e mirënjohur Rona Nishliu më 24 prill do të mbajë koncertin promovues të albumit të saj më të ri “Mindil”.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se biletat për këtë koncert kanë dalë në shitje sot.

Image

Biletat janë falas, megjithatë numri i tyre është i limituar.

“Të dashur, jeni të mirëseardhur në koncertin promovues të albumit ‘MINDIL’. Biletat nga sot i gjeni në Kino ARMATA, çdo ditë pune, në orët 10:00-16:00. Ato janë falas por obligative për të gjithë ju që planifikoni të vini. Numri i limituar”, ka shkruar Rona Nishliu, e cila ka falënderuar sponsorët për këtë koncert.

Rona Nishliu Quartet ditë më parë kishte publikuar rikrijimin e këngës “Mallëngjimi”, që është pjesë e këtij albumi.

“Mallëngjimi” me kompozim dhe tekst të kantautorit e veprimtarit Rashid Krasniqi e interpretim të paharrueshëm të zërit të ëmbël të Muharrem Qenës, transmeton koha.net

“Ky variant i jonë është një falënderim i përzemërt për krijuesin dhe interpretin, e dedikim për të gjithë ata që jetojnë me zjarrin dhe mallin për vendlindjen, familjen, lagjen e fëmijërisë, përrockën e fshatit… Mërgimi nuk është i lehtë e mallëngjimi është shoqërues i përhershëm”, kishte shkruar ajo.

Macron zotohet: E rindërtojmë “Notre Dame” brenda 5 vitesh

“Do ta rindërtojmë Notre Dame edhe më të bukur”, premtoi kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, i cili vuri edhe një afat për rikthimin e pamjes së vjetër të Katedrales gotike 850-vjeçare, simbol i katolicizmit francez në një republikë të kushtuar laicizmit.

Sipas tij, kjo do të ndodhë brenda 5 vitesh. Vëmendja që Macron ka hedhur drejt projektit më të rëndësishëm sot mbarëkombëtar u shndërrua në një thirrje uniteti në Francën e fragmentuar. “Le të fokusohemi këtu dhe të harrojmë politikën”, ishte komenti i tij.

“Po, ne mund t’ia dalim. Ne mund ta rindërtojmë Katedralen Notre Dame më të bukur se kurrë dhe dua që kjo të përfundojë brenda 5 vitesh. Do të mobilizohemi maksimalisht që të arrijmë një gjë të tillë”, tha Macron.

Katedralen, nga sa vlerësojnë ekspertët, vetëm pak minuta e ndanë nga shkatërrimi total. Pavarësisht entuziazmit të shefit të “Élysée”-së, ata thonë se rindërtimi në fakt mund të kërkojë dekada të tëra dhe këmbëngulin se, fillimisht duhet siguruar qëndrueshmëria e strukturës, përpara se të kalohet te restaurimi.

Plot 800 mln euro janë premtuar deri tani për këtë qëllim nga një numër kompanish dhe manjatësh të biznesit. Sesi nisi zjarri, kjo ende po hetohet, edhe pse autoritetet janë duke e trajtuar më tepër si aksident dhe janë fokusuar te punëtorët e përfshirë në punimet e meremetimit.

Në një mbështetje për fjalët e Macronit, ndërkohë, politika franceze u ndal vërtet të martën, me partitë që shpallën “armëpushim” sikur të ishte kohë lufte dhe vendi të gjendej nën sulm armik./ topchannel

“Rekonstruimi i krimit” para Akademisë serbe të Shkencave e Artit

Fondi për të Drejtën Humanitare, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat Njerëzore dhe Gratë në të Zeza, të mbështetura edhe nga Fryma e Teatrit, organizuan sot para ndërtesës së Akademisë serbe të Shkencave dhe të Artit në Beograd aksionin “Rekonstruimi i krimit” në 20-vjetorin e krimeve mbi civilët shqiptarë në Kosovë, raporton FoNet, transmeton Koha.net.

Dhjetëra aktivistë mbanin transparente me “I mbajnë në mend krimet në Kosovë” dhe emrat e vendeve ku janë kryer krime: Tërnje, Qyshk. Meje, Studime e Epërme dhe e Poshtme, Dubravë, Rëzallë, Pastasellë, Rogovë, Lubeniq, Lubizhdë, Korenicë, Pavlan, Izbicë.

Shuhet aktorja Georgia Engel e “Everybody Loves Raymond”

Georgia Engel ka vdekur në moshën 70-vjeçare, ndërsa shkaku i vdekjes është ende i panjohur.

Komedianja dhe aktorja argëtoi gjenerata të tëra të shikuesve të televizionit, ndërsa me rolet e saj në “Everybody Loves Raymond”, “Betty White Show” dhe “Two and a Half Men” arriti të fitonte simpati në të gjithë botën.

Ajo ishte më e njohur për rolin e saj si Georgette Baxter, i cili e bëri atë të famshme në vitet 1970 në hit komedinë televizive “The Mary Tyler Moore Show”. Engel ishte e nominuar pesë herë për çmimin Emmy, nga të cilat dy nominime ishin për rolin e Pat MacDougall në serinë humoristike “Everybody Loves Raymond”.

Vitet e fundit Engel u paraqit në hit seritë e tjera siç janë “Office”, “Two and a Half Men” dhe “Hot in Cleveland”.

Përveç punës televizive, Engel ishte e përkushtuar edhe në produksionet në Broadway, ndërsa miqtë e saj deklaruan se ajo e kishte shijuar më së shumti punën në teatër dhe muzikorë, shkruan KOHA Ditore.

Aktorja nuk ka familje tjetër përveç motrave Robin Engel dhe Penny Lusk, dhe meqë ishte një besimtare e madhe vendosi të mos kërkonte ndihmë mjekësore në orët e fundit të jetës së saj.

Fotoreporteri i ‘Frankfurter Allgemeine’ publikon për herë të parë foto të luftës në Kosovë

Fotoreporteri i tablodit gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka publikuar fotografi të shkrepura gjatë luftës në Kosovë.

Fotografitë e Wolfgang Eilmes përfshijnë periudhën e luftës në Prekaz, përshkrimin e dhimbjes së viktimave, pamje të ushtarëve të UÇK-së, forcave serbe, shtëpi të djegura gjithandej si dhe refugjatë të vendosur në Shqipëri e Maqedoni.

Rita: Vazhdoj të mendoj për ditët që kalova në vendlindjen time në Kosovë

Rita Ora është deklaruar sërish për vizitën e saj të fundit me karakter humanitar në Kosovë, përmes Fondit për Mbrojtjen e Fëmijëve-UNICEF.

Ora në rrjetin social “Instagram” ka shprehur mirënjohje ndaj kësaj organizate për kontributin në vendlindjen e saj Kosovën.

“Kujtimet nga besimi i UNICEF-it dhënë për vendlindjen time, ishte me të vërtetë diçka që kurrë nuk do ta harroj”, ka shkruar ylli i popit.

“Vazhdoj të mendoj për ditët që kalova në vendlindjen time në Kosovë”, shkruan ndër të tjera Rita.

“U dhashë fëmijëve atje edhe lodra dhe nuk mund ta përshkruaj sa të lumtur ishin sa më bënë të qajë kur ua pashë buzëqeshjet në fytyrë. Si ambasadore e Kosovës, është detyrë e imja të ju siguroj që mund t’ia dalë”, shkruan Rita.

Rita Ora e vizitoi Kosovën këtë muaj, në kuadër të një misioni humanitar me UNICEF-in për fëmijët në Kosovë.

https://www.instagram.com/p/BwW06ooh6Uh/

Këngëtarja bëri edhe një paraqitje të shkurtër publike në Prishtinë, në ngjarjen vjetore të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë “Activate Talks”.

Ajo theksoi se gjatë këtyre dy ditëve sa po qëndron në Kosovë është njoftuar për së afërmi me familjet kosovare dhe të rinjtë e vendit.

“Jam që dy ditë në Kosovë, kemi bërë një rrugëtim të mrekullueshëm me UNICEF. Kam kaluar një kohë të mrekullueshme me rininë e Kosovës, kam mësuar shumë. Jam njoftuar për së afërmi me jetën e të rinjve dhe familjeve në Kosovë”, tha ajo.

Ora përsëriti se është e lumtur dhe krenare që është nga Kosova.

“Jam shumë e kënaqur me punën e ‘Up Shift’ të UNICEF-it që po bëhet këtu. Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe që kam takuar kaq shumë heronj. Jam shumë krenare që jam nga këtu”, shtoi ajo.

Rita Ora është shpallur ambasadore e Republikës së Kosovës.

Këngëtarja para kësaj here, e vizitoi Kosovën me 17 shkurt 2018, në 10 vjetorin e pavarësisë, ku mbajti edhe një koncert madhështor në Prishtinë. / KultPlus.com

Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, pianisti Istvan Lajko solli fryma të ndryshme të muzikës klasike

Një vepër e mrekullueshme e kompozitorit Mozart, hapi mbrëmë koncertin e shtatë me radhë të festivalit Chopin Piano Fest. Ishte Istvan Lajko ai i cili e solli këtë vepër në mënyrë të mrekullueshme para publikut të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur përplot me adhurues të muzikës. Pasi që ajo natë ishte më ndryshe, skena e ndriçuar me pianon në mes po mirëpriste pianistin hungarez Istvan Lajko. Dalja në skenë e pianistit u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku, por ende më mirë u mirëpriten interpretimet e tij që vinin secilën herë e më bukur.

Për dy orë sa ai luajti me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në piano, publiku u fascinua duke e dëshmuar këtë me duartrokitjet e gjata.

Vepra të ndryshme si sonata e pianos e W.A.Mozart, “Këngët hungareze nga fshati” të B.Bartok, “Sonetto 123 del petrarca”, rapsodi hungareze të F.Liszt, si dhe dy vepra të mëdha nga kompozimet e P.I.Tchaikovsky dhe M.Pletnev të titullar “The sleeping beauty-concert suit”, shkrin tingujt e tyre në duart e pianistit Lajko.

Gjithë këto vepra të njohura botërore, u mirëpriten nga publiku në Prishtinë edhe pse kjo ishte hera e dytë që ky pianist po interpretonte në kryeqytetin e Kosovës.

I privilegjuar që po performon për herë të dytë para këtij publiku, u shpreh edhe pianisti Lajko.

“Është privilegj të luaj këtu, kjo është hera e dytë që po interpretoj në kuadër të këtij festivali. Hera e parë në “Chopin Piano Fest” ka qenë para 5 viteve në një hotel në Prishtinë. Por, kjo sallë ku luajta sonte është shumë e mirë, sidomos akustika e cila interpreton një heshtje të gjatë si dhe holli i amfiteatrit është shumë i mrekullueshëm për publikun, dhe për artistët është privilegj të luaj këtu sepse ka një audienca shumë të ngrohë,” është shprehur Lajko për KultPlus.

Ndërsa sa i përket programit që ai solli mbrëmë, Lajko u shpreh që kësaj radhe ka qenë një koleksion me pjesë të ndryshme ku ka dashur të prezantoj fryma të ndryshme të muzikës klasike.

“Sonte solla vepra të ndryshme, si pjesë nga Mozarti dhe muzikë hungareze sepse kam qenë i ftuar në vitin sparkan hungarez, kështu që unë zgjodha një  pjesë të famshme të  muzikës hungareze nga Chaikovsy kështu duke u munduar të prezantoj pjesë të ndryshme për publikun. Chaikovsky e kam mësuar vitin e kaluar, kurse pjesën e Bartokut e kam luajtur shumë vite me parë, kurse sonata e Mozartit ka qenë në repertorin tim të rregullt”, tha tutje Lajko për KultPlus.

Në anën tjetër, nënkryetari i ambasadës së Hungarisë në Prishtinë, Bela Bozsik e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin në fushën e kulturës pasi që kjo ndikon që dy vendet të njohin më mirë njëri-tjetrin. Madje ai tregoi rëndësinë që e kanë këto shkëmbime kulturore duke marrë shembull një ekspozitë të hapur dy vite më parë në muzeun e Lidvingut  ku kishte artist nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Kemi vite që mbulojmë shpenzimet për të sjellë këtu një artist dhe unë jam këtu që në vitin e parë dhe tashme e di që kemi një bashkëpunim të mirë me këtë  festival dhe është shumë e rëndësishme që të participojmë në ketë festival pasi që e konsiderojmë një ndër projektet më të rëndësishme në Kosovë”, theksoi ai.

Ju kujtojmë që sonte me fillim nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të performoj pianisti Peter Donohoe, nga Britania e Madhe / Xheneta Uka/ KultPlus.com

Shqipëria solidarizohet me Francën, 100 mijë euro për rindërtimin e Notre Dame

Shqipëria solidarizohet me Francën duke u bërë ndër kontributorët e parë financiarë për rindërtimin e  katedrales së Notre Dame.

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 100 mijë euro.

Fondi i mbledhur deri më tani kap shifrën rreth 1 miliard euro. Vetëm në harkun e 24 orëve u mblodhën 700 milion euro.

Franca synon që ta rindërtojë brenda pesë viteve katedralen e Notre-Dame të shkatërruar nga zjarri dy ditë më parë. 

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se Monumenti Historik duhet të jetë gati për Lojërat Olimipike që vendi organizon në vitin 2024, megjithëse ekspertët druhen se restaurimi mund të zgjatë me dekada./Ora News.tv/ KultPlus.com

Mos qani për Katedralen e Parisit, qani për veten

Nga Brizida Gjikondi

Dje të gjitha rrjetet sociale u mbushën me qurre dhe lot shqiptarësh për djegien për fat jo të plotë, të Katedrales së Parisit. E di që mund të dukem antipatike me këtë shkrim, por gjithsesi më mirë kështu se hipokrite.

Nobelisti francez Andre Gide thoshte që “Veprat më të bukura të njerëzve janë kokëfortësisht të dhimbshme” ose i preferuari tjetër i imi Artur Shopenhaur shprehej: “Me një vepër arti duhet të sillesh si ndaj një fisniku të madh, ti rrish përballë dhe të presësh që të thotë diçka”. Dhe, në të dyja këto raste nuk e kam më fjalën për Katedralen franceze, por për strukturën e shpirtit shqiptar ndaj të bukurës, të vlerës, të trashëguarës, sidomos “katedraleve shqiptare” që janë bazike për të themeluar shpirtin e tyre që më pas i qaset pasurive dhe thesareve të botës së përparuar si Katedralja e Parisit.

Quhet Kisha e Shën Mërisë së Maligradit, ndërtimi i saj daton afërisht në 1345, por brenda saj janë gjetur edhe pjesë që datojnë edhe shumë më herët se aq. Është e vendosur në brendësi të shpellës së pëllumbave në Ishullin e Maligradit në Liqenas të Prespës, ose siç e quajnë vendasit vëndin e tyre, në Pustec. Është Monument Kulture i kategorisë së parë i klasifikuar i tillë që prej sistemit të kaluar, i gjithë ishulli është një thesar, arkeologjiko-historik, natyror dhe turistik. Ky ishull dhe ajo Kishë kanë rrëmbyer zemrën time, aq sa unë vullnetarisht jam shndërruar në guidë turistike pa pagesë e çdo miku dhe familjarit tim, ku me ndihmën e Llazit, përgjegjësit të devotshëm të Kishës, njëkohësisht njohës brilant i historisë së atyre anëve, mësues historie, por dhe varkëtar, me krenari ja shpalosim këtë përrallë të prekshme çdo shqiptari të mirë, dhe kushdo mahnitet nga kjo mrekulli e heshtur e dorës, mendjes dhe shpirtit që ndodhet e panjohur dhe e pambrojtur në territorin tonë.

Them e pambrojtur, pasi kjo Kishë që është certifikatë e qytetërimit të hershëm si shumë e shumë të tjera, është në një gjendje mjerane, ajo ndodhet brenda shpellës gëlqerore, e cila kullon vazhdimisht mbi çatinë e paizoluar të Kishës, lagështi e cila ka dëmtuar thelbësisht pikturat murale të kësaj kishe rreth 700 vjeçare. Inekzistenca e shtetit dhe strukturave të tij që paguhen për mirëmbajtjen e këtyre pasurive dhe certifikatave tona të qytetërimit, është kriminale. Është akoma më kriminale kur shikon lotët e tyre të krokodilit për Katedralen e Parisit, po si mund të qash për veprat e njerëzimit kur t’i nuk mirëmban dhe shpëton veprat që ke nën juridiksionin dhe kompetencën tënde.

Qajnë shqiptarët për Katedralen e Parisit, dhe mirë bëjnë që qajnë, por që të qash duhet ta kesh shpirtin plot kulturë, art, dimensione shpirtërore, për vlerën, trashëgiminë, të bukurën, arkeologjinë, skulpturën, pikturën, librin dhe vazhdimësinë, të cilat i ke marrë që në djep të nënës, shkollës, dhe territorit ku jeton, të cilat i ke përthithur dhe i mbron me shpirt. Kur nuk i ke dhe qan, atëherë je hipokrit. Si mund të qash për Katedralen e Parisit kur të gjitha veprat arkeologjike, fetare, kulturore, ti ka poseduar dhe shpërdoruar pushteti politik dhe interesi pragmatist i pushtetit financiar? Si mund të qash kur nuk ke kontribuar qoftë dhe me një germë për t’ju bashkuar klithmës kundër poshtërimit të çdo vlere kulturore dhe trashëgimore kombëtare? Si ka mundësi që askush nuk mban hapin dhe të meditojë qoftë dhe shtatë sekonda, pse ne shqiptarët të ndodhur mes dy qytetërimeve më të mëdha të historisë së njerëzimit, Romës dhe Athinës, jemi kaq rrafsh në vepra dhe trashëgimi mijëra vjeçare, ku janë ato, ku është shteti?!

Ne shqiptarët duhet të qajmë, me gjamë, si burrat e që motit, të qajmë rreth katedraleve tona të shpirtit dhe kujtesës që humbëm, shkatërruam, nuk i zbuluam, ose nuk i mirëmbajtëm dhe pasi t’i rizbulojmë, rindërtojmë e mirëmbajmë, le t’i kthejmë sytë krenar nga bota e qytetëruar.

Do moral dhe e qara! / KultPlus.com

Artistët i përgjigjen sfidës për mbjelljen e drunjve

Në kuadër të aktiviteteve të sfidimit për mbjelljen e drunjve, shumë artist, politikanë, e njerëz nga fusha të ndryshme janë nominuar për këtë sfidë, por jo të gjithë kanë arritur deri te realizmi, disa për arsye të angazhimeve e disa nuk e kanë marr seriozisht nominimin.

Por, në kuadër të Festivalit Chopin Piano Fest i cili këto ditë është duke u mbajtur në kryeqytet, kanë ndodhur disa nominime të reja. Disa artistë pjesëmarrës të festivalit janë nominuar për këtë sfidë.

Për këtë kanë njoftuar organizatorët e festivalit të cilët edhe kanë zbuluar emrat e të nominuarve.

“Artistët tanë të mirënjohur, në kuadër të Chopin Piano FEST Prishtina si Ardita Statovci, Lejla Pula, Kreshnik Aliçkaj, Visar Kuçi por dhe artistët tjerë miqtë tanë Petrit Çeku e mysafirë të tjerë të festivalit do të mbjellin drunjtë të Premten në orën 12.00 te Fakulteti i Arteve, Dega e Artit Muzikor. Ju ftojmë të na bashkoheni.”, shkruan n eventin e hapur n Facebook. / KultPlus.com

Linda Llulla Gashi emërohet Drejtoreshë Ekzekutive e DokuFest

DokuFest ka njoftuar që ka emëruar Linda Llulla Gashin si Drejtoreshë Ekzekutive të Organizatës.

Llulla Gashi është pjesë e DokuFest që nga themelimi i tij ndërsa kontributi i saj ka qenë qendror në zhvillimin dhe suksesin e organizatës. Gjatë dhjetë viteve të fundit ajo ka qenë drejtuese e projektit “Shkolla dhe filmi dokumentar” të DokuFest, duke ndihmuar në themelimin e klubeve të filmit në shkollat e mesme të Kosovës që i mundëson nxënësve qasjen në filma dokumentar që trajtojnë tema aktuale të cilat lidhen me të drejtat e njeriut. Përmes këtij projekti u ngrit edhe shkolla e filmit në Prizren, që shërben si një burim inspirues për filmbërësit dhe aktivistët e rinj përmes trajnimeve dhe paisjeve që ofrohen. Nën udhëheqjen e saj, programi edukativ i DokuFest u rrit dhe zhvillua në një nga programet më inovative në rajon. Si Drejtoreshë Ekzekutive, Llulla Gashi do të fokusohet në menaxhimin e projekteve vjetore të organizatës, si dhe në zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

DokuFest falënderonë Eroll Bilibanin, i cili ka qenë Drejtor Ekzekutiv për shtatë vitet e fundit për punën e admirueshme që ka bërë për sjelljen e organizatës aty ku është tani. Bilibani tani ka marrë përisër rolin e drejtuesit të DokuLab, duke sjellë përvojën dhe aftësitë e tij për të avancuar më tej programin arsimor përmes zhvillimit të moduleve që përdorin filmin si mjet për mësimdhënie duke promovuar zhvillimin shoqëror.

Kjo është pozita e dytë udhëheqëse e mbajtur nga një grua në DokuFest. Ndërsa Linda Lulla Gashi është tani Drejtore e Organizatës Dokufest, Nita Deda mbetet Drejtoreshë e Festivalit Dokufest. / KultPlus.com

U prezantua në Bruksel libri “Deti nuk ka portë” i Aleksandër Çipës

Ndryshe nga ç ’jemi mësuar ta shohim në rolin e gazetarit, Aleksandër Çipa u paraqit në Bruksel, në rolin e poetit, me vëllimin e tij të katërt Poetik “Deti nuk ka portë”.

Përurimi i librit u bë ditën e shtunë të datës 13 prill në “Vintage” të Komunën e Koekelbergut. I ftuar nderi ishte dhe Kryetari i Komunes Ganshoren Pierre Kompany, si dhe personalitete të tjera nga fusha e artit dhe kulturës.

Pati një interes shume te madh të komunitetit shqiptar, në Bruksel, ku merrnin pjesë dhe kandidatë shqiptarë për Zgjedhjet Lokale, parlamentare dhe evropiane të komunitetit shqiptar. Nën një atmosferë festive dhe nën muzikën e pianos, aktorja shqiptare Anila Dervishi, recitoi vargje nga vëllimi poetik, ndërkohë që gazetarja e Radios shqiptare të Brukselit “Jehona Shqipes “, Ledja Canaj organizoi dhe moderoi aktivitetin ku pjesëmarrës të ndryshëm, dhanë mendimet e tyre rreth poezisë lirike të autorit. Rreth vlerave letrare të vëllimit foli Gazetari dhe shkrimtari Albert Nikolla, ku tha se “poezia shqiptare e Bregut te jonit, nga Vlora deri në Sarandë. përfaqësohet denjësisht nga Aleksandër Çipa.

Kjo është poezi mesdhetare, e ngrohtë dhe Lirike. Në vëllim bien në sy poezitë lirike si “Tim Eti”, “Shihna prej aty”, “Në vendin tim” dhe “Deti nuk ka portë”, ndërkohë që në vëllim nuk mungojnë edhe poezi shumë moderne dadaiste si “Avull dhe Brymë”, “U shtruan Shirat” etj”.

Në fund takimin e përshëndeti Kryetari i Komunes Ganshoren, Pierre Kompany, i cili vuri në dukje faktin që komuniteti shqiptar po afirmohet si një komunitet Kulturor me mjaft vlere ne Bruksel dhe ne Belgjike. Ai vuri ne dukje se ne te gjitha rangjet e pushtetit ne Belgjike ka përfaqësues te Komunitetit shqiptar, megjithëse është një komunitet i vogël. Ai tha, se; “Të tilla aktivitete rrisin peshën kulturore të shqiptarëve ne Belgjike”. / KultPlus.com

Gashi: Projekti për revitalizim në rrugën “Marin Barleti” në Prizren hap rrugët për investime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në aktivitetin e prezantimit të projektit: “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”.

Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. Projekti në fjalë është financuar nga MKRS-ja, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Në këtë prezantim që u mbajt në Doku Kino, morën pjesë edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, zëvendës udhëheqësi për bashkëpunim-Zyra e BE-së, Libor Chlad dhe përfaqësues të Komunës së Prizrenit.

Me këtë rast ministri Gashi fillimisht falënderoi të gjithë ata që kanë punuar në realizimin e këtij projekti edhe përkundër sfidave me të cilat janë ballafaquar në terren.

“Falënderoj në veçanti stafin e QRTK-së në Prizren të cilët së bashku me partnerë lokal dhe ndërkombëtar, me zell e përkushtim kanë arritur të hartojnë ketë projekt shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës”.

Ministri po ashtu tha se ky projekt i hap rrugët për investime në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit dhe me këtë rast falënderoi edhe pronarët e ndërtesave të lagjes të cilët siç tha ministri treguan gatishmëri për tu bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar por shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre por edhe të qytetit të Prizrenit.

“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, tha ministri Gashi.

Ai më tej sqaroi se projekti është ndarë në dy komponentë, atë të konservimit dhe të zhvillimit.

Ministri Gashi ritheksoi zotimin e tij se MKRS-ja do të vazhdojë ta trajtoj me  prioritet Qendrën Historike të Prizrenit, e me theks të veçantë rrugën “Marin Barleti”, në aspektin ligjor, profesional dhe buxhetor.

“Pa dyshim që në këtë aspekt,  edhe pres përkushtimin e Komunës së Prizrenit që të angazhohen në këtë drejtim me qëllim të koordinimit të punëve dhe veprimeve tona të përbashkëta të cilat do të shkojnë  në dobi të ruajtjes së Qendrës Historike të Prizrenit e cila përveç që paraqet vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe historike për vendin donë, na detyron të gjithë ne bartësve të institucioneve për angazhim maksimal”, u shpreh ministri Gashi.

Në fund, ministri ftoi të gjithë që të bëhen pjesë e procesit duke dhënë rekomandimet e tyre për të cilat ai siguroi se do të vlerësohen. /KultPlus.com

Pazari i Vjetër i Shkodrës, “hipermarketi” më i madh mesjetar i Ballkanit

Pazari i vjetër në Shkodër në kohën e lulëzimit të tij, u bë vërtetë një qytet i madh tregtar midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, i shtrirë në 1.8 km. gjatësi, ku vlonte tregtia dhe ku madhësia e tij lejonte të punonin dhe të blinin aty mbi 10000 njerëz.

Ndërsa në ditët e pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të ishin prezentë më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtërit” më të shkëlqyer në tregti.

Aso kohe në breg të Liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha deri te avulloret 1000 tonelata, si dhe kishte edhe një pazar anijesh që ishte në “garë” me “Pazarin e Madh” por që ishte edhe si vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore si edhe banka dhe afër 1500 dyqane të pa përsëritshme, sot e kësaj dite.

Në të djathtë të Urës së Bunës ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare për import eksportet e mallrave në Shkodër, shkruan “Faktor.al”.

Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët (rrugët) e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda Pazarit të Vjetër kishte rregull dhe disiplinë të veçantë si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje etj.

Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre komunikonin njëri me tjetrin me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje dhe elemente të tjerë sigurie.

Vlen të informojmë lexuesit se Pazari i Vjetër përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, e konkretisht ka pasur 5 kanale të tillë, të cilët largonin ujin nga pazari dhe ishin afër 1.8 metër të thellë. Kanali i parë mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “sokakun e pemëshitësve”, një i tretë kalonte “skelën e peshkut”, i katërti përshkonte “sokakun e kasapëve” dhe i pesti kalonte përmes “Pazarit të madh”, por që të pesë këto kanale ujin e mbledhur e derdhnin në Bunë. Sigurisht që kanalet pastroheshin çdo vit nga punëtorë të veçantë. Pra, që në atë kohë sistemimit të pazarit i është dhënë një rëndësi e madhe si në anën ndërtimore ashtu edhe në relacion me funksionimin e plotë të tij për zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë.

Kështu shumë shpejt Pazari i Vjetër u bë qendra më e madhe tregtare e trevave Shqiptare e më gjerë në eksport – importin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe. Në planin tregtar dhe financiar, Pazari i Madh në Shkodër është vlerësuar nga të tjerët si “Hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm për nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra ka qenë Metropoli i Arbërisë. / KultPlus.com


Jam i lodhur

Poezi nga Fernando Pessoa.

Jam i lodhur, kjo është e qartë,
Sepse, në një pikë të caktuar, njerëzit duhet të jenë të lodhur.
Nga çfarë jam i lodhur, nuk e di:
Do të ishte e padobishme që ta di,
Ngaqë lodhja mbetet e njëjtë.
Plaga dhemb se dhemb
Dhe jo nga shkaku që e ka prodhuar.
Po, jam i lodhur,
Dhe ndonjëherë i buzëqeshur.
Se lodhja është:
Në trup, një dëshirë për gjumë,
Në shpirt, një dëshirë për të mos menduar
Dhe, mbi të gjitha, një tejdukshmëri shkëlqyese
E të kuptuarit retrospektiv…
Dhe a ndryshon epshi pa pasur shpresa?
Jam inteligjent: kjo është e gjitha.
Kam parë shumë dhe kam kuptuar shumë
nga ajo që kam parë,
Dhe është një kënaqësi e veçantë
Edhe në lodhjen që kjo na sjell,
Që në fund koka ende shërben për diçka.

Përktheu nga spanjishtja: Butrint Haxha . / KultPlus.com