Artistët dhe pagjumësia, një lidhje e fuqishme drejt kreativitetit

Si shumë njerëz, unë kam vuajtur nga pagjumësia për pjesën më të madhe të jetës sime. Në kohë zgjimi të padëshiruar, e lë mendjen time të endet në territore të pashpjeguara. Duke hyrë në një dimension surreal dhe pa gjumë, ndonjëherë mendoj të heq dorë nga procesi i dhimbshëm tërësisht dhe të shkruaj — me shpresën që mendimet e mia absurde nuk janë marrëzi të pakuptueshme, shprehej artistja Lee Krasner

Mirëpo shumë artistë përgjatë historisë, i kanë kushtuar me sukses vuajtjet e tyre pa gjumë, krijimtarisë. Si Vincent van Gogh-u dhe Salvador Dali.

Piktorit surrealist Salvador Dali, ka vuajtur shumë shpesh nga pagjumësia, mirëpo e përdori mjaft mirë në krijimtarinë e tij, shpesh ai u përpoq të futej në nënndërgjegjen e tij duke u ulur në këmbë në një karrige tërë natën, ndërsa duke hequr dorë nga dora dhe duke mbajtur një lugë në dorë.

Van Gogh, përjetoi pagjumësinë gjatë luftimeve të tij me shëndetin mendor dhe angazhimin eventual të një azili. Megjithatë, ajo periudhë ishte një nga më të mirat e tij për sa i përket prodhimtarisë artistike. Historiani i artit, Joachim Pisarro, ka pohuar se Van Gogh “jetonte natën” dhe “nuk flinte deri në tre ose katër të mëngjesit. … Ishin orët e natës ato prej të cilave eksperimentet e tij me imagjinatë dhe kujtesë, shkuan më larg.”

Nëse krijimtaria është rritur apo nuk është rritur si pasojë e mungesës së gjumit, ende është duke u studiuar. Sidoqoftë, është e qartë se me shekuj, artistët mbi mendimet e tyre mahnitëse të natës kanë krijuar shpesh kryeveprat e tyre. /artsy.net/KultPlus.com

Beata Donner, kur Holokausti nuk t’i lejon as tri pranvera

Në Holokaust, ndër periudhat më të errëta të njerëzimit, humbën jetën miliona njerëz të pafajshëm.

Në krimin ku morën pjesë tërë Evropa, plot fate njerëzish morrën një kahje tjetër, shumë prej tyre u ndërprenë.

Çdo fytyrë e viktimave të Holokaustit është dhimbje.

Beata Donner lindi më 22 gusht të vitit 1941 në Hungari. Mëkati i saj ishte të ishte hebreje. Kjo vajzë në fotografi, e buzëqeshur dhe plot jetë, u vra në Kampin e Aushvicit në Gjermani.

Ajo ishte gati 3 vjeçare kur jeta e saj u ndalua. Babai i saj ishte Imre ndërsa nëna Eva, me origjinë nga Nagykanizsa.

Faqja në Facebook dhe Tëitter e Memorialit në Aushvic kujton gjithmonë në përvjetore njerëzit të cilët gjetën vdekjen në Holokaust.

Rreth 6 milionë hebrenjë u vranë në Holokaust, në mënyrat më të tmerrshme dhe më monstruoze. / KultPlus.com

Zhduket në Suedi statuja e Gzim Dervishit

Vepra artistike e refugjatit nga Kosova, Gzim Dervishit, është zhdukur të dielën.

Gzimi kishte udhëtuar 3 mijë kilometra për të parë veten e tij të shkrirë në bronz.

Statuja e Gzimit që gjendet në qytetin Vesterås të Suedisë është zhdukur. E ky lajm që është shpërndarë nga norran.se e ka mërzitur shumë Gzimin.

”Ndjehem jashtëzakonisht i tronditur dhe i trishtuar me këtë lajm dhe këtë ndodhi që ka ndodhur. Ku është shteti i Kosovës në këtë rast, ku janë të drejtat e mia?”, ka deklaruar Gzim Dervishi për Nobel Press.

Gzim Dervishi thotë se atij nuk i ka mbetur ndonjë gjë tjetër përveç që të pres se mos i vie ndonjë informatë rreth kësaj ngjarjeje. / KultPlus.com

‘E tronditur shikoj nga qielli se mos ndoshta aty shoh prapë sytë e tu, babë…’

Nga : Dafina Buçinca

Pritje

Ka kohë që, sa herë hapet porta e oborrit të shtëpisë, lëshon një tingull të çuditshëm. Tingull i vjetër, i portës së vjetër, që më ngjan me melodi vajtuese, sikur i dhemb diku. Më duket sikur edhe ajo e vajton humbjen e të zotit të shtëpisë. Sa herë i dëgjoj këta tinguj, shtangem, zemra sikur pushon së rrahuri dhe pres e ngrirë me kokën kthyer andej, mbaj vesh se mos ndoshta je ti, Babë! Për disa sekonda më shfaqesh para syve sikur po vjen drejt meje, burrë shtatlartë, paksa i plotë e i kërrusur nga lodhja e hallet e jetës, me një cigare anash në buzë, flokë ashtu të shprishura, një pallto të vjetër hedhur krahëve, një tufë letrash nën sqetull. Pamja jote hijerëndë e terron oborrin. Fytyra jote e lodhur tregon mungesën e gjumit, punën e vazhdueshme vullnetare, ndërkaq rrudhat, hallet e jetës, qëndrimin e papërkulur. Por, megjithatë, sytë sikur të shkëlqejnë, sepse ti e doje shumë jetën, por nuk kishe fare frikë nga vdekja. Afrohesh edhe më ngatë, ndalesh para meje dhe më vështron. Në  sytë e tu shfaqet trishtimi, sepse ti nuk doje të më lije vetëm. E di… e ndiej që kjo duhej të ishte pamja jote e fundit para se të ikje… Ashtu e mpirë zgjas krahët të të përqafoj…

Ti zhdukesh… humb në hapësirën e pafund të gjithësisë…

E tronditur shikoj përreth, shoh arkivolin tënd që qëndron në mes të oborrit. Për anash kalojnë familjarë, miq, shokë, dashamirë, thuajse të gjithë ata që të njohën e ata që kishin dëgjuar, erdhën për të të dhënë lamtumirën e fundit. Ti, i mbështjellë me flamur. Turma e njerëzve sa vjen e shtohet, disa qajnë, disa mallkojnë luftën, ndërkaq disa të tjerë, në heshtje, me kokën ulur, pëshpëritin ndonjë dua në gjuhën arabe. Gjithë këtë skenë e vështroj pa asnjë ndjenjë në trup. Nuk ndiej as dhimbje, as urrejtje, as dëshirë për shfrime mallkimesh, sepse nuk bindem dot se ti nuk jeton më! Nuk arrij ta bind veten se ata eshtra në arkivol përbënin dikur trupin tënd të madh e të fuqishëm.  

Isha aty ditën që të zhvarrosi vëllai. Nga ajo copë toke, ku të kishin mbuluar me dhé, shpejt e shpejt, nëpër terr e mes plumbash, disa të afërm, në pamundësi që të të varrosnin siç e donte zakoni. Kishin kaluar disa vite e trupi yt tashmë ishte tretur, e kishte ngrënë toka,  krejt çka kishte mbetur nga Ti, ishin një grusht eshtra, tash të renditur në atë arkivol.

Turma e njerëzve sa vjen e shtohet. Oborri u errësua tërësisht nga koka njerëzish, burra të mërzitur, gra me lot në sy e me shami të bardha në koka. ”Na bëfsh hallall, rahmet pastë shpirti yt, ishe burrë i mirë, ishe i pashoq Elmi burri!”, thoshte dikush, një tjetër ”U prehsh në paqe!”, tjetri ”Shkofsh në lula të xhenetit!”. Ishin këto fjalë që dolën nga grupi që erdhi i fundit, derisa silleshin rreth arkivolit. Lutjet e tyre që arrinin deri të veshi im sikur ma pickonin ndërgjegjen, që, për një çast, më qortoi për atë ftohtësi ndaj atyre eshtrave.

Por, truri im punonte ndryshe, vazhdimisht. Në mendje m’u shfaq përpara një pamje tjetër e Babës. M’u duk se e pashë, ishte aty, i veçuar nga turma, me një cigare në gojë, e thithte fort. E shikonte turmën mendueshëm. Një hije e rëndë, e verdhë, i kishte rënë fytyrës së tij të parruar. Fytyra tij nuk shprehte asnjë lloj ndjenje, vetëm vështronte mendueshëm. Ngrita dorën që t’i bëj shenjë, ta vërente se isha aty. Por, dora u pengua nga një grua që atë moment erdhi dhe zuri vend pranë meje.

Porta e oborrit hapet e mbyllet. E mpirë pres hyrjen tënde. Kur lamtumira përfundon, katër burra, në mesin e tyre edhe vëllai, të marrin, të ngritin lart, pastaj ashtu, në atë lartësi, të bartin deri te makina e bardhë, e madhe, e cila do të të përcjellë deri në banesën e fundit. Pas makinës nisemi familjaret dhe disa miq të afërt që, dy nga dy, bartim kurora me lule. Edhe mua më dhanë një të tillë, e mbaj bashkë me motrën e vogël. Në një shirit të kuq shkruan: ”I përjetshëm qoftë kujtimi për ty!”. Turma është e madhe, të gjithë në heshtje, me kokën ulur, ecim nëpër rrugën gjarpërore të Zabelit drejt varrezave. Policia kishte bllokuar rrugën, asnjë makinë nuk kalon, përveç funeralit të gjatë.   

Derisa ecim më duket se dëgjoj dënesën e nënës dhe kthej kokën për të parë. Nuk është nëna, është halla, motra e vetme e Babës, e cila është krejt afër meje, por nuk e kisha vërejtur. Qan akoma nga dhimbja që ndjen për humbjen e vëllait. Duhet te jetë dhimbje e madhe ta humbësh vëllanë, mendoj derisa e shikoj fytyrën e saj të skuqur, sytë po ashtu të skuqur e të ënjtur nga lotët, të cilët i fshin me një shami të vogël të bardhë. Pas pak shoh edhe  nënën, nuk qan, ec e heshtur, por sytë i ka të ënjtur e të skuqur edhe ajo. Po e përcjell njeriun e zemrës për në varr. Tridhjetë vjet të martuar. Nga kjo martesë kishin lindur shumë fëmijë. Bashkë kishin jetuar çaste të lumtura, por më shumë të vështira, bashkë kishin përballuar varfërinë, dhimbjen, frikën, dhunën e terrorin serb. Derisa lufta i ndau përfundimisht. Maji ishte muaji që i bashkoi, por edhe muaji që i ndau. Sytë  e nënës ishin tharë, ishin bërë si dy zgavra të mëdha në fytyrën e saj. Një shtresë e hollë lotësh ishte tharë në ta prej kohësh. Fytyra i ishte zverdhur si dyllë nga dhimbja që mbante brenda. Edhe fjalët i kishte të pakta. Rrinte mendueshëm shumicën e kohës. Në kokë mbante një shami të bardhë, shenjë zije për humbjen e dikujt të afërt e të dashur. Këtë simbol ajo nuk e largoi kurrë më, si shenjë respekti për kujtimin për Babën, por edhe si shenjë zije të përjetshme.

Turma arrin te varri i hapur. Njerëzit shpërndahen rreth tij. Prapë, katër bartësit kapin arkivolin, e nxjerrin nga makina e bardhë, i vendosin litar përfund dhe e lëshojnë ngadalë në gropën e thellë. Gropa më ngjan në humnerë. Lopatat fillojnë të hedhin copa dheu mbi arkivol. Tingujt që lëshon dheu kur ndeshet me arkivolin, më rrëqethin deri në palcë. Një dhimbje e hollë si teh thike, që del nga zemra, më përshkon tërë trupin. Më duket se shoh vdekjen, qëndron sipër varrit me një buzëqeshje në fytyrë. Fsheh kokën pas fustanit të nënës. Kur e largoj pëlhurën e fustanit, fytyra e vdekjes ishte zhdukur. Hoxha lutet me zë të lartë për shpirtin e Babës. Pas lutjes së tij bie heshtja. Pas heshtjes, dikush thirri “Lavdi për të gjith ata që ranë për lirin e vendit” pas tij, të gjithë njëzëri thërrasin ”Lavdi”!

                    E tronditur shikoj nga qielli se mos ndoshta aty shoh prapë sytë e tu Babë… Gënjehem, shoh vetëm disa re të zeza që zvarriten ngadalë sikur të plagosura. I vështroj mendueshëm një copë herë, ato më përshëndesin më disa pika shi, të cilat, pasi bashkohen me disa pika lot, bien përdhe, treten në tokën e përgjakur…

Dy qytetet më të preferuara të turistëve janë Tirana dhe Lviv

 Gazeta britanike “Standard” ka publikuar një artikull mbi qytetet më të lira për të pushuar në Europë, mes të cilave renditet edhe Tirana.

Bazuar në të dhënat e raportit të “Post Office Travel Money” dhe “Airbnb”, artikulli identifikon 10 qytete europiane, që sipas tyre, po shënojnë rritje të shpejtë të kërkesës nga turistët për akomodim.

Raporti përfshin të dhënat për 12 muajt e fundit, dhe rendit në krye të listës qytetin Lviv në Ukrainë. Tirana pason vendin e dytë në këtë renditje, si një nga qytetet më të mira dhe më të lira për të pushuar në Europë.

Lista vijon me Katovicën në Poloni, Kosice në Sllokavi, Kaunas në Lituani, Antalja në Turqi, dhe Bari në Itali.

Ndërsa, tre vendet e tjera që përmbyllin listën, janë: Moska në Rusi, Lisbona në Portugali, dhe Alkmaar në Holandë.

Sipas të dhënave të këtij raporti, Tirana është një destinacion i preferuar për turistët, pasi një fundjavë për dy persona në kryeqytetin shqiptar llogaritet të kushtojë në rreth 153.43 paund.

Më poshtë lista me 10 qytetet më të preferuara dhe çmimet për dy persona për një fundjavë:

1. Lviv, Ukrainë – £137.42

2. Tiranë, Shqipëri – £153.43

3. Katovicë, Poloni – £191.72

4. Kosice, Sllovaki – £195.52

5. Kaunas, Lituani – £236.79

6. Antalja, Turqi – £245.57

7. Bari, Itali – £294.38

8. Moskë, Rusi – £336.26

9. Lisbonë, Portugali – £378.12

10. Alkmaar, Holandë – £409.69

LINK: https://www.standard.co.uk/lifestyle/travel/cheapest-trendy-destinations-in-europe-2019-a4214986.html / atsh/ KultPlus.com

“Unë po ta jap gjithë botën time, të lutem sigurohu që ajo të mbetet e bukur”, fjalimi i babait që përloti botën

Mendova se do të filloja fjalimin tim duke tu drejtuar si familja “e re” e vajzës sime, por unë mendoj se do të ishte e papërshtatshme sepse tani që ajo është e martuar me ty, ti je “familja” për të. Më beso, unë nuk e kam problem një gjë të tillë. Unë, në të vërtetë, dëshiroj që vajza ime të të ketë “ty” si përparësinë e saj tani.

Është koha që ne të spostohemi në një karrige më larg në jetën e saj. Ne si prindër do ta pranojmë me kënaqësi, por me siguri do të kërkojmë një gjë:

Të lutemi ta bësh gjithnjë të lumtur!

Unë jam më se i sigurt se ti do ta bësh atë shumë të lumtur. Ajo ndoshta do të jetë më e lumtur sesa dikur ishte këtu me ne, por si të gjithë baballarët, më mundon lumturia e vajzës sime, prandaj të them pa pushim – bëje atë të lumtur!

Ajo kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një barrë për mua. Ajo është në fakt arsyeja pse frymëzohem dhe buzëqesh. Unë jam duke e martuar, sepse kjo është ajo që kërkon ligji i natyrës. Unë jam i pafuqishëm mbi ligjet e natyrës dhe për këtë arsye po e dërgoj atë në shtëpinë tënde. Ajo ishte lumturia e shtëpisë sime dhe tani do të ndriçojë shtëpinë tënde.

Unë po ta jap gjithë botën time. Të lutem sigurohu që ajo të mbetet e bukur.

Unë po të dorëzoj princeshën time! Të lutem sigurohu që ajo të mbetet si një mbretëreshë. Unë e kam rritur atë me djersën dhe gjakun tim dhe tani ajo është mrekullisht e përsosur.

Për të gjithë kujdesin, dashurinë, bukurinë dhe ngrohtësinë që vajza ime do të sjellë në jetën tënde, dua vetëm që lumturia e saj të kthehet – të lutem ta mbash të lumtur! Nëse herë pas here ndihet e sëmurë, kujdesu me dashuri për të! Është ilaçi që funksionon më së miri për të.

Nuk ka problem nëse nuk e shoh për muaj të tërë. Nuk më intereson nëse nuk mund të flas me të ditë për ditë. Motivi im i vetëm në jetë ka qenë lumturia e vajzës sime që tani është në duart e tua.

Të lutem, bëje të lumtur!

I nderuar dhëndër, këto fjalë mund të mos kenë shumë rëndësi për ty tani, por nëse do të jesh me fat e të bëhesh baba i një vajze një ditë, do t’i vlerësosh më mirë kur do të dallosh që çdo rrahje e zemrës tënde, ulëret e thotë – “të lutem bëje e mbaje vajzën time të lumtur”! / bota.al / KultPlus.com



Suksesi mund të vijë në çdo moshë, ja shembujt

Bazuar në mënyrën se si startupet shfaqen në mediat e sotme, të duket sikur të gjithë themeluesit janë adoleshentë ose në të 20-tat. Kemi dëgjuar histori të shumta për milionerë të rinj dhe sipërmarres adoleshentë, por kjo është vetëm një pjesë e pikturës. Ka shumë sipërmarrës që kanë gjetur “idete e mëdha” në moshë të madhe, duke themeluar kompani, që në disa raste, zgjasin përtej viteve të tyre të jetës.

Këta janë gjashtë nga sipërmarresit që e kanë nisur vonë karrierën e tyre si sipërmarrës dhe kanë provuar që suksesi është i mundshëm në çdo moshë:

1. Leo Goodwin, GEICO

GEICO, ose “Kompania e sigurimeve për punonjësit e qeverisë” është tashmë një markë shumë e njohur për sigurimin e makinave me figura shumë të njohura të reklamave. Por përpara GECKO-s, Caveman-I ose Maxwell, GEICO ishte idea e Leo Goodwin. Duke punuar si ekonomist në San Antonio, Texas, në 1930, Goodwin kuptoi që sigurimet duhet të rishikoheshin. Pse nuk kishte kompani që merreshin drejtpërdrejtë me klientin, duke kursyer para që zakonisht shkonin për komisionerët?

Në vitin 1936, në moshën 50 vjeçare, Leo themeloi GEICO në Washington, D.C. Në fillim si çdo biznesmen tjetër i kohës, ai punoi shumë me gruan e tij Lillian për drejtimin e kompanisë. Në fund të vitit, GEICO kishte 12 persona në stafin e tij dhe 3700 politika në veprim. Sot, Geico punëson mbi 27.000 njerez dhe ka mbi 14 milionë të siguruar.

2. Harland David Sanders, Kentucky Fried Chicken

Col Sanders nuk e nisi me idenë e një biznesmeni të suksesshëm. Ai e humbi babain në një moshë të re, grindej shumë me njerkun e tij dhe u pushua nga disa punë, duke humbur dhe punën si avokat pas një zënke me klientin e tij në gjyq. Megjithatë, ai ishte i vendosur të mos dorëzohej kurrë dhe kjo çoi në suksesin e tij.

Ndërkohë që punonte në një stacion shërbimi në Corbin, Sanders fitoi popullaritet në zonën e tij për recetën e shijshme të pulës. Pasi stacioni i Corbin u shkatërrua pas një zjarri, Sanders e rindërtoi vendin si nje motel dhe një restorant me 140 ulëse. Në 1952, në moshën 62 vjeçare, Sanders hapi franshizen e parë të “Kentucky Fried Chicken”. Sot, KFC ka mbi 18800 outlete në 118 territore dhe shtete të ndryshme.

3. Robert Noyce, Intel

Pasi fitoi doktoraturën e tij në fizikë nga MIT, Robert Noyce gjeti punë si një inxhinier kërkimi, duke përfunduar në “Beckam Instruments”. Në 1957, ai dhe 7 te tjerë iken nga Beckam dhe themeluan “Fairchild Semiconductor Corporation”. Mbasi shijoi suksesin aty, ai iku bashkë me Gordon Moore. Së bashku, ato themeluan “Intel” kur Noyce ishte 41 vjeç.

Noyce konsiderohej si një vizionar i kompanisë dhe e trajtonte stafin e tij si një familje. Ai refuzoi benefitet e të qenit CEO dhe e mbajti kompaninë me më pak hierarki dhe më të relaskuar. Ndërkohë te Intel, ai mbikqyri shpikjen e mikroprocesorëve, një inovacion që revolucionarizoi teknologjinë e kompjuterave dhe themeloi makinat që ne përdorim sot.

4. Reid Hoffman, LinkedIn

Sigurisht një kompani si LinkedIn, një rrjet social gjigand është themeluar nga një i ri apo jo? Aspak! Reid Hoffman u mundua të kuptonte çfarë të bënte pas diplomimit në Stanford. Ai vendosi të punonte, por duke e berë këtë me një strategji, duke krijuar një plan me gjërat që do t’i duhen për të nisur kompaninë e tij.

Kur ai e nisi për herë të parë kompaninë e tij, ai themeloi një faqe interneti të quajtur Socialnet, me besimin se duke pasur alogaritmet e duhura do t’i garantonte suksesin. Ai u mundua t’a reklamonte në revista dhe gazeta, por nuk gjeti lidhjen e duhur me idenë. Ne fund, ai u largua dhe u bashkua me Pay Pal. U largua dhe nga PayPal në vitin 2002 duke bashkëthemeluar LinkedIn. Hoffman ishte 35 vjeç kur e themeloi dhe 43 vjeç kur u bë publike.

5. Wally Blume, Denali Flavors

Nëqoftëse mendon që një akullore me shije domateje të ngacmon stomakun, nuk je i vetmi. Wally Blume kishte 20 vite karrierë të suksesshme, por e kuptoi që duhej të lëvizte përpara kur pronari i tij vendosi të provonte këtë ide të çmendur.

Në vitin 1995 kur ishte rreth 50 vjeç, ai vendosi të hapte kompaninë e tij të akulloreve, “Denali Flavors”, ku ai krijoi shijen e famshme “Gjurmët e Drerit”. Sot, kompania i sjell atij 80 milionë $ fitime në vit vetëm nga marrëveshjet për përdorimin e produkteve të tij. Denali tani ka mbi 40 shije dhe Blume është akoma i forte në moshën 70 vjeçare.

6. Carol Gardner, Zelda Wisdom

Kur ti je 52 vjeç, i sapo divorcuar, trokë dhe në depression, gjëja e fundit që do të vinte në mëndje ishte të hapje një kompani. Dhe nëse ndodh, mund të jetë me recetën e mjekut.

Pasi mori një qen me rekomandimin e terapistit, Carol Gardner fitoi një konkurs lokal të quajtur “Christmas Card” me foton e një qeni bashkangjitur me një thënie për të qeshur. Fitorja e inspiroi Gardner të niste një kompani me letra përshëndetjeje, të cilës ia vuri emrin e qenit të tij, Zelda. Në vitin 2010, kompania e Zelda Wisdom u vlerësua 50 milionë $, duke treguar që kurre nuk mund ta dini nga mund t’ju vijë ideja e madhe.

Të drejtosh një biznes nuk është e thjeshtë. Duhet punë e palodhshme dhe disiplinë që të arrish suksesin. Si rezultat nuk duhet të jetë surprizuese, që shumë herë janë më të vjetrit dhe më të mençurit që dinë të ecin drejt kësaj rruge.

Kështu që mos e llogaritni veten jashtë, pavarësisht se çfarë moshe keni. Suksesi mund t’i vijë kujtdo, në çdo kohë! /EO/ KultPlus.com

Joe Biden ishte quajtur homoseksual vetëm se i kishte përkrahur të drejtat e grave

Ish zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se ai është quajtur homoseksual gjatë viteve 1970 për shkak se kishte kërkuar të drejta për gratë.

Kandidati i mundshëm për president të SHBA’ve nga demokratët, Biden, tha se gjatë tërë jetës ka punuar për të drejta të grave edhe në kohën kur burrat paragjykoheshin nëse e bënin një gjë të tillë, transmeton Gazeta Express.

Ai gjithashtu shtoi se “e tërë gjenerata ime ishte mbushur me energji. Ne më në fund e përfunduam Ligjin për të Drejtën e Votës. Më në fund e bëmë edhe Ligjin për të Drejta Civile.

“Ne arritëm në një pikë ku filluam që të krijojmë lëvizje për të drejtat e grave dhe filluam që t’i trajtojmë çështje gjinore – e mbaj mend mirë sepse si një përkrahës i madh në vitin 1972 dikush më tha ‘Epo e dini pse Biden është për të drejtat e grave?, ai me gjasë është gay”, deklaroi ai.

“Nuk është shaka kjo” tha Biden, i cili u martua me gruan e tij në vitin 1972. /KultPlus.com

“Një nënë e fortë mëson vajzën e saj se dashamirësia, dhembshuria dhe forca mund të bashkëjetojnë”

Marrëdhëniet mes nënës dhe vajzës shpesh kalojnë nëpër ulje dhe ngritje, por dashuria që një nënë ka për krijesën e saj është e pakushtëzuar. Me shembull të mirë, një nënë mund t’i mësojë mësimet e saj të çmuara të jetës, vajzës së saj. Ajo mund ta ndihmojë atë të gjejë ekuilibrin e saj midis feminitetit dhe jetës në përgjithësi.

Lidhja midis një nëne dhe një vajze është e ndryshme nga çdo lidhje tjetër. Është e veçantë.

Këtu janë 8 mësimet e çmuara të jetës që një nënë e fortë i mëson vajzës së saj:

1- Të mos hezitojë të kërkojë ndihmë

Një nënë e fortë kurrë nuk do ta mohojë ndihmën për vajzën e saj. Ajo gjithmonë do ta inkurajojë atë të jetë e pavarur, por ajo gjithmonë do të jetë e pranishme në anën e saj për ta përkrahur dhe nxitur atë.

2- Të pranojë gabimet e veta

Një nënë e fortë nuk dënon gabimet e vajzës së saj, por i kërkon asaj të mësojë prej tyre. Të mos harrojë mësimin e marrë. Për të vazhduar pa shumë keqardhje dhe pendesa. I shpjegon se të jetuarit në të kaluarën vjedh të ardhmen e shpresave më të bukura.

3- E nxit atë për të ndërtuar lumturinë e saj

Një nënë e fortë e mëson vajzën e saj se personi i vetëm me të vërtetë përgjegjës për lumturinë e saj është ajo vetë.

Njerëzit hyjnë dhe largohen nga jeta jonë dhe vetëm brenda një kufiri të caktuar mund dhe duhet ta kushtëzojnë qetësinë tonë.

4- Forca dhe dhembshuria

Të jesh i mëshirshëm nuk është sinonim i dobësisë. Një nënë e fortë mëson vajzën e saj se dashamirësia, dhembshuria dhe forca mund të bashkëjetojnë.

Forcimi i vetëbesimit
Një nënë e fortë mëson vajzën e saj të njohë vlerën e saj, inteligjencën e saj, forcën e saj. Ajo i mëson asaj të besojë në veten dhe në aftësitë e veta.

6- Dashuria e pakushtëzuar

Dashuria e pakushtëzuar është një mësim që mund të mësohet vetëm me shembull. Kur një nënë e fortë e do pa kushte vajzën e saj, ajo i ofron asaj dhuratën më të çmuar në botë. I mëson se dashuria e pakushtëzuar ekziston, është e vërtetë dhe jashtëzakonisht e fuqishme.

7- Të jetë krenare për feminitetin e saj

Një nënë e fortë i shpjegon vajzës së saj se nuk është gjithmonë e lehtë të jesh grua. Bota mund të jetë jashtëzakonisht e padrejtë dhe e egër ndaj grave dhe brishtësisë së tyre. Pavarësisht nga kjo, një nënë e fortë mëson vajzën e saj për të shprehur feminitetin e saj me dinjitet dhe integritet. Gjithmonë.

8- E mëson ta dojë veten

E mëson të dojë veten edhe pse mund të jetë një detyrë e vështirë, por është hapi i parë për të udhëhequr një jetë të lumtur dhe të plotë. Një nënë e fortë mëson vajzën e saj që të pranojë dhe ta dojë veten, duke përfshirë kufizimet dhe defektet, që do t’i lejojnë të kuptojë dhe t’i dojë të tjerët në një mënyrë të shëndetshme dhe të balancuar. / KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë në Botëror

 

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos “Tokio 2019”, në kategorinë deri 48 kilogramë.

Xhudistja kosovare e fitoi të bronztën pasi mposhti Laura Martinez Abelenda në duelin final për vendin e tretë, me ippon pas vetëm 30 sekondash.

Image

Krasniqi ishte garuesja e parë e Kosovës në këtë kampionat. Të hënën garon Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa të martën Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë. Gara e Kosovës përmbyllet të premten, kur në tatami del Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë./ Koha.net / KultPlus.com

“2500 hapa deri te banesa e fundit e nënës”

Nga Zija Çela

MARGARITA dhe TULLUMBACE

Meqë e shoqja nuk shkonte mirë me vjehrrën, madje e gjuante me fjalë të rënda, Gentian Meniku ra në hall. Por si biznesmen i kamur nuk i mungonin zgjidhjet. Nga vila ku jetonin, ai e zhvendosi të ëmën në një apartament me tri dhoma e kuzhinë, që e pati blerë njëkohësisht me prona të tjera të patundshme.
Kur shkonte për ta takuar, rrugën nga vila deri te nëna e bënte më këmbë. Jo vetëm pse ishte afër, jo vetëm pse i bënte mirë të çapitej, por sidomos prej një kujtimi mallëngjyes. Ai kishte lindur me një cen, që u pikas gjatë muajve të parë. Shpesh e shpesh, nëna i qëndronte në spital te koka. Kur në një nga shtrimet ia ndaluan qëndrimin për shkak të epidemisë gripale, prapëseprapë i jepte gji pesë herë në njëzet e katër orë. Dhe gjithnjë, ditën a natën, me aq nxitim e hidhte hapin deri në pediatri, sa i zihej fryma dhe gulçonte rrugës.
Në fillim u dyshua për ndonjë formë të fshehtë poliomiliti, por kur djali u bë tre vjeç, ky dyshim u përjashtua. Iu deshën thuajse edhe dy vite të tjera për të fituar njëfarë sigurie në ecje. Qysh atëherë i përhiheshin para syve duart e shtrira të nënës dhe zëri i saj i ëmbël, që e joshte për një hap më tepër. Mirëpo nga frika instinktive, fëmija sikur ngurosej. Dhe ishte nëna që, në çast, brofte drejt tij.
Me këtë kujtim fërgëllues, kur vajti për ta takuar pas zhvendosjes, Gentian Meniku i numëroi edhe hapat deri atje. I dolën 378. Një mbrëmje vere, për kureshtje, ai i numëroi sërish dhe afërsisht njëlloj i dolën.
Por edhe kjo shifër tashmë një kujtim kishte mbetur. Kur e shoqja e zuri në flagrancë me dashnoren dhe i kërkoi divorcin, zoti Meniku ra prapë në hall. Për të mos humbur gjysmën e vilës, u detyrua t’i jepte ish-bashkëshortes apartamentin 3 + 1. Meqë do të martohej me të dashurën, sa të rrezikonte ndonjë konflikt të ri mes nuses e vjehrrës, gjeti një zgjidhje më të shkurtër. Ai e zhvendosi nënën ca më tutje, në një apartament 2 + 1. Natyrisht, kur vajti fillimisht atje për ta takuar, nuk harroi t’i numëronte hapat. I dolën 634. Më pas, si për të verifikuar veten, ndonëse e përsëriti numërimin, nuk vërejti ndryshime. Aq i dolën, 634.
Vitet kalonin dhe zotit Meniku nisi t’i binte biznesi. I zënë ngushtë për një pagesë urgjente, ai shiti magazinën rrëzë kodrave dhe apartamentin me dy dhoma e kuzhinë. Kështu, u detyrua që nënën ta zhvendoste përsëri. Kësaj radhe mori me qira një garsoniere. Për mungesë kohe, duke i kërkuar ndjesë në telefon, vajti për ta takuar pas disa javësh. Patjetër, nën shtysën e zakonit, i numëroi hapat. I dolën 920. Mbi komodinën ndanë krevatit, Gentian Meniku pa foton e tij, si dhe një vazo të vogël me margarita artificiale. Veçse u habit disi, nënën e gjeti duke luajtur me tullumbace. Mos po bëhet fëmijë nga pleqëria? shestoi me vete. Por nëna ia lexoi mendimin dhe u shpjegua menjëherë, në këtë hapësirë të ngushtë ajo kishte nevojë të lëvizte sadopak. I biri ndjeu keqardhje dhe nisi t’i premtonte… “Jo, jo, mos ki merak”, e qetësoi ajo, “të gjithë e dimë se ka banesa më të vogla se kjo.”
Dhe ashtu ndodhi. Në vigjilje të 70-vjetorit e la edhe garsonieren. I biri nuk pati ndonjë ngurrim për ta takuar sa më shpejt. Që në mëngjes u nis drejt saj. Ai bleu shtatë margarita natyrale. Por buqetës i lidhi edhe një tullumbace, të cilën e fryu pak, në mënyrë që asaj shtatës t’i rrinte nga mbrapa, siç i rri zeroja shtatëdhjetës. Megjithëse e dinte se rruga ishte zgjatur tashmë, numërimin e bëri një për një. Nga vila e tij i dolën 2500 hapa deri te banesa e fundit e nënës. Edhe pjesa tjetër matematikë e pastër mbetej, por ekuacioni ishte i pazgjidhshëm. Ai nuk do ta mësonte kurrë të kundërtën, hapat e nënës drejt tij.

Shtator 2018. / KultPlus.com

Galeria e ndërtuar në mes të dy ndërtesave

Galeria për një person ndodhet  midis dy ndërtesave në një oborr me tarracë, në zemër të Shangait. Ajo përbëhet nga dy pjesë, njëra është galeri 12 m2 si një hapësirë portreti, dhe tjetra është shpella, duke përfshirë një bibliotekë dhe një hapësirë bashkëpunimi.

Galeria e një personi dikur ishte një strukturë magazinimi e cila u mbush me materiale të përdorura të një kompanie të falimentuar dhe dukej si një vend i fatkeqësisë. Projekti filloi pa asnjë planprogram origjinal. Arkitekti mori një frymëzim kur shikonte punëtorët që pastronin hapësirën. Ai vendosi të përdorte harkun si motivin e dizajnit të brendshëm.

Në vend të pastrimit të plehrave, arkitekti vendosi ta përdorte atë dhe u përpoq ta kthente atë si një avantazh. Mobiljet e vjetra u përdorën si dekorime në bibliotekë dhe oborr, disa nga dyert e vjetra u ripërdorën dhe të tjerat u rindërtuan si tavan. Disa efekte të paparashikueshme u gjetën dhe mbahen qëllimisht nga arkitekti kur eksplorojmë vendin. Kjo është arsyeja pse arkitekti e mori projektin si një punë arkeologjike.

Arkitekti zgjodhi 3 shtresa të panelit dhe strukturën e drurit për të ndërtuar galerinë. Nga jashtë duket si një entitet, por kur të hyni në galeri, do të gjeni ekspozimin në mjedisin e jashtëm në mur si siluetë.

Shkencëtari shqiptar, pjesë e grupit të gjeoshkencëtarëve në ShBA

Arritjet e popullit shqiptarë në mbarë botën po besojnë çdo ditë. Nga arti e deri tek shkencat, shqiptarët duket sikur tashmë kanë vendosur ta “pushtojnë” botën, shkruan KultPlus.

Sot, ne ju njohim me Nikolla Qafokun, shkencëtari shqiptar i cili është pjesë e grupit të gjeoshkencëtarëve në Laboratorin Kombëtar të Paqësorit Veriperëndimor (PNNL) në Virxhinia, ShBA.

 Ai drejton grupin e tij hulumtues, i cili studion ekosistemet natyrore dhe ndryshimet që ndodhin në planetin tonë.

Qafoku është fitues i çmimit “R&D 100“ për kontributin e tij në zhvillimin e udhëzimit të “Partneritetit Kombëtar për Vlerësimin e Riskut” për sekuestrimin e efekteve të dioksidit të karbonit në sipërfaqet e nëndheshme. https://energyenvironment.pnnl.gov/staff/staff_info.asp?staff_num=2047&fbclid=IwAR2kNba_6vkPXY0PGrKzUqTfeTNB6grZlFIxFZSjVIQMK-3KmKCfqwcDVck / KultPlus.com

Liqeni i Belshit, destinacioni turistik për të kaluar fundjavën

Me një pamje të veçantë, florë dhe faunë të larmishme, liqeni i Belshit është një nga më të mëdhenjtë prej atyre të Dumresë me sipërfaqe rreth 26.8 hektarësh.

Edhe pse në përfundim të punimeve, liqeni i Belshit po kthehet në një destinacion turistik jo vetëm për banorët e zonës, por për qytetarët nga i gjithë vendi.

Pjesë e një projekti modern, i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financimin e qeverisë shqiptare synon ta transformojë në një zonë në shërbim të komunitetit.

Punimet parashikojnë si më poshtë: rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit; që përfshin ndërtimin e trotuareve, instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërim dhe sinjalistikën rrugore, ndërtimi i pedonales dhe korsisë së biçikletave buzë liqenit, ndërtimi i vendeve të parkimit, hapësira rekreative.

Qyteza buzë liqenit mirëpret vizitorë duke kombinuar natyrën e rrallë, me kulinari karakteristike dhe bio të zonës, si dhe shëtitjet pranë pedonales./atsh / KultPlus.com

“Proka” përmbyll sonte ‘Ditët e filmit’ në kujtim të Faruk Begollit

Sonte në Cineplexx  shfaqet filmi “Proka” në kuadër të ditëve të filmit që po mbahen në nderim të aktorit të mirënjohur kosovar Faruk Begolli në 12 vjetorin e  vdekjes.

“Proka” do të shfaqet prej orës 20:00 ndërsa hyrja është e lirë. Ky projekt kinematografik është ndër tre filmat e përzgjedhur në të cilët luan aktori Faruk Begolli.

Adhuruesit e artit të shtatë, gjatë dy ditëve të kaluara kanë pasur rastin të shikojnë filmat  e tjerë si ‘Era dhe Lisi’ dhe ‘Kur Pranvera Vonohet’.

Ditët e filmit në kujtim të Faruk Begollit organizohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Kosovafilmi në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Prishtinës, për të kujtuar dhe nderuar veprën e aktorit.

Faruk Begolli është një ndër figurat më të rëndësishme të Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare dhe njëri ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi. Faruk Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku ka diplomuar në vitin 1966. Është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë. Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra). Rrolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj. /Sinjali/ KultPlus.com

Vinca mohon të ketë folur për Teatrin Kombëtar, Rama i kërkon ndjesë

Në vazhdën e publikimeve të qëndrimit të aktorëve pro ndërtimit të një teatri të ri dhe shembjes së Teatrit Kombëtar ekzistues, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama listoi edhe qëndrimin e Ilire Vincës, aktore dhe regjisore, me një sërë produksionesh të suksesshme dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në faqen e tij në facebook, Rama publikoi një qëndrim të aktores kosovare, ku shprehej: “Po të kishte mundësi të ndërtohej një teatër i ri në vendin ekzistues do të ishte mrekulli. Teatri është zhvilluar shumë në vendet tjera për nga ana teknike, çka iu mundëson artistëve të sjellin në jetë kreativitetin e tyre, madje edhe i frymëzon për gjetje të reja. Përveç kësaj, një teatër i ri do të krijonte mundësi edhe teknike për punëtorët e teatrit dhe organizimin e shfaqjeve. Nga ana tjetër, edhe për audiencën do të ishte një freski. Uroj të bëhet sa më shpejt!”

Menjëherë pas këtij postimi ka reaguar Vinca përmes një komenti poshtë postimit të Ramës, ku mohon të jetë shprehur ndonjëherë për Teatrin Kombëtar, teksa shton se është hera e dytë që keqkuptohet për këtë çështje.

Pas kësaj ka replikuar Rama, ku teksa përpiqet të bindë aktoren se ky është një citim i shkëputur nga një deklaratë e saj e bërë me 27 qershor nuk nguron edhe ti kërkojë ndjesë për publikimin nëse regjisorja e njohur ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje dhe nuk ndan më këtë opinion.

Kjo nuk është hera e parë që aktorët i kundërpërgjigjen Ramës për përdorimin e tyre për një çështje kaq të ndjeshme si teatri. Më herët edhe Mariana Kondi kishte të njëjtën qasje. Rama kishte zgjedhur fjalët e Marjana Kondit, që sipas tij, mendonte te duhet të kemi një Teatër të ri Kombëtar.Në një mesazh në “Facebook”, aktorja theksonte se Rama nuk e ka cituar plotësisht, duke e quajtur këtë një zakon të vjetër të politikës shqiptare që e thotë të vërtetën përgjysmë. Ndër të tjera, ajo shprehte revoltën se shteti shqiptar nuk i ka dhënë asnjë lek për largimin e padrejtë nga puna./oranews / KultPlus.com

Turisti krahason grykën e Rugovës me Zvicrën

Një turist ka ardhur në Kosovë, e si shumë të tjerë, ai ka vizituar bukuritë natyrore të vendit tonë. Ndër to, ai ka vizituar edhe Bjeshkët e Rugovës.

Ai e ka shpërndarë një video në rrjetin social Facebook përderisa ka qenë në Bjeshkët e Rugovës, dhe ndër tjera ka treguar se sa vend i bukur është Kosova dhe se në malet e Rugovës është si në malet e Zvicrës, shkruan Express.

Ai po ashtu ka shkruar se sa herë që vjen në Kosovë mbetet gjithmonë e më i befasuar, e këtë për arsye të thjeshta të cilat i ka renditur.

Njerëzit e dashur, ushqimi i mirë janë disa nga shumë arsyet.

Ai në fund shkruan për kosovarët se “ata janë të mrekullueshëm. Shumë prej tyre flasin anglisht, janë shumë të shoqërueshëm, punojnë shumë dhe shakaxhinj… Mendoj që duhet të ketë pak gjak irlandezi këtu”, shkroi ai me humor.

https://www.facebook.com/1eyeontheworld/videos/2435283323400586/

Distria Krasniqi arrin në gjysmëfinale të Botërorit

Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Botërorit të xhudos që po mbahet në Tokio.

Në çerekfinalen e kategorisë deri 48 kilogramë, Krasniqi fitoi ndaj argjentinases, kampiones aktuale olimpike, Paula Pareto. Para Paretos, Krasniqi fitoi ndaj Narantsetseg Ganbaatar të Mongolisë në rrethin e dytë dhe në tretin mposhti spanjollen Julia Figueroa.

Në gjysmëfinale, Krasniqi do të përballet me Funa Tonakin e Japonisë. / Koha.net/ KultPlus.com

Image

Me doktoraturë e magjistraturë detyrohet ta lëshojë Kosovën: Sot ndjehem sikur peshoj mbi 300 kg

Derisa shumica e universiteteve publike në Kosovë janë mbushur me militantë partiak, e shumë prej tyre s’janë akredituar në mungesë të kuadrove, megjithatë një doktoranti nuk i ka mjaftuar përfundimi i studimeve në Gjermani për një vend pune.

Ai pos që Magjistraturën e ka përfundu në Gjermani, edhe Doktoraturën në Drejtimin e Shkencave Politike e ka përfunduar në shtetin gjerman, por që nuk i ka mjaftuar për ta gjetur një punë si mësimdhënës në Kosovë.

Fjala është profesorin, Avdi Smajlaj, i cili ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se u detyra ta lëshoj Kosovën, raporton Gazeta Blic.

“I rëndë qenka kurbeti!
Sot ndjehem sikur peshoj mbi 300 kg! Guri qenka më i rëndë kur largohet nga vendi i tij, se sa kur është në vendin e vetë! Nuk qëndroka fjala e urtë.
As armiku mos pastë ndonjëherë nevojë të largohet nga vendi i tij/saj!”, ka shkruar Avdi Smajlaj.


Në pyetjen e miqëve se përse ka ik nga Kosova, ai thotë se ka muaj të tërë pa pagë, dhe ka 5 fëmijë që duhet t’i mbajë.

“…Sa kohe jam pa page ne Kosove, gruaja nuk punon, i kemi 5 femije, kam aplikuar ne shume universitete ne vende te ndryshme, ketu e mora pergjigjen e pare dhe u nisa, shume veshtire me ka ardh per gruan dhe femijet, por po duhet me u perpjek me mbijetu”, ishte përgjigja ndaj një miku, që e kishte pyetur se përse po ikte nga Kosova.

Në anën tjetër, shumë profesorë që janë pjesë e partive politike, kanë deri nga 7-8 vende pune, duke “zaptuar” universitetet publike dhe shumë kolegje private./ KultPlus.com

Fragment i shkëputur nga libri “Dhe malet oshtinë” i Khaled Hosseinit

“Dhe kështu ajo nis t’i rrëfejë.

Roshi jetonte me prindërit, dy motrat dhe vëllanë e vogël, në një fshat në një të tretën e rrugës nga Kabuli për në Bagram. Një të premte, muajin e shkuar, xhaxhai i saj, vëlla i madh i të atit, kishte shkuar për vizitë.

Për gati një vit i ati i Roshit dhe xhaxhai ishin zënë për shtëpinë ku jetonte Roshi me familjen e vet, që xhaxhai mendonte se i takonte atij, meqë ishte vëllai më i madh. Por gjyshi i saj ia kishte lënë shtëpinë djalit më të vogël, babait të saj, që ishte dhe fëmija më i dashur për të. Ai i kishte thënë se donte t’u jepte fund zënkave.

Prandaj nëna e Roshit kishte therur e rrjepur dy pula. Kishte pregatitur një tenxhere të madhe me pilaf dhe kishte blerë shegë të freskëta në treg. Kur kishte ardhur xhaxhai, ai dhe babai i Roshit ishin përqafuar e puthur. I ati i Roshit e kishte përqafuar aq fort, sa këtij i ishin shkëputur këmbët nga tapeti. Nëna e Roshit kishte qarë nga lehtësimi. Familja ishte ulur për të ngrënë. Të gjith kishin ngrënë edhe pjatën e dytë, edhe një të tretë. Dhe pastaj shegët. Pas kësaj nëna kishte shërbyer çajin jeshil me ca çokollata. Dhe xhaxhai kishte kërkuar ndjesë, pasi i duhej të shkonte në banjën jasht shtëpisë.

Kur ishte përsëri brënda, mbante një sëpatë në dorë. Nga ato që përdoren për të prerë pemët.

Të parin qëlloi babanë e Roshit, i cili as që e mori vesh se çfarë i ndodhi. Nuk arriti të shihte asgjë. Një goditje e vetme në qafë, nga pas shpine. Gati ia preu kokën.

E dyta ishte nëna e Roshit, teksa mundohej të luftonte, por ai i lëshoi ca goditje në fytyrë e në kraharor, kështu që heshti edhe ajo.

Fëmijët tani po ulërinin e po ia mbathnin nga katër anët. Xhaxhai nisi t’i ndiqte. Roshi pa njërën nga motrat që po vraponte në korridor, por xhaxhai e kapi për flokësh e shtriu për tokë. Motra tjetër arriti të largohej nga korridori. Xhaxhai e ndoqi nga pas dhe Roshi e dëgjoi teksa shqyente derën e dhomës, pastaj klithma e pastaj asgjë.

Dhe kështu Roshi vendosi të ikte bashkë me të vëllanë e vogël. Vrapuan të dilnin jashtë shtëpisë, por dera ishte e mbyllur. E kishte mbyllur xhaxhai, sigurisht.

Ata nisën të vraponin në oborrin e pasëm, gjithë panik e dëshpërim, e mbase edhe harruan që aty nuk kishte derë dhe muret ishin shum të larta e s’mund t’i kapërcenin. Xhaxhai doli nga shtëpia dhe u nis drejt tyre.

Roshi pa të vëllanë, që ishte vetëm pesë vjeç, që u hodh në tandoor-in, ku, vetëm një orë më parë, e ëma kishte pjekur bukën. Ajo e dëgjoi teksa ulërinte e bërtiste mes flakëve, ndërkohë që ajo vetë u pengua dhe ra në tokë. E ktheu kokën tamam në kohën kur pa qiellin blu dhe sëpatën që po i vërsulej. Dhe pastaj asgjë…” /KultPlus.com

Rrëfimi i aktorit të “Kumbari”, Marilyn Monroe më zhvirgjëroi kur isha 15-vjeç

Duke mos veshur asgjë tjetër përveç një peshqiri të vogël të bardhë, Marilyn Monroe piu pak shampanjë dhe në mënyrë joshëse zbuloi linjat e saj “vrasëse”. Duke bërë si e mërzitur, ajo thirri yllin e filmit “Kumbari”, Gianni Russo – i cili ishte vetëm 15 vjeç – të bashkohej me të në vaskë.

Ajo ishte 33 vjeç, dy herë më e madhe se ai, por nuk ndaloi duke i marrë virgjërinë. Sikur kjo të kishte ndodhur në ditët e sotme aktori Hollivudit thotë se ajo do të kishte përfunduar pas hekurave. Russo, që luajti Carlo Rizzi në filmin ikonik të mafiozit të Francis Ford Coppola thotë në një intervistë për “The Sun” se pati një lidhje të ngushtë me aktoren deri në vdekjen në moshën 36-vjeçare në 1962.

Sot 75 vjeç ai thotë se: “Marlon Brando ishte mësuesi i vetëm i aktrimit, Frank Sinatra ishte mësuesi i vetëm i këndimit dhe Marilyn Monroe …e bëri burrë”.

“Ajo më mësoi gjithçka që di. Mendova se isha djali më i lumtur i gjallë, por nëse do të kishte ndodhur sot, unë mendoj se ajo do të arrestohej dhe prindërit e mi do të ishin përpjekur të merrnin ca para nga ajo.

Isha i shqetësuar? Jo. Sapo kisha bërë seks me yllin më të nxehtë të filmit dhe një seks-simbol. Ajo vinte shpesh te unë dhe gjithmonë më kërkonte që t’i laja flokët. Marilyn ishte shumë miqësore. Pas disa takimesh ajo më dukej një person normal megjithëse kishte një trup shpërthyes”.

Hera e parë?

“Ajo ishte e mbështjellë me një peshqir të bardhë dhe kishte një gotë shampanje. Më ofroi një gotë para se të hidhte peshqirin dhe më ftoi që të bashkohesha me të në banjën e saj. Zemra ime po më rrihte keqi. Si idiot, i mbulova sytë, gjë që e bëri atë të qeshë. Unë i zhveshur duke u lutur që të mos pengohesha në pantallonat hyra në vaskë.

Të jem i sinqertë, nuk e kisha idenë se çfarë po bëja ose çfarë priste ajo. Ne u zgjuam në shtrat për tërë fundjavën, duke dalë jashtë vetëm kur ishte e nevojshme. Ishte përvoja ime e parë e shërbimit në dhomë dhe e bëri përvojën fantastike” – tregon aktori.

Ai vazhdon: “Unë nuk i thashë askujt, jo vetëm sepse isha një zotëri, por kush do të më besonte?” /KultPlus.com

Blini një libër për t’i ndihmuar vajzat e përdhunuara

Organizata “Jeta në Kastriot”, e cila përkujdeset për mbi 216 femra të përdhunuara dhe 47 jetimë të kësaj kategorie, ka ftuar qytetarët vullnetmirë që të ndihmojnë në sigurimin e pakove ushqimore dhe gjërave të tjera elementare për dhjetëra familje.

Në mungesë të donacioneve, kjo organizatë thotë se ka mundësi që ndihmat të bëhen dy mënyra: e para duke blerë librin “Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”, në gjuhën shqipe, angleze, italiane ose gjermane, me çmim prej 10 eurosh për një libër dhe mjetet të derdhen në xhirollogarinë organizatës, ose e dyta të blini pako ushqimore për t’i dhuruar për nevojtarët.

Në këtë organizatë shpresojnë që nga shitjet e librit të sigurojnë këto pako ushqimore si dhe veshmbathjeve për fëmijët e viktimave dhe fëmijëve skamnorë.

“Ne po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të siguruar gjërat elementare si veshje për fëmijët shkollarë, veshje të brendshme për femra, pantallona, bluza, duksa , këpuca ose atlete si dhe gjëra të tjera të nevojshme për fëmijë dhe femra të tjera viktima. Po ashtu kemi nevojë urgjente për 60 çanta, fletore, blloka, trekëndësha, ngjyra, e të tjera”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Ata thonë se në mesin e viktimave ka femra të traumatizuara që nuk kanë mundësi të kërkojnë ndihmë si dhe të atilla që kanë plagë të hapura në fytyrë dhe trup që nuk mund të dalin të kërkojnë ndihmë diku, ose ato që nuk janë të vetëdijshme.

“Ju lutemi të kontribuoni për t’ua kthyer buzëqeshjen edhe për një çast këtyre familjeve, duke ua lehtësuar dhimbjen këtyre nënave, duke ua bërë jetën më të lehtë, dhe duke e ndier veten mirë së paku për disa momente”, vijon njoftimi.

Për ata që duan të blejnë vet pakot ushqimore ato duhet të përmbajnë: 1 kg krip, 2 qese makarona, 2 qese shpageta, 2 qese oriz, 1 biber për gjella, shtojcë për gjella (vegeta), 1 paketim djathë të butë (që shërben edhe për pite),1 paketim xhem ose krem, 2 pashteta ose krem për lyrje buke, 200 gram kafe, 3 kg sheqer, 2kg patate, 2kg qepë , 2 kg fasule, 2 kg perime, 200 gram çaj , 1 thes detergjent për rroba ,1 shampon për flokë, 1 shampon për duar, 1 pastë për dhëmbë, një dezinfektues për banjo, 1 komlet shpuza per enë, 1 kg suxhuk ose gjysmë kg mish, 3 litra vaj. Mishi dhe suxhuku zakonisht zëvendësohet me kavanoza (konserva ) pasi ka mundësi më të mira për ti ruajtur.(pasi shumica nuk kanë frigorifer). /KultPlus.com

Veliera e lashtë nga Katari mbërrin në portin e Durrësit, atraksion për qytetarët dhe turistët

Veliera e lashtë nga Katari, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë në Katar kreu ndalesën e dytë në portin e Durrësit, pas Sarandës.

Veliera “Fateh Al Khair 4”, e cila do të jetë e disponueshme të vizitohet nga qytetarët promovon kampionatin botëror të Futbollit, Katar 2022. Në mbërritjen e saj në portin e Durrësit, veliera u prit nga kryetarja e bashkisë, Valbona Sako si dhe një grup deputetësh.

Me rastin e ardhjes së anijes në portin e Durrësit u organizua edhe një koncert, ku pranishëm ishte edhe ambasadori i Katarit në vendin tonë.

Banorët e Durrësit dhe turistët e pranishëm në pritje, do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me velierën, si dhe me kulturën detare të Katarit.

Anija e llojit “Boom Safari” është e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë dhe me kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. /KultPlus.com