Pesha e dhembjes

Poezi nga Avni Dehari

(Bijve të mi, që bumbën jetën në rrethana të errëta:
Arbënori më 2014 dhe Astritit më 2016)

Atdheu dhe alfabeti
Kurorë nderi vunë shkronjën A.
Për hapat drejt agimeve të purpurta,
A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

E rëndë dhembja,
Sa pesha e Alpeve Shqiptare!
Sa dheu i gjakut tonë!

E thellë dhembja,
Sa thellësia e Adriatikut,
e Jonit valëshumë,
E oqeanit të pafund!

E lartë Krenaria
Sa kreshtat e Sharrit,
Sa kupa e qiellit mbi Atdheun tonë!

Krahëhapur krenaria,
Si fushat e gjera,
Si rrafshnaltat e bjeshkëve,
Si shqiponja jonë e shenjtë
Në qiellin e paanë!

Hijerëndë krenaria,
Si pyjet e dendura!
Si Moti i Madh
Në oqeanin e kujtesës sonë!

Det i trazuar pikëllimi
Plot valë ngushëllimi, freskie e krenarie
Cep më cep zemërdhembshurës sonë,
Për Ju,
Që hodhët hapin me shkronjën e parë të ATDHEUT!

Rod Stewart paralajmëron albumin orkestral “You’re in My Heart”

Rod Stewart ka njoftuar publikimin e një albumi orkestral i cili përmban versione të reja të disa prej hit këngëve të tij të mëparshme, së bashku me këngën e re “Stop Loving Her Today”.

I titulluar “You’re in My Heart: Rod Stewart With the Royal Philharmonic Orchestra”, albumi u bë me produksion të Trevor Horn dhe arrin më 22 nëntor në formatet digjitale, single CD dhe double.

“Rhino do ta nderojë kantautorin legjendar me një album të ri i cili ua mundëson fansave t’i dëgjojnë hitet më të mëdha të Stewart në një mënyrë të re”, thuhet në deklaratën e shtëpisë diskografike. “Youre in My Heart: Rod Stewart With the Royal Philharmonic Orchestra i gërsheton tingujt vokalë klasikë nga këngët e tij më të njohura me aranzhmanet e reja të performuara nga Royal Filharmonic Orchestra. Rezultati është një album i përjetshëm që i ruan fuqinë, shpirtin dhe pasionin, të cilat e kanë nxitur trashëgiminë e Stewart që nga fillimi”.

Stewart aktualisht është duke performuar në një seri koncertesh në Las Vegas, të cilat do të pasohen me disa koncerte në Amerikën e Veriut, duke e përfshirë edhe një ribashkim me Jeff Beck në Hollywood Bowl më 27 shtator. /KultPlus.com

Kepi i Rodonit, xhevahir i natyrës, detit dhe historisë shqiptare

Janë ende të paktë turistët që e njohin dhe shkojnë në Kepin e Rodonit, një vend që ndodhet përgjatë bregdetit shqiptar të Adriatikut, vetëm një orë larg kryeqytetit, Tiranës.

Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.

Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet nga turistët. Vizitorët në këtë vend mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /atsh/KultPlus.com

E dashura shkruan përsëri

Poezi nga Johan Volfgang Gëte

Pse kthehem përsëri te këto fletë?
I dashur, mos më pyesje më mirë,
S’kam ç’them, me të vërtetë, po kam dëshirë
Ta mbash në dorë letrën time, vetë.

Meqë s’vij dot, kjo letër le të jetë
Prej zemrës sime ç’është me e dlirë,
Gëzim, rënkim e shpresë e dëshirë;
Gjithçka që s’pat fillim e fund e s’do ketë.

Sot dëshiroja fort mos të ta thoja
Se në dëshira, ëndrra dhe mendime
Besnikja zemër kthen e vje te ti.

Kështu dikur qëndroja e të shikoja
Dhe s’flisja dot. Ç’të thoshte goja ime?
E gjitha isha si në mrekulli.

Botimi në Stamboll i Abetares në gjuhën shqipe

Nëse i kthehemi të shkuarës, shohim se me 27 shkurt 1897, me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos dhe Pashko Vasës, u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.

Që të kuptojmë rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori dhe të kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme.

U shkrua dhe me shkronja greke, e pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turko-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar, prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.

Sipas Radio Vatikanit, ky botim ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia.

Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Në gjirin e saj bashkëpunuan myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine.

Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite të gjithë ata që shkruajnë shqip./konica.al/KultPlus.com

Vajza që ndërron lëkurën çdo javë, realizon ëndrrën e jetës

Jeyza Gary, vajza me çrregullimin e rrallë që i shkaktoi rënien e lëkurës cdo 12 ditë është shfaqur në kopertinën e “Vogue Italia”.

“Kam lindur me lamellar ichthyosis. Është një çrregullim që prek 1 në 100 000 persona. Kur isha e vogël kisha një lëkurë shumë të shndritshme dhe shumë të tërhequr. Më vizituan kudo dhe pas disa muajsh më diagnostikuan”, tregon Gary.

Modelja tregon se e nisi karrierën në industrinë e modës dy vite më parë, e nxitur nga një shoqe e gjimnazit. Ajo i rekomandoi të bëhej modele, ndaj Gary nisi foto të saj në agjenci të ndryshme mode duke realizuar më vonë ëndrrën e jetës.

Modelja kujton gjithashtu sesi në ditën e parë të shkollës, mamaja e saj u fut në klasë për të sqaruar situatën e vajzës së saj për nxënësit, prindërit dhe mësuesit. /KultPlus.com

Moschino risjell pikturat e Picasso-s

Në vitin 1911, Pablo Picasso u akuzua për vjedhjen e Mona Lisa-s të Leonardo da Vinci-t. Picasso dhe miku i tij i ngushtë u panë si të dyshuarit kryesorë për vjedhjen e pikturës së famshme, derisa e vërteta doli në sheh (ku u zbulua se faji ishte i punonjësit së muzeut të Luvrit, Vincenzo Peruggia).

Thënë kjo për të theksuar faktin se Picasso ishte një ndër artistët që i surprizonte njerëzit, pikërisht atëherë kur ata mendonin se dinin gjithçka. Kjo është cilësia e tij që frymëzoi dizajnerin Jeremy Scott teksa krijoi koleksionin Pranverë 2020 të Moschino.

Për të risjellë pikturat e Picasso-s në koleksion, Scott lexoi gjithë informacionin që mundi të gjente mbi artin e tij, pa 10 seritë e National Geographic mbi artistin, “Genius: Picasso”. Aq shumë i pikturoi Picasso gratë e jetës së tij, sa Jeremy Scott krijoi një vizion të “gruas Picasso”.

Në koleksion, dizajneri risolli imazhet dhe veshjet e pikturave, eksperiementoi me paletat e ngjyrave dhe në disa raste, vendosi në copa pamje ekzakte të veprave të artistit.

“Mendova për kubizmin, për periudhat e ndryshme të jetës dhe veprës së tij dhe u frymëzova,” u shpreh Scott para prezantimit të koleksionit.

Padyshim që dizajneri i Moschino-s është nga ata dizajnerë që edhe kur mendon se ka tejkaluar veten, bën diçka më të mirë.

Koleksioni:

/anabelmagazine/KultPlus.com

Kosovarët të dhënë pas “dukatit”, për 8 muaj blenë 360 kg në vlerë të 1.5 milionë eurove

Dita-ditës vendi më i varfër në rajon po mbushet me ari. Vetëm gjatë këtij viti në vend kanë hyrë mbi 360 kilogramë metale të çmuara, vlera e të cilave sillet rreth 1.5 milion euro.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës në pesë vitet e fundit janë importuar metale të çmuara në vlerë prej më shumë se 7 milionë euro, derisa vendet ku blehet më shumë ar  dhe metale tjera janë Turqia dhe Italia.

Përderisa një pjesë e madhe e qytetarëve në vend e kalojnë gjithë ditën me vetëm 1 euro e 70 centë, të tjerë po i shpenzojnë paratë e tyre në luks. Një pjesë të mirë të hyrave vjetore, kosovarët i shpenzojnë çdo vit duke blerë ari.

Madje, nëse shikohen statistikat e Doganës së Kosovës del se për çdo vit ata shpenzojnë mbi 1 milionë euro në metale të çmuara.

Miliona në ari, kosovarët po del të kenë shpenzuar edhe gjatë viteve të kaluara.

Sipas statistikave të Doganës, vetëm gjatë pesë viteve të fundit ata kanë shpenzuar hiç më pak se 7 milionë e 340 mijë e 467 euro në ari. Me gjithë këto para janë blerë mbi 2 mijë e 600 kilogramë metale të çmuara.

Ndërkohë, vendet prej të cilave janë importuar janë kryesisht Turqia dhe Italia, por jo vetëm.

Kosovarët blejnë ari edhe nga Austria, Zvicra, Kina, Gjermania, Spanja, Polonia, Republika Qeke e Tajlanda. Ndërkohë, një sasi e arit viteve të fundit është blerë edhe nga Tajvani, Kamboxhia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës./gazetaexpress/KultPlus.com

“Western Promises”, ekspozita që ‘bluan’ premtimet perëndimore

Perino & Vele – Western Promises  është ekspozita e parë personale e dyshes së famshme të skulptorëve italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele, e cila u hap në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, dy artistë të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare, dy artistë me ndjeshmëri shoqërore.

“Ishte ky mesazh social, ky angazhim artistik i veçantë që na shtyu të ndërmarrim këtë ekspozitë të rëndësishme dhe krejt unike në COD”- u shpreh  Eridana Çano, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Ekspozita, e cila përfshin një përzgjedhje të disa prej veprave më domethënëse të dyshes, kurohet nga Gaetano Centrone dhe Genti Gjikola.

Si dy artistë origjinalë të interpretimit të bashkëkohores, Perino & Vele e kanë imponuar veten që nga fillimi i karrierës së tyre (nga fundi i viteve 1990-të), me stilin e tyre unik dhe të mirëpërcaktuar, si dhe me gjuhën shprehëse artistike që merr shumë si nga skena urbane e epokës sonë ashtu dhe nga tradita e madhe kulturore italiane dhe mesdhetare.

 “Falë “Western Promises” ne mund të aspirojmë të kemi një vizion të qartë për veten tone, si individë dhe për veten tonë si një pjese e komunitetit. Perino&Vele, kjo dyshe përcjell artistikisht angazhimin e tyre edhe si nje ndërgjegjje civile dhe shoqërore”- u shpreh më tej në fjalën e saj, Eridana Çano.

Në veprat e Perino & Vele, në fakt, nuk është e pazakontë të lexosh përmes veprës dhimbje dhe ankthe ekstremisht të hidhura, të fshehura pas një armature ironie, humori dhe sarkazme që e ngacmojnë publikun.

Në ekspozitë  prezantohet edhe vepra Pelle d’elefante (1998), të cilën Harald Szeemann e zgjodhi për Bienalen e 48-të të Venecias në 1999; vepra në fjalë është një skulpturë e ‘banueshme’ e cila formohet nga një lëkurë elefanti, sipas teknikës ‘papiermashe’, stilizuar si tapet, ndërsa mbi të janë vendosur dy kolltuqe hekuri krejtësisht të parehatshme. Ëndrrat e mëdha të luksit dhe mirëqenies së botës perëndimore zbulohen para publikut për ato që vërtetë janë: premtime të rreme dhe të pamenduara që rezultojnë të bazuara në shtypje dhe mizori.

Konformizmi shtyp dhe përplas idetë. Artistët, përmes kësaj teknike  kthejnë mbrapsht modelin e mendimit dhe  na ripropozojnë materialet si objekte arti që përshkruajnë jo vetëm forma dhe objekte të estetikës të zakonshme, por gjithashtu paraqiten edhe si relike të brishtësisë njerëzore dhe debulesave sociale.

Ekspozita do të jetë e hapur në COD nga 19 shtatori deri më 31 tetor 2019, bazuar në orarin zyrtar të COD (hyrja falas). /KultPlus.com

23-vjeçari i verbër dhe me autizëm, fiton ‘America’s Got Talent’

Kodi ishte konkurrenti më i komentuar i këtij sezoni për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Kodi ishte i verbër dhe autik, por me një talent të jashtëzakonshëm në muzikë.

Ai këndoi në bashkëpunim me Leona Lewis dhe Cher dhe preku zemrat e publikut amerikan me këngën “You are the reason”

Gjatë finales u realizuan performanca mbresëlënëse prej finalistëve të këtij formati.

Të gjitha performancat ishin të denja për çmimin e madh prej 1 milion dollarësh, por diferencën padyshim e bëri Kodi.

Kodi, arriti që përmes performancës së tij, me një zë të mahnitshëm të ngjallë emocione të papërshkruara te publiku.

Bashkangjitur gjeni performancën e tij në bashkëpunim me këngëtaren e njohur britanike Leona Lewis/21media/KultPlus.com

Emancipimi i gruas

  • Nga: Charles Bukowski
    Përktheu: Fadil Bajraj

Shkova për ta parë. Ishte poet i madh. Poetin më të madh narrativ pas Jeffersit, ende nën të shtatëdhjetat dhe i famshëm kudo në botë. Ndoshta dy librat më të mirë të tij ishin Vuajtja ime është më e mirë se vuajtja jote, a do ma! dhe Të vdekurit në kapitje përtypin çamçakëz. Kishte ligjëruar në shumë universitete, i kishte fituar të gjitha shpërblimet, duke përfshirë edhe Çmimin Nobel. Bernand Stachman.

Ngjita shkallët e YMCA. Z. Stachman jetonte në dhomën 223. Trokita. “FUTU, TEVEÇEL!” dikush bërtiti nga brenda. E hapa derën dhe u futa. Bernand Stachman ishte në shtrat. Ajri kutërbonte në vjellje, verë, shurrë, mut dhe ushqim të prishur. Zura të neveritem. Ngarenda deri në banjë, volla, pastaj u ktheva. “Z. Stachman”, thashë, “pse s’po e hap dritaren?”

“Ide e mirë. Dhe mos ta dëgjoj më atë mutsihane ‘Z. Stachman’, unë jam Barney.

Ishte sakat dhe, pas një përpjekje të madhe, ia doli të dilte nga shtrati dhe u ul në karrigen pranë. “Tash mund të flasim shlirë”, tha. “E kam pritur këtë gjë qëmoti”.

Pranë bërrylit të tij, në tavolinë, qëndronte një broke me verë të kuqe mbushur me hi cigaresh dhe flutura nate. Shikova anash, pastaj prapë e shikova. E mbante brokën te goja ama shumica e verës i kthehej mbrapa, nëpër këmishë, teposhtë pantallonave. Bernand Stachman e ktheu prapë në tavolinë. “Bash më ka kënaqur”.

“Do të duhej të përdorje gotë”, thashë. “Më lehtë do ta kesh”.

“Po, besoj se mirë e ke”. Shikoi përreth. Ishin ca gota të përlyera dhe pyesja veten cilën do ta zgjedhte. E zgjodhi më afërmen. Fundi i gotës qe mbushur me një substancë të verdhë të fortësuar. Dukej sikur të mbeturat e zogut dhe jufkave. Ia mbushi vetes gotën me verë. Pastaj e ngriti gotën dhe e teri. “Epo, kështu është shumë më mirë. Po e shoh se e paske marrë me vete aparatin fotografik. Kujtoj se paske ardhur të më fotografosh?”

“Po”, thashë. Iu afrova dritares dhe e hapa dhe thitha ajër të pastër. Me ditë të tëra shijonte dhe ajri ishte i freskët dhe i pastër.

“Dëgjo”, tha, “me orë të tëra e kam pasur ndërmend të pshurrë. Sillma një shishe të zbrazët”. Aty kishte shumë shishe të zbrazëta. Ia solla një. Nuk kishte zinxhir, sall pulla, e vetmja pullë e kopsitur ishte ajo e fundit për shkak se ishte goxha i fryrë. E futi dorën dhe e nxori penisin dhe e mbështeti në lëfytin e shishes. Në çastin kur nisi të urinojë penisi i tij u forcua dhe tundej, duke spërkatur shurrën përreth – nëpër këmishë, pantallonave, fytyrës dhe duket e pabesueshme, çurgu i fundit i shkoi drejt e në veshin e tij të majtë.

“Mozomakeq është të jesh sakat”, tha.

“Si të ka bërë vaki?” pyeta.

“Si të ka bërë vaki?”

“Të jesh sakat”.

“Gruaja ime më ka shkelur me automobil”.

“Si? Pse?”

“Më pat thënë se s’mund të më duronte më”.

Nuk thashë gjë. E fotografova disa herë.

“E kam fotografinë e gruas sime. Deshe t’i shohësh fotografitë e gruas sime?”

“Dakord”.

“Albumi i fotografive është atje mbi frigorifer”.

Shkova dhe e mora, u ula. Në album ishin sall fotografitë e këpucëve me taka të larta dhe noçkat e bukura të një femre, këmbë të veshura me najlon dhe llastikë, këmbë për merak në shaloke. Në disa faqe të albumit qenë të ngjitura reklamat nga mishtorja: pulë e pjekur, 89 centë për një funt. E mbylla albumin. “Kur u divorcuam”, tha, “m’i dha këto”. Bernand futi dorën në jastëkun e shtratit dhe nxori një palë këpucë me taka të larta e me majë të gjatë e të mprehta. I kishte bronzuar. I vuri në komodinë. Pastaj e mbushi edhe një pije. “Fle me këto këpucë”, tha, “bëj dashuri me këto këpucë dhe pastaj i laj”.

E fotografova edhe disa herë.

“Bash deshe fotografi? Ja ku e ke një fotografi për merak”. E çkopësiti atë të vetmen pullë të pantallonave. Asgjë nuk kishte nga veshjet e brendshme. E mori takën e këpucës dhe e futi në prapanicë. “Ja, fotografoje këtë”. E fotografova.

E kishte zor të qëndronte në këmbë, ama ia doli duke u mbajtur për komodinë.

“A po shkruan, Barney?”

“Ta merr mendja, unë shkruaj gjithë kohën e lume”.

“A nuk ta ndërpresin punën adhuruesit tu?”

“Jo, ore, ngandonjëherë femrat më gjejnë, ama ato nuk qëndrojnë gjatë”.

“A po të shiten librat?”

“Po marrë çeqe nga të drejtat e autorit”.

“Cila është këshilla juaj për shkrimtarët e rinj?”

“Pi, qi dhe pi shumë cigare”.

“Cila është këshilla juaj për shkrimtarët e vjetër?”

“Në qoftë se ende jeni gjallë, nuk keni nevojë për kurrfarë këshille”. “Çka të shtyn të shkruash poezi?”

“Çka të shtyn ty të dhjehesh?”

“Çka mendoni për Reaganin dhe papunësinë?”

“S’e çaj kokën fare as për Reaganin dhe as për papunësinë. E gjithë kjo më mërzit. Sikur fluturimet në gjithësi dhe Super Bowl”.

“Atëherë për çfarë merakoseni?”

“Femrat moderne”.

“Femrat moderne?”

“Ato nuk dinë si të vishen. Këpucët i kanë tmerrësisht të këqija”. “Çfarë mendoni për emancipimin e gruas?”

“Sapo të jenë të gatshme të merren me larjen e automobilave, të lëvrojnë arat, t’i ndjekin ata dy tipat që e plaçkitën dyqanin e pijeve, apo t’i pastrojnë kanalizimet e ujërave të zeza, kurdo që të jenë të gatshme që bombat në ushtri t’i hedhin si sisët në ajër, unë jam i gatshëm të rri në shtëpi dhe t’i laj enët dhe të mërzitem duke i mbledhur fijet nga qilimi”.

“Ama a nuk ka farë logjike në kërkesat e tyre?”

“Natyrisht se ka”.

Statchman e mbushi edhe një pije. Bile edhe duke pirë nga gota, do verë i rrodhi teposhtë mjekrës drejt e në këmishën e tij. Trupi i kutërbonte në njeriun që s’ishte larë me muaj. “Gruaja ime”, tha. “Ende jam i dashuruar në gruan time. Më jep atë telefon, pashë ty!” Ia dhashë telefonin. E formoi një numër. “Claire? Alo, Claire?” E uli receptorin.

“Çka ndodhi?” e pyeta.

“Si zakonisht. E mbylli. Dëgjo, hajde të dalim nga këtu, të shkojmë në bar. Tepër gjatë jam në këtë dhomë të mallkuar. Kam nevojë të dal jashtë”.

“Por po bie shi. Po bie shi qe një javë. Rrugët janë të vërshuara”.

“Nuk ma ndien. Dua të dal jashtë. Ajo ndoshta është duke u qirë me ndonjë tip. Ndoshta s’i ka hequr takat e larta. Gjithmonë e detyroja t’i mbante takat e larta”.

I ndihmova Bernard Statchmanit ta vesh pallton e madhe të vjetër të kaftë. Të gjitha pullat e përparme i mungonin. Ishte e ngrirë dhe e zhulosur. Zor të ketë qenë e L. A., ishte e rëndë dhe e papërshtatshme, do të duhej të ketë ardhur nga Çikagoja apo nga Denveri në të tridhjetat.

Pastaj i morëm patericat dhe me zahmet zbritëm shkallët e YMCA. Bernard kishte një shishe muskateli në njërin prej xhepave. Arritëm deri te hyrja dhe Bernandi më siguroi se ai vetë do t’ia dilte nëpër trotuar dhe deri tek automobili. S’e pata parkuar bash buzë trotuarit.

Derisa vrapoja rreth e rrotull për t’u futur në automobil dëgjova një britmë dhe pastaj një llapashitje. Shinonte shi i rëndë. U ktheva vrap, ndërsa Bernand ia kishte dal të rrëzohej dhe të mbërthehej në kanal të kullimit ndërmjet automobilit dhe trotuarit. Uji rridhte rreth tij, ai rrinte ulur, uji kalonte sipër tij, kalonte nëpër pantallonat e tij, ia llapuriste brinjët, patericat me përtaci pluskonin në prehrin e tij.

“Në rregull është”, tha, “ti sall vozit dhe lërmë këtu”.

“Oh, mozomakeq, Barney!”

“Përnjëmend e kam. Ti sall vazhdo. Lërmë këtu. Gruaja ime nuk më do”.

“Ajo nuk është gruaja jote, Barney. Jeni të divorcuar”.

“Thuaja këtë nënës sate”.

“Jepi, Barney, unë do të të ndihmoj të ngrihesh”.

“Jo, jo. Në rregull është. Po të siguroj. Ti sall vazhdo. Shko dehu pa mua”.

E ngrita, e hapa derën dhe e futa në ulësen e përparme. Ai ishte goxha, goxha i qullur. Uji çurgonte dyshemesë së automobilit. Pastaj kalova në anën tjetër dhe u futa. /Revista “Akademia” /KultPlus.com

Artistja Vlera Kastrati së shpejti sjell këngën dhe klipin e dytë të titulluar “Paris”

Kantautorja Vlera Kastrati do të xhirojë klipin e saj të dytë të këngës së titulluar “Paris” në qytetin e Parisit, me një ekip francez. Ajo do të qëndrojë disa ditë në Paris për xhirimin e klipit dhe promovimin e artit të saj, ndërsa publiku do të ketë së shpejti edhe vizuelisht tingujt francezë të kësaj kënge.

Kënga “Paris” i kushtohet pikërisht qytetit të Parisit dhe teksti e melodia janë sërish krijim i vetë Vlera Kastratit në rolin e dyfishtë të kantautores dhe këngëtares, ndërsa aranzhimi është bërënga mjeshtri i shquar italian i jazz-it Amedeo Tommasi në Romë.

Ky është klipi i këngës së dytë të artistes, pjesë e librit dhe albumit të saj prej tetë këngësh “Anatomy of a Kosova Woman’s Soul” të cilat sapo janë publikuar dhe po zgjojnë tashmë kërshërinë dhe vëmendjen e publikut.

Vlera Kastrati nxori këngën e saj te parë jazz “I’ve sinned” disa muaj më parë dhe klipin e kësaj kënge i cili është pëlqyer shumë nga një numër i madh i adhuruesve të muzikës Jazz. /KultPlus.com

Më poshtë, kënga e parë e Vlerës “I’ve sinned”:

‘’Zana’’, filmi që ndesh të ardhmen me të kaluarën përmes dy fateve tragjike

XhemileHysenaj

Filmi ‘’Zana’’, me regji të Antoneta Kastratit, trajton një temë delikatë përmes personazhit të një gruaje e cila ka humbur një pjesë të madhe të vetes gjatë luftës në Kosovë, për të mos thënë krejtësisht vetveten.

Pasojat e luftës së fundit në Kosovë, vërehen edhe sot e kësaj dite, vikimat e saj, disa të fshehura e për të mos u shpalosur kurrë e disa prej tyre të shpalosura për të mos u trajtuar kurrë në mënyrën e duhur, shkruan KultPlus.

Lufta ka përfunduar, një përfundim sipërfaqësor që luftën e vërtetë vetëm e ka filluar dhe e ka lënë në mesin më të keq të mundshëm.

‘’Zana’’, trajton fatin e disa personazheve që edhe pse të lidhur ngusht me njëri tjetrin, funksionojnë ndaras në dhimbjen e përbashkët.

Një burrë, fëmija i të cilit është mbytur në luftë, personazhi i të cilit ka ngecur në mes dhimbjes për fëminë e humbur, nënës si autoritet dhe gruas që e dashuron aq shumë. Në anën tjetër një grua e cila ka harruar të jetë njeri ose të paktën të funksionoj si e tillë. Dhe vjehrra e saj, e cila sikur të mos ishte në dijeni për përjetimet e nuses së djalit të saj, merr të gjitha vendimet për fatet  e jetën e këtyre dy të fundit.

Kur dhimbja, trauma, mendësia patriarkate, vuajtjet e sakrificat bien të tëra mbi kokën e dikujt që ka përjetuar humbjen më të madhe që një njeri mund të përjetojë, atë të fëmijës, dhe edhe pse në film personazh kryesor, fati i saj brenda familjes trajtohet si dytësor.

Një film plot emocion, që pa doreza tregon mendësinë patriarkate që akoma mbizotëron në vendin tonë. Ku fati i gruas është në dorën e të gjithëve, përvecse në duart e saj, ku vlera e saj si njeri matet me faktin e të qenurit apo të mos qenurit nënë.

Antoneta Kastrati, në raport me personazhin kryesor, të realizuar aq mirë nga Adriana Matoshi, për KultPlus potencoi se Adriana ka një fytyrë paqësore të butë, por që aty fshehet një agresivitet që nuk vihet shumë re.

‘’E kam hetuar në fillim, kur Adriana e ka lexuar skenarin, se kjo është e duhura për këtë personazh, deklaroi më pas Kastrati.

Kastrati gjatë konferencës për media, u shfaq e kënaqur për punën e realizuar nga aktorët dhe i gjithe stafi. ‘’Kam dashur të tregoj atë pjesën e pasluftës që nuk shihet. Në kulturën tonë, e humb vlerën si grua, nëse nuk bën fëmijië, ka shumë presion për të qenë nënë’’, pohoi ajo.

Adriana Matoshi, që në këtë rol erdhi më ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim, një grua me një hije melankolike mbi fytyrën e saj, gjatë gjithë kohës.

Ajo tregoi për vështirësitë e realizimit të rolit të saj, mirëpo pohoi të jetë ndarë e kënaqur me realizimin e tij. ‘’Është njëri prej roleve më të vështira që kam realizuar deri tani, mirëpo, edhe më i dashuri. Parase të fillojmë me xhirime, unë bashkë më Antonetën kemi shkuar të varrezat dhe ajo ma ka treguar të gjithë ngjarjen e familjes së saj.’’, deklaroi ajo.

Sevdije Kastrati, producentja e filmit, u shpreh se, në momentin që e kishte lexuar skenarin, e kishte parë edhe filmin.

‘’Ky film ka një rëndësi të madhe, është I inspirruar nga një ngjarje e vërtetë, prej jetës tonë private. Ajo cka trajtohet në film është shumë me rëndësi, sepse fakti që ke humbur, është në dorën e gruas se a dëshiron të ketë fëmijë prapë apo jo’’, vazhdoi më pas ajo.

Filmi ‘Zana’ do të filloj të shfaqet nga data 20 shtator në Cineplexx.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës.

Producent i filmit ZANA është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentē Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca etj./KultPlus.com

Në Kino Lumbardhi sonte shfaqet filmi “Qielli mbi Berlinin”

Sonte në kuadër të programit të filmit “Retrospektiva e Wim Wenders” do të shfaqet filmi Der Himmel über Berlin [Qielli mbi Berlinin] (1987) me fillim nga ora 20:00 te Lumbardhi, shkruan KultPlus.com

Filmi do të shfaqet në gjuhën origjinale me titra në shqip dhe anglisht. Hyrja ofrohet falas.

Shfaqja është pjesë e retrospektivës së shtatorit të regjisorit të shquar gjerman Wim Wenders, organizuar nga Fondacioni Lumbardhi në bashkëpunim me Institutin Goethe dhe Fondacioni Wim Wenders dhe mbështetur nga Ambasada Gjermane.

Regjisorja amerikane me masterclass në Tiranë

Në Tiranë, regjisorja dhe skenaristja amerikane, Lara Stolman, do të zhvillojë një masterclass mbi përdorimin e rrëfimit të histories personale dhe filmave për fuqizimin e të rinjëve, shkruan KultPlus.com

“Bashkohuni me regjisoren, skenaristen dhe producenten amerikane Lara Stolman, fituese e shumë çmimeve, në një masterclass të veçantë mbi përdorimin e rrëfimit të historive personale dhe filmave për fuqizimin dhe përfshirjen e të rinjve. Mos e humbisni mundësinë për të mësuar nga një eksperte filmash dhe për t’i bërë asaj pyetje. Të enjten, 26 shtator, në orën 10:00, në qendrën rinore Arka në Shkodër. Hyrja është falas”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Arkitekturë “Ura spirale” nga BIG shërben si galeri arti në Norvegji

BIG ka përfunduar Galerinë e Arteve Twist e cila dredhohet si “letra” dhe shtrihet si urë mni lumin që ndan parkun e skulpturave Kistefos në Norvegji, shkruan KultPlus.com

E përshkruar nga themeluesi i BIG, Bjarke Ingels si “një urë e banueshme”, qëllimi kryesor i galerisë së artit të veshur me alumin është të përmirësojë qarkullimin e parkut duke ofruar një kalim të ri mbi lum.

Dredha në qendër të saj krijon një estetikë skulpturore të veçantë.

Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Pristine Conditions”, kushtuar natyrës së Prishtinës

Baleti është ajo gjini artistike e cila i shpreh ndjesitë e saj përmes lëvizjeve te shoqëruara me muzikë, shfaqje skeniko-muzikore e trupës vallëzuese.

Baleti Kombëtar i Kosovës, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, erdhi me një performancë të shkëlqyer kushtuar qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Prishtina, sipas etimologjisë, lidhet me ”Pranverën (ujin)”, si dicka që duhet të jetë e pastër, e paprishur dhe e freskët, dukë bëtë ështu që ema kyqe e kësaj shfaqjeje të mbrëmshme të jetë ”Save the nature, save the future”.

Një performancë që për bazë kishtë ruajtjen e natyrës, ku përmes vallëzimit të jashtëzakonshëm të trupës së Balëtit, shaqej revolta e shqetësimi për natyrën e për kujdesin ndaj saj, duke bërë kështu që edhe publiku i mbrëmshëm të ndahet shumë i kënaqur dhe të emocionuar nga ajo që panë.

Kjo shfaqje u realizua në kuadër të programit të edicionit të dytë të Javës së Kosovës për Zhvillimit të Qëndrueshëm që po zhvillohet nga 16-22 shtator 2019.

KSDë’19 organizohet nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesen Speciale të BE-së, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH) në emër të Qeverisë Gjermane, Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)./KultPlus.com

Aktorja Sophia Loren feston ditëlindjen e 85-të

Aktorja e famshme italiane, Sophia Loren, mbush sot tetëdhjetë e pesë vjet, duke lënë pas vetes një mori suksesesh në botën artistike, shkruan KultPlus.com

Loren ka lindur më 20 shtator 1934 teksa karrierën e saj të filmit e filloi në moshën 16 vjeç në 1950.

Përveç çmimit të Akademisë, ajo ka fituar një çmim Grammy, pesë Golden Globes speciale (përfshirë çmimin Cecil B. DeMille), një çmim BAFTA, një çmim Laurel, Kupën Volpi për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit në Venecia, Aktoren më të Mirë Mimi në Festivalin e Filmit në Kanë dhe Academymimin e Akademisë së Nderit në 1991.

Në 1995, ajo mori çmimin Golden Globe Cecil B. DeMille për arritjet e jetës, një nga shumë çmime të tilla. Në vitin 1999, Loren u emërua nga Instituti Amerikan i Filmit, ylli i 21-të më i madh femër i Classic Hollywood Kinema, dhe aktualisht ajo është aktorja e vetme e gjallë në listë.

Në vitin 1965, aktorja e madhe Sophia Loren do të takohej me fotografin shqiptar Gjon Mili dhe ajo çka do të pasonte ishte një shoqëri plot shkrepje aparati fotografik.

Gjon Mili kësisoj e fotografoi aktoren italiane në disa raste, gjatë xhirimeve të filmave por edhe në pamje ekstravagante të një prej aktoreve më të talentuara e të bukura në historinë e filmit.

”Një ditë e zakonshme shtatori”, erdhi në Prishtinë përmes pikturës së vajit

Arti flet ndryshe, artisti jeton ndryshe. Për artin dhe artistin asgjë nuk është e zakonshme, ose është në pazakonshmërinë e vet. Shpesh kur gjërat bëhen rutinë, ose kur të këqijat normalizohen, situata edhe pse joalarmante, të paktën është shqetësuese.


Vehbi Murati, duke u inspiruar nga kjo situatë që vie vetvetiu, e shpesh pa u hetuar, mbrëmë, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, bëri hapja e ekspozitës personale ”Një ditë zakonshme shtatori”, shkruan KultPlus.

I rritur në vitet e nëntëdhjeta, ambienti i trazuar politik për popullin shqiptar të Kosovës, pashmangshëm se kishte ndikim edhe në shprehjen emocionale e artistike të Vehbiut.

Dhe jo vetëm zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, por edhe ato të dy dekadave të para të shek. XXI., pasqyrohen në habitatin personal kulturor të piktorit Vehbi Murati.

Murati, për KultPlus potencoi se ”Një ditë e zakonshme shtatori”, përbëhet kryesisht prej pikturave të punuara kohëve të fundit, dy vitet e fundit më saktesisht.

Në pikturat të punuara me ngjyra të vajit, shohim të vënë në pah, atë që e shohim cdo ditë rrugëve. Pkturat janë të paraqitura në formate të mëdha dhe në secilën është e paraqitur një ”e zakonshme”, e ditëve tona.

Autori për KultPlus poashtu deklaroi se, ajo që tek ne është bërë e zakonshme, si situata ekonomike e te tjera gjëra, është e zakonshmja më e dhimbshme, ”është bërë e zakonshme dicka që nuk do të duhej të ishte”, u shpreh ai.

Kuratori i ekspozitës Mehmet Behluli, njëkohësisht edhe profesor i arti, u shprej i kënaqur me punën e Muratit, duke e njohur këtë të dytitn si njërin prej artistëve më premtues të gjeneratës së tij.

Vehbi Murati, ka realizuar disa projekte artistike, dukë përfshirë skenografi për teatër, ilustrime për revista dhe ka qenë pjesëmarrës i disa ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita ka për kurator Mehmet Behlulin, ndërkaq drejtohet nga koordinatorja e GMK-së, znj. Dhurata Ramosaj-Shala./KultPlus.com

Koncerti “Udhëtim nëpër botë” bashkon tre virtuozë shqiptarë në Kanada

Tiranë, 20 shtator – “Udhëtim nëpër botë” pas suksesit në Europë e Amerikë, do të vijë edhe për shqiptarët e Kanadasë.

Koncerti do të bëjë ndalesën e tij të parë në provincën e Ontarios, në Toronto më datën 22 shtator, në Ottawa më 24 shtator si dhe në Montreal (Quebec) më 25 shtator.

Sopranoja me famë botërore Inva Mula, pianisti dhe kompozitori Genc Tukiçi si dhe violinisti Olen Çezari do të sjellin për spektatorin shqiptar një repertor të pasur, ku kombinohet më e mira e repertorit botëror me atë kombëtar.

Me anë të një videomesazhi, protagonistët e aktivitetit koncertor, ftojnë artdashësit t’i mbështesin në projektin e tyre, i cili sipas tyre do të jetë mjaft mbresëlënës. Të mbledhur në Tiranë, artistët që vazhdojnë karrierën e tyre në Romë e Paris, premtojnë koncert që do mbetet në kujtesë plot 20 vjet. ATSH/KultPlus.com

Aktorja e çmimit Oscar bëri shumë për shqiptarët, shteti i Kosovës ende se ka nderuar me asnjë mirënjohje

Ajo ka vizituar shqiptarët nëpër kampe të ndryshme përgjatë luftës së fundit në Kosovë, por e njëjta ka vizituar Kosovën edhe në periudhën e pasluftës, duke qenë edhe kryetare e bordit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFest.

Shkumbin Istrefi ka reaguar në lidhje me neglizhencën e shtetit në raport me këtë aktore, i cili ka shpërndarë edhe një intervistë të aktores me çmimin Oscar, e cila shihet duke folur në lidhje me Kosovën.

https://www.facebook.com/isstraa/videos/2456079557811947/

KultPlus sjellë reagimin origjinal të Shkumbin Istrefit./KultPlus.com

Shkrimtari kosovar nga Finlanda, i nominuar për çmimin më prestigjoz në SHBA

Shkrimtari finlandez Pajtim Statovci është i nominuar për çmimin e letërsisë më të vlefshme të Shteteve të Bashkuara.

Pajtim Statovci është një nga shkrimtarët më të suksesshëm ndërkombëtarë të Finlandës.

Vepra e Pajtim Statovcit, “Zemra e Tiranës”, është nominuar për një çmim ndërkombëtar të Librit Kombëtar. “National Book Award” është çmimi letrar më prestigjioz në Shtetet e Bashkuara, shkruan albinfo.ch.

Autori me origjinë shqiptare, Pajtim Statovci, kandidon ndër dhjetë shkrimtarët më të mirë për të fituar çmimin prestigjioz amerikan “National Book Award” me librin e tij “Zemra e Tiranës”.

Statovci është një shkrimtar shumë i vlerësuar në Finlandë, i përkthyer në disa gjuhë dhe i nderuar me mjaft çmime.

Vepra e Statovcit konkurron me nëntë kandidatë të tjerë në serinë e letërsisë së përkthimit.

Libri u botua në finlandisht në vitin 2016./KultPlus.com

Bashkëshortësia dhe makaronat janë të mira vetëm kur janë të nxehta

Jehona e mençurisë së popullit italian vijon të kumbojë që nga thellësia e shekujve të historisë.

Ata janë fqinjët tanë por edhe një popull fantastik, bijtë e të cilit i dhanë shkëndijën mjaft revolucioneve dhe ndryshimeve katërcipërore në qytetërimin evropian dhe botëror.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi përzgjedhur disa thënie të mençura të cilat ju garantojmë se do t’ju pëlqejnë 

Ai që fillon shumë gjëra mbaron vetëm pak.

Ai që lavdëron vetveten, rrethohet nga fqinjë të këqinj.

Ai që ndjek të kujdesshmin, nuk pendohet kurrë.

Ai që nuk di të heshtë, s’di të flasë.

Ai që qëndron shumë në shtëpinë e të tjerëve, bëhet i huaj në të tijën.

Ai që ruan drekën për darkën, është i bekuar nga Zoti.

Ajo dele që i rrëfehet ujkut është e çmendur.

Ankohemi për mungesë kohe, por e humbim si të ish tepricë.

Ari është i bukur, por bukuria ia kalon.

Armiqësitë fillojnë kur përplasen interesat.

Ata që flenë bashkë, flasin të njëjtën gjuhë.

Bashkëshortësia dhe makaronat janë të mira vetëm kur janë të nxehta.

Bota për njeriun është si nata e errët, ku secili duhet t’i bëjë dritë vetes së tij.

Bota u përket atyre që guxojnë.

Brekët e të tjerëve shqetësojnë prapanicën.

Budallai rri përpara ta shohin, i mençuri pas që të shohë.

Bukuria është një mbretëri jetëshkurtër.

Bukuria pa virtyt s’vlen asgjë.

Burri apo gruaja që tradhëton, kërkon nga dashnorët besnikëri.

Burrat janë si pjeprat: në 100 vetëm 2 janë të mirë.

Çdo njeri i poshtër lind si një bir i keq.

Çka nis mirë nuk do të thotë se do të përfundojë mirë, por çka nis keq, do të përfundojë edhe më keq.

Dashuria bën të kalojë koha, koha bën të kalojë dashuria.

Dituria dhe përvoja nuk lihen trashëgim.

Dashuria dhe xhelozia rrinë bashkë, iku njëra do ikë dhe tjetra.

Dashuria e vërtetë nuk harrohet kurrë.

Dashuria mbretëron pa pasur nevojë për ligje.

Dashurinë mund ta blesh vetëm me dashuri.

Dembel në rini, morracak në pleqëri.

Edukata është buka e shpirtit.

E qeshura të zgjat jetën.

Fati është si lopa, dikujt ia kthen brirët e dikujt gjinjtë.

Femra sado e vogël që të jetë është gjithnjë më dinake se djalli.

Fëmijët hanë dajakun që kanë merituar prindërit e tyre.

Fëmijët sa janë të vegjël të çajnë kokën, kur rriten të copëtojnë zemrën.

Filloje pëlhuren tënde e Zoti do të ndihmojë për perin.

Fusha e dembelit është plot hithra.

Goja e puthur nuk humbet fat të mirë, por rinovohet si Hëna.

Grave mos u fol për vite. Uroji ditëlindjen gruas, por mos fol për vite.

I gjorë është ai që dëshiron vdekjen, por edhe më i gjorë është ai që i frikohet vdekjes.

Injoranca në mënyrë të pashmangshme të çon në robëri.

Jeta – dhuratë e natyrës, dashuria – dhuratë e jetës, e puthura – dhuratë e dashurisë.

Këmbët të çojnë aty ku zemra rreh.

Koha është një limë që punon pa zhurmë.

Këshillohu me të vuajturin, jo me të diturin.

Kush i bën llogaritë pa Zotin nuk di të bëjë llogari.

Kush ka shumë vese, ka shumë sundimtarë.

Kush nuk ka parë grua të dashuruar, nuk din çka është gruaja.

Kush s’do të ketë trazime në jetë, mos të lindë të tjerë.

Lumturi në Qiell, para në Tokë.

Mbasi mbytet anija, të gjithë e dinë si mund të shpëtohej.

Mjekra nuk të bën filozof.

Moda, mendimet e grave, dhe rrjedha e lumit, ndryshojnë çdo çast.

Nëse nuk di si janë fëmijët tuaj, shiko me kujdes shokët e tyre.

Nuk shkohet në Kishë për mashtruar shenjtërit.

Nuk mund të vihet prapanica midis dy karrigeve.

Njeriu bën vendin dhe vendi njeriun.

Pija që nuk të mërzitet kurrë, uji. Fruti që nuk të mërzitet kurrë, fëmijëria.

Po puthe njëherë, do të puthësh përsëri.

Proverbat i bëjnë ballë kohës dhe ai që di t’i kuptojë mund ta shohë veten e tij në to si në një pasqyrë.

“Mëkate arkitekturore” të kthyera në kryevepra monumentale

Një projekt i ri i kulturës urbane në qytetin Halle, 170 kilometra në jug-perëndim të Berlinit, shpreson të promovojë kohezionin shoqëror duke i shndërruar këto “mëkate arkitekturore” në kryevepra monumentale.

Përmes tij po realizohet një lloj zbukurimi i këtyre blloqeve parafabrikate në ngjyrë gri. Një njërin prej tyre për shembull është krijuar një murale tre-dimensionale, plot ngjyra të gjalla që tregon zbritjen e një astronauti nga një anije kozmike. Në sfond është një qiell i qartë blu, duke krijuar kështu iluzionin optik se muret janë zhdukur.

“Fjala “Platte” vazhdon të ekzistojë në mendjet e njerëzve. Të gjithë më thonë: Ah, ti jeton në Plattenbau! Nuk më pëlqen kur e dëgjoj një gjë të tillë, por ky është realiteti, s`ke c`i bën. Prandaj jam e lumtur sot të shikoj këto se pamje dhe ngjyra të reja mund t`I bëjnë një të mirë të madhe këtyre ndërtesave”, ka thënë Elfriede Schulz.

Projekti 7 milionë eurosh Freiraumgalerie përfshin edhe një vepër të quajtur “Balance Act” e që mund të ishte një kopertinë shumë e mirë për albumet e Pink Floyd. Ende e papërfunduar, ajo aktualisht shtrihet rreth mureve të jashtme të dy ndërtesave, duke sjellë në jetë fasadat që në të kundërt, do të ishin krejt të shurdhëta në zbehtësinë e vet. / KultPlus.com