Këngëtari i mirënjohur Alban Skenderaj dhe ekipi i tij mbajtën një konferencë ku shpalosën detajet rreth koncertit madhështor me titull “Hapësira e një ëndrre”, që do të jepet më 19 qershor në sallën “1 tetori” në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Këngëtari tha ndihet i lumtur sa herë që ndodhet në
Prishtinë për të performuar, por data 19 qershor do të jetë e një rëndësie të
veçantë.
“Ky event është i veçantë, ku do të ketë bashkim të
disa rrymave si folk duke u nisur nga muzika popullore, pastaj pop, r&b.
Kam prapa një orkestër simfonike të mirëfilltë” potencoi fillimisht, duke
vazhduar “Jam jashtëzakonisht entuziast, është bërë një punë e madhe por
edhe sfida është po ashtu e madhe, megjithatë kjo sfidë na emocionon dhe na
inkurajon. Prishtina është një qytet që e do dhe e mirëpret artin. Do të jetë
gjë e bukur dhe shpresoj se çdo gjë do të shkojë mirë”, u shpreh
Skenderaj.
Gjersa organizatorja e koncertit Uarda Koçi foli rreth
organizimit, kërkesat për bileta dhe pikat ku mund të merren ato.
“Biletat mund të porositen edhe online në Pentagram.al,
po ashtu edhe në pikën fizike që e kemi vendosur në sallën ‘1 tetori’ në pjesën
e biletarisë. Jemi drejt fundit, gjithçka është gati dhe interesimi është mjaft
i madh, por kanë mbetur edhe disa vende” tha ajo duke i inkurajuar
adhuruesit e muzikës së Alban Skenderajt që t’i sigurojnë biletat.
Orkestra e madhe që
do të jetë prapa Albanit drejtohet nga Shkumbin Bajraktari, i cili pati fjalë
të mira për instrumentistët për të cilët tha se janë ndër më të zgjedhurit, po
ashtu potencoi se disponimi është i mirë dhe se janë të kënaqur që do të
performojnë me Albanin.
Mes tjerash, Bajraktari tha “Është bashkëpunim i
veçantë. Jam munduar me i gjet instrumentistët
më të mirë që ka Kosova. Provat po ecin mirë. Brenda kemi edhe pedagog të
muzikës që vijnë nga Fakulteti i Arteve dhe them se atmosfera brenda orkestrës
është shumë e mirë”.
Ky koncert është konsideruar si ngjarje kulminante e karrierës së Alban Skenderajt, i cili e konsideron koncertin si një ëndërr të realizuar. Salla “1 tetori” në Prishtinë, pritet të mbushet me admirues të muzikës së Albanit nga gjitha trojet shqiptare dhe premtohet një natë e paharruar me emocione të veçanta.BujarMeholli/KultPlus.com
Më 14 qershor 2019, 13:00-15:00 ora në lokalin Menza Ramiz Sadiku, Prishtinë do të ketë një organizim me temën – Lufta e Kosovës nga perspektiva e gazetarit britanez, Vaughn Smith.
Në bashkëbisedimimin premierë FrontlineClub Talk in Prishtina do të merr pjesë gazetari i mirënjohur britanik Vaughn Smith, një ndër figurat më emblematike dhe më të guximshme të medias ndërkombëtare, i cili pasqyroi në një formë origjinale luftën e Kosovës në vitin 1999, sidomos me krijimin e dokumentarit ‘Lugina’.
Vaughan Smith është njëkohësisht edhe themelues i Frontline Club. Ky institut me bazë në Londër, promovon gazetarinë e pavarur dhe mëton të bëjë publikun të kuptojë më mirë lajmin ndërkombëtar.
Duke e ditur rëndësinë e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ky bashkëbisedim synon të vendosë në spikamë rolin e gazetarëve të guximshëm, të cilët me sakrificën e tyre e shpalosën të vërtetën te komuniteti ndërkombëtar për krimet që ngjanë ndaj popullatës civile në Kosovë nga ana e regjimit të Serbisë./KultPlus.com
Në Gjilan, diku kah mesi i viteve të 70-ta të shekullit të
kaluar, ditën e panaxhyrit, një rom e kishte vnu ni plis n’kry e kish dalë
n’qytet. Gabim shumë i madh! Hala pa mbërri n’qendër, aty te përmendorja, e
kishin zanë nja dy tre shqiptarë dhe e rrehin e sosin. Ylym për qylym e kishin
ba romin e ngratë, i cili mezi kish pshtu gjallë.
Arsyeja që e kishin rrehë?: “Bishti i magjupit me vnu n’kry
kapuq t’shiptarit”! Arsyetim tërësisht racist.
Romi, me këtë veprim, me siguri ka dashtë që të manifestoj
edhe publikisht se dëshiron të bëhet shqiptar. Simbolikë dhe veprim i dështuar
i romit kosovar.
Në Gjilan kanë qenë nja dy a tre romë tjerë që bartnin plisa
po kurrë nuk e di pse nuk i kanë rrehë edhe ata. Apo, ndoshta i kanë rrehë dhe
unë nuk e kam marrë vesh por ata plisat nuk i kanë hjekë nga koka.
Tabllo 2
Disa vite më vonë, poashtu në Gjilan, kam qenë duke ecë
rrugës me një kushëri, i cili ishte dy herë më i vjetër se unë. E pamë një
kolonë të njerëzve që e çonin një të vdekur te vorret. Kur e morëm vesh se kush
kishte vdekë, kusherini m’u drejtu e tha ‘Ah, paska dekë ai tyrqelia’.
‘Shqiptar bre u konë’ – i thashë unë. Ai, pa një pa dy, ma
ktheu:’Leje bre se ti je i ri e nuk i di do punë. Unë vet, me veshtë e mi, e
kam ni tu folë tyrqe’. Argumenti i kusherinit tim përmbante elemente qesharake
por më shumë tragjike.
Porosia e këtyre dy tabllove:
Shqiptarët janë refuzues të inkluzivitetit dhe, si të tillë, të prapambetur. Kurrësesi nuk mundesh me hy brenda bashkësisë së tyre etnike apo kombëtare pasi që kanë vendosë roje te dera. Në Gjilan ka pasë raste që shqiptarët janë bërë serbë. Së paku unë e di një rast. Por, asnjë joshqiptarë nuk ka mund të bëhet shqiptarë edhe pse kanë shprehë dëshirë. Shqiptarët nuk lejojnë me hy brenda tyre e me u shkri me ta. Ata që kanë lindur nga martesat e përziera, nga nënat boshnjake, turke, sidomos serbe, janë shikuar me dyshim të madh dhe janë konsideruar se kanë hy në rrethin shqiptar pa i plotësuar të gjitha kushtet.
Por, shqiptarët e kanë lanë derën çelë për me dalë nga mesi i tyre dhe me u asimilu në tjerë. Kjo është veti e popujve primitivë. Vetëm popujt e kulturuar kanë fuqi asimiluese./KultPlus.com
Kur del në dritë elaboarati fashist i Akademikut serb kundër kombit shqiptar pasoj një paknaqësi, frikë dhe zhgënjim në mesin e intelektualëve shqiptarë.
Në këtë rast u sjellim në vëmendje të lexuesve dhe studiuesve polemikën shumë origjinale të poetit të madh shqiptar Esat Mekulit, i cili përmes një poezie të botuar fillimisht në gjuhën shqipe në Prishtinë, në vitin 1979 në revistën “Jeta e Re”, nr. 4, f. 390, pastaj edhe në kroatisht në revistën “Forum”, të Akademisë së Shkencave Jugoslave në Zagreb (sot HAZU), më 1980, nr. 9, f. 364, shpreh kundërshtimin e tij ndaj nobelistit Ivo Andriq në këtë formë:
Duke lexuar tekstin e një dokumenti nga viti 1939, i cili u publikua tash vonë, të shkruar nga I. A.
SI KE MUNDUR?
Fjalë pas fjale – faqe të tëra ke shkruar –
faqe dhune, robërie e smire?…
Ëndërrues i dikurshëm, në burgje i sprovuar,
t’i robërosh të tjerët? Të ndjellish ditë errësire?!
Si t’i marr sot, në këto ditë lirie,
fjalët e tua farmak?
Po shkrimet tua të tjera, që aq të patën hije?! Syve si ti’u besoj?… Ti, që nderimin e pate hak, vallë, lirinë e tjetrit ta vësh në darë e lak?!/KultPlus.com
Panairi i 21-të i librit “Prishtina” 2019 u hapë që nga data 5 qershor dhe do të jetë i hapur deri me datën 9, në ambientet e Pallatit të Rinisë i cili si çdo vit organizohet nga Shoqta e Botuesve të Kosovës.
Në ketë panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova,
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Me rreth 1500-1700 tituj të rinj
dhe rreth 5500 tituj të viteve të fundit.
Ndërsa sot me datën 8 qershor u ndanë çmimet tradicionale të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, për panairin e librit “Prishtina 2019”.
1. Çmimi “Autori i vitit shqiptar” për shkrimtarin Fatos Kongoli, me veprën “Gënjeshtarë të vegjël” botuar nga Toena.
2. Çmimi “Autori i vitit i huaj” për shkrimtarin Jacques Baudouin, me veprën “Lindja e një demokracie” botuar nga Buzuku.
3. Çmimi për veprën kapitale: Shtëpisë botuese “Meshari” për kompletin e veprimtarisë letrare të Ymer Elshanit.
4. Çmimi për veprën më të mirë në prozë: Kim Mehmeti për veprën “Lutjet e mesnatës” botuar nga Agora.
5. Çmimi për veprën më të mirë në poezi: Ismail Syla për veprën “Sfinksi pyet sërish” botuar nga Buzuku.
6. Çmimi për veprën më të mirë nga fusha e publicistikës: Mirela Oktrova për librin “55 ditë” botuar nga Onufri.
7. Çmimi për përkthimin më të mirë të vitit: përkthyeses Saverina Pasho për librin “Lehtësia e padurueshme e qenies” botuar nga Dituria.
8.Çmimi për veprën më të mirë në letërsinë për fëmijë: Anila Kruti me librin Flutura e majit, botuar nga Toena.
9. Çmimi “Stenda më e vizituar”: Shtëpia Botuese “Botart”.
Juria me përbërje Behar Gjoka, kryetar, Marigonë Kelmendi anëtare dhe Imer Topanica, anëtar, vlerësuan si vijon:/KultPlus.com
Një gjuhë antike 10.000 vjeçare rrezikon të zhduket përgjithmonë.
Kjo sepse ajo flitet vetëm nga një person në botë, e cila
është një grua 91-vjeçare nga Kili.
Cristina Calderon është e vetmja grua me gjak nga fisi
“Yaghan”, që e flet këtë gjuhë.
Qeveria në Kili e njohu këtë grua si një “Thesar i
Gjallë i Qëndrueshëm”në vitin 2009. Por, ajo vazhdon të jetë në
këmbë edhe 10 vite më vonë.
Edhe UNESCO po ashtu e ka vlerësuar 91-vjeçaren.
Ajo cilësohet si një ndër njerëzit që “zotëron në një
shkallë të lartë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për kryerjen ose rikrijimin
e elementeve specifikë të trashëgimisë kulturore jo materiale”.
Gruaja ka 14 nipër e mbesa dhe jeton e lumtur mes të afërmve
të saj.
Në mënyra që gjuha e saj mos të zhduket po regjistrohen audio, pasi kjo grua nuk mund të jetojë përgjithmonë./KultPlus.com
Çfarë e çon njeriun drejt suksesit? Gjenetika e ka zbuluar këtë tani. Dhe kjo dikton rregullat për të pushtuar botën.
Ambicia ime e vetme, shkruante shkrimtari Charles Bukowsky, është të jem askushi. Një pikëpamje interesante, por jo e ndarë nga një shoqëri që shpërblen, të paktën përkohësisht, suksesin dhe aftësinë për të arritur në krye, pavarësisht nga kostoja. Dhe presioni është i tillë, sa që të bëjë të lindë një shkencë e ambicies. Për të përcaktuar atë që për humoristin amerikan Jerome K. Jerome ishte thjesht “kotësi e shkallëzuar”. Antropologët janë dakord, ambicia është një tipar evolucionar i specieve tona dhe, siç është thënë nga Eduard Loue Soka, një kulturë përcakton dhe vlerëson gjendjen e mirëqenies, dhe në çdo komunitet ka njerëz që e ndjekin atë në mënyrë agresive dhe të tjerë jo.
Çfarë na bën t’i përkasim një grupi tjetër njerëzor? A është
njeriu ambicioz i lindur? A ka një gjen ambicie, a jemi programuar për të
sfiduar botën apo është një kënaqësi që ne zbulojmë përgjatë rrugës? Një studim
amerikan i kryer në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis, Misuri, tregon
se studentët më të talentuar që këmbëngulin, d.m.th kanë kapacitetin, lidhur
ngushtë me ambicien, angazhohen për arritjen e një qëllimi, kanë aktivizimin
shumë të fortë të një zone të caktuar të trurit, e quajtur ‘zona lombare’, e
lidhur ngushtë me përpunimin e emocioneve. Studiuesit kanë regjistruar një grup
studentësh dhe kanë dërguar një pyetësor të caktuar posaçërisht për të mos
aktivizuar inteligjencën, kulturën ose aftësi të tjera, por vetëm nivelin e
përcaktimit të subjekteve. Më pas ata fotografuan trurin e studentëve në veprim
dhe panë, në të vërtetë, se aktivizohej një zonë specifike e trurit. “Nga
studimet e binjakëve të bëra në SHBA, por edhe në Australi, ne e dimë se
ambicia është e trashëguar në 50 për qind”, thotë një nga udhëheqësit e
studimit, psikiatri Robert Cloninger, autor i “Feeling Good”. E pra, gjysma e
ambicies së një personi vjen nga përbërjen gjenetike, dhe pjesa e mbetur nga
përvojat e tij jetësore.
Por këmbëngulja nuk është e gjitha: “Ambicia mund të ndahet në të paktën tre
elemente”, thotë Dean Simonton, një psikolog në Universitetin e Kalifornisë,
“Përveç aftësisë për të qëndruar ndaj pengesave dhe rezistuar zhgënjimit, është
dëshira për të arritur një status më të mirë socio-ekonomik sesa ai i tanishëm
dhe një nivel i lartë i energjisë, që synon arritjen e këtij qëllimi”. Shtuar
në këtë është një shkallë ecaktuar e vetë-besimit, por kjo nuk është
absolutisht e nevojshme, dhe as inteligjenca: “Nëse qëllimi nuk është për të
fituar një çmim Nobel,” bën shaka Simonton, “inteligjenca mund të ndihmojë për
të arritur ambicie të caktuara, por nuk është një komponent thelbësor i
ambicies, ndonjëherë është thjesht një çështje për të gjetur stimulin e duhur”.
Kështu mund të ndodhë që dy individë të vendosur me sa duket dhe ambiciozë si
Steve Jobs dhe Steve Vozniak, themeluesit e Apple, kanë marrë rrugë të ndryshme,
edhe pse duke filluar nga e njëjta pikë. Vetëm gjenetike?
Reagon Gian Vittorio Caprara, Profesor i Psikologjisë së Personalitetit,
Universiteti i Romës “La Sapienza: “Me origjinë gjenetike është energjia,
makina e suksesit, në terma afat shkurtër, si ëndë e parë ne kemi nevojë për të
përcaktuar qëllimet.”
“Ambicia ka një rol të caktuar në evolucion, sepse kontribuon në mbijetesën e
më të fortëve, në përhapjen e gjeneve më efikase”, shpjegon Simonton. Edhe në
mesin e kafshëve nuk janë në fakt liderët e lindur: në mes të ujqërve, meshkujt
alfa mund të njihen që nga lindja për kureshtjen me të cilën ata eksplorojnë
mjedisin dhe luftojnë për ushqimin dhe vëmendjen e nënës, dhe mbeten kështu
deri në 10-11 vjet, kur ata vdesin duke lënë prapa një pasardhës të madh,
ndërsa ndihmësat ose vartësit riprodhohen më rrallë dhe zakonisht nuk arrijnë
moshën katërvjeçare.
Në të njëjtën mënyrë, në familjet njerëzore ka fitues dhe humbës, dhe njerëz që
duken të paarritshëm nga zjarri i ambicieve. Çfarë përcakton fatin e tyre? Dhe
deri në ç’masë është e mundur të ndërtohet një fitues? Psikologët besojnë se
mjedisi ideal është ai që përcakton objektiva ambiciozë por realistë, duke
theksuar sukseset pa pasur humbje dramatike: “Njerëzit mësojnë që të përpiqen
për të arritur një qëllim, nëse ata janë të bindur se përpjekjet e tyre do të
shpërblehen: mund të ndihmojë të vendosin synime që nuk janë shumë të vështira
për të arritur, për të fituar vetëbesim”, vëren Cloninger.
Krahas pikiatës shqiptare të këtyne kohëve, si politike, sociale, kulturore e po ashtu edhe shkencore, kryeqyteti po lulon me evente. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, ndjek linjën e tij për vêmendje. Gja që duket krejt normale, në drejtimin e nji qyteti.
Së mbrami, u promovue edhe Shtëpia Studio Kadare, me
statusin e nji muzeu vendor. Nji paralajmrim që përflitet tash pak nëpër media.
Me aq sa na lejojnë insertet dhe lajmet, projekti në fjalë
dukej me shumë angazhim. Na ishte pajtue nji arkitekte italiane, që me e
konceptue banesën e Kadaresë për nji studio të hapun për vizitorët, kundrejt
pagesës natyrisht. Çdo shqiptari, sado të mesëm me formim, ia rrok mendja se
projekti duhet me pasë qenë ‘ambicioz’ në fonde. E natyrisht këto fonde Bashkia
e Tiranës i merr nga qeveria, e cila mendon ditë e natë po për vêmendje qoftë
edhe në pikën ma akute të shtetit.
Përpos mbështetjes ministrore (MK) për shtëpinë e lindjes së
z. Kadare, në Gjinokastër, tash publikut dhe vizitorëve u ofrohet dhe kjo
Studio që me pasë akses. Me këtë rast, guidat e Tiranës kanë me e futë me germa
kapitale këtë lokacion. Ose tue përdorë fjalët e z. Veliaj, kjo studio ‘do të
jetë një stacion fantastik për turistët’ së bashku me Bunkerët(art) dhe
Shtëpinë e Gjetheve. Për momentin ky asht trekandëshi ma i suksesshëm i
Tiranës. Në vijim ky trekandësh, ka me u ba me katër kande posa të bahet dhe
shtëpia e Agollit, studio a muze. S’do mend se duhet me e kënaqë dhe mëhallën
tjetër të Rrugës së Dibrës. Me shpresën se në shtëpinë e ardhshme të Agollit
(mos rastsisht!), do të gjenden dhe letrat e Kadaresë kundër tij, drejtue
shokut Mehmet ose shokut Ramiz.
Por, i privilegjuemi i pushteteve në Shqipni, me rastin e
83-vjetorit të lindjes, duket se asht i ‘prekur nga kjo’. Dhe interesante madje
rezulton sesi asht ndërtue rubrika televizive në disa media. Në ma shumë se nji
media thuhej se Kadare ‘e ka mirëpritur këtë ide’. Tash nënpyetja asht: e ka
‘mirëpritur’ apo e ka ‘nxitur’? Sepse na rezulton, se po ai vetë gjatë vizitës
së tij në atë studio do të shprehej (kinse turbullt prej emocioneve) se ‘kjo e
afirmon kombin shqiptar’. Pra, ne me Kadarenë jemi afirmue ndërkombtarisht, apo
thanë ndryshe asht ai që na ka ba të mujtun me u afirmue si komb, sepse asht
shkrimtar i njohun e pretendent i Nobelit dhe i larguem nga regjimi i tmerrshëm
i Hoxhalisë.
Si fillim më lejoni me përmendë se kandidati i parë shqiptar
për Nobel, Padër Gjergj Fishta, sot që po flasim nuk ka shtëpi muze (as të
lindjes as ndonji tjetër). Përpos nji pllakate, ndoshta tash të shlyeme boje,
në Fishtë të Lezhës se këtu ka lindë Gj. F., prej ku ne shohim veç do gurë
themelesh e kurrgja tjetër. Ndërkohë as protagonisti i shpalljes së Pavarësisë,
ish-ministri e shkrimtari Luigj Gurakuqi, sot nuk ka shtëpi se Bashkia e
Shkodrës u tregue bujare në rrenimin e saj. Me fjalë tjera, mbylli sytë e
veshët, e sot kulmin dhe themelet e asaj shtëpie i gëzon tjerakush.
Ndërkohë, as të larguemit e tjerë padyshim ma me dinjitet se
Kadareja, si p. sh. Martin Camaj, Arshi Pipa e Lin Delija (po ndalem vetëm te
këta se lista vazhdon) nuk e kanë asnji shêjë guraleci se kjo apo ajo asht
shtëpia e tyne e lindjes. Duket qartë nga kjo se ‘njeriu i madh dhe gjeniu i
letrave’ po mendon për mbasvdekjen, sepse për gjalljen ka mendue boll edhe në
qoftë se asht shkrue me shkue moshë me Adamin. Me randësi asht, kur të shkojë
matanë bote, që me lanë gjurmë.
E për këtë ushtria asht e madhe, me thanë të drejtën, sepse
në radhët e saj janë kritikë, akademikë, pedagogë, drejtues, botues e
turlifarësoji tjetër. Të gjithë munden me e mbjellë fidanin e kultit.
Kulti për vetveten asht sindromë e regjimit, ku me devocion
Kadareja ka marrë pjesë. Paçka se ai, me ardhjen e asaj që shqiptarët po quejnë
demokraci, gja që unë prej kohësh e cilësoj zgjatje të komunizmit, na doli para
me duert përpjetë si Ponc Pilati: ‘Ja, unë jam për me hapë dosjet e
komunizmit’. Me fjalë tjera: me hapë ato që kanë lanë pa asgjasue. E,
megjithatë, me figurën e tij intelekuale ai ka prodhue si Ponc Pilatin si
Judën. Herë tue u tregue gjoja konfuz, herë se shqiptarët i kanë kuptue gabim
pohimet e tij, herë tue i cilësue disa opinione absurditet shqiptarësh, herë
tue u shitë ndryshe në sy të tjerëve, herë përgojime e ndikime lidhun me
Akademinë suedeze e gjithqysh. Natyrisht, askush nuk pretendon prej tij, me
pasë qëndrimin e bashkëqytetasit të tij, [rofesor Çabejt në lidhje me dhambët e
egër të Enverit për ‘gjuhën e njësuar’. Këtë e din çdo shqiptar.
Nuk asht Kadareja asì brumi. Por, brum që e xên bukën edhe
me shtatë presidentë të tjerë, pas vdekjes së Sekretarit të parë të Partisë. E,
ma e keqja e gjithë kësaj, asht (e ripërsëris) heshjta. Heshtja e kolegëve, e
intelektualëve. Këta kolegë e intelektualë munden me jargitë nëpër media sa për
protestën e studentëve – nji cicmic që nuk u zbardh ende – sa për Ramën, sa për
Ruçin, sa për Lleshin, sa për Tufën e sa për Gjinushin. Situatat dhe rastet
kanë emnues të përbashkët, e nuk asht çasti me drejtue gishtin kah tjetri. Këtë
punë, na shqiptarët dimë me e ba ma së miri. Na rrin dora pezull në hava tue
kërkue përgjegjësin.
Na, të dashtun, jemi përgjegjës për shumëçka. Por, jemi
mësue me futë veshët aty ku nuk bjen drita, e mos me ba za prej frike, ngaqë e
kemi lepurin gjashtë kilesh në bark. Akademia asht në atë gjendje, si shumë
punë tjera, sepse dashtas asht lanë me degradue ashtu. E, në këtë pikë, nuk
kanë faj as vetullat as artikujt e Gjinushit. E, as trajektoret e Ministrit të
Brendshëm që dikur vetë ia rritët veshët po mandej batë aktin ‘e bukur’ me
marrë gërshanët e hardhive. As factotum-i i ndonji drejtuesi institucioni, që
veshë kostumin të cilin ia ka pré ati i vet shpirtnor [paradite drejtor, në
drekë shkencëtar, në darkë analist]. Po as Ruçi me të tjerët, sepse nuk u
dënuen kurrë për krimet e veta. As kritika letrare klienteliste a për favore të
tjera. E as deliret e nji kryeministri që e ka mprehë shpatën ndaj mullijve të
erës.
Po në fund të fundit as Kadare nuk ka faj… Ajo çka pritet asht… thjesht nji riciklim i fjalimit të Ramiz Alisë – si akt i fundit i venerimit – që Universitetit të Tiranës herëdokur, in honorem, me iu vû emni ‘Ismail Kadare’./KultPlus.com
Kohët e fundit kam menduar
edhe pse jam milje larg nga ti,
për dashurinë tënde
që vjen rrotull meje.
mund ta ndjej atë.
Ti je me mua çdo ditë.
Të gjitha rrugët në të cilat kam udhëtuar,
e gjithçka çfarë kam kaluar pa marrë parasysh
unë kurrë nuk jam larguar nga ti,
që më ngroh porsi rreze
e diellit mëngjesor.
Me ty, jeta ime sapo ka filluar…
Dashuria jote bie mbi mua
porsi shiu veror.
Dashurinë tënde për mua
e ndjej si këtë shi…
Udhëtoj nëpër çdo autostradë
në zemër të kam gjithherë;
gjithë pasuritë e dynjasë
nuk mund të na mbajnë larg njëri-tjetrit.
Ti je si rreze e diellit mëngjesor,
që më ngroh.
Vogëlushe, ti më je e vetmja.
Dashuria jote bie mbi mua
Porsi shiu veror.
Dashurinë tënde për mua
E ndjej si këtë shi…
Kosova, përkatësisht qyteti i Prizrenit, është përzgjedhur si vendi i 48-të në të cilin Claire McFarlane, e mbijetuar e dhunës seksuale, do të vrapojë 16 kilometra në mënyrë që përmes sportit të kontribuojë në diskutimin rreth dhunës seksuale.
McFarlane është themeluese e një lëvizjeje të quajtur
Movement to Inspire: Lëvizje botërore sportive që bën thirrje për t’i dhënë
fund dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave, një betejë e saj kundër këtij
fenomeni.
Nisma kryesore e kësaj lëvizjeje quhet “Footsteps to
Inspire”. Ajo vrapon 16 kilometra me qëllim diskutimin gjithë botëror të
dhunës seksuale.
Kushdo që dëshiron të bashkohet në këtë kauzë është i
mirëseardhur që t’i bashkohet McFarlane në këtë vrapim simbolik, sot duke
filluar nga ora 08:30, para objektit të Kuvendit Komunal në Prizren.
Organizatat lokale të cilat mirëpritën këtë aktivitet si
Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), FemAktiv si dhe
Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve – Prizren u bëjnë thirrje qytetarëve
që të bashkëngjiten në këtë kauzë duke vrapuar.
Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës paralajmëroi se do t’i bashkohet kësaj nisme, si simbolike po ashtu edhe përmbajtjesore për trajtim të dinjitetshëm të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe luftim të paragjykimeve ndaj tyre./KultPlus.com
Mirëpo, Baton Haxhiu ka deklaruar të kundërtën: : “Unë mendoj se e kam arritur ditën që të shoh se shqiptarët nuk e duan bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. E kam fjalën edhe për shqiptarët në Kosovë edhe për ata në Shqipëri”.
-Rrenë qoftë kjo farë parulle antishqiptare kundër bashkimit
kombëtar, sepse fajtorë kryesorë për mosbashkimin kombëtar nuk janë shqiptarët,
POR VETË POLITIKA DITORE E ARGATSHTISË ANTISHQIPTARE me
larotë dhe me hyzmeqarët e saj (1990-2019), që janë bërë më të rrezikshëm, më
të dëmshëm dhe më të paparashikuar, duke provokuar, duke kundërshtuar dhe duke
mohuar idenë dhe kërkesën e drejtë dhe të ligjshme për bashkimin gjithëkombëtar
shqiptar.
Se shqiptarët nuk janë kundër bashkimit kombëtar, por
politika ditore zyrtare me “bishtat” e saj nuk e duan bashkimin. Këtë e
vërteton, edhe ky vlerësim i ambasadorit amerikan Christopher Hill
: “I worked in Albania and later when I was talking with Kosovo
negotiators, one thing I realized better than others; Albania did not want to
become a country with Kosovo; I understood that there were two countries with
their own future. I never was worried as other foreigners on the creation of
the Greater Albania.” (Voice of America, October 3, 2016).
Pra, nuk janë shqiptarët kundër bashkimit, POR politika dhe propaganda zyrtare shqiptare me “trabantët” e abonuar-suflerë të saj, është ajo, e cila qe 30 vjet (nuk ka pasur guximin, as mendjen e as vizionin), asnjëherë nuk e ka bërë çështje para bashkësisë ndërkombëtare zgjidhjen e problemit kolonial shqiptar në Ballkan. Shkolonizimi i të cilëve, automatikisht do të nënkuptonte të drejtën e vetëvendosjes dhe të bashkimit kombëtar brenda Shqipërisë Etnike. Kjo është e vërteta e pakundërshtueshme, Jo përrallat propagandistike antibashkim kombëtar të pazargjinjve të amalgamës së aleancës sllavo-bizantine në Ballkan.
Duke qenë se qe 3 dekada merrem me temën “bashkimi
kombëtar”, mirëpo, duhet pranuar faktin se, ende nuk kam ndeshur në
argumente dhe në prova të dokumentuara se “shqiptarët nuk e duan
bashkimin”. KJO është shpifje! Kjo është “rrenë për hava”! Kjo është
tradhti mbi tradhti”, si thoshte dikur patrioti demokrat shqiptar Avni
Rrustemi.
Prandaj, të gjithë ata që flasin dhe shkruajnë kuturu se
gjoja “shqiptarët nuk e duan bashkimin”, shpërfaqin mendimet e tyre
perverse, miope dhe sakat, duke i ngatërruar me ndjenjat e tyre të
sëmura të psikologjisë dhe të interesave personale, klanore, partiake politike
dhe të agjentuarave të huaja kolonialiste dhe imperialiste sllavo-bizantine që
kanë depërtuar thellë në hapësirat e Shqipërisë etnike, të cilat me
projektet strategjike dhe gjeopolitike të shteteve të
tyre sponosruese qe 30 vjet kanë rekrutuar poliagjentë kuislingë shqipfolës, të
cilët në format më perfide të ushtrimit të veprimtarisë së tyre subversive
qoftë në pushtet, qoftë jashtë pushteti, duke përfshirë edhe masmedia të
ndryshme, në vijimësi PRODHOJNË HELM, gënjeshtra, shpifje, intriga, provokime,
shantazhe se gjoja “shqiptarët nuk e duan bashkimin kombëtar”!?
Kjo është rrena më e madhe dhe më e turpshme, që po u bëhet
shqiptarëve nga matrapazët agjenturorë të serbëve, të grekëve, të malazezëve,
të rusëve, të maqedonëve etj. Vetëm për vetëm që të fitojnë besimin dhe
simpatinë, SI DHE NDONJË ASHT PËR TA LËPIRË nga metropolet
kolonialiste dhe imperialiste sllave në Ballkan.
Pra, roli atyre që po shpifin dhe po propagandojnë rrejshëm se gjoja “shqiptarët nuk e duan bashkimin”, është PËRÇARJA dhe KONFRONTIMI deri në vëllavrasje të shqiptarëve, sepse kjo është rruga më e shkurtër dhe më e leverdishme, që të pengohet çdo përpjekje dhe çdo veprim i shqiptarëve për të realizuar aspiratën e tyre shumëshekullore të bashkimit kombëtar dhe të Shqipërisë./KultPlus.com
Me organizim dhe nën drejtimin e politologes dhe gazetares, Vjollca Hajdari, kryesuese e organizatës “Dialogu i Hapur Ndërkombëtar” OID, në Berlin, u promovua libri “Lufta e Kosovës 1999, në mjediset e Universitetit për Shkenca të Aplikuara “EBC” në Berlin.
Ky prezantim i librit u realizua me rastin e shënimit të
20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, 20-vjetorit të intervenimit të NATO-s dhe
20-vjetorit nga lufta e Kosovës.
Mbrëmjen e ka hapur prof. dr. Frank Schaal, akademik në këtë Universitet, ndërkaq nënkoloneli, Dr. Hans-Peter Krieman, ushtarak i Bundeswerit gjerman, ka mbajtur një ligjëratë, ku ai ka shpalosur pjesë të librit dhe ka rekapituluar kohën e luftës.
“Qëllimi i promovimit është zgjimi i vëmendjes tek opinioni
dhe mediat gjermane, të cilët 20 vjet pas lufte, nuk e kanë në agjendë sa duhet
çështjen e Kosovës. Libri ishte edhe një mjet për të reflektuar, se si ka
ndikuar lufta e Kosovës në arenën ndërkombëtare e veçanërisht në politikën
gjermane”, ka thënë Vjollca Hajdari.
Hajdari ka theksuar se kohëve të fundit po tregohen tendenca, për të paraqitur intervenimin e NATO-s, si të gabueshëm. “Prandaj kjo ishte edhe arsyeja, përse ne duhet të demantojmë këtë qëndrim dhe t’i kundërvihemi tendencave të tilla”, ka thënë politologia shqiptare.
Krahas negocimeve urgjente të udhëheqësve botërorë libri
“Lufta e Kosovës 1999”, pasqyron ndër të tjerash ndarjen në dysh të popullit
por edhe të politikës gjermane.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte hera e parë që Gjermania
në vitin 1999, u fut prapë në Luftën e Kosovës.
E paharruar mbetet fotoja e ministrit të atëhershëm të jashtëm gjerman, Joschka Fischer, që u qëllua me bojë nga publiku.
“Përkundër dilemave gjermane, ndërhyrja e NATO-s ishte e
domosdoshme, pasi që përmes sulmeve u parandalua katastrofa humanitare dhe
spastrimi etnik i shqiptarëve Kosovë”, ka thënë ushtaraku gjerman.
Nenkoloneli Dr. Kriemann shfaqi para të pranishmëve fotografi të luftës dhe u përqendrua në veçanti në masakrën e Reçakut, duke përmendur jehonën që shkaktoi deklarata e Diplomatit amerikan William Walker në mbarë botën.
Më tej ai demonstroi pamje nga dëbimi i shqiptarëve dhe
karvanet e të ikurve, ndër ta gra, burra, pleq e fëmijë.
Libri “Lufta e Kosovës” ka zgjuar interesim tek publiku
gjerman dhe ai shqiptar por ngjalli edhe emocione nga bashkatdhetarët, që kanë
ardhur në Gjermani si refugjatë të luftës.
Ky libër është prezantuar edhe në Potsdam, në praninë e Diplomatit Gjerman, Wolfgang Ischinger, ndërkaq që promovimi i librit në Berlin u realizua me bashkëpunim të Organizatës “Dialogu i Hapur Ndërkombëtar” OID dhe Universitetit EBC./Epoka e re
John, emri i vërtetë i të cilit ishte Malcolm John “Mac” Rebennack, njihet për brendin e tij ndikues në zhanrin blues rock. Artisti, i cili u konsiderua si i preferuar në qytetin e tij të lindjes në New Orleans, ishte fitues i gjashtë çmimeve Grammy dhe i pranuar në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 2011.
Një deklaratë e postuar në faqen zyrtare të Dr. John në Twitter, sqaroi se ai kishte vdekur nga sulmi në zemër.
I lindur në Third Ward të New Orleans, Dr. John u sprovua
për herë të parë në muzikë duke interpretuar në bendet e shkollave të mesme. Ai
e braktisi atë menjëherë pas kësaj, duke u bërë një interpretues i rregullt në
të gjithë qytetin, duke performuar kudo nga sallat muzikore e deri tek klubet e
striptizit, shkruan KOHA Ditore.
Frekuentimi i lagjeve famëkeqe të New Orleansit filloi të
ndikojë në Dr. Johnin e ri. Akuzat për drogë e çuan atë në një burg federal në
Fort Worth, Texas. Pas lirimit në vitin 1965, u shpërngul në Los Angeles.
Pasi arriti në Hollywood, Dr. John shpejt e ngriti veten si një muzikant i muzikës marquee. Si anëtar i bendit legjendar The Wrecking Crew, lista e bashkëpunëtorëve të tij përfshin disa prej emrave më të mëdhenj në muzikë, përfshirë Rolling Stones, Van Morrison, Sonny dhe Cher, Aretha Franklin dhe Ringo Starr.
Karriera e Dr. John si solo artist filloi në vitin 1968.
Albumi i tij depërtues, Gris Gris, ia prezantoi audiencës mbarëbotërore tingujt
e tij voodoo-funk të muzikës rock. Duke qenë një personalitet unik me një sens
të modës së larmishme, stili i Dr. John dhe vokali i tij i veçantë e bënë atë
një nga zërat më ekscentrikë në muzikë.
Ai e arriti kulmin e tij komercial me albumin e vitit 1973,
“In the Right Place”. Albumi, me produksion të idhullit të tij nga New Orleans,
Allen Toussaint, ishte më i shituri në karrierën e Dr. John, kryesisht falë hit
singlit “Right Place Wrong Time”.
Në vitet e fundit, karriera mbresëlënëse e Dr. John u festua
nga një brez i ri artistësh. Në vitin 2013, muzikanti e fitoi Grammyin e tij të
gjashtë për albumin Locked Down, me produksion të Dan Auerbach nga Black Keys.
Një vit më vonë, ai u shfaq në Sonic Highways, serinë e HBO-së për dokumentarët
muzikorë me produksion dhe organizuar nga frontmeni i “Foo Fighters”, Dave
Grohl.
Një album përkushtues i vitit 2016 dhe koncerti i titulluar
The Musical Mojo of Dr. John e shfaqin një formacion mbresëlënës të muzikantëve
të mëdhenj, që i interpretuan disa nga këngët më të dashura të këngëtarit të
New Orleans, përfshirë Bruce Springsteen, Mavis Staples dhe John Fogerty.
Dr. John gjithashtu kontribuoi në botën e filmit dhe
televizionit. Muzika e tij u paraqit në filmin e animuar të Disney, “The
Princess and the Frog”, si dhe në ribërjen filmike të “The Jungle Book” nga
viti 2016. Ai e kompozoi kolonën zanore të serialit të fëmijëve në PBS,
“Curious George”, krijoi xhinglën e reklamës “Love That Chicken” për Popeyes dhe
ishte frymëzim për karakterin e “Muppets”, Dr. Teeth.
Derisa lajmi për vdekjen e Dr. John filloi të përhapej,
shumë muzikantë dhe bashkëpunëtorë të mëhershëm u prononcuan në mediat sociale
për t’i shprehur ngushëllimet e tyre.
Regjisori dhe shkrimtari rus Andrei Tarkovsky krahas arritjeve në kinema shquhet edhe për mendimet e tij të thella mbi jetën, njeriun dhe botën.
Në një video të shkurtër, të regjistruar në kohën kur Tarkovsky ishte në moshë të shtyrë, regjisori rus ofron disa këshilla shumë të vlefshme për të rinjtë. Më poshtë po i sjellim të transkriptuara dhe të përkthyera në gjuhën shqipe:
Personi që e filmon Tarkovskyn e pyet: Cka do të doje t’iu
thoje njerëzve?
Tarkovsky përgjigjet:
“Nuk e di..mendoj se do t’iu thoja vetëm këtë: duhet të
mësoheni të qëndroni në vetmi dhe të harxhoni sa më shumë kohë që të mundeni me
veten tuaj. Mendoj se njëri prej gabimeve tek të rinjtë sot është përpjekja e
tyre që të shkrihen në turma që janë të zhurmshme dhe nganjëherë edhe agresive.
Në opinionin tim, kjo dëshirë e të rinjve sot për t’u
bashkuar në turmë, për t’i ikur kështu vetmisë, është një simptomë e
rrezikshme. Secili duhet të mësojë që nga fëmijëria sesi të harxhojë më shumë
kohë me veten.
Kjo nuk do të thotë se ai duhet të jetë një vetmitar, por
vetëm që të mos rritet i mërzitur me veten. Sepse njerëzit që rriten duke e
urrejtur vetveten më duken njerëz të rrezikshëm”.
“Nëpër vendbanimet tona nuk ka librari e biblioteka, por në çdo lagje ka nga një palestër për mirëmbajtjen e trupit, sepse te ne nuk është e turpshme të jesh ‘trutrashë’, por truptrashë: vashat tona nuk e vlerësojnë djalin nëpërmjet asaj që ka në kokë e shpirt, por për nga marka e xhipit që ai grahë!”
“Pa dyshim se e keni dëgjuar batutën për babën i cili, kur i
biri e pyet se ç’punë bëjnë dhe çka shesin politikanët shqiptarë, të cilët aq
shpejtë dhe aq shumë pasurohen, ai i përgjigjet: ata bir shesin më të shtrejtën
dhe më të vlefshmen që kemi – atdheun dhe interesat e popullit! Por ky baba
është dashur t’ia sqaroj të birit se, nuk duhet pasur zili pasanikët e tillë,
ngaqë ata, përjetë do i shoqërojë mallkimin më i rëndë: ai i popullit dhe i
lotëve të varfanjakëve!”
“Pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim,
përfundon ose në vajtim, ose në nënshtrim! Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm
lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen,
ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e ‘Shqipërive’ tona: ikin nga hapësirat ku
sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët
dhe të pafytyrët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta krahasojnë
me më të keqen e djeshme!”
“Sigurisht e keni dëgjuar rrëfimin për dhelprën që ikë nga
pylli, ku luani ka vendosur t’i vret të gjithë ujqit dhe e cila, kur i thonë të
mos ikë, sepse është dhelpër e jo ujk, është përgjigjur: nuk jam duke ikur nga
luani, por nga gomari, të cilin ai e ka shpallur përgjegjës të pyllit dhe
përpilues të listës së ujqve! Jam i sigurt se nëse i pyetni të rinjtë shqiptarë
pse e braktisin vendlindjen, edhe ata do u jepnin përgjigje të ngjashme: se nuk
janë duke i ikur gjithaq varfërisë, por ‘gomarizimit’ të politikave shqiptare!”
“Ne jetojmë në kohë kur shumica e të rinjve nuk mbajnë llogari
as si vishen, as ku zhvishen! Pra ne e jetojmë epokën kur vlerësohen prapanica
dhe gjoksi i cullakosur, e jo koka e mbushur dhe fytyra që dinë të skuqet! Dhe
kjo ndodhi shkaku se ne, prindërit e këtyre të rinjve, u zhveshëm nga morali e
ndershmëria dhe, fatin e fëmijëve tanë, e lamë në duar të atyre që janë disfata
e shqiptarisë!”
“Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri!
Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë
rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!”
“…Mençuria dhe oratoria nuk vijnë me porosi: i rrënuam
standardet vlerësuese dhe u bëmë shoqëri ku njeriu nuk vlen aq sa ka në kokë,
por sa ka ne xhep: të gjithë të rinjtë tanë duan të bëhen o ‘tallava’
këngëtarë, o ‘tallava’ gazetarë, o ‘tallava’ politikanë: jemi duke u bërë
‘tallava’ popull”.
Edicioni i 15-të i festivalit Bunarfest do të fillojë këtë fundjavë. Të shtunën më 8 qershor aktivitetet në kuadër të këtij edicioni do të fillojnë me pastrimit e lumit Lumbardhi, i cili do të fillojë me pikënisje nga Ura e Marashit në ora 12:00, ku përvec vullnetarëve të festivalit do të jenë pjesëmarrës edhe aktivistë nga klubi i ambientit të shkollës “Luciano Motroni”, “Gjon Buzuku”, si dhe vullnetarë të tjerë të cilët dëshirojnë të kontribuojnë për të pasur një ambient më të pastër.
Pas pastrimit të shtratit të lumit, në mbrëmjen e së shtunës do të mbahet koncerti muzikor në lokacionin e Marashit, me performancë të artistëve të njohur vendorë si Buta, Taste 2, DJ Wise, VLN on drums dhe DJ Mendar.
Ndërsa të dielën më 9 qershor, do të mbahet aktiviteti kryesor i festivalit – gara e lëshimit me goma, e cila fillon nga ora 14:00. Pas garës do të ketë edhe afterparty në Kejin pranë Urës së Gurit, ku do të performojnë bendi Offchestra dhe DJ Dagg.
Ndërkaq, një ditë para fillimit të festivalit, sot më 7 qershor u mbajt edhe tryeza e diskutimit me temë “A duhet ta prekim Lumbardhin?”, e organizuar në bashkëpunim mes organizatës X40, EC Ma Ndryshe dhe klubit të ambientit “Luciano Motroni”, ku panelistë ishin Edison Kasumaj – ekolog, Dren Marseli nga X40 dhe Muhamet Bajrami nga Sektori i Mjedisit në Komunën e Prizrenit.
Diskutimi kishte për qëllim prezentimin e gjendjes ekzistuese të lumit Lumbardhi në Prizren, sfidat dhe kauzën e festivalit Bunarfest dhe mënyrat se si do të duhej të trajtohet një habitat i tillë i lumenjve duke mos shkaktuar dëme ndaj florës dhe faunës, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve komunale, shoqërisë civile, media, studentë dhe përfaqësues të klubeve të ambientit nga shkolla “Luciano Motroni” dhe gjimnazi “Gjon Buzuku”. /KultPlus.com
“Testamenti’ është vepra më e re e studiuesit Sabri Hamiti, e cila përmban shkrime kritike për letërsinë shqipe, si dhe është vepër që na ndihmon në krijimin e një kritike të re për letërsinë. Ky studim apo reflektim i ri me shkrime kritike, na vie me koceptin e thellë të trashëgimisë, dhe si një testament në kuptimin e asaj që u lihet lexuesve në duar, si vlerë e trashëgueshme.
Në analizat e tekstit dhe në përkufizimet krijuese
kemi një kontakt të dyfishtë, nga njëra anë me poetin dhe dukurinë letrare,
ndërsa nga ana tjetër njihemi me përceptimin shpesh të pazakontë të studiusit
Sabri Hamiti.
Libri Testamenti ndahet në tri pjesë: Lirika shqipe, leksione dhe testamenti.
Në pjesën e tretë “Testamenti” përfshihet letërsia filolobiblike, romantike, moderne,
bashkëkohore dhe historia e letërsisë.
Letërsia
bashkëkohore përfshin letërsinë shqipe në Shqipëri,
Kosovë e diasporë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Letërsia e kësaj periudhe kaloi nëpër shtigje të vështira, duke u detyruar të
kufizohet brenda metodës së realizmit socrealist. Pati edhe autorë të shumtë që
krijimtarinë e tyre u detyruan ta ndërprenin për periudha të ndryshme kohore.
Këtë pjesë studimore me vizion gjithëpërfshirës
Hamiti e fillon me një studim të hollë bërë karshi autorëve më të qëndrueshëm të
kohës, duke theksuar që veprat letrare arrijnë t’i rezistojnë kohës, pavarësisht
që fshesa e rrafshimit kolektiv, komunizmi, kishte përmbysur autoritetet letrare
të epokës pararendëse.
“Fishta ka vdekur më 1940. Me fshesën e rrafshimit kolektiv me kriter të
karikaturimit provincial, komunizmi përmbys autoritetet letrare të epokës
pararendëse. Mid’hat Frashëri e Koliqi emigrojnë, Lasgushi e Kuteli heshten,
Vangjel Koça mbytet, Haxhiademi e Floqi burgosen, Prenushi e Anton Harapi
burgosen e vriten. Autorët e rinj, të artikuluar, të periudhës pararendëse
konvertohen në metodën letrare” shkruan Hamiti. (Testamenti, f.351)
Letërsinë shqipe në dy dekadat e para e zotëronin
fryma të ndryshme, siç ishin: lufta çlirimtare, utopia e përparimit,
internacionalizmi, si dhe nënvizime të forta të ideologjisë komuniste.
Shkrimtari më i famshëm i letërsisë bashkëkohore
shqipe, i cili gëzon edhe njohje ndërkombëtare është Ismail Kadare (1936), i
cili me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”(1963), krijoi përmbysje të
habitshme duke krijuar shpirtin liridashës të popullit shqiptar. Kadare shkroi
e botoi edhe vepra të tjera, që për letërsinë shqipe patën një vlerë të jashtëzakonshme,
sepse në to trajtoheshin tema të ndryshme të aktualitetit shqiptar me referenca
reale-historike, poashtu ai mes tjerash kritikoi edhe psikologjinë provinciale
dhe traditat prapanike. Kadare është poashtu shkrimtar i propozuar për Nobel.
Plejadën e autorëve në këtë pjesë e përbëjnë edhe
shumë emra të tjerë të autorëve siç janë: Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Bilal
Xhaferri, Kasëm Terbeshina, Fatos Arapi e shumë të tjerë.
Edhe në Kosovë letërsia bashkëkohore kishte nisur të
shkruhej e të botohej, autorët që nisën të botonin të parët ishin: Esad Mekuli,
Martin Camaj e Hivzi Sulejamani në vitet 50-të.
“Këta autorë duke pasur përvojën letrare të periudhës
së përparme, bëhen referencë për brezat e ardhshëm. Kjo letërsi e nisur si
adhurim për kulturë e arsim, nëpër decenie shpalos mënyra krijimi, duke arritur
kështu deri në krijimin e një letërsie me vlera estetike. Kalon nga letërsia e
utilitaritetit te letërsia e literaritetit, që është provë e modernitetit
letrar shqiptar” shkruan Hamiti. (Testamenti, f.354)
Gjatë viteve të 60-ta artikulohet një brez shkrimtarësh
të shkolluar për letërsi. U rrit numri i krijuesve dhe veprave letrare. Kështu
dalëngadalë në letërsinë shqipe filloi të depërtojë fryma e drejtimeve dhe e
ndjeshmërive të reja krijuese e letrare.
Poashtu edhe kritika letrare pati një zhvillim të
hovshëm gjatë kësaj periudhe. Duke njohur situatën delikate nëpër të cilën
zhvillohet dhe funksionon kritika letrare, duhet vlerësuar kontributi i saj, që
vazhdon të jetë i pranishëm edhe në ditët e sotme. Kritika letrare ka historinë
e vlerave të krijuara dhe përcjellësit e këtyre vlerave mbeten personalitetet më
të çmuara të botës shqiptare. Sabri Hamiti kritikët letrar i konsideron si
njerëz me virtyte shumë të larta dhe më të shquarit në këtë fushë ai cilëson: Ali
Aliun, Rexhep Qosjen, Mensur Arifin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismajlin, Agim
Vincën si dhe Sabri Hamitin.
Letërsia gjatë periudhës së krijimit kontrollohej e censurohej nga shteti, si pasojë e rrethanave politike. Hapësirat në të cilat shkruhej letërsia e asaj kohe ishte mjaftë e ngushtë. Poashtu edhe komunikimi i autorëve dhe i librave është bërë me shkëputje. Mirëpo me kalimin e kohës, letërsia filloi të shfaqej më e hapur. Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por jo të gjitha ishin në nivelin e pëlqyeshmërisë./KultPlus.com
Sopranoja kosovare Besa Llugiqi, në mbrëmjen e së shtunës do të prezantohet me shfaqje operistike në Poloni, shkruan KultPlus.
Ajo ka treguar për KultPlus se do të paraqitet në rolin
kryesor të shfaqjes Thais nga kompozitori J. Massesnet, e që do të prezantohet
në Opera Baltyca në Gdansk të Polonisë.
“Do të këndoj përkrah me artistë të njohur si: Marcin Bronikowski e Daniel Borowski, kurse
dirigjent është Jose Maria Florensio”, ka thënë Llugiqi për KultPlus.
Ajo krejt këtë angazhim në këtë shfaqje opersitike e vlerëson
si një eksperiencë të jashtëzakonshme , edhe pse, ajo ka bërë të ditur se tashmë
është hera e tretë që është pjesë e këtij produksioni.
“Një muzikë e jashtëzakonshme dhe një përjetim i rrallë muzikor, që ky ambient i kësaj shtëpie operistike të dhuron”, ka thënë Llugiqi. Ajo poashtu ka njoftuar se pas kësaj performance, do të jetë edhe në të gjitha reprizat e shfaqjes Thais që janë paraparë të jenë brenda këtij viti, dhe vitit 2020./KultPlus.com
Kur flasim për edukimin bullgar, biseda zakonisht mbaron
me psherëtimë dhe me të paktën një klishe të llojit “shpresojmë të largohemi
nga këtu”. Edhe më i trishtuar, është fakti kur fëmijët
flasin për shkollën, zakonisht flasin vetëm për “nxënës”.
Pak kohë më parë, familja e mikeshës sime shkoi për të jetuar
në Prishtinë dhe regjistroi vajzën e tij në ShkollënFinlandezeatje. Ata nuk dinin
se çfarë të prisin, përveç se sistemi arsimor finlandez është i njohur në mbarë
botën si një sistem jashtëzakonisht i suksesshëm.
“Ne filluam me entuziazëm dhe pritshmëri të mëdha,
të cilat pothuajse gjithmonë janë një parakusht për zhgënjim – tregon nëna e
fëmijës. – E vërteta është se muajt e parë, prindërit po e pyesnim veten nëse këta
fëmijë po mësonin apo vetëm po luajnë.”
Pindërit prisnin që fëmija i tyre të kthehej me një çantë
të rënd në shpinë, por kjo gjë nuk ndodhi. Nxënësit nuk kishin shumë detyra shtëpie,
gjë që nuk ju shkaktonte presion. Prindërit shqetësoheshin se diçka nuk është në
rregull me fëmijën e tyre ose me shkollën. Ata dinin se fëmijët po mësonin art
dhe punime të dorës,bënin një gjumë pas dreke nëse ndjeheshin të lodhur, bënin shumë
aktivitete me pajisjet e ndryshme në oborr dhe vetëm 2 orë mësonin gjuhë angleze
dhe matematikë.
“Vajza ime po shkonte dhe po kthehej nga shkolla me
një buzëqeshje nga veshi në vesh, fytyra e saj po shëndriste, dhe trupi i saj kishte
forma prej një atleteje. Natyrisht, për mua si një nënë bullgare më dukej se ata
po kalonin shumë pak kohë duke mësuar matematikën dhe gjuhën angleze,”thotë
nëna e fëmijut.
Prindërit e vajzës shkuan në shkollë për të biseduar lidhur
me këtë çështje. Ata u takuan atje, me një zonjë të ëmbël dhe mbresëlënëse. Ajo
u tregoi prindërve disa nga gjërat që fëmijët i kanë bërë në shkollë, muajt e
fundit. Ata mbetën të habitur nga ajo që ishte bërë!
Mësuesja e vajzës shpjegoi se klasat 0 deri në 2 janë baza
e njohurive dhe shkathtësive dhe për këtë arsye më shumë rëndësi i ipet cilësisë
se sa sasisë.
Kur prindërit e pyesin vajzën nëse dëshiron të kthehet në
shkollën bullgare, ajo përgjigjet se do të kthehet, por jo pa klasën e saj dhe Mësuesen
Maria, ashtu siç e quajnë atë në ShkollënFinlandeze.
“Unë duhet të them se në Bullgari vajza ka qenë në një shkollë
të mrekullueshme dhe akoma më pëlqen ta them këtë”, thotë nëna. Shkolla ishte
inovative sepse kishte shumë filozofi të sistemit finlandez, por disaavantazhi ishte
se fëmijët rrinin shumë kohë brenda shkollës, kurse në Shkollën Finlandeze mësimet
mbahen edhe në natyrë, nëse koha ua lejon, duke mësuar në oborr, park ose në ndonjë
livadh. Në oborrin e shkollës, çdo klasë ka një parcelë toke, ku mund të mbjellin
fruta të ndryshëm dhe kultura të tjera, duke u kujdesur për to rregullisht.
Edhe këtu në Bullgari, të gjithë po pyesin pse nuk ka ShkollëFinlandeze. Shpresojmë
që edhe në vendin tonë të hapet një shkollë e tillë, është mirë “ta
adoptojmë” gjithë këtë sistem arsimor, për sa kohë që kjo po ndodhë edhe në
vendet tjera,për shembull në Kosovë.” – u shpreh nëna e vajzës.
Në ambientet e Institutit Albanologjik sot u promovua botimi më i ri nga fusha e kritikës letrare shqiptare. Autori, tashmë emër i njohur për letrat shqipe, studiuesi prof. dr. Arben Hoxha, këshilltar shkencor në Degën e Letërisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, për lexuesit, studentët dhe studiuesit shqiptarë solli studimin monografik “Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike”. Ky libër i botuar nga Instituti Albanologjik dhe është rezultat i punës hulumtuese shkencore disa vjeçare te autorit.I konceptuar në pesë pjesë voluminoze, strukturën e zhvillimit epistemologjik të mendimit kritik letrar shqiptar ky studim e vështron nga perspektiva e tërësisë së procesit të lëvizjes dhe ndryshimeve në kohë, të pjesëve që e përbëjnë e të subjekteve që e udhëheqin atë.
Për librin folën prof. dr. Kristaq Jorgo nga Universiteti i Tiranës, prof.dr. Hysen Matoshi dhe prof.dr. Sali Bytyqi nga Instituti Albanologjik në Prishtinë. Profesor Jorgo ndër të tjera tha: “Në rastin e e veprës që po promovojmë sot mund të themi se puna e profesor Arben Hoxhës është shumë më pak punë e vijimit dhe shumë më tepër dhe kryesisht punë e themelimit. Kemi të bëjmë me një punë në fushën e mendimit për mendimin kritik letrar shqiptar. Është një libër manual në të cilin studiuesi shqiptar i letërsisë bën objekt të gjykimit të vet produktin e vet të deritashëm, dhe akoma më tej e bën objekt objektin e mendimit të vet, kriteret, parimet e mendimit të vet, rezultatet e mendimit të vet, në mënyrën dhe në trajtën më radikale të mundshme”.
Prof. dr. Hysen Matoshi u ndal në aspektin e tipologjizimit në rrafshin metodologjik që studiuesi Arben Hoxha i ka bërë mendimit kritik letrar shqiptar. Ndërsa studiuesi prof.dr. Sali Bytyqi bëri një paraqitje të përgjithshme të aspektit të jashtëm të strukturës së veprës si dhe të vlerës së saj për shkencën letrare shqiptare sot dhe nesër.
Akademik Rexhep Qosja i cili është edhe recensenti i librit, në kopertinë librin e vlerëson me këto fjalë: “Në librin “Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike” studiuesi Arben Hoxha trajton një temë të gjerë dhe të përbërë, sepse prek në fusha të ndryshme të dijes dhe në fusha të ndryshme të mendimit të njeriut: në fushën e filozofisë, të teorisë së njohjes, të teorive letrare, të estetikës, të politikologjisë, të kulturologjisë, të metodologjisë e të etikës. Në librin “Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike” autori i saj trajton një temë të patrajtuar në shkencën tonë letrare: temën e përcaktimit dhe vlerësimit të fuqive njohëse të mendimit kritik letrar shqiptar. Këtë temë ai e trajton duke u mbështetur në tri shtylla problemore: a) çfarë është synuar të njihet në mendimin kritik letrar shqiptar?; b) me cilat mjete është arritur ajo njohje?; dhe c) cila është rëndësia e asaj njohjeje? Vlera të veçanta të kësaj vepre janë: gjuha e pasur, aftësia e gjykimit abstrakt, prirja e mbarështimit, e sistemimit të dëshiruar të lëndës së trajtuar, prirja e ndërtimit të qëndrueshëm të pjesëve dhe e ndërtimit të qëndrueshëm, kompozicional, të tërësisë, kultura e tij e gjerë diturore, metodologjike, filozofike e dëshmuar prej faqeve të para deri në fund të librit.”
Në fund të përurimit edhe vetë autori i përshëndeti të pranishmit me disa fjalë ku ndër të tjera tha: “Ky libër më ka mësuar se burrërimi në njohje përcaktohet prej asaj se sa je i afte të mbetesh fëmijë. Të hysh si fëmijë në botën e mendimit do të thotë të hysh në zonën e rritjes tënde.Puna është veprimtaria përmes së cilës ti rritesh dhe mëson për zgjerimin e kufijve të ekzistencës. Nuk mund të krijojë, t’i rrisë, t’i zgjerojë kufijtë e hapësirës së ekzistencës sonë ai të cilin puna nuk e ka arritur ta rrisë e zhvilloje vetë atë. Që të frymëzosh duhesh të jesh vetë i frymëzuar. Që të pasionosh të tjerët duhet të jesh vetë i pasionuar. Pasioni nuk është tipar, por pasqyrë e karakterit. Pasioni e përcakton fuqinë vepruese të karakterit tonë. Kufijtë e dijes tonë nuk mund të shkojnë përtej kufijve të fuqisë së karakterit tonë. Shpresoj që pasioni për dijen, tashmë i objektivuar në këtë libër, do të jetë i aftë t’u përgjigjet dhe të nxisë pasione intelektuale te lexuesi e studiuesi i letërsisë”. /KultPlus.com
Historia e gruas që besohet se qëndisi flamurin, të cilin Ismail Qemali e ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Aktiviteti politik e shoqëror i Marigo Pozios, që vdiq e vetmuar në Tiranë, pasi kishte humbur fëmijët dhe bashkëshortin nga turbekulozi.
Mediat kanë sjellë një shkrim të antropologut Jakov Milaj (1911-1997) të botuar në revistën Përpjekja Shqiptare e Branko Merxhanit.
Shkrimi është publikuar në numrin 13 të janarit 1938 të kësaj reviste, vetëm pak kohë pasi ishte shënuar 25 vjetori i Pavarësisë Kombëtare. Pa marrë përsipër vërtetësinë e të gjithë atyre që shkruhen në artikullin e mëposhtëm, po e sjellim atë të plotë me fare pak ndryshime gjuhësore, për të kuptuar atmosferën e asaj kohe si edhe disa fakte rreth figurës së gruas së shumëpërmendur në historinë tonë kombëtare.
Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar
Nga Jakov Milaj
E ëma e një shoku t’im ruan me kujdes, në fund të arkës së teshave një flamur të vogël në trajtë trekëndshi me dimensionet 70 X 40 cm. Eshtë i kuq si flaka, me thekë të mëndafshtë rreth e rrotull, me një shqipe të bukur nga pjesa e gjerë, e me një fytyrë…., të qëndisur me dorë në zemër të shqipes. Nga pjesa e ngushtë e trekëndëshit shkruhet me germa ari: Rroftë Shqipëria.
Si ky flamur ka me qindra nëpër familjet vlonjate. I ka punuar Zonja Marigo. Kush e ka e ruan si sytë e ballit. E mbante, dikur, të fshehur në ndonjë cep që s’i binte në sy gjindarmit fesë-kuq; më pas, të ekspozuar në krye të odës së miqve; tashi që ka nisur të vjetërohet, e ka palosur, e ka mbledhur mirë dhe e ruan si ujët e pakët që mos të shkyhet.
Esht pema e një epoke entuziazmi, puna a një farkëtareje të idesë kombëtare.
Vlore, një herë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj, të gjithë natën duke pritur e përcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe. Ata që kanë hyrë e dalë në një shtëpl të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin “Justin Godart”, m’a kanë përshkruar në këtë mënyrë Zonjën Marigo Pozio: ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare, e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ri të saj. Ishte gojëmbël e buzëgaz.
E zonja në fjalë sa ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trembej syri as prej bajonetave tyrke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për në kohët e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë. Dinte shume gjëra: njihte, sidomos, mirë përpjekjet e shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e Rilindjes sonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve e dinte përmendësh.
Kam përpara sysh shumë fotografi të saj: diku ajo duket e zymtë a e menduar, diku ka një qeshje ironike në buzë, diku spikat shenja e gëzimit. Këto kuadro përbëjnë, në mënyrën e tyre, termometrin e veprës nacionaliste: herë ngrihet pse punët shkojnë mbarë, herë ulet pse dalin pengesa, paraqiten rreziqe, bëhen gabime. Por kurdoherë, në thellësin e syve që lëshojnë xixa gjallërije, fshihet një farë gëzimi, gëzimi që ajo pret: është e sigurt se Shqipëria do të dalë më vehte e do të shkojë përpara. Shumë vjet më pas, gazeta e saj “Shpresa Kombëtare” do të botojë një poezi të hartuar në kohën e robërisë:
Do vinjë prapë, do vinjë
Do vinjë vera, behari;
Bima, lule ta mbinja,
Të marrë shpirt Shqipëtari.
Retë e zeza do përdahen,
Do shkojnë koha e ftohtë,
Lotët në vite do thahen,
Se do vinj diell i ngrohtë.
(Shpresa Kombëtare: Viti 1, Nr. 6 — 25 Maj 1921)
***
Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përves kujtimeve që mban në tru, ruan edhe shumë dokumenta të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë me Rilindjen tonë Kombëtare. Shumë ndër këto flasin për Zonjën Marigo Pozio.
Ka njerëz që mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904, do me thënë përpara shpalljes së Hyrietit, interesohej psr csshtjen shqiptare, predikonte idenë e shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra, mirrte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve. Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një burrë i mirë e i dukshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij të madh, Zonja Marigo, në shtëpi, qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të shpërndarë në të gjithë botën, e u fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me burrat për ngjarjet e ditës, për propagandën që duhej filluar, për luftën që duhej nisur.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Zonja Marigo nuk men së punuari për çështjen kombëtare. Është bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 Nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të parën herë dritën e diellit të shkëlqyer shqiptar. Dera e oborrit të saj tashi i hap të dyja kanatat për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet e koklavitura të ditës; është salloni ku autorët e Shqipërisë së porsalindur lexojnë me zë të lartë, ashtu siç bënin poetët frëngj të shekullit të 18, veprën e tyre ndërtonjëse të shkruar sido kudo.
Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte në kujdes për vite me radhë: në rrethin e grave. Nis, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të cilësdo klasë: të bejlerëve, të tregtarëve, shërbetorëve të tyre, grave të pasura e të varfëra. Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914, themelohet shoqërija “Shpresa Kombëtare” (“Populli”, Viti 1, Nr, 3 — 18 Prill 1914), në të cilën ajo, më e ditura grua e qytetit, zgjidhet sekretare.
Viti 1914 ka qenë një nga vitet më të përzierë në jetën tonë kombëtare. Princi gjerman von Ëied, që u dërgua për të mbretëruar, e gjeti vendin tonë në lufte me tanët e me të huajt. Shqipëris i ishin njohur kufijt që më 1913 prej Konferencës së Londrës, por shtetet fqinjë nuk e pranonim vendimin e Fuqive të Mëdha. Grekët kishin dale në prefekturat e Korcës e të Gjirokastrës dhe, me gjithë kundërshtimin e dëshpëruar shqiptar, kishin mundur të ecin përpara. Shumë familje, për të shpëtuar nga ndjekjet e tyre, kishin lënë plënk e shtëpi dhe kishin ardhur në Vlorë. Nën ullishtat, nëpër shtëpira të rrëzuara e dyqane të vjetër ishin mbledhur mijëra muhaxhirë.
Një gjendje e këtille, që as burrat s’po i bënin dot ballë, me gjithë se po përdornin armët dhe po derdhnin të gjitha fuqitë e tyre të varfëra në diplomaci, e vinte në pozitë të vështirë veprën e Zonjes Marigo. Ajo duhej të mbante gjallë entusiazmin ndër shoqe dhe të bënte dicka të dobishme për Atdhen e mjeruar.
Për të ngrohur zemrat e vlonjatëve u paraqit një rast i mirë: mbreti Ëilhelm i Parë, një muaj mbasi arriti në Shqipëri, i mallëngjyer prej mjerimit të muhaxhirëve të ndjekur prej Grekëve, desh të vizitojë Vlorën. Zonja Mango do t’i përgatiste një pritje madhështore nga ana e organizatës femërore të porsakrijuar.
Mustafa Quill, gazetari dëshmor, e përshkruan për bukuri, në një reportazh të gjatë, këtë pritje.
“Skela e Vlorës ishte mbushur me njerëz. Ismail Qemali, prefekti, kryekatundari, oficerët organizatorë t’ardhur prej Hollande, e konsujt e Austris e të Italisë kishin zënë vendin qendror. Pranë tyre vinte grupi i madh i grave, të veshura me petkat më të bukura, nëpër mëngët e nëpër kraharorët e të cilave ishin qepur kordela të kuqe e të zeza. Porsa u duk, në horizontin e hapët jahti mbretëror, një mori barkash të vogla, mbushur me popull të thjeshtë e me përfaqësonjës, shkuan drejt tij. Kur jahti u ndal nja njëqind metra larg toke, vetëm një barkë e vogël u drejtua kah shkallët dhe disa gra u ngjitën në të. Mbreti e Mbretëresha pranuan përpara të gjithëve, përfaqësinë e shoqëerisë “Shpresa Kombëtare”. Zonja Marigo, kryetarja e këtij grupi, e mallëngjyer pse po shihte të vërtetuar ëndrrën e saj të sa e sa vjetëve, me lot ndër sy i dorëzoi Mbretëreshës një tufë të madhe lulesh të zgjedhura. Mbretëresha e puthi në ballë. Në tokë Sovranët u pritën me brohoritje të papërshkruarshme. Jani Minga mbajti një fjalim të mallëngjyeshëm. Kur karroca mbretërore po nisej për në qytet, populli zbërtheu kuajt prej saj dhe e tërhoqi vetë Mbretin gjer sa e coi në banesën që i ishte caktuar”. (“Popull”, Viti 1, Nr 3, 18 Prill 1914).
Kjo vizitë mjaftoi për t’u ngjallur entusiazmin grave të Vlorës. Zonja Marigo, e pagëzuar me një puthje mbretërore në ballë, fitoi fuqi të reja për të vazhduar misionin që i kishte ngarkuar vetvehtes. Vepra më e mirë për kohën kur një mori njerëzish, të plagosur në luftë e të sëmurë, janë duke vdekur urije e së ftohti nëpër ullinjt e Vlorës, ishte ndihma për muhaxhirët. Edhe përpara se të vinin në Vlorë Sovranët, ajo kishte mundur të mbledhë dicka: 3804 groshë. Mbretëresha Sofije, për të përkrahur këtë inisiativë, i dhuron Zonjës së Syrja Bej Vlores — kryetare a shoqërisë — edhe 3000 franga ari bashkë me disa topa basme e pëlhure. (Mbreti, mbasi vizitoi të gjithë muhaxhirët me radhë, nëpër banesat a tyre të shkreta iu fali atyre 1000 napolona).
Nis, atëherë, fushata e ndihmave më me nxehtësi. Zonja Marigo, bashkë me dy a tri gra të tjera, shkon shtëpi më shtëpi, trokiti derë më derë për të kërkuar lëmoshë. S’le grua pa kapur. Te dyert e pacelura pret nga një gjysëm ore e nga një orë më këmbe, gjer sa ato cilen. Gjithkush kontribuon me dicka. Dikush jep dhjetëshin për muhaxhirët, dikush kacidhen. E me dhjetëshe e me kacidhe mblidhet një shumë e madhe: 21.813 groshe. (Në këtë shumë nuk hyn ndihma e Mbretëreshëes, por vetëm ndihmat e vogla bashkë me të ardhurat e llotarisë që u hodh për një qostek të falur nga Zonjëza Bukroshe Qazim Kokoshi)
Lista e ndihmëtarëve, edhe e atyreve që për mungesë groshi, kishin dhënë vetëm nga njëzet e nga tridhjetë para, botohet në fletoren “Populli”. (Populli, Viti I, Nr. 11, 20 Qershor 1914).
Është lista e vuajtjeve të kësaj zonje nacionaliste: qindra emra, do të thotë qindra dyer të trokitura, qindra shtëpi të vizituara; punë që kërkon djersë, sidomos kur kryhet ndër ditët e fundme të majit. Gratë e Vlorës mendonin që fushata e tyre të përhapej në të gjithë Shqipërinë e nëpër kolonitë shqiptare; e prandaj kishin dërguar një tok letrash, të thjeshta e të porositura, nëpër të katër anët e botës. Në gazetën “Populli” pas listës së ndihmëtarëve, shënohet lista e letrave të dërguara, e më në fund, Zonja Marigo përshkruan llogarinë se si u shpenzuan të hollat e mbledhura. Po e botoj tekstualisht këtë pjesë:
Shuma e të hollave grosh 20.801
Nga qosteku qe dhuroi vajza e Z. Qazim Kokoehit 1.012
Gjithsej 21.813
Ndihmat që u dhanë prej Zotërinjve të Vlorës:
10 qese misër i dhuroi Nëna e Qazim Kokoshit.
Të holla 15.000
Për 10 shtresa dhe 10 krenka (jastikë) 70 kut nga 2.20 gr 175
U dërguan në Kaninë për të prishurat e krahinës së Delvinës:
Basma 129 kut nga 1.30 grosh 225
Basma 79 kut nga 1.23 105
Mashemir 54 kut nga 2.20 135
Humai topa 4 nga 0.455 180
Për kalin që shpuri plackët në Kaninë 20
Harxhet e shtypit 300
Për letra 29.50
Prej shumës së të hollavet 21.813 grosh u harxhuan 16,169.50
Kusuri 5.643.50 gr. do t’i paraqitet këto ditë bashkë me statutin M. së sajë Mbretëreshës, dhe si të kqyret nga M. S. Mbretëresha, do të formohet Shoqëria e rregullshme dhe pastaj tu lutemi bashkatdhetarëve tona që dëshirojnë përparimin e Atdheut të marin pjesë në këtë shoqëri.
Gjithë zonjave e zotërinjve që patën mirësinë e na ndihmuan u falemi fort nderit. Zonjave Shqipëtarka brenda e jashtë Shqipërisë që u cuam letra pas listës që po botojmë, u lutemi fort të na përkrahin me ndihmat e tyre. Zonjat e Vlorës që s’na ndihmuan si Z-za K. G. dhe Za N. E. që u fshehën dhe Z. Dr. P. (të gjithë inicialet përfaqësojnë emra që janë shkruar të plotë në original) që si na mbajti një orë ne porta, mezi na hodhi 20 gr., u themi që meqë neve nuk u suallëm si dinkardashët e tyre Grekët, që kur vinin kërkonin nëpër Shqiptarët e viseve që kishin shkelur e u thoshin jepni 4-5 napolona; dhe ato të ngratat Shqiptarka që kishin burrat në kurbet, dhe s’u ndodheshin të holla, i shtrëngonin të shisnin bakëret, ose bagëtinë dhe jo vetëm këtë punë, po shumë herë (dhe përse, që t’u vrasin vëllezërit dhe t’u djegin mallë), pra pse me fisnikëri u kërkonim të na ndihnin sa të duan, na u fshehën e s’na dhanë?
***
Por kohët e veprimit kaluan shpejt e shpejt. Rebelët e Shqipërisë së Mesme e dëbuan Mbretin Wilhelm i Parë prej vendit tonë, mbasi i vranë trimat më të mirë. Po n’atë kohë plasi Lufta e Madhe dhe Shqipëria u shkel prej Fuqive të Huaja. Shoqërija e “Shpresa Kombëtare” u shpërnda pa e parë të aprovuar statutin e saj nga ana e Mbretëreshës Sofije që do të ishte kryetare nderi. Zonja Marigo hyn prapë në shtëpinë e saj të vogël për të pritur e përcjellë miqt e vjetër nacionalistë. Fatbardhësisht kjo periudhë turbullimi nuk i kalon të pes a gjashtë vjetët. Luftrat e 1920-ës i nxjerin jashtë Shqipërije fuqitë e huaja; Kongresi i Lushnjës riorganizon shtetin e lirë shqiptar.
Zonja Marigo, porsa e sheh Shqipërinë të lirë e sovrane, mendon menjëherë komitetin e grave vlonjate që, gjashtë vjetë më parë, ishte shpërndarë pa u formuar mirë. Shoqërija “Shpresa Kombëtare, u formua më 21 Janar 1921 (Mbrojtja Kombëtare Viti 1, Nr. 16, 23 Janar 1921) dhe menjëherë mori një vendim të madh: të botojë një gazetë që do të ketë për mision zhvillimin e femrës shqiptare. Zonja Marigo J. Pozio caktohet drejtoreshë e përgjithshme.
Kam lexuar vetëm një numër të kësaj fletoreje të botuar mbi letër ngjyrë trandafili; në krye titulli “Shpresa Kombstare” formon një gjarpër në trajtën e gërmes “S” të shtritur. Nën të vijnë artikujt, të ndarë në tri shtylla, përmbajtja e të cilëve, po të merret parasyshë koha në të cilën janë botuar dhe niveli kultural i femrës shqiptare të vitit 1921 që kishte kryer shumë shumë, vetëm një shkollë fillore propagande në gjuhë të huaj, është mjaft e mirë.
Shifet qartë se Zonja Marigo ka pasur dhe një kulturë që e bënte superiore ndërmjet shoqeve, edhe një farë shije në gazetari. Fletorja “Shpresa Kombëtare” vazhdoi botimin vetëm për pak muaj. Kur entuziami që kishte grumbulluar të gjithë gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua, shoqërija u shpërnda dhe fletorja u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte mplakur dhe nuk mund të punonte më me vrullin e dikurshëm. Përvec pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Jovani, i shoqi zemërbardhë, që për disa vjetë me radhë mundohej të përkrahte veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë cështjen kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundjeje. Më në fund, bacilet e Koch-ut nisën të brejnë edhe mëlcinë e Zonjës Marigo. E varfër sa s’bëhet, s’kishte asnjë mjet për t’u mjekuar. Me kohë humbi edhe dritën e syve dhe, pesë a gjashtë vjet më parë, vdiq në Tiranë në një gjendje të vuajtëshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati, Kristo Floqi.
***
Ky është fundi i tmerrshëm i një idealisteje të madhe. Zonja Marigo Pozio të gjithë jetën e pasurinë ia kushtoi cështjes Kombëtare. Por me gjithë këtë, emri i saj do të harrohej krejt, sikur ndonjë polemikë gazetash ose ndonjë shënim i pakontrolluar reviste kulturale mos të parashtronte pyetjen: Cili flamur qe ai që u ngrit në Vlorë, më 28 Nëntor, prej Ismail Qemalit?
Gjithkush, gjer më sot, është përgjigjur sipas qejfit. Disa duan të thonë se flamuri i parë që valoi në Vlorë qe ai që Don Aleandro Castriota u pat falur bejlerëve të këtij qyteti. “Hylli i Drtës” kujton se Ismail Qemali, duke ardhur prej Viene, u ndal në Kotorr dhe atje Lec Shkjezi, që kishte flamuj gjithfarë maset, i dha nji flamur të thjeshtë, kund dy metra të gjatë, mbasi i pat thanë Plaku: nuk e due as tepër të madh, as tepër të vogël. (Hylli i DrItës, Nr. II, Nanduer 1937)
Të dyja këto, pretendime janë të pathemelta. Kërkush nga ata që kanë marrë pjesë në Kongresin e Vlorës, përvec të interesuarve, nuk përmendin gjëra të këtilla. Mbeten vetëm dy hipoteza, në të cilat Zonja Marigo figuron, në mos si qëndisësja, së paku si kustodja e Flamurit Kombëtar: u ngrit flamuri i dërguar prej Amerike nga shoqërija “Besa Besë”, apo ai që punoi me duart e veta Zonja Marigo?
Zoti Kol Rodhe, në këto ditë, pati mirësinë të më dërgojë një letër të gjatë në të cilën përshkruan një histori të mahniteshme qi duhet ta njohë cilido Shqiptar: Në verën e vitit 1911, me pretekst se do të mjekohej, Zonja Marigo shkon në Korfuz (sikurse kishte shkuar, më parë edhe nëpër qytete të tjera) dhe aty ndeshet me të gjithë përfaqësonjësit nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek për të hyrë së bashku e me pushkë në dorë në Shqipëri që të nisnin luftën kombëtare. Midis këtyre ishin dhe përfaqësonjësit e Amerikës, të dërguar nga shoqërija “Besa Besë”. Këta, dhe posacërisht Kola me të vëIlain e Thoma Katundit, i dorëzuan Zonjës Marigo një flamur të qëndisur n’ar e në mëndafsh që, “me gjithë shtizën dhe me një shkabë të celikteë kishte kushtuar 140 dollarë”. Ndërsa 13 vetët që përbënin cetën e Amerikës vuanin nëpër bodrumet e Gjirokastrës, Zonia Marigo kthehet në Vlorë me flamurin e veshur në trup nën teshat e përditëshme, nga frika se mos ia gjejnë rojtarët e doganës që teshat e asaj i kontrollonin më imët nga cdo gjë tjetër. Një vit më pas këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit për t’a ngritur më 28 nëntor, në ballkonin e Xhemil Beut. (Përshkrimin e Z. Rodhe po e shkurtoj e po i shtoj ndonjë episod të mbledhur nga persona të tjerë.)
Të njëjt mendim me Kol Rodhen janë edhe shumë nacionalistë të tjerë, ndër të cilët edhe Zoti Qazim Kokoshi. Por Kristo Floqi ka shkruar ne fletoren “Arbënia”, ka nja dy vjet, se flamurin kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta Zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregtari Diamanti si mbas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin. Midis atyreve që kanë dijeni mbi faktin, Zoti Kristo Floqi përmend edhe Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza lsain e Ymer Radhimën.
Këtë hipotezë të dytë e përkrah edhe shërbetorja që Zonja Marigo, ka mbajtur pranë vehtes gjatë gjithë jetës së saj. Kjo di shumë sende nga jeta e Zonjës dhe i kujtohet së si qëndron puna e flamurit që u ngrit në Vlorë.
“Flamuri që ngriti për të parën herë Ismail Beu — më tha Zonja Thina Ferra — e ka pikturuar me hoje të zezë vetë Marigoja. Bile, këtë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që ta thaj sa më parë. “Shpejt, Thinë, më thoshte e ndjera Zonjë, pse Ismail Beu e do për tashi pas drake”. Flamuri i Amerikës që suallëm prej Korfusi i është dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhe’s, i paprekur, kur këta po niseshin për në Korcë. Flamuri që bëmë ne nuk ishte krejt i kuq, por pak si i zbardhur, në bojë të specit. Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t’ia shpërndare popullit. Kishim edhe një shqipe të vogël që e lyenim me bojë të zezë dhe iu vulosnim qylafët a bardhë të gjithë lebërve që muarën pjesë në manifestime.
***
Nga gjithë sa thamë më sipër, duhet besuar se flamuri që u ngrit në Vlorë qe punuar nga Zonja Marigo. Fjalët e Thinës sidomos, duhen marrë në konsideratë, pse, brenda tyre nuk fshihet asnjë ambicje a paragjykim. Kjo flet vetëm mbi sa ka parë me sytë e ka dëgjuar me veshët e saj.
Por, edhe në mos qoftë e vërtetë se flamuri që u ngrit për herën e parë ka qenë i pikturuar vetë prej dorës së Zonjës Mango, ësht krejt e sigurtë se, të paktën, ai flamur u ngroh prej trupit të saj, u nxeh në prushin e zemrës së saj shqiptare sa here i duhej të kalonte nëpër doganat e huaja ose të kërkohej prej autoriteteve turke. Flamuri që u ngrit në Vlorë nuk është blerë nëpër tregtarë, por është punuar prej dorës së një Shqiptarke, qoftë kjo edhe n’Amerikë, që shkriu jetë e pasuri për lirin e Atdheut.
Gjithkujt i bëhet të besojë se Vincens Prendushi (O.F.M.) ka pasur parasyshë Zonjën Marigo duke qëndisur flamurin kombëtar, kur ka shkruar në “Gjeth e Lule” romancën e tij të pavdekshme: Grueja Shqyptare.
Të gjitha kafe baret që ndodhen në qendër të Prishtinës në rrugën “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” i kanë shtrenjtuar makiatot e vogla. Nga 0.70 cent aq sa ka qenë, çmimi është ngritur në 1 euro. Çmimi është ngritur brenda ditës në të gjitha kafeteritë përnjëherë. Ndërkohë, makiato e madhe vazhdon të ketë të njëjtin çmim prej 1 euro. Makiatot janë shtrenjtuar edhe në disa zona tjera të Prishtinës.
Disa pronarë të lokaleve thanë për
lajmi.net se kështu janë marrë vesh me Shoqatën e Gastronomeve të Kosovës.
Kontakti me këtë shoqatë ka qenë i pa mundur gjatë ditës së sotme. Lidhja e
marrëveshjeve që të fiksohet çmimi në mes të ndërmarrjeve të së njëjtës
konkurrencë (ndërmjet prodhuesve ose grosistëve) që veprojnë në të njëjtin
nivel ekonomik është e sanksionuar me Ligjin mbi Konkurrencën.
Lajmi.net ka marr një përgjigje nga
shefi i anti kartelës në kuadër të Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, Selajdin
Beqa. Ai e ka konfirmuar që drejtorati që ai e drejton ka nisur një hetim për
këtë punë.
“Jemi duke e shikuar këtë punë. Jemi
duke e monitoruar tregun”, ka thënë shkurt Beqa, pa dashur të komentojë më tej.
Nëse një gjë e tillë konfirmohet nga
AKK-ja. Pra, nëse ka pasur marrëveshje në mes të pronarëve për ngritje të
çmimit, atëherë kjo është e kundërligjshme, pasi bëhet fjalë për marrëveshje
kartel.
Ligji nr. 03 /L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës neni 4 “Marrëveshjet e ndaluara”, thotë se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.
Sot u mbajt konferenca e parë zyrtare për shtyp e Festivalit Zambaku i Prizrenit 2019. Këshilli organizativ i festivalit njoftoi të pranishmit për përbërjen e këshillit të emruar nga Kryetari i Komunës, të cilët përfaqësojnë institucionet/organizatat kulturore të qytetit të Prizrenit. Drejtori artistik Besim Berisha shpalosi programin dhe pregaditjet e deritanishme të pjesës artistike të festivalit. Ai prezentoi gjashtëmbëdhjetë këngët që do të garojnë për çmimet kryesore gjatë natës finale të festivalit, të cilat do të këndohen live nga interpretues të njohur nga disa treva shqiptare. Gjithashtu potencoi që gjithcka është duke shkuar sipas planifikimeve të organizimit si dhe potencoi që këngëtarët dhe orkestri me shumë entuziazëm presin të fillojnë provat për mbrëmjen e Zambakut.
Në natën finale të festivalit që do të mbahet më 29 qershor 2019 në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren, ku do të ndahen gjithsej katër çmime. Juria Profesionale për shpalljen e këngëve fituse do të bëj përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit: vendi i parë (trofeu Mikrofoni i Artë), vendi i dytë dhe vendi i tretë. Publiku prezent në sallë do të përzgjedhin këngën më të mirë të publikut (trofeu Zambaku i Argjentë). Trofeu Mikrofoni i Artë do t’i takojë këngëtares/it të këngës fituese të festivalit nga juria profesionale, trofeu Zambaku i Argjentë do t’i takojë kompozitorit të këngës më të mirë të publikut, ndërsa shpërmbilet tjera do të ndahen në mënyrë të barabartë mes kompozitorëve dhe interpretuesve përkatës të këngëve.
Këngët e përzgjedhura për të qenë pjesë e garës zyrtare të festivalit janë:
Ky edicion i festivalit realizohet nga Këshilli Organizativ i festivalit nën patronatin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, dhe synon t’a ngris kualitetin artistik të munguar kohëve të fundit. Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit. Për më shumë info, mund të shihni faqen zyrtare të festivalit në Facebook (Zambaku i Prizrenit).
Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake. Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë./KultPlus.com