Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.
Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet. Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur.
Me pamje të jashtëme të studiuar para pasqyrës, qasje nazelie ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku.
Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.
Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike të huaja.
Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha fërngjitë e politikës, zyrat e ndryshme, shoqërinë civile, mediat, ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.
Budallai ynë i bukur është një tyç i azhornuar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.
Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.
Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën./ KultPlus.com
Eksperimentet gjuhësore vazhdojnë çdo ditë në të gjitha fushat. Pasi artikulohen në televizion, në radio dhe internet, këto fjalë merren nga publiku dhe pastaj përdoren në jetën e përditshme.
Kështu pa qenë nevoja, harrohen fjalët shqip dhe merren ato të një gjuhe tjetër.
Studiuesit mendojnë se jo të gjitha fjalët e huaja që kanë hyrë në dekadat e fundit duhet eliminuar. Ka me qindra e mijëra fjalë që në fakt janë të nevojshme dhe ato duhen përshtatur. Për këtë kërkohet një fjalor i ri.
Nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë japin një shifër të përafërt sesa janë fjalët që ka gjuha shqipe sot, me pasurimin që ndodh vit pas viti. Nga 500 mijë fjalë, në fjalorin e vitit 2006 janë futur vetëm 48 mijë. Pjesa tjetër janë lënë në përdorim pa u studiuar. /tch/ KultPlus.com
Një kopje e rrallë e një libri të poetit persian, Hafez, e vjedhur, që daton që prej shekullit XV u gjend nga një ekspert holandez i artit pas një “gare kundër kohës” në disa vende duke tërhequr edhe vëmendjen e shërbimeve sekrete iraniane.
Vepra, e dekoruar me fletë ari dhe çmimi i së cilës ishte vlerësuar rreth një milionë euro, ishte zhdukur nga koleksioni i një tregtari iranian antikuaresh, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte humbur jetën në vitin 2007.
Pas kërkimeve në qarqet nëntokësore, Arthur Brand, i ashtuquajtur “Indiana Jones i botës së artit”, për kërkimet e tij hetimore, arriti të gjente dorëshkrimin e çmuar në një apartament në Amsterdam.
“Ky është një zbulim që do të thotë shumë për mua, sepse është një libër shumë i rëndësishëm”, theksoi eksperti i artit.
Bëhet fjalë për një nga kopjet më të vjetra të “Divan”, që sjell së bashku veprat e Hafez (1315-1390), i cili është një prej poetëve më të njohur mistik persian.
Veprat e tij kanë frymëzuar shumë perëndimorë, si romancierin gjerman, Goethe dhe shkrimtarin amerikan, Ralph Waldo Emerson, i cili e quante Hafez “Princin e poetëve persianë”. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Muzeu i Louvre-it në Paris u mbyll të premten pasi dhjetëra protestues bllokuan hyrjen e tij.
Protestuesit, përfshirë disa punonjës të Louvrit, organizuan demonstratën pas një thirrjeje nga disa sindikata të majta, kundër ndryshimeve të planifikuara të në sistemin e pensionit, për të cilin ata thanë se “do të ulë pensionet e të gjithëve”.
Disa protestues këndonin “Mona Lisa në grevë, Leonardo është në grevë”.
Gjatë protestave disa javëshe në Francë, është bllokuar transportin publik si dhe janë mbyllur shumë shkolla, spitale, gjykata dhe madje edhe shtëpitë e operave dhe Kulla Eifel, raporton rel.
Zyra e kryeministrit tha në fillim të kësaj jave, se vetëm sistemi i transportit publik ka humbur mbi një miliardë euro që nga fillimi i grevës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron planifikon një sistem “universal” të pensioneve, që do të eliminojë dhjetëra të ashtuquajtura regjime të posaçme për sektorët që shpesh u japin punëtorëve pensione më të larta ose pensione të parakohshme./koha.net/ KultPlus.com
Diskutimet janë gjithmonë të dobishme për një shoqëri, aq më tepër kur ato bëhen për kulturën, fushën që e përmbush shoqërinë.
Dhe duke parë nevojën e madhe për të pasur debate të tilla me theks të veçantë tek zhvillimet kulturore, KultPlusi, mediumi që i kushtohet tërësisht kulturës dhe zhvillimeve të saj ka nisur kampanjën e diskutimeve me figurat e rëndësishme të shoqërisë kosovare, në të cilat shprehen kërkesat, idetë e ndryshme drejt progresit kulturor.
Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery që tashmë është shndërruar në një fole të artistëve shqiptarë, u mbajt bashkëbisedimi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe bashkëpuntorët e tij Yll Rugovën dhe Saranda Bogujevcin.
Albin Kurti si një nga figurat më të rëndësishme të politikës kosovare, diskutoi me publikun që në masën më të madhe përbëhej nga njerëz të sferës së artit, për problematikat në këtë fushë aq të rëndësishme për shtetin, ku ndër të tjera u përfol reduktimi i ministrive që është supozuar se mund ta prek Ministrinë e Kulturës, e cila veç tjerash është thënë se mund t’i shkojë komuniteteve pakicë në Kosovë, madje edhe të largohet fare nga plani qeverisës.
Në kuadër të këtij debati, veç problemve dhe aspiratave, u diskutuan për preokupimet e komunitetit artistik.
Bashkëbisedimi u zhvillua mbi kulturën specifikisht si dhe trajtimin që kësaj të fundit ia ka bërë e do t’ia bëjë në të ardhmen spektri politik. Fokusi ishte tek programet konkrete të subjekteve politike kosovare si dhe serioziteti i tyre me komunitetin artistik.
Redaktori i KultPlusit Arbër Selmani në fillim të kësaj ngjarjeje e vëri theksin fillimisht tek formimi intelektual i Kurtit dhe lidhja me kulturën gjatë rrugëtimit të tij, qysh si prijës i protestave e deri tek shndërrimi i tij në figurë kyçe të sferës politike kosovare.
“Jam i nderuar dhe gëzuar që ndodhem në mesin tuaj sonte, dhe që do të bashkëbisedojmë hapur për këtë temë kaq të rëndësishme e cila është brenda jetës së secilit prej nesh dhe brenda jetës dhe formimit tim”, e nisi Kurti diskutimin, duke vazhduar:
“Një autor thotë se është një dallim interesant midis shkencës dhe artit, dhe secili i tyre është i diskutueshëm. Shkenca është konkluzion nëpërmes premisave, ndërkaq arti është konkluzion pa premisa”.
“Në formimin tim jetësor, unë jam marrë shumë me shkençë në fillimin e mesëm dhe universitar, por sa më afër politikës aq më afër artit dhe kulturës, një lloj kalimi prej konkluzioneve nëpërmjet premisave që është më afër logjikës, te konkluzionet pa premisa që është më afër estetikës dhe ky është një ndër dimensionet më të rëndësishëm të rrugëtimit tim jetësor dhe profesional”, ka potencuar Kurti.
Tutje ai tha se arti është realitet dhe se të gjithë do të duhej të kenë qasje në të.
“Arti është realitet, ai do të duhej të ishte i tillë dhe të gjithë të kenë qasje në të, sepse nuk është si shumë fusha të tjera. Kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo si e tillë nuk është koncept i vjetër, është dikund rreth 60-vjeç dhe vjen prej Francës sepse Malrou si themelues ishte historian arti dhe ishte i interesuar që popullata franceze të ketë qasje sa më shumë në art dhe kulturë”.
“Në këtë mënyrë nisin Ministritë e Kulturës nëpër Evropë, diku si departamente, diku si sekretariate, diku si decentralizim brenda një morie ministrish tjera. Ministria, pra, e ka zanafillën tek shërbimi i qytetarëve në kulturë dhe art, pra, është për të gjithë qytetarët për të krijuar një barazi në qasje në mënyrë që prodhimi artisik të mos jetë vetëm për një shtresë shoqërie të privilegjuar”.
Kurti insistoi që shoqëria duhet ta bëjë artin kulturë, sepse ajo duhet të jetë më shumë artistike dhe kronologjike.
“Duhet të jetë detyrë e një shoqërie që sa më shumë artin ta bëjë kulturë, sepse ka edhe kulturë joartistike, por tendencën duhet ta kemi që kultura të jetë sa më artisitke dhe arti të jetë sa më shumë kulturë. Derisa arti është realitet, kultura është vazhdimësi, arti është më parë ngjarje ndërsa kultura më parë është gjendje, pra duhet ta bëjmë ngjarjen të jenë sa më të shumta, dhe në anën tjetër t’i bëjmë gjendjet sa më interesante, ta bëjmë kulturën artistike”.
“Në synimin tonë, ne duam që institucionet ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm sepse besojmë se ato duhet të ekzistojnë. Posaçërisht Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve duhet të kenë financimin e rregullt, sepse pasiguria e artistëve tanë është plot ankth dhe shpesh i shtynë ata jashtë kulturës për të mbijetuar”.
Edhe institucioni i Operas dhe Baletit që tash e sa kohë mungon, Kurti tha se është në prioritetet e tij sepse ai Operan e sheh si popullore, dhe jo si lloj për një shtresë shoqërore të privilegjuar.
“Teatri i Operas dhe Baltetit është e domosdoshme që të ndërtohet sepse kemi ngelur ende pa e themeluar këtë institucion që është elementar. Opera nuk është vetëm për të privilegjuarit, Filharmonia është më tepër e tillë, nuk duhet ta mendojmë që aty duhet të shkojnë vetëm disa njerëz të zgjedhur, të cilët le të themi janë pjesë e shtresës dominuese të shoqërisë.”
“Opera dhe Baleti janë për masa të gjera, pra, janë për popullin, dhe si të tilla nuk do të duhet të shiheshin si lloj i privilegjuar për njerëz të tillë, është tejet e rëndësishme se si do të themelohet ky institucion, sepse skena e pavarur është ajo që ndihmohet dhe institucionet do të duhej të kenë financim të përhershëm nga buxheti i shtetit.”
I pyetur për Ministrinë e Kulturës, Kurti sqaroi se ai nuk e ka menduar asnjëherë shuarjen e saj, përkundrazi sipas tij ajo është menduar të jetë brenda 12 ministrive.
“Jemi dakorduar t’i zvogëlojmë në 12 ministri dhe ministria e Kulturës është njëra prej 12 ministrive, dhe është diskutuar që sporti t’i bashkangjitet shëndetësisë, por nuk jemi dakorduar për këtë, rrjedhimisht nuk e kemi një qëndrim final”.
Për sukseset e artistëve shqiptar nëpër botë Kurti tha se ata duhet të ndihmohen edhe kur vetëm janë talentë premtues. Ai tha se është i gëzuar që filmi shqiptar ka arritur progres dhe sukses edhe në arenën ndërkombëtare.
“Sukseset që kanë treguar filmat tanë në vitet e fundit janë mbresëlënëse, dhe prej asaj çka bën ministria e shtetit, deri te Dokufesti kemi shembuj të mirë që natyrisht do të duhej të kenë mbështetje shtesë, për atë që duket premtuese, e lëre më për atë që tashmë është dëshmuar si e suksseshme”.
Në anën tjetër, Saranda Bogujevci e pyetur nga moderatori Selmani, ndër të tjera foli për ekspozitën e saj, në të cilën shpalosen përjetimet nga lufta e fundit. Ajo ishte kritike ndaj institucioneve të deritashme për mospërkrahje, derisa tha se ekspozita dhe aktivitete të tilla duhet të jenë në plan të institucioneve relevante.
“Arti ka treguar gjithherë që është njëfarë lloj ure që kalon në anën tjetër, ku arrin të tregosh një tregim, si në këtë rast për krimet e luftës. Pjesa tjetër është që është bërë punë për të treguar me çfarë është ballafaquar populli shqiptar në kohë lufte”, tha ajo.
“Kemi shumë gjëra që duhet t’i rregullojmë, si fjala vjen te trashëgimia kulturore, dhe mendoj që ky aspekt lidhet shumë me trashëgimi dhe ruajtjen e saj. Mandej puna dhe investimi për punën në këtë drejtim, është me rëndësi që ta kemi këtë fokus të cilin ne e kemi, pra zhvillimi i diplomacisë, që duhet ta bëjmë kolektivisht”, potencoi Bogujevci.
Yll Rugova nga ana tjetër tregoi për “Manifestan” duke e cilësuar si hap të parë drejt ndërtimit të urave me institucionet tjera botërore, dhe për herë të parë Prishtinën si qendër arti për aq muaj sa do të zgjas ajo.
“Ideja ka qenë që Prishtina të jetë nikoqire, dhe “Manifesta” e vendos fokusin në Kosovë, ku do të nxis edhe ndjekjen e artit si profesion sepse fatkeqësisht njerëzit e shohin artin si një fushë për lëmoshë, e madje edhe institucionet e trajtojnë si të tillë. Besoj se ky institucion do të bëjë një ndryshim në këtë drejtim”, u shpreh Rugova.
“Manifesta, besoj që do të jap rolin e vet sepse do të sjellë rreth 200, 000 vizitorë në Kosovë, ndërsa sipas një kalkulimi rreth 20 milionë euro do të jetë përfitimi i shtetit tonë nga ky organizim”.
Rugova bëri thirrje që kultura të shihet si gjenerator që jo vetëm nxit por ka edhe vetqëndrueshmëri.
Nga pyetjet e publikut drejt Kurtit, ishte edhe artisti Kushtrim Koliqi i cili shprehi shqetësimin e tij për zhvillimin e audiencës, ai tha se do të duhej të ishte një trajtim më serioz nga shteti sepse momentalisht audienca është spontane dhe jo e zhvilluar aq sa do të duhej sepse mungon një strategji e tillë nga ana e shtetit.
Në fund të bashkëbisedimit, Kurti u ndal te edukimi i njerëzve përgjithësisht, të cilëve u bëri thirrje të inkuadrohen në jetën kulturore, rrjedhimisht t’i shfrytëzojnë vitet e tyre për t’i shijuar veprat e arrira artistikisht.
“Kemi institucione të cilat janë në mungesë të kushteve dhe në fund kultura nuk afirmohet mjaftueshëm sepse mungon shikuesi. Një numër i madh i njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se çka humbin kur një shfaqje, nuk shohin një film apo kur nuk lexojnë një libër. Kjo është çështje e edukimit. Pra, do ta fusim arsimin brenda kulturës në mënyrë që të arsimojmë sa më shumë për kulturë, sepse fatkeqësisht një numri njerëzish po ju ikin vitet pa i shijuar veprat e mira artistike” përfundoi Kurti.
Përfundimet e debateve të KultPlusit si zakonisht përmbyllen me koktej, sikurse edhe në këtë mbrëmje, ku Kurti dhe panelistët tjerë u takuan me audiencën për një dolli çasti dhe për përjetësim të kësaj ngjarjeje përmes fotografisë.
KultPlusi do të vazhdojë me debate tjera mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.
(Ngjarja u mbështet nga Fluidi, Birra Beg dhe Uji Dea) / KultPlus.com
Benjamin Franklini ka lindur më datën 17 janar të vitit 1790 në Filadelfia dhe ka vdekur më 17 prill të 1790’ës shkruan KultPlus.
Ka qenë burrë shteti, shkrimtar, botues dhe filozof politik. Konsiderohet si njëri etërit e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë karrierës së tij, ai është marrë edhe me cështjet me interes publik, duke dhënë kontribut me shkrimet e tij. Franklin botoi edhe shumë traktate dhe ese nga të gjitha llojet e temave, me theks të vecantë politike, si dhe me cështjet ligjore arsimore.
Sonte, po i risjellim disa nga thëniet e tij më të famshme:
“Ose shkruaj diçka që ia vlen të lexohet, ose bëj diçka që ia vlen të shkruhet.”
“Sigurisht, duhet të thuash gjënë e duhur në vendin e duhur, por njëkohësisht duhet edhe të mos e thuash gjënë e gabuar në çastin kur ndjehesh i tunduar”.
“Ji në luftë me veset e tua, ji në paqe me fqinjët e tu, dhe bëj të mundur që çdo vit që vjen të të gjejë njeri pak më të mirë nga ç’ishe.”
“Njeriun që vështron tokën dhe është ateist, e kuptoj, por njeriun që vështron qiellin natën dhe prapë s’beson në Zotin, nuk kuptoj.”
“Në këtë botë nuk ka asgjë të sigurtë përveç vdekjes dhe taksave.”
“Ji i edukuar me të gjithë; i shoqërueshëm me shumë; i afërt me pak, mik me vetëm një; armik me askënd.”
“Nëse dëshiron të zbulosh defektet e një femre, fillo të lavdërosh shoqet e saj.”
“Kush dashurohet me veten nuk asnjëherë ka rivalë.”
“Siguria pa lirinë quhet burg”.
“Mos kini frikë nga vdekja. Sa më shpejt të vdesim, aq më gjatë do të jemi të pavdekshëm.” /KultPlus.com
Njerëzit mund të pushtohen nga të gjitha emocionet e gabuara dhe kjo mund ta bëjë të vështirë të jetuarit e një jete të shëndetshme dhe të lumtur. Për t’ju ndihmuar për ta kapërcyer atë pengesë, psikiatri i njohur Mikhail Litvak ka hartuar një qasje që ai e quan “aikido psikologjike”. Dituria e tij është e lehtë për t’u kuptuar dhe ndjekur, dhe efektive në rezultatet e saj.
Ky artikull është një koleksion i rregullave të përcaktuara nga ky njeri i mençur për t’ju ndihmuar ta bëni jetën tuaj më të mirë.
Sigurohuni që të planifikoni veprimet tuaja dhe të organizoni mirë jetën tuaj dhe lumturia do të pasojë si rezultat.
Nëse dëshironi diçka me të vërtetë fort, mos prisni përreth dhe mos kërkoni lejen e dikujt për ta bërë atë. Sigurohuni që ju jeni ai që ka kontroll mbi atë.
Askush nuk e hedh poshtë askënd. Ata vetëm lëvizin përpara. Ai që u la pas e konsideron veten të refuzuar.
Si mund t’ju ndihmojë dikush nëse nuk bëni asgjë vetë?
Nëse dikush ju bëri një favor dhe ju ndihmoi dhe ata po përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni fajtorë ose mirënjohës për këtë, sigurohuni që të paguani shërbimet ndaj tyre dhe t’i lini ato.
Bëhuni të suksesshëm dhe të gjitha ndjesitë e lodhshme do të zhduken.
Ju duhet ta ndani gëzimin vetëm me miqtë dhe armiqtë. Miqtë tuaj do të jenë të lumtur dhe armiqtë tuaj do të mërziten.
Aftësia për të dashur dhe pranuar vetminë është një shenjë e një personi të pjekur emocionalisht. Ne bëjmë gjërat më të mira kur jemi vetëm.
Është më mirë të komunikosh me një libër të mirë sesa me një njeri të zbrazët.
Është bukur të flasësh me miqtë. Është e dobishme të bisedosh me armiqtë.
Kur një person nuk ka një qëllim, nuk sheh asgjë. Një synim mpreh vizionin.
Depresioni i është dhënë njeriut në mënyrë që ai të jetë në gjendje të mendojë për veten e tij.
Mos gërmoni në jetën e njerëzve të tjerë. Përkundrazi, gërmoni në diçka nga e cila do të përfitoni, si shkenca dhe filozofia.
Ka vetëm një arsye pse duhet të hiqni dorë nga puna juaj dhe t’u jepni fund marrëdhënieve tuaja, qofshin ato emocionale ose të tjera, – pamundësia për t’u rritur personalisht dhe profesionalisht.
Mos kini frikë të bisedoni me njerëzit, veçanërisht kur takoni dikë për herë të parë. Ata mund të mendojnë në të vërtetë mirë për ju.
Lumturia juaj shtohet kur e ndani me njerëz të tjerë dhe i bëni ata të lumtur.
Kur flisni me një person, mbani mend se ata gjithashtu kanë një mendim të lartë për veten e tyre. Ashtu si ti.
Mësoni të jetoni për veten tuaj duke mos ndjerë nevojën për t’u provuar vazhdimisht atë që jeni njerëzve të tjerë. Përndryshe, ju do ta kaloni jetën tuaj duke jetuar për të tjerët.
Kërkoni rrugën e duhur në vend të rrugës së drejtë. Rruga e duhur mund të mos jetë gjithnjë e drejtë.
Shenjat e pjekurisë shpirtërore janë aftësia për të dashur dhe aftësia për të përballuar vetminë.
Nuk e di rrugën e suksesit. Por unë e di rrugën e pasuksesshme – është dëshira për t’u pëlqyer nga të gjithë.
Jeta jote është këtu
hija andej detit
në qiell është shpirti
po zanat ku janë
me mrizue pa ty
deka si vdekja
është ndryshe në lumin Drin
e pashkruar askund
as në lulet e vjeshtës
me jetue gjithmonë si dashuria
në dheun e vet
është si me i zgjuar ëndrrat
një ditë të bekuar
po zanat ku janë
me lëshue zërin tënd
jeta jote është këtu
Pak më larg se fshati rus Dargavs gjendet një qytet mesjetar i quajtur “Qyteti i të vdekurve”.
Në këtë qytet janë të varrosur mbi 10 mijë persona, shumica e kufomave janë të varrosur me gjërat edhe teshat e tyre, ndërsa disa qytetarë vendorë besojnë se kushdo që guxon të hyjë në këtë qytet nuk do të kthehet i gjallë.
Derisa shumë mistere i rrethojnë këto varre, të cilat gjendet vetëm disa kilometra larg kufirit me Gjeorgjinë, historianët gradualisht janë duke zbuluar të vërtetën e tij, transmeton Koha.net.
Që nga shekulli i 16-të, ky vend në Rusi është përdorur si vend për varreza ndërsa origjina e tij ende është e paqartë.
Një teori është se kur ky territor u pushtua nga Mongol-Tatar gjatë shekullit të 13-të, vendorët nisën të krijojnë shtëpi të tilla, më të larta, por të ngushta, për të kursyer territorin, pasi është ky fshat ka vetëm 17km, raporton BBC.
Një teori tjetër sugjeron se ‘Qyteti i të vdekurve’ është krijuar duke ndjekur traditat e Indo-Iranianëve të cilët emigruan dhe për të respektuar këto toka, varrosën të dashurit e tyre mbi tokë.
Tani, në këtë qytet janë 99 shtëpi të cilat nuk kanë dyer por vetëm nga një dritare të vogël, e në to qëndrojnë qindra mbetje mortore. / KultPlus.com
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kujtuar heroin e kombit, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Thaçi përmes një postimi në facebook ka thënë se plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe shumë heronjve që si dalzotës të vendit dhe popullit janë frymëzuar nga vepra e tij.
“Plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe shumë heronjve që si dalzotës të vendit dhe popullit janë frymëzuar nga vepra e tij. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare dhe bashkimi shpirtëror i popullit tonë, si dhe forcimi i vetëdijes sonë kombëtare, krahas fitoreve të shumta të Skënderbeut, ishin po ashtu fitore shumë të mëdha në epopenë e lavdishme të rezistencës së pashtershme të tij”, ka shkruar presidenti Thaçi. / KultPlus.com
“Te Homeri është një vend ku dielli zemërohet me Zeusin, nuk e di a të kujtohet, – tha pas pak. – Kështu pra, dielli zemërohet me tiranin dhe e di si e kërcënon’? Në Ferr do zbres, do shndrit veç për të vdekurit! – Ai buzëqeshi më ftohtë se më parë. – Ja pra, ç’kërcënim të gjëmshëm i bëri tiranit dielli, Të lërë vendin e vet në mes të qiellit, me fjalë të tjera, të braktisë të gjallët dhe të zbresë atje ku s’ka nevojë për të, te të vdekurit. Shkurt, çdo gjë të bëhet së prapthi, me fjalë të tjera, të vijë fundi i botës, apokalipsi… Të tillë kërcënim të tmerrshëm dhe jo naze zonjushash duhet të bëjë poeti. Ai nuk m’i hiqte sytë e tij të akullt, me plasaritjet e pamëshirshme midis, kërcënues dhe i pashmangshëm, si një ajsberg. Një copë herë të gjatë qëndruam kështu në heshtje, pastaj ai shtoi:
-Me sa kam lexuar prej teje, ti, gjithashtu ke filluar të zbresësh te të vdekurit… Mora frymë i lehtësuar, si të kisha dëgjuar një dekret faljeje.”
(Ismail Kadare)
Është pikërisht ky, tregimi që shkrimtari i madh bashkohor, Kadareja, ka shkruar me admirimin më të thellë, për poetin e madh të dashurisë, shpirtin vetmitar të vargjeve shqipe: Poradecin!
Kështu, Ismail Kadare, renditet së fundmi, me ”Ikja e shtërgut”, kushtuar Poradecit unik, mes dhjetë tregimeve që platforma letrare “Longreads”, këshillon për lexuesit, në vitin 2020.
Kjo përzgjedhje vjen pasi, lexues nga mbarë bota, kanë postuar tregimet e tyre të preferuara me hastagun ”#longreads” në ‘Twitter’. Prej këtej, redaktori i njohur i “Longreads”, Pravesh Bhardwaj, ka zgjedhur 10 tregimet më të përzgjedhura për lexuesit.
”E dua romanin ”Pallati i ëndrrave”, të Kadaresë, por ky tregim është shumë ndryshe”, – ka thënë Bhardwaj, në përshkrimin për shkrimtarin shqiptar.
Lista e plotë e tregimeve, përkthyesve dhe revistave ku janë botuar:
“Maja” – Dina Nayeri. (The Yale Review) “I ardhuri” – Edwidge Danticat (Granta) “Shtrydhja e ananasit” – Etgar Keret, përkth. Jessica Cohen (Electric Lit) “Ikja e shtërgut” – Ismail Kadare, përkth. Ani Kokobobo (Asymptote) “Kopshti i letres” – Ken Liu (io9) “Luisi dhe Varga” – Lisa Taddeo (Granta) “Kafshime tigri” – Lucia Berlin (Lithub) “Llastiku” – Souvankham Thammavongsa (Harper’s) “Lulu” – Te-Ping Chen (The New Yorker) “Shekspiri, Nju Meksiko” – Valeria Luiselli, trans. Christina MacSweeny (Guernica)/KultPlus.com
Botimet Nazarko dhe Posta Shqiptare, së fundmi nënshkruan një marrëveshje me vlera të veçanta kulturore, që u ofrohet lexuesve në shuma të vogla monetare.
Për të
gjithë fëmijët e shkollave, autorët klasikë dhe nobelistë, si: Tolstoi, Hajnrih
Bëln, Henri Xhejms, Turgenjev, Balzak, Gorki, Çehovi, Kavabata, Heminguej,
Dikens etj., vijnë në formatin më të favorshëm. Po ashtu, në këtë përzgjedhje,
lexuesit e vegjël, por jo vetëm, do të kenë në duar: Migjenin, Fishtën,
Konicën, Poradecin, Nolin, Mjedën etj.
Shpëtim Nazarko: Nëse një nxënës ka një bibliotekë me 100 libra nga nobelistë dhe klasikë të tillë, ai nuk ka shumë nevojë për mësues dhe këshilla të rrepta nga pas. Ai e gjen vetë rrugën e sigurisë. Dhurata më e madhe është se, këto përkthime vijnë nga njerëz që edhe sot, janë fanar i përkthimit dhe mjeshtërisë së gjuhës shqipe. / KultPlus.com
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve u përkujtua në Lezhë në 552-vjetorin e ndarjes nga jeta, Aktiviteti bëri bashkë përfaqësuesit e politikës lokale, komuniteteve fetare dhe qytetarë.
Në këtë përvjetor munguan përfaqësuesit e qeverisë dhe politikës qëndrore. Skënderbeu është figura më përbashkuese e shqiptarëve, ndaj poeti Agim Doçi, pati një mesazh për të gjithë atë që nuk e kanë vlersuar heroin tonë kombëtar. Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha se figura e Gjergj Kastriotit e bën krenar gjithë popullin Shqiptar.
Memoriali i Heroit Kombëtar i rikonstruktuar vetëm pak kohë më parë, mbetet një prej destinacioneve kryesore të vizitorëve në Lezhë. /KultPlus.com
Përmes një ceremonie të ngushtë familjare, mes miqve, aktorëve dhe atyre që e deshën dhe e respektuan i është dhënë lamtumira aktorit të njohur Xhevdet Ferri.
I njohur për 30 role në filmin shqiptar dhe një personalitet i lartë i artit, publiku e pa Xhevdet Ferrin në kinema për herë të fundit në filmin “Delegacioni”
Aktori i njohur i filmave mësohet se prej kohësh vuante nga një sëmundje tumorale dhe ditët e fundit ishte i shtruar në reanimacion, por pa mundur t’ia dalë. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave, ka emëruar komisionerin dhe kuratorin për edicionin e 17-të të Bienales së Venedikut për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës për vitin 2020.
Jehona Shyti është emëruar komisionere
e Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut,
që për këtë vit mbahet Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, për të 17-tën
herë me radhë.
Ndërsa, arkitekti Maksut
Vezgishi është emëruar kurator i Pavijonit të Kosovës në këtë ngjarje të madhe
ndërkombëtare.
Tema e sivjetme e ekspozitës,
të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venedikut është “How we can live together”,
kështu që edhe tema me të cilën do të përfaqësohet Republika e Kosovës në këtë
ngjarje do të jetë brenda këtij koncepti.
Në bazë të vendimit të
ministrit, komisionerja ka për detyrë të punojë ngushtë me kuratorin dhe të
mbështesë ekzekutimin dhe menaxhimin e projektit me të cilin do të përfaqësohet
Kosova në Bienale si dhe të zhvillojë komunikimin e dyanshëm me zyrtarët e
Venedikut dhe me opinionin e gjerë.
Ndërkaq, kuratori ka për detyrë
që përmes kreacionit të tij të zbatojë dhe realizojë projektin e Kosovës në
Bienale, të cilën do ta zbatojë arkitekti prizrenas Maksut Vezgishi.
Kuratori Vezgishi ka përfunduar studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si asistent në këtë fakultet nga viti 1993-1996. Ka punuar si redaktor artistik në shumë revista si “Zëri”, “MM”, Thema”, “Sheshi” dhe në shtëpinë botuese “Dukagjini”, galerinë “Dodona” dhe në Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ai gjithashtu në fushën e skenografisë ka bashkëpunuar me teatro të shumta, në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel dhe Elbasan. Interesimi i Vezgishit për arkitekturë dhe arte vizuale është ‘eksperimenti/modernizmi’ duke kërkuar të kthejë vëmendjen tek arti aktual shqiptar. Ka realizuar një mori ekspozitash duke filluar nga viti 1982 deri në ditët e sotit, duke numëruar afër 40 sish. Po ashtu, kuratori prizrenas ka fituar shumë çmime e finalist në shumë ekspozita. Mund të veçohet çmimi i “Aleksandër Moisiut” në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Vlorë. Vezgishi jeton dhe vepron në Bruksel. / KultPlus.com
Ribashkimi i shumëpritur i aktorëve të serisë “Friends”, mund të mos ndodhë fare. Kështu bëri të ditur së fundmi një zyrtar i kanalit HBO.
Në nëntor të vitit të kaluar u bë i ditur lajmi se një ribashkim i plotë i ekipit të serisë së popullarizuar është në realizim e sipër, me qëllim të festimit të 25-vjetorit të publikimit të “Friends”.
Besohej se ky projekt do të realizohej enkas për platformën digjitale “HBO Max”, por në një konferencë për media, shefi kreativ i kësaj platforme, Kevin Reilly, u shpreh më pak optimist rreth finalizimit të këtij projekti.
“Ka shumë interesim që ky ribashkim të ndodhë, por sërish nuk po arrijmë t’i finalizojmë gjërat për ta realizuar këtë projekt. Sot, them se një gjë e tillë nuk është plotësisht e sigurt”.
Sipas portalit “Deadline”, negociatat kanë ngecur prapa së fundmi, për shkak të kërkesave financiare të ekipit të aktorëve të serisë.
Jennifer Aniston, e cila në seri e portretizonte Rachel Green-in, së fundmi deklaroi se është duke punuar rreth një projekti me kolegët e saj të serisë “Friends”, derisa Mathew Perry dhe Courtney Cox, po ashtu e kishin ndarë një fotografi ku shiheshin së bashku, pas fotos së parë të postuar në Instagram, e cila i përfshinte të gjithë protagonistët e serisë. /koha.net/ KultPlus.com
Historiani i njohur Jahja Drançolli ka deklaruar se rizbulimi i dy mbishkrimeve në grafikën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut të vitit 1466, çojnë në dyshime se vepra e Marlin Barletit, “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” është shkruar në vitin 1493, rreth 15 vite para se e njëjta të botohej në Romë.
Drançolli ka shkruar në Facebook se në këtë grafikë janë dy mbishkrime që janë të njohura prej shekujve XVIII-XIX në historiografinë angleze, hungareze e kroate.
“Në mbishkrimin e sipërm lexojmë këtë përmbajtje: “Obiit anno Domini 1466. XIV. Kalend (as) Februar (ias) Aetatis A (nn) o 63. Impero vero XXIV.” , që në përkthim të lirë do të thotë: “Vdiq në vitin e Zotit 1466, datën e 17 janarit në moshën 63-vjeçare, në vitin 24 të sundimit.”. Ndërkaq, në mbishkrimin e poshtëm të grafikës fiksohet viti 1493 (14-93), si datë që shënon shkruarjen e veprës kushtuar Skënderbeut nga Barleti. Data në fjalë paraqitet në të dy anët e mbishkrimit: “Signor Scander Bego” (“Kryezoti Skënderbe”)”, deklaron ai.
Historiani shpjegon se sipas këtij mbishkrimi, data e vdekjes së Skenderbeut 1466, vlerësohet si shmangje nga data 17 janar e vitit 1468.
“Mbështetur në mbishkrimin e sipërm, data e vdekjes së Kryeheroit (1466) vlerësohet si një shmangie nga data 17 janar 1468, datë kjo të cilën e ndeshim përgjithësisht në historiografinë shqiptare. Mirëpo, në historiografinë jo vetëm të vjetër botërore, përveç vitit 1468 do të ndeshim edhe vitet 1466 dhe 1467. Vitet e përmendura dalin si rrjedhojë e varieteteve kronologjike të shekullit XV. Në rastin konkret është fjala për llogaritjen e viteve sipas stilit venedikas (Mos Venetus), e cila ndryshonte nga ndonjë llogaritje të stilit tjetër nga koha që ndërlidhet me jetën dhe veprën e Skënderbeut.
Së këtejmi, llogaritja e fillimit të vitit sipas stilit venedikas nuk është 1 janari por 1 marsi, që në raport me vitin tonë qytetar mbetet pas për dy muaj. Stili venedikas i llogaritjes ka qenë i pranishëm në pjesët bregdetare të Arbërisë ç’prej shekullit XIII”, ka potencuar ai. / KultPlus.com
Sot në orën 13:00 aktori Xhevdet Ferri u përcoll për në banesën e fundit e ndonëse ai qe një artist ikonik, për aktorin e dhjetëra roleve, nuk pati homazhe shtetërore. Ky duket, se ishte amaneti i fundit që la 59-vjeçari, transmeton KultPlus.
Ai nuk ka dashur të përcillet për në banesën e fundit në institucione shtetërore, por u ka lënë fjalë familjarëve të tij, që homazhet të jenë intime dhe sot miq, kolegë e familjarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit të dashurit të tyre në lagjen ku ai banonte në Tiranë. /konica.al/ KultPlus.com
Gjergj që nga janari kur ike në çdo pranverë çelin lule t’këqija.
Arbnit janë të trazuar në mjegullnajën e trishtimit. Rrëshqasin si nëpër akullnaja dhe nuk gjejnë qetësi. Në pyllin e dilemave, s’i shohin portat e lirisë, as lapsin e urtisë, as përkrenaren e krenarisë, as shpatën e lirisë.
As Pal Engjëlli nuk është askund. Ka shume zbrazëti dhe pikëllim. Gjergj, e sheh? Që nga janari i akullt Arbnit kanë humbë algoritmin e jetës. Varkat i kanë mbushë me mosmarrëveshje dhe trishtim. Dhe të trullosur bredhin rrugëve të boshatisura, atyre shkrepave të thepisura,
Bjeshkëve të Nemuna e Adriatikut të trazuar.
Zemra u kullon, por nuk duan kurim. Ndërgjegjja i brenë, por nuk duan pendim.
Gjergj, Arbnit janë të trazuar dhe ikin e s’dinë ka vejnë. / KultPlus.com
Kjo fotografi është e fotografit të njohur Yannis Behrakis ku shihen dy fëmijë nga Kosova, shkruan KultPlus.
Në përshkrimin e Reuters, thuhet se në këtë foto të Yannis Behrakis shihen dy fëmijë të cilët e kanë kaluar kufirin, dhe kanë hyrë në territorin e Shqipërisë.
Poashtu thuhet se për të kaluar kufirin, refugjatëve iu duhej të ecnin në këmbë më shumë se 30 orë. Bëhet fjalë për periudhën e vitit 1999, kur shqiptarët e Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga serbet dhe ecën me orë të tëra për të lëshuar territorin e Kosovës. /KultPlus.com
Reperi i famshëm Eminem, ka befasuar fansat e tij duke plasuar albumin e tij më të ri, shkruan KultPlus.
Reperi nuk kishte paralajmëruar më parë se është në përgatitje të allbumit të tij.
Ndërsa lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram. Ku tregoi se albumi i titulluar ”Music to be Murdered by” u publikua dhe se është i bindur që ky album do të lë nam në industrinë e muzikës.
I frymëzuar nga Alfred Hitchcock, regjisori dhe producenti i famshëm anglez, Eminem ka pozuar me një sëpatë në kokë nga njëra anë dhe një pistoletë nga ana tjetër.
Albumi ka të njëjtin titull me albumin e parë dhe të vetëm të Hitchcock, të titulluar gjithashtu “Music to be Murdered by”.
Albumi i Eminem-it përmban bashkëpunime me Ed Sheeran, Skylar Grey, Q-Tip, Denaun, White Gold, Young M.A, Royce Da 5’9 “, Black ThoughtKXNG Crooke, Joell Ortiz, Don Toliver, Anderson .Paak dhe Juice WRLD. / KultPlus.com
Sekretarja e re e shtetit për Kulturë dhe Arte në Qeverinë austriake, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për mediat austriake ka thënë se nuk mund ta kuptojë ndarjen e Çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke, transmeton KultPlus.
“Më parë, kam lexuar shumë gjëra të tij dhe më pëlqente vërtet. Megjithatë, mënyrën se si ai flet për çështje politike ku mijëra njerëz janë në dhimbje të mëdha, unë nuk e kuptova”, potencoi ajo për mediat austriake Kurier, Standard dhe Tiroler Tageszeitung.
“Nuk e kuptova vendimin e jurisë për t`ia dhënë çmimin Nobel”, vazhdoi tutje ajo
Ajo poashtu tha se nuk i kuptoi kurrë deklaratat e Handkes për luftërat në Ballkan.
Fituesi i çmimit Nobel për Letërsi, u ballafaqua me shumë akuza nga vende të ndryshme e persona me ndikim të madh në fusha të ndryshme të artit dhe jo vetëm. / KultPlus.com