KEK-u ndanë 100 mijë euro për t’i ndihmuar Shqipërisë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndarë 100 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë pas tragjedisë që ndodhi ditën e martë si pasojë e termeteve.

Me kërkesë të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi dhe me aprovim të Bordit të Drejtorëve, kjo shumë është dedikuar për Qeverin e Republikës së Shqipërisë për të ndihmuar familjet që pësuan nga kjo tragjedi.

Korporata Energjetikë e Kosovë të martën gjithashtu ka derguar edhe ekipën e specializuar për intervenime emergjente (kërkim-shpëtim) të cilët po i dalin në ndihmë autoriteteve shqiptarë për nxjerrjen e viktimave nga gërmadhat e krijuara pas termetit.

Drejtori Menaxhues i KEK, Njazi Thaçi ka thënë së kjo është me e pakta që mund të bëjmë si korporatë për t’u solidarizuar dhe për të ofruar përkrahjen për qytetarët që pësuan nga kjo tragjedi.

“Nga mengjesi i ditës së martë jemi duke i përcjellë me shqetësime ngjarjet në Shqipëri. Ndjejmë keqardhje dhe shprehim ngjushëllimet më të sinqerta për viktimat”, ka thënë Thaçi.

Ai ka bërë të ditur së vendimi për të ndarë 100 mijë euro është marrë më përkrahjën e gjithë menaxhmentit dhe të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut. / KultPlus.com

Kuvendi Komunal i Mitrovicës ndanë 20 mijë euro për Shqipërinë

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që të vendoset si pikë e rendit të ditës, ndihma me mjete financiare në vlerë prej 20 mijë euro, për familjet e dëmtuara nga tërmeti që ka ndodhur dje në Shqipëri.

Me këtë rast këshilltarët komunalë unanimisht aprovuan këtë rend dite.

Më pas, të gjitha grupet politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, kanë shprehur ngushëllimet dhe solidarizimin e tyre me vëllezërit me motrat në Shqipëri. / KultPlus.com

Ushtria e Kosovës shënoi Ditën e Forcës me emblema të reja

Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot manifestimin për shënimin e `Ditës së Forcës`.

Ky përvjetor Kosovën e gjen në ditë zie, nga ngjarjet që ndodhën në Shqipëri, ku dhjetëra persona humbën jetën dhe qindra mbetën të plagosur, nga tërmeti që ndodhi një ditë më parë.

Sivjet, njësitë e Forcës u paraqitën me flamuj e emblema të reja, të dekretuara nga presidenti. Kjo është Ditëlindja e parë e FSK-së me mandat të ri ushtarak.

Në manifestimin e Ditës së Forcës, presidenti i Kosovës, që është komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha qe kjo ditë sot nuk ka karakter festiv, meqë vendi është në ditë zie pas goditjes që ka marrë Shqipëria nga tërmetet ku humbën jetën dhjetëra persona e qindra të tjera mbetën të lënduar.

“Dita e FSK e gjen Republikën e Kosovës në ditë zie nga tërmeti i djeshëm që mori dhjetëra jetë të vëllezërve dhe motrave tona shkaktoi dëme të mëdha materiale. Kosova dhe bota po solidarizohen në mënyrë të paparë. Ditën e Forcës po e shënojmë si ditë të ushtrisë të Republikës së Kosovës që është në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, tha Thaçi, para njësive të FSK-së.

Thaçi tha që FSK është fuqia dhe garanca më e mirë e sigurisë, dhe stabilitetit të Kosovës. E kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se është krenar për ushtrinë e Kosovës.

“Jam krenar sot që ushtria jonë është vlerë e shtuar e sigurisë në rajon e në bote. Jam i lumtur që ky rresht i yti i paqes, nderojnë Kosovën dhe aleatët e lirisë. Urime dita jote ushtri, urime rrita jote Kosovë”, tha Haradinaj.

Para njësive të FSK-së, korit diplomatik e atasheve ushatakë, komandanti i Forcës, Rrahman Rama tha se sot Forca paraqitet me emblema të reja.

“Me krenari iu njoftoj që FSK me të gjitha kapacitetet e saj të nivelit operacional taktik ka arritur me sukses të përmbush objektivat e caktuara vjetore. Jam i nderuar të ju njoftoj qe FSK ka arritur të themelojë shtabin e përgjithshëm dhe kapacitetet e Gardës kombëtare. FSK ka realizuar me sukses planin vjetor të rekrutimit, duke rekrutuar 700 ushtarë të rinj. Do të vazhdojmë të jemi të hapur për të gjithë komunitetet. Sot është dita kur promovojnë njësitë e reja me emblema të reja”, tha gjeneral Rama. Rama tha se do t’i qëndrojnë pranë shtetit të Shqipërisë në këto ditë të vështira. Ai tha se Kontigjenti i Task Forcës arriti i pari të dislokojë në zonat e dëmtuara dhe filloi menjëherë operacionin e kërkim shpëtimit. Komandanti i FSK-së tha se varësisht prej nevojave, janë të gatshëm për përkrahje shtesë. / KultPlus.com

Hiqet përkohësisht taksa në Rrugën e Kombit

Shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morinë (Rruga e Kombit), thotë se duke filluar që nga dita e djeshme, më datë 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagese të të gjitha makinave.

“Individe, shoqata, institucione të Kosovës, Shqipërisë, etj, të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti. Këto grup personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net. /KultPlus.com

Papa Françesku, mesazh ngushëllues: Populli shqiptarë ka vuajtur shumë këto ditë

Mesazheve mbështetëse sa i takon situatës së krijuar në Shqipëri, pas tërmetit që goditi Shqipërinë në mëngjesin e djeshëm u është bashkuar edhe Papa Françesku.

“Jemi pranë viktimave dhe familjeve të tyre në këto momente. Zoti e bekoftë këtë popull, të cilit i uroj të gjithë të mirat. Populli shqiptar ka vuajtur shumë gjatë këtyre ditëve. Shqipëria është vendi i parë evropian që kisha dëshirë të vizitoja”, shprehet Papa ndër të tjera. / KultPlus.com

Botohet libri ‘Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989)’

Në ambientet e Institutit Albanologjik me një pjesëmarrje të madhe të ish të burgosurve politikë shqiptarë këto ditë është promovuar libri ‘Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989)’.

Këtë libër e botoi Instituti Albanologjik, Prishtinë 2019, me autor prof. dr. Sadik Mehmeti dhe prof. dr. Hysen Matoshi me titull: ‘Të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi (1989), sipas dokumenteve sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe të Administratës’.

Në këtë libër ofrohen të dhëna për 277 të burgosur politikë, nga të cilët, si gjithmonë, shqiptarët ishin shumicë në burgje, me gjithsej 245 veta, me emër e mbiemër ose thënë në përqindje, mbi 89 për qind e të gjithë të dënuarve politikë nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë ishin shqiptarë.

Ky libër është mjaft voluminoz, ka rreth 339 faqe, dhe trajton një nga periudhat më të bujshme, më të lavdishme dhe me të dhimbshme të historisë së Kosovës në fund të shekullit XX.

Me fjalë rasti rreth këtij libri në këtë promovim u paraqitën edhe Hydajet Hyseni, Mazllum Baraliu, Sabile Keqmezi-Basha dhe Hysen Matoshi. / KultPlus.com

Fëmijët e kthyer nga Siria mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë shqip

Në një klasë të vogël me pak banka, pesë vajza dhe dy djem të kthyer nga Siria në Kosovë në prill të këtij, mësuan shkronjat e para shqipe.

Ndonëse gjatës kohës sa ishin në zonat e luftës, nuk ishin takuar me njëri-tjetrin, mësimi i bëri bashkë në Kosovë këta shtatë fëmijë.

Mosha e tyre është prej nëntë deri në 14 vjeç dhe pasi që janë të moshave të ndryshme, ata nuk mund të dërgohen në klasat përkatëse, kështu që ka tre muaj që ata kanë mësuar në një klasë të ndarë nga nxënësit e tjerë.

Në klasë ata qëndrojnë çdo ditë nga tri orë e gjysmë.

Prej shtatë nxënësve sa ishin në klasën që ka vizituar Radio Evropa e Lirë, vetëm njëri kishte qenë në shkollë, para se familja e tij të shkonte në Siri dhe ta merrnin me vete.

Kthimi në bankat e shkollës, për ta ishte si një ëndërr, tregon arsimtari, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, por nuk mund të publikohet, me qëllim që të mos bëhet publik identiteti i fëmijëve dhe shkollës.

“Në fillim, mos të them me futjen në shkollë, por vetëm në oborr të shkollës, iu është dukur si ëndërr, nuk po e them prej vetes, por atë që ma kanë thënë fëmijët. E kam parë te ata, atë dëshirën shumë të madhe për të pasur shoqëri, për t’i dhënë mësuesi dashuri”, tregon arsimtari.

Ai ka treguar se që nga fillimi, fëmijët kanë shprehur dëshirë që të mësojnë sa më shumë.

Arsimtari që ua mësoi Alfabetin e gjuhës shqipe këtyre fëmijëve, tregon për Radion Evropa e Lirë, se ata kanë ditur vetëm të komunikojnë, por jo edhe të shkruajnë e të lexojnë shqip.

“Të flasin gjuhën shqipe nuk kanë pasur problem, kanë pasur problem në të shkruar dhe të lexuar, pasi që nuk kanë pasur njohuri rreth shkronjave, rreth alfabetit, rreth mësimit në gjuhën shqipe, por vetëm duke i dëgjuar prindërit duke folur shqip në vendet ku kanë qenë. Kanë mësuar vetëm të komunikojnë, por përndryshe nuk kanë pasur njohuri rreth mësimit. Kemi filluar me konkretisht, prej zeros me ta, me mësimin e shkronjave”, tregon arsimtari, i cili ka zhvilluar mësimet intensive me këta fëmijë.

Ai tregon se kjo është java e fundit që këta nxënës mbajnë mësim në këtë klasë, pasi ndërkohë do të shikojnë së bashku me Ministrinë e Arsimit, se a janë këta fëmijë vërtetë të gatshëm për të vazhduar në klasën që i përkasin.

Por, ekziston rreziku që këta fëmijë të paragjykohen dhe të mos pranohen në shoqëri, thotë Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”.

Sipas tij, inkuadrimi i tyre fillon me eliminimin e çfarëdo paragjykimi nga komuniteti i shkollës.

“Paragjykimet krijohen nëse këta fëmijë etiketohet si të kthyer apo të rrezikshëm – kjo duhet të eliminohet dhe rikthimi i tyre në banka shkollore duhet të jetë sa më i natyrshëm, pikësëpari, duke ofruar rahati dhe siguri për vet fëmijët e kthyer dhe rrethin e tyre në klasë dhe shkollë”, thotë Qehaja.

Qehaja thotë se fëmijët e familjeve të kthyera nga Siria paraqesin shqetësim që kërkon zgjidhje dhe përkrahje institucionale.

“MASHT duhet të strukturojë inkuadrimin e tyre në sistem gjithmonë duke garantuar përfshirje të barabartë në shkollimin – çfarëdo lloj segregimi i tyre, padrejtësisht do të ndikojë në përkeqësim të adaptimit të fëmijëve nga kthimi”, thotë Qehaja.

Nga Siria në Kosovë, në prill të këtij viti, u kthyen 110 persona, prej tyre katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Prej këtyre fëmijëve, dhjetë i përkasin nivelit të kopshteve, pesë nivelit parashkollor, 25 të nivelit fillor dhe 34 nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimimit/REL / KultPlus.com

Turneu i ribashkimit të “Guns N’ Roses” më fitimprurësi në histori

Turneu (dikur i pamundur) i ribashkimit në të cilin ikonat e “Guns N’ Roses”, Axl Rose, Slash dhe Duff McKagan interpretojnë përsëri së bashku, është turneu i tretë më fitimprurës i të gjitha kohërave, raportoi Billboard.

I titulluar “Not in This Lifetime”, sipas një përgjigjeje që Rose e kishte dhënë dikur në pyetjen për bashkëpunimin e sërishëm me Slashin – dhe i cili u hap me thyerjen e këmbës së Rose në koncertin e parë – turneu filloi në vitin 2016 dhe përfundoi më 3 nëntor. Në këtë periudhë bendi ka shitur 5,371,891 bileta dhe ka fituar 584.2 milionë dollarë nga 158 koncerte, shkruan KOHA Ditore. Ed Sheeran e mban vendin e parë me 775 milionë dollarë bruto fitime gjatë turneut të tij “Divide” në mes viteve 2017-2019, dhe U2 mbetet në vendin e dytë me turneun e tyre 360º, i cili i inkasoi 736 milionë dollarë midis viteve 2009-2011.

“Turneu i kishte rrënjët në Amerikën e Veriut, me 87 nga 158 koncerte (55%) duke u mbajtur në SHBA, Kanada dhe Meksikë,” vuri në dukje Billboard. “Por kishte edhe vizita të shumta në Evropë (31 koncerte), Azi (16) dhe Amerikën e Jugut (15), plus tetë koncerte në Australi dhe një në Johannesburg të Afrikës së Jugut.” Me më shumë kohë në Amerikën e Veriut, bendi ishte në gjendje të mbante një përzierje më të barabartë në stadiumet dhe arenat, në krahasim me performimet më të shpejta në vetëm stadiumet ndërkombëtare. Turneu i tyre në kontinentin amerikan arriti në 258.5 milionë dollarë dhe 2.3 milionë bileta të shitura, ende shumë larg nga ai i Evropës me 166.1 milionë dollarë.”

Guns N ‘Roses i fitoi më shumë se 10 milionë dollarë në një angazhim të vetëm pesë herë, dhe i shiti më shumë se 100.000 bileta për një angazhim të vetëm në katër raste. Më e suksesshmja prej tyre ishte ndalesa e tyre dynetëshe në London Stadium, Britani, në qershor të vitit 2017, ku i fituan 17.7 milionë dollarë dhe i shitën 140,877 bileta.

Bendi pritet ta kthejë vëmendjen tek albumi i tyre i parë që nga “Chinese Democracy” i vitit 2008. “Është folur shumë për këtë album të Guns N’ Roses, në të cilin ne nuk kemi bërë asgjë,” tha kitaristi Slash në prill. “Pra, do të përqendrohemi në këtë drejtim.” /KultPlus.com

Demokracia

Nga: Hasnije Ilazi

“Jeta private dhe publike janë dy botë të ndryshme prej thelbit dhe respektimi i këtij ndryshimi është kusht sine qua non që njeriu të mund të jetojë si njeri i lirë”.106 Pa një ndarje të tillë të qartë, njeriu “nuk mund t’i përkasë më vetvetes; humbet statusin e individit”.107 Në demokracinë liberale, kjo çështje (e formalizuar edhe përmes raportit në mes të të drejtave individuale dhe së mirës të përgjithshme) do të jetë një nga më të debatuarit, së bashku me raportin e së drejtës (legjislativa demo kratike) me moralin (supozimit etik të demokracisë). Disa reflektime sugjerojnë mbi disavantazhet në demokracinë e sotme si influencuese për rrjedhat e ardhshme: Demokracia liberale krijon individë “anemikë”, mikro-klimatikë, të prirur ndaj një jete më të mirë personale, të vetëmjaftueshme, me mendje të hapur ndaj tjetrit dhe lirisë së tij, me çka arsyetojnë shmangie nga qytetaria aktive dhe kul tivojnë pasivitetin qytetar. “Anemia” e individëve shkakton pasojat “leukemike” për shoqërinë demokratike, meqe nëse dobëson fuqinë luftuese për çështjet nga interesi i përgjithshëm.

Përpjekja për t’i barazuar individët, të pabarabartë nga natyra dhe proceset shoqërore, përmes krijimit të mundësive të barabarta, duket një projekt i vështirë për t’u realizuar. Historia e njerëzimit ka treguar se prirjet e ngjashme (socializmi me tendenca për barazim të pabarazisë ekonomike) kanë rezultuar të dështuara në të kaluarën. Fukuyama thekson se demokracia liberale mund të shkatërrohet nga brendia e saj, shkaku i dëshirës fanatike për pranimin e barabartë. Tendenca për të mohuar çdo shfaqje të pranimit të pabarabartë, së shpejti do të ballafaqohej me kufijtë e vendosur nga vetë natyra.108

Demokracia moderne ekziston mbi baza utilitare, esenca e të cilave është “pezullimi i dallimit në mes të mirave morale dhe jo morale dhe bërja e të gjitha dëshirave njerëzore barabartë të vlefshme për t’u shqyrtuar.”109 Në esencë, unifikimi utilitar pranon pluralizmin e dobive të përbash këta dhe atyre personale, me çfarë e zhduk vijën ndarëse në mes të vlerës dhe jo vlerës duke e drejtuar shoqërinë nga kaosi vleror.
Rritja e fuqisë individuale në kuptimin e vendosjes për vete, nuk e zvogëlon ndjenjën e pafuqisë në raport me procese për të cilat individi është i vetëdijshëm se nuk mund t’i kontrollojë. Çfarë domethënie ka pastaj (siç me të drejtë pyet Tocqueville) të thuhet se njerëzit në sisteme të tilla janë bërë zotërinjtë e vetvetes?110

Shoqëritë moderne demokratike dominohen nga, siç i quan Taylor-i, botëkuptime instrumentaliste dhe atomiste, të cilat kërcënojnë kushtet që do të duhej ta siguronin shëndetin e shoqërive moderne vetëqeverisëse (identifikimin e qytetarëve me institucionet publike dhe mënyrën politike të jetës, decentralizimin e pushtetit, etj.). Një shoqëri e tillë, “shoqëria e njerëzve që vetëpërmbushen, përkatësitë e të cilëve gjithnjë e më tepër shihen si revokuese, nuk mund ta sigurojë qëndrueshmërinë e identifikimit të fuqishëm me komunitetin politik e cila i nevojitet lirisë publike.”111 Në esencë, shoqëritë moderne [demokratike] paraqesin një botë për të cilën Taylor-i flet si për botën e raporteve të ndryshueshme, humbjes së përmbajtjes, zbehjes së lidhjeve dhe sipërfaqshmërisë në rritje të gjërave.112

Një nga parimet burimore të demokracisë antike, sundimi i shumicës, në kohën moderne ka kaluar metamorfozën e demokracisë së përfaqësuar; tani sundon një pakicë zgjedhur nga shumica e përqindjes së të dalurve në votim (“agjentët e popullit nuk janë dhe nuk mund të jenë përfaqësuesit e popullit”113). Legjitimiteti i përfaqësimit si formë emokratike është në shënjestër të kritikave, pasi prodhon koalicione resash të grupeve që u paraprijnë interesavetë qytetarëve. Këto koalicione mund të identifikohen me atë që Rousseau quan “asociacione”, vullneti i të cilave bëhet i përgjithshëm në raport me anëtarët e vet, dhe individual në raport me shtetin”. Prandaj, realisht ndodh se “nuk ka votues sa janë njerëz [individë], por vetëm aq sa janë asociacione“.114 Fjalët e Roussea-s duken profetike: “Nëse nuk ka asnjë pikë në të cilën pajtohen të gjitha interesat, asnjë shoqëri nuk mund të ekzistojë.”115

Paralelisht me paragrafin e mëparshëm, shqetësimi kalon në alarm kur mendohet niveli i (vetë)vetëdijes maniulative të popullsisë që përfaqësohet në disa sisteme demokratike. Në shoqëritë me demokracinë e pakonsoliduar, pakica vendimmarrëse zgjedh rëndom masa jokritike dhe qytetarët gjysmë të arsimuar. Në këto rrethana pakica e zgjedhur vendimmarrëse legjitimon lehtë veprime të bazuara në vull netin e vet që kontrabandohet si vullnet i përgjithshëm. Hipokrizia “demokratike” pasqyron edhe “shfaqjen e një fenomeni të heshtur të ri, i cili në botën moderne pothuajse është banalizuar: mobilizimin e lëvizjes së gjerë qytetare rreth një qëllimi moral me synim që të arrihet ndryshimi politik”.116

Demokracia në kohën moderne, dhe luftërat në emër të saj, çdo herë e më tepër shikohen si mjet dhe jo si qëllim. Sot demokracia (para)gjykohet si ekspansion i kapitalizmit, i mbështjellur në dorëza të bardha. Koorporatat e mëdha shkatërrojnë sistemet (“jodemokratike”) në botë në emër të instalimit të demokracisë, ndërsa përgatisin terrenin për për fitime marramendëse. Paradoksalisht, me përhapjen e demokracisë, neokolonializmi merr një formë të re, atë moderne. Një nga disavantazhet më të mëdha të demokracisë moderne konsiderohet mungesa e zbatimit të parimeve të saj burimore, ndërsa alternativa për sisteme të sotme demokratike kërkohet brenda vetë demokracisë, në formën e saj origjinale të pashtrembëruar. Ndonjëherë mangësitë në zbatimin e demokracisë vendosin në pikëpyetje edhe vetë parimet e saj, së bashku me realitetin që prodhojnë këto parime. Kjo duke qenë se nuk mund të pretendohet pafundësisht se burimet e diçkaje janë të përsosura, ndërsa janë të pazbatueshme në vazhdimësi. Megjithatë, “reaksioni i duhur është që të zbulohen ata që e keqpërdorin [idealin], dhe jo të përjashtohet ideali”,117 siç thotë Martha Nussbaum.

Në kontekstin politik, jetësimi i demokracisë mund të kuptohet nga njëra anë si çështje e jetës personale ose, nga ana tjetër si kornizë institucionale. Sidoqoftë, esenca e demokracisë nuk paraqet vetëm kornizën e thjeshtë zgjedhore por, me ndërtimin e plotë të qëndrimeve etike, presupozon “formësimin e tërësishëm të institucioneve dhe edukimin politik të qytetarëve për gjendjen e dëshiruar”.118 Në stadet e ndryshme të zhvillimit të demokracisë moderne (nga shekulli XIX e këndej) ka pasur periudha të cilat disa autorë (John Dewey) i shikojnë si të krizës, lodhjes dhe depresionit (shembulli i depresionit të madh ekonomik në fillim të shekullit XX). Të njëjtit theksojnë se zhvillimi i demokracisë, megjithatë, nuk është tregim monolit, por reflekton llojllojshmërinë e specifikave rajonale dhe nacionale, sikur dhe diversitetin e grupeve imanente brendashoqërore, dhe si i tillë kalon nëpër fazat e ngritjes dhe rënies. Realiteti i sotëm dëshmon se ideja e demokracisë është tejet tërheqëse për shoqëritë që kanë ndier mungesën e saj permanente. Nga ana tjetër, refuzimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në lojë politike të qarqeve të caktuara nuk duhet njëjtësuar me refuzimin e idealit të demokracisë. Demokracia mbetet rrugë më e sigurt dhe ambient më i natyrshëm për përmbushjen e standardeve të lirisë, drejtësisë dhe së mirës të përgjithshme, përderisa këto do të konsiderohen si vlera më të larta të njerëzisë.


106 Kundera, Milan, Testamentet e tradhtuara, pika pa sipërfaqe, Tiranë,
2011, f. 276.
107 Ibid. f. 278.
108 Fukuyama, Francis, The End of History and the Last Men, An Avon
Book, New York, 1992, f. 328.
109 Taylor, Charles, Sources of the Self: The making of the Modern Identity,
Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, 2001, f. 332.
110 Cituar në: Fukuyama, Francis, The End of History and the Last Men,
An Avon Book, New York, 1992
111 “A society of self-fulfillers, whose affiliations are more and more seen
as revocable, cannot sustain the strong identification with the political
community which public freedom needs.” Taylor, Charles, Sources of the
Self: The making of the Modern Identity, Harvard University Press, Cam –
bridge, Massachusetts, 2001, f. 508.
112 Taylor, Charles, Sources of the Self: The making of the Modern Identity,
Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, 2001, f. 508.
113 Rousseau, Jean Jacques, Rasprava o porijeklu i osnovama nejednakosti
među ljudima/ Društveni ugovor, Školska knjiga, Zagreb, 1978, f.109.
114 Rousseau, Jean Jacques, Rasprava o porijeklu i osnovama neje –
dnakosti među ljudima/ Društveni ugovor, Školska knjiga, Zagreb, 1978.
f. 105.
115 Ibid. f. 107.
116 Taylor, Charles, Sources of the Self: The making of the Modern Identity,
Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, 2001, f. 396.
117 Cituar në: Ilazi, Hasnije, A është liberalizmi mjaft radikal në
mbrojtjen e barazisë gjinore, Koha ditore, Shtojca, Prishtinë, 8 mars
2011, f.XVI
118 Barišić, Pavo, Ideal vladavine puka: Uvod u filozofiju demokracije,
Hrvatsko filozofsko društvo, Filozofski fakultet Sveučilišta u Splitu,
Zagreb, Split 2016, f.243

Pjesë nga libri “Njeriu shumëdimensional” /KultPlus.com

“Askund në botë nuk ndodh me pagu gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim”


Nga Kimete Berisha

Ne duaj ty e ti duaj veten-s’shkon.

Pezulloje taksën e Rrugës së Kombit për shqiptarët e t’u më së pari, që po strehohen në Kosovë, sepse askund në botë nuk ndodh me pagu gjobë për humanizëm dhe gjobë për shpëtim, me pagu gjobë për mbijetesë, gjobë për bukë goje.

Ku keni pa ju kështu, gjithë ky zullum që bën qeveria shqiptare kundër popullit tonë të varfër e s’ka kush na mbron prej kësaj padrejtësie.

Në daç me pshtu shpirtin- paguaj gjobë.
Në daç me çu ushqim për viktimat e tërmetit në Shqipëri-je i detyruar t’ia paguash gjobën një krimineli aty që e ka vendos një rampë të krimit dhe plaçkitjes, si postblloku i Nedakovcit në kohë t’Serbisë.

Me na ndal nuk mundeni, për atë kufi u dhënë gjak, e po i bën kush hesap paret e haramit tënd, s’ka kufi që nuk e kapërcen Kosova për me dalë andej.
Por është turp që edhe prej ndihmave humanitare me rras ju gushën e krimit.

P.S. S’kemi luks me lu ‘lojna’ se mundet njeri hiç mos me ua pagu atë gjobë krimi. Thjesht m’i lënë ndihmat te kufiri le të vjen Edi Rama le ti merr. / KultPlus.com

FSK-ja sot shënon `Ditën e Forcës`, Ushtrisë së Kosovës

Sot mbahet ceremonia e shënimit të Ditës së Forcës – Ushtrisë së Kosovës.

Ceremonia mbahet në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë dhe fillon në ora 11:00.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë: presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë i Kosovës z. Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë, oficerë, mysafirë, personalitete shtetërore dhe akademike.

Në fund të ceremonisë do të ndahen dekorata dhe mirënjohje për stafin e dalluar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe oficerët dhe nënoficerët e dalluar të FSK-së.

Ceremonia e Ditës së Forcës nuk është ditë e hapur. Pjesëmarrja në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Forcës bëhet vetëm me ftesa zyrtare. / KultPlus.com

Sot Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë hap librin e zisë

Me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë, dita e sotme, është shpallur ditë zie kombëtare.

Në Ambasadën e Republikës se Shqipërisë në Prishtinë do të hapet një libër ngushëllimesh sot prej orës 12:00 deri në 15:00 dhe nesër më 28 nëntor nga ora 10.00 – 13.00.

Në mesditën e sotme në ambasadë do të mbahet një minutë heshtje. / KultPlus.com

“Do t’kalojnë dhe ky kjahmet, në Shqipni ka ardhë Kosova, me ndihmu Nanën e vet”

Poezi nga Mark Deda.

Djepi bosh

Pse moj Hanë ti nuk mi zgjove,
Fmitë e mi që i mori gjumi .
Sa shpejt prehnit zot mi more,
Toka egër mi përkundi.

Sot derdh lot guri dhe deti,
Gjithë shqiptarëve zemra plasë .
N’pabesi , mallku tërmeti,
Gurët mbi fmi i ka përplasë.

Por Shqipnia s’thotë mbarova,
Do t’kalojnë dhe ky kjahmet .
Në Shqipni ka ardhë Kosova,
Me ndihmu Nanën e vet.

Do kalojnë dhe kto tërmete ,
Do vine ndoshta ndoj stuhi.
Por shqiptarët n’pes kontinente ,
Me ty janë gjithmonë Shqipni.

Meta: Faleminderit Kosovë e dashur

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka njoftuar se në mesnatë bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë në Qeverinë e Kosovës Fatmir Limaj, ka takuar ekipet nga Kosova që po qëndrojnë atje për të dhënë ndihmën e tyre.

“I falënderova me mirënjohje për solidarizimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e lartë, si dhe për kurajën e pashembullt që po na dëshmojnë, duke na bërë krenarë të gjithëve!”, ka thënë Meta përmes Facebook, transmeton Klan Kosova.

“FALEMINDERIT KOSOVË E DASHUR!” /KultPlus.com

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbledhur qeverinë e tij në një takim urgjent mëngjesin e sotëm ndërsa vazhdon operacioni për shpëtimin e personave të cilët janë ende nën rrënoja.

“Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore”, tha Rama.

Shefi i ekzekutivit shqiptar konfirmoi se deri më tani janë 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe 45 jetë të shpëtuara.

“Tërmeti ishte sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike”, tha Rama.

Ai më pas shprehur mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit që rrezikuan jetët e tyre duke shpëtuar jetë.

Kryeministri shqiptar falënderoi edhe vendet të cilat janë solidarizuar më Shqipërinë në këto orë të vështira duke e quajtur mbresëlënëse atë çfarë bëri Kosova dhe vendet mike.

“Solidaritet mbresëlënës në kuptimin e plotë të fjalës nga i gjithë kombi ynë, dhe nga miqtë dhe partnerët e vendit tonë. Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të SHBA dhe BE, që qysh në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje ndaj popullit shqiptar”, tha ndër të tjera Rama. / KultPlus.com

Të kjofshim falë Kosovë

Arjola Zadrima

Të kjofshim falë Kosovë
që të lëkundet shpirti kah Shqipnia,
bash falë të kjofshim
kur na kallzon se copë copë,
atdhe asht shpija
edhe në tokë tande.
Sa drue mos vdes pa u ba nji Shqipnia,
së për emën të Zotit jena PLIS
në krejt trojet e mia.

Të kjofshim falë KOSOVË./KultPlus.com

“Bllokohet” kufiri, shqiptarët e Kosovës vërshojnë në ndihmë për vëllezërit në Shqipëri (VIDEO)

Kamionë e vetura kanë bllokuar kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas pamjeve që i ka postuar në Twitter përdoruesi Andi Kastro, shihet se nga automjetet, shumica janë kamionë me madhësi nga më të ndryshmet, e në të cilët besohet se ka ndihma për të prekurit nga tërmeti i sotëm në Shqipëri.

“Dhimbjet do i përballojmë bashkë Shqipëri”, ka shkruar ai.

Nga pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës janë organizuar gjatë ditës së sotme aksione humanitare në shenjë solidariteti me të prekurit nga tërmeti në disa qytete të Shqipërisë.

Shikoni pamjet:

Andi Kastro@KastroAndi

❤

Dhimbjet do i perballojm bashk SHQIPERI

Ne kufi!1379:27 PM – Nov 26, 2019Twitter Ads info and privacy25 people are talking about this

Plisat kthehen për në Kosovë, marrin 30 banorë të Durrësit për në Prishtinë

Plisat kanë qëndruar sot në Durrës, për të ofruar ndihma për qytetarët e goditur nga tërmeti, shkruan KultPlus.

Të njëjtit tashmë janë duke u kthyer për në Prishtinë, por jo me të njëjtin numër, ata kanë marë me vete në autobus edhe 30 banorë të Durrësit, të cilët do të strehohen në Kosovë, pas rrënimit të shumë shtëpive në Durrës, pas tërmetit të madh që ka goditë Shqipërinë./KultPlus.com

“Sot ra pika kufitare e Morinit, pres që nga nesër punonjësit t’ia vënë vetë flakën”

Sot ra pika kufitare e Morinit. Pres qe nga neser punonjesit t’ia vene vete flaken. Kujt i hyn ne pune pika e kalimit kufitar ne nje korridor shtepie?

Sot ra pika e prerjes se biletave ne Kukes. Kujt i hyn ne pune ajo bilete, kur Kosova sot pagoi abonene e perjetshme?

Sot ra barriera “ne” dhe “ata”. Parimi i perjetshem: “Kush qan me mua dhembjen time eshte une.”

Sot ra Kushtetuta. Nje ushtri e huaj shkeli vendin dhe ne nuk jemi ne lufte. Duhet Kushtetute e re. Ajo ushtri nuk eshte me e huaj.

Sot rane festimet e Dites se Flamurit. Kuptuam qe festa me e madhe ende nuk ka ardhur. E festat ndahen me ke ndan dhembjen.

Ua kthefshim ne gezime!…Hmm…Ne finalen e play off-it Kosove-Maqedoni e Veriut, si fillim. Nuk do te kete gezim me te madh, edhe politik, se nje Kosove ne Euro 2020.

Këtë postim e ka bërë një qytetar nga Shqipëria, me emrin Del Vina./KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve në Prishtinë organizon kuzhinë mobile në Durrës

Kosova i del në ndihmë Shqipërisë Shoqata e Gastronomëve në Prishtinë është duke organizuar në Durrës në stadiumin ‘Niko Duvana’ një kuzhinë mobile në te cilën do ofrohet ushqimë për personat në nevojë.

“Të gjithë miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi, në të njejtën kohë edhe ne si Shoqata e Gastronomisë të Kosovës do ju bashkangjitemi ndihmës duke bëre atë qe kemi profesion”, thuhet në njoftimin e tyre. Të gjithë ata që duan t’i bashkangjiten nismës mund të ndihmojnë duke sjellë mjete finaciare në Babel (Rr. Rexhep Luci, te kino ABC) të cilat do grumbullohen dhe do shfrytëzohen për blerjen e ushqimit i cili do të dërgohet në Shqipëri.

“Të gjitha kto mjete do jenë transparente për publikun. Çdo kontribut është ndihmë per të shpëtuarit edhe pse s’e bën më të vogël dhimbjen për jetët e humbura dhe keqardhjen e jashtëzakonshme për familjet që lotojnë të humburit”, thuhet në njoftimin Shoqatës së Gastronomëve. Një numër i madh i qytetarëve janë vendosur në stadiumin e Durrësit “Niko Dovana” për të kaluar natën, për shkak të frikës që të kthehen në shtëpitë e tyre.

21 persona kanë vdekur, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të lënduar nga tërmeti që goditi sot Shqipërinë.

Poezia që përshkruan vdekjen dhe dhimbjen e shqiptarëve

Ketë dhimbje e kishte përshkruar ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i cili përvec politikës pas vetes la gjurmë edhe me penë.

Kjo është poezia e cila të kujton dhe rikujton plagën e pashëruar të shqiptarëve:

Kur dëgjoj që vdes në botë, 
një njeri i vendit tim, 
jam në zemer i pikëlluar, 
se vdes një copë e shpirtit tim./KultPlus.com

Shqiptarët dikur e shpëtuan hebrejen Johana Jutta Neumann, sot familja e saj ndihmon Shqipërinë

Hebreo-amerikania Ellie Katz Neumann, vjehrra e së cilës, Johana Jutta Neumann u shpëtua në Shqipëri gjatë Holokaustit, kontribuoi financiarisht për të prekurit nga tërmeti.

Izraeli Sot njofton se Ellie ka një dashuri të veçantë për Shqipërinë, të cilën e vizitoi para disa muajve me bashkëshortin e saj, Benjy Neumann, shkruan KultPlus.

Ellie poashtu shihet të ketë ndërruar profilin e saj në facebook, duke e përditësuar me slloganin “Pray for Albania”./KultPlus.com

Historia tragjike e piktores, vajza 8-vjeç i vdes nën rrënoja, vetë humb jetën në spital

30 vjeçarja Diena Meçe që u nxor e gjallë tek pallati gjashtëkatësh në Durrës, fatkeqësisht humbi jetën në spital.

Ajo u bë viktima e katërt në Durrës që ndërron jetë si pasojë e tërmetit të fuqishëm më magnitudë 6.4 në pallatin 6 katësh.

Por fatkeqësia shkon përtej kësaj. Ajo kishte humbi më herët edhe vajzën e saj 8 vjeçare nën rrënojat e tërmetit.

Më herët policia kishte njoftuar se “pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh, pas 14 orë përpjekjesh, forcat speciale Renea, bënë të mundur nxjerrjen e 30-vjeçares e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Rreth 2 orë më parë, Renea nxori edhe vajzen e saj të mitur 8-vjeçare e cila kishte humbur jetën”.

Diena më parë kishte humbur bashkëshortin, ndërsa sot humbi vajzën dhe pastaj ajo u nda edhe vetë nga jeta.

Në vitin 2015 në një mesazh dedikuar bashkëshortit të saj që kish ndërruar jetë, ajo shkruante:

“Mendoja gjithmone qe zoti me kishte dhene shume lumturi,duke pasur nje shok e nje bashkeshort si Dori im,por jeta qenka nje sprove e vertete. Me mungon shume bebi im”.

Top Channel

Zjarrfikësi shqiptar refuzon të shtrihet në spital, u rikthye te gërmadhat

Edi Rama ka shpjeguar për zjarrëfikësin vlonjat, i cili që nga mëngjesi është përballë me gërmadhat. Më poshtë keni të plotë statusin e Edi Ramës.

Në ditë me diell, kjo do titullohej thjesht PHOTO OF THE DAY. Por sonte kjo foto kërkon shpjegim. Ky njeri i zakonshëm i këtij vendi, quhet Luan Kapaj. Zjarrfikës në Vlorë. Qysh pa gdhirë sot, Luani dhe kolegët e tij vlonjatë, ishin përballë gërmadhave. U gdhi e u ngrys dita dhe ky burrë që s’e njeh askush, nuk rreshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betoni.

E kur fuqitë e tij u duk se shterrën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim! Luani është ende aty, tani që po flasim.

Deri në frymën e fundit për frymën e fundit./KultPlus.com