Ekspozita personale e piktores Lebibe Topalli-Shabani, e titulluar “Freeling” do të hapet më datë 6 qershor 2019, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Emërtimi i tillë i ekspozitës së piktores Topalli, është bërë qëllimshëm për të paraqitur një artiste grua që tregon guxim, vendosmëri, forcë, dhe jo vetëm. Një titull i tillë shërben edhe për treguar barazinë e gjithanshme ndërmjet gjinive, mashkull-femër/burrë-grua, fenomen ky të cilin shoqëria jonë si duket ende heziton që ta pranoj si të mirëqenë. Njeriu në përgjithësi, e mbase gruaja shqiptare në veçanti?! historikisht nuk i ka gëzuar të drejtat e njëjta në raport me gjininë e kundërt. Prandaj, edhe veprat që do të ekspozohen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, përçojnë një mesazh ekspresiv që sinkronizohet edhe me vet karakterin e piktores Lebibe Topalli-Shabani.
Ky cikël i punimeve prej dhjetë pikturash të formateve të mëdha që
do të ekspozohen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është vazhdim i fushatës
së saj senzibilizuese në lidhje me të drejtat e grave në shoqërinë tonë, ashtu
siç e kanë bërë edhe shumë organizata e institucione të ndryshme në Kosovë.
Ndryshe, Lebibe Topalli-Shabani është nga qyteti i Ferizajt.
Fakultetin e Arteve – Dega Pikturë, e ka mbaruar në Universitetin e Evropës
Jug-Lindore-Tetovë, ndërkaq studimet
Master në Universitetin e Prishtinës, po ashtu për Pikturë, në
klasën e Prof. Sabedin Etemi. Deri më sot, ka realizuar 7 ekspozita personale
(Kosovë, Francë, Zvicër e Shqipëri) dhe është pjesëmarrëse në një sërë
ekspozitash kolektive.
Ekspozita ka për kurator prof. Kamuran Goranci, ligjërues në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e cilësoi sot festivalin UNUM, të zhvilluar në plazhin e Ranës së Hedhur në Shëngjin, një mundësi të mirë për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Në fjalën e tij sot në Lezhë në aktivitetin e organizuar në kuadër të festivalit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Klosi theksoi se “festivale të tilla kanë krijuar destinacione të vërteta kudo në botë, ku vende si Kroacia, Greqia, Mali i Zi me të tilla festivale kanë thithur të rinj dhe pas tyre gjenerata të tjera të turizmit”.
“Dje ka qenë shumë interesante ku kishim shumë të rinj shqiptarë, të cilët iu bashkuan festivalit dhe ndiheshim shumë mirë që këta të rinj përfaqësonin atë kulturën e vërtetë europiane të rinisë shqiptare. Mes 5 mijë të rinjve ishte e vështirë të dalloje kush ishin të rinjtë shqiptarë e kush të huaj e besoj se ky ishte mesazhi i festivalit ku për tre ditë të gjithë së bashku shijuan këtë festival dhe arritën të bënin jo vetëm dëgjimin e muzikës, por edh jetën sociale”, theksoi Klosi.
Ministri Klosi bëri të ditur se “nesër të gjithë së bashku do të pastrojnë edhe vendin dhe të fusin dimensionin që festivali UNUM e ka pasur në katër ngjyrat e tij, ku një nga ato është ngjyra e mjedisit, pastrimi i mjedisit”.
Klosi falënderoi të rinjtë Kosova që morën guximin për të krijuar këtë ekip fantastik të organizimit të festivalit.
“Nëse këtë vit erdhën 5 mijë të rinj festivali ka potencial që të shkojë deri në 10 mijë dhe në vitin e dytë e të tretë kur ky numër të arrihet realisht do të ketë edhe më shumë biznese për të gjithë komunitetin lokal , edhe shumë më tepër biznes për produktet e tyre dhe më shumë punësim”-, tha Klosi./atsh / KultPlus.com
Roky Erickson, një prej muzikantëve më të njohur të rokut psikodelik amerikan, ka ndërruar jetë në moshë 71 vjeçare.
Lajmin e kanë konfirmuar përfaqësuesit e tij, të cilët e kanë përshkruar atë si një ikonë të rokut modern dhe një prej miqve të mëdhenj që e ka pasur skena muzikore.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, ndërsa përfaqësuesit e tij kanë kërkuar privatësi për familjen – raporton The Guardian.
“Është thuajse e pamundur ta imagjinosh jetën pa Roky Erickson. E ka krijuar galaktikën e tij muzikore dhe ka qenë një frymëzim i vërtetë”, ka thënë lideri i “ZZ Top”, Billy Gibbons.
Erickson ka qenë frontmen i grupit “13th Floor Elevators”, bendit psikodelik nga Austini, ku edhe është rritur. Kënga e tij debutuese “You’re Gonna Miss Me” mbetet njëherësh edhe një prej këngëve më të popullarizuara të grupit të tij. /Telegrafi/ KultPlus.com
Sot për herë të pestë organizohet festivali “Prishtina Lexon”, përmes së cilit synohet nxitja e kulturës së leximit dhe ndërgjegjësimi social rreth rëndësisë së librit për fuqizimin intelektual të individit.
Manifestimi 20/20 shënon 20-vjetorin e çlirimit të Prishtinës dhe nën ombrellën e tij do të përfshihen shumë organizime, ndër të tjera edhe festivali Prishtina Lexon në kuadër të të cilit spikasin leximi, teatri, filmi dhe performanca tjera artistike, që krahas karakterit edukativ, mëtojnë të kenë edhe atë socializues dhe argëtues.
Edhe kësaj radhe për organizimin e festivalit janë bërë bashkë institucione dhe organizata joqeveritare, Komuna e Prishtinës, ETEA, Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Termokiss, Libraria Dukagjini, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Aleanca Franceze, Social Creativity, Kino Armata dhe Virtual Sophists, si dhe institucionet edukativo-arsimore të zonave urbane dhe rurale.
E veçanta këtë vit është se aktivitetet i dedikohen fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave.
Gjithçka fillon me aktivitete për fëmijë që nga ora 10:00 me këndet e leximit dhe program artistik të fëmijëve në Sheshin “Zahir Pajaziti”, aktivitete këto që do të zgjasin deri në ora 16:00, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit të Komunës së Prishtinës. Nga ora 16:00 fillojnë aktivitetet për të rritur të lokalizuara në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të përcjellin film, teatër dhe slam poetry.
Ndërsa në fund, duke filluar nga ora 21:00, në amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” gjithçka përmbyllet me Book Character Party. / KultPlus.com
Më 3 qershor të vitit 1924, në Austri vdiq Franz Kafka, shkrimtar në gjermanisht, lindur në Pragë 1883, nënshtetas austro-hungarez, me prejardhje hebraike.
Krijimtaria e tij ishte e ndërlikuar me tregime të shkurtra, romane që kurrë nuk i përfundoi, 90 për qind të krijimtarisë së vet e dogji, pjesën tjetër e la me testament që të digjej, tërhoqi vëmendje pas vdekjes më shumë sesa kur ishte gjallë.
Cilësuar si një nga autorët më me ndikim apo Kafka i shekullit të njëzetë, Gabriel Garcia Marquez thoshte se me romanin Metamorfoza, Kafka tregoi se ishte e mundur të shkruhej ndryshe./ KohaDitore / KultPlus.com
Gërmimet arkeologjike dëshmojnë gjurmët e para të ndërtimeve në Kështjellën e Gjirokastrës që në shek. IV, por ajo mori trajta më të përcaktuara në fund të shek.VI, shkruan Dita.
Kështjella, që ishte edhe bërthama e vetë qytetit të Gjirokastrës, e përfundon etapën e parë të ndërtimit nga gjysma e dytë e shek. XIII, ndërsa etapa e dytë e rindërtimit dhe zgjerimit u takon viteve 1811-1812 kur e shtiu në dorë Ali pashë Tepelena.
Kështjella mori pamjen e sotme dhe një nga projektuesit dhe zbatuesit kryesorë ishte mjeshtri Petro Korçari.
Ka 3 hyrje kryesore dhe një të vogël. Mbrohet me 7 kulla që arrijnë deri në 30 m lartësi, në pjesën e sipërme me 1-2 kate dhe me salla të mëdha.
Është një nga kështjellat më madhështore e të ruajtura më mirë në Shqipëri. / KultPlus.com
Mos harro se lëkura rrudhet, e flokët mbulohen me borë; Ditët bëhen vite… por më e rëndësishmja nuk ndryshon kurrë!
Forca jote e bindja jote s’njohin moshë. Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës që mosha ta endi mbi fytyrë!
Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje. Pas çdo suksese, një zhgënjim. Përderisa je gjallë, gjallëro!
Në qoftë se të mungon çka bëje më parë, bëje përsëri, mos rri duke parë fotografi të zverdhura nga koha! Mos e lerë të ndryshket hekuri që ke brenda vetes.
Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës, të gëzosh respekt. Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh, ec shpejt. Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt, ec! E kur as të ecësh s’do të mundesh, përdore shkopin e shko… Veç për t’u ndalë, ti kurrë mos ndalo!/KultPlus.com
“Që nga viti 1965 , kur jemi martuar(më
4 korrik) dhe deri më 1974 banonim në një apartament me dy dhoma e një kuzhinë
të vogël të një pallati përballë “Zërit të popullit”. Në një dhomë flinte
vjehrra, në kuzhinë flinte vjehrri, në dhomën tjetër , tri metra me katër ,
flinim ne me dy fëmijët. Në një cep të lirë nga krevatet tona kishim vendosur
një tavolinë të vogël dhe një karrige dërrase , ku shkruante Dritëroi në orët e
vona, pasi kthehej nga puna ose nga shërbimet , që i kishte shumë të
shpeshta.
Ai punonte deri në mesnatë , nën dritën e abazhurit , dhe përpiqej të pinte sa
më pak cigare në këtë dhomë gjumi të mbushur nga frymët tona .
Kishim një mangall nga fshati, që dimrit e mbushja me thëngjij tê ndezur drush
dhe ia vija Dritëroit afër këmbëve për të mos ngrirë . Gjithashtu , në një cep
të mangallit i lija xhezven për kafe turke, që ta pinte në orët e vona të
natës. Unë flija më herët , pasi të nesërmen duhet të ngrihesha për radhën e
qumështit, për t’i dërguar fëmijët në kopshtin me drekë dhe për të shkuar në
punë. “
Fragmente nga rrëfimet e Sadijes për Dritëroin ./KultPlus.com
“U shënua në mënyrë madhështore edicioni i 10-të jubilar i Festivalit të këngës për fëmijë “LYRA” – Gjilan. 10 vite punê kolosale dedikuar fëmijëve, punë me shumë sfida dhe përpjekje. Në kêtë 10 vitesh festivali i dha fëmijëve mbi 220 këngë premierë, interpretuan solo, në kor apo vallëzim mbi 700 fëmijë”, thanë drejtuesit e këtij Festivali.
Përndryshe, u paraqitën nê skenë 15 këngë premierë, por edhe shumë pjesëmarrës fitues të viteve të kaluara. U ndanë edhe Mirënjohje për ata që ndihmuan festivalin si dhe për kompozitorë të cilët ishin me festivalin për këto 10 vite. U nda çmimi vjetor për kompozitorin LYRA z. Isa Jakupi.
Juria e përbërë nga Diana Toska dhe Sami Piraj fitues shpalli Anik Muratin me këngën “Babi im” kurse çmimin e publikut e fitoi Eloise Kosumi me këngën “Life is beautiful” çmimin e dyte e ndanë Ilda Nuhiu dhe Jon Abazi kurse të tretin Elena Çoçaj dhe Alea Ademi.
Organizatori shpërbleu të gjithë interpretuesit tjerë sikurse edhe solist tjerë të cilët shumë vite me radhë ishin pjesë e festivalit.
Sikurse edhe viteve të kaluara Festivali u moderua nga Fatmir Spahiu, korin Lyra e udhëhoqi Albina Demolli. Hapësirë iu dha edhe vallëzimit nga “Dancing House” dhe mysafirët special të ardhur nga “Voice Kids” të cilët e madhështuan festivalin.
Drejtori i festivalit Kushtrim Jakupi u shpreh shume i lumtur që ky festival ka arrit këtu dhe si festival i parë gjilanas dhe në Anamoravë ka arrit të bashkojë një armatë të madhe artistësh me më shumë se 220 këngë premierë me mbi 700 pjesëmarrës, bashkëpunëtorë, etj. Ai megjithatë për vitet tjera pret përkrahje edhe më tê madhe institucionale nê mënyrë që ky festival të mbijetojë edhe për shumë dekada tjera.
“Jam i lumtur dhe krenar që së bashku me shumë profesionit tê fushës, bashkëpunëtorë profesional, kompozitorë, koreografë, fëmijë shumë të talentuar, donatorë artdashës, prindër të fëmijëve arritëm këtu. Këtë arritje ia dedikoj të gjithëve atyre që kontribuuan dhe numri i tyre është shumë i madh por posaçërisht babit tim Isa Jakupi i cili ishte shtytësi më i madh që ky festival të jetë i pari jo vetëm në Gjilan por në tërë regjionin e Anamoravës. Me shpresë që në 10 vitet e tjera të kemi edhe më shumë përkrahje i falënderoj të gjithë! Gjilani e meriton tê këtë “LYRËN” edhe shumë dekada tjera! Urime fituesit Anikut, por sot mendoj se të gjithë fëmijët dhe tê gjithë ne jemi fitues….ecim tutje…”, ka thënë Kushtrim jakupi, drejtor i festivalit.
Këtë vit festivali u përkrah vetëm nga Ministria e Kulturës dhe donatorë privat.
Mbrëmë është përmbyllur edicioni i 6-të i festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Edicioni filloi me thirrjen “Le të bëjmë dashuri” të cilën e solli video instalacioni i artistit Shkumbin Tafilaj, një videoinstalacion i cili në vete ngërthen elemente nga historitë e të dy vendeve.
Në qendër të tij ishte dheu, një retrospektivë ndaj synimeve territoriale të cilat sollën vetëm dhembje për të dy palët. Mirëpo përtej dashurisë, edicioni i sivjetshëm i festivalit në Beograd u fokusua edhe tek dhembjet për të pagjeturit, tek “spiunët” dhe kreolët (njerëzit me gjak të përzier).
Pikërisht tek këto dy të fundit, festivali vë në pah vështirësitë që kanë pasur njerëzit të cilët kanë dashur një jetë të qetë, njerëz të cilët asnjëherë nuk zunë një vend në mes të serbëve apo shqiptarëve, por mbetën të linçuar nga të dyja anët. Festivali vuri në pah problemet e përbashkëta ndërsa përmes diskutimeve kërkonte zgjedhje për to.
Pasqyrues i problemeve u bë promovimi i antologjisë së dramave bashkëkohore të Kosovës, dhe pasqyrimi i historisë së Kosovës në tekstet shkollore në pesë vende të Ballkanit, duke përshirë edhe Serbinë. E para vuri në pah problemet e skenave teatrore ndërsa e dyta theksoi nevojën për ndryshimin e klasave politike, solli keqkuptimet dhe steriotipet që ekzistojnë, potencoi se mosnjohja e njëri-tjetrit është burim për konflikt.
Ky edicion u zhvillua në kohën kur marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë në nivelin më të dobët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Dhe sipas sipas Kushtrim Koliqit nga organizata Integra nga Kosova, situata politike çdoherë ndikon edhe në rrjedhën e festivalit.
“Fatkeqësisht situata politike në mes Kosovës dhe Serbisë ndikon në rritjen e tensioneve gjatë ngjarjeve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Fraksione të ndryshme radikale reagojnë edhe më ashpër kur në një formë apo tjetër stimulohen nga retorikat apo veprimet politike, që për qëllim kanë vetëm mohimin e së vërtetës në lidhje me të kaluarën dhe thellimin e ndasive në mes popujve”, theksoi Koliqi.
Madje, shfaqja e filmit “Ferdonija” në të cilin tregohen 24 orë nga jeta e Feronije Qerkezit, së cilës forcat policore serbe para syve ia morën burrin dhe katër fëmijë, nxiti reagim tek protestuesit. Situata e krijuar jashtë Dorcol Platz, vendit ku po shfaqej filmi bëri që pjesëmarrësit e festivalit për shkaqe sigurie të ju kërkohej që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të programit për atë natë.
Përderisa jashtë nxitej urrejtja dhe tentohej të kalohej kordoni i vendosur nga forcat e policisë, pjesëmarrësit e mbetur brenda, këmbëngulës në idetë e tyre, vazhdonin misionin e festivalit.
Diskutimet e zakonshme për muzikën, librat madje edhe opinionet e tyre për situatën politike, shërbenin si një bazë për krijimin e miqësive.
“Nëpërmes kulturës ne i paraprijmë proceseve, trajtojmë tema të cilat politika momentalisht i sheh si të dëmshme për agjendat e veta, trajtojmë çështje të cilat e sfidojnë diskursin momental, realizojme ngjarje që hedhin dritë mbi disa të vërteta që tjetri nuk mund t’i dijë apo ka një version të servuar paraprakisht, krijojmë mundësi për perspektiva dhe perceptime tjera më shpresëdhënëse”, tha ai.
Ndalimi i një festivali të tillë nuk do të arrihet edhe pse është e vërtetë që ai po zhvillohet në një ambient toksik. Madje idetë për zgjerimin e këtij festivali tashmë marrin frymë.
Këtë e theksoi edhe Koliqi për KultPlus.
“Në vitet e kaluara festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë ka ardhur në një format tjetër nga formati që e kemi në Serbi. Formati i Kosovës ka konsistuar në realizimin e javës apo muajit të filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë, duke krijuar kështu mundësi që qytetarët e Kosovës të shohin krijimtarinë fantastike të këtij artisti të jashtëzakonshëm, i cili është edhe inspirim i këtij festivali. Edhe këtë vit do të realizojmë disa aktivitete që në fokus kanë filmat e Bekim Fehmiut, duke pasur edhe debate që për temë kanë çështje të rëbndësishme për të dy popujt. Për vitet e tjera kemi filluar diskutimin e brendshëm që ta zgjerojmë festivalin në dy nivele: realizimin e prodhimeve artistike vetanake të festivalit, dhe prezentimin e prodhimeve artistike të krijuesëve nga Serbia në Kosovë”, tha ai.
Sigurisht që punën e këtyre organizatave e përkrahin dhe e mbështesin njerëzit nga të dy shtetet të cilët besojnë në idetë dhe qëllimet që ka ky festival. / KultPlus.com
Poezia e Ndriçim M. Ademaj është reflektim i vendit ku ai ka jetuar, rrugës që ka ecur, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo Zvicër.
Poezitë e tij janë intime e shumë personale, të zhveshura nga ideologjitë e ndryshme politike apo historike. Nuk bartin mbi vete petkun ideologjik, janë thjesht ndenja reale që Ndriçimi i ka përjetuar në momente të caktuara.
Ai do të jetë i ftuari i radhës në Project Space për të lexuar poezi nga librat e tij “Dera” e po ashtu edhe “Këngë nga rruga e farkëtarëve”. Ky i fundit paraqet fatet e njerëzve, por në të njëjtën kohë edhe rrugëtimin e tij.
Temat që Ndriçimi i trajton në poezitë e tij janë të ndryshme, por që vijnë në një mënyrë tjetër, me një realitet të parë apo përjetuar nga ai.
Me 6 qershor, poezitë e tij Ndriçimi do t’i lexojë në kryeqytet. / KultPlus.com
Manifestimi 20/20 shënon 20 vjetorin e çlirimit të Prishtinës dhe nën ombrellën e tij do të përfshihen shumë organizime, ndër të tjera edhe festivali Prishtina Lexon në kuadër të të cilit do të spikasin leximi, teatri, filmi dhe performanca tjera artistike, që krahas karakterit edukativ, mëtojnë të kenë edhe atë socializues dhe argëtues.
Ngjashëm si në vitin e kaluar, për organizimin e festivalit Prishtina Lexon prap janë bërë bashkë institucione dhe organizata joqeveritare, përkatësisht Komuna e Prishtinës, ETEA, Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Termokiss, Libraria Dukagjini, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Aleanca Franceze, Social Creativity, Kino Armata dhe Virtual Sophists, si dhe institucionet edukativo-arsimore të zonave urbane dhe rurale. Si rrjedhoje e këtij bashkepunimi të gjerë, Prishtina Lexon këtë vit organizohet gjatë gjithë ditës me aktivitete të shumta, por me e veçanta është se këtë vit aktivitetet i dedikohen fëmijeve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave.
Gjithçka fillon me aktivitete për fëmijë që nga ora 10:00 me këndet e leximit dhe program artistik të fëmijëve në Sheshin “Zahir Pajaziti”, aktivitete këto që do të zgjasin deri në ora 16:00, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit të Komunës së Prishtinës. Nga ora 16:00 fillojnë aktivitetet për të rritur të lokalizuara në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të percjellin film, teatër dhe slam poetry.
Ndërsa në fund, duke filluar nga ora 21:00, në amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” gjithçka përmbyllet me Book Character Party ku të gjithë të maskuar si shkrimtarët apo personazhet e preferuara do të argëtohemi me tingujt e muzikës së DJ Blerta Kosova, Jimmy Band dhe Elsa Rraqi. Prandaj, ju njoftojmë se, me datën 3 qershor me fillim në ora 10:00 e hapim Festivalin Prishtina Lexon në sheshin “Zahir Pajaziti”. Mos harroni, merrni të afërmit tuaj dhe ejani të bashkëbisedojmë, të lexojmë e të shijojmë letërsinë kombëtare e ndërkombëtare, të udhëtojmë në kohë përmes vargjeve, pendës e artit.
Oliver Sacks, një prej neurologëve më të njohur të shekullit të kaluar i cili ndërroi jetë në vitin 2015-të, në librin e tij ‘Everything in Its Place: First Loves and Last Tales’ tregon për fuqinë e kopshteve dhe natyrës tek pacientët e tij.
Sacks, i cili jetoi në Nju Jork – qytetin për të cilin tha se bëhet i durueshëm vetëm sepse ka kopshte – tregon në këtë libër sidomos mbi fuqinë e natyrës tek njerëzit me probleme neurologjike.
Sacks ka qenë edhe shkrimtar dhe studimet e tij i ka përmbledhur
në disa libra.
“Si shkrimtar, mendoj se kopshtet janë tepër të rëndësishme për një process kreativ: si një fizikant, i dërgoj pacientët e mi në kopshte. Të gjithë prej neve kemi pasur rastin të shëtisim nëpër një fushë me lule, nëpër një kopësht të madh që nuk i shihet fundi, kemi shëtitur afër oqeanit dhe lumit, kemi ngjitur male dhe spontanisht jemi qetësuar, mendja jonë është qetësuar, shpirti dhe trupi kanë gjetur paqen. Rëndësia e këtyre momenteve dhe gjendjeve mendore është tejet fundamentale për shëndetin mendor individual dhe kolektiv. Në 40 vite si mjek, janë dy gjëra jo mjekësore që më duken vitale për shëndetin mendor të të sëmurëve me probleme neurologjike: muzika dhe kopshtet” shkruan Sacks në këtë përmbledhje.
“Nuk mund të them saktësisht se si natyra ndikon tek truri ynë, por tek pacientët e mi – edhe tek ata me probleme të thella neurologjike, kam parë përmirësim të hatashëm kur kemi dalë në natyrë dhe jemi futur në kopshte. Në plot raste, natyra dhe kopshtet e oborret e bukura janë më të fuqishme se çdo medikim tjetër” vazhdon Sacks.
Ai insiston se natyra zgjon diçka të thellë tek njerëzit, shkruan KultPlus.
Ai përmendë biofilinë – dashurinë për natyrën dhe qeniet e gjalla, dhe hortofilinë – dashurinë për të qëndruar në natyrë.
“Për ata që e kalojnë jetën në zyre, brenda mureve, për ata që jetojnë në qytete pa hapësira të gjelbra, efektet e natyrës në shëndet nuk janë vetëm në ndjenja por edhe në pjesën mendore, neurologjike dhe fizike” përfundon Sacks. / KultPlus.com
Duke i numëruar vitet e mia e kuptova sa shumë kam kaluar e sa pak kohë më ka mbetur për t’jetuar. Ndihem si një fëmi që fiton një qese me karamele, fillimisht me kënaqësi i gëlltitë shpejtë e shpejtë, e kah fundi ngadalëson dhe nisë t’i shijojë gjithnjë e më shumë. Më nuk kam kohë pafund për takime ku diskutohen statutet, ligjet, procedurat dhe rregullat e brendshme, duke ditur se asgjë nuk do t’ndryshojë. Më nuk i duroj dot njerëzit absurdë, të cilët përkundër moshës kanë ngelur axhami. Koha ime është shumë e shkurtër: e dua esencën, shpirti im po ngutet. Nuk më kanë mbetur edhe shumë karamele në qese. Dua të jetoj afër njerëzve, njerëzve shumë realistë që dijnë të qeshen me gabimet e tyre, që nuk fryhen nga triumfet dhe që marrin përgjegjësi për veprimet e tyre. Kështu mbrohet dinjiteti njerëzor dhe kështu mësohemi të jetojmë me të vërtetën dhe sinqeritetin. Janë gjërat bazike ato që e bëjnë jetën të vlefshme. Dua të jem i rrethuar nga njerëzit që dijnë të prekin zemrat e atyre që përjetuan goditje të rënda në jetë dhe vazhduan të kultivojnë mirësinë në shpirtin e tyre. Po, unë po ngutem. Ngutem të jetoj me intensitetin që vetëm maturia ta jep. Nuk e kam ndërmend të hudh poshtë asnjë nga ëmbëlsirat e mbetura. Jam i sigurt që ato do të jenë edhe më të shijshme se të gjitha më parë. Qëllimi im është të arrij fundin i kënaqur dhe në paqe, me më të dashurit e mi dhe me ndërgjegjen time. Ne kemi dy jetë dhe e dyta fillon atëherë kur kuptojmë se kemi vetëm një.
Mario de Andrade (1893 – 1945): Poet, novelist, eseist dhe muzikolog, një nga themeluesit e modernizmit Brazilian.
Një prej këngëve më të dashura për fëmijët shqiptarë kudo është “Qingji i vogël”.
Kënga ndër vite është kënduar nga zëra të ndryshëm.
Këngën e ka kompozuar shkodrani Zef Lekaj, ndërsa kënga pas famës në Shqipëri erdhi edhe në Kosovë e Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë. Sot është himni i këngëve për fëmijë, dhe një këngë e njohur për veshin e secilit shqiptar.
Titulli origjinal i këngës është ‘Fatosi dhe qengji’.
https://www.youtube.com/watch?v=kqxIMajk_Fo
https://www.youtube.com/watch?v=FGZCuTSzDgY
Po i sjellim këtu disa versione të këngës dhe poashtu
tekstin origjinal të këngës.
Qingji i vogël.
Qingji i vogël pse mendushëm bë, bë, bë. Pse më flet ashtu trishtueshëm bë, bë, bë.
Eja, eja, bashkë në arë tring, tring, tring. Un’ mbledh lule, ti ha bar tring, tring, tring.
Shih n’livadh fatos i dashur bë, bë, bë. Shokët e mi në tufë janë mbledhur bë, bë, bë.
Un’ i vetëm u mërzita tring, tring, tring. m’ço dhe mu’ te grigja tring, tring, tring.
Baba tash’ më ka premtue qingji im, në kooperativ’ me m’çue qingji im.
Do të jem baresh’ e fshatit tring, tring, tring. Do kullos gjith’ gringjën shpatit tring, tring, tring.
“Netët Korçare të Poezisë”, të organizuara në qytetin e Korçës nga bashkia, tashmë janë bërë traditë e njohur në vend.
Poetët e ftuar nga Shqipëria e Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por dhe më gjerë, nga Ballkani, Greqia e Bullgaria, Rumania e Bosnjë-Hercegovina, Turqia, etj., mblidhen, njohin Korçën dhe traditat qytetare dhe lexojnë poezitë e tyre gjatë tri netëve.
Kreu i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, teksa ka ndjekur aktivitetin tha se “Netët Korçare të Poezisë – 24 vite rresht për ta kthyer Korçën në qytetin që frymëzon poetë dhe dashamirës të poezisë. Mbrëmje të mbushura me emocion, që kanë bërë bashkë edhe këtë vit poetë e shkrimtarë nga brenda e jashtë Shqipërisë.” / atsh / KultPlus.com
Nga Lisa C.Walsh, Julia K Boehm, Sonja Lyubomirsky
Puno shumë, bëhu i suksesshëm, atëherë do të jesh i lumtur. Të paktën, kjo është ajo që shumë prej nesh kanë mësuar nga prindërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët tanë. Ideja që ne duhet të jemi të suksesshëm për të qenë të lumtur, përmendet në institucionet më të çmuara të Shteteve të Bashkuara (Deklarata e Pavarësisë), besimet (ëndrra amerikane) dhe narrativat (Roki dhe Hirushja).
Shumica e njerëzve duan të jenë të lumtur, prandaj ne përpiqemi vazhdimisht të arrijmë suksesin, duke menduar se kënaqësia qëndron vetëm tek hyrja në universitet në degën e preferuar, nisja e punës së ëndrruar, promovimi në detyrë, apo të fituarit 1 milionë dollarë.
Por për shumë ndjekës së saj, si suksesi ashtu dhe lumturia, mbeten përgjithmonë të paarritshme. Problemi është se ekuacioni, mund të jetë i vërtetë së prapthi. Hipoteza jonë, është se lumturia i paraprin dhe çon drejt një suksesi në karrierë, dhe jo anasjelltas.
Në shkencën psikologjike , “lumturia” lidhet me “mirëqenien subjective”, dhe “emocionet pozitive” (ne përdorim termin të ndër-shkëmbyeshme). Ata që kanë një mirëqenie më të madhe, tentojnë të jenë më të kënaqur me jetën e tyre, dhe të përjetojnë gjithashtu emocione më shumë pozitive, dhe më pak negative.
Studimet sugjerojnë se janë këto emocione pozitive – si eksitimi, gëzimi dhe qetësia – ato që nxisin suksesin në vendin e punës. Le ta shohim fillimisht këtë në studimet e ndërthurrura, që i shqyrtojnë njerëzit nga një pike e vetme. Kjo i lejon kërkuesit të përcaktojnë nëse lumturia dhe suksesi, janë të ndërlidhura mes tyre.
Në lidhje me bashkëmoshatarët e tyre, njerëzit më të lumtur, janë më të kënaqur me punën e tyre ; ata marrin gjithashtu marrin një mbështetje më të madhe sociale nga bashkëpunëtorët, dhe vlerësime më të mira të performancës nga eprorët.
Veçanërisht, mund të ndodhë që shefat u japin punonjësve të lumtur vlerësime më të larta të performances së tyre, për shkak të një efekti halo, ku një përshtypje e favorshme në një fushë (si lumturia) ndikon mendimet në një fushë tjetër (siç është aftësia për punë):P.sh Timi është i lumtur, ai duhet të jetë shumë i aftë edhe në punën e tij”.
Megjithatë, ka edhe prova që njerëzit me një mirëqenie më të lartë psikologjike, kanë një rendiment më të lartë në kryerjen e një sërë detyrash të lidhura me punën. Një studim i rëndësishëm, zbuloi se agjentët e shitjeve me një pikëpamje më pozitive, shisnin 37 përqind më shumë polica të sigurimit të jetës, sesa kolegët e tyre me pikëpamje më pak pozitive.
Lumturia, është e lidhur me shpesh me rendimentin e shkëlqyer në punë edhe në fusha të tjera . Njerëzit që përjetojnë shpesh emocione pozitive, kanë prirjen të ecin në karrierë në vendet ku punojnë. Ata janë gjithashtu janë më pak të prirur të mungojnë në punë, apo të braktisin vendin e tyre të punës.
Njerëzit me një mirëqenie më të mirë, kanë gjithashtu tendencën të fitojnë paga më të larta, se sa ata me një mirëqenie më të ulët. Megjithatë, hulumtime të tilla të ndërthurrura kanë kufijtë e tyre, pasi ato nuk mund të përcaktojnë se kush vjen e para:lumturia apo suksesi.
Në këtë rast, mund të ndihmojnë studimet shumëvjeçare, pasi ato i vëzhgojnë njerëzit gjatë ditëve, javëve, muajve ose viteve, për të parë se si ata kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Sipas këtyre studimeve, njerëzit që fillojnë të jenë të lumtur, nisin të bëhen të suksesshëm.
Sa më shumë i kënaqur të jetë një person në fillim të një kohe të caktuar, aq më shumë ka ai gjasa të jetë më vonë i qartë mbi punën që dëshiron të bëjë. Një studim, gjeti se të rinjtë që raportojnë një mirëqenie më të lartë psikologjike se sa bashkëmoshatarët e tyre, para se të diplomohen në universitet, kanë më shumë gjasa të fitojnë në intervistat e punës 3 muaj më vonë.
Emocionet pozitive, janë gjithashtu parashikues të saktë të arritjeve, si dhe i të ardhurave të mëvonshme financiare. Në një studim , 18-vjeçarët e lumtur, kishin më shumë gjasa të punonin në punë prestigjioze, që falnin kënaqësi, dhe të ndiheshin financiarisht të sigurtë pas moshës 26-vjeçare.
Ndërkohë në një studim tjetër , njerëzit që ishin më të gëzuar kur nisnin universiyetin, kishin më shumë të ardhura. Por nuk është e mjaftueshme, të dish se lumturia vjen para suksesit. Ne duam të dimë: A e shkaktojnë ato njëra-tjetrën? Tek e fundit, mund të ketë disa ndryshore të pa matura në këto studime, si inteligjenca ose të qënit tipa të hapur, ato që nxisin mirëqenien dhe pasjen e një pune të mirë.
Në fakt, tipat e hapur kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur, dhe të fitojnë të ardhura më të mëdha. Nga rishikimi që i kemi bërë i më shumë se 170 studimeve të ndërthurrura, është e qartë se mirëqenia e promovon në shumë mënyra suksesin e karrierës.
Kjo nuk do të thotë se njerëzit e palumtur, nuk mund të kenë sukses. Përkundrazi, historia tregon se individë që kanë vuajtur gjatë nga depresioni si Abraham Linkoln dhe Uinston Çurçill, kanë mundur të kenë suksese të pabesueshme. Të dyja emocionet, si negative ashtu edhe pozitive, u përshtaten situatave – ka një kohë për të qenë e trishtuar, ashtu siç ka një kohë për të qenë të lumtur.
Çdo udhëheqës apo menaxher biznesi që e lexon këtë, do të kujdesej që të mos punonte vetëm me njerëz të lumtur, apo t’i detyronte punonjësit e tij të jenë me zor më optimistë. Strategji të tilla kanë dhënë efektet e kundërta në të kaluarën – si në rastin e buzëshjes së detyrueshme të imponuar ndaj stafit në zinxhirin e supermarketeve amerikane, “Trader Joe”, ku kjo praktikë si për ironi i bëri punonjësit të ndiheshin edhe më keq.
Njerëzit dhe kompanitë, që shpresojnë të rritin lumturinë në një mënyrë më të shëndetshme, do të kishin më shumë fat, nëse do të promovoin aktivitete pozitive, si aktet e mirësisë dhe të shprehjes së mirënjohjes. Filozofi Bertrand Rasëll u shpreh në vitin 1951:”Jeta e mirë, siç e konceptoj unë, është një jetë e lumtur”.
Por ai vazhdoi:”Nuk dua të them, që nëse je një njeri i mirë do të jesh i lumtur; dua të them që nëse je i lumtur, do të jesh një njeri i mirë”. Kur vjen puna për të lënë shenjë në punën që bëni, ne jemi dakord. Nëse doni të jeni të suksesshëm, mos rrini në pritje për ta gjetur lumturinë diku tjetër:fillojeni nga aty ku jeni. / Bota.al / KultPlus.com
Burgu u ka ofruar të burgosurve një oborr ku ata të tregojnë veshjet e tyre të punuara me grep dhe të zbukuruara me ngjyra.
Dizenjatorët dhe krijuesit kane bërë një paradë rreth e përqark mureve të burgut ku kanë pozuar për njëri tjetrin veshjet e tyre.
Kjo shfaqje është pjesë e një projekti rehabilitimi për të burgosurit, dhe te burgosurat për ti mësuar ata të bëjnë punime me grep.
Ky program është krijuar para 3 vitesh nga Gustavo Silvestre.
Shumë prej te burgosurve janë të dënuar për vjedhje apo trafikim të lëndëve narkotike.
Nje prej tyre, ishte Felipe Santos da Silvali, tha per agjencine e lajmeve Agence France Press “punimi me grep më ndihmoi për lënien e duhanit dhe përdorimin e drogës”.
41- vjecari Fidelison Borges, një tjetër i burgosur u shpreh se kjo ngjarje e kishte ndihmuar atë të kishte vetëbesim.
“Duke parë krijimin tim ndihesha krenar dhe akoma me shumë krenar për të ditur nëse njerëzit do t’i pëlqenin krijimet e mia’ shtoi i burgosuri.
Ivan Vukoviç është një prej ciceronëve më të njohur në Kroaci, i cili e kalon pjesën më të madhe të kohës si guida e turistëve në një kryeqytet që nuk ekziston në të vërtetë, por në serialin e famshëm GOT dhe ai është “King Landing”, Kryeqyteti i Westeros, të Shtatë Mbretërive.
Sipas 38-vjeçarit Vukoviç, fama që mori Dubrovniku nga ky serial, regjistrimet e të cilit filluan në vitin 2011, ka pasur avantazhe dhe disavantazhe.
Seriali “Games of Thrones” ka qenë një ndihmë e madhe për biznesin e tij dhe ka sjellë një numër të madh turistësh në qytet.
“Seriali ka qenë befasues. Numri i turistëve është rritur aq shumë saqë ne nuk dimë si t’i menaxhojmë turmat e turistëve, të cilat gjatë sezonit turistik arrijnë dhe e tejkalojnë pikun”, thotë z. Vukoviç. Më shumë se gjysma e tureve turistike kanë të përfshirë vizitën në “King’s Landing”. Pjesa tjetër e tyre janë përqendruar në historinë e vërtetë të Dubrovnikut, një trashëgimi kulturore në mbrojtje të UNESCO-s, që daton prej shekullit VII, me shumë kisha, muze dhe kështjella të ndërtuara buzë Adriatikut.
Për vendasit nuk përbën çudi kur turma të mëdha turistësh mblidhen në shkallët e stilit barok të jezuitëve dhe bërtasin “Turp, Turp, Turp”, duke përsëritur një prej skenave më të famshme të serialit, ku një prej protagonisteve kryesore Cersei Lannister, detyrohet të shëtisë e zhveshur nga këtu deri në Red Cape, pas rrëfimit të tradhtisë bashkëshortore.
Mbipopullimi nga turistët
Edhe Niko Grljevic, i cili ka një piceri pranë shkallëve të famshme të jezuitëve, shprehet se shitjet në biznesin e tij janë shtuar nga rritja e numrit të turistëve. Një lokal pranë picerisë së tij ofron për të gjithë turistët e fiksuar pas serialit GoT, një koktej që e ka quajtur “Mojito of Shame”. Në rrugën kryesore shiten hapëse shishesh me elemente të serialit, për vetëm 40 euro, bluza me personazhe të tij për 34 euro dhe gota birre për 20 euro.
Z. Grljeviç është një prej kroatëve autoktonë i cili ndryshe nga shumica e kroatëve të tjerë, ka vendosur të qëndrojë në vendin dhe në shtëpinë e tij, duke mos e dhënë atë me qira apo duke mos e shitur, siç kanë bërë shumë prej bashkëkombësve, gjë që ka ulur në mënyrë drastike numrin e banorëve vendas.
Sipas të dhënave të Institutit të Ekonomisë në Zagreb, pas transmetimit në televizionin HBO të sezonit të dytë të serialit “Games of Thrones”, Dubrovniku tërhoqi më shumë se 244,000 turistë, të cilët shpenzuan rreth 126 milionë euro në këtë qytet midis viteve 2012 dhe 2015. Shtimi i numrit të turistëve plus fluksi normal i tyre, ngriti vitin e kaluar shqetësimet e një krize të “mbipopullimit nga turistët”, kur më shumë se 1.2 milionë turistë zbarkuan në një qytet ku banojnë vetëm 42,000 vendas.
Autoritetet janë shprehur se po mundohen të menaxhojnë kohën e zbarkimit të turistëve, të cilët vijnë me anije nga vende të ndryshme, si dhe kanë vendosur kamera në qytet për të kuptuar orët kur fluksi i turistëve arrin pikun. Por vendasit janë të shqetësuar dhe skeptikë nëse do të arrihet ekuilibri i duhur. Gordan Prisliç, një pensionist 70-vjeçar, pranon se seriali GoT ka pasur disa efekte pozitive në rritjen e numrit të turistëve në këtë qytet, por thekson se mbipopullimi është një shqetësim më i madh se rritja e numrit të turistëve.
“Në verë, as pëllumbat nuk kanë më vend se ku të qëndrojnë”, shprehet z. Prisliç, duke shprehur shqetësimin dhe frikën për këtë rritje të vrullshme në numrin e turistëve, si një prej shkatërrimtarëve të mundshëm në të ardhmen të këtij qyteti antik. Ciceroni Vukoviç vë në dukje se si qyteti i vjetër është shndërruar në një qendër tregtare për turistët ku shiten produkte të ndryshme artizanale, në të cilat padyshim që nuk mungojë elementët e serialit GoT. Ai shprehet se edhe në postimet e ndryshme në Instagram, hashtagu i dytë pas Dubrovnikut është Game of Thrones (Dubrovnik#Game of Thrones#).
Gjatë tureve në këtë qytet, ai i dërgon turistët edhe në një vend ku uji del nga një shatërvan mesjetar, duke i nxitur turistët që të pinë ujë këtu, duke qenë se kjo mund të jetë e vetmja gjë për të cilën ata nuk duhet të paguajnë. Duke dashur të promovonte më shumë vlerat e qytetit të Dubrovnikut, z. Vukoviç dikur mbante të veshur një bluzë me mbishkrimin “Dubrovniku është shumë më tepër nga King’s Landing”. Por tani nuk e vesh më pasi ka frikë se do të humbasë një numër të madh njerëzish që e mbështesin atë në rrjetet sociale. Për shumë të rinj të ditëve të sotme, filmat, serialet dhe rrjetet sociale online vlerësohen më shumë sesa historia e një vendi, tha në fund ai./ AFP Relaxnews / KultPlus.com