Kanë kaluar 66 vjet që kur është botuar vepra më e famshme e Xhorxh Oruellit, dhe duhet thënë se ka patur shumë ndikim. Në fakt, kaq e madhe ka qenë saktësia e saj në parashikimin e të ardhmes, saqë është e vështirë të mos besosh se vetë Xhorxhi shpiku në fakt një makinë të kohës, hodhi një vështrim të shpejtë në jetën moderne dhe më pas u rikthye shpejt në vitin 1949, për ta përshkruar ekzaktësisht ashtu si e kishte parë.
Duke përshkruar jetën nën “Vëllanë e Madh”, romani ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetët tona – duke na ofruar një sërë frazash dhe termash të mirënjohura, duke përfshirë edhe termin e kundondodhur, kur duam të flasim për mashtrimin, survejimin dhe manipulimin e mbështetur nga qeveria: “Oruelliane”.
Ja dhjetë gjëra që ndoshta nuk i dini për këtë libër klasik.
1. Libri u ndalua në BRSS për 40 vjet – nga 1950 deri në 1990, dhe Stalini e dinte që ishte një satirë e bazuar në udhëheqjen e tij në qeverinë totalitare komuniste që ishte nën kontrollin e tij. Megjithatë, ai u ndalua edhe nga Shoqata e Librarive Amerikane për arsye se ishte një “parashikim i zymtë i qeverisjes totalitare dhe censurës”. Në fakt, normalisht njerëzit do të duhej ta lexonin, apo jo?
2. Oruelli kishte planifikuar fillimisht që t’i vendosste ngjarjet e romanit në vitin 1980. Më pas, i shtyu në vitin 1982, përpara se të vendoste përfundimisht për vitin 1984. Ka mundësi që datën finale ta ketë vendosur, duke ndërruar dy numrat e fundit të vitit në të cilin e shkroi: 1948.
3. Në një përkthim në italisht i librit, ora e famshme në reshtin e hapjes thotë “Uno” në vend të “Trembëdhjetë”. Përkthyesi me sa duket arsyetoi që “orët italiane nuk shkojnë deri në trembëdhjetë” dhe supozoi që në vend të kësaj, duhet të rifillonte nga Njëshi – duke mos kuptuar që në fakt, asnjë vend tjetër nuk ka 13 orë. Një tjetër teori alternative thotë se Italia ishte e mësuar me sistemin 24-orësh të kohës kështu që nuk shihte asgjë të pazakontë në orën 13 / 1pm.
4. Dhoma e Torturave e Oruellit, ose Dhoma 101, e mori emrin nga një sallë konferencash në BBC, aty ku atij iu desh të zhvillojë shumë takime të lodhshëm.
5. “1984” ishte në vetvete një frymëzim për shumë artistë të tjerë. “Spies” e Coldplay, “Citizens Erased” e Muse, “Testify” e Rage against the machine dhe “2+2=5” e Radiohead janë shembuj të këngëve që janë ndikuar prej romanit. Slogani i fundit në fakt është përdorur edhe nga BRSS për të nxitur kompletimin e planeve 5-vjecarë, brenda vetëm 4 viteve.
6. Xhorxh Oruelli shkruajti pjesën më të madhe të 1984 në shtëpinë e vetmuar në fermë, me emrin Barnhill, që ndodhet në veri të ishullit skocez të Juras. Kur qëndroi aty në kohë të ndryshme mes 1946-ës dhe vitit të vdekjes, 1950, ai njihej me emrin e vërtetë, Eric Blair. 44 vjet më vonë, po në këtë ishull do të ndodhte ngjarja e famshme e djegies së 1 milion stërlinave nga Bill Drummond dhe Jimmy Cauty të “KLF”.
7. Kënga “Under the spreading chestnut tree” ka qenë bazuar në një këngë të vjetër angleze e quajtur “Go no more a-rushing”, e cila kishte fjalë shumë të ngjashme. Kjo e fundit ka qenë një këngë shumë popullore që këndohej nd’anë zjarrit në vitet 1920, ndërkohë që kreu i famshëm i grupit Glenn Miller rregjistroi një version të saj në vitin 1939.
8. Ndërkohë që “1984” i mirëprit nga pothuajse të gjithë kritikët dhe hsikuesit, natyrisht që kishte nga ata që nuk u pëlqeu. Kritiku i Sunday Times, Eduard Shanks shkruajti se romani “thyen të gjithë rekordet e parashikimeve të zymtë”. Me sa duket, nuk i kënaq dot të gjithë.
9. Zbulimet e Eduard Snoudenit në vitin 2013 për survejimin nga ana e NSA në Amerikë treguan se sa saktësisht kishte parashikuar Oruelli të ardhmen e përgjimeve prej qeverisë dhe faktin që Big Brother të sheh gjithmonë. Në javët e para pas zbulimeve, shitjet e 1984 u rritën shtatë fish – ndoshta njerëzit donin të dinin se cfarë do të ndodhte tani në jetët e tyre.
10. Ironia e ironive: ndërkohë që Xhorxh Oruelli po shkruante “1984”, ai vetë po mbikëqyrej nga Dega Speciale e qeverisë britanike. Ishte vendosur nën survejim për më shumë se një dekadë për shkak të veprës së mëparshme “The road to wigan Pier”, e cila eksploronte varfërinë dhe shtypjen klasore në vitet 1930. Për shkak të prirjeve prosocialiste, “pikëpamjeve të avancuara komuniste” dhe faktit që “vishej në mënyrë boheme”, autoritetet e ruajtënn deri ditën kur vdiq, në vitin 1950. /Bota.al/ KultPlus.com
Napoleon Bonaparti, në letrën e 16 Gushtit 1797 dërguar pashait të Shkodrës, djalit të Mehmet Bushatit shpreh admirimin dhe mbështetjen e tij për shqiptarët.
Ja letra në vijim :
Shtabi i përgjithshëm, Milano – 16 Gusht 1797
Pashait të Shkodrës
Kam lexuar me kënaqësinë më të madhe lavdrimet në letrën e shkruar nga Zotëria juaj.
Republika franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë ; Ajo (Republika) ka një konsideratë të veçantë, sidomos, për kombin trim shqiptar, i cili ndodhet nën urdhërat tuaja.
Kam dëgjuar me dhimbje fatkeqësinë që i ka ndodhur vëllait tuaj: ky luftëtar i patrembur meritonte një fat më të denjë për trimërinë e tij ; por ai u shua nga një vdekje e guximshme.
I dërgoj Zotërisë suaj urdhërin e dhënë nga unë, që i lejon ushtrisë (flotës) osmane të udhëtojë (lundrojë) pa shqetësim në Adriatik. Turqit do të trajtohen si kombet e tjera, madje do të përfitojnë disa lehtësime…Në të gjitha rastet, unë do të mbroj shqiptarët dhe do të jem i lumtur t’i shpreh Zotërisë suaj respektin e konsideratën e lartë që kam për të.
Në shenjë miqësie, i lutem Zotërisë suaj të merrni katër arkat me pushkë që ju kam dërguar.
Studentja kosovare e shkencave politike ne Universitetin Karlovi, njëherësh edhe e albanologjisë në Universitetin e Charlesit Blerta Sejdija prezentoi shqiptarët në samitin e NATO-s në Pragë të Çekisë.
Vajza me origjine nga Kosova e cila studion në Fakultetin Filoziofik të Universitetit të Karlovy në Republikën Çeke. Blerta Sejdija e cila jeton në Republikën Çeke është studente e shkencave politike, njëherësh edhe të albanologjisë në Universitetin e Charlesit.
Ajo studion për marrëdhënie ndërkombëtare në Univesitetin e Pragës dhe së fundi ka prezentuar denjësisht shqiptarët në samitin e fundit të NATO-s që u mbajt në Pragë. /Lajmi.net/ KultPlus.com
Disa prindër, të pakënaqur u mblodhën pasditën e kësaj dite, duke mohuar të jenë në dijeni se kush i përpiloi pyetjet ku një testi për alkool e seks iu nënshtruan nxënësit 12 vjeçarë.
Rasti ndodhi në shkollën ”Faik Konica”, e këtij pyetësori që u fotografua nga nxënësit e klasës së shtatë, ata iu përgjigjën pa lejen e prindërve, paraditen e së premtes, njofton Klan Kosova, transmeton KultPlus
Bashkangjitur gjeni videon e plotë rreth kësaj ndodhie, të përgatitur nga KlanKosova. /KultPlus.com
Të shkruash për femrën që është konsideruar ikonë bukurie thuajse në të gjithë kohët, symbol i fortesës dhe qëndresës, për femrën që pati një nga historitë më të përfolura të dashurisë me Jul Çezarin, është gjithmonë e vështirë.
Pavarësisht të gjithë lulëzimit kulturor që bënte të dallohej Aleksandria e Kleopatrës, nuk kemi as edhe një autor egjiptian që të ketë transmetuar tek pasardhësit këndvështrimin e mbretëreshës.
Atëherë mbi çfarë mund të bazohen veprat e Shekspirit, të Xhorxh Bernard Shout apo interpretimi i Elisabetë Tejlorit që na kanë përcjellë një imazh kaq të gjallë të Kleopatrës?
Kleopatra VII, padyshim një prej grave më të famshme të të gjithë kohërave, u përjetësua në histori dhe në imagjinatën tonë në vepra teatrale, libra, filma. Kudo shfaqet me entuziasmin e saj dialektik dhe një magji të pakohë.
Pavarësisht këtij interesi, nga Kleopatra na mbetet maksimumi një dëshmi direkte, një fjalë e vetme e shkruajtur në Aleksandri në vitin 33 para Krishtit, kur ajo apo një prej shkruesve të saj mbyllnin një dekret ministerial me fjalën greke “ginesthoi”- kështu qoftë. Pra janë më shumë se dy mijë vite që bëjnë të lëvizë dhe flasë mbretëreshën egjiptiane me veprime dhe fjalë jo të sajat.
Figura e Kleopatrës na është përcjellë nga rrëfimet e autorëve klasikë, që gjithësesi janë në kontradiktë të plotë në lidhje me këtë: Appiano nuk merret shumë me detajet, Giuseppe nuk respekton kronologjinë, Dioni injoron saktësinë për të favorizuar retorikën, Nicola Damasceno është një renegat i njohur (kaloi nga Aleksandria në oborrin e Herodit, mbreti që në momentin e fundit kishte tradhëtuar Antonin dhe mbretëreshën egjiptiane). Pavarësisht të gjithë lulëzimit kulturor që bënte të dallohej Aleksandria e Kleopatrës, nuk kemi as edhe një autor egjiptian që të ketë transmetuar tek pasardhësit këndvështrimin e mbretëreshës.
Atëherë mbi cfarë mund të bazohen veprat e Shekspirit, të Xhorxh Bernard Shout apo interpretimi i Elisabetë Tejlorit që na kanë përcjellë një imazh kaq të gjallë të Kleopatrës? Mbi të gjitha tek autorët e propagandës romake, pra tek ai fraksion që kishte mposhtur mbretëreshën dhe që kishin të gjithë arsyet e botës për të vënë theksin në rolin dhe perversionet e gruas që kish qenë armikja e tyre.
Nuk ka dakordësi as për disa të dhëna biografike bazë, si identiteti i nënës së Kleopatrës, sa kohë ka kaluar ajo në Romë dhe sa herë është pritur në Urbe; nuk dimë nëse ajo dhe Antoni janë martuar (e sigurtë është që ligji romak nuk pranonte martesa me të huaj, pra për Romën Kleopatra ishte vetëm një konkubinë), çfarë ndodhi me saktësi në betejën e Asios, ajo që shenjoi fatin e mbretëreshës, përvec se atë të Mark Antonit.
Në fund, nuk dimë me siguri se si vdiq: një mënyrë kaq e dhimbshme dhe pak efikase si shtrëngimi i gjarpërit duket të jetë një sajesë, edhe sepse Kleopatra kishte në dispozicion helme më të sigurtë, që nuk do të rrezikonte të dështonin. Pra, veprat sublime të artit që kanë për protagoniste Kleopatrën janë bazuar gjerësisht në fantazinë apo krijimin, dhe shumë pak në kronikën e kohës.
Një mbretëreshë në histori
Megjithatë, ekzistojnë disa të dhëna të sigurta që mundësojnë inkuadrimin e figurës historike të Kleopatrës. Lindi në vitin 69 p.e.s. e dyta e tre bijave dhe motra e madhe e dy vëllezërve të tjerë, me secilin prej të cilëve do të lidhej për një periudhë të shkurtër kohe në martesë. Nuk ishte egjiptiane, por i përkonte aristokracisë së familjes greko- maqedonase të Ptolemejve, që e kish origjinën që tek Aleksandri i Madh dhe që mbante titullin e faraonit prej dhjetë brezash. Mes Ptolemejve, vrasjet dhe martesat brenda gjakut ishin në rend të ditës (një zakon ky shumë në modë, në atë kohë, edhe në dinasti të tjera), dhe Kleopatra u përfshi edhe ajo në këto drama.
Bota aleksandrine, ndryshe nga ajo romake, besonte shumë në aftësitë e grave, kështu që nuk duhet të habitemi që Auleti, babai i Kleopatrës i kish dhënë një arsimim shumë të mirë, duke i vënë në shërbim eruditët më të mirë dhe studiuesit më të zotë të kohës, të cilët vërdalliseshin në bibliotekën madhështore dhe muzeut të Aleksandrisë. Kleopatra u mësua dhe u përgatit për të qeverisur dhe fliste rrjedhshëm disa gjuhë, gjë që i mundësonte që t’u drejtohej pa ndërmjetës përfaqësuesve me peshë të shteteve të Mesdheut, përvec se shtetasve të saj, të origjinave të ndryshme.
Duket se asetet e mbretëreshës shkaktonin një magjepsje të pashoqe, dhe nëse lajmi për bukurinë e saj lindi më vonë, që në krye të herës burimet transmetojnë imazhin e një mbretëreshe që joshte me hijeshinë e fjalëve, zërin e butë dhe aftësinë retorike, me aftësinë për të argëtuar dhe kënaqur mysafirët, për të organizuar festa dhe mesha me efekte mbinatyrorë që linin gjithmonë pa mend të pranishmit.
Në mënyrë të vecantë, sipas Plutarkut, tingëllon e paharrueshme mbërritja e saj në Tarso për të takuar Mark Antonin: “Ishte shtrirë në një tendë të larë me flori, e zbukuruar si Afërditat që i shohim vetëm në piktura, dhe një trupë skllevërish, që ngjanin me perëndinë Amor të lyer, ishin reshtuar në të dy krahët dhe i bënin fresk. Në po të njëjtën mënyrë edhe vajzat shoqëruese të saj, të veshur si Narcisi dhe Hijeshia, i qëndronin rrotull. Parfume të mrekullueshëm shpërndaheshin në brigje gjatë kalimit të anijes”. Zërat për mbërritjen e saj u përhapën me shpejtësi, ndërkohë që dërgonte për t’i thënë Mark Antonit se “Venusi kishte ardhur me një shkëlqim të rrallë, për t’u bashkuar me Dionisin, për të mirën e Azisë”.
Një forcë hyjnore
Të paktën në Egjipt, identifikimi i mbretëreshës me një hyjni nuk ishte aspak një gjë magjepsëse; mbi të gjitha nëse bëhej fjalë për Isidën, perëndesha e mëmësisë dhe pjellorisë, shpikëse e alfabetit, ajo që kishte ndarë Tokën nga qielli, që bënte të mbizotëronte rregulli dhe jo kaosi. Iside ishte një perëndeshë e butë dhe inkurajuese, por edhe zonjë e luftës, e rrufeve, e detit; kuronte të sëmurët dhe ringjallte të vdekurit, udhëhiqte marrëdhëniet e dashurisë dhe rregullonte shtatzanitë.
Ishte toka mëmë e përsosur, kompetente nga pak në gjithçka, shpërndarëse e dijes dhe ushqimit. Në të vërtetë, mbretërimi i Kleopatrës u dallua pikërisht për administrimin shumë të mirë, aq sa, ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë, nuk pati protesta të mëdha as në Egjiptin e poshtëm. Mbretëresha solli prosperitet në Egjipt, zhvlerësonte dhe hidhte monedha të reja në momentin e duhur, iu përkushtua administrimit të mbretërisë dhe, në kohë të zive të bukës boshatiste hambarët mbretërorë për të ushqyer shtetasit e saj.
E pasur, e ditur, joshëse
Ishte në përgjithësi një sovrane shumë e dashur, që dallohej mbi të gjitha për mprehtësinë dhe zotësine politike edhe në aneksimin e territoreve të rinj falë një politike të jashtme të realizuar kundrejt Romës: askush në botën e Mesdheut nuk barazohej me të për nga pasuria.
Nën mbretërimin e saj kufijtë e Egjiptit u shtynë sërish duke u barazuar me ata që e kishin bërë të madh këtë vend shekuj më herët. Atëherë, përse na është përcjellë jo imazhi i një sovraneje të vëmendshme dhe të aftë, por ai i një libertineje lakmitare? Arsyet nuk mungojnë, dhe ndoshta duhet të lexojmë në këtë dritë rrëfimet që janë përcjellë prej romakëve dhe që janë filtruar prej propagandës perandorake.
Mbi të gjitha, në kohën e Kleopatrës Roma shihte me dyshim Lindjen, duke asociuar ato toka ekzotike me rreziqet e butësisë, luksit të shfrenuar, perversionit, pretendimeve mbretërore dhe hyjnore. Nuk duhet harruar që Ptolemejtë ishin greko-maqedonas, përvec se zotër të Egjiptit dhe Republika, që ende nuk ishte bërë një perandori, i frikësohej të paktën në publikë rafinimit dhe zakoneve orientale.
Nuk dihet me saktësi nëse Kleopatra është dashuruar vërtetë me Jul Çezarin apo me Mark Antonin, por e sigurtë është që i bëri të realizonin atë që donte ajo. Nga këndvështrimi i romakëve, një gjë e tillë mund të shpjegohej vetëm me mashtrimin, joshjen me hile dhe magjinë; njerëz kaq trima duhej të ishin ndrydhur vetëm përmes magjisë dhe mashtrimit.
Oktaviani, pasi u mposhtën Antoni dhe Kleopatra, për të bërë të rritet edhe më shumë lavdia e tij nuk hezitoi që t’i atribuonte mbretëreshës egjiptiane imazhin e një gruaje lakmitare, të pabesë, gjakatare, të etur për pushtet dhe për të shtënë në duar Romën (një ide me shumë gjasa e pabazë, por që u përhap nga Augusti i ardhshëm për t’i kundërvënë romakët).
Një rrezik për Romën
Frika se mos i hiqte fronin e Egjiptit e shtyu Oktavianin që të ekzekutonte Çezarionin, biri i Kleopatrës dhe Jul Çezarit, ndërkohë që bijtë egjiptianë të Mark Antonit, më pak të rrezikshëm, patën fat më të mirë. Gjatë kohës së gjatë që qëndroi në pushtet, Oktavian Augusti pati të gjithë kohën për të vazhduar propagandën e nisur gjatë duelit me Mark Antonin: shkatërroi statujat e Kleopatrës dhe rishkroi lajmet e shkruar për sovranen e dinastisë Ptolemaike.
Deri kur Asio, ku Antoni dhe Oktaviani qëndruan të ngecur për muaj e muaj të tërë u shfaq si beteja e të gjithë betejave dhe një sukses shumë i madh për Oktavianin, dhe Kleopatra duhej të shfaqej një mbretëreshë e marrë dhe keqdashëse që synonte shkatërrimin e Romës…
Pavarësisht gjithçkaje, dymijë vite informacione të këqinj dhe shpikje artistike nuk mund të fshehin aftësitë e mëdha strategjike dhe menaxhuese të Kleopatrës. Një grua që padyshim ishte e madhe: zonjë e vetvetes, e mprehtë, energjike, shumë e pasur, ambicioze, e pathyeshme deri në fund.
Në fund arriti t’i shpëtojë mbikëqyrjes së Oktavianit dhe të vendosë vetë për vdekjen e saj, duke shmangur marshimin e lidhur me zinxhirë nëpër rrugët e Romës, sic i kish ndodhur vite më herët motrës së saj. Pushteti i kësaj gruaje është asociuar gjithmonë me një joshje të shfrenuar, më shumë se sa me aftësitë e saj politike: një grua e fuqishme dhe një grua që shkakton frikë.
Gra që hanë burrat Ka patur me mijëra histori për jetën seksuale dhe jashtëmartesore të Kleopatrës, madje ato kanë dalë që kur ajo ka qenë gjallë, sikur ajo i zgjidhte meshkujt, oborrtarë, oficerë, ushtarë dhe bënte orgji me ta. Tregojnë që ajo u jepte barëra stimulus për të bërë seks të fortë, se tregohej sadiste dhe i torturonte jashtë mase dashnorët; madje ajo që është bërë edhe si legjendë, është se ajo i mbante vetëm një natë dashnorët, pastaj i vriste.
Të gjitha këto nuk janë të vërteta. Ato i nxori në fillim i vëllai, të cilin ajo e shkarkoi nga froni dhe më pas dolën në formën e thashethemeve, të cilat u futën edhe në historinë romake që tregohen dhe shkruhen edhe sot. Një grua që shihte te vetja të drejtën për të qenë mbretëreshë, ndryshe nga gratë romake që kishin influencë vetëm nëse ishin nënat apo gratë e burrave të fuqishëm.
Por mbi të gjitha ajo nuk ishte aq joshëse, ashtu siç e kishin treguar: “Në 18 vjet kishte pasur vetëm dy burra në jetën e saj”, “Ka shumë mundësi që të ketë qenë e virgjër kur takoi Çezarin”. Me prejardhje greke dhe vetëm një e katërta egjiptiane (një tjetër mit i rrëzuar), Kleopatra u bë mbretëreshë (bashkë me të vëllain që doli në skenë pas një konflikti të ashpër) rreth viteve pesëdhjetëpara Krishtit, një moment kur vetëm mbështetja e perandorisë romake mund t’i garantonte mbretërisë së saj mbijetesën. E vërteta është se ajo ka patur vetëm dy burra./konica.al/KultPlus.com
Ikonat e mëdha si Vaçe Zela janë të pazëvendësueshme dhe të pakrahasueshme si për artin, kulturën ashtu edhe për gjithë vendin. Ikja e saj nga jeta ka qenë një humbje shumë e madhe, po le ta kujtojmë përsëri këtë legjendë të këngës.
Vaçe Zela ka lindur në 7 prill 1939 në Lushnjë dhe ka vdekur në 6 shkurt të vitit 2014. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.
Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
“Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj. Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur moj bijë?! Por po na lë pa gjumë’”.
Kujtimet rikthehen më ethshme tek të afërmit e Vaçes tani që kanë mësuar se ajo nuk rron më. Sot, as ulliri nuk është më, gjithashtu edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit Vaçe Zela po rrënohet. Në Lushnjë kujtimet për Vaçen janë të forta te kushërinjtë, miqtë dhe bashkëqytetarët e saj.
Ata tregojnë se meloditë e para Vaçja i këndoi në shtëpinë e saj, në qendër të Lushnjës, derisa një koncert e bëri atë të famshme menjëherë. Pëllumb dhe Syrja Zela janë dy kushërinjtë e Vaçe Zelës, që jetojnë ende në qytetin e Lushnjës. Ata tregojnë se çdo mbrëmje Vaçja këndonte dhe i binte kitarës së saj, pa e ditur se shumë shpejt do të bëhej ikona e muzikës shqiptare.
“Vaçja ka jetuar këtu në Lushnjë që në moshën 14-15-vjeçare e më pas u largua për në Tiranë që të ndiqte shkollën e mesme. Kjo do të ishte dhe shkëputja e madhe e saj nga Lushnja. Në atë periudhë mori pjesë në një koncert në Kinë, ku zëri i saj bëri menjëherë jehonë. Prej atij momenti karriera e saj mori hov dhe i gjithë aktiviteti u përqendrua në Tiranë”, tregojnë kushërinjtë e Vaçes.
Brenda pak kohësh u shpërngul nga Lushnja për në Tiranë dhe pjesa tjetër e familjes Zela. Për këtë arsye shtëpia e saj private iu shit një kushëriri të familjes dhe vitet në vazhdim Vaçja kthehej shpesh në Lushnjë, por tashmë për të dhënë koncerte në qytetin e saj të lindjes.
Shtëpia e së famshmes Vaçe Zela vazhdon të njihet si e tillë edhe sot, ndonëse prej dekadash në dokumentet e pronësisë ajo u takon personave të tjerë. Mësohet se pronarët e shtëpisë kanë emigruar në shtetin grek dhe fakti që në të nuk banon njeri prej vitesh ka sjellë amortizimin e plotë të saj.
Shtëpia është modeste, njëkatëshe, me sipërfaqe rreth 70 metra katrorë. Muret e saj në një pjesë të mirë janë rrëzuar, dritaret janë mbuluar nga bari dhe shkurret që depërtojnë brenda saj, ndërsa tjegullat rrezikojnë të bien nga dita në ditë.
Vaçe Zela është fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe. Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare:
Grimci, Daija, Prodani, Krajka, Deda, Gaci, Kushta etj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale” etj. kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.
Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ndonëse brenda një sistemi të mbyllur, zëri i Vaçe Zelës i kishte kaluar kufijtë. Aktori Astrit Çerma shkroi dje në faqen e tij në Facebook ato çfarë prezantuesi italian Mike Bongiorno do të thoshte për Vaçe Zelën, vite më parë:
“Më kujtohet në ato vite kur u vendosën televizorë nëpër ndërmarrje e institucione, ne në Institutin e Arteve ndiqnim pothuajse çdo natë RAI-n. Një natë, i madhi i asaj kohe, Mike Bongiorno, në një nga programet që drejtonte, që në mos gabohem quhej “Pyetje për të gjitha”, bëri 3 pyetje që çuditërisht kishin lidhje me Shqipërinë….
Pyetja e tretë kishte të bënte me këngëtaren e madhe të asaj kohe, Caterina Caselli dhe me këngën hit të saj, “Xhovane, xhovane”..
– Cila nga këngëtaret në botë do ta këndonte këngën “Xhovane” më bukur se Caterina Caselli…?
Përgjigjet ishin rreth një niveli këngëtarësh që trondisnin skenat e botës, por Mike Bongiorno vazhdimisht i hodhi poshtë deri sa shpërtheu:
– Këngëtarja që do ta këndonte më bukur këtë këngë është shqiptarja Vaçe Zela!”/konica.al/KultPlus.com
Ishte gjimnaziste kur botoi tregimin, i cili do të ishte filli i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe e bashkëshortit të ardhshëm, që atëkohë që student pasuniversitar në Moskë dhe një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe.
“Pasi kishte lexuar këtë tregim, më shkroi katër rreshta: “Lexova tregimin tuaj të mrekullueshëm…”, do të kujtonte, ndërsa shtonte “Dhimitër Xhuvani, një shkrimtar nga Elbasani, i cili ndodhej edhe ai në Moskë, i kishte thënë Ismailit, që “e njoh unë këtë vajzë”. Kur erdhi në verë në Shqipëri, Ismaili më tha “nuk është se më pëlqeu vërtet ai tregim por kisha tjetër qëllim.” Kështu do të ndante shkrimtarja Helena Kadare me lexuesit nga Prishtina zanafillën e historisë së saj të gjatë të dashurisë me shkrimtarin.“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje, ” ka thënë ajo për gazetaret Alda Bardhyli e Beti Njuma, ndërsa e pyesnin mbi detajet e dashurisë së saj me Ismail Kadarenë. Takimi i parë me shkrimtarin, ka kujtuar Helena Kadare, do të ndodhte në Tiranë pasi ai ishte kthyer nga studimet e tij në Moskë.“Rastësisht në Bulevard përballem me Ismailin i cili ishte me Nasho Jorgaqin. “Ja, kjo është Helena Gusho, siç kisha mbiemrin e vajzërisë”, i thotë Nasho. Ai aty për aty shënoi numrin e telefonit dhe më tha: “Më merr në telefon, se kam sjellë edhe disa filma dhe unë i shoh në tavan”, më tha. U mahnita shumë! Ma tha troç: “Hajde të shohim filma në tavan”.
“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje ”.
Gjimnazistja dhe më vonë studentja e letërsisë nisi karrierën si shkrimtare duke botuar romanin e parë “Një lindje e vështirë” në vitet ’70, e shoqëruar nga syri kritik i të shoqit, i cili kishte në atëkohë famën si një prej shkrimtarëve më të mirë të vendit. “Kam shkruar shumë herët, por lidhja me Ismailin më bëri të mendoja se, çfarë do të thoshte ai, për ato që unë shkruaja. Ma lexoi fillimisht ai atë roman. “Mirë, nuk është i keq. Por jo kush e di se çfarë. Mos kujto se çfarë ke bërë”, më tha”, ka kujtuar më tej ajo, ndërsa pas romanit të parë erdhën “Bashkëshortët”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”. E pyetur e çfarë mendonte ajo kur shkrimtari e shndërronte marrëdhënien e tyre dhe atë vetë në personazhe të romaneve të tij, siç ishte Ana tek “Përbindëshi”, Helena Kadare do të thoshte “Po, por ai vetë nuk ka qenë koshient, sepse ia kanë bërë këtë pyetje edhe shumë herë të tjera. “Pse ashtu është?! Jo nuk është ashtu”. Anën, e ka një personazh shumë të dashur, e ka përdorur shpesh.
Megjithatë, Helena Kadare, nuk e mendonte se ishte ajo personazhi. “Ky është një nder shumë i madh. Dhe i thosha vetes se është dikush tjetër, jo unë.”Por nuk ishte vetëm ajo personazh i romaneve të Ismail Kadaresë, ishin edhe historitë e dashurisë nga koha e studimeve në Moskë.“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.” Ditari, kujtonte shkrimtarja ishte i mbushur me Juba, Tanja e shumë të tjera. “Ai ma përsëriste shpesh: “Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”Jetën në krah të shkrimtarit të madh, Helena Kadare e ka sjellë të rrëfyer në “Kohë e pamjaftueshme”, librin autobiografik që nisi ta shkruante në vitin 1996, në Dubrovnik, edhe pse e dinte se do të ndeshej me kundërshtitë e shkrimtarit që nuk i parapëlqente librat autobiografikë.
“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.”
“Ai thoshte se nëse duhet të shkruash diçka, duhet ta shkruash në mënyrë të tillë që ta pëlqejnë ballkanasit, sepse ata vetë, i shpërdorojnë këto gjëra dhe më tepër janë narrativë, në mënyrë gojore.”Këshilla e Ismail Kadaresë për të shoqen ishte që t’i rrëfente me saktësi ngjarjet, ashtu si kishin ndodhur. “Duhet t’i thuash pa tabu. Mos u ndiko, as nga unë as nga ndokush tjetër!”Shkrimtarja ka rrëfyer se kjo i shërbeu t’i shkruante kujtimet pa drojë dhe se Ismail Kadare e mësoi t’i shkruante ato që mendonte pa bërë dredhi, “sepse lexuesi ka ndjeshmëri të jashtëzakonshme, që e kap menjëherë, kur përpiqesh të rrotullosh historinë, për të fshehur diçka.”Në rrëfimin retrospektiv Helena Kadare u ndal edhe tek jeta jo fort e lehtë gjatë komunizmit, ndërsa ka veçuar në disa momente që i kanë lënë shenjë edhe sot, një prej të cilëve ishte nga koha kur u botua poema “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur si “Pashallarët e kuq”.
“Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”
“Ai ka qenë një moment shumë-shumë i vështirë sepse ndodhi që ai kishte çuar një cikël me poezi te gazeta “Drita” dhe priste botimin në numrin e të dielës së radhës. Ishte një e diel me shi dhe unë, për habinë time, ndjehesha edhe pak euforike. Të dielave ne na thërrisnin aktivistet e lagjes, për të pastruar shkallët e pallatit dhe oborrin. Nga që binte shi unë mendoja “O sa mirë ajo gruaja nuk do na thërrasë sot”. Erdhi gazeta “Drita” poshtë derës. Unë e pashë dhe i thash Ismailit, “nuk është botuar cikli yt”. “Ashtu”, tha ai dhe u pre.”
Helena Kadare ka rrëfyer se poemën për të cilën e kishin kritikuar nuk e kishte lexuar më parë. “Pas kësaj filloi një histori, që ishte më e rënda nga të gjitha sepse u mblodh edhe Komitetit Qendror, u angazhua vetë Ramiz Alia dhe u thanë gjërat më të llahtarshme që mund të thuheshin, “Ti je armik”, “I hap rrugën imperializmit”. Ai ishte shumë i dëshpëruar, e dinte shumë mirë se çfarë kishte bërë. Pasuan ditë shumë të rënda…”Frika ishte ajo që i shoqëronte pas çdo botimi të ri. “Por ai nuk ligështohej”, ka thënë ajo Asnjëherë nuk pati kufizim brenda vetes, për të mos thënë diçka. Mënyrat dhe marifetet e tij, ishin të atilla që ajo që shkruante të kalonte por gjithsesi.”
“Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”.
Helena Kadare në rrëfimin e saj është ndalur edhe tek marrëdhënia e çiftit me familjen e diktatorit Hoxha. “Ne kemi qenë te familja Hoxha në vitin 1971.”Kohë kur Ismail Kadare do të shkruante Dimrin e Madh “dhe kishte kërkuar nga Arkivi, dokumentacionin e mbledhjes së 81 partive në Moskë. Ne shkuam dhe ishim në një ankth të madh sepse Enveri dukej një figurë e paarritshme. Ndërsa ishim duke biseduar me Nexhmijen, në mes të bisedës erdhi Enveri. Biseda ishte shumë interesante sepse ai tregoi shumë gjëra, jo vetëm për atë mbledhje, por edhe nga Gjirokastra, sepse ata ishin banorë të së njëjtës rrugicë. Ankthi, ishte i madh, për kohën që qëndruam atje.”
Shkrimtarja ka kujtuar edhe frikën pas çdo udhëtimi jashtë Shqipërisë të bashkëshortit. “ E kemi diskutuar disa herë bashkërisht, ikjen e tij në vitin 1983. “Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”. “Ai -Enver Hoxha- do të vdesë nga dëshpërimi nga ky gjest që unë do të bëj”. Ramë dakord të dy. Për gjatë një nate bëmë gati valixhet. i hapa astarin, futi dorëshkrimet dhe ia qepa, me mendimin se nuk do të kthehej…”
E ndalur në kohët e sotme, ku jeta e çiftit Kadare është e vendosur mes Tiranës dhe Parisit, Helena Kadare thotë se përditshmëria vijon të mbetet e njëjta. “Ai është “Princi” që nuk di të bëjë asnjë punë që e do çdo gjë gati dhe unë që vazhdoj t’i bëj njëlloj si të gjitha gratë shqiptare.”, ka thënë ajo, ndërsa çdo ardhje në Tiranë e sheh si gëzim të vazhdueshëm. “Madje, i kërkoj Ismailit që të rrimë në Tiranë, por kam vënë re se klima në Tiranë e lodh dhe e dëshpëron, sepse, për hir të së vërtetës ka edhe shumë agresivitet, të cilin ai e ndjen më thellë, sesa unë.”Nga libri i saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, zbulon se nuk ka harruar asgjë, por ishte Ismail Kadare që i hoqi rreth njëqind fare. “Ka hequr ca kujtime të mikeshave, shoqeve të mia. “Po çfarë i ke këto, kot?!”, ka përfunduar shkrimtarja, ndërsa është ndalur në etapat e një historie të gjatë dashurie e cila zuri fill me atë tregim të shkruar nga një gjimnaziste
Shkrimtari i njohur amerikan Egdar L. Doctorow shkruan diku për një emision në radio, me titull “Jeta me shkrimtarin”, ku në një bisedë me bashkëshortet e shkrimtarëve ishte edhe gruaja e tij. “Moderatorja e filloi emisionin me fjalët: Ne shpesh dëgjojmë se shkrimtarët janë egoistë, arrogantë, interesohen vetëm për kokën e tyre, ua vështirësojnë jetën njerëzve që kanë pranë – ah, sa të tmerrshëm janë. Dhe në këtë çast, gruaja ime, të cilën ajo ende nuk e kishte prezantuar, e ndërpret: Zonjë, nuk e dija që e njihnit burrin tim!”
M’u kujtua kjo bisedë kur mora vesh për lajmin e trishtuar të ikjes nga jeta të bashkëshortes së shkrimtarit Dritëro Agolli. Për një botues që merret me letërsinë shqipe, sidomos me majat e saj, kjo është situatë krejt e kuptueshme. Ndryshe nga publiku i gjerë, i cili komunikon me shkrimtarin nëpërmjet krijimeve të tij, gëzohet, lumturohet, trishtohet me personazhet e tij, shkrimtari i duket pak a shumë si një qenie që s’është e kësaj bote, sepse nuk ka rast ta shohë si fle, si zgjohet, si vishet, si ushqehet, si i pi ilaçet apo kur grindet, kur bërtet, kur është i padrejtë dhe ngulmon pamëshirshëm në të tijën. Dhe bëhet tjetër njeri, që kur bie celulari dhe fjala e parë, gjithë seriozitet, është: Alo. Një mobilizim i atypëratyshëm për njerëzit jashtë rrethit të tij.
E ndjeva këtë vuajtje të bukur të grave të shkrimtarëve te portreti dhe fjala e Sadijes në një rast kur po xhirohej një film nga TCH për Kadarenë. Ishte parashikuar që të dy shkrimtarët të takoheshin vetëm për vetëm, si dy miq të hershëm, te Bar Juvenilja. Ishte një ditë tetori, por ngaqë kishte rënë shi, bënte ca ftohtë. Po shfletonim shtypin e ditës, kur pamë të afrohej Dritëroi, i mbajtur për krahu nga Sadija. U ndjeva në siklet sepse duhej të ishte edhe Helena, nuk ishte menduar se do të vinin si çift. Dritëroi ende s’i kishte mbushur të tetëdhjetat dhe Sadija nuk i ndahej asnjëherë, në asnjë rast. Kur u afruan, vura re që të dy ishin të emocionuar dhe i ftohti sikur ua shtonte më shumë këtë ndjesi. Madje Kadareja, në vend të përshëndetjes, e pyeti Sadijen: “Pse je kaq e mallëngjyer?” Dhe përgjigjja e saj: “Ti më ke njohur me kët’ burrë. Jemi takuar në shtëpinë tande. Faleminers.” Dhe Kadareja që ia ktheu menjëherë: “Ohu sa gjëra kemi bërë ne me Dritëroin.
E kishte harruar vërtet Kadareja këtë fakt? Me siguri, po. Sepse për ata vetëm letërsia e tyre ekziston, vetëm ajo është më e rëndësishme dhe gjithçka tjetër, s’ka të bëjë me ta. Sepse shkrimtarët, qëkurse kanë lindur dhe janë në këtë botë, kanë vetëm një dashuri të padyshimtë, të përjetshme, pas së cilës vijnë dashuritë e tjera. Kjo është dashuria e shkrimtarit për letërsinë, një dashuri gati hyjnore. “Për veten dhe artin (që ish pjesë e vetes së tij) ai do të sakrifikonte, në fund të fundit, Emën”, – thotë Bardhyli te romani i parë i Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”. Bardhyli është alter egoja e autorit dhe ky pohim duket tepër i sinqertë për moshën kur është shkruar. Por ata mbeten po të njëjtët, rreth tyre rrotullohet bota.
Po si e kanë përballuar gratë e shkrimtarëve gjithë jetën këtë rivalitet në dashuri, si e kanë përjetuar ato dashurinë që mijërat e lexuesve kanë pasur në faza të ndryshme të jetës për bashkëshortët e tyre? Sepse edhe ato janë shpërblyer me një lumturi, pothuaj hyjnore: kanë pasur fatin e bukur dhe të rrallë në botë, që të përjetojnë të parat gëzimin e leximit të krijimit të sapolindur!
Apartamentet e Kadaresë dhe Agollit, dy shkrim-tarëve që kanë sunduar gjysmën e shekullit XX në lehtësinë shqipe, tashmë janë destinuar të bëhen muze. Por asgjë nuk mund të krahasohet me bashkëshortet e tyre, të cilat ruajnë në kujtesën, mendjen dhe shpirtin e tyre gjithçka që ka të bëjë me jetën e shkrimtarit. Ndaj, ikja e Sadije Agollit është humbja e një ure që na lidhte me shpirtin e Dritëroit. Pjesa tjetër, kryesorja, sigurisht, sikundër thotë vetë poeti, me fjalët e tij: “Do të më gjeni në raftin e librave.” /BujarHudhri/ KultPlus.com
Kush ishte në të vërtetë Juda Iskarioti:një tradhtar apo një dishepull besnik? Deri më sot, emri “Juda” është sinonim i tradhtisë. Ai akuzohet se si dishepull i Jezu Krishtit, dhe e shiti këtë të fundit tek romakët për 30 monedha argjendi. Mitologjia rreth Judës dhe Jezusit, qëndron në themelin e besimit të krishterë.
Por historianët nuk janë të bindur, nëse kjo histori biblike është historikisht e saktë. “Askush nuk ka arritur të gjejë burime të pavarura mbi Judën në rrëfimet e Testamentit të Ri”- shkruan Suzan Gabar nga Universiteti i Indianas në SHBA, në librin e saj “Juda:Një biografi” .
“Shumë pak vargje në Bibël i kushtohen Judës. Dhe ato pajtohen mbi atë se ai ishte dishepulli
që ua dorëzoi Jezusin autoriteteve të Jeruzalemit”- shprehet ajo. Sipas Testamentit të Ri, Juda e identifikon Jezusin tek romakët, duke e puthur në faqe. Një tekst i lashtë 1200 vjeçar egjiptian, i përkthyer në vitin 2013, sugjeron se ai e bëri këtë, pasi Jezusi ishte i njohur për “ndryshimin e pamjes së jashtme”, çka e bënte të vështirë identifikimin e tij.
Ungjijtë e Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit, si dhe Veprat e Apostujve, tregojnë që të gjitha historinë e tradhtisë së Judës. Por ato nuk japin më tepër informacione mbi Judën, pra ku lindi, ku vdiq, kush ishte familja e tij etj. Por të gjitha tregimet thonë se Juda, dikur një ndjekës besnik i Jezusit, për ndonjë arsye apo tjetrën u kthye kundër tij, duke ua dorëzuar atë autoriteteve romake, në këmbim të një shpërblimi monetar.
Për më tepër, Ungjilli i Gjonit thotë se Jezusi tashmë e dinte që Iskarioti synonte ta tradhtonte. Ndaj iu afrua apostullit para darkës së fundit, duke i thënë:”Atë që kë ndërmend ta bësh, bëje shpejt!”. Të katër Ungjijtë, përshkruajnë Judën si një formë të së keqes.
Edhe mbiemri i tij, “Iskarioti”, konsiderohet nga disa historianë si një bastardizim i fjalës latine “sikarius”, që do të thotë “vrasës”. Sipas disa tregimeve, Juda u vu nën kontroll nga fryma e Djallit. Të katër Ungjijtë, pretendojnë që Juda bëri vetëvrasje menjëherë pasi e tradhëtoi Jezusin. Sipas Veprave të Apostujve, vetëvrasja e tij ishte prekëse. “Me paratë që mori për tradhëtinë e tij, Juda bleu një arë. Atje u rrëzua përtokë me këmbët e thyera, trupi i tij shpërtheu dhe zorrët e barkut i dolën jashtë. Të gjithë në Jeruzalem dëgjuan mbi këtë gjë, prandaj e quajtën atë fushë në gjuhën e tyre “Akeldama”, që do të thoë “fushat e gjakut”.
Po çfarë e nxiti Judën ta tradhtonte mjeshtrin e tij? Disa studiues, mendojnë se Juda nuk e ka tradhtuar Jezusin, dhe se Bibla e ka keqinterpretuar figurën e tij. Disa historianë, thonë se një fraksion hebrenjsh radikalë, shpresonin ta përdorin ndikimin e Jezuit si një mjet për t’u përballur me romakët.
Mbiemri i Judës, nënkuptonte se ai ishte një pjesë e një grupi të dhunshëm hebrejsh të quajtur “Sicarii”, që ishin pjesë e lëvizjes radikale të Zelotëve . Këta ishin si atentatorë politikë,që mbanin me vete thika të vogla ose “sica”, dhe sulmonin ushtarët ushtarët romakë nëpër rrugë.
Në fakt, edhe në Bibël thuhet se Jezuzi kishte lidhje me Zelotët më të njohur, siç ishte Simon Zeloti.
Zelotët kishin nisur një rebelim kundër romakëve, të cilët kishin pushtuar Izraelin. Ata panë tek Jezusi një mundësi për të dëbuar shtypësit e tyre. Siç shkroi historiani romako-hebre i shekullit I Jozefi:”Kur zelotët e panë aftësinë e Jezusit, për të bërë gjithçka që dëshironte vetëm me fjalët që thoshte, ata i kërkuan që të hynte në Jeruzalem, të shkatërronte trupat romake, dhe të shpallte veten mbret, por ai nuk i dëgjoi”.
Për të përcaktuar nëse ai ishte apo jo Mesia i vërtetë, Zelotët vendosën ta nxjerrin atë në gjyq. Në versionin grek të Biblës, folja e përdorur për të përshkruar përballjen e Judës me Jezusin në darkën e fundit është “paradidomei” që përkthehet “e dorëzoi”.
Ndaj, kur Juda e dorëzoi Jezusin para autoriteteve, kjo nuk ishte një tradhti, por një përpjekje për të provuar nëse ai mund të ishte Mesia, që do të udhëhiqte një grupim radikal në një revoltë kundër shtypësve të huaj. Shkrimtari i parë i madh i krishterë që diskutoi mbi tradhtinë e Judës ndaj Jezusit, ishte Origjeni nga Aleksandria.
Në shkrimet e tij, ai hedh poshtë pretendimet e teologut bashkëkohor Celsus, që pohonte se Juda nuk e kishte tradhëtuar Jezusin. Shkrimtarët e mëvonshëm, e përforcuan këtë linjë, dhe e bënë “tradhtinë” e Judës një tipar përcaktues. Por disa studiues modernë si Ejprill Dekonik, profesore e studimeve biblike në Universitetin Rajs, besojnë se demonizimi i Judës u përdor për të dënuar jo-të krishterët.
“Me historinë e tij u abuzua ndër shekuj, si një justifikim për të kryer mizori kundër hebrenjve”- thotë ajo. Në vitin 2006, u zbulua një i ashtuquajtur “Ungjilli i Judës”, një tekst i humbur i shkruar në koptishten egjiptiane rreth vitit 300 Pas Krishtit. Ai tregon një Judë jo të lig, por një shërbëtor besnik ndaj Jezusit, që bëri vetëm atë që i kërkoi zotëria i tij.
Sipas këtij Ungjilli, Jezuzi i kërkoi vetë që ai ta tradhëtonte, për të përmbushur profecinë e tij. Ai i mësoi Judës shumë gjëra mbi natyrën e shpirtrave dhe Ardhjen e tij të Dytë. Edhe librat islamë mbi Judën, e shfajësojnë apostullin, dhe pohojnë se ai e tradhtoi Jezusin, vetëm si një mjet për ta ndihmuar atë të arrinte synimin e tij përfundimtar të martirizimit për hir të njerëzimit. Një version tjetër sugjeron se Juda zuri vendin e Jezuit në kryq, dhe vdiq në vend të tij./cna.al/ KultPlus.com
Ashtu siç kemi parë dhe në mjaft dokumente të tjera të botuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Komiteti i Arteve etj., herë pas here dërgonin në Komitetin Qendror të PPSH-së raporte, informacione e relacione të ndryshme që kishin të bënin me krijimtarinë artistike, kryesisht ato të librit artistik dhe botimet e tjera që këto mbulonin në rrugë zyrtare.
Kjo gjë, pra diktati që ushtronte regjimi komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ka qenë evident në mënyrë permanente që nga krijimi i Lidhjes, por u vendos si rregull kryesisht që nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha lëshoi kritikat e para ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizion, gjë e cila i parapriu një furtune të vërtetë mbi shkrimtarët dhe artistët, ku shumë prej tyre me në krye dy shefat kryesorë, Fadil Paçramin e Todi Lubonjën përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist e shumë të tjerë u shkarkuan nga funksionet e postet që mbanin dhe u dërguan “për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore”. Në këtë kuadër, pra në vazhdën e informimit të Komitetin Qendror të PPSH-së lidhur me problemet e botimeve që e shqetësonin atë sektor, aty nga fundi i muajit korrik të vitit 1979, shefi i shtypit pranë atij aparati, Miti Tona, u ka dërguar eprorëve të tij një raport-informacion prej tetë faqesh, të titulluar “Mbi disa probleme të dorëshkrimeve në poezi”. Siç do të shohim edhe nga raport-informacioni në fjalë, problemi që ngrihet aty ka të bëjë jo me krijimtarinë artistike të botuar, por me vëllimet që dergjeshin prej kohësh sirtarëve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe nuk e shikonin dritën e botimit, pasi ata konsideroheshin me “gabime ideore”! Ndër këto vëllime, shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, ka zgjedhur si “më problematikët” librat e katër autorëve të njohur siç ishin: Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku dhe Visar Zhiti, ku ky i fundit asokohe ishte një poet i ri nga provinca (familja e tij gjysmë e internuar në Lushnje) dhe nuk kishte as emrin dhe jo e jo famën e tre kolegëve të tij, që kishin botuar prej vitesh libra me krijimtarinë e tyre.
Por që çuditërisht siç do ta shikojmë edhe nga dokumenti me raport-informacionin në fjalë, ai (Zhiti), do ta pësonte më shumë se tre kolegët e tij që bëhet fjalë në atë dokument, madje duke përfunduar prapave hekurave të burgut. Në analizën e bërë poezive të këtyre katër autorëve, (që me shumë gjasa është bërë nga kritikët apo redaktorët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”) shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, Miti Tona, si një kritik i vërtetë letrar, ka analizuar me detaje deri në figuracione artistike disa nga poezitë e tyre, duke i konsideruar ato me probleme ideore dhe të pabotueshme. Ajo që bie në sy është fakti që: edhe pse raporti i tij (Miti Tona), nuk është shumë i ashpër, madje krahasuar me shumë raporte, informacione e relacione që përmbajnë dokumente të tjera që kemi publikuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, është disi i butë dhe aty në përfundim të tij, ai u ka bërë me dije eprorëve të tij, se: “Pavarësisht nga këto të meta, në tërësi poezia jonë ka përmbajtje të shëndoshë ideore, është mbështetur fuqimisht në mësimet e Partisë dhe të shokut Enver dhe kryen me dinjitet misionin e vet”. Pra, tek ai raport duket se mbizotëron ana pozitive e problemit, që është trajtuar dhe marrë në analizë, apo siç thuhej rëndom asokohe në raporte të ndryshme (jo vetëm tek ato të letërsisë dhe arteve) se: “E përgjithshmja është pozitive”. Por siç duket, i atij mendimi nuk ka qenë Ramiz Alia, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte artet, kulturën dhe propagandën, i cili në raport-informacionin në fjalë, (në faqen e parë), mes të tjerash ka shkruar: “Duhen kritikuar fort si të huaja për artin tonë. Asnjë lëshim nuk duhet bërë. T’u pritet rruga përpjekjeve të tilla të çoroditura e në kundërshtim me realizmin socialist. Mos e nënvleftësoni këtë çështje se mund të bëhet e rrezikshme. Më njoftoni përfundimin”. Përveç këtij shënimi, në faqe të parë të dokumentit që ka qenë një praktikë e njohur për të gjithë titullarët partiakë dhe shtetërore të cilëve iu adresohej, ajo që vihet re në atë korrespodencë shkresore të Ramiz Alisë me vartësit e tij, (si psh. Jakup Mato, Miti Tona etj.) është edhe një letër gati një faqe me një shënim të gjatë të tij, ku te fjalia e fundit, ai (Ramizi), ka shkruar: “Jam dakord me masat që propozohen. Të zbatohen. Për ndonjërin dhe çojeni deri në fund, bashkë me organizatat e tjera këtë problem”.
Gjë e cila duket se ka rezultuar fatale për poetin e ri Visar Zhiti, pasi atij jo vetëm që nuk iu botua vëllimi poetik që kishte dërguar që nga viti 1972 në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, por ai përfundoi prapa hekurave të burgut, si “armik i popullit” dhe pikërisht për ato poezi…! Gjë tjetër që vihet re edhe nga faksimilet përkatëse të këtyre dokumenteve arkivore që po publikojmë për herë të parë në këtë pjesë të librit, është edhe fakti se në korrespodencën shkresore për raport-informacionin në fjalë, ku merren në analizë poezitë e Zhitit dhe tre kolegëve të tij, në një shkresë përcjellëse që në fund mban firmën e Ramiz Alisë, (i cili në ato ditë u nis për në Paris për të shoqëruar Hysni Kapon të sëmurë rëndë), atë ditë kanë firmosur edhe gati gjysma e Byrosë Politike si: Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Foto Çami, Xhelil Gjoni dhe Miti Nito e Mehmet Karakushi, instruktorë në Komitetin Qendror për artin, kulturën dhe propagandën. Këtë letër Ramiz Alia ia ka dërguar fillimisht vetëm Hekuran Isait dhe Simon Stefanit, dy sekretarëve të sapozgjedhur të Komitetit Qendror, (asokohe zëvendësuan Hysni Kapon, që sapo kishte vdekur), gjë e cila do të thoshte se: me personin e përmendur në atë raport, tashmë kishin punë organet e Diktaturës së Proletariatit, si Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, prokuroria dhe gjykatat, që i mbulonin në rrugë partie, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Nuk dihet me saktësi se përse nga ata katër shkrimtarë: Agim Gjakova, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Visar Zhiti, u përzgjodh ky i fundit, “për t’i shkuar deri në fund problemit” siç sugjeronte në shënimin e tij Ramiz Alia. Ky fakt, aq sa pikëpyetje ngrinte asokohe, aq edhe i thjeshtë dhe i lexueshëm bëhet kur e shikojmë dhe analizojmë sot që kemi dhe dimë mjaft gjëra, që asokohe as nuk i shkonim nëpër mend. Pasi: ndërsa Agim Gjakova ishte me origjinë kosovar dhe në ato vite Tirana zyrtare duket se po kalonte “muajt e mjaltit” me “miqtë kosovarë” dhe Agim Isaku e Rudolf Markun kishin përkrahjen e Dritëro Agollit, (në atë kohë Agolli shkoi vetë në Lezhë dhe bisedoi me sekretarin e parë për Rudolf Markun), Visari nuk kishte përkrahje fare dhe i vetmi njeri, Xhevahir Spahiu, që e kishte ndihmuar e përkrahur duke i botuar disa poezi te “Nëntori”, tashmë po kalonte për vete ditë të vështira, pasi ishte kritikuar personalisht nga Enver Hoxha. Po kështu “përzgjedhja” e Zhitit për t’u dënuar ndoshta lidhej edhe me faktin se ai ishte më i ri në moshë se tre kolegët e tij dhe nuk kishte libra të botuar, gjë e cila në një farë mënyre e kursente shtetin, duke mos çuar libra për karton dhe të mos hiqte nga qarkullimi tekste mësimore ku ishin emrat e Gjakovës, Isakut dhe Markut. Por ajo më kryesorja që tre poetët u shpëtuan hekurave të burgut apo internimit (si shumë kolegë të tyre në ato vite) dhe ai “fat” i ra vetëm Zhitit, ishte ana biografike, pasi Visari kishte pasur babanë (Hekuran Zhiti) në burg dhe një nga xhaxhallarët, (ish-mësues që nga koha e Monarkisë dhe poet që shkruante dhe botonte poezi që nga fillimi i viteve ’30-të), i cili ishte arrestuar menjëherë pas mbarimit të luftës dhe kishte vdekur nga torturat në qelitë e Degës së Brendshme të Beratit në vitin 1945, pa dalë në gjyq! Kjo gjë “mjaftonte” që pas shënimit të Ramiz Alisë, vartësit e tij ta kishin më të lehtë për ta “përzgjedhur” atë, siç dhe ndodhi në të vërtetë. Por atë gjë, si duket ua “lehtësoi” edhe vetë Visari, pasi që nga viti 1973 kur ai e dërgoi për herë të parë atë vëllim poetik pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e deri në vitin 1979 që ai u arrestua, redaktorët dhe shefat e sektorit të poezisë ia kthyen atë disa herë “për përmirësim”, por ai jo vetëm që nuk e “përmirësonte”, por ua dërgonte atë më me shumë probleme. Gjë e cila citohet edhe në raport-informacionin e firmosur nga Miti Tona dhe atë “kokëfortësi” Zhiti e pagoi shtrenjtë, “duke shkuar me këmbët e tij në burg”. Por siç thotë populli, “jo çdo e keqe vjen për keq”, pasi ndërsa gjatë periudhës së vështirë të hetuesisë, Visari i shkruante poezitë në mendjen e tij, pasi hetuesi jo rrallë e kontrollonte edhe aty, duke i thënë; “Çfarë po mendon tani”, apo në zgafellat e thella të minierave të Spaçit a Qafë-Barit, ku ai kaloi vite të tëra, poezitë i fshihte në shoje këpucësh apo çorape leshi që kundërmonin nga çizmet dhe policët nga ndonjëherë “lëshonin pe” dhe nuk i kontrollonin, pas viteve ’90-të, Zhiti u bë një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur, ku shumë nga librat e tij janë botuar dhe vazhdojnë të botohen e përkthehen edhe jashtë vendit e për të ka shkruar jo rrallë edhe shtypi i huaj. Si psh,. gazeta prestigjioze italiane, “La Republica”, e cila në një nga numrat e saj në vitin 1998, midis të tjerash shkruante: “Para këtij volumi doli në italisht më 1998 ‘Shkrimtarë nga burgu’ (Feltrineli), përkthim i ‘This Prison Whehre I Live’ (Ky burg ku unë jetoj), botuar dy vjet më parë nga Cassell Academic në Londër, për të shënuar 75-vjetorin e Pen Klubit dhe për të përkujtuar “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë, që janë dënuar padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë viteve”. Tani ja kjo përmbledhje e dytë, që edhe pse e titulluar me një si apel lirie, është shkruar përsëri nga persona të cilët gati të gjithë e kanë humbur lirinë për periudha pak a shumë të gjata, kanë pësuar burgun, torturën, arrestin apo ekzilin”. Më pas po në këtë artikull të “La Respublica”, autori i saj duke cituar shkrimtarin me famë botërore, Umberto Eko, shkruan: “Shihet qartë në këtë libër ngjarja e Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese ‘të trishtuara dhe hermetike’, e pra kundër regjimit. Pastaj, praktika ia kaloi automatikisht Komitetit Qendror të partisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Puna është se, poezia i shkaktonte frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit për trëndafila”. Kështu e ka përkufizuar shkrimtari i famshëm fatin tragjik të Zhitit nën regjimin komunist, gjë e cila bën fjalë edhe në këto dokumente arkivore, që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri. (Dokumentet botohen me shkurtime dhe të plota do të jenë në librin “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”.
Raporti i shefit të shtypit, Miti Tona, për Komitetin Qendror INFORMACION MBI DISA PROBLEME TË DORËSHKRIMEVE NË POEZI
Muajt e fundit, siç raporton drejtoria e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, asaj i kanë ardhur disa dorëshkrime me poezi, të cilat krahas poezive të shëndosha ideologjikisht dhe me nivel artistik, ka edhe disa krijime me recidive të poezisë formaliste, hermetike, me figuracion të paqartë e të errët, pra me disa nga ato të meta dhe dobësi që u kritikuan në Plenumin e IV të K.Q. të Partisë për Letërsinë dhe Artet. Pikërisht këto poezi, një pjesë e të cilave janë edhe të autorëve të njohur, nuk janë botuar. Për këto në adresë të redaksisë së poezisë, disa krijues, kryesisht poetë, kanë filluar të flasin se: “në sirtarët e Shtëpisë Botuese qëndron ‘poezia e mirë’”, “në redaksinë e poezisë ka tendencë për të qenë brenda’, “se nuk po inkurajohet talenti i vërtetë”. Autorët e këtyre thënieve janë ose autorët e vetë dorëshkrimeve të pabotueshme, ose recensentë. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëpërmjet Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka paraqitur kallëzim kundër Srgjan Gjorgjeviç me banim në Artanë (Novobërdë) dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia, konkretisht Beogradi, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e Revitalizimit të Kalasë së Artanës.
Kallëzimi penal ndaj
të sipërpërmendurve është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se të
dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviç
duke vepruar në emër të kompanisë “Koto” në cilësinë e mbikëqyrësit të
Projektit për Revitalizimin e Kalasë së Artanës (Novobërdës) ka kryer veprën
penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose
objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto”
mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.
Kallëzimi penal ndaj të dyshuarve është me
arsyetimin se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas marrjes së njoftimit
lidhur me dëmtimet në Kalanë e Artanës më datë 5 shtator 2019 ka dalë në vendin
e ngjarjes, ku pas takimit me mbikqyrësin e kompanisë “Koto” (tani të
dyshuarin) e cila po kryen punimet për revitalizimin e Kalasë, ka konstatuar
dëmet që i janë shkaktuar mureve të jashtme të Kalasë, si plasaritje të thella
të tyre dhe eventualisht ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme. Ky
veprim është paraparë si vepër penale sipas ligjit dhe me të drejtë MKRS-ja ka
nisur procedurat para vënies para drejtësisë dëmtuesit e trashëgimisë kulturore
në Kosovë.
Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës
financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryej
punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesional të Institutit të Kosovës për
Mbrojtjen e Monumenteve. Më datë 2 shtator 2019 duke mos përfillur obligimet
për të njoftuar organin mbikëqyrës e cila është në kundërshtim edhe me Ligjin për
Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një eskavator dhe ka filluar që t’i
rrënoj muret rrethuese të Kalasë. Me këto veprime të cilat janë në kundërshtim
edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të
trashëgimisë kulturore, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të
trashëgimisë tonë kulturore.
Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lartë qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, si MKRS i kemipropozuar Prokurorit të Shtetit, që ndaj të dyshuarin të ngrisë Aktakuzë në Gjykatën kompetente me propozim që të dënohet sipas ligjit. /KultPlus.com
Ata kanë qenë heronjtë e vegjël të kinematografisë shqiptare, madje mund të cilësohen edhe si muzë frymëzimi për shumë bashkëmoshatarë të tyre (të asaj kohe).
“Beni ecën vetë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Mimoza llastica”, “Taulanti kërkon një motër”, “Në shtëpinë tonë”, “Partizani i vogël Velo” e të tjera prodhime kinematografike, mbeten edhe në ditët tona filmat më të dashur. Po ku janë sot protagonistët e vegjël? A vazhdojnë ata të jenë pjesë e kinematografisë shqiptare? E zbulojmë bashkë në vijim.
Herion Mustafaraj
Ai do të ishte fëmija më i famshëm i viteve ‘80, sepse edhe rolet e tij do të ishin të shumta. “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Shoku ynë Tili”, “Sinjal dashurie”, “Rikonstruksioni”, janë disa nga filmat në të cilët Herioni ka interpretuar, por për publikun mbetet ende i dashur roli i Benit në filmin “Beni ecën vetë”, me regji të Xhanfize Kekos. Ndonëse e nisi karrierën si aktor në moshën 6-vjeçare, ky pasion i Herionit nuk vazhdoi shumë gjatë. Pas viteve ‘90 ai u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u mor përsëri me art, duke punuar në teatrin e vogël të fshatit ku jetonte, në Massacusetts. Ndërsa për publikun shqiptar u shfaq si prezantues i Festivalit të 41-të në RTSH. Së fundmi ai është kthyer si protagonist në artin shqiptar, me rolin në “Hotel 2XL” sezonin e shkuar, prezantimin e eventit “Netët e Klipit Shqiptar” dhe së fundmi si konkurrent në “Dance With Me”.
Eptan Lohja
A ju kujtohet ai djali bullafiq dhe trazovaç, që nuk linte dy gurë bashkë, në filmin “Në shtëpinë tonë”? Ai është Eptan Lohja. Edhe Eptani, si shumë nga kolegët e tij, nuk e vazhdoi rrugën e artit, por mori një tjetër drejtim në jetë. Studimet e larta i kreu për Inxhinieri dhe punon prej 16 vitesh si Drejtor Marketingu në “Tv Klan”. Ai është martuar dhe ka një djalë e një vajzë.
Zhaklina Dhimojani
Të gjitha vajzat e duan “Mimoza llasticën”, sepse te ky personazh e gjejnë veten më së miri. Zhaklina Dhimojani shkëlqeu duke lënë pas emrin e saj, por arti nuk do të ishte më prioritet për të. Aktualisht jeton në Bern të Zvicrës, ku ka punuar si përkthyese në Zyrën Federale të Refugjatëve, dhe ka ndërtuar atje familjen e saj. Vajza e saj Alex, është një nga modelet më të njohura në këtë qytet.
Enea Zhegu
“Tomka dhe shokët e tij” ka qenë një ndër filmat më të dashur për fëmijë i viteve ‘77. Një tjetër sukses i regjisores Xhanfize Keko, por që nxori në pah edhe aftësitë e një aktori të vogël si Enea Zhegu (Tomka). As Zhegu nuk e ka vazhduar rrugën e vështirë e të bukur të aktrimit.
Genci Mosho
Ai ishte një djalë shumë çapkën dhe ka spikatur me rolet e tij. I përkëdheluri i teta “Xhanos” (Xhanfise Kekos, – sepse regjisorja e kishte shumë për zemër dhe ai nuk mungonte në filmat e saj), Genci zgjodhi të bëhej arsimtar dhe jo aktor. Megjithatë nuk është shkëputur nga arti, sepse i ndjek me kuriozitet zhvillimet artistike në kryeqytet, ndërsa nxënësit e tij i çon shpesh pranë kinemasë së Arkivit të Filmit, për t’i njohur më mirë me kinematografinë shqiptare.
Selma Sotiriadhi
A ju kujtohet “tullumbacja” tek filmi “Beni ecën vetë”? Selma Sotiriadhi, vogëlushja që ka interpretuar edhe në filmat “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Dollia e dasmës sime”, “Pranverë në Gjirokastër” dhe “Mësonjëtorja”, kur u rrit nuk preferoi të bëhej aktore, por të vazhdonte studimet për gjuhët e huaja.
Manjola Begolli (Gjoni)
Sa herë që flitet për sportin e shahut, atë e lidhim me figurën e Rudinës në filmin “Dy herë mat”. Me regji të Bujar Kapexhiut, ai është një nga filmat komedi më të bukur, që ka mbetur në arkivin e filmave shqiptarë si një pasuri e padiskutuar. Por Manjola nuk ia kushtoi kohën e saj artit, sepse studimet i vazhdoi për Ekonomik dhe është drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Ndërsa me emrin “Rudina” ka fituar një shoqe shumë të ngushtë, siç është moderatorja e suksesshme e programit të pasdites në “Tv Klan”, Rudina Magjistari.
Petro Papakosta
“Sa të çliroj Shqipërinë dhe erdha…” është batuta më e famshme e filmit “Partizani i vogël Velo”. Petro Papakosta i përket sot botës së letrave, pasi i është përkushtuar të shkruarit dhe ka nxjerrë në treg shumë botime me poezi dhe ese.
Donald Kokona
Ai nuk kërkon më një motër, por disa projekte, sepse Donald Kokona, i njohur nga të gjithë në filmin “Taulanti kërkon një motër”, është sot një arkitekt shumë i suksesshëm. Daljet e tij publike nëpër programe të ndryshme televizive i kushtohen tashmë vetëm profesionit si arkitekt dhe nuk kanë më lidhje me artin dhe filmin. Në moshën katërvjeçare ai u përzgjodh nga regjisorja Xhanfize Keko për të qenë pjesë e atij filmi për fëmijë, i cili e bëri atë fëmijën më të famshëm për kohën. Filmi i tij i fundit ishte “Shpella e piratëve”, i xhiruar në vitin 1990./aktoretshqiptare.info/ KultPlus.com
E vendosur në rrugicat karakteristike të Shkodrës, Shenjtorja shtatshkurtër Nënë Tereza, ka vendin e saj në Shkodër në një banese dykatëshe e cila ka prej dy vitesh statusin e monumentit të kulturës, transmeton Shqiptarja.
Është shtëpia ku ka jetuar familja e Nëne Terezës për rreth 5 vite në banesë, që edhe sot mirëmbahet nga Tonin Prela. Ky i fundit i indinjuar nga harresa që i ka bërë shteti ai nuk pranon të flasë, por hap dyert e kësaj banese e cila flet shumë.
Në banesë janë ende karriget dhe tryeza e viteve 30-të, ndërkohë që në katin e dytë është edhe shtrati i cili mendohet se ka fjetur Nëne Tereza gjatë qëndrimit të saj në Shkodër.
Por kjo vlerë dhe ky vend i shenjtë nuk vlerësohet nga askush duke mos e përfshirë as në guidat turistike në Shkodër.
Konferenca e IV-të Shkencore Ndërkombëtare për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim (ICLLD 2019), e organizuar nga Kolegji AAB, Fakulteti i Gjuhës Angleze dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, në partneritet me Universitetin Pedagogjik të Polonisë, Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe Universitetin “Shën Klementi” nga Maqedonia e Veriut, do të ketë hapjen solemne më datë 7 shtator në ora 10:30 në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB.
Konferenca Shkencore për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim ka krijuar tashmë një traditë në Kolegjin AAB për studiues vendorë e ndërkombëtarë dhe është e vetmja në Kosovë që trajton problematikat e linguistikës, letërsisë e edukimit. / KultPlus.com
Fillimisht, duhet ta ndajmë çështjen duke shtruar dy pyetje, si zbërthim të pyetjes – titull të këtij shkrimi: Çfarë ishte “Meshari” i dom Gjon Buzukut dhe çfarë konsiderohej “letërsi” në kohën e dom Buzukut.
Fillimisht merremi me “Mesharin”. Ai libër sot gjendet në bibliotekën e Vatikanit dhe është shumë e vështirë që të merret për studime, ama një kopje digjitale e tij gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si dhuratë që Ati i Shenjtë, Papa Françesku na bëri gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2014. Prandaj, nëse dikujt i nevojitet studimi i tij, kopja në Bibliotekë (nëse nuk është përmbytur sivjet apo djegur vjet) mund të jetë një ndihmë e vyer.
Mesharët, si libra, ekzistojnë akoma edhe sot. Nisur nga emri, do të thotë se ai libër të orienton se si të thuash meshën, pra se si të meshosh. Përdoret në çdo meshë dhe thuajse çdo ditë ndryshon, veçanërisht ndër të kremte të rëndësishme.
I tillë ishte edhe “Meshari” i dom Buzukut. Sipas studiuesve të pacituar në libër “Letërsia e Hershme Shqipe e prof. Fatbardha Hoxhës, libri përmban lëndë të ndryshme fetare, meshët e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të orëve, (termi “librit” është përdorur gabim, pasi duhet “liturgjive”) ose të lutjeve, pjesë të ritualit të katekizmit. Meshari (pra ajo çfarë shpjegova më lart) zë dy të tretën e vëllimit.
Tani besoj se pyetja e parë, shumë më e thjeshtë në zbërthim se pyetja e dytë, është e qartë. Le të provojmë, gjithnjë modestisht, t’i japim përgjigje pyetjes së dytë.
I pari që bën dallimin mes termit “letërsi” dhe “joletërsi” për tekstet e shkruara është Aristoteli, i cili në veprën e tij “Poetika”, thotë shprehimisht:
Letërsi janë ato tekste ku fjala artistike është mjeti themelor i realizimit të strukturës së tyre. Nisur nga ky pohim, teoricienë të mëvonshëm do të thonin se letërsia ka parësor funksionin estetik, si dhe ngjalljen e përjetimit estetik te marrësi i saj.
Nga ana tjetër, po të merremi me termin letërsi, sikurse citon Milivoj Solar qysh në krye të studimit të saj “ Hyrje në Shkencën për Letërsinë”, në mend na vjen fjala “literaturë” me prejardhje nga latinishtja “litteratura”. Etimologjikisht, literaturë e ka rrënjën në fjalën “littera” që do të thotë “shkronjë”. Ajo e lidh temrin “literaturë” me gjithçka të shkruar, pasi mund të ketë literaturë shkencore apo fetare. Ndërsa termin letërsi e barazon me termin “art poetik” për të cilin dallimin e qartë e jep Aristoteli ashtu sikurse cituam më lart.
Në raport me dom Buzkun, Aristoteli është shumë i hershëm ndërsa Solar shumë vonë. Por duke qenë se të dy ndajnë një mendim me më shumë pika të përbashkëta se sa ndasi, mund të themi se qysh nga koha e të parit, deri në kohën e të dytit ka ekzistuar, me ndonjë ndryshim të herë pas hershëm, një ide thuajse e njëjtë për letërsinë.
Teksti i “Mesharit” të Buzukut, nuk synon të na japë kënaqësi estetike, ndërkohë që lexohet. Ai synon t’i vijë në ndihmë meshtarit që meshon, besimtarit që dëgjon dhe atij që do të njohë fenë.
Prandaj mund të themi, dhe realisht duhet ta bëjmë, se “Meshari” nuk është libri i parë i letërsisë shqipe, por libri i parë i shkruar në shqip./KultPlus.com
Para se të kthehet në botën e Marvel me Thorin e ri dhe t’i xhirojë edhe disa filma të tjerë, Taika Waititi është i gatshëm ta publikojë filmin e tij të ri – “Jojo Rabbit”.
Përveç regjisë dhe skenarit, regjisori i Zelandës së Re është përfshirë në film edhe me një rol aktrimi, dhe atë në rolin e vetë Adolf Hitlerit.
Kohë më parë u prezantua teaseri i parë i cili na zbuloi Waititin dhe portretizimin e tij qesharak të udhëheqësit nazist, ndërsa traileri më i ri dhe i gjatë gjithashtu na zbulon ngjarjen e filmit.
Roman Griffin Davis shfaqet në rolin nga titulli, ai është anëtar i rinisë së Hitlerit, dhe zbulon se nëna e tij (Scarlett Johansson) në papafingon e shtëpisë së tyre e fsheh një femër të re hebraike (Thomasin McKenzie), e cila ia shkatërron plotësisht të gjitha besimet e nxitura nga propagandat, të cilat ai i ka mësuar nën regjimin nazist.
Edhe pse filmi duket argëtues dhe interesant, si duket ai e mbart me vete edhe një mesazh të thellë. Se cili është ky mesazh, këtë do ta zbulojmë në fillim të janarit, kur filmi do të fillojë me distribuim në kinema. /KultPlus.com
“BBC” ka raportuar se ish-zonja e parë e Hondurasit, Rosa Elena Bonilla, 52-vjeçare, është dënuar me 58 vjet heqje lirie për shkak të blerjes së stolive të ndryshme të arit me fonde shtetërore.
Në sallën e gjyqit është deklaruar e pafajshme duke thënë se gjykata do të pendohet për këtë veprim.
Bonila është shpallur fajtore pasi që në mënyrë të kundërligjshme me paratë e shtetit ka blerë stoli në vlerë prej 779 mijë dollarë, gjatë mandatit katërvjeçar të bashkëshortit të saj Porfirih Lob.
Në seancën gjyqësore është thënë se ajo ka shfrytëzuar paratë për blerjen e stolive, ka bërë pagesa pas kontrolleve nëpër qendra të ndryshme të bukurisë si dhe për shkollimin e fëmijëve të saj.
Kujtojmë që Bonilla është arrestuar në shkurt të vitit të kaluar, pas një hetimi disamujor për shkak të “zhdukjes” së fondit publik, përfshirë edhe atë për blerjen e rrobave për fëmijët e varfër të Hondurasit.
Në pranga ka përfunduar edhe asistenti i saj personal Saul Escobar, i cili është dënuar me 48 vjet burgim.
Udhëtimi i vajzës së vogël me sytë e kaftë të thellë, nga Shkupi drejt Indisë, për tu kthyer në një simbol të bamirësisë në botë, mund të lexohet në shënimet e të afërmeve dhe bashkëkohësve.
Lorenc Antoni do të ruante me dashuri të madhe deri vonë, shënimet e hedhura në ditar mbi kohët e kaluara me kushërirën Ganxhe, ashtu siç i thërrisnin Goxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës).
“Në mbrëmjen e 25 shtatorit 1928 në të gjithë u tubuam në shtëpinë e Ganxhes për ti dhënë lamtumirën. Secili i kishte blerë ndonjë dhuratë: ndonjë laps, libër, etj. Ndonjë kujtim në shenjë të mirënjohjes. Unë i dhashë një stilograf të artë, të cilën ajo e ruajti dhe e përdori për një kohë të gjatë më pas. Të nesërmen më 26 shtator ishte dita e largimit të saj. Shumë kishin dalë për ta përcjellë, fëmijë, të rinj, pothuajse mbarë famullia, madje edhe shokët e shkollës. Të gjithë i kishin mbërthyer sytë në të, të mbushur me pyetje të pathëna:cila do të ishte e ardhmja e kësaj vajze në Indi, një vend i huaj e aq i largët?
Unë u zgjova herët. Së pari vajta në kishë dhe pastaj në stacion. Kisha blerë tri buleta për Zagreb (për Dranen Agen dhe Ganxhen). Në stacion të gjithë qanin edhe ajo vetë po qante ndonëse pak kohë më parë kishte thënë se nuk do ta bënte këtë. Edhe unë vetë kisha buzën në vaj sapo mendoja që do humbisja një kushërirë, një mike të mirë.
Në çastin e nisjes ajo ma shtrëngoi fort dorën. Reagimi im ishte gati i ftohtë që të mos lejoja të pushtohej nga pikëllimi i nisjes. Treni u nis. Ne të gjithë valëvitnim faculetatt derisa treni nuk u tret. Dielli ia kishte hedhur rrezet, duke e ndriçuar të tërën; ajo i ngjante një hënë që dalëngadalë humbet në lindjen e diellit. Ajo bëhej gjithnjë e më e vogël duke bërë me dorë dhe duke u tretur në largësi. Më në fund ajo u zhduk fare. Ne nuk e shihnim më, porsi një yll që zhduket në dritën e bardhë të diellit…” /KultPlus.com
“Dommage” është kënga më e re e këngëtares shqiptare Erza Muqolli, shkruan KultPlus.
Kjo artiste shqiptare, që po depërton me
suksesin e saj në vendet frankofone dhe jo vetëm, ka publikuar këngën e dytë
nga albumi i saj i parë që pritet të publikohet më 25 tetor.
“Para
publikimit të këngës së dytë, Erza Muqolli është prezantuar me një koncert në
Francë, koncert që është filmuar dhe do të prezantohet nëpër kinematë franceze
prej 19 tetorit e deri më 25 tetor, atë ditë edhe kur do të lansohet albumi”,
ka thënë Mehmet Muqolli, menaxheri i Erza Muqollit.
Ndërkohë,
tash është prezantuar edhe coveri i albumit, duke u pëfshirë edhe titujt e këngëve,
por edhe turi i Erza Muqollit që do të realizohet pas promovimit të albumit.
KultPlus ju sjellë këngën e dytë të këngëtares së famshme, e cila së fundi ka qenë e pranishme edhe në Kosovë, në projektin e KultPlus “Ta zbardhi ftyrën”./ KultPlus.com
Rita Ora dhe Bebe Rexha padyshim që janë ndër emrat shqiptarë më të njohur në botë, shkruan KultPlus.
Kësaj radhe
dy vajzat shqiptare kanë “pushtuar” ballinat e revistave të njohura botërore në
të njëjtën kohë.
Kjo gjë i ka
pëlqyer shumë edhe Elena Orës, motrës së Ritës e cila e ka shpërndarë
fotografinë e revistave në rrjetet sociale duke u shprehur krenare për to.
“Shumë e lumtur sot në aeroport gjatë rrugës për në Greqi, i kam këto dy kompani me vete, jeta ime është shumë e mirë. Dy vajzat shqiptare në ballinë në kohë të njëjtë”, ka shkruar Elena. / KultPlus.com
Në muzeun “Dolores Olmedo” në Nju Meksiko është çelur një ekspozitë e veçantë, në qendër të së cilës është bota artistike dhe pasioni i çiftit meksikan të artistëve, Frida Kahlo dhe Diego Rivera.
Koleksioni i pazbuluar më parë për publikun i
dedikohet çiftit të martuar, Fridës dhe Diegos, nga dita e njohjes dhe më pas
prezantimit të artit të tyre botës.
Në piktura shfaqet më së miri lidhja e fortë që
artistët kishin me Meksikës, dhe kjo ishte arsyeja që nuk emigruan kurrë. Kahlo
është sot një nga figurat artistike më popullore të Meksikës dhe jeta e saj
drithëruese dhe sfiduese, u shndërrua në film në vitin 2002, me protagonist
kryesore aktore Salma Hayek.
Në ekspozitë tregohet qartë se jeta private dhe puna
artistike e Fridës nuk mund të ndahet për asnjë çast nga Diego dhe se së bashku
ata arritën të shndërrohen në legjenda të artit të shekullit të 20, pavarësisht
stileve të ndryshme që kishin.
Sipas drejtoreshës së muzeut, përveç marrëdhënies me
Fridën, vetë Diego tregoi se sa gjeni ishte përmes pikturave të tij murale.
“Publiku që do të na vizitojë, mund të shohë vepra të
Diegos dhe Fridës, të miksuara së bashku. Ka një dialog mes këtyre pikturave,
që tregon influencën që ata të dy kishin tek njëri tjetri. Ata janë çifti më
emblematik i artit meksikan falë artit të tyre, angazhimit politik dhe
sigurisht lidhjes në çifte ”thotë drejtoresha e muzeut, Josefina Garcia.
Muzeu u çel për herë të parë më 17 shtator 1994 dhe u
ndërtua falë punës së Dolores Patino, një biznesmene, filantropiste dhe artiste
meksikane, që kishte lidhje miqësore me çiftin Frida e Diego.
Në ekspozitën që do të çelet për publikun të shtunën, do të shfaqen 27 piktura të Diego Riverës dhe 20 të Frida Kahlos./A2 / KultPlus.com
E dashtuna loke, jeto si të mundesh, butësisht e ndiej dashuninë tande dhe kënaqem me te . Por, vetëm ti nuk mund ta dijsh se si jetoj e ç’jam tue ba n’kët dhe!
Te ju a dimën tash.
Dhe hana kur lind mbi katund
e dij, jo vetëm ti,
natën, nën kodër, mendon
se gjoja dikush
qershin e bardhë e shkund
dhe dritaret tona
me borë i mbulon.
O nanë! Si të flej
n’gjamën e stuhisë?
N’tymnajë aq pikllueshëm
klithmë mbas klithme buçet.
Dhe don t’bijsh
e nuk sheh shtrojën e butë
po arkën e ngushtë
dhe – vorrimin e vet.
Edhe si mija
priftën t’shëmtuet
uluron stuhija –
dhe si me u tallë!
Dhe flluskat bijnë
si metelik, butë,
e mbas arkivolit
as grueja, as shoqnija!
Mbi çdo gja n’botë
pranverën e due.
I due lumejt
kur turren më hap, azgën –
kur çdo kashtëz
shkon tue u rrot’llue
dhe shtrihet hapsina
sa syni nuk e zen.
Por ajo pranverë
të çilën e dëshroj,
Revoluçion i madh
i them!
Përvuejshëm vetëm atij
unë lutje i baj
dhe vetëm ate
e thrrasë, e gjurmoj!
Por kjo shëmtimë –
planet i ngritë!
Jo, as dielli Lenin ate
me ngrohë – pse m’e mshehë!
Prandej me shpirtin
e madh t’poetit
fillova me skandale
me pi e ba qejf.
Po, ka me ardhë koha,
e dashtuna lokja ime!
Ka me mrri: me te dhe feja e re vjen!
Pse kot
s’kemi rrokë armën e drashtun:
Dikush – topin
e tjetri – pendën.
Harroji t’hollat
dhe çdo gja që s’asht lavdi.
O, sa turp’i madh!
Ashtu je ti a thue?
Unë nuk jam gomarë,
as lopë, as maz kërthi
që prej ahri
lehtë me m’nxjerrun mue!
Vetë kam me dalë
kur ditët vala i bjen,
të qëlloj në planet
dhe unë, ndërtues i vjetër!
Atëherë, tue u kthye,
shallin djali ta blenë,
po edhe babës
ato sende – patjetër.
Për tash era s’pranë…
Si mija priftën të zi
uluron stuhija
dhe si dhe me u tallë!
Dhe bora rritet
Flluskë mbi flluskë, të butë
e mbas arkivolit
as grueja, as shoqnija.
Vallë, a muj diçka
në kët ças me trillue.
Mbi çka tash
të shkruej nga kjo anë?
Para meje,
mbi tryezën pikllue,
rrin letra
dërgue prej sime amë.
Ajo m’shkruen:
Biro, nëse mundesh,
eja për festë,
kryeneç mos u ba!
Mue më blej i shall,
e babës, për me veshë,
i palë brekë t’lira,
a skamë e madhe te na.
Më vjen keq
që je poet,
pse fama e nemun
t’u ka ba shok njimend.
Ma mirë kishte qenë
qysh n’vogjli, me qetë,
tue lavrue arën,
të shkojshe me parmendë.
Jam plakë,
fuqija më ka lëshue,
t’kishe mbetë ti te shpija,
pa mundë
krah kisha me pasë,
nuse kisha fitue!
Gjyshja në prehën
nipat kish përkundë.
Por ti fëmijt e tu
botës ia ke shpërnda; përsëri
gruen shum lehtë
tjetrit ja ke dorzue,
dhe tash pa miq,
pa çerdhe e pa shpi,
në llom mejhanesh
vehten ke lëshue.
Loçka ime,
si u bane kështu?
ishe aq i dlirë, i prajshëm
si orë e muzgut n’luginë.
T’gjithë, me knaqsi, kanë bisedu’;
Sa i lumtun asht
Sashenjska Jesenin.
Po shpresat tona
ti s’i ke plotsue,
pra, gjithnji ma shum shpirtin
dhimbja ma mundon,
sepse baba kot në veti asht gëzue,
se shum pare ti
me vjersha fiton.
Por, sa do shum
që të marrish për to,
për shpin’ tande ti s’ishe kujtu’,
prandej edhe idhshëm
rreshtohen fjalët si këto,
pse e dij shum mirë
prej shembullit tand –
se poetët pare kurr s’kanë fitu’.
Më vjen shum keq
që je poet,
pse fama e nemun
t’u ka ba shok njimend.
Ma mirë kishte qenë,
qysh n’vogjli, me qetë,
tue lavrue arën,
të shkojshe me parmendë.
Na jetojmë në terr,
tjerët samarin na presin.
As kalin s’e kem ma.
Ti në shpi t’ishe kenë,
kishim pas çdo gja, çdo gja:
Zotsitë tueja i dijmë! –
Dhe kryetar ishe ba
N’Ispolkomin tonë.
Atëherë do të jetojshim qetë,
kurrkush s’na kishte prekë;
Po edhe ti s’kishe dijtë
për lodhjen e ditëve që frigojnë:
Për vedi me ba vek,
e ti na kishe mbikqyrë
në ditët e pleqnisë sonë.
E shkyej letrën e nanës
dhe zhytem n’pikllim helmue,
a thue, kurrkund rrugëdalje
n’udhën e kushtimit tim?
Por çdo gja që në mend bluej
mandej kam m’e tregue –
çdo gja kam me tregue
në përgjegjen time n’vijim.
Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën për krijimin e “Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët”.
Kjo qendër
do të ketë si qëllim studimin e specializuar të historisë, letërsisë dhe
kulturës së komunitetit arbëresh.
Pjesë e
rëndësishme e funksionit të kësaj qendre do të jetë kryerja e studimeve për
komunitetit arbëresh, promovimin, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor
tek ky komunitetit si dhe me organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave
shkencore të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh. Gjithashtu botimi
i studimeve të QSPA-së do të kryhet në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për
Diasporën.
Në kuadër të
kësaj qendre do të funksionojë edhe Këshilli Koordinues, i përbërë me nëntë
përfaqësues nga Akademia e Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike,
Ministria përgjegjëse për Politikën e Jashtme, Ministria përgjegjëse për
Kulturën, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës,
Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe katër përfaqësues të komunitetit arbëresh
një prej të cilëve nga komuna e Zarës në Kroaci.
Kjo qendër
me seli në Tiranë do të nxisë bashkëpunimin mes studiuesve vendas dhe në diasporë,
me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e studimeve të lidhura me botën shqiptare.