Në kohët e sotme, në vitin 2019, është e vështirë të
kuptohet pse piktura nga John Singer Sargent “Madame X” (1883-1884) skandalizoi
Parisin. Nëse vizitoni Muzeun Metropolitan të Artit dhe shihni të varur një
kornizë ari të zbukuruar, do të shihni një kompozim të thjeshtë: një grua me
lëkurë si prej porcelani, që qëndron drejt në këmbë në një sfond të kafenjtë.
Ajo ka veshur një fustan të zi me shirita të florinjtë, njërin krah e ka të
mbështetur në tryezën rrumbullakët, kurse me tjetrin mban fustanin. Fytyra e
saj është në profil, kurse vija e hundës së saj të gjatë e çon syrin e
shikuesit përtej pikturës.
Për syrin e sotëm, piktura është mjaft elegante – një grua
me lëkurë të përsosur, me pamje aristokratike, me veshje që duket të jetë e
shtrenjtë dhe e qepur mjaft mirë. Ky perceptim bie ndesh me historinë e zymtë
të modelit të saj, Virginie Amelie Avegno Gautreau, dhe me zhurmën që shkaktoi
shfaqja e portretit të saj në Sallonin e Parisit më 1884. Reagimi i publikut
ishte kaq i ashpër sa Sargent u largua nga vendi dhe reputacioni i tij u dëmtua
përgjithmonë.
Ky reagim u shkaktua pjesërisht për shkak të asaj që tani
duket si një detaj i parëndësishëm: Piktura e tij fillimisht tregonte një nga
rripat e veshjes që varej nga supet e modeles në mënyrë joshëse. Sidoqoftë, nuk
qe “paturpësia” e pikturës ajo që shkaktoi paragjykimin e shoqërisë, por diçka
edhe më e keqe: çiltërsia ngjitëse.
Sargent lindi në Itali më 1856; babai i tij ishte mjek
amerikan dhe nëna një grua që kishte mundur të hynte në shoqërinë e lartë. “Dr.
Sargent dhe gruaja e tij nuk kishin mjetet financiare të emigrantëve plot
shkëlqim, por përpiqeshin të ishin pjesë e shoqërisë së lartë”, shkruan Donna
M. Lucey në librin e saj të vitit 2017, “Gratë e Sargentit: Katër jetë pas
kanavacës”.
Megjithatë, nëna e Sargentit bëri çmos që djali i saj të
merrte pjesë në një atelie prestigjioze parisiene. Fillimisht aplikoi për
ekspozitën vjetore të Sallonit të qytetit në vitin 1877, me një portret të
mikut të tij të fëmijërisë, Frances Sherborne Ridley Watts. Pas suksesit që
pati atje, artisti filloi të merrte shumë porosi për portrete dhe shumë shpejt
pati një karrierë të suksesshme duke pikturuar gra të shtresës së lartë.
Sidoqoftë, Sargent kishte ambiciet e tij artistike. Kur
takoi për herë të parë Gautreaun u befasua aq shumë sa vendosi që duhej ta
pikturonte – jo për shpërblim, por vetëm për kënaqësinë e tij.
Në mesin e shekullit XX – siç thotë biografi i Sargentit,
Charles Merill Mount – qarkulloi një thashetheme se artistit iu prezantua
Gautreau nga një gjinekolog i shquar me emrin Samuel-Jean Pozzi, me të cilin
ajo mund të ketë pasur një lidhje. Sargent kishte pikturuar një portret të
mjekut, të titulluar “Dr. Pozzi në shtëpi”, në vitin 1881. Në pikturë doktori
ka një veshje veçanërisht të zbukuruar: një rrobë e gjatë e kuqe e lidhur me
rrip dhe pantofla të kuqe në argjend. Një perde e kuqërreme duket pas tij.
Për Gautreau thonë se ishte një subjekt veçanërisht i
vështirë. Sipas një artikulli të botuar në “Chicago Tribune” më 1987, ajo
refuzoi të pikturohej në Paris dhe e bëri artistin të presë gjersa ajo dhe
burri i saj të mbaronin verimin në shtëpinë e tyre të pushimit në Britani.
Gautreau ishte e shqetësuar gjatë gjithë procesit.
Davis thotë se “Amélie ishte e paduruar me procesin e pafund
dhe të mërzitshëm të pikturimit, sidomos me pjesën që e detyronte të ishte e
palëvizshme. Ajo kishte vështirësi t’u kushtonte vëmendje udhëzimeve të
Sargentit”!
Sargenti që udhëtoi drejt dhe nga Parisi, gjithashtu u
stresua nga ky proces. Ai i shkroi njëherë shokut të tij, shkrimtarit Vernon
Lee: “Sapo më ka mbërritur letra jote, jam ende në këtë shtëpi fshati, duke u
përpjekur me bukurinë e papikturueshme dhe me përtacinë e pashpresë të Madame
Gautreau”!
Pas krijimit të skicave të shumta dhe disa përpjekjeve për pikturë,
Sargent arriti ta përfundojë veprën e tij për Sallonin e vitit 1884, të cilën
fillimisht e titulloi “Portret i Madame Gautreau”. Reagimi ishte i dobët. Siç
shkruan De Costa: “Pas Sallonit, fama për pak kohë u shndërrua në nam, dhe
Madame Gautreau u bë objekt talljeje në sallat e vizatimit të Parisit”. Publiku
e kuptoi supin e zhveshur të subjektit, me rripin që varej si shenjë të
shthurjes seksuale.
Kjo nuk ishte një gjë e re: Gautreau ishte mjaft e përfolur.
Burri i pasur i Amelie Avegnos, siç shkruante Miranda Seymour në “New York
Times”, ishte “i vogël, veçanërisht i shëmtuar dhe dy herë sa mosha e saj”. Një
shfaqje e tillë publike me natyrë seksuale ia shtoi famën e keqe.
Jo vetëm veshja zbuluese e subjektit tërhoqi vëmendjen, por
edhe lëkura e saj e zbehtë si prej fantazme. Ashtu si gratë e tjera moderne të
kohës së saj, Gautreau mund të ketë konsumuar arsenik për të zbehur lëkurën e
saj (edhe pse Davis besonte se ka gjasë që ajo të ketë përdorur pluhur orizi
për këtë qëllim). Në një kritikë më 1884, Times raporton: “Sargent është nën
standardet e tij të zakonshme këtë vit… Poza e figurës është absurde dhe
nuancat e blusë të tmerrshme. Karakteristikat janë aq të ekzagjeruara saqë
brishtësia e natyrshme e linjës ka humbur krejtësisht. “Nën penelin e
Sargentit, subjekti i ashtuquajtur ‘i bukur’ duket veçse si një ‘karikaturë’ e
thjeshtë”.
Nëna e Gautreaus u tërbua. Ajo iu ankua Sargentit. “Gjithë
Parisi po tallet me vajzën time… Ajo është e shkatërruar. Do të vdesë nga
hidhërimi”. Gautreau nuk e mori kurrë veten nga incidenti i turpshëm dhe u
tërhoq nga shoqëria parisienë për gjithë jetën e saj.
Sargent ndërkohë ishte i shqetësuar për reputacionin e tij.
Kritikët e ngacmuan për ndryshimin thelbësor që bëri në veprën e tij: Pas
përfundimit të ekspozitës, ai e vuri si duhej mbi sup rripin e saj. Më 1886 u
arratis prej namit të keq në Paris dhe jetoi në Londër, duke mos rrezikuar më
në veprat e tij. Ai u përpoq të kufizonte famën e Gautreaus: Kur ia dha
pikturën Muzeut Metropolitan në vitin 1916, këmbënguli që institucioni të
vazhdonte ta mbante të fshehtë identitetin e subjektit. Kështu vepra mban
titullin intrigues “Madame X”.
Piktura ndoshta u bë e njohur më tepër për trazirat që
frymëzoi, sesa për meritat artistike të autorit. Kritiku amerikan Hilton Kramer,
në një artikull të vitit 1981 për New York Times shkruan: “Nuk ka një stil
radikal. Është një foto e qëndrueshme dhe e rehatshme – pak e çuditshme në
ngjyrat e saj dhe ka një pozë që i jep rëndësi vetes.”
Megjithatë, Kramer shpërfill një element thelbësor të pikturës: Marrëdhënia e subjektit me modën. Veshja elegante në qendër të veprës së artit të Sargentit mund të jetë lënda e vërtetë e “Madame X” dhe trashëgimia e saj më e madhe. Qëndrimet ndaj sensualitetit të grave (në pistë dhe në galeri) mund të jenë të paqëndrueshme, por një fustan i zi i mirë është i përjetshëm.
Shkrimtari i njohur Paulo Coelho dëshiron që të shpërndajë librat e tij në Afrikë.
Me anë të rrjeteve sociale, dora që ka shkruar “Alkimistin”
apo “Veronika vendos të vdesë” ka kërkuar ndihmë për të shpërndarë librat në
Afrikë.
Ai do t’i blejë disa kopje nga botuesit e tij dhe ato do t’i dërgojë tek lexuesi afrikan, në shkolla dhe nëpër biblioteka.
Ai ka treguar se të njëjtin veprim do ta përsërisë edhe në fund të vitit, pasi ka plot kërkesa nga vendet afrikane dhe nga vende tjera ku librat e tij kërkohen dhe kanë depërtuar pak.
Që që fëmijëri, Coelho dëshironte të bëhej shkrimtar. Kur ai
ia tregoi mamasë së tij këtë gjë, ajo iu pergjigj ” I dashur, babi yt
është një inxhinier. Ai ka një vizion të qartë për botën. A e di cfarë do të
thotë të jesh një shkrimtar?”.
Shkrimtari brazilian Coelho lulëzon në kontradikta dhe ekstreme. Coelho më vonë vërejti se “Nuk ishte se ata donin të me lëndonin mua, por ata nuk e dinin se çfarë të bëja … Ata nuk e kanë bërë që të më shkatërrojnë, ata e bënë që të më shpëtojnë.” / KultPlus.com
“Absolutisht, gjëja më e mrekullueshme, më shumë se perëndimet, më shumë së fluturimi i një zogu, është një femër në rilindje. Kur ringrihet në këmbë pas katastrofës, pas rënies. Kur dikush mund të thotë: mbaroi. Jo nuk ka mbaruar kurrë për një femër.
Një femër ringrihet gjithmonë, edhe kur nuk e beson, edhe
kur nuk e dëshiron. Nuk flas vetëm për dhimbjet e pafund, për ato plagë të
shkaktuara si nga mina anti-njeri që të shkakton vdekja apo sëmundja.
Flas për ty që kjo periudhë nuk mbaron kurrë, që po luan me
ekzistencën në një punë të vështirë, që çdo mëngjes është një provim më keq se
në shkollë.
Ti gjykatëse e papërkulshme e vetvetes, që nga mënyra sesi
shefi do të të vështrojë do të vendosësh nëse je në lartësinë e duhur apo se
duhet të dënohesh. Dhe kështu ky provim nuk mbaron kurrë…
Kudo që të kesh qenë, ke qenë ngushtë: në lidhjen tënde, në
punën tënde, në vetminë tënde. Dhe ishte krizë dhe ke qarë. Zot sa qani! Në
stomak keni një burim uji.
Ke qarë, ndërsa ecje në një rrugë të populluar, në stacionin
e metrosë, në motor. Aq papritur. Nuk mund ta mbaje. Dhe atë natë që more
makinën dhe i dhe për orë të tëra, me qëllim që ajri i errësirës të të thante
faqet? Dhe pastaj ke gërmuar e ke folur, sa flisni ju, vajza! Jeni fjalë e lot.
Për të kuptuar, për të nxjerrë jashtë një rrënjë 6 metra të
gjatë që t’i japë një kuptim dhimbjes tuaj: “Përse veproj kështu? Pse përsëris
të njëjtën skemë? Mos ndoshta jam e çmendur?”. I kanë bërë të gjitha këto
pyetje.
Atëherë i futesh me themel historisë tënde, me dy, a katër
duar dhe dalin në dritë mijëra copa. Një mister i ndërlikuar. Ja këtu fillon
gjithçka. Nuk e dije? Nga ajo kurajo e madhe që duhet për të parë veten kështu,
të përbërë nga mijëra pjesë, që do të rifillosh.
Sepse një femër rifillon gjithsesi, ka brenda një instinkt
që e tërheq përpara. Do të të duhet një strategji, duhet të shpikësh një mënyrë
për një “Ti” të re. Sepse të ka qëlluar të rinjihesh përsëri, për t’iu
prezantuar vetvetes.
Nuk mund të jesh ajo e mëparshmja, përpara gërmimit. Nuk të
entuziazmon? Do të të tërheqë dalëngadalë. Të dashurohesh përsëri me vetveten,
pasi për herë të parë është si një karburant. Niset ngadalë duhet të
këmbëngulësh. Por kur ndizet ikën me revan.
Të rindërtosh vetveten është një aventurë. Më e madhja. Nuk
ka rëndësi nëse e nis nga shtëpia, nga ngjyra e perdeve apo nga prerja e
flokëve. Ju kam adhuruar gjithmonë, femra në rilindje, për atë mënyrën e
mrekullueshme, me të cilën i ulërisni botës “Jam e re” me një fund me lule apo
me një kaçurrel të freskët bjond…
Më shumë se mëngjeset, më shumë se dielli, një grua në
rilindje është mrekullia më e madhe për atë që e takon dhe për vetveten. Është
pranvera në nëntor, atëherë kur nuk e pret.”
“Kujtime për prostitutat e mia të pikëlluara” (në origjinal:
“Memoria de mis putas tristes”) është vepra e parë në prozë e Gabriel Garcia
Marquez pas një pauze 10-vjeçare.
Në dhjetë vitet e fundit, Marquez nuk ka bërë jetën e një
përtaci, përkundër lëngimit nga kanceri. Nobelisti i famshëm kolumbian ka
shkruar: “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që të kujtohet dhe si e
kujton atë për të rrëfyer për të”.
Përmbajtja e romanit ka të bëjë me ëndrrat e një plaku për
dashurinë dhe dhembjen, për bilancin jetësor dhe për hidhësinë e
përditshmërisë.
Një ditë plaku paralajmëron: “Në vitin kur të mbush 90 vjet, do të dëshiroja t’i dhuroja vetes një natë me dashuri të çmendur, me një vajzë, e cila do të ishte ende e virgjër”. Malli i zjarrtë i plakut bëhet realitet, një mikeshë ia gjen atij një virgjëreshë, me të cilën ai dashurohet çmendurisht. Por, nga ëndrra erotike s’del gjë, as nga nata e dëshiruar. Plaku kalon disa netë me vajzën e virgjër. Asgjë nuk ndodh. Përveç dashurisë platonike.
Ai e shikon Delgadinën (kështu quhet vajza) duke fjetur. Nuk
e prek. Plakut i pëlqen ta shikojë vajzën ashtu, në gjumë. Këto çaste të qeta i
shërbejnë plakut të mendojë për jetën e tij dhe përvojat erotike, të cilat nuk
kanë qenë të varfëra. Për 90 vjet ai ka përfunduar në shtrat me gjithsej 514
prostituta, të cilat i ka paguar gjithmonë.
Romani është një lloj ditari, ku plaku, i cili para se të
dilte në pension ka qenë mësues i gramatikës spanjolle dhe i latinishtes, ka
mbajtur shënime për përjetimet e tij erotike me emrat e partnereve, kohën,
vendin dhe rrethanat e veçanta. Ndërsa shikon vajzën duke fjetur, plaku arrin
në përfundim se “seksi është vetëm ngushëllim kur nuk të përqafon dashuria”.
Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, po qëndron në Vankuver, Kanada si pjesëmarrëse dhe folëse në konferencën më të madhe globale për cështjen e grave Women Deliver.
Në kuadër të kësaj konference, Vasfija ka pasur mundësinë të takohet me Kryeministrin Justin Trudeau. Vasfija e ka falenderuar Kryeministrin Trudeau për mbështetjen e pakufizuar ndaj fuqizimit të grave në mbarë botën. Në kuadër të kësaj konference Vasfija është takuar dhe me Ministren kanadeze për Statusin e Grave dhe Zhvillim Ndërkombëtar znj.Maryam Monsef dhe ka kërkuar mbështetjen e Kanadasë, ndaj 20 mijë viktimave të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës në Kosovë si dhe përfshirjen e Kosovës në Fondin Kanadez për Barazi.
Po ashtu, Vasfije Krasniqi është takuar dhe me autoritete të tjera kanadeze dhe botërore, si Kryeministrin dhe Lejtnant Guvernatoren e British Columbia, Ambasadorin e Kanadasë në Kombet e Bashkuara, Sekretaren Franceze për barazi gjinore etj #KosovoinCanada#WD2019 ️/ KultPlus.com
Ermonela Jaho: “Që të arrija ëndrrën time duhej të sakrifikoja shumë, Shqipëria më lindi dhe më rriti, bota më bëri artiste.”
Një rrëfim i sopranos së madhe Ermonela Jahos: Fëmijëria,
trishtimet ,vuajtjet e familjes, sakrificat për të realizuar ëndrrën e saj si
artiste, ngjitjet në skenën Botërore si një artiste operistike e famshme.
Ylli i operës, sopranoja, Ermonela Jaho në një rrëfim për Teresa Levonian Cole në gazetën prestigjioze ”Financial Times” në Nju-Jork ka folur për vështirësitë e fëmijërisë në Tiranën e asaj kohe dhe se si nisi një jetë krejtësisht të re në Amerikë. “Zëri kumbues në dhomën e provave i Ermonela Jaho në Londër, ku po përgatitej për operën ‘Zazà’ të Leoncavallos”, autorja shkruan:- Zëri i saj ishte trishtues, kumbues dhe me një të ardhme të dukshme”. Jaho ka lindur në 1974-n në Shqipëri dhe u transferua në Tiranë së bashku me prindërit kur ishte 2 vjeçe. Mamaja e saj, e cila ishte braktisur nga prindërit dhe ishte rritur nga gjyshja, dëshironte të bëhej këngëtare dhe në fshehtësi mori pjesë në audicionet e Konservatorit të Tiranës, ku ajo fitoi një vend”, tregon Jaho. “Që fëmijë, e kisha parë dhimbjen në sytë e saj, por nuk e kuptoja shkakun e pikëllimit”, shprehet ajo për nënën e saj. Jaho ka trashëguar jo vetëm dashurinë e nënës për muzikën, por edhe sensin e saj të melankolisë. “Shqiptarët, – thotë ajo, – janë përgjithësisht të pasionuar pas këngës, por ajo ishte një fëmijë i ndrojtur”.
“Unë e mbaja gjithçka brenda”. Motra e saj me aftësi të kufizuara ishte shoqja më e mirë. “I vetmi moment kur u ndjeva e lirë ishte kur po këndoja. Ishte terapia ime”, thotë Jaho. E frymëzuar nga i ati, një ushtarak që kishte studiuar psikologji, Jaho hyri në Konservator në moshën 17-vjeçare, pasi fitoi pikët maksimale në provimin pranues. Aty mori mësime nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli, e cila e ftoi atë të studionte në Mantua, Lombardi për dy muaj. Jaho shkoi në Itali në vitin 1993 dhe qëndroi aty për 10 vitet e ardhshme. “Nuk doja të kthehesha”, thotë ajo. “Italia është shtëpia e muzikës. Në Shqipëri në periudhën e komunizmit, çdo gjë këndohej në shqip, pasi mund të përfundoje në burg nëse këndoje në gjuhë tjetër. Mamaja ime më mësoi pak anglisht kur isha e vogël, por në fshehtësi”. Më tej, Jaho ndoqi Akademinë prestigjioze Kombëtare të Santa Çecilias në Romë. Që të mbante veten gjatë studimeve ajo punoi si ndihmëspastruese, dhe pasi fitoi një konkurs këndimi, u zhvendos në një hotel që drejtohej nga murgeshat. “Ndonjëherë nuk kisha para për ushqime, por kurrë nuk ia thashë njeriu”, tregon ajo. “E kuptova që për të arritur ëndrrën time, duhej të bëja sakrifica. Ermonela, i thashë vetes, ti duhet t’i kalosh këto pengesa”. Një tjetër pengesë ishte të qenit shqiptare. “Ti ishe bërë për t’u ndjerë si një qytetare e klasit të tretë”. Pasi u bë e famshme, ajo vuri re që gjërat ishin ndryshe. “Çdokush dëshiron të jetë shoku yt”. Kulmi i Jahos erdhi kur asaj iu ofrua një pjesë e Mimit në premierën e ‘La Boheme’ në Bolonja. Rolet filluan të shtoheshin dhe pasi përfundoi studimet në vitin 2000, ajo vendosi të largohej nga qyteti. Ishte kjo kohë kur shoku i saj i fëmijërisë, Ervin Stafa, i shkoi për vizitë nga Nju-Jorku dhe i kërkoi që të ktheheshin bashkë në SHBA. “Unë jam rritur me Ervinin në Shqipëri”, thotë ajo për bashkëshortin e saj tashmë.
“Ai ishte i vetmi person me të cilin mund të flisja dhe që s’më gjykoi kurrë. Kur ika në Itali, i thashë: ‘Nëse një ditë do të martohem me dikë, ai do të jesh ti’. Mendoj se kjo e frikësoi atë. Pastaj ai fitoi lotarinë për kartën jeshile në Amerikë dhe unë do të gjeja çdo justifikim që t’i shkruaja nga Italia”. “Unë kisha luftuar shumë fort për të bërë karrierë, dhe kisha frikë se mos e humbja atë”, rrëfen ajo. Alan Green, i cili në atë kohë punonte në Agjencinë e talenteve “Menaxhimi i artistëve kolumbianë” në Nju Jork, shkoi që ta dëgjonte atë në operën “Carmen”. Jaho kishte qenë pjesë e disa operave baroke dhe komike e ishte duke kërkuar një repertor më romantik. Green i ofroi që të ishte ai menaxheri dhe të kapte rolet që ajo dëshironte. “Ai më dha shpresë, pasi unë nuk do të mund t’ia kisha filluar nga zeroja në Nju-Jork”. Jaho bëri zhvendosjen e saj transatlantike në 2003-shin, fillimisht duke e ndarë kohën mes Nju-Jorkut dhe Italisë. Udhëtimi me pasaportë shqiptare ishte i vështirë, kështu që çifti vendosi të martohej. Në 2005-ën ata blenë një shtëpi në Long Island, ku ende jetojnë me prindërit e Ervinit. Jaho vazhdon ta vizitojë familjen e saj në Shqipëri, ndërsa jep shfaqje për fëmijët me aftësi të kufizuara “sepse ndihem fajtore që nuk munda ta ndihmoja motrën time kur po rriteshim së bashku”.
Pengu i saj më i madh është fakti që e ëma nuk e dëgjoi atë kurrë duke kënduar ‘live’.“Unë shkoja në Shqipëri, por vendi i saj ishte gjithmonë bosh”. Jaho mendonte se nëna e saj nuk mund ta shikonte duke kënduar në skenë, për shkak të ambicieve të saj të parealizuara, por humbi mundësinë për ta pyetur. “Unë u mundova t’i shkruaja për ta pyetur, përse, t’i thosha sa shumë e doja atë dhe motrën, por ajo vdiq para se unë t’i dërgoja letrën”, rrëfen sopranoja. Kur është në Amerikë, ajo e shijon jetën familjare, i pëlqen të gatuajë dhe të qëndrojë në shtëpi në vend që të dalë. “Unë kam bërë shumë miq në Amerikë, jashtë punës”, thotë ajo teksa u referohet mungesave të saj të shpeshta. “Long Island është një botë më vete, shumë paqësore.
Aty ke oqeanin, dhe të gjitha ngjyrat e natyrës. Me të gjitha angazhimet ndërkombëtare, unë mund të kaloj vetëm disa muaj këtu, por është shtëpia dhe Ervini më pret”, shprehet Jaho. “Në Amerikë, – thotë ajo, – njerëzit janë më të shkëputur, ata jetojnë si ishujt. Në Evropë, dhe veçanërisht në Ballkan, njerëzit janë më të hapur dhe emocionalë. Por qeniet humane janë pothuajse njësoj kudo. Unë marr më të mirën nga çdo vend dhe jetoj jetën plotësisht”, thotë Ermonela Jaho. Është e vërtetë që Ermonela Jaho po trondit skenat botërore, me zërin e një sopranoje të rrallë duke i dhënë krenari vendit të saj, ajo është një “ambasadore” e vendit të saj me zërin e saj të bukur duke çuar mesazhin e madh se shqiptarët e duan këngën dhe janë njerëz të talentuar dhe duke e mbyllur me një episod të shkrimtarit Agim Cerga: “Po bëj 10 vjet që jetoj në Kanada dhe kur kam dëgjuar një ditë interpretimin e këngëtares së madhe botërore Ermonela Jaho që jepej në sallën e koncerteve mbretërore në Angli kam qarë si fëmijë.”./Përgatiti: Kastriot Caka-Gazeta Telegraf
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, përmes një njoftimi për media bën me dije se nesër (e mërkurë) në orën 12:00, në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, hapet ekspozita e artistes dhe poeteshës Kaltrina Hoti.
Ekspozita mban titullin “Vrapo pas Diellit”, dhe hapet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, që mbahet më 9 e 10 qershor për të dhjetën herë me radhë, në shenjë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Prishtinë, Prizren e Kukës, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Kukësit.
Sipas njoftimit për media, Kaltrina Hoti “ka pasur disa ekspozita në Amerikë, piktura moderne me ton kombëtar, të cilat janë ndjekur me interesim nga vizitorët”.
Ajo po ashtu ka botuar edhe disa vepra letrare, kryesisht poetike.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 11 qershor. / KultPlus.com
Një rrëfim për objektet dhe vlerat e ekspozitës “Rrugëtim-Ismail Qemali ndër vite” organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.
Një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit, përmes gjurmëve të gjithë veprimtarisë së tij, ka marrë jetë përmes një ekspozite në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Ismail Qemali, ministri i parë reformator dhe liberal i shtetit shqiptar, përmes gjithë objekteve të kësaj ekspozite është shfaqur me një profil të plotë, në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes. Ekspozita me titull “Rrugëtim-Ismail Qemali ndër vite” u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor. Kjo ekspozitë u mundësua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksioneve Shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, përshëndeti Selim Bazeraj, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi; Prof. Ass. Dr. Bujar Dugolli dhe Vjollca Aliu, drejtoreshë e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës dhe drejtuese e Muzeut.
“Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për mbarë kombin shqiptar. Koha në të cilën lindi dhe jetoi, kultura dhe arsimimi që kishte, kalimi i një pjese të jetës në internim, titujt e ndryshëm që mori në shërbim të Perandorisë Osmane, dashuria për vendlindjen, si edhe kujdesi që t’i shërbente lirisë dhe pavarësisë së atdheut i dhanë Ismail Qemalit aftësinë, që të arrinte realizimin e aspiratës aq të dëshiruar të popullit të tij, ngritjen e flamurit kombëtar dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.”, tha Dorian Koçi në një intervistë për “Shqiptarja.com” pas kthimit në Tiranë. Drejtori i MHK-sw, Koçi, kujton se ky bashkëpunim erdhi pas suksesit të vitit të kaluar, qw shënoi edhe kulmin e marrëdhënieve mes dy institucioneve qendrore muzeore të Shqipërisë dhe Kosovës, duke organizuar bashkëpunime, aktivitete dhe takime të shumta.
Ismail Qemali ka lindur në Vlorë, në janar të vitit 1844, në qytetin, ku 68 vjet më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe vdiq në Peruxhia më 24 janar 1919. Kuvendi Kombëtar dhe ngritja e flamurit më 28 Nëntor u zhvilluan në shtëpinë ku ka lindur Ismail Qemali. Drejtori i MHK-së, Dorian Koçi e quan të rëndësishëm njohjen e kontributit dhe veprimtarisë së Ismail Qemalit në Kosovë.
Intervista
100-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit është përkujtuar me dhjetëra aktivitete në Tiranë, e sidomos ne Muzeun Historik Kombëtar. Pse menduat që një përkujtimore e tillë nuk duhet t’i mungonte dhe Kosovës?
-Po dihet, se me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e diplomatike, Ismail Qemali u radhit ndër personalitetet më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillimin e shek. XX. Atdhedashuria dhe kontributi i tij në çështjen shqiptare e ngrenë Ismail Qemalin në krye të figurave tona kombëtare, krahas asaj të Skënderbeut. Ismail Qemali u dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve kundërosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit, në pragun e Luftërave Ballkanike shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike së bashku me Luigj Gurakuqin ndërmori një aksion të ri politik për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë, ku u takua me personalitete politike austro-hungareze e me përfaqësues diplomatikë të Fuqive të Mëdha, ku siguroi përkrahjen e tyre për çështjen shqiptare.
Si është konceptuar kjo ekspozitë?
-Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit. Ajo hapet me fotografinë e tij në moshën 27 vjeçare, në një nga shumë funksionet që ai ushtroi në Perandorinë Osmane,si President i Komisionit Europian të Danubit. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore Ismail Qemali u shqua si njeri me ide liberale dhe reformatore. Për shkak të pikëpamjeve përparimtare dhe liberale Ismail Qemali për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, në maj 1900 u arratis nga Turqia dhe iu kushtua çështjes kombëtare shqiptare. Të gjitha këto pasqyrohen në dokumente që ekspozuam. Arratisja përshkruhet në botimin e datës 4 maj 1900 te gazeta franceze “Le Constitutionnel”.
Cilat janë elementë më të veçanta të kësaj ekspozite, ku “udhëtimi” i Ismail Qemalit shfaqet më i qartë?
– Ekspozita prezanton për publikun objekte vetjake të Ismail Qemalit, si flamurin e tavolinës dhe gotën e ujit. Gjithashtu, ekspozita përmban objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, pena me të cilën u firmos Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafiki përdoruar nga Qeveria e Vlorës, një flamur të vitit 1913, gazeta të vitit 1912, si edhe libra dedikuar Ismail Qemalit. Udhëtimi i Ismail Qemalit me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri, nga Trieste për në Durrës, përshkruhet në fotografitë dhe shkrimet e gazetave “Le Figaro” dhe “La Presse”. Pasi u kthye në Shqipëri, thirri mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në Vlorë. Në këtë Kuvend, që u mblodh më 28 nëntor 1912, lexoi deklaratën e Shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Ky akt përmendet në gazetat prestigjioze franceze të kohës “Le Figaro” dhe “Le Gaulois”.
Në fillim të janarit të vitit 1913, Qeveria e Përkohshme Shqiptare, e kryesuar nga Ismail Qemali, u dërgoi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të mbledhur në Konferencën e Londrës, një memorandum për të mbrojtur kufijtë natyrorë shqiptarë. Ismail Qemali dhe delegatë të qeverisë së Vlorës u nisën për në Europë. Ata vizituan Romën, Parisin dhe Londrën, ku zhvilluan veprimtari të dendur diplomatike në kancelaritë e Fuqive të Mëdha, për të siguruar mbështetjen e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Këto momente paraqiten në fotografi dhe në shkrimet e gazetave franceze “Le Matin” dhe “Le Radical”.
Ka dokumente për aktin e dorëheqjes së Ismail Qemalit?
-Më 22 janar 1914, Ismail Qemal Vlora dha dorëheqjen, duke ia kaluar tërësisht pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Me këtë akt u shënua dhe rënia e Qeverisë së tij, që ishte krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 4 dhjetor 1912. Ky akt është publikuar në shkrimet e gazetave franceze “Le Journal”, “Le Matin” dhe “Le Figaro”. Vitet e fundit të jetës Ismail Qemal Vlora i kaloi në mërgim (Itali, Spanjë, Francë), duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut. Në shtypin dhe arkivat e huaja, si ato shqiptare janë ruajtur të gjitha udhëtimet e Ismail Qemalit, deri në fundin e jetës së tij. Ismail Qemali vdiq në Peruxha të Italisë më 26 janar 1919. Më 12 shkurt trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me flamurin kombëtar, u shoqërua në Kaninë. Në ceremoninë e varrimit u mbajtën dy fjalime nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Me rastin e 20-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1932, u vendos në një varr të ri monumental në lulishten pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë, me një ceremoni shtetërore të posaçme. Përmendorja e “Flamurtarit”, që ngrihet mbi këtë varr, e realizuar nga Odhise Paskali, simbolizon kurorëzimin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar me Shpalljen e Pavarësisë.
Një ndër garat më të rëndësishme në Kosovë për të apasionuarit pas muzikës, gara ndërkombëtare e muzicientëve të rinj ‘ArsKosova 2019’ tashmë ka shpallur fituesit e edicionit të 15-të me radhë, shkruan KultPlus.
Numri i pjesëmarrësve për këtë vit ka qene mbi 170 kandidat
të cilët vinin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe disa shqiptar të
lindur në Gjermani, USA dhe vende të tjera.
Çmimi kryesor Grand Prix kësaj radhe shkoi për Megi Rexhepi
– Klarinet / Kosova – Shqipëri (nga Kukësi), çmimi i dyte për Leonardo Dimoski
– Violinë – Maqedoni e Veriut, ndërsa çmimin e tretë e mori Era Kume – Piano /
Shqipëri.
Më poshtë po ju sjellim edhe listën e çmimeve speciale për këtë vit:
Lista e fituesve të çmimeve absolut më nga 100 pikë ishin:
Finalistët – GRAND PRIX – Fituesit e Çmimit Absolut
Metal United World Wide (MUWW) II, koncerti me famë botërore që organizohet në 70 shtete e përfshinë mbi 300 bende të ndryshme rock e heavy metal, po organizohet për herë të dytë në Kosovë.
Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Metal United World Wide II është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e innovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.
Kjo ngjarje e veçantë e rock dhe heavy metal muzikës do të organizohet më 15 qershor 2019 nga ora 17:00, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, e ku do të performojnë: Eugent Bushpepa nga Tirana, Sunchair nga Dusseldorf , Jericho nga Prishtina, Harmed nga Budapest, si dhe bendet 4×4, Land of Confusion, Frisson, Krieg, Sotap dhe Shlem, nga Prishtina.
Metal United World Wide (MUWW) ka filluar të organizohet që nga viti 2014 në Australi. Nga viti 2018, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njëjtë, në të gjithë botën, në të njëjtën datë, të identifikuar me të njëjtin flamur.
Rockuzinë ka kënaqësinë që për herë të dytë ta vendos Kosovën në hartën e MUWW, ku muzika rock e heavy metal bashkon bende, fansa, organizator dhe media duke krijuar një ndejë të komunitetit që tërheq vëmendjen e të gjithëve.
30% e të hyrave nga biletat do të dhurohen për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë, përmes Cure2Children Kosove. Çmimi i biletës është 5 Euro, ndërsa në hyrje kushton 8 Euro.
Biletat për koncertin MUWW II mund të blihen në: Rockuzinë (Prishtinë), Dit’ e Nat’ (Prishtinë), MIQT Pub (Prishtinë), Deck (Prishtinë), Check in Bar Ferizaj (Ferizaj), BarAca (Prizren), MuseumPub (Mitrovicë), Bar “Hardhia” (Rahovec), Diesis Music Hall (Tiranë). /KultPlus.com
Kush nuk mund ta ketë sot parasysh përkrenaren e Gjergj Kastriot Skënderbeut, të ruajtur së bashku me një shpatë në Muzeun “Kunsthistorisches të Vjenës dhe riprodhuar në një mijë forma në panoramën ikonografike krijuar ndër shekuj për heroin shqiptar?
Cili nuk i mban mend ato të sjella në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës në të njëjtën kohë me ekspozenë që iu bë “Mesharit” të Buzukut, shfaqur në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës në vitin 2012, kohëra që tanimë duken aq të largëta? Edhe ata që shkruajnë duhet t’i kujtojnë bukur mirë radhët shumë të gjata dhe të heshtura të vizitorëve, të cilët u lejuan të admirojnë me kureshtje dhe nderim, armët mitike të sjella nga Vjena në Tiranë. Sak, të vetmet armë unike të heroit shqiptar, të cilat paçka pretendimeve i atribuohen atij vetë.
Por historia, siç e dimë, mund të rezervojë edhe shumë surpriza të papritura, mund të mbajë një dhuratë dije për ata që duan të kalojnë e të hedhin një sy nëpër arkivat. Në këtë rast duke shkuar pak më tej (është e qartë se duhet të flitet me dashamirësi) kujtojmë veçantinë e një primati si qyteti i Vjenës, tanimë është folur për të caktuar ose të paktën për ta ndarë nderin me një qytet tjetër si Venecia.
Pra, kështu ecën ose më mirë të themi shkuan gjërat.
Venecia: një bibliotekë e tërë e njohur tashmë për shqiptarët, e cila ka ruajtur tekstin shumë të çmuar të Statuteve të Shkodrës, për të shfletuar me këtë rast edhe një dorëshkrim me letrat e shekullit XVIII, një punë normale për studiuesin që i dedikohet kërkimit. Këtu, midis atyre letrave paraqitet edhe një listë e armëve dhe armaturës së njerëzve të famshëm të lidhur me historinë e Republikës, ruajtur në Arsenalin e Venedikut gjatë shekujve. Dhe një emër është përfshirë në atë listë plot me njerëz të famshëm si Morosini, Duodo, Mocenigo, Barbarigo, Bragadin dhe shumë të tjerë, armaturat e të cilëve janë të shoqëruar me emërimin e armëve të ndryshme. Këtu, në Arsenal, është edhe emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Armatura e Skënderbeut, domethënë e Gjergj Kastriotit, Princit të Shqipërisë, i cili luftoi me osmanët për 40 vite të vazhdueshme, shpata e tij fitimtare ekziston mbi Sallat e Këshillit të X.— pozitë
Leximi i këtij emri ishte me të vërtetë befasues: por tashmë ne kaluam vitin 2018, viti përkujtimor i Skënderbeut dhe mësojmë kështu për një prani të armëve që ende ekspozohen në shekullin XVIII në Arsenalin e Venecias? Një dhuratë e papritur! Por ku kanë përfunduar vallë sot? Ju do t’i shihni ato duke lexuar këto rreshta.
Arsenali, duhet të mbahet mend, ishte te “zemra komerciale” e Republikës, atje ku u krijuan anije, atje ku falsifikoheshin armë të të gjitha llojeve, e të kujtojmë se prej aty doli dhe një flotë e tërë: një qytet i vërtetë brenda qytetit, simbol i fuqisë detare veneciane, tashmë e përshkruar si një vend i jashtëzakonshëm nga poeti Dante Aligeri. Gjatë shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë, në të, disa dhoma të mëdha ishin përdorur si vende ekspozimi të pjesëve më të vlefshme që punëtorët kishin prodhuar dhe po prodhonin, shpesh pas betejave të mëdha të mbështetura nga udhëheqësit trima. Këto dhoma ishin kthyer në muze të vërteta, për të cilat u sollën njerëz të famshëm për t’i vizituar dhe udhëtarët e kulturuar.
Richard Lassels, udhëtar francez, e konfirmon këtë në udhëtimin e tij në Itali, rreth mesit të shekullit të 18-të: “Në këtë Arsenal u shfaqën shpata dhe krahët e princit Skënderbej të guximshëm të Shqipërisë …; Kjo shpatë ishte realizuar në një punishte në Venecia është quajtur Fabre e Skënderbeut, shumë e gjerë, shumë e lehtë, shumë pak e trashë dhe me një gjatësi të arsyeshme, por koha e saj është e admirueshme, si dhe ajo e zotit të saj”.
Pra, Lassels, në Arsenalin e Venecias kishte parë, ndër të tjera edhe shpatën dhe armët e Skënderbeut kurse guida i cili e drejtoi në rrugën e tij, i ishte dashur të fliste me të edhe për një farkëtar që ishte bërë i famshëm pikërisht sepse ai ishte farkëtari “personal” i Skënderbeut.
Duhet bërë gjithmonë kujdes rreth fjalëve mbi udhëzimet turistike … si dje, ashtu edhe sot! Por ajo që ka rëndësi është fama e personazhit, rëndësi ka legjenda e lidhur me të dhe lufta e tij e jashtëzakonshme që zgjati në Venecia plot dy shekuj pas vdekjes së tij; krenaria veneciane e nënkuptuar në atë histori pothuajse dukej se dëshironte të pretendonte sukseset e Skënderbeut dhe aftësisë së farkëtarit të tij venecian për të krijuar armë për të!
Në listën e lartpërmendur, përveç shenjës së armaturës së Skënderbeut, e pranishme në atë kohë në “Muzeun” e Arsenalit, na shfaqet një tjetër simbol i rëndësishëm: shpata e Skënderbeut (origjinale?) e ruajtur me xhelozi në Pallatin “Dukale” në Piacën “San Marko”, në një dhomë të Këshillit të 10-të të përdorur për një rishikim të armëve të çmuara. Në fakt, disa dhoma të Këshillit të të Dhjetëve mbajtën dy armë në mbrojtje dhe armë të ekspozuara si pjesë të muzeut.
Realisht ka mjaftuar një kërkim në dorëshkrime të tjera të Bibliotekës së “Korrer” për të gjetur konfirmimin: Giovanni Grevembroch, i cili në shekullin e tetëmbëdhjetë tregoi historinë e Venedikut me ngjyra të bukura të ujit që përshkruanin njerëz dhe gjëra, pikturoi shpatën “lavdëruar në kujtim të Skënderbeut”, e ruajtur në Pallatin “Dukale”, e cila është parë nga ai vetë dhe kopjuar njëkohësisht.
E gjithë kjo ndodhte në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kohë kur Republika e Venecias, e ashtuquajtura Serenissima ishte e gjallë dhe jetësore: nga Skënderbeu kishte armatim në Arsenale të paradës, është e qartë se kishte edhe dhe armë të ndryshme; shpata konsiderohet autentike (një nga shumë shpatat që i atribuohen Skënderbeut!) e ndodhej në Pallatin “Dukale”.
Po sot? Nga një kërkim i parë, asnjë gjurmë nuk u shfaq. Por për t’u përgjigjur duhet të rishikojmë atë që ndodhi pas asaj fatkeqësie të vitit 1797, kohë në të cilën historia mijëvjeçare e Serenissima u mbyll krejtësisht.
Nga Arsenali, si një mbrojtje, shumë materiale u sollën pastaj në Pallatin “Dukale”, duke përfshirë shumë armë dhe forca të blinduara, ndërsa forcat franceze filluan të plaçkitnin pa mëshirë koleksionet e artit të qytetit.
Edhe një dërgesë e armëve dhe objekteve të luftës u nisën nga deti në drejtim të Francës, e cila në fakt u mbyt – shkroi kronika – pranë Korfuzit. Bucintoro u dogj nga reflektimi i pasqyrave (!!), kurse u zbras (!) uji i basenit të San Marco për t’i rimarrë pluhurin e artë. Në Bucintoron e shekullit të kaluar, mbani mend, ai kishte rreshtuar statujën e njohur zakonisht si “Gjigandi”, domethënë Gjergj Kastriot Skënderbeu, mbuluar e gjitha me pllaka argjendi.
Paqja ndërton ura, lufta i shkatërron ato. Kjo për fat të keq ndodh në çdo kohë, në çdo gjerësi.
Francezët shkuan deri diku pasi atë që nuk bënë ata e morën përsipër austriakët dhe koleksionet e tjera të artit, relike të tjera migruan, këtë herë jo nga Venecia në Paris, por në Vjenë; në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë: Federico Berchet, në kontakt me drejtorin e Muzeut të Vjenës, Boeheim, konfirmonte ekzistencën e disa armatimeve të transferuara atje: ndër të tjera, gjendeshin ajo e Sebastiano Venier, Bartolomeo Colleoni, Melchiorre Michiel, Agostino Barbarigo.
Po ajo e Skënderbeut? Nga Venecia, ku shkoi, së bashku me shpatën “e tij”?
Sot në Pallatin “Dukal” në Venecia ekzistojnë shumë pak elementë të armaturës antike të pambuluar, në të cilën kryhet puna për identifikimin dhe përshkrimin e saktë. Në Muzeun “Correr” ka “pllaka” të shumta të Stradioti dhe shumë armë të pa kataloguara.
Në cilin muze evropian ose në të cilën është mbledhur edhe koleksioni privat “Skënderbeu”, që mund të jetë një relike e çmuar e historisë së Shqipërisë? Cili e mori atë dhe si u rikthye nga Venediku që e kishte ruajtur me xhelozi për shekuj me radhë? A mbijeton pa ndonjë etiketim specifik në ndonjë muze apo në ndonjë koleksion privat në Evropë? Hulumtimet sapo kanë filluar dhe gjetja e saj është një sfidë e hapur.
Por ndërkohë, duke mësuar për ekzistencën e tij dhe respektin me të cilin e kishte zbukuruar gjithashtu Pantheonin e Arsenalit të Venedikut, është një faqe, deri dje e pabotuar, e cila e nderon historinë e Shqipërisë dhe të Skënderbeut të saj të shquar/ Lucia Nadin, Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com
Chanel No 5 u krijua në vitin 1921 për Coco Chanel, nga Ernest Bo. Ky ishte i pari kompozim aromash i përbërë nga një përzierje lulesh dhe kimikatesh. Sipas kompanisë, në botë shitet çdo 55 sekonda një shishe Chanel No. 5.
Për të nxjerrë një kilogram esencë duhen 400 kilogram trëndafila, pra për një kuti të tillë të vogël duhen më shumë se 3 tonë trëndafila.
Trëndafilat nuk janë të zakonshëm. Duhet të jenë trëndafila që çelin vetëm në muajin maj dhe që rriten vetëm në qytetin Grasse në Francë.
Çdo mëngjes, për tri javë, mbledhësit punojnë për të mbushur përparëset me lulet e sapoçelura të 50.000 bimëve trëndafili.
Më pas, trëndafilat transferohen nga përparëset në thasë bezeje me kujdes të jashtëzakonshëm që të mos shtypen.
Në luftë kundër kohës, thasët peshohen para se petalet të shkrijnë nga nxehtësia. Pasi peshohen, lulet hapen në tabaka të mbivendosura, zhyten në tretës, trazohen dhe nxehen në temperaturë të lartë. Tretësi thith gjithë aromat që do të përdoren në parfumin final.
Pas ekstraktimit me tretës, formohet një dyllë i quajtur “beton” i cili magazinohet si të jetë thesar.
Nevojiten 400 kg trëndafila për të nxjerrë 1 kg dyllë. Në fund, betoni transformohet në një lëng, që përdoret në formulimin e ekstraktit të Chanel No. 5. /atsh / KultPlus.com
Në Teatrin Profesionist të Pejës “Istref Begolli”, së shpejti do të jepet premiera e shfaqjes “Mirandolina”, me regji të Elmaze Nurës.
Një nga veprat e njohura të dramaturgjisë botërore Komedia “Mirandolina” e autorit të njohur Italian Karlo Goldon, po vihet në skenë me trupën e aktorëve të këtij teatri.
Provat kanë hyrë në një fazë intesive, ndërsa premiera është planifikuar që të shfaqet në Ditën e Çlirimit të Pejës, me 16 qershor. Edhe pse vepra është shkruar që në shek.XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.
“Mirandolina” është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752. Komedia ka porosi të forta për pozitën e femrës, një debat që zhvillohet edhe sot për trajtimin që i bëhet asaj edhe në shoqërinë kosovare.
Komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përball femrën me mashkullin në skenën teatrore. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.
“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, jemi duke bërë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u shpreh regjisorja Elmaze Nura, e cila vlerësoi angazhimin e ekipit të shfaqjes.
Edhe në shoqërinë kosovare, ku shfaqet shpesh një kulturë tejet maskiliste kjo vepër është apel për emancipim. Vepra të tilla kanë mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.
Muzikën e shfaqjes po e bën Gëzim Hasani, skenografinë Dhurim Ismajli, ndërsa për kostumografinë është duke punuar Alma Krasniqi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka uruar qytetarët e besimit mysliman me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Përmes një postimi në Twitter, Kosnett është kujdesur që të uroj qytetarët edhe në gjuhën shqipe.
“Për të gjithë ata që festojnë Bajramin në Kosovë dhe në mbarë botën: Me Fat Fitër Bajrami, Bajram Šerif Mubarek Olsun, Bayramınız Kutlu Olsun, Eid Mubarak!”, ka shkruar Konsett. /Telegrafi/ KultPlus.com
To everyone who is celebrating Eid in #Kosovo & around the world: Me Fat Fitër Bajrami, Bajram Šerif Mubarek Olsun, Bayramınız Kutlu Olsun, Eid Mubarak!
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) June 4, 2019
Këngëtarja e njohur shqiptare, Dua Lipa, ka njoftuar se ajo do të jetë fytyra e re e parfumit të ri të kompanisë “YSL Beauty”.
“Sekreti më i vështirë për ta mbajtur! Shumë krenare dhe e lumtur që më në fund të tregoj se unë jam fytyra e re e parfumit të YSL-së. Faleminderit ekipit të mrekullueshëm të YSL-së që më bëri të ndihemi si në shtëpi, më la hapësirë të luaja një rol të vogël në zgjedhjen e aromës dhe të bëja ëndrrën realitet duke punuar me brendin që e dua kaq shumë”, ka shkruar ajo në Instagram.
Yves Saint Laurent është brend luksoz francez i themeluar më 1961. / KultPlus.com
Për të gjitha ato që vdiqën lakuriq, të rrëmbyera, kokëqethura. Për ato që më kot thirrën Perëndeshën e madhe vetëm pse s’patën gojë të flisnin. Për ato që u therën a dhanë shpirt në rrotën e torturës për mëkatet e inkuizitorëve të tyre. Për ato, bukuria e të cilave tërbonte torturuesit; për ato, shëmtia e të cilave qe dënim për to. Për ato, që as të bukura, as të shëmtuara s’qenë, por vetëm femra krenare. Për gishtat e shkathët këputur me darë. Për krahët e butë të shqyer. Për gjijtë e bukur përvëluar me hekur të skuqur. Për të gjitha mamitë që i vranë se ndihmuan njerëzit të lindeshin në këtë farë bote. Për të gjitha shtrigat, motrat e mia, që morën frymë më lirshëm mbështjellë nga flakët, duke parë mishrat si u binin copë si fruta të pjekura mbi turrën e druve, duke ditur se veç vdekja do t’i largonte nga mëkati që u lindën femra, që është më tepër nga çka përbën trupin e një femre. / KultPlus.com
“Netët e poezisë korçare” mbylli edicionin e tij të 23 me veprimtaritë e zhvilluara këtë fundjavë.
Një prurje më cilësore e krijuesve të artit poetik ishte një lloj risie e këtij edicioni.
Një përzgjedhje kjo e kujdesshme e organizatorëve për gati 30 poetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sërbia, Italia, Zvicra, SHBA. Poetët pjesmarrës në natën e parë recituan krijime por edhe I shijuan ato nga interpretimi I aktorëve.
Poetja Flutura Açka si e ftuar nderi këtë vit u nderua edhe me mbjelljen e pemës me emrin e saj në lulishten ‘Vangjush Mio’. Aktiviteti kryesor me paradën e poetëve u zhvillua në ambjentet e qëndrës së re kulturore ku do funksionojë edhe biblioteka e re e qytetit.
Poetët pjesmarrës në konkurim recituan poezitë e tyre para jurisë të drejtuar nga Flutura Açka dhe emra të tjerë të njohur si Petrit Ruka e Skënder Rusi. Ata vlerësuan me kurorën e poezisë autorin amerikan Xhorxh Uollers.
Çmimin ‘Dritëro Agolli’ e fitoi poetja turke Selma Gylen. Me çmim special u vlerësua poeti Albi Nushi.
Poeti I njohur Agron Tufa u nderua me çmimin ‘Asdreni’ ndërsa poetja kosovare Naime Beqiraj u vlerësua për poezinë më të mirë.
Aktiviteti Netët e poezisë korçare si inisiativë e klubit ‘Bota e Re’ organizohet çdo vit me mbështetjen e bashkisë dhe Ministrisë të Kulturës./ VizionPlus / KultPlus.com
Jay-Z është bërë zyrtarisht miliarderi i par në hip-hop, sipas revistës “Forbes”.
Revista amerikane ka thënë se pasuria e reperit tani arrin në një miliard dollarë.
Burri i këngëtares Beyonce ka krijuar pasurinë përmes muzikës, pronave, modës e investimeve në biznes.
Jay-Z, apo Shawn Carter, kishte debutuar më 1996 me albumin “Reasonable Doubt”. Më 2011, albumi i tij “The Blueprint” iu shtua regjistrit të Kongresit për shkak të rëndësisë së tij.
Në mesin e pasurisë së reperit janë:
Aksionet në shampanjën “Armand de Brignac” – mbi 400 milionë dollarë
Aksione në Uber – 70 milionë.
Prona në New York e Los Angeles
Aksione 100 milionë dollarë në shërbimin muzikor Tidal
Koleksion artistik – 50 milionë euro.
Gruaja e tij ka pasuri rreth 335 milionë dollarë, shumicën nga muzika.
“Forbes” ka mohuar spekulimet se reperi Dr Dre tashmë është miliarder.
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Alibaba, Jack Ma, është njeriu më i pasur në Kinë që prej kur kompania u bë publike.
Në anën tjetër, Ma shprehet se ai ishte po aq i lumtur, mbase edhe më i lumtur, kur me vështirësi arrinte të fitonte ndonjë të ardhur në kohën kur sapo e përfundoi kolegjin.
Pas diplomimit në vitin 1998, ai punoi si mësues i gjuhës angleze në një universitet lokal në qytetin e tij të lindjes, Hangzhou. Sipas një dokumentari mbi jetën e Ma, i quajtur “Krokodil në Yangtze”, në atë periudhë ai arrinte t’i fitonte 12 dollarë në muaj, përcjell Telegrafi.
Gjatë një fjalimi të tij, Ma iu është referuar asaj periudhe si koha më e mirë e jetës së tij, shkruan telegrafi.
Ai shprehet se kur nuk ke shumë para, e di si do t’i shpenzosh, por kur bëhesh miliarder, je përpara shumë përgjegjësive.
“Nëse disponon më pak se një milion dollarë, ti e di si do t’i shpenzosh ato para. Ndërsa kur ke një miliard dollarë, atëherë ato nuk janë më paratë e tua… Paratë që unë kam sot përbëjnë përgjegjësi për mua. Ato janë besimi i njerëzve tek unë”, kishte thënë ai.
Ma si 54 vjeçar, sipas Forbes vlerësohet se ka pasuri prej 35 miliardë dollarësh dhe gjendet në pozitën e 21 të miliarderëve botëror.