Ditëfesta liturgjike e Shenjtës sonë Shën Nënë Tereza, do të kremtohet solemnisht më 5 shtator, ditë e enjte, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, përcjellë KultPlus.
Pas 10
ditëve të ditëve të Nënë Terezës (26 gusht- 4 shtator), që filluan në ditën e
lindjes së saj, më 26 gusht 2019, dhe pas nëntëditëshit me lutje e përshpritëri
kushtuar Shenjtës në Katedralen kushtuar asaj, që është përgatitje shpirtërore,
Kisha me falënderim ndaj Zotit, shpall programin e festës:
VIGJILJA
E FESTËS (e mërkurë, 4 shtator 2019)
10:00 –
12:00 – Në ambientet e Katedrales do të zhvillohet Aksioni i
bamirësisë i Caritas Kosova në bashkëpunim me Katedralen Shën Nënë Tereza, për
personat nevojtar. Do të dhurohen artikuj ushqimor dhe veshmbathje.
18:00 –
19:00 – Sakramenti i rrëfimit.
18:30 –
19:00 – Lutja e Rruzares dhe litanitë e Nënë Terezës
19:00 –
19:45 – Mesha e shenjtë e vigjiljes dhe lutje pranë Altarit të
Reliktit të Shën Nënë Tereza, të cilat do t’i udhëheq Don Lush Gjergji,
biografi i Nënë Terezës.
DITËFESTA (e
enjte, 5 shtator 2019)
10:00 –
11:00 – Pritja e besimtarëve, miqve dhe njerëzve vullnetmirë.
11:00 –
12:00 – Mesha solemne e festës në Katedrale, e udhëhequr nga Ipeshkvi i
Dioqezës sonë Prizren- Prishtinë, Shkëlqesia e Tij Imzot Dodë Gjergji.
12:30 –
13:30 – Koktej rasti për të pranishmit.
19:00 –
19:45 – Mesha e shenjtë në Katedrale.
Sivjet,
ditët e Nënë Terezës, nëntëditëshi përgatitor dhe devocioni ndaj saj, kanë qenë
të kremtuara në mënyrë të veçantë duke e kujtuar 40-vjetorin e Çmimit Nobel për
Paqe të Nënë Terezës, e cila e mori në vitin 1979 në Oslo.
“Duke i grishur të gjithë qytetarët të marrin pjesë përshpirtërisht në festën e Shenjtës sonë, lusim Shën Nënë Terezën të ndërmjetësojë për të gjithë, Kishën dhe Popullin tonë”, thuhet në njoftim. /drita.info/ KultPlus.com
Këngëtarja nga Kosova, me famë botërore, Dua Lipa, ka promovuar koleksionin e markës “Pepe Jeans London”. Ajo ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që ishin prezent në atë mbrëmje. Përndryshe, Lipa tashmë ka traditë në punën e saj për prezantimin e markave të njohura botërore.
“Faleminderit të gjithëve që erdhët mbrëmë për ta festuar prezantimin e parë të koleksionit “Pepe Jeans London”, ka shkruar ndër të tjera Lipa në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Më 4 shtator 1888, George Eastman, mori patentën për aparatin e tij fotografik, Kodak, i cili revolucionarizoi fotografinë.
Aparati fotografik Kodak ishte si një kuti e vogël që mund të mbahej në dorë. Ai zëvendësoi aparatet e mëdha komplekse, që përdoreshin nga shumë fotografë profesionistë. Ajo që e dallonte aparatin e ri të zotit Eastman ishte zhvillimi i filmit të përkulshëm në letër.
Ky film zëvendësonte pllakat e pavolitshme fotografike prej xhami, të cilat duhet të zhvilloheshin menjëherë pasi ishin ekspozuar.
Kurse pronari i aparatit të ri Kodak mund të bënte 100 fotografi dhe pastaj ia dërgonte aparatin pa i hequr filmin, fabrikës Eastman në Rochester të shtetit të Nju Jorkut.
Teknikët përpunonin filmin, stamponin fotografitë dhe pastaj ia kthenin të zotit bashkë me aparatin, të cilit i futnin një film të ri. Motoja e kompanisë ishte: “Ju shtypni butonin, pjesën tjetër të punës e bëjmë ne”./ Koha.net/ KultPlus.com
Në tetor na pret filmi “Joker”, tregimi për keqbërësin e famshëm nga Batmani, ndërkohë që për herë të parë do ta shikojmë historinë e origjinës së tij.
Filmi u prezantua për herë të parë të shtunën e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie dhe vlerësimet e para janë të shkëlqyera, ndërkohë që lëvdatat më të larta shkojnë për aktorin kryesor Joaquin Phoenix, i cili e luajti Jokerin. Pas premierës, publiku duartrokiti për tetë minuta.
Përveç vlerësimeve të shkëlqyera, në portalin Rotten Tomatoes filmi aktualisht e ka një approval rating prej 88% bazuar në 34 kritika dhe një vlerësim mesatar prej 9.05 nga 10, ku gjithashtu lavdërohet performanca e Phoenix.
Kritikët shpejt vërejtën se regjisori Todd Phillips e ka bazuar filmin në stilin e filmave të Martin Scorsese, “Taxi Driver” dhe “The King of Comedy”, ndërsa Mark Hughes i Forbes e krahason Jokerin e Phoenixit me atë të Heath Ledger nga “The Dark Knight”. Të shumtë janë ata që theksojnë se shikuesit do të befasohen nga interpretimi i ri i Jokerit.
Në fillim ishte e qartë se Joker do të ishte një film i pavarur pa mundësinë e vazhdimit, por regjisori ndryshoi mendje dhe tha se ai ishte i interesuar për mundësinë e vazhdimit. Vazhdimi do të varet nga suksesi i përgjithshëm i filmit dhe vullneti i Phoenixit për projektin e ri. Fundjava premierë e tetorit pritet që filmit t’ia sjellë midis 70 dhe 95 milionë dollarë brenda vendit (SHBA dhe Kanada).
Warner Bros. me këtë film ka nisur një epokë të re, pra me Jokerin e ka filluar serinë e filmave të DC Black e cila që do të merret vetëm me negativët dhe do ta ketë një ton të errët dhe serioz. DC Black nuk do të jetë e lidhur me asnjë film tjetër të DCEU të cilët tashmë janë publikuar dhe janë planifikuar. /KultPlus.com
Eleganca e pianofortes dhe ajo çka sugjeron violina takohen dhe përzihen me fuqinë e një zëri sopranoje. Kjo është ”Nëna Arbëri”, koncerti që do të zhvillohet të enjten në orën 21:00 në sheshin ”Viktor Emanueli” në Piana degli Albanesi, shkruan agjencia italiane zyrtare e lajmeve, ANSA.
Një takim i dëshiruar shumë nga ministri i Shtetit i Diasporës Shqiptare, Pandeli Majko dhe nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, me mbështetjen e komunës së Piana degli Albanesi për të kujtuar Nënë Terezën.
Në fakt, 5 shtatori është domethënës jo vetëm për komunitetin shqiptar, por për të gjithë botën mbarë sepse përkujton ditën e shenjtërimit të Shën Terezës. Besimtarja shqiptare – e natyralizuar indiane e besimit katolik – themeluese e urdhrit fetar të Misionareve të Bamirësisë, harxhoi të gjitha energjitë e saj në një punë të palodhshme mes viktimave të varfërisë të Kalkutës, për çka u vlerësua me mirënojhje të shumta, ndërmjet të cilave edhe me çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979.
Në Piana degli Albanesi ka një përfaqësim domethënës të komunitetit arbëresh. Koncerti – i prezantuar nga Salvo La Rosa – do të ketë në skenë edhe sopranon shqiptare, Inva Mula, violinistin Olen Çezari dhe pianistin Genc Tukiçi. /KultPlus.com
IrenëPapas është aktore greke me prejardhje arvanitase, aktive në më shumë se 70 filma gjatë karrierës në pesëdhjetë vjet.
E njohur në rolet përkrah Bekim Fehmiut si mbretëresha e Itakës Penelopa në filmin Odisea (L’Odissea) (1968) dhe me Anthony Quinn në filmin Zorba the Greek (1964) në petkun e vejushës së bukur.
Ajo lindi si Irini Lelekou, e bija e një shqiptari e nje grekeje, ndoshta edhe ajo me prejardhje shqiptare, me prejardhje nga Epiri, Talentin e Irenës e zbuloi Elia Kazan.
Irena aktroi Helenën e Trojes në filmin Trojanket, së bashku me Katharine Hepburn. Aktroi edhe femra të tjera nga Mitologjia greke, si Klitemnesten në filmin Ifigenija, Elekten në Elektri, Antigonen në Antigona, etj.
Lajmërohet edhe si mbretëresha Katarina Aragonska në filmin Anne of the Thousand Days , pastaj në filmin Muhamedi, i dërguari i Perëndisë.
Ndërsa filmat më të njohur të saj janë Zorba the Greek dhe Z.
Papas ishte gruaja e Alkisa Papasit dhe e dashura e Marlona Brandos.
Meqë nuk arriti ta fitojë asnjëherë cmimin “Oskar” ajo u shpreh:
“Unë nuk fitova asnjëherë ndonjë çmim Oskar… por as çmimet Oskar nuk e fituan asnjëherë Irenë Papasin”. /KultPlus.com
Kompania ajrore “Air Canada” është detyruar të paguajë 15.700 dollarë për një çift francez. Përveç kësaj, i shkruajti një letër ku i kërkonte falje për rregullat e tyre gjuhësore.
Çifti u ankua se disa shenja ishin në gjuhën angleze dhe shumë pak ia shpjegonin në frëngjisht.
Një gjykatës vendosi që linja ajrore kishte shkelur ligjet e dygjuhësisë së Kanadasë. Sipas BBC, kompania ajrore tha në gjykatë se do të zëvendësonte shenjat.
Çifti Michel dhe Lynda Thibodeau paraqitën 22 ankesa kundër linjës ajrore në vitin 2016.
Ata thanë se në rripat e sigurimit, fjala “hiqe” ishte e shkruar vetëm në anglisht dhe jo në frëngjisht.
Po ashtu, përkthimet në frëngjisht të fjalëve “dalje” dhe “kujdes” ishin me shkronja më të vogla se ato në anglisht. /KultPlus.com
Armend Rexhepagiqi edhe sot çuditet me efektin që kanë pasur këngët e tij tek njerëzit. Pa marrë parasysh nëse është këngë të cilën e këndon ai, apo këngë ku ai është në rolin e kompozitorit, Armendi nuk preferon t’i dëgjojë këto këngë pas lansimit të tyre. Nëse është në restorant, ose largohet ose mbulon veshtë që mos t’i dëgjojë krijimet e tij, sepse merret shumë me to, thotë se qindra herë i dëgjon ato prej krijimit e deri sa publikohen. Pastaj nuk i duron më, i shijon jashtëzakonisht pak dhe vetëm në raste të veçanta. I duhet të kalojë kohë e gjatë, vite e vite që përsëri të jetë në gjendje ti dëgjojë qetë.
Armend Rexhepagiqi, zëri i fuqishëm i të cilit ka sjellë në jetë tekste të mrekullueshme dhe melodi profesionale muzikore, është sot një djalë i thjeshtë të cilit i kujtohet se si dikur një videoklip nuk u realizua shkaku i sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë, apo se si një këngë e fuqishme nga ai nuk morri asnjë pikë nga juria në një festival në Shqipëri.
Nuk
dëshiron vetëkënaqësi dhe kërkon perfeksion, e këto bëhen arsye që puna e tij të
zgjasë më shumë se rëndomtë. Nuk dëshiron as të bëhet prepotent e mendjemadh,
është gjithmonë i hapur për gjërat e reja. Së shpejti do të rikthehet por nuk
zbulon shumë prej kësaj tabloje. Nëpër vite zëri i tij ka munguar por jo edhe
krijimet e tij. Shumë herë ka thënë jo, prandaj edhe thotë se një pjesë e mirë
e pozicionit që sot ai e gëzon i atribuohet faktit se ka ditur të refuzojë, për
ta mbrojtur veten dhe estetikën të cilën e ka ndërtuar me vite e vite.
Armend Rexhepagiqi është një botë e cila duhet hulumtuar pak e nga pak, hap pas hapi.
***
Babai, profesor i pedagogjisë dhe filozofisë, të cilin e
humbëm para dhjetë vjetësh, ka qenë edhe poet. Ka shkruar disa permbledhje me
poezi. Aida ime, para dhjetë vitesh e ka shkruar një tekst për këngëtaren Tuna,
me titull ‘Testamenti’, ndërsa babai im 2-3 vite më vonë e kishte botuar përmbledhjen
e fundit me poezi me po këtë titull. Është interesant ky zingjiri artistik.
Mama, arsimtare e matematikës në pension. Këta dy prindër, më të mirët në botë
për mua kuptohet, ishin intelektualë qe nuk kanë insistuar tek fëmijët e tyre të
merren me profesione elitare të kohës së tyre” tregon Armendi.
Armendi ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, dhe përderisa asokohe një pjesë e mirë e prindërve shqiptarë dëshironin që fëmija i tyre të anazhohej me këtë fushë, babai i Armendit, Jashar Rexhepagiqi, e njihte të birin dhe e përqafoi talentin e madh të Armendit.
https://www.youtube.com/watch?v=yBq-tlex7pA
“Babi im më thoshte – ti je për muzikë, regjistroje Akademinë. Kjo është pak paradoksale për atë kohë, por kam përshtypjen se e ka njohur djalin e vet. Ashtu edhe doli, muzika u bë dashuria më e madhe. Më kujtohet që mamës i thosha para se të filloja klasën e parë të shkolles fillore që nuk du me hy në orën e muzikës, nuk më pëlqente, isha i turpshëm. Pianon e parë ma kanë blerë prindërit, nuk ishte shpenzim i vogël, vitin e parë të shkollës së muzikës u regjistrova në violinë por isha dështim i plotë, nuk e duroja tingullin e violinës në duart e mia të paditura. Në piano e solfexho isha i mirë, por klasika nuk më ka tërhequr shumë. Si nxënës shumë i mirë në shkollë, prej prindërve e kam pasur përkrahjen të bëj çkado që dëshiroj në kohen time të lirë” vazhdon Armendi.
***
E pamundur të mos e ngacmosh
intelektin e Armendit e të mos përmendësh hitet e tij më të mëdha ndër vite.
Ata që dëgjojnë këngët “Harrova”, ose “Shkel” apo edhe “Dashurinë ku e kam” dhe
“Edhe një herë” nuk e programojnë shpesh në mendjen e tyre faktin se secila
këngë është krijuar para më shumë se dhjetë vitesh, disa edhe para njëzetë e
pesë vitesh.
“Për këngën ‘Harrova’ gjithmonë jam çuditur se si ka arritur ta gjejë rrugën e vet, sepse nuk ka videoklip, as nuk është kënduar në ndonjë festival apo manifestim që tërheqë vëmendje, ndoshta ekziston në ndonjë videokasetë nga koha e errët e mungesës së mediave tona dhe lirisë në përgjithësi. Kudo që dal e shetis, nuk ka vend që dikush nuk ma këndon refrenin. Flas për “Harrova” të para 25 vitesh, kur e këndova vetëm e jo për versionin e ri me Tunën time brilante. Për këngën “Nuk banon këtu dashuria” shembull, më kujtohet që donim t`i bënim një videoklip por ditën e planifikuar për xhirim ndodhën sulmet e 11 shtatorit në Amerikë dhe kuptohet xhirimi u anulua, dhe nuk u bë asnjëherë më” shpalosë Armendi.
“E kam
njëfarë fati apo fatkeqësie që këngët e mia po mbesin të gjalla për shumë e
shumë vjet. Më pëlqen faktikisht kjo, që njerëzit i zbulojnë këngët e mia pas
shumë vitesh dhe ato disi rikthehen vet”.
Tekst
idiotik Armendi e quan tekstin e këngës së tij të parë. Thotë se është i dobët
në shkruarjen e teksteve dhe qeshet kur njerëzit mendojnë se këngët të cilat ai
i këndon, janë të shkruara nga ai.
“Të gjitha tekstet e këngëve të mia janë të Aidës. Unë jam për muzikë, jo për vargje. Unë shkruaj në mënyrë përshkruese, infantilo-imbecile, në kuptimin ‘Ftohtë është, po bjen shi, po fryn era…’. Skandaloze. Fati i madh që e kam Aidën dhe mjeshtërinë e saj pranë meje. Në muzikë vetëm tek ne zhvlerësohet teksti…në disa raste është më shumë se 50 përqindëshi i këngës. Teksti është edhe përshkrues i mirë i muzikës, përcjellës i ndjenjës, rrumbullakësim i personalitetit të këngëtarit dhe strukturës së kompozimit” tregon Armend Rexhepagiqi në këtë bashkëbisedim dhembshurisht të sinqertë.
“Gjithçka në jetën time është rreth
muzikës. Muzika ka frymëzim, ka zanat, ka prekje të Zotit, ka ndjeshmëri,
talent, por edhe profesionalizëm. Nuk duhet pritur momenti i prekjes së Zotit,
se ashtu mbesim me 2 këngë në vjet. Duhet kërkuar shumë prej vetes – vetëm me
punë dhe punë” më thotë Armendi, derisa pijmë kafe dhe ai reflekton në
retrospektivë karrierën e tij, që e lakmojnë shumë.
***
“I kam
të gjitha këngët e mia, për një kohë të gjatë kam qenë i kujdesshëm për dallim
nga krejt kjo shoqëri e jona, e cila nuk është e tillë. Ne flasim për
trashëgimi dhe mendojmë që ajo është vetëm folklori, tradita dhe zakonet.
Trashëgimi është edhe ajo e artit modern, e pop kulturës, për të cilën nuk kemi
fare kujdes. I kam edhe versionet origjinale në CD me këngët e mia. I kam video
xhirimet e ruajtuna, me përjashtim të disa emisioneve që me Aidën i kemi
realizuar në KTV apo edhe në RTK. Më kujtohet që me ciklin “Air Condition” në
RTK – emision që transmetohej të dielave, kam realizuar 52 këngë të reja për
fëmijë të cilat asnjëherë më nuk janë transmetu. Sa gjynah për tërë këta fëmijë
të sodit. Ndoshta një ditë e bëj kanalin tim në Youtube dhe i marr të drejtat
për të gjitha postimet” tregon Armendi.
Është e dhimbshme që ata të cilët duan t’i dëgjojnë këngët e Armendit, nuk e kanë një adresë të caktuar dhe të vetme.
“Nuk
kam iluzion që numri i njerëzve që dëgjojnë këngët e mia është i madh. Me
këngët e mia, këngët për të tjerët, këngët për fëmijë, do të ishte një arkivë e
bukur edhe për prindërit të cilët duan t`ua prezantojnë fëmijëve të tyre këtë
lloj të muzikës” tregon Armendi.
Nëse
ka diçka që Armendi e bën me vështirësi është të bisedojë për të kaluarën. Këtë
e bën vetëm pasi unë insistoj.
Familja Rexhepagiqi por edhe Armendi vetë nuk janë kursyer nga jeta me sfida të ndryshme dhe me kapituj të cilët nuk i kanë shijuar Armendit dhe shpirtit të tij artistik.
“Gjithmonë është e vështirë kur pëson goditje dhe humbje, sëmundjet, vdekje të të afërmve. Të ngritesh dhe të vazhdosh me ecë përpara kur ke sfida të rënda jetësore është e domosdoshme por jo e lehtë. Thyerjet emotive na lëndojnë krejtve, por secili e gjen një rrugë, dhe këtu po flas edhe për lëndime e zhgënjime profesionale, apo bllokada krijuese. Jeta në Kosovë në përgjithësi të detyron të bësh kompromise. Mua dhe Aidën na ka shpëtuar fakti që kemi qenë të shkathtë në lëmi të ndryshme dhe kjo ka krijuar një stabilitet ekonomik që mos të bëjmë kompromise, gjithmonë duke u përpjekur të mos përfundojmë si karikatura të vetvetes. Artist është ai që krijon art dhe kreativitetin e ka të parin, jo argëtimin ndaj publikut. E dua kombinimin mes komerciales dhe artistikes, por nuk dëshiroj vetëm argëtim” tregon Armend Rexhepagiqi, një prej këngërtarëve më të mirë shqiptarë, në mos zëri më i mirë mashkullor që shqiptarët e kanë njohur e dëgjuar në më shumë se tri dekada.
“Vetëkënaqësia
dhe momenti kur nuk kërkon shumë prej vetes janë autogol. Kur i shoh të njëjtit
njerëz që pretendojnë se krijojnë, tërë ditën nëpër lokale, pyetem se kur kanë
kohë ata të krijojnë? Pos talentit dhe inteligjencës, puna është super e
rëndësishme. Aq shumë këngë i bëj dhe i hedh në ‘recycle bin’ për mos t’i
publikuar kurrë, në procesin e krijimit të një kënge të mirë, deri sa nuk arrij
tek rezultati që më kënaqë. Ka edhe raste kur koha e krijimit të një kënge është
e barabartë me kohëzgjatjen e saj – Këngën “U shërova” që e këndon Hana Cakuli
e kam kompozuar për tre minuta e gjysmë, ndërsa këngën “Fustani i bardhë” që e
këndon Jehona Sopi për rreth 1 muaj, çdo ditë, duke e kërkuar e përpunuar me
qindra orë punë. Nuk e them dot cila është më e mirë si këngë! Rregull nuk ka
por pa punë, pa u ulë me kërku prej vetes më shumë, pa mbetë me dy këmbë në
tokë, pa i thënë vetes që mundet edhe më mirë, vetëkënaqësia e shkatërron përparimin
e një krijuesi” tregon Armendi.
“Kujt do t’ia shpreh pikëllimin tim”, “Rruga e fundit”, “Kur dashuria vdes”, “Betohem me këngë”, “Çka do të ndodhë me ne”, “Dude dudie”, “Kalle kalle”, “A edhe ti je pjesë e qytetit tim”, “Qëndresa”, “Dikur”, “Ajo”, “Kam kojshiken”, “Si vërshimë e vetëtimë”, “Nashtë”, “I vetmuar sonte”, “Qaforja”, “Dugi”….Lista vazhdon, e këngëve të cilat Armendi i ka sjellë në jetë nëpër vite. Sa fëmija sot është rritur me këto melodi. Plot e kujtojnë videoklipin e “Dashurinë ku e kam” afër sallës 1 tetori në kryeqytet. Të tjerët e kujtojnë Armendin dhe Violetën, grupin ‘Vivien’ me hitet e tyre si “Romantika” apo “Anijet e fundosura”. Plot këngë janë realizuar edhe në bashkëpunim me Aida Barakun, bashkëudhëtaren e jetës së Armendit.
Gjatë tërë takimit tonë, kur Armendi flet për të, thotë “Aida ime”, mëngjesin më të bukur dhe flladin më të hyjnishëm të ditëve të Armendit.
“Me
Aidën grindjet më të mëdha janë rreth këngëve, gjithmonë kemi qenë shumë kritik
ndaj njëri tjetrit, shume kërkues. Është përparësi por edhe minus kur me
partneren e jetës je edhe bashkëpunëtor i parë. Çdo problem i punës bartet edhe
në jetë private. Unë jam peshore në horoskop, një” artist në qiell”, ndërsa ajo
është binjak – me dy këmbë në tokë. E kam të domosdoshëm atë shikimin e ftohtë
dhe racional të saj ndaj këngëve. Aida është më inteligjente, më efikase, më
profesioniste se unë. Ajo më pret gjithmonë mua ta krijoj këngën, dhe me qindra
herë këngën e krijojmë bashkë. Unë gati se kurrë nuk duhet ta pres atë për
tekste, gjithmonë kreative duke mos e përsëritur veten asnjëherë” rrëfen
Armendi.
Në
Kosovë më pas do të ndodhte lufta, dhe në një formë a tjetrën do ta godiste
edhe Armendin.
“Unë
nuk kam qenë i edukuar si disa familje shqiptare, me atë kulturën e dashurisë
ekskluzive vetëm për popullin tim shqiptar. Kam qenë i edukuar me idenë që të
gjithë njerëzit janë të barabartë, pra në një atmosfere globale. Me atë çka
ndodhi u ndjeva tepër i zhgënjyer- dhe më vonë u bëra më patriot se patriotat
që prej fillimit janë edukuar veç me Mic Sokolin dhe me Festivalin e RTSH-së.
Lufta që ndodhi ma ka rritur nacionalizmin e domosdoshëm shqiptar, atë të
mençurin dhe konstruktivin, nacionalizmin e matur” më tregon Armendi derisa
bisedojmë si dy shokë që njihen prej vitesh, e të cilët po takohen mrekullisht
për herë të parë në një dyluftim të syve dhe rrugëtimeve.
Përndryshe,
çka bën tjetër Armendi, në kohën e lirë, kur nuk i kushtohet muzikës?
“Mbrëmjeve, Netflix. Ajo çka të gjithë i çuditë është fakti se më pëlqejnë librat e vetë-ndihmës, ata që janë të punuar mirë dhe jo kjo beletristika idiote, të gjithë më thonë ç’të duhen ato ty, ti je mirë. Ja që më intrigojnë. Paulo Coelho shembull, ia kam lexuar gati tërë veprimtarinë. Lexoj shumë intervista me regjisorë të ndryshëm, sepse mendoj se kompozitori është një lloj regjisori i cili e mban balancin mes tërë ekipit. Shoku im dhe kolegu Yll Limani, multi i talentuar, kantautor që do të shpërthejë, mua dhe Aidës na lexon ndonjëherë poezi të bukura botërore por edhe poezi që i ka shkruar vet. Diskuton me Aidën rreth vargjeve, unë në heshtje i dëgjoj dhe turpërohem sa mbrapa kam mbetur me poezi. Filmin shqip nuk e njoh, kjo njëjtë është minusi im. Humorin shqip nuk dua ta njoh, nuk më pëlqen, nuk e ndjej, nuk qesh, jam komplet ndryshe nga ai mentalitet. Jam rritur me humorin anglez i cili dallon shumë nga ky i yni” tregon Armendi.
***
Armendi shenjën e tij e ka lënë
edhe nëpër festivale, nëpër vite.
Kënga “Ti nuk më meriton” e cila i solli Shqipërisë së viteve 90-të një teatër në skenën e Pallatit të Kongreseve, e kënduar nga Aida dhe Armendi, nuk morri asnjë pikë asokohe nga juritë e Festivalit të njohur të TVSH-së.
“Ka
qenë e vetmja këngë e edicionit e ndërprerë me dy duartrokitje të publikut gjatë
interpretimit të parë. Nuk po përmend emra, më kujtohet se si anëtari i jurisë
nga Tirana erdhi dhe na e shprehi adhurimin për këngën, por pas gjysmë ore në
votim nuk na dha asnjë pikë. Ishte një lëndim i pa shpjeguar, aty pashë
hipokrizinë live. Kaluan vitet. Kënga edhe sot e kësaj dite dëgjohet dhe sa herë
jam në Tiranë ma këndojnë kudo. Në TVSH morra pjesë edhe me “Betohem me këngë”
por pata probleme me zërin gjatë festivalit, nuk dola shumë mirë, e rikompozova
këngën në skenë sepse më mungonin pesë nota më të larta, kuptohet ishte prezantim
i zbehtë. Edhe mos ta harroj “Kalle Kalle”, paraqitjen tjetër në këtë festival-
viti 1992-Shqipëria e lënduar dhe e plagosur, unë si jashtëtokësor i shokuar”
qeshet Armendi.
Në dy
raste të tjera, Armendi erdhi si kompozitor i këngëve. Teuta Kurti, Rrona
Nishliu dhe Vesa Luma kënduan këngën “Flakareshë” në vitin 2005 dhe u shpërblyen,
ndërsa Rovena Dilo këndoi “Rrëfimi”, këngë këto që mbajnë vulën e Armendit dhe
Aidës brenda festivalit në fjalë. Me këtë të dytën poashtu pati zhgënjime, meqë
ishte ndër favoritet por pos që nuk morri trajtimin e duhur, nuk u fut as në
finale.
“Festivali
i TVSH-së është biletë e mirë për Eurovizion. Përndryshe, disa herë kam
refuzuar të paraqitem në skenën e festivalit si mysafir kur më kanë ftuar. Jam
shumë kurioz cila është formula e këtij viti për Eurosong? Po matem shumë, të
konkurroj apo jo këtë vit?” vazhdon Armendi.
Dikur,
me “Mami mami” Armendi provoi fatin e tij për Eurosong, kur shqiptarët e dinin
pak se çfarë ishte Festivali Evropian i Eurosongut dhe kjo vite para se
Shqipëria të debutonte.
“Në prova patëm dalë të dytët, në finale të gjashtit. Festivali u mbajt në Zarë, me një organizem të përkryer të zgjedhjes së këngës së Jugosllavisë për Eurosong. Kam qenë shumë i mirë në këndimin live, ka qenë kujtim i mirë dhe plasman i mire. Ajo çka mbeti si vlerë për mua dhe Aidën ishte organizimi fenomenal i festivalit, atë shkollë të organizimit e kemi aplikuar pastaj me vite nëpër të gjitha produksionet tona televizive” tregon Armend Rexhepagiqi.
***
Këngët e tij të fundit të realizuara për vete janë “Qaforja” dhe “Kur dashuria vdes”, e pak para tyre edhe hiti absolut “Shkel”. Me këngën “Kur dashuria vdes” Armendi triumfoi në festivalin ‘Kënga Magjike’ në Shqipëri në vitin 2006, dhe prej asaj kohe Armendi nuk ka publikuar këngë personale.
“Kur
fitova në festival, dhurata ishte një udhëtim për në Turqi dhe një videoklip i
këngës fituese i paguar prej produksionit. Klipin kurrë nuk e bëra e as në
pushime nuk deshta të shkoj, edhepse pata mundësi. Paraqitja skenike në atë edicion
të festivalit ishte maksimumi i mundshëm për atë moment, ishte prezantim skenik
me të cilin mu duk arrita kulmin tim. Nuk deshta video, tregimi i asaj kënge
kishte përfunduar në atë skenë” thotë Armendi.
“Kur Rona Nishliu ta këndon këngën, nuk ke pse
këndon vet. E ka botën, ndjenjën e saj. Mos të flas për Tunën, këtë gardën e
këngëtareve si Hana Cakuli, Teuta Kurti, Vesa Luma.. janë më të mira se unë si
interprete”, thotë pa shaka Armendi, sado që unë nuk e besoj këtë arsyetim të
pauzimit të tij dhe sikur çdo fans i Armendit, nuk e pranoj.
Në
fund, e pyes se kur do ta kemi një koncert të madh të Armendit. Gjeneratat e
ndryshme që e duan Armendin e meritojnë një përmbledhje të këngëve të Armendit,
të kënduara prej gojës së tij.
“Kam
pasë ftesë prej Komunës së Prishtinës. E kam ende. Jemi duke biseduar, ndoshta
vitin tjetër. Nëse e bëj, e dua një koncert të madh dhe të veçantë, është borxh
ndaj njerëzve që kanë një adhurim prekës ndaj këngëve të mia. Tërë jetën kam
pasë një estetikë në muzikë, në tekste, në veshje, në videoklipe, në festivale
e koncerte të mia solistike dhe mendoj që në koncert do të duhej me e përmbledhë
tërë këtë krijimtari. Nëse e bëj koncertin, do të këndoj edhe këngët që bëra për
të tjerët, me mysafirë e me këngë të re” tregon Armendi.
Armendi
së shpejti do të kthehet me një këngë, e poashtu edhe me një duet.
“Kënga
nuk do të jetë ajo që pritet nga unë, por duhet të pëlqehet, Publiku edhe do të
befasohet, patjetër, sepse nuk po vij ashtu si presin të gjithë”.
Nëse Armend Rexhepagiqi i kthehet skenës shqiptare të muzikës, në çfarëdo forme, kjo nënkupton se ka shpresë për të mirëfilltën dhe të mishëruarën. Shqiptarëve do t’u kthehej në vesh një vokal i trajtuar dhe qëndisur mjeshtërisht.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).
Një ndër termat e rëndësishëm në sferën e shkencave sociale është edhe ai i dekadencës, që nënkupton gjendjen e rënies, shkatërrimit, kalbjes, zhezhitjes, rrëzimit, marrjes së tatëpjetës, të zhbërjes. Termi në fjalë është përdorur edhe për ta përshkruar rënien e qytetërimit që i paraprin shkatërrimit në kuadër të ciklit historik. Në fundin e shekullit XIX ka mbizotëruar ndjenja se Evropa ka arritur fundin e një epoke ose fin de siecle. Në këtë artikull do të ndalemi te pikëpamja për këtë çështje e mendimtarit dhe kritikut letrar rumun-amerikan Matei Calinescu (1934-2009), filozof ky i cili, duke e riinterpretuar dhe duke e rivlerësuar dekadencën, këtë term e ndërlidh me botën tonë të shteruar, pra asocon një botë në fazë të rënies e të degradimit, të shpërbërjes.
Kush është Calinescu?
Calinescu, një erudit në mënyrën borhesiane (indiana.edu), një analist i ideve të estetikës që drejtuan krijimtarinë letrare perëndimore në 150 vjetët e fundit, është njeri i mirënjohur i letrave, i diplomuar në Universitetin e Bukureshtit (1957), autor i gjashtë librave të kriticizimit letrar, i një novele Life and Opinions of Zacharias Lichter dhe i tre vëllimeve të poezisë. Në vitin 1960 ka filluar karrierën si asistent e, më vonë, si lektor në Departamentin e Literaturës Botërore të Universitetit të sipërpërmendur. Më 1972 merr gradën e doktorit të shkencave në letërsinë e krahasuar në Universitetin e Kluzhit. Në vitin 1973 e fillon karrierën në Universitetin Indiana (ShBA) si profesor vizitor dhe ligjërues i programit Fullbright. Librat dhe artikujt e tij kapin gamën e studimeve rreth modernizmit dhe lidhjeve midis letërsisë, fesë dhe politikës. Publikimet e tij përfshijnë veprat si Duke eksploruar postmodernizmin (Exploring Postmodernism, ed. me D. W. Fokkema, Amsterdam and Philadelphia: John Benjamins, 1988), Rumunët: një histori (The Romanians: a history, Ohio State University Press,1991), veprën më të njohur të tij Pesë fytyrat e modernitetit: Modernizmi, avangarda, dekadenca, kiçi dhe postmodernizmi (Five Faces of Modernity: Modernism, Avant-Garde, Decadence, Kitsch, Postmodernism (Duke University Press, 1997), Eugene Ionesco: Tema identitare dhe ekzistenciale (Eugene Ionesco: Teme identitare si existentiale, 2006), Enigma e Metjut (Mathew’s Enigma, Indiana University Press, 2009) etj.
Ç’është dekadenca?
Dekadenca, që rrjedh nga rrënja latine de “nga” dhe cadere “rënie”, nënkupton gjendjen e rënies së kulturës, ekzistimin e gjendjes shoqërore ose kulturore më të mirë ose më të dëshiruar. Ajo shënjon një gjendje të dërrmimit të një aspekti të ekzistencës së civilizuar, një baule të mbushur me zbrazëtirë (Gilman, 1979). Sipas A. E. Carter, dekadenca nënkupton përkeqësimin e diçkaje, rënien, kolapsin (Carter, 1958). Dekadenca është një hap normal drejt një periudhe madhështore dhe kusht i domosdoshëm për një risi kreative që do të marrë hov nesër ose pasnesër. Kur njerëzit e pranojnë kotësinë dhe absurdin si gjë normale, kultura është dekadente (Barzun, 2000:11). Në vitin 1933, Praz ka shkruar një vepër impresioniste dhe enciklopedike të reagimeve dekadente ndaj modernitetit, një histori të frymës (geistgeschichte) (Hartman, 2000:1-2).
Në pikëpamjet e historianëve të vjetër të krishterë, tek pasuesit e tyre mesjetarë dhe të mëvonshëm (J. B. Bousset) dekadenca është komentuar si dënim i pashmangshëm hyjnor. Për filozofët e progresit dhe të së drejtës universale (Jean Bodin, Montesquieu, Turgot, Kant, de Condorect, Comte) dekadenca është shmangie e rastësishme nga përparimi i paevitueshëm. Nga Ibën Halduni, Hume, në veçanti Spengleri, dekadenca është pjesë e procesit të ngritjes dhe rënies ciklike, gjegjësisht lindjes, zhvillimit, pjekurisë dhe vdekjes. Utilitaristët thonë se dekadenca ndodh për dy shkaqe: dobësia funksionale dhe udhëheqësia joadekuate. Për ata që besojnë në vlerën e normave tradicionale, çdo shmangie nga tradita, nga ancien rëgime, nënkupton dekadencën. Për fondamentalistët, radikalët fetarë dhe ithtarët e autoritarizmit, çdo risi e mendimit është shenjë e dekadencës.
Në kryeveprën e vet, Calinescu merret edhe me çështjen e dekadencës, si një term ky që nuk është përdorur para Mesjetës në formën e vet si decadentia, decadenzia apo Decadenz, ndonëse ideja është e lashtë sa vetë njeriu, duke shënjuar fuqinë asgjësuese të kohës dhe fatalitetin e zvetënimit (Calinescu, 2012:166). Sipas tij, dekadenca mund të bashkëshoqërohet me fjalët si perëndim, muzg, vjeshtë, plakje, shterim dhe, në faza më të përparuara, kalbje organike dhe qelbëzim, krahas antonimeve të vetvetishme si ngritje, agim, pranverë, rini, çelje etj.
Njerëzit e kohëve më të hershme, pra ata të periudhës para qytetërimit modern perëndimor, mendonin se e kaluara ishte më e mirë se e tashmja. Pra, sipas nesh, kanë qenë regresivë, në kuptimin që mirësinë dhe shembulloren e kanë kërkuar në të shkuarën, në histori e jo në të ardhmen siç insiston paradigma moderne e përparimit ose progresit vijëdrejtë (linear). Greqia, p. sh., ka qenë e mbërthyer nga e shkuara, Epoka e Artë ka dominuar si në Greqinë dhe në Romën antike. Për grekët antikë, koha s’ka qenë gjë tjetër pos një rënie e vazhdueshme. Për ta, nocioni i përparimit të vazhdueshëm ishte i padëgjuar (op. cit., 166). Ngjashëm kanë menduar edhe arabët paraislamikë që besonin te koha si shkatërruese e gjithçkasë. Në Francë është përdorur që në shekullin XVI, kurse në Angli, ky term, për herë të parë ka filluar të qarkullojë në shekullin XIX (1837), në veprën e famshme History of French Revolution. Prej viteve ’50 të shek. XIX ky term u pasurua në aspektin semantik, që gjatë viteve ’80 solli një varg fjalësh të reja ironike-trillane, si decader, emërtimet decadizme dhe decadentisme. Në Itali ky term do të njihet si një kategori kritike decadentismo.
Dekadenca te Calinescu: Nga miti i progresit drejt realitetit tëhuajësues
Siç dihet, termi modernitet ndërlidhet me besimin në progresin e vazhdueshëm. Saint Simon dhe Auguste Comte kanë qenë aderues të besimit në progres dhe natyrisht se është dashur që të vërtetën shoqërore ta sqarojnë sipas formave të zhvillimit historik. Në skemën e Hobbesit, i cili është progresivist, shkalla e përparimit që e ka arritur Evropa legjitimohet përmes ligjeve të domosdoshme dhe natyrore të zhvillimit historik. Morgan thotë se shoqëritë deri më sot kanë përjetuar një evolucion shoqëror (egërsia, barbarizmi dhe qytetërimi). Mendimi i qytetërimit, i cili në shekullin XIX në Evropë fitoi rëndësi të madhe dhe i cili prej gjysmës së dytë të shekullit XVIII i motivoi thellë kombet dhe shoqëritë evropiane, në kulturën tonë kaloi si një trashëgimi të cilën në kohët e mëvonshme ua la “besimi për përparimin e pafund ”. Në këtë kohë evropianët ishin thellë të bindur se njerëzimi ka hapëruar në një shekull – kohë të re – në shekullin e qytetërimit absolut (Bullaç, 2002:17).
Megjithëse ideja e modernitetit është e lidhur pothuaj vetvetiu me shekullarizmin, elementi përbërës kryesor i tij është ndjenja e kohës së pakthyeshme dhe ky element përputhet me Weltanschauung-un eskatologjik jude-kristiane të historisë. Ja pse, ndonëse nuk kishte qenë aspak e pranishme në botën e lashtësisë pagane, ideja e modernitetit lindi gjatë Mesjetës së krishterë. Pikërisht gjatë Mesjetës fjala modernus, si ndajfolje dhe emër, u formua prej ndajfoljes modo (që do të thotë “e kohëve të fundit, pikërisht tani”) në të njëjtën mënyrë që fjala hodiernus zuri fill prej hodie (“sot”). Modernus, sipas Thesaurus Linguae Latinae, do thotë qui nunc, nostro tempre est, novelus, praesetaneus (e tanishmja, e kohës sonë, e reja, e pranishmja). Antonimet kryesore të tij ishin ashtu siç i rendit fjalori: antiques, vetus, priscus (antike, e vjetër). Vepra e Calinescut për modernitetin, që ngërthen edhe çështjen e dekadencës, është “studim plot dituri, i kthjelltë, i mprehtë dhe origjinal, i cili shtrihet mbi hapësirën e së pothuaj krejt Evropës, duke përfshirë kohën prej hyrjes së fjalës ‘modernus’ në latinishten mesjetare deri te postmodernizmi i ditëve të sotme”.
Calinescu, duke shpjeguar ligjin e përgjithshëm të dekadencës, përmend ndërvarësinë e saj me begatinë apo pasurinë, të cilën e nënvizon Montesquieu. “Në historinë e perandorive asgjë nuk është më pranë dekadencës sesa begatia e madhe. Po ashtu, në republikën tonë të letrave duhet të trembemi se mos begatia çon në dekadencë” (op. cit., 172-3). Një gjë të tillë e përmend edhe sociologu i parë, Ibën Haldun, në veprën e vet Prologomena (Muqaddimah), ku thotë se shoqëritë zhvillohen si njeriu, pra me një qasje biologjike shpjegon se çdo entitet social kalon nëpër procesin e fëmijërisë, rinisë dhe pleqërisë, që plotësohet në brezin e katërt me shkatërrimin përfundimtar (Bullaç, 2002:188).
Sipas Calinescut, dekadenca, të cilën e komenton më tepër në rrafshin e artit, por gjithnjë duke e ndërlidhur edhe me sfera të tjera të jetës, në fakt është antimoderne, antirisuese, antiimagjinative, është përshkruese dhe shkon në dëm të arsyes. Ajo dalëngadalë e dërrmon kombin, andaj dekadenca në Francë ka bërë “nam” në shekullin XIX, kur u vërejt se “ndjenja e fuqisë dhe prestigjit të kombit francez po binin ”. Dhe tani, në epokën e postmodernes, gjendje kjo kur është humbur besimi në “rrëfimet e mëdha legjitimuese”, është emër i një epoke që shënon fundin e të gjitha miteve ngushëlluese rreth mbisundimit intelektual dhe të “së vërtetës”, gjendje që shprehet me “mosbesim ndaj metanarracioneve”, “kryengritje kundër monotonisë jetësore të imponuar nga mënyra moderne e jetesës që i shkrin në kazanin e vet të gjitha veçoritë”, “këputje e lidhjeve me fushën estetike të modernizmit”, “bërthamë e paskriticizmit dhe politikë e interpretimit të së sotmes”, “periudhë skizofrenike e shoqërisë së konsumit” (Pajaziti, 2009:484), kur “njeriu modern, i shtrënguar t’u besojë koncepteve ‘zhvillim’ dhe ‘përparim’, ka humbur shumë gjëra dhe jeton pa shpresë, kur ai nuk di se çfarë ka humbur” (Bullaç, 2002:7), kur duket se progresi dhe neuroza janë të pandara (Ditari i vëllezërve Gonkur). Për këtë sëmundje flet edhe Zola (“sëmundja e progresit”), simptomat e së cilës ai i gjente në çdo refleksion të kohës së tij, edhe në letërsi: “Ne jemi të sëmurë, kjo është e sigurt, të sëmurë me progres”. Calinescu i referohet edhe Burzhesë, autor i Theorie de la decadence, i cili, me një diskurs sociologjik, analizon dy llojet e shoqërive, ato organike – në të cilat energjitë e përbërësve u nënshtrohen qëllimeve dhe kërkesave të “organizmit total” dhe, të dytat, shoqëritë dekadente, të cilat shënohen nga një shkallë në rritje anarkie, nga një tendosje e marrëdhënieve hierarkike (Calinescu, 2012:182-184).
Ndërkohë, Calinescu analizon etërit e ligjshëm të dekadentizmit, Schopenhauerin, Nietzschen dhe Wagnerin, raportin marksizëm-art, duke theksuar se arti ideologjik është dekadent, kurse dekadenca është patologji estetike, duke e quajtur romantizmin si sëmundje moderne dhe pikënisje të të gjitha dekadencave, duke përfunduar me thënien e Feuerbachut, se deri tani filozofët janë kënaqur vetëm me interpretimin e botës, ndërkaq me rëndësi është ta ndryshosh atë (op. cit., 225).
Përfundim
Calinescu, mendimtar me nam, përmes kryeveprës së vet Pesë fytyrat e modernitetit jep një ekzegjezë të shkëlqyer të fjalëve kyçe të modernes: modernizmi, pararoja, dekadenca, kiçi dhe postmodernizmi, duke shpjeguar dimensionet estetike, sociologjike dhe kulturologjike të kësaj epoke të rëndësishme të historisë perëndimore, duke u ndalur në mënyrë të veçantë (një kapitull) te çështja e dekadencës, si fazë e shterimit, zvetënimit, korrupsionit, degjenerimit, sëmundjes, perëndimit dhe çoroditjes, si një kitsch (kiç) i Zeitgeist-it (nga gjermanishtja në shqipe: fryma apo shpirti i kohës) moderne, kur mbizotëron “hipokrizia e luksit”, kur bien standardet si në krijim, ashtu edhe në konsumin e artit dhe të vlerave (Calinescu, 2012:240), kur qytetërimi është brutalizuar, kur lëvizje të shumta promovojnë kthimin prapa, konservatorizmin në vend të lëvizjes emancipuese, kur edhe vlerat janë partishmëruar (shih: rasti Shkupi, 2014, shtatoret, “barok revolucioni”).
Sugjerojmë që kjo vepër të shndërrohet në një tekst të dorës së parë për studentët e departamenteve të filozofisë, sociologjisë dhe shkencave politike, meqë Calinescu e ka të mprehtë edhe tehun filozofik, sociologjik dhe politologjik, përveç atij letrar dhe kritik. /KultPlus.com
Viktimat e trafikimit nën monitorimin e artistes Njomza Luci kanë përgatitur çanta dore në kuadër të projektit që synon socializmin e tyre, përcjellë KultPlus.
“Ju prezantojmë çantat e bukura, praktike dhe unike, të punuara me përkushtim nga gratë e kategorisë ‘viktima të trafikimit dhe viktima potenciale të trafikimit’, nën mentorimin e artistes Luci. Cantat janë në shitje dhe fondet e mbledhura nga kjo iniciativë do t’iu dedikohen grave që i kanë punuar këto produkte”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Ky rezultat punues
vjen pas tetë punëtorive të projektit ‘Ndërtimi i qëndrueshmërisë dhe përfshirjes
sociale të viktimave të trafikimit dhe viktimave potenciale të trafikimit’.
Rezultati i këtyre
aktiviteteve ishte që gratë mësuan të krijojnë produkte nga materialet e
recikluara, vazhdohet në këtë postim në Facebook.
Këto produkte për herë të parë u prezantuan dhe u shitën në ekspozitën shëtitëse “Zambaku i Luginës” më 14 qershor, 2019 në kuadër të Festivalit FemArt, në Muzeun e Kosovës.
Projekti “Fuqizimi
Socio-Ekonomik dhe Pskikosocial i Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të
Mundshme të Trafikimit financohet nga projekti i BE “Lëvizja Përpara: Promovimi
i Efikasitetit dhe Efektivitetit më të Madh në luftë kundër trafikimit të
qenieve njerëzore.
Projekt i zbatuar nga konzorciumi i udhëhequr nga Family and Childcare Centre (KMOP). /KultPlus.com
1. Drita inkandeshente mbyste, dhe shikimet e saja dukeshin rreze. Pata vetëm një gulçim: ky njeri mund të më zbutë.
U përkul … do të thotë diçka … Gjaku iu zhduk nga fytyra. Si një gur varri, dashuria u vendos në jetën time.
2. Nuk do, nuk do të shikosh? Ah, sa e bukur je, moj e mallkuar! Që në fëmijëri kam pasur flatra, por tani s’mundem të ngrihem fluturim. Një mjegull ma vesh shikimin, ngatërrohen aty gjërat dhe fytyrat, dhe është aty vetëm një tulipan i kuq, tulipani që mban në vrimën e filikut.
3. Siç e do mirësjellja e thjeshtë, u afrua pranë meje, buzëqeshi, midis përkëdheljes dhe e mefshët, më fshiku dorën me një puthje, dhe shikuan pupilat e mia shembëlltira të mistershme, të lashta … Dhjetë vjet pulsime dhe thirrje, të gjitha netët e mia pa gjumë pjesa tjetër një fjalë e qetë, e shqiptuar kot. Ti ike, po shpirti përsëri është i zbrazët dhe i qartë.
Ish-pjesëmarrësjanë “Uomini e Donne” dhe njëra nga bloggeret më të ndjekura në Instagram me mbi katër milionë fansa Giulia De Lellis, po shijon një tjetër sukses.
Libri i saj i parë, që del në treg më 17 shtator mezi pritet nga publiku, edhe pse vetë Giulia ka deklaruar se nuk ka lexuar kurrë një libër në jetën e saj.
Pas lajmit se libri është gati, shumë lexues i janë drejtuar Amazon për të porositur “Brirët rrinë mirë tek të gjithë, por jo tek unë”.
Falë këtij interesimi të madh, libri i saj pa dalë ende në treg fizikisht është ngjitur në renditjen e librave më të shitur në Itali. /KultPlus.com
Paramount e ka publikuar një trailer të ri për filmin “Terminator: Dark Fate”, një film ky me regji të Tim Miller, i cili është një vazhdim i drejtpërdrejtë i një filmi tjetër të Terminatorit. Në filmin e ri rikthehen Linda Hamilton si Sarah Connor dhe Arnold Schwarzenegger si Terminator.
Ndër fytyrat e reja në filmin e ri janë Mackenzie Davis, Natalia Reyes, Diego Boneta dhe Gabriel Luna.
James Cameron gjithashtu rikthehet në këtë projekt, këtë herë në rolin e producentit ekzekutiv.
“Dark Fate” na sjell tregimin i cili do të merret me pyetjen se çfarë i ndodhi botës pas Terminatorit të dytë. Siç shpjegon vetë Sarah, ajo na ka shpëtuar të gjithëve, por Grace (Davis) ia shpjegon asaj se kjo mund të mos ketë qenë e mjaftueshme, sepse fati ynë është akoma i lidhur me shkatërrimin nga Skynet dhe makinat e tyre.
Në gjithë këtë ngjarje rolin kyç e ka Dani Ramos (Reyes), ndërkohë që të gjithë do t’i bashkojnë forcat për ta mbajtur atë nga Terminatori i ri, më i avancuar (Luna).
Se si do të përfundojë kjo ngjarje këtë do ta mësojmë në fund të tetorit kur filmi të mbërrijë në kinema. /KultPlus.com
Margaret Atwood dhe Salman Rushdie bëjnë pjesë mes shkrimtarëve të zgjedhur për Booker Prize 2019, çmim prestigjioz i letërsisë britanike, sipas listës prej gjashtë finalistësh, publikuar sot.
Romancierja dhe poetja kanadeze është përzgjedhur për romanin “The Testaments”, vazhdimi i shumëpritur “The Handmaid’s Tale”, që do të dalë në ditët e ardhshme në Britaninë e Madhe.
Presidenti i jurisë, Peter Florence e cilësoi “The Testaments” si një roman të egër dhe mrekullueshëm që na flet sot me bindje dhe fuqi.
“The Handmaid’s Tale”, vepër e publikuar në vitin 1985 është është kthyer në serialin televiziv më të suksesshëm në vitin 2017 që ka rritur shitjet e romanit, botimi në anglisht i të cilit ka arritur në tetë milionë kopje të shitura në të gjithë botën.
Shpesh përmendur për çmimin Nobel për Letërsinë, Margaret Atwood, 79 vjeçe, ka fituar tashmë Booker Prize në vitin 2000 për romanin historik “The Blind Assassin”.
Laureat i Booker Prize gjithashtu në vitin 1981 për romanin “Midnight’s Children”, Salman Rushdie, 72 vjeç, është zgjedhur për “Quichotte”, versioni modern i epopesë së ashtuquajtur pikareske të heroit Servantes zhvendosur në Amerikë.
Çmimi i letërsisë Booker Prize do të jepet më 14 tetor./ atsh/ KultPlus.com
Një anë e errët dhe tronditëse e gjigantit para-Raphaelit që rëndom njihet për imazhet ndjenjësore të bukurisë dhe dëshirës do të shihet këtë javë kur një pikturë dikur e humbur do të shfaqet në Muzeun Britanik.
“Vdekja e Breuze Sans Pitié” e Dante Gabriel Rossettit zor që është parë në publik prejse ishte pikturuar në fund të viteve 1850, dhe prej dekadave njihet vetëm nga përshkrimet e saj.
Është një yll i koleksionit të madh privat të historianit të ndjerë të artit, John Christian, i cili së fundmi iu alokua Muzeut Britanik pasi iu ofrua shtetit si pjesë e pranimit në skemën e heqjes së taksave, që u lejon njerëzve të ofrojnë vepra arti dhe koleksioni për të hequr taksën e trashëgimisë, shkruan sot Koha Ditore.
Piktura e mahnitshme me ngjyra uji shfaq dy kalorës nga legjenda arturiane, Dinadan dhe Breuze, në një përleshje thikash. Prapa tyre është një burrë i vdekur i varur në një lis dhe një grua e mbajtur kundër dëshirës së saj me litar rreth qafës.
“Është krejt ndryshe prej asaj që prisnin nga Rossetti”, ka thënë Susannah Walker, kuratore e ekspozitës në Muzeun Britanik. “Ne presim dashnorë dhe gra të hirshme, një estetikë krejt e ëndërrt. Kjo është një pikturë krejtësisht e pazakontë”.
Vepra ishte një nga shtatë pikturat me ngjyra uji, me frymëzim mesjetar, që u blenë nga miku i Rossettit William Morris në fund të viteve 1850.
Morris më vonë i shiti ato dhe pesë sosh përfunduan në koleksionin e Tates. Këto piktura uji – vizione romantike të një bote kalorësiake si “The Blue Closet” dhe “The Tune of the Seven Towers” – janë shumë më shumë sesa që mund të presësh nga Rosseti.
Me gjasë pse ishte aq e ndryshme dhe drithëruese, “The Death of St Beuze” pati një rrugë krejt të ndarë. Është shënuar si pjesë e një ankandi në New York në vitin 1926 dhe nga ajo kohë ishte humbur thelbësisht për botën e artit – nuk ka pasur fotografi të saj – derisa u shfaq në një ankand të Londrës më 1993.
Është një pikturë fascinuese për shkak se është aq e tjetërllojtë. Një përshkrim i rrallë i saj është në librin e vitit 1899 të Hc Marillierit, i cili e quante atë si “një prej më të vrazhdave dhe më pak të suksesshmëve prej të gjitha pikturave të Rossettit”.
Skena e zymtë, vazhdonte ai, kishte një “efekt neveritës e të pakëndshëm” dhe kompozicioni ishte “grotesk dhe i tendosur”.
Është përmendur edhe nga vëllai i Rossettit në një jetëshkrim të artistit të publikuar më 1889. Ai shkruan se Rossetti e gjeti Vdekjen e Breuzes “si vepër të vështirë dhe mendonte se ajo duhej të ishte menaxhuar me më pak punë”.
Walker ka thënë se nuk ishte e lehtë të gjendej se çfarë po ndodhte. “Është një imazh prej të cilit duhesh të qëndrosh prapa me qëllim të deshifrimit të veprimit. Nuk është i menjëhershëm dhe nuk është se çfarë pret nga Rossetti, por është një send që vërtet rritet brenda teje”.
Vepra është një prej 900 sendeve në koleksionin e Christianit, një autoritet prijës në artin viktorian që kryesoi para-Raphaelitet në vitet ’60 dhe ’70 kur ato ishin jashtë mode dhe çmimi i tyre i ulët.
Ai njihet veçmas për kurimin e një ekspozite të rëndësishme të Edward Burne-Jonesit në Galerinë e Haywardit më 1976 dhe një tjetre të quajtur “The Last Romantics” në Barbican më 1989.
Rossetti do të jetë pjesë e një ekspozite të vogël në muze, që hapet të martën, duke treguar pjesë të koleksionit, përfshirë edhe vizatime nga Charles Haslewood Shannon, Benjamin Robert Haydon, Dorothy Hawksley dhe Kalman Kemeny.
Walker ka thënë: “Është një aset madhor që ofron një vështrim të thellë në artin viktorian dhe është një thesar i vërtetë për secilin që dëshiron të mësojë më thellë mbi shtypshkrimin, vizatimin dhe stërhollimin e zejes së vizatimit”/ The Guardian./ KultPlus.com
Poezi nga Velimir Chlebnikov Përktheu Faslli Haliti
Vajzë! Nëse sytë e tu janë të lodhur për t’u zmadhuar,
nëse të pëlqen të më thërrasësh “vëlla”,
unë, syzjarrti, betohem
për të mbajtur lart lulen e jetës tënde.
Shiko, unë jam i tillë, rashë nga një re
shumë keq, më bartën
sepse isha ndryshe,
jo gjithmonë i përzemërt,
jo i dashur kudo.
Nëse ti dëshiron, do të jemi vëlla e motër,
pasi tashmë jemi në një tokë të lirë të njerëzive të lirë,
ne i bëjmë vetë ligjet, ligjet nuk duhet të na trembin,
dhe plazmojmë argjilin e veprimeve.
E di, je e bukur, lule e kaltërsisë,
dhe unë befas jam mirë,
nëse flisni për Soçin
dhe sytë e butë hapen.
Unë, që kam dashur gjatë,
papritmas kam besuar përherë
se është e kotë që një druvar të çajë
atë që ishte e paracaktuar…
Shumë fjalë të tepërta do të shmangim ne.
Thjeshtësisht do të shërbej për ty,
si një prift kapelan me kresht të gjatë:
për të pirë rrëketë e kaltra të pastërtisë
dhe nuk do të kemi frikë nga disa emra të tmerrshëm.
Sot kur kemi hyrë në ditën e dytë të vitit të ri shkollor, nxënësit e Shkollës Finlandeze kanë filluar të vjelin perimet e mbjellura në pranverë të këtij viti, në kopshtin e shkollës të quajtur “Garden of Earthly Delights”.
Shkolla Finlandeze ka qasje krejtësisht ndryshe të të mësuarit. Në këtë shkollë, fëmijët zhvillojnë shkathtësitë e shekullit të 21 përmes ndërthurjes së teknologjisë më të avancuar dhe punës praktike.
Për të kuptuar më mirë funksionimin e ekosistemit tonë, shkolla ka krijuar kopshtin e pemëve dhe perimeve ku secila klasë ka hapësirën e vet. Nxënësit vendosin vet se çfarë do të mbjellin dhe kujdesën që puna e tyre të prodhoj sa më shumë produkte bio. Në këtë mënyrë, nxënësit mësojnë për ushqimin e shëndetshëm, jetën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësuesit më të mirë në botë, ata finlandez; me teknologjinë më të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojëra, e jo lëndë; dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët tanë, Shkolla Finlandeze në Kosovë po shihet si një revolucion në sistemin arsimor të Kosovës.
Shkolla posedon kampusin inovativ tek rrethi i QMI-se, ndërsa për më shumë informata mund te kontaktoni në 045 235 650, www.shkollafinlandeze.com apo në Facebook: www.facebook.com/ShkollaFinlandeze
(Shkrim i sponsorizuar nga Shkolla Finlandeze). /KultPlus.com
Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Ministri i Shtetit për Diasporën janë bërë bashkë për të organizuar një koncert për diasporën në ShBA.
“Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Ministri i Shtetit për Diasporën organizojnë të dielën më 8 shtator koncertin “Diaspora Artistike dhe Shkencore – ShBA”, me pjesëmarrjen e pianistit shqiptar që jeton në SHBA Redi Llupa dhe violonçelistit argjentinas Juan Sebastian Delgado”.
Tutje, thuhet që në këtë koncert do të ketë një repertor të pasur muzikor me kompozitor të mirënjohur shqiptar.
“Koncerti përmban një repertor të pasur muzikor me pjesë të kompozitorëve shqiptarë të njohur si Thomas Simaku, Vasil S Tole, Tonin Harapi, Thomas Simaku, si dhe pjesë të njohura nga kompozitorët Astor Piazzola, Manuel de Falla etj.
Koncerti “Diaspora artistike dhe shkencore SHBA” mbahet në sallën ”Aleks Buda”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, të dielën ora 19:00”. / KultPlus.com
Organizata “Sakuntala” së bashku me “Ec ma Ndryshe” dhe Kuvendin Komunal në Prizren kanë përgatitur aktivitet për gratë e komunitetit RAE, që është një komunitet ende i margjinalizuar në këtë qytet, përcjellë KultPlus.
“Shkathtësitë artizanale drejt fuqizimit të grave dhe vajzave rome, ashkalike dhe egjiptjane, me synim të përmirësimit të kushteve socio-ekonomike.
OJQ- “Sakuntala”, në mbështetje të Ec ma Ndryshe dhe Kuvendit Komunal, në zyrën e Roma Versitas në Prizren , ka mbajt aktivitetin e parë me gratë e komunitetit RAE për përmirësimin e kushteve socio – ekonomike”, thuhej në njoftim.
Synimi i këtij aktiviteti duket të jetë aftësimi i grave të këtij komuniteti.
“Me anë të këtij projekti do të ngiten shkathtësitë grave dhe vajzave rome, ashkalike dhe egjiptjane për pune dore, aksesore tradicional për dasmat rome të cilat ende janë evidente tek komuniteti romë. Më pas, me anë të kurseve do të vjen deri te fuqizimi dhe mobilizimi i tyre për të konkurruar në treg të punës dhe synim të përmirësimit të kushteve të tyre jetësore, përmirësimit të kushteve ekonomike, promovimi i produkteve të punë së dorës në aktivitetet e institucioneve lokalë ,OJQ mazhoance, përforcimi i bashkëpunimit me gratë /OJQ e grave mazhorance”. / KultPlus.com
“Magjia e libri”, së shpejti sjellë në shqip librin që po bënë namin nëpër botë, të njërës nga vajzat më me famë botërore të kësaj kohe, Greta Thunberg. Libri pritet që në gjuhën shqipe të botohet gjatë këtij muaji.
Duke filluar nga tregimi
që tronditi mbarë botën, rrëfimi i aktivistes trime suedeze Greta Thunberg u
shndërrua në një biografi të ilustruar, treguar me saktësi me fjalët më modeste
protagonistëve të vërtetë të revoltës së fundit të gjelbër: fëmijëve. Për hir
të tyre përcillet porosia e rëndësishme e ambientalistes pesëmbëdhjetë vjeçe te
“Cop24”: kurrë nuk je aq e vogël për ta bërë dallimin.
Në verën e vitit 2018,
zjarret dhe thatsirat e kanë shkatërruar Suedinë. Nga 20 gushti i po atij viti,
e çdo të premte, vajza pesëmbëdhjetë vjeçe ulet përballë Parlamentit suedez në
Stokholm, për të protestuar. Emri i saj është Greta Thunberg, dhe ka për qëllim
ta shëtisë botën anembanë.
Së bashku me ata që
besojnë në porosinë e saj dhe përkushtimin, Greta vjen për të folur para
njerëzve të fuqishëm të “COP24”, në samitin e Kombeve të Bashkuar kushtuar
ndryshimeve klimatike që është mbajtur më 4 dhjetor të vitit 2018 në Poloni.
Greta tani është gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Ajo është propozuar si kandidate e
mundshme për të fituar çmimin Nobel për paqe, dhe ka përdorur rrjetet sociale
për të zgjuar vetëdijen, për t’i inkurajuar njerëzit që të dalin në rrugë.
Imagjinojeni çfarë do të
mund të bënim bashkë, nëse do të dëshironim vërtetë këtë, thotë në fjalimin e
saj te COP24”.
Greta Thunberg është e bija e këngëtares së operave Malena Ernman dhe mjekut Svante Thunberg. Greta ka lindur në shtator të vitit 2003 dhe disa vite më pas ishte diagnostikuar me sindromën “Asperger’s”. Emrin e saj të gjithë sot e zënë në gojë për përkushtimin e saj për ambientin dhe për fuqinë permes së cilës ka përfshirë të rinjtë nga e mbarë bota./KultPlus.com
“KultPlusi është një oazë shumë e rëndësishëm që po punon për kulturën në vend më shumë se shtëpitë e mëdha mediatike që kanë me qindra punëtor”, këto qenë fjalët e Nezir Krakit në festën e gjashtë vjetorit të KultPlus-it.
Portali i vetëm për art dhe kulturë në Kosovë, KultPlus, dje ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit të tij. Me qindra e mijëra tekste të publikuara çdo ditë, me intervista dhe rrëfime, me organizime të ngjarjeve kulturore, me rikthimin në kohë të figurave më eminente artistike dhe me promovimin e artistëve të rinjë të të gjitha fushave, KultPlus është përpjekur dhe po vazhdon të punojë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës në vend. Koncerti i mbajtur në Kosovë i talentes tashmë me famë të madhe, Erza Muqollit, ka qenë njëra ndër ngjarjet më të suksesshme të KultPlusit të realizuar ndër vite.
Përvjetori i gjashtë i themelimit të KultPlusit është më i veçantë sepse me suksese Kulti ka arritur që ta hap edhe Qendrën Kulturore KultPlusCaffeGallery, e cila tashmë po shërben si një hapësirë e përshtatshme dhe efikase për mbarëvajtjen e aktiviteteve të ndryshme kulturor-artistike. KultPlus po rritet bashkë me mbështetjen e ndjekësve tanë dhe sponsorizuesve tanë, të cilët i falënderojmë për përkrahjen e tyre të deritanishme duke u premtuar vazhdimin e punës sonë profesionale ashtu siç jemi munduar ta bëjmë deri tani.
Në gjashtë vjetorin e KultPlusit mysafir special ishte, Nezir Kraki, profesor universitar në Paris që pasion e ka letërsinë dhe poezinë. Ai ka folur gjerë e gjatë për pasionin e tij, për karrierën e tij akademike si dhe ka shprehur qëndrimet e tij rreth aktivitetit letrar, artistik si dhe social në vend.
Fillimisht Ardianë Pajaziti, themeluese dhe kryeredaktore në KultPlus, me
rastin e ceremonisë së gjashtë vjetorit të themelimit të gazetës së parë
shqiptare për art dhe kulturë para të pranishmëve ka thënë se në Kosovë,
fatkeqësisht edhe më tutje arti dhe kultura konsiderohen të jenë luks.
“Shumë kemi punuar që ta ndryshojmë këtë perceptim, sepse kultura është e
domosdoshme për çdo shoqëri, e sidomos për shoqërinë kosovare, që ka shumë
nevojë që nëpërmjet kulturës të përfaqësohet edhe më shumë jashtë vendit”, ka
thënë Pajaziti.
Tutje ka vazhduar profesori Nezir Kraki i cili pas fjalëve të mira për KultPlus-in
ai ka thënë se ndihet me fat që jeton në Paris, pasi ky qytet e ka motivuar dhe
lidhur edhe më shumë me kulturën dhe letërsinë franceze, dhe jo vetëm.
“Kam pas fat me jetu edhe në rrugë e lagje ku kanë jetuar autorë të mëdhenjë, kështu
që gjithçka më lidh fort me kulturën franceze dhe në përgjithësi me letërsinë e
saj. Përmes saj ju kam rikthy letërsisë shqiptare dhe kulturës evropiane dhe
botërore në përgjithësi.”
Ai ka folur sesi letërsia e ka ndihmuar edhe në profesionin e politikës duke e lënë të nënkuptohet se letërsia nuk është produktive vetëm për anën subjektive të njeriut.
“Në fillim e thash që më shumë jam krenar për këtë anë (letërsinë) sesa për anën tjetër me të cilën e fitoj edhe bukën e gojës, në fakt as në këtë zanatin e politikës dhe të profesorit në shkencat politike nuk do të kisha qenë ndoshta ky që jam, ose ma mirë me thanë do të isha dukur më keq pa zanatin e letërsisë”.
Ai ka thënë se përvoja jetësore shumë shpesh është më e rëndësishme se diplomat burokratike që ne i marrim në institucione arsimore.
“Jeta dhe diploma e jetës është shumë më e vlefshme se diploma e Hardward-it ose diplomat e Parisit. Ka plotë njerëz që unë dhe ju njohim që kanë diploma të vlefshme po që kanë dështu në diplomën e jetës. Pa e pasur diplomën e jetës me sukses, diploma e letrës nuk ka kuptim”.
Duke e ditur se Kraki është shumë aktiv në rrjetet sociale, në përgjigje e sipër, me shaka, ai ka treguar sesi e instrumentalizon poezinë për ‘pajtim me njerëzit’.
“Arsyet përse e fus një poezi kohë pas kohe është shumë meskine se unë i preki në Facebook disa tema të nxehta që krijojnë debat e komente njëfarë lufte vrituale, po pasi jam në Parsi e s’ma dinë adresën them në rregull është, plus nuk kanë as viza e s’munden me ardh këtu, kështu që përmes poezisë unë i zbusë njerëzit, dua të ju them “hajdeni bëhemi prapë miq”.
Kraki ka folur edhe për temën e shumë përfolur rreth ndërtimit të një Teatri të ri në Shqipëri për të cilin ka shprehur rezervat dhe kundërshtimin e tij.
“Çka duhet salla me xhama, xhamat nuk e bëjnë artin, as objekti nuk e bënë artin, objekti është forma, përmbajtja është brenda”.
Siç i takon një njeriu që shkruan dhe që është i preokupuar edhe me anën njerëzore dhe emocionale, Kraki shpreh brengën e tij për jetën njëdimensionale, për robotizimin, për jetën formale dhe rutinore që e jetojnë shumica e njerëzve sot.
“Sot unë jam shumë i mërzitur që jo vetëm koha po kalon shpejt por edhe njerëzit vrapojnë pas kohës dhe nuk po arrin më të gjejnë momente jashtë kohës, jashtë kuadrit, me jetu brenda tyre diçka me njerëz të tjerë, apo vetëm vetë, s’ka rëndësi kudo qoftë, në çdo hapësirë gjeografike, me dalë pak prej autostradës së jetës, me bë një pauzë, me marrë energji pozitive, me taku njerëz”.
Ai e ka vlerësuar anën kulturore të Kosovës, duke përmendur disa fusha që po arrin suksese edhe jashtë Kosovës.
“Na s’kemi shumë diçka që me eksportu, por kemi sportistë, artistë shumë të zotë, individualisht që kulmojnë jashtë edhe si ekip tash, si xhudo, si Majlinda Kelmendi, jemi shumë mirë për një vend të vogël. Ka mundësi edhe ma shumë, tema kemi mjaft duhet vetëm me lexu më shumë, me pasë njohuri ma shumë, sidomos për ata që bëjnë film, duhet të analizohen filma të thellë, në mënyrë që të pranohen, në veçanti në Francë”.
Kraki ka thënë se arti dhe letërsia kanë rol jetik në marrëdhëniet shoqërore meqë ato i bashkojnë njerëzit, përderisa fushat tjera i përçajnë ata.
“Poezia dhe letërsia është ushqim i shpirtit që na ndihmon të harrojmë dallimet politike, ideologjike. Të gjitha fushat tjera i ndajnë njerëzit përveç artit dhe letërsisë që i bashkon”.
Mes duartrokitjesh nga një numër i madh i të pranishmëve dhe një falënderimi nga Nezir Kraki, mbrëmja dedikuar gjatë vjetorit të KultPlusit u mbyll me një poezi të përzgjedhur nga vetë ai, të cilën e solli me shumë dashuri për të pranishmit.
Pas gjithë kësaj ligjërate të thukët nga profesori Kraki, të pranishmit patën rastin të ndërlidhen në bisedë dhe të parashtrojnë pyetje të cilave Kraki ju përgjigj me shumë përkushtim e seriozitet. Krejt për fund eventi vazhdoi me një koktej rasti ku të pranishmit vazhduan ta takojnë nga afër Krakin, të bisedojnë e të fotografohen me të. / KultPlus.com
Një vend kontrastesh të forta, mes Lindjes dhe Perëndimit, ku përplasen kultura të ndryshme, me një të histori për të treguar, Tirana, një qytet në libra, është e përzgjedhur si protagoniste në Festivaletteratura 2019, që do të zhvillohet në Mantova të Italisë nga data 4-8 shtator.
Një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të
huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në Piazza Sordello, nën
kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit e pedagogut, Luca Scarlini. Në këtë
bibliotekë librash gjenden vepra artistike, eseistike, shënimi udhëtimi të
autorëve Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Girolamo De Rada, Elvira Dones, Gëzim Hajdari,
Alexander Langer, Indro Montanelli, Besnik Mustafaj, Mario Rigoni Stern, etj.
Gjatë ditëve të festivalit, do të jenë të pranishëm në stendën dedikuar
Tiranës, shkrimtarët Fatos Kongoli e Virgjil Muçi. Nuk do të mungojë një rrëfim
i arkitektes Elisabetta Terragni mbi Muzeun e Gjetheve dhe Shtëpinë-Muze
“Kadare”. E ftuar është edhe këngëtarja Elina Duni.
Prej vitit 1997, Festivaletteratura është një prej ngjarjeve kulturore, më të rëndësishme në Itali. Përgjatë 5 ditëve të festivalit zhvillohen takime me autorë nga e gjithë bota, lexime, koncerte etj./ Gazeta Shqip / KultPlus.com