Në Gjenevë u shënua 20 vjetori i rënies së Heroit të Koshares, Agim Ramadanit

Në këtë mbrëmje përkujtimore artistike ka marrë pjesë dhe i është drejtuar publikut edhe kryetari i komunës Vernier, Yvo Rocher.

Më 18 maj u mbajt në Gjenevë aktiviteti përmbyllës i  manifestimit tradicional “Ditët të Agimit”, kushtuar heroit të Kosovës, Agim Ramadanit. Aktiviteti i sivjetëm ishte më i veçantë për faktin se përkonte me jubileun, 20 vjetorin e rënies së Agim Ramadanit, të njohur si strategu i Betejës së lavdishme të Koshares dhe  i thyerjes së kufirit Shqipëri-Kosovë.

Në këtë mbrëmje përkujtimore dhe artistike, të organizuar shumë mirë nga shoqata “Zhegra” që funksionon në Komunën Vernier të Gjenevës ka marrë pjesë edhe kryetari i kësaj komune, njëherësh mik i shqiptarëve, Yvo Rocher. Gjithashtu edhe prania e përfaqësuesve të politikës kosovare ishte e një niveli të lartë, shkruan albinfo.ch. Aty ishte ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Rrustem Berisha, bashkëluftëtar dhe mik i ngushtë i Agim Ramadanit.

Bashkëluftëtarë të shquar të Agimit si Anton Quni, Musa Gjakova e Feriz Treshnjeva ishin po ashtu të pranishëm në këtë mbrëmje.

Një fjalë përshëndetjeje me evokim kujtimesh mbi Agim Ramadanin e ka mbajtur Rrustem Berisha ndërsa në emrin e Konsullatës së Kosovës në Gjenevë ka folur Avni Hasani, përfaqësues i saj. Fjalën e ka marrë edhe vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili ka folur në emrin e familjes së heroit.

Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli dhe Arsen Shoshi, drejtor për investime në “Benedict Education Group”

Në kuadrin e programit artistik kanë qenë Shoqata “Vatra” e Bülach-ut (Cyrih) ajo e Gjenevës “Gëzuar” dhe grupi “Rapsodët” po nga Gjeneva që janë ngjitur në skenë me valle dhe këngë kryesisht të frymëzuara nga lufta dhe rezistenca shqiptare.

Kanë kënduar edhe Ardian Dema, Kudret Rrustemi, Xhelal Ramdani dhe Vëllezërit Alimusaj.

Ndërsa aktori i shquar Çun Lajçi  është paraqitur me një recital kushtuar luftës, shkruan albinfo.ch. Lajçi kishte sjellë këtu edhe librin e tij “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, i cili ishte në shitje.

Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri i ardhur po ashtu nga Kosova ka kënduar një këngë ashtu si dhe Edona Llalloshi, e cila u prezantua me këngën kushtuar Heroit, Agim Ramadani. Po kështu këngë kushtuar Agimit kanë kënduar edhe çifti i këngëtarëve Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, shrkuan albinfo.ch Kori shqiptar i Gjenevës “Nostalgjia” i drejtuar nga Mira Bregu është prezantuar me këngë korale.

Ishte emocionuese dalja e Edona Llaloshit nga skena, e cila, duke u ndalur në rendin e parë, ka ngritur nga vendi bashkëshorten e Agim Ramadanit, Shukrije Ramadanin për të bërë së bashku simbolin e  Shqiponjës dykrenare.

Zbulohet vërtetësia e pikturës “Vazo me lulëkuqen” e Van Gogut

Misteri për vërtetësinë e një pikture të njohur është zgjidhur pas 25 vjetësh.

Një pikturë që i është dhënë nga një koleksionist privat Muzeut të Artit Wadsworth Atheneum në Hartford të shtetit Connecticut në vitin 1957, është me të vërtetë vepër e Vincent Van Gogh-ut. Një teknologji e re për identifikimin e pikturave zbuloi origjinalitetin e pikturës pas shumë vitesh me dyshime dhe debate.

Kjo është piktura “Vazo me lulëkuqe” e Van Gogut. Ajo u dhurua nga një koleksionist privat në Muzeun e Artit Wadsworth Atheneum të Hartfordit, në Connecticut në vitin 1957.

Por, muzeu e mbante atë të fshehur për më shumë se dy dekada, pasi qenë ngritur pyetje rreth origjinalitetit të saj.

“Pra, për rreth 25 vjet piktura mbahej në magazinë, ose … më pas ajo ndodhej e varur në murin e zyrës së llogarisë në muze, si dekoracion”, thotë Thomas Loughman, drejtor i Muzeut të Artit “Wadsworth Atheneum”.

Në vitin 1995 stafi filloi kërkimet nëse piktura ishte autentike.

Ata u përpoqën të përdorin një pajisje me rreze X në një spital, por imazhet që morën ende nuk ishin bindëse për ta shpallur pikturën një Van Gogh të vërtetë.

Pastaj muzeu bleu pajisje të re të avancuar. Më në fund ndodhi zbulimi. Eksperti Allen Kosanovich studioi rezultatet… Poshtë shtresës së parë të pikturës, ai dalloi një pikturë tjetër që ngjan me autoportretin e Van Gogh-ut.

“Me ndihmën e rrezeve X në të djathtë shohim pikturën aktuale dhe në të majtë piktura duket me kokë poshtë, ku dallohen linja të theksuara të veshit dhe hundës…”, thotë Kosanovich.

Por, raporti përfundimtar që konfirmon origjinalitetin e pikturave pritet nga Muzeu i Van Gogh-ut në Amsterdam.

“Raporti është duke u shkruar ndërsa ne flasim – është një pikturë autentike! Mendova, çfarë mundësie e mrekullueshme për ta ndarë këtë zbulim me botën në mënyrë të organizuar; kjo mund të hapë edhe diskutime për raste të tjera – si këtu në Connecticut dhe në të gjithë botën!”, thotë Loughman.

Kështu, pas një udhëtimi të gjatë nëpër magazina dhe analizave me rreze X – piktura e Van Gogh-ut “Vazo me lulëkuqe” është shfaqur përsëri në muret e ekspozitës për t’u admiruar nga e gjithë bota. / KultPlus.com

Këngët e Qamilit të Vogël, melodi që nuk vdesin kurrë (VIDEO)

Ai përhapi këngët tona popullore në çdo mes dhe në çdo rreth shoqëror. 

I lindur në vitin 1923 në Gjakovë, për vite me radhë Qamili i Vogël do të mbetej këngëtari i preferuar i trevave shqiptare.

Qamili i Vogël – Muhaxhiri, këngëtar i muzikës popullore qytetare të kënduar në Gjakovë, i frymëzuar që nga rinia me muzikën tiranase u kthye në Kosovë dhe themeloi së bashku me Ymer Rizën, Shoqërinë Kulturore Artistike.

Qamili i Vogël, ishte njëri ndër të parët që u kualifikua në profesionin e grafikës, në Shkollën teknike në Prishtinë, në vitin 1965. Krahas këngës punoi si tipomakinist në shtypshkronjën Rilindja deri sa u pensionua.

Në krijimtarinë e Qamilit të Vogël, zënë vend tri lloje të autorësisë së tij: këngë origjinale të krijuara me tekste e melodi vetanake, këngë në të cilat prezantohet vetëm si autor i versionit të melodisë dhe këngë në të cilat na prezantohet vetëm si autor i teksteve të tyre.

Me Grupin muzikor të Ymer Rizës , ishte edhe një këngëtar tjetër më i moshuar, Qamil Idriz Haxhija .

Qamil Muhaxhirin si fëmijë, kudo që shkonte nëpër ndeje e ahengje gjakovare , publiku e priste me një simpati dhe një admirim të madh. Kësisoj shkruan Demir Krasniqi në një studim mbi figurën e Qamilit të Vogël.

Mu aty lindi epiteti : “I VOGËL” , epitet ky që shumë shpejtë do të zëvendësojë mbiemrin e tij – MUHAXHIRI dhe ky mbiemër do ta përcjellë deri në vdekje Qamilin e Vogël – këngëtarin tonë të madh.

Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullorë kosovarë të pasluftës , siç janë : Zyhra Mula, Meserete Çavolli, Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlani Broçi, Adem Ejupi , Lilijana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu, Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica , Anton Tomi , Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë. / KultPlus.com 

Duke kërkuar fytyrën tënde

Rumi


Që nga fillimi i jetës time
Jam duke kërkuar fytyrën Tënde
Por sot e pashë.

Sot e pashë tërheqjen,
Bukurinë,
Mëshirën e papërshkruar
Të fytyrës që po e kërkoja
Ditën që të gjeta Ty.

Dhe ata që dje më qeshnin
Dhe më fyenin 
Tu vie keq
Që nuk kërkuan ashtu si kërkova unë.

Jam mahnitur nga madhëria e bukurisë Tënde
Dhe do të dëshiroja të shikoja me njëqind sy.
Zemra më është djegur me pasion
Dhe e ka kërkuar përherë
Këtë bukuri të mahnitshme që tani e mbajë.

Më vie turp ta quaj këtë dashuri njerëzore
Dhe kam frikë nga Zoti ta quaj Hyjnore.

Era e aromës tënde, sikurse flladi i mëngjezit
Erdhi tek qetësia e kopshtit.

Më fryve jetë të re në mua
Jam bërë hija dhe rrezja jote e diellit.

Shpirti im thërret në ekstazë.
Çdo fije në qenien time ka rënë në dashuri me Ty.
Shkëlqimi Yt ka ndezur një zjarr në zemrën time
Dhe e ke bërë të qartë për mua Tokën dhe Qiellin.

Shigjeta ime e dashurisë arriti cakun.

Jam në shtëpinë e mëshirës.

Dhe një vend lutjesh zemra ime u bë. /KultPlus.com

Del në ankand një dinozaur i jashtëzakonshëm

Rreth 13 metra i gjatë dhe 6,2 metra i lartë, një dinozaur mbresëlënës i periudhës së Xhurasikut pritet të dalë në ankand në Paris në muajin qershor, njoftoi shtëpia franceze e ankandeve ”Aguttes”.

Për të tërhequr vëmendjen e koleksionistëve dhe publikut, skeleti, që daton 150 milionë vite më parë me emërtimin ”Skinny” është ekspozuar i pozicionuar me qëndrimin drejt, i mbështetur mbi këmbët e pasme në një nga terminalet e aeroportit të Londrës ”Heathrow”, deri më 3 qershor.

”Shtëpia e ankandeve e vlerësoi mes shumës 1,5 deri në dy milionë euro. Bëhet fjalë për një nga tre fosilet e sauropodit të zbuluar që nga fundi i shekullit XIX”, pohon për medien, Eric Mickeler, ekspert në paleontologji dhe përgjegjës për përgatitjen e ankandit.

Sipas një studimi të kryer nga disa paleontologë, ”Skinny” mendohet të jetë një sauropod i familjes së Diplodocinae, i cili i përket një specieje të re. Ai nuk ka ende një emërtim shkencor.

”I zbuluar në 2012 në Wyoming, SHBA, skeleti është ruajtur mjaft mirë, me gati 90% të të gjitha eshtrave të origjinës”, thekson eksperti.

”Ndër të tjera ai ruan ende pjesëza të lëkurës të fosilizuar, një dukuri shumë e rrallë”, sipas specialistit./Atsh/KultPlus.com

‘Unë jam e fortë dhe zëri im ka fillu të jehojë’

Unë jam e fortë dhe zëri im ka fillu të jehojë! 
Askush nuk e ndal zërin tim! 
As ti që më paragjykove e gjykove! 
As ti që nuk më përkrahe kurrë! 
As ti që hesht dhe nuk merr qëndrim dhe, 
as ti që pretendon se i mbron te drejtat e mia!

Bashkohuni në marsh protestues, nesër ora 12:00 në Sheshin Zahir Pajaziti, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/614750982375453/

Irma Libohova rrëfen si u anulua një dasmë për një këngë

Krushqit me Partinë Demokratike, nusja me Partinë Socialiste.

Pas vitit 1990, kur ra edhe komunizmi dhe në Shqipëri u vendos sistemit pluralist, shqiptarët e ndanë në dy ekstreme, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, që ishin edhe patrit kryesore në vend. Kjo ndarje nuk kaloi pa probleme në jetën sociale të shqiptarëve, të cilët kudo ku gjenin mundësinë diskutonin me pasion dhe fanatizëm për politikën.

Por gjatë ditës së djeshmë ishte këngëtarja e njohur shqiptare, Irma Libohova, ajo e cila tregoi një histori, që i ka mbetur në mendje nga ajo periudhë e viteve ’90 dhe ku fenomeni i partive politike ia arriti madje të prishte edhe një dasmë. Këtë rrëfim Irma e ka bërë ndërsa ishte e ftuar në emisionin “Thumb”, ku foli për atë kohë, që e konsideronte të vështirë, por sot ajo mendon se njerëzit kanë reflektuar dhe ngjarje të tilla janë pakësuar:

“Një histori që nuk do ta harroj kurrë ka ndodhur në një qytet të Shqipërisë, ishte dasmë e vajzës. Vajza e bukur si drita, si ylli. Vjen krushqia. Më vjen një pusullë mua: Na këndo një këngë për një figurë politike. I thashë duhet t’i thuash të zotit të dasmës se gjithsesi nuk jemi në dasëm për të bërë politikë. Këtu është qejf s’ka lidhje.

Shkurt krushqit ishin të partisë Demokratike, nusja i kishte përfaqësues të partisë Socialiste. Pasi unë nuk e këndova u hodh një shishe vere në dasmë, u hodh nga tavolina e krushqve në pistë aty. U kuptua menjëherë arsyeja pse, thjesht u prish dasma. Krushqit u ngritën ikën dhe dasma u prish. Flasim për shumë vite përpara. Sot njerëzit janë ndërgjegjësuar”, – u shpreh Irma Libohova./lapsi.al/ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi Goodman: Sikur të kisha krahë do të fluturoja nesër në Prishtinë

Pas publikimit të fotografisë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Flora Brovina, me të cilën pretendohej se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të  jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht nga familjarët e tyre.

Prandaj nesër është organizuar marsh protestues, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit si dhe solidarizim dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  

Këtë marsh protestues i cili do të mbahet nesër duke filluar nga ora 12:00 në Sheshin Zahir Pajaziti e ka përkrahur edhe Vasfije Krasniqi Goodman e cila përmes një komenti është shprehur se po të kishte krahë do të fluturonte për të qenë nesër në Prishtinë. Kujtojmë se Krasniqi jeton në Shtete të Bashkuara të Amerikës./KultPlus.com

Nesër marsh protestues në Prishtinë, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Pas publikimit të fotografisë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Flora Brovina, me të cilën pretendohej se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të  jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht nga familjarët e tyre.

Prandaj nesër është organizuar marsh protestues, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit si dhe solidarizim dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  

Takimi i pjesëmarrësve do të bëhet në Sheshin Zahir Pajaziti, në ora 12.00, dhe marshi do të vazhdoj deri para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

Organizuar nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë:          

1. Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT

2. Rrjeti i Grave të Kosovës

3. Medika Kosova

4. Medika Gjakova

5. Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas

6. Shoqata Drejtësi për të Gjithë.

Vendi: Sheshi Zahir Pajaziti – Sheshi Skënderbeu, Prishtinë, Data: 20 Maj 2019, ora: 12:00 – 13:00./KultPlus.com

Kostumet më të veçanta në Eurovision

Konkursi i përvitshëm muzikor merr gjithnjë vëmendje nga e gjithë bota për këngët që paraqiten, por disa të tjerë përqendrohen edhe te kostumet.

Në fakt, Eurovizion ka qenë një nga arenat ku janë shprehur disa nga idetë më të shfrenuara për kostume, ndër vite.

/topchannel/KultPlus.com

Gjon Muharremi kualifikohet në “The Voice” në Francë

12 talentet që avancuan në etapën e ardhshme të “The Voice’ në Francë u shpallën të shtunën, e njëri prej tyre ishte shqiptari Gjon Muharremaj.

Në garën tmerrësisht të forte në kryeqytetin francez, Gjoni ka mahnitur jurinë me performancën e tij, por duket një rol vendimtar në shpëtimin e “Gjon Tear`s” e ka pasur vota e teleshikuesve.

I lindur në Zvicër, djaloshi tejet i talentuar e ka të atin nga Kosova, dhe nënën nga Tirana. Ai flet një shqipe të pastër e siç rrëfente kohë më parë në Top Channel, i ka vënë vetes qëllim qe zëri t`i dëgjohet në Shqipëri dhe jashtë saj.

Emrin e skenës ka zgjedhur ta ketë Gjon’s tears, për shkak të gjyshit që ishte emocionuar shumë nga hera e parë kur Gjoni, asokohe fëmijë, kishte nisur të interpretonte një këngë.

Së fundi, i riu ka qenë duke shijuar suksesin e projektit të tij muzikor “Babi”, një këngë me të cilën elektrizoi dhe finalen e “The Voice Kids”.

Gjoni ishte vetëm 12 vjeç kur mahniti jurinë e “Albanians Got Talent” me zërin e tij të fuqishëm, dhe duket i vendosur të mos mungojë dhe në skenat shqiptare, për të qenë sa më pranë një publiku të cilin e ka shume për zemër./topchannel/ KultPlus.com

Gjermania mori zero pikë në Izrael, nga votimi i publikut në “Eurovision 2019”

“Gjermania, më vjen keq: zero pikë”, ishte fraza e thënë mbrëmë (e shtunë) nga prezantuesja bukuroshe izraelite e “Eurovision”-it, Bar Refaeli, gjatë kumtimit të rezultateve nga votat e publikut.

Në festivalin i cili sivjet u mbajt në Tel Aviv të Izraelit, Gjermania konkurroi në finale e katërta, përfaqësuar nga grupi Sisters që performuan këngën e tyre me po të njëjtin titull, “Sister”.

Por mesa duket rezultati ishte tejet zhgënjyes për gjermanët, pasi ata arritën të marrin vetëm 32 pikë nga juria profesionale, dhe asnjë pikë nga votat e publikut.

Si rrjedhojë, Gjermania përfundoi e ranguar në vendin e 24-të nga plot 26 shtete sa ishin gjithsej në natën finale./telgrafi/ KultPlus.com

“Kush di të lajkatojë, di edhe të shpifë”, thënie nga Balzak

Thënie të njohura nga Honore de Balzak.

1 – Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla.

2- Ligjet janë rrjeta ku mizat e mëdha kalojnë lehtësisht, ndërsa mizat e vogla ngelin të mbërthyera.

3- Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh.

4- Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen.

5- Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur

6- Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes.

7- Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukur.

8- Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona.

9- Dashuria është poezia e shqisave.

10- Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, se sa perla.

11- Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit.

12- Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas

13- Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë.

14- Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua.

15- Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë.

16- Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë.

17- Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?

18- Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!

19- Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron.

20 – Lumturia është poezia e gruas.

21- Të pakuptuarit përfshihen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.

22- Fama tepër e dëshiruar është pothuaj gjithmonë një prostitutë e pashpallur.

23- Kritika është një furçë që nuk mund të përdoret mbi stofra të buta, ku mund të rrënojë gjithçka.

24- Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët ia kërkojnë qiellit bekimin e tij.

25- Besojini gjithçka që dëgjojini të flitet për të tjerët, asgjë nuk është aq e shëmtuar sa të jetë e pamundur. / KultPlus.com

“Elle Decor”: Shqipëria ndër 10 pavionet për mos t’u humbur në Venecia

Vepra e artistit Driant Zeneli “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, e kuruar nga Alicia Knock dhe e prezantuar në edicionin e 58-të të Bienales së Venecias ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve ndërkombëtare.

Revista italiane e dizajnit dhe arkitekturës “Elle Decor” në një artikull të publikuar e ka renditur pavionin shqiptar të përfaqësuar nga vepra e Znelit ndër 10 pavionet për mos tu humbur në Bienalen e Venecias.

Nën temën ““You Live In Interesting Times”, titulli i zgjedhur nga Ralph Rugoff – pavionet kombëtare në Bienalen e Venecias të 2019-ës marrin përsipër çështje botërore si ndryshimet klimatike dhe padrejtësitë sociale, eksplorojnë kushtet njerëzore dhe riinterpretojnë zakonet popullore me një lexim bashkëkohor, që ofron nuanca të pasura.

Midis tyre, shkruan “Elle Decor”, ne kemi përzgjedhur 10 pavionet e lartë të Bienales së 2019-ës, që shpalosen në Arsenale dhe Giardini, duke shfaqur atmosferë dhe gjuhë kreative.

“Pavioni shqiptar zbulon një ekspozitë të titulluar “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm” nga Driant Zeneli me kurimin e Alicia Knock. Në qendër të kësaj pune të artistit të ri është ripërcaktimi i koncepteve të tilla si dështimi, utopia dhe ëndrrat, të zbatuara përmes filmave narrative dhe shfaqjeve që hulumtojnë obsesionin e qenieve njerëzore për të kapërcyer kufijtë e tyre”, shkruan “Elle Decor”.

Ndër dhjetë pavionet përveç Shqipërisë. “Elle Decor” rendit edhe Mongolinë, Danimarkën, Brazilin, Gjermaninë, Belgjikën, Izraelin, Austrinë, Lituaninë dhe Vendet Nordike.
Kuratorja Alicia Knock tha se “vepra e Zenelit shpreh se si ëndrrat mund të bëhen realitet”.

“Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, është shprehur artisti Driant Zeneli në çeljen e Bienales.

“You Live In Interesting Times”, është titulli i edicionit të 58-të të Bienales së Venecias dhe i referohet një mallkimi antik kinez, që evokon kohëra pasigurish, krizash dhe kaosi; “kohë interesante”, si këto që po jetojmë. Ky edicion kurohet nga Ralph Rugoff, nën presidencën e Paolo Baratta-s. Sipas Rugoff, “ndoshta arti, në mënyrë indirekte mund të kthehet në një guidë se si të jetojmë e të mendojmë”.

Në këtë edicion marrin pjesë 90 shtete, të vendosur në Giardini e Arsenale. Ndërsa 21 ngjarje kolaterale zhvillohen nëpër Venecia./k.s/ KultPlus.com

Kjo është modelja shqiptare që ngriti në këmbë italianët (VIDEO)

Modelja shqiptare Alba Vejseli ka mahnitur italianët me paraqitjen e saj.

 1 metër e 74 centimetra e gjatë, me sy blu dhe trup fantastik, modelja në paraqitjen e saj në studion e “Ciao Darëin” është konsideruar si “Nëna Natyrë” më fantastike e këtij sezoni nga një pjesë e mirë e ndjekësve në Instagram. Menjëherë pas puntatës, numri i ndjekësve në Instagramin e saj u rrit në mënyrë të frikshme.

Gjithë ç’dihet për të deri tani është se ajo është një vajzë shqiptare dhe ka qenë imazh për disa marka të produkteve kozmetike dhe ka pasion udhëtimet shkruan Tgcom. Spektakli “Ciao Darëin” është i ndërtuar në formën e një gare ballë për ballë mes 2 grupeve që përfaqësojnë kahe të kundërta, si për shembull, “artistët” kundër “matematicienëve”, të cilët sfidojnë njëri-tjetrin dhe shpallet një fitues. Çdo vit, zgjidhen vajza të cilat luajnë rolin e “Nënës Natyrë”, që mishëron perfeksionin e saj. Në sezonet e shkuara, “Nëna Natyrë” është zgjedhur modelja kubaneze Keila Guilarte. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BxCZhqACVbR/

Shqipëria sikur të çojë edhe Elton John-in në Eurosong, Rusia Azerbaxhanin ka për të votuar

Nga Enkel Demi

Ky është festival i cekët, spektakël i cekët dhe në fund një shfaqje vulgare e mendësive nacionaliste që vishen me një sheqerosje gay, e cila të vë në hall, nëse nuk je nga ajo anë e barrikadës.

Dihet që vendet sllave votojnë për njëra-tjetrën, nordiket me sho-shoqen, madje dhe Greqia për Qipron, se aq e ka influencën. Nën petkun e shumë ngjyrjave, buzëqeshjeve, përdredhjeve dhe haresë së një feste të shfrenuar homoseksuale, shpërthejnë pasionet e vjetra të nacionalizmës. Është e shpifur ta dish se për kë do të votojnë ish-republikat ruse apo vendet balltike. Kemi të bëjmë me një ngjarje muzikore, e cila po të merrej seriozisht nga Fuqitë e Mëdha mund të ishte sebeb për të nisur Luftën e Parë Botërore, kaq e mbrapshtë është politika që prodhon kjo farë mbështjellje e këngës europiane.

Përsa i përket shijeve estetike është prej vitesh një festival shumëngjyrësh i paradave gay, i cili ngulmon të kthehet në kriter moral. Këtu qëndron bezdia, jo tek shpallja e homoseksualitetit. Fjala vjen fitues i festivalit për këtë vit është Duncan Laurence prej Hollande, i cili në konferencën për shtyp të paraqitjes së tij në Eurosong bëri coming out, sepse nuk rrinte dot pa na e rrëfyer që është biseksual, pak a shumë si Ali Pashë Tepelena.

Deri këtu jemi në rregull, është jeta e tij personale dhe shijet e tij, por në momentin që e shpall në vigjilje të një Festivali Europian të Këngës, kjo është strategji, e cila të ndihmon, sepse kënga me thënë të drejtën me kriteret e Festivalit të Këngës në RTSH ka gjasa mos të pranohej fare në konkurim, jo më të fitonte. Me këtë nuk dua të them që fituesi e mori, sepse ishte gjysëm gay, por një arsye artistike për triumfin e tij e kam të vështirë ta gjej. Ka gjasa që unë mos të marr vesh nga muzika dhe të jem krejt gabim, andaj pres me zemër në dorë që në këtë pikë profesionistët e fushës gjysëm gay të ma hedhin poshtë këtë pretendim timin.

Tani, le të kthehemi tek Shqipëria, e cila është e fituar, se shkoi në finale. Kaq i duhet vendit tonë. Pastaj të tjerat janë diskutime të kota. Pse nuk i dhamë shumë pikë Italisë dhe përse Italia nuk na dha shumë pikë, nuk është debat muzikor, por gjeopolitik i nivelit të berberhanës.

Shqipëria nuk do e fitojë kurrë Eurosong-un. Le të çojë Jonidën apo Gentin. Atje nuk dëgjon njeri këngën, por kanë halle të tjera. Fakti që në këtë festival nuk e qasin Kosovën, tregon se në ç’mulli çon ujë kjo ngjarje, e cila flet për fitoren e lirisë kundër paragjykimeve dhe diskriminimeve racore. Gjithë komplekset e inferioriteve të sherrnajave nacionaliste zhvendosen në këtë festival, por në një mënyrë qesharake, karikaturë që nuk e shpëton dot as botën gay, e cila na e “shet” tolerancën, sepse një gay azer, voton gjithmonë një gay rus dhe anasjelltas, por kurrë një gay orthodokso-sllav nuk e voton një gay romano-latin.

Në fund, në mënyrë që mos të lodhem me përgjigjen ndaj atyre që do më akuzojnë për homofobi, po them se shijet seksuale të dikujt nuk më kanë interesuar kurrë as në muzikë, shkrimtari, arte, modë, ekonomi, politikë, kuzhinë dhe jetën e përditshme. Sepse, njeriu është krijuar nga Hyju në liri të plotë. Prandaj, dëgjoj me endje Queen, sido që i pëlqente të ishte Freddie Mercury, lexoj Allen Ginsberg të beat generation për të mos shkuar te Pasolini e kështu me radhë. Nuk kemi si ta bëjmë hasha Baronin Franc von Nopça, albanologun e shquar, i cili e vrau veten pasi u kujdes që më parë të vriste të dashurin e tij shqiptar. Kjo ndodh, sepse këta njerëz nuk e bënin kryeveprën e tyre, pse ishin homoseksualë, por sepse kishin mision të linin gjurmë që do i përjetësonin.

Prandaj, Shqipëria edhe sikur të çojë në Eurosong Elton John-in, nuk ka për të fituar kurrë, sepse Rusia sido ta rrotullojmë flamurin e ylberit do votojë për Azerbaxhanin dhe anasjelltas.

20 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës

20 vite më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Milloseviq.

19 vite më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.

Filharmonia e Kosovës koncert në Paris, kushtuar 20 vjetorit të çlirimit

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie për të shpalosur detajet e prezantimit të parë të Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë për koncertin që do të mbahet  në Paris të Francës, më datën 22 të këtij muaji.

Drejtorit i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se ky koncert është bërë për nderë të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“E gjithë trupa përfshi korin orkestrën simfonike do të prezantohet në Paris më 22 maj më ç’rast interpretohet vokal instrumental ‘Njeri me armë’ kompozuar nga kompozitori britanik Karl Jenkins, ku kjo vepër është bërë nga ai në vitin  1999 dhe i  kushtohet viktimave të fundit në Kosovë. Ambasada e Francës në Kosovë është iniciatorë i këtij evenimenti të madh. Do të prezantohet me 110 përformues në skenë.” ka përfunduar Jashari.

Adelina Paloja nga Soprano tha se kjo vepër është trajtuar më ndryshe dhe se është e veçantë, për faktin që trajton një të mbijetuar të luftës.

“Në këtë vepër do të paraqitem në rolin e solistes soprano me dallim nga paraqitjet  më herët këtë vepër e kemi trajtua krejt ndryshe si diçka e posaçme me vet faktin se roli është i një të mbijetuare të luftës që gjendet në një situatë emocionale të vështirë ky është një lloj personifikimi i shumë femrave nënave që kanë pas fatin e keq që gjatë një periudhe të ndjeshme me momente më të vështira. Andaj mendoj dhe shpresoj që sot jemi në paqe këtë mesazh ta drejtoj  asnjë fëmijë të mos e përjetojë atë që ne kemi përjetua”, tha ajo.

Violinisti nga orekstra Festim Fana tha se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe  se shpreson se do të kthehen faqebardhë dhe me emocione shtesë.

“Orkestra është mjaftë e lumtur që do të përformojë në një vend si Parisi, është hera e parë andaj falënderim ndaj ambasadorit dhe Ambasadës. Orkestra është e përbërë prej shumë anëtarëve dhe mënyra si jemi përgatitur është shumë e veçantë unë pres që do të jetë përformancë e mirë”, tha ai.

Kujtojmë se ky koncert për paqen që luhet nga solistët, kori, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe me dirigjent Baki Jashari do të mbahet më 22 maj në orën 19:30 në Hotel national des Invalides në Paris të Francës. Ndërsa Trupa e Filharmonisë do të niset nesër. / ekonomiaonline / KultPlus.com

“Emra shqiptarësh të shquar në rrugët e sheshet e Tutinit të Sanxhakut”

Rrugët dhe sheshet e qytetit Tutin në Sanxhak tashmë kanë marrë emra të shqiptarëve të shquar nga Kosova Shqipëria.

Për këtë në Facobook, në profilin tij, ka njoftuar lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SAD), Dr.Sulejman Ugljanin, transmeton Koha.net .

Me këtë rast ata kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy partive, Vetëvendosjes dhe SDA-së.

Më shumë lexoni në postimin e Kurtit:

Mbrëmë takova liderin e Sanxhakut të Novi Pazarit, Dr.Sulejman Ugljanin, kryetar i Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut (SDA Sanxhak), i cili së fundi me listën e quajtur “Vetëvendosje” i ka fituar bindshëm zgjedhjet për Këshillin Nacional të Boshnjakëve në Serbi. Dr.Uglanini shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i partisë së tij, Ahmedin Shkrijel, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Mirza Hajdinoviq e Merfid Kamesniçanin.

Unë isha bashkë me kryetarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Hydajet Hyseni, si dhe nënkryetarin e komunës jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka. Në takim mori pjesë edhe aktivisti i njohur për çështjen e Sanxhakut, Prof.Dr.Nexhmedin Spahiu.

Ju falenderova Dr.Uglaninit për qëndrimin e tij ndaj Kosovës duke nënvizuar se zëri i Kosovës do të jetë gjithnjë e më i theksuar në avansimin e pozitës së Sanxhakut. Dr. Uglanini ka mbaruar shkollën fillore në Mitrovicë, të mesmen në Prishtinë kurse fakultetin dhe specializimin në Sarajevë.

Biseduam për mundësinë e bashkëpunimit mes komunave të Kosovës, ku qeveris apo bashkëqeveris Lëvizja jonë, me komunat e Sanxhakut, per mundësinë e futjes së kuotave të regjistrimit të studentëve të Sanxhakut në universitetet publike të Kosovës, ekskursionet e nxënësve tanë në viset e Sanxhakut etj.

Dr.Ugljanini më njoftoi se si në komunën e Tutinit në Sanxhak, rrugëve dhe shesheve u janë dhënë emrat e shqiptarëve të shquar si Nëna Tereze, Naim Frashëri, Shaban Polluzha, Nexhip Draga, Ferat Draga, Aqif Blyta, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Fehmi Agani etj. dhe se këta emra do të vendosen po ashtu në komunat tjera të Sanxhakut. Shpreha qëndrimin tonë se edhe në Kosovë duhen bërë emërtime me emrat e heronjve të Sanxhakut.

Dr.Sulejman Uglaninin e ftova në manifestimin për 141 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, e që atëbotë është mbështetur financiarisht nga Jusuf Pazari.

“Dasma e madhe” me 200 gra nga Shqipëria në Kosovë

200 gra nga rajone të ndryshme të Shqipërisë të martuara në Kosovë, janë bërë pjesë e një dasme të përbashkët.

Nën organizimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ato janë mbledhur për të treguar përvojat nga më të ndryshmet gjatë viteve të kaluara në shtëpinë e dytë.

Drenica nga Tropoja dhe Agroni nga Prishtina janë çifti më i ri i mbrëmjes. Vajzën e tyre e pagëzuan me emrin Dua, transmeton tch.

Muharremi dhëndri më i vjetër në Shqipëri i pranishëm në event tregoi se iku nga fatkeqësia në vitet e 80-ta duke mos e besuar se një fat i mirë do t’i vinte.

Ambasadori Qemajl Minxhozi u shpreh i lumtur që shumë nga gratë janë me profesione të rëndësishme në shoqërinë kosovare.

Përveç grave të ftuara sonte, janë edhe afër 2000 të tjera nga treva të ndryshme të Shqipërisë që kanë zgjedhur të bëhen nuse Kosove. / KultPlus.com

14-vjeçarja shqiptare, shkruan roman kriminalistik prej 400 faqesh në anglisht

Ajo është vetëm 14-vjeç por ka mundur të shkruajë një roman kriminalistik. Fjalën e kemi për shqiptaren Gerta Miftari e cila ka shkruar librin kriminalistik “Coldhearted Mafia Boss” prej 400 faqesh, i cili përmban 90-mijë fjalë.

Sipas albinfo.ch. në pamje të parë Gerta Miftari duket si çdo vajzë tjetër e moshës së saj, por, kjo nxënëse megjithatë ndryshon nga shokët dhe shoqet e klasës pasi ka një dhunti të madhe për të lexuar.

“Unë lexoj shumë. Duke lexuar ndodh edhe të zemërohem kur gjërat që mua më pëlqejnë, nuk ndodhin në librat që i lexoj. Për këtë arsye unë shkruaj në mënyrën si më pëlqen mua. Ndërsa fantazia për një gjë ushqehet përmes leximit”, shprehet ajo.

Subjekti i romanit:

Me pak fjalë, subjekti i romanit është ky: Clare Dixon, e lindur në Kosovë dhe e rritur në Amerikë, ka prindër të pasur. Këta duan që, për të ruajtur perandorinë e tyre familjare, vajzën 20 vjeçe ta martojnë me detyrim me Daemon Thompson-in, pak më i vjetër se ajo. Ky është shef i një firme dhe njëri ndër njerëzit më të pasur në botë.

Por Thompson është pjesëtar i mafias dhe përmes tij Clara kupton shumë gjëra për familjen e saj, që janë shokuese për të…

MC Kresha me lot në sy flet për dhimbjet e kaluara gjatë luftës: Kam ecur nga Mitrovica deri në Kukës në këmbë

Emisioni “Dua të të bëj të lumtur”, ka sjell një tjetër histori prekëse, kësaj here me protagonistë një familje nga Kosova që kishte përjetuar ngjarje të hidhur në Luftën e fundit në kosovë, përkatësisht Masakrën e Suharekës.

Gramozi ishte personazhi i kësaj historie, i cili u prezantua si i mbijetuari mes 50 të vrarëve nga familja Berisha në Masakrën Suhareka.

I ftuar special në këtë mbrëmje për t’i bërë një befasi të veçantë atij, ishte reperi i njohur mitrovicas, MC Kresha.

Ky i fundit me të dëgjuar historinë e ramozit, ngeli i shtangur por nuk mundi të mos përlotej edhe dukej kujtuar vuajtjet e tij në Luftën e vitit 1999, kur aso kohe ishte vetëm 13 vjeç.

MC Kresha ka kujtuar se si në atë kohë kishte udhëtuar nga Mitrovica në Pejë në këmbë, së bashku me shumë shqiptarë tjerë në atë kohë që u detyruan ta lëshonin vendin e tyre.

Pa pasur fatin të hipë në një kamion, Kresha tregoi se ai dhe familja e tij pas Pejës vazhduan për në kukës rrugëtimin, ku përbrenda një jave kishin bërë qindra kilometra në këmbë brenda territorit të Kosovës.

“Kjo historia ime nuk është asgjë përballë historisë së Gramozit, ose atyre që ka kaluar vajza e xhaxhait të nënës sime, të cilët kanë pasur të njëjtin fat. 20 vite nuk është një gjeneratë e plotë, e këto janë plagë të cilat luajnë një rol pas luftës. Pasojat e luftës shfaqen dhe ndikojnë te një popull edhe pas dy dekadash”, u shpreh këngëtari”, ka thënë reperi MC Kresha ndër të tjerash gjatë emisionit. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ish-ambasadori i Kroacisë, ende e ruan si kujtim pasaportën e Nënës Terezë (FOTO)

Një pasaportë diplomatik për të madhen Nëna Terezë nga Kroacia dhuruar nga ish ambasadori i Kroacisë në Indi Drago Stambuk ende jeton midis kujtimeve të ambasadorit.

Në një intervistë ai tregon se si në shenjë respekti kur e ka takuar Nënën Terezë ja ka ofruar një pasaportë diplomatik të shteti Kroacisë për Nënën Terezë.

Për fat të keq në mbiemrin e Nënës Terezë ishte bërë një gabim. Nëna Terezë këtë pasaportë ia ktheu ambasadorit dhe ai e ruan si kujtim.

Derisa ja sjellin pasaportën tjetër, Nëna Terezë ndërron jetë.

(Këtë informacion e ka publikuar Behxhet Bici.) / KultPlus.com