Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.
Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.
“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, kishte thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com
Revista e njohur ”Variety”, ka publikuar edicionin e gjashtë të dhjetë evropianëve që duhen parë në vitin 2020, transmeton KultPlus.
Duke vënë kështu në dukje dhjetë talentet në rritje nga i gjithë kontinenti i Europës, të cilët pritet të kenë edhe shumë suksese të tjera në vitin 2020. Përzgjedhja përfshin aktorë, regjisorë, shkrimtarë dhe producentë në zhvillim. Ndërsa grupi prej këtyre dhjetë të përzgjedhurëve pritet të nderohet në Festivalin e ardhshëm të Filmit në Berlin.
”Regjisori Visar Morina fitoi një mori çmimesh për debutimin e tij artistik, “Babi”. Ai është rikthyer me “Exil”, i cili do të debutojë në Sundance dhe do të luajë në pjesën Panorama të Berlinale.”, thuhet në artikullin e Variety.
Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.
“Exile” është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga: Minister of State for Culture and Media, Film- und Medienstiftung NRë, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Board.
Bashkangjitur gjeni linkun e artikullit të plotë të revistës. / KultPlus.com
Filmi ”Rreze”, i realizuar sipas një pjese të ditarit të famshëm të Rreze Avdullahut dhe nën regjinë e Lorena Sopit, është shpallur një ndër fituesit e festivalit ‘Star Film’, i cili është mbajtur mbrëmë në Barcelonë, shkruan KultPlus.
Filmi ”Rreze” është shpallur fitues i çmimit për dramën më të mirë në këtë festival,
Filmi ‘Rreze’ i cili ka pasur premierën në Cannes Film Festival – Short Corner, në muajin maj te vitit 2018, deri tani ka qenë pjesë e më shumë se dyzetë festivaleve ndërkombëtare dhe ka fituar dymbëdhjetë çmime kinematografike: Filmi më i mirë evropian – ne Europa Film Festival në Barcelonë, Filmi më i mirë i luftës në Festivalin Movie Pro Screen në Los Angeles të SHBA-ve, Aëard of Merit dhe Humanitarian Aëard në Festivalin Best Shorts Competition – La Jolla, të SHBA-ve, Merit Aëard në Canada Short Film Festival në Vancouver të Kanadasë, Best Drama Short në ëorld Film Festival (Los Angeles), Best ëar Short Film dhe Best Costume Design në Five Continents Film Festival (Venezuela), Special Jury Prize, në North American Film Aëards, Best director dhe Audience Aëard në My True Story Film Festival (Los Angeles).
Filmi trajton një ngjarje që zë vend në periudhën e luftës të vitit 1999. Ku gjatë kësaj periudhe, Rreze Avdullahu kishte shkruar ”Ditarin e Frikës”. Në ditëlindjen e nëntë të atij viti të shënjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste.
Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: Unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbete gjallë… Ushtari nis e qanë. Rrezja befasohet sepse kishte menduar se ushtarët nuk qajnë kurrë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpëruar me botën që nuk është bërë më e mirë…
Në rolet kryesore të filmit janë Agron Shala, Glorioza Shala dhe Aurita Agushi. Ndërsa në rolet tjera paraqiten Selman Lokaj, Beslidhje Bytyqi dhe Uran Duli. / KultPlus.com
“Më plase” nga grupi Marigona është një këngë që ia vlen të kujtohet.
Një tekst i mahnitshëm për gënjeshtrat në një lidhje dashurie, “Më plase” duket më aktuale se kurrë.
Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.
Të flas, e shoh që nuk e dëgjon Asnjë fjalë që unë them Dhe nuk e zgjas Dhëmbët i shtrëngoj dhe përmbahem Por brenda më dhemb
prej kur t’njoh n’sy ta pash mashtrimin e tillë ishe gjithmonë tani e shoh po i vie fundi përrallës ton është vonë
Më plase krejt Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë Pse s’di të tregosh drejt Nuk ke nevojë me m ‘rrejt Nuk e kuptoj Pse e ndjen këtë nevojë Tregomë a do mbarojë Kjo e mallkuar lojë
Shumë gjatë jam bëre i marre pranë teje Me shpresë se do ndryshosh Kjo punë e pat’ Vazhdo rrugën tënde dhe provo Tjetrin ta mashtrosh
Ndoshta shumë shpejt Mua më harron dhe Troket në tjetër derë Do dëgjosh njëjtë Fjalët që t’i kam thënë, dimër e verë Shumë herë
Më plase krejt Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë Pse s’di të tregosh drejt Nuk ke nevojë me m ‘rrejt Nuk e kuptoj Pse e ndjen këtë nevojë Tregomë a do mbarojë Kjo e mallkuar lojë…/ KultPlus.com
Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.
Sot, në 38 vjetorin e vdekjes së tij, KultPlus ju sjell këtë letër mjaft emocionale të Jusuf Gërvallës.
“ Nanë e dashtun! Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!
Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!
Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.
Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë. Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?
Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com
Mbrëmë në mesnatë ka ndërruar jetë përkthyesi i veprave të mëdha të letërsisë botërore, Viktor Kalemi, shkruan KultPlus.
Kalemi ka përkthyer veprat e mëdha të letërsisë botërore si ‘Shtëpinë e Shpirtrave’ të Isabel Alendes, apo kryeveprën “Ema Bovari” të Gustav Floberit.
Kalemi vitet e fundit të jetës i ka kaluar jashtë vendit, ndërsa ka pasur një karrier të jatë edhe si diplomat. Ai ishte një pasardhës i denjë i familjes Kalemi nga Mashkullora e Gjirokastrës.
Mediat në Shqipëri e konsiderojnë si një humbje të madhe vdekjen e përkthyesit të mirënjohur shqiptar. / KultPlus.com
Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj ka reaguar pas lajmit të fundit se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ngritë padi ndaj kryeministrit të Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj.
KultPlus
sjell reagimin e tij të plotë dhe origjinal:
Faqja e zeze
N’ven se Shqipnija me qu
padi kundra krimeve te bame ne Kosove e gjenocidin barbar ne dekada nga
Serbija, sot nji shortim mes greku e serbi “profeti“ paska qu padi per t’zotin
e shpise n’Kosove, vllaun e vet. I mjeri !
Historikisht kombi
shqiptar ka pase qakoj qe me bisht ner’ kame, i kan shti hunet fell, sa kan
mbrri me permyse sofren e vet per me ja bo qefin e me gzu vrasesin, hasmin
t’perbetuem t’vallut t’vet.
Po nuk jemi merzite asihere se luajt gardian qe jeten flijuan
neper dekada per ket’ liri t’lame me gjak, na kan lane djem e nipa boll, qe me
na e mrbojte torishten prej zagarve te ktij soji. N’funt t’funit, boll i kemi
hallet tona me ndamjen e hises se pushtetit, bash si qent e terrbum rreth
lekures se kurbanit.
HIJENA T’PUSHTETIT
Zot ruje Shypnin prej shartimit t’kti soji./KultPlus.com
Tirana është në prag të festës së 100 vjetorit të kryeqytetit, dhe për këtë festë Bashkia e Tiranës kishte bërë edhe një thirrje për të zgjedhë llogon e këtij përvjetori, shkruan KultPlus.
Rrezeart Galica, dizajneri kosovar ka shpërndarë në facebook një llogo të ngjashme të “Truman”, që sipas Galicës, Karrota e ka përdorë për llogon e Tiranës.
Kaluan 552 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale.
Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime, deri te kundërshtimi, urrejtja, keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm që aktualiteti i tij, “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..
Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij, ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.
Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit, atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje aftësia e tij në diplomacinë e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.
Këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.
Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.
Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.
Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.
Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.
Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.
Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm./drita.info/ KultPlus.com
Studiuesi i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 241 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.
Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”.
Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.
Gjergj Kastrioti i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.
Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge:
“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.
Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit: ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.
Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…
Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar… Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush… Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh… Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia.
Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën…
Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit”. / KultPlus.com
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar 38 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.
Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.
Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.
Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com
Kolegji Universum për disa vite me radhë po organizon – Konferencën Shkencore Studentore, këtë vit në bashkëpunim me IBCM – International Business College Mitrovica, Kolegji Universum hap thirrjen për “Punime Shkencore” nga studentët.
Thirrja vlen për të gjithë studentët nga të gjitha institucionet publike dhe private në Kosovë. Ndërsa prezantimi i punimeve do të bëhet gjatë Konferencës Shkencore Studentore.
Temat e punimeve janë Biznes dhe Marketing, Administratë Publike, Shkenca Kompjuterike, Mbrojtje e Mjedisit dhe Mësimi i Gjuhës Angleze;
Kolegji Universum në vazhdimësi inkurajon studentët që të angazhohen aktivisht në publikime akademike dhe hulumtuese. Kliko këtu për të lexuar revistat dhe publikimet e ndryshme të studentëve të Kolegjit Universum.
Për më shumë informata rreth Konferencës Shkencore Studentore kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;
Sot bëhen 552 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili vdiq më 17 janar 1468, në Lezhë.
Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.
Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.
Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij./ KultPlus.com
1–Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla.
2- Ligjet janë rrjeta ku mizat e mëdha kalojnë lehtësisht, ndërsa mizat e vogla ngelin të mbërthyera.
3- Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh.
4- Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen.
5- Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur
6- Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes.
7- Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukur.
8- Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona.
9- Dashuria është poezia e shqisave.
10- Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, se sa perla.
11- Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit.
12- Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas
13- Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë.
14- Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua.
15- Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë.
16- Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë.
17- Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?
18- Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!
19- Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron.
20 – Lumturia është poezia e gruas.
21- Të pakuptuarit përfshihen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.
22- Fama tepër e dëshiruar është pothuaj gjithmonë një prostitutë e pashpallur.
23- Kritika është një furçë që nuk mund të përdoret mbi stofra të buta, ku mund të rrënojë gjithçka.
24- Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët ia kërkojnë qiellit bekimin e tij.
25- Besojini gjithçka që dëgjojini të flitet për të tjerët, asgjë nuk është aq e shëmtuar sa të jetë e pamundur. / KultPlus.com
Me nismën e ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Itali, të premten te shtatorja e Gjergj Kastriotit, në sheshin Albania, do të mbahet një tubim përkujtimor në 552 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar.
“Më datë 17 janar, Ambasada e Republikës se Kosovës në Romë dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë organizojnë takimin në kujtim të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe. Ftojmë të marrin pjesë komunitetin shqiptar, atë arbëresh dhe miqtë italianë, në këtë aktivitet përkujtimor kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, simbol i rezistencës shqiptare në mbrojtje të qytetërimit evropian”, thuhet në një postim të Ambasadës së Kosovës në Itali.
Heroi kombëtar vdiq në moshën 63 vjeçare në Lezhë dhe u varros në kishën e Shën’Kollit, aty ku mblodhi prijësat shqiptarë për të themeluar Lidhjen e Lezhës. Për 25 vite me radhë, udhëhoqi luftën kundër Perandorisë osmane. /koha.net/ KultPlus.com
Dy artistët shqiptarë me famë botërore në një fotografi me fustanellën shqiptare në vitin 1985.
James Belushi dhe Stan Dragoti, dy artistët e mirënjohur shqiptarë të Hollywood-it, kishin veshur kostumet arvanitase dhe ishin shfaqur në këtë fotografi fantastike në vitin 1985. Fotografia është publikuar në Gazetën “Illyria”.
Stan Dragoti është vlerësuar nga Shqipëria me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në kohën e luftës së Kosovës, Stan Dragoti ishte një nga intelektualët shqiptaro-amerikanë më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të kombit të tij. Stan Dragoti është me origjinë nga Dragoti i Tepelenës.
Ai është i biri i Asllan Dragotit, veprimtarit të shquar të Vatrës, mbështetësit të Fan Nolit. Rrënojat e shtëpisë së tij janë ende në fshatin tepelenas të origjinës. Stan Dragoti vdiq para disa viteve në moshën 86 vjeçare në Los Angeles.
James Adam Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois), është aktor amerikan i kinematografisë, teatrit dhe televizionit me prejardhje shqiptare.
Fëmijërinë e rininë i kaloi në Veaton (Ilinois). Është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adem dhe Agnesë Belushit. Babai i tij, Ademi, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen fshatin Qytezë në vitin 1934, në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnesë Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte i madhi John Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollywood-it dhe shoqërisë në SHBA./ KultPlus.com
Aksioni ”72 orë” është projekti më i madh vullnetar i të rinjve në Zvicër dhe zhvillohet një herë në pesë vjet. Ideja është e thjeshtë: brenda 72 orësh, grupet e të rinjve në të gjithë vendin realizojnë projektet e tyre bamirëse dhe inovative, transmeton KultPlus.
Janë rreth 20 mijë të rinj në të gjithë Zvicrën që angazhohen në këtë aksion, për “ta bërë botën më të mirë të paktën për 72 orë”, siç theksohet në moton e tij.
“Pfadi Buchenberg AachThurLand ” (një organizatë e vëzhguesve ose e “skautve”) nga Thurgau ka vendosur që në këtë kuadër të realizojë një projekt të veçantë. Ky klub i të rinjve planifikon të organizojë një festival duke përfshirë aty edhe stendat e shitjes. Kështu, të rinjtë do të punojnë dy ditë dhe të ardhurat e grumbulluara do t`i dhurojnë për viktimat e tërmetit në Shqipëri.
Organizata tjera, në vende tjera të Zvicrës kanë në plan aktivitete tjera, shumica e tyre në lidhje me mbrojtjen e ambientit.
Projektet e fushatës “72 orë” janë frymëzuar nga 17 synimet e Axhendës së vitit 2030 në nivel botëror, transmeton albinfo.ch. Këto synime janë pjesë e një plani strategjik global në të cilin janë përfshirë pothuajse të gjitha vendet në botë. Fushata fillon ditën e enjte në ora 6 pasdite dhe nga atëherë zgjat 72 orë. /albinfo/ KultPlus.com
Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri Kur andej gardhit fluturojnë Shëgjetat e akullit. Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse Se dy shpata tu për tu Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule, kur je ti pranë ik si shpend i egër andej kah vjen terri. / KultPlus.com
“Jo”, tha ai me shpejtësi. “Kurrë. Të mbetemi miq? Pa mundohuni të rritni një kopsht të vogël me trëndafila, mbi hirin e ndjenjave të thyera? Jo, nuk do të funksiononte kurrë për ju, dhe as për mua. Kjo ndodh vetëm pas çështjeve të vogla, dhe duket çdo gjë e rreme. Dashuria nuk duhet të prishet nga miqësia. Fundi është fund”.
“Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që e ke dashur dikur”.
“Sa me ngathtësi sillet një person, që ka rënë vërtet në dashuri! Sa shpejt zhduket vetëbesimi i tij! Dhe sa i vetmuar ndihet; të gjitha përvojat e tij të lavdëruara duket se janë zhdukur, ashtu si mjegulla, dhe ai ndihet kaq i dobët dhe i pafuqishëm”.
“Vetëm ai që e di se çfarë është vetmia, e njeh vlerën e vërtetë të takimit me të dashurit e tij”.
“Një grua bëhet më e zgjuar kur ka rënë në dashuri, ndërsa një burrë thjesht e humbet toruan”.
“Vetëm njeriu i palumtur e vlerëson lumturinë. Një njeri i lumtur, nuk ndien më shumë gëzim sesa një manekin. Ai vetëm sa e shfaq, por nuk e zotëron atë. Drita nuk ndriçon në dritë; ajo shkëlqen në errësirë“.
“Sa më primitiv është një njeri, aq më shumë konsiderata të larta ka për vetveten”.
“S’ka asgjë më të lodhshme, sesa të shohësh se si një person e tregon intelektin e tij, veçanërisht nëse nuk ka asnjë të tillë”.
“Cinikët kanë karakterin më tërheqës, idealistët më të keqin. A nuk është e çuditshme?”
“Gratë duhet të adhurohen ose të braktisen. Çdo gjë tjetër është vetëm një gënjeshtër”.
“Çfarëdo që ju nuk mund ta keni, duket gjithmonë më e mirë se çdo gjë që keni. Kjo është romanca dhe budallallëku i jetës sonë!”.
“Thonë se jeta është e vështirë 70 vitet e para. Pastaj gjërat fillojnë të përmirësohen”.
“Pendimi është gjëja më e padobishme në botë. Asgjë nuk mund të kthehet pas, apo të ndryshohet. Asgjë nuk mund të fiksohet. Përndryshe të gjithë do të ishim shenjtorë. Jeta nuk do të thotë se që ne të jemi të përsosur. Ata që janë të përsosur, duhet të vendosen nëpër muzeume”.
“Ndonjëherë duhet të thyeni parimet tuaja. Përndryshe ato nuk do t’iu sjellin kurrë kënaqësi”.
“Është më mirë të vdesësh kur dëshiron të jetosh, sesa të jetosh kur dëshiron të vdesësh!”.
“Çfarëdo që ndodh me ju, mos e merrni kurrë si personale. Asgjë në këtë botë nuk është aq e rëndësishme”.
Fotografia më poshtë është bërë në shkollen fillore në qytetin e Watertown-it në Connecticut, transmeton KultPlus.
Të gjitha materialet informative në këtë shkollë janë të shkruara në gjuhë angleze dhe në gjuhë shqipe.
Sipas informacioneve të in7, në këtë pjesë të këtij shteti amerikan ka numër të konsiderueshëm të mërgimtarëve shqiptarë, prandaj shteti amerikan po mundohet t’u sigurojë kushte atyre që të ndjehen më mirë e më rehat.
Njoftimet që mund ti shikoni në foto, janë të vendosura nga institucioni Shkollat Publike të Watertownit. / KultPlus.com
Dua Lipa tash së fundi është bërë shqiptarja e parë që ka arritur t’i ketë 2 miliardë klikime vetëm me një video në Youtube, shkruan KultPlus
”New Rules”, hiti i këngëtares shqiptare, ka arritur që të hyjë në listën e ngushtë të këngëve që kanë mbi 2 miliardë klikime në Youtube.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja, përmes një postimi në llogarinë e saj personale në Instagram.
”Ju falenderoj shumë për përkrahjen dhe dashurinë. Kjo është një çmenduri”, ka shkruar këngëtarja në postimin e saj.
Videoklipi i këngës së famshme është shikuar e komentuar shumë dhe kënga vazhdon të dëgjohet akoma edhe gati 3 vite pas publikimit.
Videoja ka 10 milionë pëlqime, 315 mijë komente deri tani, numër ky që po vazhdon të rritet.
“New Rules” është publikuar si këngë në albumin e parë të këngëtares, një këngë që i ka sjellë suksesin e madh albumit dhe artistes, duke e bërë të njohur në të gjithë botën. / KultPlus.com
Logoja fituese e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet është logoja e dizajnuar nga kompania Karrota.
Lajmin e kanë treguar vetë Erion Veliaj dhe Fisnik Ismaili – nga Karrota.
Mbi 35 mijë qytetarë morrën pjesë në një votim online ku u paraqitën katër logot finaliste, ndërsa ajo e Karrotës pati më së shumta vota. / KultPlus.com
Xhevdet Ferri, aktori i mirënjohur shqiptar ka ndërruar jetë sot nga një sëmundje e rëndë në moshën 59- vjeçare.
Xhevdet Ferri, lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Ai ishte bashkëshorti i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si ‘’Dhe vjen një ditë’’,’’ Vitet e pritjes,Gjoleka’’ djali i Abazit,etj.
Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma një student. Më pas ai zhvilloi një karrierë të gjatë artistike. Disa prej filmave në të cila aktori ka luajtur do t’i gjeni më poshtë bashkëngjitur dhe rolin e tij.
Në kërkim të kujt – (2009) ….Prokurori
Gjallë – Alive! (2009) …Zefi
Time of the Comet (2007) …. babai Anjezes
Gjoleka, djali i Abazit (2006) …shoferi kamionit
Saimir – (2004) …Edmond
Dasma e Sakos – (1998) …Sako
Loin des barbares – (1994) …refugjat
Vitet e pritjes – (1990) …Gjoni
Treni niset në shtatë pa pesë – (1988) …Martini
Përrallë nga e kaluara – (1987)…Trimi
Dhe vjen një ditë – (1986) …..Gori
Hije që mbeten pas – (1985) …Agron Shkaba
Vendimi – (1984) ….Sadriu
Fushë e blertë fushë e kuqe – (1984) …Petriti
Besa e kuqe – (1982) …Pali
Era e ngrohtë e thellësive – (1982)
Gjurmë në kaltërsi – (1981 )…Astriti
Sketerre 43 – (1980) …Arjani
Vëllezër dhe shokë – (1980 )…Marko. / KultPlus.com